Baba Dr. Eliton Pashaj*
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar organizatorë të këtij promovimi, motra dhe vëllezër! Falënderimet i takojnë Zotit të Botëve, Muhamed –Aliut dhe gjithë shenjtorëve! Lutem që këta të na ndihmojnë në udhëtimin tonë shpirtëror të përjetshëm! Së pari do të falënderoja të pranishmit, që kanë ardhur sot të ndajmë së bashku emocionet që na falin evente të tillë. Një libër i ri, është padyshim një dritare e re në qiejt e mendimeve dhe perceptimeve tona. Po kur bëhet fjalë për një monografi historike dhe aq më shumë për një klerik të tarikatit bektashian, atëherë vëmendja jonë bëhet më e madhe si në rrafshin social ashtu edhe fetarë. Sepse në të vërtetë, misioni ynë si klerikë (pavarësisht se çfarë besimi apo feje i përkasin) nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asgjë të pandarë nga shtjellat e jetës njerëzore të komuniteteve ku japim shpresë. Libri im “Dëshmi e trishtë e një shenjtori” kushtuar jetës dhe veprës së baba Bektash Aliajt, postmbajtës i teqesë së Golimbasit në Vlorë për dekada të tëra, besoj se ka vendin e vet në bibliotekën e sotme bektashiane. Në të vërtetë, duke marrë penën për të skalitur këtë personazh, kam menduar përpara së gjithash të hedh dritë mbi një periudhë shumë të vështirë të krejt zhvillimeve të feve në Shqipëri, siç është ajo e pas vitit 1944. Shpesh herë, kur flitet për luftën që diktatura në Shqipëri, i bëri fesë në përgjithësi, mendja na shkon tek viti i mbrapshtë 1967, atëherë kur u rrafshuan nga themelet kisha, xhami e teqe, kur klerikët u tallën, u nëpërkëmbën apo më keq akoma u internuan apo burgosën. Të gjitha këto janë të dhimbshme dhe të jetuara masivisht prej nesh.
E vërteta është se përpara se të rrënoheshin objektet e adhurimit të Zotit, diktatura ishte “kujdesur” që të kontrollonte në imtësi, të ndërhynte brutalisht dhe të ushtronte dhunë fizike e mendore qysh në fillim të vitit 1945, me masakrën ndaj klerit katolik në Shkodër e për të vijuar më pas me hoxhallarë e baballarë të respektuar. Janë një varg ligjesh, vendimesh dhe dispozitash të viteve 1946-1966, të cilat na bëjnë me dije për veprimet ateiste të partisë – shtet, e cila ka bërë ç’ishte e mundur të dëbonte nga zemrat e shqiptarëve besimeve në Zot, për të rrënjosur pas kësaj, “dashurinë e pakufishme” për partinë dhe “udhëheqësin e madh”. Paradoksalisht shumë prej këtyre ligjeve kundra Zotit, janë miratuar edhe Kuvendin e Shqipërisë, nga të zgjedhurit që gjoja përfaqësonin vullnetin e popullit.
Pikërisht këtu do të fillonte drama e madhe e klerikëve tanë të atyre viteve, të cilët në veprimtarinë e tyre aq paqësore dhe fisnike, do të gjendeshin paparitmas, përballë rreziqesh që u vinin nga mekanizmat e verbër të diktaturës komuniste. Fjalët e tyre në oborret e teqeve, në xhami e në kisha do të përgjoheshin, do të shtrembëroheshin dhe jo rrallë këta klerikë të devotshëm do të viheshin përballë akuzave të njerëzve pafe, përballë organizmave të tillë, siç ishin ishin “fronti demokratik”, “organizata e partisë” etj, duke dashur në të vërtetë mohimin e vetë besimit. Sigurisht edhe pse përballë barrierave të tilla, klerikët tanë ia dualën sepse patën kurdoherë pranë besimtarët dhe ndihmën e pakursyer të Gjithëmëshirshmit.
Pa më të voglin dyshim, jeta e baba Bektash Veliajt, është e ngjashme me të gjitha jetët e klerikëve shqiptarë, në vitet 1945-1990. Mynxyra komuniste do të bënte kurdoherë përpjekjet e saj, sikundër edhe këta klerikë do dëshmonin trimërinë e tyre. Baba Bektashi, ky klerik pjesëmarrës aktiv në luftën për pavarësi kombëtar, i dërguar syrgjyn nga italianët në vitet 1916-1917 në birucat e Siçilisë, kontribuues i spikatur në luftën e Vlorës në vitin 1920 dhe organizator i çetave kundër pushtimit italian më vitin 1939, befas do ta shihte veten në zullumet e ish sigurimit të shtetit shqiptar të asaj kohe. E vetmja gjë, të cilën ky baba e kish bërë me ndërgjegje të plotë, ishte se gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ai kish pritur e përcjellë në teqen e Golimbasit, çetat e luftëtarëve nga të dy krahët, si komunistë ashtu edhe nacionalistë. Dhe ky akt ishte krejt i natyrshëm kur bëhet fjalë për mikpritjen e teqeve të Haxhi Bektash Veliut, përgjatë 800 viteve të ekzistencës së tyre.
Por ky akt kaq i natyrshëm për një baba teqeje, ishte i papranueshëm për regjimin. Këtu nis edhe kalvari i këtij kleriku, i cili sidoqoftë, deri në frymën e fundit të tij, u mbështoll nga dashuria dhe dhimbja e besimtarëve të shumtë nga Vlora, Mallakastra dhe Tepelena. Ndërkaq, mënyra se si ky klerik bektashian, kaloi nga kjo jetë, rrëfen se ka patur plot përfaqësues fetarë, të cilët nuk u pajtuan me kornizat ideologjike dhe i shpërfillën ato, qoftë edhe përmes atij akti të dhimbshëm. Mesazhet e tij, sikundër të dhjetëra klerikëve të tjerë janë provë e palëkundëshmirësë së tyre ndaj parimeve fetarë e moralë të religjionit.
Të nderuar të pranishëm!
Këtu nuk është vendi i analizave të thella dhe këndvështrimeve apo perceptimeve tona rreth motiveve të këtij libri. Eventi i sotëm, më jep rastin dhe kënaqësinë e veçantë të falënderoj në radhë të parë të gjithë ata besimtarë të urtë vlonjatë, mallakastriotë dhe tepelenas, të cilët në gjallje të baba Bektashit e adhuruan dhe respektuan atë, ndërsa sot, kanë gjetur kohën dhe kanë dhënë mendimet dhe kujtimet e tyre të vyera. Mbetëm shpresëplotë që këto kujtime, do t’i shpërbejnë përveç punës sime studimore edhe vetë historisë së bektashizmit shqiptarë, për një nga periudhat më të vështira të tij.
Një falënderim i veçantë u shkon sot, zotërinjve: Syrja Xhelaj dhe znj.Nevila Plasa të cilët hulumtuan dosje voluminoze në Arkivin Qendror Shqiptarë dhe përmes qindra dokumentesh muarën në vëmendjen e tyre, qëmtuan dhe më dërguan mua në teqe, pikërisht ata më esencialët, që lidheshin me zhvillimet bektashiane në trevën e Vlorës, si edhe veçmas me ato të teqesë së Golimbasit dhe baba Bektash Aliajt. Së fundi dot doja të falënderoja dy prej recensentëve të librit, njohës dhe dashamirës bektashianë, Prof.Dr.Mesut Idriz në Stamboll dhe Prof.Dr.Bardhosh Gaçe në Shqipëri, të cilët më kanë dhënë mendime shumë të vlefshëm për kapituj të veçantë, pa harruar këtu edhe përkrahjen intelektuale të mikes së teqesë, të baba Rexhebit, të baballarëve të tjerë dhe sot mikja ime, Profesorja France Trix.
*Përshëndetje e baba Eliton Pashait në promovimin e librit “Dëshmi e trishtë e një shenjtori”, New York.