– Në Poloni, në vendin me zemër të madhe –
Nga Visar Zhiti/
Në Varshavë, pak ditë më parë, u mbajt një takim ndërkombëtar me rëndësi për kujtesën e njerëzimit, ndërsa tek ne, nga shkaku i kujtesës së keqe, ka një krizë të rrezikshme, nga që s’ditëm të përballemi me të shkuarën diktatoriale, me pasojat e saj, me tetashmen e korruptuar e të vjedhur, që nuk sjell të ardhme, por kthim të dëshpëruar pas.
Në Varshavë u mblodhëm dhe folëm në senat ish të burgosur politikë nga të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore në samitin e kryetarëve të parlamenteve të këtyre vendeve, duke filluar nga Polonia, vendi pritës dhe organizator, nga Humgaria, Sllovenia, Kroacia, Sllovakia, Çekia, Serbia, Gjermania, Bosnja, Bullgaria, nga Rusia dhe ish republikat e ish Bashkimit Sovjetik, Ukraina, Armenia, Azerbaxhani, tartarë, etj.
Patjetër që ishim dhe nga Shqipëria, ku nuk kemi dhe aq zë, i cili tradhëtohet gjithnjë e më shpesh, .
Samiti i Varshavës ishte organizuar nga parlamenti dhe senati i Polonisë me rastin e 30 vjetorit të zgjedhjeve të lira të vitit 1989, duke e konsideruar atë si “Vitin e Lirisë së Popujve dhe Fitore të Fjalës së Lirë”, teksa tek ne nuk dime të bëjmë zgjedhje, sepse na vetëzgjidhen ata që i çorodisin zgjedhjet për interesa që “ikin në drejtim të pa ditur”, veç jo të vendit.
Në Varshavë u shpalosën përvojat kolektive e vetanake nëpërmet fjalës dramatike të ish të burgosurve politikë në perandorinë komuniste, e gjitha kjo për një njohje më të gjerë e më të thellë të së shkuarës së përbashkët, për një përballje ndaj sfidave të kohës moderne, që politikanët e të gjitha vendeve të dinë të vepronë më mirë e më drejt, u tha atje.
Po këtu ç’bëjnë politikanët tanë? Shihet dhe ajo që nuk shihet, por nuk po bëhet ajo që duhet…
.Por po flas për takimet në Poloni, mbase ndihmohet dhe kujtesa jonë për më mire.
Të gjithë të ftuarit si fillim shkruan në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku u takuam zyrtarisht me Ministrin Jacek Czaputowicz, ish i burgosur politik. Ju jeni ministrat e vërtetë, u tha ndër të tjera ai miqve nga bota e persekutimit.
Më pas pritja ceremoniale në Parlamentin e Republikës së Polonisë nga Kryetari i Parlamentit z. Marek Kuchcinski dhe Kryetari i Senatit z. Stanislaw Karczewski, me parakalimin e Rojeve të Nderit me flamur dhe shpata dhe himne, e gjitha në nderim të qendrestarëve dhe heronjve në përballje me diktaturat.
Në radhën hijerëndë të flamujve, në krye ishte dhe Flamuri Shqiptar.
Mes të ftuarve të shumtë aty takuam dhe Znj. Mimi Kodheli, përfaqësuese nga parlamenti shqiptar si dhe ambasadoren e Shqipërisë në Poloni.
Pastaj dy seancat e samitit në senat, me dëshmi dhe ide, me dramacitet dhe hijen e zhgënjimeve, me kundërvënie e shpresë, ku përhiteshin telat me gjëmba dhe rrezet e ditës… teksa më vinte një si rrapëllimë, mos dëgjoheshin protestat e Tiranës deri këtej? Jo, ishte zhaurima e butë e tramvajeje, të cilët në fushata zgjedhjesh premtoheshin, por që nuk kanë nisur ende tek ne, janë harruar dhe as që e kanë rradhën ata, madje as vetë zgjedhjet.
KUJTESA NË TË SHKUARËN:
Si të burgosur politikë të dikurshëm nga Shqipëria e sotme, së bashku me Maks Velon, ishim të ftuar dhe unë me Edën.
Do të desha të thosha ca fjalë për Maksin, që sa do pak, e di që marrin domethënie dhe tregojnë jo vetëm atë, por dhe të tjerët përreth, shoqërinë, qëndrimin ndaj vuajtjes njerëzore dhe vlerave që krijohen, ku ai është ndër më të shquarit. Maks Velo është personalitet i kulturës tonë, krijues dhe veprimtar, me njohje më përtej, në Europë dhe Amerikë, do të thosha. Arkitekt me profesion, me vepra të njohura në Tiranë si “pallati kubist” i shkrimtarëve, për të cilin dhe u kritikua dhe që do të ndikonte në dënimin e tij, piktor ndërkohë, i veçantë, pararendës i modernes, ku përzihej antropologjia shqiptare me avanguardizmin europian, tradita me risinë, “njolla e zezë” e artit me fatin… veprat e tij në pikturë do të digjeshin me vendim gjyqi, si abstrakte, që nxinin realiten socialist… te Maksi ka dhe muzikë, ai ka marë mësime pianoje që nga fëmiania, muzikë të heshtur dhe linja e gjeste valleje të ngrirë e ajo përzihet me marrshet funebre të kohëve të mëpasme ashtu si dhe rrëfimi i tij, i shndërruar në letërsi, prozë dhe poezi dhe dokument.
`Bashkëvuajtës me të, në të njëjtin burg, në Spaçin e tmerrshëm, ku vazhdimisht revolta e dikurshme e ’73 e trandëte tokën nën këmbët tona, Maksin e njoha atje, ku edhe pse i burgosur, spikaste aristokracia e tij, qoftë dhe në hutimet në rresht apo në humorin e zi. Edhe në të ngrënë në mencën e ferrit, kishte qytetari. Dinjitet në përballjen e urisë kombëtare Brenda telave me gjëmba.
Edhe aty me Maksin bisedohej për artin, librat dhe jetën dhe antijetën, për tiraninë dhe neverinë e rënies morale përreth, vjedhjet dhe spiunimet dhe injorancën shtetërore, e shenjuar me gardianët e deri lart. Si artikekt ai thirrej në përmirësimin e mjedisit, që ç’mundej, e kthente në dobinë e të burgosurve.
Kujtoj që në burg unë kisha maninë t’i ruaja tregimet dhe poezitë që lexonim në revistat që na lejoheshin, i grisja prej tyre, që të mund t’i rilexoja kur dilnim nga miniera, nga puna e rëndë prej skllavi. Fletët i bashkoja, ia jepja këpucarit të burgut të m’i qepte me gjëlpërën e trashë të opingave dhe pastaj Maksi u sajonte kopertinat, tjetër vepër kjo me “mjetet rrethanore”, me një figurinë nga revistat, me gërmat që i priste nga gazetat, I ngjiste një nga një duke krijuar titullin e veprës, emrin e autorit. Ende ruaj dy antologji të tilla, një me poezi dhe një tjetër në prozë, Maksi më bëri një kopertinë elegante për dramën “Jerma” të Lorkës, po kështu dhe me pjesët e romanit të mëvonshëm të Kadaresë “Dosja H”, botimi i parë i së cilës iu bë në burg, nga ne, unikal, vetëm në një kopje, që ia dhurova Kadaresë pas burgut.
Maksi në liri bëri hakmarrjen më të bukur, me vepra dhe art, ekspozita pikture brenda dhe jashtë vendit, me albume e studime, poezi e tregime, që kanë tërhequr vëmemedjen dhe janë përkthyer dhe botuar dhe në vende të tjera.
Maksi e shohim në ekranet e televizorit, në debate e protesta, në avanguardë, por dhe të tërhequr, të zhgënjyer, të urtë, por dhe shpërthyes befas, i acaruar me gjithçka që i duket e padrejtë.
Ndërkaq Maksi udhëton shumë. Ftohet si ish i burgosur dhe si artist, që tashmë i janë bërë një e vetme. Përvojë dha art.
Po shkonim në Poloni, por duhej të ndërronim avion në Vjenë.
– Të tjerë vuajtën burgun dhe të tjerë bëjnë festën, – i thashë pa të keq znj. Jonila Godole, veprimtare e kujtesës, të cilën e takuam rastësist në aeroport.
Para ca ditësh kishin përkujtuar me nderime dhe bujë dy revoltat tona, në burgjet e Spaçit e të Qafë Barit, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, e pikërisht atë, Maksin, arkitekt në burg, që mund të jepte ide të vlefshme më mirë se kushdo se si mund të shndërrohet në muze, kishin harruar ta ftonin, edhe mua, që atyre qosheve infernale të burgut kisha shkruar poezi, ca dhe të bëra me mend në fillim, që i fshihnim vrimave, në kashtën e dyshekut apo nën tokë, madje pata fatin t’i nxjerr poezitë para se të dilja dhe vetë nga burgu, i kam botuar shumicën dhe janë përkthyer. Në revoltën e Qafë-Barit isha Brenda. Kam shkruar dhe një libër mbi 500 faqe për burgun e Spaçit, “Rrugët e ferrit” dhe po aq për Qafë Barin “Ferri i çarë”.
Natyrisht në ato manifestime përkujtimore në Spaç e Qafë-Bari ishin bashkëvuajtës nga tanët, miq plot, dhimbja jonë dhe ne u ndjemë së bashku me ata dhe i mbartim si shqetësim dhe atje ku po shkonim. Në Varshavë.
Aspak nuk i harrojmë ndryshimet e vendit për mirë dhe çështë bërë për ne, jo pak, dimë të jemi mirënjohës, por të burgosurit shqiptarë kanë bërë shumë e më shumë për vendit, themele në baltë dhe vepra, kujtes:e dhe art dhe shpërdorimi i të persekutuarve të diktaturës është shpërdorim i lirisë, I ndërgjegjes, i kohës dhe i vetes. Sipas një shkrimtari nobelist, i qenë dhe në kampin e Aushvicit, çdo qeveri, institucion e individ, kuptohet se ç’janë, nga qendrimet që mbajnë ndaj vuajtjes njerëzore, “burgut”, tashmë të shndërruar dhe në kulture, po sipas tij.
Pak a shumë biseda të tilla po bënim me Maksin, por kishim nevojë për ca qiell më shumë, që vetëm avioni na i jepte, Pegasi modern prej duralumini. Sa alumin kemi nxjerrë në burg? Bakër më shumë, pirit i përzier me flori. i gjithë për të tjerët, i vjedhur…
E shikoja me adhurim Maksin, kishte një si re të bardhë mbi krye, leshrat e zbarthura, në moshën e thyer të burrit, trupmadh, diçka mes Hemingway-it dhe Anthony Quinn, me çantën e lëkurës mbi sup, sportiv, ashtu siç mund ta ndeshim duke vrapuar në parkun e Tiranës, edhe pse 84 vjeç, i urtë si një akademik, gjaknxehtë si ai që ka të drejtë, artist dhe në gjeste, bisedon dhe për grate ashtu si për pikturën dhe artet.
Megjithatë dhe midis reve lart po flisnin dhe për burgun, ferri ngjitet dhe atje ku s’e prêt, për shoqatat e shkatërruara të të burgosurve, për krizën shqiptare, zgjedhjet pa zgjidhje, zgjidhjet pa zgjedhje, politikën, shpërdorimin e vujatjes të mijëra e mijëra të persekutuarve, edhe instutcionalisht, edhe parlamentarisht, edhe presidencialisht, edhe nga ne vetë, nga ata si ne, që duhej të na përfaqësonin, përtej narcizizmit të përgjithshëm, biznesit me vuajtjen e të tjerëve apo persekutimin që vazhdon me format e një demokracie trashanike, me korrupsion të përditësuar, edhe moral… dhe buzëqeshim hidhur.
KUJTESA NË TË ARDHMEN:
Në aeroport “Frederic Chopin” në Varshavë na pritën befas te salla VIP, pa asnjë radhë për pasaportat, siç duket ne i kishim kaluar radhët e gjatë që më parë, ato të të dënuarve, tani vazhdonte mirënjoja edhe në vend tjetër e nga të tjerë. I them këto, je se ne e donim, por shoqëria jonë duhet të dijë të nderojë… vuajtjen si dhe vetveten.
U takuam me të tjerë si ne, nga Europa Qendrore e Lindore. Mikrobuzin tonë rrugëve të gjera të Varshavës, mes blerimeve “qytetare” gjithandej, e paraprinte makina e policisë. Prapë me policë? Për të na ruajtur, dikur si “të rrezikshëm”, tani nga “rreziqet e rrugës”.
Nga “Regent Hotel” shkuam në “Muzeun e ushtarëve të mallkuar dhe të burgosurve politikë të Republikës Popullore të Polonisë”. Brenda në Varshavë, në qendër a afër saj. Ushtarë të mallkuar apo e përktheva gabim? Që këtu fillon dënimi i diktaturës. Telat me gjëmba, porta të larta, qeli, por me tualetin brenda. Muri i pushkatimeve, kurorat me lule. Nën tokë qelia e varjeve. Deri në vitin 1956, pastaj komunizmi polak u zbut, veç në Shqipëri mbeti diktaturë e egër staliniste, një gjysmë shekulli paranojë me Enver Hoxhën.
Autobuzët komodë me makinat e policies para dha pas ndalënnë “Kështjellën Mbretërore”. Dreka me gjithë të ftuarit nga Europa. Në mbrëmje në Teatrin Wielki, Opera Kombëtare Polake. Ndër më të mëdhatë në botë. Shkallë mermeri, kolona, katet e llozhave. Shoh programin: “Moniuszko – Mazurka nga opera “Halka”… Fryderyk Chopin, Fantazi… Górecki, “Tre valle për orkestër..”. Vezullime të ylberta dritash, duartrokitje të gjata.
Nga burgu në opera. Nga kujtesa e tronditur në muzikë qiellore. A ka patur në Tiranë ndonjëherë shfaqje për spektatorë të tillë? Nëpërmend… kujtoj drama të tjera.
Në takimin me Ministrin e Jashtëm të Polonisë Maksi tregoi një ngjarje me të burgosur që i kishte njohur, një grup armiqësor, i sajuar me agjentë polakë, që prej torturave pranuan, ndërsa kryetarja e grupit, një grua polake, e martuar një Shqipëri, nuk pranoi, Qeveria polake atëhere mbajti peng një anije shqiptare në Gdans, në port, o lironi qytetaren time, – iu drejtuan me ultimatum qeverisë shqiptare, – o… po qytetarët shqiptarë kush mund t’i mbronte nga qeveria e tyre, as avokat s’kishte, s’lejohej…
Edhe në Senat fjala e Maks Velos bëri përshtypje. Mes duartrokitjeve ai u ngrit dhe shkoi në krye, u dhuroi Kryetarit të Parlamentit dhe Kryetarit të Senatin nga një album të vetin, shenja këto që në Shqipëri vuajtjen ai e kishte shndërruar në kujtesë arti, në vlerë për të gjithë.
Dhe unë në tre minutat e mia fola për poezitë e burgut si dëshmi dhe për revanshin e nostalgjikëve të komunizmit, të oficerëve të diktaturës, të konvertuar, dhe e mbylla fjalën time duke thënë se në Shqipëri nuk është aq i madh rreziku i rikthimit të komunizmit, sepse nuk ka ikur rrënjësisht, gjendet në mendësi dhe bëma, në simbole dhe tekste…
Shumë nga folësit cituan dhe papën polak, Shenjtin Gjon Pali II, e citova dhe unë, i pari papë që ka vizituar Shqipërinë, thashë, në dy mijë vjet krishtërim dhe Shenjtëria e tij porosit se nuk na duhet një demokraci pa virtyte. Ai u dha zemër polakëve dhe jo vetëm, që të guxonin të ngriheshin. Dhe Muri i Berlinit, që ndante botën dhe njerëzit u shemb. Ra dhe perandoria komuniste.
Po në mjediset e parlamentit, të gjithë së bashku pastaj, vizituam ekspozitën “Shtypit klandestin” në komunizëm, broshura, libra, bojra, makineri dore, gazeta e deri te Solidarnosti.
Dhe në Shqipëri kanë shpërndarë trakte, kanë guxuar. Ne bëmë dhe një letërsi të fshehtë dhe krijuam lexuesin tonë të fshetë në burg. Por që të kujtohesh te ne, zakonisht o duhet të jesh i huaj, o i pushkatuar.
Pasdite Maksi dhe unë ishim të ftuar në Universitetin e Varshavës, u intervistuam për studentët nga padagogu Adam Balcer, dinte dhe shqip.
Maksi paraqiti nga grafikat e tij, një golgotë vuajtjesh, kryqin dhe monstrat e dhunës, mundimin e qendresës, një cikël marramendës, estetika e çgjunjëzimit krenar, me shenjtëri njeriu…
Unë fola për gjuhën në diktaturë, se si u godit gjuha liturgjike, teksa po sundonte gjuha e ftohtë, ajo sloganeve dhe e urrejtjes si draper dhe çakan dhune, etj, etj.
Shëtitjet e fundit në Varshavë. Andej nga Qyteti i Vjetër, i rrënuar i tëri gjatë Luftës II Botërore nga bombardimet dhe i ringritur siç ishte, me rrugët me kalldrëm, me kishat. Edhe Tirana jonë, modernizuar dhe bërë metropol i Ballkanit, duhet ta dojë më shumë vetveten e hershme, rrugicat, urat, ngrehinat, teatrin, shtëpinë e Musine Kokalarit, etj, etj, ta ruajë fort kujtesën e saj prej guri.
Eda gjeti Kishën e Kryqit të Shenjtë, futemi këtu, na tha… ku është murosur zemra e muzikanitit të madh, me kërkesën e tij, teksa vdiste larg. Vetëm zemra, se trupi i prehet në Paris.
Polonia ka zemrën, po, po ka zemër të madhe Polonia plot me dashuri dhe muzikë, me art dhe kujtesë zëmre, me poetë e shkrimtarë nobelistë, ka një popull heroik me histori, me kulturë të fuqishme katolike, europiane, me njerëz të zakonshëm gjithë edukatë e dinjitet, sheshe të bukur e të pastër, parqe natyralë pa kufi, dritë nga qiell sublim verior.
Dhe më vjen zëri i tim eti që thoshte se Shqipëria është krijuar për të plasur zemrat e shqiptarëve, e ka thënë Dedë Gjo Luli, shtonte.
Ndjeva rektima të shpeshta, duhej të ishin emocionale. Përsëri në sallën VIP të aeroportit “Frederic Chopin” në Varshavë, sikur të ishim brenda në zemrën e Shopenit. Teksa pinim çaj, Maksi po na fliste për “Pllakatin Polak”, që është shumë i arrirë, ndoshta më i suksesshmi në botë dhe mua befas në etazherin e madh përballë, mes librave të shumtë më kapi syri një album pllakatesh. E nxora prej andej dhe po e shfletonim. Maksi na tregoi nja dy autorë, i kishte njohur, madje dhe i kishte shoqëruar gjatë vizitave të tyre në Tiranë. Teksa na shpjegonte linjat, gjetjet, kumtet, ngjyrat, shoqëruesja polake tha se po mësonte prej Maksit dhe për artin polak dhe se ku shkoi, veç kur u kthye duke buzëqeshur e i tha Maksit se albumin mund ta merrte si dhuratë nga aeroporti.
Avioni doli sipër reve të bardha në qiejt e Polonisë. Zbritëm në Vienën perandorake dhe, pasi humbëm avionin, në fakt ai na humbi ne, ndërruam disa aeroporte për të ardhur në Tiranën e pasmesnatës, me gjurmat e protestave rrugëve.
Taksia kaloi pranë ambasadës polake dhe m’u nëpërmend takimi me ambasadorin Karol Bachura, që pasi na dha kartvizitën e tij e unë i thashë që s’kam, ai u përgjigj: s’ka gjë, ju jeni vetë kartivizita e Shqipërisë.
E kishte fjalën për të përvuajturit, ish të burgosurit politikë. Po, po, por ne jemi kartvizita e humbur…
*Diciturat e fotografive:
1- Ne ekran e senatit duke folur,
2- Me Maksin te Muri i pushkatimeve ne burg.
3 me Ministrin e Jashtem te Polonise,,ish i burgosur politik, z.Jacek
Czaputowicz
4- Ne Teater Maks Velo e Eda Zhiti
5 Ne Kishe, ku eshte zemra e Shopenit.
6. Ne Varshave, qyteti i vjeter.