• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DËSHMORËT E PANJOHUR TË ÇETËS PLAKË TË VLORËS

September 19, 2021 by s p

Kur do të shpallën dëshmorë luftëtarët trima, të çetës Plakë të Vlorës?

Vazhdon lufta e klasave: dëshmorët e atdheut trajtohen ca të nënës e ca të njerkës.

Nga Enver MEMISHAJ

  1. Komunistët të vrasin natën dhe të qajnë ditën

Një nga njollat më të errëta dhe çnjerëzore e Partisë Komuniste, ishte edhe eliminimi i shokëve të tyre të idealit, liminim që filloi që gjatë Luftës Antifashiste. Udheheqësi i lartë i P.K., Gogo Nushi ka deklaruar në plenumin e Beratit në nëtor të vitit 1944: “Për ata që ishin anëtarë partie e që kishin një pakënaqësi ose që kishin shfaqur një dyshim në vijën tonë, kemi pasur direktivë nga Komiteti Qëndror që këta t’i  zhduknim”. 

Disa nga ata luftëtarë, që Partia Komuniste i vrau natën, i qau ditën: pas çlirimit i shpalli dëshmorë të atdheut! Kështu p.sh. vetën nga Grupi Komunist i “Të Rinjve”, u vranë 8 vetë: Mynyr Xhindi, Fejzo Gjomema, Feta Ekmeçiu, Arap Shenaj, Fejzi Micolli, Hydajet Micolli, Haki Xhelo dhe Jorgo Plaku, të tetë këta pas çlirimit u shpallën dëshmorë. 

Në vitin 1944 komunistët pushkatuan në Ramicë të Vlorës Ramize Gjebrean dhe në vitin 1947 e shpallën dëshmore. 

Më 8 qershor 1944 u vra dhe Zaho Koka. Sipas Sofokli Lazërit dhe general Mevlan Dervishit thonë se e vranë pas krahëve. ( “Dita”, 23.12.2002; “Ballkan” 18.6.2005) Edhe Zahua u shpall “Hero i Popullit”

Në Fier u pushkatua çifti i bukur Zyba Fasllia dhe Kito Zarka  dhe pas çlirimit Kitua u shpall dshmorë, ndërsa Zyba mbeti armike e epopullit!!!

Në Gjinar të Elbasanit pushkatohen Velide Murataj nga Tragjasi dhe Bido Hasani nga Delvina. Bidua u shpall pas çlirimit dëshmorë, sepse familja e tij kishte qëndrim të mirë politik,  ndërsa Velideja mbeti armike e popullit pasi prindërit e saj ishin ballistë!!!

Më 3 maj 1944, u pushkatua vajza 18 vjeçare, Hazbo Gjoni nga Gusmari Kurveleshit. 

Në fund të vitit 1944 në Peshkëpi u vra Mustafa Gjinishi në një pritë të realizuar nga Liri Gega, dhe më pas u shpall dëshmor. 

E famëshmja Musine Kokalari shkruan se komunistët vranë Mustafa Gjinishin, Mustafa Kaçaçin, dhe Abas Shehun  sepse ata mendonin të krijonin një opozitë socialdemokrate mbas mbarimit të luftës, (M.K. “Si lindi Partia Socialdemokrate”) të tre këta pas çlirimit u shpallën dëshmorë dhe heronj.

Ka edhe raste të tjera kur partizanët janë vrarë për hakmarrje personale si Shyqyri Alimerko nga Tragjasi, Sadik Zotaj nga Ramica, ose janë vrarë nga hajdutët për ti grabitur si Ramis Aranitasi nga Skrapari , Mitro Xhani e Lefter Talo nga minoritar grek, (“Tema”, 7.12.2008) Dervish Hekali u vra pas krahëve dhe të gjith këta pas lufte u shpallën dëshmorë dhe heronj populli!!! 

Me këtë listë mund të vazhdonim gjatë…

  1. Kur do të shpallën dëshmorë luftëtarët trima, të çetës Plakë të Vlorës apo vazhdon lufta e klasave: dëshmorët trajtohen ca të nënës e ca të njerkës.

Në të njejtat rrethana janë pushkatuar nga Partia Komuniste gjatë luftës edhe shumë partizanë të çetës Plakë të Vlorës, formuar më 4 dhjetor 1942, ndër ta:  Neki Ymeri, Xhafer Dalani, Xhemil Çakërri, Selim Laçej, Refit Saçaj, Duro Elmazi, Shask Rustemi, Faslli Kapaj, Isuf Rexho, Bexhet Pashaj, Arshi Muka, Jaho Tushi, Qazim Bilbili, Nurçe Bajrami, Hasan Meçorrapaj, të cilët ishin luftëtarë trima me armë në dorë dhe nuk janë shpallur dëshmorë, pasi familjet e tyre nuk kishin qëndrim të mirë politk!!!

Pse u pushkatuan nga Partia Komuniste dhe konkretisht nga Dushan Mugosha dhe Liri Gega, shumë partizanët trima të çetës Plakë të Vlorës?

Në vitin 1943, me daljen e të ashtuquajturit fraksion i Vlorës i udhëhequr nga Sadik Premtja shumë partizanë iu bashkuan këtij fraksioni. Dihen akuzat që iu bënë Sadik Premtes dhe Grupit të “Të Rinjëve”, si armiq e tradhëtarë të Partisë dhe të popullit dhe bashkëpuntorë të fashizmit, akuza që nuk kanë asgjë të vërtetë, sepse nuk ka asnjë provë e fakt juridik për të mbështetur këtë akuzë.

Me dhjetra dokumenta të policisë fashiste provojnë se Sadik Premtja ishte në ndjekje për t`u arrestuar si armik i rrezikshëm i fashiznit. (Shih: “Eliminimi i Grupit Komunist të “Të Rinjve”, Tiranë 2016)

Enver Hoxha, i shqetësuar në kulm nga përmasat e asaj lëvizjeje që po ndodhte në Vlorë, e cila po lëkundte pozitat e tij, që nga strofkat ku fshihej në Tiranë, më 3 maj të vitit 1943, dërgoi një letër, që ishte në fakt një urdhër, që ia drejtonte Qarkorit të Vlorës dhe për njoftim gjithë Komiteteve Qarkore të Shqipërisë. Në atë letër ai urdhëronte: 

“Xhepi dhe Pali duhet të pushkatohen përnjëherësh pa asnjë gjyq si tradhtarë… armiq të betuar të partisë dhe të popullit”.  Dhe më poshtë: “Të arrestohet Vangjoja e Difi dhe të gjithë ata elementë që kanë marrë pjesë në këtë punë dhe, pa humbur kohë, të bëhet gjyqi i tyre… Në rast se ata janë kurdoherë solidarë me Xhepin edhe ata të pushkatohen… Të forcohet disiplina. Të shkojnë dy vetë të flasin me H.L. dhe t’i japin arsyet, e ta bindin për masat që janë marrë kundër këtyre tradhëtarëve”.

(AQSH, F.18/AP, V. 1943, D. 1, f. 4; Xhepi – Sadik Premtja, Pali – Pali Terova, Vangjua – Neki Ymeri, Difi – Qazim Çakërri, H.L. – Hysni Lepenica)

Vetëm nga leximi i këtij citati të shkurtër të asaj letre, që është shumë e gjatë, të lindin vetvetiu disa pyetje dhe shqetësime: 

Në radhë të pare, ku e gjeti ai njeri legjitimitetin që të arrijë të japë vendime për arrestime dhe për pushkatime? 

Kush ia dha atij të drejtën për t’i quajtur ata që nuk mendonin si ai, “armiq të popullit”,  mbi ç’bazë ligjore e morale jepte urdhëra të pushkatoheshin njerëz? 

Dhe po të mbahet parasysh se kjo ndodhte vetëm një vit e gjysmë nga dita që ai kishte marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm (ashtu si e kishte marrë) të PKSH-së, mund të arrihet në përfundimin se çfarë ka bërë ai më vonë, kur pushteti i tij u forcua dhe pozitat e tij në krye të partisë e të shtetit u konsoliduan me tej. 

Në zbatim të këtij urdhëri Dushan Mugosha dhe Liri Gega ngritën një njësit terrorist në shpellën e Shiroke në Tërbaç dhe vranë me atentat dhe me metoda të tjera mafjoze shumë partizanë të çetës Plakë, të Vlorës. 

Nisur nga fakti se të gjithë partizanët e çetës Plakë ishin luftëtar lirije, antifashistë, që kishin luftuar me armë në dorë dhe se nuk mund t’u ngrihet asnjë akuzë, duke pasur parasysh se të gjithë ata pas vitit 1990, janë vlerësuar e dekoruar nga autoritetet vendore dhe Presidenti i Republikës, si dhe praktikën se shumë partizanë të ekzekutuar nga PKSH gjatë luftës u shpallën dëshmorë pas çlirimit: 

Më 23 prill 2018 dhe më 31 maj të vitit 2020, familjarët e partizanëve të pushkatuar nga Partia Komuniste, gjatë Luftës Antifashiste, gjatë viteve 1943 – 1944, i kanë drejtuar një kërkesë prefektit të Vlorës, z. Flamur Mamaj dhe kërkojnë prej tij: 

Të vlerësohen e shpallen si dëshmorë të atdheut të afërmit tanë, të cilët kanë luftuar kundër pushtuesit fashistë me armë në dorë që nga 4 dhjetori i vitit 1942, kohë kur u formua çeta Plakë e Vlorës. 

Dihet gjithashtu  që jo vetëm u vranë padrejtësisht, por pas çlirimit familjet e tyre u persekutuan dhe internuan dhe sot këto familje mbajnë Statusin e ish të Përndjekurve Politikë. 

Pothuajse të gjithë partizanët e përmendur në këtë kërkesë kanë marrë vlerësime të larta nga Këshilli i Qarkut të Vlorës dhe nga Presidenti i Republikës dhe konkretisht:  

Komandanti i çetës Neki Ymeri “Vangjo” (1918 – 1943) i vrarë në pritë më 27 gusht 1943 është dekoruar:

1 – “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin: “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”

2 – “Martir i Demokracisë” me motivacion: “Antifashist i orëve të para, organizator dhe luftëtar në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Iu kundërvu që në fillim vijës antikombëtare të diktatorit Hoxha, duke sakrifikuar edhe jetën”.

3 – “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me këtë motivacion: “Vrarë në LANÇl, 1943, Komandant i çetës Plakë, Vlorë. Student, drejtues në Lëvizjen Kombëtare e Antifashiste. Franksionist në Partinë Komuniste Shqiptare”

Xhemil Çakërri – “Milo” (1920 – 1943), pushkatuar në të njëjtën ditë dhe orë me Hydajet Micollin është Shpallur “Martir i Demokracisë”

Xhafer Dalan Xhaferaj – “Shpuza” (1913 – 1943), pushkatuar. Dekoruar, pas vdekjes:

1 – “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”

2 -“Medalja e Artë e Shqiponjës” me motivacionin: “Vrarë nga partizanët si franksionist. Antifashist i orëve të para, franksionist në PKSH”.

Duro Tahir Elmazi (1918 – 1943), pushkatuar. Shpallur “Martir i Demokracisë”

Haki Hazbi Xhelo (1923 – 1943), u pushkatua dhe u shpall dëshmor. Shpallur “Martir i Demokracisë”

Prefekti i qarkut të Vlorës z. Flamur Mamaj me shkresën nr. 598\1 datë 15.6.2020, i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Komisjonit Qëndror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” dhe bazuar në ligjin nr. 109\2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut” propozon që  partizanët e çetës Plakë të sipërcituar të shpallen “Dëshmorë të Atdheut”. Propozimi i prefektit shoqërohet me dosjen e plotë me dokumentacionin provues. 

Ja dhe disa shembuj se si autoritetet shtetërore kanë vepruar me dy standarte, ose disa pyetje që kërkojnë përgjigje:  

Përse Mynyr Xhindi që e vranë pas krahëve, shokët e tij në kodrat e Velçës më 5 nëntor 1943,u shpall dëshmorë ndërsa Neki Ymeri komandanti i çetës Plakë që u vra me atentat nga Shyqyri Alimerko dhe Sadik Zotaj mbeti armik i popullit?

Përse Hydajet Micolli që u vra në të njëjtën ditë dhe orë me Xhemil Çakërrin u shpall dëshmor ndërsa Xhemil Çakërri mbeti armik i popullit? Për më shumë: Në maj të vitit 1943 te mulliri i Kutës në Mallakastër  u vranë nga komunisti Idris Seiti brenda një orë: Hydajet Micolli nga Bolena dhe Xhemil Çakërri nga Tragjasi. Të dy këta ishin luftëtarë antifashist, me merita pothuajse të barabarta, për më tepër Xhelim Çakërri ishte komisar politik i çetës Plakë. Të dy simpatizant të Sadik Premtes. Hydajet Micolli pas çlirimit shpallet “Dëshmor i atdheut”, ndërsa Xhemil Çakërri “ armik i popullit”. Kjo ndodhte nga parimi luftës së klasave sepse Xhemili ishte familje me qëndrim të keq politik megjithëse fashizmi i kishte djegur dy shtëpi dhe i kishte burgosur motrën në moshën 17 vjeçare.

Përse Haki Xhelua u shpall dëshmor, ndërsa Duro Elmazi armik i popullit!!! Për më tepër: Të dy djemtë e rinj, Duro Tahir Elmazi (1918 – 1943) dhe Haki Hazbi Xhelo (1923 – 1943), anëtarë të Grupit Komunist  të “Të Rinjëve”, simpatizant dhe mbështetës të Sadik Premtes u arrestuan në një ditë dhe në një orë dhe u pushkatuan, duke humbur varret e tyre përgjithmonë. Pas çlirimit Haki Xhelua u shpall dëshmor ndërsa Duro Elmazi armik i popullit!!!

Po kështu mund të bënim krahasime për të gjithë luftëtarët antifashistë, partizanë të çetës Plakë të Vlorës, të ekzekutuar padrejtësisht nga Partia Komuniste me urdhër të Dushan Mugoshës dhe Liri Gegës. 

Pra kemi një praktikë  e cila padrejtësisht nuk zbatohet njësoj, ose t’u hiqet titulli i deshmorit atyre që u vranë nga Partia Komuniste dhe më pas u shpallën dëshmorë ose t’u jepet titulli “Dëshmor i atdheut”, të gjithë partizanëve që u vranë në të njëjtat rrethana me ata që u shpallën dëshmorë.

Ndarja sipas parimeve kriminale të luftës së klasave ndodhte në diktaturën komuniste. Kjo ndodh edhe sot në demokraci, prandaj autoriteti shtetëror sa më parë duhet të bëjë koregjimin e këtij qëndrimi absurd: t’u japë titullin “Dëshmorë i atdheut” të gjithë  partizanëve trima, antifashistëve, të çetës Plakë të Vlorës, që kanë luftuar fashizmin me armë në dorë.  

Deri më sot kërkesa e familjarëve të të pushkatuarve si edhe kerkesa e prefektit z. Flamur Mamaj të Qarkut të Vlorës ka mbetur pa përgjigje. Autoriteteve shtetërore u kujtojmë gjithëashtu se ata në bazë të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informacionit…”, kanë detyrimin që të kthejnë përgjigje brenda një afati të arsyeshëm dhe ligjor, detyrim i cili nuk është realizuar.

DISA DËSHMORË TË PANJOHUR TË ÇETËS PLAKË TË VLORËS

Neki Ymeri                                     Xhemi Çakërri                             Nimet Mita                                Duro Elmazi

Xhafer Dalani                                Shaskë Rustemaj               Hodo Muhameti                             Isuf Rexha

              Gjysh Premtaj                                    Osmën Ymeraj

Filed Under: Histori Tagged With: Deshmoret e Vlores, Enver Memishaj

NË KUJTIM TË FAHREDIN ETEMIT-LADËS

September 16, 2021 by s p

VEPRIMTARIT DHE DËSHMITARIT TË NGJARJEVE HISTORIKE PËR KOSOVËN

C:\Users\PC\Desktop\Fahredin Etemi me Adem Demaçin.PNG

                                        Fahredin Etemi – Lada me Adem Demaçin

SHKRUAN: NUHI BYTYÇILajmi për ndarjen nga jeta të Fahredin Etemit-Ladës, jehoi me dhembje të madhe në Kosovë dhe më gjerë. Largimi i tij nuk është humbje vetëm për familjen Etemi, por edhe për kolegët, shokët dhe miqtë e tij. Fahredini-Lada ishte njëri ndër fotografët më të njohur në kryeqytetin e Kosovës, i cili krahas kryerjes së punës së tij profesionale si fotograf dhe dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë më të re, para gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, ai ishte edhe veprimtar i Lëvizjes së pajtimit të gjaqeve, mbështetës dhe veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetës i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i të gjitha zhvillimeve të periudhës së ndërtimit të shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës. Kujtimet për Ladën si fotograf dhe para së gjithash si njeri human, atdhetar dhe shok i vërtetë janë të shumta. E kisha njohur në vitet 80-të përmes vëllait të tij Isa Etemit, me të cilin kemi punuar në TV e Prishtinës deri më 5 korrik 1990.                                                                                                                                              Lada ka qenë fotograf personal i simbolit të rezistencës sonë kombëtare Bacës Adem Demaçi,                                i Komandantit të UÇK-së të Zonës së Llapit, Rrustem Mustafës-Remit, fotograf i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, i Shoqatës së ish-të burgosurve politikë të Kosovës, i TMK-së dhe FSK-së, Ushtrisë së Kosovës, fotograf i Kryetarit të komunës së Prishtinës pas çlirimit, si dhe ka përcjellur dhe fotografuar në shumë ngjarje politike, kulturore, arsimore dhe të tjera me interes kombëtar. Ai ka fotografuar edhe protestat dhe demonstratat e shumta që mbaheshin në Prishtinë e jashtë saj duke kundërshtuar veprimet e regjimit serb mbi shqiptarët. Të gjitha këto punë me interes të veçantë Lada i bënte gratis dhe nuk mund ta gjesh edhe një fotograf të tillë në Prishtinë që ka kontribuar më shumë se ai në këtë mënyrë për institucionet dhe komunitetin në përgjithësi.                                                                                                                                                 Me Ladën jam takuar më së shpeshti pas luftës përmes takimeve që kishim me Bacën Adem Demaçi, Shqiptar Demaçin, Rrustem Mustafën-Remin, Selatin Novosellën, Shemsi Sylën,             Fatmir Sopin, Xhelal Pakashticën dhe veprimtarë të tjerë.                                                                                                                                                        Mbaj mend kur në dyqanin e tij Foto Canon prapa Teatrit Kombëtar  në Prishtinë të gjithë familjarëve të dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës, ish-të burgosurve dhe njerëzve të sakrificës ua bënte dhe përgatiste fotografitë pa asnjë kompensim.                                                                                                                                     Me Ladën kam bashkëpunuar ngushtë pas luftës edhe unë si gazetar dhe autor i dokumentarëve për dëshmorët e lirisë, me ç’rast më ka ndihmuar shumë për dizajnimin e fotografive të dëshmorëve dhe figurave të tjera kombëtare. Punën që e bënte ai dhe fëmijët e tij, vajza Ajla dhe djemtë Endriti e Petriti  ishte me përkushtim të veçantë dhe profesionalizëm. Edhe me këtë rast, asnjëherë nuk pranonte që të kompensoheshin për punën e bërë, duke shprehur respektin dhe vlerësimin më të lartë për ata që kanë sakrifikuar jetën për lirinë e Kosovës.                                                                                                                                                                                 Lada ishte mysafir special edhe me rastin e promovimit të librit tim monografik “LIBRI I LUFTËS” më 4 mars 2019, ku nuk e la pa i bërë edhe disa fotografi të rralla me kolegët, shokët dhe familjarët e mi të pranishëm në këtë ngjarje.                                                                                                                                                      Mirëpo, nuk do ta harroj kurrë 17 gushtin e vitit 2020, ditën kur ditën e fundit të punës shkova në Radiotelevizionin e Kosovës për tu përshëndetur me kolegët e mi. Te porta e RTK-së takoj Ladën me fotoaparat në dorë. Atë e kishte ftuar djali im – Arianiti  dhe nuk më kishte informuar fare se menaxhmenti i RTK-së bashkë me koleget dhe kolegët e mi kishte organizuar përcjellje të befasishme, të veçantë me rastin e pensionimit tim. Lada nuk dëshironte ta zbulonte “sekretin” dhe nuk më tregoi fare për skenarin e përgatitur enkas për mua. Dita e fundit e punës sime si gazetar dhe redaktor në RTK ishte dhe mbetet ditë vërtetë e paharrueshme për mua. Këtë Lada e dëshmoi me fotografitë e tij profesionale që mi bëri me rastin e organizimit të ceremonisë së pensionimit tim në studion e RTK-së, ku nga udhëheqja dhe kolegët e RTK-së mora edhe Mirënjohje të posaçme për punën time gati 50 vjeçare si gazetar.                                                                                                                                                                                                  Takoheshim shpesh me Ladën në dyqanin e tij dhe këmbenim mendime për projektet e reja dokumentare. Në dyqanin e tij kishte një arkiv të jashtëzakonshëm të fotografive dhe xhirimeve që kanë të bëjnë me shumë ngjarje me rëndësi të posaçme për sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës gjatë rrugëtimit të tij drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe të ndërtimit të shtetit të ri demokratik të Kosovës. Kur më tregonte për pjesëmarrjen në shumë tubime të pajtimeve  të gjaqeve në Drenicë, Llap e rajone tjera të Kosovës, për bashkëpunimin me Prof. Anton Çettën, Zekeria Canën, për demonstratat e shumta kundër Serbisë, për vizitat dhe aktivitetet e ndryshme të simbolit të rezistencës sonë kombëtare Bacës Adem Demaçi, për fotografitë e luftëtarëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për përcjelljen si dëshmitar dhe dokumentues faktik përmes objektivit të aparatit të tij, i pata propozuar që ti seleksionoj fotot në të rëndësishme para, gjatë dhe pas luftës dhe ta realizojmë një film dokumentar për punën dhe kontributin e tij, Lada me modestinë e tij të tepruar më thoshte: “Jo, ska nevojë, sepse kjo i bjen me e reklamu veten. Më vjen keq, por për tjerët mundem me fole, por për veti jo!”. I tillë ishte Lada. I sinqert, korrekt, i afërt, bashkëpunues dhe shok i vërtetë.                                                                Mbaj mend edhe një takim para disa muajve, saktësisht më 8 maj të këtij viti, kur disa prej shokëve dhe miqve na ftoi në një darkë në dyqanin e tij. Ishim bashkë me djalin e Bacës Adem – Dr. Shqiptar Demaçin, me vozitësin e  Bacës Adem – Xhelal Pakashticën, Ibrahim Arsllanin, Agim Krasniqin, Enver Pakashticën, Bahri Rexhën dhe Sallah Fetën, na tha: “Kisha dëshirë që tju takoj bashkë dhe vetëm për qef!” Si zakonisht edhe kësaj radhe ishte i hareshëm,  i këndshëm dhe shumë i afërt, bashkë me fëmijët e tij të edukuar na pritën dhe shërbyen sikur priten dhe respektohen miqtë e kohëve të vështira. Na i bëri edhe disa fotografi, të cilat i ruaj me kujdes të posaçëm.                                                                                                                                                                    Ai merrte pjesë në të gjitha promovimet e veprave të Adem Demaçit. Herën e fundit, më 26 korrik 2021 ishim bashkë edhe me rastin e promovimit të  librit të Demaçit  “BURGJET E MIA  –  FATI IM I MADH”, në organizim të Selatin Novosellës nga Shoqata e ish-të burgosurve politikë të Kosovës. Aty bëmë bashkë edhe një fotografi me Ladën, Shqiptar Adem Demaçin dhe Xhelal Pakashticën. Unë insistova që Lada të fotografohet me ne, sepse ai ishte mësuar që të fotografonte të tjerët, kurse veten jo. Edhe këtë foto do ta ruaj si ndër kujtimet më të mira të jetës sime.                                                                                                                                                                 Gjatë muajve në vijim takoheshim herë pas here në dyqanin e tij dhe pinim ndonjë kafe në qendër të Prishtinës. Përherë na ofronte ushqime dhe pije bio dhe kishte energji pozitive, gjithmonë optimist për jetën. Mirëpo, sëmundja e rëndë që e kishte prekur në moshë ende të re, na e shkëputi nga jeta dhe na la pa kolegun, shokun, mikun e njeriun e madh prej humanisti e atdhetari për të kontribuar ende për interesa të përgjithshme.                                                                                                                                                                     Ne kolegët, shokët e miqtë do ta kujtojmë përherë me mburrje, si njeriun tonë të respektuar. Familja dhe farefisi i tij duhet të jenë krenare që e kishte një prind, bashkëshort, vëlla dhe familjar të tillë, të dashur dhe të çmuar nga të gjithë.

Filed Under: Histori Tagged With: Nuhi bytyqi

Qytetërimi i lashtë shqiptar

September 16, 2021 by s p

Anton Çefa

Është spekuluar dhe spekulohet edhe sot e kësaj dite me nocionin qytetërim, hapësira e gjerë e të cilit, duke u shtrirë në sfera nga më të ndryshmet të jetës lëndore e shpirtërore të njeriut, i ka krijuar mundësitë për një gjë të tillë.

Siç dihet, ka një qytetërim teknologjik, me funksione praktike utilitare, që ka arritur në kulmet më të pamenduara të realizimeve të njerëzimit dhe që ecën përpara me një shpejtësi marramendëse, dhe një qytetërim tjetër-më të lartë, më të vyer, më njerëzor. Është ky qytetërimi shpirtëror, me funksione humane-artistike, i krijuar prej shumë popujve që në kohërat më të larta.

Qytetërimi teknologjik ka siguruar një nivel të lartë jetese-në mënyrë të padiskutueshme-, por ai shpesh e ka dëmtuar njerëzimin, duke u përdorur në dëm të tij. 

Kjo është arsyeja që e ka shtyrë George Bernard Shaw-n të shprehet (në esenë “Dreqi flet”): “Në artet e jetës, njeriu nuk ka shpikur asgjë, ndërsa në artet e vdekjes, ai e ka tejkaluar”.

Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërës të qytetërimit shpirtëror, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike, si fisnikëria e ndjenjave, urtia e mendimit, bukuria e sjelljes, vlerësimi i së bukurës, çmimi i së drejtës, maturia e burrërisë, masa e fjalës, toleranca në marrëdhënie me të tjerët dhe një virtytësi e lartë e konkretizuar tek nderi, elementi më spikatës e më themelor i siluetës shpirtërore të popullit tonë, besa, mikpritja dhe përbërës të tjerë rrallë të arritur në historinë shpirtërore të popujve dhe shumë më rrallë të tejkaluar.

Duke vlerësuar këto cilësi të karakterit dhe virtytet e larta morale të shqiptarit, Thomas Smart Hughes, ka shkruar: “ato cilësi i bëjnë nder natyrës njerëzore” (Travels in Sicily, Greece and Albania”, London 1820, v. 2, p. 344), dhe F. S. Douglas: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh” (An Essay on Certain Points of Resemblance between the Ancient and Modern Greeks”, London, 1813, p. 190).

Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive.

Elemente të kësaj kanunësie, ai i veshi me rrobe juridike, duke i bërë impulsin organizativ themelor të jetës. Kështu ai krijoi të drejtën zakonore, nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur të përmbledhur nga Gjeçovi.

Pikërisht ky kod ligjor, pasqyrë autentike e qytetërimit tonë të lashtë-që na rreshton në një vend të nderuar, krahas popujve që krijuan kodet e veta të jetës, u sulmua me qëllime denigruese në shërbim të synimeve të tyre shoviniste për të gllabëruar trojet tona, nga një zhgan “akademikësh” sllavë, të cilët shpejtuan t’i vënë etiketën e egërsisë e të barbarizmit, duke e quajtur primitiv e të përgjakshëm. Si kryeargument për këtë u suall ligjësia kanunore e gjakmarrjes, që ka qenë një përpjekje e hekurt për të vënë rregull e drejtësi në një shoqëri ku mungonte shteti dhe institucionet shtetërore të së drejtës dhe aspak një veçori e shpirtit tonë etnik.

Kanuni shqiptar i maleve, që është kanuni i jetës shpirtërore mbarëshqiptare, i ndërtuar mbi themele të drejta e të qëndrueshme dhe, para së gjithash, mbi barazinë dhe i përshkuar katërcipërisht nga një virtytësi e lartë tejet humane është një kundërdëftesë e egërsisë shpirtërore; përkundrazi ai dëshmon një fisnikëri të pashembullt, që rrallë e gjen në kanunet dokësore të popujve të tjerë.

Në Kodin ligjor të Stefan Dushanit, që është një kombinim i së drejtës zakonore serbe me ligjët bizantine, shkëlqen përgjakshëm, si në dritë të diellit, egërsia shpirtërore. Pikërisht, mbi bazën e këtij kodi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1949, iu nxorën sytë viktimave, kufomave iu prenë gjymtyrët dhe iu thyen kokat me çekiçë, u prenë me thika barqet e nënave për të nxjerrë ferishtet e palindura, u dogjën njerëz për së gjalli, u karbonizuan trupa njerëzish.

Ndërsa princi ynë Lekë, në kanunin e tij, ku zdrit tejdukshëm fisnikëria shpirtërore, jo vetëm që nuk i ka lejuar këto krime të përçudura, por përkundrazi ka ligjësuar nderimin ndaj kufomës, ndaj familjes dhe fisit të të vrarit; ai i ka vënë detyrë vrasësit të sjellë mbarë kufomën dhe t’i mbështesë armën tek koka për ta nderuar dhe për ta paraqitur më së bukuri, si dhe detyrime të tjera të kësaj natyre.

Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”.

Shpirti artistik i popullit tonë i derdhur ndër vargje, ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve-në këto fusha- të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtitësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.

Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla- një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me popullit indian, arab e kelt, popuj që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.

E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në pemën indoevropiane, pasurinë, bukurinë dhe origjinalitetin e saj.

Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë shpirtërore. Nuk po flas për vallet, një manifestim dhe përqendrim (koncentrat) i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë; nuk po flas për kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike; nuk po flas për meloditë e bukura të fyellit e zumareve, lahutës e çiftelisë, etj. ; por po më vjen mbarë të bie si shembull këtu lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është e huaj, e panjohur.

Sado që kohëra të disfavorshme pushtimesh të huaja, duke përfshirë këtu edhe kohën e diktaturës komuniste, u përpoqën ta gërryejnë qytetërimin e lashtë shpirtëror të popullit tonë dhe e dëmtuan, ai nuk është shuar. Përkundrazi, në kohëra më të qeta, mbasi të futet Shqipëria në rrugën e një demokracie të shëndoshë dhe të kapërcejë maskaradat e politikës së ndytë katovice, që po luhet në vkurriz të popullit tonë, shpirti shqiptar do t’i kthehet vetvetes. Këtu qëndron shpresa, ndërsa siguria qëndron tek vitaliteti ynë etnik.

Filed Under: Histori Tagged With: Anton Cefa, Qyteterimi shqiptar

SHKODRA NUK DO HISTORI FALLCO

September 16, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI:

Kam njoftë në vitin 1956 Prof. Kol Alimhillin, i cili më thonte atëherë se: “Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa, hamajtë e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” (Shkoder, 1958). Ndoshta, sot kjo asht arsyeja që vazhdojmë mos me pasë histori të shkrueme sakt! 

Një dijetar thotë: “Rreziku nga e vërteta ishte ma i madh se gënjeshtra”. 

Asht shkrue e do të shkruhet e prap, do të vazhdohet me u shkrue për këtë ngjarje aq të randësishme, por e vërteta do të dalin në shesh vetëm atëherë kur historianët e paanëshëm do të kenë mundësi me pa e me studjue vetem arkivat e mbulueme nën dhé.

“Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenet, na dukën si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve.”, shkruente At Gjon Shllaku, dhe vazhdon: “Për né ideja asht nji mjet me u kapë té realiteti, për filozofinë moderne ideja asht nji perde që e ndanë njeriun prej realitetit”.

Tue u nisë prej këtyne parimeve që theksova ma nalt, a duhet kuptue drejtë sot mbas 75 vjetësh  “Lëvizja e Postribës” e 9 Shtatorit 1946 ?!

Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura, artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty me kërkue dishka të mbulueme me dashje, ose padashje, por në të dy rastët, jo, me qëllim të mirë. Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi me dështim të plotë kjo lëvizje që asht ndër ma të mëdhajat e trojeve tona, asht me të ardhë keq dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm komunistët.

Përmbytja mori me vedi fshatarë, profesorë, oficerë akademistë, klerikë,  deputetë, intelektualë, studentë, tregtarë, shumë të kënaqun e ma shumë të pakënaqun nga pushteti, madje, edhe pushtetarë që deri pak ditë para kishin nënshkrue edhe “urdhën-arreste”, ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen nga diktatura komuniste “demokracia”?  

Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.

Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945 e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem nga bandat e Sigurimit të Shtetit të drejtueme prej Koçi Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku,  Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj., që me krimet e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e mjeti mashtrues, për me shkatrrue rezistencën atdhetare antikomuniste dhe çerdhën e tyne. 

●Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte:

●Don Ndre Zadeja deklaron: “Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit, shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali. Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë. Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)

●Rrok Gjok Luli, i arrestuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen e Postribës dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: “Kam bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet Shkodra që sonte, një gja të  tillë ia kishte thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribët, dhe më thote, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët, e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946 se një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më ka thanë për Jupin se nuk asht këtu në Shkodër dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë luftën sande dhe për këtë, do të hidhen në sulm. Veç luftës nga jashtë do të plasin edhe këtu mbrenda, se Jupi asht marrë vesht me të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue Jupin…”

●Llesh Marashi deklaron në korrik 1946: “Nuk dij sesi tri ditë para shpërthimit të  Lëvizjes së Koplikut e ka dijtë organizata “Bashkimi Shqiptar”, unë nuk e kam dijtë vetë!”

●Don Nikoll  Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: “…Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri për me marrë pjesë ndër këto mbledhje.”

***

Kam lexue edhe nga publicisti Don Lazer Shantoja, me pseudonimin Y: 

“Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk i gjenë askund shoqen në Botë” “Zani i të dekunit”   Melbourne, 14 Shtator 2021.               

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, shkodra

NEIM SAÇO SAÇAJ, INTELEKTUAL DHE ANTIFASHIST I SHQUAR NË LUFTËN ANTIFASHISTE

September 14, 2021 by s p

Neimi e Refiti, dy vëllezër të rënë nga plumbat e pabesisë komuniste

Nga Enver MEMISHAJ

C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\Temporary Internet Files\Content.Word\100_1963.jpg
E:\DCIM\100KM863\100_1964.JPG

Gjatë Luftës Antifashiste, krahina e Gorishtit të Vlorës që përmbledh 12 fshatra, ishte angazhuar në luftë, në radhët e Ballit Kombëtar. Batalioni kësaj force “3 shtatori”, me komandant Shanin Nuredin Bregun dhe komisar politik Neim Saço Saçaj, diplomuar në Itali për mësuesi, pati jehonë në të gjithë qarkun.

Për këtë arsye Partia Komuniste ushtroi një terror të egër ndaj kësaj krahine me qëllim që të asgjesonte forcat e Ballit Kombëtar dhe të eleminonte me atentate dhe metoda mafioze personalitete e luftëtarë të kësaj krahine, që ishin rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar. 

Veprimtaria terroriste e Partisë Komuniste, në fund të luftës rezultoi me një bilanci tragjik: 

U vranë me atentate dhe metoda mafioze 20 burra, si Dine Zeka, Fehim Ferraj, Lilo Nuredini etj. Nga këta pesë familje patën nga dy të vrarë: Shahin Nuredini me të birin Bexhetin, Neim Saçaj me të vëllanë Refitin, Aben Mahili me të birin Serjanin, Zenepe Caushi me të birin Alimin, Tartar Berdo me të vëllanë Shaqon.

U arratisën nga Shqipëria për t’i shpëtuar ndëshkimit të komunistëve nëntë burra, si Çize Zyka, Beqir Çize, Bajram Alushi etj.  

U dënuan për motive politike me burgime të rënda 20 burra si, Ali Hyska, Bajram Shahini, Fejzo Lulo, etj. Nga këta vdiqën në burgun e Burrelit nga sëmundja e urisë dhe mungesa e barnave tre vetë:  Kajmak Delo, Shaqo Bendo e Xhafer Smaili.

Familjet e të gjith këtyre u persekutuan egërsisht, iu sekuestrua pasuria dhe toka,  u internuan dhe iu mohuan të drejtat elementare njerzore. Të mbetur pa tokë dhe pasuri shume familje u larguan nga fshati për në qytete, kryesisht në Vlorë. Por edhe këtu nuk u lanë të qetë. Në vitin 1966, 18 familje gorishiote të vendosura në qytetin e Vlorës, i shpërngulën me dhunë dhe i dërguan në fshat, në vendlindjet e tyre. Këta të mjerë duhet ta fillonin jetën edhe një herë nga xerua, pa shtëpi, pa tokë, pa bagëti pa asgje prej gjëje veç krahëve të punes. 

Ne po ndalemi te komisari batalionit “3 Shtatori”, Neim Saço Saçaj, dekoruar nga Këshilli i Qarkut Vlorë “Nder i Qarkut Vlorë”.

                                                                     *       *      *

Neim Saçaj  ka lindur në katundin Gorisht të Vlorës më 20 dhjetor 1913 në një familje të njohur patriotike. Babai I Neimit kishte luftuar trimërisht në luftën e Vlorë me 1920 dhe në Kotë ishte plagosur rëndë. Nga këto plagë vdiq në vitin 1923. Më parë Neimit i kishte vdekur edhe e ëma dhe për mirërritjen e tij u kujdes xhaxhai Selman Saçaj, emri të cilit duhet të përmëndet me nderim të madh, për atë që bëri për bonjakun Neim saçaj.

Neimi pas mbarimit të shkollës në vendlindje ndoqi mësimet në Medresenë e Tiranës, duke u dalluar mbi shokët e tij për inteligjencë dhe përvetësimin e gjuhëve të huaja. 

Duke parë zgjuarsinë e tij xhaxhai i kërkoi ndihmë deputetit të Vlorës z. Sadik Shaskaj dhe Neimi u nis për studime pedagogjike në Itali të cilën e kreu në vitin 1935. Gjatë viteti 1935 – 1942, Neimi do të punonte në gjimnazin e Gjirokastrës si professor, dhe më pas Kryemyfti. 

Vendlindja e thirri atë, për të marrë pjesë në lëvizjen kundër pushtuesit fashist. Kështu ai kthehej në Vlorë për të marrë pjesë aktive në luftë kundër pushtuesit.

Veprimtaria e Neim Saçaj tërhoqi vëmëndjen e nacionalistëve Hysni Lepenica, Skënder Muço dhe Isuf Luzaj, të cilët kërkuan të takoheshin me të në shtëpinë e tij. Neimi ra dakort të merrte pushkën në dorë. Po këtë ditë u formua çeta e Ballit Kombëtar me komandant patriotin Shahin Nuredin Bregu dhe drejtues politik u zgjodh Neim Saçaj. Më vonë kjo çetë do të rritej në batalionin “3 Shtatori”

Prej këtij çasti Neimi do të bëhej një propagandist i flaktë me idenë që të ngrinte popullin në luftë dhe duke kritikuar Partinë Komuniste si parti e huaj për zakonet dhe traditat e popullit tonë. Në prill të vitit 1943 Neimi kishte mbledhur popullin e krahinës së Gorishtit dhe ndërmjet të tjerave ai do të deklaronte: “Të luftojmë fashizmin  dhe të mos lidhemi me Rusinë komuniste” (Gazeta “Balli i Kombit” Tiranë dt. 9.1.1997)

Kështu me aktivitetin dhe besimin që populli kishte te ky luftëtar lirije ishte rritur autoriteti tij dhe besimi që populli kishte tek ky bir i tij. Në vazhdën e veprimtarisë së tij ai do të bënte pjesë në çetën “Shqiponja” të Hysni Lepenicës prej 100 luftëtarësh që do të udhëtonte nga Vlora për të mbritur në Mukje, e për të marrë pjesë e mbrojtur Konferencën e Mukjes 1 – 3 gusht të vitit 1943. Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, anëtar i të cilit ishte edhe Hysni Lepenica, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, një betejë të përbashkët të Ballit dhe të Frontit në afërsi të Qafë Shtamës, kundër ushtrisë italiane.  Neimi në përbërje të çetës “Shqiponja” do te mrrte pjesë e do të luftonte me trimëri në këtë luftë. 

Pas kësaj fitorje dhe triumfi çeta e Hysni Lepenicës i emëruar anëtar i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë dhe Komandant i Prefekturave të Jugut do te kthehej në Vlorë, duke udhëtuar natë e ditë në këmbë. Hysni Lepenica i vendosi forcat e Ballit Kombëtar në Brataj dhe bëri riorganizimin e këtyre forcave. Neim Saçaj u emërua propogandist në krahinën e Gorishtit. Ka edhe mendime se u emërua anëtar i Qarkorit të B. Kombëtar të Vlorës.

Dihet se pas 1 tetorit të vitit 1943 Partia Komuniste i shpalli luftë Ballit Kombëtar dhe sulmoi me forca të shumta disa fshtra të Vlorës si Sevasterin, Velçën, Lepenicën, Gjormin etj. duke djegur, vrarë dhe grabitur pasurinë e fshatrëve të varfër që ishin me Ballin Kombëtar. 

Para kësaj gjendje Neim Saçaj u thirr në Tiranë nga Mid’hat Frashëri për konsultime. Komunistët kishin parë tek Neimi një luftëtar dhe propogandues të zotin dhe me infuencë, prandaj vendosën ta asgjesonin. Më 25 nëntor 1943 ndërsa kthehej në Vlorë një njësit komunist i bëri atentat tek ura e Mifolit dhe e vranë pabesisht. Më pas komunistët, po për të njëjtat arsye do të vrisnin pabesisht edhe vëllanë e tij Refit Saçaj.

Familja e tij pas çlirimit kaloi kalvarin e vuajtjeve dhe persekutimeve të egra. 

Pas vitit 1990, Neim Saço Saçaj i është dhenë “Statusi i ish të Përndjekurve Politikë”. 

Këshilli i Qarkut Vlorë me vendim nr. 26/1 datë 22.11.2012 i ka dhenë titullin “Nder i  Qarkut të Vlorës”, me motivacion: “Pjesëmarrës aktiv në luftërat dhe përpjekjet për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare, intelektual dhe antifashist i shquar në Luftën e Dytë Botërore “  

oooOooo

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj, Neim Sacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 247
  • 248
  • 249
  • 250
  • 251
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT