• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LE TEMPS:PUSHTIMI FASHIST I SHQIPERISE, ZEMRIMI I MERGATES NE SHBA

April 20, 2019 by dgreca

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Prill 2019/

“Le Temps” ka botuar, të dielën e 9 prillit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me reagimin e mërgatës shqiptare në SH.B.A ndaj ndërhyrjes së Italisë fashiste në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zemërimi i mërgatës shqiptare

Nga Uashingtoni për agjensinë Havas :

“Aksioni italian në Shqipëri provokoi një zemërim në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ajo përbëhet prej rreth 40,000 anëtarësh, shumica prej të cilëve banojnë në Boston, Nju Jork dhe Baltimor. Ata janë, në përgjithësi, tregtarë të vegjël ose zejtarë, të cilët mbeten shumë të lidhur me atdheun e tyre të origjinës.

Lajmet nga Tirana i habitën me shumë dhimbje shqiptarët e Shteteve të Bashkuara, të cilët sapo kishin festuar lindjen e Princit të Kurorës. Fakti që mbretëresha Geraldinë ka lindur nga një nënë amerikane përforcon simpatinë e publikut amerikan për fatin tragjik të këtij kombi të vogël e të guximshëm.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja-Le Tempes

Si humbi “Vasha e Vlorës” ?

April 20, 2019 by dgreca

Nga Gezim Llojdia/ DIELLI/
1.

Vasha e Vlorës ,fotografuar nga Instituti italian:”Luce”.Fotua njihet nga filmime të tjera, që gjenden në librat historik .Cili është portreti i vashës së Vlorës ?Kush e  gdhendi këtë bukuri në shekullin 4 pr. Kr?Mirëpo njihet vetëm trupi i gdhendur .Edhe në foton e Institutit :”Luce” dhe më tej gjendet busti  pa kokë ,mirëpo ku gjendet aktualisht apo cilin muze të botës ,zbukuron kjo skulpturë e  punuar  bukurisht dhe mjeshtërisht. Një histori intriguese ka sjell N.Barjamaj “Vasha e Vlorës” u zbulua gjatë ndërtimit të kazermave ushtarake në qendër të qytetit të Vlorës në vitet e Luftës së Parë Botërore. “Vasha e Vlorës” përfaqëson një statujë 62 cm të lartë të punuar në gurë gëlqeror. Veshja që mbanë figurina dallohet për veçoritë e veshjes klasike dhe datohet të jetë punuar në shek. IV-III p.e.s.

“Vasha …është gjetur në gërmimet e bëra.Nga të dhënat thuhet se në vitin 1939, ndodhej në Muzeun arkeologjik, në Skelë sot muzeu kombëtar i Pavarësisë, muze ku drejtor i tij ishte Yzeir Ismaili dhe këtë muze e pajisën sëbashku me E.bej Vlorën,  por u grabit nga pushtuesi. Ky muze krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Që u dogj në vitin 39, dhe u u rindërtua me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare,

2.

Pr.Dr.N Ceka në një supozim në Vlorë :Emri vjen nga botimi i pjesës arkeologjike të tij nga L. M. Ugolini në Albania Antica, I, Roma-Milano, 1927.

Ugolini u strehua gjate revolucionit te qershorit 1924 ne shtëpinë e Syrja bej Vlorës dhe birit të tij Ekremit. “…të cilët kërkojnë, blejnë dhe ruajnë me dashuri të madhe objekte arkeologjike, të cilat dalin here pas here nga toka shqiptare. Kështu, në pallatin e tyre ne Vlore kanë krijuar një koleksion të mire arkeologjik, nga i cili këto janë objekte me interesante:” (fig. 111: armatimet dhe sipër vazot).

Komiku i Bylisit- Koke e Dionisit-mermer.

 Statuje e një muze, prej mermeri, 80 cm.

-Kokë e Zeusit, mermer, 13 cm.

-Kokë burri, mermer, 11 cm.

 -Kokë gruaje, mermer, 9 cm.

 -Hekata trikokeshe,mermer, 34 cm.

 -Hyjni ujor (Triton), mermer, 32 cm.

Skopas. Busti i nje gruaje ilire-Finteia, nga Berati.

Gur, 48 cm. Me veshje si vajza e Vlores.;

Tre pllaka me mbishkrime nga Shkoza, Klosi -Terrakota nga Oriku, si dhe vazo qeramike -Figurina bronzi, 11 dhe 7 cm.

Në kopshtin e kazermës, përballë xhamisë, ishin ekspozuar objekte te gjetura gjate ndërtimit: Diana, kapitele.

3.

Në kopshtin e Bashkise ishte ekspozuar një stele prej guri me relieve në dy faqe- shek V p. Kr. si dhe kionisku dopio i Teimas dhe Klaudia Seimaka.Vajza e Vlorës, gur, 87 cm. Stele e Selenicës me mbishkrimin e prytanit dhe toksarkut.

Filed Under: Histori Tagged With: GEZIM LLOJDIA-VASHA E VLORES

Historia e parashutistit antikomunist martirit Hamid Toshi (Saiti)

April 16, 2019 by dgreca

Nga Klajd Kapinova/

Për dekada mbeti në harresë/

Shumë vite më pare miku im, ish i burgosuri politik Viktor Luka, duke parë koleksionin e pasur të fotografive (një arkiv për martirët antikomunistë), ndër të tjera më foli një nga një për emrat e fotove historike të parashitistëve me unifomë ushtarake, të hedhur me parashut për mission antikomunist në Shqipëri.

Ata të gjithë ishin stërvitur në kampet ushtarake në Itali nga personeli ameirkan dhe Italian, të cileët udërguan me mision në bashkëpunim me Komitetin Shqipëria e Lirë, me qenër në New York.

Fotot origjinale, i ruante si relike të rrallë shkodrani Zef Luka vëllai i Viktorit.

Mbi 100 parashutistë asokohe zbarkuan në Shqipëri, me detyrën special dhe të rëndsishme për të përmbysur regjimin e hijenave dhe vendosur lirinë e vërtetë për popullin shqiptar.

Libri në formë ditari me autor parashitistin Zef Luka, mban titullin: “Njiqind shqipe që erdhen me prue lirine”.

Sa më shumë që futesha në labirinthet e librit të shqiptaro amerikanit Zef Luka aq më shumë bindesha se ai dhe miqtë e tij martirë, që nuk jetojnë më, sikurse ishte edhe martiri Hamid Toshi (Saiti), ishin të mbrujtur me ideale të bukura e fisnike, për Shqipërinë, duke qenë krenarë për detyrën deri në flijim, që kishin marrë përsipër.

Ngjarje, njerëz, vende, fjalë, rrethana tragjike parakalojnë në këto fletë në mendjen time që asnjëherë nuk i ka lexuar këto episde që përshkruhen thjeshtë, por që ruajnë në vetvete një epizëm homerik, ashtu sikurse kanë qenë e mbeten të thjeshta të gjitha gjërar sublime.

Vetësakrifica e tyre ka pasur një qëllim fisnik të përbashkët dhe e cila nuk u shua asnjëherë: zgjimi i ndërgjegjës së dremitur të popullit shqiptar, që jetonte gjumin letargjik dhe për më keq një pjesë e rinisë, që e mbështeste diktaturën e dhunshme sovjetike të proletariatit, ishte dehur nga frazat e bukura plot gënjështra të komunizmit në Shqipëri, që si sëmundje kancerogjene po e brente dalë e ngadalë vetëdijën kombëtare të popullit të vet, që iu nënshtrua më ose padëshirë dhunës më të egës të diktaturës komuniste, që zgjati për 50 vjet më rradhë në tokën e zhuritur shqiptare.

Familja bujare Toshi

Prindërit e Hamitit, Saiti ishte një baba dhe shok për të birin që e donte aq shumë, sikurse nëna që qysh në djep e lëkundi dhe i mëkoi me gjirin e saj dashurinë për tokën ku kishte lindur, miqtë, shokët dhe të afërmit e tjerë.

Ajo shpesh e përkëdhelte edhe kur vogëlushi Hamit, vinte në shtëpi së bashku me shokët e tjerë të fshatit, sepse ishte shumë i dashur me të gjithë. E me këto ndjenja fisnike shqiptare hodhi shtat, duke pasur përherë edhe përkujdesin e tre motrave, që sot jetojnë: një në Ulqin (Vladimir, në Mal të Zi), një në Trush dhe një në Dajç të qarkut të Shkodrës.

Kjo familje me shumë virtyte fisnike të traditës shqiptare ka qenë një derë e madhe. Prindërit e Hamitit kishin 6 fëmijë, 3 djem e 3 vajza.

Kështu, sikurse mësojmë edhe nga të afërmit e familjes, Muhameti ka qenë më i madhi, pastaj vinte Isufi dhe në fund vëllai i vogël çamarrok, Hamiti, ndërsa motra e tyre qenë Pashe në Trush, Cace në Ulqin dhe më e vogla Gjylana në Dajç.

Qysh herët, në fillim të shekullit XX dhe më saktë në vitin 1912 i ati Saiti, ka pasë 3 vëllezër si pjesmarrës në lufën e Taraboshit, në vitin 1912, kundër ushtrisë malazeze, ku edhe plagoset me të shoqen dhe më pas, si pasojë e pezmatimit (infeksionit) të plagës, humb edhe jetën mbas dy vjetësh.

Me vdekjen e të atit shtylla e shtëpisë ekonomia e brishtë e familjes nis të vështirësohet dhe përkeqsohet deri në vitet 1930.

Gjatë pushtimit fashist të vendit më 7 prill 1939, Muhameti ka luftuar me armë në dorë okupatorët e huaj. Ai gjithnjë ka ruajtur marëdhënie të mira me familjet e vjetra tregtare shkodrane, sikurse ishin asokohe familja tregtare Muzhani, Myftia, Danhasani, Bianchi, etj.

Edhe pse nuk ka qenë e një niveli ekonomik, ai sikurse shumë familje qytetare e fshatare shkodrane, ka mbajtur të hapur dyert i mikpritjes, bujari e cila ka qenë dhe mbeti tipike edhe sot nga stërnipërit e tyre.

Pranë shtëpisë së tyre herë mbas here kanë qenë edhe persona publikë të njohur të qytetit të Shkodrës, sikurse kanë qenë Hasan Isufi e Caf Beg Ulqini, Prek Cali, etj., të cilët kanë qenë eksponentë në Lëvizjen e Parë Antikomuniste në Evropën Lindore siç ishte ajo e fshatit të njohur Postribë (pak kilometra larg qytetit të Shkodrës), në vitin 1946.

Duke shfletuar disa dorëshkrime dhe nga kujtimet e pjestarëve të fisit të tyre, mësojmë se pak muaj para se të kapitullonte Italia fashiste, është rrethuar shtëpia e tyre për të kapur të gjallë Hamitin dhe Muhametin.

“Çlirimi” i vendit e kalvari i vuajtjes së familjes…

Pikërisht vitet 1944-1990 janë periudha më e dyshimtë, të cilat historiografia komuniste, dje e sot në të gjitha nivelet “kulturore” në Shqipëri, janë defiçitare në “vërtetësinë”, që ata, i kanë bërë jetës së njërëzve, ku, ata që kanë qenë kundërkomunistë, janë denigruar deri më sot.

Ndoshta është një rast i veçantë për të shprehur shpirtin e tij human, Hamiti, me inisiativën e vet, shkon vullnetarisht ushtar, për të mos shkuar disa djem të rinj që vinin nga familjet më të varfëra, e ishin djem të vetëm në familjet e tyre.

Familja Toshi, tashmë kishte një djalë ushtar që vinte nga Villgara, Ana e Malit – Oblikë. Gjatë rekrutimit për ushtar, tek shtëpia e Brahim Dulit, kujtojnë të afërmit e Hamitit, krimineli komunist Zoi Themeli, që asokohe ishte shefi i Degës së Punëve të Brendëshme për Shkodrën u bëri thirrje që të dorëzojnë armët.

Ata pasi i dorëzuan armët, iu komunikua për të shkuar në qytetin jugor të Gjirokastrës, në një kohë që ata ishin caktuar për të qëndruar si ushtarë në fshatin Obot në Oblikë.

Hamit Toshi, pa pasur aspak frikë e kundërshton hapur këtë vendim të padrejtë dhe shumë tendencioz që personalisht i bëri përfaqësuesi i Sigurimit komunist, Zoi Themeli. Ndër të tjera Zoi Themeli i thotë Hamitit me përçmim dhe tallje: “Po të ishe burrë i mirë, nuk i dorëzoje armët!”.

Duke ruajtur gjakftohtësinë, Hamiti menjëherë del nga rreshti, përkulet, nxjerr një pistoletë nga çorapi dhe ia hedh përpara syve Zoi Themelit.

Ai ka pasur gjithnjë me vete deri në tre pistoleta. Me pistoletën e tretë ai e fton oficerin komunist Zoi Themelin, të marrë pjesë në dyluftim, mbasi burri i armatosur në sy të burrave të tjerë nuk fyhet.

Zgjedhjet e para “demokratike”, 2 dhjetor 1945

Me këtë veprim prej trimi, Hamiti bën që të gjithë ushtarët të qëndrojnë në Obot për 6 muaj dhe më pas i transferojnë në Delvinë.e

Ëndrra dhe dëshira e pashuar e tij ishte për një atdhe dhe shoqëri shqiptare pluraliste; Shqipëri përparimtare dhe demokratike; Respektimin e votës së lirë të individit; Zhvillimin e vendit, sipas modelit të vendeve më të përparuara demokratike të Europës Perëndimore dhe demokracisë së lirë të Shtetëve të Bashkuara të Amerikës etj.

Edhe sot, po t’i hedhësh një sy librave të historisë që janë në përdorim deri në Universitetet politike shqiptare, do të shohësh se asgjë nuk ka ndryshuar nga historiografia 50-vjeçare komuniste dhe se zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, përmenden si votime e zgjedhje të “lira”, kur asokohe opozita votonte në një kuti të veçantë me kokrra.

Kështu, më 2 dhjetor 1945, Isufi ka qenë në komisionin zonal në qendrën e votimit. Një natë para se të bëhen votimet arrestohet nga UDB-ja jugosllave dhe dërgohet me ndihmën edhe të forcave të Sigurimit Shqiptar për në Ulqin.

Me kërkesën e Shefqet Hamza Dulit, villogradas (asokohe kryetar këshilli i fshatit) insistohet dhe sillet në burgun e madh të qytetit të Shkodrës, i kapur prej krahësh nga dy kolonelë jugosllavë. Arsyeja ende sot ka mbetur enigmë.

Gjatë pyetjeve që i bën në hetuesi Zoi Themeli, në prezencë të oficerit gardian Elez Mesi dhe dy kolonelëve jugosllavë, në provokim e sipër, Isufi nuk duron më dhe i drejtohet Zoi Themelit: “Jugosllavëve nuk ua kena pa hajrin denbabaden dhe jo t’ia shohim tashti”.

Ndërsa kryexhelati oficer i Sigurimit Zoi Themeli, i thotë t’a përkthejë shprehjen, që t’a marrin vesh edhe jugosllavët se ç’ka do të thotë në gjuhën e tyre jugosllave. Në çast u thuhet përfaqësuesve të huaj se Isufi, si bandit, kërkon të prishë miqësinë shqiptaro – jugosllave.

Në ato momente, gardianët së bashku me drejtuesin e tyre Elez Mesin e lidhin Isufin, e ulin ratë (poshtë) dhe më pas të dy kolonelët jugosllavë, me çizmet me thumba, njëri i hyp në kokë dhe tjetri në bark dhe e mbajnë për disa minuta në gjëndje torture. Torturat në forma dhe metoda fashiste kanë vijuar edhe në ditë të tjera, por Isufi asnjëherë nuk është përkulur.

Ai në burg si bashkëvuajtës ka pasur persona të njohur në Shqipëri, sikurse është Mandela i gjinisë femnore Drita Kosturi, Terezina Pali, Padër Mati Prenushi, Gulielm Suma pronari i Kafes së Madhe, etj.

Duke parë se nga Isufi nuk nxjerrin asgjë të rëndësishme për Sigurimin komunist, ashtu sikurse kishin vepruar edhe me të burgosur të tjerë, në mënyrë që të mos i lirojnë për mungesë provash, dhe se dënimi ishte i domosdoshëm (porosi e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës për të gjithë antikomunistët), akuza, nga prishja e miqësisë shqiptaro – jugosllave, i kthehet si organizator apo ndërlidhës i Lëvizjes Kundërkomuniste të Postribës për zonat Postribë, Shkodër, Ulqin, Krajë dhe Ana e Malit.

Përsëri tortura të llojeve të ndryshme, të ushtruar me saktësi nga xhelatët specialistë dhe të dhunshëm e të pashpirt.

Biruca, ku ata kanë qëndruar për shumë kohë, ishte rreth 1.5 metra gjërësi dhe 2 metra gjatësi. Të gjithë të prangosurit në burg ishin të lidhur me njëri – tjetrin, ku i fundit dhe i pari ishin të lidhur në mure në mënyrë që të mos kishin mundësi që të lëviznin.

Një ditë prej ditësh, kujton nipi i tij Xhevahiri, gardiani Elez Mesi hap sportelin e birucës dhe vështron të burgosurit. Isufi po bisedonte dhe ai dëgjonte.

Gardiani merr Isufin së bashku me Padër Mati Prenushin dhe i çon në gropën e zezë të WC-së ku gishtat e këmbëve nuk u hasnin në tokë.

U vendos vetë nën sqetull vezë të ziera, kuja pishe në thua, i fusin deri në bel në gropën e zezë për t’i gjunjëzuar martirët e fesë dhe të lirisë, deri sa të dy shqiptarëve të lidhur, herë pas here, u binte të fikët nga torutrat e njerëzve të pashpirtë të Sigurimit komunist.

Një ditë tjetër, kur kanë ardhur në vehte tregtari i nderuar shkodran Guliam Suma dhe kleriku katolik padër Mati Prenushi (1887-1948), në atë gjëndje të vështirë që ishin, kanë kërkuar që më mirë t’i vrisnin, se sa t’i linin gjallë e për gazep, nën torturat çnjërëzore që bënte xhelati i pashpirt Elez Mesi me të tjerët.

Më mbas, ata janë pushkatuar pa mëshirë nga togat e zeza të pushkatimit, të ngritura vetëm për të bërë vrasjen e shqiptarëve martirë. Isufi, në vitin 1947, lirohet nga burgu. Gjatë kohës që ai ishte në burg, Hamiti (vëllai i vogël) arratiset në Greqi.

Më pas nis kalvari i familjes së tij, ku menjëherë forcat e ndjekjes komuniste të Sigurimit arrestojnë Muhametin në vitin 1949 dhe e dënojnë me akuza fallco me 9 vjet heqje lirie, sepse “deshti t’i bënte një atentAtë një punonjësi të Sigurimit”.

Para se të burgosej, Muhameti me disa miq të tij, kanë nxjerrë jashtë shtetit, për t’i shpëtuar përndjekjeve, qytetarin Zija Myftia. Dy vjet më pas, gjatë kohës që axha ishte në burg, vijon në kujtimet e tij Xhevahiri, ai vritet në Dukagjin.A


Aktiviteti kundërkomunist i Hamit Toshit në vitin 1951 e vijim

Duke iu rikthyer edhe një herë librit të autorit Zef Luka me titull: “Njiqind shqipe që erdhën me prue lirinë” (Ditar) ndër të tjera, për Hamitin, ai kujton në faqet e tij se si e kishte marrë vesh ngjarjen e vrasjes së Hamitit.

Ai kujton: “Millë. Në mbramje vërejmë se rreth orës tetë kalon përmbi ne një aeroplan. Thamë se asht tue hedhë letra. Ne e nesre rinia e Sigurimi dolën me i mbledhë për të mos ra në dorë të popullit, tue na vue edhe ne kështu në rrezik. Ne nesre, sapo zbardhi dita, ndiem pushkë e mitraloza. Unë mendova, se asht tue ba manovra ushtria, por ma vonë mora vesh se ishin hedhë parashutista në Livadhet e Barit, në Cukal. Ata luftuan e u vranë deri sa arritën në Kir. Grupi që kishte parashutuar ishte i Komitetit Shqipëria e Lirë. Personi parashutist që ndër ta kishte mbetur i vrarë ishte shoku im më besnik, i ikun prej Brigadës XV Sulmuese, Divizioni I, Kompania II e Delvinës, Hamit Toshi (Saiti), prej Villgarit, Ana e Malit, Shkodër. Ai pat edhe një vëlla që më duket e thirrshin me emrin Isuf, si edhe një motër të martueme në Ulqi., Tokat i kishn në kufi me Jugosllavinë” (Luka, f. 95).

Pra Hamiti kishte rënë me parashutë vetë i katërti në një nga lëndinat e malit Cukal, por edhe këtu kishte rënë në pritë. Me sa duket, Sigurimi komunist ishte në dijeni më përpara për këtë zbarkim nga ajri të njerëzve që kërkonin lirinë e popullit shqiptar.

Komandanti i grupit ka qenë vetë Hamit Toshi, i cili, shoqërohej në misionin e tij fisnik nga tre persona të tjerë shqiptarë. Ata ishin Hazis Rustja nga Bërdica, Dedë Hili nga Dukagjini dhe Rifat Zyberaj.

Tradhëtia e agjentit të dyfishtë anglezo  rus Kim Philby dhe vrasja e Hamitit

Për hir të realitetit duhet vënë në dukje se shpesh edhe disa gazeta të djathta bien në pozitAtë e gazetave të majta komuniste në Shqipëri, duke iu referuar autorëve që kanë qenë në kupolën e Sigurimit komunist, saqë shpesh ata e nxjerrin Sigurimin shqiptar si më i përsosuri në “dështimin” e komploteve kundër tyre.

Duke shfletuar faqet e librit: “La missione tradita” (Come Kim Philby sabotoge l’invasione dell’ Albania) me autor Nichollas Bethell, kushdo e kupton sesa fallco e komike kanë qenë e mbeten filmat propagandistikë komunistë, që rishfaqen sot si “kryevepra” të kinematografisë “shqiptare”.

Grupi i kryesuar nga Hamit Toshi ka rënë në grackë qysh në fillim, si pasojë e lojës së dyfishtë të agjentit Kim Philby, për të cilin “Gazeta Shqiptare”, asnjëherë nuk ka shkruar a thua se nuk ka aq burime e literaturë për ta trajtuar sesi veproi ai kundër parashutistëve shqiptarë dhe të huajave në shumë vendeve të tjera të Europës Perëndimore.

Kur grupi i kryesuar nga Hamit Toshi, ka rënë në tokë me parashutë, ata kanë qenë të tradhëtuar qysh në ajër dhe jo si pasojë e aftësisë së Sigurimit. Parashutisti Rifat Zyberi, plagoset rëndë dhe, për të mos rënë i gjallë në duart e Sigurimit, vret edhe veten.

Për më tej tre të parashutistë të tjerë kanë qenë të rrethuar dhe mbasi qanë rrethimin, kanë ikë rrugën drejt pjerrësisë së Malit të Cukalit dhe më pas janë nisur për në Dukagjin.

Me të arritur në Dukagjin, të lodhur, të uritur dhe pa gjumë, kanë shkuar për të bujtë në shtëpinë e mikut të tyre bashkëluftëtar, dukagjinasit parashutist Dedë Hili, pikërisht në fshatin Kir. Ardhja e tyre, merret vesh nga një spiun malësor vendali, që punonte si hafije për llogari të Sigurimit.

Mbas spiunimit, pas disa çastesh, shfaqen si miza toke në shkrepat e Dukagjinit mbi 800 forca të ndjekjes komuniste të cilat edhe ato, për çudi, kryesoheshin nga një komandant që ishte po vendali nga zonAtë e Dukagjinit.

Menjëherë krisi pushka mes parashutistëve të vendosur për misionin e tyre për të shpëtuar popullin nga zgjedha komuniste dhe forcave të Sigurimit që luftonin nën simbolin e Titos dhe të proletarëve pa fe, atdhe, ide dhe qëllim luftimi.

Mbas dy orë luftimi të përgjashëm, vritet heroikisht trimi i vendosur Azisi dhe, pas 6 orëve të tjera, mbetet i vrarë Hamit Toshi dhe i fundit, mbas 8 orë luftë, i vetëm përballë shumë kriminelëve të Sigurimit, vritet dëshmori i lirisë, dukagjinasi Dedë Hili.

Edhe në atë gjendje të rëndë dhe skene makabre përpara bjeshkëve të Dukagjinit, kunata e Dedës, një grua trimëreshë dhe fisnike e Kanunit të Lekë Dukagjinit, pa iu trembur syri për pasojat, që mund të rridhnin nga veprimi i saj, i kërkon komandantit komunist ta lejonte për të marrë trupat pa jetë të të tre martirëve për t’i varrosur.

Më pas, kur janë larguar forcat e komandës dhe të policisë komuniste, ajo i ka varrosur të tre.

Pas shumë dekadash, në vitin 1991 trupat e tyre janë gjetur për t’u rivarrosur nga të afërmit e tyre me ceremoni, mbasi Zoja ka shënuar emrin e secilit prej tyre, duke e mbajtur sekret, deri kur ata janë rivarrosur nga bashkëvuajtësit.

Ngjarje të tjera të familjes së patriotit Hamit Toshi

Për aktivitetin e madh të Hamitit shkruan edhe miku i tij më i afërt, Zef Luka, i cili edhe kur shkoj në Shqipëri në vitin 1992, bëri një vizitë të shkurtër tek të afërmit e tij, duke u theksuar edhe një herë se e kishte patur një mik dhe shok shumë besnik dhe se ai kishte qenë me të vërtetë një antikomunist i vendosur.

I ndjeri Zef Luka, në një nga kapitujt e librit të tij, përmend edhe tradhëtinë e madhe që i bëri agjenti i KGB-së Kim Philby, i cili i humbi Shqipërisë për ambicjen e vet personale dhe për të holla, bijtë më të mirë dhe trima të popullit shqiptar dhe për më tepër qytetit më antikomunist në Shqipëri, Shkodrës dhe rrethinave të tij, bijtë që sot nderojnë qytetin dhe familjet e tyre për aktivitetin e vendosur antikomunist me jetën që dhanë për çështjen e atdheut.

Kalvari

Familja Toshi dhe veçanërisht vëllezërit e Hamitit ndiqen nga persekutimet e njëpasnjëshme.

Kështu, në vitin 1956 Muhamet Toshi, lirohet nga burgu (që e ka vuajtur në kam[et më të këqia në Shqipëri duke tharë këneta), mbasi kishte qëndruar në kampet e Maliqit, Vlorës dhe Bedenit të Kavajës.

Në fund ai lirohet nga Rinasi. Ai është njohur me Prof. Arshi Pipën, Ragip Lohen, Hajdar Rusin, Muharrem Sahitin, Muhamet Fejzon, Prof. Sami Repishtin dhe shumë klerikë të besimeve të ndryshme të Shqipërisë.

Fill mbas daljes nga burgu, ka shoqëruar për jashtë “burgut të madh” të Shqipërisë shumë vetë, meqenëse e njihte shumë mirë zonën kufitare.

Një ditë të bukur, pas ditës së fundit të festës së Bajramit, kalon kufirin dhe shkon për Bajram tek motra e tij në Vladimir të Ulqinit.

Atë e kishte njohur një person vendas, i cili menjëherë e spiunon tek forcAtë e Sigurimit jugosllav dhe ata lidhen me Sigurimin komunist shqiptar.

Gjatë kthimit në vendlindje i bëhet pritë dhe, në kthim, pa paralajmërim, shkrehin breshëritë e automatikut kallashnikov mbi trupin e një fetari islam të devotshëm.

Gjeografia e kalvarit dhe vitet e burgut të familjes Toshi?

Menjëherë mbas vrasjes së Muhamet Toshit, forcat e Sigurimit, si të xhindosur, i vërsulen shtëpisë së familjes së tij dhe e bastitsin, duke bërë rrëmujë çdo vlerë materiale të vënë me mund e sakrifica mbijetese.

Për familjen fillon menjeherë internimi për 3 vjet në Gradishtë të Lushnjës.

Më mbas ata kthehen nga internimi në vendlindjen e tyre në vitin 1956. Po atë vit arratiset jashtë shtetit djali i Muhametit, Xhemali, duke qenë i kërcënuar për jetën nga spiunët e Sigurimit dhe sot ai jeton në New York të ShBA-së.

Familja e tij riinternohet në fshatin Hajmel gjatë viteve 1955-1970. Më 1970 ata lirohen nga internimi.

Në vitin 1973, vëllai i Hamitit, Isufi, dënohet me burgim me nenin famëkeq “55” për Agjitacion e Propagandë, duke i theksuar në gjyq se ka mbajtur Ramazan, se ka thënë se malli kinez është i keq, se ka thënë që ka shkuar sateliti në hanë, se nuk i del buka, ka thanë se sa e madhe është minarja në Vladimir të Ulqinit.

Në gjyqin famëkeq kundër tij i kanë dalë dëshmitarë 5 vetë, që ishin njerëz të dënuar ordinerë, që sikur thoshte populli, ishin spiunë me 1200 lek ($12).

Burgun Isufi e kalon në kampin e tmerrshëm të Spaçit e në Ballsh së bashku me dom Nrekë Kroqi, njeriun kurajoz e trim Fadil Kokomani, Spartak Ngjela (sot një ndër avokatët e njohur të mbrojtjes së demokracisë), Dylber Merdani, Pjetër Loro, Pashuk Loro, Zeqir Ceni etj.

Më 2 Prill të vitit 1990, Isufi lirohet nga burgu. Kjo familje më përpara ishte internuar edhe në Lumas të Beratit, më 25 Qershor të vitit 1980, duke qëndruar për 5 vjet me motivacion që “të mos kishte të drejtë kthimi në vendlindje”.

Përfundimi i dramës Toshi

Familja Toshi ka të pushkatuar dy vetë: Muhamet Tusha (Toshi), 29 Maj 1961, Hamit Toshi, vrarë më 16 Gusht të vitit 1951; të burgosur: Muhameti 8 vjet, Isufi 8 vjet; internim: Isufi 5 vjet, Menja Tusha 5 vjet, Xhevahiri, i biri, 5 vjet (1980-1985); familja Muhameti: Internimi i parë 1960-1963, pas vrasjes së Muhametit: Zadja 3 vjet (1960-1963), e bija Nadirja, (1960-1963); Xhemali, i biri (1960-1963); Melihaja, kur ishte 2 vjeç (1960-1963).

Mbas arratisjes, i biri 19 vjeçar, Xhemal Fusha, vjen në New York, ku jeton edhe sot.

I gjithë kalvari i familjes Toshi, përfshihet në 42 vjet internim, 16 vjet burg dhe 2 të vrarë barbarisht nga forcat “popullore” të Sigurimit komunist.

Mbijetesa e kësaj familjeje, është madhështi

Nuk do te jetë asnjëherë e saktë historia e popullit tonë në të gjithë trojet etnike shqiptare, nëse nuk do të shkruhet me saktësinë e kohës për bijtë më të mirë të nacionalizimit, atdhetarët e idealeve të pastra liridashëse, përparimtare, demokratike, për të cilat vlera ata flijuan edhe jetën e tyre dhe janë sot një pasqyrë nderi dhe krenarie, për misionin fisnik të shkëputjes së Shqipërisë nga kthetrat e komunizmit të zi.

Literatura:

  1. Zef Luka, “Njiqind shqipe që erdhen me prue lirine”, USA, 1950.
  2. Tomë Mrijaj, “Historia e parashutistit Alush Leshanaku (1913-1950)”, revista Jeta Katolike, f. 13-14, 2008.
  3. Alush Leshanaku: “Gjendja e Shqipnis në Prill 1949”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 20 Dhjetor 1954, f.4.
  4. “Alush Leshanaku – Lajmtar e Fatos i Liris”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 28 Nëndor 1951, f.2.
  5. “Me histori në dorë”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 28 Nëndor 1952, f.3.
  6.  Kolë Çuni, “Ditët e fundit me Alushin”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 20 Dhjetor 1954, f.6–7.

Filed Under: Histori Tagged With: Klajd Kapinova

Kur shpirti vritet

April 16, 2019 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/ Kur  shpirti vritet, nuk ka më ndërgjegje, dhe kur ajo mungon nuk ka më as nerv, as ndjenjë dhe qenia punon në mënyrë robotike. Kjo është dhe arsyeja që i pashpirti  e ka  gjuhën  brisk, që, ashtu si era e veriut në dimër të pret pa mëshirë. Me këtë lloj gjuhe foli  Kryeministri i Shqipërisë, përpara gazetarëve lidhur me situatën e rëndë të vrasjeve në Shqipëri. Ai, pa pikën e turpit dhe me një vetëkënaqësi paranoidi, shpërveshi grimasat e qenit të tërbuar, ikur prej hekurave, turrur gjallesave  për t’i viktimizuar. Kur më thanë që Rama kishte bërë një deklaratë skizofrenike… nuk u besova fjalëve deri në momentin që  pashë intervistën. Kam parasysh që çdo politikan diletant flet budallallëqe, por në intervistën me gazetarët, Rama do ngjasonte me një vorraxhi të rëndomtë: “Hëngshin kokat e njëri-tjetrit dhe për sa herë që hanë kokat e njëri-tjetrit ne do marrim frymë thellë!”. Të gjithë vorraxhinjtë fërkojnë duart kur vdes ndonjë njeri, sepse sa më shumë njerëz të vdekur aq më mirë e kanë biznesin. Dhe Kryeministri foli si i tillë. Po çmenduria e tij nuk u ndal tek biznesi i vorraxhiut, më e keqja ishte se ai veshi rrobën e kriminelit, duke bërë thirrje: “Janë të lutur që të vrasin njëri-tjetrin!” dhe më tej, ai krenohej që në Shqipëri, krimi është “parandaluar dhe zbuluar” si asnjëherë më parë, dhe, hopa(!) pas pak kohe vjedhjeje spektakolare 10 milion euro në Rinas!

            Gazetarët “Kazanxhinjë” përpiqeshin që ta fusnin  Ramën në shina, duke i kujtuar atij se ishte Kryeministri i Shqipërisë dhe duhej të ishte garant i jetës së qytetarëve, qoftë dhe të atyre me preçedente penale. Megjthatë ai nuk ndalej, por nën influencën e virusit tërbimit funeral ndjellte orbitën e lamtumirës së fundit, frymëzonte vetëgjyqësinë. Sikur kjo të ndodhte në një vend me demokraci të konsoliduar, deklarata e Ramës do të kishte pasoja… ku mbase do bashkonte pozitë dhe opozitë për largimin e një kryeministri të çmendur. Në librin “ Essential of Psychology” në Chapter 4, Brain and Mind, What makes you human, shpjegon në mënyrë të shkurtë esenciale funksionimin e trurit. Aty ka dhe një thënie të famshme të Dekartit: Cogito, ergo sum “, në gjuhën angleze , “I think , therefore I am”  që do të thotë, “Unë mendoj, prandaj unë jam”. Ky citat përkthehet: “Nuk është e mjaftueshme të kesh mendje të mirë, por kryesorja është që ta përdorësh mirë.” Pra, ne shohim piktorin “krijues” të bëhet  politikan varrkërkues, i cili nuk është në gjendje të shikojë më larg se hunda e  tij,  po përpiqet të bëhet njëherësh hetues, prokuror dhe gjykatës inkuizitor!

            Në qendër të Londrës, në oborrin e Gjykatës Kriminale  (dhe jo vetëm aty), qendron Statuja e Drejtësisë, e cila paraqitet nga një femër blindfold (sylidhur – tashmë simbol i përbotshëm), me krahët e hapur horizontalisht, që mbajnë, në të djathtën shpatën e ngritur vertikalisht, ndërsa në të majtën, peshoren. Shumë prej njerëzve që kalojnë në atë shesh, ndalen për ta admiruar atë vepër arti duke reflektuar mbi mesazhin që përcjell. S’ ka dyshim që çelësi i mesazhit qendron tek sytë e lidhur. Shpjegimi është pak a shumë ky: ajo nuk duhet të shikojë animin e peshores. Simboli tregon se nuk do ketë favor dhe se gjykimi do të jetë i paanshëm dhe i barabartë për të gjithë, si për njerëzit me influencë, mbretërorë e aristokratë ashtu edhe për të paprivilegjuarit, njerëz të thjeshtë, të varfër, e të pambrojtur, deri dhe ata me precedentë penal. Gjykimi ka për bazë vetëm faktet, jo thashethemet dhe hakmarrjet personale dhe diferencat politike.

            Statuja të ngjashme, për shkak të traditës historike europiane, ka dhe në disa nga kryeqytetet e ish-vendeve komuniste, por drejtësia ende nuk ka arritur të jepet plotësisht sipas parimit të paanësisë. Tek ne, ku sundon autokracia, ky simbol shpërfillet ose shkelet, prandaj dhe kryeministrat e vendit tonë, i kanë kthyer gjykatat në zgjatime të pushtetit të tyre.

            Kam lexuar me dhjetëra biografi politikanësh botërorë, qindra libra politikë. Kam gjurmuar gjithë jetën intervistat e politikanëve të mirëfilltë, por asnjëherë nuk kam parë qivur të hapur në studiot televizive si në rastin e Ramës… Monstra të tilla shfaqen vetëm në  diktatura.

            Pa kaluar habia e deklaratës së papërgjegjëshme të Ramës: “Të hanë kokat e njëri-tjetrit”, u vra në Shkodër, Haxhi Ibrahim Bilali, anëtar i Kryesisë Unionit Antikomunist Shqiptar, Anëtar i Partisë Demokratike, i dekoruar me Medalje të Artë “Pishtar i Demokracisë”. Ibrahim Bilali ishte Kryetar i Shoqatës  Antikomuniste “2 Prill 1991”, por dhe pionier dhe kampion i Hipizmit në Shqipëri. Në lagjen Kiras, porta e tij ishte  dera e parë  që u hap për demokraci dhe PD. Ai u vra sëbashku më të vëllanë, Astrit Bilali dhe ai anëtar i PD-së, gjithashtu  Kampion i Hipizmit.

            Në Veri të Shqipërisë dhe Kanun thuhet: “Ma zi gërgasi se dorasi!” Shteti, që ka për detyrë t’i shuajë hasmëritë me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, duke i trajtuar si larje hesapesh, dhe për më keq akoma, duke bërë të ditur publikisht se do të qendronte dorëjashtë, pra duke u shmangur nga një nga detyrat e veta themelore siç është mbrojtja e jetës së çdo individi, inkurajoi zgjerimin e qerthullit të vrasjeve. Ai u tha palëve të konfliktuara: “Veproni sipas kodeve tuaja! Vrisni njeri-tjetrin! Bëjini ju hetimet, dhe bëjeni vetëgjyqësinë! Ne s’kemi pse të merremi me punët tuaja se duhet të vazhdojmë rrugëtimin për në Europë!”. Ç’ tregon në të vërtetë ky qendrim? Kryeministri nuk e ka hallin tek integrimi. Në Bruksel lexohen edhe raportet mbi hasmëritë, hakmarrjet apo gjakmarrjet në shoqërinë shqiptare dhe mënyrat se si i trajton shteti këto fenomene. Në mos një kapitull, ato përbëjnë një çështje standarti që Shqipëria duhet ta arrijë për të hyrë në BE. Por, nga tjetër, sikur unë të vazhdoj logjikën e Ramës, dhe  të ndjek  ligjet e errëta të Kanunit dhe vetëgjyqësisë, duhet të them se, Kryeministri Rama është në gjak me fisin Bilali, sepse inkurajoi vrasjen e dy vëllezërve. Sadoqë altoparlanti i Ramës thërret: “Larje hesapesh!”, Gërgasi, nuk shpëton dot nga  karma.

            Unë nuk jetoj në Shqipëri, por dhe s’ më ka pëlqyer kurrë të ndjek sagën e thashethemeve dhe fantazive të sëmura. Sigurisht, një gjë e di mirë. Edhe nëse zanafillë konflikti ka nisur si një problem ordiner, në përmasat dhe mënyrën se si apo zhvillohet ai është tashmë një konflikt fisesh, që do të thotë se ka dhe do të ketë viktima të mosveprimit të shtetit, apo më keq akoma të faktit se shteti ka larë duart… Shpirtligjtë e djallit  dhe propaganda laramane mund të shprehet gjithsesi për jetët e humbura para kohe (sepse e tillë është palodemokracia jonë), por ne e dimë se kur vrasjet shoqërohen nga propaganda e fëlliqur të disorientimit që ka për qëllim të turbullojë mendjet me avullin e opiumit të gënjeshtrës,  qoftë për shoqërinë e viktimave ashtu dhe grupimin ku kanë milituar, është politika e degjeneruar që ka ndezur gjeneratorin. Fjalitë standarte të dala boje si: “Hesape të vjetra!”,  “Vrarë nga shokët e vet !”, të çojnë në laboratorin e prodhimit të shpifjeve  komuniste.  Kështu ndodhi me Azemin, me Arbenin, me  Senahiun etj… Tani dhe me Haxhi Ibrahim Bilalin?! Por! Dhe nëse ka ndonjë një të vërtetë aksidentale që kurorëzon thashethemin, do i lutesha familjeve ant-ikomuniste: mos bini pre e propagandës së kuqe, lërini zënkat! Bashkohuni dhe njëherë si në 1991!

Dhe pse mendoj se paqja është e vetmja zgjidhje për të ardhmen e shoqërisë tonë dhe zhvillimin e njerëzimit, më duhet të them se, filozofia e paqes me frymëzuesit e krimit nuk shkojnë bashkë! Nëse vrasësi nxitet nga motivet e verbra kanunore apo jo kanunore, tregon pasojën e disorderit psikik individual e shoqëror, ku paraprin instikti dhe jo koshienca e hemisferave trunore. Ndërsa frymëzuesi i krimit, është krimineli i vërtetë, sepse ai me mendje të ftoftë përpunon dhe kthen në art qëllimin e vrasjes, çfarë tregon se, sadizmi nuk është i rastësishëm, por gjenetik. Në rastet e vrasjeve të paralajmëruara, siç janë ato të konflikteve fisnore, vrasësi nuk është thjesht dorasi, por mosveprimi i shtetit që priret nga filozofia e krimit. Nga ana tjetër, vrasje të tilla e shqetësojnë opinionin publik, i cili kërkon të shkëputet njëherë e mirë nga tradita e të drejtës primitive. Shoqëria ka të drejtë të shqetësohet dhe të frikësohet sepse këto vrasje rigjallërojnë kodin e vetgjyqësisë, ndërkohëqë, janë akoma më të shqetësuar nga deklarata e papërgjegjshme e kryeministrit. Duke i trajtuar si vrasje mes bandash, kryeministri i përcjell shoqërisë mesazhin se bandat po forcohen, sepse qytetarët e dinë se bandat nuk asgjësohen nga vrasjet, por përkundrazi pushteti i tyre vetëm rritet, aq për më tepër kur shteti ka zgjedhur të rrijë dorëjashtë. Ndaj më duhet të them se logjika e propagandës së larjes së hesapeve, s’është tjetër veçse logjikë kriminale!

            Tani që Ibrahimi shkoi në parajsë, i lutem Zotit që t’ua shndrisë  mendjen politikanëve  që të mos flasin përçart! Jeta e njeriut është e shenjtë dhe si e tillë nuk ka të drejtë askush ta marrë  përveç  Zotit. Çdo deklaratë e papërgjegjëshme ndjell konflikt dhe gjak. Nëse Rama apo kushdo tjetër frymëzon krimin, ai krim do të jetë një ditë dushi i ndërgjegjes së tij. Çdo qenie që udhëton mbi dhe do transformohet, kurse njeriu ka një shans që të mos tjetërsohet, ky shans është: të mos vrasë shpirtin!

            Merimanga tjerr  pezishkën sipas  rëndesës së peshës së vet, dhe nëse instikti i saj përpiqet për të krijuar një peshë specifike më të rëndë, pezishka bie… dhe bashkë më të dhe merimanga.

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj

Agim Ramadani, luftëtar shembull shqiptar

April 14, 2019 by dgreca

“Ditët e Shqipes 2019” – Kryeministri Haradinaj:  Sot është një ditë ndryshe, sepse kujtohet një luftëtar shembull shqiptar, një luftëtar që në vlerat e tij njerëzore dhe intelektuale, por veçanërisht në pastërtinë e tij përkushtimi për atdhe është i rrallë, Agim Ramadani/

PRISHTINË, 11 Prill 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore – Dita e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”- Dita e rënies së Heroit Agim Ramadani, që u organizua nën patronatin e Kryeministrit, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2019”.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se, sot është një ditë ndryshe, sepse kujtohet një luftëtar shembull shqiptar, një luftëtar që në vlerat e tij njerëzore dhe intelektuale, por veçanërisht në pastërtinë e tij përkushtimi për atdhe është i rrallë, Agim Ramadani.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj theksoi se, përshtypja e tij për Agimin, edhe në kohërat e luftës dhe bindja e tij ishte se, kanë të bëjnë me një luftëtar të rrallë, me një tipar të rrallë të luftëtarit shqiptarë.

“Në Brigadën 138 u bashkuan plot djemtë të zot të kombit, të cilët kishin bërë rrugë për liri, rrugë për të drejtën tonë. Aty janë njerëz të shquar, janë, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu, janë plot të tjerë, por janë shumë dëshmorë, nga të gjitha anët e atdheut që u flijuan në kuadër të kësaj brigade”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, ajo që është më rëndësi të përmendet, është se atë ditë e në atë orë me Agimin ishin edhe Adem Isufi i Cërnicës së Gjilanit, Jeton Veliu i Polacit, Imri Curri i Hanit të Elezit, Ramë Beka i Gushavcit të Mitrovicës, Rrahman Tafa i Caralevës, e Sylejman Shala i Vidishiqit.

Duke e konsideruar shumë të rëndësishme Epopenë e UÇK-së në Koshare, përmasat dhe efektet që ka dhënë ajo, kryeministri Haradinaj tha se, gjatë gjithë zhvillimit të luftës për liri, ka pasur momente të pikëpyetjeve se si do të rrjedhë lufta. “Në kohën e fillimit të sulmit frontal, pra në çrrënjosjen e vijës ndarëse dhe në heqjen edhe formale të gurit, të kufirit, që e bëri Agim Ramadani me bashkëluftëtarët e vet në atë kohë, edhe atëherë ishte pikëpyetje se si do të vazhdojë rrjedha e luftës nëpër të gjitha zonat e luftimit”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se disa nga këto zona ishin në sfidat më të mëdha të luftës.

“Nisja e sulmit frontal, ashtu si ndodhi në Koshare, e konfirmoi se çka do të ndodhë, u bë e ditur se çka do të ndodhë. Vetëm fakti se një njësi e madhe në numër, në fuqi zjarri, në ekspertizë ushtarake e lufte, e filloi një sulm frontal mbi forcat e okupatorit, e konfirmoi, e mbylli epilogun e luftës”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, kjo epope kishte rëndësi të jashtëzakonshme, sepse i dha siguri rrjedhave brenda të luftës, duke iu dhënë frymë përpjekjeve të luftëtarëve për të mbetur brenda në vazhdimin e luftës.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij, tha se sot, është e ditur, se betejat në vazhdimësi që kanë ndodhur në Koshare, janë të përmasave që do të mbesin në historinë më të re të shqiptarëve.

“Flijimi dhe rënia në altarin e lirisë, e njerëzve që kishin bërë rrugë deri në formimin e tyre, e atyre që kishin dhënë prova që janë një profil i lartë, po ashtu i jep një peshë dhe dimension të veçantë. Pra flijimi në ditën e sotme i Agim Ramadanit, po ashtu e bënë historinë ”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se janë Agimi, Salihu dhe dëshmorët e tjerë që i bashkojnë në çdo 9 prill, jo vetëm në Koshare, por kudo që janë në jetë, në respekt të veprës së tyre për liri dhe në respekt të obligimeve që kanë lënë.

Në mbyllje të fjalimit, kryeministri Haradinaj tha se nuk ka qenë lehtë për të gjithë ata që ishin në vijat e para, në misionin e tyre për të drejtën për të qenë të lirë.

“Të gjithë ata që e kanë dashur me zemër atdheun, e kanë gjetur rrugën. Në çdo kohë shembulli i tyre mund të na ndihmojë që të gjejmë rrugën në shërbim të atdheut tonë. Edhe dita e sotme është një ditë e porosisë për të gjithë ne që të shërbehemi me shembullin e tyre. Lavdi e përjetshme heroit tonë, Heroit të Kombit, Agim Ramadani. Lavdi të gjithë dëshmorëve që kanë rënë për liri”, tha kryeministri Haradinaj.

Në emër “Brigadës 138”, një fjalë e mbajti bashkëluftëtari i Agim Ramadanit, deputeti Anton Çuni, ndërsa në emër të familjarëve të heronjve, foli Jeton Ramadani, i biri i Heroit Agim Ramadani./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Ramadani-Ramush Haradinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 273
  • 274
  • 275
  • 276
  • 277
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT