• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DED GJO’ LULI U VRA TRADHTISHT

September 20, 2019 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/24 SHTATOR 1915 – Për mos me ua shtue gjakderdhjen e vllazënve të vet në këte situatë kausi ballkanik, Ded Gjo’ Luli mori rrugën nga Mazrreku dhe shkoi në Pukë. Kaloi lumin Drin dhe hyni në thellsi të maleve të egra të Mirditës jo, ma pak të lame me gjak për Liri. Atje për tre muej pat përpjekje me forcat e tradhëtarit Esad Pashë Toptani, i shpallun “besnik” i të gjithë shteteve shoveniste që na rrethonin dhe që kërkonin pjesë në Tokat Shqiptare. U pat shërbye të gjithëve pa dhimbje sa kje gjallë po, dhe i vdekun.

Dedë Gjo’ Luli nuk arrijti me i shpëtue kurthës së tradhëtarit, po u gjet i rrethuem në mes tyne bashkë me Nik Prelocin e djalin e vet Kolën tek qela e Oroshit. Porsa po afrohej në vendin e caktuem, aty u gjet në mes të shumë ushtarëve serbë, që porsa i pa, Deda kuptoi gjithshka, dhe tha: “Sot kemi mbarue!” Ishte data 24 Shtator 1915. U koll; pështyu për tokë dhe trimnisht iu afrue komandantit serb, i cili kërkoi nga Deda që me i tregue drejtimin e shokëve të vet. Deda iu përgjegj se nuk kishte me i tregue kurrë Ata. Ushtarët serb e ndanë Deden nga Nika dhe i biri, të cilët ua dorzuen ushtarëve esadistë, ndërsa Dedën, e lidhën dhe u nisën nga Mali i Shejtë i Oroshit, ku e mbytën tue e therë me bajoneta derisa i doli Shpirti. Trupin e mbuluen me gjeth dhe e lanë mbi dhe. Disa barijë mirditas e patën gjetë rastësisht dhe mbas gati pesë javësh, prifti i fshatit, mbasi e mori vesht vendin nga barijtë, e pat marrë natën me datë 8 Tetor 1915 dhe e pat vorrosë tek Kisha e Oroshit, pa i tregue askujt për këte. Aty asht mbajtë deri në vitin 1917. Atë vit Delegati Apostolik i Vatkanit në Shqipni, Imz. Ernesto Cozzi, që ishte edhe Feldkural i ushtrisë Austro – Hungareze, dhe Mik zemre i Dedë Gjo’ Lulit e shpesh bashkëpunëtor i Tij, bani hetime; madje Ai vet u interesue me ia stolisë vorrin me rrasa të latueme guri. Ai u ba edhe ndërmjetës me gjetë edhe trupin e Djalit të madh të Dedës, Kolën për të cilin ishte interesue me kohë e shoqja. Eshtnat e Tij i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se: “Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

IDEALIN  AI  E  LA  TË  SHKRUEM  ME  GJAK !

Shkodër, me 29 Maji 1924.

Etnit Françeskan të Shkodrës, mbas sa përpjekjesh, mujtën me sigurue  e me organizue ceremoninë e Tyne madhshtore të sjelljes në Shkoder të Eshtnave të Dedë Gjo’ Lulit dhe të Djalit të Tij, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit. Ishte një popull i pafarë tek Kisha ku do të zhvillohej ceremonia mortore. Ishte i pranishëm edhe Delegati Apostolik, Shkëlqësia e Tij, Imzot Ernesto Cozzi, i cili, në mes të ma tepër se 3000 qytetarëve shkodranë, e përcolli Dedë Gjo’ Lulin deri tek banesa e Tij e fundit ndër vorre të Rrëmajit. Morën pjesë edhe të gjitha autoritetet shtetnore të Shkodrës. Në oren 8.00 të mëngjesit, Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë At Pal Dodaj, filloi Meshën e organizueme për Fatosin e Maleve. Një orkestër e zgjedhun për këte rasë, me tingujt e saj të përmortshëm, e bani edhe ma të madhnueshme atë  ceremoni mortore.

Mbas Meshet zani i përmallshem dhe i fortë ku ishte ma i zgjedhuni mu në atë fidanishtë dijetarësh të pashoq, e që ligjëroi me solemnitet për jeten e Dedë Gjo’ Lulit, ishte i Madhi At Anton Harapi. Ndër tjera fraza Ai tha: “Sikuse Athena e Roma mbi gjak e eshtna të Fatosave ngrehën ndërtesën e Lirisë, ashtu për të mëkamun të Shqipnisë u lyp që gjaku i  kreshnikëvet të sterpikëte krepat e Maleve tona!… Mbas 400 vjetësh me çeten e vet lufton për të parën herë nën Flamurin e Shqipnisë, për Liri kombëtare…

Ai kje tri herë Fatos, se i fali Atdheut dy djelmët dhe veten, tue u ba sheji i salvimit të xhonturqëve, të sllavëve e esadistëve … Ai së dyti provoi se, bashkë me Atdhetarinë në gjoksin e Tij vloi edhe zelli për Fe… Në Te vërtetohet fjala e popullit se ndihma e Zotit e pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombëtare…”

Në fund oratori At Harapi iu drejtue gjithë shqiptarëve të të gjitha viseve, që emni i Fatosit të përjetësohet me një Monument. Banda e Bashkisë së qytetit vazhdoi me jonet e përmallëshme me vajtue pranë trupit të Heroit t’ Atdheut.

Arka me Eshtnat e Fatosit të Traboinit doli nga Kisha Françeskane e mbulueme me Flamurin Kombëtar. Populli e mori në dorë në shenjë nderimi deri në vorrezat e Rrëmajit. Procesionit i prini Banda e Gjimnazit të Fretënve e veshun kuq e zi, mbas të cilëve ishin përfaqsuesit e shoqnive të tjera të ndryshme të qytetit, përfaqsuesit shtetnorë dhe mbarë Shkodra.., që të rreshtuem në heshtje u sollën dhe shkuen në drejtim të Kishës Kathedrale. Ndigjohej vetem muzika që bashkohej me jonet e kumbonëve të Kishave tjera të qytetit që edhe ato në shenjë zije rrahnin në njëanë…

Mbas salikimit në Kishen Kathedrale procesioni u drejtue për në banesen e fundit në Rrëmaji. I madh e i vogël po përcillnin Tre Burra të një shtëpisë njëheri.., prandej dhe lotët nuk mungonin mbas Arkës.., e cila ndiqej nga Banda e Gjimnazit të Fretenve.

Në Vorreza ajo ekzekutoi me madhshti Hymnin tonë Kombëtar.

Mori fjalën edhe kushrini i Dedë Gjo’ Lulit, Gjok Luli, i cili tha: “Po të falem nderës me gjithë zemer moj Shkodër, për ket punë që ke ba, po ma teper po u falen nderës gurt’ e Hotit. Tue mos ditë me kuvendë ma gjatë, po ju tham se nuk e kemi besue se i dini ju këto punë. Edhe unë po gëzohem me ju. 500 shtëpi që ka Hoti janë fikë e dalë në rrugë të madhe e, kaq jemi ba porsi ajo grueja e pakunorë, porsi ajo qyqja e zezë… Kushtrim… Zot!… Kushtrim, Shqipni për 500 shtëpi Hot që jemi shkrepë rrugëve tue vdekë urije e, kemi derdhë gjakun me ba Shqipni!.. E, pasha Këta Eshtna që kemi para se edhe sa mashkuj që të kenë këto 500 shtëpi, kanë me vdekë për Shqipni!”… Tue mos mujtë ma me vazhdue hjekë kësulen prej kreje dhe e lëshon në tokë… në shenjë Betimi e Bese… Populli u zhgreh në vajë.., dhe njeni mbas tjetrit i shternguen dorën Burrave e Grave të Hotit për krye shndosh, të cilët të gjithë bashkë i bashkonte një gjak…Një Flamur! Shkodra, edhe pse e lanun mbas dore,…ka dijtë dhe di edhe sot, se kujt me i thanë Fatos, Shpëtimtar i Atdheut dhe me këndue: “Njaj asht Fatos që tue luftue mbaron”…

(Pjesë nga libri i autorit FR per “Ded Gjo’ Lulin” 2011.)

            Melbourne, Shtator 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovani-Dede Gjo Luli-u vra me tradhti

IBALLJA VATRA E ORIGJINËS SË AT GJERGJ FISHTËS

September 19, 2019 by dgreca

…Të gjithë shqiptaret kudo rrinë,/ Nga do të shkojnë e nga do të vijnë/Çdo njeri ka një origjinë./

Nga Dr. Gjelosh Nikolla/

 “Por si gjethët në pyll,kështu janë fiset e njerëzve; disa i merr era e i çon nëpër tokë andej e këndej, kurse të tjerat i merr pylli që bulon dhe i lind gjatë ngrohtësisë pranverore, kështu është pra rraca e njeriut; ndërsa kjo rritet, ajo tjetra zhduket ”(Homer,Iliada  Vl 146-149)”.Nuk është e dobishme për një komb që të lëmë në heshtje dhe të msheftë prej historisë çdo gjë edhe e vogël qoftë ajo që i përket rrjedhës së rracës e cila e formon atë komb. Çdo rracë që formon një komb është e ndarë në shumë degë dhe rrema, në njësi më të vogla që rrjedhin prej një burimi: d.m.th. në shumë fise e barçe dhe pastaj në familje të cilat larg ose afër e kanë burimin e ngjitshëm më rracën që formon kombin. Nuk është e mundur të njifet historia e një kombi dhe karakteristikat e tija pa u njohë posaçërisht të fiseve që e përbejnë atë dhe për njohje të fiseve duhet me njoftë në mënyrë të shkoqitur ato të barçeve më të vogla dhe ato të vetë familjeve të shumta e të ndryshme të burimeve (gurrave) të një rracë. Dihet që familjet e shumta të një gjaku formojnë fisin. Ne në këtë rast do të flas për fisin e Thaçit por pa u zgjat po citoj: “Fisi mbi të cilin e për të cilin na do të bisedojmë këtu asht nga ma të kulluemit, nga ma të fortit e të shëndoshtit, nga ma bukë dhanësit e bujarët dhe nga ma trimat e armës dhe të çfaqunit të mendimeve të arësyeshme” (Prof. Mehmet Vokshi, Fisi Voksh viti 1931 fq.6). Me fillimin e pushtimeve të teritoreve shqiptare filloj lëvizja e fiseve duke zënë vend nga veriu në rranxat e maleve të Shqipërisë së mesme por shumica në rranxat e lumit të Matit, Drinit dhe rreth liqenit të Shkodrës. Fiset që mbeten atje në vendet e tyre më kalimin e kohës i humbën karakteristikat e tyre dhe u përzien më njëni tjetrin duke formuar një shumicë të pa kuptueshme. Fiset që zunë vend në veri arritën më ruajt veçantitë dhe me u stabilizue secili fis në veti. Vjen një valë e dytë sulmesh barbare që i shtynë fiset më thellë në male në grykat në mes të Shkodrës dhe Krujës, Pejës, Gjakovës, Prizerenit dhe Podgoricës. Do të na interesonte për momentin sa i kaherëshem është fisi “Thaç” si dhe toponimi “Thaç”që deri më sot nuk ka marrë përgjigje të sakët. Më poshtë po citojmë: ….O zot çfarë është kjo mrekulli që po ndërton princi në Butrintin tonë!!??. tha një ditë një plak duke kaluar më nipin për dore pranë vend punimeve, ku po ndërtohej pirgu (Obelisku) që kishte lëshuar shtat rreth 50 m i lartë.  Rojtari që qëlloj afër dhe e dëgjoj pytjen e plakut duke buzë qeshur i tha: Xhaxha, punët e shtetit i dinë vetëm Zoti dhe Princi, e ti ec më nipin për dore e shiko punën tënde. O zot, o zot tha plaku me vete njeriu nuk guxon të mendoj as të flasi më veten. Eja nipash eja më shpejtë e tërheq gjyshi për dore Dritanin e vogël të habitur që të iknin sa më parë nga rrethimi (rrethorja) i punimeve. Por roja nuk e kishte më të keq, ai i foli plakut më tepër nga kërshëria që të nisë bisedën më të. Ky ishte një plak simpatik më mjekër e flokë të bardha si bora, më tirçe zhguni të zi e shokë (brez) kuq e zi dhe më qeleshe të bardhë si bora. Rojës nuk ju durua pa e pyetur plakun. Nga të patëm o gjysh?. Nga Dardania ju përgjigj plaku. A  a a ! po nga cili fis jeni xhaxha?. I fisit të “Thaçit” përgjigjet më zë të lartë plaku. Edhe nipashi a ?. u mahit (bani shaka) rojtari. I gjakut tim është ja kthen më gjithë mend plaku dhe e shpejtoj hapin. Princ Loriku ka jetuar 300-400 vjet para Krishtit (Kadrush Sulejmani, Udhëtimet e Princ Lorikut të Dardanisë, ”Për besëlidhjen e fiseve dhe viseve  Ilire” faqe 34).  Pra toponimi “Thaç “ na del që para 2000 vjetësh. Rrënjët e Thaç-ëve janë thellë në të kaluarën e largët, në lashtësinë e formimit të fiseve të popullit tonë. Fisi i Thaçit ishte  nga gegët e Shqipërisë veriore të Dardanisë së lashtë, Prof. Bedri Pejani e shikon më thellë çështjen.  Ai mendon së Thaçët bashkë me fiset e tjera u dyndën nga Dalmacia dhe Bosnjë-Hercegovina gjatë dhe pas kryengritjes së Ilirve kundër romakëve nën prijësit më emrin “ BATO” i Desidiatëve dhe i Dasaretëve në vitet 6 dhe 9 të erës së re (Prof.Bedri Pejani, Strategu xhenial “Krisobulat”, bulat e arta, (Akt- dhurimet) Faqe 35-36;  Prof. Dr.Shevqet Sahit Canhasi, Flakadani i Lirisë; Bajram Daklani, botim i revistës “DRITA” TRELEBORG – SUEDI” shtator 2017). Fisi i Vokshit, që në të vertetë nuk është fis, por nënfis ose një vllazni e fisit Thaç. Fisi i Thaçit kishte zënë vend në Barbullush, Zadrimë, Bushat, Lezhë dhe një pjesë e madhe bregut të lumit të Drinit dhe në Postrripë. Në migrimin e parë Vokshi që nda prej Thaçit dhe u vendos në Potrripë në katundin Vorfë. Në migrimin e dytë që fillon prej viteve 40-50 mbas Krishtit, fisi Voksh përveç vendeve që përmendëm më sipër tani futet në anën jugore të Drinit deri afër Vaut-Spas dhe kështu themelon katundin Iballe si qendër të vetën. Kështu Vokshi i ndihmuar prej fistarve të Thaçit kalon nëpër Iballë dhe zbret në Drin duke e kaluar atë (“Prof. Mehmet Vokshi, Fisi -Voksh, viti 1931 faqe 28-30). Po kështu e thotë edhe Prof. Dr. Shevqet Sahit Canhasi që e përmendëm më siper. Thaçet: Sipas gojë dhanave vijnë nga fiset ilire të Maqedonisë duke kaluar nëpër Mahmuras dhe më vonë në Bushat të Shkodres dhe nga ketu pastaj kanë vazhduar levizjet në  drejttime të ndrryeshme. Gelasius.”Hylli i Drites, XIX-Nr 1-2 viti 1942 fq. 185-187. Një punë më shumë vlera për studimin e fisit Thaç ka kryer studiusi dhe historiani  Z/Xhemal Meçi (Mjeshtër i Madh). Thaçi është një nga 12 fiset e veriut me përhapje shumë të madhe veçanarisht në krahinën Iballë – Pukë, Shkodër, Lezhë, Tropojë, Mirditë, Mat, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e më gjërë (Kapitull që do shkruhet më vonë). Thaçët në Iballë erdhën 4 vëllezër: Buçë Gjeçi, Geg Gjeçi, Prend Gjeçi dhe Dod Gjeçi. Ky i fundit shkoj në Dushman dhe filloj jetesën pra shumica e Dushmanit janë Thaç. Meqënëse fisi mbahet në 4 vllazën (këmbë) atëherë me Thaçin u bashkue Bobi i Shalës që quhet vlla i gjetun.  Historiani Xhemal Meçi jep ketë renditje të brezave të fisit të Thaçit por i kam shtuar edhe 3 breza të lindur mbas Frokut që janë 1. Arber Dritani, 2.Dritan Kola, 3.Kolë Frroku, 4.Frrok Kola, 5.Kolë Gjergji 6.,Gjergj Uka, 7.Ukë Delia, 8.Deli Mema, 9. Memë Rama, 10.Ramë Iseni, 11.Isen Marku,12. Mark Buça 13.Buçë Gjeçi, 14. Gjeç Gjoni, 15.Gjon Prendi, 16.Pre (Prend) Biba, 17.Bibë Loli, 18. Lol Bitri, 19. Biter Bushati, 20.Bushat Cili, 21. Cil Vili, 22. Vil Kola, 23. Kolë Palushi, 24. Palush Pjetri, 25. Pjetër Leci, 26. Lec Alia, 27.Ali Begu, 28. Beg Piruni, 29. Pirun Mula, 30. Mulë Daka, 31.Dakë Ndreu, 32. Ndre Pogu, 33.Pog Murri, 34.  Murr Dedi. Kështu që duke i llogaritur nga 30 vjet brezin rezulton më 1020 vjet fisi i Thaçit. Historiani Xhemal Meçi (Mjeshtër i Madh) shkruan për fisin e Thaçit: “Kudo që nguli (zuni vend) në këto hapësira si dhe jashtë Pukës tregoj vehtën një komunitet vital, gjithë forcë, vullnet, guximtar më aftësi, intelekt e talent ku kanë mbizotëruar lidhjet vendore më ndjejnë fisi të fortë edhe sot bile prej një fisi shumë të fisëm e fisnik”.  (Xhemal Meçi-Mjeshtër i Madh, Fisi i Thaçit botuar të Kanuni i Lekë Dukagjinit-Varianti i Pukës 1996,fq-183-185). Sipas Dom Gasper Gurakuqi emrat  në studimin e tij jep mendimin së emrat Murrë dhe Deti (Dedë)  janë emra të parësh dhe jo vendi (Dom Gasper Gurakuqi Hylli i Dritës,1933, Për Visarin e Kombit,  faqë 96-97). Duke u bazuar në hershmërinë e Fisit, Thaç sipas  autorëve të lartpërmendur lëvizjet e kësaj popullsie kanë qënë të shumta dhe në drejtime të ndryshme në perputhje me nevojat dhe mundesitë por gjithmonë na del si pikë referimi Bushati i Shkodrës që na jep mundësinë të mendojmë së edhe Bushati ka qënë fis Thaçi. Studime të shumta për fiset kanë kryer Franc Baron Nopça, At.Xhuzepe Valentini, Dr.Jur Johan Georg von Hahn, Franz Seiner, Jastrebovi etj, por këto studime përqëndrohen vonë rreth vitevë 1200 dhe po tu referohemi këtyre rezulton e  pamundur gjithë kjo shtesë natyrore e popullsie dhe shpërndarje teritoriale kaq e madhe e fisit Thaç. Kështu që është më e bazuar ideja dhe mendimi për hershmërinë e këtyre fiseve të cituara më lartë. Në studimin e tij “FISET E VERIUT DHE DIOQEZAT” të Dom Gasper Gurakuqit fq.163 ku përshkruan shumë pemë gjeoneologjike për fise, vllazni bile dhe për një degë familjare. Më ketë punë ai mundohet për të depërtuar sa më shumë në thellësinë e origjinës të këtyre familjeve. Duke marrë familjen më të njohur atë të Nikoll Prendit të Pnishit i vllazënisë Prend Gjeç por duke i shtuar edhe 3 breza pasardhës rezulton kështu: 1. Kristiani, 2.Nikolla, 3.Gjoka, 4.Nikolla, 5. Prendi, 6.Mahmuti, 7.Alia, 8.Mehmeti, 9. Mema, 10. Cena, 11 .Kola, 12. Prendi, 13 Gjeçi. Kështu duke e llogaritur brezin 30 vjet rezulton 390 vjet. Kjo periudhë kohore korespondon më levizjën e para ardhësve të At.Gjergj Fishtës të vllaznisë Prend Gjeçi nga Iballja për në Gjakovë. ” Për këtë, origjinën e At Fishtës, po punohet për detaje dhe sqarime të tjera të reja. Dhe te renditja e brezave nga z.Xhemal Meçi në brezin e 13 del Buçë Gjeçi. Edhe këta janë të vllaznisë Buçë Gjeçi  por u larguan në Arst-Miliska  për të mos u konvertuar në musliman. Eshtë e kuptueshme së figurat e mëdha patriotike, politike, artistike etj.  i don çdo njeri, çdo fshat, çdo rreth, i duan të gjithë por origjina duhet të trgohet e vërtetë sepse i bën nder të madh të vertetës historike të kombit sepse sa do e vogël është një lagje, sa do i vogël të jetë një fshat apo një rreth, apo sa do të thella të jenë ato, kanë pjesën e vet në historinë e kombit dhe nuk ka të drejtë askush tua përvetësojë, ta transformojë apo ti transferojnë në një vend tjetër. Familja e madhe dhe patriotike me emra të shquar si Luigj Gurakuqi e të tjerë ata sot janë shkodranë por origjina e tyre është nga fshati Gurakuq i Çermenikës së Elbasanit (Dom Gasper Gurakuqi, në librin Fiset e Veriut dhe Dioqezat, fq. 190).  Vllezërit Lazer e Ndre Mjeda janë shkodranë por origjina e tyre është nga Kryeziu, Pukë (Mentor Quku, Libri, Mjeda volumi i parë fq.35).  Pra jo të gjitha vend banimet janë vend origjinë. Shembuj të tjerë kemi më qindra por po veçoj se At Shtjefen Gjeçovi është një gen, një gjak dhe kushri më At Gjergj Fishten pra fis Thaçi, për të cilin shpejt do të japim detaje të reja. Ka ardhur koha që historia të shkruhet nga plejada e “RE” e historianëve sepse këta shkruajnë në mënyrë  vertikale pa komplekse, janë të pa indoktrinuar. Këta e shkruajnë historinë mbi bazën e fakteve. Historiani Paulin Zefi shkruan se “At Gjergj Fishta” siç i bashkonte shqiptarët para shumë vitesh kur ishte gjallë, ashtu i bashkon edhe sot. Për të krenohet fisi i madh i Thaçit ku ka rrënjet, Puka (Iballja), Gjakova, Mirdita, Zadrima, Shkodra dhe mbarë Kombi Shqiptarë ( Historiani,Paulin Z. Zefi).   

 Pra AT GJERGJ FISHTA I PËRKET   MBAR  KOMBIT.

Tiranë, shtator 2019

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Gjelosh Nikolla-Iballja- At Gjergj Fishta

VATRA- SHFLETIM I DOSJES TË SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST (4)

September 19, 2019 by dgreca

VATRA & ” DIELLI”-SHQIPERIA E LIRË & “LIRIA”/

VATRA- SHFLETIM I DOSJES TË SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST (4)/

-Relacioni i Vitit 1953: Të mbështetet Gazeta”Liria” me 2 mijë dollarë, të demskohet gazeta”Dielli”  dhe të luftohet për heqjen e Editorit  Qerim Panariti!

– Relatori i Ministrisë së Brendshme, shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.

– Sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi ka në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.

Nga Dalip Greca/

            Qeveria Komuniste e Tiranës ka luftuar që diasporën shqiptare të Amerikës ta mbante të përçarë. Një nga format e luftës përçarëse ka qenë largimi i vatranëve të lëkundur nga Vatra dhe anëtarësimi i tyre tek Shqipëria e Lirë, e cila ishte  në shërbim të Qeverisë së Enver Hoxhës.Një projekt tjetër ishte krijimi i një Vatre të dytë që të bashkëpunonte me Tiranën.

Mjafton të shfletojmë një prej relacioneve, të Dosjes së Vatrës dhe të bindemi për preferencat e Qeverisë komuniste ndaj Shqipërisë së Lirë dhe gazetës së saj”LIRIA” dhe luftë të ashpër kundër Vatrës dhe gazetës së saj DIELLI.

Le të shohim fillimisht se si e përshkruan përbërjen e diasporës shqiptare në Amerikën e Veriut Ministria e Brendshme:Kolonia Shqiptare e Amerikës është një nga kolonitë më të mëdha dhe më të pasura të shqiptarëve në Perëndim.

        Sipas relacionit në SHBA jetonin në fillim vitet ’50-të të shekullit të shkuar rreth 40 mijë shqiptarë, 20 për qind e të cilëve kishin tërheqë në SHBA edhe familjet e tyre.Shqiptarët ishin përqëndruar në qytetet: Boston, Uster,Nju Jork, Nju Xhersi, Michigan, Çikago, San Francisko, Uashington, Ohajo,Filadelfia etj. Konstatohej sipas tyre se nga niveli arsimor shumica ishin analfabetë ose dinin pak të lexonin, por ishin shumë fetarë.Emigrantët ekonomikë ishin të ndarë në dy shoqëri: VATRA dhe Gazeta DIELLI, si dhe SHQIPËRIA E LIRË dhe Gazeta”LIRIA”. Vatra kryesohej, sipas tyre, kishin prijës real Fan Nolin, Dielli udhëhiqej nga Qerim Panariti, Liria nga Dr.Xhon Nase, me origjinë nga Berati dhe Dhimiter Trebicka nga Korça.Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk ishin të anëtarësuar në këto dy organizata, por shumë prej tyre merrnin gazetat Dielli dhe LIria. Vatra përbëhej në përgjithësi nga pjesa më e pasur e emigrantëve ekonomikë shqiptarë, nga që kjo ishte organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, ndërkohë(raportonte relatori) në krye të saj ishin vënë gjithmonë agjentë të amerikanëve.

Raporti nënvizon: ” Qëndrimi Vatrës dhe gazetës së saj Dielli ndaj nesh nuk është i mirë. Gazeta DIELLI dhe kryesisht editori i saj Qerim Panariti zhvillojnë një propogandë armiqsore kundër Republikës sonë dhe kampit të socializmit. Kjo vjen nga që në këtë organizatë ka njerëz jo të mirë, edhe pse në radhët e saj nuk mungojnë patriotët. Shqipëria e Lirë dhe Gazeta “Liria” mbajnë një qëndrim shumë të mirë ndaj Republikës sonë dhe janë patriotë të mirë, pjesa më e madhe e tyre janë punëtorë.”

…Ndërmjet VATRËS dhe Shqipërisë së Lirë ka kundërshti parimore, më thelbsore është qëndrimi ndaj Republikës sonë Socialiste, këtu ndahen.Ka patur diskutime për bashkimin e dy organizatave, por Vatra këmbëngul që bashkimi të bëhet nën platformën e saj, Shqipëria e Lirë kërkon që ajo të diktojë.

Në Amerikë ka dhe organizata të tjera lokale me karakter filantropik, por aktiviteti i tyre nuk është i madh.

Konstatimi i dytë: Shqiptarët në Amerikë kanë edhe institucionet fetare; Kisha orthodokse me kryetar Fan S. Nolin është më e fuqishme. Po ashtu sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi me në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.

Organet e vendit ushtrojnë presion në koloninë shqiptare dhe përpiqen ti shkëpusin shqiptarët nga ne, duke shfrytëzuar edhe institucionet fetare dhe elementin reaksionar.Ka dhe organizata Vorio-Epirote, por aktiviteti i tyre është me hope.

Riatdhesimi ecen ngadalë. Ka vonesa në Ministrinë e Jashtme për dokumentet.Amnistia është bërë e ditur në koloni, por propoganda kundër saj është shumë e madhe dhe keqinterpretohet.

Pasi paraqet gjendjen e detajuar të kolonisë shqiptare, relatori i Ministrisë së Brendshme, arrin në këto përfundime:

-1- Pjesa dërmuse e kolonisë shqiptare vuan nga ndjenjat patriotike dhe është nën pushtetin tonë.

2- Të bëhen përpjekje nga ana jonë që të largohet si sekretar i Vatrës dhe Editor i Diellit Qerim Panariti.

3- Gazetës”Liria” t’i jepen 2 mijë dollarë që të marrë frymë lirisht.

4-Të demaskohet Gazeta “Dielli” me artikuj në shtypin tonë, pa përmendur direkt Qerim Panaritin me emër.

5-Të dërgohen letra nga familjarët e këtushëm të cilët kanë influencë  tek shqiptarët e Amerikës, veçanërisht atyre që janë anëtarë të Vatrës.

6- Me anë të shtypit të bëhet demaskimi i elemtit reaksionar, veçanërisht atij që nuk mbanë qëndrim të mirë ndaj nesh.

7- Të përshpejtohen procedurat e riatdhesimit.

8-Të organizohet shpejt grupi i vizitorëve në vendin tonë me qëllim që t’i shfrytëzojmë për interesat tona.

9-Të organziohet dërgimi i shtypit, filmave, dhe materialeve të tjera propogandistike në koloninë shqiptare të Amerikës dhe të shfrytëzohet në favorin tonë.

10-Emisionet që trasmeton Radio-Tirana të shfrytëzohen edhe për qëllimet tona(Ministrisë së Brendshme).

11-Të bëhet një punë e organizuar për interpretimin e drejtë të Aminsitisë dhe të goditen interpretimet e gabuara.

Punëtori operativ, Togeri S. Memetko,  që ka studiuar relacionin ka bërë edhe këtë shënim me shkrim dore: Të mbështetet Shqipëria e Lirë. Të shihet mundësia edhe e hapjes së shkollës shqipe në qytete ku ata kanë influencë ata të Shqipërisë së Lirë. Krahas mjeteve të tjera propogandistike të dërgojmë edhe libra.

Memetko konstaton se: Me ndihmën e amerikanëve në koloninë shqiptare kanë depërtuar shumë prej reaksionit.Relatori shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.

Ministria e Brendshme përpiqet që të shfrytëzojë për informacione nga kolonia gazetën proqeveritare”Liria” madje dhe kundër Vatrës e Diellit.

Për t’i dhënë informacion Ministrisë së Brendshme gazeta LIRIA që po sponsorizohej nga Tirana, botonte në faqet e saj informacione rreth Vatrës dhe degëve të saj. Ndër të tjera nga ky raport marrim një informacion, që nuk e gjejmë në arkivin e Vatrës, emërtesat e degëve jo vetëm me numra, siç i kishte regjistruar vetë Vatra por me emra. Kështu psh Degat e Detroitit thirrej dega” Presidenti Wilson”, një degë në Boston ishte emërtuar”Themistokli Gërmenji”, dega në Manchester thirrej”Manastiri”, një degë në Kliveland kishte emrin” Petro Nini Luarasi”, dega e Nju Jorkut thirrej’Naim Frashëri” një degë në Akron- Ohajo thirrej “Vani Qiraxhi” etj.

Duke u ndalur në marrdhëniet e Vatrës me Shqipërinë e Lirë, Ministria e Brendshme konstatonte se: Vijonte procesi i bisedimeve mes dy organizatave, por dukej se nuk do të arrihej asnjë mirëkuptim.Mosmarrveshjet vazhdonin. Kur shkoi delegacioni ynë në Nju Jork dhe deshi të merrej me atë punë, kishte arritë më parë një letër nga Hysni Kapo, që udhëzonte të lihej njëherë ajo puna e bashkimit. Nga ana tjetër, në të dy organizatat kishte polemika të pafundme dhe mosmarrveshje e keqkuptime nga elementë brenda dy organizatave. Psh, Nini Luarasi,anëtar i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, demaskojë me 2-3 artikuj të botuar në Dielli Dr. Nase, përse ky i fundit paska bërë dy mbledhje për të diskutuar letrat e tradhëtarit Stavro Skëndi. Nga ana e saj edhe Vatra ka pësuar tronditje për arsye se disa nga anëtarët e Komitetit të saj si Qerim Panariti, Shefqet Bença, refuzuan të marrin pjesë në Komitetin për ndihmat e Shqipërisë, që u formua disa kohë më parë në Nju Jork. Kjo ka zemruar anëtarët e thjeshtë të Vatrës, madje kryetari i degës së Nju Jorkut , Halil Bozgo,(elemnt i ndershëm) ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit të Vatrës për të kërkuar llogari ndaj personave të mësipërm.

“Luani” raportonte: Shqiptarët e Amerikës kanë qenë gjithmonë të alarmuar për gjendjen e mjerushme ekonomike në Shqipëri.Dielli pat botuar e komentuar një frazë të Gjeneralit të U.N.R-as, Rooks, i cili thoshte: Në asnjë vend të Europës, nuk pashë më tepër uri se sa në Shqipëri.” Dhe më poshtë”duke parë këtë gjendje, Kryeministri Enver Hoxha më tha që jemi gati të bashkëpunojmë me çdo organizatë ndërkombëtare me karakter ekonomik”…

Relatori arrin në përfundimin se: Këto shprehje, shqiptarët i marrin kallëp. Pastaj, Vatra dhe Shqipëria e Lirë, për të patur më shumë sukses e alarmonin vetë çështjen. Këtu edhe kanë përfituar elementët e këqinj, si Qerim Panariti, që ta godisnin indirekt pushtetin tonë.Para disa muajësh bëhej më tepër propogandë për të grumbulluar miell, por me ndërhyrjen e delegacionit qeveritar, po u jepet më shumë rendësi sendeve të tjera.Për këtë punë me inisiativën e delegacionit të qeverisë  dhe me mbështetjen e shokëve jugosllavë, u krijua një komision i përbashkët për të gjitha ndihmat.U morëm vesh me shokët jugosllavë që vaporët jugosllavë të merrnin vetëm plaçka e këtij komiteti, që u aprovua nga qeveria e Tiranës, por Vatra e kundërshtoi dhe nuk mori pjesë.

Sigurimi, përmes relatorit me nënshkrimin”Luani” shfaqte shqeteësimin se në drejtimin e Vatrës kishin hyrë elementë reaksionarë, si:Peter Konja, që kish qenë Ministër i Zogut më 1943 në Washington.

Raporti: Petër Kolonja dhe Qerim Panariti shkojnë në harmoni të plotë mes tyre.Sa herë shkon në Washington Qerimi takohet me Peterin dhe Kostë Chekrezin dhe së bashku shkojnë në Departamentin e Shtetit, ku takojnë Shefin e Marrdhënieve për Ballkanin , një farë James Charls. Qerim Panariti dhe Peter Kolonja nuk e fshehin se kanë miq në departamentin e Shtetit. Sipas një bisede që bëri Sh. Duka me P.K. , ky i dyti i paska thënë se QP kishte shkuar në Departamentin e Shtetit me gjithë ambasadorin e Jugosllavisë dhe ka premtuar se do ta kthente politikën kundër Shqipërisë sapo të shihte rastin e volitshëm.(Vijon)

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Dalip Greca-Vatra-Shqiperia e Lire-Dielli-Liria

VAJTIMI ME PAGESË TE SHQIPTARET E REKËS SË EPËRME

September 17, 2019 by dgreca

Shkruan: Avzi MUSTAFA/Në zakonet që kanë të bëjnë me vdekjen dhe përcjelljen e të vdekurit ekzistojnë shumë rite, që janë pagane ose parapagane. Një ndër zakonet shumë të vjetra është edhe kur një i vdekur vajtohet me një lloj të kënduari të përvajshëm.

            Vajtimi ka qenë i pranishëm edhe në popuj të ndryshëm, ku disa rite e zakone janë zhdukur ose kanë marrë forma të ndryshme. Sot, përveç ngjashmërive, kanë dhe diferenca, madje diferencat nuk janë ndërmjet popujve, por ato janë dhe brenda një kombi.

Dhimbja për ata që largohen nga jeta shprehet në mënyra të ndryshme. Për shembull, në veri ka pasur vajtime dhe me goditje të kraharorit, çjerrje fytyre, vajtime me britma e rënkime. Gati te të gjithë popujt e Ballkanit ekziston që në lashtësi një traditë e vajtimit, siç thuhet me “argatë”, e cila është përcjellë dhe në ditët tona. Kjo traditë është e njohur te grekët, rumunët, vllahët, turqit, kroatët, malazezët, serbët, maqedonasit e bullgarët, por edhe në disa vende të tjera botës etj.

Është kjo një traditë shumë e moçme, që ekziston edhe te shqiptarët: kur dikush vdes, kërkohet që dikush të vijë e ta vajtojë të vdekurin. Këtë punë e kanë bërë disa gra ose burra, që janë quajtur “vajtoca” e “gjamatar” të paguar.

            Vajtimin ndër shqiptarë në shekujt e fundit e bëjnë vetëm gratë dhe atë vetëm ditën, Këto gra, që e vajtonin të vdekuri, paguheshin qoftë me para ose me natyrë.

Ashtu siç pohon i madhi Eqrem Çabej, dikur nga viset greke kanë ardhur një numër i madh i vajticave me pagesë . Po ashtu edhe në Shqipërinë e Veriut, sidomos në krahinën e Mirditës, janë paguar vajticat, por më të njohura kanë qenë vajtica e rrethit të Peshkopisë dhe të Zajazit të Kërçovës. Edhe sot e kësaj dite mund të dëgjosh shprehjen “kjo duhet të vajtohet me gra Zajazi” ose “të qafsha me gra Zajazi”, sepse ato kanë vajtuar mallëngjyeshëm dhe në polifoni në ditën e tretë të vdekjes .

Duke parë format e tyre të përgjithshme dhe nga struktura e vargjeve dhe të ritmit, ato dëshmojnë se janë ndër llojet ma të vjetra të folklorit tonë. Ashtu siç thonë folkloristët, e vaji me ligje është “improvizime që shpreh dhimbjen e thellë, por edhe jep një pikturë të cilësive të të vdekurit, një portret të plotë, herë-herë fizik e shpirtëror të tij”. .

Në historinë e vajtimit, sipas studiuesve, dallohen pesë periudha. Periudha e parë, që është më e vjetra është ajo ku vajtimi përfshin britma dhe rënkime me zë, që i bënin familjarët e të vdekurit. Faza e dytë është vajtimi në vargje, që ka ecurinë e një ritmi gati ad libitum. Këtë e vajtim e kanë bërë anëtarët e fisit të afërt ose të largët, sidomos gratë e moshuara, por të fisit të vet. Faza e tretë përfshin vajtimin nga një  grua e huaj që posedon aftësi dhe zë të mirë. Vajtimi në këtë fazë merr një karakter të këndimit, duke përdorë “improvizimin që shpreh dhimbje, por që bën edhe një portret, herë fizik e herë psikologjik, të të vdekurit”.  Faza e katërt është faza kur një familje për të vdekurin merr një grua me pagesë, e cila dallohet me aftësi vajtimi, ndërsa vajtimi i saj merr karakter të zanatit. Ajo që e kryen këtë punë, për këtë punë paguhet me natyrë ose me para. Faza e pestë është ajo kur vajtocat janë përkryer me këngët e vajtimit dhe janë provuar në shumë raste për të vdekurit. Në këtë fazë vajtocat janë të fisit ose edhe të largëta. Në shumicën e rasteve ajo është një grua që vajtimin e ka profesion.

Si te shumë popuj të botës, krahas zhvillimit kulturor të përparimit të njerëzimit si dhe nën ndikimin faktorëve socio-ekonomikë, edhe vajtimi kohëve të fundit e ka humbur atë karakter që e kishte dikur, por mbetet vetëm si një moment, që do të kujtohet si “një vdekje e kënduar mirë”.

Një zonë mjaft interesante që i ruan traditat, ritet e zakonet e moçme, kjo për shkak të kushteve natyrore e historike, është vajtimi me pagesë që ruhet në Rekën e.Epërme. Te shqiptarët e Rekës së Epërme, si një zonë e izoluar dhe si një vend ku mallkimi i shenjtë është “kripa huaj”, që do të thotë se njerëzit përveç kurbetit nuk kishin asgjë për mbijetesë, vdekja e një familjari u shkaktonte dhimbje si kudo, por në këtë zonë, përmes vajtimit, kërkohet shfryrje, lehtësim shpirtëror.

Vajtimi tek Shqiptarët e Rekës së Epërme ka rol të veçante socio-ekonomik dhe patriarkalo-religjioz, ku shumë lehtë shpërthen lirizmi. Për nga forma e brendshme është shumë nostalgjik. Kështu vajtimi në këtë zonë e ka ritmin e lirë, ashtu siç thonë vendasit – një dramë e gjallë e të folurit me një tronditje e me theks pikëllues.

Vajtimi për vdekurin, i krijuar ad hoc, vjen nga dhimbja dhe është plot figura të fuqishme, pyetje retorike, ka lirizëm të fjalëve përkëdhelëse, gëlon nga epizmi i mallkimeve, që krijon atmosferë tepër emocionuese, që i trondit të gjithë ose, siç thonë rekasit, “loti del vetë”. Në Rekë gruaja që mbahet mend mban emrin Sarafka nga Niçpuri dhe nëna Selvije nëna e Dilaverit nga fshati Volkovi..

Në këtë trevë në fillim çdo i vdekur është vajtuar me anëtarët e familjes, sidomos gjyshja, nëna ose motra në praninë e grave e të fisit e të fshatit, kurse burrat kanë bërë përgatitjen e të vdekurit dhe sigurimin e ushqimit për të largëtit e farefisit, si dhe sigurimin e rakisë, që është pirë për “shpirt të vdekurit”.

Tek shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme vajtimin e kryejnë gratë nga fisi i të vdekurit, por edhe një grua e huaj me pagesë në natyrë. Me rastin e vdekjes së ndonjë anëtari të familjes, të gjitha gratë angazhohen që t’i ndihmojnë jo vetëm gratë e familjes, por edhe gratë e tërë fshatit. Nëse familja është ekonomikisht e dobët ose nuk ka burrë shtëpie, të vdekurin e vajton një grua që është e fisit dhe në moshë ose ajo që përgatit ushqim për njerëzit që vinë për ngushëllime.

Në qoftë se familja është e pasur, ata e paguajnë një grua që di “të “rendit”, siç e quajnë rekasit “renditicë”, cila e ka aftësinë e britmës dhe rënkimit, por edhe posedon aftësi të invecionit, si dhe intelegjencë, kulturë dhe muzikalitet. Ajo e fillon vajtimin në formën e një bisede poetike me zë të zgjatur, duke renditur fjalë për të vdekurin sipas moshës e virtyteve të të ndjerit apo të së ndjerës. Vajtim me “renditje” nëpërmjet vargjeve, që i thotë “renditica” që paguhet, shoqërohet nga gratë e fisit, që i ndihmojnë në korr dhe që mund të jenë deri më 20 veta. “Renditica” ulet te koka e të vdekurit, ndërsa gratë e tjera qëndrojnë ulur anës së krahëve të të vdekurit

Nëse i vdekuri vajtohet te varri, vajtojca me pagesë qëndron mbi kokën e të vdekurit ose e ulur në gjunjë para këmbëve të të vdekurit. Vajtoca fillon të rendisë me fjalë të zgjedhura, duke përdor fjale më ton të gjatë e melankolik. Pas disa vargjeve ose një strofe, ajo e ngre zërin dhe pas çdo vargu të tretë ndërhyn korri i grave. Kur vajtojca jep shenjë se gratë që këndojnë në kor duhet të ndalojnë, ato pushojnë. Vajtica rendit fjalë mbi të vdekurin dhe përsëri jep shenjë që të ndërhyjë korri, por tani ndryshon nga vajtimi i mëparshëm – tani pas “renditcës” përsëritet vargu i tretë dhe pas një pushimi shumë të shkurtër, grat në korr e përsërisin dy vargjshin si dhe afërsinë dhe epitetet e të vdekurit si “i miri i nonës”, “punëtori i nonës”, “trimi i nonës”, vëllau i motrës etj. Ky vajtim bëhet në një dhomë të katit të parë të shtëpisë, por edhe në odën e miqve.

Pasi i vdekuri vajtohet ose “rënditet” për disa orë, pastaj i vdekuri dërgohet prej shtëpisë në kishë. Aty çdokush që e merr pjesë, si gratë ashtu edhe burrat, ndezin qirinj, lënë ca para për kishën dhe sipas ardhjes së ngushëlluesve rrinë disa minuta dhe dalin jashtë për të lënë hapësirë për të tjerët. Pasi i kryen prifti të gjitha ritualet religjioze, të vdekurin e dërgojnë në varr. Rrugës prej shtëpisë e deri në kishë dhe prej kishe deri në varrezë vajtojca e vajton të vdekurin, siç thonë rekasit thonë “shum vikatën”.

Të afërmit marrin me vete ndonjë veshje, fotografi, arme ose gjësend që i vdekuri e ka dashur. Vajtoca e fillon vajtimin kur burrat e kapin arkivolin dhe ajo gjatë rrugës vajton duke ecur. Edhe grat e fisit mund të ndërhyjnë në kor, duke e përsëritur jo vetëm vargun e tretë, por strofat e plota. Ky vajtim në popull është i njohur me emrin “Njona renditën, qetra i nditën” ose, siç thonë në Rekë, “Njona e ze, e qetra i ndihin”.

Në bazë të kësaj, mund të konstatojmë se në këtë zonë kemi një dallim nga trevat tjera shqiptare, sepse këtu dallojmë dy lloje vajtimesh me pagesë, si:

  1. Vajtim me renditje “Renditën” (që behet një bisedë me të ndjerin në vargje, i “vajtoh me zo” dhe
  2. Vajtim që është njohur në këtë anë me emrin “vajtoj  gjunjazj” (vajtoj duke ecur)

Varësisht prej gjendjes ekonomike, ndodhë që dikush nuk mund të sigurojë vajtojcë me pagesë. Në atë rast këtë vajtim e bën, ashtu siç thonë vendasit, “mangjarnica” – ajo që i përgatit ushqimet për shpirtin e të vdekurit. Ajo angazhohet dhe nga familjari i jepet ndonjë basmë, peshqir ose diçka tjetër, por patjetër edhe pogaçe. Në të shumtën e rasteve më shumë e bëjnë për “shpirtin e të vdekurit”, por merret vetëm pogaçja, që është traditë e kamotshme e rekasve.

Kur angazhohet “vajtojcë” me pagese dhe ajo vjen nga ndonjë fshat tjetër, ajo së pari merr të dhëna për të vdekurin: fëmijë, djalë, nuse, babë, vëlla, gjysh etj., mbi punën që ka kryer, mbi shkaqet e vdekjes, mbi statusin ekonomik të familjes, mbi karakterin, sjelljen etj. Mbi bazën e këtyre virtyteve vajtojca krijon vargje ose vajton me zë, duke përdor fjalë që e lartësojnë të vdekurin përderisa ka qenë gjallë, vajton për bukurinë, punën e planet e parealizuara etj.

Te vajtimi me të ecur zëri i vajtojcës është i hollë dhe i lartë. Në këtë vajtim po ashtu marrin pjesë gratë që këndojnë në kor. Te ky lloj vajtimi “vajtojrica” vajton pas arkivolit të të ndjerit me zë të lartë kurse gratë e tjera vijnë pas, duke e shoqëruar prej vargut të tretë e deri te dyvargëshi dhe duke e rikënduar pasthirrmën “oe, e kuku.”.

Vajtojcat me pagesë në Rekën e Epërme vajtojnë në mënyra të ndryshme për njerëzit e vdekur. Secila vajtojcë vajton ashtu siç i vijnë në mendje vargjet për secilin të vdekur, ashtu siç e meriton ai sipas statusit social që ka pasur në fshat dhe sipas moshës dhe gjinisë. Në Rekë nuk ka ndonjë skemë për të vajtuar, por ka fraza të rënkimit e të vajtimit që përdoren sipas mundësive dhe situatave. Kur vajton vajtojca e paguar, në të vërtetë ajo improvizion. Ajo që është karakteristike gjatë vajtimit është përdorimi i tri rikëndimeve, të cilat vijnë në mënyrë ndërrueshme kur vajtohet në përgjithësi. Rikëndimi i parë është: “A-o, o-ve! (A-o, o kuku!), i dyti është: “U-o, o kuku!” (U-o, o kuku!) dhe i treti: “I-ho, o ve!” ( I –ho, o kuku!)

            Një shembull për djalin e pagëzuar që ka vdekur:

A gjalo, a-o, o-ve!

            Ty të pagëzonja (zonte nona),

            E të shtinja në kryq,

            I-ho, o –ve!

            E përzinja me fminë

            U-o, o kuku!

                        (Rikëndimi përsërit)

            E të lidhja halis në kallepket

                                    A-o, o-ve!

            E ty të lidhte dada

                        I –ho, o –ve!

            E ty të këndonja!

                        U-o, o –kuku!. .

Te vajtimi në ecje në Rekën e Epërme vajtojca së pari lëshon një britmë, pastaj një ofshamë, një thirrje në formë pashirme dhe më zë të hollë e të lartë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve ndaj të ndjerit, por edhe për të krijuar një lidhje psikologjike ndërmjet të vdekurit dhe të gjallëve.

Vajtimi nga vajtojcat me pagesë në këtë zonë fillon me një këndim monoton me më shumë fjalë në fillim e pastaj ngrihet zëri me korin e grave në rreshtin e tretë, por pa e prishur plotësinë organike të kuptimit, si p.sh.:(vajtimi i priftit)

            Ku bone katundarvet,

            Edhe kishvet,

            Edhe isanit?

                                    “A-o, o-kuku”

            Sa mirë vijne në kishë,

            Sa mirë kandonje,

            Sa mirë i zgjonje insanin,

            Sa mirë ti prift na zgjonje!

Ene na mas teje grarendjim,

            Se ke i mirë shum!

                        Ose (vdekjen e një djali)

            A bir kë më bone!

            Si m’u vdore!

            Si nuk pret nona!

Da dale vera,

Ti nuk gjeigjesh ma,

Edhe nuk sheh ma:

Si do dale vera;

E nuk sheh malet si da qelin!

Nuk gjeigjish qyqen

Si da këndojnë!.

Te vajtimi në të ecur, që është një karakteristikë e vetme e kësaj zone, mund të  shihen qartë gjurmët rituale të dramës popullore. Në këtë vajtim shihet edhe baza e tragjedisë në përgjithësi dhe fillet popullore të aktrimit dhe teatrit.

Vajtimi  më  i madh në ditën e vdekjes dhe të varrimit, por mund të vajtohet i vdekuri edhe në ditën e dyzetë, në gjysmë viti, në trevjetorin e vdekjes dhe në ditën e “shpirtrave”.

Vajtimi, si për nga forma, ashtu si për nga struktura e vargjeve dhe ritmi, është ndër llojet ma të vjetra të folklorit tonë. Mirëpo, duke pasur parasysh se vajet janë shumë të lashta, ato sot kanë evoluar.

Vajtimi në Rekën e Epërme, përveç pasqyrës psikologjike, e reflekton edhe tërë filozofinë e malësorëve dhe vlerësimin e vlerave që shprehin ndjenjat njerëzore ndaj babait, vëllait, nënës, motrës e etj.

Siç dihet, te shumë popuj vajtimi është i ndaluar me rastin e vdekjes së ndonjë personi. Ndalesë ka pasur edhe nga kisha, por edhe nga pushtetet. Sidoqoftë, vajtimi ka një rëndësi të madhe për fokloristikën, etnologjinë, letërsinë popullore, historinë e religjionit, por – për fat të keq – është studiuar fare pak.

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi mustafa-Vajtimi me Pagese-Reka e Eperme

MAJOR AHMET LEPENICA, KOMANDANT I PËRGJITHSHËM I LUFTËS SË VLORËS MË 1920

September 17, 2019 by dgreca

Të gjith studjuesit dhe historianët janë në një mëndje se Lufta heroike e Vlorës më 1920, vulosi me gjakun e 400 dëshmorëve vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe rishpalli Pavarësinë e Shqipërisë të përmbysur, mohuar nga Lufta e Parë Botërore./

Nga Albert Abazaj-Universiteti “Ismail Qemali” Vlore/

Në kuadër të 100 – vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, studiuesi Enver Memishaj – Lepenica botoi monografinë “Major Ahmet Lepenica Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”. Përpara se të diskutonim për librin, i bëmë një intervistë, që na duket se paraqet interes e, për këtë, gjykuam t’i gjejmë vendin e vlefshëm edhe në punimin tonë.

Pyetjes se përse major Ahmet Canaj – Lepenica duhet të zërë vend në historinë e Shqipërisë, studiuesi E. Memishaj i përgjigjegjet se, pëveç kontributeve patriotike të mëparëshme që kishte dhënë, major Ahmet Lepenica ishte dhe një nga 14 burrat e shquar që rishpallën Pavarësinë Kombëtare me LV, 1920, ku major Lepenica ishte komandanti i asaj lufte. Pra vlera dhe rëndësia historike e major Ahmet Lepenicës qëndron pikërisht në faktin se ai udhëhoqi në fitore luftën që vendosi fatin e Shqipërisë. Në libër mbi bazën e dokumentave të shumtë arkivorë, të shtypit, folklorit dhe kujtimeve të bashkëkohësve është përshkruar edhe më tej veprimtaria atdhetare e major Ahmet Lepenicës.

 Ky libër për herë të parë: përshkruan plotësisht Luftën heroike të Vlorës, 1920; zbulon madhështinë e figurës historike të major A. Lepenicës, dhe ja kthen këtë figurë historisë sonë kombëtare; përshkruan të dymbëdhjetë anëtarët e KMK, me në krye Osmën Haxhinë; përshkruan Shtabin e luftës, ushtarakë që udhëhoqën Luftën e Vlorës, ish oficerë të shkëlqyër të Perandorisë si kapiten Qazim Koculi, major Ismail Haki Libohova, major Ismail Haki Kuçi etj dhe jo ashtu siç kanë falsifikuar komunistët se udhëheqësit e luftës ishin fshatarët pa shkollë; evidenton atdhetarë të Vlorës si Osmën Haxhiu, Duro Shaska, Alem Mehmeti etj., të cilët vunë pasurinë e tyre, për luftën, se pa këtë pasuri të agallarëve të Vlorës lufta nuk bëhej; fshatarët vlonjatë dhe tepelenas mbajtën peshën kryesore të luftës, ata bënë luftën të vetëm prej datës 5 deri në 10 qershor 1920 se vetëm pas kësaj datë erdhën ndihma dhe lufta mori karakter kombëtar.

          Nga studimi me kujdes e me objektivitet i monografisë së autorit në fjalë për njërin nga heronjtë e LV, kemi vrejtur se përmendja e shpeshtë e emrit të A. Lepenicës dhe vlerave të tij në çdo faqe libri, të jep përshtypjen hera – herës se vetëm ai ishte kryesori në atë luftë, kur mjaft figura tëtjera qoftë dhe ajo e Qazim Koculit, si Komandant i Përgjithshëm për periudhën më të gjatë të luftës, anashkalohen ose përmenden shkarazi. Na duket subjektiv ky qëndrim, për shkak të origjinës së përbashkët të heroit me autorin dhe ndoshta ky gjykim mund të ketë nevojë për t’u verifikuar edhe nga specialistë më kompetentë, por gjithsesi kjo vrejtje nuk e ul aspak vlerën e librit dhe figurës së heroit Ahmet Lepenica.

Ky libër përfshin një numër të konsiderueshëm dokumentash të kohës mbi jetën dhe veprimtarinë e njërit prej katërmbëdhjetë burrave që rishpallën Pavarësinë Kombëtare në vitin 1920, një personalitet i shquar i historisë së Shqipërisë, një veterani pa njollë, që gjithë jetën ia kushtoi luftrave për liri e pavarësi të Shqipërisë. Personazhe të tillë të fuqishëm si ai i A. Lepenicës kanë qenë pak të njohur sidomos gjatë periudhës së diktaturës. Megjithatë populli i krahinës së Vlorës dhe Labërisë nuk rreshti së ngrituri këngë për bijtë e vet që që i dolën zot në kohët më të zeza. Ai do të këndonte: “Kush e prishi Italinë/ Osmëni me dy Qazimë,/ Bimbash Ahmet Efendinë”. Janë vetëm tre vargje ku jepet një epope e tërë që të trondit: Që Italia u mund (u prish,) që prijësit e asaj lufte ishin Osmën Haxhiu, Qazim Kokoshi, Qazim Koculi dhe natyrisht oficeri i lartë, bimbashi, major Ahmet Lepenica. Pas përmbysjes së diktaturës komuniste mundësitë për studimin e figurave hisorike pak të njohura më parë u bë më e madhe. Tashmë në dispozicion të studiuesve u vu gjithë arkivi me dokumentat historike shqiptare dhe të huaja… për të nxjerrë në dritë të vërtetën historike, të një ngjarjeje, apo të jetës së një njeriu të vetëm…

 Në libër, autori ndalet sidomos te kontributet e A. Canit në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes, dhe si Komandant i Përgjithshëm në LV, 1920. Faqe pas faqeje nëpërmjet materialeve dhe dëshmive shikojmë si rritet figura luftëtarit dhe atdhetarit Ahmet Lepenica. Mendojmë që një nga kulmet e veprimtarisë së tij, lavdia e tij, është epopeja legjendare e LV të cilën autori, na i përshkruan me hollësi duke u mbështetur në dokumentat e shumta të kohës. A. Lepenica do të caktohej nga KMK së Vlorës “…si Kumandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, duke u pështetur në burrërinë dhe në atdhetarësinë tuaj. Ngarkohe me këtë barrë shumë të shenjtë dhe të rëndë…”, fq. 99. Më vonë do ta shohim si Shef të Shtabit të Trupave Kombëtare dhe Komandant të Gjindarmërisë, gjithmonë të angazhuar në atë luftë të shenjtë deri në mbarimin e saj. 

Në librin e E. Memishajt, shikojmë dhe një sërë komandantësh, luftëtarësh e udhëheqësish labër, që drejtuan atë luftë heroike me një nga fuqitë ushtarake më të mëdha të kohës ose si thuhet në këngë “Me një mbret dyzet miljonë”. Autori zbërthen me pjekuri e bën një analizë të hollë për atë luftë titanike dhe, me të drejtë, del në përfundimin:“Patriotët që bënë Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës, rishpallën edhe një herë Pavarësinë Kombëtare dhe bënë të mundur që më 17 dhjetor 1920, Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë me kufijtë që ka sot.” fq. 206. Nëse nuk do të zhvillohej ajo luftë e madhe, e pakrahasueshme dhe e papërsëritëshme nga mënyra dhe koha që u zhvillua, Shqipëria ndoshta nuk do të ishte kjo që kemi sot por gjysma e saj, por edhe mund tu ishte dhuruar andej – këndej italianëve, grekëve e serbëve.

Për LV, At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej: “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve.. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar”. Shtjefën Gjeçovi, gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, dt. 21 – 28. 10. 1920.

Studiuesi Gëzim Zilja mendon se, qëndrimi i autorit lidhur me vlerësimet e Ago Agajt dhe sidomos Eqerem Bej Vlorës ndaj figurës së Ahmet Lepenicës mund të ishte më i qetë dhe objektiv, pavarësisht, që sipas tij, “Eqerem bej Vlora, sikundër ka derdhur vrer, mashtrime, poshtërime e denigrime ndaj të gjithë bashkëqytetarëve të tij, heronj të Vlorë… ashtu shpif e mashtron edhe për Ahmet Lepenicën….” f. 300

Me pasurinë e dokumentave, provave dhe fakteve, A. Lepenica, portretizohet e jepet si një apostull i shqiptarizmës, i mbuluar nga mjegulla e kohës padrejtësisht. Mendojmë se është e vlefshme të sjellim në këtë punim edhe një përmbledhje nga kumtesa jonë, mbajtur në veprimtari shkencore për diskutimin e librit në fjalë[1]: Libri “Major Ahmet Lepenica Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, në Luftën e Vlorës, 1920” është një monografi serioze historiko – folklorike, është një libër me dritë për profilin e një veterani kombëtar pa njollë. Në këtë libër jepet rruga e jetës kombëtare e major A. Lepenicës sipas kriterit kronologjik, që më 1920 – n shkëlqeu si Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare dhe, me Luftën e Vlorës, gremisën në det Perandorinë e Re Romake, që u vërsul si grabitqare nga Apeninet, por u tërhoq pa lavdi. Për këtë material që po paraqes, kam tri pika referimi: 1- Luftën e Vlorës, si ngjarje e ndodhur historike, 2 – A. Lepenicën, si një figurë që peshoi në këtë luftë dhe 3 – E. Memishën, si autor i monografisë për Epopenë e çlirimit të trojeve tona me komandantin e saj ushtarak Ahmet Canin, që populli në respekt të veprës së tij e thirri Ahmet Lepenica, kurse miqtë e lartë dhe Paria e vendit e folën Ahmet Labi.

1- Nga “Historia e Shqipërisë” vëll.2, Tiranë, 1965, LV trajtohet në mënyrë të përgjithshme, sintetike dhe vlerësohet për fitoren dhe entuziazmin që ndezi ndër shqiptarët e Lirisë; përmenden edhe emrat e Osman Haxhiut, Qazim Koculit, Ahmet Lepenicës si dhe emri i Selam Musait. Përmenden, nuk mohohen, por tepër thatë, si të qe një nga ato njoftimet e zakonshme të ATSH, që ajo jep rëndom, për rutinë pune. Më tej heshje apo më keq degradim i vlerave të mirëfillta e të vërteta historike. Në Erën e Re Shqiptare (mbas vitit 1990 deri më sot), LV, ka gjetur mirëkuptimin e të gjithë palëve: të politikanëve, qytetarëve dhe historianëve dhe është trajtuar realisht, duke e vlerëuar si një ngjarje që vendosi fatet e Shqipërisë në shek. XX. Në këtë libër LV jepet e shtrirë në gjerësi dhe në thellësi, ashtu siç ka ndodhur dhe mbetet në kujtesën e Kombit: Rishpallje e Pavarësisë Kombëtare, Pavarësia Konkrete e Shqipërisë. Komentet e tepërta janë ujëra që s’duhen.

2-…Me figurën e A. Lepenicës, autori ka kohë të gjatë që është angazhuar. Qysh para 30 vjetësh ai ka botuar artikuj në gazeta të ndryshme lokale e kombëtare në Shqipëri kushtuar patriotit lepeniciot me arsim të lartë ushtarak, i cili udhëhoqi me zotësi beteja që konkluduan me çlirimin e Vlorës e krahinave të saj më 1920 – n e lavdishme. Edhe ky libër për komandatin ushtarak të Njëzetës është produkt i dashurisë për vendlindjen që ka autori, trashëguar edhe gjenetikisht, respekt konkret ndaj Lepenicës, Mesaplikut, Labërisë dhe gjithë Shqipërisë. Ky libër nxjerr në pah edhe një herë fuqishëm vlerat shkrimore e botuese të autorit dhe është, për mendimin tim, vula e përkushtimit të një studiuesi për çështjen e Atdheut dhe ndaj trimërisë e heroizmit të një ushtaraku, të cilat A. Lepenica i kishte natyrshëm virtyte e cilësi të ushqyera në vatrën familjare të Esma e Islam Canit, qysh më 1872, kur leu. Nëpërmjet këtij punimi dëshiroj të evidentoj se janë botuar shumë libra për LV e trimat e saj, nga Ago Agaj, Gani Iljazi (Habazaj), prof. Muin Çami, prof. Viron Koka e Sazan Xhelo, prof. Bardhosh Gaçe, apo edhe nga firma të tjera më minore në historiografi, sidomos për personazhe konkretë të kësaj epopeje.

Përse e vlerësojmë këtë libër, që autori i dhuron 100 vjetorit të Pavarësisë? Së pari, është angazhim shumë dimensional që autori bën për herë të parë në kushtim të një vigani të LV dhe jo vetëm të kësaj ngjarjeje kombëtare. Së dyti, është jetëshkrim i plotë i rrugës kombëtare të major A. Lepenicës, i pari, siç thashë dhe i vetmi, që besoj se nuk mund të ketë një të dytë kaq të plotësuar. Së treti, vërej një harmonizim të organizuar siç duhet të trashëgimisë historike me trashëgimin kulturor dhe me ato tufa lulesh folklorike, që autori përzgjodhi në këtë monografi me njësitë folklorike nga epika historike kushtuar A. Islamit (Lepenicës). Në këtë këndvështrim dalloj vëmendjen ndaj trashëgimisë historike, që autori njeh më mirë. Në këtë libër, pas një leximi të kujdeshshëm dhe gjatë studimit të monografisë, vërej transparencën dhe turbullësirën si raport ndaj çështjes së LV, udhëheqësve dhe luftëtarëve të saj, që autori e ka trajtuar me koherencë e guxim intelektual, duke u matur edhe me “deshtë përçorë” të historiografisë shqiptare apo me figura të njohura, që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë, por që, sipas autorit, kanë qëndrime të pasakta, të njëanëshme dhe zbehin ndriçimin vigan të LV dhe trimave çlirimtarë. Ky libër…na shëron edhe kombëtarisht, sepse kirurgu historiko – folklorik, E. Memishaj vlerëson kriteret shkencore të botimit, sidomos dy elementët e domosdoshëm për një botim biografik: 1 – dokumentin historik dhe 2 – dëshminë historike, duke i dhënë përparësi, normalisht, dokumentit historik.

Kemi kuptuar qëndrimin e shëndetshëm kritik të autorit për vështrimin dhe shkrimin koherent të kësaj lufte të drejtë, e cila synonte shporrjen e kolonizatorëve nga trojet shqiptare të pushtuara; po ashtu edhe vlerësimin e tij që i bën luftës së luftëtarëve të trojeve autoktone. L V ka patur formacione të rregullta, të organizuara me çeta, me gjerësi e shkallëzim luftimi dhe me vertikalitet korrekt drejtimi. Autori i paraqet siç janë personazhet e luftës, apo, në rastin konkret, heroin e tij, me koloritin e qëndrimit në kohë e në hapësirë, parë nga konteksi i duhur për një studiues, që punon saktë edhe me institucionin verbal të aparatit bibliografik. Ndihem mirë që jam mik i autorit, por sidomos që paraardhësit e mi Murat Miftar Tërbaçi e Gani Iljaz Abazi ishin edhe miq të Ahmet Lepenicës, Osmën Haxhiut, Qazim Koculit, Duro Shaskës, Qazim Kokoshit, Hamit Selmanit, Alem Mehmetit, Ali Beqirit, Hysni Shehut, Azbi Canos, Sali Bedinit, Myqerem Hamzarajt, Beqir Sulos, Meçan Selamit, Rexhep Sulejmanit, Halim Xhelos e tërë atyre luftëtarëve të kombit dhe, do të përpiqem ta justifikoj, në kushtet që jetojmë, këtë fakt të nderuar e dinjitoz.

Shënim:

Shkrimi është nxjerre nga libri: Albert Abazaj “Lufta e Vlores, historia në epikën historike”, Tiranë 2015


Filed Under: Histori Tagged With: Albert Habazaj-Lufta e Vlores-Ahmet Lepenica-Enver Memishaj Lepenica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 271
  • 272
  • 273
  • 274
  • 275
  • …
  • 710
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 1958 / DR. WALTER LEHMANN, ISH-MJEKU PRIVAT I MBRETIT ZOG, NË CARMEL, USA : “LUFTA NDAJ KANCERIT FITOHET NËPËRMJET…”
  • Testamenti i Papa Franceskut në përvjetorin e parë të largimit në amshim
  • VISAR ZHITI NDEROHET ME TITULLIN “AKADEMIK HONORIS CAUSA” NGA AKADEMIA NDËRKOMBËTARE E ROMËS
  • Falënderoj pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan
  • Petro Nini Luarasi, 22 prill 1865 – 17 gusht 1911
  • SHPËTOHET NGA HARRESA NJË DORËSHKRIM I ÇMUAR I VITIT 1921 PËR GJERGJ KASTRIOTIN SKËNDERBEUN
  • “Armiqtë apo alienët? Shkencëtarët që zhduken një nga një”
  • Ramë Dardania dhe fluturimi i bletëve në Carroussel du Louvre
  • RIBOTIMI I VEPRËS MADHORE “LAHUTA E MALËSISË” NË DETROIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA
  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT