ILIR HASHORVA/
Këto ditë doli në librari libri “Tetë orë nga Anglia”, i përkthyer prej meje, që përmban kujtimet e majorit britanik Entoni Kuejl (Sir Anthony Quayle) për përvojën e tij në Shqipëri, ku erdhi në fillim të vitit 1944 për të mbajtur të hapur një bazë në bregdet, që do të shërbente për të sjellë në Shqipëri materiale ushtarake në ndihmë të luftës kundër gjermanëve, për transportin e ushtarakëve aleatë për në Shqipëri dhe prej Shqipërisë drejt Italisë si dhe për tërheqjen drejt Italisë të ushtarakëve italianë të mbetur nga lufta në Shqipëri. Zona e tij e veprimit ishte Karaburuni dhe Dukati. Gjatë misionit të tij, u përpoq të nxiste shqiptarët për luftë të përbashkët kundër gjermanëve dhe të sheshonte armiqësitë midis tyre.
Kur Kuejli erdhi në Shqipëri, u gjend midis tri palëve: midis partizanëve, të përfaqësuar nga Brigada e Pestë; Ballit, të përfaqësuar nga eksponenti i saj Skënder Muço dhe fshatarëve të Dukatit, që hiqeshin si të pavarur, por që anonin dhe ndihmonin Ballin.
Prej bisedave që bëri me të tri palët, Kuejli kuptoi gjendjen shumë të koklavitur që mbizotëronte në Shqipëri. Nga udhëheqësit kryesorë të Brigadës së Pestë partizane, Shefqet Peçi e Hysni Kapo, ai kupton se vëmendja e tyre kryesore ishte sigurimi i ndihmave angleze për partizanët; nga eksponenti i Ballit, Skënder Muço, ai kupton se vëmendja kryesore e Ballit ishte jo lufta kundër gjermanëve, por lufta ndaj rrezikut komunist dhe nga përfaqësuesit e Dukatit, ai kupton se vëmendja kryesore e tyre nuk ishte lufta, por ruajtja sa më i padëmtuar i fshatit të tyre.
Përpjekjet që bën Kuejli për të bashkuar të gjithë shqiptarët në një front të përbashkët kundër gjermanëve dalin huq. Ishte e pamundur të bashkoheshin shqiptarët me njëri-tjetrin për një qëllim të përbashkët. Mjerisht, sot, sikundër dje, ndodh e njëjta gjë.
Kuejli me partizanët:
Për t’u takuar me partizanët, Kuejlit iu desh të kalonte nëpër fshatrat Tragjas, Gumenicë e Gjorm. Të tre këto fshatra ishin përkrahëse të partizanëve dhe ishin të dëmtuara keq nga lufta. Në to gati nuk kishte jetë.
Në takimin e parë, Partizanët treguan shqetësimin e tyre se prej kohësh nuk kishin marrë ndihma. Kuejli u shpjegoi se kjo ndodhte nga vështirësitë që kishte transporti i tyre nga bregdeti, ku shkarkoheshin ndihmat, për te partizanët, sepse duheshin kaluar përmes Dukatit dhe Dukati nuk ishte në marrëdhënie të mira me partizanët. Megjithatë kjo pengesë mund të kalohej, në qoftë se partizanët do të premtonin të mos sulmonin Dukatin, ashtu siç kishin bërë herë pas here më parë. Po të premtonin këtë partizanët, dukatasit do të lejonin kalimin e ndihmave fshehtas, natën, përmes territorit të tyre, por Shefqet Peçi ua preu shkurt: “Major, ne nuk bëjmë kompromise me njerëzit e Dukatit. Ne nuk bëjmë asnjë pakt me ta. Të drejtën për t’i goditur, apo për të mos i goditur, e kemi ne”.
Në takimin e dytë me partizanët, Kuejli bisedoi për një operacion ushtarak aleat, të koduar Victoria, që planifikohej të zhvillohej së shpejti e që kishte për qëllim shkatërrimin e divizioneve gjermane që do të tërhiqeshin nga Greqia e që do të kalonin nga Shqipëria. Rrugët brenda në tokë duhej të bëheshin të pakalueshme me aksione guerrilase dhe kolonat gjermane do të detyroheshin të përdornin rrugët bregdetare, ku do të sulmoheshin dhe do të shkatërroheshin nga forcat ajrore aleate të vendosura në Itali. Për suksesin e këtij operacioni ishte me rëndësi që ai të kontrollohej nga një komandë qendrore e cila do të merrte informacion nga gjithë Ballkani i Jugut. Kuejli i pyeti partizanët nëse pranonin në parim të merrni pjesë në këtë operacion dhe nëse pranonin të kishin një oficer ndërlidhës britanik, përmes të cilit urdhrat e Komandës Supreme të transmetoheshin tek ata. Ata u përgjigjën se brigada mund të pranonte urdhra vetëm nga formacionet e veta eprore, por jo nga një oficer britanik.
Atëherë Kuejli ua paraqiti ndryshe propozimin dhe i pyeti se, nëse formacionet eprore pranonin të merrnin pjesë në atë operacion nën instruksionet e Komandës Aleate, a ishin ata të gatshëm si brigadë të pranoni këto instruksione përmes oficerit britanik të ndërlidhjes?
Ata u përgjigjën se në parim e pranonin planin, por ky diskutim për ta ishte i kotë, pa marrë menjëherë ndihmat, pa të cilat ata nuk do të ishin në gjendje të luftonin.
Dukej se ata nuk kishin ndërmend të merrnin pjesë në operacione të përbashkëta me aleatët, por i donin ata vetëm për ndihma, të cilat i përdornin sipas interesave të tyre.
Kuejli me një eksponent të Ballit:
Në bisedat që Kuejli bëri me Skënder Muçon, eksponent shumë i rëndësishëm i Ballit, parashtruan të dy pikëpamjet e tyre ndaj luftës. Kuejli, si britanik, si shtetas i një vendi që kërcënohej seriozisht nga agresioni gjerman, mbante një qëndrim të prerë antigjerman. Muçoja, ndryshe, i thotë anglezit: “lufta juaj nuk është lufta jonë”, sepse Shqipëria nuk rrezikohej nga gjermani, pasi një ditë aleatët do ta mundin Gjermaninë dhe gjermanët do të iknin vetë nga Ballkani, por rrezikohej nga komunizmi dhe komunizmi duhej të luftohej tashti edhe duke bashkëpunuar me gjermanët. Kur Kuejli i tha se tashti ishte koha për të luftuar gjermanët, ndërsa kundër komunistëve mund të vepronin pas lufte, Muçoja iu përgjigj se pas luftës komunistët do të ishin forcuar aq shumë, sa nuk do të mund t’u bëhej gjë.
Sipas Muços, fjalët e të cilit ishin edhe mendimi dhe politika e Ballit, problemet e vërteta për Shqipërinë nuk qenë tashti, por pasi të largoheshin gjermanët, sepse atëherë Shqipëria do të kishte të bënte me komunistët, të cilët ishin armiq më të këqij se gjermanët dhe Anglia dhe Amerika nuk do të ndërhynin për ta shpëtuar. Sipas Muços, ballistët nuk ishin as antishqiptarë dhe as progjermanë, por donin që sa të ishin gjermanët, t’i përdornin kundër komunistëve.
Pak muaj më pas, Muçoja u kap nga gjermanët dhe u vra prej tyre.
***
Në libër del qartë se kundër gjermanëve luftonin dhe sakrifikonin kryesisht partizanët dhe për këtë ata fituan simpatinë e Kuejlit, sepse lufta e tyre përputhej me luftën e tij dhe me politikën angleze. Për anglezët nuk kishin rëndësi motivet dhe ideologjia mbi të cilën zhvillohej lufta, mjafton që ajo të zhvillohej. Kuejli thotë: “Unë nuk jam as komunist as antikomunist: unë jam anglez”.
Kuejli me fshatarët e Dukatit:
Në takimin e parë që Kuejli pati me fshatarët e Dukatit, u tha se kishte ardhur në Shqipëri për të luftuar gjermanët dhe për të gjetur mënyrën që shqiptarët të luftonin së bashku kundër tyre. Ai u tha se kuptonte që kishte filluar një çarje tragjike midis Ballit dhe Partizanëve, çarje që dëmtonte luftën, porse ai do të bënte ç’qe e mundur që ta shëronte atë çarje.
Fshatarët i parashtruan shqetësimet e tyre dhe i thanë se dukatasit qenë në një pozicion shumë të vështirë, se patriotizmi i tyre ishte i padiskutueshëm, por tashti, ata po përballeshin me kërcënimin e luftës civile. Muajin e fundit partizanët kishin sulmuar fshatin e tyre dhe, megjithëse ata nuk kishin ndërmarrë veprime hakmarrëse, ditë e natë ishin të shtrënguar të bënin roje nga frika e një sulmi tjetër partizan dhe nuk kishin nge të merreshin me luftën kundër gjermanëve.
Pasi pa se dukatasit nuk kishin ndërmend të sulmonin gjermanët, Kuejli i pyeti se si u dukej, po t’i sulmonte ata ai vetë me njerëzit e tij në luginën e Dukatit. Për ta kjo gjë ishte shumë e rrezikshme, sepse rruga kryesore e bregut kalonte drejt përmes fshatit dhe, edhe jo t’i godisnin, por edhe sikur gjermanët të dyshonin për armiqësi nga Dukati, do ta shkatërronin krejtësisht fshatin e tyre me një të goditur. Ata nuk donin që gjermanët të goditeshin në zonën e tyre.
Amerikanët dhe anglezët jo të një mendimi:
Nga dëshmi dhe mendime të disa personazheve në libër, dilte se qëllimi kryesor i luftës së partizanëve nuk ishte Shqipëria, por marrja e pushtetit dhe vendosja e komunizmit, madje, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.
Amerikanët dhe anglezët në misionin ku bënte pjesë Kuejli kishin mendime jo të njëjta për trajtimin e partizanëve dhe për ndihmat për ta. Amerikani Benson ishte i shqetësuar jo për luftën, që tashmë e kishte marrë rrugën e fitores, por për atë që do të ndodhte pas luftës. Ai e shihte me dyshim luftën e partizanëve dhe nuk donte që ndihmat britanike të çoheshin symbyllas tek ata. Ai thotë se politika fillestare aleate për të ndihmuar të gjithë ata që luftonin gjermanët, pa marrë parasysh motivet, rridhte nga një pozicion i dëshpëruar i tyre dhe qe e justifikuar, por, më pas, kur mundja e Gjermanisë po dukej gjithnjë e më mirë, ajo politikë duhej rishqyrtuar pasi, sipas tij, partizanët vepronin në ndihmë të Bashkimit Sovjetik dhe jo të atdheut të tyre.
“Dikur, – thotë ai, – ishte një pulë e vogël që quhej Komintern. Kësaj pule një ditë ia prenë kokën, por trupi i saj vazhdoi të lëvizte për njëfarë kohe. Stalinistët që u stërvitën në Moskë, tashti janë përsëri në vendet e tyre: në Spanjë, në Francë, në Greqi, në Jugosllavi, edhe në Shqipëri. Shoku Stalin u mundua shumë me edukimin e këtyre djemve dhe tashti këta djem po ia shlyejnë atij kujdesin që tregoi.
“Teknika e tyre është të organizojnë lëvizje rezistence patriotike në vend, të përpiqen të vënë në to në pozitat kyçe komunistët, të keqtrajtojnë grupet e tjera të rezistencës, derisa t’i shtynë në krah të gjermanëve, të ekspozojnë disa kufoma gjermanësh të vrarë dhe të futen në borderotë e oficerëve britanikë, të cilët, menjëherë, i furnizojnë ata me komplete ushtarake”.
Ai i kërkoi Kuejlit që të siguronte që armët që do t’u jepeshin partizanëve, të mos krijonin kufoma shqiptarësh. Ai i tha se ishte mirë që të dy vendet e tyre, së bashku me Rusinë, u bashkuan për të përmbysur tiraninë e së djathtës, por do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se në atë proces, do të krijonin një tirani edhe më të egër: tiraninë e së majtës.
***
Kisha dëgjuar për këtë libër. E kërkova, e gjeta, e lexova, m’u duk me vlerë dhe e përktheva. Ajo që jepet në këtë libër, është një pjesë e shkurtër e historisë së madhe të luftës, por ndryshe nga historia që kemi mësuar deri vonë, kjo është një histori e pa deformuar e saj.
Në libër është veçanërisht interesante biseda që bën Kuejli me Skënder Muçon, në të cilën, ky i fundit, parashtron pikëpamjet e tij, sipas të cilave rëndësi kishte lufta me çdo mënyrë kundër rrezikut kryesor të vendit, rrezikut komunist, që do të shfaqej i papërballueshëm pas lufte dhe jo rrezikut gjerman, që do të shmangej vetë dashje pa dashje shumë shpejt.
Fjalët e Skënder Muços, mjerisht, dolën të ishin profetike. Përnjëherë pas lufte në Shqipëri u vendos pushteti komunist me të gjithë egërsinë e tij prej të cilit vetëm pas dyzetepesë vjetësh shqiptarët mundën të shpëtojnë disi prej tij. Nju Jork, 15 dhjetor, 2019