• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zbulohet nje veper e panjohur e piktorit Simon Rrota

June 13, 2017 by dgreca

Ditari i piktorit te njohur, nje veper sa historike dhe kulturore, aq edukative dhe sociale/

Nga Pjeter Logoreci/

Këto ditë pata privilegjin të kisha në dorë një dorëshkrim me kujtime ose DITARIN e piktorit të njohur shqiptar, birit të Shkodres, Simon Rrotes. Personalisht e si kërkues, jam njohur me disa nga pjestarët e familjes Rrota, me jetën dhe veprimtarinë e të cilëve kam shkruar më parë duke publikuar informacione, foto dhe dokumenta të panjohura. Po ashtu, në arkivat e Vjenës kam pasur rastin të njihem me dokumenta që tregojnë veprimtarine e gjërë në të mirë të atdheut të Kolë e Justin Rrotes, vëllezërve të piktorit Simon Rrota, apo me jetën dhe veprimtarinë e vëllaut të vogël, fotografit të njohur Gjon Rrota. Njohja e shumë ngjarjeve, të përshkruara në këtë ditar, personazheve, familjarëve të autorit, shumë ambienteve ku zhvilloheshin këto ndodhi, më bëri që gjatë leximit të përjetoj momente e ndjesi të vecanta.

Foto 1 Fleta e pare e DitaritSimon Rrotashtepia e simon rrotesSimon_Rrota_Gjatë_punës_1934Simon_Rrota_Tek_pusi_i_fshatit_1934

1-Faximile e ditarit./        2- Simon Rrota/                   3- Shtepia e Simon Rrotes/   4- Simon Rrota;Gjate punes-1934/  5- Simon rrota-Tek Pusi i fshatit-1934/

Shënimet e ditarit janë të rreshtuara në 204 faqe të shtypura me makinë shkrimi nga i biri i autorit, Rafaeli, i cili i është referuar me korrektësi dorëshkrimit origjinal të autorit. Kujtimet e piktorit Simon Rrota fillojnë  duke përshkruar në mëndyrë kronologjike ngjarjet dhe ndodhitë me mbresëlënëse të jetës së tij që nga fëmijëria, shkollimi, zanafilla dhe vështirësitë e përmbushjes së dëshirës së tij të jetës – PIKTURES, deri në kujtimet e ngjarjeve që ndodhën ndër periudha të ndryshme në qytetin e tij të lindjes, Shkodren apo perpjekjet e shqiptarëve për pamvarsi si dhe zhvillimet e luftës së parë botërore.

Ditarin e përshkon një stili i qartë dhe i thjeshtë i ngjarjeve, që shpesh bëhet shumë emocional edhe për vetë autorin. Ndër ato reshta, ku ai shkruan për artin e pikturës, për prindërit apo atdheun, lexuesi ”ndjen” mallin e emocionet që autorit i kanë pushtuar shpirtin, që bën “ti dridhet dora”.  Daljes së vëllezërve nga shtëpia, në vitin 1901 e Kolës (vëllaut të madh), i cili largohet për në Klagenfurt të Austrisë për studime të larta të mësuesisë, më pas, largimit në 1902 të Ndocit ose sic u quajt më vonë At Justin Rrota për të vazhduar studimet në teologji e pregaditjen për meshtar, autori i kushton faqet e para.

Si periudhë kohore, autori fillon të kujtojë e të përshkruaj ndodhitë që i kanë mbetur në mendje, që nga viti 1902, kur ai ishte vetëm 15 vjec, kur “ishte bërë burrë” dhe kërkon ti bëhet ndihmë babait të tij të moshuar, për të mbajtur familjen duke u punësuar si “Shegert” tek një tregëtar i madh në Pazarin e Shkodres. Puna që filloj të bënte aty si shënues i mallrave që hynin e delnin në magazinat gjigande të pronarit, bëri që Simoni 14 vjecar të përballet për të parën herë me personazhe apo me  atmosferën orientale të pazarit, me shumëllojshmërinë e mallrave që vinin kryesisht nëpërmes anijeve në lumin Buna, me sengserë, hamej, peshues, kafexhinjë, shënues, tregtar të vegjël e të mëdhenj të ngarkuar me napoljona arit, gjë që e ndihmoj atë për të fiksuar në memorien e tij tipa të ndryshëm që do ti duheshin për vizatimet e pikturat e mevonëshme.

Dëshira e Simonit për të mësuar sekretet e pikturës, bindi babain e tij Gjushin, që ti kërkojë piktorit të famshëm Kolë Idromeno, ta marrë nën mbikqyrje, si nxënës pikture, djaloshin fillestar i cili më vonë, njohjes, mësimdhënies e punës me të, do ti kushtojë shumë faqe në kujtimet e tija. Njëkohësisht një vend të vecantë në ditar, merr edhe miqësia e Simonit me At Gjergj Fishten i cili atë kohë drejtonte shkollën franceskane në Shkoder dhe që merrej vetë me vizatim. Frati franceskan e ndihmon, piktorin e vogël me materiale që i duheshin për pikturën që atë kohë gjindeshin me shumë vështirësi, si dhe me ambiente për të punuar.

“Dishiri qi i paraqita, për kërkesën e materialit, – kujton ai, – e gëzoi shumë fratin, prandaj, pa far voneset më mori për krahut, më prini përpara, tue me cue në dhomën e vizatimit ku unë tre vjetë ma parë kisha mësue vizatim me shokët e shkollës. Aty material kishte mjaft e pa dhimbë. Më dha nji sasi të mirë lapsa, goma, letra vizatimit e modele të ndryshme. Përvec gjanave, i dha urdhën shërbyesit të shkollës, Ndoke Cunit, i cili ishte edhe kepucar e bante sandale për freten, qi, sa herë qi do të më nevojitesh material për vizatime, me ma dhanë pa pengesa. Gzimi kje i madh e kshtu unë pa vonesë ju shtrova punës me dishir për me vizatue elementet e para, e mbasi bana nji sasi të mirë, i cova te Kolë Idromeno për me i korigjue…”

Një ndër ngjarjet e rëndësishme të kohës, që autori e përshkruan me hollësi, ishte dhe termeti i 1 qershorit të vitit 1905 në Shkoder. Ai kujton: “Vendi ku unë punojshe, nuk ishte i mirë e as dritë të rregullt nuk kishte, për arsye se banojshim ku mujshim…për shkak të termekut qi në vjetin 1905, me 1 qershor, në orën 16.20 (ala turka), Shkodra u trondit prej termekut të randë e me dame të mëdha…” dhe vazhdon të përshkruaj me hollësi situaten katastrofale dhe rrenimet që pat në cdo cep të qytetit.

“…Shkodra u shndrrue krejt, e tjetër nuk u pa vec tym o pluhun,…qi u shkaktonte prej rrenimit të mureve e të shpijave, me shumicë. Kushtrimi u dha gjithkah, pse secili u interesonte për njerzit e të afërmit e vet, e në raste nevojet me dhanë ndihmë për nxjerrjen e viktimave qi kishin mbetë ndër rrenoja… Në Shkoder nuk mbeti  shtëpi pa u prishë e pësue dame të mëdha. Ndër to edhe Kisha e Madhe (Katedrale)…sidomos tullat qi ranë prej tavanit tuj damtue edhe njerzit”

Fragmente shumë interesante të ditarit janë miqësia dhe bashkëpunimi i autorit me At Gjergj Fishten i cili duke parë situatën e vështirë ekonomike të familjes Rrota dhe të vetë Simonit, e aktivizon në punime të ndryshme artistike si piktor. Së pari i beson ndërtimin e Betlemit të Krishtlindjes, me e pasunue me figura të cilat Simoni i realizonte plot fantazi e realizëm, e më vonë me pregaditjen e skenave teatrore të një komedie të cilën e kishte përkthyer vetë….

”…mbas sa ditësh, më thirri Pater Gjergj Fishta per me ba disa skena për teatër, për nji dramë të përkthyeme prej tij “Mjeku i përdhunë” (Komedi e Molier-it). Kjo do të ishte rasa ma e mirë për mue me pasë përpjekje ma të ngushta me poetin tonë. Edhe ai vetë, mori pjesë me mue, në punimin e atyne skenave mbasi vizatimi i vinte për dorësh, e kështu punojshim bashkë. Ndërsa unë papushim me brushat e mija ngjyrojshe në ato skena të bukura, poeti recitonte vjersha e lëshonte disa batuta satirike qi mue më bajshin me qesh aq shumë sa mu donte me lanë edhe punën tue i thanë se nuk mujshe me vazhdue ma, pse dhimbje të mëdha më kishin kape dejt e qafës prej së qeshunit të fortë….”

Këtu autori, faqe me radhë, vazhdon të tregojë anektodat dhe humorin që At Gjergj Fishta krijonte me nxansat e tij, të cilëve u recitonte në shqip vargje apo u tregonte historina me heronjtë tonë kombëtare, duke u ba njikohësisht edhe aktor e interpretues… Në ditar përshkruhet vënia në skenë për herë të parë e një drame në shqip:

….” Drama pati sukses të madh në Shkoder pse e organizueme në te tana pikat dhe skenat e bukura, e veqanërisht pse drama ishte në gjuhen shqip qi ma përpara nuk ishin cfaqë në Shkoder, prandej bani nji përshtypje të madhe në popull qi e priti me duartrokitje të vazhdueshme, në drejtim të poetit tonë. Mbasi mbaroj gjithshkafja, Pater Gjergji më shpërblej mirë për punën qi kishe ba, tue me dhanë tetë mixhida të bardha (pare turke argjenti), qi aso kohe kishin nji vlerë të madhe e mue më gzuen shumë….”

Në fletët në vijim, Simon Rrota tregon vështirësitë që kishte, si fëmijë piktor, për të realizue deshirat e tij me vizatime apo portrete të cilat i duhej ti bente në naturë apo në mes të njerzve të cilët nga injoranca nuk kuptonin artin e tij dhe shpesh reagonin brutalisht duke ja vjedhur, prishur apo grisur bllokun e skicave që mbante kudo me vehte…

” tue kenë, –tregon ai -, se populli hartin nuk e kuptonte, unë para tyne ishe i pavlefshëm me atë bllokun e skicave qi mbajshe me vedi. Më thojshin se unë ishe i papunë e u sillshe rrugash si rrugac, në vend qi me punue nji zanate, përvec kësaj, kudo qi unë rrijshe me vizatue, aty kishin për tu mbledhë te tanë vagabondat e Shkodres, qi atherë ishin me shumicë…. e me prishnin punët qi bajshe….

Episode e përshkrime shumë interesante, vazhdojnë në përmbajtjen e këtij Ditari, të cilat kanë vlerë të madhe historike dhe edukative për brezat e ri, si dhe për ndonji ekspert historie apo folklori, prandaj, duke falenderue familjen që ma besoj këtë vepër të Simon Rrotes, shpresoj që ndonjë nga lexuesit e këtij shkrimi të marrë përsipër që të mbështesë financiarisht botimin e kësaj vepre.

Vazhdon në numrat e ardhshëm

Filed Under: Histori Tagged With: Pjeter Logoreci, Simon Rrota, Vepra e panjohur

“Vatra“ e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi

June 13, 2017 by dgreca

NË 105-VJETORIN E NJOHJES SE FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS – “VATRA” NGA SHTETI AMERIKAN/

4 korrik 1917 Noli_me_Wilson.IMG

NGA ADIL FETAHU/Federata Panshqiptare  e Amerikes “Vatra” u themelua si Federatë e disa shoqërive shqiptare, të cilat vepronin në ShBA, si bie fjala Shoqëria “Malli për Memëdhenë”,  “Besa-Besë”, “Flamuri i Krujës”, “Dallëndyshja” etj., me 28 prill 1912, ndësra njohja zyrtare dhe licenca e themelimit iu dha nga shteti Masaçusets më 13 qershor 1912.  Nuk ishte e lehtë të bashkoheshin e të shkriheshin shoqëritë shqiptare në një shoqëri, sepse shqiptarët janë individualistë të  mëdhenjë, që nuk e durojnë as hijen e vet, dhe vështirë pranojnë ta “humbin” subjektivitetin e krijuar. Por, falë mençurisë së intelektualëve të forte, siç ishin Konica, Noli, Floqi, Tromara, Kotta etj, u arrit të akordohen e bashkohen, rreth nje „Vatre“.

Federata Panshqiptare  e Amerikes “Vatra” u bë strumbullari i mërgatës shqiptare në Amerikë, që i shërbeu jo vetem asaj mergate, por edhe atdheut, shtetit e kombit shqiptar. Në krye të “Vatrës” e të organit të saj “Dielli”, prinë e vepruan shumë atdhetarë dhe intelektualë të shquar, si Petro Nini Luarasi, Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, Kostandin Çekrezi, Kristo Floqi, Mirko Adams, Paskal Aleksi, etj. Shoqëria “Vatra” dhe gazeta “Dielli”, bënë më të mirën e mundshme për çështjen kombëtare dhe për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe zhdukja totale, që i kanosej prej monarkive fqinje dhe pazarllëqeve që bënte diplomacia ndërkombërtare pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Fushata historike e “Vatrës” për shpëtimin e Shqipërisë u intensifikua sidomos prej vitit 1917, kur edhe Amerika hyri në luftë. Atëherë, fushata e “Vatres” u hap (qershor 1917) me moton e paharruar të vargjeve të Nolit: “Mbahu neno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë” , që ishin refreni i poezise „Jepni për Nënën“. Dhe, vërtetë, djemtë shqiptarë në Amerikë bënë çmos, pa kursye asgjë për kauzën shqiptare. Falë atyre “djemëve”, çështja shqiptare fitoi përkrahjen dhe mbrojtjen e Amerikës. Vet Fan Noli, në vitin 1917 u takua me presidentin e ShBA-ve, W.Wilson, nga i cili kërkoi mbrojtje, dhe  mori garancione se do ta mbrojë pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa premtimin e realizoi në Konferencën e Paqes, në Paris (1919-1920), përmes programit të paqes botërore, të quajtur „14 pikat e Wilsonit“ (8 janar 1918). Në atë Program theksohej qartë se „nëse s’do të ketë drejtësi për të tjerët, s’do të ketë as për ne“. Në pikën 11 të Programit, ndër të tjera thuhej: „…marrëdhëniet e disa shteteve ballkanike ndërmjet tyre të vendosen me negociata miqësore, në saje të vijave të vendosura historikisht dhe të përkatësisë kombëtare, e të sigurohen garanci ndërkombëtare të pavarësisë politike dhe ekonomike si dhe integriteti territorial i disa shtteve ballkanike“. Kurse në pikën 14 parashihej „themelimi i një asosciacioni të kombeve, me qëllim që të sigurohen garancione për politikën, pavarësinë dhe integritetin territorial njësoj si për shtetet e mëdha ashtu edhe për shtetet e vogla“. Në bazë të kësaj pike u themelua Lidhja e Kombeve, anëtare e së cilës u bë edhe Shqipëria më 17 dhjetor 1920), përsëri në saje të përkrahjes amerikane dhe angazhimit të „Vatres“ e miqve të saj.

Në Konferencën e Paqes, presidenti Wilson u distancua nga Memorandumi (28 qershorit 1919) sipas të cilit, Anglia dhe Franca e neglizhonin njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), dhe lejonin copëtimin e saj. Me rastin e largimit nga Konferenca dhe kthimit për në Washington, presidenti Wilson i kishte lënë delegacionit të tij udhëzime të vecanta se si të vepronte për cështjet e pazgjidhura. Nga anija me të cilën po kthehej për në Washington, më 30 qershor, i kishte dërguar sekretarit amerikan për punë të  jashtme, Rober Lansing, telegram me këtë përmbajtje: „Para se të largohesha kisha ndërmend t’ju shprehja ju dhe kolegëve të mi të tjerë  interesimin tim të thellë për të ardhmën e Shqipërisë. Kam frikë se ndoshta, në morinë e cështjeve, nuk do t’u japin të drejtave të saj (të Shqipërisë, (a.f.) rëndësinë dhe konsideratën e duhur dhe ato do të lihen në harresë. Ju lutem, të jeni shumë i vëmendshëm në lidhe me to”, porosiste presidenti Wilson.

Ishte ndikimi i “Vatres” që presidenti amerikan e shpëtoi Shqipërinë. Ajo mobilizoi, organizoi dhe vuri në lëvizje e veprim të gjitha forcat intelektuale e material të patriotëve shqiptarë në funksion e dobi të shtetit të tyre. Kontributi i saj ishte vendimtar që mbrojti Shqipërinë nga copëtimi dhe zhdukja. Kryeministri grek Elefterios Venizellos, pas Konferencës së Paqes kishte deklarua: “Vatra” ma mori nga dora Vorio Epirin”!

Në këtë përvjetor (të 105-të) të njohjes nga Shteti Amerikan(Vatar nisi procesin e themelimit dhe veprimit, i kujtojmë me shumë respekt e pietet të gjithë ata patriotë të “Vatrës”, të cilët u angazhuan me mish e me shpirtë e dhanë gjithçka prej vetes dhe kontribuan për shpëtimin e Shqipërisë. Poashtu, i kujtojmë, u jemi mirënjohës e falënderuar përjetë edhe të gjithë miqve të shqiptarëve, të cilët u angazhuan për mbrojtjen e të drejtave tona legjitime, prej presidentit Wilson, deri te presidentët Bush e Klinton, dhe personaliteteve tjera të shquara.

Një meritë të posaçme për afirmimin e punës së “Vatres” dhe sensibilizimin e kauzës tone ka gazeta më e vjetër shqiptare, organ i Shoqërisë “Vatra”, gazeta “Dielli”, që prej themelimit të saj (1909), e cila ishte krah i fortë e zëdhënëse e “Vatres” dhe aspiratave e të drejtave shqiptare, jo vetëm në mërgatë, por më tepër në Atdhe. Rrezet e “Diellit” ndiçuan e ngrohen jo vetëm mërgimtarët tanë atje, por gjithë shqiptarët kudo që ishin. I kujtojmë me shumë respekt botuesit, menaxherët, redaktorët, bahkëpunëtorët e gazetës, prej të parit deri më sot. Urojmë, që “Dielli” i “Vatres” gjithmonë të përhape dritë e ngrohtësi e të mos perëndojë kurrë!

Urime 105-vjetori  te njohjes se Federatës Panshqiptare te Amerikes “Vatra” e vatranëve të gjithë kohës, dhe gazetës „Diellit“ e  personelit te saj, prej numrit te parë deri më sot e tutje!

Adil FETAHU

(adil_fetahu@hotmail.com)

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 105 vjetori, Adil Fetahu, i njohjes se Vatres

Gjeneral Majore Laura J. Richardson, në Komandën drejtuese të Ushtrisë Amerikane

June 12, 2017 by dgreca

Gjeneral Majore Laura J. Richardson, në Komandën drejtuese të Ushtrisë Amerikane

Senati amerikan miratoi oficeren e parë femër Drejtuese në Komandën e Bashkuar të Ushtrisë të SHBA/

By Drew Brooks- gazetar ushtarak/

Përktheu për “Dielli-in”, Herion Kërcelli/

Oficerja shqiptareSenati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar caktimin e GjeneralMajore Laura J. Richardson, që të jetë pjesë e Gjeneralëve Drejtues të Komandës së Forcave të Ushtrisë të Shteteve te Bashkuara. {Ku bëjne pjesë tre Forcat, Forca Detare, Ajrore dhe Këmbësorisë}.

Mrs. Richardson, që do të gradohet  Gjenerallejtnante të Hënën, do të jetë oficerja e parë femër në Ushtrinë amerikane që do të mbajë zyrtarisht atë pozicion.

Ndërkohë ka mëse një javë, një oficere tjetër, Gjeneralmajore Jody Daniels, shërben si Shefe e Shtabit të Komandës së Forcave.

Sipas zyrtarëve, Richardson do të raportojë ndaj Fort Bragg, për të marë detyrën e re në fillim të Korrikut.

Mometalisht ajo është duke shërbyer në Ëashington, si Shefe e Komunikimit legjislativ në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes.

“Gjeneralmajore Richardson, personifikon standardet më të larta të Ushtrisë në korpusin e oficerëve tanë,” tha Gjeneral Robert “Abe” Abrams, Komandanti i Komandës së Forcave. “Përgjatë karrierës së saj të dalluar, ajo ka udhëhequr me shembullin e saj  personal nga fronti – në luftim dhe në komandë, gjithmonë sfiduese me pozicionet me përgjegjësi të madhe.”

Komanda e Forcave është struktura më e lartë në Ushtrinë e Shteteve te Bashkuara, përgjegjëse për trajnimin dhe përgatitjen aktive, trupave rezervë të Rojes Kombëtare, me synim kryesor plotësimin e kërkesave të komandave luftuese në cdo cep të globit.

Si Gjenerale komanduese në Komandën më të lartë të Ushtrisë Amerikane, Richardson do të jetë e angazhuar plotësisht në sigurimin e ushtarëve të kombit për të qenë të gatshëm në cdo operacion paqe e sigurie në botë.

“Ajo është një kuadër e mirëpritur në stafin Komandues të Komandës së Forcave,” tha Abrams. “Me më shumë se 30 vjet shërbim, gjerësia dhe thellësia e eksperiencës së Gjeneralmajore Richardson, përmes forcës operuese dhe produktive, bashkë me eksperiencën gjithëpërfshirëse në ndërlidhjen legjislative, e bëjnë atë lideren ekzaktësisht të duhur për këtë detyrë. Ajo edhe në të ardhmen do fokusojë punën e Komandës së Forcave në gatishmërinë e Ushtrisë,  për cdo situatë të mundshme kërcënuese ndaj atdheut dhe familjeve tona”.

Richardson ka nisur karierën si ushtarake që më 1986, pasi u dipllomua nga Metropolitan State College. Ajo kaloi shumë kohë të karrierës së saj në aviacionin e Ushtrisë, duke shërbyer në Kore dhe tek Fort Campell, Kentucky.

Sipas zyrtarëve, Richardson fluturoi me helikopter UH-6 Black Haëk në Irak, gjatë fillimit të Opreacionit “Liria e Irakut”, si komandante e Batalionit të 5-të, Regjimentit të Aviacionit të 101-të, Divizionit po 101-të.

Ajo shërbeu me gradën e Gjeneral brigade në Afganistan në vitet 2013-14, dhe më pas drejtuese kryesore e stafit komunikues në Forcën e Sigurisë Ndërkombëtare.

Richardson, gjithashtu ka shërbyer si Gjenerale komanduese në Divizionin e parë mbështetës të Kalorësisë tek Fort Hood, Teksas, dhe si komandante e Fort Myer, Virginia. Në detyrën e re tek Komanda e Forcës, Richardson, zëvëndësoi Gjeneral Lejtant Patrick J. Donahue, i cili doli në pension nga Ushtria më 1 Qershor 2017.

Le ti urojmë GjeneralMajore Richardson, suksese në këtë detyrë të lartë të ushtrisë Amerikane, si ushtarake femër.

 

Filed Under: Histori Tagged With: amerikane, Gjeneral Majore Laura J. Richardson, në Komandën drejtuese, të Ushtrisë

Kosovë-12 Qershori, Dita e Lirisë e Paqes

June 12, 2017 by dgreca

-Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë/12 qershori

 -SPECIALE NGA BEHLUL JASHARI, KORRESPONDENTI NË KOSOVË I GAZETËS DIELLI PIKËRISHT PREJ DY VITESH NGA 12 QERSHORI 2015/
1 Behlulok
 
PRISHTINË, 12 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë para 18 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Në atë orë e ditë të lume me kolonën e forcës më të madhe planetare duke dhënë lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën në raportime për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radio Televizionin Shqiptar ishte korrespondenti në Kosovë tash i Gazetës Dielli pikërisht prej dy vitesh nga 12 qershori 2015.
2 Behlul
Në 13 qershor 1999, forcat  shpëtimtare të NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e  hyri në fuqi në 11 qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë rreth 5000 trupa nga 31 vende.
Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.
Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para 9 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dita e Lirise, kosova

NJE DASEM SHQIPTARE NE PARIS DHE…SHUME NGJARJE ME HAJDAR TONUZIN….

June 9, 2017 by dgreca

Hajdar Tonuzi,Mes Vatres e Legalitetit-  Të pathënat për Agjentin e Sigurimit Cufe Mullaj, Vatra & Arshi Pipa, dora e zgjatur e Ramiz Alisë…Si u zgjodh Hajdar Tonuzi kryetar i legalistëve të Parisit, takimi me Mbretin Zogu i I-rë, internimi në Korsikë së bashku me Abas Ermenjin dhe Sadik Premten, pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit, përse nuk e mbajti fjalimin Cufe Mullaj, agjenti i Sigurimit të shtetit shqiptar, shtegëtimi nga Parisi në SHBA; 9 herë, Tonuzi zgjidhet  Nr. 1 i Vatrës, konflikti mes të majtëve dhe të djathtëve në gjirin e Vatrës, si u trondit Vatra pas vizitës së Ramiz Alisë dhe si u zgjodh Arshi Pipa në mungesë kryetar për 1 vit Kryetar dhe Editor i Diellit…. Izolimi i Shqiptarëve të “rrezikshëm”në Korsikë kur shkoi Hrushovi për vizitë në Paris…/

18951434_232023970629914_2069739194258709375_n1 ahim Karagjozi5 ok Hajdar tonuzi1 Hajdari

Foto 1- Kujtim nga dasma ne Paris 2- Nga takimet me Vatren, djathtas:Agim Karagjozi, zonja Xhulieta dhe zoti Pellumb Kulla/3- Foto: Hajdar Tonuzi duke mbajte raportin e arkes ne Vater.4- Me Princin Leka II ne 100 Vjetorin e Vatres./

 Nga Dalip Greca/*

Pas diplomimit inxhinieri i ri, Hajdar Tonuzi,  filloi punë në Paris në fabrikën e shumënjohur “RENAULT”, në zyrën e projekteve të makinerisë për automobilë. Gati për 5 vjet punoi atje dhe tani, si shpërblim, ai merr një pension simbolik nga Franca, falë punës që bëri asokohe në fabrikën “Renault”.

Në Francë, Hajdari bëri edhe dasmën.Kjo ngjarje e gëzuar e jetës së tij ndodhi në pranverën e vitit 1962. Nusja ishte një ish nxënëse e tij nga Dibra, vajzë bejlerësh, siç thotë me të qeshur Hajdari. Dasma u bë  në Bonneull të Parisit, me shpenzimet e një organizate ndërkombëtare të emigrimit dhe kursimeve të tij. Ishte një ceremoni e thjeshtë, e dominuar nga shqiptarët. Hajdari ruan nga ajo ditë kujtimet më të bukura. Në arkivin e tij janë edhe urimet që mori nga shumë miq e të afërm, por veçon telegramin e urimit që mori nga vetë Mbreti Leka, me 17 prill 1962:

”I ndershmi zotni Tonuzi,

Thellësisht u gëzova për martesën tuaj e ju uroj trashëgim me plot lumtëni e të mira. Me këtë rast, si juve, po ashtu gjithë familjes suaj u dërgoj të falat e përzemërta”-Leka

Një telegram i ngrohtë urimi kishte mbërritur edhe nga adjutanti i Oborrit Mbretëror, z. Hysen Selmani:

” I dashur Hajdar Bej,

U gëzova shumë për martesën tuaj dhe miqësisht ju uroj me gjithë zemër që ta kaloni jetën me plot lumtëni e u tashëgofshi në gëzime.

Si juve po ashtu gjithë familjes tuaj të  ndershme u dërgoj të falat e mija ma miqësore! I juaji-Hysen Selmani”.

Ndërkohë, jeta e Tonuzit ka edhe linjën tjetër, atë politike. Ai që në fillim ra në kontakt me nacionalistët shqiptarë që jetonin në Paris. Takoi emra të njohur, kundërshtarë të regjimit komunist të Tiranës, si:Halim Begeja, Sefedin Çollaku, Nel Çupi, por u njoh edhe me ish komunistë që nuk e kishin duruar dot diktaturën e Enver Hoxhës si Sadik Premte, të cilit agjentët e Sigurimit kishin arritur që t’i bënin tre atentate ne Paris. Megjithëse Tonuzi ishte në krahun e mbretërorëve, ai e takoi me shumë respekt udhëheqësin e Ballit Kombëtar, prof. Abas Ermenjin, i cili pat luftuar trimërisht kundër italianëve dhe gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe qe nga të fundit që u tërhoq nga malet e Shqipërisë, ku qe ngjitur së bashku me çetën e tij pas fitores së komunistëve. Profesori nuk i shihte me sy të mirë legalistët, por me Hajdarin u soll mirë, e respektoi si student i ri dhe si nacionalist me ide të qarta.

– Me profesorin e Ballit Kombëtar, – tregon Hajdari, –  u takova në festën e 28 Nëntorit 1962, që përkujtonin shqiptarët nacionalistë në Paris. Fliste bukur profesori për flamurin dhe për Shqipërinë siç e ëndërronte ai, pa komunistë. E duartrokitëm gjatë…

Izolimi i Shqiptarëve në Korsikë kur shkoi Hrushovi për vizitë në Paris

Hajdari ka dhe një kujtim, që edhe sot e kujton si një aventurë të këndshme të asaj kohe të largët. Ishin vitet ‘60-të. Në Paris shkonte për një vizitë zyrtare Nikita Hrushovi. Shqiptarët nacionalistë që paraqisnin rrezikshmëri për ndonjë lloj atentati kundër udhëheqësit rus, qenë seleksionuar nga policia pariziene. Hajdari kujton se si kishte ardhur policia dhe e kishte marrë pa i dhënë asnjë sqarim dhe e kishte shoqëruar për në ishullin e Korsikës, ku ishin izoluar dhe shumë të tjerë. Në grupin e shqiptarëve të izoluar nga jeta pariziene ishte dhe profesor Ermenji, Hasan Lepenica, madje dhe komunsti, që i pat shpëtuar atentateve të Enver Hoxhës, Sadik Premte e të tjerë. Ishte i këndshëm në bisedë. Edhe pse nuk i pëlqente legalistët, ishte një shqiptar i mirë, që punonte për Shqipërinë dhe për mërgimtarët, të cilët dallgët e fatit i kishin përplasur në Francë, si në të gjithë botën. Një herë kishin patur dhe një përplasje në rajonin e policisë, ku legalistët ishin raportuar. Gjithçka u sqarua atëherë me një ballafaqim të vetë Hajdarit me shefin e policisë. Nga Korsika, Tonuzi ruan edhe disa fotografi, të cilat janë gjurmë të gjalla të internimit në Korsikë. Në disa prej tyre ai ka dalë edhe me profesor Abas Ermenjin.

Udhëheqës i grupit legalist të Parisit

Në moshën studentore Hajdar Tonuzi u bë udhëheqësi i legalistëve për Parisin. Kjo u arrit në një mbledhje që u zhvillua konform statutit të mbretërorëve. Edhe pse takimi është zhvilluar gjysëm shekulli më parë (mbledhja është bërë më 1957 në Paris) ai ruhet i plotë në arkivin e Tonuzit:- Nuk ishim më shumë se 24 veta në mbledhjen e parë që organizuam aty nga fillimi i vitit 1957, mbledhje, që  pati si kryetar  Nezir Spahiun dhe sekretar Ragip Lohjen, – kujton Tonuzi.

Pikërisht kjo mbledhje zgjodhi si kryetar të organizatës legaliste, z. Hajdar Tonuzi, atëherë student 27 vjeç, ndërsa sekretar u zgjodh Xhelal Kaca prej Mati. Pikërisht ky takim ishte denoncuar në rajonin policor dhe kryetari i sapozgjedhur përfundoi në rajon për bisedë kontrolluese dhe verifikuese. Policia kërkoi të dhëna se kush ishin, ç’organizatë kishin krijuar, kë kishin në krye, për kë luftonin, ç’platformë kishin e shumë pyetje të tjera të tilla. Me gjakftohtësi Hajdari e përballoi ballafaqimin dhe raportoi se organizata e tij mbështeste Mbretin Zog, i cili ishte dhe miku i De Golit. Pas këtij momenti, policia e kishte zbutur zërin dhe i kishte uruar aktivitet të mbarë. Madje disa ditë më pas, një epror i lartë i policisë kishte kërkuar që kryesia e organizatës, veçanërisht Hajdari si kryetar, të ndihmonin në identifikimin dhe sistemimin e nacionalistëve shqiptarë që vinin nga rajonet shqiptare, kryesisht Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni.

Tonuzi ruan shumë kujtime nga takimet me Mbretin Zog dhe pjesëtarët e tjerë të Oborrit Mbretëror.

-Kur erdhi Mbreti afër Parisit, – tregon ai, – shkuam dhe biseduam me të. Por adjutanti, z. Hysen Selmani,  kishte paralajmëruar se naltmadhëria ishte i sëmurë dhe nuk duhej ta lodhnin. Ishim 7 veta në grupin që shkuam për ta takuar. Edhe pse ishte i sëmurë Mbreti na  respektoi dhe foli me secilin.  Madje na afroi nga një cigare duhan. Hajdarit i kujtohet se në grupi ishte dhe një hoxhë. Ky, shumicën e kohës bisedoi turqisht me mbretin. Një çast, hoxha e pyeti mbretin:- A do të vijë koha që të kthehemi në Shqipëri, naltmadhëri?

Ai ia ktheu shpejt :- Unë dhe ti, jo efendi, këta çunat besoj se po…

Hajdari thotë se mbreti ishte i zgjuar. Ai e dinte se ç’thoshte. Ai e shihte se vetë nuk e kishte të gjatë, por i biri i tij dhe ne të tjerët një ditë do të shkonim në Shqipëri. U kujdesuam disa herë për shëndetin e mbretit, por kanceri e kishte vënë përpara.

Kur ndërroi jetë Mbreti Zog, ngushëllimi i agjentit t Sigurimit, Cufe Mullaj

9 prilli qe një ditë zie për mbretërorët, thotë Hajdari, i cili kujton në detaje varrimin e Mbretit, pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve edhe nga Gjermania, Anglia, Belgjika, Italia,Kandaja, Amerika, Egjypti, etj.Në ditën e varrimit nëna Mbretëreshë ishte shumë e lodhur, e rraskapitur nga netët e pagjumta në spital, kështu që ceremonia u reduktua. Madje desh që të lexonte një përshëndetje edhe Cufe Mullaj, agjenti i sigurimit të shtetit shqiptar, i dërguari i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, i cili pat depërtuar në radhët e legalistëve dhe kishte ardhur nga Belgjika, si përfaqësues i legalistëve të atjeshëm, por nuk mundi për shkak të shkurtimit të protokollit.

Tonuzi tregon se agjenti i Sigurimit Shqiptar arriti të maskohej për bukuri. Ai dukej se ishte i zoti për punë agjenturore. Asnje nga ne nuk arriti që të zbulonte se nën lëkurën e tij fshihej një agjent. Kur u zbulua qe teper vonë.

– Të shtatat e Mbretit u përkujtuan me madhështi, – kujton Hajdari, i cili atë ditë, në emër të mbretërorëve të Francës mbajti fjalën e rastit, ku evokoi figurën e mbretit dhe renditi meritat e tij në themelimin dhe udhëheqjen e shtetit shqiptar, arkitekt i të cilit qe Mbreti Ahmet Zogu.

Në vjeshtën e vitit 1962, pas 6 vjetë jetë intensive, emigranti Hajdar Tonuzi, së bashku me bashkëshorten e tij do të merrnin rrugën drejt kontinentit të ri, Amerikës, ku ishin grumbulluar shumë nga legalistët që kishin qenë të shpërndarë nëpër Europë.

-Këtu jeta nisi, thuajse nga e para; të njejtat shqetësime si në Francë. Në fillim mësimi i gjuhës, i cili për çdo emigrant përbën hapin e parë orientues dhe integrues, – kujton Hajdari.

Ai nuk pati shumë vështirësi për të përparuar në kurset e anglishtes, ku u regjistrua sapo erdhi. Vuri kontaktet e para me specialistë të fushës inxhinierike, fushë ku ishte diplomuar në Francë.U njoh me inxhinierin Agim Karagjozi, kryetarin e sotëm të Vatrës, me të cilin ruan miqësi. Tonuzi e vlerëson ndihmën e pakursyer profesionale, që i dha atëherë inxhinier Agim Karagjozi. Në të njëjtën kohë, Hajdari u regjistrua në “Mechanich Institute” dhe më 1971 u diplomua edhe për “Plumbing Projecting”. Nuk i ndërpreu asnjëherë përpjektjet për integrim të plotë dhe në vitin 1974 arriti që të diplomohet edhe për profesionin tjetër që kishte të bënte me sistemin e ngrohjes, ventilimit dhe ajrit të kondicionuar. Në këtë profesion, Tonuzi punon edhe sot në zyrën e tij të projekteve në Manhattan.

Kryetari dhe arkëtar i Vatrës

Ndërkohë që vazhdon të punonte për organizatën e Legalitetit, z. Karagjozi, i propozoi të bashkëpunonte me Vatrën.

-M’u duk jo shumë normale që të isha edhe me Legalitetin edhe me Vatrën, ndaj ia thashë z. Karagjozi se unë isha me Mbretin dhe isha i zgjedhur në Këshillin e legalistëve. Por ai më tha se nuk kishte asgjë anormale, në Vatër merrnin pjesë edhe nga parti e organizata të tjera nacionaliste. Dhe kështu, shkova tek Vatra, – thotë Tonuzi. Në vitin 1966 legalisti u bë edhe vatran. Aktiviteti dinamik ra në sy të vatranëve, të cilët, me propozimin e z. Agim Karagjozi, i besuan arkën e Vatrës për degët e New York dhe New Jersey, e më pas për të gjithë Vatrën. Detyrat i kryente me përkushtim,kujtohet edhe sot: Ishte korrekt Hajdar Tonuzi!.

Gjatë vizitës së Leka Zogut në Boston më 1967, Hajdar Tonuzi ishte në delegacionin e legalistëve. Ishte një pritje madhështore kujton ai dhe e përshkruan ceremoninë dhe darkën që Vatra shtroi për Mbretin, si shumë madhështore. Fjalimet ishin të jashtëzakonshme, si nga zoti Anthony Athanas,  nga kryetari i darkës, z. Kristo Thanas, ashtu dhe nga Mbreti Leka.

Në Kuvendin e Vatrës në Boston më 1967 Hajdari zgjidhet zv/ kryetar, ndërkohë që kryetar ishte Anthony  Athanasi. Në numrin e e 25 tetorit të vitit 1967 të gazetës ”Dielli”, në faqen e parë botohet një portret me fotografinë e Hajdar Tonuzit. Në shkrimin ”Kush është nënkryetari ynë”, jepet njoftimi i zgjedhjes së tij zëvendës i zotit Athanas dhe përshkruhet rruga e jetës, shkollimi, aktiviteti politik etj. Pra, në një kohë shumë të shkuurtër, falë aftësive të tij Tonuzi bëhet person publik dhe përfaqësues i krahut nacionalist tek Vatra.

Edhe gjatë vitit 1968 Tonuzin e gjejmë përsëri zv/ kryetar. Këtë herë kryetar është Peter Chikos.

Si aktivitetin më madhështor për Federatën, ish zv/kryetari i Vatrës kujton vizitën e arbëreshëve, të cilët ishin ftuar nga Vatra për të kremtuar së bashku festën e Flamurit dhe përvjetorin e Diellit. Arbëreshët zbritën në Boston me 20 nëntor, në një ditë të bukur me diell pas shiut që kishte rënë deri në orën 10 para dite. Për katër ditë ata qëndruan në shtëpitë e shqiptarëve të Bostonit, u lutën shqip në kishën e shqiptarëve dhe me 24 nëntor morën rrugën drejt New York-ut, ku aktivitetet dhe vizita zgjatën deri në mbyllje të muajit. Seminari që organizoi Vatra më 28-29-30 nëntor 1969, ka qenë madhështor; ende nuk ka patur një të dytë, që të zërë vendin e tij, thotë Hajdari. Vatra aso kohe kishte për kryetar  Peter Chikos. Tonuzi kujton se të gjithë krerët e Vatrës ishin së bashku në konkretizimin e atij aktiviteti shumë mallëngjyes, kur u bashkua bashkë gjaku i shprishur i Arbërit. Delegacioni arbëresh, në përbërje të të cilit kishte intelektualë të njohur, klerikë të nderuar, u prit me bujari të madhe, edhe pse arka e Vatrës ishte tepër modeste, por investimet e individëve arritën që të përballonin shpenzimet. Ishin rreth 70 arbëreshë, mes tyre dhe një grup folklorik, që i dha ngjyra e tinguj atij takimi historik. Arbëreshëve u printe  shkëlqesia e Tij, Zef Pernicario, peshkopi i Dioqezës së Pianas së Arbëreshëve. Në grupin e organizatorëve të Vatrës , përveç kryetarit Chikos ishin dhe Christo Athanas, Anthony Athanas, dr. Hamdi Oruçi e të tjerë. Ky ka qenë aktiviteti më përfaqësues i diasporës shqiptare në Amerikë.

Tetë muaj pas këtij aktiviteti, më 1 korrik 1970, u nda nga jeta kryetari i Vatrës, i ndjeri Peter Chikos. Në aktivitetet që u organizuan në përkujtim të kryetarit, nënkryetari Tonuzi, mbajti peshën kryesore. Në gazetën”Dielli” Vol 60, nr. 22, që u botua me 15 korrik 1970, në faqen e parë, në vend të kryeartikullit, është vendosur fjalimi që kryetari i përkohshëm, Tonuzi mbajti në aktivitetin zyrtar të organizuar në “Pier Four”. Fjalimi ishte tepër prekës:” Të ndodhesh përpara trupit të Peter Chikos, i cili papritmas u nda nga gjiu ynë, të jeshë prej gurit mos të tronditesh dhe të mos i thush vetes:Pse fati i keq qëllon mu në zemër komunitetin tonë? Pse vdekja e tmerrshme rrëmben të riun në moshën e lulëzuar, që premtonte kaq shumë për kombin tonë, për Federatën Vatra dhe për familjen e tij?” . Elegjia që i ka thurur  të ndjerit Chikos, është një poezi e gjallë, që pikon dhimbje e buron lot. Aty evokohej kontributi i kryetarit që nuk jeton më, evokohej historia e Vatrës dhe e të parëve të shqiptarëve dhe u thurej kurora lavdie pavdeksisë së atyre që vunë jetën në shërbim të kombit.

– Ishte një humbje dhe dhimbje e madhe, –  tregon Hajdari, i cili për rreth gjysmë viti mbeti në krye të Vatrës. Ai kujton se Federata priti ngushëllime nga i gjithë komuniteti shqiptar, nga të gjitha organizatat dhe fondacionet, nga të gjithë klerikët e komunitetet fetare, nga “Zëri i Amerikës”, nga arbëreshët e Italisë etj. Edhe pse ishte ditë pune, në ditëvarrimin e  të ndjerit, pjesëmarrja qe madhështore. Qe një gjë e mallëngjyeshme, kontribut i denjë për një burrë të denjë të komunitetit tonë, – thotë Tonuzi, që e vlerëson Peter Chikosin, si një ndër patriotët që punuan shumë për Vatrën. Edhe pse ishte i lindur në Amerikë, Peter kishte mësuar mirë gjuhën e prindërve të tij, shprehte një dashuri të theksuar për atdheun e prindërve të tij, Shqipërinë dhe punonte me krenari për Vatrën. Ai eci në gjurmët e babait të vet, Llambi Chikosi, i cili qe ndër ata burra që kontribuan për organizimin e shoqatave shqiptare, si pjesëtar aktiv i shoqatës “Besa”, ndërsa kur u themelua Vatra, ai do të zgjidhej arkëtari i parë i saj.

Në numrin pasardhës të Diellit, botohej  lajmërimi që kryetari i përkohshëm i Vatrës, Hajdar Tonuzi, u drejtonte vatranëve, duke u thënë se bashkë me dhimbjen për të ndjerin kryetar, këtij i mbetej deri në zgjedhje detyra e vështirë e drejtimit të federatës. Thirrja  mbyllet me këtë paragraf: “Kryetari ynë po prehet në paqe. Stolia më e bukur, që mund të bëjmë për të stolisur varrin e Tij është forcimi i Organizatës sonë. Pra në këtë rast tragjik të vdekjes së kryetarit tonë të dashur  të bashkohemi sepse dhimbja, trishtimet e vdekjes, janë ato që brumosin elementin veprimtar e të vendosur për të mbajtur lart e më lart një organizatë, që është  e ne të gjithëve, trashëgimi më i lumtur i racës sonë shqiptare”.

Në kuvendin e ri të Vatrës, që u organizua në janar 1971,  u zgjodh kryetar i ri Barney D. Kirka, ndërkohë që zv/ kryetar përsëri mbeti Hajdar Tonuzi. Nënkryetari gëzonte respektin e palëve brenda federatës. Ai pohon se kishte dy linja brenda Vatrës: njëra që tërhiqte majtas dhe tjetra djathtas. Madje jo rrallë kishte dhe fërkime, por që kapërceheshin me dialog dhe urtësi. Madje ndonjëherë fërkimet kalonin masën, ishin të ashpra. Hajdari kujton se në Boston kishte një grupim që nuk e duronte elemintin nacionalist. Psh. njëri prej tyre, Jimy Thanas, shpesh ngrihej kundër duke thënë se këta janë mbeturina të nazifashizmit, mbeturina të zogizmit, s’kemi pse merremi me ta. Ne debatonim, debati ashpërsohej, por ndërhynte Kristo Thanas që na ulte tensionet.

– Tonuzi do të mbetej zv/kryetar i Vatrës edhe në zgjedhjet e vitit 1972, kur kryetar do të vinte Gregory L. Chiriaco, edhe në vitin 1973, kur kryetar do të zgjidhej Nick Kreshpani, edhe në vitin 1974, kur Vatra do të  kishte për kryetar Kristo Thanasin. Ndërsa në Kuvendin e nëntorit të po atij viti, kur u bënë zgjedhjet e reja, Tonuzi dha dorëheqjen.

– E ndjeja veten të lodhur, – shpjegon ai dorëheqjen. Në vendin e tij u zgjodh i ndjeri Ibrahim Kulla, që ishte po nga krahu zogist.

Nga aktiviteti i Vatrës, Tonuzi nuk u tërhoq. Vazhdonte të ishte ndër anëtarët më aktivë, si në degën rajonale të New York-New Jersey, ashtu edhe në qendër. Më 1986 emri i tij ishte  në Këshillin e qendrës, ndërsa më 1988, Peter Lukas, që ishte zgjedhur kryetar e afroi pranë vetes dhe Hajdari nuk kundërshtoi postin e zv/ presidentit të Vatrës.

Përplasja e vatranëve kur Ramiz Alia vizitoi Amerikën

Përplasjet brenda gjirit të Vatrës u bënë të ashpra pas vizitës së Ramiz Alisë, kujton Tonuzi, i cili pohon se pas asaj vizite pat një debat të ashpër në gjirin e Këshillit Drejtues të VATRE-s. Një pjesë nuk mund ta pranonte që ajo vizitë të pasqyrohej në faqet e Diellit. Madje u përgatit numri i gazetës, ku në faqe të pare ishte portreti i ramiz Alisë, por ai nuk u printua,e  bllokuan nacionalistët me gjithë presionin e majtistëve. Ky debat u transplatua deri në kuvendin e ri, ku u bënë ndryshime.

Tonuzi, në bisedën që zhvillova me të, ndalet në një nga Kuvendet e  Vatrës:-Me 1991 u zhvillua Kuvendi i Vatrës për zgjedhjet e reja. Kryetar i mbledhjes u zgjodh z. L. Cungu. Zv/ kryetari Tonuzi paraqiti raportin vjetor, nga që Peter Lukas për arsye shëndetësore nuk ishte paraqitur në Kuvend, ndërsa Harry Stoja paraqiti raportin e arkës.

Komisioni i përbërë nga Tonuzi, Ramiz Dani e Sabit Bitiçi, verifikoi kredencialet e 16 delegatëve.

Dy linja u përvijuan edhe në këtë mbledhje; ajo e nacionalistëve, që përfaqësohej nga zotërinjtë Karagjozi, Bitiçi, Oruçi, Kulla, të cilët mbështetën kandidaturën e paraqitur prej Tonuzit, që kryetar të ishte prof. Arshi Pipa. Grupi i Bostonit, reagoi ashpër. Në emër të tyre, z. Anthony Athanas, kundërshtoi, duke thënë se kështu shkeleshin rregullat e Kuvendit; nëpërkëmbej kanunorja; si mund të zgjidhej një njeri që mungonte, qoftë ky dhe Arshi Pipa! Debati qe i ashpër. U ngrit dr. Oruçi dhe u kujtoi kundërshtarëve se po me këtë metodë, pra në mungesë, ishte zgjedhur vite të shkuara, më 1974 edhe Kristo Thanas, i cili për arsye shëndetësore, nuk kishte qenë fare i pranishëm në Kuvend. Kështu edhe Prof. Pipa e kishte pranuar kandidaturën që i ishte propozuar nga z. Tonuzi dhe duhej të ligjërohej. Përsëri Tonuzi kishte postin e zv/kryetarit së bashku me dr. Gjon Buçajn, sekretar Agim rexhaj.

Profesor Pipa e mbajti vetëm një vit postin e kryetarit, post të cilin e zuri z. Agim Karagjozi në Kuvendin e 28 qershorit të vitit 1992, ku Pipa humbi me një votë më pak. Që nga ajo kohë z. Tonuzi mbajti arkën e Vatrës, detyrë që e dorëzoi më 2009.

TELASHET NGA DY PËRFAQËSIMI

Ja kështu ka kaluar jeta e Hajdar Tonuzit mes legalistëve dhe Vatrës. Jo rrallë, ky dypërfaqësim, i ka nxjerrë edhe telashe. Kështu psh. pas pjesëmarrjes së tij në mbledhjen e Madridit, ku pjesa më e madhe e organizatave dhe partive politike jashtë atdheut iu përgjigjen ftesës së Mbretit Leka, debati në Vatër qe i ashpër. Nik Kreshpani, qe ndër më kritikët: Me çfarë statusi shkove?,- i kishte kërkuar ai llogari në Këshillin e qendrës.

-Si i pavarur, – ia kishte kthyer përgjigjen Tonuzi…

-Nuk duhej të kishe shkuar, – i qe kthyer Kreshpani…

Ishte perfshi ne debat edhe Llazi Vishnja:- Nuk duhej të shkoje, Vatra nuk është Legalitet…

-Po une jam Legalist,-ia kishte kthyer Tonuzi me qetësi.

– Hë se tek Mbreti i vet shqiptar shkoi, jo tek mbreti i grekëve, – i kishte dhënë fund debatit, Kristo Thanas…. 

Shënim: Hajdar Tonuzi ndërroi jetë me 7 Qershor 2017 në Brooklyn,Nju Jork. Shërbimet funerale u kryen të Enjten me 8 Qershor 2017 në Qendrën Shqiptare Islame në Brooklyn, ndërsa varrimi u krye të Premten me 9 Qershor 2017.

*Kjo eshte pjesv e dyte.(Vijon nga numri i djeshem Dielli online)

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, HAJDAR TONUZI, Nje Dasem ne Paris

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 356
  • 357
  • 358
  • 359
  • 360
  • …
  • 699
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT