• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”

November 4, 2016 by dgreca

ILIR IKONOMIIlir Ikonomi sjell në Tiranë biografinë “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”/*1-ilir-ikonomi-esati

Një libër biografik prej 570 faqesh për Esat pashë Toptanin, botim i UET Press, është punimi më i ri i gazetarit të “Zërit të Amerikës” Ilir Ikonomi, i njohur për suksesin me Faik Konicën (2011) dhe Ismail Qemalin (2012). Ky libër, fryt i një studimi katërvjeçar, për herë të parë i sjell lexuesit një trajtim të paanshëm dhe neutral të Esat Pashës (1864-1920), të cilin autori e karakterizon si njërin ndër personazhet më enigmatikë të botës shqiptare. Qysh në krye, Ikonomi shtron pa mëdyshje pyetjet që ka marrë përsipër t’u përgjigjet në libër: A ishte Esati mercenari që shiste atdheun për një grusht para? Apo ishte pragmatisti që refuzonte të bëhej shërbëtor i të huajit? Përse i zemëronte disa qeveri dhe ia dilte të miqësohej me të tjera? Si arrinte ky njeri pa ndonjë shkollë të fuste në dilema edhe diplomatët e përpunuar në universitetet europiane? Ku e mësoi artin e të folurit, që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse, sesa belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar?
Përgjigja e autorit është komplekse, ashtu si vetë jeta e Esat Pashës. Në thelb, Ikonomi përpiqet që, nëpërmjet personazhit të tij, të na zhysë në periudhën e formimit së shtetit të ri shqiptar dhe të rrëfejë shumë nga misteret e asaj kohe, kur Shqipëria përballej herë me shpresat e ngritjes, herë me kaosin e rebelimeve dhe herë me fatalitetin e pushtimeve të huaja. Ai nuk moralizon, por thjesht paraqet faktet, duke e lënë në dorën e lexuesit të gjykojë mbi Esat Pashën, i cili edhe sot është objekt debatesh të ndezura. “Personalisht, – shkruan Ikonomi, – nuk më lidh asgjë me Toptanët dhe nuk kam ndonjë interes për të qëndruar në këtë, ose në atë anë të debatit. Aty nuk ka tradhtarë dhe heronj. Aty ka fakte të ftohta që mund ta bëjnë lexuesin të argëtohet ose të trishtohet nga çmenduria njerëzore, por kurrsesi të kalojë në indinjatë apo ekzaltim, kur ndeshet me një poshtërsi a me një heroizëm”. Autori sqaron se libri i tij i drejtohet publikut të gjerë e jo thjesht studiuesve të historisë. Megjithatë, shpjegon Ikonomi, studimi i Esat Pashës nuk mund të mos mbështetej mbi një burim të shëndoshë arkivor, të pandotur nga rrëfimet gojore dhe nga interpretimet subjektive. Për këtë arsye ai ka kërkuar në shumë arkiva për të nxjerrë një arsenal të tërë dokumentesh pak ose aspak të njohura deri më sot.
Por Esat Pasha që na sjell Ikonomi nuk është personazhi statik, që jeton i kyçur në një botë të veçuar, siç e kemi përfytyruar deri më sot. Mjeshtërisht, autori e bën Esatin të flasë dhe të komunikojë me lexuesin në terrenin shqiptar të kohës. Me kujdesin e tij të njohur për detajin, Ilir Ikonomi na zhyt natyrshëm në jetën e Esat Pashës, na bën të shohim dhe të prekim mjedisin ku ai jetonte, të kuptojmë psikologjinë e tij, të thithim të njëjtin ajër.
Libri ka shtrirje të gjerë, por përqendrohet kryesisht në ngjarjet e viteve 1912-1920, periudha më delikate e krijimit të shtetit shqiptar, kur ekzistenca e Shqipërisë ishte vazhdimisht në pikëpyetje. Në biografinë e Ikonomit, Esati rezulton si njeriu ambicioz që nuk e duron tutelën e askujt dhe dëshiron të mbretërojë në një Shqipëri larg ndërhyrjes së Fuqive. Por, shpjegon autori, ky ishte thjesht një iluzion në klimën e rivalitetit mes Fuqive europiane për influencë në Shqipëri. Kjo klimë ndërlikohej edhe më shumë nga synimet e fqinjëve ballkanikë për t’i shkëputur ndonjë copë trupit të dobët të shtetit të ri.
Libri të befason me galerinë e personazheve që lëvizin dhe e ndikojnë botën shqiptare të fillimshekullit të njëzetë: Ismail Qemali, Syrja bej Vlora, Myfit Libohova, Faik Konica, Princ Vidi, Leopold Berchtold, Sidney Sonnino, Carlo Aliotti dhe Nikolla Pashiç janë vetëm disa prej tyre. Esati jep e merr me ta, diku përfiton me zgjuarsinë e tij proverbiale, diku lëshon për t’u rikthyer në skenën politike.
Esat Pasha ruajti një hije dominuese në dekadën e parë të ekzistencës së shtetit shqiptar. Ndërsa të tjerët u bënë figura kalimtare, Esati arriti të qëndrojë dhe të qeverisë sa mundej në një Shqipëri pa institucione dhe pa miq të fuqishëm. Një ditë, tregon gazetari amerikan Gordon-Smith, duke pirë kafe me Esatin në Durrës, e pyeta për atë që thoshin njerëzit, se pashai sundonte me dorë të fortë. Esati u përgjigj: “Shqipërinë njeriu e qeveris siç mundet e jo siç duhet”.
Për disa, ai u bë një pasha i urryer, sepse bashkëpunoi me Serbinë dhe kërkoi ndihmën e saj për të shtypur rebelimin e Haxhi Qamilit. Për të tjerë, ai ishte prijësi që mbrojti Shkodrën, guxoi t’i kundërvihej rebelimit proturk dhe luftoi në anën e Antantës, bllokut fitues në Luftën e Parë Botërore, ndërkohë që rivalët e tij u rreshtuan me fuqinë humbëse, Austro-Hungarinë.
Ky punim, – sqaron Ikonomi, – nuk ka si qëllim “rehabilitimin” e Esat Pashës. Ai është shkruar për të dhënë rreth tij një vlerësim objektiv, të pandikuar nga ideologjia. Ikonomi ngrihet mbi meskinitetin e disa kritikëve të Esatit, të cilët nuk përfillin terrenin ekstremisht të mjerueshëm ku u ngrit dhe funksionoi shteti i ri shqiptar. Megjithatë, autori nuk mungon të nxjerrë në pah dobësitë në karakterin e Esatit, duke na dhënë përshkrime të balancuara, me teknikat e një studiuesi modern e të përmbajtur.
Parathënia e librit është shkruar nga studiuesi Bejtullah Destani, autor i dhjetëra punimeve historike. “Libri, – shkruan Destani, – është i derdhur në një stil transparent, inteligjent dhe të përmbajtur, ku asnjë fjalë nuk është e tepërt. Ai ndërthur parashtrimin e qartë të dokumentit historik me rrëfimin konciz dhe tërheqës.”
Biografia përmban rreth 60 fotografi të cilësisë së lartë, disa prej të cilave publikohen për herë të parë. Ajo është e pajisur me shënime në fund të faqeve, me një bibliografi të hollësishme dhe me treguesin e emrave.(Kortezi: Mapo)

 

Filed Under: Histori Tagged With: “Esat pashë Toptani: Njeriu, Ilir Ikonomi, Lufta, pushteti

Prof. Stavro Skëndi-SHQIPTARI I MADH I AMERIKËS

November 3, 2016 by dgreca

skendi1*Arshi PIPA: “Shqipëria ka nxjerrë gjeneralë dhe burra shteti, por tepër rrallë dijetarë të njohur botërisht .Profesor Stavro Skëndi hyn ndër këta të rrallët.”/

skendi2*Prof. Sami Repishti: Prof. Stavro Skendi,  Dekan i shkollës së albanologjisë”./skendiNga Vangjel SIMAKU/Shekulli i njëzetë ishte ende në agimet e tij dhe Shqipëria ende vuante në natën otomane, kur më 21 gusht 1905, në Korcë, lindi Stavro Skëndi. Ai rridhte nga një familje luftëtarësh të vjetër, apo thënë ndryshe  “shtëpi pushke”, trimëria e të cilës përjetohej në vargjet e një kënge ku thuhej: “Skëndajt dhe Agarajt e kanë dyfekun baraj”.

Origjina e saj ka qenë nga Lekli i Tepelenës dhe vetë një prej paraardhësve të Stavros ka pas qenë këshilltar i Vezirit të Janinës. Skëndajt, një familje me një histori që u ngjan legjendave, ndoshta edhe pse shumë pjesëtarë meshkuj të saj u kthyen në legjendë. Skëndajt, pas vdekjes së Ali Pashës, ndiqen egërsisht nga turqit dhe detyrohen të dalin maleve kacakë. Njëri prej tyre Nini ( Kostandini ) martohet e vendoset në Shtëpëz, ku i lindin gjashtë djem dhe një vajzë me emrin Tana. Por fatkeqësite vijnë njëra pas tjetrës në këtë familje. Dy djem të Ninit vriten për hasmëri ditën e Pashkës, njëlloj si në baladat e dhimbshme shqiptare. Njëri prej djemve Nika merr hak për vëllezërit e tij,  dhe për shtatë vjet detyrohet të bëjë jetën e kacakut. Ai pat porositur të motrën, Tanën që sa herë familjes t’i afrohej ndonjë rrezik t’i binte fyellit njëlloj si në këngën që këndohet edhe sot:

“Tanë, moj Tanë,

Ngre babanë nga gjumi ,

Qen’ e mirë na e vranë,

Dash’ Kicon për helli e kanë.a”

Kështu kacaku Nika zbriste fshehurazi në fshat, sa herë e lajmëronte Tana. Dhe Jorgji, biri i tij do të lindte, kur Nika ishte ende maleve.

Për t’i shpëtuar vrasjeve dhe hasmërive, Jorgji, si djalë i vetëm i Skëndajve, kur u rrit, do të vendosej në Stamboll. Këtu i ndihu fati dhe hapi një dyqan këpucësh, ku punësoi edhe cirakë. Por malli për tokën e të parëve e digjte si prush dhe herë pas here vinte në Shqiperi. Këtu njihet dhe martohet me Marigonë, vajzën e vetme të Nikollë Spicerit ( Kondili ), me origjinë nga Zhapa e Labovës.Kondilajt qenë një familje e shkolluar dhe vetë Nikolla pat studiuar për farmaci në Odesë të Rusise. Ai ishte vendosur më pas në Korce, hapi një farmaci dhe ishte zgjedhur edhe në kryesinë e Dhimogjerondisë, e cila kishte edhe funksione administrative. Nga martesa pati dy vajza dhe një djalë, Stavron .

Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, Jorgji largohet sërish drejt Stambollit dhe mori me vete të birin, Stavron , i cili do të niste studimet në  “Roberts College”, ku studionin edhe shumë djem e vajza nga Shqipëria, që më pas do të bënin emër në historine e saj.

Një ditë, ndërsa qëndronte në një kafene,  Jorgji Skëndi vdes papritur  nga  hemoragjia celebrale. Kjo ishte një humbje e madhe për djaloshin Stavro, një njeri me shpirt tejet të ndjeshëm.

Pasi diplomohet për matematikë tek ky kolegj me emër, Stavro Skëndi nisi  studimet në Fakultetin e Studimeve Ndërkombëtare në Zvicër.

Nuk dihen mirë arsyet pse ai detyrohet të lerë në mes studimet e të kthehet në atdhe. Më 1930-ë emërohet në Shkollën Tregëtare të Vlorës dhe pas tri vitesh në Liceun e Korcës, ku jepte lendën e matematikës.

Në kujtimet e ish- nxënësve të kësaj shkolle me reputacion të madh brenda e jashtë vendit ai ka mbetur si një pedagog i shkëlqyer, që e urrente brutalitetin dhe njëanshmërinë në vlerësim. Një ish-liceist, Spiro Katro do të shprehet:”I dashur, i sjellë, që dinte të respektonte nxënësit e vet pa dallim, nëse ishin të fortë apo të dobët. Nuk mbaj mend në asnjë rast, momente nervozizmi nga ana e tij; ishte i butë dhe për më tepër shumë korrekt në vlerësimin e nxënësve në matematikë. Duke ngacmuar kujtesën time, tashmë të plakur, më vijnë ndërmend fjalët e babait tim të dashur:”Të jini krenare që kini në lëndën e matematikës një profesor si Stavro Skëndi “.

Ndërsa një tjetër ish-liceist e karakterizon kështu:”Nuk e kam patur qejf matematikën, por kur këtë lëndë e jepte profesor Stavri, kënaqesha. I qetë, me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël, e donim dhe e respektonim shumë. Na shpjegonte me shumë durim, nuk nevrikosej dhe nuk thërriste kurrq. I pëlqente natyra, e pëlqente  dëborën…”

* * * *

Sidoqoftë Stavro Skëndi ishte jo vetëm intelektual, por edhe atdhetar i vërtetë. Shumë shpejt e shohim të marrë pjesë aktive në jetën politike të kohës. Më 10-ë, dhjetor 1938-ë, ai mbajti një fjalim të zjarrtë para monumentit të Themistokli Gërmenjit në Korcë. Krijon lidhje të ngushta me një sërë intelektualësh dhe patriotësh kudo në Shqipëri si; Kostaq Cipo, Nonda Bulka, Naum Stralla, Vasil Avrami, Thoma Turtulli, Jorgo Meksi,Vangjel Koca, Patër Anton Harapi, Lef Nosi, Spiro Kolea etj. Ai bie ndesh me pushtimin fashist të vendit dhe e kundërshton me zjarr atë. Thirrjet e gjakut stërgjyshor u kthyen tek ai; mbase duke shkelur një betim tëheshtur shpirti i tij u rebelua. Për idetë e tij antifashiste transferohet fillimisht në Berat e më pas do të pasonte një kalvar internimesh në Tiranë, Peqin, Gramsh, sërish në Berat, e prej andej për dy vjet në burgun famëkeq të Ventotenes në Itali, ku ishin burgosur edhe shumë atdhetarë të tjerë. Këtu miqësohet me antifashistë italianë si Sandro Pertini, Prof. Einandi dhe forcoi mëtej bindjet e veta antifashiste.

Më 1941-ë, kthehet nga internimi në Korcë, tashmë i burrëruar dhe hapi një librari – kartoleri me libra të shumë fushave, sa artistike e shkencore, sic pati bërë në Tiranë edhe Lumo Skëndoja. Librarinë  nisën ta frekuentonin intelektualët e nacionalistët më në zë të Korcës. I formuar e me një kulturë të admirueshme perëndimore, Stavro Skëndi ra ndesh jo vetëm me fashizmin, por edhe me idetë e importuara komuniste,  që kishin filluar të qarkullonin herët edhe në Korcën e tij. Ai nisi t’i shohë fashizmin e komunizmin si faqe të të njëjtës medaljeje, si dy ekstreme të rrezikshme, që e cuan njerëzimin në rrugë pa krye. Kështu ai do ta shohë veten e tij më pranë platformës së Ballit Kombëtar, i cili, të paktën në fillimet e tij u pozicionua kundër fashizmit. Pikërisht në këtë kohë edhe shumë intelektualë të kulluar u radhitën në rreshtat e kësaj organizate, e cila në një nga dhjetë pikat e “Dekalogut” të vet shprehej: “Luftojmë për një Shqipëri që do të dënojë pa mëshirë dhe në mënyrë shëmbullore antipatriotët, tradhëtarët, të shiturit, ngaterrestarët , servilët e spiunet, për një Shqipëri ku nuk do të ketë vend për dallkaukët, servilët, feudalët e të gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë së rilindur “.

Kjo pikë, rreshtat e fundit të së cilës përkojnë me vargjet e njërës prej poezive të Nolit, do të ketë ngacmuar sedrën e ish – studentit të Robert College, i cili shihte të shprehur në të, ëndrrat e mbetura si testament nga rilindasit.

Këtu fillon tirada e anatemave ndaj Stavro Skëndit. Në rastin e tij asgjë nuk u mor parasysh: as origjina e familjes së tij, as të qenët pedagog në shkollën më të mirë të Shqipërisë, as burgosjet e internimet e herëpasherëshme si antifashist, as fakti se ai nuk qe njeri i pushkës si pararendësit e tij, por i mendjes dhe  as arsyeja tjetër shumë kokëfortë, se para se të ndodhte krisja e parëmes Frontit Nacional-Cirimtar dhe Ballit Kombëtar në Mukje, (gusht 1943), apo ndarja përfundimtare mes tyre, (Konferenca e Labinotit, shtator 1943), Stavro Skëndi ishte larguar përgjithmonënga Shqipëria .

C’kishte ndodhur ndërkohe ?

Sërish i kanosej internimi nga fashistët italianë, këtë herë në Porto Romano. Ushtruan kontroll shtëpinë e tij, por ai i shpëton për mrekulli arrestimit, i fshehur pas një perdeje. Detyrohet të hidhet në ilegalitet dhe në verën e vitit 1943, udhëton për në Tiranë i maskuar me syze të errëta dhe i shoqëruar nga e motra, Dhimitra, por pa i shpëtuar dot blicit të një aparati fotografik, që u kthye kështu në dëshmitarin e largimit të tij përgjithmonë nga Shqipëria. Në hotel regjistrohet me tjetër emër. Të nesërmen kaloi në Bullgari dhe përmes saj në Stamboll. Sërish në vendin e ëndrrave rinore. Këtu lindën njohje të reja dhe mes tyre do të ringjallej edhe një idil i këputur dashurie me studenten spanjolle Daisy Franco, e cila u bë më pas gruaja e tij e ardhëshme .Në Stamboll qëndroi deri më 1946-ë, vit në të cilin u nis drej SHBA-ës.Ishte 41-ë vjecar, ndërsa udhëtonte drejt Amerikës, drejt “vendit të bekuar të lirisë” sic do të shprehej më vonë.Ishte një udhetim drejt një bote të re dhe të panjohur. Gjithsesi nuk duhej thyer zemra. Ai e dinte se aty jetonte prej vitesh një diasporë e kulluar shqiptarësh, shumë prej të cilëve me origjinë nga vendlindja e tij. Ai po vinte drejt tyre i sigurt; drejt Amerikës për t’u bërë përfundimisht qytetar i saj i dorës së parë.

* * * *

Megjithëse në moshë tashmë burrërore asgjë nuk e pengoi të nisë studimet universitare, falë ndihmës së American Council of Learned Societies,  për të cilin sic do ta pohonte  më vonë me mirenjohje: ” …më erdhi në ndihmë që të plotësoj studimet unversitare dhe më në fund të fitoj gradën më të lartë, që jepet në këtë vend të përparuar “.

Kështu, më 195-ë, Stavro Skëndi merr doktoraturën në gjuhësi nga Universiteti i Kolumbias, me një tezëtepër interesante mbi epikën gojore shqiptare dhe sllave (Albanian and South Slavic Oral Epic Poetry ), e cila u botua më 1954-ën,  dhe u ribotua më 1969-ë. Në këtë aspekt sic pohon prof.Arshi Pipa:” …ai u bashkua me mendimin e shkollarëve të njohur si Alois Schmaus, Max Lambertz, Fulvio Cordignano, simbas të cilëve cykli epik i kangëvet kreshnike shqipe, asht versioni shqipar i kangëvet kreshnike boshnjake, tue nenvijue njikohësisht anën origjinale ethnike të versionit shqiptar .”Kaq mjaftonte që të shkaktohej menjëherë një reaksion jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Amerikë. Sikur të mos mjaftonin sulmet e sistemit komunist të instaluar në Shqipëri dhe të vetë udhëheqësit komunist ndaj tij, por në garë me të do të vihej edhe shkrimtari Ismail Kadare.Ky tek “Autobiografia e popullit në vargje ” atakon direkt Stavro Skëndin ku pohon se : …”ngaqë s’ka mundësi ta shesë vëndin e tij, sic ka bërë më parë (!!!), po përpiqet të nxjerrë në ankand thesaret poetike të tij, e shpie origjinën e ciklit në shek 16- 18 duke i mohuar kryekëput shqiptarësinë”.

Secili që lexon këto rreshta, i vjen keq që një shkrimtar i përmasave të Kadaresë ka rënë në pozitat e partizanizmit. Në fakt nuk është ky rasti i parë. As ka vepruar kështu ai edhe me At’Gjergj Fishtën, apo me Koliqin e Konicën, që nuk iu ka kursyer epitetet më të  zeza?  Jo vetëm Kadareja, që shkruante nën trysninë e sistemit në Shqipëri, por edhe në Amerikë pati shumë nga ata që nuk e kuptuan veprën e Stavro Skëndit. Studiuesi Fron Mazi është shprehur mes të tjerash: “…kur flet me studiues shqiptarë e amerikanë qe e njohin veprën e Skëndit , e quajnë atë një perfeksionist. Nje shqiptaro- amerikan është shprehur kështu: “Skëndi ka qenë pa dyshim një nga studiuesit më të mëdhenj të Ballkanit. Ai ka shkruar për një grup të vecanë.Problemi që ndeshnin shumë shqiptarë në veprën e tij është se ajo u dukej e ftohtë. Skëndi nuk glorifikonte asnjëherë. Ai jepte vetëm fakte dhe bënte analiza që ishin teëer shkencore e në mjaft raste kritike. Fatkeqesisht shumë nga pjesa më e paarsimuar e shqiptaro- amerikanëve e interpretuan atë sikur ishte antishqiptar “.

Po profesor Skëndi si ka vepruar në këtë rast ?

Gjithnjë buzagaz e gjakftohtë, ai i priti goditjet ndaj tij me fisnikëri, kur edhe  pohonte:“…shqiptarët këtu në Amerikë, më janë sjellë kurdoherë mirë. Kur njerëzit e regjimit poshtë bënin lloj – lloj cpifje dhe intriga që t’i ftohnin prej meje ata nuk u tundnë”.

Natyrisht ishte koha ajo që do t’i vinte notën e do t’i jepte të drejtë shumë prej përfundimeve të tij. A nuk e pohon këtë fare qartë Peter Prifti kur thotë: “…po ta shohim punën shkencore të prof.Skëndit në tërësi dhe me objektivitet, duhet të pranojmë se ai i ka bërë një shërbim të shënuar letërsisë shqiptare dhe cështjes kombëtare në botën e jashtme”.

Pasi mori doktoraturën, ai  punoi për gati një vit si lektor në Universitetin e Torontos në Kanada e , pastaj si pedagog ne Programin mbi Evropen Qendrore e Lindore ne Universitetin e Kolumbias. Me  logjikë të ftohtë ai analizoi dhjetëvjetëshin e parë të regjimit totalitar në Shqipëri në veprën “Albania ëith the Slav Orbit.Advent to poëer of the Communist Party”. Por edhe kjo vepër nuk u prit mirë në fillim, bile edhe nga “VATRA” dhe Fan Noli, për të cilin Skëndi ushqente respekt të vecantë dhe kjo për arsyen e vetme se “asokohe cdo lloj kritike ndaj komunistëve interpretohej si antishqiptarizëm . ”

Por natyrisht vepra më madhore e tij, që e bëri atë një historian me autoritet është “The albanian National Aëakening 1878-1912 “. Për këtë vepër me vlera, Arshi Pipa është shprehur: “Kjo vepër botue më1967-ë, asht fryt i kërkimeve të autorit për disa vjet me rradhë në arkivat e Vjenë, Romës dhe Parisit. Kjo asht një pikturë objektive e gjendjes shoqnore, politike e kulturore e periudhës së Zgjimit dhe qorton gabimet dhe partizaninë ideologjike të veprës sovjetike mbi të njëjtën periudhë nga I.G. Senkovich, mbi të cilën bazoheshin tekstet e Universitetit të Tiranës, n’atë kohë”.

Në këtë punë titanike prof.Skëndin e ndihmonte mjaft fakti i të qënit poliglot. Ai zotëronte në mënyrë të përsosur anglishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten,  rusishten, serbo-kroatishten dhe greqishten. Duke u udhëhequr nga parimi i Aristotelit: “Mik e kam Platonin, por më tepër kam mik të vërtetën “vepra e Stavro Skëndit dallohet kështu si vepër e një dijetari të paanshëm, i cili “pa ngurrue i ra ndesh ideologjive të ndryshme, tue përfshi nacionalizmin shqiptar, kur ato i shmangeshin të vërtetës objektive” ( A . Pipa )

Kurse prof. Sami Repishti është shprehur: “….me kalimin e kohës nga fusha e aksionit politik Stavro Skëndi hyri në fushën akademike, atje ku mendjet njerëzore përpiqen të kuptojnë atë,  që aksioni vetë nuk e shpjegon.Beteja e mendimit politik u zgjerua, u transformua në një përqafim të tërësisë së përgjithshme, që përjashton dallimet e kohës dhe të hapësirës”.

Është kjo arsyeja që Sami Repishti do ta cilësojë Stavro Skëndin: ” Dekan të shkollës së albanologjisë”.

Me kohë emri i prof.Skëndit u bë i njohur jo vetëm në Amerikë, për shkak të botimeve të tij serioze e me vlerë dokumentare, por edhe nga pjesëmarrja e tij dinjitoze në shumë aktivitete me vlerë akademike në Europë e gjetkë. Kjo vepër akademike me kalimin e kohës ” …ka zgjeruar konceptin e kombit tonë që nga elementet fillestare të historisë, të gjuhës së folur e të vullnetit popullor deri tek faza e pjekurisë si komb i plotësuar dhe si traditë politike , nga koncepti i kombit si burim pikënisjeje deri tek koncepti i kombit si qëllim suprem ” ( S. Repishti )

Në Amerikë prof. Skëndi do të gjente  atmosferën e përshtatëshme për të zgjeruar horizontin e tij në fushën e shkencës ballkanistike, duke u përpjekur të zgjidhë shumë nyje të ngatërruara të politikës e kulturës ballkanike. Sic mund ta gjykojmë dhe nga bibliografia e pasur e veprës së tij, nuk ka patur tema lidhur me Ballkanin që të kenë kaluar pa u prekur nga syri i tij vëzhgues. Sic pohon edhe vetë: “Si Shqipëria, ashtu edhe popujt fqinjë kuptohen më mirë nëse shikojmë zhvillimin e tyre nga një prizëm ndërballkanik. Jo sepse popujt e Ballkanit nuk kanë karakteristika të vecanta, por të tjerat janë të përbashkëta, sepse janë formuar gjatë sundimit turk “.

Ishte viti 1970-ë, kur prof.Skëndi do të tërhiqej nga puna e tij si profesor i gjuhës dhe kulturës ballkanike në Universitetin e Kolumbias dhe pas dy vjetësh ky universitet e shpalli; ” Profesor Emeritus “. Gjatë viteve 1972- 1973,  ai punoi si bashkëpunëtor në Institutin për Studime të Avancuara në Universitetin e Princentonit, një institut ky tepër prestigjioz, ndërsa instituti i njohur i Gugenheimit i jep cmimin “GRAND “.

Më 1980-ë ai botoi veprën tjetër madhore me tri pjesë ” Balcan Cultural Studies ” e cila sipas disiplinave përbërëse ndahet në tri pjesë: Histori, Folklor, Gjuhësi. Sic vë në dukje Arshi Pipa: “Në të tria këto lamije,  Skëndi u dallua si shkencëtar i paanshëm, pa ngurrue me i ranë ndesh ideologjive të ndryshme, tue përfshi nacionalizmën shqiptare, ku ato i shmangeshin të vërtetës objektive .”

Në fushqn e gjuhqsisq, gjithmonq sipas prof. Arshi Pipqs, Skqndi u shpreh kunder imponimit të të ashtuquajturës ” gjuhë e njehsuar ” , mendim i cili gjeti përkrahje edhe nga kolosët e gjuhësisë shqiptare,  Eqrem Cabej dhe Aleksandër Xhuvani .

Tepër i rëndësishëm në llojin e vet paraqitet edhe studimi krahasues i kompletuar “Kacic’s Razgovor and Fishta’s Lahuta e Malcis “. Sipas prof. Skëndit,  At’Fishta u frymëzua kur shkroi kryeveprën e vet nga shkrimtari i hershëm dalmat Andrija Kacic Mioshic, poet dhe publicist dalmat i periudhës së iluminizmit, që njihet sidomos me veprën e tij “Razgovor ugodni naroda slovinkoga ” (Bisedë e këndshme e popullit sllav ), një përmbledhje më proze e poezi për historinë serbo- kroate.Duke krahasuar veprat e dy franceskanëve, Skëndi gjente pikëtakime në mendësinë e popujve fqinjë shekullore, duke theksuar se të dyja këto vepra madhore ia kanë dalë ” të glorifikojnë historinë dhe shpirtin e paepur të heronjve dhe popujve të tyre. Ato nuk janë  thjesht histori; ato janë histori dhe legjendë.”

Shenjë e respektit që gëzonte vepra e profesorit të nderuar te diaspora shqiptare e Amerikës dhe me gjerë,  është darka e shtruar në Neë York, Sheraton Hotel me 4 tetor 1980-ë, për nder të 75 vjetorit të tij të lindjes. Në të morën pjesë shumë të ftuar nga Nju Jorku e vise të largëta të Amerikës. Të shumta qenë përshëndetjet e të pranishmëve dhe po aq të shumta letrat e telegramet e dërguara prej atyre që s’mundën dot të vinin. Në parathënien e broshurës të botuar me këtë rast marrim vesh që Eduart Lico, i cili  celi edhe darkën, mes të tjerash të ketë thënë se ” …profesori që po nderojmë sonte, të cilin ne enjohim,  si njërin prej historianëve tanë më të shquar,  është njëkohësisht edhe një edukator i dorës së parë që ka patur Shqipëria.”

Kurse kryetari i Shoqërisë” VATRA” , Andrea Elia, në letrën që dërgoi me këtë rast duke perifrazuar një thënie të Faik Konicës, shprehej se ” …për të arritur njeriu një shkallë të tillë diturie, studimi i fakteve të peshuara, shkrimi me hollësi etj, duhen t’i bëhen një sëmundje që s’ka shërim, një martesë pa ndonjë posibilitet, një udhëtim i pasosur.

Profesor Stavro Skëndi i ka patur këto cilësi në mendjen e trupin e tij, ndryshe nuk do të kishte mundur të na nderonte me kaqë vepra të shenuara.”

 

Filed Under: Histori Tagged With: Prof. Stavro Skëndi-SHQIPTARI I MADH I AMERIKËS, Vangjel SIMAKU

Libri i Dr. Enver Bytycit, Best Sellers në Londër/

November 3, 2016 by dgreca

“Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”, Best Sellers në Londër/1-libri-bytycitCambridge Scholars Publishing në Londër ka shpallur prej datës 1 Nëntor 2016 si Best Sellers librin e autorit shqiptar Enver Bytyçi “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”, (Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë). Libri do të qëndrojë si i tillë gjatë gjithë muajit nëntor në reklamën e kësaj shtëpie botuese me emër në Londër. Shtëpia botuese me famë e Cambridge e ka shpërndarë këtë lajm gjithashtu në 150 mijë adresa elektronike me partnerët, bashkëpunëtorët, bibliotekat, libraritë dhe qendrat e shumta studimore, me të cilat ajo mban lidhjet e saj në mbi 40 vende të botës.

Libri “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” i studiuesit Enver Bytyçi është botuar nga Cambridge Scholars Publishing në anglisht në fund të muajit Mars 2015. Në gjuhën shqipe me titullin “Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë”, ky libër është botuar në vjeshtën e parë të vitit 2012. Që prej kohës kur ky libëru botua në Cambridge u vu në dispozicion të shumë angjesive dhe kompanive të shpërndarjes dhe përhapjes së librit në Europë, Amerikë dhe Azi, përfshirë Amazonën, e cila e ka reklamuar atë në gjuhën angleze, franceze, ruse, gjermane, kineze, si dhe në suedisht ,polonisht etj. Për këtë arësye ky libër gjatë periudhës prej kur është botuar në gjuhën angleze e deri më sot është bërë pjesë e bibliotekave shtetërore, universitare dhe të institutive e ministrive të jashtme në disa vende, sidomos të Europës Lindore.

“Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” është një libër studimor përmbledhës për ngjarjet e viteve 1998-1999 në Kosovë dhe për angazhimin diplomatik e përdorimin e forcës të Aleancës së Atlantikut për çlirimin e saj nga sundimi e dhuna e shtetit të Serbisë të udhëhequr asokohe nga diktatori Sllobodan Milosheviç. Në këtë libër përshkruhen deri në imtësi ngjarjet e kohës, si dhe pozita e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar në angazhimin e faktorit ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit e rezolutave të shumta të tij, Grupit të Kontaktit e Konferëncës së Rambuillet, autori maksimalizon argumentin për legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në konfliktin e Kosovës.

Ndërkohë në këtë libër qartësohen marrëdhëniet e Aleancës së Atlantikut me faktorë të tjerë si Bashkimi Europian, Këshilli e Europës, OSBE-, si dhe faktorin rus. Roli i vendeve fqinjë të Kosovës në përkrahje të veprimeve ushtarake dhe përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, spastrimit etnik të shqiptarëve dhe eleminimit fizik të tyre, pasqyrohet gjithashtu me kompetencë profesionale dhe argumente bindës.

Libri është shkruar në formën e një studimi përmbledhës, duke gërshetuar përvojën historike me ngjarjet e kohës, ndonëse për studime të tilla ende nuk janë vënë në dispozicion arkivat përkatëse të kancelarive të mëdha europiane si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të NATO-s. Por autori Bytyçi ia ka arritur qëllimit që të paraqesë për opinionin publik dhe qendrat e ndryshme studimore të interesuara një studim domethënës të mbështetur në argumentet pro dhe kundër, të cilat janë shpalosur si rezultat i shfrytësimit të qindra burimeve arkivore të qëmtuara në institute dhe qendra të tjera europiane, në librat e kronikanëve të kohës si dhe në autorë të shumtë europianë dhe amerikanë të botuar në gjuhë të huaj.Shpallja e këtij libri si Best Sellers nga Cambridge Scholars Publishing e Londrës, e cila e ka përzgjedhur atë në mesin e rreth 30 mijë botimeve të saj, është një ngjarje për shkencën albanologjike shqiptare si dhe një arritje e suksesshme e  autorit, Prof. As. Dr. Enver  Bytyçi. Nga ana tjetër ajo i vjen në ndihmë argumentit të së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për shtetformim dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre në liri e pavarësi të plotë, duke respektuar parimet themelore të shtetit demokratik të së drejtës, si dhe të drejtat e liritë themelore të pakicave tjera në Kosovë.Lexuesit mund ta shohin prezantimin e librit “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” si Best Sellers në linkun  përkatës,  www.cambridgescholars.com

Për ilustrimin e këtij njoftimi informacione më të hollësishme si dhe foto mund të gjenden në adresën e linkut të mësipërm.

***

Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo

This book represents a detailed and comprehensive examination of the developments of NATO’s engagement in Kosovo, and the related policies of western countries. In addition to offering an in-depth analysis of historical developments in the relationships between Albanians and Serbs, the book also provides a constructive discussion of the events of the Kosovo conflict, which constituted one of the main concerns in the international agenda towards the end of the twentieth century.
The basic theme set forth in this book is the reasoning behind NATO’s intervention in Kosovo during the spring of 1999, namely to end the conflict between Albanians and Serbs and to aid the Kosovo Albanians in achieving their freedom from the jurisdiction of the Serbian state. Based on extensive evidence, the author analyzes the contradicting stances conveyed at the Security Council regarding the conflict, NATO’s military intervention and the issue of Kosovo’s future.
The book provides useful information for any scholars, students and readers interested in gaining a more detailed understanding of Kosovo’s historical developments on an international level. It offers the reader detailed insights into, and descriptions of, the events that took place in the military conflict in Kosovo; it provides various facts and figures, evidences and counterarguments in response to what happened in this politically volatile region.

***

Dr Enver Bytyçi is currently the Executive Director of the Institute of Southeast European Studies in Tirana (www.ises.org.al) and a Professor in the “Aleksandër Moisiu” University in Durrës, Albania. He has published several monographs in Albanian, this being his first publication in English. Aside from his scientific studies in the fields of sociology and the history of international relations, Dr Bytyçi is known for his expertise on the developments of Southeastern Europe and is a prominent publicist in the Albanian media.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”, Best Sellers në Londër, Enver Bytyci

Dosja e krimeve të Mehmet Shehut

November 2, 2016 by dgreca

MEHMET SHEHU, KY PËRBINDSH I KUQ, ËSHTË RASTI MË TIPIK I DENATYRIMIT TË PERSONALITETIT NJERZOR/

  Bijtë e Stalinit, jemi ne/

Që derdhim gjakun anë e mbanë/

Që të valoi përmbi dhe/

Flamuri drapër e çekan! ?/

Nga Enver Lepenica/

  1. Praktika e falsifikimit të historisë, ka dështuar në arritjen e qëllimit./

Falsifikimi i historisë është i vjetër sa vetë bota dhe njeriu, po e vërteta gjithmonë ka triumfuar. Po ta dinin këtë gjë kaq të thjeshtë komunistët shqiptarë, nuk do të kishin marrë mundimin të fallsifikonin dhe mbulonin me harresë histrinë, siç vepruan dhe siç veprojnë edhe sot me Organizatën Balli Kombëtar.

Me hyrjen në skenën politike të Partisë Komuniste u anulluan dhe u falsifikuan të gjitha marrëveshjet politike, vula ju vu me prishjen e marrëveshjes së Mukjes, e pikërisht këtu e ka fillesën tragjedia vëllavrasëse e popullit shqiptar dhe veçanërisht e Ballit Kombëtar.

Pavarsisht se bota nxitonte drejt progresit, komunistët shqiptarë nxitonin të fshinin dhe të harronin historinë. Kështu u fshinë emra të njohur si At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri, Faik Konica, Skënder Muço, Hysni Lepenica, emrat e tyre u ndaluan të ziheshin me gojë!

Ndërsa për Ballin Kombëtar u nxit dhe u propagandua ti visheshin cilësimet më të ulta: tradhëtar, kolaboracionist, vidhnin, rjepnin, vrisnin, hanin pula tej, etj.e ndermjet tyre edhe atdhetari dhe luftëtari i lirisë Bektash Bej Cakrani etj.

Kështu pra komunistët nuk shfaqen vetëm si kriminelë të pa shpirt por edhe injorant, sepse  që kur u krijua bota fshirja nga historia nuk ka patur sukses dhe nuk i ka qëndruar kohës.

Po t`i kthejmë sytë nga antikiteti dhe Egjypti:

Faraoni Akhenaton, ia fshiu emrin kundështarit të tij Amon, emri të cilit gjëndej në të gjitha monumentet e Egjyptit.

Mbretëresha Hatshepust, u zhduk nga historia kur thjeshtri sajë Thutmose, mori fronin në shekullin e XV, para krishtit. Thutmose, hoqi imazhin e Mbretëreshës, prej monumenteve, reliefeve, statujave etj.

Në botën romake shkatërrimi i imazheve bëhej me dekret qeveritar. Maksimiani, ju nënshtrua këtij dekreti në vitin 311 pas Krishtit. Pas vrasjes së perandorit Kaligula në vitin 41 tempujt dhe imazhi tij u shkatërruan.

Ne epokën e mesjetës dhe Rilindjes Europiane, njerzit u dogjën të gjallë për t`u bërë hi dhe për tu harruar emri dhe vepra e tyre. Të njëjtën praktikë ndoqën nazistët, fashistët dhe komunistët, por një praktikë e tillë dështoi në arritjen e qëllimit.

Pavarësisht nga këta shembuj, komunistët nuk mësuan asgjë nga historia dhe praktika e imazheve të ndaluara, lulëzoi në epokën e komunizmit.

Ne ende sot i dimë emrat dhe veprat e atyre që u dogjën të gjallë në mesjetë, u dogjën të gjallë nga komunistët, u burgosën ose pushkatuan nga komunistët, ata nuk u hoqën nga analet e historisë.

Një prej këtij rasti është edhe Organizata e Ballit Kombëtar, që mbeti në kujtesën e popullit të tij.

 

 

  1. A duhet bërë lufta me matufët komunistë?

Në luftën me matufët komunist, ne nisemi nga parimi se nuk mund të lihet krimi të rindërtohet nga harresa e historisë, njëkohësisht liria vjen prej këtij denoncimi ndaj krimeve të komunistëve, dhe të komunistëve të ditëve tona në veçanti, të shërbëtorëve  ose skllevërve të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Ka ardhur koha që ne shqiptarët duhet të kuptojmë se komunistët i bënin heronjtë nga hiçi ose i bënin heronj me dekret. Të tillë janë edhe disa heronj të popullit si Rexhep Kolli ishte zv/ministër i brëndshëm kriminel legjendar, po kështu Mehmet Shehu, Hysni Kapua, Marta dhe Prenda Tarazhi, dy kunata, spiunuan njerzit e familjes tek Sigurimi i Shtetit dhe ato gjetën vdekjen dhe për këtë shërbim u shpallën Heroina të Popullit.

Matufët komunistë akoma nuk e kuptojnë se kanë vdekur, si ideologji, si politikë, si filozofi  dhe si publiçistë, sepse arsyeja e parë dhe e fundit se përse vdes një publiçist është mbarimi i motiveve morale për të ngritur zërin.

Shkrimtari Bashkim Shehu, djali terroristit Mehmet Shehu ka thënë për komunizmin se: “Arritja më e madhe e diktaturës komuniste  është se i bëri njerzit të kuptojnë se sa e keqe është diktatura komuniste”.  [1]

Komunistët vuajnë që të jenë të dashurit e popullit dhe të verbuar nga kjo vuajtje, ata janë të gatshëm ta flijojnë popullin në emër të famës së tyre politike dhe për të mbetur përjetë në pushtet siç bënë për gati 46 vjet.

Sot langojtë  që kanë dalë nga sokaku i të marrëve të Gjirokastër, ku lindi dhe u rrit shoku Enver Hoxha, u janë dherdhur viktimave të tyre dhe Ballit Kombëtar duke lehur, shpifur dhe mbrojtur krimet e Mehmet Shehut.

Llogjika e tyre thotë se pushkatimi dhe therja me thikë e 67 fshatarëve myzeqarë më 1 tetor 1943 ishte krim, masakër, por nuk ishte krim!!! A mund të mnbrohen krimet e tyre me këtë arsyetim, pra edhe ishte edhe s’ishte?

Këto ditë komunistët kanë shpërthyer me lumë sharjesh, shpifjesh  dhe mallkimesh kundër Orgamnizatës së Ballit Kombëtar, duke përdorur fjalorin që etrit e tyre kishin përdorur në gjyqet pa fund të viteve 1945 – 1949, kundër ballistëve që I shkuan në plumb dhe litar.

E veçanta e gjithë vrerë vjellësve komunist është mungesa e fakteve, ata gjykojnë edhe sot me mëndjen e kriminelëve Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu: Çdo kundështar është armiku jonë!

Matufët komunistë, po të lexonin, do ta gjenin përgjigjen për Ballin Kombëtar në dokuemtat e panumurta në arkivin e Shqipërisë, të Italisë, të Anglisë, të Jugosllavisë etj si dhe në gazetat e kohës.

Duke njohur natyrën e langojve komunist që janë bërë vetëm për të lehur, qëllimi këtij artikulli nuk është për tu mbyllur gojën atyre, por për të parashtruar faktet historike për Mehmet Shehun aq san a lejojnë kufijt e një artikulli, dhe gjykimi i mbetet popullit.

Vepra e Ballit Kombëtar qëndron mbi bazamentin e fortë atdhetar, që ka të bëjë me lirinë dhe  shtetin shqiptar, prandaj ajo nuk tundet nga lehjet e langojve.

Pavarësisht nga të gjitha këto komunisti Qemal Klosi e dënoi me vdekje Bektash Bej Cakranin,  një plak 74 vjeçar. Në Francë Komandanti Suprem i Mbrojtjes Filip Peten, tradhëtoi vëndin dhe ua dorzoi Francën Gjermanëve. Pas luftës ai u dënua me vdekje. Presidenti Sharl de Gol për shkak të moshës së madhe dhe kontributit të tij gjatë Luftës së Parë Botërore ja fali jetën, ndërsa komunistët nuk dinin të falnin.

Ka disa arsye që komunistët tmerrohen prej emrit famëmadh të Ballit Kombëtar:

E para se në krye të Ballit Kombëtar ishte Mid’hat bej Frashëri dhe sipas komunstëve bejlerët dhe agallarët janë armiq të popullit, gjakpirës paçka se ata kanë sakrifikuar tërë jetën për kombin, kanë sakrifikuar pasurinë e tyre, dhe ishin ata që e bënë Shqipërinë.

E dyta me daljen në dritë të emrit dhe veprës së Ballit Kombëtar dalin në shesh krimet çnjerzore që komunistët dhe në veçanti ata të Mallakstrës me në krye Mehmet Sehun, Hysni Kapon, Qemal Klosin e Bilbil Klosin kanë bërë ndaj fshtarëve të tyre.

E treta me ndriçimin e historisë së Ballit Kombëtar dalin në shesh krimet e hatashme e  të lemerishme të komunistëve e në veçanti të atyre të Mallakastrës.

Një ndër krimet më të mëdha është  denatyrimit i personalitetit njerzor duke e ndarë famijen, duke vënë të spiunojë gruan kundër burrit, vëllanë kundër vëllait, nipin kundër dajos, mbesën kundër tezes etj., siç do të paraqesim faktet këtu më poshte.

Mësimi i të vërtetës historike, shmangia e politikës përçarëse, është detyra e njerzëve të ditur, që rrit dashurinë për atdheun

 

 

  1. Mehmet Shehu si tradhëtar i popullit të tij.

Tradhëtia është krimi më i madh që mund të bëhet kundër atdheut. Shumë autorë tradhëtinë ndaj atdheut kur ajo bëhet nga njrës që kanë pushtet e quajnë tradhëti të lartë. Në historinë e njerzimit janë tipike pesë tradhëti: Juda që tradhëtoi Krishtin, Bruti vrau pabesisht Jul Cezarin, Peten, komandanti suprem që u dorzoi Gjermanëve Francën në vitin 1940,  Kuisling, themelues i Partisë Fshiste Norvegjeze që formoi një qeveri bashkëpunuese me gjermanët, Arnold, gjenerali amerikan që tradhëtoi popullin e tij dhe u bashkuar me anglezët në vitin 1770.

Tradhëtia më e madhe e botës vlejti vetëm 30 monedha argjendi, me të cilat mund të blije në atë kohë  vetëm dy dele. Këtë shumë i paguan Judës që të dorzonte Jezu Krishtin. Të nesërmen Juda Iskarioti u pendua, ua ktheu paratë priftërinjëve dhe i penduar vari veten.

Sot Juda është bërë sinonimi fjalës tradhëti.

Kjo është historia botërore, po të kthehemi në vëndin tonë tradhëtia që Mehmet Shehu bëri ndaj vendit të tij e kalon Judën, Brutin, Peten, Kuislingun, Arnoldin ose të gjith të marrë së bashku.

Tradhëtari Juda u pendua të nesërmen dhe vari veten. Mehmet Shehu nuk u prejt asnjherë gjatë jetës tij duke vrarë e prerë vëllezërit e tij shqiptarë, nuk u pendua asnjehërë për veprat e tij, edhe pas vdekjes ai i shkruante Enver Hoxhës vazhdoni udhen time!

 

  1. Mehmet Shehu, ishte një përbindsh i rracës njerzore.

Ai urdhëroi ekzekutimin dhe shfarosjen e trimave dhe nacionalistëve të Mallakstrës. Mizoria e tij ndaj mallakastërjotëve dhe popullit shqiptar i kaloi kufijtë e mendjes njerzore, që nga viti 1942, kjo bishë e egër nuk u ngop asnjëherë me gjak shqiptari të pafajshëm. Edhe bisha më egër e shqyen gjahun dhe rri e prehet, përbindshi Mehmet Shehu nuk u prejt asnjëherë deri sa dha shpirt nga shokët e tij komunistë, në vitin 1982, për krimet që kishte bërë.

Pabesinë Mehmet Shehu  e kishte të  trashëguar nga i ati, Shehu i Çorrushit, se ai për tu bashkuar e përfituar nga  bashibozukët e Haxhi Qamilit, më 15 mars 1915, tradhëtoi krahinasit e tij Ismail Klosin, babanë e Qemal Klosit, Hajredin Fratarin, dhe Baki Gjirokastrën dhe ua dorzoi bashibozukëve të Haxhi Qamilit të cilët i pushkatuan pas një muaji në Berat.

Këtë të vërtetë të kobshme e gjejmë në kujtimet e Petrit Velajt, por na e vërteton edhe vetë shoku Enver Hoxha, i cili kur shkoi në Vlorë për të “shpartalluar” të ashtuquajturin prej tij  Fraksionin e Vlorës, bujti edhe në shtëpinë e Shehut të Mallakastrës, babait të Mehmetit dhe veç të tjerave zhvilloi këtë bisedë me të:

“- More këta qena, {Bektash Bej Cakrani, Tefik Sfiri, Besim Belishova etj}, janë për t`u pushkatuar, – tha Shehu. Ah, kur s`ua shuajti rracën Haxhi Qamili.

-Pse e njihje Haxhi Qamilin? Mos ke qënë gjë me të ? – e pyeti Enver Hoxha.

-Me të kam qënë, – tha me krenari Shehu, – se ai ishte kundër bejlerëve dhe unë ata as nuk i shihja, e as nuk i shoh dot me sy.” [2]

Të njëjtën gjë pohon edhe Beqir Ajazi për kriminelin e Mallakastrës, babanë e Mehmet Shehut. Në një vizitë që Mehmet Shehu bëri në burgun e Tiranës i drejtohet Hafiz Sherfi Langut, duke i thënë se ti ke tradhëtuar atdheun dhe Hafizi ja priti Mehmet Shehut flakë për flakë:

“ Hajër… Në senen 1912, kur kam ardhë nga Shkupi për në Vlonë, ku do ngrifshim flamurin,  kam bërë 12 ditë rrugë, nga Shkupi në Mallakastër dhe po në këmbë kam shkuar në Vlonë.  Këtë rrugë e kam bërë i veshur si grua me çarçaf e me perçe, nga frika se, po të më zinte yt atë, Sheh Ismaili, që ishte komandant i turkomanëve, më varte më ndonjë degë përralli”. [3]

Një personalitet i shquar Ali Këlcyra konfirmon gjithashtu: “Udhëheqësit e rebelëve të Haxhi Qamilit u dënuan me vdekje me përjashtim të Shehut të Corrushit e disa shokëve të tij të cilët shpëtuan, falë ndërhyrjes së Sami Vrionit, dhëndërr i Esatit dhe guvernator i atëhershëm i Beratit…

Krimineli Mehmet Shehu, nuk nguroi që ta vriste shpëtimtarin e të atit, Sami Vrionin, kur iu paraqit rasti”.[4]

Në kalvarin e gjatë që kaluan mallakastriotët dhe  populli shqiptar në burgun Shqipëri të kriminelëve Enver Hoxha, Mehmet Shehut, për nga egërsia e krimeve dhe sadizmi me të cilin ata i kryenin krimet ua kaluan së tepërmi edhe kampeve naziste, sipas dëshmive të vet atyre që i provuan.

Një oficer i Sigurimit të Shtetit ka deklaruar se: “Mehmeti… e dinte se si mund të bëhen njerzit të dëgjuar, duke vrarë dhe duke prerë me bajraktarizëm, mund të fitosh nam, prandaj Mehmeti ndoqi rrugën e kriminalitetit  duke masakruar. Fjalën “të pushkatoj”, “të arrestoj”, ky njeri e kishte në majë të gjuhës. Toger Baba nga Kuçi i Vlorës, ishte thirrur nja dy herë nga gjeneral Koç Xoxe dhe i ishte qortuar për sjellje të ashpër ndaj popullit… Pasi doli nga Koçi shkoi tek Mehmeti dhe ky i thotë: “mos dëgjo se ç`thonë andej, vazhdo punën ti”. [5]

 

  1. Fillimi i rrugës kriminale.

Rrugën kriminale Mehmet Shehu e kishte projektuar që atë ditë që ai iu fut ideologjisë kriminale komuniste.

Në ndihmë të formimit të Mehmet Shehut, me një ideologjinë kriminale, veç të tjerave na vjen në ndihmë edhe dëshmia e intelektualit, historianit dhe publiçistit Kostë Çekrezi, i cili në vitin 1941, ka qënë i internuar në Francë së bashku me Mehmet Shehun, Skënder Luarasin, Hulsi Spahiun dhe Vangjel Dhimitriadhi. Kostë Çekrezi thotë se: “Shokët e mi të internimit Luarasi, Shehu dhe Spahiu, mendonin se Presidenti Rusvelt nuk ishte më i mirë se Musolini dhe Hitleri! Unë ju thoshja shokëve të mi në internim, besoni me të vërtetë se Stalini që mbahet në fuqi me anë masakrash mund të barazohet me Ruzveltin që ardhi në fuqi me votat e lira të popullit amerikan?

Me sy të zgurdulluar Mehmet Shehu u turr të më godiste me grusht tue bërtitur marrëzisht: “Mos e zër në gojë në një kohë Ruzveltin tënd me Stalinin tonë të madh?!” Se si do të kishte përfunduar kjo zënkë e papritur në mes tonë po të mos kishte hyrë në mes Skënder Luarasi, as ma merr mëndja…” [6]

Mehmet Shehu filloi ta  ekzekutoi në praktikë ideologjinë kriminale, gjatë ditëve të  Lëvizjes Antifashiste, sipas porosive të shokut Enver Hoxha, që ia jep në shtëpinë e tij kur kthehej nga Vlora ku kishte shkuar për të shpartalluar Fraksionin e Vlorës:

“… Edhe Bektash Cakranin e Tefik Sfirin, edhe Ali Këlcyrat e fajdexhinjtë e Gjirokastrës, të gjithë ç`janë armiq, t`i futim në një thes, t`u lidhim një gur të madh dhe t`i hedhim në Vjosë”. [7]

Këtë porosi të Enver Hoxhës zbatoi Mehmet Shehu edhe për Bektash Cakranin dhe Tefik Sfirin dhe dhjetra fshatarë të tij dhe në gjith Shqipërinë.

Kur flasim për krime të llahtarshme menjeherë na shkon mëndja tek Hitleri dhe Musolini, por Hitleri dhe Musolini nuk vranë bashkëkombasit e tyre siç vranë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

Kjo egërsi e katilit Mehmet Shehu vinte nga fakti se ata kishin lindur komunist dhe ishin të bindur se Stalinizmi mund ta shpëtonte botën, dhe në këtë rrugë ata donin të merrnin pushtetin me çdo kusht. Këtë parim totalitar e kundështon edhe i biri i Mehmet Shehut, shkrimtari Bashkim Shehu: “Do të kishja dëshëruar një kompromis ndërmjet partizanëve,  ballistëve, zogistëve dhe socialdemokratëve, madje mendoj se do ta dëshëroja edhe kur kjo të dukej e pamundur”.[8]

 

  1. Krimet e Mehmet Shehut nuk mund të numurohen

Krimet e Mehmet Shehut  nuk mund të numurohen dhe të përshkruhen, por sa për të tërhequr vëmëndjen e lexuesit përmëndim sa vijon:

Në shtator të vitit 1943, pas kapitullimit të Italisë Fashiste, komandant i grupit të karabinierëve italianë kolonel Gamuçi, në krye të 120 karabinierëve, shkoi në shtabin komunist në Labinot ku ishte Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Ai deklaroi se dëshëronte në krye të 120 karabinierëve  të luftonte në radhët e partizanëve kundër gjermanëve. Enver Hoxha i dha urdhër Kadri Hoxhës ta  shoqëronte  grupin e karabinierëve për në Orenj. Në rrugë e arriti Xhelal Staravecka, atë kohë komandant batalioni i Brigadës së Parë dhe kërkoi me urdhër të Mehmet Shehut t`ia dorzonte atij grupin e karabinierëve. Të 120 karabinierët me në krye kolonel Gamuçin u pushkatuan me qëllim që tu merrnin veshjet për partizanët dhe çdo gjë që ata kishin me vete. [9]

Krimineli Mehmet Shehu krenohet për krimin makabër duke i shkruar shefit të tij Enver Hoxhës: “Në Labinot na lajmëruan se në Orenjë ndodheshin rreth 130 karabinierë italianë… U këshilluam me shokun Baca {Ramdan Çitaku}… I ekzekutuam që të gjithë në mënyrë konspirative”.[10]

Më 9 tetor 1943, Mehmet Shehu shkoi në postën e xhandarmërisë në Priskë të Tiranës. Të gjithë xhandarët ju dorëzuan në besë. Mehmet Shehu i pyeti vetëm për emrat dhe i pushkatoi në vënd: Kapter Adil Nasufi nga Margëlliçi i Çamërisë, kishte vetëm 15 ditë në shërbim, Preng Marku nga Kaçinari, Zef Simoni nga Fishta, Preng Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkjalleshi nga Kthella, të pesë këta xhandarë të varfër kishin vetëm një vit në shërbim.

“Më 21 tetor 1943, Brigada partizane e komanduar prej Mehmet Shehut sulmoi çeten e Ballit Kombëtar dhe pas një lufte të tmerrshme në kodrën e Cen Hasanit  dhe malit të Hajdarajt, mundi të kapë 63 robër. Sejcilit prej këtyre robërve Mehmet Shehu i bëri këtë pyetje: “A do të luftosh përsëri në radhët e Ballit apo do të luftosh në radhët tona?”. Prej 63 robërve, vetëm njeri pranoi të futej në Bridagën e tij. Të 62 të tjerët refuzuan kategorikisht dhe me krenari. Ata deklaruan se janë në Ballin Kombëtar  pasi janë të bindur se Balli lufton për lirinë e Shqipërisë. Mehmet Shehu dha urdhër atëherë që të pushkatoheshin të 62 ballistat,  kundër çdo rregulli dhe ndjenje njerzore dhe ç`është më e pabesueshme, i ndaloi ekzekutuesit t`u jepnin atë që quhet “colpo di grazia” me revolver,  dhe pa u dalë shpirti, urdhëroi t`i thernin me thikë”. [11]

Edhe për këtë krim krimineli Mehmet Shehu krenohet kur i shkruan shefit të tij Enver Hoxhës: “Kemi bërë tre aksione kundër gjermanëve, ku edhe shpartalluam 400 bashibozukë të Isa Manastirlikut. Nga 172 robërit e Isait, 63 u pushkatuan në katundin e Hamit Matjanit”.[12]

„Në përroin e Shipkës të Voskopojës, Korçë, janë zbuluar kufomat e 185 vetave, luftëtarë të lirisë, të mbytur e të masakruar me një egërsi shtazore, që rrallë ka parë historia ! O klysha të Dushanit ! Po akoma keni sy e faqe për të quajtur vehten shqiptarë, duke e përdhosur këtë emër të shenjtë ? O barbarë të paemër, kjo është liri e popullit,  që keni trumbetuar në të katër anët ?  Kufomat e përroit të Shipkës buçasin „Hakmarrje, hakmarrje, kundër të huajve që na ndajnë!“, shkruan Besim Shtajka në revistën e Ballit Kombëtar „Robni o Liri“, faqe 14.

Në nëntor të vitit 1944, kur forcat partizane po futeshin në Tiranë, Mehmet Shehu urdhëroi që mauzoleumi i Nënës Mbretëreshë të hidhej në erë me dinamit. Hedhja në erë e mauzoleumit shënoi fillimin e një praktike të re, të paparë në historinë e shtetit shqiptar, atë të prishjes së varreve  të „armiqve“ të vdekur,  dhe të lënies pa varr të „armiqve“ të rinj. Numuri i varreve që u prishën gjatë 46 vjetëve të diktaturës komuniste është i madh, akoma më i madh është numuri i  varreve të  „armiqëve“ të pushkatuar apo të zhdukur, që humbën përgjithmonë!

Mbas të ashtuquajturit çlirim i Tiranës Mehmet Shehu nga data 1 deri më 17 dhjetor 1944, pushkatoi mbi 100 shqiptarë të pafajshëm.

Në fillim të vitit 1944, Blloku Kombëtar Indipendent me qëndër në Shkodër ngriti batalionin Vermoshi me ushtarë, (fshatarë)  me pagesë nga Mirdita, që përbëhej nga tre kompani e sejcila kompani kishte tre toga. Në çdo togë kishte një efektiv xhandarës me 40 vetë dhe 10 ushtarë gjermanë me komandant major Dod Nikoll Ujka.

Nga data 15 prill deri më 15 shtator 1944, Batalioni u dërgua në Jug të Shqipërisë, për të siguruar shpinën e forcave gjermane gjatë tërheqies së tyre nga Greqia.

Mbasi Batalioni mbriti na fshatin Vajzë të Vlorës komandanti ngarkoi detyrat: Kompania e parë u dislokua  në fshatin Dukaj Tepelenë, kompania e dytë në fshatin Sinanaj të Tepelenës dhe e treta në Sevaster të Vlorës…

Në mes të shtatorit 1944, komandanti major Dod Nikoll Ujka i dha urdhër kompanisë së parë në Dukaj që me të rënë nata të linte pozicionet dhe të marshonte në drejtim të kompanisë së dytë në Dukaj dhe prej andaj të dy kompanitë të marshonin drejt Sevasterit për t`u tërhequr.

Komandanti kompanisë së parë, kapiten i klasit parë Jusuf Dema, la pozicionet me ditë dhe filloi marshimin. Kjo lëvizje u dallua nga fshatarët të cilët lajmëruan komandën e Brigatës Parë që ndodhej dy kilometra larg. Mehmet Shehu me të marrë sinjalin  sulmoi kompaninë e parë të Jusuf Demës. Jusufi e braktisi kompaninë dhe marshoi e u bashkua me kompaninë e dytë në Sinanaj. E mbetur pa komandë kompania e parë mendoi se do të ishte më mirë të kthehej në pozicionet e para në Dukaj dhe u kthye mbrapa. Kur ju afrua pozicioneve u gjend nën breshërinë e forcave të Brigadës së Parë të cilët i kishin zënë pozicionet e kompanisë së Jusuf Demës.

Në përfundim të kësaj përpjekje nga të dy kompanitë mbetën të vrarë pa mëshirë nga partizanët e Mehmet Shehut 70 xhandarë. Partizanët vranë pa mëshirë edhe kur xhandarët, fshatarët e varfër Mirditës ngrinin duart e dorzoheshin. U kapën rob, 27 xhandarë. Mehmet Shehu nuk u ngop me gjakun e derdhur të 70 shqiptarëve por edhe robrit pasi u fyen, poshtëruan dhe u xhveshën lakuriq duke ju grabitur, armatimin, paratë, veshmbathjen dhe të gjith sendet personale u vranë pa mëshirë buzë lunit Vjosë. Shfaqje më makabre s`mund të kishte dhe këtë shfaqje anti njerzore kundër vëllezërve të tij shqiptarë mund ta bënte vetëm nje komunist si Mehmet Shehu.

Nga kjo tragjedi, shqiptari Dod Nikoll Ujka u çmënd dhe u shtrua në çmendinën e Vlorës, ndërsa “sebi” Mehmet Shehu ngazëllehej dhe lumturohej !!![13]

Një nga tmerret e pabesueshme të Mehmet Shehut është vrasja e njerzëve që dorëzoheshin në besë, sepse ky Dragua i Kuq me emrin Mehmet Shehu nuk kishte besë dhe nuk e njihte besën shqiptare.

Në shtator të vitit 1944, Mehmet Shehu ishte komandant i Divizionit të Parë Sulmues. Në këtë kohë udhëheqësi i qëndresësë anti sërbe  Preng Cali, dorzohet në besë, Mehmet Shehu i bëri një vrasje model që të trembte gjith reaksionarët e veriut!

Në krye të gjyqit ushtarak, me shkresën nr. 2890 dt. 6.9.1944, dënoi me vdekje Sherif dhe Zyber Lita të kapur në Kalanë e Dibrës.

Krimineli Shefqet Peçi, me shkresën nr. 3/5 datë 6.2.1945, i shkruan Mehmet Shehut “Gjyqi Ushtarak i Koorp- Armatës III, dënoi me vdekje 21 persona  dhe presim aprovimin e ekzekutimit për 10 veta, në lidhje me Dedë Shabanin, Hasan Isufin, Gjon Martinin …”

Mehmet Shehu i përgjigjet: “Nga shqyrtimi që iu bëra proçeseve të 21 personave të dënuar me vdekje, konstatova se gjyqi është nxituar  dhe disa prej tyre mund të mos pushkatoheshin…”

Pra këta kriminelë legjendarë flasin për njerzit sikur të jenë bagëti për t`i skartuar !

Në vitin  1945 gjeneral major Mehmet Shehu lëshoi këtë urdhër për Qarkun e Shkodrës: “ Në rast se … do të guxojnë të shtijnë me armë kundër partizanëve, atëhere … të sulmohen reaksionarët  dhe nga ata që do të kapen me armë në dorë, të pushkatohen në vënd pa gjyq… Të gjith elemenët dezertorë, ose ata që arratisen t`u caktohet një afat për t`u dorzuar, pas këtij afati t`u digjen shtëpitë dhe t`u internohet familja… Ata që kapen pas këtij afati të pushkatohen pa gjyq…  Reksionit i duhet bërë asgjesim i plotë… ”

A nuk kishin dhënë po këtë urdhër edhe nazistët gjermanë ? Ndryshimi qëndron se Mehmet Shehu vriste  vëllezërit e tij, ndërsa gjermanët vrisnin njerëz të një kombësie tjetër.

Mehmet Shehut dhe Shefqet Peçit, më 24 shkurt 1945, raportojnë gjëndjen: “Të pushkatuar Lazër Pali nga Magulla. Tom Marku 27 vjeç nga Sheldia u pushkatua në konferencë, përpara popullit se nga 9 armë kishte treguar vetëm një !  Shtëpitë e djegura janë të Vat Gjonit nga Kiri, Prel Gjeloshi nga Xhami, Zef Markut, Lulash Gjonit, Marash Pjetrit, Shan Murati, sepse këta persona janë arratisur. Në Kelmend u dogjën 34 shtëpi dhe u pushkatuan 50 vetë… “

Komunisti  Arif Hasko, nga Tërbaçi i shkruante Mehmet Shehut më 13.3.1945 se :

„Kanë dezertuar 30 vetë brënda muajt, por me pushkatimin e 6 dezertorëve janë prerë.Partizanët nuk kanë mbajtur qëndrimin e duhur në popull, duke i rrahur e torturuar … Dhe nga ana tjetër kanë djegur edhe shtëpi gjoja gabimisht… „ [14]

Gjatë një vizite që Mehmet Shehu bëri në burgun e Tiranës, ne vitin 1947,  ka deklaruar se „ Kosmetin ( Kosovë e Metohi), jeton e lulëzon për bukuri në gjirin e marshallit Tito që e mban atë në pëllëmbë të dorës“. [15]

Komunisti Mark Dudi, 16 vjet deputet në Kuvëndin Popullor, ka deklaruar se në vitin 1949, pas vrasjes së komunistit Bardhok Biba që ishte nipi reaksionarit Gjon Markagjonit, Kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu, urdhëroi të pushkatoheshin 101 mirditore dhe të internoheshin 300 familje dhe  më tej ai vazhdon: “Në një bisedë që kam bërë me Sul Manokun më ka thënë për ekzekutimin e 14 personave në Qaf Valmir, Mirditë, se për urdhërin e Mehmet Shehut ishja i shqetësuar dhe i kam kërkuar menjëherë takim Enver Hoxhës, i cili më priti. I tregova se Mehmet Shehu ka dhënë urdhër për të ekzekutuar 101 persona e për të internuar 300 familje mirditore. Ai mbasi më dëgjoi me shumë vëmëndje më tha: “Do ta ulim në 90 % këtë urdhër” Unë i thash se Mehmeti është atje e më vë edhe mua përpara pushkatimit. Ai e urdhëroi Mehmet Shehun të shkonte në kufirin grek ku zhvilloheshin luftime”.[16]

Sot dihet nga të gjith se të 14 mirditorët që u pushkatuan mbi varrin e Bardhok Bibës dhe mbi 100 familje të internuara nuk kishin asnjë lidhje dhe dijeni për vrasjen e Bardhok Bibës. Komunisti Bardhok Biba u vra thjesht për hakmarrje, vrasësi u arratis jasht shtetit dhe u kthye në Shqipëri në vitin  1993, veç të tjerëve këtë fakt e konfirmon në një libër edhe Lekë Melyshi, vëllai i heroit komunist Pal Melyshi.

Më 19 gusht 1951, organizata  antikomuniste “Bashkimi Kombëtar” me anë të anëtarëve të sajë Hysen Llullës  dhe Qazim Laçit organizoi aksionin e hedhjes se një sasie dinamiti  ne legatën sovjetike, e cila nuk pati pasoja me përjashtim të thyerjes së disa xhamave të ambasadës.

Sigurimi i Shtetit nuk mundi të zbulonte se nga i erdhi kjo goditje, por pavarësisht se nuk kishte asnjë fakt Byroja Politike e Konitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në bazë të listave të perpunimeve aktive 2A dhe  të kontrolleve operative 2B, arrestoi 158 persona, përzgjodhi 22 prej tyre që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen, të cilët i pushkatoi pa gjyq. Roli determinues për këtë vepër makabre që ja kalonte dhe Hitlerit dhe Stalinit ishte i Ministrit të Brëndshëm, kriminelit komunist Mehmet Shehu. Po citojme fjalën dhe propozimet e tij në mbledhjen e Byronë Politike, më 20 sjkurt 1945:

“Të arrestojmë rreth 100 ose 150  vetë , nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t`i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët, mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të proçedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana, të familjeve reaksionare brenda një muaji.  Ne duhet terrorit t`i përgjigjemi me terror dhe, këtë mund ta bëjme me plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakort, veprojmë që sonte. Qysh mbrëmë ne kemi marrë masa për ruajtjen e gjithë njerzëve  të Legatës Sovjetike… Do të bëjmë pastrimin që të heqim familjet e dyshimta … Këto masa do t`i marrim kudo ku ka sovjetikë, që janë rreth 200 vetë prej tyre.

Të gjithë anëtarët e Byrosë, njëzëri: Të gjithë jemi dakort me këto masa.

Shoku Mehmet Shehu: Do të ishte mirë që ne, si Byro Politike,  t`i bënim një telegram shokut Stalin…

Shoku Beqir Balluku: Po për çështjen e atyre që do të pushkatojmë, ne duhet të gjejmë edhe një motivacion…

Shoku Mehmet Shehu: Për këtë gjë duhet të flitet pak, edhe me gjykatën, edhe me prokurorinë ushtarake”.[17]

Mehmet Shehu mbeti deri në fund të jetës së tij i pa ngopur me vuajtjet mjerimet dhe poshtërimin që i bënte  rracës tij shqiptare.

 

  1. Disa nga denoncimet pas vitit 1990

Pas vitit 1990, për këtë egërsirë me fytyrë njeriu është folur dhe shkruar gjatë. Sa për të tërhequr vëmëndjen e lexuesit po përmënd këto fakte:

Një oficer i lartë komunist, Lefter Hitaj tregon: “Në vitin 1976 erdhi në shkollën e partisë kryeminstri Mehmet Shehu për të na shpërndarë diplomat. Ai mbajti një fjalim të zjarrtë e ndërmjet të tjerave tha: “Partia jonë heroike, ka zbuluar dhe asgjesuar 12 grupe armiqësore, duke filluar që nga Anastas Lula e Sadik Premtja e deri tek armiqtë e fundit të partisë e të popullit, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, e Rrahman Përlaku, për të cilët vendimet e gjyqeve të popullit i dënuan: Beqir Ballukun 4 herë me pushkatim, Petrit Dumen tre herë me pushkatim, Hito Çakon 2 herë me pushkatim Rrahman Përllakun me 25 vjet burg, dhe këto vendime u ekzekutuan. Salla shpërtheu nga brohoritjet”.

Shikoni pra me sa zjarr dhe urrejtje flet Mehmet Shehu edhe për kë, për shokët e tij të komunist, dhe shikoni gjithashtu se ç`farë gëzimi dhe ngazëllimi përjetojnë komunistët e tjerë në sallë!

Dhe një vit pasi kishte shpartalluar “grupin armiqësor në ushtri” Mehmet Shehu, nuk lë rast pa shfrytëzuar për të goditur armiqtë e klasës.

Profesor doktor Nazmi Shtino, ekspert mjeko ligjor ka treguar rastin e dënimit të  Kasëm Trebeshinës i cili ishte arrestuar dhe dënuar tre herë në vitin 1956, 1977 dhe 1980: “Në vitin 1977, pasi ishte arrestuar, na sollën  për të bërë ekspertimin mjeko ligjor shkrimtarin e njohur Kasëm Trebeshina. Kasëmi fliste kundër sistemit dhe udhëheqësve të Partisë në një mënyrë të friksheme. Grupi i profesorëve të njohur të kohës si Dibra, Preza, Shtino  etj arriti në përfundim se Kasëm Trebeshina duhej të konsiderohej i pa përgjegjshëm për shprehjet dhe deklarimet e tij.

Me të marrë vesh Mehmet Shehu urdhëroi të grisej raporti dhe profesorët të deklaronin në gjyq se Kasëm Trebeshina ishte një person i përgjegjshëm.  Ashtu vepruam edhe ne dhe Kasëmi u dënua me 10 vjet burg”.

Mehmet Shehu, kishte dhe një arsye më shumë se komunistët e tjerë, që urrente “armikun e popullit” Kasëm Trebeshinën, sepse Fiqirete Sanxhaktari, gruaja e tij ishte kushërira e parë e Kasëm Trebeshinës, ishin fëmijë tezesh![18]

Në arkivat  sekrete angleze Mehmet Shehu, përcaktohet si një serial killer, që vrau me dorën e tij mbi 200 vetë.

„Lindur në fshatin Çorrush të Mallakastrës, ai është i biri i Ismail Shehut dhe nipi Sheh Aliut, që të dy janë të njohur edhe si dy eksponentët famëkeq të rebelimit të 1914-1915  të udhëhequr nga Haxhi Qamili kundër qeverisë shqiptare të asaj kohe. Vetë Sheh Aliu, një krijesë e egër dhe e pa skrupullt, ka vrarë Hajredin Fratarin dhe Ismail Klosin, të dy të njohur dhe nacionalistë të krahunës së Mallakastrës.

Mehmet Shehu la kursin e tij ushtarak të papërfunduar dhe shkoi në Spanjë së bashku me shokun e tij Hulsi Spahiu. Atke ata të dy hynë në ushtrinë komuniste spanjolle për të marrë  trajnim për tortura dhe vrasje.

Ja disa nga lista e gjatë e krimeve të tij në Shqipëri:

Ai u kthye në Shqipëri menjëherë pas pushtimit italian  dhe grabiti Jonus Nuren me 400 napoleona flori, në fshatin Murtajas të Mallakastrës.

Më pas ai hyri ne Partine Komuniste. Pas betejës së Selenicës, kapën 63 italianë. Ai i torturoi dhe i vrau të gjithë ata me dorën e tij, duke u treguar rekrutëve të rinj komunistë, se si duhet të bëhen gjërat. Ne mesin e këtyre të burgosurve ishte kapiteni italian një shok i tij i vjetër nga Modena. Ai gjithashtu u ekzekutua, pasi u mbajt mysafir për një javë. Shpella e Kremenarit është dëshmitare e këtyre masakrave.

Në një përleshje në Lushnje midis komunistëve dhe jo komunistëve të kuqtë morën 64 të burgosur dhe të gjith u masakruan nga dora e Mehmet Shehut.

Në fshatin Velçan të Mokrës ai u nguli thikën për vdekje dy nipërve të Hasan Beut.

Ne fshatin Çorrush, ai torturoi dhe pastaj i dha fund kapitenit Idriz Dizdari.

Ne fshatin Çepan të Skraparit ai torturoi Seit Çepanin, i bili Asllan Bej Çepanit, duke i prerë me një sharrë të dy këmbët dhe duke e lënë të vdes në agoni.

Sot një krijesë e tillë mban një post të rëndësishëm në ushtri me gradën e gjeneral majorit”.[19]

Shkrimtari dhe publiçisti Skifter Këlliçi ka përshkruar me nota tragjike marshimin e rezervistëve të Repartit Ushtarak 1105, Tiranë, prej datës 29 janar deri më 6 shkurt 1979,  në udhëtimin që bëri gjatë luftës  Brigada e  Parë, për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Gjatë këtij marshimi ku nata kalohej në qiell të hapët, vdiqën  ose ngrinë në borë katër rezervistë, ndërmjet tyre ai kujton Klement Bulgarecin, gazetar i TVSh-së, si dhe u smurën dëmtuan dhe u plagosën shumë të tjerë. Duke qënë se Reparti prej 1500 efektivash nuk ja kishte arritur qëllimit, erdhi në Vaqar vetë Mehmet Shehu. Me pompozitet si gjithnjë në vënd sa të shprehte hidhërimin e tij për humbjen e katër ushtarëve, në kohë paqie, ai na u drejtua me këto fjalë:

“Po përse nuk flisni more bythpambukët e Tiranës? Ata që ishin ndarë përgjithmonë nga ne, kryeministri … as i zuri fare në gojë sikur të kishin ngordhur qen … Pasi zbriti nga trubuna hodhi sytë nga komandanti i Brigadës së Lushnjes dhe i tha: “Mos pandehni se ju do të shpëtoni… Bëhuni ca trima, se kam pushkatuar nja 67 fshatarë nga ju që ishin të lidhur me Ballin… “ [20]

Aq sa ishte çnjerzor dhe imoral me vartësit e tij dhe popullin shqiptar aq ishte servil dhe zvaranik i pështirë, përpara “udhëheqësit legjendar” Enver Hoxha ky Mehmet Shehu. Ndërmjet shumë e shumë shembujve atë e shohim të tillë, në një letër që i dërgon Enver Hoxhës për Ismail Kadarenë ku i kërkon që Ismail Kadare të mos dënohet për poemën  “Pashallarët e kuq”  Kjo letër është tipike për nga shembulli përuljes dhe servilizmit në xhunglën e Komitetit Qëndror të Partisë Punës Shqipërisë. Mehmeti pasi “përkthen” mendimet e Enver Hoxhës duke akuzuar Ismail Kadarenë sepse nuk ndan ideologjinë armike nga mbartësit e sajë, e absolutizon burokratizmin, etj  kërkon që Ismail Kadare të mos ndëshkohet sepse ka dhënë edhe vepra të mira, por letra përfundon me këto fjalë: “ Kështu mendoj, unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë unë jam dakort si të vendosni ju. 20.10.1975”. [21] Kjo është një letër e shkruar me dorë që edhe sekretarja e Enver Hoxhës të mos kishte dijeni për të.

Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo gjatë tërë jetës tyre kriminale kanë qënë në garën e krimit me Enver Hoxhën me  Koçi Xoxen dhe Kadri hazbiun se kush mund të vriste, të masakronte dhe të burgoste më shumë shqiptarë!

Kështu, thotë studjuesi Albert Kotini,  komunistët e Mehmet Shehut betimet e traditave shekullore shqiptare “për besë”, “për flamur”, “për atdhe”,  e “për fe” u zëvëndësuan me betimin komunist “për ideal të partisë” !

 

  1. Denatyrimi i personalitetit njerëzor.

Fenomeni i denatyrimit të përsonalitetit njerëzor nën diktaturën komuniste, edhe është i pa studjuar nga psiko-analistët dhe historianët.

Në atë kohë denatyrimi i personalitetit njerzor ishte veti e sistemit dhe u shfaq jo vetëm në Shqipëri.

Kjo smundje e sistemit u shfaq në mënyrë të frikshme në të gjith Shqipërinë.

Shembullin e parë duhet ta jepte udhëheqia e lartë: Enver Hoxha pushkatori kunatin e tij Bahri Omarin.

Adil Çarçani, vrau gjatë luftës xhaxhanë e tij Daur Çarçanin.

Servet Pullumbi, profesori komunist dhe udhëheqësi i Partisë Socialiste kishte vëllan të dënuar për politikë…

Kastriot Kapaj, në historinë e Gjormit të Vlorës, tregon për 11 vëllezër të ndarë njeri partizan dhe tjetri ballist.

Gjenerali komunist Halim Xhelo, në vitin 1960 botoi kujtimet e tij dhe ndërmjet të tjerave shkruan: “I kam kërkuar shokut Besnik [Hysni Kapos] t’i heq lëkurën babit, ta vras, por ai nuk më ka lënë”

Në fshatin Tragjas mund të numurojmë mbi 10 familje të ndara, si psh. Udhëheqësi i Ballit Kombëtar Skënder Muço i kishte nipër komunistët dëshmorë Kastrit Muço dhe Maliq Muço.

Ballisti Hysni Alimerko, i dënuar me vdekje,  vëllezërit e tij Eqeremin, Merkurin etj. dhe kushërinjtë e parë i kishte  komunistët.

Ballisti Sefer Imeri, kishte një djalë komunist Xhemalin dhe një ballist.

Udhëheqësi i Ballit Kombëtar të Vlorës Tahir Hoxha i kishte të katër djemtë komunistë.

Djali i madh i Tahirit, Luteri, lidhi hallën e tij me litar pas një  gorice dhe me urën e zjarrit në dorë dogji shtëpitë e tij sepse ishin shtëpitë e një ballisti.

Ballisti Selim Laçe i pushkatuar nga komunistët kishte dy vëllezër komunist: Habilin dhe Guçen  etj.

Vëllanë e kolonelit komunist Mehmet Jaho, alias Luftar Bolena,  Fuat Jaho e pushkatuan në vitin 1945 si komandant i Ballit Kpmbëtar.

Kushririn e parë të Heroi i Popullit Asim Aliko, kolonel i Sigurmit të Shtetit, Lahe Nuro Alikaj, komandant të Ballit Kombëtar e vranë në vitin 1946.

Heroi i Popullit Pal Melyshi, oficer i Sigurmit të Shtetit kishte babanë të arratisur në male që luftonte komunizmin.

Po kështu oficeri i lartë i Sigurimit të Shtetit Mark Dodani, xhaxhan e kishte në mal të arratisur që luftonte kundër komunistëve. Ai u vra në përpjekje me forcat e Sigurimit.

Heroi i Popullit Bardhok Biba ishte kushëri i parë i Gjon Marka Gjonit, kundështar i komunistëve.

Zenel Shehu, kapiten i  Ahmet Zogut, kur erdhi në Shqipëri si desant e spiunoi  nipi tij djali i motrës, Mexhiti dhe ai u pushkatua.

Not Qiricin nga Dukati i Vlorës, i arratisur e vrau djali i tezes me urdhër të Sigurmit të Shtetit, etj, etj.

 

 

[1] “Mapo”, dt.5.12.2010, f. 24

 

[2] Enver Hoxha “Kur lindi Partia”, Kujtime, Tiranë 1981, f. 425

[3] Beqir Ajazi “Nga shkaba me kurorë te drapëri me çekan”, Mokra, Tiranë 2000, f. 264

[4] Ali Këlcyra “Shkrime për Historinë e Shqipërisë”, Onufri, Tiranë 2012, f. 56  

 

[5] “Mardhëniet shqiptaro- jugosllave 1945 – 1948” Dokumente, Tiranë 1996, f. 438, 448, 449

[6] Kostë Çekrezi “Plani i tretë i coptimit të Shqipërisë”, Virgjinia, SHBA, 1951, f. 17

[7] Enver Hoxha “Kur lindi Partia”, Kujtime, Tiranë 1981, f. 425

[8]  “Mapo”, dt. 5.12.2010, f. 25

[9] Tomorr Aliko “Antologjia e krimit komunist”, Tiranë  2006, f.67

[10] Gazeta “Standard”, dt. 10.4.2012, f.19

[11] AQSH, F. Balli Kombëtar, V. 1943, D. 57, f.17   

 

[12] Gazeta “Standard”, dt. 10.4.2012, f.19

[13] Lek Nikoll Melyshi “Krahina e Kthellës dhe Bajraktari Gjon Melyshi”, Tiranë 2008, f.297-300

[14] „Republika“, dt. 7.1.2011, f. 18

[15] Beqir Ajazi “Nga shkaba me kurorë te drapëri me çekan“, Mokra, Tiranë 2000, f.304

[16] Gazeta “Telegraf”, dt. 25.11.2010, f. 14

[17] Kastriot Dervishi në gazetën “55”, Tiranë, dt. 23.2.2013, f. 16-17

[18] “Gazeta Shqiptare”, dt. 12.6.2011, f. 28-29

[19]   Cituar nga Prof. dr. Luan Malltezi, gazeta “Nacional”, dt. 11.9.2011, f.15

[20] Gazeta “Metropol”, dt. 10 – 11.6.2011, f.18-19

[21] Gazeta “Standard”, dt. 20.11.2011, f. 10-11, “Letra e dorës e Mehmet Shehut e shkruar mesnatën e vitit`75 

     për Enver Hoxhën”

Filed Under: Histori Tagged With: Dosja e krimeve, Enver Lepenica, të Mehmet Shehut

Shuajb Arnauti, Kolosi i shkencave Islame, shqiptari i shekullit

November 1, 2016 by dgreca

shejkh-shuajbi

Ne Foto:Shuajb Arnauti, 1928- 2016/

 Nga Jeni Myftari/Academic Adviser Embassy of SO -London Cultural Attache/

1-shejkh-shuajb-arnauti-titulli-4Më 27 tetor 2016, në Aman-Jordani, ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare dijetari i madh i hadithit, jurisprudencës, historisë Islame, Kur’anit, gjuhës dhe retorikës arabe, Shejkh Shuajb Arnauti. Shuajb Arnauti, lindi më 1928 në Damask-Siri, në një familje myslimane, atdhetare shqiptare. Muharrem Arnauti, babai i Shuajbit, mërgoi më 1926, bashkë me familjen, nga Vukatana e Shkodrës dhe u vendosën në Damask-Siri. Dy vjet më pas ju lindi një djalë të cilin e quajtën Shuajb.Familja e Muharremit për të mos humbur origjinën e vendit nga vinin, humbi mbiemrin e familjes dhe adaptoi mbiemrin “Arnauti-Shqiptar”.

Që në fëmijërinë e herëshme, Shuajbi mësoi bazat e besimit Islam dhe pjesë të shumta nga Kur’ani, fillimisht prej prindërve të tij e më pas prej mësuesve më në zë të kohës në Damask. Shuajbi, si fëmijë kishte dëshirë të mësonte të fshehtat e Kur’anit, dëshirë kjo që e nxiti më pas të thellohej në mësimin e gjuhës arabe, mësim të cilit iu përkushtua për 10 vjet me rradhë. Ai jo vetëm që ndiqte të gjitha ligjëratat e gjuhës që zhvilloheshin në medreset dhe xhamitë e Damaskut, por edhe lexonte librat më në zë të dijetarëve të kohës. Nga mësuesit e Shuajbit ishin Shejkh Salih Al Farfuri dhe Shejkh Arif Al Deuxhi, të cilët kanë qenë nxënës të dijetarit të madh të kohës së tij në Siri, Shejkh Bedr Dijn Al Husni. Prej tyre Shuajbi mësoi shkëlqyeshëm jo vetëm gjuhën arabe dhe retorikën por edhe shkencën e Hadithit (fjalës, punës dhe veprës së Profetit Muhamed s.a.a.s), komentin e Kur’anit dhe ligjet e jurisprudencës Islame.

Ndërkohë, për një periudhë të gjatë Shuajbi iu përkushtua Fikhut (Jurisprudencës Islame), duke u thelluar në studimin e 4 shkollave juridike Islame dhe veçanërisht të asaj Hanefi, të cilat i mësoi nga Abdu Rrazak el Halebi, Nuh Arnauti (babai i Shejkh Muhamed Nassru Dijn Albanit), Sulejman Gavoxhi (babai i Shejkh Vehbi Gavoxhit), ndërsa shkencën e hadithit dhe terminologjinë e mësoi nga Abdullah el Habashi, Shejkh el Kallas dhe Shejkh Salih Farfuri.

Gjatë këtyre studimeve, Shuajbi vuri re se për të nxjerrë ligje juridike të sakta dhe mbi baza shkencore, duhej që gjykimet të bazoheshin në burime të sakta hadithesh. Nga këtu i lindi dëshira të merrej me shkencën e hadithit dhe pikërisht me vërtetësinë dhe saktësimin e zinxhirit të transmetimit të haditheve. Kështu që në moshën 27 vjeçare, nga viti 1955 e deri në fund të jetës ia përkushtoi punën dhe jetën e tij saktësimit të transmetimit të haditheve, duke u bërë kështu një prej dijetarëve më të mëdhenj bashkëkohorë të Islamit.

Duke komentuar mbi këtë përkushtim të tij për shkencën e hadithit Shejh Shuaibi është shprehur: -“Një nga arsyet që më nxiti të përqëndrohesha më së shumti tek shkenca e hadithit ishte se një ditë dikush më pyeti për një hadith të cilin unë nuk e dija. I gjendur ngushtë vendosa në vetvete të përqëndrohem në këtë fushë në nderim të sunnetit profetik“.

Më 1958, Shuajb Arnauti filloi punë në Librarinë Islame në Damask, ku për 20 vjet me rradhë drejtoi departamentin e Vërtetimit dhe Saktësimit të Haditheve. Gjatë kësaj periudhe Shejkh Shuajbi saktësoi dhe korrigjoi personalisht si dhe drejtoi punën për saktësimin dhe korrigjimin e më shumë se 70 vëllimeve, nga bazat e trashëgimisë të shkencave të ndryshme Islame.

Më 1982, për arsye të papajtueshmërisë me regjimin e kohës në Siri, shpërngulet së bashku me familjen në kryeqytetin e Jordanisë, Aman.

Këtu Shejkh Shuajbi fillon punë në fondacionin “El-Risaleh” si drejtues i departamentit të “Saktësimit të Trashëmisë” ku punon deri me daljen e tij në pension. Arritjet më të rëndësishme dhe veprat më të mëdha të shkencave të Islamit të përgatitura nga Shejkh Shuajbi i përkasin pikërisht kohës së punës në këtë fondacion.

Shuajb Arnauti ishte bashkëkohës i shqiptarëve të tjerë që kanë jetuar në rajon, të gjithë dijetarë të njohur të shkencave Islame si Shejkh Muhamed Nasru Din Albani nga Shkodra, Shejkh Abdul Kader Arnauti (i lindur Kadri Sokoli) nga Istog-Kosovë, Shejkh Vehbi Suleiman Gavoxhi nga Shkodra etj, me të cilët bashkëpunoi dhe ruajti marrëdhënie të mira gjatë gjithë jetës.

Ndër veprat e shumta që la pas Shejkh Shuajb Arnauti mund të përmendim:

– El Begaui, Sherhul Sunneh (Shpjegime Terminologjike Islame), 16 vëllime.

– El Neveui, Reudatul Talibin (Kopështi i Kërkimtarëve), 12 vëllime. Këtë vepër e ka bërë në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– Ibn Mendhur, Medhheb El Egani (Shkolla e Lirikës), 12 vëllime.

– Ibn Meflah, El Mebdea Fi Sherh El Muknea (Fillimi në Shpjegimet Bindëse), 10 vëllime.

– Ibn El-Xheuzi, Zade El-Mesir fi Ilmul Tefsir (Rrugëtim në Komentimin e Kur’anit), 10 vëllime. Në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– El Rehibani, Metalib Euli Neha Sherh Gajetul Munteha (Kërkimet e para në shpjegimin e kohëve të fundit), 6 vëllime, në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– Ibn Kadame El-Makdasi, El Kafi fi Fikh El-Imam Ahmed ibn Hanbel (Mjaftueshmëria në Legjislacionin e Hanbelit), 3 vëllime. Në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– Ibn Davjan, Menar El Sebil fi Sherhi Ed Delil (Fryte të dobishme në shpjegimin e argumentave), 2 vëllime.

– Ibn Hibban, El Ihsan fi Tekbir Sahih Ibn Hibban (Mirësitë në Madhështi, Sahih Ibn Hibban), 18 vëllime.

– Edh-Dhehebi, Sijr Alam En-Nubela (Historia e Dijetarëve të Ndritur), 25 vëllime.

– Et-Termidhi, Sunen Et-Termidhi (Libri i haditheve i Termidhi-t), 16 vëllime.

– En-Nisai, Sunen En-Nisai (Libri i haditheve i En-Nisai-t), 12 vëllime.

– Ed-Dar Kutuni, Sunen Ed-Dar Kutuni (Libri i haditheve i Ed-Dar Kutuni-t), 5 vëllime.

– Ahmed Bin Hanbel, Musned El-Imam Ahmed bin Hanbel (Përforcimi, i Ahmed ibn Hambel), 50 vëllime.

– Edh-Dhehebi, Tarijkh El Islami (Historia Islame), 4 vëllime, në bashkëpunim me Dr. Bashar Awad. etj.

– En-Neveui, Rijad Es-Salihin (Udha e të Drejtëve), 2 vëllime.

– Ibn ebi El-Iz, Sherh El-Akide El-Tahauije (Shpjegimi i Doktrinës Sunite), 2 vëllime.

– El-Dhehebi, Tabekat El-Kura (Shkallët e Lexuesve të Kur’anit), 2 vëllime. Në bashkëpunim me Dr. Bashar Awad.

– Ibn Kajm El Xheuzi, Zad el Mead (Dispozitat për Akhiretin -Jetën e Përtejme), 6 vëllime, në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin, etj.

Puna dhe vepra e Shuajb Arnautit përmblidhet në mbi 600 vëllime.

Përveçse dijetar i shquar, Shejkh Shuajbi ishte edhe një njeri me shpirt të madh, sa i rreptë dhe kërkues në punë aq edhe njerëzor dhe i dhembshur. Ai shquhej për modestinë, sinqeritetin, ndihmesën materiale dhe shpirtërore që iu ofronte të gjithëve, veçanërisht studentëve shqiptarë në Jordani. Nuk ka student nga trojet shqiptare që ka studiuar në Jordani, apo me herët në Siri që nuk e ka ndier nga afër ndihmesën materiale apo mbështetjen shpirtërore të Shehut, siç e thërrisnit të gjithë me rrespekt.

Shejkh Shuajbi, edhe pse i lindur dhe rritur në një familje shqiptare, gjuha e mëmës së të cilit ishte SHQIPJA, u bë një nga njohësit më të mirë të gjuhës dhe retorikës arabe si dhe të shkencave Islame. Ai gëzonte respektin absolut të të gjithë studentëve, hulumtuesve, shkencëtarëve Islam, të të gjithë njerëzve që e rrethonin, që jetonin e punon me të, që e takonin për herë të parë apo që thjeshtë shfletonin veprat e dala nga duart e tij.

Shuajb Arnauti nuk jetoi për pasuri, as për famë apo pozitë shoqërore, ai jetoi për të fituar kënaqësinë e Zotit, me thjeshtësi duke ia përkushtuar gjithë jetën e tij shkencave Islame dhe njerëzve në nevojë.

Shejkh Shuajb Arnauti vërtet nuk la pas pasuri dhe trashëgimi materiale për familjen e tij, por la pas një thesar të paçmuar dijesh që do ti shërbejë pafundësisht brezave.

Shqiptarët kanë përse të krenohen me këtë kolos të dijes dhe shkencës. Edhe pse i lindur në Siri, Shejkh Shuajb Arnauti shprehej me krenari se ishte shqiptar. Ai e fliste rrjedhshëm shqipen madje mbante edhe leksione në shqip.

Pas luftës së Kosovës, Shejkh Shuajbi bëri vizita të shumta në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Sa herë vizitonte apo fliste për trojet shqiptare sytë i mbusheshin me lot dhe thoshte: “Aty janë rrënjët e mia. Edhe gjaku ndër deje më lëviz ndryshe kur them se jam shqiptar, edhe jeta më shtohet kur vizitoj viset e mia. Vetë mbiemri i familjes time bart me vete origjinën tonë“- dhe i thoshte këto me krenari, në një shqipe të pastër dhe burimore.

Zoti qoftë i kënaqur me punën dhe veprën e tij, shpirti i tij u prehtë në paqe dhe qoftë vendi i tij në Parajsën më të lartë, së bashku me Profetin Muhamed s.a.a.s.

Filed Under: Histori Tagged With: Jeni Myftari, Kolosi i shkencave Islame, shqiptari i shekullit, Shuajb Arnauti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 387
  • 388
  • 389
  • 390
  • 391
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT