• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR PERUROHEJ E PARA QENDER KATOLIKE SHQIPTARE NE NEW YORK

June 15, 2019 by dgreca

Monsinjor Oroshi – ju sot zeni vendin e shkelqyeshem në historisë e Shqipnisë/

FJALIMI QE U MBAJTE NGA DR. HALIM BEGEJA*/

I nderueshmi Kryetar i Ceremonisë,

Të nderuem fetar, Zoja e Zotni

Gjindemi sot ketu të mbledhun perpara kryqit të Krishtenimit, i cilli i lutun e i nderuem si shqiptar, duhet t’a kishte vendin ne Shqipnin’ e Shqiptarevet. Mirepo atje kisha, xhamia dhe teqet i shkatrroi dhe i mbylli te gjitha dora e zeze e komunizmes.

Sot vendi yne emrohet (vetëshpallet) si vendi i parë atheist, padyshim i pashembull në bote dhe as qe do te kete shembull tjeter per gjer sa kjo bote te kete jete.

Sot ketu si shqiptarë me në krye vlleznit t’onë katholikë po i deshmojme botes mbare se nuk asht populli shqiptar ay qe ka zgjedhe rrugen e atheizmes, por asht nji klike komuniste, e cila me anen e pushkes dhe te çdo turture çnjerzore asht versul per kontra popullit shqiptar, me qellim që ta xhveshi kete nga çdo besim dhe traditë të bukur e të ndershme.

Prandaj inagurimi i ksaj Qendre te Kryqit të Krishtenimit, mu ne zemer të New York-ut, dhe si e para Kishë Katholike Shqiptare në botë asht nji nderim i madh per të gjithë ne shqiptarët, që e bamë të mundeshme që kete misjon të denje fetar e patriotik t’a shofim te realizuem, e, qe në krye te ktij misjoni shkelqen figura e DOM ZEF OROSHIT me besimtaret e tij dhe ndihmen e madhe te Shoqates Katholike Shqiptare n’Amerikë.

Per gjatë shekujve raca shqiptare asht njoft nga te gjithë popujt e botes si race krenare, trime, fisnike dhe e pajisun me cillsina shoqerore, që, siç e dijmë, permenden neper libra me admirim e respekt nga shkrimtarët e huej të permendun.

Mendesija e shkelqyeshme e races shqiptare arrijti deri në Kathedren e Shenjtë: në kryesine e Katholiçizmes botnore: gjith’ashtu fuqija e shkelqyeshme e races s’onë arrijti te administrojë të jetë dorë e fuqishme jo vetem e Atdheut T’one, por edhe t’i shkoje ne ndihme krishtenimit, qe randë e kercenonte fuqija e forte botnore (e atehershme) otomaneve. 

Kjo asht koha e perjetesueme me emrin e shqiptarit te Madh dhe katholikut te pashembull: SKENDERBEUT.

Mirë po madheshtinë e races T’onë e ka luftue shum randë fati. Gjergj Kastrioti vdes! 

Vdes atehere kur populli Shqiptar dhe mbare bota kish nevojen e Tij. 

E ne fakt nga kjo kohë Skanderbejane e gjer me sot perdja e zezë e ka mbulue truallin shqiptar.

Me qindra mijra vriten e persekutohen vetem sepse kerkojne me ruejtë emrin e Shqyptarisë si në pikpamje shoqenore ashtu dhe toksore. 

Te tjere qindra mijrash shterngohen të braktisin Vatren Shqiptare me qellim qe te mbajne gjallë fenë dhe kombesinë dhe kështu qysh ateherë iu deshmue botes se huej se shqiptari nuk i pranon prangat e roberise Otomane.

Katholike e Orthodhokse t’asaje kohe – u strehuen n’Itali dhe sot, siç e dijmë ata shqiptarë arbreshë qendrojnë me gjuhë e zakone shqiptare a thue se janë lind e rrit ne token shqiptare prane, atyne baballareve te traditave shekullore.

Institutet fetare dhe klubet shoqerore, jane mjeti kryesor per t’iu pergjegj nevojave kombtare e fetare: e sot per t’iu pergjigj terrorit komunist, qe furishem sulmon racen shqiptare.

Prandaj zemra e shqiptarit te vertetë gufon kur ndigjon ose shef, siç ne po kemi rast me pa sot te realizuem blemjen e Qendres Katholike, randesija e se cilles, perveç asajë fetare, ka ate randesi kombetare qe ngroh zemrat e te gjithe shqiptarevet pa dallim feje.

Jane qendrat fetare qe e kane mbajtë n’armoni e te bashkuem racen shqiptare të të tre besimeve: jane keto Qendra fetare qe e kanë ba të mundeshme çeljen e shkollave shqipe dhe qe i kane dhane hov perparimit te gjuhes shqipe dhe ne menyre efektive kane dhane kontributin ma te madh ne çdo ndermarrje per lirine e Shqipnisë.

Motra dhe vllezen katholike!

Po t’a lejonte rasti dhe koha do te flitsha shum gjate per katholiket e sakrifikuem per Kombin e Atdheun t’onë, mire po ketu nuk kemi kohe as emrat e tyne te permenden, sepse janë me mijra të shtruem n’Altarin e Kombit, janë n’atë Altar që janë shkrue me gjakun e tyne fjalet:

“Te sakrifikuem per lirine e Shqipnise”

Prandaj motra dhe vllezen katholike, ju zeni vendin e shkelqyeshem të historisë së Shqipnisë.

Ju jeni bijat e bijt e atyne qe jane ba fli per Atdhe e Fe: ju jeni bijat e bijtë e atyne qe i kane dhanë dritë e lulzim Shqipnisë, e ju vetë, sot, jeni po ata bija e ata bijë që keni sakrifikue gjith-shkafin per të ruejte lirine e vertetë të popullit shqiptar.

Perpjekjet e katholikeve per lulezim e perparim te races s’one jane te lashta: mjafton ketu t’iu permend se në vitin 1493, mbas pak vjeteve te zbulimit te Shtypshkronjes nga ana e Gutenbergut, afer Shkodres ndertohet shtypshkronja, ku u botue per heren e pare “Meshari Katholik” ne gjuhen shqipe nga Dom Gjon Buzuku.

Mos harroni jo vetem ju, po te mos harrojme te gjithe ne, se shkollat e para shqipe jane nga ana e katholikeve: ajo e Pllanes ne 1638 dhe ajo e Blinishtit ne 1639.

Shkolla Franceskane e 1861 e qe ne krye te sajë arrijti në 1902 katholiku dhe Patrioti i Madh Pater Gjergj Fishta, u ba gurra e pashterrueme per kulture dhe racen shqiptare: ajo shkollë nxori bijtë e denjë të Kombit si Pater Anton Harapin, i cilli si burre i burrave vdes nga plumbat e trathetareve komuniste, te cileve iu tha: “Gjaku i em do të sherbejë me rrit filiza të reja shqiptare, qe do te jene shqiptare si unë.”

Ne 1912 Shkodra, kishte akoma trupat malazeze si dhe fuqitë nderkombetare. Shkolla Franceskane ishte ne ndertesen e Qendres Katholike në Shkoder, ku kampaneli dominonte pamjen e krejt Shkodres.

Pater Gjergji trim, siç ishte, e patriot i Madh i çoi fjalë NDOK GJELOSHIT dhe i tha që flamurin e Shqipnisë t’a ngjiste mu në maje të kampanelit. Kur Koloneli ingliz i tha Pater Gjergjit “se atehere do t’a gjuejmë me top Flamurin Shqiptar”. 

Pater Gjergji, pa u mendue iu pergjigj: “Ju falemnderes per nderimin qe po i bani Flamurit Shqiptar: atij me te vertetë i ka hije m’u pershendetun me topa.”

Flamuri valoj në Shkoder dhe Pater Gjergj Fishta nga ajo dritare e Qendres Katholike, qe ishte kundrull kampanelit me Flamurin Kuq e Zi shkroi kangen e pavdekshme te Flamurit.

“Porsi fleta e Ejllit të Zotit

Po rreh flamuri i Shqypnis

E therret bijt e Kastriotit

M’u mbledhe t’tanë n’çeta t’ushtris…”

Homeri i Shqiptarvet (Fishta) e leshoi zanin e tij nga Qendra Katholike në Shkoder, e cila sot nuk besoj te kete ndryshim me gjendjen qe ndodhemi ne ketë Qender Katholike, prej kah zani i katholikeve shqiptarë, me në krye patriotin e flaket DOM ZEF OROSHINna therret, qe te bashkohemi per të ba te të mundeshme, qe nepermjet vllaznimit shqiptar të mundemi me ruejtë ndjesitë fetare e kombëtare.

Me ruejt ate çfarë na lanë trashegim te paret t’onë.

Ajo asht sot Qendra Katholike e para në botë, sepse të gjitha kishat, xhamijat dhe teqet i mbylli regjimi komunist ne Shqipni.

Le t’a quejme edhe qendren e shqiptarevet të lirë, prej kah të flladisi era e lirisë, per të cillen jemi shtrengue te strehohemi neper vendet e botes se lire.

Me kujtohet te kem ndigjue se kur- u themelue ne Shkoder Kisha Katholike prane kalas per nderin e Zonjes se Shkodres, muslimanet shkodranë, kishin dhurue gjysen e shpenzimeve’duke thane se ajo “Kishe na perket të gjithe neve shkodraneve”.

Shpirnisht kam bindje se me gjendjen qe ndodhemi sot kjo Kishë Katholike ne New York i perket të gjithe shqiptareve ne botë, sepse ne kete institut fetar do te vlojë fryma e shqiptarit te lirë.

Pra le t’urojmë me gjithe zemer qe “Qendra Katholike Shqiptare n’Amerike” te kete sukses ne misjonin e saje fetar e kombetar dhe njikohsisht te bahet qendra e dashamiresisë, asaj dashamiresije Fishtjane, që kur korrespondenti Ingliz e idhnojë per disa pyetje At Gjergj Fishta iu pergjegj: “Besë e nder e burrni e mos na lasht Zoti kurrë pa Myslimanë”. 

Por tham se edhe neve myslimaneve mos na lasht Zoti kurre pa te krishterë.

Ne si Organizata Balli Kombetar, qe kemi nderim e respekt te veçantë per te tri besimet që ndodhen ne Shqipni, urojme qe kjo Qender Katholike te vazhdojë frymen e desherueme nga i gjithe populli shqiptar, qe pret n’agoni ristabilizimin e themelimin e kishave, te xhamive dhe te teqeve.

Duke iu urue me gjithe zemer çdo sukses, iu tham edhe me gjithe zemer juve katholikeve nisjatorë: 

Rrofshi sa malet! 

Rrofte Shqypnija!

* Shënim: Shkrimi i mësipërm në fjalë, është marrë nga libri në dorëshkrim: “Mons. dr. Zef Oroshi” (Jubileu i 50-vjetorit të meshës së parë në SHBA), që përfshin një përmbledhje të zgjeruar të shkrimeve, studimeve, fjalimeve në aktivitetet me profil atdhetar, publicistik dhe dorëshkrimeve të karakterit historik, gjuhësor, kulturor, patriotik, fetar, enciklopedik etj., të shkruar në vite e kohë të ndryshme nga Monsinjor Oroshi dhe të tjerët për te, të cilat i përzgjodha dhe përgatita me shumë kujdes dhe dashamirësi për botim. (Tomë Mrijaj)

*(Marrë nga revista Jeta Katholike Shqiptare, New York, vjeti 1970, Nr.1-2.,)

Filed Under: Histori Tagged With: Dr.Halim Begeja- Mons. Oroshi-Qendra Katolike

MALËSI E MADHE PËLLËMBË E THESAR

June 12, 2019 by dgreca

Koja Heroike  s’i harron rrënjët /

1911- Deshmoret e Kojes/

Obelisku i Deshmoreve-1911-Decic/

Kisha e Kojes/

Shna Ndou/

Kol Gjoni Ivanaj/

Pretash Zeka Ulaj/

Kol Ivanaj/

Pamje nga Koja/

Tom Fran Ivanaj/

SHKRUAN:GANI VILA-Drejtori i Televizorit të Shqiptarëve të Amerikës/

Pavarsisht arsyeve dhe kohës përse jami larguar,po thuaj se të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat në forma e mënyra të ndryshme kanë mbajtur dhe vazhdojne të mbajnë lidhje me vëndlinden e tyre.Një nga fushat më të rëndësishme për mos  asimilimin e diasporës në mërgim krahër ruajtjes të gjuhës shqipe është edhe ruajtja e vlerave në familjet tona të traditave dhe zakoneve më të mira shqiptare kudo ku jetojnë në emigracion. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga fund shekulli i nëntëmbëdhjet dhe deri më tani në çerek  shekullin e njëzet e një, të ardhur dhe të lindur këtu  jetojnë mbi një milionë shqiptaro-amerikanë.Një pjes e madhe e emigranëve jo vetëm që kanë  përjetuar fatin e keq të largimit jashtë dëshirës nga vëndlindja,por këtë dhimbje e ndodhi masive së bashku me traditat shqiptare ja u kanë përciell dhe trashëguar fëmijëve të tyre brez pas brezi. Një nga fushat e trashëgimnisë të kombit tonë është që dhe festat fetare të festohen gëzueshëm familjarishtë me miq e mysafirë cdo vit jo vetëm në vëndlindje por edhe në emigracion. Çdo zonë në vëndlindje ka shenjtorët e saj mbrojtës që përkujtohen në ditën e tyre të shënuar. Kështu Mali i Kojës së Malësisë së madhe më datën 13 Qershor të cdo viti feston Ditën e Shna Nout.( Shen Antonit). Këtë vit kjo festë për Kojasit si në vëndlindje dhe në mërgim do të jetë e vecantë,pasi në Famullinë e Kojës më 13 Qershor 2019 me financimin e dy bijëve të Kojës donatorë dhe biznesmen të suksesshëm Tom Fran Ivanaj me banim në Kanada dhe Kol Gjoni Ivanaj me banim në Michigan  dhe me mbështetjen e Shoqatës të Kojës do të ngrihet në ambientet e famullise së Kojës truporja e Shna Nout.

Me këtë rastë shumë banorë me origjinë nga Koja do të udhëtojnë nga mërgimi për në Malësi për  të marë pjesë në këtë eveniment.Ceremonia e këtij aktiviteti do të nis me fjalën përshëndetëse të famullitarit të kësaj kishe Patër Pashko Gojçaj.Pastaj Ipeshkëvi i Tivarit Imzot Rrok Gjonlleshaj do të mbajë meshën për ngritjen e monumentit të Shna Nout.Më andej do të mbahet  ceremonia e zbulimit të trupores dhe do të shtrohet dreka e rastit e kojasve bujarë. Lidhja me vendlindjen e Kojasve që jetojnë në mërgim,me krijimin e shoqatës është bërë më shëmbëllore,pasi krahës ndihmave në fusha të ndryshme që bëjnë si individ për të afërmit e tyre në vëndlindje,Shoqata  Koja me rastin e shenjterimit  të Nënë Terezës në 4- Shtator -2019 ngritën në hyrje të kishës truporen e saj. Truporja e Shna Nout është i dyti investim relativisht në një kohë të shkurtër. Afër me Kishën në qëndër të fshatit të Kojës kohë më përpara është  ndërtuar edhe obelisku kushtuar 7 dëshmorëve të rënë në Kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911 si dhe busti i udhëheqësit dhe luftëtarit të betejës në Deçiq në vitin 1911 Pretash Zeka Ulaj. Por me  ngritjen e  truporeve kushtuar Nënës së dashurisë,Nënë Terezës dhe Shna Nout këtyre figurave të shenjta,krahës respektit dhe madhështisë që ato sjellin,në thellësinë e tyre ndër të tjera lexon edhe ruajtjen e Kojës nga asimilimi global,të hitorisë së saj të lavdishme,të djersës,mundit dhe gjakut të derdhur.Deri tek  detyrimi i kojasve të larguar në mërgim që tju

përulen me dashuri,respekt dhe mirenjohje atyre pak familjeve ,për ata banorë që punojnë dhe jetojnë që e mbajnë hapur derën e nderin e Kojës e që mbajnë gjalle dhe  i japin jet asaj.  Eshtë për tu veçuar se Shoqata e Kojës me qëndër në Michigan jo vetëm që ka mbështetur ngritjen e trupores të Shna Nout,por me këtë rastë do të celin për herë të parë fillimin e Logut të Kojës me synim që ta organizojnë logun më 13 Qershor për çdo vit duke e kthyer atë në traditë sidomos për brezat që vinë.Në Logun e Kojës këtë vit ndër të tjerë është e ftuar këngëtarja Marija Lajçaj dhe Këngëtari Legjendar,” ​Gjenerali ​“ i këngës Kosovare Ilir Shaqiri. Edhe pse në dukje këto aktivitete  duken gjera të vogla e të kufizuara sipas zonave,apsolutisht ato janë vepra të dobishme,arritje e ushqime që rritin ndjenjat shoqërore e influencojnë pozitivishtë  në nxitjen e bashkëatdhetarëve shqiptar kudo që jetojnë jashtë vëndlindjes për të bërë diçka si individ ose të bashkuar që të mos harrojmë rrënjët tona.

Michigan 12 Qershor 2019 

Filed Under: Histori Tagged With: Gani Vila- Koja-Malesi e Madhe

ME MAKS VELON, ATJE KU NUK BËHET BIZNES DHE SHOW ME VUAJTJET E TË PERSEKUTUARVE

June 12, 2019 by dgreca

– Në Poloni, në vendin me zemër të madhe –

Nga Visar Zhiti/

Në Varshavë, pak ditë më parë, u mbajt një takim ndërkombëtar me rëndësi për kujtesën e njerëzimit, ndërsa tek ne, nga shkaku i kujtesës së keqe, ka një krizë të rrezikshme, nga që s’ditëm të përballemi me të shkuarën diktatoriale, me pasojat e saj, me tetashmen e korruptuar e të vjedhur, që nuk sjell të ardhme, por kthim të dëshpëruar pas.

Në Varshavë u mblodhëm dhe folëm në senat ish të burgosur politikë nga të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore në samitin e kryetarëve të parlamenteve të këtyre vendeve, duke filluar nga Polonia, vendi pritës dhe organizator, nga Humgaria, Sllovenia, Kroacia, Sllovakia, Çekia, Serbia, Gjermania, Bosnja, Bullgaria, nga Rusia dhe ish republikat e ish Bashkimit Sovjetik, Ukraina, Armenia, Azerbaxhani, tartarë, etj.

Patjetër që ishim dhe nga Shqipëria, ku nuk kemi dhe aq zë, i cili tradhëtohet gjithnjë e më shpesh, .

Samiti i Varshavës ishte organizuar nga parlamenti dhe senati i Polonisë me rastin e 30 vjetorit të zgjedhjeve të lira të vitit 1989, duke e konsideruar atë si “Vitin e Lirisë së Popujve dhe Fitore të Fjalës së Lirë”, teksa tek ne nuk dime të bëjmë zgjedhje, sepse na vetëzgjidhen ata që i çorodisin zgjedhjet për interesa që “ikin në drejtim të pa ditur”, veç jo të vendit.

Në Varshavë u shpalosën përvojat kolektive e vetanake nëpërmet fjalës dramatike të ish të burgosurve politikë në perandorinë komuniste, e gjitha kjo për një njohje më të gjerë e më të thellë të së shkuarës së përbashkët, për një përballje ndaj sfidave të kohës moderne, që politikanët e të gjitha vendeve të dinë të vepronë më mirë e më drejt, u tha atje.

Po këtu ç’bëjnë politikanët tanë? Shihet dhe ajo që nuk shihet, por nuk po bëhet ajo që duhet…

.Por po flas për takimet në Poloni, mbase ndihmohet dhe kujtesa jonë për më mire.

Të gjithë të ftuarit si fillim shkruan në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku u takuam zyrtarisht me Ministrin Jacek Czaputowicz, ish i burgosur politik. Ju jeni ministrat e vërtetë, u tha ndër të tjera ai miqve nga bota e persekutimit.

Më pas pritja ceremoniale në Parlamentin e Republikës së Polonisë nga Kryetari i Parlamentit z. Marek Kuchcinski dhe Kryetari i Senatit z. Stanislaw Karczewski, me parakalimin e Rojeve të Nderit me flamur dhe shpata dhe himne, e gjitha në nderim të qendrestarëve dhe heronjve në përballje me diktaturat.

Në radhën hijerëndë të flamujve, në krye ishte dhe Flamuri Shqiptar.

Mes të ftuarve të shumtë aty takuam dhe Znj. Mimi Kodheli, përfaqësuese nga parlamenti shqiptar si dhe ambasadoren e Shqipërisë në Poloni.

          Pastaj dy seancat e samitit në senat, me dëshmi dhe ide, me dramacitet dhe hijen e zhgënjimeve, me kundërvënie e shpresë, ku përhiteshin telat me gjëmba dhe rrezet e ditës… teksa më vinte një si rrapëllimë, mos dëgjoheshin protestat e Tiranës deri këtej? Jo, ishte zhaurima e butë e tramvajeje, të cilët në fushata zgjedhjesh premtoheshin, por që nuk kanë nisur ende tek ne, janë harruar dhe as që e kanë rradhën ata, madje as vetë zgjedhjet.

KUJTESA NË TË SHKUARËN:

Si të burgosur politikë të dikurshëm nga Shqipëria e sotme, së bashku me Maks Velon, ishim të ftuar dhe unë me Edën.

Do të desha të thosha ca fjalë për Maksin, që sa do pak, e di që marrin domethënie dhe tregojnë jo vetëm atë, por dhe të tjerët përreth, shoqërinë, qëndrimin ndaj vuajtjes njerëzore dhe vlerave që krijohen, ku ai është ndër më të shquarit.                                                                                                               Maks Velo është personalitet i kulturës tonë, krijues dhe veprimtar, me njohje më përtej, në Europë dhe Amerikë, do të thosha. Arkitekt me profesion, me vepra të njohura në Tiranë si “pallati kubist” i shkrimtarëve, për të cilin dhe u kritikua dhe që do të ndikonte në dënimin e tij, piktor ndërkohë, i veçantë, pararendës i modernes, ku përzihej antropologjia shqiptare me avanguardizmin europian, tradita me risinë, “njolla e zezë” e artit me fatin… veprat e tij në pikturë do të digjeshin me vendim gjyqi, si abstrakte, që nxinin realiten socialist… te Maksi ka dhe muzikë, ai ka marë mësime pianoje që nga fëmiania, muzikë të heshtur dhe linja e gjeste valleje të ngrirë e ajo përzihet me marrshet funebre të kohëve të mëpasme ashtu si dhe rrëfimi i tij, i shndërruar në letërsi, prozë dhe poezi dhe dokument.

`Bashkëvuajtës me të, në të njëjtin burg, në Spaçin e tmerrshëm, ku vazhdimisht revolta e dikurshme e ’73 e trandëte tokën nën këmbët tona, Maksin e njoha atje, ku edhe pse i burgosur, spikaste aristokracia e tij, qoftë dhe në hutimet në rresht apo në humorin e zi. Edhe në të ngrënë në mencën e ferrit, kishte qytetari. Dinjitet në përballjen e urisë kombëtare Brenda telave me gjëmba.

Edhe aty me Maksin bisedohej për artin, librat dhe jetën dhe antijetën, për tiraninë dhe neverinë e rënies morale përreth, vjedhjet dhe spiunimet dhe injorancën shtetërore, e shenjuar me gardianët e deri lart. Si artikekt ai thirrej në përmirësimin e mjedisit, që ç’mundej, e kthente në dobinë e të burgosurve.

Kujtoj që në burg unë kisha maninë t’i ruaja tregimet dhe poezitë që lexonim në revistat që na lejoheshin, i grisja prej tyre, që të mund t’i rilexoja kur dilnim nga miniera, nga puna e rëndë prej skllavi. Fletët i bashkoja, ia jepja këpucarit të burgut të m’i qepte me gjëlpërën e trashë të opingave dhe pastaj Maksi u sajonte kopertinat, tjetër vepër kjo me “mjetet rrethanore”, me një figurinë nga revistat, me gërmat që i priste nga gazetat, I ngjiste një nga një duke krijuar titullin e veprës, emrin e autorit. Ende ruaj dy antologji të tilla, një me poezi dhe një tjetër në prozë, Maksi më bëri një kopertinë elegante për dramën “Jerma” të Lorkës, po kështu dhe me pjesët e romanit të mëvonshëm të Kadaresë “Dosja H”, botimi i parë i së cilës iu bë në burg, nga ne, unikal, vetëm në një kopje, që ia dhurova Kadaresë pas burgut.

Maksi në liri bëri hakmarrjen më të bukur, me vepra dhe art, ekspozita pikture brenda dhe jashtë vendit, me albume e studime, poezi e tregime, që kanë tërhequr vëmemedjen dhe janë përkthyer dhe botuar dhe në vende të tjera.

Maksi e shohim në ekranet e televizorit, në debate e protesta, në avanguardë, por dhe të tërhequr, të zhgënjyer, të urtë, por dhe shpërthyes befas, i acaruar me gjithçka që i duket e padrejtë.

Ndërkaq Maksi udhëton shumë. Ftohet si ish i burgosur dhe si artist, që tashmë i janë bërë një e vetme. Përvojë dha art.

Po shkonim në Poloni, por duhej të ndërronim avion në Vjenë.

– Të tjerë vuajtën burgun dhe të tjerë bëjnë festën, – i thashë pa të keq znj. Jonila Godole, veprimtare e kujtesës, të cilën e takuam rastësist në aeroport.

Para ca ditësh kishin përkujtuar me nderime dhe bujë dy revoltat tona, në burgjet e Spaçit e të Qafë Barit, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste,  e pikërisht atë, Maksin, arkitekt në burg, që mund të jepte ide të vlefshme më mirë se kushdo se si mund të shndërrohet në muze, kishin harruar ta ftonin, edhe mua, që atyre qosheve infernale të burgut kisha shkruar poezi, ca dhe të bëra me mend në fillim, që i fshihnim vrimave, në kashtën e dyshekut apo nën tokë, madje pata fatin t’i nxjerr poezitë para se të dilja dhe vetë nga burgu, i kam botuar shumicën dhe janë përkthyer. Në revoltën e Qafë-Barit isha Brenda. Kam shkruar dhe një libër mbi 500 faqe për burgun e Spaçit, “Rrugët e ferrit” dhe po aq për Qafë Barin “Ferri i çarë”.

Natyrisht në ato manifestime përkujtimore në Spaç e Qafë-Bari ishin bashkëvuajtës nga tanët, miq plot, dhimbja jonë dhe ne u ndjemë së bashku me ata dhe i mbartim si shqetësim dhe atje ku po shkonim. Në Varshavë.  

Aspak nuk i harrojmë ndryshimet e vendit për mirë dhe çështë bërë për ne, jo pak, dimë të jemi mirënjohës, por të burgosurit shqiptarë kanë bërë shumë e më shumë për vendit, themele në baltë dhe vepra, kujtes:e dhe art dhe shpërdorimi i të persekutuarve të diktaturës është shpërdorim i lirisë, I ndërgjegjes, i kohës dhe i vetes.                                                                        Sipas një shkrimtari nobelist, i qenë dhe në kampin e Aushvicit, çdo qeveri, institucion e individ, kuptohet se ç’janë, nga qendrimet që mbajnë ndaj vuajtjes njerëzore, “burgut”, tashmë të shndërruar dhe në kulture, po sipas tij.

Pak a shumë biseda të tilla po bënim me Maksin, por kishim nevojë për ca qiell më shumë, që vetëm avioni na i jepte, Pegasi modern prej duralumini. Sa alumin kemi nxjerrë në burg? Bakër më shumë, pirit i përzier me flori. i gjithë për të tjerët, i vjedhur…

E shikoja me adhurim Maksin, kishte një si re të bardhë mbi krye, leshrat e zbarthura, në moshën e thyer të burrit, trupmadh, diçka mes Hemingway-it dhe Anthony Quinn, me çantën e lëkurës mbi sup, sportiv, ashtu siç mund ta ndeshim duke vrapuar në parkun e Tiranës, edhe pse 84 vjeç, i urtë si një akademik, gjaknxehtë si ai që ka të drejtë, artist dhe në gjeste, bisedon dhe për grate ashtu si  për pikturën dhe artet.         

Megjithatë dhe midis reve lart po flisnin dhe për burgun, ferri ngjitet dhe atje ku s’e prêt, për shoqatat e shkatërruara të të burgosurve, për krizën shqiptare, zgjedhjet pa zgjidhje, zgjidhjet pa zgjedhje, politikën, shpërdorimin e vujatjes të mijëra e mijëra të persekutuarve, edhe instutcionalisht, edhe parlamentarisht, edhe presidencialisht, edhe nga ne vetë, nga ata si ne, që duhej të na përfaqësonin, përtej narcizizmit të përgjithshëm, biznesit me vuajtjen e të tjerëve apo persekutimin që vazhdon me format e një demokracie trashanike, me korrupsion të përditësuar, edhe moral… dhe buzëqeshim hidhur. 

KUJTESA NË TË ARDHMEN:

  Në aeroport “Frederic Chopin” në Varshavë na pritën befas te salla VIP, pa asnjë radhë për pasaportat, siç duket ne i kishim kaluar radhët e gjatë që më parë, ato të të dënuarve, tani vazhdonte mirënjoja edhe në vend tjetër e nga të tjerë. I them këto, je se ne e donim, por shoqëria jonë duhet të dijë të nderojë… vuajtjen si dhe vetveten.

U takuam me të tjerë si ne, nga Europa Qendrore e Lindore. Mikrobuzin tonë rrugëve të gjera të Varshavës, mes blerimeve “qytetare” gjithandej, e paraprinte makina e policisë. Prapë me policë? Për të na ruajtur, dikur si “të rrezikshëm”, tani nga “rreziqet e rrugës”.

Nga “Regent Hotel” shkuam në “Muzeun e ushtarëve të mallkuar dhe të burgosurve politikë të Republikës Popullore të Polonisë”. Brenda në Varshavë, në qendër a afër saj. Ushtarë të mallkuar apo e përktheva gabim? Që këtu fillon dënimi i diktaturës. Telat me gjëmba, porta të larta, qeli, por me tualetin brenda. Muri i pushkatimeve, kurorat me lule. Nën tokë qelia e varjeve. Deri në vitin 1956, pastaj komunizmi polak u zbut, veç në Shqipëri mbeti diktaturë e egër staliniste, një gjysmë shekulli paranojë me Enver Hoxhën.

Autobuzët komodë me makinat e policies para dha pas ndalënnë “Kështjellën Mbretërore”. Dreka me gjithë të ftuarit nga Europa. Në mbrëmje në Teatrin Wielki, Opera Kombëtare Polake. Ndër më të mëdhatë në botë. Shkallë mermeri, kolona, katet e llozhave.  Shoh programin: “Moniuszko – Mazurka nga opera “Halka”… Fryderyk Chopin, Fantazi… Górecki, “Tre valle për orkestër..”.              Vezullime të ylberta dritash, duartrokitje të gjata.  

Nga burgu në opera. Nga kujtesa e tronditur në muzikë qiellore. A ka patur në Tiranë ndonjëherë shfaqje për spektatorë të tillë? Nëpërmend… kujtoj drama të tjera.

Në takimin me Ministrin e Jashtëm të Polonisë Maksi tregoi një ngjarje me të burgosur që i kishte njohur, një grup armiqësor, i sajuar me agjentë polakë, që prej torturave pranuan, ndërsa kryetarja e grupit, një grua polake, e martuar një Shqipëri, nuk pranoi, Qeveria polake atëhere mbajti peng një anije shqiptare në Gdans, në port, o lironi qytetaren time, – iu drejtuan me ultimatum qeverisë shqiptare, – o… po qytetarët shqiptarë kush mund t’i mbronte nga qeveria e tyre, as avokat s’kishte, s’lejohej…

Edhe në Senat fjala e Maks Velos bëri përshtypje. Mes duartrokitjeve ai u ngrit dhe shkoi në krye, u dhuroi Kryetarit të Parlamentit dhe Kryetarit të Senatin nga një album të vetin, shenja këto që në Shqipëri vuajtjen ai e kishte shndërruar në kujtesë arti, në vlerë për të gjithë.

Dhe unë në tre minutat e mia fola për poezitë e burgut si dëshmi dhe për revanshin e nostalgjikëve të komunizmit, të oficerëve të diktaturës, të konvertuar, dhe e mbylla fjalën time duke thënë se në Shqipëri nuk është aq i madh rreziku i rikthimit të komunizmit, sepse nuk ka ikur rrënjësisht, gjendet në mendësi dhe bëma, në simbole dhe tekste…   

Shumë nga folësit cituan dhe papën polak, Shenjtin Gjon Pali II, e citova dhe unë, i pari papë që ka vizituar Shqipërinë, thashë, në dy mijë vjet krishtërim dhe Shenjtëria e tij porosit se nuk na duhet një demokraci pa virtyte. Ai u dha zemër polakëve dhe jo vetëm, që të guxonin të ngriheshin. Dhe Muri i Berlinit, që ndante botën dhe njerëzit u shemb. Ra dhe perandoria komuniste.

Po në mjediset e parlamentit, të gjithë së bashku pastaj, vizituam ekspozitën “Shtypit klandestin” në komunizëm, broshura, libra, bojra, makineri dore, gazeta e deri te Solidarnosti.

Dhe në Shqipëri kanë shpërndarë trakte, kanë guxuar. Ne bëmë dhe një letërsi të fshehtë dhe krijuam lexuesin tonë të fshetë në burg. Por që të kujtohesh te ne, zakonisht o duhet të jesh i huaj, o i pushkatuar.

Pasdite Maksi dhe unë ishim të ftuar në Universitetin e Varshavës, u intervistuam për studentët nga padagogu Adam Balcer, dinte dhe shqip.

Maksi paraqiti nga grafikat e tij, një golgotë vuajtjesh, kryqin dhe monstrat e dhunës, mundimin e qendresës, një cikël marramendës, estetika e çgjunjëzimit krenar, me shenjtëri njeriu…

Unë fola për gjuhën në diktaturë, se si u godit gjuha liturgjike, teksa po sundonte gjuha e ftohtë, ajo sloganeve dhe e urrejtjes si draper dhe çakan dhune, etj, etj.

Shëtitjet e fundit në Varshavë. Andej nga Qyteti i Vjetër, i rrënuar i tëri gjatë Luftës II Botërore nga bombardimet dhe i ringritur siç ishte, me rrugët me kalldrëm, me kishat. Edhe Tirana jonë, modernizuar dhe bërë metropol i Ballkanit, duhet ta dojë më shumë vetveten e hershme, rrugicat, urat, ngrehinat, teatrin, shtëpinë e Musine Kokalarit, etj, etj, ta ruajë fort kujtesën e saj prej guri.

Eda gjeti Kishën e Kryqit të Shenjtë, futemi këtu, na tha… ku është murosur zemra e muzikanitit të madh, me kërkesën e tij, teksa vdiste larg. Vetëm zemra, se trupi i prehet në Paris.

Polonia ka zemrën, po, po ka zemër të madhe Polonia plot me dashuri dhe muzikë, me art dhe kujtesë zëmre, me poetë e shkrimtarë nobelistë, ka një popull heroik me histori, me kulturë të fuqishme katolike, europiane, me njerëz  të zakonshëm gjithë edukatë e dinjitet, sheshe të bukur e të pastër, parqe natyralë pa kufi, dritë nga qiell sublim verior.

Dhe më vjen zëri i tim eti që thoshte se Shqipëria është krijuar për të plasur zemrat e shqiptarëve, e ka thënë Dedë Gjo Luli, shtonte.

Ndjeva rektima të shpeshta, duhej të ishin emocionale. Përsëri në sallën VIP të aeroportit “Frederic Chopin” në Varshavë, sikur të ishim  brenda në zemrën e Shopenit. Teksa pinim çaj, Maksi po na fliste për “Pllakatin Polak”, që është shumë i arrirë, ndoshta më i suksesshmi në botë dhe mua befas në etazherin e madh përballë, mes librave të shumtë më kapi syri një album pllakatesh. E nxora prej andej dhe po e shfletonim. Maksi na tregoi nja dy autorë, i kishte njohur, madje dhe i kishte shoqëruar gjatë vizitave të tyre në Tiranë. Teksa na shpjegonte linjat, gjetjet, kumtet, ngjyrat, shoqëruesja polake tha se po mësonte prej Maksit dhe për artin polak dhe se ku shkoi, veç kur u kthye duke buzëqeshur e i tha Maksit se albumin mund ta merrte si dhuratë nga aeroporti.

Avioni doli sipër reve të bardha në qiejt e Polonisë. Zbritëm në Vienën perandorake dhe, pasi humbëm avionin, në fakt ai na humbi ne, ndërruam disa aeroporte për të ardhur në Tiranën e pasmesnatës, me gjurmat e protestave rrugëve.

Taksia kaloi pranë ambasadës polake dhe m’u nëpërmend takimi me ambasadorin Karol Bachura, që pasi na dha kartvizitën e tij e unë i thashë që s’kam, ai u përgjigj: s’ka gjë, ju jeni vetë kartivizita e Shqipërisë.

E kishte fjalën për të përvuajturit, ish të burgosurit politikë. Po, po, por ne jemi kartvizita e humbur…

*Diciturat e fotografive:

1- Ne ekran e senatit duke folur, 
2- Me Maksin te Muri i pushkatimeve ne burg.
3 me Ministrin e Jashtem te Polonise,,ish i burgosur politik, z.Jacek Czaputowicz 
4- Ne Teater Maks Velo e Eda Zhiti
5 Ne Kishe, ku eshte zemra e Shopenit.
6. Ne Varshave, qyteti i vjeter.

Filed Under: Histori Tagged With: Visar Zhiti- Maks Vlo- Poloni

Dinastia Dilo Sheperi, historia përjetësohet në një libër

June 11, 2019 by dgreca

Historia na mëson se popujt humbasin dhe shuhen duke u dobësuar karakteri i tyre, dhe jo inteligjenca, ose pasuria. Reflksione për përmbledhjen e botimeve me titull “Në krahët e Shqiponjës Shqiptare”/

Nga Violeta M. Mirakaj/

Është një pasdite e ngrohtë fund maji, dhe gjithçka duket sikur ndriçon  dhe ndikon ne rrjedhshmërinë e mendimeve në vlerësimin e librit që më dhuroi autori  Eduard M. Dilo. Një përmbledhje e shkrimeve  botuar ne shtypin e kohës në disa vite të vëllezërve Dilo, Eduard dhe Bardhyl M. Dilo.

Vetë titulli i këtij botimi “Në krahët e Shqiponjës Shqiptare” të shtyn ta shfletosh njera pas tjetrës, dhe sheh se është një krijim i kujtesës mnemotike, mbështetet në kujtesën kolektive sa familjare , individuale dhe më gjerë; kujtesë kolektive e ikonizuar kujtesa si  shqisa të shpirtit.  E veçanta e  shkrimeve është jo vetëm se trokasin në  portën e historisë së vendit tonë, gjë që e tregon dhe vetë titulli i librit “Në krahët e “Shqiponjës Shqiptare “  po portretizimi i disa figura të saj që kanë bërë histori kanë vënë potencialin e tyre intelektual dhe patriotik në shërbim të vendit. Me të drejtë këto shkrime në shumicën e rasteve në formën e një eseje trokasin në ndërgjegjen e kombit. Duan t’u tregojnë bashkëkohësve dhe brezave se nuk mund të ketë një komb pa kujtesën e tij.  Krijimi hyrës i librit është “Refleksi, Edukata dhe përparimi i njeriut”një shkrim sa me karakter didaskalik e psikologjik dhe filozofik, tregojnë me kopetencë dhe logjikë se suksesin e njerëzve në jetë e bën më shumë karakteri i tyre se sa dituria që kanë. Japin një arsyetim midis  edukatës dhe arsimit. Nuk mund të kërkojmë shkëlqim edukate në një vend ku mungon edukata e demokracisë… Në qoftëse pretendojmë që të arrijmë rezultate në drejtim të edukatës, duhet të furnizojmë mendjen e rinisë me parime dhe t’i disiplinojme vullnetin. Eksperienca e njerëzimit në mjedisin ku jeton ka vërtetuar se njeriu nuk mund të ketë shokë dhe miq në qoftëse nuk sakrifikon një pjesë të egoizmit të tij, në qoftë se nuk le për kolektivin një pjesë të individualitetit të tij…. por vazhdojnë me arsyetimin në fakte se egoizmi individual është  me rrezik për stabilitetin e një populli, ndësa egoizmi kolektiv është i rrezikshëm për kombet e tjerë. Dhe konkludojnë se refleksi dhe urtësia  duke u mbështetur te Psikologjia  moderne ka treguar se roli i koshientit në jetën e përdishme është shumë më i madh  se roli arësyes koshiente….të cilët arrijnë në konkluzionin : Historia na mëson se popujt humbasin dhe shuhen duke u dobësuar karakteri i tyre dhe jo inteligjenca ose pasuria… Niveli moral i një populli, domethënë mënyra me të cilën mban disa rregulla të sjelljes cakton vendin e tij në shkallën e qytetërimit dhe pushtetin e tij. Krijimi i një ideali, mbështetur  në një edukatë të shëndoshë, që t’i japë popullit  ndjenja të përbashkëta, interesa të përbashkëta, disiplinë të ndërgjegjshme, besim në të ardhmen është rrugë e sigurt për t’u lartësuar nga barbaria në qytetërim. Kjo  hyrje studimore pasohet  me vlerësimet, portretizimet e dy patritotëve intelektualë  Kolë Tromara dheBahri Omari.Inkuadrimi i tyre bëhet duke i pozicionuar në kuadër të kohës si dhe pjesë të tërësisë tragjike të vendit tonë.  Dhimbja, revolta  e krijuesit është legjitim …një batare plumbash i shpoi trupat e tyre se kishin në shpirt një ideal…Zëri i  publiçistit vazhdon  “Të mos harrojmë ata që përgatitën kontigjentin e intelektualëve  atdhetarë demokratë.”  Historia familjare e vellezërve Dilo , troket në kujtesën e kombit.                                                                                               Viktoria  Ilia Dilo, një nga emblemat  e arsimit tonë kombëtar, pionere dhe veterane, “Mësuesja e Merituar” ishte vazhdimësia e të atit të saj Profesor Ilia Dilo, vigan i gjuhësisë shqipe , i cili njihet për hapjen e parë të shkollës shqipe,  më 1907 në Sheper të Zagorisë…. Por dhe mbi të, si dhe në gjithë familjen ranë pesha e e një kalvari  vuajtjesh të persekucionit të sistemit që u istalua në vendin tonë. Lufta e ashpër klasore vazhdon publicisti, është e pamëshirshme edhe për familjen Dilo. Hapet rruga tragjedisë: Babai u vdes, tre vëllezër në azil të detyruar politik… Bëhet pyetja, pse vallë gjithë ky tmerr i pashembullt  rrethon këtë familje të mirëfilltë intelektuale dhe patriote ?  Përgjigja- nuk mund të bënin kompromis në dëm të Shqipërisë, nuk mund të bënin kompromis në dëm të asaj që ju ishin kushtuar…Vlerësimi  i Viktoria Ilo Dilo pas viteve ’90 si  “Mësuese e Merituar”me motivacion :- Me personalitetin e saj të lartë moral, pedagogjik, metodik e shkencor ka mbetur në kujtesë si shembull i ndritur i mësuesit të talentuar e të respektuar…. po  autori  konkludon – Arsimi ynë kombëtar dhe ne, kemi nevojë për  njerëz si ajo…                                                                       Figurat e femrave janë në vazhdimësi, ajo e hallë Savës, apo Sava Levani Xhamballo, grua e rrallë, e urtë e dhimbsur mbetur  në kujtesë…                                                                                                   Nëse shkon sot në Sheper, ku lindi dhe vdiq mësuesi dhe studiuesi i njohur, Ilia Dilo, të cilët Sheperi i dha emrin e vetë, Ilia Dilo Sheperi, nuk gjen asnjë relikte, asnjë gjurmë . Si shenjë e vetme më 14 tetor 1945, kur atij iu hodh aty dheu. Më pas varri u hoq prej këte dhe eshtrat u vendosën mes varrezave të fshatit. “Vendosjani mes popullit për të cilin punoi “, ishte porosia ironike aq edhe e hidhur e udhëheqjes së lartë të partisë së asaj kohe! Megjithëse kishte një kontribut të çmuar në arsimin dhe shkencën gjuhësore shqiptare, emri i tij u hoq nga historia e popullit shqiptar, nga historia e gjuhës dhe e Drejtëshkrimit, ku ai kishte pjesën e tij shkencore , sado modeste të ishte kjo pjesë. U retushuan fotot e tij me patriotët dhe studiusit më në zë të kohës. Po kështu emri i tij nuk u përfshi si zë më vete në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985.

“Procesi”, në emër të luftës së klasave                                                                                                                                             Pa pretendimin se po bëhet një kujtim historik i plotë, të bie në sy shkrimi mbi “Dëshmorët e Gërhotit- Dëshmorët e Kombit.” Rrëfimi  i tradhëtisë në këto momente të historisë, të masakrës në Gërhot, na del figura e Hysni  Lepenicës, ku shpirti i tij ishte ushqyer me vetëtimë e gjëmim topash që nga Lufta heroike e Vlorës, si luftëtar i kësaj lufte. Personazhet nuk mjaftojnë vetëm nga Jugu i Shqipërisë  vazhdimësia është dhe në trevat e tjera, historia e një kombi është gjithë Shqipëria. Nuk mund të harrohet Profesor Burhan Musa Juka, ku jeta në mërgim i rëndonte në shpirt, dhe  nuk mungoi të thosh fjalën e duhur për Shqipërinë dhe shqiptarët, e fjala e tij peshonte rëndë.      Dënohet në mungesë me vdekje me etiketimin “Armik i Popullit”, Dr Jani Dilo.  Paradokset e kohës bëjnë të vetën, vetëm se ideali i tij ishte Shqipëria, Shqipëria në të gjitha trevat e saj shqipfolëse.Duke cituar vlerësimin nga Prof. S. Repishti, -“Jani Dilo i takon breznisë idealiste të RilindjesKombëtare, breznisë së Mit’hat frashërit, dhe të tjerëve si ai”. Familja Dilo vazhdon me Margarit dhe Qirjako Dilo, si dy shtylla të nacionalizmit të cilët diktatura nuk i mposhti. Ata janë të brumosur me kulturën e lashtë përparimtare, me kredon dhe edukaten familjare që- e drejta vetëm të bën të lirë, e të çliron nga çdo ankth  e frike.. …kalvari  dhe masakrat vazhdojnë këta dy vëllezër zhduken njeri pas tjetrit duke ju nënshtruar një detyrimi  jete plot dhimbje dhe vështirësi. Tërhiqet vemendja, duke kujtuar se ka ardhur koha, që figura si Koço Ilia Dilo, dhe gjithë të tjerëve t’u jepen vlerësimi i duhur…Kthimi  mbrapa në histori, apo kujtesa për figura të tilla si Çajupi, vendi nga jane vëllezërit Dilo, i bën ata me të drejtë krenar, si vazhdimësi i udhës kulturore dhe atdhetare të këtij Rilindasi të madh. Rrefyesi gërsheton dijet e lexuara me kujtimet e kaluara familjare.                                                                         Homazhi për Prof .Dr.Safete.S Juka, si një figurë e madhe kombëtare, bëhet me një elokuencë por dhe me kërkesën që t’i bëhet nderimi i duhur me një pllakë në kujtim të gjestit të saj. Ajo la amanet që krejt kursimet e jetës së saj  t’i shkojnë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë…..Një shkrim plot mbresa dhe kujtim plot dhimbje jep autori te ““Jemi shqiptarë” i thashë”.   Kujtimet në atë ditë korriku vazhdon autori, në atë sallë gjyqi të mbushur me gjimnazistë, po zhvillohej një nga tragjeditë që dhe Shekspiri i madh do ta kishte zili…në emër të luftës së klasave luhej dhe vihej në lojë jeta e njeriut të pafajshëm. Kaosi i mendimit dhe i gjykimit ishte i pranishëm, të dukej vetja si te “Procesi” i Kafkës…..Ndjeshmëria fëminore ravijëzohet në lotët që mbulonin faqet e nipit, i cili ishte i pranishëm, po nuk mund të harronte zërin e të akuzuarit, kumbimin në atë sallë të zbrazët- “Mos ngatërro Atdheun dhe popullin me partinë. Atdheu dhe populli janë Shqipëria….”  Këto kujtime janë dërmuese, por nuk duhet të harrohen, që e nesërmja kurrë të mos përsëritet. Si për ta përmbyllur këtë libër me shkrime vëllezërit Bardhyl & Eduard M. Dilo; ndalen në mbresat e udhëtimit “ Mrekullitë e Kosovës.”. Pas kthimit në atdhe pas shumë vitesh në emigrim, mrekullohen nga transformimet dhe evolimet që kishin ndodhur në vendlindje dhe kudo. Udhëtimi turistik në trevat e Kosovës miqësia dhe ngrohtësia vëllazërore me miq dhe dashamirës kosovarë, tregohen nga autorët me nota dhe ngjyra të ngrohta mbresëlënëse si për të treguar se nuk ka Shqiptari pa Kosovë e Maqedoni.  Krenaria legjitime që ndjenë vëllezërit Dilo ishte e pamatë kur në stendat e Shtëpisë Muze të Prizrenit, ashtu si shprehen vetë na “priste” e na “përshëndeti” fotografia e patriotit zagoriot Mihal Harito, një ndër kryesorët e asaj Besëlidhjeje historike, fotoja e poetit sheperiot A.Z.Çajupi i cili pasohet nga theksimi që bën studjuesi Prof. Ramadan Asllani:-se Gramatikën e Ilia Dilos e ruan si libër të shenjtë për gjuhën shqipe. Gjuha është njësia matëse e një kombi të vetëm dhe koha do ta tregojë…

Filed Under: Histori Tagged With: Dinastia Dilo-Sheperi- Violeta Mirakaj

8 QERSHORI – DITA E BESËS SË LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

June 11, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte 10 Qershori i vitit 1878 kur është mbajtur Kuvendi Kombëtar në Prizren, ku u përfaqësuan të gjitha krahinat e Atdheut, me qëllim, sipas fjalëve të Abdyl Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqëve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, ka thënë ndër të tjera, Abdyl Frashëri.

Aty u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare”, si organizata e vetme kombëtare Shqiptare, objektivi i të cilës do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve në luftën për të mbrojtur territoret autoktone shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare të gjithë Shqiptarëve.  Një Komitet Qendror u krijua për të drejtuar Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që u morën vendime me rëndësi historike për Kombin dhe i cili do të ushtronte kontroll mbi të gjitha degët e tija.  Ky Komitet, si enti përfqsues më i lartë i Lidhjes së Prizrenit, kishte një përfaqësi mbarëkombëtare prej 47 antarësh nga të gjitha trevat shqiptare.  

Qershori i vitit 1878 ishte muaji i Lidhjes së Prizrenit, por edhe i memorandumeve, peticioneve që hartuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare dhe të terësisë tokësore, por edhe i protestave të organizuara anë e mbanë trojeve shqiptare. Në një memorandum të datës 13 qershor, 1878, shkodranët i shkruajnë, ndër të tjera,  kryeministrit britanik të asaj kohe, Lordit Beaconsfield: “… Ashtu si nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte sllavë, ose austriakë ose grekë… Ky karakter kombëtar që nuk është përgnjeshtruar kurrë dhe që ka luftuar ngadhnjimisht kundër egërsisë osmane për më shumë se katër shekuj, nuk mund dhe nuk duhet të zhduket tani në këtë shekull qytetërimi nga dora e aeropagut evropian…”.

Nga protesta e 16 qershorit, 1878 në Shkodër, në një memorandum të nënshkruar nga 320 përfaqsues të popullësisë së rretheve të Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës, Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës e tjera, ndër të tjera thuhet: “Ne të nënshkruarit, në emër të të gjithë populit, kemi nderin të shpallim se kombi shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, që ndryshon prej sllavëve… është njëzëri i vendosur të mbrojë Atdheun e vet kundër ndarjes së terrritorit që është projektuar, si një veprim që është në kundërshtim me historinë e tij, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij…” 

Ndërsa në memorandumin drejtuar ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha,  disa personalitete shqiptare që ndodheshin në Stamboll, shkruajnë: “Duke i parashtruar Kongresit dëshirat e veta dhe duke iu lutur që t’i marrë ato parasysh, populli shqiptar proteston përball Evropës kundër aneksimit të cilësdo pjesë më të vogël të truallit të tij nga një komb tjetër dhe shpall se është gati të bëjë fli të gjitha fuqitë e veta jetësore dhe ushtarake për ta mbajtur këtë vendim suprem, të cilin e konsideron si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”

Në letrën protestë kundër të popullësisë së sanxhakut të Prishtinës drejtuar Kongresit të Berlinit më 25 qershor, 1878 kundër mizorive të kryera mbi popullësinë shqiptare prej ushtrive serbe, ruse, malazeze dhe bullgare, shkruhet: “..Po qe se do të ndodhte flijimi i kombit tonë dhe ky do bëhej viktimë e padrejtësive të lartëpërmendura…ne do të vdesim me dner deri tek njeriu i fundit, që të mos jemi aspak viktima e këtij nënshtrimi…”.  

Ndërsa në letrën e dalur nga protesta kundër mizorive të kryera prej ushtrive ruse e bullgare, drejtuar Kongresit të Berlinit me 26 qershor, 1878 nga popullësitë e rretheve të Dibrës, Matit, Gjakovës Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Pejës, Manastirit, Kërçovës, Vuçiternit, Gjilanit, Mitrovicës, Senicës, Gucisë,Lumës, Prizrenit, e tjera, thuhet: “…askush nga ne nuk mund të nënshtrohet pa derdhur gjakun deri te njeriu i fundit…”.

Dhe në vendimin që mori Lidhja Shqiptare për Jugun në mbledhjen që u bë në Janinë me 24 korrik, 1878 për ti kërkuar qeverisë osmane bashkimin e torjeve shqiotare në një vilajet të vetëm për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi, thekësohet se, “Shqiptarët, të udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike, e gjithë Toskëria dhe Gegëria, u betuan dhe lidhën besën me shkrim për të mbrojtur ttokën e shenjtë të vendlindjes…”.  (Citimet e mësipërme marrë nga libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881”, Kristo Frashëri).

Në parathënien e librit të Krsito Frashërit, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, thuhet se, “Sipas traditës së lashtë shqiptare, sa herë që vendin e kërcënonte armiku i huaj, çdo krahinë mblidhte kuvendin e saj popullor dhe aty merrej vendimi për të rrëmbyer armët kundër agresorit të jashtëm. Pastaj njëri prej tyre ftonte të gjitha krahinat e kërcënuara në një kuvend të jashtëzakonshëm ndërkrahinor. Secila krahinë dërgonte në këtë kuvend të madh përfaqsuesit e vet, të cilët, pasi pelqëronin çështjen që shqetësonte vendin dhe pasi miratonin vendimin për një rezistencë të përbashkët, formonin një besëlidhje ndërkrahinore dhe zgjidhnin një kryesi për drejtimin e saj…Zotimi që merrnin pjesëmarrësit e besëlidhjes konsakrohej me besën tradicionale shqiptare. Kush e shkelte besën poshtërohej përball shoqërisë dhe si i tillë dënohej moralisht…”.

Ja ku jemi sot! Është qershori i vitit 2019, çereku i parë i shekullit 21.  Shqipëria as Kombi shqiptar nuk përballen me ndonjë kërcënim të jashtëm serioz, por fatkeqsisht përballen me atë që At Gjergj Fishta e ka cilësuar dikur si rrezikun e përbrendshëm. Burrat e Lidhjes së Prizrenit ishin më të përparuar dhe më patriotë se përfaqsuesit e sotëm të klasës politike shqiptare, megjithse kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore ishin shumë më të vështira për ta, në krahasim me gjëndjen e sotëme të shqiptarëve. Besëlidhja e tyre kundër armikut dhe sfidave të përbashkëta konsakrohej me besën shqiptare! 

Mjafton t’i hedhësh një sy medias shqiptare kudo, për të parë se ku e ka katandisur Kombin sot, kjo klasë politike.  Ku janë sot burrat e besëlidhjes dhe të besës shqiptare?  Përball këtij rreziku të mbrendshëm, udhëheqsit shqiptarë, në vend që të lidhin besëlidhje në emër të interesave madhore të Kombit për zgjidhjen e sfidave dhe të kundërshtimeve politike, i shkruajnë njëri tjetrit letra nga larg dhe trokasin dyerve të kancelarive evropiane — jo për të mbrojtur intresat kombëtare kundër synimeve armiqësore të të huajve — por për tu ankuar kundër njëri tjetrit, para autoriteteve të jashtme.  

Nëqoftse qershori i vitit 1878 ishte muaji i shpresave për Kombin Shqiptar, i besëslidhjes dhe i besës për të shpëtuar Kombin nga kërcënimet e armiqëve të jashtëm,  qershori i vitit 2019 — ndonëse Kombi shqiptar nuk kërcënohet nga ndonjë armik i jashtëm — pa dyshim është muaji dhe viti i zhgënjimeve politike e shoqërore, mos më keq, pasi rreziku është i mbrendshëm dhe i shkaktuar nga vet klasa politike aktuale e shqiptarëve, vetëm e vetëm për hir të interesave të tyre personale e partiake. Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë, në këtë 141-vjetor të saj.  U bën thirrje, në emër të karakterit kombëtar, që të dilni ngadhnjimtarë nga ky kaos dhe egërsi politike në të cilën e kini hedhur vendin.  Ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit, të “udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike” të shqiptarëve dhe jo “në kundërshtim me historinë e tij, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij…”.  Besoj se duhet të jeni të vetdijshëm se, nëqoftse me të vërtetë reflektoni mbi veprimet tuaja politike sot, ato janë në kundërshtim të plotë me historinë e Kombit shqiptar, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij kombëtare dhe politike.  Në këtë përvjetor, burrat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bëjnë thirrje ju – klasës aktuale politike të shqiptarëve, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë — që të vendosni interesat e Kombit mbi të gjitha, të zgjidhni problemet tuaja politike bazuar në një besëlidhje të konsakruar me besën tradicionale shqiptare, ashtu siç bënë ata në kohën e tyre, me qëllim sipas Abdyl Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqëve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” – “si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…” 

Për ndryshe, jeni në udhën e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me historinë e shqiptarëve, në përgjithësi, përfshirë angazhimet dhe zotimet e burrave të Lidhjes së Prizrenit, 141 vit më parë.  Si të tillë, nëqoftse vazhdoni në këtë rrugë, do të poshtëroheni politikisht dhe do të dënoheni moralisht –si politikanë individë dhe si grup politikanësh — nga ky brez dhe nga brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.  

Filed Under: Histori Tagged With: Frank Shkreli-Lidhja e Prizrenit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 266
  • 267
  • 268
  • 269
  • 270
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT