• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VOA PËR SHQIPTARËT

May 12, 2018 by dgreca

 

1 zeri i Amerikes1

75-VJETORI I ZËRIT TË AMERIKËS NË GJUHËN SHQIPE/       

66-c1200x600

  Nga Frank Shkreli*/

13 Maji i këtij viti shënon 75-vjetorin e themelimit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, ndonëse Zëri i Amerikës si ent i qeverisë amerikane për transmetime ndërkombëtare në anglisht dhe në shumë gjuhë të tjera botërore kishte filluar transmetimet për herë të parë me një program prej 15-minutash në gjermanisht – me 1 shkurt, 1942, nga një studio në qytetin e Nju Jorkut — vetëm shtatë javë pasi Shtetet e Bashkuara hynë zytarisht në Luftën e dytë Botërore.  Programi i parë i VOA-s filloi me fjalët e folësit Uilliam Hejl: “Po ju sjellim zërat nga Amerika.  Sot dhe çdo ditë prej sodit, ne do t’ju flasim për Amerikën dhe për luftën.  Lajmet mund të jenë të mira për ne. Ose lajmet mund të jenë të këqia.  Por ne do t’ju themi të vërtetën.”   Ndërkaq, ç’prej vitit 1976, këto fjalë janë mishëruar në Kartën e Zërit të Amerikës, në dokumentin që detyron me ligj Zërin e Amerikës që të “Shërbejë si burim i besueshëm dhe i mirë-informuar lajmesh”.  Për më tepër, ky ligj detyron VOA-n që trasmetimet e sajë të jenë, “Të sakta, objektive dhe gjithpërfshirëse”.  Në këtë frymë saktësie, objektiviteti dhe gjithpërfshirjeje ka vepruar edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, për çdo ditë dhe për çdo program që ka transmetuar për 75-vjetë tani, gjithmonë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe në mbrojtje të të drejtave të shiqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre autoktone.

Ashtu si gjatë 75-viteve të ekzistencës së tij, me të njëjtin përkushtim ndaj së vërtetës dhe besueshmërisë në emisionet e tij dhe angazhimit për liri e demokraci, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe edhe sot vazhdon të komunikojë me botën shqiptare kryesisht nepërmjet programit televiziv “Ditari”, por edhe nepërmjet materialeve “online”, si edhe platformave të tjera siç është “facebook”, duke furnizuar shikuesin dhe lexuesin shqiptar në vendlindje por edhe e anë e  mbanë botës, me lajme, analiza dhe intervista nga Amerika, nga bota por edhe nga korrespondentët e Zërit të Amerikës anë e mbanë trojeve shqiptare, mbi ngjarjet në rajon.

Zëri i Amerikës në shqip — si njëri prej dyzina gjuhësh të huaja që enti i përgjithëshëm i Zërit të Amerikës ka transmetuar gjatë 7-8 dekadave të kaluara, pothuaj pa ndërprerje – vazhdon të jetë edhe në këtë përvjetor, pjesë e kësaj historie krenare lajmesh dhe informacioni të sakt, objektiv dhe gjithëpërfshirës.  

Ndonëse gjatë gjithë historisë së tij 75-vjeçare, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe ka qenë – administrativisht — një ndër transmetimet e entit Evropian të VOA-s, sot është pjesë e Drejtorisë së VOA-s për Euro-Azinë, nën drejtimin e Dr. Elez Biberajt, ish Shefit të Seksionit shqip të Zërit të Amerikës, gjatë njerës prej periudhave më të arta të këtij enti por edhe më të rëndësishme për fatin e lirisë dhe të demokracisë në Shqipëri dhe sidomos në përpjekjet për çlirimin dhe  pavarësinë e Kosovës.  Në kapacitetin e tij si Drejtor i VOA-s për Euroazinë, ku bën pjesë edhe seksioni shqip, Dr Elez Biberaj u drejtojë kolegëve aktualë dhe ish-kolegëve të tij të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe këtë mesazh, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të tij.

“Urime të përzemërta Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës me rastin e 75 vjetorit të transmetimeve në gjuhen shqipe. Programi i parë në shqip ka fillluar me datën 13 maj 1943, një kohë kur Zëri i Amerikës transmetonte në shumë pak gjuhë.  Kjo dëshmon rëndësinë që Shtetet e Bashkuara u jepnin aspiratave të kombit shqiptar për pavarësi dhe demokraci. Transmetimet në shqip u ndërprenë në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, dhe rifilluan më 13 maj 1951. Zëri i Amerikës ka qenë dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar dhe ka shërbyer vazhdimisht si një burim i besueshëm lajmesh dhe informacioni.  Është e vështirë të gjesh një mjet tjetër shtypi që të ketë mbuluar dhe që vazhdon t’i mbulojë zhvillimet në Ballkan në një mënyrë të tillë gjithëpërfshirëse dhe gjithë-shqiptare si Zëri i Amerikës. Shërbimi Shqip vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm dhe gëzon një ndër audiencat më të mëdha mes shërbimeve në të gjitha gjuhët e tjera të Zërit të Amerikës.

Mirënjohje kolegëve të Shërbimit Shqip dhe të gjithë gazetarëve që kanë pasur fatin dhe nderin të punojnë për Zërin e Amerikës dhe të japin ndihmësen e tyre modeste për lirinë dhe demokracinë e kombit shqiptar!”, përfundon urimin e tij Dr. Elez Biberaj drejtuar kolegëve aktualë dhe ish-kolegëve që kanë punuar për 75-vjetë në Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe.

1 elez Biberaj 2 Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë/

Ashtu siç thotë edhe Dr. Biberaj në urimin e tij më lartë, drejtuar Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, madje edhe 75-vjet pas themelimit të tij, “Shërbimi Shqip vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm dhe gëzon një ndër audiencat më të mëdha mes shërbimeve në të gjitha gjuhët e tjera të Zërit të Amerikës”.   Në raportin e fundit të Drejtorisë të Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, thuhet se programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, “Tërheqin dhe influencojnë më shumë njerëz se çdo transmetues tjetër ndërkombëtar lajmesh në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.”   Ky fakt është vërtetuar edhe edhe nga raporte të tjera anketimesh ndërkombëtare, sipas të cilave VOA-shqip llogaritet të ketë në Shqipëri një audiencë prej 60.5% në radhët e të rriturve dhe 64% e të rriturve në Republikën e Kosovës në javë, duke theksuar se 4 nga 5 shikues në Shqipëri të programit televiziv të VOA-s shqip, e vlerësojnë këtë emision si “shumë të besueshëm”.

Në të vërtetë, ky fenomen është tepër i rrallë në fushën e transmetimeve ndërkombëtare – ndoshta i pa precedencë — kur një program lajmesh e informacioni nga jashtë, siç është Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, të tërheqë një përqindje kaq të madhe të shikuesve, në të gjitha trojet shqiptare.

ekipi VOA

            Foto marrë 5 vjet më parë, me rastin e 70-vjetorit të VOA-s shqip të stafit    aktual dhe disa ish-pjesëtarve të seksionit shqip.

Për aq sa ky fakt është një vlerësim i meritueshëm i punës që Shërbimi Shqip i VOA-s ka bërë gjatë këtyre 75-viteve për mirë-informimin e shqiptarëve kudo — shpesh herë nën rrethana të vështira – aq më tepër kam drojë se është një tregues i dhimbshëm i gjëndjes dhe i mjedisit jo të mirë politiko-mediatik, në të cilin vepron media sot, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Ente që merren me mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, siç është organizata “Freedom House”, e kanë karakterizuar median në Shqipëri dhe në Kosovë si, “gjysëm të lirë” dhe subjekt kontrolli dhe influence nga partitë politike dhe nga interesa të tjera biznesi.   Sipas ekspertëve, mungesa e një medias vërtetë të lirë, objektive dhe të besueshme, sipas standardeve ndërkombëtare në Shqipëri dhe në Kosovë, pasqyron edhe arsyet e vështirësive të këtij tranzicioni të lodhur dhe të stërgjatur politik, me të cilin po përballet shoqëria shqiptare — nga komunizmi gjysëm shekullor, në një demokraci vërtetë funksionale. 

Fatkeqsisht, me prirjet autoritare politike që vihen re në radhët e udhëheqësve aktualë politikë shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë edhe në Kosovë, ka gjasë që Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe të festojë edhe 150-vjetorin e themelimit të tij, megjithse disa media të caktuara shqiptare ia kanë ndjedhur dhe dëshiruar mbylljen, me kohë.  Besoj se tendencat autoritare alla erdoganiste dhe putiniste në proceset politike shqiptare, madje edhe gati 30-vjetë post-komunizëm, do ia zgjasin jetën VOA-s shqip edhe për 75-vjetë të tjera dhe janë arsyeja kryesore që Zëri i Amerikës, edhe sot në 75-vjetorin e themelimit të tij, vazhdon të jetë kaq popullor dhe të luaj gjithnjë një rol kryesor në hapësirën mediatike shqiptare, 28-vjetë pas shëmbjes së komunizmit.

*Autori ka shërbyer në detyra të ndryshme të Zërit të Amerikës gjatë një karriere 30-vjeçare, përfshirë shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i VOA-s për Europën. 

————————————————————————————————–  

Kënga më poshtë është nga rapsodi Sadik Qeriqi kushtuar Zërit të Amerikës.  Kjo këngë është kënduar fillimisht nga rapsodi i ndjerë Sali Mani me rastin e 50-vjetorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe.

 

https://www.youtube.com/watch?v=ISjfDPwIsa0

 

Filed Under: Histori Tagged With: 75 vjetori, Frank shkreli, VOA PËR SHQIPTARËT

Italia, NATO-s: Arta, Preveza, Suli, e deri në Kostur banohen nga shqiptarët

May 10, 2018 by dgreca

1 Libri1 Gazeta, Eleftheria e majit 19601 Gazeta, Iperiotikos Agon

Nga Arben Llalla/

Është shkruar vite më parë për një raport i Italisë drejtuar NATO-s në vitin 1960, ku qytetet Preveza, Suli, Filipias, Parga, Paramithia, Konica, Janina, Pogoni, Kosturi, Follorina, e kështu me radhë janë toka shqiptare që banohen nga 2/3 të popullsisë etnike shqiptare. Raporti i Italisë drejtuar NATO-s u pasqyrua në gazetat greke në fillim të vitit 1960 dhe më tej pati një reagim të ashpër nga ministri i jashtëm i Greqisë, Evangjelios Averof, i cili ishte vlleh me rrënjë nga fshati Meçovë i krahinës së Pindit. Ai i kërkoi qeverisë italiane ta anullonte menjëherë raportin dhe të jepte shpjegime të plota, madje të kërkonte ndjesë.

Ambasada italiane në Athinë bëri të qartë në një reagim paraprak që raporti nuk pasqyronte pikëpamjet e qeverisë italiane dhe se ky hetim i plotë ishte bërë me porosi. Raporti italian u konsiderua i pasaktë, i papranueshëm dhe anti-grek. Qeveria italiane u akuzua se ambasada e saj ka shpërndarë një njoftim në gjuhën shqipe, shoqëruar me një hartë të Shqipërisë së Madhe. Në shumë qytete të Greqisë u zhvilluan tubime anti-italiane.

Ne po sjellim faksimile e dy gazetave greke “Iperiotikos Agon” dhe “Eleftheria” e majit 1960, ku pasqyrohen reagimet e Greqisë për raportin e Italisë drejtuar NATO-s që vendbanimet në fjalë janë toka shqiptare.

Ky raport i Italisë krijoi acarime pa precedent me Greqinë, pra dy vende anëtare të Paktit të Atlantikut të Veriut ishin futur në sherr për çështjen e tokave shqiptare në Çamëri dhe në pjesën e Greqisë së Veriut.

Britaniku Ouen Pirsën në librin e tij (Owen Pearson) në librin “Albania as dictatorship and democracy, London, New York 2006, shkruan: “Në maj të vitit 1960, Greqia i dërgoi një protestë të fortë qeverisë italiane ndaj një raporti zyrtar “tejet tendencioz” mbi Shqipërinë, që ishte dërguar nga Shtabi i përgjithshëm italian i mbrojtjes dhe i qarkulluar mes komandave të tjera të NATO-s në selinë supreme, atë kohë, në Paris. Fragmente nga raporti italian u botuan në shtypin grek më 29 maj 1960 dhe që u konfirmuan nga burime zyrtare.”

Kjo tronditi thellë dhe befasoi qeverinë greke, e cila asnjëherë nuk kishte hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj të ashtuquajturit “Epiri i Veriut”, pra Shqipëria e Jugut.

Raporti, duke folur mbi përbërjen etnologjike të kombit shqiptar, vëren se qytetet epirote të Janinës, Prevezës, Kosturit, Pargës, Konicës e të tjerë ndodhen në Shqipërinë e Jugut, dhe se dy të tretat e popullsisë së Epirit përbëhen nga shqiptarë etnikë “që formojnë elementët më të mirë të zonës”.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Greqi, Italia, NATO, qytetet shqiptare

Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portretin origjinal të Skënderbeut

May 5, 2018 by dgreca

foto 1Nga Fotaq Andrea-Strasburg – Francë/ foto 2-2Botohet sipas revistës “Koleksionisti”, organ i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë me rastin e 613  vjetorit të lindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, 6 maj 1405/foto 3-2“Ne kemi pasqyrë Skënderbenë, i përqasur me Shën Luisin e Francës”. Me këtë thënie diamant të Faik Konicës te “Albania” e nisim shkrimin tonë për Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti në kërkim të pasqyrës së tij të vërtetë identitare dhe origjinale në bazë të dëshmive dhe veprave të artit që na kanë ardhur gjer më sot.foto 4-2Nuk ka si të mos vëmë në dukje që në fillim se katër vjet pas Kuvendit dhe Lidhjes së Lezhës, emri i Skënderbeut ishte bërë tanimë i njohur në Europë për fitoret e korrura të shqiptarëve ndaj osmanëve, që prej betejës së Torviollit (v. 1444) deri në qëndresën e Sfetigradit më 1448. foto 5-2Fakti historik është i tillë që sipas dëshmisë në “Notice historique sur la Maison de Saint-Mauris” një kështjellë në Savojë quhej “Fort de Scanderberg” (Fortesa e Skënderbeut) ose “Tour de Scanderberg” (Kulla e Skënderbeut). Olivier de la Marche, historian, diplomat, kapiten e kronikan i kohës, e përmend këtë fortifikatë më 1448, në kulmin e luftërave civile në Francë, kur Filipi i Mirë (Philippe le Bon) – që do t’i dërgonte Skënderbeut ambasadorë pas rrethimit të parë e të dytë të Krujës – ndërmerrte luftërat e tij në Franshë Kontenë e Burgonjës.foto 6Pikërisht, kësaj periudhe, viteve 1448-1451 u referohet At Vinçens Malaj kur i njeh Antonio Pisano-s (Pisanello, 1395-1455) – mbi bazën e një hipoteze të parashtruar nga Leonardo de Martino da Greci – autorësinë e gravurimit të medaljonit me portretin ndoshta më të hershëm të Skënderbeut, që ruhet në Zagreb, pothuaj i ngjashëm me atë që ruhet në muzeun numizmatik të Berlinit (foto.1, 2, 3).foto 7Para se të shohim rrethanat se si mund të ketë ndodhur realizimi i këtij/këtyre portreteve, le të themi në parantezë se përgjithësisht, në periudhën e Rilindjes italiane, çdo lloj vepre arti, e sidomos gravurimet dhe derdhjet e medaljoneve apo miniaturat e ndriçuara (enluminuret) në kodikë bëheshin tek artistët me porosi të veçantë: për të nderuar figurën historike që ato pasqyronin apo bëmat e këtij të fundit. Këto vepra artistike shërbenin kësisoj si dhurata të çmuara për të vlerësuar protagonistin kryesor, princ, mbret, dozh, funksionar, fisnik apo aleat, dhe jepeshin ose me ceremoni pritjeje, ose pasandaj shoqëronin kredencialet apo ndihmat materiale e financiare që dërgoheshin.foto 8Në rastin konkret, nuk mund të përjashtohet hipoteza se dy medaljonet e para me portretin e Skënderbeut mund të jenë porositur nga Alfonsi i Aragonës te Pisanello, i cili në vitet e fundit të jetës, me një përvojë të shkëlqyer si piktor, medaljon-punues dhe miniaturist kodikësh, ndodhej pikërisht në Napoli më 1448-1451, periudha kur pas Traktatit të Paqes me Venedikun (v.1448), Skënderbeu do arrinte fitoren historike ndaj turqve pas rrethimit të parë të Krujës (v. 1450).foto 9Kohët e fundit, prof. Lutfi Alia, mbështetur tek studiuesi i njohur venecian Piero Voltolina, i bën një prezantim dhe trajtim shkencor tre medaljoneve me portretin e Skënderbeut që ndodhen në katalogun voluminoz të Voltolina-s “Storia della Repubblica di Venezia attraverso le medaglie” (Milano, 1988). Bëhet fjalë për të njëjtat medaljone të derdhura, por studiuesi venecian e shtyn me një dhjetëvjeçar datën e prodhimit të tyre, realizuar, sipas tij, më 1463 në Venecie dhe më 1465 në Romë. Prof. Alia, duke iu referuar edhe studiuesit Frederick Kenner (Vjenë 1898), është i mendimit se gravurimi i portretit të Skënderbeut (me autor anonim, në këtë rast), duhet të jetë bërë mbi bazën e skicimeve të G. Bellini-t më 1461, konkretisht kur Skënderbeu ishte i ftuar nga Papa Piu II në dasmën e Antonio Piccolominit, ose pastaj më 1463, kur Gjergj Kastrioti, thekson ai, “vizitoi Venecian për të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes”Qytetar Nderi i Veneto-s””.foto 12Po prapë, se ku, kur dhe në ç’rrethana Bellini e ka skicuar Skënderbeun, në Napoli, Romë, Venedik apo Lagunova, kjo është një çështje që mbetet e hapur për hulumtim e studim të dokumentuar. Megjithatë, të gjithë studiuesit, shqiptarë e të huaj, që janë marrë me portretet më të hershme të Heroit tonë Kombëtar, që nga A. Thevet e P. Giovio (shek. XVI), që nga F. Kenner e De Martino (shek. XIX), tek F. Konica, F. Noli, V. Malaj, Dh. Dhamo, K. Frashëri,  K. Biçoku, F. Hudhri, M. Ahmeti, K. Naska, P. Voltolina, L. Nadin, I. S. Karanxha e L. Alia, të tërë janë në një zë kur pohojnë se portreti më i hershëm i Skënderbeut duhet të jetë realizuar nga Bellini (1429-1507) “d’après nature”, mbi bazë skicimesh (sot të humbur) gjatë vizitës/vizitave të Kastriotit të Madh në Itali. Pra, modeli, lënda e parë e gjallë, ka qenë e pranishme, para syve dhe penelit të Bellini-t. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që Heroi të jetë skicuar më parë edhe nga Bellini Ati (Jacopo).

foto 13Nga ana tjetër, mbetet e hapur për dokumentim shkencor edhe çështja nëse janë apo nuk janë të viteve 1449-1451 medaljonet e para që i njihen Pisanello-s. Sepse me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen: përderisa gjer më sot nuk është dokumentuar që Skënderbeu të ketë qenë në këto vite në Itali, mbi çfarë baze modeli janë realizuar ai/ato portrete? foto 15Vërtet, nuk përjashtohet mundësia që të jenë bërë skicime të portretit të Skënderbeut edhe gjatë kësaj periudhe, brenda vendit apo në Raguzë e gjetkë, dhe më pas, këto skicime të jenë dërguar në Itali (gjatë vajtje-ardhjeve të ambasadorëve) për të përfunduar te Pisanello si porosi “nga lart” (nga kushdo që financonte) për të përgatitur dhuratën e veçantë, në rastin konkret medaljonet. Për më tepër që gjesti dhurues merr kuptim të madh gjatë kësaj periudhe, kur Gjergj Kastrioti njihej tashmë si “Zot i Arbrit” dhe bashkëpunonte suksesshëm me Vatikanin, Janosh Huniadin dhe Alfonsin e Aragonës, kur kishte prapsur mbi njëzet sulme osmane dhe Kruja me qytetet e tjera të Arbërisë u bënin ballë rrethimeve të njëpasnjëshme, dhe sidomos kur ishte nënshkruar Traktati i Gaetës (mars 1451). foto 16Mbi të gjitha, pikërisht gjatë këtyre viteve datojnë edhe dy kodikët e famshëm me emblemën kastriotase që kanë qenë drejtpërdrejt në zotërim të Kastriotit të Madh: “Libri i Uratave” dhe “Libri i Petrarkës” (prezantimin e këtyre kodikëve e kemi bërë te monografia “F. Andrea, D. Muka, “Tre libra të bibliotekës kastriotase në përqasje me heraldikën shqiptare”, Studia Albanica, 2007” foto 4, 5, 6).foto 17Më tej, sikurse pohon me të drejtë edhe prof. L. Alia në studimin “Skënderbeu në Artet figurative të shek. XV”, mbetet po ashtu e hapur çështja se gjatë shek. XV duhet të ketë pasur edhe vepra të tjera me portretin origjinal të Skënderbeut. Një portret i tillë i Skënderbeut është kataloguar për shembull nga “The Athenaeum – a journal of literature, NR3066, 31 july 1886, f. 130”, ku vihet në dukje: “Portret i Skënderbeut nga Alesso Baldovinetti” (1425-1499), bashkëkohës ky i G. Bellini-t dhe A. Pisano-s. Album-Antologjia jonë “Skënderbeu – Heroi Kombëtar i shqiptarëve, 1413-2017”, konkretisht “Pjesa shtojcë – Katalogu” dëshmon për mjaft vepra në këtë drejtim, “të inventarizuara në kartë”, të themi, por të humbura apo ende të pazbuluara.foto 18                                                                                                *  * *

Duke u shkëputur nga medaljonet e para me portretin e Skënderbeut, realizuar gjatë kohës kur vetë Heroi ishte gjallë (a nuk na kanë ardhur historikisht që nga Lashtësia portretet më të hershme të mbretërve dhe të figurave të shquara fillimisht nëpërmjet monedhave e medaljoneve ?!), le ta themi pa drojë se sot kemi – gjithnjë duke iu referuar viteve 1460 dhe për aq sa na lejon njohja e derisotme  – edhe portretin më të parë, më të hershëm e më origjinal të Skënderbeut, fatmirësisht me ngjyra, ndonëse në miniaturë (foto. 7). Është fjala për portretin e Skënderbeut në kodikun “De Romanorum Magistratibus” të Andrea Domenico Fiocco-s, Romë 1465, që ndodhet sot në Bibliotekën e Universitetit të Harvardit, Houngton Library, Cambridge Mass. me numër rendor MS Typ 496. Studimin më të plotë për këtë portret, më të argumentuar shkencërisht, me të dhëna të sakta dhe referime të shumta ia ka bërë të njohur kohët e fundit publikut shqiptar studiuesi pasionant Ilia S. Karanxha, i cili ka hedhur tanimë teza të guximshme për historiografinë shqiptare të periudhës skënderbejane. Me të drejtë, Karanxha nënvizon në studimin e tij “Skënderbeu autentik dhe modeli i Romës antike” (“Zemra shqiptare”, nëntor 2014), lidhjen organike të këtij portreti të Heroit jo vetëm me portretet e tij në medaljone, por edhe me portretin e Skënderbeut te Barleti, e më tej me portretin mbi portën kryesore të Pallatit të Skënderbeut në Romë (foto 8).foto 19Sinjalin e parë të pranisë së këtij portreti e dha prof. Shaban Sinani kur e botoi atë me cilësi shumë të dobët (fotokopje) në veprën e tij “Beratinus” (Argeta LMG, Tiranë, 2004). Më 2005, Prof. Kaliopi Naska botoi në “Revista Ushtarake” shkrimin “Si u gjet thesari i Drishtit?”, ku vinte në dukje për herë të parë praninë e kodikut “De Romanorum Magistratibus” si dhe dy ilustrimet e këtij kodiku, njëri prej të cilëve, siç theksonte ajo me të drejtë, “… portreti më i hershëm i njohur gjer më sot i Gjergj Kastriotit”. Më pas, në maj 2007, antikuari Dritan Muka në Kanada më dërgoi me e-mail historikun e shitjes së këtij kodiku si dhe përshkrimin e tij të hollësishëm sipas katalogut “Rare books and early mss, bot. Davies  & Orioli, London, 1962” (foto 9). Por u desh, disa vite më pas, pena e studiuesit Karanxha për të dhënë të plotë tablonë sinoptike të portretit origjinal të Heroit tonë kombëtar, si dhe përqasjen e tij me krejt portretet më të hershme të Skënderbeut që njihen deri më sot.foto 20Mund të shtrojmë me të drejtë pyetjen: po përse ky portret origjinal i Skënderbeut në këtë kodik të titulluar “De Romanorum Magistratibus, Roma, 1465”, që shqip do ta përkthenim “Magjistërit romakë” apo më thjesht “E drejta Romake”? Në çfarë rrethanash duhet të jetë realizuar, dhe përse?foto 21Të dhënat flasin se humanisti dhe jurist-konsulli italian Andrea Domenicco Fiocco (14??-1452 – që mbante në atë kohë si pseudonim edhe emrin e  historianit romak Lucio Fenestella, të kohës së Tiberit) duhet ta ketë shkruar veprën e tij të famshme “De Romanorum Magistratibus” rreth vitit 1427, koha kur ai ishte kanonik i Firencës. Kjo vepër e shkëlqyer e Rilindjes italiane ishte një risi, stoli, thesar, që u kopjua me dorë nga skribë të njohur shumë herë dhe shumë më përpara shpikjes së Gutenbergut, vepër që  do vazhdonte të kopjohej si kodik, i pjesshëm a i plotë, deri në vitet 1490. Fakti që ekzemplari “De Romanorum Magistratibus” i vitit 1465 përmban dy ilustrime mjaft domethënëse me tematikë arbërore (çelet me miniaturën e një prifti dominikan që i dhuron – e nënvizojmë këtë fjalë për të mos thënë i dorëzon – kodikun një princi shqiptar (foto 10), dhe mbyllet me më të famshmin e më të parin portret të Skënderbeut) vetë ky fakt na jep neve sot të drejtën të parashtrojmë tezën tonë se vepra e Fiocco-s duhet t’i jetë bërë dhuratë drejtpërdrejt Skënderbeut në emër të Vatikanit gjatë vizitës së tij po atë vit në Romë. foto 22E mbështesim nga ana tjetër këtë tezë tonën edhe me faktin se tashmë tre kodikë të tjerë me emblemë kastriotase i ishin bërë dhuratë Skënderbeut (në vitet 1450-1465) qoftë nga Alfonsi e Ferdinandi i Aragonës, qoftë nga Vatikani, dhe konkretisht “Libri i Uratave”, “Libri i Petrarkës” dhe “Libri i Skënderbeut”, ky i fundit një lloj enciklopedie e kohës. Pra, për mendimin tonë, “De Romanorum Magistratibus – 1465” i Fiocco-s, me portretin origjinal të Skënderbeut ka qenë kështu kodiku i katërt i “Bibliotekës Kastriotase”, në  pronësi të drejtpërdrejtë të Familjes Kastrioti në Krujë për aq kohë sa ishte gjallë vetë Heroi Kombëtar. Më pas, këto libra të çmuar për kohën dhe për personin që i zotëronte, krejt kancelaria kastriotase, objektet më me vlerë të Heroit, nga shpatat (dhe jo një, por shumë!), deri te përkrenarja, u morën dhe u mbartën të gjitha në Itali me anije të posaçme (ndoshta dhe vetë trupi i Heroit?) nga Donika Kastrioti për t’i mbrojtur nga rrënimi osman e për t’i pasur pranë vetes si thesare dhe si trashëgimi për të birin dhe pasuesit e tij, e mbi të gjitha si dëshmi historike të çmuara për Bëmat e KryeHeroit shqiptar. A nuk ndodhi kështu edhe me “Zojën e Këshillit të Mirë”, ikonën shpirtërore dhe partonen e gjithë Arbërisë dhe të arbërve?foto 23Në fakt, nuk është se kundërshtojmë këtu tezën e Karanxhës, sipas së cilës “De Romanorum Magistratibus – 1465”, me portretin e Skënderbeut, duhet të ketë qenë në pronësi të Raffaele Maffei Voterano-s dhe që këtej krejt arsyetimi i tij i drejtë për lidhjen organike të portretit të Skënderbeut me grafikën e veprës së Barleti – Beçikemit “De Vita et Gestis Scnderbegi” (foto 11). E pranojmë tezën e tij deri në këtë pikë, por jo më tej. Nuk besojmë, me një fjalë, që ky kodik të ketë qenë më herët (pas vitit 1465) në pronësi të Gherardo di Maffei-t (i ati i Raffaele-s),  në nderim të fisnikërisë së tij. Madje, vetë Karanxha e vë në pikëpyetje këtë tezë duke pohuar konkretisht: “Hulumtimin në këtë pikë mund ta konsiderojmë akoma të hapur” (!) Sigurisht, në këtë mes, siç pohon edhe ai, kanë dorë – për gjithë sa rrodhi më pas në Itali me objektet e Heroit –, Pjetër Engjëlli e Ferrante Kastrioti që jetonin dhe vepronin mes parisë dhe fisnikërisë së Napolit.

foto 24Nga ana tjetër, dëshmia e André Thevet, kozmografi i mbretit të Francës, që ka vizituar Ballkanin në mesin e shek. XVI dhe ka gjetur portret origjinal të Skënderbeut mes shqiptarëve në Butola (apo Bitola, emri i hershëm i Manastirit) të Arbërisë (foto 12), është domethënëse për faktin që portretet e Skënderbeut kishin filluar të përhapeshin në masë përtej Italisë, për mbajtjen gjallë të kujtimit të Heroit, sidomos në mbarë trevat arbërore. E dëshmon po ashtu edhe portreti i Skënderbeut (ndoshta nga Bellini) që ka qenë ruajtur historikisht nga familja Curani në Shkodër (foto 13), si dhe ish koleksioni i famshëm i kardinal Albanit në Romë, që mbante mjaft portrete të Skënderbeut të shek. XVI me autorë anonimë (foto 14, 15, 16), dhe sidomos portrete po të Skënderbeut të stilit tashmë “të fantazuar” (foto 17, 18, 19) me autorësi emrash të mëdhenj të Rilindjes Europiane, që nga Antonio Pallaiulo e Giorgione, deri te Guercino, Ticiani, Rembrand, të cilët do pasoheshin gjatë Rilindjes shqiptare nga Theohar Gjini për një portret psikologjik të Skënderbeut (fig 20). Vetë shpërbërja e koleksionit të kardinal Albanit pas vdekjes së tij, me shitjet private që u bënë, do të ishte një shtysë e re e mëtejshme për përhapjen dhe shumëfishimin e portreteve të Skënderbeut në krejt Europën.foto 25Po ashtu, portreti i njohur i Skënderbeut nga Christofano dell’Altissimo në Muzeun Uffizi (mbi bazën e origjinalit të Bellini-t), do shndërrohej që herët mes shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, si portreti më shpirtëror e popullor i Heroit Legjendar (foto 21), duke u vënë sidomos në qendër të Rilindjes shqiptare, të studimeve, publikimeve dhe arteve grafike. Kjo edhe për faktin se ky portret përmban, sikurse theksojnë M. Zeqo, L. Alia dhe mjaft studiues, vrragën (plagën) në tëmth të Skënderbeut marrë në betejë rreth moshës 60 vjeçare, në bazë të dëshmisë historike të Barletit.foto 26

Sigurisht tonin në shtimin e portreteve të Skënderbeut, më të hershme dhe më pranë origjinaleve të Bellini-t dhe shokëve të tij e dhanë që pas vdekjes së Heroit piktorët e shquar italianë të shek. XVI, sidomos Bernadinus Vitalibus (foto 22), të cilët shpejt do pasoheshin nga ilustratorët francezë e sidomos ata gjermanë, zviceranë e flamandë, nga Jorg Breu, Ati dhe i Biri, te Hans Schauffelein, Jost Amann, Tobias Stimmer, Domenicus Custos, pasuar nga J. Pontanus, De Bry, P.C. Balthasar, etj. (foto 23, 24, 25).

 

Shekujt XVI-XVII dëshmuan për një vlerë e famë gjithnjë në rritje të Kastriotit të Madh, duke e shndërruar KryeTrimin shqiptar në simbol qëndrese të paepur përpara superfuqisë së kohës që përfaqësonte Perandoria osmane, përpara rrezikut të saj iminent kërcënues, ku ndodhej Italia dhe mbarë Europa. Krahas përkthimit në shumë gjuhë europiane të Barletit mbi bazën e “Historisë së Skënderbeut” të frëngut Jacques de Lavardin (foto 26), krahas shtimit të monografive për Heroin shqiptar, kërkohej tanimë, dhe u arrit me sukses, dhe për një kohë të gjatë e në vazhdim, që Heroi shqiptar të paraqitej Epokal, Burrë shteti i madh, Luftëtar i paepur, Mbrojtës i Krishtërimit, siç kishte qenë në të gjallë të tij me vetë titullin “Atlet i Krishtit” që mbajti gjer në fund me nderin e Shqiptarit të Madh e të KryeHeroit, me nderin e “Babait të Kombit”, siç e ka quajtur Faik Konica.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fotaq Andrea, Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase, me portretin origjinal, të Skënderbeut

PROMOVIMI I BERATASVE : KUJTESA për hebrenjët në 500 vjet histori

May 4, 2018 by dgreca

Nga Sulo Gozhina/

BERAT – Ditën e sotme drejtues pushtetit vendor, Prefekti Qarkut Berat si dhe drejtues të tjerë të institucioneve vendore, pasardhës të familjeve që strehuan hebrenjtë, mësues dhe nxënës shkollash, banor të qytetit dhe të rrethinave të tij, intelktual të mirëfilltë, gazetar etj, ishin pjesë e hapjes zyrtare të kësaj foto galerie, muzeu me përmbajtje hebraike, ku ishte prezent dhe Rabini i Shqipërisë Yisorel Finman, drejtor Ekzekutiv i Rabinatit të Shqipërisë.  Qyteti me vlera i Beratit është prej ditës së sotme i shtohet një institucion tëjetër i ri kulturor, një muze ekspoze që sjell në vëmendje një memorie shekullore të bashkëjetesës, bashkëpunimit dhe solidaritetit mes beratasve dhe komunitetit hebre në këtë qytet. Në muze nëpërmjet fotove, dokumentave, evidentimit të familjeve beratase, sjell për herë të parë për publikun dhe vizitorët një muze që rëfen një hapësirë kohore 500 vjeçare, nga viti 1520, kur në këtë qytet u vendosën 25 familjet e para hebreje që përbënin një lagje të quajtur “Mëhalla e Çifutëve” .
I hapur nga studiuesi Simon Vrusho, tek Porta e Pashajtit të Beratit, në rrugën që të çon për në Kalanë e qytetit, muzeu nëpërmjet fotove, dokumentave të kohës ndalet tek shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjëve në kohën e Holokausit nga familjet beratase dhe më gjerë.
Në fjalën e tij studiuesi Vrosho mes të tjerash tha : “Ky Muze, i pari i llojit të vet, është i pari në Berat dhe në hapësirën mbarëshqiptare që evokon praninë hebraike 500-vjeçare, me fokus të veçantë Luftën II Botërore, Kohën e Holokaustit, kur në Berat u strehuan dhe u shpëtuan mbi 600 hebrenj, një pashaportë bese dhe humanizmi shqiptar, me të cilën i kemi të hapura të gjitha rrugët e ndjeshmërisë njerëzore, duke qenë në harmoni me njeriun dhe Zotin”.

Çeljen e muzeut “SOLOMON”, në Berat e përshëndeti dhe N/kryetare bashkisë Berat Teuta Muçogëllava e cila solli dhe falënderimet edhe nga kryetari i bashkisë Petrit Sinaj për të pranishmit si dhe falnderoj studiuesin Vrusho për punën e vyer që po bënë në qytetin tonë duke i shtuar një asset kulturor më shumë si dhe nxjerr vlerat e vyera të popullit tonë dhe kryesisht qytetarve berates e më gjen në kontributin që dhanë në strehimin e shpëtimin e hebrenjeve gjatë luftës së II Botrore nga Nazifashistët.

Rabini Yisroel Finman i shqipërisë u shpreh në fjalën e tij: “Familjet beratase dhe gjith Kombi Shqipëtar ka një kontribut të rëndësishë të vëçant në mbrojtje dhe në shpëtimin e hebrenjëve. Në këtë muze rrëfet një hapësirë kohore 500 vjeçare, nga viti 1520, kur në këtë qytet u vendos ën 25 familjet e para hebreje që përbënin një lagje të quajtur “Mëhalla e Çifutëve”.
“Ky Muze, i pari i llojit të vet, është i pari në Berat dhe në hapësirën mbarëshqiptare që evokon praninë hebraike 500-vjeçare, me fokus të veçantë Luftën II Botërore, Kohën e Holokaustit, kur në Berat u strehuan dhe u shpëtuan mbi 600 hebrenj, një pashaportë bese dhe humanizmi shqiptar, me të cilën i kemi të hapura të gjitha rrugët e ndjeshmërisë njerëzore, duke qenë në harmoni me njeriun dhe Zotin”. Duke e konsideruar si mjaft të rëndësishëm kontributin e familjeve beratase në shpëtimin e Hebrenjëve, Rabini Yisroel Finman, u shpreh në vijim të  fjalës së tij se: “Ju keni një vlerë të madhe, besën që duhet ta promovoni”, ndërkohë që kujtoj fjalën e dhënë nga kryeministri Rama për ndërtimin e Qendrës Hebraike në Tiranë”.

Vlen të përmendet se :
“Çelja e dyerve të muzeut “SOLOMON”, në Berat sot më tre Maj 2018, është një mbrekulli që dëshmon qart për mikpritjen, bujarin, bashkjetesën dhe tolerancën fetare në qytetin mbi 2400 vjeçar, tregon qart trimërin vendosmërin virtutet e sakrificat e një populli që ka ditur në shekuj të ruaj dhe bashkëjetoj dhe t’ju vijë në ndihmë kujtdo që ka nevoj apo që gjendet përballë vështërsive deri dhe tek mbijetesa. E them me bindje se populli Shqipëtar është mik dhe në krah të të gjith popujve në Botës që aspirojnë për liri e demokraci” .

Filed Under: Histori Tagged With: 500 vjet, Berat, Kujtesa Hebreje, Sulo Gozhina

KRYENGRITËSJA 22 VJEÇARE, ZHANË D’ARK–A SHQIPTARE

April 30, 2018 by dgreca

LE PETIT JOURNAL (1911) : JANICA MARTINAJ, KRYENGRITËSJA 22 VJEÇARE, ËSHTË ZHANË D’ARK–A SHQIPTARE/

image

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Prill 2018

 Le Petit Journal (Supplément Illustré) ka botuar, të dielën e 28 majit 1911, në ballinë, gravurën e shqiptares Janica Martinaj, kryengritëses 22 vjeçare, të cilën gazeta franceze nuk ka nguruar ta krahasojë asokohe më Zhanë d’Ark-ën.

 Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë për publikun shqiptar, shpjegimin e kësaj gravure :

 image (1)

“Shpjegimet e gravurave tona.

 Janica Martinaj, Zhanë D’Ark–a shqiptare.

 Një luftëtare e sapo zbuluar në kryengritjen shqiptare.

 Janica (Zhanë) Martinaj është vajza e një bajraktari. Pas vdekjes se babait të saj, gjatë një përleshje, djali më i rritur u thirr për ta zëvendësuar. Por trashëgimtari i fisnikut shqiptar ishte vetëm tetë vjeç. Çfarë duhej bërë atëherë ?

 – Më ndiqni ! bërtiti Janica, pasi kishte mbledhur ushtarët e babait të saj – unë do t’ju çoj drejt fitores.

 Dhe Zhanë d’Ark-a shqiptare, 22 vjeçare, vërshoi drejt armikut.

 Janica është shtatlartë dhe e fortë. Bukuria e saj magjeps kryengritësit. E armatosur me një pushkë të vjetër, të praruar me argjend dhe fildish, ajo drejton operacionet me një guxim të rrallë. Dhe, këto ditët e fundit, e pamë atë, në krye të kryengritësve që ajo udhëqeh, të sulmojë fortifikimet osmane dhe të detyrojë arratisjen e  ushtarëve të sulltanit.”

 

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Janica Martinaj, Le Petit Journal, Zhane Darka Shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 304
  • 305
  • 306
  • 307
  • 308
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT