• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BOTËKUPTIMI PËRPARIMTAR I BUSHATLLIJVE, SHEMBULL PËR PASHALLARËT SHQIPTARË TË SHEKULLIT XXI

May 3, 2022 by s p

Filip Guraziu/

Studjuesi i mirënjohun i historisë së familjes së pashallarve Bushati të Shkodrës, historiani Stavri Naçi  na ka ballafaque me  material të bollshëm, mbi të cilin mundemi me nxjerrë konkluzione me vlerë, jo vetem për familjen e individët që e përfaqësuen atë familje, por edhe për zhvillimet që përjetoi qyteti i Shkodrës në atë periudhë.

Përpara se të shprehim konsideratat mbi vlerën ose ma mirë me thanë mbi rolin që luejti   familja e  pashallarve Bushati të Shkodrës për zhvillimin e Shkodrës  e të rrajonit si dhe për emancipimin e shoqnisë shkodrane  gjatë sundimit të pashallekut me të njajtin emen, duhet të kthehemi me kujtesë  në shekujt para ardhës të  shekullit  XVIII-të. 

Simbas historianëve, shekujt XVI e XVII-të  për Shkodrën dhe territorin rrethues, pasqyrojnë nji periudhë të “errët” në kuptimin e mungesës së zhvillimit  të shoqnuem prej nji anarkie totale; mungesës së rendit publik, të  stabilitetit ekonomik e të zhvillimit tregtar.  Konfliktet luftarake të vazhdueshme ndërmjet dyerve feudale që kërkojshin me çdo kusht sundimin mbi të tjerët damtonte fuqishëm ekonominë parësore të kohës, tregtinë. 

Kjo pra, ishte gjendja para ardhjes në fuqi si sundimtar i Shkodrës të Mehmet pashë Plakut në vjetin 1757. Dinastia e pashallarve Bushati përfundoi në vjetin 1831, kur Mustaf Reshit pashë Bushati me urdhën të Sulltanit  largohet përfundimisht prej Shkodrës. Gjatë 74 vjetëve sundim e qeverisje të pashallekut të Shkodrës, dinastia e Bushatllijve fuqizoi ekonominë dhe  ndikoi pozitivisht për liberalizimin dhe emancipimin e marëdhanieve shoqnore  në Shkodër e  rreth sajë. 

Në çdo rast që kujtojmë, pse jo edhe me nji dozë krenarie te ligjëshme, zhvillimin e qytetit të Shkodrës në historinë e vonë të sajë, gjatë periudhës së sundimit të Bushatllijve, pra gjatë fundit të shekullit XVIII-të dhe gjysës së parë të shekullit XIX-të. na vjen para syve fuqia e madhe  ekonomike si dhe emancipimi i shoqnisë si rezultat i  hapjes  drejt ideve progresiste europiane të kohës, Nji fakt tjeter domethanës, që indirekt përforcon meriten e rolin e Bushatllijve në drejtim të zhvillimit 360° të Shkodrës mundet me qenë edhe dukunia e ramjes graduale ekonomike e qytetit, fillimi i së cilës konstatohet pikërisht mbas vjetit 1831, kohë në të cilen Bushatllijtë ishin largue prej drejtimit të pashallekut të Shkodrës.

Nuk mundemi me e gjetë te ” rastësia” kët “hop” zhvillimor që dallohet qartë, në Shkodër e për rreth, e që ndodhi pikërisht gjatë periudhës së qeverisjes së dinastisë së familjes Bushati. Përgjigjen duhet ta kërkojmë te vizioni përparimtar ( natyrisht për kohën) që manifestuen përfaqëuesit e kësaj familje, të cilët ishin jo vetem të arsimuem, por edhe në kontakt, falë edhe pozicionit të veçantë gjeopolitik që gëzon Shkodra, me zhvillimet europiane të kohës. ( S’duhet harrue se  fuqizimi i pashallekut të Shkodrës, koinçidoi me periudhën e revolucionit borgjez në Francë, idetë e të cilit shkundën ” mykun”  shekullor të sistemit feudal në tanë botën). Kur jepen gjykime në histori për përsona të veçantë, për dinasti sundimtarësh etj., natyrisht tregohen edhe sjelljet personale të tyne që jo gjithmonë janë të pëlqyeshme ( e kuptueshme se edhe ato janë njerëz si tanë të tjerët), por në fund gjykimi përfundimtar  bazohet kryesisht te vlerësimi i ndikimit të tyne për zhvillimin e  ekonomisë, rritjen e mirëqenies dhe emancipimin me moral pozitiv të shoqnisë.

” E para asht fjala” na mëson Bibla, në kuptimin që ” ideja”, pra formimi  ideologjik që vjen prej  ndërthurjës së edukimit me eksperiencën e skalitun në DNA e individit, ishte e mbetet primare në analizen e sjelljeve dhe veprave të “sapiensit”.

Simbas këtij kandvështrimi, fakti që rrajët e familjes Bushati ishin thellë në tokën e shqipeve, ndërgjegjësoi ndjeshmëninë e identitetit të tyne arbnor e mbi kët bazë u konsolidue edhe formimi i tyne kulturor i plotësuem nëpërmjet edukimit arsimor  që morën. Kujtojmë së biblioteka e parë në Shkodër ishte vepër e tyne. 

Si të gjithë shqiptarët autokton që s’bashku me qumështin e nanës morën vetëdije edhe mbi luften heroike për pamvarësi  të Gjergj Kastriotit Skënderbeut edhe përfaqësuesit e familjes së Bushatllijve nuk bajnë përjashtim prej këtij konteksti.  Rrethet  shoqnore shkodrane të periudhës së Karamahmutit  dëshmojnë se ai kishte si ambicje me u  konsiderue si mbasardhësi i Skenderbeut, opinion që bahet i besueshëm  prej veprimtarisë së  Kara Mahmutit, i cili me shtysen e austriakëve  organizoi lidhjen anti turke të Podgoricës në vjetin 1786, por që nuk pati sukses. Ishte pra ky  formim kuturor që i mundësoi  me  konceptue e me vlerësue randësinë e bashkimit shpirtnor të arbnorëve; pamvarësisht prej bindjeve fetare jemi të tanë bijt e kësaj toke, jemi arbnor !  E filloi Mehmet pashë Plaku dhe e vazhdoi i biri, Karamahmuti; mos diskriminimin e shqiptarëve katolike. ” Bashkimi  shpirtnor sjell fuqi e mirëqenie”. Faktet që dëshmon historia gjatë qeverisjes së përfaqësuesve të familjes  Bushati janë rrjedhim i bindjeve të tyne përparimtare. 

 – Dy herë, në vjetin 1787 dhe 1793, kur Porta e naltë tentoi ta eleminonte me fuqinë e armëve  Karamahmut pashën, i erdhën në ndihmë malësorët katolikë rreth Shkodrës dhe Karamahmuti doli fitimtar! 

– Nuk duhet konsiderue rastësi që historia e mjeksisë shqiptare (Dr. Kerçiku) cilësoi italianin Dr. Emidio Tedeschinin si mjekun e parë me diplomë europiane  që ushtroi aktivitetin  e tij në Shkodër – Shqipni; Ishte vizionari Mehmet pashë Plaku që e kishte ftue si mjek i oborrit të tij në vjetët 50-të të shekullit XVIII-të. Në vjetët që pasuen familjarët e Dr.Emidio Tedeschini hapën për herë të parë edhe farmaci të stilit europian në Shkodër e Durrës) 

 – Nuk duhet me ia lanë rastësisë që në Shkodër gjatë asaj periudhe lulëzuen ekonomikisht familje tregtare katolike të fuqishme si Bjanku, Çoba, Suma, Muzhani etj.  anijet e të cilëve, pronë e tyne, nëpërmjet lumit Buna ndërlidhshin Shkodrën me qytetet e zhvillueme të Adriatikut e s’bashku me mallnat, sillshin edhe ide të reja të cilat emancipuen shoqninë shkodrane; ishin shejat e para të frymës së liberalizmit e të mosdiskriminimit  fetar, rrjedhim nji vizioni te ri përparimtar ( për kohën) i Bushatllijve që i mundësoi atyne ( tregtarëve) mbrojtje e kushte lehtësuese për zhvillimin e tregtisë. ( Kur nji tregtar katolik shkodran u përdhunue në Prizren, vetë Karamahmuti shkoi atje dhe dënoi  përdhunuesit !)

– Si mundemi me spjegue ndërhymjen e Ipeshkvit të Shkodrës te Papa në Romë në favor Karamahmut pashës ( i cili në atë kohë ishte i dënuem me vdekje prej Divanit)  për me i kërkue Sulltanit falje për Karamahmutin? Ka vetem nji spjegim; mirëkuptimi ndërfetar   që  falë Karamahmutit, në atë kohë, filloi  me marrë jetë në pashallekun e Shkodrës i dha mbështetje morale Ipeshkvit për ndërhymje te Papa…)

Kujtojmë se qendra e Pashallekut të Shkodrës, qyteti i Shkodës në kohën e pashallarve  Bushati numëronte mbi 40.000 banorë; zemra ekonomike e qytetit, pazari, kishte mbi 2500 dyqane e magazina; flota tregtare  shkodrane e ulqinake me rreth 100 anije ndërlidhte tregtarët  shkodranë me qytetet ma të zhvillueme të mesdheut; karvanet tregtare me kuaj të ngarkuem, përshkojshin të qetë e të sigurtë rrugen prej Shkodrës drejt qendrave të ballkanit, Prizren, Shkup e përtej në lindje; përfaqësuesit ( konsujt ) e shteteve ma të fuqishëm të europës kishin seli në Shkodër etj., etj. etj.

Pa diskutim, ajo periudhë mbetet periudha ekonomike ma e lulëzueme që njeh Shkodra, meritë e vizionit përparimtar të përfaqësuesve të familjes së pashallarve Bushati. Ato mbrritën me qenë të suksesëshëm e fitimtarë, sepse  ushqyen dhe vepruen ( mbrenda mundësive që lejonte koha ) për bashkimin shpirtnor të shqiptarëve, pa dallim feje e krahine.

 ” …Po sot Shqipni, më thuej si je ?, ashtu si lisi i rrëxuem përdhe…! ” 

Shqiptarët sot janë ma të përçamë se kurrë…! ( Përçamje gjuhësore, fetare ideologjike, partiake, gjeografike…, si rezultat i keqmenaxhimit diskriminues e jo demokratik ! )

” O pashallarë të shekulli XXI, merrni shëmbull prej Bushatllijve, vetem bashkimi shpirtnor i shqiptarëve sjell përparim në tokën e Shqipes.!”

Filed Under: Histori Tagged With: Filip Guraziu

IMZOT GJERGJ VOLAJ / Vritet Ipeshkvi ma i ri n’ botë

May 3, 2022 by s p

C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\INetCache\Content.Word\download.jpg

  IMZOT GJERGJ VOLAJ

  (1904 – 1948)

“Nanë! Mos kjaj per até që po shef tashti! 

Kjaj per até që vjen ma mbrapa!” 

Imz. Gjergj VOLAJ

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Porsa kalon Uren e Bunës brij Kështjellës Rozafat dhe nisesh per në rrugen brijë  Liqenit të Shkodres, plot mbas 7 km, gjindesh në fshatin Shirokë. Asht nder fshatet ma t’ aferta të Shkodres, ku prifti i Shirokës Don Zef Ashta, në vitin 1874 ka hapë shkollen e parë shqipe. Ajo shkollë u hap pranë Kishës në

krahun e djathtë, në ndertesen e Tom Mark Radovanit, të Parvet të mij. Bana ket hymje mbasi Shiroka asht qendra ma e permendun pranë Shkodres, per njerzit e mëdhaj që i ka dhanë Shqipnisë tue fillue nga i njoftuni Kardinali i Parë Shqiptar Imzot Mikel Koliqi, doktor Federik Shiroka, At Anton Harapi e deri tek mësues e profesora të njohun në gjithë Shqipninë e ditve të shkueme e të sotme. 

Aty asht le edhe Imzot Gjergj Volaj me 21 Shtator 1904. Mbasi perfundoi shkollen fillore në vendlindje, vazhdoi seminarin Papnuer në Shkoder e, mbas tij vazhdoi n’ Itali në Padova, universitetin e filozofisë si dhe Seminarin Minor, ku ra në sy per një pergatitje të mrekullueshme dhe sjelljen e Tij shembullore. 

Pak vjet mbas Tij u pat le edhe djali i dytë Kola, që ma vonë edhe Ky ju kushtue me andje të madhe, Urdhnit Françeskan dhe mori emnin At Viktor Volaj O.F.M. 

Dy vllazen dijetar dhe klerikë shumë të nderuem të Klerit Katolik në Shqipni.

Me 28 Qershor 1930, Gjergj Volaj shugurohet Meshtar nga Argjipeshkvi i njohun Metropolitan i Shkodres, Imz. Lazer Mjedja. Emnohet famullitar i Malit Jushit. Në Shkrel ka sherbye deri në vitin 1936, që ishte zonë e thellë malore e njohun. Aty emnohet Ipeshkëv i Sapës, me qender në Nenshat, ku me 26 Qershor 1940, në moshen 36 vjeçare, tue kenë ipeshkëv i Sapës, gzon titujt ma të naltë fatarë e kjo ishte një knaqësi shumë e madhe per Katolikët e Shqipnisë së Veriut. Imz. Gjergj Volaj ishte shumë i rij kur Kardinali della Costa, Ipeshkëv i Padovës, e prezantoi me përgjegjësin, Delegatin Apostolik në Shqipni della Pietra, tue i paraqit studentin Gjergj Volaj, si ekzemplar të veçantë. Prej asaj kohë Imz. Volaj u dallue edhe si predikatar. 

Ishte ma i riu ipeshkëv, por me aftësi dhe me një kulturë të naltë. Krahas me kryeipeshkvin Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Nikollë Deda, Dom Ndre Zadeja. Mbahet mend, në Shkodër më 26 maj 1946 kur ndrroi jetë Imzot Gaspër Thaçi. Procesioni i përmortshëm nëpër rrugët e qytetit, megjithëse ishin marrë masa tepër të rrepta nga shteti komunist që të pengonte në çdo mënyrë procesionin, ai u ba aq madhështor dhe me pjesmarrje të gjithë jo vetem të qytetarve të Shkodres por, edhe të studentave të Gjimnazit shtetit, saqë u vlerësue si manifestim i papërsëritshëm kundër komunizmit.

Në meshën e përshpirtshme ceremoniale, fjalën e rastit ia caktuene dhe e mbajti Imzot Gjergj Volaj. Një ligjeratë e mbetun në kujtesen tonë, si fjalim i paharrueshëm historik, madje edhe i guximshëm, nga podi predikatar në Katedrale ku populli e mbushi si asnjëherë, mbrenda e jashta me popull besimtar të Shkodrës mbarë. Paraqitja e Imzot Volaj si prijës me shkopin baritor në dorë, me gojtarinë e rrjellshme të predikatarit me forcë fjale, i prekun thellë nga dhimbja dhe trazimet e kohës, ka mbetë shprehja gojore e një fjalimi ma të fuqishëm i predikatarit, ku respektohej figura e njohun fetare e nderueme e Imz. Gasper Thaçit, ku Imz. Volaj thirri me za të naltë:
I paharrueshmi Kryeipeshkëv Imzot Thaçi! Ti përgjithmonë Shqiptar!
Ti përgjithmonë meshtar, katolik, apostolik romak!  Ishte ky fillimi i fjalës plot za e forcë që ushtoi edhe jashtë Katedrales dhe u përhap kudo, si një definicion paralajmërues i një vije të palëkundshme i të gjithë klerit katolik që do të vazhdonte rrugën e mundimeve në Kalvarin e madh e deri në martirizim. Nuk harrohet edhe jehona e fjalës në shpatin e kështjellës Rozafat në ditën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë më 25 prill 1946. Shtegtim i vërtetë masiv i një populli besimtar në këtë Shejtore, të ardhun nga qyteti e të gjitha katundet rreth Shkodrës për festën e Zojës. 

Mesha e kremtue nga Imzot Gjergj Volaj. Predikatari i njohun Volaj, me aftësi foli për devocionin e Zojës, për besën e shpresën e qëndrueshme tek Mbrojtësja e Shkodrës dhe e Kishës Katolike në këto kohë aq të vështira. 

Ishte predikimi i fundit i Imz Volaj: Porosi dhe thirrje për Besim në Zotin.

Ky fjalim paralajmërues i fundit nuk ishte jo i papritun. Ata që e njohën dhe ia ndigjuen zanin, kanë shka të flasin për Imzot Gjergj Volaj, por edhe të lotojnë sepse, komunistët ia morën jetën krejt të pafajshëm. Ishte koha e luftës së Ever Hoxhës kundër Krishtit. Në rrethana poshtnimi u arrestue Imzot Gjergj Volaj. Për akuza të pavërteta u torturue mizorisht dhe kujtohet nder ma të masakruemit klerikë katolik nga Sigurimi i shtetit komunist. 

Mbas arrestimit u mbajt në hetuesinë ma të mnershme të Sigurimit shtetit në Shkoder, në hetuesinë e Kuvendit të Fretenve pranë Kishës së tyne, ku pak kohë perpara sigurimi komunist kishte futë edhe armët nën elterë. Aty Imz. Volaj provoi tmeret e panjoftuna ndonjëherë nga Atdhetarët dhe kleri katolik paperjashtim, po disa nga drejtuesit e Atij kleri janë masakrue aqsa nder shtetet e Europës Lindore komuniste as nuk njiheshin ato tortura. 

Vetë mbyllja e procesit Imz. Gjergj Volaj me firmen e Tij, verteton paasnjë kundershtim se Ai, jo vetem ishte i pafajshem po, edhe i pamujtun mos me i pranue akuzat që as nuk i shkonte mendja se do të firmonte në jeten e Tij. 

U dënue me vdekje. Për çudi Ju lejue një takim special me Nanën e tij njëditë para pushkatimit të Imz. Gjergjit. U duk ky takim si ndonjë nga ndalesat në rrugën e mundimshme të Kalvarit: Dukej si ndalesa e Katërt ku Jezu Krishti i dënuem me vdekje takon Nanën e vet. Jo pa qellim të keq: E takuene vetem me e demoralizue Djalin para Nanës së vet të shkretë!

Sa dhimbje të mëdha kanë provue këto dy zemra të pasterta e të dashtuna!

I dhimshëm po edhe i paimagjinueshem takimi me Nanën e vet Tone, i të dënuemit me vdekje Imzot Gjergj Volaj njëditë përpara pushkatimit. Ai e ngushëlloi Nanën e vet kur e pau aq të rrënueme. “Nanë, mos vajto atë që tashti sheh tek unë. Kjajë ditët ma të vështira që do të vijnë!” Ia shtrini dorën mbi kokë dhe i tha: “Kjofsh e Bekueme o Nanë!” Të theruna zemre, mjerim e lot, por bekim për amshim. “Kjofsh i bekuem o Biri i Nanës!” Iu përgjegj Nana. Vetem Ato Nana mund të flasin edhe sot nga gropat e Rrmajt mbasi asnjëherë, nuk harrohen krismat në orët e para të mëngjeseve të atyne kohëve të zeza, që vijshin gjithnjë nga Penda e Kirit mbas Rrëmajit.

Me 3 shkurt 1948 mbas vorreve, aty tek Zalli i Kirit, u pushkatuen disa vetë të hjedhun në një gropë. Por nuk u mbyll këtu dhimbja për Nanën e vujtun. Edhe djali tjeter At Viktor Volaj, atdhetar, gjuhëtar dhe studiues, etnograf, përkthyes e autor i sa e sa shkrimeve e studimeve, bashkëpunëtor i ngushtë i At Justin Rrotës e At Gjergj Fishtës, që ishte edhe komentator i të gjitha veprave të poetit të madh kombtar, nuk i shpëtoi dënimit për shumë vite në internime komuniste kur nana e vet krejtësisht e vetmueme, kalonte jetën  pranë një familjes bamirse. E pra kjo asht e verteta e Familjes Volaj, që u shfaros nga Sigurimi i shtetit komunist i diktatorit terrorist pa asnjë shkak vetem, pse dy djelmët ishin thirrë me i sherbye Kishës Katolike në Shqipni.

E sa familje si kjo ka sot Shqipnia e “rilindur socialiste”?! – As nuk bahet e dijtun kurr masakra e madhe e diktaturës barbare komuniste në Shqipni! 

Dihet vetem një fakt: Shqipnia jo vetem nuk i dënon krimet e komunizmit, po perditë mendon per kthimin mbrapa të shtetit, tue ringjallë diktaturen, fanatizmin anadollak dhe shthurjen e ligjve e të ecjes drejtë Europës.   

A ka sot Nanë Shqiptare që i këndon Djalit si Nana e Imzot Gjergj Volaj: 

“Flej qetësisht n’at djep moj njome,

  pusho n’paqë me ej’ e zana,

  si ma t’mirin nder gjithë kombe

  për Shqipni tash t’rritë ty Nana.” (Shkrue nga Don Ndre Zadeja).

Melbourne, 2 Maji 2022.                       

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani

STAMBOUL (1912) / SHKRESA E ISA BOLETINIT PËR T’U ARDHUR NË NDIHMË SHQIPTARËVE TË MALIT TË ZI

April 29, 2022 by s p


Isa Boletini
Isa Boletini

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Prill 2022

“Stamboul” ka botuar, të hënën e 26 gushtit 1912, në faqen n°2, shkresën e Isa Boletinit për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve të Malit të Zi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në Mal të Zi

Isa Boletini i dërgon nga Mitrovica shkresën e mëposhtme Ibrahim Pashës :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Malazezët dogjën fshatrat myslimanë përgjatë lumit Lim midis Akvës dhe Beranës. Banorët myslimanë të këtij rajoni janë objekt i sulmeve të vazhdueshme. Në pamundësi për të qëndruar indiferent, në prani të kësaj situate vendosa t’u shkoj në ndihmë. Megjithatë, meqenëse armët që kam në dispozicion nuk janë të përdorshme, ju lutemi jepni komandantit urdhrat e nevojshëm për të më dhënë, kundrejt një fature, armë, municione, rroba në sasi të mjaftueshme, me bindjen se qasja ime ka për qëllim të vetëm të mbrojë nderin dhe prestigjin e atdheut dhe të qeverisë.”

Bajram Curri dhe Riza bej Gjakova, nga ana e tyre, kërkuan 3000 mauzerë (pushkë) për t’u shkuar në ndihmë Gucisë dhe Beranës të rrethuara nga malazezët. 

Filed Under: Histori

“Dëshmi e trishtë e një shenjtori” një homazh kushtuar jetës dhe veprës së baba Bektash Aliajt

April 28, 2022 by s p

Baba Dr. Eliton Pashaj*

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar organizatorë të këtij promovimi, motra dhe vëllezër! Falënderimet i takojnë Zotit të Botëve, Muhamed –Aliut dhe gjithë shenjtorëve! Lutem që këta të na ndihmojnë në udhëtimin tonë shpirtëror të përjetshëm! Së pari do të falënderoja të pranishmit, që kanë ardhur sot të ndajmë së bashku emocionet që na falin evente të tillë. Një libër i ri, është padyshim një dritare e re në qiejt e mendimeve dhe perceptimeve tona. Po kur bëhet fjalë për një monografi historike dhe aq më shumë për një klerik të tarikatit bektashian, atëherë vëmendja jonë bëhet më e madhe si në rrafshin social ashtu edhe fetarë. Sepse në të vërtetë, misioni ynë si klerikë (pavarësisht se çfarë besimi apo feje i përkasin) nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asgjë të pandarë nga shtjellat e jetës njerëzore të komuniteteve ku japim shpresë. Libri im “Dëshmi e trishtë e një shenjtori” kushtuar jetës dhe veprës së baba Bektash Aliajt, postmbajtës i teqesë së Golimbasit në Vlorë për dekada të tëra, besoj se ka vendin e vet në bibliotekën e sotme bektashiane. Në të vërtetë, duke marrë penën për të skalitur këtë personazh, kam menduar përpara së gjithash të hedh dritë mbi një periudhë shumë të vështirë të krejt zhvillimeve të feve në Shqipëri, siç është ajo e pas vitit 1944. Shpesh herë, kur flitet për luftën që diktatura në Shqipëri, i bëri fesë në përgjithësi, mendja na shkon tek viti i mbrapshtë 1967, atëherë kur u rrafshuan nga themelet kisha, xhami e teqe, kur klerikët u tallën, u nëpërkëmbën apo më keq akoma u internuan apo burgosën. Të gjitha këto janë të dhimbshme dhe të jetuara masivisht prej nesh.

 E vërteta është se përpara se të rrënoheshin objektet e adhurimit të Zotit, diktatura ishte “kujdesur” që të kontrollonte në imtësi, të ndërhynte brutalisht dhe të ushtronte dhunë fizike e mendore qysh në fillim të vitit 1945, me masakrën ndaj klerit katolik në Shkodër e për të vijuar më pas me hoxhallarë e baballarë të respektuar. Janë një varg ligjesh, vendimesh dhe dispozitash të viteve 1946-1966, të cilat na bëjnë me dije për veprimet ateiste të partisë – shtet, e cila ka bërë ç’ishte e mundur të dëbonte nga zemrat e shqiptarëve besimeve në Zot, për të rrënjosur pas kësaj, “dashurinë e pakufishme” për partinë dhe “udhëheqësin e madh”. Paradoksalisht shumë prej këtyre ligjeve kundra Zotit, janë miratuar edhe Kuvendin e Shqipërisë, nga të zgjedhurit që gjoja përfaqësonin vullnetin e popullit.

Pikërisht këtu do të fillonte drama e madhe e klerikëve tanë të atyre viteve, të cilët në veprimtarinë e tyre aq paqësore dhe fisnike, do të gjendeshin paparitmas, përballë rreziqesh që u vinin nga mekanizmat e verbër të diktaturës komuniste. Fjalët e tyre në oborret e teqeve, në xhami e në kisha do të përgjoheshin, do të shtrembëroheshin dhe jo rrallë këta klerikë të devotshëm do të viheshin përballë akuzave të njerëzve pafe, përballë organizmave të tillë, siç ishin ishin “fronti demokratik”,  “organizata e partisë” etj, duke dashur në të vërtetë mohimin e vetë besimit. Sigurisht edhe pse përballë barrierave të tilla, klerikët tanë ia dualën sepse patën kurdoherë pranë besimtarët dhe ndihmën e pakursyer të Gjithëmëshirshmit.

Pa më të voglin dyshim, jeta e baba Bektash Veliajt, është e ngjashme me të gjitha jetët e klerikëve shqiptarë, në vitet 1945-1990. Mynxyra komuniste do të bënte kurdoherë përpjekjet e saj, sikundër edhe këta klerikë do dëshmonin trimërinë e tyre. Baba Bektashi, ky klerik pjesëmarrës aktiv në luftën për pavarësi kombëtar, i dërguar syrgjyn nga italianët në vitet 1916-1917 në birucat e Siçilisë, kontribuues i spikatur në luftën e Vlorës në vitin 1920 dhe organizator i çetave kundër pushtimit italian më vitin 1939, befas do ta shihte veten në zullumet e ish sigurimit të shtetit shqiptar të asaj kohe. E vetmja gjë, të cilën ky baba e kish bërë me ndërgjegje të plotë, ishte se gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ai kish pritur e përcjellë në teqen e Golimbasit, çetat e luftëtarëve nga të dy krahët, si komunistë ashtu edhe nacionalistë. Dhe ky akt ishte krejt i natyrshëm kur bëhet fjalë për mikpritjen e teqeve të Haxhi Bektash Veliut, përgjatë 800 viteve të ekzistencës së tyre.

Por ky akt kaq i natyrshëm për një baba teqeje, ishte i papranueshëm për regjimin. Këtu nis edhe kalvari i këtij kleriku, i cili sidoqoftë, deri në frymën e  fundit të tij, u mbështoll nga dashuria dhe dhimbja e besimtarëve të shumtë nga Vlora, Mallakastra dhe Tepelena. Ndërkaq, mënyra se si ky klerik bektashian, kaloi nga kjo jetë, rrëfen se ka patur plot përfaqësues fetarë, të cilët nuk u pajtuan me kornizat ideologjike dhe i shpërfillën ato, qoftë edhe përmes atij akti të dhimbshëm. Mesazhet e tij, sikundër të dhjetëra klerikëve të tjerë janë provë e palëkundëshmirësë së tyre ndaj parimeve fetarë e moralë të religjionit.

Të nderuar të pranishëm!

Këtu nuk është vendi i analizave të thella dhe këndvështrimeve apo perceptimeve tona rreth motiveve të këtij libri. Eventi i sotëm, më jep rastin dhe kënaqësinë e veçantë të falënderoj në radhë të parë të gjithë ata besimtarë të urtë vlonjatë, mallakastriotë dhe tepelenas, të cilët në gjallje të baba Bektashit e adhuruan dhe respektuan atë, ndërsa sot, kanë gjetur kohën dhe kanë dhënë mendimet dhe kujtimet e tyre të vyera. Mbetëm shpresëplotë që këto kujtime, do t’i shpërbejnë përveç punës sime studimore edhe vetë historisë së bektashizmit shqiptarë, për një nga periudhat më të vështira të tij.

Një falënderim i veçantë u shkon sot, zotërinjve: Syrja Xhelaj dhe znj.Nevila Plasa të cilët hulumtuan dosje voluminoze në Arkivin Qendror Shqiptarë dhe përmes qindra dokumentesh muarën në vëmendjen e tyre, qëmtuan dhe më dërguan mua në teqe, pikërisht ata më esencialët, që lidheshin me zhvillimet bektashiane në trevën e Vlorës, si edhe veçmas me ato të teqesë së Golimbasit dhe baba Bektash Aliajt. Së fundi dot  doja të falënderoja dy prej recensentëve të librit, njohës dhe dashamirës bektashianë, Prof.Dr.Mesut Idriz në Stamboll dhe Prof.Dr.Bardhosh Gaçe në Shqipëri, të cilët më kanë dhënë mendime shumë të vlefshëm për kapituj të veçantë, pa harruar këtu edhe përkrahjen intelektuale të mikes së teqesë, të baba Rexhebit, të baballarëve të tjerë dhe sot mikja ime, Profesorja France Trix.

*Përshëndetje e baba Eliton Pashait në promovimin e librit “Dëshmi e trishtë e një shenjtori”, New York. 

Filed Under: Histori Tagged With: eliton pashaj

RELACIONI I VINÇENC ZMAJEVIQIT NGA VITI 1703 – BURIM ME VLERA TË ÇMUARA PËR HISTORINË E SHQIPTARËVE

April 23, 2022 by s p

Portreti i Vinçenc Zmajeviqit
2-a. Vendodhja e doreshkrimit nga BAV
Faqja e pare e doreshkrimit te Relacionit te Zmajeviqit nga de Propaganda Fide
Faqja e pare e doreshkrimit te Relacionit te Zmajeviqit nga Biblioteca Apostolica Vaticana
Vizatimi mbi kapakun e arkës ku ruhen reliket e shenjta, që gjendj në Kishën e Oroshit të Mirditës
F. 80 e dorshkrimit te BAV

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Në Biblioteca Apostolica Vaticana, në Vatikan, në sektorin e dorëshkrimeve, ruhet njëri nga relacionet autografë të Vinçenc Zmajeviqit në dorëshkrim me titull: “Notizzie Universali dello Stato di Albania, e dell‘operato da Monsignore Vincenzo Zmajevich Arcivescovo di Antivari Visitatore Apostolico dell‘Albania. Esaminate nelle Congregationi Generali di Propaganda Fide de 3 e 18 dicembre 1703., 7, 21, e 28 Genaio e 12 febraio 1704. Si come vede dal Foglio delle Risolutioni posto in fine Segnato Letera A,” me signaturë: Mss. Barber. Lat. 4577, sign. e vjetër: Mss. Lat. 126. – Papa Klementi XI (1700-1721), Françesk Albani, me origjinë shqiptare, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me veprime konkrete ndikoi në mbrojtjen e të krishterëve të tjerë të Gadishullit Ballkanik në përgjithësi dhe të shqiptarëve në trojet etnike në veçanti.

Burimet dokumentare zbërthejnë sfondin e një drame të dhimbshme, e cila vazhdonte të luhej edhe në territoret shqiptare, të cilat ishin pikëtakimi i interesave të fuqive të kohës, Perandorisë Osmane në njërën anë, dhe në anën tjetër të fuqive perëndimore si Austro-Hungaria, Selia e Shenjtë, Venediku të mbështetura edhe nga Rusia. Janë të njohura ngjarjet e viteve nëntëdhjetë të shekullit XVII, disfatat dhe sëmundjet vdekjeprurëse të kohës, të cilat ndikuan në mënyrë të ndjeshme në strukturën etnike të disa viseve shqiptare, nga ku ndodhën shpërngulje masive për në territore më të sigurta.

Këtu e ka burimin edhe keqinterpretimi dhe shtrembërimi i servirur nga historiografia sllave, që ngriti dhe ngre mite të rreme dhe të paqendrueshme, që vazhdojnë të jenë të zëshme edhe sot e kësaj dite, përkundër fakteve bindëse që vërtetojnë një realitet krejt tjetër nga ajo e servirur prej tyre për atë kohë. Megjithatë, zhvillimet politike të fundshekullit XVII ishin të favorshme për popujt e Gadishullit Ballkanik për çlirimin e tyre nga sundimi osman. 

Disfata që pësuan turqit para Vjenës nga forcat aleate të Lidhjes së Shenjtë, që udhëhiqej nga Vatikani, dhe përbëhej nga Venediku, Rusia, Malta, Toskana dhe ushtria polake, bëri që ndikimi dhe pushteti i tyre të dobësohet në territoret ku ata sundonin, veçanërisht në Hungari, Bosnjë, Serbi, Ukrainë, por edhe në Dalmaci e More.

Archivio di Propaganda Fide në Romë, Archivio Segreto Vaticano në Vatikan dhe Biblioteca Apostolica Vaticana, po në Vatikan, ruajnë burime shumë të rëndësishme për këtë periudhë, respektivisht për shekujt XVII dhe XVIII, burime këto kryesisht të pabotuara, ose të botuara si fragmente, pra jo komplete. Burimet në fjalë janë përpiluar nga personalitete të larta kishtare, siç ishin vizitatorët apostolikë, persona këta me përvojë dhe që zakonisht ishin të shoqëruar nga një ekip i posaçëm ndihmësish të specializuar, kryesisht të sjellë nga Roma, për të hetuar dhe vlerësuar situatën në vendet që vizitonin. Atyre u vihej në dispozicion e gjithë baza burimologjike dokumentare, d.m.th të gjitha burimet e shkruara të kryeipeshkvive, ipeshkvive, famullive, kuvendeve dhe kishave të territoreve që ata vizitonin, si dhe burimet njerëzore: klerikët e të gjitha rangjeve, të zgjedhur nga ata vetë. Përveç këtyre burimeve të cilave u referoheshin, ata vëzhgonin edhe gjendjen reale dhe bënin përshkrimin e saj, në momentin që bëhej vizita.

Në këtë mënyrë, ata bënin krahasime dhe analiza me burimet e shkruara që dispononin dhe në të njëjtën kohë, propozonin zgjidhje të reja, ide dhe opinione konkrete për secilën nga njësitë hierarkike vendore të territorit që ata vizitonin. Të gjitha këto burime njihen me një emër në arkiva dhe biblioteka: relacione (Relationes). Relacione të tilla për dioqezat shqiptare në shek. XVII dhe XVIII, ka në numër të konsiderueshëm. Disa prej tyre janë të njohura për studiuesit dhe historianët si p.sh.: Relacioni i Marin Bicit. Po kështu relacionet e Pjetër Mazrekut, nga vitet 1623, 1624 dhe 1625, të Pjetër Budit, Gjergj Bardhit nga vitet 1629, 1631, 1634, 1637 dhe 1638, Frang Bardhit më 1637, F. Leonardit më 1638, Mark Skurës më 1641, 1644-1645 dhe 1652-1656, i Shtjefën Gasparit më 1671, Pjetër Bogdanit etj. Të gjitha këto relacione janë botuar nga studiues të huaj, të cilët nuk njohin ose e njohin pak gjuhën shqipe dhe toponimet shqipe, shpesh herë, duke sjellë ngatërresa dhe pasaktësi të theksuara.

Në këtë shkrim do të flasim për relacionin e Vinçenc Zmajeviqit nga viti 1703. Është koha kur në Selinë e Shenjtë pontifikonte Papa Klementi XI (1700-1721), Françesk Albani, me origjinë shqiptare, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me veprime konkrete ndikoi në mbrojtjen e të krishterëve të tjerë të Gadishullit Ballkanik në përgjithësi dhe të shqiptarëve në trojet etnike në veçanti. Në fillimin e pontifikatit të këtij pape (1700), në trojet shqiptare kishte një kryeipeshkv dhe vetëm tre ipeshkvë, Pjetër Zymini, kryeipeshkëv i Durrësit, Nikollë Vlladanji, ipeshkëv i Lezhës, Gjergj Theodori, ipeshkëv i Sapës dhe Pjetër Karagiqi, ipeshkëv i Pultit. Disa vite më vonë këtyre u bashkohen edhe dy ipeshkvë: Anton Babi, ipeshkv i Shkodrës, Marin Gjini ipeshkv i Pultit, ndërsa si kryeipeshkv kemi në Shkup Pjetër Karagiqin dhe Vinçenc Zamjeviqin në Tivar, kështu që plotësohen selitë vakante kryeipeshkvnore dhe ipeshkvnore më të rëndësishme shqiptare.

Numri i përgjithshëm i famullive ishte 87, të cilat mbulonin 279 vendbanime, ku shërbente një kler prej 98 meshtarësh shekullarë, 32 misionarësh françeskanë të reformuar, si dhe 7 rregulltarë françeskanë observantë shqiptarë. Numri i përgjithshëm i frymëve të krishtera ishte 65.159.

Duke njohur të gjithë situatën nga afër, Papa Klementi XI, fillimisht emëron Vinçenc Zmajeviqin kryeipeshkv të Tivarit (në vitin 1701), por edhe administrator të Ipeshkvisë së Budvës si dhe primas të Serbisë dhe vizitator apostolik për Shqipëri, Maqedoni, Bullgari dhe Serbi. Me bulë të veçantë, më datë 8 qershor 1702, Papa Klementi XI e emëron Vinçenc Zmajeviqin vizitator apostolik në të gjitha dioqezat shqiptare dhe misionet françeskane (Vincentius Zmajevich, archiepiscopi Antibarensis 8 Iulii 1702 deputavit visitatore apostolico eçlesiarum et missionum provincie Epiri seu Albaniae iuxta…) duke i dhënë kështu mundësinë që të vizitonte të gjitha territoret shqiptare dhe të raportonte për to në relacionet që do të hartonte gjatë qëndrimit të tij në këto territore. Relacionet e Zmajeviqit sot janë burime me vlera të jashtëzakonshme për historinë e trojeve shqiptare të asaj periudhe.

Në Biblioteca Apostolica Vaticana, në Vatikan, në sektorin e dorëshkrimeve, ruhet njëri nga relacionet autografë të Vinçenc Zmajeviqit në dorëshkrim me titull: “Notizzie Universali dello Stato di Albania, e dell‘operato da Monsignore Vincenzo Zmajevich Arcivescovo di Antivari Visitatore Apostolico dell‘Albania. Esaminate nelle Congregationi Generali di Propaganda Fide de 3 e 18 dicembre 1703., 7, 21, e 28 Genaio e 12 febraio 1704. Si come vede dal Foglio delle Risolutioni posto in fine Segnato Letera A,” me signaturë: Mss. Barber. Lat. 4577, sign. e vjetër: Mss. Lat. 126. (Shih faksimilen e frontespicit botuar si ilustrim).

Ky dorëshkrim, mjaft i vëllimshëm, i kësaj biblioteke, nuk është botuar deri më sot me sa dimë ne. Në fakt, një kopje tjetër e këtij dorëshkrimi, e cila ka ndryshime të theksuara jo vetëm në formë, duke filluar që nga titulli, por edhe në përmbajtje, si toponimet, mikrotoponimet, renditja e lëndës burimore, shënimet statistikore, etj., ruhet në Archivio de Propaganda Fide në Vatikan, dhe mban titullin “Relatione dello stato d‘Albania e Servia visitate da Vincenzo Zmaievich Arcivescovo d‘Antivari. Nell Anno MDÇII in III (1702-1703), (shih faksimilen e frontespicit që po e botojmë në këtë shkrim), me sign. APF. SCR, Albania, v. 5, f. 535r 661v, dhe është botuar nga albanologu gjerman Peter Bartl në vitin 1979, i cili gjithsesi duhet krahasuar me origjinalin për disa gjëra që janë të diskutueshme dhe të pasaktësuara.

Puna e bërë nga albanologu P. Bartl, është për t‘u lavdëruar dhe përkon me pohimin tonë, edhe pse relacionet janë botuar ose edhe të pjesshme, si regesta ose në ndonjë rast janë bërë përpjekje të editohen të plota, vetëm nga të huaj. Historiani shqiptar Injac Zamputi, i përktheu relacionet, por pa pasur asnjëherë gjatë jetës së tij origjinalet e ndonjërit prej. Ai përdorte vetëm ato që botonin të tjerët, në shumë raste, me plot mangësi e gabime të shumta siç është në rastin konkret botimi i relacionit të Marinin Bicit nga viti 1610 nga kroati Franjo Raçki me plot gabime, shkurtime dhe pasaktësi të toponimeve që më vonë e boton Zamputi, një botim në anglisht ka bërë edhe Robet Elsie, por pa përmirësuar, korrigjuar apo rregulluar lëshimet e Raçkit, i cili në hyrje te botimit të tij pohon se ka shkurtime e gabime të shumta.

Dorëshkrimi që ruhet në BAV, është sipas mendimit tonë autograf i vetë Vinçenc Zmajeviqit, dhe sipas të gjitha gjasave duhet të jetë origjinali i parë, nga ku është përpiluar kopja e dytë me disa plotësime dhe ndryshime që ruhet në AFP dhe që është dorëshkrimi i At Gallanit, sekretarit personal të imzot Zmajeviqit.

Krahasimet e të dyja dorëshkrimeve i bëjmë me siguri të madhe, sepse ato i kemi konsultuar në vend, pra në origjinal në arkivat ku ruhen sot, përkatësisht në Archivio de Propaganda Fide  dhe në Biblioteca Apostolica Vaticana, por në të njëjtën kohë i kemi riprodhuar në kopje të skanuar dhe të stampuar nga BAV dhe AFP, të cilat na mundësojnë nxjerrjen e përfundimeve logjike dhe të sakta, duke eliminuar gabimet e mundshme ose të ngjashme me ato të ndonjërit që është marrë me studimin e njërës apo tjetrës kopje të dorëshkrimit.

Dorëshkrimi i relacionit që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit

Dorëshkrimi i BAV-it është i lidhur si vëllim më vete, ka kopertina pergameni të fortë. Duke filluar me f. 1 deri në f. 227, është dorëshkrimi i relacionit, ndërsa nga f. 228 deri në f. 231 vazhdon shtesa “Folium A” që përmban “Rescripta in Congregatione Generali 3a Decembris 1703; In Congregatione 18 Decembris 1703; 7 Januarii 1704; 21 Januari 1704; 28 Januari 1704; 12 Februarii 1704 dhe është një regjistër në gjuhën latine i dokumenteve në lidhje me vizitën apostolike të vitit 1702, por edhe dokumente që kanë të bëjnë me Kuvendin e Arbërit të vitit 1703, me botimin e akteve të Kuvendit dhe me masat e tjera që kanë të bëjnë me meshtarët, misionarët dhe famullitë e ipeshkvitë e vizituara, etj. Faqet 98, 107, 108, 136 dhe 170, në pjesën ku është dorëshkrimi i vizitës, janë boshe, por të faqosura, ndërsa në mes të faqeve 118-119 është futur një fletë, e cila përmban disa shënime që kanë të bëjnë me kapitujt e relacionit.

I tërë vëllimi është i shkruar nga një dorë e vetme, që është dora e Kryeipeshkvit V. Zmajeviq. Këtë e pohojmë me siguri, sepse kemi bërë krahasime të shumta me letërkëmbimin e bollshëm që ruhet në ASV, BAV dhe AFP të Zmajeviqit me të tjerët. Sipas shënimeve të marra në BAV, dorëshkrimi është restauruar në vitin 1890, në kohën e Papës Leone XIII (1878-1903), kur kardinal dhe prefekt i BAV-it ishte Joseph Hergenröther (1879-1890).
Dorëshkrimi është në gjendje të rëndë, sepse ka dëmtime të shumta, për shkak të cilësisë së dobët të letrës, dhe gërryerjes së ngjyrës gjatë shekujve. Në disa vende nuk lexohet ose lexohet me shumë vështirësi. Në BAV ka arritur së bashku me dorëshkrimet e tjera të kardinal Barberinit, që ruhen në këtë bibliotekë dhe i tërë fondi mban emrin e tij.

Frontespici i dorëshkrimit mban titullin që shënuam më lart, ndërsa faqja në vazhdim është bosh dhe e pafaqosur. Në f. 1-18, imzot Zmajeviqi bën një përshkrim të përgjithshëm, historik dhe gjeografik të Shqipërisë dhe dioqezave të saj, duke shkruar për historinë e shqiptarëve, origjinën e tyre, historikun përmbledhës të dioqezave dhe shtrirjen hapësinore të tyre (kufijtë e secilës), gjendjen ekonomike, informacione mbi faqosjen e taksave dhe punën angari që bëjnë të krishterët të detyruar nga turqit. Pastaj shkruan për veset dhe virtytet e shqiptarëve, mungesën e klerit, injorancën e madhe të klerit që shërben në tërë territorin e Shqipërisë, si dhe propozon masat konkrete që duhen ndërmarrë, e ajo më kryesorja është thirrja e një Kuvendi gjithëshqiptar sa më parë që të jetë e mundur.

Në vazhdim, në hyrje të çdo kapitulli, imzot Zmajeviqi përshkruan me saktësi gjithçka që ka të bëjë me jetën sakrale dhe fetare të popullit dhe klerit, për toponiminë e dioqezave, famullitë, gjendjen e objekteve të kultit, kishave, duke saktësuar se cila është në gjendje të mirë, cila është gjysmë e rrënuar dhe cila e rrënuar krejt dhe kanë mbetur vetëm si rrënoja apo gërmadha; bën përshkrimin e mbishkrimeve, pastaj sjell shënime për reliktet, orenditë, ikonat kishtare, të ardhurat e famullive, administrimin e sakramenteve, pastaj kujdes të veçantë i kushton praktikës dhe shmangieve që janë në kundërshtim me jetën e krishterë dhe ajo më kryesorja, sjell numrin e saktë të popullsisë së gjithë territorit shqiptar. Në fund të çdo kapitulli shënon masat konkrete për të shmangur keqpërdorimet, pastaj propozon mundësitë për rindërtime, restaurime dhe ngritje të reja të kishave të dioqezave përkatëse, shënon me saktësi se cilat janë pajisjet që u nevojiten kishave, rrobat, orenditë e shenjta dhe gjëra të tjera.

Meqenëse titulli i dorëshkrimit të BAV-it ndryshon nga ai i AFP, në vazhdim sjellin në mënyrë përmbledhëse secilin veç e veç, të përkthyer në gjuhën shqipe, duke shënuar edhe numrin e faqeve të dorëshkrimit, për të bërë të mundur orientimin e studiuesve dhe historianëve shqiptarë dhe të tjerë që dëshirojnë të merren me studimin e këtij dorëshkrimi. Kështu kemi: Gjendja e kryeipeshkvisë së Tivarit nga lashtësia deri më sot; gjendja e dioqezës së Shkodrës; gjendja e ipeshkvisë së Pultit; gjendja e ipeshkvisë së Sapës; gjendja e ipeshkvisë së Lezhës; gjendja e kishës së kryeipeshkvisë së Durrësit; gjendja e kishës së Budvës; gjenda e kishave të Serbisë nën administrimin e kryeipeshkvit të Shkupit; gjendja e krishtërimit në Bullgari; propozime konkrete për tejkalimin e situatës në Shqipëri dhe Serbi; të dhëna të sakta statistikore për fshatrat, famullitë, shtëpitë dhe besimtarët e krishterë, skizmatikët e turqit që banojnë në secilën prej dioqezave të Shqipërisë.

Dorëshkrimi i APF është i lidhur me dokumente të tjera në një vëllim mjaft voluminoz, që përmban dokumente për vitet 1696-1707, si vëll. V, për Shqipërinë, me titull: Scriture Referite nei Congressi, Albania. Po ashtu, në këtë dorëshkrim, gjejmë një vizatim shumë të bukur të kapakut të arkës ku ruhen reliket e shenjta, që gjendeshin në kishën e Oroshit të Mirditës, me pamje të ndryshme shenjtorësh dhe mbishkrime të përziera në gjuhët greke dhe sllave-qirilicë, që nuk ndodhet në dorëshkrimin e BAV-it dhe sipas mendimit tonë dhe të arkivistëve të AFP, është punim i bërë pasi është dorëzuar relacioni, por që i përket viteve të relacionit.

Një ndryshim tjetër kemi në fletën 589r ku gjejmë të dhënat dhe sqarimet përkatëse për vizatimin dhe mbishkrimet e kapakut të arkës ku ruhen reliket e shenjta të relikeve të argjendit të kishës së Oroshit, ku shënjohet se në qendër është vendosur Shën Lleshi, sipër ka një engjëll që duhet të jetë Shën Gabrieli ose Shën Mihaili, majtas janë Jezu Krishti, Shën Mëria dhe një martir, ndërsa djathtas Shën Prokopi, Shën Dhimitri dhe Shën Nestori, poshtë mbishkrimi në greqisht dhe sllavisht-qirilicë. As ky shënim nuk ndodhet në dorëshkrimin e BAV-it. (Sjellim si ilustrim këtë vizatim të bukur).

Duke studiuar me kujdes të dyja kopjet e Relacionit të Vinçenc Zmajeviqit, natyrisht duke pasur parasysh edhe dallimet e cekuara më lart, mendojmë se ky Relacion, në mënyrë shumë të qartë, me objektivitet dhe saktësi paraqet regjistrimin e popullsisë shqiptare në fillimshekullin XVIII, por njëherësh, pasqyron edhe gjendjen ekonomike, politike, kulturore dhe shpirtërore-fetare të popullit shqiptar, që ndodhej nën sundimin turk, duke nxjerrë në pah, mendojmë ne, me objektivitet edhe dobësitë, injorancën, deformimet dhe shpërdorimet e ndryshme të klerikëve shqiptarë që shërbenin në dioqezat shqiptare, që njëherësh është edhe tregues për një nga momentet më të rëndësishme të jetës së Kishës Shqiptare, në kohën kur po bëheshin përpjekje të pareshtura për të zbatuar dekretet e reformës kishtare.

Në anën tjetër, ky dorëshkrim në dy kopje të ndryshme, në dy vende të ndryshme, ka vlerë të jashtëzakonshme historike, sepse në masë të konsiderueshme mundëson njohjen e rrethanave të përgjithshme qofshin ato gjeopolitike, historike, ekonomike, kulturore apo fetare, të mbajtjes së Kuvendit të Arbërit dhe është dëshmi burimore arkivore pararendëse e këtij Kuvendi, nga viti 1703. Ndërsa At V. Malaj për dorëshkrim shkruan: “Përmes rreshtave të Vizitës ne kuptojmë për gjendjen e padurueshme të klerit dhe të besimtarëve. Nga kuadri i dhënë nxjerr krye një bashkësi e krishterë jo pa njolla morale, megjithëse në thelb besnike e traditave stërgjyshore e fetare, në mjaft raste të ngjyrosura me devocion të veçantë për këtë apo për atë shenjt protektor, që jo gjithmonë ishin të motivuara nga ana teologjike mbi një bazë të shëndoshë katekistike kryesisht nga kujdesi i pamjaftueshëm pastoral që kishte mbetur në dorë të pak meshtarëve dhe misionarëve”.

Kush është imzot Vinçenc Zmajeviqi?

Vinçenc Zmajeviqi rrjedh nga një familje me traditë, e cila për herë të parë në dokumentet arkivore përmendet në vitin 1543 (arkivi i Kotorrit). Në fillim të shek. XVII, një degë e familjes nga Kotorri shpërngulet në Perast. Nga kjo familje dalin emra të njohur si Andre Zmajeviqi, prelat i lartë kishtar dhe Kryeipeshkv i Tivarit; Kristofori, i ati i Vinçencit, që ishte kapetan në marinën detare dhe tregtar i njohur i kohës, pastaj i vëllai më i madh i Vinçencit, Mateo, ishte admiral në flotën detare ruse, etj. Vinçenc Zmajeviqi lindi më 23 dhjetor të vitit 1670, në Perast (Mali i Zi) nga prindërit Kristofori dhe Helena. U pagëzua nga i ungji, imzot Andre Zmajeviqi, i cili edhe ndikoi shumë në formimin dhe përcaktimin e së ardhmes së Vinçencit të ri. Në moshën 15-vjeçare u dërgua në Romë pranë Kolegjit të Propagandës Fide, ku studioi teologji dhe filozofi. Gjatë qëndrimit dhe studimeve në Romë, takoi shumë personalitete të jetës kishtare dhe publike, por dy ishin më me ndikim te studenti i ri: kardinali Françesk Albani (më vonë Papa Klementi XI) dhe profesori i kolegjit ku ai studioi, Gjon Pashtriqi.

Në Romë fitoi gradën doktor në shkencat teologjiko-filozofike dhe për disa vjet u bë pedagog pranë këtij kolegji. Në vitin 1695 kthehet në atdhe, ku me propozim të Senatit të Venedikut, praktikë e kohës, Vinçenci emërohet abat në abacinë e Shën Gjergjit pranë Perastit, që ishte abaci titullare e abacisë së mirënjohur të Shën Sergjit e Bakut, në Shirgj të Bunës, nga e cila administrohej edhe famullia e Shën Nikollës në breg të Bunës (1695-1701). Me vdekjen e Kryeipeshkvit të Tivarit, Marin Gjorgës, Papa Klementi XI, Zmajeviqin e ri, në moshë vetëm tridhjetë e një vjeçare, më 18 prill të vitit 1701, e emëron Kryeipeshkëv të Tivarit. Pas një shërbimi prej dymbëdhjetë vitesh si Kryeipeshkëv i Tivarit, imzot Vinçenci emërohet nga Papa Klementi XI, si kryeipeshëkv në Selinë Metropolitane të Zarës, më 23 maj të vitit 1713. Arsyet e një transferimi të tillë ishin krejt personale, nga frika e një hakmarrje të mundshme nga njerëzit e kontit Bujoviq, i cili u vra nga vëllai i imzot V. Zmajeviqit. Në kryeipeshkvinë e Zarës qëndroi deri në vdekje, më 11 shtator 1745. Edhe pse fizikisht larg shqiptarëve, ai gjatë gjithë kohës u kujdes dhe ndoqi nga afër çfarëdo që ndodhte atje. P.sh. në vitet 1721 dhe 1726, u kujdes që një pjesë e popullsisë shqiptare të shpërngulej nga trojet e tyre rreth Liqenit të Shkodrës, nga Brisku, Shestani, Lajra dhe Arbëneshi dhe të vendosej në paralagjen e Zarës Arbanasi por edhe në Zemunik e Plloçe. Imzot Zmajeviqi në moshën 15- vjeçare shkroi veprën “Razgovor duhovni”, ndërsa më vonë shkroi edhe një vëllim me poezi me titull “Musarum chorus in laudem Antonii Zenii” (1694), dhe po këtë vit botoi në Romë edhe “Corona poetica,” pastaj ishte autor i traktateve: “Ogledalo istine-Speçhio della verita” (1721) të një letre për vëllain Mateo, një “Dëshirë” për Koncilin Provincial të Francës, mbi bulën e Papës Klementi XI Unigenitus (1713), pastaj “Quenselle” traktat kundër herezive, etj. Me rëndësi të veçantë për albanologjinë është botimi i dokumenteve të “Kuvendit të Arbnit”, më 1706, në gjuhën latine dhe shqipe, pastaj edhe “Relacioni…”, si dhe një vëllim i lidhur me letërkëmbim prej 52 copë letra nga viti 1700-1729 që ruhen në Zagreb, por edhe relacione të tjera, dorëshkrime e korrespondencë e shumtë që ruhet në ASV, BAV, AFP, Zarë, HAZU, SNKZ, etj., dhe që ende janë të pabotuara 

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 222
  • 223
  • 224
  • 225
  • 226
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT