• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VASIL DUDA- SHKËMBI ZAGORIT I QENDRESËS ANTIKOMUNISTE

June 10, 2019 by dgreca

                                  (Dudajt e Sheperit)/

– Sipas shënimeve të nipit, Jani Duda, të disa bashkëfshatarëve dhe miqve të Familjes si dhe sipas dokumenteve të kohës.

NGA KOCO STERJO/

TRUALLI…

            Në dasmën e Altean Dudës, këtij djaloshi bukurosh e të urtë, si gjithë Fisi i Tij, në Sheper të Zagorisë, bilbili i Kolonjës së Gjirokastrës, Bujar Koshi, një mik i Familjes, do të improvizonte në çast një këngë për miqësinë e tij me Dudajt, nën refrenin:

“Derë e Dudaj- Derë e madhe!”,

Vargje që gjithmonë do të më kumbonin në tru si zile për bukurinë e tyre të krijimit e të të kënduarit të labit e do të më qendronin në shpirt si një erë e ngrohtë jugu si dhe do të më jepnin të drejtë për miqësinë time me atë Derë.

Vërtet e madhe!

Jo aq për nga numri i pjesëtarëve se sa për bujarinë e saj dhe mikpritjen, për talentet që kishte nxjerrë nëpër kohëra e vijonte të nxirrte, për të gjitha virtytet më të mira të popullit tonë që ajo mbartte.

“Jemi në Sheperin e legjendave, ku njerëzit, nëpër gojdhanat e tyre dhe shkrime historike për paraardhësit, tregojnë se është luftuar me “bajlozë” që vinin për t’u marrë tokat dhe pasuritë. E tillë është gojdhana për Vangjel Muzhën, gjigandin që luftoi dhe vrau shtatë “bajlozë”, ajo për Shpellën e Dyfekut ose Shpella e Riganje, kur zbret nga Qafa e Dhëmbelit për në Përmet, ndodhia e vërtetë në Kodrën e Sinorit, jo shumë larg, por vetëm tre breza më parë, ku sheperiotët vranë Bajramin, pjesëtarin e një bande që kishte ardhur për të vjedhur. Kur erdhi nëna e tij për ta vajtuar te varri, sipas zakonit të lashtë shumëshekullor të krahinës, vajtën dhe gratë e fshatit për t’iu ndodhur pranë, dy prej të cilave ishin gjyshet e mia, të cilat ma kanë rrëfyer ngjarjen,- shfleton nga dosjet e tij kujtimore trashëgimore Ylli Dilo, njeri nga pinjollët e sotëm të Dilenjve të Ilia Dilo Sheperit,- Nëna e vajtoi të birin me këto fjalë: “Vrave, bir, prandaj të vranë/ Jetimë ke lenë, jetimë t’i lanë…” Ndoshta, në këto gojdhana e gjen burimin Çajupi, kur shkroi “Mysafirët e Çajupit”. Ka të tjera të tilla për burra që punonin jashtë mundësive njerëzore për të mbajtur mirë gratë dhe fëmijët, si rasti që gjendet në historikun e familjes Xhamballo, i cili përcillet me rimë: “Qiro Xhamballo, o burrë,/ Vadit me kaçup lëkurë,/ T’ ushqesh Ngjelinën me grurë.” Të gjitha këto rrëfime popullore tregojnë bëmat e rreth tetë brezave më parë,- përfundon ligjëratën e tij për këtë pjesë Dilo.”

Jemi, kësisoj, në Sheperin e palcës së atdhetarisë, në atë fshat, në krye të fshatrave të tjerë të Zagorisë, i mbështjellë nga krenaria kombëtare prej figurave madhore të kombit, si: Andon Zako Çajupi- poeti i madh i lirisë dhe dashurisë, Aristidh Ruci- firmëtari dhe financuesi i Pavarësisë së Atdheut në Vlorë, Ilia Dilo Sheperi- gjuhëtari i vyer, babai i gramatikës së shqipes, Pano Xhamballo- dëshmori partizan i Luftës së Dytë Botërore, Jani Dilo- “misionar i kombit” nëpër botë.

Është Sheperi që priti e përcolli me qindra luftëtarë të inkuadruar në dy brigadat sulmuese, të 8- të dhe të  14- të, të cilat morën bekimin e lirisë në sheshin e lisave të Çarrokut si dhe vendi ku qendroi e veproi Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë- Gjirokastër dhe Misioni Anglo- Amerikan.

Është Sheperi, i pari dhe i vetmi fshat i krahinës, i dekoruar dy herë: me medalje të Çlirimit dhe të Kujtimit, direkt pas Luftës, nga organet më të larta të shtetit komunist të kohës.

Është Sheperi i gati mbi dy duzina burrash që, fill pas këtyre dekorimeve, iu nënshtruan persekutimit të gjatë politik, po komunist, për 45 vjet me radhë, si për ironi të fatit të atyre veprave të mira që kreu për Atdheun.

Pikërisht, nga ky truall patriotik, bujar e mikpritës, qendrestar si vetë shkëmbinjtë e vendlindjes, që rrënjët i ka në thellësitë e tokës e kreun afër yjeve të qiellit, që ditë për ditë përkëdhelet me diellin në lartësitë e Dhëmbelit, vijnë edhe Dudajt e Sheperit, me thjeshtësinë e tyre madhështuese, me bukurinë shpirtërore, me granitin e karakterit të paepur, me zërin e bukur të bilbilave dhe kanarinave, me gjithçka të mirë që ka prodhuar gjindja njerëzore dhe balta arbërore.

RRËNJËT DHE DEGËT…

            Andon Zako Çajupi, në një vjershë të tij për fshatin e lindjes, ku, me anë të çdo strofe, portretizon  seicilin prej bashkëfshatarëve, zbulon edhe prejardhjen e Dudajve të Sheperit:

“…Duda ish prej Elbasani,

Duda ish, po shkoi e vate.

Përmbi varrin q’e kanë venë

Kanë mbirë manushaqe…”

            Janaq Duda e Harallamb Duda, vëllezër me njeri- tjetrin, janë emrat e parë që ne mundëm të arrijmë të gjejmë te rrënjët. “Babanë e gjyshit, Janaq Dudën, e vranë hajdutët te sheshi i shkollës, si hakmarrje për sheperiotët.”, – thonë kujtimet prej të parëve të vet të Jani Dudës (i Riu). Ende nuk dihet mirë se për ç’vite e ç’rrethana bëhet fjalë në këtë kumtim. Ka gjasë që vrasja të jetë kundërpërgjigje e rastit të Kodrës së Sinorit, të përshkruar më lart prej Ylli Dilos. Ka gjasë tjetër që ngjarja të jetë e viteve 1914- 1917, harku kohor që përfshin hakmarrjen e hormovitëve për Masakrën e Hormovës kundër fshatrave të krishterë të Lunxhërisë, Zagorisë dhe Malëshovës, meqë është përcjellë ajo pjesë e fjalisë që thotë:”… si hakmarrje për sheperiotët…”. Libri i bashkautorëve LLukan Saqellari e Milo Kristani “Hoshteva dhe hoshtevjatët” na tregon për parapërgatitjen e një masakre të tillë në Hoshtevë nga banda e Mero Lamçes, të cilën hoshtevjatët e shmangën me zgjuarsi e trimëri, por që, një ardhje tjetër e beftë e bandës, i gjeti të papërgatitur dhe u bë shkak që të mblidhte disa burra në oborrin e thellë të Markaj, t’i rrihte çnjerëzisht, sa njeri prej tyre do të vdiste pas pak ditësh. Edhe libri “Doshnica” i bashkautorëve Mitro e Ligor Tingo na e përforcon ngjarjen e parë, pra, dështimin e bandës në Hoshtevë, duke na dhënë të njëjtin përshkrim, por dhe një detaj më shumë, në interes të hipotezës së shfaqur më lart për ngjarjen e Sheperit me objekt Janaq Dudën. Autorët thonë se, fillimisht, banda e Mero Lamçes, e veshur dhe paraqitur si “koshadhe”, pra, si forca qeveritare, zbriti në Sheper (ku mundet të ketë vrarë Janaq Dudën) dhe që andej iu bënë lajm hoshtevjatëve t’i prisnin. Hoshtevjatët kundërshtuan. Aherë, “koshadhet” iu drejtuan autoritetit të Petro Haritos (autorët thonë “deputetit”, por nuk jam i qartë për parlamentarizmin e kësaj periudhe në Shqipëri, ndaj po e marr me rezervë) dhe Harito iu bëri thirrje hoshtevjatëve ta prisnin “çetën qeveritare”, por këta i vunë kusht ardhjen e vet Petros bashkë me “koshadhet”. Dhe ashtu ndodhi. Por, gjatë pritjes bujare të hoshtevjatëve, sipas zakonit shekullor, “koshadhet” filluan ta zhveshin “rrobën” e tyre (“…Ishin veshur si koshadhë…”,- thotë kënga kushtuar Masakrës së Doshnicës) dhe të shfaqin fytyrën e vërtetë kriminale, duke publikuar, nën efektet e alkolit, qëllimin e vërtetë të “vizitës”. Aherë, hoshtevjatët e mbledhur në atë drekë mikpritjeje dhe Petro Harito, në një mendje, iu bënë thirrje hormovitëve të ngrihen e “të ikin me kohë të mirë”. Në këtë çast, rastisi të zbrezë një bari lab nga Mali i Hoshtevës e të kthehet, ku pak më parë ziente kënga e dollia, bari që i njihte disa prej pjesëtarëve të bandës dhe u thotë: “Ç’bëni akoma aty?! E dini që jeni të rrethuar nga djemtë e këtij fshati dhe qysh tani mund t’ju sulmojnë?” Banda u ngrit e iku, por pa hequr dorë nga qëllimi i mbrapshtë i saj. Duke u paraqitur se iu drejtua Malit të Çajupit, për të ikur përfundimisht në shtëpitë e tyre, ata rrëshqitën përfund Hoshtevës, anës së lumit dhe u gjendën në Doshnicë, ku do të përsëritnin në atë fshat Masakrën greke të Hormovës, në miniaturë për nga përmasat, por të njëjtë në përmbajtje, mënyrë dhe efekte. Me këtë akt, shqiptarët e Hormovës kanë treguar dobësinë e tyre kriminale, gjenetike dhe shoqërore, dy herë më të fuqishme se të grekërve, se po vrisnin, po me therje, vëllezërit e tyre shqiptarë të një gjaku si dhe për faktin se po i përgjigjeshin Masakrës së fshatit të tyre, mbi njerëz krejtësisht të pafajshëm, dhe me të njëjtën monedhë, siç e kishin pësuar vetë, jo larg, por vetëm 3 vjet më parë, më 1914.

Mirëpo, gjasat janë gjasa dhe kanë rëndësinë e tyre kureshtare e kërkimore, për të arritur tek e vërteta, por më pranë të vërtetës janë vetë sheperiotët. Jani Duda thotë se dajua i tij, Aristidh Capari, ruan këtë ngjarje, për rastin në fjalë, nga arkivi i tij i kujtesës: “Në ato kohëra, Sheperi ruhej nga lebërit hajdutë dhe kishte caktuar roje që kontrollonin rrugën nga Gryka e Selckës dhe te rruga që shkohej në Përmet. Roja ishte një burrë nga Muzhajt, të cilit nuk ia kujtoj emrin (patjetër ka qenë pasardhës i Vangjel Muzhës së Ylli Dilos,- Shënimi im, K.S-). Një ditë roja kapi dy hajdutë dhe i shpie te kisha. Për t’i ruajtur atë natë, vunë si roje Janaqin. Ndaj të gdhirë ata arritën ta vrasin dhe ikin. Duke ikur, në të dalë të fshatit, vrasin dy gra që, dhe atyre, nuk ua kujtoj emrat. Njera arrin të shpëtojë dhe dëgjoi hajdutët të thoshnin:- Ta vrasim dhe këtë, se do tregojë! Por, tjetri tha: – E, përse? Ne tani ikëm.”
            Mundet që gjasat dhe ajo çka thotë Capari të kenë ndodhur në të njëjtën kohë.

(Ndjesë për zgjatjen në këtë episod të dhënë vetëm e vetëm për të ndriçuar disi kuadrin, në të cilin mundet të jetë vrarë Janaq Duda!)

Mirëpo, ish Mësuesi Ksenofon M. Dilo, nip i Ilia Dilo Sheperit, e shpie njohjen e Rrënjës edhe më tej në kohë, në essë- në e Tij “Për Njerëzit e Vërtetë!”, kushtuar Dudajve të Sheperit e, veçanërisht, Aleks Dudës, Shokut e Mikut të Tij të fëmijërisë, rinisë dhe gjithë kohës. Ai bën fjalë për Shkurti Dudën, të cilin turqit e arrestuan dhe po e kalonin nga Selishta për në Përmet, të prangosur dhe shoqëruar me dy roje. “Në të dalë të Sheperit, aty në një shkëmb, si një dragua, Shkurti ngriti duart dhe, më shumë me forcën e shpirtit, goditi prangat mbi shkëmb e ato, nga forca e madhe, u këputën. Të dy rojet, të çmeritur nga kjo që e panë me sy, por që qe e shpejtë si rrufe, sa të mblidhnin veten, hëngrën nga një grusht prej duarve të sapoliruara dhe u rrokullisën, ndërsa Shkurti i Dudajve fluturoi drejt Lirisë…” Këtë mundet të kishte patur parasysh Çajupi në vjershën e tij.

Janaq e Harallamb Duda lindën fëmijë të mbarë. Janaqi me Licën do të lindnin Vasilin e pamposhtur dhe tri vajza: Poliksenin- gruan e patriotit të madh sheperiot Nasho Idrizi, Milinë- mëmën e Miço Kagjinit dhe Eftihinë, martuar në Pacaj, që, ndryshe, mbiemëroheshin edhe- Suli, kurse Harallambi me Tanën do të lindnin: Stathin, Athinanë (mëmën e Profesor Themo Mandilit, Andonit etj.), Evdhokinë, Leonidhën dhe Perikliun (Belon, siç e njihnin bashkëkohësit me emrin familjar). Breznitë e Leonidhës me Kostandinën do të vazhdonin me Evanthinë, Viktorinë, Harillon e Sotirin, kurse Belua me Savën, një grua fisnike, e fisme, si mbesë e Ilia Dilos, kishin pesë vajza: Ksenofoni, Ulia, Vergulla, Frida dhe Tefta. Sotir Duda, pikërisht, për shkaqet biografike, me vonesë do të vijonte Universitetin dhe arriti të bëhej një kimist i shquar në Ndërmarrjen Gjeologjike, Gjirokastër, ku do të zbulonte fosforin e Fushë Bardhës, pas një pune shkencore dhe analizash shumëvjeçare. Tri vajzat e Belo Dudës: Ulia, Vergua dhe Frida do të ishin të tria mësuese të talentuara, me gjithë bashkëshortët e tyre. Kurse vajza e fundit e Tij, Tefta, ishte nxënësja më e shkëlqyer e Gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë, në kohën që kreu studimet e mesme.

(Shënim i shtuar, shënimi im: Siç vërehet në paragrafin më lart, edhe në Sheper paskemi patur mbiemrin Suli, sikundër e kemi atë edhe sot e kësaj dite në Hoshtevë dhe në Zhej. Historianët e krahinës dhe vetë familjarët e dy rasteve të fundit thonë në shkrimet e tyre se janë të ardhur nga Suli i Janinës. Kohën e saktë të ardhjes ende nuk e dimë, por, dihet, përgjithshëm, se zhvendosjet e suliotëve ndodhën në kohën e raprezaljeve turke dhe ekspeditave ushtarake të Ali Pashë Tepelenës kundër krahinës shqiptare të Sulit.)

Djemtë e Dudaj, gjysma e parë e shekullit XX do t’i gjente tregëtarë të mesëm, me dyqanet e tyre të konfeksioneve, kryesisht stofra, në Gjirokastër e Delvinë. Pronarët e këtyre dyqaneve ishin Leonidha e Belo Duda si dhe kushëriri i parë i tyre- Vasili, me detyra të ndara: Leonidha siguronte lidhjet me parinë e vendit dhe merrej me çështjet që kishin të bënin me qeverinë; Belo Duda do të lëvronte tregëtinë me jashtë: në Greqi e deri në Itali, kurse Vasili, kryesisht, punonte në arkën e dyqanit. Jani Duda, sot, shprehet: “ Si tregëtarë që ishin, sipas të thënave të babait tim dhe të njohurve të tjerë, nga fitimet e tyre ndihmonin të varfërit, ndihmonin në bërjen e pajave vajzat që nuk ishin mirë ekonomikisht, ndihmonin Kishën dhe Komunën, duke qenë, në këtë mënyrë, një Familje mesatare në të ardhura, por e pasur në virtyte.” Këtë dëshmon edhe bashkëfshatari i tyre Ylli Dilo, që, siç e përmendëm edhe më lart, vjen nga Familja e Madhe e Dilenjve të Sheperit. Gratë e tyre jetonin në Sheper dhe punonin arat bashkë me puntorët që kishin punësuar, siç kishte çdo familje e mesme në atë kohë.

Fëmijët, pasi mbaruan shkollën në fshat, në kohën para Luftës së Dytë Botërore, i dërguan ta vijonin atë në Delvinë, Gjirokastër etj. dhe, kur përfunduan studimet e mesme në këto qytete, i studiuan jashtë shtetit, kryesisht, në Greqi. “Nga ata që patën fatin të studiojnë jashtë vendit, – rrëfen më tej, jo pa një ndjenjë të lartë krenarie, Jani Duda,- ishte babai im- Miltua dhe kushëriri i tij- Harillo Duda, i cili, ky i fundit, jetoi me profesionin mjek përgjithmonë në Greqi. Hallë Evjeninë nuk e dërguan jashtë, por u mjaftuan t’i jepnin një shkollë për punë shtëpiake, shkollë shumë e preferuar për kohën që flasim.”

Familja Duda, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, mbajti një qendrim patriotik. Vëllezëria Duda nuk mori pjesë në formacionet luftarake, por ndihmoi me vlera monetare. Dhe shtëpitë e tyre u bënë strehë dhe mbajtën me bukë luftëtarët, ashtu si pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare dhe, veçanërisht, ato zagorite. Në kohën e Luftës bujti aty, bashkë me partizanët, edhe babai i Mehmet Shehut. Tregojnë se gratë e shtëpisë, për t’i kënaqur sa më mirë, u servirën miqve mish lepuri të egër. Kur pyeti dhe mësoi se ç’lloj mishi ishte, Shehu u revoltua, pasi feja nuk ia lejonte. Edhe Mehmet Shehu, kur ka ardhur në Sheper në vitin 1944, u strehua po në shtëpitë e Dudaj.

Pas Luftës, të gjitha këto mirësi njerëzore dhe shpenzime materiale e monetare u shpërblyen me pabesi, me arrestimin e menjëhershëm dhe burgimin e gjatë e të tmerrshëm të Vasil Dudës dhe, si për shumë familje të tjera patriotike, filloi kalvari i vuajtjeve. Para arrestimit, Vasil Dudën e tregojnë një burrë të gjatë, të pamshëm e të zgjuar, pamjes fizike të të cilit do t’i përafrohej ajo e djalit të tij- Lekos, për ata që njohën këtë të fundit.

Arrestohet në vitin 1946 dhe, fillimisht, mbahet në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, bashkë me disa bashkëfshatarë të tjerë. Aty është përballur me torturat më çnjerëzore. Bashkëfshatarët e tij që patën të njëjtin fat- burgun politik: Margarit Dilo, Sotir Haxhiu dhe Themo Muzha, e tregonin Vasilin të papërkulur në hetime dhe në vuajtjen e rëndë të dënimit.

Dënimi, sipas link- ut në internet “kujto. al” që arkivon dhe publikon krime të komunizmit në Shqipëri, mban numrin e Vendimit 245, datë 20.11.1947, nga Gjykata Ushtarake, Gjirokastër, me “25 vjet burg, konfiskim i pasurisë dhe heqje e së drejtës elektorale për 5 vjet”.

Motivacioni: “Pjesëmarrje në një organizatë tradhëtare dhe venie në shërbim të Sillog- ut të Janinës; ka rekrutuar elementë, ka dhenë informata me karakter sekret.”

            Dihet tashmë mirë se, po të vëresh motivacionet e shumë të dënuarëve politikë të asaj kohe nga Jugu i Shqipërisë, të rezultojnë me akuzën “agjentë grekë”. Kjo akuzë, përveçse është sa masive, aq edhe e padrejtë, e pafaktuar, nga ana tjetër, është edhe antikombëtare, në mënyrë të pandërgjegjshme në thelbin e saj nga vetë shteti komunist që e drejtonte akuzën absurde, sepse shuma e këtyre akuzave shpie ujë në mullirin e atyre qarqeve shovene që mbrojnë idenë e “vijës së artë” deri në Shkumbin…Sikur të gjithë jugorët janë agjentë grekë e, më thellë, janë grekë…Tepëria e diçkaje lufton vetë diçka-në…

            Sipas dokumenteve origjinale të Familjes, Vendimi i 20 Nëntorit 1947 i Gjykatës Ushtarake, Gjirokastër, e dënon me vdekje, kurse Gjykata e Lartë, me Vendimin e saj të datës 8 Janar 1948, e le me burgim të përjetshëm.

             Siç shihet, ka mospërputhje mes dokumenteve dhenë familjes prej organeve të drejtësisë dhe atyre që publikon një Institucion i posaçëm, i cili, me siguri, i referohet dokumentacionit bazë të gjykatave, ku kemi të njëjtin numur Vendimi dhe Datë për gjykimin e parë (Vendim nr. 245, datë 20.11.1947), por ndryshon masa e dënimit: Institucioni e ka gjetur atë dënim “me 25 vjet burg” etj., kurse familja disponon po atë Vendim me “dënim me vdekje”, të cilin Gjykata e Lartë e kthen në dënim “me burgim të përjetshëm”.

Pikërisht, në këtë mospërputhje te Vendimi bazë dhe mbështetur te fakti që Vasil Duda thuhet se “vdes në spital”, por trupi as i jepet, as i tregohet familjes dhe zhduket, mund të fshihet një enigmë e madhe- enigma e zbatimit të atij Vendimi që ka në dorë familja, i cili e ndëshkon “me vdekje”, por realizuar në një kohë tjetër, më vonë, pa i lenë mundësinë e zbatimit Vendimit të Gjykatës së Lartë “me burgim të përjetshëm” dhe pa bërë fjalë aspak pastaj për “burg 25 vjet”… Pra, vetë shteti i mëparshëm mund të jetë “ngatërruar” me këmbët e veta me vendimet e tij për jetën e një njeriu, të cilën, si shumë jetë të tjera, as e kishte fare në llogari…

Ja, ç’tregon njeri prej bashkëvuajtësve: “Vasili e kishte më të vështirë se ne, se ishte më i moshuar dhe jo mirë nga shëndeti, por qendroi si burrë. Ai përballoi tortura të tmerrshme, si: hekur të skuqur në këmbë etj., duke ua bërë të qartë njëherë e përgjithmonë falangave të Sigurimit: – Nuk do t’i merrni kurrë florinjtë nga unë! I kam florinjtë e punës sime, të djersës sime, të sakrificës sime, të familjes sime, të jetës sime! Ta mblidhni mendjen njëherë e mirë!

Kur ktheheshim nga puna, na detyronin që karrocat t’i merrnim në krahë dhe jo t’i tërhiqnim në rrota. Vasili, nga pafuqia, në një rast, u rrëzua me gjithë karrocë dhe, për këtë, kur arritëm në Kala, policët e dënuan të rrinte, për rreth një javë, në një vend të rrethuar me tela me gjemba, pa mbulesë, në mes të shiut dhe të erës, vetëm me 200 gram bukë të misërt, më shumë të mykur, dhe një gotë me ujë në 24 orë.”

            Ksenofon M. Dilo thotë se “…Vasil Duda ishte njeri puntor e i ndershëm…Torturat që hoqi i shkreti Vasil, në burgun e Gjirokastrës, ishin të tmerrshme. Si të gjitha torturat që kishte shpikur mendja djallëzore komuniste. Por, goja e Tij nuk u hap. E tërhiqnin me karrocë në oborrin e burgut dhe e qëllonin të gjithë langonjtë me shkopinj. Më thoshte xhaxhai im, Margariti që ish edhe ai në burg në atë kohë. Trupi i Tij u mblodh sa një grusht, por nuk iu dha asgjë hienave…Vuajti dënimin e Tij në Burgun e tmerrshëm të Burrelit, me ndihmën e familjes së tij pranë. Gruaja e Tij e mirë shkonte gjithmonë si një Zonjë e vërtetë dhe e takonte aty, duke i shpurë edhe të lejueshmet, sa herë që shkonte. Aty, në Burgun e Burrelit, u shojt Vasili i mirë, i respektuar prej të gjithë bashkëvuajtësve, të cilët e kishin si Shenjt e flisnin me ‘Të çdo gjë, të sigurt se i kishin kyçur në një kasafortë mendimet dhe sekretet e dëshirat e tyre…”

            “Gjithashtu,- vijon tregimin e tij Jani Duda,- mbesa e gjyshes sime, Viktori Xhamballo (Dilo), motra e Dëshmorëve të Atdheut: Pano e Spiro Xhamballo, tregon me ngashërim: – Njëherë, bashkë me nënë Sorkën, gruan e Vasilit, shkuam në burgun e Kalasë, për ta takuar, por mbetëm pa fjalë. Ai qendronte dy metra larg nesh, pas hekurave; me zor e njohëm, kaq shumë ishte dobësuar dhe tjetërsuar.

Ajo nuk mund të rrijë pa kujtuar edhe nga koha më parë, ajo e Luftës:- Pas djegies së fshatit, në Qershor 1944, kur mbetëm vetëm me rrobat e trupit dhe u kthyem nga Rapavica, xha Vasili na dha rroba për t’u veshur dhe shumë stofra, jo vetëm neve që na kishte të afërm, por gjithë fshatit. Mua më dha dhe lekë, për të blerë makinë qepëse, të cilën e bleva në Korçë te Vëllezëria zagorite “Qirjako” dhe qepa me ‘të çfarë na dha i miri Vasil.”

            Të paepur burrë e grua: Vasil Duda dhe Sorka Levani! Si Vasili në burg, dhe Sorka në fshat. Shpesh herë, në mbledhjet e fshatit, do t’i kundërviheshin, duke ia përmendur faktin se burrin e kishte në burg (metodë e njohur kjo e komunistëve për poshtërimin dhe përkuljen publike të njerëzve), dhe ajo, gjithmonë, do t’u përgjigjej: ”Burgu për burrat është!”

            Më vonë, Vasil Duda transferohet në Burgun famëkeq të Burrelit. Aty, bashkëvuajtës të tjerë, nga Gjirokastra dhe rrethi i saj, si: Muhamet Hoxha dhe Stefo Petro, kanë treguar që Vasil Duda ishte Simbol i Rezistencës dhe ishte kthyer në sistem referimi për këtë Rezistencë për të tjerët. Në burg thuhej:” XY rezistoi si Vasil Duda.”

            Mirëpo, në Burgun e Burrelit torturat e katandisën në gjendje tejet të mjerueshme, sa do ta kthenin në pacient të Spitalit të Burgut të Tiranës. Në një prej vajtjeve atje, të shikonte babain, vajza e tij, Venua, ishte me gjithë të bijën e saj, rreth 10- 12 vjeçe, Viktorinë. Vasili e pyeti: – Kush është Ajo? Kur dëgjoi të vërtetën, sytë i shpërthyen në lotë.

            Nusja e djalit të tij, Thimjos, Violeta Duda, që ka jetuar me vjehrrën, kujton prej saj: “Kur shkonte vjehrra ta takonte, një ndihmë shumë të madhe i ka dhënë Harito Çapi, i cili ishte ushtar në Burgun e Burrelit. Kjo nuk ishte e lehtë atëherë. Harito Çapi, më vonë, jetoi në Durrës dhe, në punë e sipër, u aksidentua rëndë. Kur mori vesh Sorka për ‘Të, tha: – Atë djalë, sa është e mundur, ta ndihmoni, jua le amanet, se atë që më ka bërë Ai, nuk e bën çdo njeri!”

Telegramin për vdekjen e Vasil Dudës familjarët e morën në Janar të vitit 1959. Këtë informacion e sjell mbesa e Tij- Viktori (Marto) Shore. Vdiq apo e vdiqën në Spitalin e Burgut të Tiranës, pa kryer as gjysmën e dënimit, në gjendje të mjerë dhe pa një varr, për ta qarë gruaja, fëmijët dhe të afërmit, duke u kthyer në ikonë prej Heroi për ‘Ta, e cila do t’i shoqëronte gjatë gjithë jetës.

Aso kohe dhe pas Shembjes, nga Familja janë bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e varrit, por pa rezultat.

“ Në dhomë, me ‘Të, ka qenë edhe Themo Muzha, vëllai i Niko Muzhës,- do të vijonte shfletimin e kujtimoreve Ylli Dilo,- Dhe ai- i dënuar politik. Mbaruar Universitetin në Athinë për ekonomi dhe i laureuar me medalje nga Universiteti.”

Ky pasazh tregon qartazi se kë po godiste “koha e re”…

Nga ana e gruas së tij, Sorka Levanit, Vasil Duda ishte në rrethin e të afërmve të dëshmorit partizan Pano Xhamballo. Sorka e kishte Panon nip, djalin e motrës. Po të studiosh dhe shumë raste të tjera, të këtij lloji, të paktën në Zagori, vëren se i është mëshuar “së keqes” kundrejt “së mirës”, edhe kur, në fakt, “e keqja” nuk ka qenë vërtet e keqe. (Le të quajmë, për rastin në fjalë, “të keqe”- pasurinë materiale…). Dikush, prej ithtarëve të diktaturës, do ta justifikojë këtë me të ashtuquajturën “drejtësi” të sistemit, ku Diktatori nuk pyeti as për kunatin e tij apo kushëririn e tij, por, në analizë të thellë të atyre realiteteve, nuk përputhet thelbi me shfaqjen. Si për ta ilustruar më tej përfundimin e mësipërm, shtoj se kjo praktikë absurde shkonte deri te vetë komunistët, kur ata ndërthureshin, nga ana e bashkëshortëve të tyre, me elementin e “rrezikshëm”, edhe pse vetë vijonin të qendronin në parti, pasardhësve të tyre nuk u jepeshin të drejtat që u takonin në bazë rezultatesh dhe aftësish, sepse, më shumë se qenia e njerit prej prindërve komunist, peshonte ana tjetër- “biografia e keqe” e prindit tjetër…

Vasil Duda konsiderohet Shkëmbi Zagorit i Qendresës Antikomuniste, një masiv aspak inert, por i gjallë, në përmbajtjen e të cilit mbinë lisa dhe bar gjithmonë i gjelbër, rrënjëmpleksur me Shkëmbin e pamposhtur prej stuhisë së keqe që kaloi mbi ‘Të!

BREZNITË- DEGËZAT “FRUTORE”…

Ndër breznitë e Dudaj do të përqendrohemi tek ato të Heroit tonë kryesor, tek ato që njohim më mirë dhe do të zgjerohemi pastaj te ndonjë shembull brilant në Familjen e Madhe…

Fëmijët e tij, Evjenia, Miltua, Aleksi dhe Thimjua, hoqën “të zitë e ullirit” nga ujqërit që uzurpuan pushtetin. Milon e heqin nga puna në ministri në Tiranë, si llogaritar, dhe e çojnë në Tepelenë dhe që andej e në fshat. Me punën e tij profesionale, me shembullin dhe sjelljen e tij në kooperativën bujqësore të Zagorisë, Milua do të mbetej në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën e bashkëpunuan me ‘Të në vite si njeriu i përkushtuar dhe i kompletuar i profesionit, korrekt në detyrë dhe sistem referimi. Dhe për bashkëfshatarët: Ai- burri i urtë e i sjellshëm, plot mirësi shpirtërore, veti të vyera, të trashëguara këto e të zhvilluara më tej. Mes fëmijëve të tjerë, vajzave, Milua me Llambrininë do të lindnin Janon- Djalin e vetëm, të cilin e njohim të gjithë sot këtu në rrjetin social FB si Poetin e mallit, nga më të mirët që, me një stil origjinal të admirueshëm na e sjell fshatin, me të gjitha “punët e Naimit” dhe “peripecitë e Çajupit”, aq shumë afër, kudo që ndodhemi nëpër botë, të shpërndarë si “zogjtë e korbit”…Do të lindnin Florikën, e cila ishte dhe është ende një talent në këngë, por që nuk iu hap rruga për në Liceun Artistik.

Dhe djemtë e tjerë, megjithë aftësitë e shkëlqyera intelektuale, do të mbaheshin me detyrim çobanë në fshat. Lekua dhe Thimjua kanë qenë nxënës të shkëlqyer në shkollën e Sheperit. (Shih: Studimin e Evjen Perit: “Nxënës të Shkëlqyer Zagoritë”!) Mirëpo, fati do t’u rezervonte atyre punët e rëndomta të fshatit. E, megjithatë, me urtësinë, sjelljen e tyre, me palodhshmërinë e përkushtimin në çdo lloj pune, me dijet që zotëronin e mësonin pa pushim në jetën e tyre të vështirë, me vështirësi të imponuara, do të arrinin të përfundonin deri specialistë të mirëfilltë të ndërtimit. Pas ndërrimit të sistemeve, Lekua do të zhvillonte në fshat ekonominë private, me një merak të veçantë e cilësi, si dhe do të ecte në gjurmët e të Atit, duke u marrë me tregëti të suksesshme. Në vitin 1992, Këshilli i Ri dhe i Parë i Komunës së Zagorisë, i zgjedhur nga zgjedhjet e para pluraliste lokale, do ta zgjidhte Aleks Dudën, njëzëri dhe pa kandidat konkurent alternativ, Kryetar të tij, detyrë, të cilën do ta kryente me qetësi, urtësi, rregullsi, largpamësi dhe në ekuilibër të fortë me vuajtjet e shkuara… (Për më tepër, për figurën e Leko Dudës, lexo kujtimet e Ksenofon M. Dilos në Shkrimin e Tij “Për Njerëzit e Vërtetë!”…) Fatkeqësisht, do të vdiste aq shpejt nga sëmundja e pashërueshme, duke lenë në pikëllim të papërshkruar jo vetëm familjen e të afërmit, por dhe të gjithë ne që e njohëm. Mes fëmijëve të tjerë, do të lindtte Mimoza Kosturin- Këngëtaren e talentuar lirike, e cila do të ngrinte në një rrafsh të lartë kualitativ trashëgiminë e zërit e të këngës të prindërve të saj, veçanërisht të Nënës së Saj, Tefta Dudës- Këngëtares së shumëmirënjohur të Këngës së Kurbetit, e cila, në vitin 1973, do të ndalohej të ngjitej me këngën e Saj të dashur në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës dhe do t’i ndalohej përfundimisht të kënduarit (!), për shkak të “biografisë politike”…Malëshovitët do ta kujtojnë Teftën me plot respekt e dashuri jo vetëm për këngët polifonike në rininë e Saj me grupin karakteristik të Malëshovës, por dhe si Mësuese.

Jani Duda, sot, do të shprehet: “Si vazhdë, edhe brezit tonë iu mohua e drejta për të vazhduar shkollat, edhe pse të shkëlqyer në mësime, disa edhe me talent. Edhe Moza, po të kishte lindur më shpejt, nuk do të kishte këtë Fat…” Si mik i kësaj Familjeje, e ndjej për detyrim njerëzor dhe intelektual t’i  përcjell publikut atë që kam dëgjuar prej vetë gojës së Tyre- Mirënjohjen për muzikantin gjirokastrit Roland Çene, i cili shembi barrierat e forta, por të pakuptimta të kohës për pengimin e Mimoza Dudës në udhën e talentit të Saj artistik!

Kurse Thimjua, pas Përmbysjes së Madhe, do të shkonte emigrant në Greqi, i suksesshëm, si gjithmonë, me punën e Tij. Fatkeqësisht, edhe Thimjua do të ikte shpejt në jetën e amëshuar…Djali i Tij, me trupin lastar e kollos, me fytyrën e bukur si Dielli në Dhëmbel, mban emrin e Vasil Dudës, si shprehje kjo e traditës së krishterë shumëshekullore, por dhe e trashëgimisë gjenetike dhe Kujtimit të Një Babai që një kohë e mbrapshtë e degdisi në Ferr, pa një Varr, ku të dashurit e Tij të vendosin një tufë me lule…

Tri Djem të Vasil Dudës dhe tri Nuse të Tyre, të gjashtë- bilbilë të trojeve zagorite…

Po e përmbyll këtë shkrim me një tjetër shembull domethënës nga Familja e Madhe e Dudaj- me vajzën e Belo Dudës, Vergullën, Mësuese në rrethin fqinj të Përmetit, shembull, i cili tregon përmasat njerëzore dhe intelektuale të Familjes. Dhe nuk po flas me fjalën time, por me atë të ish nxënësit të saj, Z. Xhafer Sadiku, në një Mesazh kuptimplotë, dërguar personit tim:

“Përshëndetje!

E përmend shpesh me respekt të madh. Me shumë respekt. Ka qenë mësuesja ime e klasës së 2- të, të 3- të, të 4- t, në shkollën 8 vjeçare të Zhepovës në Dëshnicë të Përmetit. Ruaj kujtimet më të mira dhe respektin më të thellë. Edhe për bashkëshortin e saj, Llazo Gjicin. Ishte drejtor i shkollës.

Të dy kanë qenë shumë të mirë. Llazon e kam takuar para dy vitesh, kur erdhi nga Greqia, por mësuese Vergon nuk e kam takuar që nga viti 1978.

Po, Vergua ka qenë e jashtëzakonshme!

……….

Dëshiroj gjithë të mirat! Nëse e takoni ose kontaktoni, ju lutem përcillini nderimet e mia më të mëdha dhe respektin tim më të thellë.

Në shkollën e Zhepovës kanë punuar shumë vite. Të gjithë nxënësit dhe prindërit e tyre i kujtojnë me respekt dhe nuk i kanë harruar, edhe pse kanë kaluar shumë vjet. Siç më tregonte Drejtor Llazua, i kishin thënë ata të partisë në fshat të më ulte notën në mësime. Ua kishte prerë: “Kurrë! Nëse atij do t’i ul notën, do të thotë që nxënësit e tjerë t’i ngel në klasë.” Kanë qenë të dy të mrekullueshëm. Emocionohem, kur i kujtoj. Ata kanë lenë gjurmë në jetën time.

Ju falënderoj që më emocionuat!

Ju uroj suksese dhe gjithë të mirat!

Xhafer Sadiku, Tiranë.”

            Edhe unë do t’u uroja gjithë të mirat lexuesve të këtij shkrimi!

(Shënim:

Në shkrimin e fjalëve, nuk i jam përmbajtur rigorozisht drejtshkrimit të tyre, sipas rregullit të shqipes, por disa prej tyre i kam shkruajtur me shkronjë të madhe, në mes të rreshtit, duke i konsideruar si fjalë kyçe, të cilat, në rregullin e anglishtes, pranohen të shkruhen edhe kësisoj…)

Ndjesë përsëri lexuesve për shkrimin e zgjatur disi përtej temës që lajmëron titulli kryesor i tij, duke e parë të arsyeshme se letërsia politike e ka të nevojshëm sqarimin e hollësishëm të kuadrit të përgjithshëm, ku kanë jetuar e vepruar personazhet e saj dhe të çasteve pikante e kulminante të historisë së përshkruar si dhe kam patur pikësynimin tim, si gjithmonë në shkrimet e këtij lloji, të ngrej edhe probleme me karakter përgjithësues në drejtim të stigmatizimit të Diktaturës dhe mbetjeve të saj sot!…)

Filed Under: Histori Tagged With: Koco Sterjo-Vasil Duda

HARRESA

June 10, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/ Rreth 20 milionë njerëz kaluan nëpër tmerret e kampeve të punës në Bashkimin Sovjetik. Të paktën 1,6 milionë prej tyre vdiqën. Ndër viktimat e represionit stalinist ishin gjithashtu njerëz nga vendet evropiane dhe SHBA. Aktualisht, në Rusi nuk ka ndonjë muze të ish kampeve Gulag nga epoka e Stalinit. Sidoqoftë, qindra kampe të braktisura ende janë të fshehura në taiga siberiane.
E njëjta situatë është me ish-kampet e punës së detyruar dhe burgjet i periudhës staliniste në Shqipëri, që janë kthyer në rrënoja, pa një shenjë kujtese. Thuajse asnjë muze nuk është krijuar, ndërsa ish të dënuarit enden të shpërndarë nëpër botë me statusin e azilantit. Vendi i tyre, që vuan nga politika e trashëguar, tregon se nuk i do, s’i mban dot, ose ata vetë ndjejnë se janë të padëshiruar dhe e vetmja rrugë që u mbetet është ikja, ose u mjaftuan me lirimin nga burgje, kampe e fshatra përqëndrimi, shpejt i harruan vuajtjet dhe i falën menjëherë autorët keqbërësit e tyre. 
Do të kalojë kohë, një brez i ri do të vijë kur këta ish-vuajtës të mos jenë më. Vendi do të zhvillohet e do përparojë. Por e njëjta histori do të përsëritet, sepse ajo qëndron e panjohur, mbuluar me heshtje e me pluhurin e harresës. Kur një shtet arrinë përsosmërinë më të madhe, fillon të bierë, thotë Makiaveli….dhe medoemos një ditë do të ringjallet.

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi-Harresa

Kostaq Stefa – kur bukuria shndërrohet në provë materiale të krimit

June 7, 2019 by dgreca

nga Shpend Sollaku Noé/

Në shtetin e shëmtuar që vriste atdheun e bukur. Të metamorfozës së medaljeve të ringjallura si pranga, të zinxhirëve e drynave me çelësa të hedhura në lumë. Të damkosjes së trurit me vula inkandeshente. Të rrënqethjes së barit. Të llurbës që dërgoi nën trikëmbësh auditorin. Të plumbit pas veshit që përdrodhi besën. Të ligjit të pjellë prej urrejtjes që vuri nën thembër të brishtën e mbetur pa mbrojtje. Të thikës pas shpine që theri përqafimin.

Kostaqi i bukur

   Këto rreshta janë diçka nga historia e një bojskauti të inteligjencës së re shqiptare, të flijuar në altarin e tiranisë. Shiheni me vëmendje këtë zotëri të vitit 1927: është Kostaq Stefa. Vetëm 22 vjeçar – tashmë qysh prej një viti pedagog në Shkollën Teknike të Harry Fultz-it, në Tiranë, pasi kish mbaruar në të njëjtën shkollë aq mirë sa të emërohej po aty. Një beratas modern, i bukur në mendje, i bukur në moral. Zotësia dhe pastërtia e shpirtit do ta shpinin po atë vit, në fatlumin 1927 të zgjidhej kryetar i organizatës së parë shqiptare të bojskautasve. Formimi fizik, moral e shpirtëror i rinisë së gjithandejme ishte qëllimi i këtij organizmi botëror. Këndvështrim i mbetur modern edhe sot  për ata që kanë lindur të bëhen prijësa. Sepse beratasi i bukur Kostaq Stefa i kishte të gjitha premisat për të qenë një prijës.

   Si të gjithë ata që kanë ardhur në këtë botë që të bëjnë mirë, ai djalosh beratas iu kushtua edhe Kryqit të Kuq.

  Si pothuaj të gjithë djemtë modernë, ishte edhe sportiv i zellshëm, në tenisin prej tij të preferuar.

  Kostaqi kish qenë edhe me fat, sepse kish lindur në një familje që asnjëherë nuk i ishte shmangur detyrës ndaj atdheut. Tradita familjare i nguste patriotizmin pa kushte. Që do të ishte edhe një tjetër nga bukuritë e këtij djali të përzgjedhur qysh prej lindjes për t’u bërë i shquar.

Që ajo bukuri të ishte e plotë mungonte diçka që rasti e solli krejt natyrshëm: Leni.  

Eleni e bukur

Bijë e Jançeve, bukuri tipike e viteve ‘30. Po të kish lindur gjëkundi tjetër, mund të ishte bërë aktore e dëgjuar. Elegante, me vështrim depërtues, e veshur sipas modës së fundit, nuk kish sesi t’i shpëtonte një tjetër syri të mençur, atij të Kostaqit. S’pati nevojë për shkuesi. Ai e ftoi në shtëpi sapo e pa me motrën e tij, Elpiniqin. Nuk qe e domosdoshme t’i deklaronte shuarjen e yjeve nëse ajo nuk do të pranonte: mesazh i shpirtit u bënë ca biskota në formë zemre. Që bojskauti ynë sapo i kish sjellë prej Londre. Ishte bërë një djalosh i bukur, do ta pëshkruante më vonë Kostaqin ajo. Kish flokë të dredhura e të ndara në mes, hundën e drejtë, faqet në të cilat gjendej gjithmonë një tis i kuq; buzët të plota…Sjelljet prej zotërie të trashëguara.

Ajo ishte ende nxënëse e Normales së Korçës në vitin më të bukur të bojskautit mangalemas, në të papërsëritshmin për ta: 1927. Syrit të saj të mençur e të mprehtë nuk do t’i shpëtonte ai ngazëllim i brendshëm i djaloshit ndërsa i ofronte herë pas here kutinë e biskotave londineze. Një zemër këtu, një zemër atje, përcjellja dhe propozimi i lumtur për një jetë të përbashkët që u bë edhe alfa e krijesave që sollën në jetë.

Familja e bukur – shtylla kurrizore e atdheut të ardhshëm

   Alfredoja, Vangjushi, Elda, Vitorja dhe Parashqevia – camërdhokja që sapo kish mbushur një vjeç. Këta pesë fëmijë, të gjithë si yje, i krijoi çifti i bukur Taçi e Leni. Për ta ngritja e familjes qe një art i vërtetë. Atdheu kishte nevojë të rritej. Si mund të zhvillohej më tej nëmos nëpërmjet fëmijëve të bukur?

Çfarë duhej t’u kish kërkuar më shumë shteti shqiptar shtetasve të tij? Eleni e Kostaqi i kishin plotësuar e tejkaluar të gjitha detyrimet ndaj Shqipërisë: ishin inteligjentë, kishin studjuar në shkollat më të mira shqiptare dhe të Evropës, kishin lozur pa hezitim rolin e tyre kur atdheu kish qenë në nevojë,  e shihnin orientimin e vendit të tyre drejt Perëndimit si diçka të natyrshme, të lindur me ADN e shqiptarit.

Një skenar i një filmi të mohuar, i zhvilluar kokëposhtë

   Ia kish kërkuar atdheu edhe atë sakrificë të lartë: shoqërimin drejt shpëtimit të tridhjetë amerikanëve të rënë andej nga Belshi. Mjekë, infermiere, ekuipazh i avionit. Ishim miq me amerikanët, ishim aleatë. Kishin qenë korrierët partizanë ata që i kishin përcjellë nëpër dhiare deri në Berat, për të mos rënë në dorën e gjermanit. Shtabi partizan i Beratit ia kërkoi Kostaqit atë detyrim. Boyskauti ynë e quajti nder. Dy prej infermiereve ushtarake amerikane u strehuan tek Stefët. Për tu nisur sa më parë drejt shpëtimit. Rrugëtim i pashkelur ndonjëherë as prej Kostaqit.

  Në librin “Ikja nga Shqipëria” të Anjes Mangeriçit, përshkruhet me besnikëri të fakteve sesi nën drejtimin e atij profesori mangalemas, u përshkrua itenerari pothuaj i pamundshëm: Berat – Dobrushë – Vërzhezhë – Leshnije – Zhulat – Progonat – Dhoskat – Gjirokastër – Tërbaç – Dukat. Ndarja pranë bregdetit. Kthimi i vetëm i Kostaqit për në Berat meriton një vepër letrare më vete. Por ai nuk e kish mendjen tek lavdia, por tek Leni e fëmijët. Dhe as që i shkonte ndërmend që sapo kishte përcjellë armiqtë e ardhshëm.

Ajo që duhet të ish bërë pika e tyre e forcës e familjes së Bukur Stefa, sipas logjikës së mbrapshtë të tiranisë u kthye në sferën e tyre të Sifizit.

Flamujt që nuk u shpalosën më

Ishin tre në mbledhjen e Beratit, atë të stërtrumbetuarën e tetorit të 1944-ës. Në rrjedhën e zhvillimeve të mëvonshme dy prej atyre flamurëve – Union Flag dhe Stars and Stripe – do t’i merrnin vorbujt, do të mbetej vetëm ai i mesit, me drapër e çekan. Askush brenda kufirit të shtetit nën yllin që kullonte gjak nuk duhej më të shihte miqësinë dhe krenarinë në valëvitjen e tyre.

 Ajo që së pari përflitej, fatkeqësisht ndodhi.

Në mbëmjen e 8 shtatorit të 1947-ës, në portën e Stefajve dikush troket me këmbë. Në emër të popullit. Të popullit të kujt, kërkon të kuptojë gjuhën e terrorit Kostaq Stefa. Të popullit të tyre, sigurisht, jo të popullit tim. Janë tre. Ushtarakë. I shquari djalë mangalemas nuk kish dashur t’i besonte si të vërteta lajmet e marra në Tiranë sipas të cilave amerikanët, britanikët dhe gjithkush që kishin punuar me ta, sipas gjykimit sllav të cilit atdheu i shqipeve po i nënshtrohej, tashmë ishin të gjithë armiq.

Ku ishte vendosur arrestimi i tij, në Moskë apo Beograd?

   Profesor Stefa detyrohet t’i kthejë shpinën shtëpisë. Leni e tij dhe të katër fëmijët më të rritur – Tina ishte vetë disa muajshe – do të mbajnë përgjithmonë në paradhomat e kujtesës atë kurriz atësor që e përpiu errësira.

Pjelladreqët e territ dhe akuzat e sajuara

As që i kishin kaluar ndërmend Eleni Jançe Stefës se të gjitha ato veçori të mrekullueshme të Taçit të saj do të konsideroheshin krime. Krim sepse fliste e shkruante shkëlqyer anglishten? Krim sepse shpëtoi mjekë e infermierë nga asgjësimi i sigurtë prej nazistëve? Krim sepse kish mbaruar Tekniken e Herri Fullcit? Krim sepse kish qenë 22 vjeçar pedagog? Krim sepse kish studjuar në Firence? Krim sepse kish qenë profesor edhe në Qytetësen e Beratit? Krim sepse kish ndërtuar një familje sipas traditës patrotike të prejardhësve? Krim sepse ishte i pastër si pika e vesës në Tomor?

Sa herë do t’ia kish përsëritur vetes këto pyetje kur u sekuestruan pasurinë dhe nuk u lanë asnjë kuvertë, kur i përzunë edhe nga streha e tyre – kështjellë e shumëbrezave Stefa – , për ta përplasur me 5 fëmijë në furrën e pjekjes poshtë shtëpisë; kur pa në dorën e policit sahatin e Taçit prej 500 napolonësh flori as edhe të regjistruar në letrën e konfiskimit; kur do ta pushonin nga mësuesia; kur të pesë engjëjt e saj dhe ajo vetë do të mbeteshin në dorën e miqve  e farefisit.

E mendoj shpesh atë zonjë të çmuar Eleni Stefa, sa herë që më kujtohet nëna ime. Ne ishim gjashtë fëmijë kur na e dënuan babanë. Dhe na u bënë shpëtimtarë dajat krutanë, i miri kushëri Gani Duro në Berat, por edhe miqtë e shumtë. Nuk mund të harroj sidomos një Vit të Ri, kur shoqërova mamanë nga Lushnja, në muzg, nëpër shi, bubullima e llucë, deri në Plug, tek një mikeshë e saj të internuar atje – Nebaet Kollçinaku – për të kërkuar borxh, pasi nuk kish mbetur asnjë lek edhe për të blerë ca portokalle!  Për të tjerat as që bëhej fjalë. Sido që ndodhi, babi ynë të paktën doli i gjallë prej minierës së kromit. Të pesë fëmijët e Kostaqit nuk do ta shihnin më të jatin.

Nuk qenë lëmosha ato që njerëzit e mirë u ofruan Elenit e të bijve, por mbijetesa me kokën lart.        Mbijetesë që nuk ndoti aspak veçoritë e vyera familjare të Stefëve deri në 18 janarin e vitit 1993.

Ish gjendur gropa ku kishin hedhur Kostaqin dhe tre beratasit e tjere. Elenit i erdhi ora të ballafaqohej me të hamendurën. Sidoqoftë, mendoi se mund të konsiderohej “me fat”. Burbuqe Haxhiademi nuk arriti ta mbushte me substancë mermerin e Ethemit të saj. Aldo Renato Terrusi e kërkon akoma dëshpërimisht të jatin e groposur në burgun e Burrelit e sa të tjerë. E sa të tjerë… që bredhin nëpër eter pa asnjë banesë të fundit.

Në shtetin e shëmtuar që vriste atdheun e bukur. Të metamorfozës së medaljeve të ringjallura si pranga, të zinxhirëve e drynave me çelësa të hedhura në lumë. Të damkosjes së trurit me vula inkandeshente. Të rrënqethjes së barit. Të llurbës që dërgoi nën trikëmbësh auditorin. Të plumbit pas veshit që përdrodhi besën. Të ligjit të pjellë prej urrejtjes që vuri nën thembër të brishtën e mbetur pa mbrojtje. Të thikës pas shpine që theri përqafimin.

Rëndësia e gjetjes së eshtrave të Taçit të saj të hijshëm, sidoqoftë, e kish përfshirë të gjithën. Ajo e mendoi gjatë atë çast të pushkatimit, atje, buzë përroit në Uznovë, në vitin e murgët 1948.  Me të qeshurën e plasaritur përjetë, me lotin e shkretuar.Ajo, Eleni kokonë, i dëgjoi përsëri e përsëri ato krisma. U ngjeth. Në buzë të gropës së përbashkët. Mbylli sytë. Në vesh përceptonte qartë psherëtimën e Kostaqit të bukur: “Ah, Leni im, më pushkatuan, o shpirt, më 3 mars, pas mesnatës. Qemë katër ne të mbyturit në gjakun tonë. I kisha njohur. Ishte Tajfur Haznedari, nëpunësi i bashkisë, ishte edhe avokati Hamit Myftiu, ishte edhe Babai i Teqesë Bedri Cakranji. Nuk po ta rrëfej sesi ramë pranë njeri-tjetrit. U përpoqëm të ishim bashkë, që të katër. Nuk u përqafuam dot. Njërin krah ma kishin thyer. Duart i kishim të lidhura me zinxhirë. Zinxhirët të mbyllyr me dryn. Të mbyllur edhe përtej vdekjes. Me çelësin të hedhur larg, drejt trojeve ku flitej sllavisht. Ky dryn që shihni tani në mes të eshtrave të parakrahëve të mi. Sa më kanë dhembur ato eshtra! Dhe bënte ftohtë, shumë ftohtë pasi na mbuluan me baltë. Ndieja të dridhura vazhdimisht… Deri sa u ngjita atje lart, përmbi Taben e Kalasë. Ju shihja si në pëllëmbën e dorës. Ju kam ndjekur çdo çast, por nuk zbrisja dot deri tek ju. Kishte shumë egërsira nëpër rrugë, qenër që pëllisnin, dosa që lehnin. Më piku malli për ty, Leni im e shtrenjtë. U dogja shkrumb për fëmijët tanë. Si ia bënin pa përkëdheljet e mia Fredoja, Elda, Toti dhe Tina? Vangjo a ia arriti të mësohej pa mua? Qemë shumë të lidhur”. “Ah, Taçi im, asnjëhere nuk u mësua Vangjo me humbjen tënde, as të tjerët. Qe ai, bashkë me Fredon që t’u gjendën të parët kur të zbuluan nga nënbalta”.

Qiell që rrotullohet rreth syve të Elenit të bukur; tokë që trandet që prej përbarqeve. Meteorë që rrëshkasin e përthyhen sikur të ishin bij vetëtimash. Qiell i rrafshët që përkulet mbi baltë. “Po të shpjemë në një vend me dritë, Taçi. Nuk ke për të pasur më ftohtë”.   

Diciturat e Fotografive: 1- Kostaq Stefa pedagog tek Teknikja e Harry Fultzit. 2- Kostaqi dhe Eleni te porsamartuar 3- Familja Stefa ne vitin 1942. Me ta edhe motra e Kostaqit si edhe bashkepunetorja shtepiake e familjes Stefa. Tina nuk kishte lindur akoma 4- Shtepa e Stefajve ne Mangalem

Filed Under: Histori Tagged With: Shpend Sollaku Noe'-Kostaq Stefa

TE SHTUNEN,8 QERSHOR- PARADA NE 6 AVE

June 7, 2019 by dgreca

VATRANE- TE SHTUNEN,8 QERSHOR,MERRNI PJESE NE PARADEN KUSHTUAR CAMERISE/

Mos harroni se neser, e shtune-8 Qershor organizohet Parada Shqiptare ne Manhattan, qe i kushtohet Camerise. Vatra eshte pjesmarrese e pervitshme dhe kontribuse. Eshte paguar nje makine ku vatranet se bashku me femijet do te hipin gjate parakalimit dhe te lartesojne Flamurin Kombetar. Eshte mire qe te visheni me bluza kuq e zi dhe te siguroni flamuj Kombetar, amerikane e te Kosoves. Femijet i vishni me tesha Kombetare.

Vatra sivjet ka dhe nje ngjarje te shenuar, 50 vjet me pare u organizua ne 6 Ave, Manhattan, Parada e Pare dhe e vetme e perbashket e arberesheve te Italise dhe Shqiptaro-amerikaneve ne drejtimin e VATRES.

Koha e duhur per neser eshte 9- 10 e mengjesit pasi fillojne koncertet dhe fjalimet. Vendi: 6 Ave & 43 street

Filed Under: Histori Tagged With: PARADA-CAMERIA-VATRA

D-DAY – DITA QË SHËNOI FILLIMIN E MBARIMIT TË HITLERIT

June 6, 2019 by dgreca

75-VJETË MË PARË/

                                                  Nga Frank Shkreli/

Beteja e Normandisë më 6 qershor, 1944 çoi në çlirimin e Evropës dhe mundësoi edhe mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, vitin që pasoi. Ishte dita që shënoi operacionin e përbashkët më të madh tokësor, ajror dhe detar të forcave aleate perëndimore – e që 75-vjetë më parë shënoi fillimin e mbarimit të Adolf Hitlerit.  Sulmi tokësor, ajror dhe detar i mirë bashkrenduar me aleatët — i udhëhequr nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate, Gjenerali amerikan Dwight Eisenhower dhe Komandanti i Armatës së parë amerikane, Gjenerali Omar Bradley – ndër më të mirët që ka njohur ndonjëherë historia — çliroi Francën që kontrollohej nga forcat nazizte dhe më vonë tërë Evropën, duke hapur rrugën drejt Berlinit dhe duke çuar në triumfin përfundimtar të aleatëve mbi forcat nazizte të Hitlerit dhe duke i dhënë kështu fund njërit prej regjimeve më të këqia që ka njohur historia e njerëzimit.

Ndërkohë që ky përvjetor shënohet më së shumti në Normandi të Francës, aty ku edhe u bë zbarkimi 75-vjetë më parë, i nja 156,000 ushtarëve amerikanë, britanikë, kanadezë dhe aleatëve të tjerë, ceremoni përkujtimore zhvillohen edhe në Britaninë e Madhe, në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada.

15 udhëheqës botërorë, përfshirë edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u mblodhën të mërkurën në Angli, nën kujdesin e Kryeministres britanike, Teresa May, për të shënuar 75-vjetorin e asaj që Presidenti Trump e cilësoi si një betejë që, “mund të ketë qenë më e madhërishmja në histori”.  Udhëheqsit e vendeve të përfaqësuara në këtë takim, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke u angazhuar që, “tmerret e pa-imagjinueshme” të Luftës së Dytë Botërore të mos përsëritën më.  Vendet nënshkruese, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, u zotuan se do të punojnë bashkarisht për të “Zgjidhur tensionet ndërkombëtare, në mënyrë paqësore”, ndërsa Kryeministrja britanike bëri thirrje, me këtë rast, për bashkim në radhët e vendeve perëndimore, për të përballuar ato që ajo cilësoi si, “kërcënime të reja ndaj sigurisë” së përbashkët.

Nga takimi i 16 udhëheqësve botërorë në jug të Anglisë për të shënuar 75-vjetorin e një prej betejave më heroike të Luftës së dytë Botëror.

Të ënjtën Presidenti Trump dhe Presidenti i Francës Macron shënuan 75-vjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Normandi, ndërkohë që të dy ata nënvijuan rëndësinë e aaleancës trans-Atlantike.  Të dy udhëheqsit e lartë morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua me këtë rast në Varrezat Amerikane në Normandi, ku Presidenti Trump iu drejtua veteranëve amerikanë, “Si krenaria e Kombit” dhe u tha se “Legjenda juaj nuk do vdesi kurrë”. Ndërsa Presidenti i Francës, Emmanuel Macron lavdëroi veteranët amerikanë për guximin, për bujarinë, për fuqinë dhe shpirtin zemërgjërë për të “Ndihmuar një popull që nuk e njohnin, për të çliruar një vend që shumica nuk e kishin parë kurrë më parë, për asnjë kauzë tjetër, përveçse për kauzën e lirisë dhe të demokracisë”, ka thënë dje në  udhëheqsi francez, në kujtim të zbarkimit të forcave amerikane në brigjet e Normandisë, 75-vjet më parë.

 Si në çdo përvjetor tjetër të kësaj date të shënuar në historinë e Evropës dhe të botës, udhëheqës të ndryshëm botërorë – përfshirë edhe presidentët amerikanë — e kanë kujtuar dhe e kujtojnë këtë ditë me fjalime që tanimë kanë hyrë në historinë e fjalimeve më të rëndësishme dhe më historike.  Ashtu do të ndodhë edhe në këtë 75-vjetor, megjithse duke marrë parasyshë nivelin e udhëheqësve të sotëm botërorë, nuk ma merr mendja se ndonjëri prej tyre do të mbajë një fjalim që mund të meritojë të cilësohet si historik e që përshkruan rëndësinë historike të betejës së Normandisë dhe çlirimin e Francës nga forcat nazizte, 75-vjetë më parë.

Por, një nga fjalimet që janë mbajtur në përvjetorët e kaluar të kësaj beteje në D-Day — bota ende kujton, ose të pakën ne që kishim privilegjin të ishim dëshmitarë të asaj kohe – ishte fjalimi i ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Ronald    Reagan, me rastin e 40-vjetorit të betejës së Normandisë, me 6 qershor të vitit 1984, i cili iu është drejtuar veteranëve të asaj beteje, të pranishëm aty, me fjalët: “Këtyre djemëve të “Pointe du Hoc. Këta janë burrat që iu ngjitën këtyre shkëmbave të thepisur. Këta janë kampionët të cilët çliruan një kontinent dhe heronjtë të cilët i dhanë fund luftës.”

                                       

“Burrat që zbarkuan në Normandi kishin besim të plotë se ajo që po bënin ishte e drejtë, kishin besim se ata po luftonin për njerëzimin, besim se një Zot i drejtë do u jepte atyre mëshirën dhe ndihmën e nevojshme, në këtë vend ose në një tjetër.  Ishte besimi i thellë i tyre — për të cilin falënderojmë Zotin që ata nuk e kanë humbur besimin në Zotin – se ekziston një ndryshim i madh moral midis përdorimit të forcës për çlirim dhe përdorimit të forcës për pushtim.  Ju ishit këtu për të çliruar dhe jo për të pushtuar, kështuqë ju dhe të tjerët nuk kini dyshuar në kauzën tuaj”, ka thënë ish-Presidenti Reagan në fjalimin e tij me rastin e 40-vjetorit të betejës kundër forcave nazizte në Normandi të Francës, 35-vjetë më parë. 

“Ju e dinit se për disa gjëra ia vlen të luftohet dhe të jepet edhe jeta.  Ja vlen të vdesësh për vendin tënd, ja vlen të vdesësh për demokraci, sepse është forma më e ndershme e qeverisjes, e krijuar nga njeriu.  Të gjithë ju dashuronit lirinë.  Të gjithë ju ishit të gatëshëm të luftonit tiraninë dhe e dinit se e kishit mbështetjen e popujve të vendeve tuaja”, u ka thënë veteranëve Presidenti Reagan, në fjalimin e tij në Normandi me 6 qershor, 1984.

Për më tepër, Presidenti Reagan u ka thënë të pranishëmve me atë rast se atë ditë më 6 qershsor, 1944, ushtritë që zbarkuan në Normandi kishin aleat Perendinë, kishin “Ndihmën dhe mbështetjen e Perendisë për kauzën e tyre të madhe”.

Ishin të gjitha këto, ka thënë Ronald Reagan, që i shtyri ata të bënin të pamundurën.  “Ishin të gjitha këto që, në të vërtetë, i kanë dhënë formë unitetit të aleatëve.”  Në emër të atyre që dhanë jetën në Normandi, aleatët morën guxim dhe vendosmëri. Ata rindërtuan së bashku një Evropë të re… së pari u arrijtë pajtimi midis atyre që kishin qenë armiq, e të cilët kishin humbur aq shumë.   Shtetet e Bashkuara bënë atë që u ka takuar, duke themeluar Planin Marshall për të ndihmuar në rindërtimin e vendeve aleate tona, por edhe të vendeve që kishin qenë armike tonat.  Plani Marshall çoi në krijimin e Aleancës së Atlantikut – NATO – një aleancë e madhërishme e cila deri në ditët e sotëme shërben si mbrojtëse e lirisë, e begatisë dhe e paqës”, ka theksuar Reagan.

Duke nënvijuar se megjithë sukseset dhe fitoren kundër nazizmit, Presidenti Reagan –duke iu referuar vendosjes së komunizmit në Evropën Lindore e Qendrore — ka thënë se fatkeqsisht disa vende të çliruara i humbëm.  “Forcat sovjetike që erdhën deri në qëndër të këtij kontinenti nuk u larguan kurrë më, madje as kur u vendos paqa.  Ato janë gjithnjë këtu, të paftuara dhe të padëshiruara, pothuaj 40-vjetë pas mbarimit të luftës.  Për këtë arsye, forcat aleate perëndimore gjënden gjithnjë në këtë kontinent.  Sot, ashtu si edhe 40-vjetë më parë ushtritë tona janë këtu vetëm për një qëllim – për të mbrojtur demokracinë.  Të vetmet territore që ne kontrollojmë janë memorialet si këto këtu dhe varrezat ku pushojnë heronjtë tanë” gjithsejt 9,388, ka theksuar Ronald Reagan, më 6 qershor, 1984, në njërin prej fjalimave që tani konsiderohet si ndër fjalimet presideniale më klasikë të Amerikës. 

 Presidenti Reagan përfundoi fjalimin e tij në Normandi 35-vjetë më parë duke theksuar vlerat dhe angazhimet e aleatëve ndaj lirisë, ndaj njëri tjetrit dhe ndaj aleancës që mbron këtë liri – si atëherë ashtu edhe sot.  “Jemi të lidhur sot nga gjërat që na kanë lidhur edhe 40-vjet më parë,” ka thënë Presidenti Reagan në kujtim të D-DAY më 6 qershor, 1984, duke shtuar se “Jemi të lidhur edhe nga realiteti që ekziston.  Fuqia e aleatëve të Amerikës është jetësore për Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që garancia amerikane për sigurinë e aleatëve të saj është gjithashtu jetike për lirinë dhe demokracinë në Evropë.  Ne ishim me ju atëherë, ne jemi me ju edhe sot.  Shpresat tuaja janë shpresat tona dhe fati juaj është fati ynë”, ka përfunduar një ndër fjalimet presidenciale më me rëndësi, ish-presidienti amerikan Ronald Reagan, me rastin e 40-vjetorit të zbarkimit të forcave aleate perëndimore në brigjet e Normandisë në Francë, më 6 qershor, 1944, një sulm ky tokësor, ajror dhe detar i paparë deri atëherë në historinë e njerzimit – sulm ky që shënoi fillimin e mbarimit të nazizmit Hitlerian — e që më në fund çoi në fitoren kundër regjimit nazizt të Hitlerit në mbarë Evropën dhe më gjërë. 

Filed Under: Histori Tagged With: D-Day-Anniversary 75-President Trump

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 267
  • 268
  • 269
  • 270
  • 271
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT