• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Para 23 viteve në Kosovë ndodhte Bosnja, në Rahovec Srebrenica

July 17, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 17 Korrik 2021/ Në Rahovec prej sot deri në 22 Korrik 2021 zhvillohen aktivitetet e shënimit të “Epopesë së UÇK-së të Korrikut 1998”, organizuar nga Komuna. “Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar para 23 vitesh, në korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe për Radio Televizionin Shqiptar. “Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec”, citoheshin raportimet edhe në mbititullin e kryetitullin e gazetës kosovare të rezistencës “Bujku”, të 22 Korrikut 1998, në ballinën e së cilës  ishte edhe mbititulli “Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë”  dhe titulli   “Të masakruar, të vrarë dhe të djegur”. Ndërsa, në botimin e 25 Korrikut 1998 gazeta “Bujku” në ballinë kishte kryetitullin “Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit”. Me titullin  “Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës” citohej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga konferenca për shtyp. “Shumë të vrarë, të humbur pa gjurmë e të arrestur”, ishte titulli nga informata për ngjarjet në Rahovec e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. “Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën”, ishte mbititull e titull tjetër në ballinen e gazetës, e cila theksonte edhe se letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë. Gazeta e rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmes të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë.

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 Korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Raportoja se edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar. Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë. Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht. Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 Korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec. Në raportimet për situatën në Rahovec para 23 viteve, në 23 Korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha. Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën”. Ndërsa, në 24 Korrik 1998, po para 22 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”. “‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova. ‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe. ‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve. Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare”. Sias citimit të gazetës “Bujku”, pyetja ime drejtuar Presidentit Rugova në atë konferencë shtypi ishte kjo: “A po vonohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, kur dihen vlerësimet gjithnjë e më të shpeshta se këtu po ndodh Bosnja?”. Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 22 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës  në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi. “Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar. Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.  “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”,  ka thënë Gruda. Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. “Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohet në të parën nga 6 pikat e Rezolutës. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se sot po mbështetet një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës dhe se ky është veprim fisnik dhe i duhur, jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që  përfaqësohen,  por mbi të gjitha në emër të universales njerëzore dhe dëshirës për paqe dhe drejtësi. “Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i krimeve gjenocidale, të cilin po e bëjmë edhe përmes rezolutës së sotme, duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm dhe i kudondodhur, në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më. Ne sot përkujtojmë, me dhimbje e me respekt të thellë, martirizimin e 8372 burrave e djemve në Srebrenicë, por edhe dhimbjen e mijëra grave të përdhunuara, teksa shpërnguleshin dhunshëm për të krijuar realitetin e ri demografik. Ky krim mori emër, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e sanksionoi si gjenocid”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit Qeveria e Kosovës, do të kontribuohet që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajon.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, kosova

EPOPEJA E PETËR BARTL DUHET ÇUAR DERI NË FUND

July 16, 2021 by s p

Mark Palnikaj, Tiranë më 12 korrik 2021

Me 19 maj 2021 ka dalë në qarkullim volumi 5 i serisë “Albania Sacra” i albanologut të shquar Peter Bartl botuar me logon Albanisce Forscungen (Studime Shqiptare) 26. 5 me redaktim të albanologëve Bardhyl Demiraj, Titos Jochalas dhe Oliver Jens Schmitt. Është vëllimi V i profesor Bartlit i një serie prej pesë volumesh me dokumente mbi gjendjen e kishës katolike në Shqipërinë e Veriut gjatë periudhës së pushtimit turk. Ky vëllim pason katër volumet e mëparshme të shkruara për Lezhën, Durrësin, Sapë-SardëN dhe Pultin. Petër Bartl u lind më 26 nëntor të vitit 1938 në Cottbus të Gjermanisë. Ai është albanolog gjerman me një veprimtari të gjerë shkencore, e cila përfshin një sërë fushash mbi historinë e shqiptarëve gjatë Perandorisë Osmane, marrëdhëniet shqiptaro-venedikase, ngulimet arbëreshe në Itali etj.. Ai e ka zhvilluar veprimtarinë e tij pranë Universitetit Ludwig-Maximilians në Mynih të Gjermanisë. Ka drejtuar Institutin e Studimeve Albanologjike në Munchen mbas daljes në pension të albanologut shqiptar Martin Camaj. Ka marrë pjesë dhe ka mbajtur tema studimore për Shqipërinë në Gjermani dhe në shum shtete të tjera duke sjellë të dhëna mjaft të rëndësishme për historinë dhe kulturën e Shqipërisë. Botimi i këtij libri është shoqëruar me një trajtesë të shkurtër në gjuhën gjermane për përmbajtjen e tij të cilën po ua përcjellim lexuesve tanë të përkthyer në gjuhën shqipe si më poshtë: “Ky vëllim përmbyll botimin e raporteve të vizitave nga Shqipëria gjatë periudhës turke. Shkodra nuk ishte dioqeza më e madhe, por më e rëndësishme shqiptare, e cila u ngrit në rangun e kryeipeshkvisë në vitin 1867. Qyteti ishte një qendër administrative dhe tregtare dhe konsiderohej kryeqyteti aktual i Shqipërisë deri në fillim të shekullit të 20-të. Banorët e krishterë ishin në minorancë atje dhe u prekën veçanërisht nga ngjarje politike të tilla si luftërat turke dhe përpjekjet për të ndarë sundimtarët lokalë. Jeta e kishës ishte subjekt i kufizimeve të rënda. Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të Shkodra u bë qendra kulturore dhe politike e katolikëve shqiptarë falë pranisë së konsujve evropianë dhe protektoratit kulturor austro-hungarez. Shumica e 139 dokumenteve të botuara në vëllim vijnë nga Arkivi Historik i Propaganda Fide në Romë dhe janë në Italisht. Botimi përfshin jo vetëm raporte vizitash, por edhe letra nga ipeshkvinj dhe klerikë kur raportojnë për kushtet dhe ngjarjet në dioqezë. Dokumentet ofrojnë informacion jo vetëm për kushtet e emërtimit, por edhe për mënyrën e jetës së banorëve, për kryengritjet, masat zyrtare dhe për kulturën popullore. Ato janë një burim i rëndësishëm për gjeografinë historike të Shqipërisë së Veriut. Të gjitha dokumentet janë të pajisura me spjegime të hollësishme në gjuhë për përmbajtjen dhe shënime komentuese. Një hyrje e hollësishme shkon në historinë dhe kufijtë e dioqezës, famullive dhe formimin e klerit, fenomene të tilla si islamizimi dhe kriptokrishtërimi, zakonet dhe sjelljet e banorëve dhe ngjarjet politike. Treguesi i emrave të vendeve dhe një regjistër i emrave të vendeve dhe personave, si dhe termat teknikë përmbyllin vëllimin.”

Fakti më i rëndësishëm ishte ai që profesori i nderuar e ka përmbyllur serinë e tij “Albania Sacra” me volumin e pestë ku përfshihet pjesa brenda kufijve politik të atdheut tonë duke lënë pa përfunduar edhe dy volumet e tjera për Dioqezën e Shkupit dhe atë të Tivarit të cilat për fat të keq janë të shkëputura nga atdheu i të parëve të tyre. Nga 910 faqe të veprës, dokumentat origjinale përbëjnë rreth 700 faqe. Pjesa e parë, studimi, zë rreth 118 faqe. Me shumë vlerë janë edhe ato pjesë që përbëjnë aparatin shkencor të veprës, sikurse treguesit toponimikë, treguesi i emrave të njerëzve dhe të vendeve etj. Në serinë “Albania Sacra” ky volum është më i madhi, me 910 ku përfshihen 139 dokumenta të shkruara në gjuhën italjane në mbi 700 faqe format B5. Kjo e bën këtë libër të jetë më kryesori për të dhënat që përmban për Shkodrën me rrethina për një periudhë 300 vjeçare. Pjesët më të rëndësishme të këtij studimi kanë të bëjnë me historinë dhe shtrirjen e dioqezës së Shkodrës, me famullitë, shkollat dhe selitë ipeshkvnore, me ndërtesat kishtare, me klerikët dhe urdhrat fetarë si atë françeskan, me islamizimin dhe kriptokrishtërimin, me raportet e kishës me sundimtarët Bushatllinj në kohën kur ata e qeverisën këtë ipeshkvi ,në mënyrë të veçantë me popullsinë, organizimin dhe zakonet e saj, siç na përcillen këto të gjitha nga relacionet kishtare. Dokumentet e botuara në këtë vëllim janë nxjerrë nga pesë seri: Scritture Orginali Riferite nelle Congregazioni Generali (SOCG), Scritture Riferite nei Congressi (SC), Visite e Collegi, Nuova Serie, Rubrica 109 si dhe nga fondi Missioni të Archivio Segreto Vaticano. Ka edhe dokumente nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Shumica e këtyre dokumenteve botohen për herë të parë. Ky libër së bashku me katër volume e para duhet të përkthehen në gjuhën shqipe mbasi do të jenë një mjet i mirë për të shkruar me vërtetësi historinë e ndodhive në trevat e veriut të Shqipërisë. Ne kemi në proçes botimi në gjuhën shqipe vëllimin e katërt të kësaj serie, atë të Pultit me 77 dokumente me rreth 270 faqe. Botimi edhe i vëllimeve të tjera por sidomos i volumit të pestë ku bëhet fjalë për Dioqezën e Shkodrës ka një rëndësi shumë të madhe. Këtë duhet ta bëjnë institucione zyrtare nga shoqëria civile ose nga shteti sepse është një ngarkesë mjaft e madhe që ta përballojnë persona studjues privat, të pa varur. Është në proçes për botim në gjuhën shqipe edhe relacioni i Vinçens Zmajeviqit i vitit 1703, botuar nga Bartli në vitin 1979 në Munchen. Relacioni i Shtjefën Gasprit i vitit 1671 së bashku me 8 relacione të tjera, është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2020. Këto botime do të jenë një ndihmesë e mirë për studjuesit e historisë por është e pa mjaftueshme nëse nuk përkthehen edhe vëllimet që përmendëm më sipër. Gjithashtu ka rëndësi shumë të madhe plotësimi i kësaj serie me vëllimet gjashtë dhe shtatë ku të përfshihet dioqeza e Shkupit dhe ajo e Tivarit. Materialet dorëshkrim janë gati por kërkohet transliterimi (rishkrimi me kompjuter) i tyre dhe përkthimi në gjuhën shqipe. Dhe kjo gjë kërkon patjetër përfshirjen e institucioneve shtetërore në këto projekte me vëllim pune shumë të madh. Profesorin e nderuar Petër Bartl duhet ta falenderojmë për punën titanike që ka realizuar dhe ti urojmë jetë të gjatë dhe të lumtur. Por fatkeqësisht, tani ai është 83 vjeç dhe me probleme shëndetësore dhe më ka konfirmuar se nuk mundet më të vazhdojë këtë projekt. Është detyrë e jona, si shtet dhe si shoqëri civile që këtë projekt madhor që ka bërë Bartli ta çojmë deri në fund me sukses. Por kjo kërkon shumë punë dhe vullnet të mirë për tu përfunduar.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Albania Sacra, Mark Palnikaj, PETËR BARTL

URAN KOSTRECI, NJËRI PREJ QENDRESTARËVE MË TË NJOHUR ANTIKOMUNISTË SHQIPTARË

July 15, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

Vdekja e Uran Kostrecit, njërit prej legjendave të qendresës antikomuniste në Shqipëri u njoftua nga Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve.  Ai ndërroi jetë të henën në moshën 83-vjeçare pasi dy vitet e fundit të jetës së tij u përball me disa sfida serioze shëndetsore.  Ai vdiq ashtu si jetoi gjithë jetën, luftëtar i patundur kundër regjimit komunist dhe një dëshmitar i rrallë i vuajtjeve të bashkatdhetarëve të vet gjatë komunizmit enverist, njërës prej periudhave më të errëta të historisë së Kombit shqiptar.

Kush ishte Uran Kostreci: Sipas Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, themelues i të cilës ishte ai vet, Uran Kostreci ka lindur më 1938, në Sarandë në një familje me tradita e kontribute të spikatura patriotike.  Me vendosjen e regjimit komunist  në Shqipëri, familja Kostreci banonte në qytetin e Korçës. Kur ishte ende fëmijë komunistët i arrestuan dhe i dënuan të atin si eksponent i Ballit Kombëtar. Me mundime arriti të mbarojë shkollën normale në Elbasan dhe për një kohë të shkurtër punoi si arsimtar në rrethin e Vlorës deri sa u arrestua me 5 gusht 1961.  Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi atë “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, me konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe me humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.  Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit e dënoi me 8 vjetë burg, “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”. Uran Kostreci kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Por pas burgut u dënua prap me 5 vjet internim, (1983-1988) në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua edhe me 3 vjet burg të tjera për largim pa leje nga internimi.  Ka filluar të shkruante poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist. Uran Kostreci ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.  Ai ishte edhe themelues i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë dhe anëtar i kryesisë kombëtare të kësaj organizate. Ishte gjithashtu kryeredaktori e botuesi i parë i gazetës Liria, gazetë e të përndjekurve politikë të Shqipërisë.

Unë kam patur nderin dhe privilegjin të takoj disa prej dëshmitarëve të gjallë të krimeve të regjimit komunist — kundërshtarëve dhe qendrestarëve të komunizmit dhe të regjimit të Enver Hoxhës — përfshir Uran Kostrecin.  Uran Kostreci, (në foto me kapelën e tij karakteristike) dhe të tjerë ish-të përndjekur të regjimit të mëparshëm, ishin të pranishëm në promovimin e tre vëllimeve të mia, “Demokracia Nuk Pret”, shtator, 2018, në Tiranë.

Pas shembjes së Murit të Berlinit, i ndjeri Uran Kostreci u përfshi fort në lëvizjen demokratike në Shqipëri dhe u zgjodh dy herë kryetar i Partisë Demokratike, dega e Elbasanit.  Ishte në krye të forumit për dënimin e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe ai ka meritën që akuzoi dhe mblodhi prova që çuan në të vetmin proces gjyqësor për krimet e komunizmit në Shqipëri, ku u akuzuan dhe dënuan disa prej krerëve të lartë të diktaturës komuniste. Në një intervistë me Zërin e Amerikës vite më parë — Uran Kostreci, i dënuari i diktaturës komuniste dhe i vuajturi për një kohë të gjatë në burgjet e komunizmit – ka thenë se nga pikëpamja morale dhe juridike, asnjë nen kushtetute nuk mund të lejojë të jetë gjykatës një njeri i cili ka dhenë dënime politike për mendime dhe për ide në kohën e komunizmit. Është ky një subjekt aktual edhe sot ndërsa bëhen përpjekje – me ndihmën e ndërkombëtarëve — për një regjim të ri drejtësie në Shqipëri me njerëz, që sipas analistëve, kanë dhenë dënime politike në ish-regjimin diktatorial komunist. Ashtu siç jam shprehur disa herë, edhe Uran Kostreci mendonte se është vështirë të besosh në “drejtësinë e re” me protagonistë të drejtësisë së vjetër të komunizmit. Fatkeqsisht, Shqipëria po bëhet një vend — siç ka thenë Sami Frashëri – ku, “Kalben njerëzit e ndershëm, atje ku lartësohen kriminelët.”

Pas kalimit në amshim, vitin që kaloi, të një tjetër disidenti anti-komunist shqiptar, Maks Velos, Frank Shkreli: Maks Velo shkoi në amshim | Gazeta Telegraf, ikja e nga kjo botë e Uran Kostrecit është një humbje tjetër e madhe për të gjithë ne, por sidomos për viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre, pasi siç shprehej edhe vetë Kostreci, ai kishte ende shumë për të na dhënë e mjaft për të na thënë.  Sipas platformës “Edhe Muret kanë Veshë”, e cila dokumenton dhe ruan historitë personale të njerëzve të përsekutuar gjatë regjimit të dhunshëm komunist, 1944-1992 në Shqipëri — të qëndronte i heshtur për të shkuarën e tij — për Uran Kostrecin, ishte e pamundur.  “Jeta e Uranit ishte shembull rezistence dhe mbijetese. Kur ishte i ri, i mbijetoi diktaturës në Shqipëri përmes forcës së mendjes dhe vendosmërisë për të mos iu dorëzuar padrejtësive që e rrethonin. Strategjitë e tij të përshtatjes për ta mbajtur mendjen të shëndoshë përfshinin mësimin përmendsh të një poezie 88 faqe të gjatë, përgjatë 20 viteve që kaloi në burgjet politike të Tiranës e Burrelit dhe kampet e internimit të Tiranës, Laçit, Elbasanit e Kurtajt. Kjo krenari dhe ky refuzim për të rënë në dorë të armikut mund ta kenë shpëtuar nga pushkatimi”, thuhet në platformën “Muret kanë Veshë”.

“Na shpëtoi, së pari Zoti, po dhe urrejtja e madhe që kishim për komunizmin”, thotë ai. Kishim një urrejtje të madhe përbrenda dhe ishim të vetdijshëm për të. E dinim në duart e kujt ishim. Përballimi për ne ishte më i lehtë, sepse kishim krenarinë tonë që nuk na lejonte t’i shfaqnim dobësitë përpara armikut. Mund të pyesni veten se si është e mundur, por ja që është”, është shprehur ai për platformën “Edhe muret kanë veshë”. “Këto ndjenja të forta na mbajten gjallë”, ka shtuar qëndrestari i njohur antikomunist shqiptar.

Epopeja e karkalecave & Agonia e karkalecave është një libër, një pasuri shpirtërore që Uran Kostreci e ka krijuar gjatë kohëve të burgimit e në të cilën ironizon Enver Hoxhën dhe regjimin e tij.

Gjatë këtij tranzicioni të pafund politik, kemi mësuar shumë histori vuajtjesh të kundërshtarëve të komunizmit në Shqipëri. Ndër mijra bashkvuajtës të tij nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, Uran Kostreci është dalluar ndër ta si shembull qëndrese dhe vullneti për të mbijetuar dhunën e diktaturës komuniste në Shqipëri, duke e kundërshtuar atë me “forcën e mendjes dhe me vendosmërinë për të mos iu dorëzuar padrejtësive që e rrethonin”, thuhet në parathenjen e tregimit të tij në “Edhe muret kanë veshë”.  Vullneti i tij edhe për të mbijetuar, me qëllim për të treguar — ashtu siç ka shkruar edhe At Zef Pllumi, françeskani i madh që vuajti dhe jetoi për të treguar krimet dhe torturat mizore të komunizmit – si një detyrim moral e kombëtar ndaj të gjallëve sot dhe për brezat e ardhëshëm, por edhe si një obligim njerëzor ndaj atyre që nuk jetojnë më, dhjetra mija viktimave të komunizmit enverist që nuk mbijetuan dot burgjet dhe kampet e internimit të gulagut të Enver Hoxhës. Ai u qendroi besnik atyre viktimave por dhe vuajtjeve të veta, pa u korruptuar kurrrë, ka shkruar ditët e fundit shkrimtari i njohur shqiptar dhe ish i përndjekuri i regjimit komunist, Visar Zhiti, duke kujtuar mikun e tij bashkvuajtës të burgjeve dhe kampeve çnjer[zore të Enver Hoxhës:

“Më vjen të vë titullin “Kont” kur them emrin Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marçiale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekoratë.”  Falënderojmë Zotin që Uran Kostreci mbijetoi burgjet dhe kampet e regjimit komunist në Shqipëri dhe njëkohësisht i jemi mirënjohës atij që për 30-vjet ndau me ne vuajtjet e veta dhe të tjerëve ashtu siç ka bërë At Zef Pllumi e të tjera viktima të komunizmit duke na treguar se sa i fortë është njeriu — shpirtërisht dhe fizikisht — për të mbijetuar ato kushte djallëzore të jetës në burgjet dhe kampet e Enver Hoxhës.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Te perndjekurit politike, Uran Kostreci

VATRA NDEROI EDITORIN E DIELLIT DALIP GRECA

July 12, 2021 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – Editor i gazetes Dielli/

New York, më 11 Korrik 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA nderoi dhe vlerësoi me një ceremoni madhështore editorin e Diellit z.Dalip Greca me rastin e përfundimit të misionit të tij 12-vjeçar në krye të Diellit. Në një darkë solemne të organizuar nga VATRA në restorantin “Tesoro D’Italia”, Pleasantville, New York, dhjetëra të ftuar, miq, bashkëpunëtorë, familjarë, autoritetet më të larta drejtuese të Vatrës, ambasadorë, gazetarë, studiues, vatranë, media, miq të veçantë, avokatë, shoqata Besa-Besë, Albanian Roots, përfaqësues të Legalitetit(kryetari Hakik Mena dhe Ndrec Gjergji), Shkolla Bijtë e Shqipes, Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikan,Shoqata Skenderbej INC,përfaqësues nga familjet e mëdha patritotike shqiptare në USA(Si familja Mrnacaj dhe te tjera) kishin kënaqësinë të shprehnin urimet dhe nderimet për trashëgiminë dhe punën e jashtëzakonshme që Dalip Greca bëri në Diell dhe në Vatër për 12 vjet. Për t’u bërë pjesë e kësaj veprimtari kishin udhëtuar për 13 orë nga Detroiti: Nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj me zonej Mirela dhe Valentin Lumaj, nga Washingtoni Merita & John McCormack, nga Bostoni drejtuesi i Besa-Besen Petrit Alibej me zonjën, dhe shumë të tjerë, nga shtetet e Connecticut e New Jersey etj.

        Ishte një mbrëmje shumë emocionuese për z.Dalip Greca dhe për familjen e tij për t’iu shprehur mirënjohjen më të thellë për angazhimin familjar në Diell dhe në Vatër. Ishte një mbrëmje për të respektuar dhe nderuar kontributin për katër dekada me radhë që z.Greca ka dhënë në median shqiptare. Z.Greca ka kultivuar në media një stil të veçantë teknikash dhe vlerash dhe nga duar e tij kanë dalë ajka e gazetarisë së sotme shqiptare. Dalip Greca ishte një patriot, profesionist dhe një njeri i zoti. Dalip Greca mishëron vlerat dhe vyrtytet më të larta të shqiptarit të mirë. Në çdo moment Dalip Greca ishte simbol i sakrificës, durimit, qetësisë, urtësisë, mençurisë dhe këmbëngujes. Z.Greca gjatë punës së tij të mrekullueshme arriti të kalonte në shumë sfida duke pasur gjithmonë sukses dhe duke krijuar modele të shëndosha e të qëndrueshme si në Diell, në Vatër e në komunitetin shqiptar në USA. Dalip Greca për 12 vjet udhëhoqi me integritet moral, qytetar e profesional gazetën Dielli dhe në Vatër ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të lartë. Perveç punës së madhe dhe gjurmëve të pashlyeshme që z.Dalip Greca ka lënë në Diell, ai më herët ka qenë një gazetar shumë kurajoz, i ndershëm, i drejtë dhe menaxher i shkëlqyer te gazeta Ora e Fjalës, Republika, Illyria dhe bashkëpunëtor në shumë media kombëtare në Tiranë e hapësirën mbarë shqiptare. z.Greca ka qenë një penë e spikatur në diasporë. Një zë i fuqishëm dhe i pa kompromentueshëm. Ai mishëron vlerat dhe vyrtytet më të larta gazetareske dhe njerëzore. Duke qenë zëdhënës i Vatrës, gazeta Dielli, nën drejtimin e z.Greca kreu misionin me paanësi, korrektesë e profesionalizëm. Në fjalën e ceremonisë së nderimit Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha pasi lartësoi vlerat dhe punën e shkëlqyer të Dalip Grecës ndër të tjera tha: “Dalip Greca ka qenë një gazetar i shquar, një patriot i veçantë, një veprimtar i spikatur, një bashkëpunëtor besnik, një familjar shembullor, një shqiptar i dalluar në diasporen e Amerikës. Miku ynë i shtrenjtë Dalip Greca pasi udhëhoqi për 12 vjet me profesionalizëm të lartë, përkushtim të veçantë e pasion të dalluar vendosi të tërhiqet duke na lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, Komuniteti shqiptar, miqtë dhe familja do i jenë përjetë mirënjohës Dalip Grecës për veprimtarinë e tij dinjitoze dhe të shkëlqyer mediatike, kulturore, vatrane dhe  patriotike. Ky nderim që i bëjmë sonte është shumë pak krahasuar me shpirtin dhe zemrën me të cilën ka punuar Dalip Greca në Diell  e Vatër. Të gjithë ne do të jemi mirënjohës përherë ndaj Dalip Grecës për frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të patriotizmit e të mirëkuptimit që kultivoi dhe transmetoi në Diell dhe Vatër për 12 vjet. Unë isha i lumtur që bashkëpunova shumë ngushtë me Dalip Grecën dhe do jem akoma më i lumtur që do vazhdoj ta kem një ndër këshilltarët e mi më të ngushtë. Është pak ti them publikisht mirënjohje veprimtarisë dhe kontributit kolosal të Dalip Grecës” përfundoi kryetari i VATRËS z.Berisha. Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, Ambasador Frymëzim Isufaj e vlerësoi shumë lart punën e z.Dalip Greca në krye të Diellit dhe çmoi shumë shumë punën e ngushtë të z.Greca me Konsullatën dhe Ambasadën e Kosovës. Ambasador Frymëzim Isufaj në vlerësimet e tij për Editorin Dalip Greca tha se: “Dalip Greca shërbeu me ndershmëri, përkushtim dhe shumë pasion për Diellin dhe Vatrën duke qenë kurdoherë i gatshëm për të sakrifikuar dhe kontribuar si në ditët me diell dhe në ditët me shi. Me emrin e Z.Greca lidhet një histori shumë e rëndësishme e Diellit në Amerikë duke u kthyer në një media shumë serioze, dominuese dhe prestigjioze në botën shqiptare dhe jo vetëm. Në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës, në emër të Ambasadës në Uashington, diplomatëve dhe punonjësve tanë dhe sigurisht në emrin tim personal i shpreh mirënjohje e falenderim sepse ka qenë kurdoherë i gatshëm në pritjet dhe vizitat që ne kemi bërë në Vatër dhe takimet me komunitetin shqiptar. Vlerësime e mirënjohje për ju z.Greca” përfundoi fjalën e tij Ambasador Isufaj. Nënkryetari i Vatrës z.Alfonc Grishaj e cilësoi Dalip Grecën si një intelektual të rrallë, një personalitet të shquar shqiptar të diasporës, një gazetar me dhunti të veçanta, një gjeni i cili me anë të djersës i ka shërbyer kombit dhe atdheut me një përkushtim të jashtëzakonshëm në çdo kohë. “Nëse ne si shqiptarë kemi emërues të përbashkët kombin, Vatra e Dielli kanë pasur emërues të përbashkët z.Dalip Greca. Ky është është një xhevahir i rrallë. Është një personalitet i veçantë i cili bëri një histori po kaq të veçantë në Diell dhe në Vatër. Ai krijoi një personalitet dhe një model të veçantë. Ai u frymëzua nga modeli patriotik dhe kombëtar. I dashur miku im Dalip, ti ke qenë gjithmonë një vlerë e do të nderohesh, kujtohesh e respektohesh gjithmonë” përfundoi fjalën e tij z.Grishaj.

           Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj deklaroi në ceremoninë e vlerësimit për z.Greca: “12 vitë pune që ka bërë për gazetën DIELLI jane 12 gurë kilometrikë – historikë të gazetës tonë të dashur. Unë jam i sigurtë që do vijë një ditë kur, ashtu siç bëjnë sot shumë studjues që ulen mbi koleksionin e DIELLIT për të mësuar historinë e popullit tonë të viteve të para të shekullit të XX – të, ashtu do të ulen mbas shumë vitesh e ndoshta dekadash për të kuptuar historinë e popullit tonë të 12 viteve të shekullit të XXI të, kohë kur ju e drejtuat gazetën tonë. Zoti Dalip ishte profesionist i madh, Shqiptar i mirë dhe mik besnik. Unë jam me fat që e kam njohur e kam bashkëpunuar besnikërisht.

      Z. Rexhaj tha se ndjehet krenar që pranë kryetarit të ndjerë Agim Karagjozi,si nënkryetar i Vatrës, para 12 vitesh, ka qenë pjesë e vendimarrjes për emrimin e z. Greca në krye të Diellit. Mirënjohje për gjithë jetën këtij burri të vërtetë, profesionisti dhe Vatrani model” përfundoi z.Rexhaj. 

Ambasador Mal Berisha deklaroi se Dalip Greca na bën të gjithëve krenar me punën e jashtëzakonshme që ka bërë në krye të gazetës Dielli. “Sonte mbaj me vete një logo të shtrenjtë të Diellit që ma ka dhuruar z.Dalip Greca si një kujtim të bukur me rastin e 110 vjetorit të Diellit. Dua ta vlerësoj z.Greca pasi është themelues i shtypit demokratik, alternativ dhe pluralist. Ai formoi një rrjet gazetarësh që sot në Shqipëri dhe më gjërë janë niveli më i lartë i gazetarisë. Mbetsh në historinë e gazetës Dielli si një xhevahir i rrallë që zbukuron historinë e medias e të kombit tonë.Ti do mbetesh në altarin e artë të medias shqiptare” përfundoi fjalën e tij Ambasador Mal Berisha.

Ish gazetari i Zërit të Amerikës, Drejtor per Divizionin e Euro-Azise, z.Frank Shkreli e vlerësoi lart figurën e editorit Dalip Greca duke thënë se angazhimi i Dalip Grecës në Diell ishte i shtyrë nga një dëshirë për të kontribuar për të mirën e shoqërisë ku jetojmë dhe të kombit, pjesë e të cilit jemi – që nepërmjet gazetarisë së lirë – të përpiqemi të zbulojmë të vërtetën, në llogari të mirës së përbashkët. “Sonte, z. Greca duhet të jetë shumë krenar për të arriturat e tija gjatë këtyre 12 viteve si Kryeredaktor i Diellit, disa prej të cilave ai i radhit, modestësisht, në njoftimin për daljen në pension, e për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë e krenarë me punën e tij. Dalip Greca gjatë këtyre 12-viteve u përpoq me sa pati mundësi dhe përball rrethanave të vështira, shpesh penguese dhe me burime të kufizuara – ta ringjallte dhe ta kthente Diellin në vijën e përcaktuar nga themeluesit e tij mendje ndritur, ta kthente sado pak në misionin origjinal të tyre. Misioni i Vatrës dhe i Diellit nuk ka mbaruar as ndryshuar aq shumë. Veprimtaria historike e Vatrës dhe e Diellit ka gjithnjë barrën e rëndë për të ndjekur dhe për të mbrojtur besnikërisht interesat kombëtare të shqiptarëve kudo” deklaroi Frank Shkreli.

      Gazetari dhe studiuesi Idriz Lamaj në fjalën e tij deklaroi Dalip Greca ngriti nivelin e gazetës Dielli në standarde të larta të kohës sotme moderne. Thelloi seriozitetin në të gjitha shkrimet e botuara në të. Mbuloi me kujdes të veçantë zhvillimet më të rëndësishme të fushave të ndryshme të veprimtarisë të Vatrës, të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në të gjitha anët e globit ku jetojnë shqiptar. “Dalipi, i mbushi shtyllat e Diellit me shkrime, studime dhe analiza të thukta mbi çdo lloj zhvillimi në Shqipëri, në Kosovë dhe në trevat tona të tjera etnike në Ballkan, si asnjë Editor i Diellit të mëparshëm. Kur them asnjë editor i mëparëshëm, them prej numrit të parë të gazetës Dielli. Për këtë nuk ka nevoj të flas unë, shpaloni Diellin e këtyre 12 vjetëve dhe krahasoni me Diellin e viteve të mëparshme. Këtë gazetë e kam lexuar dhe studiuar me shumë kujdes për mëse 50 vjet, prej themelimit të saj deri me sot, dhe e them me njëfarë mburrje, ndoshta përmbajtjen e Dielli e njof më mirë se shumë kush. Por jo më mirë se Dalipi. Si editor i Diellit për këtë përiudhë 12 vjeçare, Dalip Greca, mbas Refat Gurrazezit – dishepullit të Faik Konicës, do të mbetet i vetmi editor i Diellit si studiues i historisë të Vatrës dhe të Diellit” deklaroi z.Lamaj. 

Editori i Diellit z.Dalip Greca pasi vlerësoi dhe shprehu mirënjohje për respektin personaliteteve e të gjithë të të panishmëve, bëri një ekspoze të detajuar mbi punën e tij mediatike, aktivitetin e tij në gazetat Ora e Fjalës, Republika, Iliria dhe punën e jashtëzakonshme në Diell e në Vatër. Ndër të tjera z.Greca kujtoi disa detaje nga rrugëtimi i tij i gjatë: “Jam ndjerë ngrohtë në Vatër që në momentin që kam shkelur aty. Unë u bëra pjesë e Vatrës me rastin e 100 vjetorit të Diellit. Në hulumtimet e mia për konferencën e Diellit pashë që në përplasjet e Noli e Konicës kishte fisnikëri dhe kuptova se Vatra nuk do zhduket as nga përçarjet as nga grindjet e casteve nervoze. Perendia e kishte caktuar Vatrën që të shpëtonte Shqipërinë, kur Vatra caktoi ambasadorë, kur mblodhi fonde, kur sponsorizoi konferencën e paqes në Paris etj. Me ardhjen time në Vatër gjeta njerëz shumë fisnik. I kujtoj me detaje përkujdesjen ndaj meje të inxhinjer Karagjozit e Zef Perndocës. Kam bashkëpunuar ngushtë me editorin parardhës Anton Cefa, kam ndjekur rrugën dhe këshillat e miqve të mi si z.Lamaj e shumë të tjerë për të ringjallur Diellin dhe për të ringjallur edhe ata që kishin drejtuar Diellin dhe ishin harruar. Kam sjellë jetët e plota të Editorëve të Diellit në shenjë respekti e nderimi për këto ikona të gazetarisë shqiptare. Kam sjellur në shtyp ikona të harruara si Nelo Drizari, Koste Cekrezi, Kristo Floqi e shumë figura që kanë shërbyer për mua si orjentues për të ecur në rrugën e gjatë. U mundova që ti nxjerr nga pluhuri i harresës. Ata bënë epokë dhe kanë dhënë një kontribut të paharruar. Sot ndjehem mirë se Dielli ka korrespondentë në Prishtinë e shumë gazetarë që bashkëpunojnë me Diellin. Kjo gazetë vazhdon të ndriçojë edhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me miqtë e vet. Mirënjohje për këtë organizim e respekt gjithmonë” përfundoi fjalën e tij editori i Diellit z.Dalip Greca. 

Në emër të familjes Greca morën fjalën falenderuese dhe përshëndetëse Alma, vajza e madhe e Dalipit dhe bashkëshortja Xhemilja të cilët shprehën mirënjohje të thellë për nderimin, respektin dhe vlerësimin e bërë nga Vatra e të gjithë pjesëmarrësit. Z.Dalip Greca, për punë të shkëlqyer dhe kontribut në komunitetin shqiptar në New York dhe jo vetëm u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta, me Urdhërin “Kalorës i Skënderbeut” me motivacionin: Në vlerësim të veprimtarisë së shquar kombëtare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e kryeredaktor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare VATRA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Dalip Greca u Dekorua nga Kryetari i VATRËS z.Berisha me medaljen e Ekselencës për kontributin e tij në gazetën Dielli, për ngritjen e Diellit në një nivel të lartë e cilësor, për përkushtimin dhe angazhimin e tij model. Z.Dalip Greca u Dekorua me medaljen e Mirënjohjes nga Konsullata e Shtetit të Kosovës në New York për punën e jashtëzakonshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me Institucionet diplomatike të Shtetit të Kosovës. Pas ceremonisë së dekorimit, nën tinguj e magjishëm të këngës e zërit brilant të Gëzim Nikës e Merita Halilit, shoqeruar nga mjeshtri Raif Hyseni me orkester, në një atmosferë vëllazërore, elektrizuese e festive, ceremonia e festës dhe nderimit ndaj Editorit të Diellit z.Dalip Greca vazhdoi deri pas mesnate. Ishte një mbrëmje e paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit ashtu siç do jetë i paharrueshëm për të gjithë ne Dalip Greca si gazetar, patriot, vatran e njeri model. Veprimtari u filmua dhe u fotografua nga TV Kultura Shqiptare-Albanian Culture TV prej Drita & Drini Llalloshi.

Ambasadori Frymezim Isufaj e nderoi Editorin me Mirenjohje.
Presidenti i Nderit Z. Agim Rexhaj shprehu konsiderata te larta per punen e Editorit Dalip Greca.
Nenkryetari i vatres z. Alfons Grishaj qe se bashku me zonjen Mirela dhe anetarin e Keshillit te Vtares kishin udhetuar 13 ore me makina nga Michigani, vleresoi profesionalizmin dhe patriotizmin e z. Greca.
Ambasadori Mal Berisha: Dua ta vlerësoj z.Greca pasi është themelues i shtypit demokratik, alternativ dhe pluralist.
Z. Frank Shkreli- Ish Gazetar i Zerit te Amerikes- Drejtor i Divizionit te Euro-Azise:“Sonte, z. Greca duhet të jetë shumë krenar për të arriturat e tija gjatë këtyre 12 viteve si Kryeredaktor i Diellit…
Gazetari dhe studiuesi Idriz Lamaj në fjalën e tij deklaroi Dalip Greca ngriti nivelin e gazetës Dielli në standarde të larta të kohës sotme moderne….
Editori i Diellit Dalip Greca duke falenderuar organizatoret dhe mysafiret si dhe duke vleersuar Diellin.
Grishaj i dorezoi Editorit dekoraten e akorduar nga Presidenti Ilir Meta”Urdheri Klaores i Skenderbeut”.
Me familjen Mrnacaj me fisniken Marie Mrnaçaj.
Kryetari i Vatres z. elmi Berisha dhe Editori Legalistet Ndrec Gjergji dhe Kryetarin Hakik Mena.
Familja Greca dhe Kryetari Berisha .
Me Familjen….

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, editorin e Diellit, Sokol Paja, VATRA nderoi

RREZIKU GLOBAL NGA VARIANTI DELTA I SARS-COV-2

July 7, 2021 by dgreca

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Në fillim të pandemisë, shumë pak ekspertë menduan se bota do të kishte një vaksinë efikase kundër Covid-19. Në fakt, sot kemi disa vaksina, dhe më shumë se 3 miliardë doza të shpërndara tashmë në të gjithë botën. Edhe pas pesëmbëdhjetë muajsh që Koronavirusi shkaktoi një mbyllje globale, pandemia është ende e ndezur në shumë pjesë të botës. Në të njëjtën kohë, Koronavirusi ka evoluar në variante super të transmetueshme që përhapen më lehtë se versioni origjinal i tij. Përplasja midis këtyre ndryshorëve do të përcaktojë qasjen e pandemisë në muajt dhe sezonet e ardhshme, sidomos për vendet e pavaksinuara ose me vaksinim të ulët në të gjithë botën. Këtu, pra, janë tre parime të thjeshta për të kuptuar se si ato ndërveprojnë. Me paralajmërime dhe nuanca, së bashku, ato mund të shërbejnë si një udhëzues për manaxhimin e kësaj pandemije globale dhe të ardhmen tonë të afërt.

DELTA, VARIANTI MË I TRANSMETUESHËM I SARS-COV-2

Një gjë është e qartë: Koronavirusi po bëhet më i transmetueshëm nga dita në ditë. Që nga fillimi, kur virusi u shfaq në Kinë, ai ka pësuar mutacione që e ndihmojnë atë të përhapet më lehtë mes njerëzve. Varianti Alpha, i zbuluar për herë të parë në Britani të Madhe vitin e kaluar, është 50 përqind më i transmetueshëm se versioni origjinal, dhe tani varianti Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi dhjetorin e kaluar, është të paktën 50 përqind më i transmetueshëm se sa varianti Alpha. Koronavirusët, si të gjithë viruset, fitojnë mutacione në kodin e tyre gjenetik ndërsa kopjohen gjatë replikimit të tyre mbrënda qelizava tona, dhe SARS-CoV-2 nuk bën përjashtim. Kurdoherë kur një virus infekton një mbartës te tij të ri, ai bën kopje të vetvetes, me ndryshime të vogla gjenetike – mutacione – që dallojnë viruset e reja nga “prindërit” e tyre. Shumë nga këto mutacione nuk kanë aspak ndikim në qasjen e mëtejshme të virusit. Por disa mund të ndryshojnë strukturën ose funksionin e virusit. Identifikimi i ndryshimeve në sekuencën gjenetike të një virusi është relativisht e thjeshtë. Të kuptosh se si ato ndryshime ndikojnë në mënyrën e përhapjes së një virusi nuk është aq e thjeshtë. Për shkencëtarët, proteina gjemb që rrethon Koronavirusin, e cila ndihmon virusin të hyjë në qelizat tona, është një vend i mirë për të filluar të shohim këto ndryshime.  

ALPHA DHE DELTA, A JANË TË RREZIKUAR NJERËZIT QË JANË VAKSINUAR?

Ndërsa një epidemi zgjerohet, zgjerohet edhe diapazoni i mutacioneve dhe viruseve që mbajnë avantazhe që i lejojnë ata, për shembull, të përhapen më lehtë ose të kalojnë sistemin imunitar për të tejkaluar paraardhësit e tyre standardë. Kështu kemi marrë variante super të transmetueshme si Alpha dhe Delta. Dhe, ndërsa virusi “rrotullohet” ai krijon mënyra që përfundimisht ne mund të përballemi me variante që mund të infektojnë edhe njerëz të vaksinuar. Pra, të bëjnë vaksinën, për të cilën shkenctarët kanë punuar kaq shumë, jo efikase ndaj tij!  Mutacionet që ndihmojnë virusin të lidhet më fort me qelizat tona mund ta bëjnë më të lehtë transmetimin e tij nga një person te tjetri. Imagjinoni sikur merrni frymë dhe në një pikël që përmban SARS-CoV-2 të përmbajë viruse me aftësi lidhëse më të forta, ato do të jenë më efikase në gjetjen dhe infektimin e qelizave tona. Ndërsa nuk është e ditur ende se sa grimca të SARS-CoV-2 duhet të thithën për t’u infektuar, e dimë se pragu ka të ngjarë të jetë shume më i ulët për një virus që është më i mirë në kapjen e qelizave tona.  Prandaj, ku variant i virusit dhe dominon.

VARIANTET E REJA TË SARS-COV-2 RREZIKOJNË TË PAVAKSINUARIT

Njerëzit e vaksinuar janë më të sigurtë se kurrë, pavarësisht nga variantet, përfshirë këtu dhe variantin Delta. Por njerëzit e pavaksinuar janë në rrezik më shumë se kurrë për shkak të këtyre varianteve. Edhe pse ata do të fitojnë një farë mbrojtje nga imuniteti i të tjerëve, ata gjithashtu priren të grumbullohen shoqërisht dhe gjeografikisht, duke mbjellë shpërthime edhe brenda komuniteteve shumë të vaksinuara. Lajmi i mirë është se vaksinimi ofron mbrojtje të fortë kundër variantit Delta. Studimet e reja tregojnë se vaksina Pfizer-BioNTech ishte 88 përqind efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga varianti Delta në njerëz plotësisht të vaksinuar. Vaksina AstraZeneca siguroi pak më pak mbrojtje. Dy doza ishin 60 përqind të efektshme kundër variantit. Efikasiteti i një doze të secilës vaksinë, megjithatë, ishte shumë më i ulët – vetëm 33 përqind. Një lajm akoma më i mirë është se ne nuk jemi aq të prekshëm sa ishim në fillim të pandemisë. Vaksinat induktojnë një shumëllojshmëri të antitrupave mbrojtës dhe qelizave imune. Këto mbrojtje gjithashtu ndryshojnë nga personi në person, kështu që edhe nëse një virus i shmanget grupit mbrojtës të një personi, ai mund të ndalet kur hidhet në një mbartës të ri. Nuk kemi arsye për të besuar se do të ketë papritmas një variant që shfaqet dhe shmang gjithçka, dhe papritmas vaksinat kundër Koronavirusit të jenë të padobishme. Por sa më shumë zgjat, dhe më shumë virusi “rrotullohet”, për çdo ndryshim hap-pa-hapi të virusit, një farë mbrojtje humbet tek individët. Për këtë arsye, peshën kryesore të transmetueshmërisë së varianteve të reja do ta mbajnë personat e pa vaksinuar.

NDIKIMI I VARIANTEVE TË SARS-COV-2 NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS DHE NË BOTË

Me ritmet e vaksinimit në rritje, transmetueshmëria e shtuar e virusit nuk do të ndikojë në ecurinë e pandemisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SH.B.A.). E pamë se variantiti Alpha që nxiti shqetësime rreth një rritjeje gjatë muajve të pranverës, në fakt nuk rezultoi një rritje masive infektimesh. Përqindja e rasteve Alpha vazhdoi të rritet, por numri i përgjithshëm i infeksionëve vazhdoi të ulet. Megjithëse se Alpha u bë dominante në Sh.B.A. dhe virusi ishte bërë më i transmetueshëm biologjikisht, ai nuk po transmetohej tek me shumë njerëz. Kjo është ajo që ne presim dhe për variantin e ri Delta. Çelësi për kontrollimin e kësaj, si dhe të gjitha varianteve të njohura deri më tani ka qenë dhe do vazhdojë të jetë: sa më shumë njerëz të vaksinuar.  Globalisht, më shumë njerëz kanë vdekur nga Koronavirusi në gjysmën e parë të këtij viti sesa në të gjithë vitin e kaluar – një fakt i rëndë, duke pasur parasysh daljen e vaksinave në fund të vitit të kaluar. E vërteta tragjike është se, për pjesën më të madhe të botës, vaksinat dhe mund të mos ekzistojnë. Tre të katërtat e vaksinave Covid janë administruar në vetëm dhjetë vënde të botës, ndërsa vëndet më të varfra kanë marrë më pak se gjysmën e një përqind të furnizimit, duke treguar një pabarazi të madhe. Në SH.B.A. rreth 50 përqind e popullsisë janë plotësisht e vaksinuar. Në Indi, ku virusi u “ushqye” pjesërisht nga përhapja e shpejtë e variantit Delta gjatë muajve të fundit, vetëm 3.3 përqind e popullsisë ka arritur vaksinimin e plotë. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do të dhurojnë gjysmë miliardë doza në përpjekjen globale të vaksinimit; shpresojnë të japë dyqind milion deri në fund të vitit. Britania e Madhe dhe vendet e tjera evropiane kanë dhuruar gjithashtu qindra miliona doza në vendet më të varfra. Këto përpjekje janë të rëndësishme dhe do të ndihmojnë jashtëzakonisht shumë – por jo për disa muaj, dhe ndoshta deri në vitin 2022. Ndërkohë, shumë vende do të vazhdojnë të përballen me sfidat sociale dhe ekonomike të krijuara nga valët e krijuara nga variantet e reja dhe masat e shëndetit publik për të ndaluar këto valë të reja. Edhe atje ku ekziston vullneti politik për vazhdimin e masave të tilla, ai nuk është i pafund; vendet nuk mund të qëndrojnë në bllokim përgjithmonë.

DELTA ËSHTË VARIANTI I PARË I PERIUDHËS SË PAS VAKSINIMIT

Në një kuptim, mund të themi se Delta është varianti i parë i periudhës së pas-vaksinimit. Një pjesë e njerëzimit, mbase gjashtëqind milion njerëz nga 7,6 miliardë njerëz, janë kryesisht të mbrojtur kundër tij, megjithë transmetueshmërinë e tij të lartë. Për ta, kapitulli më i ri i pandemisë është diçka si një epilog, pasi historia kryesore për ta, në fakt, tashmë ka përfunduar. SH.B.A të paktën ka një furnizim të mirë të vaksinave për të mbushur ato boshllëqe nëse është e nevojshme. Në vendet pa doza të mjaftueshme për ta ndaluar atë, varianti Delta paralajmëron shumë më tepër telashe për popullsinë e tyre. Në disa mënyra, është një luks të thuash që efektet e tanishme të Delta-s në SH.B.A janë të paparashikueshme. Por, për ata që mbeten të pavaksinuar, me zgjedhje ose nga mungesa e vaksinave, Delta përfaqëson sfidën më të fundit në një seri betejash në vazhdim. Në një botë pjesërisht të vaksinuar ose të pavaksinuar, varianti Delta do të vazhdojë t’i ekspozojë ata ndaj rreziqeve të rritura për t’iu nënshtruar Covid-19.

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës –VATRA. 

Filed Under: Histori Tagged With: Delta COV-2, dr. Pashko Camaj, Rreziku Global

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • 229
  • …
  • 709
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT