• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-20 vjetori i Maternitetit të rezistencës shqiptare

December 11, 2016 by dgreca

don-lush-gjergji-isa-mustafa-sejdullah-hoxha-materniteti

-Kryeministri Isa Mustafa: Në vitet e ’90-ta, u themelua një organizatë unike, e cila parimin e solidaritetit, bamirësisë dhe ndihmës, e ngriti në shkallën më të lartë, Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, ‘Nënë Tereza’, që për një kohë rekorde krijoi me dhjetëra degë dhe qindra nëndegë, duke përfshirë kështu me qindra mijëra aktivistë dhe vullnetarë në Kosovë/

pamje-nga-filmi-dokumentar-atsh-zyra-kosove-pallati-rilindja-behlul-jashari-telexi-i-raportimeve-nga24maji1992

-Kryetari i Shoqatës “Nënë Tereza”, Don Lush Gjergji, tha se parimi bazë i Shën Terezës sonë ishte “kudo që jeta është në rrezik aty duhet te jemi ne”, e ky parim u shndërrua në një betim as të fikur, as të koritur/

 materniteti-20-vjetor-3

-Dr. Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, kujtoi punën e palodhshme të punëtorëve shëndetësor për t’i dalë në ndihmë qytetarëve anembanë Kosovës, pavarësisht kushteve të vështira me të cilat ata përballeshin/

dr-gani-demolli-me-vanesa-redgreyev

-Ish-koordinatori kryesor i Shoqatës dhe Maternitetit, Palok Berisha:  Lëvizja jonë ishte një shprehje e paparë e bashkimit të mundësive për të vepruar si një njeri/

materniteti-20-vjetor-6

-Themeluesi i shërbimit shëndetësor “Nënë Tereza”, doktor Gani Demolli në fundmajin 1993 regjistroi në film dokumentar raportimet që bëja me telex nga Kosova në Shqipëri/

materniteti-20-vjetor-4

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

materniteti-20-vjetor-2

Në Prishtinë janë zhviilluar me 9 Dhjetor aktivitetet për shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Maternitetit të rezistencës shqiptare, në lagjen Kodra e Trimave. Morën pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe personalitete të shumta publike, përfaqësuesit e Shoqatës “Nënë Tereza”, mjekët e punonjësit e tjerë shëndetësorë që vepruan në këtë Maternitet, si dhe qytetarë të shumtë të Prishtinës.materniteti-20-vjetor-1

Fillimisht u bë zbulimi pllakës përkujtimore dhe më pas mori pjesë në manifestimin solemn që u mbajt në këtë përvjetor jubilar.Pas ceremonisë së zbulimit të pllakës përkujtimore të objektit të Maternitetit , kryeministri Mustafa i shoqëruar nga Don Lush Gjergji, kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza” dhe doktori Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, vizitoi ambientet e ndërtuara në shtëpinë e Shaban Sfircës në Kodrën e Trimave, ku ishin ofruar shërbimet shëndetësore.

Në manifestimin qendror, kryeministri Mustafa foli për rolin e Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nënë Tereza” dhe Maternitetit në Kodrën e Trimave. “Në vitet e ’90-ta, u themelua një organizatë unike, e cila parimin e solidaritetit, bamirësisë dhe ndihmës, e ngriti në shkallën më të lartë, Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, ‘Nënë Tereza’, që për një kohë rekorde krijoi me dhjetëra degë dhe qindra nëndegë, duke përfshirë kështu me qindra mijëra aktivistë dhe vullnetarë në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa, duke folur për organizimin e një sistemi të ndihmave nga diaspora, nga brenda Kosovës dhe nga organizatat humanitare nga mbarë bota.

Kryeministri Mustafa, më tej tha se një pjesë të veçantë të kësaj historie të bujshme por edhe unike do të jetë hapja e Maternitetit në vitin 1996 në Kodrën e Trimave, në një objekt që enkas për këtë e ndërtoi veprimtari Shaban Sfirca.

“Nga kjo kohë, Materniteti gjeti përkrahjen e bashkatdhetarëve tanë, e gjeti përkrahjen e qytetarëve, përkrahjen e lagjes së Kodrës së Trimave dhe përkrahjen e popullit të Kosovës. Puna e tyre e pashoq e profesioniste, sjellja njerëzore bëri që Kosova në tmerret e dhunës dhe të okupimit të organizoj një fushë të veçantë të kujdesit shëndetësor. Materniteti në Kodrën e Trimave është simbol i lindjes së mbi 10 mijë foshnjave, sot u tha 12 mijë e 500, që tash janë burra e gra të Kosovës”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke vlerësuar rolin e Shoqatës “Nënë Tereza” në proceset historike të asaj periudhe.

Kryetari i Shoqatës “Nënë Tereza”, Don Lush Gjergji, tha se parimi bazë i Shën Terezës sonë ishte “kudo që jeta është në rrezik aty duhet te jemi ne”, e ky parim u shndërrua në një betim as të fikur, as të koritur.

“Kështu Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, u mundua që jetën dhe veprën e Nënë Terezës ta nderoj, popullin tonë dhe gjithë njerëzit t’i ndihmoj, t’i afroj dhe bashkoj në një solidaritet të pashoq në këto hapësira”, tha Don Lush Gjergji.

Duke folur për punën në këtë Maternitet, Don Lush Gjergji tha se nëpërmjet shërbimeve shëndetësore është mbrojtur jeta e qytetarëve të kërcënuar dhe të rrezikuar, sidomos të nënës dhe të fëmijës.

“Mjekët dhe personeli shëndetësor me punë dhe orvatje të jashtëzakonshme ishin natë e ditë në mbrojtje të jetës, nëpërmjet asistimeve të lindjes së nënave dhe të fëmijëve të tyre, në kushte minimale, por me përkushtim dhe dashuri optimale”, tha Gjergji.Dr. Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, kujtoi punën e palodhshme të punëtorëve shëndetësor për t’i dalë në ndihmë qytetarëve anembanë Kosovës, pavarësisht kushteve të vështira me të cilat ata përballeshin.

Ai theksoi përkushtimin e punëtorëve shëndetësorë, sidomos të gjinekologëve, të cilët punonin në punkte shëndetësore të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, ku ofronin vizita dhe shërbime tjera gjinekologjike e obstetrike.

Hoxha foli edhe për historikun e këtij Materniteti, duke theksuar se deri në fund të vitit 1996 ishin kryer 1198 lindje, në vitin 1997 ishin kryer 3574 lindje, më 1998 ishin kryer 6402 lindje, ndërsa në periudhën nga 1 janari deri më 28 mars 1999 kur u mbyll Materniteti nga forcat policore, ishin kryer edhe 1342 lindje.

Ish-koordinatori kryesor i Shoqatës dhe Maternitetit, Palok Berisha, theksoi vullnetin, dëshirën dhe gatishmërinë e gjithë punonjësve shëndetësorë që atë kohë bënin të pamundurën për t’i dalë në ndihmë popullatës. “Lëvizja jonë ishte një shprehje e paparë e bashkimit të mundësive për të vepruar si një njeri. Na bashkoi një ide, një motiv, një qëllim, të ndihmojmë njerëzit në nevojë dhe që sado pak të zbusim vuajtjet e mijëra njerëzve anembanë Kosovës në momentet kur rreziku nga shfarosja ishte real”, tha ish-koordinatori Berisha.

Shaban Sfirca, pronari i shtëpisë që u shndërrua në Maternitet i falënderoi punëtorët shëndetësorë për punën e bërë dhe banorët e Lagjes “Kodra e Trimave”, të cilët kishin ofruar mbrojtje dhe mbështetje për personelin shëndetësor dhe për popullatën.“Kjo ngjarje më kujton ditën kur Presidenti Historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2002 e zbuloi pllakën në hyrje të shtëpisë, e cila po ashtu ishte shndërruar në spital, në të cilën punoi dr. Gani Demolli me mjekë e me infermiere”, tha Sfirca.

Në fund të këtij manifestimit u ndanë mirënjohje për një pjesë të atyre që punuan dhe kontribuuan në forma të ndryshme në këtë Maternitet.Në manifestim, të pranishëm ishin ministrat Hykmete Bajrami, Imet Rrahmani, Arban Abrashi, deputetë të Kuvendit, mjekë dhe punëtorë të tjerë shëndetësorë të cilët me punën e tyre kontribuuan në hapjen dhe mbarëvajtjen e këtij Materniteti, duke u dalë në ndihmë popullatës përmes ofrimit të shërbimeve.

Themeluesi i shërbimit shëndetësor “Nënë Tereza” në Kosovë, doktor Gani Demolli,  ishte njeriu që në kohën e kërkimit të lirisë kishte edhe një kamerë dhe bënte edhe filma dokumentarë dhe në një nga këta filma ka regjistruar edhe raportimet me telex që bëja për ATSH-në nga Prishtina duke nisur që para  gati çerek shekulli. Ai xhironte në fundmajin 1993, në Pallatin Rilindja – ambientet e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, në zyrën e telexit, që ishte bërë korrepondenturë  e parë nga Kosova e një mediumi në Shqipëri që prej një viti më herët, nga 24 maji 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi dhe bashkëpunim me agjencinë zyrtare-kombëtare të lajmeve të Shqipërisë, në kohë të rënda të okupimit të Kosovës.

Trokëllima e telexit të raportimeve për ATSH-në hapë filmin dokumentar të xhiruar në grevën e urisë të gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës në Pallatin Rilindja në Prishtinë, në mbrojtje të fjalës shqipe, në kohë të stuhishme, të rënda, të pushtimit e të dhunës nga regjimi serb.

Flas në dokumentar:  “Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqitare. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen… Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”
Telexi ishte lidhja e vetme e mundshme dhe me shumë vështirësi e komunikimit nga Prishtina në Tiranë në atë kohë, edhe në ata mbrëmbje të 31 majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, kur dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kameran e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim.
“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej nga 24 maji deri në  3 qershor të vitit 1993, në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, ndërmarrjes informative, botuese e grafike të shqiptarëve Rilindja po ia merrte edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës, për ta tjetërsuar e shndërruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi.

“Një luftë më ndryshe” është një film tjetër dokumentar i Gani Demollit dhe po me këtë titull edhe një libër i tij për ngjarjet historike të Kosovës drejt lirisë.
Dokumentarë të tjerë të doktorit me kamerë janë “Hapja e Maternitetit të Shoqatës Humanitare Bëmirëse Nëna Terezë” (25.06.1996), “Eliot Engel viziton Maternitetin e SHHB ‘Nëna Terezë’”, “Presidenti Rugova viziton Poliklinikën ‘Nëna’”…
Në një nga dokumentarët, për vizitën e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku edhe përuroi pllakën përkujtimore të humanistes dhe nobelistes  Nëna Tereze, themelusi i shërbimit shëndetësor “Nëna”, doktor Ganiu,  tregon historinë:

“Në 30 mars 1992 në shtëpinë e Shaban Svirces në Kodren e Trimave të Prishtinë punëtorë shëndetësorë të larguar me dhunë nga vendet e tyre të punës, të brengosur për shëndetin e familjeve të tyre, inspiruar dhe udhëhequr nga jeta dhe vepra e humanistes dhe nobelistes sonë Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, hapën ambulancën e parë humanitare, të cilën e pagëzuan me emrin ‘Nëna’. ‘Nëna’ ishte simbol i vetëorganizimit, sakrificës dhe rezistencës, ishte simbol i dashirisë, shpresës dhe jetës…”

Derisa bisedonim ekskluzivisht për ATSH-në në një mbrëmje fundmaji 2013 në Prishtinë, më  shumë se 21 vite pas themelimit të shërbimit shëndetësor, doktor Ganiu, me mirënjohjen e përjetshme për të gjithë kontribuesit kujtonte se, “’Nëna’ zgjeroi flatrat me 1655 punëtorë shëndetësor e 104 ambulanca gjithandej Kosoves,  me misionin kombëtar e humanitar, me shërbimet shendetesore pa kurrfarë kompenzimi material, për mëse 10 vite”.

Gjatë atyre viteve të dëbimit të shqiptarëve nga spitalet,  sipas statistikave të kohës, shërbimet e shëndetësore të “Nënës”, me mbështetjen e donatorëve, organizatave humanitare nga bota,  ndihmuan dhe përkrahen më se 5 milionë e 500 mijë pacientë, 12864 lindje, bënë 1100 intervenime kirurgjike.

Për mbështetjen flet edhe një foto që më tregonte gjatë bisedës doktor Ganiu, ku ai shihet në kohë lufte në Kosovë, me fëmijë e gra pas dëbimit nga shtëpitë e tyre, te tenda e nën qiellin e hapur me artisten e famshme – Vanesa Redgreyev, e shkrepur në 31 tetor 1998 në fushat e Pagarushes…

Doktor Gani Demolli, themeluesi i shërbimit shëndetësor “Nënë Tereza” në Kosovë është shuar në 18 mars 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: -20 vjetori i Maternitetit, Behlul Jashari, Kosove, të rezistencës shqiptare

IPG Prize recognises young research talent

December 10, 2016 by dgreca

This year’s prize was presented to Dr Edor Kabashi of the ICM Brain & Spine Institute, Paris, for his research into developing new laboratory models of MND in order to identify shared mechanisms of degeneration./

by Dr Brian Dickie/

I firmly believe that the quality of research is only as good as the researcher doing it, which is why the MND Association places a lot of emphasis on providing opportunities to attract, train and retain the brightest and best investigators in the UK and Ireland to develop their careers in MND research. These range from our ‘entry level’ PhD Studentships through to our successful Clinical Fellowships (funded jointly with MRC) and our more recent Non-Clinical Fellowship programme, offering opportunities to outstanding young researchers at a variety of career stages.

It’s also one of the reasons why the Paulo Gontijo International Medicine prize, presented at the Symposium Opening Session, is always an early highlight for me. I’ve had the privilege of serving on the International Judging Committee for the award since it was first linked with the Symposium in 2011, with a focus on acknowledging outstanding work by young researchers under the age of 40. It’s a tough job selecting the winner, the quality of the research is such a high standard and the applicants’ CVs are incredibly impressive, with many already internationally recognised figures in the MND research world.

This year’s prize was presented to Dr Edor Kabashi of the ICM Brain & Spine Institute, Paris, for his research into developing new laboratory models of MND in order to identify shared mechanisms of degeneration. Understanding the common processes that go wrong in degenerating motor neurons, no matter the original cause of the disease, will provide opportunities to develop treatments that could be effective in all forms of the disease.

Each year, the prize winner is invited to give a presentation on their research. Dr Kabashi focused on his team’s work on developing cell culture and zebrafish models which carry human MND-causing genes. Using these approaches, he has been able to demonstrate that disruption of a cellular process known as autophagy is a common consequence of the disease. By co-incidence, Dr Kabashi’s award comes in the same year as the Nobel Prize for Medicine has been awarded to Prof Yoshinori Ohsumi for his groundbreaking work into the mechanisms of autophagy.

Dr Kabashi and his team have also demonstrated that different causes and risk factors for MND can interact to cause a ‘double-hit’ on the autophagy process, leading to much more severe damage.

edor-kabashi-and-team-for-ipg-prize-blog-resized

Dr Kabashi (centre) with his research team

“It is truly a great honour to receive this award” said Dr Kabashi. “These innovative zebrafish models we are developing in the lab are allowing my team to identify shared pathogenic mechanisms in motor neuron diseases, with great potential to identify therapeutic strategies to halt neurodegenerative processes, in order to properly treat ALS/MND”

Filed Under: Histori Tagged With: Dr Edor Kabashi, IPG Prize recognises, research talent, young

100 vjet krahinë autonome (Vetë Qeverimi)

December 9, 2016 by dgreca

1 Qeveria e Korces

Shkruajnë:Arjan Kallço, Jorida Dhëmbi/

Nëse e ke patriotizmin në gjak, do të thotë se e do shumë vendin tënd dhe kjo ndjenjë  shoqërohet me vullnetin që t’i shërbesh atij. Kjo është një nga shprehjet që do t’i shkonte përshtat çdo njeriu pavarësisht vendit ku jeton, racës apo gjinisë. A është vjetëruar koncepti i patriotizmit në kohët moderne? A duhet futur në një kuti dhe të lihet mënjanë bashkë me historinë dhe duhet trajtuar vetëm për të shkuarën? Një gjë është e sigurtë se në këtë shekull historia nuk është më ajo e 100 viteve më parë, por duhet mbajtur parasysh se tani kombi, atdheu dhe patriotizmi marrin më shumë natyrë relative, përballë absolutes drejt së cilës ne po përpiqemi të shkojmë: Europës.  Gjithësesi patriotizmi nuk vdes, por rinovohet bashkë me gjithë jetën dhe historinë e sotme dhe merr ato forma që nuk janë një lloj revanshizmi në kohët moderne, por një tolerancë se i përkasim një identiteti tërësisht europian. Prandaj jemi dakord me Stevensonin kur thotë se Patriotizmi nuk është një shpërthim i shkurtër dhe frenetik i emocioneve, por përkushtim i lehtë, i qëndrueshëm dhe i qetë gjatë gjithë jetës.

Kaloi një shekull nga 10 dhjetori 1916 kur patriotë të mëdhenj e shpallën Korçën krahinë autonome dhe nderi i ngritjes së flamurit i takoi Themistokli Gërmenjit, pjesë e asaj plejade të shquar të rilindasve që luftoi, siç është zakon të thuhet, me pushkë e penë për mëmëdhenë, për pavarësinë e Shqipërisë, derisa kulmoi me aktin më sublim të saktificës, me jetën e vet. Në kuadrin e veprimtarive të shumta të organizuara në qytetin e Korçës, në një bashkëpunim institucionesh vendore dhe qendrore, vlen të përmendet konferenca shkencore e zhvilluar sot në Universitetin Fan S. Noli me temë: “Njëqind vjet nga vetëqeverimi i Korçës”. Si asnjëherë institucionet më të larta të shkencës sonë u mblodhen për të hedhur dritë mbi historinë e kësaj ngjarje të shquar të historisë sonë: Akademia e Shkencave, Qendra e Studimeve Albanologjike, Universiteti i Korcës me pjesëmarrje edhe ndërkombëtare nga Franca, Maqedonia dhe Kosova. Por lind nevoja që kjo ndërmarrje të bashkërendohet edhe në të ardhmen dhe të mbahet një qëndrim shkencor, jo vetëm autonomisë së Korçës, por edhe për gjarjet e tjera të historisë sonë – theskoi në përshëndetjen e saj Floresha Dado.

Të flasësh për këtë ngjarje të rëndësishme historike, do të thotë të marrësh në konsideratë gjithë njerëzit që me patriotizmin e tyre u bënë mbështetës të vendosur dhe mbrojtës vetmohues të saj. Por, gjithashtu, do të thotë të marrësh në konsideratë dhe atë grup patriotësh me në krye Gërmenjin që ishte drejtuesi dhe ideatori i vetë aktit të guximshëm të autonomisë. Me të drejtë ai është quajtur atdhetar i flaktë, rilindas fisnik, drejtuesi kryesor i Republikës së Korçës, edhe pse duhet theksuar se kjo autonimi ishte e mbrojtur nga francezët në vitet 1916-1918, me ndërhyrjen dhe ndërmjetësinë e Raul Vinetit, ushtarak që ishte martuar me një vajzë korçare. Për të gjithë këta patriotë patriotizmi duket se shkon në unison me mendimin e një mendimtari tjetër të shquar botëror kur thekson se e vetmja forcë dhe e vetmja e vërtetë e kësaj jete është dashuria. Patriotizmi nuk është (nuk duhet të jetë, a.d.v)  veç dashuri, miqësi që nuk janë veçse dashuri.

Themistokli Gërmenji shfaqi dhe një herë aftësitë e tij si burrë i vërtetë shteti, si diplomat vizionar, pasi ishte dhe frymëzuesi i gjithë organizimit të structures, e përfaqësuar në administratën e saj. Bashkë me 14 emrat e komisionit mori edhe gjithë peshën për mbarvajtjen e jetës politike dhe shoqërore të krahinës. Mes emrave të shquar mund të përmendim atdhetarët : Llambro Mborjen, Rafail Adhamin, Nikolla Vangjelin, Shaqir Shabanin, Tefik Rushitin, Hysen Dishnicën etj.

E keqja e shqiptarëve janë vetë shqiptarët – do të na vinte ndërmend kjo fjali për të treguar se përçarja është faktori kryesor që në shekuj na është dashur të mbetemi gjithmonë kafshatë e fuqive dhe fqinjve. Më 9 nëntor 1917 një skuadër pushkatarësh francezë, në një kospiracion të gërshetuar qarqesh, zbrazën mbi Gërmenjin plumbin e tradhtisë, duke ia dorëzuar përfundimisht emrin e tij historisë së Shqipërisë, së Korçës dhe gjithë krahinës së saj. Do të mbeten lapidare fjalët e tij para pushkatimit:

“Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë / skuadrës së pushkatimit t’i jap unë vetë urdhërin për zjarr / të mos m’i lidhni sytë” – ishin këto tri dëshirat e tij para se të vdiste i akuzuar padrejtëisht se nuk kishte besë.

E shkurtër si vetë pavarësia e vendit më 1912, kjo krahinë ishte një ngjarje e madhe pas saj që tregoi dhe një herë se kur bashkohen forcat patriotike shqiptare arrijnë të flasin me një gjuhë dhe realizojnë me urtësi detyra që vetë historia shtroi para tyre. Kjo autonomi, edhe pse e përkohshme dhe jo me të drejta të plota, solli disa ndryshime që rizgjoi ëndrrën e popullit shqiptar për liri e pavarësi, progres ekonomik dhe shoqëror dhe mbrojtje nga synime grabitqare shoviniste.

Por cila ishte jehona e kësaj ngjarje madhore në shtypin e kohës? Në disa gazeta të atyre viteve të nxjerra nga arkivat me këtë rast, mjaft t’u hedhësh një sy titujve dhe do të shohësh sesa vëmendje merr autonomia e një krahine, e shprehur me fjalët vetëqeverim. Gazeta Adriatik e datës 11 dhjetor 1916 shkruan në faqen kryesore : Vetë Qeverim i Shqipërisë :

“Dje u mblodhë njëerëzia, sipas lajmës që u dha, në shkollën të Shën Gjergjit që më orën 9 gjër në 11 qenë mbledhur në shkollën. Më orë 11…vjen Themistokliu si kur se dhe gjithë parësia e Korcës. Një shumicë mjaft e madhe ishte mbledhur si kur edhe ruga e gjërëishte plot dhe përpara prefekturës ishin radhitur ushtria franceze. Populli nuk dinte shkaknë e mbledhjes dhe po prisnin me padurim hapjen e mbledhjes”

Po e njëjta gazetë një ditë më vonë 12 dhjetor 1916 shkruan: Nderim ne kolloneli Descoins dhe lavdin ne Franca

“Gazeta Adriatik me gaz të math bëhet përgjigjës i popullit Korçës dhe kazasë së saj që të dëftenjë njojtiet e mirësisë ne kolloneli komandar z. Decuen i cili dëften me të vërtetë shënjën e Francës “liri, vëllazëri dhe njëihësi” dyke marrë masa të forta për të sjellë në këtë vent dashurinë në të gjithë kombëtarët, vëllazërinë e qetësinë, se intrigat, të përndarat, zënka dhe të tjera e kishin sielë këtë vent në një fatkeqësië të madhe”.

Në një gazetë tjetër shkruhet titulli : Korcha madhestore edhe Franca liberale.

“ Per se dyti here ungrit Flamuri madheshtor ne Korche, si dhe reth chargut Korches. O’ ch lumteri, o ‘sa gezim, i math per ate popull fatkeq qe vojti vitra me radhegjithe idherimetnga nje komp katilqe nuk ngopet me gjak Shqipetari…O popull trim I Korches merni ere liri te paqme, sallutoni Francen liberalle e qyteteruar e cila kur do here eshte perpjekur per chlirimin e kombeve vegjel”.

Dhe në fund disa vargje të gazetës Adriatiku, datë 15 dhjetor 1916, me siglën P.K, kujtojmë se letërsia e kohës ishte mbështetëse e plotë e patriotizmit dhe e ngjarjeve të një llojë rilindjeje të përkohëshme, ku lexojmë:

Flamuri q’ ungrit në Korcë

Prite shqipen me dy krerë

Me flamurin që valon

Ardhi dita dhe një herë

Për mi Korcën fluturon

 

Me të gjithë anët përpiqet

Armikët po i dëbon

Si dragua po vërtitet

Kur i zë i copëton.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: (Vetë Qeverimi), 100 vjet krahinë autonome, Arjan Kallco, Jorida Dhembi

Sami Repishti: LOTË-LAVDI E LUMNIM

December 8, 2016 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/Kohët e fundit më ka mbërrijtur libri me titull: Lotë-Lavdi e Lumnim, i Autorit, Profesorit, Mbrojtësit të të Drejtave të Njeriut, Aktivistit të palodhur të komunitetit shqiptaro-amerikan për çështjet kombëtare dhe ish-të burgosurit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, Z. Sami Repishtit.  

1-repishti-2Libri, që Profesori i nderuar dhe miku dhe kolegu i shtrenjtë pati mirësinë të më dërgonte, është botuar kohët e fundit nga “Botimet Françeskane” në Shkodër, me rastin e ceremonisë së Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, më 5 nëntor, 2016.  Pikërisht këtyre martirëve u dedikohet kjo vepër, “Me mirënjohjen dhe respektin ma të thellë” nga vet autori, bashkvuajtës me shumë prej tyre në burgjet e Enver Hoxhës, me këtë motivacion: “Për 38 Martirët e fesë katolike dhe kolegët e tyne të masakruem nga terrori komunist, për atë madhështi të pa shkallë që përvujtënia falë vetëm për njerëzit e kushtuem, për atë qetësi që buron vetëm nga shpirti i qenieve njerëzore pa kërkesa, për atë hir që rrezatojnë vetëm ata që idenë e kanë afsh zemre e përpjekjen për atë ide, qëllim të vetëm të jetës së tyne…Shërbim për Zotin e krijesën e Tij, që unë dëshmova gjatë viteve të burgut të përbashkët!”, shkruan Profesor Repishti në dedikimin e librit kushtuar martirëve të lumnuar kohët e fundit nga Papa Françesku.

Në librin e tij të ri, Lotë-Lavdi e Lumnim, autori flet edhe për marëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shqiptarëve me Vatikanin, ndonëse ky nuk është qëllimi kryesor, libri i ofrohet lexuesit shqiptar në trojet tona në Ballkan dhe në mërgim, ndoshta rastësisht me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, që fillim javën e kaluar u shënua me një konferencë në ambientet e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.  

Profesor Sami Repishti ka lindë në Shkodër ku ka kryer studimet e mesme ndërkohë që gjatë viteve 1939-1944 u angazhua në  rezistencën kundër pushtimit të huaj, por pa antarësim partiak.  I zhgënjyer nga propaganda dhe terrori që ushtrohej nga Partia Komuniste Shqiptare duke filluar nga viti 1945, Z. Repishti vendosi të merrte një qendrim të prerë ndaj regjimit të ri duke kundërshtuar diktaturën komuniste.  Si rrjedhim ai arrestohet në vitin 1946 dhe pas 14 muaj torturash të egëra nga ish-Sigurimi i Shtetit dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyrueshme, nga të cilat bëri 10-vjetë në birucë.   Lirohet në vitin 1956 dhe arratiset në vitin 1959, duke arritur më në fund në Shtetet e Bashkaura të Amerikës, në vitin 1962.  Si një shënjë e Providencës Hyjnore, për më shumë se gjysëm shekulli, Profesor Sami Repishti edhe sot vazhdon misionin e tij profetik, në mbrojtje të të drejtave të njeriut për të gjithë dhe kudo dhe sidomos në mbështetje të klerit katolik shqiptar, të vuajtur, të vrarë e të persekutuar, që si i ish burgosur politik, ishte mik i ngushtë i shumë prej këtyre klerikëve, viktima të komunizmit me të cilët përjetoi ferrin në burgjet komuniste.  Ai edhe sot refuzon të heshtë për ato që ka parë dhe ka përjetuar, për të cilat ende vazhdon “për me tregue”.  

Si viktimë e komunizmit vet, Profesor Repishti, shkruan se, Zoti e deshi që të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe.  Ai kujton me respekt disa prej atyre viktimave të listës së gjatë të klerikëve katolikë që i ka njohur në burgje: “Aristokratin’ me sjellje e mendim, Dom Mikel Koliqin, kardinalin e ardhëshëm, i heshtun, kryenaltë për vuajtjen që e mbuloi. At Frano Kirin, ‘burrë si motit’, i pa frikë, i pa përkulshëm.  At Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si bleta”, i cili në mfshehtësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frëngjishtja dhe konsultohej me me mue për gjetjen e fjalës më të përshtatshme”, shënon Profesor Repishti.  Ai kujton edhe bashkvuajtaës të tjerë klerikë, përfshirë “At Aleks Baçlin, gjithëherë i buzqeshun”, At Çiprian Nikën (“Vuajtja o biri im, e ban fitoren ma fisnike!”) dhe ndër të tjerë edhe Dom Ndoc Sumën, i cili sipas autorit, “I plakun e i hutuem, u arrestue në mengjez, u dënue mbas dreke me 20-vjetë burgim, e i cili bënte be se “Pasha Krishtin nuk di pse më kanë arrestue”.  

Në një prej kumtesava të përfshira në libër, Profesor Repishti shkruan se për “Xhelatët ekzekutues nuk kishte rëndësi fakti se klerikët e martirizuar, në të vërtetë, përbënin kolonën vertebrore të një shoqërie shqiptare të organizuar për qëndresë në kryengritjet kombëtare që nga Skënderbeu e deri në Ditën e Pavarësisë, që ky grup i veçantë mbajti gjallë shqiptarizmin për pesë shekuj robënie otomane, që ky grup i veçantë lavroi gjuhën shqipe dhe e mësoi atë në shkolla…se historia e kombit shqiptar nuk njeh nji rast të vetëm kur kleri dhe besimatrët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës në kalvarin shumë shekullor të vendit tonë e në luftat kundër anmiqve kërcënues, e tashti vonë në forcimin e nji Shqipnie të lirë që përpiqet me qenë europiane”, shprehet Profesori.

Është e pamundur që këta martirë të cilëve u është dedikuar libri dhe Kisha Katolike Shqiptare në përgjithsi, të kishin një mbështetës më të fortë, një njeri të penës më të zotin dhe një zëdhënës më të angazhuar dhe më të dedikuar për kauzën e tyre humane se sa Profesor Sami Repishtin.  Ai me të drejtë e cilëson veten si “njëni nga legjoni i madh i viktimave të gjalla”, ndërsa shkruan se, “përvoja ime më detyron me marrë nji ‘angazhim’, cilësi e vjetër që nga ditët e profetënve biblike”, duke e ndjerë përgjegjësinë — me bashkvuajtësin e tij, At Zef Pllumin, “Rrno vetëm për me tregue” — si një “imperativ kategorik moral”.  Profesor Repishti ka filluar të tregojë shumë histori ç’prej fillimit të 1960-ave të shekullit të kaluar dhe falë të Madhit Zot nuk ka të ndalur në këtë mision, ekzaktërisht si një profet biblik me një mision të shënjtë.  Një numër i këtyre tregimeve janë përfshirë në librin, Lotë-Lavdi e Lumnim, të botuara më heret në media të ndryshme ose mbajtur si referate konferencash nga Profesor Repishti, vetëm e vetëm, për angazhimin e tij të përkushtuar, “për me tregue”, si ndër dëshmitarët e pakët të gjallë të këtyre krimeve të tmershme.  “Me tregue”, shkruan Profesori ynë, “vuajtjet e vështira të ‘hetuesisë’ në qelitë e errëta të ish-Sigurimit të Shtetit, vitet e gjata në burgjet e errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë në moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe oficerëve kriminelë sadistë prej natyre e specialistë për torturë, të mësueme nga kurset e nëndheshme, larg na drita e diellit, larg nga sytë e botës”.  

Profesor Repishti shkruan se si dëshmitar okular i atyre krimeve çnjerzore në burgjet e Enver Hoxhës, ai e ndjenë veten të detyruar moralisht, “që të flasë haptas sepse heshtja ashtë e pa pranueshme”, shton ai, dhe se, “me folë do të thotë me thanë të vërtetën, që pa qenë absolute, për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë.”

Në një kumtesë mbajtur në një konferencë mbi “Krishtërimin në Shqipëri” dy vjetë më parë, Sami Repishti është shprehur se “Martirizimi i klerit shqiptar dhe sidomos i klerit katolik nuk mund të ketë qenë i paqëllimshëm.  Por, sakrificat e tyne do të njohin vlerësimin e tyne të plotë dhe mirënjohjen e përhershme, vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne, do të pasunojnë mendimin tonë dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të ardhmen”.   Në këtë këndveshtrim, libri i Profesor Repishtit është një mjet i dobishëm për brezin e ri për të njohur më mirë të kaluarën e krimeve regjimit komunist kundër popullësisë së vet të pafajshme, me shpresë se nuk do të përsëriten më.

Profesor Sami Repishti pohon në librin e tij më të fundit, Lotë-Lavdi e Lumnim, se arsyeja se pse ai shkruan për viktimat e komunizmit është, “Sepse jam viktimë e pafajshme e regjimit të krimit dhe kriminelit komunist dhe se denoncimi i tyne justifikon mbijetesën time.”   Por, ai shton se megjithkëtë, “Tragjedia komuniste në Shqipëri nuk është diçka vetëm personale megjith pasionin tim me demaskue dhe me dënue…tragjedia komuniste ka përpjestime universale dhe si e tillë është tragjedia e njerëzimit… një tragjedi që na ka bindë sa të aftë jemi na me damtue njani tjetrin.”  Autori citon shkrimtarin francez Albert Camus, i cili ka thënë se i vetmi qëndrim ndaj një bote jo të lirë është të jetosh një jetë aq të lirë sa që vet ekzistenca e juaj është një akt rebelimi.  Profesor Sami Repishti përfundon duke thënë se, “Ky është imperativi që na detyron me luftue çdo çfaqje që mund të sjellë përsëri tragjedi të reja.  Prandaj shkruej, flas, denoncoj të keqen e madhe: komunizmin”, shkruan ai.

I nderuar Profesor, për këtë qendrim, historia shqiptare do t’u jetë mirënjohëse,  përfshirë këtë libër dhe vepra të tjera si kjo, si dhe për kontributin tuaj prej më shumë se një gjysëm shekulli në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta, si mbrojtës i të pafajshëmve, si zëdhënës i atyre që nuk mund të flasin më dhe si një zë gjithmonë aktual për të zgjuar nga heshtja ndërgjegjen morale të kombit shqiptar.   Në veçanti, viktimat e komunizmit, të gjallë e të vdekur, përfshirë martirët e Kishës Katolike shqiptare të cilëve ua kini dedikuar këtë libër, u janë mirënjohës përgjithmonë që të vazhdoni të shkruani dhe të flisni të vërtetën dhe si përherë të denonconi të keqen, me ndershmëri dhe guxim civil, ashtu siç e kini zakon.  Shpresojmë që libri, Lotë-Lavdi e Lumnim, të jetë një kontribut i rëndësishëm për brezin e ri që të mësojë dhe ta kuptojë më mirë të kaluarën, duke shpresuar që t’i kujtojë gjithmonë qelitë e errëta të torturës dhe kampet e vdekjes të regjimit komunist në Shqipëri, të cilat ju dhe bashkvuajtsit tuaj i kini përjetuar.  Ashtuqë, siç shpreheni edhe ju, me shpresë se brezi i ri i shqiptarëve do të ndërtojë një të ardhme më të mire jo vetëm për për veten dhe për fëmijtë e tyre, por edhe për prindërit e tyre të cilët, “sot vuajnë nga pesha e fajit të heshtjes”.  

Shpresojmë me ju, i dashur Profesor se vëllëzrit dhe motrat tona shqiptare kudo, po hyjnë në një fazë të re të “burrënimit shpirtëror”, me besim të patundur në Zotin — se punët e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar do të shkojnë mirë e më mirë, siç është shprehur Kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi.   Shpresojmë, madje edhe kundër shpresës, pasi shpresa nuk vdesë kurrë, ose vdes e fundit.

Filed Under: Histori Tagged With: E LUMNIM, Frank shkreli, LOTË-LAVDI, Sami repishti

Ja si u interesua Qeveria Shqiptare në vitet ’30 për kosovarët

December 6, 2016 by dgreca

Nga Leonora Laçi/1-leonora-laci

-Këto dy relacione na tregojnë që qeveria  shqiptare, ndiqte me interes shpernguljen e shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë dhe jep të dhëna sesi po zbatohej program i kolonizimit në terren  në vitet ’20-’30.

-Sipas dokumentave arkivore te Arkivit te Ministrise se Puneve te Jashtme 1935, Dosja 185, fleta 173-177, i dergohet Zotit Rauf Fico Minister Fuqiplote i Shqiperise -Beograd. Nr II\31

unnamed-2 unnamed-1unnamed-3unnamed

Teper rezervate\

Shkurtimi: Mbi emigrimin e kosovarëve\

Zoti Minister\

Kam nderin ti sjell në dijeni Shkelqesis s Uaj se simbas informatave që marrim nga burime të ndryshme dhe të besueshme, me datë 20 vazhdues, një Komision i përbërë nga Kolonel Milan Branavaçki , Drejtor i Reformës Agrare, me ndenje në Shkup, nga një nëpunës i naltë i Drejtoris Agrare të Belegradit dhe nga dy nëpunësa të Banovines Vardarit të shoqeruar nga N\ Prefekti i Gjillanit Bogdanoviç, nga Kryetari i Komunës Vitimes dhe qark-komandanti i gjandarmeris, kanë vajtur në katundin Derna Glava të Gjilanit, ku kanë mbledhur shqiptaret e atij katundit dhe të Korbilivit dhe u kanë deklarue se, simbas urdhërit që sjellin nga Belgradi. Ata që deshirojnë me shkue si emigrantë në Turqi, tokën mos t’ia shesin kurrkujt por t’ia lëshojnë qeverisë, e cila ka me u nxjerrë gratis dhe pa paguar asnjë taksë pasaportat dhe ka me i dergue me shpenzimet e saja deri në Edrene të Turqisë, me anën e Bullgarisë; gjith’ashtu dhe at që e kanë shit token dhe pergatiten me emigrue në Turqi, qeveria jugosllave ka me i qit në kufinin e Turqis duke pague vetem gjysmat e shpenzimevet t’udhetimit. Njekohesisht i keshilluan që të mos vijne në kontakt me komisionaret e ndryshme, masi qeveria merr persiper gjithë çka duhet për vajtjen e tyre në Turqi.

Në pyetjen e disa katundarevet, midis të cileve i quajturi Rexhep Deli Muslli, se ata deshirojnë me shkue në Shqiperi, dy prej nëpunsavet në fjalë u janë përgjegj se ” në Shqiperi keni me vdek per buke” dhe se:” pasaporta per Shqiperi nuk po ju leshojme.” Te nesermen, komisioni në fjalë eshte kthyer në Shkup, por N/prefekti i Gjillanit qysh prej dates 24 deri me 27 të ketij muaji, ka shetitur katundet e qarkut te quajtur Desivoica, Leaçiç e Belogla dhe ka perseritur deklaratat e komisionit, duke bere propagande në ketë sens qe katundaret, sa me pare të emigrojnë per Turqi.

Informaten e masiperme e kemi marr nga disa shqiptar te katundit Derna Clava, te cilet kane degjuar deklaratat e komisionit dhe tue marre parasysh rendesine e saj, rezultati i se ciles eshte se kjo i pershtatet plotesisht se vertetes. Siç shifet nga kopjet e letrave qe paraqisim, ngjitazi, te marruna nga besniket t’one  ne Gjillan si dhe nga perkthimi i nje letre te shkruar ne gjuhen e vjeter turqishte, derguar dashamiresit t’one te ditur z.Hoxhe Sait Idriz nga nje iman t’atyne katundeve. 

Vetem besniku i jone ne Gjillan z.Aqif Ismail pretendon se Koloneli s’ka qene me ta, por gjithe informatoret e tjere insistojne se ka qene dhe nje Kolonel ( Pukovnik ) i Shkupit i cili s ‘mund te jete tjeter se Milan Branavaçki i Reformes Agrare.

Gjithashtu Post -komantanti i Gjandarmeris te katundit Desivoica te Gjillanit i quajtur Dragutin Ustoliç qysh prej disa muaj por sidomos ne kohen e fundit eshte tue bere nje propogande te forte per te shtrenguar kosovaret e atij qarku me emigrue ne Turqi.

Ky njeri eshte me origjin nga Kosova dhe flet mire gjuhen shqipe dhe gjendet n’ate post qysh prej 12 vjeteve . Natyrisht masi qendron atje nje kohe te gjate njeh mire vendin dhe me cilesite e tjera te tij, eshte personi ma i pershtatshem per kete propagande.

Midis argumentave qe perdor i nalt permensuni eshte dhe ky :” Toka jote -i thote njerit sot – ka njr fare vlefte bie fjala 2000 dinare ne qofte se nuk e shet tash kjo toke neser nuk do te ket ma teper se 200 dinare. Juve sido qe te jete keni me ik prej kendej per me ia leshu vendin malazezevet prandaj nje or e ma pare behuni gati dhe shkoni ne Turqi duke profituar nga lehtesinat qe qeveria jugosllave eshte tue u bere perkatesisht me udhetimin t’uaj deri atje”.

Ne ditet e fundit post komandanti ne fjale eshte tue shetit edhe neper katundet Terstene, Desivoica,Laiçiç, Beloglava,Sedllan dhe Vruçeç  te Gjillanit me kete duke bere po kete propagande. Na kane siguruar shume kosovare qe atyne qe i kundershtojne fjalevet te tij u pergjigjet me brutalitet dhe me shamje.

Propaganda e emigrimit per Turqi e bame ne kete menyre prej nepunesvat jugosllave ne nje krahine me nje popullsi thjesht shqiptare ku mikrobi i emigracionit eshte dèja i perhapur ne menyre remarquable siç kemi parashtrue me shkresat t’ona te ndryshme si dhe me argumentat qe perdorim rreth lehtesimit te shpernguljes se tyre dhe t’udhetimit deri ne Turqi, kuptohet lehtazi prej Shkelqesis s’Uaj se çfare konsekuenca katastrofale do te kete per çeshtjen e shenjte kombetare qe jemi tue ndjekur, ne qoftese nuk reaksionojme me kohe per te nautralizuar efektet çkaterruese te saj.

Kemi vrejtur me deshperim te madh se ne ditet e fundit grupe te dendura kosovare nga krahina e Gjillanit  te hutuar nga kjo propagande dhe tue mos dite se si te bejne, jane tue ardh ne kete Kryekonsullate Mbreterore per te kerkuar keshilla se qysh te veprojne perpara kesaj gjendje qe eshte krijuar.

Nga ana jone mundohemi me gjithe fuqinat modeste t’ona, t’ u çdukim pershtypjen e keqe te kesaj propagande, i ankurazhojme duke i kallzuar interesimin e gjalle te Shqiperise se lire per ta, dhe ne konformit me progrsmin e ndjekur perkatesisht me kete çeshtje, u japim keshillat e duhura. Duke ju parashtruar sa me siper ia lë ne pelqimin e Shkelqesise s’Uaj çdo demarsh qe kini me pa t’arsyeshme ku duhet per me i pre hovin kesaj propagande çkaterruese. 

Pranoni ju lutem, Zoti Minister, sigurimet e konsideratavet te mia ma te larta.

Gjerenti

Sofo Çomora (d.v)

Vertetohet se eshte nje me origjinalin

Shkup, me 29 korrik 1935

Dokument i Arkivit te Ministrise se Puneve te Jashtme, Viti 1935, Dosja 185, faqe 140-142

Nr II\ XXII (Rezervat)

Shkurtimi: Mbi sasine e kosovareve t’emigruar ne Turqi.

Zoti Minister

Ne pergjigje te shkreses rezervate t’Asaj P.T.Ministrie Mbretnore Nr.B.III.14/50 date 20 qershuer k.v kam nderin t’i bej te ditur se, masi ketu kerkush nuk ka dijeni te plote mbi sasine e kosovareve qe kane emigruar ne Turqi, u mejtuam se, e vetmja menyre per te marre vesh sasine e sakte te tyre ka qene Kryekonsullata greke e ketushme, ne regjistrat e se ciles figurojne emnat e te gjithe emigranteve kosovare meqe keta kane kalue transit ndermjet Selanikut per ne Turqi.

Per kete qellim i’u drejtuam titullarit te Kryekonsullates greke, me te cilin me shume sakrifica kemi mundur te sigurojme relata miqesore dhe Z. E tij ne menyre teper konfidenciale dhe pa dijenin e personelit te tij, masi çeshtja paraqiste pergjegjesi te rende per të, na vuri ne dispozicion gjithe regjistrat e Zyres Konsullore.

Keshu, zoti Sofo Çomora, Sekretar i kesaj Perfaqesie Mbretnore duke shkuar dhjete dite me radhe ne Kryekonsullaten e Greqise, ne kohe nate dhe kur personeli i saj s’ka qene atje, ka kontrolluar imtesisht 21 cope regjistra te vizave konsullore te akordueme qysh prej vitit 1921 deri me sot, dhe ka mundur me shume mundime te njxerr numrin ekzakt te pasaportave qe kane marre vize gjate atyre 15 vjeteve.

Nga kontrollimi ne fjale qe bani z.Sekretari rezulton se qysh prej vitit 1921 gjer me sot jane vizuar 30.000 pasaporta transit per ne Selanik te cilat tue llogarit per çdo pasaporte aproksimativisht nga 3 persona, perfaqesojne nje numer nga afro 100.000 veta.

Duke marr parasysh se nje pjese e madhe te ketyne pasaportave kane qene nga viset ku flitet gjuha turiqshte si; Palanke, Istip, Koçan, Doiran, Qyprili dhe shume boshnjake si dhe nje pjese tjeter jane kthyer prap ne Jugosllavi, rrjedh se nga elementi thjesht shqiptar i Kosoves, kane emigruar ne Turqi gjate 15 vjeteve afro 30 mije fryme. Kurenti me i madh i emigrimit eshte çfaqur mbrenda vjeteve 1925 dhe 1928.

Ne baze po te ketij kontrollimit eshte vrejtur se emigrimi i Gjillanasvet eshte realizuar mbrenda dy vjeteve te fundit dhe se deri ne muajin Maj 1925 jane vizuar 700 pasaporta te Gjillanasvet te cilat simbas llogaris s’one dhe nga informata te tjera qe kemi siguruar perfaqesojne 2.000 fryme.

Me kete rast e shof per detyre te theksoj sherbimin e madh qe na ka bere kryekonsulli grek ketu, me vuemjen ne dispozicion te regjistrave te vizave konsullore nfa ana tjeter çfaq kenaqesin t’eme ma te madhe per z.Sekretarin e kesaj Kryekonsullate i cili, pa u shmangur asnje mundimi ne kohe nate, ka mundur te mbaroj kete veprim te rendesishem duke kontrolluar 21 cope regjistra brenda nje kohe proporcionalisht te shkurter.

Pranoni Ju lutem,Z.Minister, sigurimet e konsideratavet te mia me te larta

Kryekonsulli

Filed Under: Histori Tagged With: kosovaret, kujdesi, Leonora Laci, Qeveria shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 381
  • 382
  • 383
  • 384
  • 385
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT