• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE

March 18, 2026 by s p

Prof. Dr. Fatmir Terziu/

Në kulturën e kombit, filatelia, arti dhe shkenca e pullës postare kanë dhe një emër adekuat. Pikërisht në këtë fushë shquhet studiuesi dhe koleksionisti i përkushtuar Hysen S. Dizdari, i cili me librin e tij dygjuhësh “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” ka realizuar një punë të rrallë studimore dhe dokumentuese. Ky libër më ka ardhur si dhuratë nga vetë autori, kohë më parë, me një mbishkrim emocional që e bën edhe më të çmuar për mua si lexues dhe studiues. Që në shfletimin e parë kupton se nuk kemi të bëjmë thjesht me një album pullash, por me një dokument të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Libri është një ndër botimet më të veçanta për figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pasi përmbledh dhe analizon të gjithë koleksionin e pullave shqiptare kushtuar Heroit Kombëtar gjatë një periudhe prej 105 vitesh, që nga emetimi i parë në vitin 1913 deri në vitin 2017. Ky fakt e bën librin unik në llojin e vet. Ai lidhet edhe me momentin themelor të historisë së shtetit shqiptar, kur qeveria e patriotit Ismail Qemali emetoi pullën e parë shqiptare.

Që prej asaj kohe, pulla postare nuk ka qenë vetëm një instrument administrativ për qarkullimin e letrave, por edhe një formë e dokumentimit të historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar. Libri i Dizdarit është ndërtuar si një album, por përmbajtja e tij është thellësisht studimore. Në faqet hyrëse gjejmë një zgjedhje mjaft domethënëse: poezinë “Porosi e Skënderbeut për shqiptarët” të poetit kombëtar Naim Frashëri, shkëputur nga vepra e tij për historinë e Skënderbeut. Ky vendosje simbolike nuk është rastësi. Ajo i jep librit një dimension kulturor dhe ideor, duke e lidhur filatelinë me traditën letrare dhe me mesazhin e bashkimit kombëtar, që ka qenë gjithmonë një shqetësim i intelektualëve shqiptarë.

Në vijim, studiuesi Dizdari paraqet me përpikëri çdo emision filatelik që lidhet me figurën e Skënderbeut. Ai nuk mjaftohet vetëm me paraqitjen e pullave, por jep informacion të detajuar për kohën e shtypjes, vlerën monetare, ngjyrat, tirazhin, përdorimin dhe vulat zyrtare që shoqëruan qarkullimin e tyre. Në këtë mënyrë, pulla shndërrohet në një dokument të vërtetë historik, një dëshmi që mban njëkohësisht vulën e shtetit dhe vulën e kohës.

Në disa raste, pullat tregojnë edhe tensionet historike të periudhës. Për shembull, gjatë viteve të trazuara të Luftës së Parë Botërore dhe kryengritjeve të brendshme, shfaqen pulla ku vlera monetare shkruhet në turqisht me termat “Grosh” dhe “Para”. Këto detaje nuk janë thjesht kuriozitete filatelike; ato dëshmojnë për konfliktet politike dhe për përpjekjet e disa lëvizjeve për të penguar shkëputjen përfundimtare nga Perandoria Osmane. Në këtë kuptim, libri i Dizdarit është një laborator i vogël historik, ku çdo pullë flet për një moment të caktuar të historisë shqiptare.

Një nga aspektet më interesante të studimit është evolucioni i paraqitjes artistike të figurës së Skënderbeut në pullat shqiptare. Në disa raste shfaqet portreti i tij klasik, në të tjera armët simbolike, shpata dhe përkrenarja, ose elemente të tjera të identitetit kombëtar, si shqiponja, kalaja, apo monumentet historike.

Edhe periudha e sistemit komunist solli variacione interesante në paraqitjen ikonografike të heroit kombëtar: portreti i tij, monumenti i Krujës, monumenti në qendër të Tiranës, piktura muzeale dhe madje edhe vepra të piktorëve të huaj si Eugène Delacroix. Këto ndërthurje artistike tregojnë se figura e Skënderbeut ka qenë gjithmonë një pikë referimi e identitetit shqiptar, pavarësisht sistemeve politike. Një element i bukur në libër është edhe vëzhgimi i autorit mbi pullat që lidhen indirekt me figurën e Skënderbeut. Për shembull, emisioni filatelik i vitit 2014 kushtuar vizitës së Papa Françesku në Shqipëri, ku në sfond të portretit të Papës shfaqet monumenti i Skënderbeut në sheshin qendror të Tiranës. Kjo është një dëshmi simbolike se figura e heroit kombëtar vazhdon të mbetet një pikë referimi identitare edhe në ngjarje bashkëkohore.

Po aq interesant është edhe emisioni filatelik i vitit 2017, ku disa pulla të bashkuara krijojnë një kompozim të plotë të pikturës “Përballimi”, e ekspozuar në Muzeun e Skënderbeut në Krujë, vepër e piktorit Naxhi Bakalli. Ky detaj dëshmon për një ndërthurje të bukur mes filatelisë dhe arteve pamore.

Një tjetër vlerë e rëndësishme e librit janë kapitujt për literaturën filatelike dhe literaturën shkencore, të cilët përmbledhin burime të shumta studimore. Vetë ky katalogim i literaturës kërkon një punë të gjatë dhe të lodhshme kërkimi, që shpesh është rezultat i viteve të tëra përkushtimi. Kjo tregon seriozitetin dhe këmbënguljen e autorit, i cili për më shumë se një dekadë ka mbledhur, studiuar dhe analizuar çdo dëshmi që lidhet me filatelinë shqiptare për Skënderbeun.

Libri shoqërohet edhe me një parathënie të studiuesit të njohur të filatelisë, Thimi Nika, autor i veprës “Historia e Filatelisë Shqiptare”, i cili që në hyrje thekson se Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, zë një vend të merituar në filatelinë shqiptare. Duke iu referuar rreth 150 pamjeve të pullave që dokumentohen në këtë botim, ai nënvizon seriozitetin dhe përkushtimin institucional që i është kushtuar kësaj figure madhore historike. Sipas tij, autori Hysen S. Dizdari e ndjek kronologjikisht përfaqësimin filatelik të Skënderbeut, duke e paraqitur atë në të gjithë dimensionin e veprës së tij, si strateg, burrë shteti, politikan dhe diplomat. Vëmendje e veçantë i kushtohet emisionit të parë të 1 dhjetorit 1913, një seri prej gjashtë pullash me portretin e Skënderbeut, të realizuara nga piktori çek Heinrich Kautsch, me një tirazh prej 2,875,500 copësh, pjesë e të cilave u mbishtypën në vitet pasuese duke krijuar emisione të reja.

Parathënia ndalet gjithashtu te emisionet e mëvonshme, si ai i vitit 1951 me tri pulla, seria e pasur e vitit përkujtimor të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut me tetë pulla dhe blloqe filatelike, si dhe te temat që lidhen me armët e Heroit, përkrenaren dhe shpatën e ruajtura në muze në Vjenë. Në analizën e tij përmenden edhe emisioni i vitit 1983 “Epoka e Skënderbeut në artet figurative”, seria e vitit 1997 me qasje artistike bashkëkohore dhe kulmi i trajtimit filatelik me emisionin e 28 nëntorit 2005, të bazuar në kryeveprën “Përballimi” të piktorit Naxhi Bakalli, e ekspozuar në muzeun e Skënderbeut në Krujë. Në përmbyllje, Nika vlerëson se fondi i pullave kushtuar Skënderbeut është i pasur, por mbetet ende hapësirë për emisione të reja që do ta pasuronin më tej këtë traditë filatelike shqiptare.

Në thelb, puna e autorit , Hysen Dizdarit është shumë më tepër sesa një pasion koleksionisti. Ajo është një kontribut i mirëfilltë në studimet historike dhe kulturore shqiptare. Përmes një objekti të vogël si pulla postare, ai arrin të rindërtojë një histori të gjatë të kujtesës kombëtare. Mesazhi i autorit është i qartë, historia e Skënderbeut duhet studiuar dhe njohur mirë nga brezi i ri, sepse ajo mbetet një burim frymëzimi për të ruajtur idealet atdhetare. Ky është një apel që shkon përtej filatelisë dhe që i drejtohet institucioneve shkencore, shkollave dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Prandaj, libra si ky nuk janë thjesht botime të bukura për koleksionistët. Ato janë vlera kombëtare, dëshmi të kujtesës historike dhe të përkushtimit të studiuesve që me durim dhe pasion ruajnë fragmentet e identitetit tonë kulturor. Në këtë kuptim, emri i Hysen S. Dizdarit mbetet një shembull i hulumtuesit serioz, që e shndërron filatelinë në histori të gjallë.

Filed Under: Histori

Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll

March 17, 2026 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Hoxhë Hasan Tahsini ka hyrë në historinë e Shqipërisë si profesor i rilindasve shqiptarë dhe projektues i pavarësisë. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm të paktën në dy drejtime, së pari si pjesëmarrës në mbledhjet e ndryshme që u bënë gjatë viteve 1867-1879 në Stamboll për çështjen e gjuhës shqipe dhe të drejtat e kombit shqiptar dhe së dyti, si hartues i një alfabeti të veçantë.

Në një shkrim të botuar në revistën “Minerva” në shtator-tetor 1934, Mehdi Frashëri shkruan se Hasan Tahsini nga pikëpamja e shqiptarizmës mund të konsiderohej si mjeshtri i Sami Frashërit, Ismail Qemalit, Vaso Pashës, Daniel Oparakut e disa të tjerëve të rinj shqiptarë të cilët kishin marrë pjesë me fillimin e lëvizjes kulturore shqiptare në Stamboll.

Për kontributin dhe pikëpamjet e tij hedh dritë edhe një raport i konsullit britanik në Janinë B.Kyrioti drejtuar ambasadorit të tij në Stamboll, H.G.Elliot. Ai bën fjalë për arrestimin dhe dërgimin e Hoxhë Hasan Tahsinit nga Delvina dhe Shqipëria e Jugut ku ai kishte mbërritur për të sensibilizuar popullin për çështjen kombëtare në një kazermë të Janinës. Kjo, sepse nga valiu ai konsiderohej si një person i rrezikshëm.

Që pas Luftës së Krimesë (1853-1856) shteti osman ishte zhytur në borxhe të jashtme dhe de facto kishte marrë fund. Ai mbahej në këmbë nga Fuqitë e Mëdha derisa të binin dakord për mënyrën e ndarjes. Kjo kishte bërë që te patriotët dhe lobi shqiptarë që jetonte në Stamboll të fillonin përpjekjet e para për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohej. Edhe pikëpamjet e Hoxha Hasan Tahsinit për pavarësinë e Shqipërisë duhen parë e lexuar në këtë kontekst.

***

Janinë, 24 prill 1874

Konsullata Britanike në Shqipëri

Kam nderin t’ju deklaroj se guvernatori i përgjithshëm i Janinës, i cili ishte në një udhëtim prej katër javësh në provincën e juridiksionit të tij, në Delvinë ka arrestuar një shqiptar mysliman të quajtur Hasan Tahsin Efendi dhe e ka dërguar, të shoqëruar me një roje të përbërë prej dymbëdhjetë vetash, në Janinë.

Më 17 të këtij muaji, qeveria e mbylli në burgun e një kazerme dhe jo në atë të zakonshmin, ku mbahet krejtësisht i izoluar dhe nuk lejohet as të shihet, as t’i flitet.

Ky njeri është nga një fshat i Filatit dhe më parë jepte mësime të gjuhës turke në Paris për të rinjtë që qeveria osmane kishte dërguar atje për studime. Ai kishte udhëtuar më pas në Itali dhe prej andej kishte ardhur në Shqipëri, ku predikonte për lirinë dhe pavarësinë.

Emrat e atyre që dëgjonin predikimet e tij dhe që do të luftonin për lirinë e vendit janë duke u hetuar nga autoritetet.

Thuhet se disa prej ndjekësve të tij në Shqipëri mund të kenë lidhje edhe në Stamboll.

Këto i kam mësuar nga burime të mirëinformuara.

Kam nderin t’ju shpreh nderimet e mia,

shërbëtori juaj i bindur dhe i përzemërt.

B. Kyrioti

Filed Under: Histori

MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË

March 16, 2026 by s p

Prof. dr. Jusuf Osmani/

Monografia “Shqipëria dhe emigrantët nga Kosova 1920-1939” e prof. dr. Lush Culajt është një arritje shkencore shumë e rëndësishme, rezultat i një pune këmbëngulëse hulumtuese shkencore disavjeçare e autorit. Ajo pasqyron përpjekjet dhe luftën e shtetit shqiptar për trajtimin dhe sistemimin e emigrantëve nga Kosova në Shqipëri në periudhën në mes dy luftërave botërore. Që në fillim të dorëshkrimit, studiuesi Culaj, duke analizuar rrethanat shoqëroro-politike në Shqipëri në prag të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, konkludon me të drejtë se shteti shqiptar pas Luftës së Parë Botërore ka qenë një vend në pritje, një vend që pritej të bëhej, të përcaktohej, dhe të ripranohej nga Evropa si etnitet më vete dhe pjesë e kontinentit.

Mbretëria e Jugosllavisë shpërnguljen e popullatës “josllave” nga e ashtuquajtura “Serbi e Jugut” e trajtonte si interes nacional i tyre. Profesor Culaj analizon pse një pjesë e shqiptarëve të shpërngulur e zgjidhnin pikërisht Shqipërinë? Nga analiza studimore e tij del se qëllimi ishte i qartë. Ata shpirtërisht e shihnin të domosdoshëm mbetjen brenda trojeve amtare. Te popullësia e trevës së Rrafshit të Dukagjinit dhe e Drenicës ndikoi edhe afërsia gjeografike me shtetin shqiptar. Për luftëtarët e rezistencës (lëvizjes kaçake) dhe familjet e tyre zhvendosja drejt Shqipërisë kishte edhe motivin e sigurisë për shkak të ilegalitetit të imponuar. Gjithsesi për elementët më të ndërgjegjësuar, për vendosjen në Shqipëri, ndikonte edhe përpjekja për të mos u shkombëtarizuar. Edhe emigrantë të tjerë të ardhur nga Maqedonia u vendosën me banim pranë kosovarëve.

Duke trajtuar vëndët ku ishin vëndosur emigrantët kushtet dhe rrethanat e vëndosjës Culaj thekson psh. se në fushën e Myzeqesë kishte të vendosur edhe emigrantë çamë, të cilët i ruanin traditat e veçanta të tyre. Profesori konstaton më të drejtë se jo pa qëllim Tafil Boletini ishte caktuar nga Qeveria si njëri ndër njerëzit kryesorë që duhej të merrej me vendosjen dhe trajtimin e emigrantëve. Ai si kosovar duhëj të ishte më afër kosovarëve edhe nga fakti se ua dinte më mirë hallet dhe problemet e tyre. Studiuesi Culaj, analizon edhe pasojat e shpërnguljes së shqiptarëve për shkak të dhunës të cilat i trajton si shumë të rënda dhe me ndikim në periudhat e mëvonshme. Këtë gjë profesori e sheh edhe në aspektin ekonomik ku pakësimi i ndjeshëm i popullsisë shqiptare në Jugosllavi u shoqërua më shkatërrimin e shumë ekonomive bujqësore dhe shumë fshatrave. U goditën rëndë edhe degë tradicionale të rëndësishme të ekonomisë së qyteteve të Kosovës. Megjithatë, thellimi i metejshëm i hendekut të marrëdhënieve ndërnacionale në ato krahina përbënte pasojat më të rënda.

Culaj, konstaton më të drejtë se edhe dokumentet diplomatike jugosllave dëshmojnë për përpjekjen e Ahmet Zogut dhe të Qeverisë Mbretërore edhe për riatdhesimin e emigrantëve nga Turqia në Shqipëri. Përkundër gjendjes të rëndë në Shqipëri emigrantët shqiptarë në Turqi, vazhduan të shtronin kërkesa për vendosjen në Shqipëri. Asokohe një faktor i rëndësishëm që ndikonte në forcimin e bindjes ndër shqiptarët për t’u shpërngulur në Turqi, ishte edhe ndjenja e fanatizmit fetar mysliman dhe ndikimi i fuqishëm i kulturës turke mbi një pjesë të popullit shqiptar. Se si ishte e rregulluar çështja e emigrantëve në Shqipëri më së miri e dëshmon dekretligji mbi vendosjen e emigrantëve, i propozuar nga Kryeministria dhe i aprovuar nga mbreti Zogu, më 2 shtator 1931.

Culaj konstaton gjithashtu që edhe dokumentet arkivore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë në Romë dëshmojnë se diplomacia italiane nuk i qasej pa argumente çështjes së shpërnguljes së shqiptarëve. Ata, në baza mujore e me interes të veçantë, e përcillnin rrjedhën e shpërnguljes të shqiptarëve nga Jugosllavia. Sipas dokumenteve arkivore italiane Qeveria Shqiptare të shpërngulurit i vendoste në viset më pak pjellore e moçalike, ku jeta ishte relativisht e vështirë. Krahas trajtimit qeveritar profesor Culaj parshtron pyetjën se si u trajtuan emigrantët nga vendasit në Shqipëri? Kosovari, siç shkruante gazeta “Besa”, “ishte më i zoti se ç’do bujk”. Myzeqeja nuk i njihte barishtat, zarzavatet dhe disa lloje të perimeve. Madje, vendësit shumë pak mbillnin edhe pemë. Të ardhurit me punën e tyre siguronin ushqim më shumë se vendësit që kishin sipërfaqe më të mëdha toke. Emigrantët vazhduan t’i kultivojnë dhe t’i ruajnë traditat e veta të ushqimit, veshjes, mbathjes, punës shtëpiake dhe atyre të fushë edhe në vendin e ri të vendosjes.

Të ardhurit nga Mbretëria Jugosllave, sado që ishin vendosur larg njëri prej tjetrit, duke pasur ndjenjën e solidaritetit, bamirësisë dhe fqinjësisë së mirë, i dilnin në krah njëri tjetri në çdo nevojë. Me kalimin e kohës afërsia, ndjenja e ndihmës dhe të solidaritetit u përcollën edhe te popullata vendëse. Krahas mbështetjës të shtetit shqiptar professor e vlerëson shumë lartë më të drejtë edhe veprimtarinë e përfaqësive diplomatike shqiptare, veçanërisht në Shkup, kryekonsullata, në Manastir, konsullata, në Beograd, ambasada, në Selanik, konsullata, në Stamboll konsullata etj. Një detyrë e rëndësishme ishte frenimi dhe pengimi i emigrimit të shqiptarëve në Turqi, nëpërmjet vendosjes së kontakteve me shqiptarët e shpërngulur nga territoret shqiptare në Jugosllavi. Ky objektiv iu ngarkua në veçanti Legatës Shqiptare në Ankara dhe asaj në Beograd.

Natyrisht që studiuesi Culaj krahas dokumentacionit arkivor shfrytëzoi dhe analizoi edhe të dhënat e studiuesve të tjerë sa i përket numrit të emigrantëve nga Kosova në Shqipëri. Studiuesi Noel Malcolm thekson se në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore ekzistonte një valë e madhe e shpërnguljes nga Kosova. Ndonëse shifrat e sakta janë çështje diskutabile është e qartë se në Shqipëri u shpërngulën disa mijëra shqiptarë. Sipas studimit të Hamit Kokalarit, me titullin “Kufijt e Shqipnis Ethnike”, në tokën e Shqipërisë së Lirë (në vitin 1939) ndodheshin rreth 25.000 shqiptarë të ardhur nga pjesët e ndryshme të Shqipërisë së robëruar nën Jugosllavi. Sipas studiuesit Marenglen Verli, në Shqipëri ishin të vendosur mbi 20 mijë të shpërngulur nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare në Mbretërinë Jugosllave. Në fakt numri nga 20 mijë në 25 mijë mund të konsiderohet si numri më i përafërt.

Edhe përkundër trajtimit në suaza të mundësive, sipas profesor Culajt, Mbretëria Shqiptare nuk rrinte duarkryq, edhe pse nuk ishte në gjendje të kundërshtonte nga pozita e forcës programin jugosllav mbi shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Jugosllavia. Sa herë që shpërngulja e shqiptarëve po merrte dimensione intensive dhe masive, Qeveria Shqiptare reagonte jo vetëm pranë Qeverisë Jugosllave dhe asaj turke, por edhe pranë qeverive të Fuqive të Mëdha, veçanërisht asaj britanike, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre në favor të ndalimit të keqtrajtimit të shqiptarëve në Jugosllavi dhe kundër fushatës së shpërnguljes së tyre. Më 27 qershor të vitit 1934, ambasadori shqiptar në Beograd, Rauf Fico, e vizitoi të ngarkuarin me punë të Britanisë dhe në emrin personal të mbretit Zogu I e falënderoi për angazhimet e tij në të mirë të shqiptarëve.

Studiuesi, Culaj konstaton mbështetur në të dhëna të nduarnduarshme se angazhimet e Qeverisë Shqiptare në parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve vazhduan edhe në vitin 1939. Në mars të vitit 1939, Qeverisë Shqiptare u përpoq të përfitonte nga dobësimi i qeverisë së Cvetkoviqit për t’i dhënë fund me anë të një ligji marrjes së tokave dhe shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi duke anuluar Konventën e Stambollit. Mbretit Zogu I udhëzonte që të krijohej një komitet shqiptar, në krye me Ferhat Dragën, veprimtaria e të cilit do të drejtohet nga Legata Shqiptare në Beograd.

Profesor Culaj vjen në konkludim që përkundër vullnetit të qeverisë shqiptare, realiteti dhe mundësitë financiare të Shqipërisë për një sistemim dhe trajtim më të mirë të emigrantëve, ishin më se dëshpëruese. Këtë e pasqyron shumë mirë dokumentacioni i organeve për emigracion dhe lutjet e nëpunësve lokalë lidhur më nevojat themelore të këtij emigracioni. Madje Tafil Boletini, në cilësinë e nënprefektit të Prefekturës të Lushnjës dhe të kryetarit të Komisionit për emigracion në ketë prefekturë, kishte frikë se në mesin e emigrantëve mund të kishte edhe të vdekur nga zija e bukës.

Me qëllim që lënda të dalë sa më e sistematizuar, profesor Culaj punimin e ka ndarë në gjashtë kapituj. Punimi përmban disa pikëvështrime të krizës, që e shoqëron problemin e emigrantëve në Shqipëri në vitët 1920-1939 dhe përpjekjet qeveritare për trajtimin sa më të mirë të mundshëm të tyre. Dorëshkrimi është i mbështetur kryesisht në burime arkivore, dokumente vendase e të huaja të botuara e të pabotuara. Përparësi u është dhënë dokumenteve shqiptare, sepse edhe tema në shqyrtim trajton çështjen shqiptare në raport me viset shqiptare në Jugosllavi. Për temën në fjalë në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në Arkivin Qendror të Shtetëror Culaj ka shfrytëzuar një mori fondesh, të cilat janë të pasura me dokumente. Ato kanë qenë material bazë për t’i ndriçuar aspektet kryesore të qëndrimeve të shtetit shqiptar ndaj emigrantëve kosovar. Këtu përfshihen dokumentet e institucioneve të larta zyrtare, ato diplomatike, si dhe letrat, raportet, telegramet e njoftimet e rastit të personave të ndryshëm.

Gjithsesi se studiuesi Culaj, nuk ka anashkaluar as materiale në përmbledhje dokumentesh arkivore të botuara. Si dhe revista të shumta historike si dhe një literaturë të gjerë në gjuhë të ndryshme. Profesor Culaj ka shfrytëzuar edhe kujtimet e ndryshme të personaliteteve politike dhe të atdhetarëve, të cilët kanë qenë protagonistë ngjarjesh, ose dëshmitarë të tyre si dhe të vet familjarëve të shpërngulur. Edhe shtypi e periodiku i kohës, si shtypi shqiptar ashtu edhe ai i huaj, më ka shërbyer si burim i rëndësishëm informacioni.

Kësaj i shtohet fakti që Culaj ka gati mbi tri dekada përvojë të pasur në fushën e studimeve dhe hyn në mesin e historianëve më të mirë, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë arealin shqiptar. Në rrjedhën e studimit duket çartë se autori ka jo vetëm një përgatitje të mirë teorike, por edhe një mjeshtëri të spikatur shkencore. Libri është mjaft voluminoz, ka 580 faqe dhe është shkruar me një stil të qartë dhe të rrjedhshëm. Monografia shoqërohet me përfundimet e nxjerra nga autori në gjuhën shqipe dhe angleze, burimet arkivore shterruese të botuara dhe të pa botuara, si dhe literaturën e pasur historiografike. Nga analiza e hollësishme e përmbajtjes dhe pasqyrimi i aparaturës shkencore mund të përfundohet se monografia “Shqipëria dhe emigrantët nga Kosova 1920-1939” shënon një arritje të rëndësishme në historiografinë shqiptare.

Filed Under: Histori

Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA

March 15, 2026 by s p

Kur ministri i jashtëm Muhamet Kapllani firmosi në Washington pas 52 vitesh të ngrirë.

Nga ROLAND QAFOKU

Është firmë e artë ajo që ndihmëssekretari i shtetit për Europën dhe Kanadanë, Raymond Seitz, hodhi më 15 mars 1991 në memorandumin për palën amerikane, i cili është njëkohësisht edhe dokumenti zyrtar i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Ndërsa Seitz ishte udhëzuar nga shefi i tij, James Baker, miratimin nga pala shqiptare e kishte Fatos Nano, në atë kohë vërtet pasardhës i kryeministrit komunist Adil Çarçani, por i moderuar dhe i predispozuar për të bërë ndryshime, një prej të cilave ishte vendosja e marrëdhënieve me SHBA-në. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 76.

Nano ka meritën jo vetëm që urdhëroi dhe udhëzoi përgatitjen sa më të shpejtë të dokumentacionit, por edhe për faktin që edhe pse pala amerikane kishte propozuar që Shqipëria të përfaqësohej me zëvendësministrin e Jashtëm, Nano e ngriti nivelin e përfaqësimit të Shqipërisë duke dërguar me urgjencë për në SHBA ministrin Muhamet Kapllani. Ai u nis nga Tirana më 12 mars dhe gjithçka u realizua më 15 mars. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 106)

Të premten e 15 marsit në sallën e traktateve të Departamentit të Shtetit, fiks në orën 11.00 me orën e Washington-it dhe 17.00 me orën e Shqipërisë, përbri njëri-tjetrit gjendeshin Muhamet Kapllani i Shqipërisë dhe Raymond Seitz i SHBA-së. Kapllani ishte ministri i parë i Jashtëm që shkelte në Departamentin e Shtetit dhe Seitz diplomati i parë amerikan që po riaktivizonte një dokument të pluhurosur e të futur në sirtarët e mbyllur për shumë dekada. Me pesë nene në katër faqe, ata që e kishin përgatitur ishin kujdesur deri në detaje. Letra e memorandumit origjinal ishte e trashë dhe jo e zakonshme dhe çdo fletë ishte stolisur me dy vija të kuqe anash. Në kokën e memorandumit shkruhej me germa kapitale:

MEMORANDUM MIRËKUPTIMI MIDIS QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS LIDHUR ME RIVENDOSJEN E MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 138-141)

Përveç fjalës “socialiste”, ajo që stonoi ishte edhe fakti se në të gjithë tekstin shqip mungonte shkronja “ë”. Por ç’rëndësi kishin këto? Dy vajza asistente u dhanë nga një stilograf në duar dhe ky ishte momenti i bekuar kur dy firma të rënda, ajo e Muhamet Kapllanit dhe Raymond Seitz, u hodhën në një dokument në dy kopje. Memorandumi u firmos në anën e majtë nga Muhamet Kapllani dhe në anën e djathtë nga Raymond Seitz, duke lënë një nga gjurmët më të rëndësishme në historikun e dy vendeve. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 134, 135, 136).

Ishin momente kur të dy diplomatët po shkruanin historinë. E ndërsa Seitz ishte pa shumë emocione dhe shumë i sigurt në atë që po bënte, Muhamet Kapllanit po i ndodhin gjëra që vetëm pak muaj më parë ishin në kufijtë e pabesueshmërisë. Me peshën e ministrit të parë të Jashtëm në historinë e shtetit shqiptar që ndodhej brenda kancelarisë së SHBA-së, ai vërtet ndihej mirë, por në këtë atmosferë kishte edhe hutim. Një pjesë të emocioneve po ia hiqnin ata shqiptarë të SHBA-së që kishin mbushur sallën. As i njihte e as i kishte parë më parë, por e kuptonte se ishin pjesë e ndarë e një kombi. Për 52 vjet mes Shqipërisë dhe SHBA-së kishin ndodhur shumë ngjarje, përveç njërës, nuk ishin shkëmbyer as marrëdhënie e as ambasadorë.

Me një fjalim prej 668 fjalësh të përdorura në afro 5 minuta, Raymond Seitz elektrizoi të gjithë ata që ishin prezentë. Fjalët e para që nxori nga goja ishin plot emocion dhe të shoqëruara me duartrokitje:

“Sot, pas një periudhe prej 52 vjetësh, SHBA-ja dhe Shqipëria po vendosin marrëdhënie diplomatike me shpresën për të ndërtuar lidhje miqësore dhe të frytshme mes dy popujve tanë.” (AMPJ, Korrespodenca e informacione mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 92-95)

Ndonëse kishin kaluar 45 vjet nga largimi i misionit amerikan nga toka shqiptare, Seitz e vijoi punën aty ku e kishin lënë paraardhësit e tij, teksa tha:

“Marrëdhëniet midis dy vendeve tona e kanë fillimin në agimin e këtij shekulli kur presidenti Woodrow Wilson i dha shtetit të ri shqiptar përkrahjen e Amerikës. Kjo lidhje nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare, disa prej të cilëve janë sot në këtë dhomë, e të cilët ishin në kontakt me Atdheun gjatë gjithë këtyre viteve…” (Shkreli Frank, Një ngjarje në historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare që shpesh anashkalohet, gazeta “Telegraf ”, 4 tetor 2021)

Në fund, Seitz falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për atë moment, por në mënyrë të veçantë shqiptarët e Amerikës që sipas tij kishin dhënë aq shumë. Mes tyre në atë sallë ishte edhe Frank Shkreli, një shqiptar-amerikan i njohur si gazetar dhe në ato momente zëvendësdrejtor i Euroazisë në radion “Zëri i Amerikës”. Për Shkrelin janë të papërshkrueshme atmosfera dhe emocionet e këtij momenti dhe është e rrallë që edhe pse kanë kaluar 30 vjet ai mban mend fjalë për fjalë fjalimin e ndihmëssekretarit Seitz.

(Shkreli Frank, publicist, gazetar, ish-drejtor i VOA, dëshmitar i nënshkrimit në Uashington të memorandumit të riven-dosjes së marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Intervistë e dhënë posaçërisht për këtë libër për autorin, 15 tetor 2021)

Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Muhamet Kapllani, foli me jo pak emocion. Me një anglishte të rrjedhshme, ministri i parë i Jashtëm pas rrëzimit të komunizmit foli me ato fjalë që ia kishte dashur zemra t’i thoshte edhe vite më parë, por që nuk e kishte të mundur. Përdori 325 fjalë në dy minuta dhe e cilësoi privilegj dhe nder që qeveria i kishte ngarkuar të nënshkruante këtë dokument që sipas tij ishte historik. Kapllani la një përshtypje tepër pozitive teksa mes fjalëve tha:

“Po mbushim një boshllëk që është ndier për shumë kohë midis nesh. Ne po krijojmë kushte të favorshme për të plotësuar kohën e humbur. Ky nuk është thjesht një moment simbolik i hedhjes së një firme në një dokument. Ai është një çast vendimtar në rrugën e marrëdhënieve tona.”(Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diploma-tike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 92-94)

Ndërsa në Ministrinë e Jashtme në Tiranë radiogrami për gjithçka që ndodhi në Uashington mbërriti në orën 19.30, me orën e Shqipërisë. Në lajmet e orës 20.00 të Radio-Televizionit Shqiptar lajmi u dha si një njoftim kryesor. Spikeri lexoi thatë të pashoqëruar me pamje atë që kishte ndodhur tri orë më parë matanë Oqeanit Atlantik: Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me SHBA-në. Në Tiranën dhe Shqipërinë e tallazuar me zhvillime ritmike ky lajm u prit si me entuziazëm. I vetmi problem që e ulte dozën e entuziazmit ishte ironia se marrëdhëniet me SHBA-në po i rivendosnin komunistët, po ata që nuk kishin dashur për 45 vjet.

Lajmi, në fakt, në SHBA ishte përhapur që ditë përpara hedhjes së firmës dhe dashamirësit u dukën që ato ditë. 24 orë përpara nënshkrimit, një nga pinjollët e dinastisë Kennedy ishte i pari që përshëndeti këtë akt, edhe pse ende nuk ishte bërë zyrtar. Biznesmeni Michael Kennedy, djali Bob Kennedy, ish-Prokurorit të Përgjithshëm dhe vëllait të presidenti Kennedy, i dërgoi një telegram Ramiz Alisë për vendosjen e marrëdhënieve.

Pas firmës së rëndë të rivendosjes së marrëdhënieve puna e dytë ishte dërgimi në Shqipëri i diplomatëve të parë që ishin edhe përfaqësuesit e parë amerikanë në vendin tonë. Seitz nuk humbi kohë dhe njëkohësisht me vendosjen e marrëdhënieve nxori urdhrin për emërimin e përfaqësuesit të parë diplomatik amerikan që do të vinte në Shqipëri. Dhe këtë e bëri të ditur gjatë momentit të nënshkrimit të marrëdhënieve, teksa tha:

“Ne synojmë që SHBA-ja të dërgojë një delegacion në Shqipëri në një të ardhme të afërt për të zgjeruar kontaktet me qeverinë shqiptare për fillimin e përgatitjeve dhe për vendosjen e misionit diplomatik.” (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 96-98).

Pas 31 vjetësh, Frank Shkreli riprodhon me shumë pak ndryshim ato që Seitz tha në sallën e memorandumeve dhe ajo që ai e perifrazon ka shumë pak ndryshim me tekstin origjinal që ndodhet në arkivin e Ministrisë së Jashtme. Kujton Shkreli:

“Ne kemi në plan që brenda një kohe të shkurtër të dërgojmë një delegacion në Shqipëri për të zgjeruar kontaktet me qeverinë dhe popullin shqiptar, si edhe për të filluar përgatitjet për hapjen e misionit diplomatik…”. (Shkreli Frank, publicist, gazetar, ish-drejtor i VOA, dëshmitar i nënshkrimit në Uashington të memorandumit të riven-dosjes së marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Intervistë e dhënë posaçërisht për këtë libër për autorin, 15 tetor 2021)

(Pjesë nga libri “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022”, Onufri 2022)

Filed Under: Histori

Arnautët e Damaskut zotohen për riaktivizimin e Shoqërisë së parë shqiptare të themeluar më 1947

March 9, 2026 by s p

Prof. Muhamed Mufaku/

Në Damask, si në shumë qytete në Lindjen e Mesme, mbahen gjatë muajit Ramazan iftare me karakter familjar të gjerë ose shoqëror, që mbledhin një familje të madhe ose një komunitet, ku shtrohen atje muhabete të ndryshme që kanë të bëjnë me preokupimet e ndryshme, e sidomos tani gjatë luftës së re në Lindjen e Mesme, ku raketat iraniane gati kalojnë për ditë mbi Damaskun për në Izrael.

Mirëpo, iftari kësaj here ishte më ndryshe se iftari i 2025 si nga numri i të pranishmëve ashtu edhe nga temat që u shtruan. Iftari në 2025 u mbajt vetëm disa muaj pas rrëzimit të diktaturës së familjes Asad që sundoi gjatë 1970–2024, pra kur vendi sa kishte dalë prej një lufte shkatërruese që i shtyu miliona të ikin jashtë Sirisë. Tani, pasi që regjimi i ri u stabilizua duke marrë përkrahje të mirë ndërarabe (e sidomos nga Arabia Saudite) dhe ndërkombëtare (sidomos nga SHBA dhe presidenti Trump personalisht), e duke hapur rrugën për shpresa të reja në jetën politiko-ekonomike dhe shoqërore, iftari që u mbajt më 5.3.2026 tregoi disa shenja të reja për atë ç’ndryshoi në Siri.

Iftari, si vjet, me nja 90 arnautë, u mbajt në një restorant të madh në qendër të Damaskut shumëmilionësh. Kjo vetvetiu tregon shumë. Në kohën kur u formua Shoqëria e parë shqiptare në Damask (1947) kryeqyteti nuk kishte më shumë se 250 mijë banorë dhe ishte lehtë të kalohej nëpër lagje të Damaskut në këmbë ose në tramvaj midis lagjeve ku banonin shumica e shqiptarëve në veri të Damaskut. Mirëpo, më vonë Damasku u shtri në katër anët nëpër fusha e male dhe shqiptarët u shpërndanë në shumë lagje prej viteve 60 të shek. XX.

Nga ana tjetër, me vendosjen e regjimit njëpartiak më 1963 e më pastaj të sundimit të dinastisë Asad gjatë 1970–2024, liritë politike dhe shoqërore u kufizuan dhe u përqendruan në shërbim të pushtetit, kështu që shqiptarët që janë afër 10 mijë në Siri pësuan më shumë sepse nuk kishin ndonjë të veten në pushtet. Më 1974 u hap një dritare e një shprese të madhe me fillimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi e Kulturë Shqiptare për të Huaj (SNGJLKSH) në Prishtinë, sepse prej 1975 shkonin atje arnautët e Damaskut për ndonjë paraqitje ose për kurset e gjuhës shqipe. Ky kanal ishte edhe organ frymëzimi pasi që i lidhte shqiptarët e Sirisë, që janë me shumicë prej Kosove, me trungun kombëtar. Mirëpo, nga 2008 u mbyll ky kanal për shkak të ashpërsimit të sistemit të vizave për sirianët, deri kur me një përpjekje maksimale e me një mirëkuptim të MPJ u hap përsëri më 2024 për një kategori të kufizuar.

Në këtë iftar të madh morën pjesë përfaqësues të gjitha shtresave dhe gjeneratave të shqiptarëve të Damaskut: klerikë, intelektualë, biznesmenë, ushtarakë, punëtorë, studentë, pleq e të rinj. Iftarin e hapi solemnisht gjenerali i ushtrisë siriane Andyl Jashari, me origjinë prej Kosove, i cili mbajti edhe një fjalë përshëndetëse. Në fund të iftarit u mbajtën tri fjalime. Fjalimin e parë e mbajti kleriku Abdylkader Numani, imam i një xhamie në jug të Damaskut, përndryshe me origjinë nga Kosova, që e theksoi rëndësinë e këtij takimi që i mblodhi kaq shqiptarë për herë të parë prej 1947, sa që shumë prej tyre u njohën mes veti në këtë rast. Për këtë ai theksoi edhe rëndësinë e gjuhës shqipe që po asimilohej.

Fjalën e dytë e mbajti autori i këtij teksti që e lidhi rëndësinë e mësimit të gjuhës me riaktivizimin e Shoqërisë shqiptare të themeluar më 1947 dhe të pasivizuar më 1949, përkatësisht me grushtetin e parë ushtarak në Siri, pasi që me rrëzimin e diktaturës më 8.12.2024 nuk ka më pengesa as politike as ligjore. Në këtë drejtim u theksua edhe njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Sirisë, që pritet të kurorëzohet me marrëveshje për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e një ambasade ose konsullate në Damask, që do të kishte një domethënie të madhe për arnautët e Sirisë. Në fjalën e fundit, gjenerali Jashari e përkrahu idenë për riaktivizimin e Shoqërisë shqiptare dhe u zotua se pas Bajramit të fillojë sendërtimi i iniciativës për riaktivizimin e Shoqërisë.

Ky iftar që mori këtë drejtim dhe u kurorëzua me zotimin për riaktivizimin e Shoqërisë shqiptare në Damask ka kontekstin e vet më 2026, sikurse ai më 1947 kur u themelua kjo shoqëri. Viti 1947 karakterizohet në Sirinë e dalë prej Luftës II Botërore me një skamje të madhe që përfshinte shqiptarët që me shumicë erdhën dhe u vendosën në Damask midis dy luftërave botërore. Po në atë kohë (1947–1948) erdhën edhe emigrantët politikë nga Kosova e Shqipëria si dhe u vërshuan refugjatët palestinezë sa që qeveria siriane nuk ishte më në gjendje të ofronte më ndihmë për refugjatët. Kjo skamje ishte ajo që e shtyri parinë shqiptare të mblidhej e të formonte Shoqërinë mirëbërëse shqiptare, që kishte për qëllim urgjent ndihmën për nevojtarët.

Ky kontekst del tani edhe më i prekshëm. Pas një lufte të vazhdueshme 15 vjet dhe shkatërrimit deri në themel të një lagjeje shqiptare në jug të Damaskut, shumë shqiptarë mbetën pa strehim e punë. Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare 90% e sirianëve jetojnë në varfëri, që përfshin edhe shqiptarët. Por në të njëjtën kohë kemi tani edhe biznesmenë shqiptarë që janë në gjendje të ofrojnë ndihmë. Njëri prej tyre është edhe Kenan Hixhazi, i cili ishte kosponsor i këtij iftari të madh, po i cili ofroi shumë paketime me ushqim që i prodhon fabrika e tij New Park.

Në këtë kontekst, pjesëmarrësit në këtë iftar dolën me një shpresë të re për ditë më të mira, sepse u përmend se Shoqëria e re shqiptare nuk do të japë vetëm ndihma për nevojtarët por edhe libra dhe kurse të gjuhës shqipe për ata që shprehën interesim ta mësojnë gjuhën shqipe.

Legjenda: Gjeneral Andyl Jashari, i dyti nga e majta, midis arnautëve në iftar.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 708
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT