• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTIME TË PAHARRUARA NË LIBRIN E PRENJO IMERIT

August 24, 2017 by dgreca

Dr.-Prenjo-Imeraj1 Prenjoshpendi

KUJTIME TË PAHARRUARA TË SHPREHURA ARTISTIKISHT NË LIBRIN E PRENJO IMERIT/

Nga SHPENDI TOPOLLAJ/DIELLI/

Pashmangësisht, në jetën e njeriut vjen një kohë që kujtimet marrin përmasa akoma më të mëdha. Ato i shfaqen atij përherë e më të qarta. I bëhen edhe më të dashura dhe nga largësia e kohës, jo vetëm i shndërrohen në nostalgji, por dhe i shërbejnë për të gjykuar veprimet e kaluara të tij dhe të të tjerëve apo ngjarjet e shkuara, me gjakftohtësi e pa pasione. Zakonisht, lind dëshira për t`i evokuar ato gjithnjë e më shpesh, ndër biseda miqsh, nëpër tavolina kafenesh, aq sa ndofta pa e kuptuar i mërzisim bashkëbiseduesit. Kurse ai që ka durim dhe një fare prirjeje, preferon t`i sistemojë ato dhe t`i hedhë në letër. Pra, duke i botuar në ndonjë libër, mund edhe të presë romuze e ta qesëndisin duke i thënë shokët e miqtë që e rrethojnë se “na u bëre shkrimtar tani në pleqëri.” Atij s`i mbetet tjetër, veç të qeshë hidhur dhe me vete të thotë se “mirë keq, unë e bëra punën time. Fundja, llafet i përplas era në skutat e harresës, kurse e shkruara këtu mbetet.” Por ja që ka edhe nga ata, të cilët pasi ua lexon këto kujtime, kupton se falë kulturës dhe talentit të tyre janë shkrimtarë të mirëfilltë dhe sepse të vjen keq që pavarësisht rrjedhave të jetës, duhej ta kishin ushtruar shumë kohë më parë këtë talent me krijime të mirëfillta letrare. Të tillë e gjeta dhe unë doktor Prenjo Imerin, vëllanë e pedagogut dhe mikut tim të shtrenjtë, autorit të disa librave dinjitozë, kolonelit në rezervë dhe përherë të ri, Xhemalit, pasi lexova librin e tij voluminoz “Mall dhe brengë”. Me këtë libër, ai përmbush atë betimin e hershëm para varrit të së ëmës se: “Po betohem nëna ima / përmbi varr, /  Se për jetë do ju ngre / lapidar!” Me një kujtesë fenomenale, libri është një bashkim tregimesh të mrekullueshme që së bashku përbëjnë një roman të vërtetë, sikurse e ka quajtur edhe vetë autori. Këtë bënte dikur edhe James Joyce te “Dublinasit”, për çka i kumtonte botuesit se kam si qëllim “…të shkruaj një kapitull të historisë morale të vendit tim… Jam munduar t`ia paraqes publikut indiferent nën katër aspekte: fëminia, adoleshenca, pjekuria dhe jeta publike.” Por edhe në mos qoftë tamam kështu, më vjen për mbarë të kujtoj atë që dikush ka thënë për “Jetë fshati” (se dhe këtu me të tillë jetë ndeshemi më së shumti) të Amos Oz: “Në këtë libër ka gjithçka nga jeta mbi tokë, në këtë lloj jete ka njerëz dhe kafshë, me skena dhe pikturime mes qensh, të cilët, ku raktësisht e ku enkas, hyjnë në jetët e njeri – tjetrit. I shkruar kësisoj, çdo lexues e ka të drejtën ta lexojë këtë vepër si një roman. Por “Jetë fshati” nuk është roman, por copëza të lidhura jete, që japin e marrin mes tyre si arterie të një trupi, të tilla që i japin atij jetën e një qenieje intriguese. Besnik i lojës së tij psikologjike, i vizatimit të karaktereve, i përshkrimit në detaje të jetës dhe natyrës, të veshura të gjitha me sfond historik të kohës në të cilën jeton.” Përmenda pak më sipër talentin dhe kulturën e autorit, por sa pa vlerë do të ishin ato, sikur në këtë lloj letërsie, pra në të rrëfyerit biografik, të mungonte sinqeriteti. Se koha kur autori jetoi fëmininë, u arsimua dhe punoi, ishte e mbushur vetiu edhe me gënjeshtra e hipokrizi, ndaj sot ajo do dhënë ashtu sikurse ishte realisht; pa maska e doreza, pa drojë se mos i mbetet qejfi dikujt e mos zemërohet ndokush. Ndofta sinqeriteti është ndihmësi më i pazëvendësueshëm i artit të të shkruarit. Tragjasi i viteve kur lindi Prenjo Imeri, ishte si gjithë fshatrat e tjera të Shqipërisë, me të mirat e të këqiat e veta. Ama, për atdhedashuri, tragjasiotët ishin të parët. Vetë babai i tij Seferi, ashtu sikurse donte të thosh edhe emri i tij nga turqishtja, ishte një luftëtar sypatrembur, njeri i drejtë dhe burrë me karakter të fortë. Nacionalist besnik i idealit të tij antikomunist, ai u vra pabesisht së bashku me trimin Hysni Lepenica atje në Grehot më 14 shtator 1943. Edhe vëllai i madh, Bilbili, ndahet nga nacional – çlirimtarja dhe në fund largohet jashtë vendit dhe përfundon në Amerikë. Kurse vëllai tjetër, Xhemali bashkohet me partizanët. Pas çlirimit, pjestarët e kësaj familjeje që edhe far e fisi kishte dhënë kontribute të mëdha në luftën për çlirim, nuk dinte njeriu i gjorë ku t`i rreshtonte. Në fakt, ata ishin si shumica e familjeve shqiptare, ku komunizmi me rregullat e tij të rrepta e djallëzore, i përçau keq dhe sipas rastit mundohej t`i mbante të nënshtruar sipas parimit liro e shtrëngo. Me vullnet e këmbëngulje, ata u shkolluan brenda dhe jashtë vendit. Por letrat e kallximet e fshehta, survejimet e sigurimsave, nuk ju ndanë asnjëherë, gjersa Prenjon e kthejnë nga R.D.Gjermanisë, kurse të vëllanë, Xhemalin, pas përçartjeve të E. Hoxhës për “grupet armiqsore” në ushtri e përjashtojnë nga Partia dhe ushtria. Edhe pse ndonjë i shihte me përbuzje, ata të bindur në ndershmërinë e tyre, sido që u vajti filli, asnjëherë nuk u ndanë nga fshati. Me çfarë dashurie e malli i përshkruan Prenjua Tragjasin e vjetër që piktorit anglez Edwart Lear i kishte bërë aq përshtypje, sa gati kishe thirrur; “Shkoni o piktorë të vizitoni malet e Vetëtimës!”, ata njerëzit e mirë e bujarë, zakonet e tyre të trashëguara nga brezi në brez, vendet ku bridhte kur ishte i vogël e hipte pemë më pemë, stanet ku ruante bagëtitë, shkollën ku mësoi shkrim e këndim, burimet e Izvorit në krye të fshatit, ku shuante etjen gjatë verës, lëndinat ku u merrte erë luleve, ata tregtarët ambulantë që u thoshin pramatarë, ajo xhamia minarekëputur, fiqtë aq të shijshëm shëngjinës e deri manin legjendar të nënë Sulltanës. Me mjaft kompetencë autori sqaron toponimet e pambarimta të asaj treve dhe detajon ngjarjet kryesore historike të fshatit. Dhe pastaj burrat e gratë, pavarësisht nga rëndësia që patën në jetë. Ata, ai i sheh si pjesë e së tërës dhe i jep me vërtetësi dhe imtësitë më të vogla. Ka aty ngjarje herë të gëzueshme dhe herë të hidhura. Por që të mbeten në mëndje. Përpjekjet për t`u rregjistruar në shkollë, studimet, shokët, hareja mes tyre, vajtjen në shkollën “Skënderbej”, ai i pikturon me akuarel të ngrohtë, se janë vite të gëzueshme që mbahen mend tërë jetën. Dhe pastaj puna në Korpusin e Elbasanit si stomatolog ushtarak, miqësia me kolonelin e mirë rus Zarçenko dhe transferimi pas lirimit nga ushtria. Ai ruan kujtimet më të mira për drejtuesit dhe punëtorët e minierës së Krrabës që me dashamirësinë e tyre e vlerësuan ashtu siç ishte. Po ashtu, jep detaje rreth udhëtimit për jashtë shtetit, luftës për rezultate sa më të mira, domosdoshmërisë për të ruajtur dinjitetin si shqiptar, veprimtaritë kuturore, leksionet e albanologut Maximilian Lambertz, shoqërinë me vjazat si pjesë e pandashme e moshës, e pastaj kthimi i papritur në atdhe, ku nuk kishin harruar “vetëvrasjen” e dajiut të tij, guximtarit të çartur të luftës, kuadrit të lartë dhe deputetit Sali Ormëni, dhe vazhdimi i shkollës këtu. Sa mirënjohje ka ky njeri për këdo që ju gjend kur kishte nevojë. Sa i dhimbsen ata që nuk jetojnë më. Janë me dhjetra e dhjetra personazhet e këtij libri. Duke evokuar jetën e tyre, Prenjua shpesh përdor dhe një humor të hollë e të zgjuar, sa patjetër do të qeshësh me vete. Në krye të ç`do kapitulli, ai ka zgjedhur e vendosur nga një citat të goditur, pjesë e erudicionit të tij. Në gjuhën që përdor takon shpesh dialektalizma dhe fjalë zyrtarisht gati të harruara, por që janë pjesë e pasurisë sintaksore dhe që e bëjnë akoma më të besueshëm përshkrimin. Dhe ka një zgjidhje mjaft interesante, kur jetën e Sefer Ismail Imerajt, babait të tij, shpallur  Martir i Demokracisë nga Presidenti i Republikës, ja lë shënimeve mjaft interesante dhe të goditura të vëllait të tij Bilbilit, me të cilin u takua në SH.B.A. pas plot 53 vjetësh. Dhe me qenë se jemi në këtë vend të madh, kampion të demokracisë, po i mbyll këto shënime me fjalët e Williams S. Faulkner nga Nju – Albani, Misisipi, i cili në përshëndetjen e tij gjatë marrjes së çmimit Nobel tha shprehjen e vlefshme për cilindo shkrimtar serioz: “Jam i sigurt se njeriu nuk do të mbijetojë, ai do të ngadhënjejë. Ai është i pavdekshëm, jo sepse vetëm ai, midis krijesave, ka një zë të pashtershëm, po sepse ai ka një shpirt, një frymë, që janë të afta të dhembin, të flijohen, të mbijetojnë. .. shkrimtarit, s`i mbetet asgjë tjetër, por se të shkruaj për këto. Është privilegj ndihma që i jep njeriut që të mbijetojë duke i dhënë zemër, duke i ndërmendur guximin, nderin, shpresën, dhembshurinë, mëshirën, flijimin – lavdinë e së shkuarës së tij.” Ja, këtë detyrë e ka kryer mësë miri Prenjo Imeri me librin e tij lapidar “Mall dhe brengë”.

Filed Under: Histori Tagged With: Mall e Brenge, Prenjo Imeraj, Shpendi Topallaj

Shpartallimi i komitëve më 1907

August 24, 2017 by dgreca

1 qamil Llashtica

Nga Qamil S. Dardhankodra/

Shumë vjet ma parë kishte fillue veprimtaria subverzive e komitëve serbë në trollin shqiptar. Ato ishin grupe diverzante të ushtrisë së regullt serbe – njisi të përgatituna posaqërisht për nji veprimtari të tillë. Këto grupe keqbërësisht qeveria serbe i hedhte në Shqipni që asokohe ishte e pushtueme nga Turqia. Qëllimi kryesor i tyne ishte jo lufta kundër Turqisë po torturimi i popullit shqiptar, ata vrisnin e prisnin veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare, burrat e shquem, krenat e fiseve, intelektualët, pishtarët e arsimit shqip, venin zjarre, hasmonin e përçanin fiset shqiptare, korruptonin njerëz, etj. Kjo ishte parapërgatitje për lehtësimin e marshimit të kobshëm të ushtrisë serbe në Shqipni që ndodhi ma vonë në 1912. Diverzantët serbë po vepronin para hundëve të qeveritarëve dhe ushtrisë turke – nji veprimtari të tillë ata e shikonin nëpër gishtrinj. Lëvizja Kombëtare Shqiptare luftohej me të gjitha forcat nga ushtria turke, nga turkoshakët tanë dhe tashti edhe nga komitët serbë që kishin futun nji panik në popull. Rexhë Ahmeti nga Llashtica ishte bekçi (roje, kujdestar) në Pisjan, katund i çarkut të Gjilanit. Ai paguhej nga qeveria turke nji lirë (monedhë ari) në muej R. Ahmeti megjithëse punonte për turqit ai ishte dhe mbeti shqiptar i vërtetë . Gjatë punës së tij nji ditë ai e hetoi se në kishën e Pisjanit po qëndronin komitët serbë. E pa se shkinat (gratë) e Pisjanit po çonin bukë te vorret “rend e pa rend”. Rexha erdhi në Llashticë dhe në fshehtësinë ma të madhe u mobilizuen burrat e armatosun të katundeve Llashticë, Velekincë dhe Uglar dhe të nesërmen herët në mëngjes pa u nda nata e dita, pa dhanë ferk i zunë pusi karshi kishës ortodokse serbe të Pisjanit. Krisi pushka dhe u shkëmbye zjarr, aty mbeti i vramë luftari i lirisë Liman Uglari, nji trim i shquem. Pushka e kishte marrun në dërrasë të krahnorit. Ai dhe luftarët e tij kishin zanë pozitat në përronin që asht disa dhjetëra hapa në lidhje të kësaj kishe, nga ana e Uglarit. Mbasi pushoi zjarri, nga ana e komitëve ma nuk ndiheshin të shtëna, nuk dihej se a mbeti kush ende në kishë apo jo. Si të vërtetohej kjo?. Kush ishte ai që do të shkonte atje dhe ta vërtetonte këtë gja. Nga luftarët e tri copë katundeve doli vullnetar Mehmet Çerkini nga Llashtica, ai “e bani veten dekë” u përshëndet  me shokë, u përbetue në Qiell e në Tokë, në Dritë e në Diell dhe me ndihmo o Zot u nis me pushkë në dorë drejt kishës. Fati i tij qe i madh, mbrenda nuk ishte askush, komitët kishin ikun e kishin lanë vetëm nji pushkë të cilën e morri Mehmeti dhe kështu nga kisha ai doli me dy pushkë. Nuk vonoi shumë dhe aty filluen me ardhun grupe luftarësh nga të katër anët, deri kah dreka aty ishin rreth 1000 luftarë. Mehmeti atë pushkë e shiti aty për aty dhe me ato pare për shpirt të tij e nxorri nji bunar pranë xhades së Kumanovës në Zallinat e Lladovës, në udhëkryq, në veri të këtij katundi. Bunarin e Mehmetit çdoherë e kanë damtue serbët, sa e sa herë unë kam pi ujë prej atij bunari. Aty pak para drekës mbërrini dhe ushtria turke nga kazermat (kershllatë) e Gjilanit, që ndodheshin para stacionit të sotëm të autobusave, shumë kohë mbasi ishte krye puna, tue u thanë luftarëve shqiptarë se “pse po perziheni në këtë punë, ajo asht detyrë jona, etj.”, etj. Shihej qartë se Turqisë shumë ma tepër po i pengonte veprimtaria atdhetare e shqiptarëve se sa aktet terroriste të komitëve serbë. Kam nji dëshmi gojore nga Shefki Ramiz Sadiku nga Llofca se së paku nji epor i ushtrisë turke nga kazerma e Gjilanit bashkëpunonte me komitët serbë. Numri i luftarëve shqiptarë që mbërrinë këtu u rrit edhe ma shumë, ata të mllefosun vendosën me ia shtie flakën Pisjanit po këtë gja nuk e lejuen njerëzit e armatosun nga katundi M., të cilët nuk lejuen me iu djegë shtëpitë “pobratimëve” të tyne. Disa pleq nga ky katund lidhun me këtë ngjarje më kanë thanë se “tanët e kishin pas me dije” që komitët janë në Pisjan. Komitët kishin ikun, ishin shpartuallue, ata kishin me vete vegla speciale për zhurmim – klik- klik, për marrëveshje. Njerëzit i kishin ndie nëpër fushë, nëpër kollamoqe zhurmat e këtyne aparaturave dhe kujtojshin se kishte ardh “nji shpend i ri” sepse nji tingllim të tillë kurrë nuk e kishin ndëgjue ma parë. Ma vonë komitët ishin tubue dhe vendosun në kodrën e Cerrnelit afër katundit Gjonlekaj (Gjylekar), derisa nuk i hetoi Rrustë Gjonlekaj nga ky katund i cili asnja të gjallë nuk e lëshoi. Nga Pisjani nji komit kishte humbun udhën dhe kishte përfundue në Gosponicë të Preshevës, aty i ishte dorëzue banorëve të këtij katundi dhe ua kishte dhanë pushkën dhe kishte kerkue me e dorëzue në hyqmet (qeveri) në Preshevë, dhe ashtu u ba. Ky komit me 1912 erdhi me ushtrinë serbe si epror në Gosponice dhe e vuni nji letër në nji derë të nji shtëpie që mos me e nguc kërkan në këtë katund. Vërtetë Gosponica shpëtoi në këtë luftë por nuk shpëtoi dhe pësoi shumë rand në vjeshtën e vitit 1944 mbasi në këtë katund ushtria shiptare kishte korrun nji fitore të lavdishme ndaj çetnikëve-komunistë serbë. Nji ish komit e kishte takue Shaip Qazim Salihu nga Llashtica rreth vitit 1922 në Vinkovc (në fushën e Sremit) derisa po e kryente ushtrinë , ky ishkomit tashti oficer i vjetër i ushtrisë serbe e kishte pyetun gjanë e gjatë për gjithë ato katunde të kësaj ane në mes të tjerash ai i kishte thanë atij se postën e tyne (të komitëve) e bante njerin me emnin (!) (emnat e tyne dhe katundet janë të dituna nga autori). Ky ishte postier i qeverisë turke dhe paguhej nji lirë (monedhë ari) dhe nji lirë tjetër paguhej nga komitët, i cili e çonte postën serbe deri në katundin Dbd. dhe ia jepte personit me emnin (!) e ky çonte deri te serbët në Koçvishtë e këta prej kendej në konzullatën serbe në Shkup. Komitët vepronin natën; visheshin me rroba shqiptare, kapuç të bardhë, lurkë, tirq të bardhë, etj. për arsye lehtçarkullimi. Për këtë humbje me kohë serbët në këtë katund (Pisjan) kanë vue nji pllakë përkujtimore (komitskom odredu 1907)  po shqiptarët nuk kanë ba për këtë ngjarje të lavdishme pothuajse asgja edhe Bunari i Mehmetit që lidhet ngusht me këtë ngjarje ka humbun dhe tashti shërben si parking makinash. Ky u mbeti Liman Uglari që ndoshta asht i pari dëshmor që ra heroikisht si luftar i ushtrisë vullnetare shqiptare në pëpjekje me soldateskën serbe në fillim të shekullit XX?, këtë dëshmor duhet nderue e madhnue.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: i komitëve më 1907, Qamil S. Dardhankodra, Shpartallimi

KOZMA LARA: KOMPOZITOR I SHQUAR SHQIPTAR

August 23, 2017 by dgreca

1-spiro-j-shetuni1

Shkruan: Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI

Universiteti Winthrop/

Rock Hill, South Carolina-U.S.A./

  • Kompozitor i shquar
  • Pedagog i klasit të parë
  • Pianist i talentuar
  • Studiues serioz
  • Intelektual thellësisht modest
  • Mik i sinqertë i studentëve

2 Kozma Lara2

Ne Foto:Kozma Lara/

Ndër figurat muzikore me përmasa kombëtare e ndërkombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri, krahas një numri kompozitorësh, si:  Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, etj., një vend të merituar zë pa dyshim edhe kompozitori i shquar shqiptar, Kozma Lara (1930-).  Duke qenë të ndërgjegjshëm se figura e tij është e ndërlikuar, komplekse, shumë-dimensionale, në këtë artikull do të preken shkurtimisht, por në mënyrë thelbësore, vetëm disa aspekte—profesionale dhe jashtë-profesionale—të kësaj figure.

PERSA I TAKON JETES

Kompozitori shqiptar me kombësi arumune, Kozma Lara, lindi në qytetin e lashtë të Durrësit, aty ku edhe sot e kësaj dite jeton një bashkësi e shkëlqyer arumune në miqësi të përhershme me popullsinë shqiptare vendase.  Qysh në moshë fare të re, ai iu përkushtua tërë energji e entusiazëm fushës, sa tërheqëse, aq edhe delikate, të muzikës, duke u diplomuar për piano në Liceun Artistik “Jordan Misja.”  Disa vite më vonë, pianisti i ri, i cili ushqente ëndrra të mëdha për të ardhmen e tij, fatmirësisht, pati mundësinë që të studiojë për kompozicion në Konservatorin “Pjetër Iliç Çajkovki” [“Peter Ilich Tchaikovsky”] të Moskës (në ish-Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, sot Rusi).  Mirëpo, për shkak të faktorëve politiko-shtetërorë të kohës, ai i përfundoi studimet e larta muzikore për kompozicion në Tiranë, pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve).  Pas diplomimit, kompozitori Lara, me përgatitjen e lartë profesionale dhe zellin e madh që e karakterizonte, kreu detyra të rëndësishme sidomos në fushën e arsimit muzikor, të mesëm dhe universitar.  (Për jetën dhe veprimtarinë e kompozitorit, më gjerë, mund të shihen tre burime kryesore:  i)  “Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve” (Sadie, hartues. 2001);  ii)  “Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare,” Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002);  iii)  “Wikipedia” (2017)).    

ÇASTI I NJOHJES

Gjatë viteve që ndiqja Shkollën e Mesme të Kulturës në Tiranë, unë e kisha dëgjuar emrin e kompozitorit Lara shumë e shumë herë me radhë në programet muzikore të Radio-Tiranës, veçanërisht si autor veprash pianistike, instrumentore e simfonike, por asnjëherë s’e kisha takuar atë.  Duke qenë se, pasi mbarova Shkollën e Mesme, ëndërroja që të vazhdoja studimet e larta në fushën e muzikës, shpresoja se, ndonjë ditë, mbase do të mund t’a takoja.  Ky moment erdhi në datën 10 korrik, 1970, kur, i veshur me uniformë ushtari, unë u paraqita në konkursin e Fakultetit të Muzikës të ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve).  Kryetar i komisionit ishte pikërisht kompozitori Lara, në atë kohë Përgjegjës i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit.

KOMPOZITORI

Në një vështrim tërësor, krijimtaria muzikore e kompozitorit Lara, është mjaft e gjerë.  Ajo përfshin një numër të madh veprash muzikore, të cilat u takojnë zhanreve e gjinive të ndryshme muzikore:  zanoro-operistike e instrumentoro-simfonike.  Ndër ‘to, vendin kryesor e zënë, pa dyshim, veprat instrumentoro-simfonike, si:  suita, koncerte, valle, rapsodi, simfoni, etj.;  vepra instrumentore, si:  prelude, ballada, variacione, sonata, etj.;  vepra të muzikës së dhomës, si:  trio, kuartete, skerco, rondo, etj.;  vepra të muzikës skenike, si:  opereta, balete, etj.  Ndërkaq, veprat zanore vijnë në një masë më të vogël, por as ato nuk mungojnë,  Midis tyre, përmendim:  pjesë korale a cappella, këngë popullore të përpunuara, këngë për fëmijë, etj.  Ndër veprat muzikore më të rëndësishme, lejomëni që të sjell në vëmendjen e dëgjuesit krijime, si: “Simfonia nr. 1 në Fa minor,” një vepër klasike me karakter të përgjithshëm liriko-dramatik.  Për një mjeshtëri të spikatur artistike, vlejnë të përmenden, gjithashtu, pesë koncertet për piano e orkestër:  “Koncert për piano e orkestër nr. 1,” “Koncert për piano e orkestër nr. 2,” “Koncert për piano e orkestër nr. 3,” “Koncert për piano e orkestër nr. 4,” “Koncert për piano e orkestër nr. 5.”  Vlera të pamohueshme artistike, shpalosin edhe tre kuartetet për harqe: “ Kuartet për harqe nr. 1,” “Kuartet për harqe nr. 2,” “Kuartet për harqe nr. 3,” etj.  Ndërkohë, vepra skenike, Baleti “Fatosi partizan,” e merr subjektin në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar (1939-1944).  Historikisht, autor i sonatës së parë për piano në Shqipëri, kompozitori Lara u përfshi, gjerësisht e thellësisht, në krijimin e veprave instrumentoro-simfonike, duke dhënë në këtë lëmë një ndihmesë të veçantë.  Individualiteti krijues i tij del në pah sidomos duke dëgjuar, përjetuar e studiuar pikërisht veprat instrumentoro-simfonike.  Përsa i takon përmbajtjes, tipari kryesor individual i muzikës së kompozitorit shfaqet lirika dramatike.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një krijues muzikor i shquar. 

PEDAGOGU

Për shumë vite me radhë, kompozitori Lara punoi si pedagog pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve).  Në këtë institucion të rëndësishëm shkollor artistiko-muzikor, ai jepte leksione në lëndën “Analiza e veprave muzikore,” një disiplinë teorike themelore për formimin profesional të muzicienëve të rinj:  kompozitorë, kritikë muzikorë, historianë të muzikës, instrumentistë, etj.  Po ashtu, jepte lëndën “Kompozimi muzikor,” një disiplinë, e cila, për vetë natyrën e saj, zhvillohet individualisht, pra, me pjesmarrjen e një studenti të vetëm.  Sa herë që jepte leksion në lëndën “Analiza e veprave muzikore,” kompozitori Lara hynte në klasë i qeshur e i vëmendshëm.  Në duar mbante gjithmonë pjesë muzikore klasike të zhanreve e gjinive të ndryshme, të cilat mund të ishin për instrumente solistikë të caktuar, për familje instrumentesh, për instrumente të caktuar dhe orkestër simfonike, etj.  Duke qenë vetë instrumentist, për të ilustruar mendimin teorik, ai niste të luante në piano pjesët muzikore, që përdorte si shembuj.  Eshtë e qartë se, përmes ndërthurrjse së anës teorike me anën praktike të çështjes, shpjegimi i lëndës bëhej më i thjeshtë dhe më i kuptueshëm për studentët.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një pedagog i klasit të parë. 

PIANISTI

Historikisht, kompozitori Lara u shkollua më së pari në jetën e tij si instrumentist, duke u diplomuar si pianist pranë Liceut Artstik “Jordan Misja,” në Tiranë.  Pa dyshim se, zotërimi mjeshtëror i këtij instrumenti, i cili shquhet për gjerësinë dhe thellësinë shprehëse muzikore, luajti një rol përcaktues në tërë karierën profesionale të mëvonshme të kompozitorit.  Në të vërtetë, ai e përdori njohjen praktike të instrumentit të pianos më shumë për të krijuar sesa për të interpretuar muzikë. Veprimtaria e tij krijuese u nxit fuqishëm pikërisht prej aftësisë së tij interpretuese.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një pianist i talentuar.

STUDIUESI

I ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm të lëndës “Analiza e veprave muzikore,” kompozitori Lara hartoi, midis të tjerash, dy tekste muzikore bazë të kësaj lënde, për shkolla muzikore të niveleve të ndryshme, si vijon:  “Analiza e veprave muzikore” (për shkollat e mesme të muzikës), “Analiza e veprave muzikore” (për Universitetin e Arteve).  Po kështu, duke ndjekur aktivisht jetën kulturoro-artistike të vendit në përgjithësi dhe jetën artistiko-muzikore në veçanti, kompozitori Lara, ndër vite, shkroi e botoi në organe qendrore letraro-artistike, siç ishin, gazeta “Drita,” revista “Nëntori,” etj., mjaft artikuj e studime muzikore kritike.  Si objekt i tyre janë dukuri të ndryshme artistike të kohës:  vepra muzikore, veprimtari muzikore, çështje të procesit krijues muzikor, etj. Hulumtimet e tij teorike tashmë janë botuar si një libër i veçantë, çka e bën më të lehtë procesin e studimit të tyre nga ana e lexuesit.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një studiues serioz.

INTELEKTUALI

Kompozitori Lara asnjëherë nuk fliste për vlerat artistike të veprave të tij të shumta, zanore e instrumentore.  Këtë rol ai ia linte vetëm kritikës muzikore.  Nëse ndonjëherë ajo ishte e thartë, kompozitori përsëri heshtte.  Eshtë e qartë se, nga pikëpamja etiko-morale, ai shërbente si model i mrekullueshëm për muzicienët e rinj studentë.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një intelektual thellësisht modest.

MIKU

Kompozitori Lara përgatiti breza të tërë muzicienësh të rinj shqiptarë të të gjitha fushave:  kompozitorë, kritikë muzikorë, historianë të muzikës, instrumentistë, etj.  Brenda këtij qerthulli, ai interesohej vazhdimisht për ecurinë e tyre gjatë procesit mësimor.  Nëse ata kishin probleme ose shqetësime mbi çështje të ndryshme, ai do t’u jepte atyre pa vonesë ndihmën e domosdoshme profesionalo-pedagogjike.  Si përgjegjës i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit, kompozitori Lara nuk u diktonte asnjëherë studentëve të fushës së muzikës se në çfarë drejtimi duhet të specializoheshin ata:  kriteri kryesor nga udhëhiqej ai, ishte, mbi të gjitha, dëshira e vetë studentëve.  Në një mënyrë vërtet të rrallë për kohën, herë-herë, kompozitori Lara do të ftonte studentë për vizitë në shtëpinë e tij.  Po ashtu, ai mbante lidhje me studentët edhe pas përfundimit të studimeve, duke u interesuar vazhdimisht që të mësonte mbi përparimin e tyre në jetë.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një mik i sinqertë i studentëve të tij.    

PERSA I TAKON BASHKEKOHESISE

Në ditët tona, kompozitori Lara jeton larg Mëmëdheut:  në Kanada.  Me tërë peshën e viteve që mban mbi supe, ai sërish vazhdon që të krijojë muzikë pa rreshtur.  Siç duket, vetëm duke kompozuar, ndihet i lumtur!  Arti i magjishëm i muzikës e mban atë vazhdimisht të gjallë!  Ndërkohë, Shqipëria e largët i sjell kujtime të rralla …

 ***

Kompozitor i shquar, pedagog i klasit të parë, pianist i talentuar, studiues serioz, intelektual thellësisht modest, mik i sinqertë i studentëve të tij, etj., Kozma Lara është pa dyshim një figurë muzikore me përmasa kombëtare e ndërkombëtare, e gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri.  Veprat muzikore zanore e instrumentore më të mira të tij, sidomos ato që u takojnë zhanreve instrumentoro-simfonike, do të qëndrojnë vazhdimisht si pjesë e thesarit të artë të muzikës profesioniste shqiptare.  Vepra të tilla do të vazhdojnë me siguri që të pasurojnë, frymëzojnë e edukojnë estetikisht shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe brezat e rinj të muzicienëve shqiptarë në veçanti.

 

Filed Under: Histori Tagged With: I SHQUAR SHQIPTAR, KOZMA LARA: KOMPOZITOR, Spiro Shetuni

NDIESI PËR EMISIONIN “OPINION” TË BLENDI FEVZIUT NË TV-KLAN

August 22, 2017 by dgreca

 

opinionimage370nano-berishabasha-c-840x440zhulali-ministerfevzo

NGA ASLLAN BUSHATI/Për përdorim të shpejtë, po përdor termat  “Opinion dhe TV –Klan”, se aktualisht  ky emision jepet  në Klan dhe mban  këtë emër, por që në fakt ka nisur në TVSH dhe me tjetër emër, vetëm se drejtuesi dhe konceptuesi i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë gazetari dhe publicist i njohur Blendi Fevziu.

Asllani 07

Si shumë teleshikues të këtij emisioni, edhe unë kam kujtime e ndiesi për shumë  puntata të vecanta  në këto dy dekada transmetimi . Por, po e nis me emisionin e parë që u transmetu më 31 Gusht 1997, pra njëzet vite më parë. Pak ditë para se të jepej ky emision më telefonoi  ish Shefi i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes  dhe më thotë se:” a është e mundur të shkoni në një takim privat tip konsulte, për të biseduar me ish Ministrin e Mbrojtjes (sot të ndjerin)  Safet Zhulali ,sepse është ftuar nga gazetari Blendi Fevziu në një  emision  për ngjarjet e rënda të këtij viti ( 1997-të)“?  Pas një hezitimi të vogël, pranova dhe i thashë “po, do të shkoj “. E thashë pas një hezitimi të vogël se unë tashmë  isha liruar nga ushtria dhe nga detyra e Drejtorit në Ministrinë e Mbrojtjes ,që  më 6 gusht 1997 dhe kisha filluar pune si Kryetar i Departamentit të Mbrojtjes në Partinë Demokratike.

Pasi  kontaktova me të ndjerin  Zhulali, e lamë takimin në orën 11 paraditen e datës 30 Gusht në shtëpinë e tij. Në orën e caktuar shkova në shtëpinë e Familjes Zhulali ku më pritën me shumë respekt ish Ministri dhe bashëshortja e tij (Manushaqe).Biseda zgjati katër orë pa ndërprerje vetëm me ish Ministrin. Në bisedë diskutuam me detaje shumë  ceshtje  të  fushës mirfilltë ushtarake që kishin dalë sheshit në publik dhe që mendohej se  do të diskutoheshin në emisionin e Blendi Fevziut. Pa e mbyllur pjesën ushtarake të bisedës i ndieri Zhulali më pyeti: “si epror i lartë ushtarak (Drejtor ne Ministri  e Komandant Divizioni) , si mendon, pse ushtria nuk qëlloi kundër atyre që rrëmbyen armët nga depot e ushtrisë?  I  thashë :”E para mendoj se ushtria nuk pati përgjegjesi për ngjarjet e 2 Prillit 1991 në Shkodër,( sepse gjykoj se ajo ishte vepër e shërbimit sekret te regjimit komunist), por megjithatë ushtria  u ndot padrejtësisht nga kjo ngjarje, dhe në kujtesën kolektive ushtarake ajo ishte një përvojë negative. E dyta po të kishte qëlluar ushtria, kjo klasë politike e të dy krahëve  do të ishte në varreza dhe unë e kolegët e mi do të konsideroheshim kriminelë. Sot s’ka të drejtë  dhe as fakte ,askush të më quaj kriminel se nuk kam vrarë askënd.

Si përfundim për pjesë ushtarake  pothuaj  përafruam mendimet gati për gjithcka biseduam, kurse për pjesën politike, ai kishte më shumë njohuri, detaje e specifika dhe insistonte në  konkluzionon se” fajin e ka politika dhe se ushtria nuk duhet ngarkuar me pergjegjesi për atë që ndodhi në 1997. Ngjarjet e këtij viti janë një dosje e zezë që nuk ka për tu hapur kurrë”. Por në detaje ai kishte qefmbetje për një mbeshtetje të paktë në vitin e fundit nga ish Presidenti Berisha, (ose më saktë Berisha nuk e kishte mbrojtur nga disa sulme të padrejta që ai i quante shpifje). Kishte shume vrejtje e ngarkesa për punën e mardhëniet me Aleksandër Meksin,por  edhe një dozë negativiteti për Gazideden . Vec këtyre kishte një farë mllefi me gazetën Albania dhe e quajti atë”gazetë personale të Berishës dhe armike të Minisrtit të Mbrojtjes”. Po ashtu doza negativiteti, kryesisht për paaftësi  drejtuese më shprehu edhe për ish Sekretarin  e Shtetit për Mbrojtjen. I thashë se në se  e gjykon të arsyeshme, ju sygjeroj që problemin e gazetës Albania dhe të  Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen, mos i përmend në emission. Te tjerat unë nuk i di dhe s’mund t’ju jap asnjë këshillë. Kërkesën time ai nuk e mori parasyshë dhe të nesërmen të dy këto problemet e fundit i ceku në bisedë.

Pas emisionit të parë (për të cilin fola gjatë) ,e  të cilin  disa e kanë  konsideru si shumë  te vështirë dhe disa e  kanë quajtur edhe  të dështuar, kam parë një gamë të madhe puntatash që kanë rrokur problemet e ditës,por edhe të historisë e të perspektivës, etikës, estetikës, ekonomisë, kulturës, arsimit,shkences, sportit, shëndetsisë, rendit, mjedist, gjeografisë, gatimit, erotikës e shumë e shumë të tjera. Po të hidhej në letër cdo gjë që është thënë e bërë në këtë e për këtë emission, do të ishte një libër qindra mijëra faqesh dhe ndoshta me të drejtë do të quhej “enciklopedia e emisionit televiziv Opinion”.

Njerëz të ndryshëm kanë këndshikimi  e gjykim të ndryshëm për këtë emision. Por për mu ai ka qenë i dobishëm, informues, konkret, i prekshëm, i drejtpërdrejtë, jetëgjatë,e në mbrojtje të interest publik . Pikpamjet e mia politike janë të djathta dhe shpesh në “Opinion” kam gjetur vehten.Por edhe lëvrimi i pikpamjeve të së majtes shqiptare për mua  kanë qenë një gjë e drejtë dhe i pranueshem. Më kanë mbetur në kujtesë disa puntata  specifike (kujtime, përshtypje, analiza..) për  politikanët e shtetit shqiptar: Ismail Qemalin, Ahmet Zogun (dhe Familjen Mbretërore Shqiptare), Enver Hoxhën,Ramiz Alinë, Sali Berishën, Fatos Nanon, Edi Ramën, Lulzim Bashën,  Ibrahim Rugovën, Hashim Thaci, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti  dhe kohët e fundit edhe për Esat Pashë Toptanin etj. Këto puntata në shumicën e rasteve kanë qenë të balancuara me të mirat dhe të metat  e secilës figurë.Transmetimi dhe ritransmetimi i tyre mendoj se ka patur vlera historike dhe shpesh paqtuese për opinionin publik. Por po ashtu ruaj në kujtesë  me shume respect intervistat me Ismail Kadarenë, Isuf Vrionin, Dritëro Agollin e shumë e shumë të tjerë  të fushës artit e kulturës. Kurse  ( përvec specialistëve të fushave të vecanta të cilët janë vërtetë të shumtë),disa gazetar dhe analistë , në gjykimin tim ,e kanë mbajtur gjallë, i kanë  dhene  shpirt , i kanë dhënë frymarrje, e kanë bërë më të pranueshëm emisionin për një masë të madhe njezish duke  e cuar shikueshmerinë në nivelet më të larta në raport me emisionet e tjera. Shpresoj të mos ketë qefmbetje askush, por dëshiroj të ve në dukje disa emra të vecantë si: Zheji, Shkullaku,  Lubonja, A.Hoxha, Zogaj, Frangaj,  Bejtja, Peka, Dervishi, Rakipi, Balliu, Bushati, Vangjeli, i ndjeri Stefani, Nazarko,  Buzhala e shumë të tjerë që për momentin s’po më kujtohen. Këto,  krahas të qenit  personalite  publike me formin të gjërë  intelektual  e  me  dije të qëndrueshme i dhanë emisionit “opinion” një fytyrë të re.

Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia,  gazetari , publicisti  dhe shkrimtari Blendi Fevziu që e ideoi  e planifikoi dhe e realizoi  per njëzet vite emisionin televiziv”Opinion”, meriton shumë. Prapa tij është i pa dukshëm edhe një staf gazetarësh profesionist e me integritet (emrat e tecileve nuk më kujtohen përvec Drini Zeqos), të cilët  me punën e tyre e kanë ridimensionuar natyrën  dhe vërtetësinë e emisionit. Unë  jam tërësisht në  kundërshtim  me  pikpamjen e Zotit Edi Rama  që e quajti “kazan” si emisionin por edhe gazetarin  Fevziun . Emisioni nuk mund të them se  ka qenë i përkryer ne cdo puntatë, por  i dobishëm dhe në shumë raste  i domosdoshëm për  teleshikuesit. Ndoshta drejtuesi në disa raste e ka tepruar me ndërhyrjet vend e pa vend, ka lejuar që zhurma dhe personalizimi  ti bëjnë të qortueshme disa puntata të vecanta, por këto nuk e zvoglojnë këtë emission në përvjetorin e njëzetë të tij. Dëshiroj dhe shpresoj se edhe në të ardhmen  (me shume se deri tani) ,emisioni do të ketë integritetin e duhur, pavarsinë nga politika, kërkimin e së vertetës në interes te publikut.

Filed Under: Histori Tagged With: asllan Bushati, Blendi Fevziu, Emisioni Opinion, Safet Zhulali

VDEKJA E LARGET E KRISTINA KOLJAKES

August 22, 2017 by dgreca

1 Ylli Xhaferri 2

Nga YLLI XHAFERRI/

Po bëhen vite që përtej diellit e qiellit të Shqipërisë që i donte e dëshironte aq shumë , përtej oqeanit , në Amerikën e largët , vdiq e para skulptore shqiptare , Kristina Koljaka .

1 Kristina Koljaka

Ne Foto:Kristina Koljaka (4 qershor 1916 – 21 tetor 2005)/

Kjo vdekje kurrësesi nuk mund t’i shkonte asaj , që kishte qenë dyfish e gjallë dhe nënë , që i kishte dhënë gjak e qumësht fëmijëve të barkut të saj , që i kishte dhënë jetë e gjallëri argjilës , gurit e drurit , mermerit e alabastrës , bronxit të tokës amtare , që kishte kallur në zjarr e flakë pasionin e nxënësve për të bukurën e ngrirë që me daltën e tyre gdhendën fytyrën e ashpër të vuajtjes dhe gëzimit njerëzor . E ajo vdiq pa një fjalë shqipe , pa vajin e bashkëqytetarëve kavajas që e donin dhe respektonin si nënë e motër , u përcoll në banesën e fundit pa dorën ledhatare të nxënësve Muntaz Dhrami , Hektor Dule , Fuat Dushku , Arben Basha , Fitim Sula , Musa Qarri , Luan Berhami , etj . Kristina nuk është. Muzat dhe nimfat nuk vallëzojnë më ! Çukitjet e daltës jehojnë anembanë Shqipërisë . Këmbanat për shuarjen e saj në këtë heshtimë dimërore. Krijimet e saj monumentale , kudo që janë , rënkojnë . U tha dora që i ngjizi me dashuri dhe përkushtim . Kristina Koljaka përvijoi një figurë shumëdimensionale , si njeri me përmasat humane na kujton Nënë Terezën , ndërsa si artiste Vera Muhinas , skulptoren ruse me famë botërore. Artistët janë si re të bardha , qëndrojnë për një kohë të gjatë në qiellin e kaltër , duke na mrekulluar me magjinë e artit të tyre , pastaj treten , fjollëzohen në horizonintin e paanë , Si rrathë ajri , si krahë pëllumbi . Mbi qiellin kavajas prej muajsh një gjerdan reshë të bardha vjen nga deti , qarkon si gjerdan perlash kullën e sahatit dhe kodrinën pranë , pastaj si ta shpërndante me dorën mitike “ Hedhësi i farës “ i Konstadin Shpatarakut mbush fushëtirën , lagjet e qeta me një zbardhëllim qumështor . Qefini i munguar , që nuk mundën ta endnin në tezgjah qëndistaret duararta për motrën Kristinë që mori nga emri i tyre , por u dha dhe famë nga vetvetja . Eshtë shpirti i trazuar i artistes elitare që nuk prehet , nuk gjen paqe e qetësi larg horizontit piktorik kavajas . Atë nuk mund ta zërë dot një varr hapur në dhe të huaj , ajo ka plazmuar jetë , si një Evë moderne ruan të drejtën e amësisë në tokën që iu bë djep , por fatëkeqësisht jo varr për amëshim . Kristina kishte një zë impulsiv që kurrë se pranonte lodhjen dhe nuk e humbte asnjëherë shpresën . Përjetoi një tragjedi rrëqethëse , vrasjen e xhaxhait nga cubat e Haxhi Qamilit . Jani Koliaka , ky bashkëkohas dhe moshatar i aktorit të denjë për Hamletin , Aleksandër Moisiut , i shkëputi 2 vajzat e tij nga jeta e mbyllur dhe ferexheja , duke i dërguar në kolegjin “ Marcelline “ në Leçe të Italisë . Dy vitet larg Kavajës mblodhën në shpirtin e ndjeshëm të Kristinës dashuri dhe mall të pafund , si dhe hapësira fushore praën Qerretit , ku ajo humbej me orë të tëra të dëgjonte oshëtimën e dallgëve të detit . Endërrat e vajzës së vogël kalëronin Adriatikun , vraponin zbathur drejtë qytetit që e kishte skalitur në zemër . Me hapjen e kolegjit amerikan në Kavajë Kristina u kthye në vendlindje . Studjoja e saj e parë u bënë kostumet popullore qytetare kavajase që shkëlqenin sikur mbi to të ishte ulur vetë ylberi , dimijat prej mermeri larë në arë e argjend , dëshmi e kulturës dhe sqimës krenare për shpirtin aristokratik , vëllimet dhe format e peizazhit që krijonin një ëmbëlsi mikpritëse , ndërtesat e vogla dhe intime , ngjyrat dhe aromat e larmishme të luleve që amvisat i mbillnin parvazeve të dritareve dhe ballkoneve idilike , ambjentet baritore të Fosës dhe Leshniqes . Ajo nuk mungonte të shkonte pranë mjeshtrave baltëpunes që me duart e arta i jepnin formë dhe frymë argjilës . Para duarve të tonuara nga balta ajo ndjeu magjinë e krijimit . Mungesa e gurit në qytetin rrafshor në mileniumin e tretë frymëzoi bashkëqytetarin e saj , shkrimtarin Halit Shamata , të krijonte purgatorin e papërdorshëm , në romanin e absurdit logjik “ Dy dorëshkrime “ , ku një rremb i gurologut e pusologut të qytetit , vetëdijes historike dhe artistike të qytetit , frymëmonte edhe tek Kristina . Natyra i kishte falur me bollëk qytetit argjilën plastike , zeja e përpunimit të së cilës ishte aftësi e të gjithëve . Kukullat që modelonte Kristina piqeshin në furrat e tavave , shtambave dhe saksive me kujdes prindëror nga të rriturit . Pikërisht ato promovuan së pari artin e saj . Duke parë talentin e së bijës i ati e dërgon në Liceun Artistik të Romës , ku qe nxënëse e piktorit Bataglia .Këtu njihet dhe krijon miqësi me piktorin shkodran Zef Kolombi . Kristina dashurohet me skulpturën , dekoracionin që aq për zemër e kishin bashëqytetarët , nuk mund të harronte ikonat dhe afreskët muralë në Kishën e Shënepremtes , plastikën dhe vëllimet e artit klasik . Ajo përqafon devizën e Moisiut të Madh , “ Unë luftoj me të mirë e me të keqe , me të butë e me përdhunë për veprën , derisa të jetë mbushur me gjakun e me frymën time . Përmendim punimet e vitit 1933 : Nudo , Portret djali , Eros , Shën Gjon Pagëzori i vogël , etj . Më 1934 kthehet në atdhe . Fillon punë si mësuese ne Shkollën “ Nëna Mbretëreshë” në Tiranë . Lidh miqësi me nxënëset e saj Musine Kokalari , Vera Blloshmi dhe Safo Marko . Bëhet për to shembëlltyra që duhej të ndiqnin . Morali i saj ishte në forcën , vërtetësinë e vetes dhe veprës. Duke gdhendur realitetin , duke depërtuar në të , duke i dhënë frymë jetës , ajo 3 ishte shumë e moralëshme , jashtëzakonisht e vërtetë , plotësisht e besueshme . Më 1938 largohet për herë të tretë nga Shqipëria . Ndjek Akademinë e Arteve të Bukura në Romë , në drejtimin e artit klasik . Aty kishte mbaruar studimet para saj Vangjush Mio , Andrea Mana , Ibrahim Kodra . Kel Kodheli , Nexhmedin Zajmi , etj . Krijon galerinë me portretet: Nerina , Nudo ( Punim diplome në allçi ) , Portret i Shipion Afrikanit , etj . Më 1941 kthehet në atdhe . Jeton në Korçë ku dhe martohet . Vitet e vështira të luftës ia kushton rritjes së djalit dhe vetëpërsosjes së artit , nga i cili nuk do të hiqte dorë kurrë pavarësisht haraçit që duhej të paguante . Pas çlirimit vuan trusninë e vijës së masave , kolektivitetit përbuzës . Për të fituar bukën e gojës punon si dizenjatore reklamash për kinematë dhe rrobaqepse private . Përjeton tragjedinë e dytë , masakrimin e të atit më 1947 nga komunistët, inxhinerin Jani Koliaka , poliglotin që zotëronte 12 gjuhë , intelektualin patriot që nuk pranoi të vishte këmishën fashiste , por u përball me internimet e kohës .Përndiqet si pjesa më e madhe e familjeve të mëdha . Jeta e saj qe ferruar nga drizat shoqërore dhe familjare . Një numër i madh njerëzish e përdorin pjesën më të mirë të jetës së tyre për t’ua nxirë jetën të tjerëve . Fytafyt me absurdin e gulagut shqiptar . Forcën e merr si Anteu , sapo prek argjilën dhe mermerin . Më 1960 emrohet pedagoge ne Institutin e Lartë Tre Vjeçar të Arteve Figurative . Eksperienca e saj bëhet shkollë e madhe për brezat e rinj .Me shikim të kadifenjtë , të butë , e dashur , me një vështrim prej nëne , të folur të pastër , shembull saktësie , me këshillat dhe vrejtjet e saj na vriste me pambuk , shprehet me nostalgji për të ish-liceisti , Fitim Sula . Kristina krahas pedagogjisë krijon . Arti i saj fiton përmasa të reja . Ekspozon dhe fiton çmime të ndryshme . Veprat e saj vendosen shesheve dhe parqeve të Shqipërisë . Përmendim : Fidani , Fëmijët dhe pëllumbi , Doktor Shiroka, Balerina. Dora D’Istria , etj . Pasioi i saj titanik për skulpturën nuk mund të shuhej . Me 21 prill 2000 shpallet “ Mirënjohja e Qytetit të Tiranës . Më 19 Janar 2001 Bashkia e Qytetit të Kavajës e shpall “ Qytetar Nderi “ . Tanimë në moshë të thyer dhe shëndet të rrënuar merr si shpërblim mirënjohjen dhe respektin aq shumë të munguar për shpirtin e saj të ndjeshëm . Në vitet 90 vjen largimi i saj i katërt nga Shqipëria . Shkon në Amerikë pranë djalit . Edhe pse nën hijen e “ Statujës së Lirisë “ nuk mund të rrijë gjatë . Mungonte amëza e mëmëdheut . Flisja me fotografitë e skulpturave të mija , sepse skulpturat flasin gjuhën që u jep autori . Kështu 4 mbushja disi boshllëkun që kurrësesi nuk mund të mbushej . Prandaj u ktheva . Mes miqsh shprehet : Të keqen , o diell i Shqipërisë ! Vetëm ai e ngrohte shpirtin e saj akullimë . Në vitet 2000 ikën për të pestën herë nga Shqipëria . Një lajm i zi erdhi nga përtej detit . Pamporr , o dhogë e zezë ! Kristina nuk është më. Ajo duhet të ketë kthim . Në tokën që iu bë djep , duhet të thellohet dhe varri i saj . Kthimi pritet . Në zemrat e të gjithëve ka vend për të , toka që e lindi dhe e rriti do t’ia ruaj edhe hisen e varrit . Dielli i Shqipërisë do ta ngrohë atë . Me domosdo ! Mbi Kavajë nuk do të shpështillet kurrë gjerdani i reve , qefini i saj i munguar . Të prehet shenjëtorja në dheun e vet ! Mos e zgjoni ! Nuri i saj shndrit . La pas kuptimin e jetës dhe vdekjes . Rrëshkiti në heshtje . Arti është i gjatë , jeta është e shkurtër.. .

Filed Under: Histori Tagged With: E KRISTINA KOLJAKES, VDEKJA E LARGET, Ylli Xhaferri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 385
  • 386
  • 387
  • 388
  • 389
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT