• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria e luftës në kujtimet e majori britanik Anthony Quayle

December 20, 2019 by dgreca

ILIR HASHORVA/

Këto ditë doli në librari libri “Tetë orë nga Anglia”, i përkthyer prej meje, që përmban kujtimet e majorit britanik Entoni Kuejl (Sir Anthony Quayle) për përvojën e tij në Shqipëri, ku erdhi në fillim të vitit 1944 për të mbajtur të hapur një bazë në bregdet, që do të shërbente për të sjellë në Shqipëri materiale ushtarake në ndihmë të luftës kundër gjermanëve, për transportin e ushtarakëve aleatë për në Shqipëri dhe prej Shqipërisë drejt Italisë si dhe për tërheqjen drejt Italisë të ushtarakëve italianë të mbetur nga lufta në Shqipëri. Zona e tij e veprimit ishte Karaburuni dhe Dukati. Gjatë misionit të tij, u përpoq të nxiste shqiptarët për luftë të përbashkët kundër gjermanëve dhe të sheshonte armiqësitë midis tyre.

Kur Kuejli erdhi në Shqipëri, u gjend midis tri palëve: midis partizanëve, të përfaqësuar nga Brigada e Pestë; Ballit, të përfaqësuar nga eksponenti i saj Skënder Muço dhe fshatarëve të Dukatit, që hiqeshin si të pavarur, por që anonin dhe ndihmonin Ballin.

Prej bisedave që bëri me të tri palët, Kuejli kuptoi gjendjen shumë të koklavitur që mbizotëronte në Shqipëri. Nga udhëheqësit kryesorë të Brigadës së Pestë partizane, Shefqet Peçi e Hysni Kapo, ai kupton se vëmendja e tyre kryesore ishte sigurimi i ndihmave angleze për partizanët; nga eksponenti i Ballit, Skënder Muço, ai kupton se vëmendja kryesore e Ballit ishte jo lufta kundër gjermanëve, por lufta ndaj rrezikut komunist dhe nga përfaqësuesit e Dukatit, ai kupton se vëmendja kryesore e tyre nuk ishte lufta, por ruajtja sa më i padëmtuar i fshatit të tyre.

Përpjekjet që bën Kuejli për të bashkuar të gjithë shqiptarët në një front të përbashkët kundër gjermanëve dalin huq. Ishte e pamundur të bashkoheshin shqiptarët me njëri-tjetrin për një qëllim të përbashkët. Mjerisht, sot, sikundër dje, ndodh e njëjta gjë.

Kuejli me partizanët:

Për t’u takuar me partizanët, Kuejlit iu desh të kalonte nëpër fshatrat Tragjas, Gumenicë e Gjorm. Të tre këto fshatra ishin përkrahëse të partizanëve dhe ishin të dëmtuara keq nga lufta. Në to gati nuk kishte jetë.

Në takimin e parë, Partizanët treguan shqetësimin e tyre se prej kohësh nuk kishin marrë ndihma. Kuejli u shpjegoi se kjo ndodhte nga vështirësitë që kishte transporti i tyre nga bregdeti, ku shkarkoheshin ndihmat, për te partizanët, sepse duheshin kaluar përmes Dukatit dhe Dukati nuk ishte në marrëdhënie të mira me partizanët. Megjithatë kjo pengesë mund të kalohej, në qoftë se partizanët do të premtonin të mos sulmonin Dukatin, ashtu siç kishin bërë herë pas here më parë. Po të premtonin këtë partizanët, dukatasit do të lejonin kalimin e ndihmave fshehtas, natën, përmes territorit të tyre, por Shefqet Peçi ua preu shkurt: “Major, ne nuk bëjmë kompromise me njerëzit e Dukatit. Ne nuk bëjmë asnjë pakt me ta. Të drejtën për t’i goditur, apo për të mos i goditur, e kemi ne”.

Në takimin e dytë me partizanët, Kuejli bisedoi për një operacion ushtarak aleat, të koduar Victoria, që planifikohej të zhvillohej së shpejti e që kishte për qëllim shkatërrimin e divizioneve gjermane që do të tërhiqeshin nga Greqia e që do të kalonin nga Shqipëria. Rrugët brenda në tokë duhej të bëheshin të pakalueshme me aksione guerrilase dhe kolonat gjermane do të detyroheshin të përdornin rrugët bregdetare, ku do të sulmoheshin dhe do të shkatërroheshin nga forcat ajrore aleate të vendosura në Itali. Për suksesin e këtij operacioni ishte me rëndësi që ai të kontrollohej nga një komandë qendrore e cila do të merrte informacion nga gjithë Ballkani i Jugut. Kuejli i pyeti partizanët nëse pranonin në parim të merrni pjesë në këtë operacion dhe nëse pranonin të kishin një oficer ndërlidhës britanik, përmes të cilit urdhrat e Komandës Supreme të transmetoheshin tek ata. Ata u përgjigjën se brigada mund të pranonte urdhra vetëm nga formacionet e veta eprore, por jo nga një oficer britanik.

Atëherë Kuejli ua paraqiti ndryshe propozimin dhe i pyeti se, nëse formacionet eprore pranonin të merrnin pjesë në atë operacion nën instruksionet e Komandës Aleate, a ishin ata të gatshëm si brigadë të pranoni këto instruksione përmes oficerit britanik të ndërlidhjes?

Ata u përgjigjën se në parim e pranonin planin, por ky diskutim për ta ishte i kotë, pa marrë menjëherë ndihmat, pa të cilat ata nuk do të ishin në gjendje të luftonin.

Dukej se ata nuk kishin ndërmend të merrnin pjesë në operacione të përbashkëta me aleatët, por i donin ata vetëm për ndihma, të cilat i përdornin sipas interesave të tyre.

Kuejli me një eksponent të Ballit:

         Në bisedat që Kuejli bëri me Skënder Muçon, eksponent shumë i rëndësishëm i Ballit, parashtruan të dy pikëpamjet e tyre ndaj luftës. Kuejli, si britanik, si shtetas i një vendi që kërcënohej seriozisht nga agresioni gjerman, mbante një qëndrim të prerë antigjerman. Muçoja, ndryshe, i thotë anglezit: “lufta juaj nuk është lufta jonë”, sepse Shqipëria nuk rrezikohej nga gjermani, pasi një ditë aleatët do ta mundin Gjermaninë dhe gjermanët do të iknin vetë nga Ballkani, por rrezikohej nga komunizmi dhe komunizmi duhej të luftohej tashti edhe duke bashkëpunuar me gjermanët. Kur Kuejli i tha se tashti ishte koha për të luftuar gjermanët, ndërsa kundër komunistëve mund të vepronin pas lufte, Muçoja iu përgjigj se pas luftës komunistët do të ishin forcuar aq shumë, sa nuk do të mund t’u bëhej gjë.

Sipas Muços, fjalët e të cilit ishin edhe mendimi dhe politika e Ballit, problemet e vërteta për Shqipërinë nuk qenë tashti, por pasi të largoheshin gjermanët, sepse atëherë Shqipëria do të kishte të bënte me komunistët, të cilët ishin armiq më të këqij se gjermanët dhe Anglia dhe Amerika nuk do të ndërhynin për ta shpëtuar. Sipas Muços, ballistët nuk ishin as antishqiptarë dhe as progjermanë, por  donin që sa të ishin gjermanët, t’i përdornin kundër komunistëve.

Pak muaj më pas, Muçoja u kap nga gjermanët dhe u vra prej tyre.

                                                          ***

Në libër del qartë se kundër gjermanëve luftonin dhe sakrifikonin kryesisht partizanët dhe për këtë ata fituan simpatinë e Kuejlit, sepse lufta e tyre përputhej me luftën e tij dhe me politikën angleze. Për anglezët nuk kishin rëndësi motivet dhe ideologjia mbi të cilën zhvillohej lufta, mjafton që ajo të zhvillohej. Kuejli thotë: “Unë nuk jam as komunist as antikomunist: unë jam anglez”.

            Kuejli me fshatarët e Dukatit:

Në takimin e parë që Kuejli pati me fshatarët e Dukatit, u tha se kishte ardhur në Shqipëri për të luftuar gjermanët dhe për të gjetur mënyrën që shqiptarët të luftonin së bashku kundër tyre. Ai u tha se kuptonte që kishte filluar një çarje tragjike midis Ballit dhe Partizanëve, çarje që dëmtonte luftën, porse ai do të bënte ç’qe e mundur që ta shëronte atë çarje.

Fshatarët i parashtruan shqetësimet e tyre dhe i thanë se dukatasit qenë në një pozicion shumë të vështirë, se patriotizmi i tyre ishte i padiskutueshëm, por tashti, ata po përballeshin me kërcënimin e luftës civile. Muajin e fundit partizanët kishin sulmuar fshatin e tyre dhe, megjithëse ata nuk kishin ndërmarrë veprime hakmarrëse, ditë e natë ishin të shtrënguar të bënin roje nga frika e një sulmi tjetër partizan dhe nuk kishin nge të merreshin me luftën kundër gjermanëve.

Pasi pa se dukatasit nuk kishin ndërmend të sulmonin gjermanët, Kuejli i pyeti se si u dukej, po t’i sulmonte ata ai vetë me njerëzit e tij në luginën e Dukatit. Për ta kjo gjë ishte shumë e rrezikshme, sepse rruga kryesore e bregut kalonte drejt përmes fshatit dhe, edhe jo t’i godisnin, por edhe sikur gjermanët të dyshonin për armiqësi nga Dukati, do ta shkatërronin krejtësisht fshatin e tyre me një të goditur. Ata nuk donin që gjermanët të goditeshin në zonën e tyre.

Amerikanët dhe anglezët jo të një mendimi:

Nga dëshmi dhe mendime të disa personazheve në libër, dilte se qëllimi kryesor i luftës së partizanëve nuk ishte Shqipëria, por marrja e pushtetit dhe vendosja e komunizmit, madje, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.

Amerikanët dhe anglezët në misionin ku bënte pjesë Kuejli kishin mendime jo të njëjta për trajtimin e partizanëve dhe për ndihmat për ta. Amerikani Benson ishte i shqetësuar jo për luftën, që tashmë e kishte marrë rrugën e fitores, por për atë që do të ndodhte pas luftës. Ai e shihte me dyshim luftën e partizanëve dhe nuk donte që ndihmat britanike të çoheshin symbyllas tek ata. Ai thotë se politika fillestare aleate për të ndihmuar të gjithë ata që luftonin gjermanët, pa marrë parasysh motivet, rridhte nga një pozicion i dëshpëruar i tyre dhe qe e justifikuar, por, më pas, kur mundja e Gjermanisë po dukej gjithnjë e më mirë, ajo politikë duhej rishqyrtuar pasi, sipas tij, partizanët vepronin në ndihmë të Bashkimit Sovjetik dhe jo të atdheut të tyre.

“Dikur, – thotë ai, – ishte një pulë e vogël që quhej Komintern. Kësaj pule një ditë ia prenë kokën, por trupi i saj vazhdoi të lëvizte për njëfarë kohe. Stalinistët që u stërvitën në Moskë, tashti janë përsëri në vendet e tyre: në Spanjë, në Francë, në Greqi, në Jugosllavi, edhe në Shqipëri. Shoku Stalin u mundua shumë me edukimin e këtyre djemve dhe tashti këta djem po ia shlyejnë atij kujdesin që tregoi.

“Teknika e tyre është të organizojnë lëvizje rezistence patriotike në vend, të përpiqen të vënë në to në pozitat kyçe komunistët, të keqtrajtojnë grupet e tjera të rezistencës, derisa t’i shtynë në krah të gjermanëve, të ekspozojnë disa kufoma gjermanësh të vrarë dhe të futen në borderotë e oficerëve britanikë, të cilët, menjëherë, i furnizojnë ata me komplete ushtarake”.

Ai i kërkoi Kuejlit  që të siguronte që armët që do t’u jepeshin partizanëve, të mos krijonin kufoma shqiptarësh. Ai i tha se ishte mirë që të dy vendet e tyre, së bashku me Rusinë, u bashkuan për të përmbysur tiraninë e së djathtës, por do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se në atë proces, do të krijonin një tirani edhe më të egër: tiraninë e së majtës.

                                                        ***

Kisha dëgjuar për këtë libër. E kërkova, e gjeta, e lexova, m’u duk me vlerë dhe e përktheva. Ajo që jepet në këtë libër, është një pjesë e shkurtër e historisë së madhe të luftës, por ndryshe nga historia që kemi mësuar deri vonë, kjo është një histori e pa deformuar e saj.

Në libër është veçanërisht interesante biseda që bën Kuejli me Skënder Muçon, në të cilën, ky i fundit, parashtron pikëpamjet e tij, sipas të cilave rëndësi kishte lufta me çdo mënyrë kundër rrezikut kryesor të vendit, rrezikut komunist, që do të shfaqej i papërballueshëm pas lufte dhe jo rrezikut gjerman, që do të shmangej vetë dashje pa dashje shumë shpejt.

Fjalët e Skënder Muços, mjerisht, dolën të ishin profetike. Përnjëherë pas lufte në Shqipëri u vendos pushteti komunist me të gjithë egërsinë e tij prej të cilit vetëm pas dyzetepesë vjetësh shqiptarët mundën të shpëtojnë disi prej tij. Nju Jork, 15 dhjetor, 2019        

Filed Under: Histori Tagged With: Ilir Hashorva- Shqiperia e Luftes

Gjithё shkrimtarёt shqiptarё qё erdhёn pas Konicёs janё nxёnёsit e tij…..

December 16, 2019 by dgreca

Me rastin e 77 vjetorit tё vdekjes sё Faik konicёs- Fan Noli për Faik Konicën në Ditëvdekjen e kryelëronjësit të Gjuhës Shqipe.-/

“Konicёn pёr herё tё parё e kam pjekur mё 1906. Atё ditё s’kam pёr ta harruar kurrё. Mё shkroi nga Londra se do tё mbёrrinte nё Boston i veshur me kostum shqiptar, me qёllim qё fotografia t’i botohej nёpёr gazeta dhe kёshtu tё shfrytёzonte rastin pёr t’i trumbetuar botёs cёshtjen kombёtare shqiptare, qё ishte edhe qёllimi i jetёs sё tij. Shqeva sytё nga habia. Aso kohe, si prift i modёs sё shkuar qё isha, mbaja njё mjekёr tё gjatё e tё zezё, qё, tё them tё drejtёn, fёmijёt e Bostonit ma shihnin me cudi. E merrja me mend sesa do tё habiteshin kur tё mё shihnin krah pёr krah me njё burrё tё veshur me fustanellё shqiptare. Ndonёse der mё atёherё s’kisha parё fustanellё shqiptare, e merrja me mend se duhej tё ngjasonte me fustanellёn greke, qё nuk ndryshon shumё nga njё fustan balerine. Unё vija i shkurtёr dhe i ngjeshur. Konica ish i gjatё e i hollё.
Tё dy bashkё do tё ngjanim si Don Kishoti me Sanco Pancёn qё sapo kishin dalё nga njё cirk. Habia ime ishte vёrtet e madhe kur pashё se fёmijёt e Bostonit e harruan fare mjekrёn time dhe mbetёn tё admiruar pas Konicёs. Atёherё e kuptova se fustanella shqiptare nuk ngjasonte aspak me simotrёn e saj qesharake greke. Ajo i afrohej mё tepёr fundit skocez dhe I shkonte shumё pёr shtat njё burri tё pashёm si Konica. Rasti e sjell qё nё kёtё libёr tё Konicёs kёndonjёsi tё njihet edhe me ndryshimin midis kostumit grek dhe atij shqiptar. Grekёt vёrtet qё e kanё huaj tur nga shqiptarёt, po, duke u rrekur pёr ta stolisur edhe mё, e kanё bёrё si tepёr grarishte.
Por Konica nuk mё habit vetёm me veshjen e tij. S’po u besoja veshёve kur nisi tё mё «ligjeronte» pёr cfarёdo teme qё tё shkon ndёr mend. Ishte njeri me kulturё tё madhe. Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire), njё shkrimtar francez, qё ishte mik i tij e quante «enciklopedia qё ecёn», dhe qё «e fliste frёngjishten si francez i lindur». Njё tjetёr shkrimtar francez, Zhyl le Metre (Jules le Maitre), ka shkruar pёr te: «Cet entranger qui ecrit si bien notre langue» (Ky i huaj ka shkruar kaq bukur gjuhёn tonё). Si studiues i pasionuar pas muzikёs, Konica adhuronte Vagnerin. Vagneri dhe veprat e tij ishin njё nga gjёrat e para pёr tё cilat mё foli. Ai mё kёshilloi tё shihja dhe Parsifalin, kur u dha pёr herё tё parё nё Boston, mё 1910. Tridhjetё vjet mё pas, kur vdiq, duke ditur sesa shumё e donte Vagnerin, iu luta organistit qё, gjatё gjithё ceremonisё sё varrimit, tё luante pjesё tё tij.
Tani tё themi dy fjalё pёr vendin qё zё Konica nё historinё e Shqipёrisё sё sotme. Si mysliman qё ishte dhe si bir i njё familjeje aristokrate nga Shqipёria e Jugut, Konica i kishte tё gjitha mundёsitё tё zinte njё pozitё tё lartё nё Perandorinё Turke, ku bёnte pjesё dhe Shqipёria qё nga vdekja e Skёnderbeut. E vёrteta ёshtё se gjatё shekujve shumё shqiptarё kishin marrё ofiqe tё larta nё Perandorinё Turke. Pёr shembull nё tё ri tё Konicёs, veziri i madh apo kryeministri i Perandorisё Turke, Ferid Pasha, Ishte shqiptar nga Vlora. Por Konicёs nuk i pёlqente kjo karrierё. Misioni qё i caktoi vetes ishte lufta pёr pavarёsinё e Shqipёrisё. Qё nga viti 1897 gjer mё 1912 Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqipe jashtё atdheut, «Albania» dhe «Drita», ishin dy nga pionierёt e luftёs pёr pavarёsinё e Shqipёrisё. Nё sundimin turk shqiptarёt e kishin fshirё nga kujtesa lavdinё e shkuar nёn Skёnderbenё. Konica ishte ai qё rizbuloi dhe trumbetoi Skёnderbenё dhe flamurin e tij, shqiponjёn e zezё me dy krerё mbi fushёn e kuqe. Ky flamur u bё simbol i pavarёsisё kombёtare dhe u ngrit mё 1912 nё Vlorё nga Ismail Qemali, ku Shqipёria u shpall shtet i pavarur.
Konica ёshtё njё nga krijuesit e prozёs shqipe. Kur pata vendosur tё radhi – tesha dhe unё nё kryqёzatёn qё luftonte pёr pavarёsinё e Shqipёrisё, gjёja e parё qё mё ra nё sy, ishte mungesa e plotё e veprave letrare shqipe me ndonjё vlerё artistike. Por kur shkova nё Egjipt mё 1902, Spiro Dine, njё patriot shqiptar, mё dha koleksionin e revistёs «Albania» tё Konicёs prej vitit 1897 deri mё 1903. I lexova faqe mё faqe dhe qё nё atё cast nё shkrimet e Konicёs gjeta atё qё kёrkonim; letёrsi tё mirё shqipe. Konica, gjithashtu, zbuloi dhe popullarizoi njerёz tё tjerё shqiptarё tё letrave, si Kristoforidhin, Mitkon, Fishtёn, dhe Cajupin. Me kёshillёn dhe nёn drejtimin e tij, unё kam pёrkthyer disa vepra tё Shekspirit, Ibsenit, Edgar Allёn Poes dhe «Don Kishotin» e Servantesit. Gjithё shkrimtarёt shqiptarё qё erdhёn pas Konicёs janё nxёnёsit e tij, pёrfshirё kёtu edhe shkruesin e kёtyre radhёve.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: Fan S. Noli-Konica-Me rastin e Ditevdekjes

KUR KISHA ORTHODOKSE SHQIPTARE SHKEPUEJ NGA KISHA GREKE

December 12, 2019 by dgreca

Histori shqiptare ne shtypin francez/

LE TEMPS (1921) / KISHA ORTODOKSE SHQIPTARE, ME INICIATIVË TË FAN NOLIT, ËSHTË SHKËPUTUR NGA AJO GREKE

Kisha shqiptare, pas atyre rumune, serbe dhe bullgare, bëhet kombëtare dhe shkëputet nga patriarkana e Fanarit.”…/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Dhjetor 2019/

“Le Temps” ka botuar, të premten e 2 shtatorit 1921, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shkëputjen e kishës ortodokse shqiptare nga ajo greke, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Kisha shqiptare ndahet nga ajo greke

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Na shkruajnë nga Korça :

“Lëvizja separatiste fetare në Shqipëri e udhëhequr nga imzot Fan Noli, president i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, sapo mori formë.

Kisha shqiptare është shkëputur nga ajo greke dhe ky lajm, i shpallur nëpërmjet një manifesti, është përshëndetur me entuziazëm nga popullsia ortodokse.

Kisha shqiptare, pas atyre rumune, serbe dhe bullgare, bëhet kombëtare dhe shkëputet nga patriarkana e Fanarit.”…

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja- Le Temps-Kisha shqiptare- Noli-Kisha Greke

KUJTESA- 13 DHJETOR 1990: SHKODRA SHKULI DIKTATORIN TIRAN

December 11, 2019 by dgreca

KUJTESA-Arkiv- Më 13 dhjetor 1990 nga ora 12.45 deri në orën 20.00 në qytetin e Shkodrës u zhvillua një demonstratë kundër regjimit komunist. Ndër të tjera, në këtë demonstratë u rrëzua busti i diktatorit që ndodhej në qendër të këtij qyteti. Rezulton se ky bust është i pari i hequr nga piedestalet e qyteteve tona. Për ngjarjen e 13 dhjetorit u ndaluan 78 persona, prej të cilëve 42 u arrestuan. Deri në datën 24.12.1990 u dërguan në gjyq 50 persona. Parullat e hedhura në këtë demonstratë ishin: “Liri, demokraci”, e me pas me parullat “Enver Hitler”, “Poshtë Enver Hoxha”, “Poshtë dhuna”,”Rroftë Amerika”, “Poshtë Policia”, “Ushtria është me ne!, “Ky pushtet mori fund”, etj.

“100  TIRANËT”, autor: NIGEL CAWTHORNE/

Nga Fritz RADOVANI/ Melbourne-Australi/

Në librin “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, me titull: “TYRANTS”, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë të vërtetën historike t’ pashkrueme deri tashti për né Shqiptarët:

BOTA MODERNE

ENVER HOXHA (1908 – 1985) Udhëheqës i Shqipnisë

Stalini, modeli dhe idhulli i diktaorit shqiptar/

Jeta dhe Krimet e Enverit/

1908 – Lindi me 16 Tetor 1908 në Gjinokastër, nga një familje me fé myslimane në jug të Shqipnisë…

1930 – Shkoi në Francë për studime.

1934 – Ka shërbye si sekretar i konsullatës shqiptare në Bruksel.

1936 – Ktheu në Shqipni, ku u ba mësues.

1939 – U largue nga arësimi për refuzimin e bamë për pjesmarrje në Partinë Fashiste

Shqiptare; hapi dyqan cigareshitës.

1941 – U formue Partia Komuniste Shqiptare; U zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.

1944 – U formue Qeveria Provizore; Filluan gjyqet e ekzekutimet.

1948 – Zhduku grupin pro-Tito; mbylli Kishat dhe konfiskoi pronat private.

1961 – Ndërpreu marrëdhanjet me Bashkimin Sovjetik.

1978 – Ndërpreu marrëdhanjet me Kinën.

1981 – Seleksionoi partinë dhe drejtuesit e shtetit.

1985 – Vdiq me 11 prill 1985 në Tiranë.

Shenimi F.R.: Libri fillon nga viti 1353 para Krishtit, e vazhdon deri në vitin 2004.

■Në 100 TIRANËT ma barbar të historisë botnore asht edhe Enver Hoxha.

Dijetari i madh i shkencës së matematikës, Prof. Petro Fundo ka thanë:

“Diktatorë si Enver Hoxha, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjes së tyre!”

Ai prap asht mendja, mishi dhe zemra e kalbun e Presidentëve tanë, nga viti 1944…

Ai asht edhe sot udhëheqës i PPSh, Kuvendit Popullor, Qeverrisë dhe Gjykatave.., po dhe i të gjitha Bankave mbrenda e jashta “Shqipërisë”, sepse, “ay e bëri Shqipërinë…”, dyke mbajtur të varura në portofolet e tij “tituj dhe dekorata” per 70 vjetë tiran:

■Dekorata: “Hero i Popujve të Jugosllavisë”1946.Urdhri “Hero Kombëtar”, Titulli “Hero i Popullit”, Titulli “Hero i Punës Socialiste”, Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë, Urdhri i Flamurit, Medalja e kujtimit, Urdhri “Ylli Partizan” i klasit të parë, Urdhri i Trimërisë, Urdhri “Ylli i kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Dekoratë nga Partia Komuniste Italiane me Urdhrin “Ylli Garibaldit”, Dekoratë me Urdhrin “Suvorov” të Klasit të I nga Presidiumi i Sovjetit Suprem të B.R.S.S…

HAPNI VARRIN E SHIKONI … Aty do ta gjeni dyke shkruar:

■“APROVOHET NDESHKIMI ME VDEKJE…

NA LAJMËRONI DATËN E EKZEKUTIMIT TË TYRE DHE  VULLNETIN E FUNDIT. Komandanti i Përgjithshëm Xheneral Kolonel Enver Hoxha d.v.”

■Dokumentat e Arkivave tregojnë: 45.000 Shqiptarë pa varr…në tokën e tyre Shqiptare..!

■Dhe, mbi 450.000 Shqiptarë të tjerë, të burgosur, (të riburgosur dy ose tre herë),  të internuar, të dëbuar, të zhdukur.., që të gjithë vazhdojnë të vuajnë “luftën e kllasave” të diktaturës së Enver Hoxhës, dhe partisë së tij të punës e terroriste, po kurrë, të Shqipërisë dhe Popullit Shqiptarë..!

■Mosprekja e titujve dhe dekoratave sot ka një vlerë të madhe, mbasi Bota kupton se nga presidentët, kryeministrat, kuvendi popullor, qeveritarët, sigurimi i shtetit, organet e “drejtësisë” etj…, ishin dhe vazhdojnë me kenë pasuesit besnikë të tiranisë pashoqe barbare e vrastare enveriste. Kjo pra, asht “Rilindja”!..

            Melbourne, 11 Dhjetor 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: 13 Dhjetori-shkulja e diktatorit- Fritz Radovani

Reagim ndaj shkrimit të Spartak Brahos kunder Agron Tufës

December 5, 2019 by dgreca

– Komunizmi  ka stil bombardues të karakterit, aludime,shpifje, degradim, marhinalizim e persekutim. Agron Tufa është viktimë e kësaj taktike.

-...stili komunist i kërcënimit ndaj tij është pjesë e sulmit ndaj  figurave kyçe të së Djathtës është provë që komunizmi është mirë e bukur , këmbëkryq e në lulëzim në mëmëdhe.

Nga Merita B McCormack-Washington/*

Nuk ka shembull më ilustrativ se sa shkrimi i Spartak Brahos për ikjen e Agron Tufës , që vërteton se komunizmi është shëndoshë e mirë në Mëmëdhe. Përmendja dy herë pa qenë nevoja e KM Rama është interesante. Personalisht nuk e njoh Agronin. Njoh figurën e tij publike e pozicionin që kishte në Institut , pra njoh përfaqësimin e institucionit të Djathtë shqiptar që për momentin ka emrin Agron Tufa. Figura e pozicioni i tij është simbol i qëndresës dhe simbol i antikomunizmit. Gabimi që u bë ishte të qenit të varur nga shteti i këtij institucioni. Përllogaritjet e gabuar politike  te  dikujt tjetër  kjo… Ky institucion duhet të jetë i pavarur. Nuk duhet mbajtur nga shteti, perveçse te financohet. Agroni si person siç e akuzon Braho , me stilin e njohur komunist  mund të jetë i keqi i çdo lloji si njeri, por Agroni si figurë në pozicionin që kishte është simbol i klasës që ka 75 vite që vuan. E ky Braho nuk e ka problem ta persekutojë verbalisht në vazhdimësi. Komunizmi  ka stil bombardues të karakterit, aludime,shpifje, degradime, marhinalizim e persekutim. Agron Tufa është viktimë e kësaj taktike. Unë nuk di nëse Agroni ka vjedhur ose ka kryer krime, siç akuzon Braho. Drejtësia mund ta zgjidhë. Por vrasja e karakterit për  politikë është gjëja më e shëmtuar që mund ti bëhet një personi. Agroni si njeri është bashkëshort e baba i pesë fëmijëve, rol shumë madhor e i admirueshëm. Agroni në këtë rol mund të planifikojë ç’të dojë për jetën e tij e familjen e tij. Por stili komunist i kërcënimit ndaj tij është pjesë e sulmit ndaj  figurave kyçe të së Djathtës është provë që komunizmi është mirë e bukur , këmbëkryq e në lulëzim në mëmëdhe. Eshtë e dhimbshme të lexosh çfarë flet Braho për Mithat Frasherin. Nuk e bën kot lidhjen . Ka një qëllim!  E ska se si të mos  thotë i gjori shqiptar në mërgim. “Na mungojnë eshtrat e Mid’hatit në Nju Jork! “.

          Diaspora që do vendin duhet të mos humbë busullën. Vatra me problemet e saj mund të merret sa herë të dojë por për momentun duhet të rifokusohet në çështjen kombëtare e të mbrojë  drejtësinë , të mbrojë e ti dalë në krah kauzës antikomuniste dhe të jetë si dikur pishtari që hedh dritë mbi të vërtetën e ta mbrojë atë fortësisht.

* Autorja është ish kryetare dhe themelusja e degës së Vatrës në Washington, anëtare e Këshillit të Vatrës.

Filed Under: Histori Tagged With: Merita B McCormack- Reagim-Spartak Braho-Agron tufa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 247
  • 248
  • 249
  • 250
  • 251
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT