Nga Namik SELMANI/
Kujtesë për studiuesin, publicistin , shkrimtarin dhe profesorin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
Isha akoma i emocionuar, shumë i emocionuar nga takimi. Ishte një fund qershori i bukur fildalfian. Pak freski në një qytet që e duan aq shumë shqiptarët po dhe ai i do aq shumë ata..
Në sallën e takimeve të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” kishin ardhur shumë miq, shumë dashamirës të çështjes shqiptare dhe asaj çame. Do të përuronim dy librat e mi për një çam të paharruar, anëtar i Federatës VATRA, për familjen e për mbarë krahinën “Adem Teme, biri i shquar i ÇAMËRISË” në shqip e në anglisht.
Fjalë të mira. Të ngrohta. Emocionuese. Në takim kishin ardhur dhe mjaft familjarë të Adem Temes duke nisur nga Kapetani Abedin Teme. Gjellët karakterisitike shqiptare dhe sidomos ato çame që ishin gatuar me aq dashuri na bënë edhe një herë krenarë për traditat tona.
Pikërisht, në atë kohë kur menduam se mbaroi e gjithë kjo atmosferë, Kryetari Bujar Gjoka dhe Llazar Vero na ftuan që të shihnim mjediset e Shoqatës. Kureshtja për atë që kisha dëgjuar më parë për këtë Shoqatë i kalonte kufinjtë e të zakonshmes. Po më kthehej në Mirënjohje dhe obligim që të bëja sa më shumë për të publikuar këtë përvojë mjaft të vyer për mbarë kombin tonë.
E nuk kisha nevojë që të shënoja në bllok. Secili informcion më godiste në kujtesë dhe më ngulitej thellë. Në një nga sallat na treguan një dollap biblioteke që kishte mjaft dosje, pak të zverdhura nga koha.
-Shikoni këto dosje!. – thanë gati në një zë të dy miqtë e mi të rinj,- Janë një nga pasuritë më të mëdha që ka Shoqata. Janë të studiuesit, shkrimtarit, historianit, publcistitit dhe profesorit Peter Prifti që ka ndërruar jetë para disa vitesh. I ka sjellë këtu vëllai i tij shkrimtari Naum Prifti.
Peter Prifti?? Kisha dëgjuar për të që në Shqipëri, por pak, shumë pak. Duket se gardhimi i kufinjve qoftë edhe mes oqeaneve e kishte bërë punën e vet në mosnjohjen e tij.
Arkivi ishte i mjaftueshëm për të bërë atë biografi njerëzore, por edhe kombëtare të të gjithë shqiptarëve të Amerikës në një kapërcyell prej 60 vitesh. Një arkiv që mund të ishte i nderuar edhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Në Akademinë e Shkencave. Në mjaft Institute Kulturore, në Arkivin e Shtetit.
-Vitin e ardhshëm,-na thotë Bujari ,- do të përkujtohet në gusht 10-vjetori i ndarjes nga jeta të këtij personaliteti të kulturës shqiptaro-amerikane.
Bukur. Jo vetëm Filadelfia, ku ai jetoi një kohë të gjatë edhe u shkollua, po të gjithë Shoqatat Shqiptare në Amerikë duhet të bëjnë veprimtari përkujtimore.
Emocionujes kujdesi i mbarë kryesisë së Shoqatës në vite për këtë pasuri studimore, artistike..
Të them të vërtetën edhe po skuqesha me vete e nuk dija kujt t’i kërkoja falje për mëkatin e pabërë. Në dekadat e mësimdhënies si mësues i gjuhës dhe letërsisë nuk kisha mundur që t’u përcillja qoftë edhe pak punën e këtij : Dishepulli të Fundit.
Në jetën e tij të gjatë prej 85 vitesh kishte mjaft stacione jete.
Peter Prifti erdhi në Amerikë në vitin 1940, në moshën 15-vjeçare. Këtu kishte babain dhe vëllain e tij të madh. Kuptohet ishte arsyeja ekonomike.
Në vitin 1949, Peter Prifti diplomohet nga Universiteti i Pensilvanisë dhe vendoset në Boston.
Aty njihet personalisht me Fan Nolin dhe fillon të punojë si Sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, dhe si redaktor i gazetës “Dielli”, së bashku me atdhetarin e njohur Qerim Panariti. Profesor Prifti ka shkruar e bashkëpunuar në fusha të ndryshme, si çështja e Kosovës, demokratizimi i Shqipërisë, dhe studime rreth historisë dhe letërsisë shqipe.
Ka qenë Anëtar i Departamentit të Gjuhësisë në Universitetin e Kalifornisë, në San Diego Peter Prifti e filloi punën e tij akademike më 1969, me studimin monografik: “Kosovo in Ferment “, ndërsa punonte në Institutin Teknologjit të Masaçusets (MIT). Më pas ai do të radhitej krahas studiuesve anglishtfolës me libra të tjerë të shkencave politike si: Socialist Albania Since 1944, botuar më 1978, Confrontation in Kosova: The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999, librin e vetëm në shqip; Mozaik shqiptar, botuar më 2003 dhe më 2005, monografinë nëm anglisht “Unfinished Portrait of a Country” një portret rreth të kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë.
Jemi mësuar që të bëjmë me të drejtë organizime të një Viti Përkujtimor kulturor për një personalitet historik. letrar ose kulturor. U bë Viti i Skënderbeut, Viti i Migjenit, i Fishtës. Do të ishte mirë që në vitin 2020 të paktën në Amerikë, pse jo dhe në Shqipëri, të organizohej sa më mirë “Viti i Petër Priftit”.
Në një nismë të tillë mund të përfshiheshin Ministritë e Diasporës në Tiranë e Prishtinë.
Mund të bëhej një Çmimi Petër Prifti” ku të përfshiheshin studiues, shkrimtarë ,
Një botim monografik për të do të ishte më e pakta për këtë kujtesë.
Jo më pak edhe mund të organizohet një Konkurs Kombëtar për krijime letrare, studimore filmike për të .
Peter Prifti nuk bëri dot familjen e tij, por tërë jetën ai ishte një sqimatar i devotshëm, një fisnik i vërtetë, i komunikueshëm, i dashur me shqiptarët. Ishte mjaft i rregullt në veshje, në ushqim, në ligjërim, në punë. Këto cilësi të vyera ai nuk i ndërpreu as në vitet e fundit kur u rëndua pak nga shëndeti.
.
Amaneti i tij i fundit para se të ndërronte jetë, ishte që trupi i tij të hirëzohej dhe të derdhej në ujërat e lumit të Erzenit. Këtë porosi-amanet me mjaft dhimbje e plotësoi vëllai i tij, shkrimtari Naum Prifti.
Mendimet e tij politike Peter Prifti i ka shfaqur dhe në librat e botuar në anglisht dhe shqip si “Remote Albania”, “Unfinished portrait of a country”, “Land of Albanians-A crossroads of Pain and Pride”, “Confrontation in Kosova”, “Mozaik shqiptar”, i botuar në Prishtine nga Buzuku, deri tani i vetmi libër shqip prej tij.