• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Agron Tufa, Ish Drejtor i ISKK-së kërkon Azil Politik, Misioni vazhdon

December 3, 2019 by dgreca

LETRA-TUFA:Në nëntor qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës, iu afruan familjes sime/

Në një letër të gjatë, shkruar nga kampi i një vendi të Evropës ku ka fituar azil politik së bashku me familjen e tij, Tufa tregon edhe arsyen e dorëheqjes, e cila lidhet me kërcënimet që i janë bërë së fundmi atij personalisht dhe familjes së tij.

TIRANË, 3 Dhjetor 2019– Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka pranuar sot dorëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv, Agron Tufa.

 Ai ka kërkuar azil politik në Zvicër dhe mësohet se këtë veprim e ka bërë pas kërcënimeve të shumta që ka marrë për shkak të detyrës.

Në një letër të gjatë, shkruar nga kampi i një vendi të Evropës ku ka fituar azil politik së bashku me familjen e tij, Tufa tregon edhe arsyen e dorëheqjes, e cila lidhet me kërcënimet që i janë bërë së fundmi atij personalisht dhe familjes së tij, nga ata që ai i quan qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës së vjetër në diktaturën e re”.

“Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit u mblodh sot më datë 03.12.2019 ku u njoh me dorëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv Z. Agron Tufa dhe e pranoi atë.
Më poshtë do të gjeni të skanuar deklaratën e plotë të Z. Agron Tufa dhe arsyet e tij për këtë doreheqje”, shkruan Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Pesë nga letra e Tufës:

Viti i fundit i nderuar kryetar ishte veçanërisht i tensionuar, duke u vënë përballë falangave më të egra të enverizmit, të veshur me pushtet të lartë politik, ekonomik e administrativ. Besoj, i nderuar kryetar, se e kam dëshmuar bindshëm kurajën dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur e përballur të gjitha sulmet, kërcënimet, fushatat shpifëse e linçuese, të ujdisura nga dora më e zezë e shefave të ish-Sigurimit, nga deputetë, ish-deputetë e ish-diplomatë, të cilët me veglat e tyre si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit e përqendruan sulmin në rrafshin personal, deri në kërcënimet e disa fishta me vdekje…

Nga ana tjetër ky sekt i trashëgimisë enveriste (të cilët i kam diskredituar në shtyp me dokumente arkivorë së çfarë vrasësish janë, i kam hedhur në gjyq etj), tentoi deri në fund të shpërbënte ISKK-në dhe, përmes amendimeve të neneve të Ligjit tonë, të shmangte nga ekzekutivi drejtuesit, duke shpresuar ta kontrollonin atë.

Paralajmërimet e tyre nisën të dëgjoheshin qyshkur ne bëmë kallëzimin e parë penal ndërkombëtar në Gjykatën e Mynihut të një prej kriminelëve të kamp-burgjeve komuniste (Edmond Caja) dhe e dubluam këtë edhe me kallëzimin institucional në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë (në të dyja rastet për krime kundër komunizmit). Dy javë më vonë oficerët e ish-sigurimit, shokë e kolegë të Cajes,vunë në punë skenarin mafioz me ekzekutimin e dëshmitarit kyç, të ndjerin Haxhi Baçinozi (16 mars 2019)…

Por në mënyrë më këmbëngulëse kërcënimet ndaj meje dhe familjes sime u dendësuan pas publikimit në shtyp të një dëshmie rrëqethëse të një nëne nga familja “kulakë”, që rrëfen hollësi, me data dhe emra personash rrëmbimin e djalit të saj dhe mbajtjen fshehur në një koloni fëmijësh, që shfrytëzohej për t’i transplantuar gjak diktatorit…

Dy herët e fundit, brenda muajit nëntor, qentë e liruar nga zinxhirët  e diktaturës së vjetër në diktaturën e re  iu afruan shumë familjes sime. Kush do më mbronte mua dhe fëmijët e mi? Unë pata kohën e mjaftueshme për të kuptuar kush janë ata dhe çfarë janë në gjendje të bërë. Mjafton e kaluara e tyre. Qëndrimi im i mëtejshëm në punën time, në atdheun tim dhe të fëmijëve të mi, në të drejtën time do të ishte i palogjikshëm, përderisa do të kishte, siç jam i bindur , një çmim tragjik kurrë më të kthyeshëm. Dhe kjo nuk do të gjente më kurrë as përgjigje njerëzore dhe as hyjnore.  Misioni im do të vazhdojë në kushte jo më pak të efektshme se ato që pata kënaqësinë dhe krenarinë të kem brenda ISKK. Jam i sigurt se kolegët e mi janë po aq të aftë (në mos më të aftë) ta shtyjnë përpara misionin e zbardhjes së Krimeve të Komunizmit, ashtu siç kanë tashmë përvojën, qartësinë dhe përkushtimin nën drejtimin dhe sugjerimet tuaja.

I ndodhur vetëm , fillikat me familjen time përballë kërcënimeve të vazhdueshme, pa asnjë garanci mbrojtjeje, me një drejtësi që nuk reagon, mua i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër, sepse ushtrimi i të drejtave të mia legjitime mbrojtëse e demokratike nuk kishte më pikë kuptimi. Tek e fundit, në një reagim politik sundues që thërret në ndihmë, stimulon dhe bëhet “parajsë” për ish-oficerët e Sigurimit të diktaturës, iluzioni se jeta ime dhe e familjes mund të bëhej, me kalimin e kohës, “më normale” është e mbetet donkishotizëm naiv me pasoja fatale.

Është ky i nderuar kryetar shkaku i dorëheqjes sime që parashtroj në këtë letër në një nga kampet e azilkërkuesve politikë. Dy herët e fundit brenda muajit nëntor, qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës së vjetër në diktaturën e re iu afruan shumë afër familjes sime. Kush do të më mbronte mua dhe fëmijët e mi? Unë pata kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se kush janë ata se çfarë janë në gjendje të bëjnë…

Misioni im do të vazhdojë në kushte të tjera, jo më pak të efektshme se ato që pata kënaqësinë dhe krenarinë të kem brenda ISKK-së.

Pak muaj më parë, shkrimtari, njëkohësisht dhe drejtori i Institutit për Krimet e Komunizmit, Agron Tufa u kërcënua me vdekje nga një mesazh në Facebook.  Agron Tufa ka qenë në qendër të sulmeve nga maxhoranca, të cilët e akuzonin se po shtrembëronte historinë dhe e kërcënuan me shkarkim nga pozicioni që mban. Debatin më të ashpër publik ,Tufa e ka pasur me deputetin e PS, Spartak Braho, i cili tha se ky i fundit po nxin historinë.

 REAGIME- NEBIL ÇIKA, KRYETAR I SHOQATES TE PERNDJEKURVE POLITIK

Me keqardhje mora vesh largimin e detyruar nga vendi yne te Agron Tufes mik dhe bashkëpunëtor i afërt ne kauzën tone te përbashkët e fisnike te dekomunistizimit të Shqipërisë.

E kam ndjekur dhe e kam mbështetur ne përpalljen me presionin komunist dhe e mirëkuptoj për vendimin qe ka marrë ne kushte ekstreme te kërcënimit te jetës se tij dhe familjes .

Ndjehem keq kur mendoj se që nuk do te jete me ne “vijën e pare te frontit “, si deri tani. Per mua është një soj sikur kam humbur ne luftë shokun në krah. 

Por besoj se edhe nga Zvicra apo kudo qe te jete ne ekzil politik do te vazhdoje te jap kontributin e tij si antikomunist ,shkrimtar e mentar ne te mire te kauzës sonë te madhe e fisnike te lirimit te atdheut tonë nga komunizmi dhe format e tij të kamufluara ! 
Zoti ta befte mbarë miku im !

GENTIANA SULA MARA-Kryetare e Autoritetit per Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit

Ndjehem sot e keqardhur qe kolegu Agron Tufa, nen presionin e kercenimit me jete per vete dhe per familjen e tij, u detyrua te lere vendin ne kerkim te azilit politik. 

Kam ndjekur me shqetesim sulmet publike ndaj tij, duke shpresuar qe keto do te trajtoheshin nga organet kompetente, dhe eventualisht do te ndaleshin. Qe nje zyrtar i larte shteteror ndermerr nje hap te tille, tregon se institucionet qe duhet ta mbrojne, ligjet tona, nuk kane vepruar. 

Me Z. Tufa kemi kendveshtrime te ndryshme per qasjet mbi perballjen me te shkuaren diktatoriale, por na ka bashkuar qellimi i perbashket dhe bindja se nuk ka demokraci te qendrueshme pa dekomunistizim te shoqerise sone. Kam vleresuar gjithmone kurajon e tij, pasionin dhe penen e zhdervjellet, dhe shpresoj qe zeri i tij nuk do te na mungoje.

Filed Under: Histori Tagged With: Agron Tufa-Letra e Doreheqjes-Azil Politik-Zvicer

Andrew Johnson, kush ishte presidenti amerikan që bleu Alaskën

December 3, 2019 by dgreca

Nga Raimonda MOISIU/

Nga shegert rrobaqepësie  në Zv/President i Amerikës….  /

Andrew Johnson lindi më 29 Dhjetor, 1808-ë, në një familje të thjeshtë punëtore, mes skamjes dhe fukarallëkut, në Raleigh të Karolinës së Veriut (North Carolina). Babai i tij, Jacob Johnson, një argat me mëditje u nda nga jeta herët, kur Andrew ishte vecse tre vjec. Nëna e tij, Mary McDonough Johnson, bënte dy punë njëkohësisht; rrobaqepëse dhe rrobalarëse për të mbajtur dhe ushqyer veten, Andrew-në e vogël dhe tre djemtë e tjerë, por ajo nuk ishte në gjendje dhe nuk ia doli dot, t’i dërgonte në shkollë fëmijët e saj. Kur Andrew ishte afër të 14–e, ai filloi punë si shegert te një dyqan rrobaqepësie. Teksa Andrew qepte gjithë ditën, një nga shokët e tij, edhe ai shegert, e mësoi atë të lexonte, por akoma Andrew nuk dinte të shkruante. Ai ishte një djalosh i pashëm dhe i hedhur,  dhe pas një rrengu djaloshar të moshës, që i bëri pronarit të rrobaqepësisë, i frikësohej  ndëshkimit të tij, Andrew arratiset  dhe filloi punë si rrobaqepës profesionist në Laurens Court –House, në Karolinën e Veriut. 

Ndonëse, ishte akoma në kërkim nga pronari i rrobaqepësisë, në moshën 17-ë vjecare, Andrew u kthye  për një kohë të shkurtër në vendlindje, në Raleigh. Tashmë në familje gjërat kishin ndryshuar; nëna ishte martuar përsëri. Andrew i kërkoi nënës dhe njerkut që të shkonin me të në perëndim dhe të fillonin jetën nga e para. Ata udhëtuan përmes Kalorinës së Veriut në një karrocë me rrota që  tërhiqej nga një  kalë qorr, me një sy. Ata u vendosën në Greeneville, Tennessee, matanë kufirit me Karolinën e Veriut. 

Brenda një kohe të shkurtër Andrew Johnson hapi  dyqanin e rrobaqepsit në Raleigh, ndërsa një vit më pas, ai martohet me vajzën bukuroshe 16-ë vjecare, Eliza McCardle, bija e një shegerti këpucar, në Greeneville. Ngaqë vajza ishte disi e shkolluar, ishte pikërisht ajo që i mësoi shkrim, lexim dhe  aritmetikën e thjeshtë, Presidentit të ardhshëm, Andrew Johnson. Ata patën pesë fëmijë, mes tyre edhe një djalë, i cili u vra më vonë si  ushtar i Unionit gjatë Luftës Civile. 

Andrew Johnson, një shegert- rrobaqepës, i cili nuk kishte qenë asnjë ditë në ndonjë klasë mësimi në jetën e tij, por kishte dhuntinë të  fliste rrjedhshëm e lirshëm me mëncuri atë që ndjente. Ai  filloi të ngjitëte shkallët e karrierës politike, duke u mbështetur te njeriu i thjeshtë dhe i zakonshëm,  sikundër ishte edhe vetë, shtresës sociale që i përkiste.

Andrew Johnson ishte njeri serioz, reflektonte qytetari dhe  punëtor energjik si profesionist rrobaqepës. Karakteri i fortë dhe personaliteti i tij, impresionoi bashkëqytetarët dhe në moshën 19–ë vjecare zgjidhet  Anëtar i Këshillit Bashkiak të Greeneville (1828), Tennessee. Pasi shërbeu për gati dy vjet si anëtar e këshillit bashkiak, djaloshi 21-ë vjecar i vlerësuar dhe nderuar gjithmonë nga bashkëqytetarët e tij, u zgjodh  Kryebashkiak i Greeneville (1830-33). I njohur për oratorinë e tij dhe duke qenë pjesa më aktive e shoqërisë, vecmas në debatet publike, gjatë tre vjetëve  si Kryebashkiak, dhe një përkrahës tradicional e fanatik i demokratit Andrew Jackson, -Johnson u bë  mbrojtës i flaktë i të drejtave të punëtorëve. Në vitet 1835-37 dhe 1839-40 ai zgjidhet  Anëtar  i Parlamentit në Shtetin e Tennessee  për dy mandate, dhe dy vjet më vonë si  politikan i ri dhe optimist që po njihte progres të  shpejtë, ai u zgjodh Anëtar e Senatit  të  Shtetit  Tennessee (1841-43),  dhe  bëri emër si  opozitar  i fortë i aristokracisë së mbijetuar nga shteti. 

Johnson ishte 34 vjec kur u zgjodh për herë të parë Kongresman në vitin 1843 dhe në vitet që pasuan, ai u rizgjodh katër herë deputet. Ai ndihmoi Presidentin Polk të shtypte  Luftën me Meksikën, votoi për kompromisin e vitit 1850, dhe u orvat të  kalonte ligjin për shtëpitë, me qëllim të ndihmonte fermerët të merrnin në përdorim, tokat e Perëndimit.

Ndërsa pas rishpërbërjes së shtetit prej Whigs, u bë e pamundur rizgjedhja e Andrew Johnson në Kongres, ai kthehet në Tennessee, dhe  fitoi zgjedhjet si Guvernator, në vitin 1853. I njohur si “Guvernatori Zanatci”, Johnson vazhdoi të ushtronte zanatin e rrobaqepësit, qepte rrobat për veten e tij, dhe i bëri kostumin- dhuratë si shenjë miqësie, Guvernatorit të Kentucky-it. Denoncoi me forcë  anti-katolikët e njohur si -Lëvizja “Agnostik”, dhe Andrew Johnson fitoi mandatin e dytë të Guvernator-it, i votuar prej shumicës, në vitin 1855-ë.  Në Konventën Kombëtare të Demokratëve e vitit 1860, Johnson u propozua për zgjedhjet presidenciale nga shteti i Tennessee, por ai u tërhoq dhe bëri fushatë për zgjedhjen e John Breckinridge. Shumica aludoi se ai mund të ishte ndonjë  separatist.

Kur Lincoln u zgjodh President, Johnson  doli hapur dhe denoncoi lëvizjen separatiste. Ai deklaroi se i qëndronte besnik Union-it, ndërsa për separatistët ai u shpreh:

“Unë do t’i kisha arrestuar të gjithë ata, dhe gjykuar për tradhëti, edhe nëse dënoheshin nga Zoti, ata duhet të dënoheshin nga Ligji”

Kur Tennessee iu bashkua Konfederatës, Johnson i qëndroi besnik fjalës së dhënë, por në Washington; ai tashmë duartrokitej si patriot në Veri, dhe cilësohej si tradhëtar në Jug. 

Pasi trupat veriore pushtuan Tennessee-në perëndimore dhe atë qëndrore në vitin 1862, Lincoln emëroi Andrew Johnson Guvernator të Ushtrisë  të Shtetit Tennessee (Ministër i Mbrojtjes i Shtetit). Ai tregoi një mendësi të ndershme, i drejtë  dhe i paanshëm, administrator  i aftë  dhe i zoti, dhe iu dha amnistinë ish-simpatizantëve të Konfederatës, por gjithashtu bëri përpjekje  të aprovonte një amandament të Kushtetutës, për të nxjerrë  jashtë ligjit, -Skllavërinë.  Vetë shteti i Tennessee-së, në mënyrë specifike u përjashtua nga Emancipation Proclamation, dhe ishte i vetmi shtet,  që i dha fund Skllavërisë me mekanizmat e veta. Në Konventën e Unionit Kombëtar në Baltimore, në qershor të 1864, delegatët  zgjodhën Andrew Johnson të garonte për Zv/President i Presidentit Lincoln, dhe prezenca e demokratit Andrew Jackson në Konventë, e ndihmuan Lincolnin të merrte shumicën ndaj opozitarit demokrat, Gjeneral George McClellan. Në ditën e inaugurimit, në 4 Mars, 1865, Zv/Presidenti Andrew Johnson u shfaq  i dehur, situatë që e vuri jo pak në pozitë të vështirë atë vetë dhe miqtë e tij. Disave prej tyre nuk iu pëlqeu aspak, dhe i sugjeruan Lincoln-it, se duhej të kërkonte dorëheqjen e Zv/Presidentit, Andrew Johnson! 

Lincoln me humorin e tij të këndshëm dhe elokuent,  i qetësoi ata, duke iu thënë se ai e njeh prej shumë vite Andy-in, dhe  ai nuk është Pijanec!

Andrew Johnson hyn në histori si  Presidenti i 17-ë i SHBA-ës, mbas vrasjes në atentat të  Abraham Lincoln.

Në mbrëmjen  e 14 Prill-it, 1865,  Presidenti i 16-ë i SHBA-ve, Abraham Lincoln u qëllua dhe u plagos për vdekje nga John Wilkes Booth.  

Komplotistët kishin planifikuar të vrisnin edhe  Zv/ Presidentin, Andrew Johnson, gjithashtu,  por planet e tyre ecën keqas dhe nuk funksionuan. 

Mëngjesin e  15 prill 1865, Zv/Presidenti Andrew Johnson, zgjohet herët  nga një miku i tij, i cili  i tregon për vrasjen në atentat të  Presidentit Lincoln. I shqetësuar dhe i tronditur, Johnson shkoi menjëherë në dhomën e shefit të tij, ku e gjeti me plagë dhe i shtrirë pajetë në krevatin e tij. Pas një nate të gjatë e të lodhëshme, deri në vigilje të ditës tjetër, Andrew Johnson u betua si Shefi i Ekzekutivit para  Kryetarit të Gjykatës Supreme, Salmon P.Chase. Anëtarët e kabinetit u mblodhën në sallonin e hotelit të tij. Pra Andrew Johnson u cfaq në historinë e Amerikës, dhe mori mandatin presidencial, pas vrasjes në atentat të  Abraham Lincoln, mandat që e mbajti për katër vjet. 

Qëndresa dhe forca e karakterit të tij mposhti  trysninë dhe presionin e Kongresit; konsolidoi presidencën dhe mbrojti  ndarjen e pushteteve midis; legjislativit,  ekzekutivit dhe degët e gjyqësorit. I zgjedhur Zv/ President nga Unioni Kombëtar më 1864, nga rradhët e demokratëve dhe më pas si President- ai  hyri në Shtëpinë e Bardhë, si rezultat i vrasjes se Abraham Lincoln, duke “fituar” kështu,  armiqësinë e Republikanëve. Ai shprehej se Jugu-un,  duhej ta shihnin si “mik opozitar  kokëfortë”, dhe jo si  “armik  pushtues”, pra ishte i pari politikan amerikan që shpiku  termin;  “Opozitarë, por Vëllezër për Amerikën”!

Një nga arritjet më me  vlerë të administratës Johnson, ishte shkëputja e Alaskës nga Perandoria  Ruse, e cila iu dha zyrtarisht Amerikës,  më 18 tetor 1867-ë, përmes një amandamenti  të ratifikuar nga Senati amerikan dhe u nënshkrua nga Presidenti i 17-ë,  Andrew Johnson. E njohur si “Kanali  e ujrave të zeza” dhe “Frigoriferi i ujrave të zeza”, Alaska, cepi më verior i Amerikës, vërtetoi se vlente më shumë se cmimi $ 7.2 billion, që u pat blerë. 

I dyshuar dhe i vënë nën hetim, ngaqë nuk lejoi që Kongresi të uzurponte të drejtat presidenciale, Andrew Johnson, Presidenti i 17-ë amerikan arriti të shmangte dënimin, por jo largimin nga Kongresi vetëm me një votë të Senatit. 

E largojnë  nga Presidenca në vitin 1869-ë, si një njeri  i padëshiruar.

Me shpirtin luftarak, pasion dhe vendosmëri, për të vërtetuar se ai kishte qenë i drejtë dhe i përpiktë në aktet e tij si president,  Johnson rikthehet në Tennessee dhe hedh kanditaturën për në Kongres në vitin 1869-w. Dështoi në këtë përpjekje, ai provoi dhe humbi përsëri edhe në vitin, 1872. Përfundimisht ai kthehet  triumfalisht  në zyrën e tij të hershme, në Washington, 6 vjet më vonë, në vitin 1875-ë, si US Senator.

“Unë tashmë, ja arrita qëllimit dhe kam arritur majën e ambicieve të mija”,- u shpreh Johnson kur legjislativi i Shtetit të Tennessee e zgjodhi atë Senator.

 Ai mori pjesë në Kongresin e 44 –në Mars të vitit 1875-w, kur  Demokratët kishin Kontrollin e “House”, për herë të parë pas luftës Civile, dhe përforcoi së tepërmi pushtetin në Senat, 

Si një demokrat i shtetit të Tennessee, ai ishte i vetmi Senator nga Jugu, që pasoi ndarjen e pushteteve. 

Andrew Johnson mbajti të vetmen ligjëratë në Senat, duke ripohur bindjen e tij për politikat e ngadalta e të buta të riroganizimit, që ai ishte përpjekur aq shumë për t’i institucionalizuar dhe kishte denoncuar politikat ndëshkuese  të imponuara me forcë kombit nga  Republikanët Radikalë. Ai u ndje disi i lehtësuar kur duartrokitjet shpërthyen, pikërisht në atë Dhomë të Senatit, ku ai ishte përpjekur t’i bindëte ata, shtatë vjet të shkuara, kur ai ishte President. 

Por, Johnson nuk e shijoi gjatë reputacionin e tij. 

Në 31 Korrik 1875-ë, teksa ishte për vizitë te vajza e tij në Carter-Station, Tennessee, ndahet nga jeta në moshën 66-ë vjecare, si pasojë e hemorragjisë celebrale.

Raimonda MOISIU * “Referuar American Presidents” 

Filed Under: Histori Tagged With: Rimonda MOISIU- Presidenti Andrew Johnson

Sot, 75 vjetori i lindjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova

December 2, 2019 by dgreca

Kosovë-kalendar: Sot, 75 vjetori i lindjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova/

-Që para tre dekadave dhe në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar para çerek shekulli e viteve në vijim, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur/

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger. Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë…/

-EDHE NJË SHËNIM NGA ARKIVI: Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: Me Vatranët e SHBA- delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova/

SPECIALE- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 2 Dhjetor 2019/ Para 75 viteve,  në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, ka lindur Ibrahim Rugova, i cili kujtohet si Presidenti historik i Kosovës dhe arkitekti i pavarësisë.

Si tradicionalisht, përfaqësues institucionalë e politikë dhe qytetarë sot i bëjnë homazhe Presidentit historik dhe vizitojnë familjen e tij.

 Në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, para 30 viteve – në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit të 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Po në vitin 2002 kur u votua në zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare, Rugova për herë të parë si President i parë i Kosovës Ditën e Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorin e festoi në Vlorë në 80 vjetor. Nga Vlora dhe në festimet tjera e urimet nëpër vite të 28 Nëntorit Presidenti Rugova theksonte edhe mesazhin se Pavarësia e Kosovës është plotësim i Pavarësisë Shqiptare, “e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve”.

“Në 28 Nëntor 1992 Presidenti Rugova qëndron në Vlorë në festimin e 80 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai realizon takime me Presidentin Sali Berisha dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar”, shkruaj nga faqe historie.

 “Vlorë, 28 Nëntor 1992 me Presidentin Ibrahim Rugova. Nderim përjetë arkitektit të Pavarësisë së Kosovës!”, ka shkruar në 105 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Shqiptare ish-Presidenti Berisha duke publikuar një foto me Presidentin historik Rugova në Sheshin e Flamurit para Monumentit të Pavarësisë.

I zgjedhur president i Kosovës në zgjedhjet e para pluraliste, Dr. Rugova pas vizitës në Shqipëri në Nëntor për festën e 80 vjetorit të Pavarësisë, në Dhjetor 1992 shkoi në Bruksel, ku takohet me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje Pesidentit Rugova si lider i popullit shqiptar për kontributin e tij në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari Amerikan i Shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.

Presidenti Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

 “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.


“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në para çerek shekulli fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, po edhe në raste të tjera, e falënderonte e vlerësonte shumë Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Ajo intervistë e parë e një presidenti të Kosovës zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistën që zhvilloja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005.
 “Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme.

Ibrahim Rugova u shua në 21 Janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.

ME VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 i 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ishte vendosur mbishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

RILINDJA E KOSOVËS NË 90 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

-Në një ditë plot dhembje për jetët e humbura dhe të gjitha pasojat nga tërmetet në Shqipëri, shfletova në arkiv botimin special të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në 28 Nëntor 2002 – në 90 vjetorin e Pavarësisë/

PRISHTINË, 28 Nëntor 2019/ Në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, edhe pse ishte dëbuar e mbyllur nga UNMIK në 21 Shkurt 2002,  doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi.

KOSOVA PËR HERË TË PARË FESTON 28 NËNTORIN ME INSTITUCIONET E SAJA TË NJOHURA NDËRKOMBËTARISHT, ishte kryetitulli i gazetës Rilindja në ballinë ku me titullin SHQIPTARËT FORCOHEN NË TË GJITHA VISET botohej i plotë mesazhi i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova i zgjedhur pas të parave zgjedhje  parlamentare të 17 Nëntorit 2001 në Kosovën e lirë nga Qershori 1999.

Rilindja në 28 Nëntor 2002 në ballinë paralajmëronte edhe dy intervista ekskluzive që botoheshin në brendi të gazetës, që i kisha zhvilluar me atëherë Kryeparlamentarin Nexhar Daci me titull STATUSI PËRFUNDIMTAR I KOSOVËS DO TË PËRCAKTOHET SIPAS VULLNETIT TË POPULLIT dhe me Kryeministrin Bajram Rexhepi me titull PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË NË  ÇDO HAP, NË ÇDO LËVIZJE, NË ÇDO PROCES QË I SHPIE GJËRAT PËRPARA.

Si në një kartolinë, me foton e Shtatores së Gjegj Kastriotit – Skenderbeut në Prishtinë, të ngritur një vit më parë në 28 Nëntor 2001 në Kosovën e lirë, dhe me Flamurin Kombëtar Shqiptar në ballinë shkruhej: “RILINDJA” UA URON FESTËN E 28 NËNTORIT.

Dhe, në ballinë botohej edhe editoriali im – Kryeredaktorit të gazetës Rilindja:

KOSOVA FESTON LIRINË

Behlul JASHARI

Kosova feston 28 Nëntorin e katërt në liri. Liria e Kosovës është ngjarja më e madhe e botës shqiptare pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që ndodhi para 90 vjetësh.

Kosova në rrugën e demokracisë e të pavarësisë së vet ka vullnetin e popullit dhe manifeston fuqishëm përcaktimin për përmbushjen e standardeve për një Kosovë Euroatlantike, të integrimeve dhe të zhvillimeve moderne.

Duke manifestuar fuqishëm përkushtimin për këtë rrugë të Kosovës e të popullit të saj “Rilindja” del sot botim special për Festën edhe në kushtet kur nuk mund të dalë rregullisht, edhe për të treguar se çfarë do të jetë kjo gazetë tradicionale e simbol i Kosovës kur të krijohen kushtet për të ridalë.

“Rilindja” histori e shkruar e Kosovës kështu shënon e feston edhe një Ditë Historike.

“Rilindja” është gazetë e popullit të Kosovës, e ndërtimit të institucioneve, demokracisë, lirisë dhe pavarësisë.

Në këtë ditë kur të gjitha shqiptarët festojnë “Rilindja” për të gjithë ka një urim të madh: Gëzuar! (Rilindja, 28 Nëntor 2002)

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Ibrahim rugova-75 Vjet nag Lindja- Behlul jashari

EDHE NJI HERË PO E KUJTOJ MARK GJOMARKAJN

November 26, 2019 by dgreca

“Shqipnía dikur, në nji mënyrë ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme”- MARK GJOMARKAJ/

Shkruar nga TAHIR KOLGJINI*/

            Në fletoren L’ALBANIE LIBRE, qi dikur ishte organi për faqe të bardhë i Blokut Kombtar Indipendent, ishte kujtue sa herë i ndjemi Mark Gjomarkaj, tue iu vumë në dukje cilsinat e tija si nji shqiptar me plot merita. Po kështu, disi âsht bâmë fjalë  për tê, në data të ndryshme, edhe në Lajmtarin e të Mërguemit.

            Të gjithë shqiptarët, qi kanë flîjue jetën e tyne për nji Shqipní të Lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë me qëllim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në këtê mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botërore. E kemi për detyrë…..

            Sidomos për Markun, sido qi të jetë shkrue, ato nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shum pak. Prandej edhe un, tue u mundue me tregue dishka për këtë HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesve të mij të dashtun.

*****

                Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëherë kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeti nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Italí. Rastësisht u përshndeta me tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e përcjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qëllim qi të përbâj nji mendim, fillova me tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tij ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëherë, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për ktê student të ri, si djalosh i nji derës së mirë, do të mbërrîjë në gjêndje me i shërbyem Shqipnís në kohën e ardhëshme.

            Ai qe nji student shqiptar vërtetë idealist. Mâ vonë e shoh si Nënministër i Punëve të Mbrêndshme në Tiranë, kur erdhi në fuq( qeveria e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942. Ishem ngarkue me detyrë në Kukës. E vizitova. Pashë se ishte shum i kujdesshëm për të ndigjue e shum i preftë në shprehje. Aspak nuk më kishte gënjyem parashikimi i em, qi pata për tê, atëherë kur ishte student.

            Mbas këtij takimi, qoftë për arsye detyre, qoftë për arsye miqsie, shifeshim mâ shpesh. Dhe, sa herë kur takoheshim, bisedonte përzemërsisht e me nji guxim të jashtëzakonshëm tue iu dhânun  rândësi në shkallë të parë problemeve dhe interesave kombtare. Synonte me mbajtun nalt autoritetin shqiptar, tue mos i përfillun asnji grimë rrethanat, qi mund t’i shkaktonte gjêndja delikate e kohës.

            Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipní, atê nuk e lakonte kurrgjâ në ket botë. As vdekja, nuk i bânte përshtypje. Ma vonë, me dorëheqjen e qeveris së Mustafa Krujës, ai, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej , me kapitullimin  e Italís në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvêndin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalistë të shquem, me qëllim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeverí.

            Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msŷmje, ose kërcnim . Në këtë mënyrë ai, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjêndje me punue me qetësi e me gjak të ftoftë.

***** 

            Aty tue u damë vera e vjeshta në vjetin 1944, brigadat komuniste, patën depërtue në disa lagje të Tiranës dhe pozicioni i qeverís pat fillue me u tronditun keqas. Un, ishem i ngarkuem me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policís. Po na duhet me u zmbrapsun për Shkodër me nji pjesë të personelit dhe të mjeteve, qi ende i kishim në dispozicion. Natën n’udhtim e sipër, të gjitha mjetet, na u shkatrruen nga bombardimet e fluturakëve anglo – amerikane dhe na mbetëm rrugës. Patëm edhe disa të vramë. Ata qi tepruen mbërritën në Shkodër. Un shkova fillë në shtëpinë e Kapidanit. Në kët kohë dhe Marku ishte në Shkodër.

            Si dihet, në Shkodër aso kohe, qe formue “Komiteti Kombtar i Shkodrës” nën kryesín e të ndiemve Sylçe Beg Bushatit dhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit. Mark Gjomarkaj ishte ngarkue me detyrën e Komandantit të përgjithshëm të Forcave t’Armatosuna Kombtare. Ky Komitet, kishte për qëllim me ndalue hŷmjen e komunistëve në këtê pllâmbë të fundit të tokës shqiptare, për me mundë me lehtësue nji shkarkim eventual të ndonji force anglo – amerikane në Shqipní ose në ndonji vênd në zonën e Shkodrës.

            Kapidan Gjoni më njoftoi se mue më kishin ruejtun detyrën e Prefektit të Shkodrës dhe, si i tillë, më ngarkojshin dhe me detyrë antarësíe në Komitet. Iu falënderova, tue i thânun se jam drejtue për në Gjermaní dhe se mbrênda javës, bashkë me dy oficerë gjermanë, me nji aeroplan ushtarak nisemi për Vjenë.

            “Or Tahir,” më thotë Kapidani, “na o do të shpëtojmë bashkë, ose do të vdesim bashkë.” Mbi këtê dhe un e pranova këtê detyrë. Njeriu vdekjen e pranueka mâ tepër prej turpit se sa prej trimníe. E si u pashë edhe me Sylçe Beg Bushatin mora Prefekturën e Shkodrës në dorëzim.

*****

            Ndërsa lufta vazhdonte me vrull në Mirditë dhe aty këtu derdhas në malsinat e tjera të Shqipnís, Markut i bâj këtê propozim:

            “Thika ka hasun n’asht. Komunizmi nuk mund t’asgjâsohet me masa gjysmake. Prandej, me nji urdhënesë, duhet të rekuizojmë të hollat dhe pasunín e luejtshme të bankave dhe të tregtarëve të zonës s’onë, pa përjashtim. T’iau kërkojmë për kundrejt dëftesash, tue i u dhânun nji afat të shkurtën. Kush nuk e jep shumën e kërkueme mbrênda afatit të caktuem….. në litar!….. Armë ka. Me nga njimijë frank në muej të përbâjmë nji forcë prej 15.000 vetësh dhe t’a ndezim luftën në nji ballë të gjânë, tue i mobilizue edhe vendet e shlirueme. Si t’i fusim forcat komuniste në dana, të marshojmë deri në kufînin grek. Me krijimin e nji qeverie kombtare, ka gjasë qi të zbarkojë ndonji njisí anglo – amerikane. Dhe shteti, si të stabilizohet gjêndja, t’interesuemve i u paguen pasunín e rekuizueme.”

            “Fitimi âsht i yni, mbasi komunizmi jugosllav e grek nuk janë gjêndje  me i u ndihmue komunistave shqiptarë. Me gjithë këtê, të supozojmë se nuk mundëm me i a mbërrîmë këtij caku, atëherë me të tânë këtê fuqí po e çajmë me pushkë; po hŷjmë në Greqi dhe po i dorëzohemi gjeneral GOBI-t”.

            I ndjemi Mark, pa nji pa dy, e pranoi kët pikëpamje. I a hapëm Kapidan Gjonit. Dhe ai e pranoi. Mirëpo kur i a parashtruem Sylçe Begit, ai nuk u tregue d’akord mbasi natyra e tij nuk ishte e krijueme për me zbatue masa kësodore, qi sjellin përgjegjësina të rânda.

            Prandej edhe kjo masë, qi ishte e vetmja shpresë, mbeti pa u sendërgjue.

*****

            Rrethi për ditë e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 nandor 1944. Hangrëm darkë. Të tjerët shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe un e Marku në skajet e ngushta të tavolinës, kundrejt njâni tjetrit.Në kët rasë Marku më drejtohet:

            “Or Tahir, duhet të përgatitesh se Ti do të dalësh nesër bashkë me babën.”

            “Për ku or Mark?”

            “Për ku t’a ketë shkrue Zoti. Nji herë për Gjermani. Babës, mbasi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i jap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane qi ritirohet”.

            “Na mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi, e pra edhe Ti, ose duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, siç jemi”.

            “Baba âsht i vjetër; prandej nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shumë i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej duhet të largohesh. Sa për mue, un jam djali mâ i madh i Kapidanit të Merditës. Rândimi kryesor peshon mbi mue, sepse kam qênë i ngarkuem me autoritet. Mandej kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mund t’i lâ vetëm. N’atë minutë, qi un të largohem nga Shqipnía, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po të vdes un, dera e Kapidanit të Merditës rron. Prandej un do të qindroj në malet e Shqipnís.”

            Dhe si i mallëngjyem Marku vazhdoi:

            “E dij. Do të jetë e pamundun me qëndrue n’arratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem, por s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnía dikur, në nji mënyrë ose në nji tjëtër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj rrugë të mbarë.”

            Markut, kur shprehte fjalinat e fundit, i u rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Un nuk pata gjâ me shtue, mbasi ai parapëlqeu rrugën e burrnís shqiptare.

            Më 24 nandor 1944, në mëngjes u hallatosëm me tê dhe, bashkë me Kapidan Gjon Marka Gjonin, lamë Shkodrën, tue marrun rrugën e arratís. Karakteristika qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve të tjerë, âsht kjo: Ai qëndroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e të tjerët qëndruen për të shpëtue.

*****

            Sigurisht, disa burra nacionalista do të kenë mbajtun shënime dhe do t’i përshkruejnë ndodhinat me imtësi. Un këtu, shkurtimisht po shënoj disa pika kryesore për hir të historís kombtare.

            Marku, më 26 Nandor e le Shkodrën, tue pasë me vehte nji fuqí të përbâme prej afër trimijë vetësh. Me qênë se shokët i kishte lanun të lirë me u dorëzue, ose me ndjekun rrugën e arratís me ushtrín gjermane, nji pjesë e kësaj fuqíe i dahet. Me fuqín qi i mbetet Ai vazhdon udhën nëpër vênde të ndryshme malore, tue kapërcyem lumej, gryka, kodra e suka të vështira dhe tue luftue e tue çamë me pushkë shum prita, të cilat ishin vûmë nga nji pjesë e popullit qi e kishte mashtrue komunizmi.. Lemisht në këto derdhet shumë gjak prej të dy palëve. Për këtë shkak Marku vendos qi forcat, aty për aty, të shpërndahen andej-këtej, ku t’a shikojnë me arsye, tue mbajtun ndërlidhjet rregullisht medis tyne. Dhe vetë me disa shokë kalon në Merditë.

            Gjatë kohës qi Marku qëndron n’arratí krijon nji organizatë kombtare, e cila shtrihet thuejse në krejt Shqipnín. Mirëpo edhe kjo, mjerisht dështon, për shkak se nji pjesë e kësaj organizate, veprimin e fillon para dtës së caktueme. Kësaj here Tirana vendos me e mnjanue kët rrezik dhe shton e shpeshton seriozisht ndjekjet. Dhe Mark Gjomarkaj, në nji ndeshje qi zhvillohet në vendin e quejtun Prosek të Merditës, më dattën 13-6-1946 plagoset rândë. Dhe më 14-6-1946, n’ora 7.00 vret vehten me revolverin e vet, për mos me i u dorëzue i gjallë komunistëve.

*****

            Mbas vetëvrasjes forcat komuniste trupin e Markut e ekspozojnë në Shpal, në Lesh e në Shkodër, tue e zvarritun e tue e shkelmue.

            Kjo sjellje banale në vetvehte tregon se komunizmi asht nji shfaqje kundërnjerzore.

            Nacionalizmi shqiptar nuk do t’i harrojë kurrë dëshmorët e vet.

            Hiri i Zotit qoftë me Mark Gjomarkajn dhe me shokët e idealit të tij të shênjtë.

            Marrë nga “Lajmëtari i të Mërguemit”, nr. 12, viti i 7, korrik 1976, fq. 11 – 15 (E dergoi per Diellin Eugjen Merlika)

Filed Under: Histori Tagged With: Mark Gjomarkaj-Shkrim-Tahir Kolgjini

VILHELM TELI DHE MOLLA NE KOKEN E TE BIRIT…

November 24, 2019 by dgreca

Histori- Më 18 nëntor 1307 Vilhelm Teli, heroi kombëtar i Zvicrës, u dënua të qëllonte me shigjetë mollën mbi kokën e të birit/

Nga Elida Buçpapaj-VOAL/

Vilhelm Teli (Wilhelm Tell) ishte një hero legjendar Zviceran, i cili duhe të ketë jetuar nga fundi i shekullit trembëdhjetë e në shekullin e katërmbëdhjetë dhe ekzistenca e vërtetë historike e të cilit është ende çështje e papërcaktuar.

Vilhelm Teli është heroi kombëtar i Zvicrës. Miti ose realiteti i një qyteti të vogël në zemër të Evropës, Tel dhe legjenda e tij mesjetare janë të njohura në të gjithë botën.

Sipas legjendës, Vilhelm Teli lindi dhe jetoi në Bürglen në Kantonin e Urit, afër masivit Gotthard. Teli, babai i një familjeje, një gjahtar i aftë i harkut, shkoi në kryeqytetin rajonal Altdorf më 18 nëntor 1307. Ndërsa kaloi në sheshin publik, ai injoroi kapelën perandorake që Albrecht Gessler, administratori lokal i Habsburgëve, i kishte bashkangjitur shtëpisë së ankandit, disa muaj më parë. Kapela, simbol i autoritetit perandorak, duhej të respektohej absolutisht nga kushdo që kalonte. Ata që nuk u përkulën rrezikuan konfiskimin e pasurisë apo edhe vdekjen. Meqenëse Tel nuk e kishte nderuar kapelen e tij, e gjeti veten në telashe. Të nesërmen ai u suall në shesh; para të gjithëve ai duhej të justifikonte veprimin e tij.

Në këmbim të jetës së tij, përmbaruesi Gessler i imponoi atij provën e mollës, e cila, e vendosur mbi kokën e djalit të tij të vogël Gualtier, duhej të përshkohej nga shigjeta e harkut të tij. Prova kaloi me sukses, por në rast se diçka do të kishte shkuar keq, Vilhelmi kishte fshehur një shigjetë të dytë nën xhaketë, gati për tiranin. Kjo i kushtoi Vilhelm Telit lirinë e tij: ai u arrestua dhe u dërgua me varkë në burgun Küssnacht.

Papritur shpërtheu një stuhi në Liqenin e Lucernës dhe rojet e burgut e liruan Telin, një lundrues i shkathët, që mund t’i shpëtonte ata nga stuhia. Duke mbërritur në afërsi të bregut, në gjysmën e rrugës midis Altdorf dhe Brunnen, Tel u hodh nga anija në breg me një kërcim dhe, me një goditje të fuqishme, e dërgoi anijen përsëri në detin e hapur. Në ditën e tretë, afër Küssnachtit, i fshehur pas një peme në anët e “Via Cava” që të çon nga Gotthard në Zyrih, Teli u hakmuar duke vrarë Gesslerin.

Sipas traditës, më 1 gusht 1308 u bë çlirimi i Zvicrës së atëherëshme. Populli, pasi mësoi për veprat e Telit, u ngrit dhe rrethoi kështjellat dhe ndoqi sundimtarët nga tokat e tyre përgjithmonë. Për më tepër, shigjetari thuhet se ka marrë pjesë në betejën e Morgartenit përkrah kantoneve të themeluese të Konfederatës (Uri, Schwyz dhe Unterwalden), e cila përfundoi me fitoren kundër Habsburgëve më 1315. Vilhelm Teli jetoi me respekt dhe admirim të njerëzve deri në verë të vitit 1354, kur, për shkak të një stuhie, heroi zviceran sakrifikoi jetën e tij për të ndihmuar një fëmijë të rrëmbyer nga përroi i Schächen në përmbytje.

Referenca e parë për heroin legjendar shfaqet në një dorëshkrim të vitit 1470, Librin e Bardhë të Sarnenit, të përpiluar nga kalorësi i famshëm provincial Hans Schriber, i cili kishte mbledhur kronika dhe të dhëna historike në Konfederatën Zvicerane. Një burim tjetër për legjendën është Kënga e Themelimit të Konfederatës, e kompozuar nga një poet anonim dhe botuar për herë të parë më 1545, e cila rrëfen lindjen e Konfederatës Zvicerane dhe citon fatin e Vilhelm Telit, i cili, sipas këtij burimi, ishte mbytur në Liqenin e Lucernës nga Gessleri i lig. Por vepra më e plotë që paraqet historinë e Telit është Chronicon helveticum i vitit 1550, nga historiani Aegidius Tschudi. Historiani saktëson se Tel është mbytur në vitin 1354, jo sepse ai vrau sundimtarin, por për të shpëtuar një fëmijë që ra në ujërat e ftohta të lumit Schächen. Episodi është përshkruar gjithashtu në një afresk të vitit 1582 të ruajtur në kishën e Bürglenit, fshatit ku ai lindi.

Personalitete të rëndësishme artistike kanë kontribuar në bërjen e famshme të figurës së Vilhelm Telit. Midis tyre, i pari i të gjithëve, shkrimtari dhe poeti gjerman Friedrich Schiller i përshkroi veprat heroike në dramën homonime (Wilhelm Tell, 1804). Nga drama e Schiller-it, më 1829 Gioachino Rossini kompozoi operën Vilhelm Tel. Kjo operë ishte shumë e rëndësishme për Zvicrën dhe Zviceranët; prova e kësaj është fakti që klaksonët e autopostaleve të vjetra binin sipas melodisë me të cilën fillonte opera.

Një ri-interpretim i vetëm i mitit të Vilhelm Telit (Wilhelm Tell für die Schule) është shkruar më 1971 nga Max Frisch, një ese e shkurtër e ndërtuar mbi një përzierje interesante të filologjisë dhe ironisë, në të cilën rikrijohet historia e heroit kombëtar zviceran, por duke vënë në qendër të veprës sundimtarët Habsburgë dhe paaftësinë e tyre për të kuptuar botën e njerëzve malësorë, kokëfortë dhe të heshtur mes të cilëve ai ndodhet.

Filed Under: Histori Tagged With: Elida Bucpapaj Vilhelm teli- Molla-Koka e te birit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 248
  • 249
  • 250
  • 251
  • 252
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT