• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZHURMA BAHET ME HARRUE !

August 8, 2019 by dgreca

KOLEGJI  SAVERIAN SHKODER

SIKUR…

Në ballin e Kolegjit n’foto asht Stema me Shqipen Dykrenare, dhe e shkrueme “Per Zot, Per Atme e Perparim”.Gjithshka e pershtatun me kulturen dhe qytetnimin Europjan. Aty u zbatuen programet ma të zgjedhuna e metodat ma të perparueme të formimit të brezit të rij në lamin e gjithanshem Perëndimor. Aty zbatohej arsimi dhe kultura ma e plota.Ajo shkollë i referohej tre drejtimeve themelore: “Punë –  Shkencë – Disiplinë”.Mësimi zhvillohej në klasa, kabinetet e fizikës, të kimisë dhe biblioteka shumë e pasun e Jezuitëve. Këtu, gjindeshin veprat e autorëve tanë të vjetër: Bardhit, Bogdanit, Budit, dhe ‘Gramatika’ e parë Shqipe e Françeskos prej Leçes (1716), si thonte Don Ndre Mjedja; e para gramatikë në Ballkan; veprat e Hahnit, Mayer, Joklit, Kamardes, Kristoforidhit etj. etj., skedari i famshëm i Atë Zef Valentinit, dorëshkrime e dokumente me rëndësi, të cilat ma vonë do të grabiteshin nga “dr. prof., e Akademisë së Shkencave RPSSh…” 

Duhet kujtue Don Luigj Maca, dhurues i 1100 napolonave, si dhe familjet e nderueme të Shkodres që ndihmuene hapjen e kësaj qendre edukative e mësimore të rallë në Ballkan.

Në pullazin e Kolegjit ishte edhe Stacioni Meteorologjik, i vetmi në gjithë Ballkanin…

Në 1906 Prifti anglez Ruter solli një top me disa rregulla futbolli të shkrueme, që u bane loja e dashtun e Vllaznisë mavonshme, ku lulzoi Loro Boriçi e mbarë Rinia Shkodrane! 

Volejbollistët e basketbollistët zanafillen e vet e kanë në oborrin e këtij Kolegji. Këtu pat lëshue trup edhe Mark Çuni, i Pari Demokrat i Europës Lindore në Maji të 1945, per të cilin Don Mark Hasi, bashkohës i Tij thonte: “Ai nuk i vjen ma Rinisë Shqiptare !”(1954)

1841, SIKUR… VJOLLCAT EDHE  SHKODRA !.. 

Ndertesa në krahun e djathtë, pra ndertesa me harqe, që siper kishte Teatrin e Kolegjit, i Pari në Shqipni.., të fliste nga gurt’ e varrosun n’ atë Tokë të Bekueme, mbas vitit 1960.., dhe të shpjegonte sesi aty u le arti dramatik me vlera të panjohuna edhe sot gati mbas 200 vjetësh, që i dha jetë dhe lavdi kulturore Kryeqytetit Ilirisë, Shkodres… Asaj Bij’ së re, të bukur dhe Burrneshë të Rozafës së Pavdekshme, Heroinë e Nderueme nder shoqet e veta të Ballkanit, Trimneshë e Bujare e Sokolave të Kastriotit, ku sofrat e fitoreve u janë shtrue e çue prej pasuesve të Oso Kukës dhe, deri tek Martirët e paharrueshem t’ Atyne Maleve që nuk njohin mort e marre nga Kullat e Prek Calit, Ded Cokut, Gjelosh Lulit e sa mija të tjerve.., rreth Votres Shkodrane të shemun të Luigj Gurakuqit… E, deri poshtë Drinit nder rranojat e At Gjergj Fishtës, ku Flamuri i Shqipnisë vazhdon me u valvitë nder vargjet e Lahutës së Malcisë!..E shitun dhe e turpnueme perjetë të jetës, nga pasues tradhtarë e “Rilindas” vrastarë, të pjellun nder sarajet sllavo – anadollake të Tiranës… 

               Melbourne, 8 Gusht 2019.                                

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovani- Kolegji Saverian- Shkoder

8 GUSHT, KUR U NDAL RILINDJA E KOSOVES….

August 8, 2019 by dgreca

NGA FRITZ RADOVANI/
Gazeta historike Rilindja, si nuk u ndal edhe kur u ndalua para 29 viteve…/ 
-Në 8 Gusht 1990 gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nuk doli, natën ishte ndaluar në shtypshkronjë nga forcat okupatore të Serbisë/ 
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 8 Gusht 2019/ Kosovës para 29 viteve Serbia ia ndaloi edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në atë kohë, Rilindja, por nuk arriti ta ndalë. 
“Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënë shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunshme të Serbisë, që e përfshinin edhe atë në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunshme të Serbisë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.
Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…
“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…
Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.  
Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…
Në mëngjesin e para 29 viteve – të 8 Gushtit 1990, me reportazhin “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, të shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova dhe hyra në Pallatin Rilindja dhe nisa ta daktilografojë me makinë shkrimi. Kolegët, që poashtu nuk përfillnin ndalimin e erdhën në Pallat, më shihnin si me habi pse po shkruaja kur gazeta s’do të dalë…
“Besoj se do e lexoni nesër në gazetë”, u thash, dhe ngjita shkallëve për te Ndërmarrja e Revistave, një nga gjashtë sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, te kryeredaktori i revistës letrare Fjala, Milazim Krasniqi. I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve), t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.
Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.
Kjo përvojë e botimit të shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës Rilindja në revistën Fjala me shpeshtime botimi vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare…
Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.
Gazeta e përditshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.
Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.
Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17  Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.
Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.
Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri më 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.
Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin,  ditën e saj – 12 Shkurtin.
Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.
“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.
“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis.       
 Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.
 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…
Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi  për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja”.
“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.
Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga  UNMIK – Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.
Në arsyetimin e  kërkesës për 
privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës 
Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të 
Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Gazeta shqiptare Rilindja nisi të dalë në Prizren në 12 Shkurt 1945, me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e vazhdoi në kryeqytetin Prishtinë.
Duke kaluar nëpër këto zhvillime, gazeta tradicionale Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.
RILINDJA NË KOHË LUFTE,  NË RAPORTIME TË SHKURTIT 1999 TË QENDRËS PËR INFORMIM TË KOSOVËS DHE TË AGJENCISË SHTETËRORE-ZYRTARE TË LAJMEVE TË SHQIPËRISË:
http://www.kosova.com/ arkivi1997/i990212b.htm
 
U shënua 54-vjetori i gazetës së përditshmes “Rilindja” 


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) – Sot në Pallatin e Shtypit në Prishtinë, gazetarë dhe punonjës të shumtë shënuan përvjetorin e 54 të botimit të gazetës së përditshme “Rilindja”.
Përvjetorin e kësaj gazete e shpalli të hapur Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar i “Rilindjes”, i cili në fillim nga të pranishmit kërkoi një minut heshtje në nderim të gazetarit dhe kolegut të kësaj gazete, Afrim Maliqi, dhe për viktimat e rëna nga terrori shtetëror serb.
Në vazhdim, z. Jashari theksoi se “sot për herë të parë po e shënojmë përvjetorin e kësaj gazete pa botimin e saj, përkatësisht pas ndalimit të dytë të gazetës sonë nga regjimi serb”. Në vazhdim z. Jashari foli për shembëlltyrën dhe personalitetin e çmuar të Afrim Maliqit, i cili u vra dhjetorin e kaluar nga shërbimi sekret serb. Duke folur për të ardhmen e të përditshmes “Rilindja”, z. Jashari shfaqi shpresën se së shpejti e përditshmja “Rilindja” do të jetë sërish në duart e lexuesve, pasi për këtë ekziston edhe një vullnet nga ana e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.
Në vazhdim, fjalën e mori zëvendëskryeredaktori i “Rilindjes”, z. Bajram Kabashi, i cili theksoi se “përvjetori të cilin e po e shënojmë sot, për herë të parë në historinë mbi gjysëmshekullore të daljes së “Rilindjes” është i veçantë, sepse këtë ditë jemi tubuar që përpos të përkujtojmë historinë dhe traditën e bujshme të gazetës sonë, së bashku me juve kolegë të nderuar të profesionit, jemi tubuar këtu të shprehim pezmin dhe kundërshtimin tonë për ndalimin e gazetës “Bujku” që nga 16 dhjetori i vitit të kaluar. Kjo u bë me pretekstin e gënjeshtërt e manipulativ, se kinse i paskemi borxh fantom organizatës “Panorama”, e cila lindi si rezultat i heqjes së gjysmëautonomisë së Kosovës para një decenie”.
Në vazhdim Bajram Kabashi theksoi se “Rilindja’ filloi të botohet këtu e 54 vjet më parë, ndërsa si e përditshme, gazeta jonë botohet tash e 41 vjet. Ndalimi i “Bujkut” në fund të vitit të kaluar, shënon përpjekjen e fundit të Serbisë për të shuar zërin autentik të “Rilindjes” dhe të traditës pozitive të gazetës, e cila gjithnjë ishte në shërbim të aspiratës së popullit tonë për liri e pavarësi nga regjimi serb.
Kërkojmë urgjentisht nga regjimi serb që të na e kthejë pasurinë e plaçkitur me vlerë prej 400 milionë markash gjermane. Kërkojmë liri të shtypit dhe të fjalës shqipe dhe për këtë kemi mbështetje e solidarizim gjithkombëtar e ndërkombëtar”, përfundoi Kabashi.
Në vazhdim zëvendëskryeredaktori i “Rilindjes”, i njoftoi të pranishmit se juria e përbërë nga gazetarët Shyqri Galica, Ali Cenaj e Frrok Kristaj, vendosi që çmimin për gazetar të decenies (çmim ky që e përditshmja “Rilindja e ndan për herë të parë), t’ia ndaj korrespodentit të “Rilindjes” nga Klina, z. Prend Buzhala, ndërsa shpërblimi tradicional “Gazetar i vitit” iu nda dy gazetarëve të “Rilindjes”, Evlianë Beranit e Zeqir Bekollit, si dhe fotoreporterit të kësaj gazete, Ilaz Bylykbashit.
Në fund të këtij përvjetori, gazetari Behlul Jashari i njoftoi të pranishmit se tash e tutje çmimi “Gazetar i vitit”, të cilin e përditshmja “Rilindja” e ndan çdo vit, do të ndahet me emrin e gazetarit dhe kolegut të nderuar Afrim Maliqi, propozim ky i cili nga të pranishmit u pranua me emocione e duartrokitje.
Nga ky manifestim iu dha përkrahje e plotë delegacionit kosovar në Konferencën e Rambujesë, si dhe u përshëndet uniteti i këtij delegacioni.
 
http://www.hri.org/news/
balkans/ata/1999/99-02-22.ata.html




[14] Rilindja appears in Prishtina after nine-year ban
PRISHTINE, Feb 22 – ATA correspondent reported that the Albanian daily Rilindja was published on Monday in Prishtina after nine-year ban imposed by the Serb regime.The daily was published despite the fact that the ban was still in place. It was printed in a private printing house because the Rilindja publishing house and all its property in Kosova worth 400 million marks were occupied and seized by the Belgrade regime.
The preparation for the newspaper was done under extremely difficult conditions outside the building of the Press Palace where the Serb police had banned the work of its employers since last year when Bujku was also banned. /la/ak/

Albanian Telegraphic Agency
 

(Behlul Jashari – në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditëshme të rezistencës “Bujku” që nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe kryeredaktor nga Janari 2002 i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008, ndërsa pas 10 viteve kishte edhe një ridalje simbolike protestuese, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari-Kur u dal Rilindja

HISTORI KOMIKE

August 7, 2019 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Është politikë e një tirani të shkatërrojë të gjithë pushtetin, por jo të vetin; dhe shkatërrimi i autoritetit ligjor është gjithmonë i synimi i tij.
Dihet historikisht që Jul Cesari, fundi i të cilit ishte edhe fundi i Republikës romake, e filloi karrierën duke lajkatuar njerëzit e senatit në dëm të Senatit; dhe miratoi që procesverbalet e procedurave të Senatit të botoheshin nën Acta Diurna, latinisht Lajme Ditore, që ishin njoftime të përditshme zyrtare, një lloj gazete qeveritare mbi lajmet më të rëndësishme shkruar në pllaka metalike që vendoseshin në vende publike në një bord të zbardhur të quajtur Album. Nga Acta Diurna ka mbetur edhe shprehja “publicare et propagare” – “publikoje dhe propagandoje”, e vendosur në fund çdo teksti.
Fakti është, se shqiptarët këto 30 vjet janë lodhur tmerrësisht nga zgjedhjet papushim; asnjëra palë nuk pranon humbje, as bien dakord për barazim, për pushtetin vendor e qëndror. Në dëshpërim, njerëzit me padurim miratojnë të parën zgjidhje që u ofrohet; më mirë skllevër të një aventurieri despotik, sesa viktima të shumë të tjerëve, kjo është mendësia e atyre që kanë humbur çdo shpresë. “Atë që ke për të bërë, bëje shpejt”, i tha Jezusi, Judës. Na jepni një shtet, le të jetë si të jetë, bënin thirrje Noli e Konica në vitet 1900, dhe vërtet shtetin na e dhanë, këtë që kemi sot, drejtuar nga njerëz me krime e vese, gënjeshtarë; që premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lum; të cilët, kur të buzëqeshin, dorën thellë në xhep ta kanë futur për të vjedhur; kur të hedhin dorën në qafë, prit të ngulin thikën; madje, shpejt do të vijë përsëri dita që edhe absolutizmi e tirania të preferohen kundrejt sistemit republikan demokratik parlamentar, për të cilin do të thuhet se e kishte mbajtur vendin të ekspozuar ndaj atyre që përpiqeshin ta rrëmbenin, pa mundur ta qeverisnin.

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi-Historia e natës

POROSI NGA FRATI I MALEVE

August 3, 2019 by dgreca

SHKRUAN: FRITZ RADOVAI/

APIKNISJA E SHFOROSJES SË NJË POPULLIT ASHT VLLAVRASJA…

17 JANAR 1945: At Geg’ LUMAJ asht Kleriku i parë që arrestohet në Shqipni nga sllavokomunistët me urdhen të trroristit Enver Hoxha, drejtues i Partisë komuniste… 

At Gega asht lé më 15 tetor 1904, në Plan të Dukagjinit të Shkodrës. Mbasi perfundoi studimët e nalta teologjike, ka përfundue Akademinë e Artëve të Bukura për pikturë në Siena. Asht cilësue ndër talentët që kanë mbarue atë shkollë. Ka punue disa vepra mbas këthimit në Atdhe. Një prej tyne per Skenderbeun ruhej në Troshan, por nuk dihet fati i saj. Asht shugurue meshtar më 12 korrik 1931. Nuk kishte ma të voglën kreni për punët e mëdha që kryente në famullinë e tij në Berishë. Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dionizin dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe Ata t’arrëstuem në Shkodër ndër ato ditë. At Dionizi më ka tregue aty nga viti 1994, se gjyqi po zhvillohej mjaft i rrebtë. 

Nuri Llazanit, agjent i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se ky i kishte ndjekë me kalë kur ai ishte kenë me një grup partizanësh… At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me te, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkonte nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, të marrin dënimin ma të randë. At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, i thotë: “Po më vjen marre mue sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”. 

1967arrestohet së dyti me “Revolucionin Kultural” prap për “Partinë Demokristjane”. At Gega deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët e Europës nëpërmjet të kësaj partie. Duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti,mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë, shka paskeni dashtë me ba ndër né, ju kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë). Gjithsejt ka ba 27 vjetë burg të dy herët e asht lirue në 1977, tue mbyllë jeten në Dukagjin 1990.

At Gega deklaronte: “Partitë politike në Shqipni duhen me kenë dy ose tri e, jo me baza fetare, po Demokratike. Ato në Popullin Shqiptar sjellin vetem Vllavrasjen e Shqiptarve!”

Sa parti ka sot Shqipnia?! Të gjitha drejtohen nga ish sigurimcat e shtetit komunist..!!

            Melbourne 3 Gusht 2019. 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovani-At Jeg Lumaj-Porosi

Mes San Diegos dhe Erzenit-Duke Kujtuar Peter R. Prifti

August 2, 2019 by dgreca

Nga Namik SELMANI/

Kujtesë për studiuesin, publicistin , shkrimtarin dhe profesorin shqiptaro-amerikan Peter Prifti

Isha akoma i emocionuar, shumë i emocionuar nga takimi. Ishte një fund qershori i bukur fildalfian. Pak freski në një qytet që e duan aq shumë shqiptarët po dhe ai i do aq shumë ata..
Në sallën e takimeve të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” kishin ardhur shumë miq, shumë dashamirës të çështjes shqiptare dhe asaj çame. Do të përuronim dy librat e mi për një çam të paharruar, anëtar i Federatës VATRA, për familjen e për mbarë krahinën “Adem Teme, biri i shquar i ÇAMËRISË” në shqip e në anglisht. 
Fjalë të mira. Të ngrohta. Emocionuese. Në takim kishin ardhur dhe mjaft familjarë të Adem Temes duke nisur nga Kapetani Abedin Teme. Gjellët karakterisitike shqiptare dhe sidomos ato çame që ishin gatuar me aq dashuri na bënë edhe një herë krenarë për traditat tona.
Pikërisht, në atë kohë kur menduam se mbaroi e gjithë kjo atmosferë, Kryetari Bujar Gjoka dhe Llazar Vero na ftuan që të shihnim mjediset e Shoqatës. Kureshtja për atë që kisha dëgjuar më parë për këtë Shoqatë i kalonte kufinjtë e të zakonshmes. Po më kthehej në Mirënjohje dhe obligim që të bëja sa më shumë për të publikuar këtë përvojë mjaft të vyer për mbarë kombin tonë.
E nuk kisha nevojë që të shënoja në bllok. Secili informcion më godiste në kujtesë dhe më ngulitej thellë. Në një nga sallat na treguan një dollap biblioteke që kishte mjaft dosje, pak të zverdhura nga koha. 
-Shikoni këto dosje!. – thanë gati në një zë të dy miqtë e mi të rinj,- Janë një nga pasuritë më të mëdha që ka Shoqata. Janë të studiuesit, shkrimtarit, historianit, publcistitit dhe profesorit Peter Prifti që ka ndërruar jetë para disa vitesh. I ka sjellë këtu vëllai i tij shkrimtari Naum Prifti.
Peter Prifti?? Kisha dëgjuar për të që në Shqipëri, por pak, shumë pak. Duket se gardhimi i kufinjve qoftë edhe mes oqeaneve e kishte bërë punën e vet në mosnjohjen e tij. 
Arkivi ishte i mjaftueshëm për të bërë atë biografi njerëzore, por edhe kombëtare të të gjithë shqiptarëve të Amerikës në një kapërcyell prej 60 vitesh. Një arkiv që mund të ishte i nderuar edhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Në Akademinë e Shkencave. Në mjaft Institute Kulturore, në Arkivin e Shtetit.

-Vitin e ardhshëm,-na thotë Bujari ,- do të përkujtohet në gusht 10-vjetori i ndarjes nga jeta të këtij personaliteti të kulturës shqiptaro-amerikane.
Bukur. Jo vetëm Filadelfia, ku ai jetoi një kohë të gjatë edhe u shkollua, po të gjithë Shoqatat Shqiptare në Amerikë duhet të bëjnë veprimtari përkujtimore.
Emocionujes kujdesi i mbarë kryesisë së Shoqatës në vite për këtë pasuri studimore, artistike..
Të them të vërtetën edhe po skuqesha me vete e nuk dija kujt t’i kërkoja falje për mëkatin e pabërë. Në dekadat e mësimdhënies si mësues i gjuhës dhe letërsisë nuk kisha mundur që t’u përcillja qoftë edhe pak punën e këtij : Dishepulli të Fundit. 

Në jetën e tij të gjatë prej 85 vitesh kishte mjaft stacione jete.

Peter Prifti erdhi në Amerikë në vitin 1940, në moshën 15-vjeçare. Këtu kishte babain dhe vëllain e tij të madh. Kuptohet ishte arsyeja ekonomike.
Në vitin 1949, Peter Prifti diplomohet nga Universiteti i Pensilvanisë dhe vendoset në Boston. 
Aty njihet personalisht me Fan Nolin dhe fillon të punojë si Sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, dhe si redaktor i gazetës “Dielli”, së bashku me atdhetarin e njohur Qerim Panariti. Profesor Prifti ka shkruar e bashkëpunuar në fusha të ndryshme, si çështja e Kosovës, demokratizimi i Shqipërisë, dhe studime rreth historisë dhe letërsisë shqipe.

Ka qenë Anëtar i Departamentit të Gjuhësisë në Universitetin e Kalifornisë, në San Diego Peter Prifti e filloi punën e tij akademike më 1969, me studimin monografik: “Kosovo in Ferment “, ndërsa punonte në Institutin Teknologjit të Masaçusets (MIT). Më pas ai do të radhitej krahas studiuesve anglishtfolës me libra të tjerë të shkencave politike si: Socialist Albania Since 1944, botuar më 1978, Confrontation in Kosova: The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999, librin e vetëm në shqip; Mozaik shqiptar, botuar më 2003 dhe më 2005, monografinë nëm anglisht “Unfinished Portrait of a Country” një portret rreth të kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Jemi mësuar që të bëjmë me të drejtë organizime të një Viti Përkujtimor kulturor për një personalitet historik. letrar ose kulturor. U bë Viti i Skënderbeut, Viti i Migjenit, i Fishtës. Do të ishte mirë që në vitin 2020 të paktën në Amerikë, pse jo dhe në Shqipëri, të organizohej sa më mirë “Viti i Petër Priftit”.
Në një nismë të tillë mund të përfshiheshin Ministritë e Diasporës në Tiranë e Prishtinë.
Mund të bëhej një Çmimi Petër Prifti” ku të përfshiheshin studiues, shkrimtarë ,
Një botim monografik për të do të ishte më e pakta për këtë kujtesë.
Jo më pak edhe mund të organizohet një Konkurs Kombëtar për krijime letrare, studimore filmike për të . 

Peter Prifti nuk bëri dot familjen e tij, por tërë jetën ai ishte një sqimatar i devotshëm, një fisnik i vërtetë, i komunikueshëm, i dashur me shqiptarët. Ishte mjaft i rregullt në veshje, në ushqim, në ligjërim, në punë. Këto cilësi të vyera ai nuk i ndërpreu as në vitet e fundit kur u rëndua pak nga shëndeti.
.
Amaneti i tij i fundit para se të ndërronte jetë, ishte që trupi i tij të hirëzohej dhe të derdhej në ujërat e lumit të Erzenit. Këtë porosi-amanet me mjaft dhimbje e plotësoi vëllai i tij, shkrimtari Naum Prifti.

Mendimet e tij politike Peter Prifti i ka shfaqur dhe në librat e botuar në anglisht dhe shqip si “Remote Albania”, “Unfinished portrait of a country”, “Land of Albanians-A crossroads of Pain and Pride”, “Confrontation in Kosova”, “Mozaik shqiptar”, i botuar në Prishtine nga Buzuku, deri tani i vetmi libër shqip prej tij.

Filed Under: Histori Tagged With: Namik Selmani-Peter R. Profit-Kujtese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 304
  • 305
  • 306
  • 307
  • 308
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT