• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si Italia sulmonte “Vatrën”: Bostoni që trembte Romën

July 27, 2026 by s p

Të gjitha grupimet shqiptare, pavarësisht konflikteve ndërmjet tyre, mbeteshin të palëkundura: “Për Italinë, në veçanti, tregoheshin të papajtueshëm në çështjen e Vlorës.”

Nga Rafael Floqi

Në vitet 1918–1920, për Italinë, “Vatra” nuk ishte thjesht një shoqatë emigrantësh shqiptarë në Boston. Ajo ishte një qeveri shqiptare pa territor, por me gazetë, diplomatë, financime dhe, mbi të gjitha, me hyrje në politikën amerikane. Pikërisht për këtë arsye Roma e ndiqte me vëmendje veprimtarinë e saj.

Dokumentet e botuara nga Ministria e Jashtme italiane provojnë se diplomacia italiane mblidhte të dhëna për drejtuesit e “Vatrës”, analizonte të kaluarën e tyre politike dhe përpiqej të ndikonte se cilët shqiptarë duhej të përfaqësonin Shqipërinë në Konferencën e Paqes.

Dokumentet italiane zbulojnë vëzhgimin e diasporës shqiptare nga Italia, lidhjet e saj me Washingtonin dhe betejën për shpëtimin e Shqipërisë. Ne librin e botuar me 1921 ‘Çështja e Adriatikut e parë që përtej Atlantikut”, me autor Nicola Zanichelli dalin fakte sesi Italia e mbikëqyrte veprimtarinë e Vatrës.”

Në vitet 1917–1920, Federata Panshqiptare “Vatra” u shndërrua në një nga pengesat më serioze ndaj planeve italiane për kontrollin e Vlorës dhe vendosjen e Shqipërisë nën ndikimin e Romës. Përplasja nuk ishte thjesht një luftë propagandistike ndërmjet një organizate emigrantësh dhe një Fuqie të Madhe. Në qendër të saj qëndronin kontrolli i Adriatikut, Traktati i Fshehtë i Londrës dhe mbijetesa politike e shtetit shqiptar.

Një dokument italian i kohës, në kapitullin “Marrëdhëniet tona me shqiptarët e Amerikës”, na lejon ta shohim këtë konflikt nga këndvështrimi i vetë palës italiane. Teksti është i mbushur me paragjykime dhe cilësime fyese ndaj shqiptarëve, Fan Nolit dhe Vatrës. Por pikërisht nervozizmi i autorit zbulon rëndësinë që Italia i kushtonte veprimtarisë së diasporës shqiptare.

Italianët numëronin anëtarët e Vatrës, ndiqnin zgjedhjet e saj, lexonin “Diellin”, regjistronin votat për memorandumet, raportonin takimet e Nolit, analizonin lidhjet me Crane, Williams, House dhe senatorët amerikanë.

Ky nuk ishte interes i zakonshëm diplomatik. Ishte mbikëqyrja e një kundërshtari politik.

Dokumenti dëshmon se Roma ndiqte me vëmendje mbledhjet, zgjedhjet, memorandumet, telegramet, konfliktet e brendshme dhe lidhjet amerikane të Vatrës. Edhe pse autori përpiqet ta zhvlerësojë veprimtarinë shqiptare, ai pranon pa dashje se diaspora kishte ndërtuar një rrjet të jashtëzakonshëm politik dhe informativ.

Njëqind mijë shqiptarë që bllokuan diplomacinë italiane

Sipas vlerësimit të burimit italian, në Shtetet e Bashkuara jetonin rreth njëqind mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe ishte vendosur në New England, por komunitete shqiptare kishte edhe në Michigan, Ohio, Missouri, Indiana, Montana, California dhe Washington.

Autori italian i përshkruante kolonitë shqiptare si: “Ishuj të vegjël etnikë në detin e gjerë të qyteteve amerikane.”

Megjithëse përdor një ton përçmues, ai pranonte se shqiptarët e Amerikës kishin zhvilluar një vetëdije të jashtëzakonshme politike. Sipas tij, ata ishin, pa përjashtim: “Kafshë politike të mirëfillta, edhe kur konkretisht ishin analfabetë.”

Pas këtij formulimi fyes fshihej një pranim i rëndësishëm: emigrantët shqiptarë, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike apo arsimimit, ndiqnin me pasion çështjen kombëtare. Ata dhuronin para, mbanin mbledhje, botonin gazeta, dërgonin telegrame dhe krijonin lidhje me politikanë amerikanë.

Burimi italian vëren me habi se: “Çdo shqiptar, sado i varfër, gjen gjithmonë një dollar për ta dhënë për një qëllim politik.”

Kjo aftësi për të mbledhur fonde dhe për t’i shërbyer çështjes shqiptare e bënte diasporën një faktor politik. Italia nuk po përballej vetëm me një numër të vogël intelektualësh, por me një komunitet të mobilizuar që mund të ushtronte ndikim në Shtetet e Bashkuara.

Rrjeti shqiptar i informacionit

Autoritetet italiane ishin veçanërisht të shqetësuara nga shpejtësia me të cilën shqiptarët shkëmbenin informacion. Dokumenti pranon se kolonitë shqiptare kishin:

“Një shërbim të habitshëm informacioni.”

Më tej, autori e përshkruante këtë si: “Një shqisë të gjashtë, pothuajse si ajo e milingonave, për t’i komunikuar njëra-tjetrës lajmet, për t’u mbledhur në kuvende dhe për të udhëtuar për qëllime politike.”

Ky përshkrim tregon se Italia e ndiqte diasporën shqiptare si një rrjet politik ndërkombëtar. Shqiptarët në Boston, Worcester, New Bedford, Cleveland apo Michigan ishin në kontakt me bashkatdhetarët në Londër, Paris, Bernë, Zyrih, Vjenë, Sofje dhe Shqipëri.

Dokumenti italian shprehte habinë se si: “New Bedfordi, Portlandi ose cilido qytet i vogël i Indianës apo Ohios dinte se çfarë bënin shqiptarët e tjerë në Londër dhe në Paris.”

Këto lidhje e bënin të vështirë që planet për copëtimin e Shqipërisë të mbeteshin të fshehta. Informacioni për marrëveshjet diplomatike, lëvizjet e delegacioneve dhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha qarkullonte shpejt ndërmjet diasporës dhe atdheut.

Sipas dokumentit: “Çdo komitet i vogël dhe çdo gazetushkë lëshonte memorandume, hartonte projekte dhe dërgonte telegrame e kabllograme.”

Telegramet u drejtoheshin ambasadorëve, senatorëve, personaliteteve me ndikim, kryetarëve të shteteve dhe Fuqive ndërluftuese. Me fjalë të tjera, emigrantët shqiptarë kishin ngritur një diplomaci paralele në një kohë kur shteti shqiptar nuk kishte përfaqësim të fuqishëm.

Përse Vlora ishte zemra e konfliktit

Për Italinë, Vlora ishte çelësi strategjik i Adriatikut. Gjiri i Vlorës, Sazani dhe Karaburuni kontrollonin Ngushticën e Otrantos, hyrjen nga Mesdheu në Adriatik.

Traktati i Fshehtë i Londrës, i nënshkruar më 26 prill 1915, i premtonte Italisë Vlorën, Sazanin dhe territore përreth. Shqipëria e mbetur do të kthehej në një shtet të dobët, të varur nga Roma dhe të rrethuar nga fqinjët që kërkonin territoret e saj.

Për Vatrën, Vlora nuk ishte vetëm një port ose bazë detare. Ishte qyteti ku ishte shpallur Pavarësia më 28 nëntor 1912. Humbja e saj do ta zhvlerësonte aktin themelues të shtetit shqiptar.

Burimi italian e pranonte se çështja e Vlorës i jepte Vatrës dhe Nolit një argument të fuqishëm patriotik. Ai e quante atë:

“Çështja e përhershme dhe e debatuar e Vlorës.”

Madje, autori detyrohej të pranonte se të gjitha grupimet shqiptare, pavarësisht konflikteve ndërmjet tyre, mbeteshin të palëkundura: “Për Italinë, në veçanti, tregoheshin të papajtueshëm në çështjen e Vlorës.”

Në një pjesë tjetër ai pohonte: “Është e drejtë të kujtohet se ata e ruajtën gjithmonë, pa ndryshim, rezerva pёr Vlorën dhe qëndruan konsekuentë deri në fund.”

Ky është ndoshta pranimi më i rëndësishëm i dokumentit. Italia mund t’i shfrytëzonte përçarjet ndërmjet Vatrës dhe Partisë Kombëtare Shqiptare, por nuk mund t’i bindte shqiptarët të hiqnin dorë nga Vlora.

Si e ndiqte Italia Vatrën

Dokumenti dëshmon se përfaqësuesit italianë ndiqnin thuajse çdo veprim të Vatrës: mbledhjet, zgjedhjet, memorandumet, diskutimet e brendshme, përplasjet me grupet kundërshtare dhe lidhjet me politikanët amerikanë.

Në korrik 1918, Vatra zhvilloi zgjedhjet për drejtimin e saj. Burimi italian jep hollësi jo vetëm për rezultatin, por edhe për mbledhjet e komisioneve të financave, shtypit, marrëdhënieve politike dhe korrespondencës.

Arbëreshi që ndihmoi në përgjimin e “Vatrës” ishte Giorgio La Piana (Gjergj La Piana), studiues dhe klerik arbëresh, i cili më vonë u bë profesor në Harvard Divinity School.

Sipas materialeve të nxjerra nga arkivat amerikane, gjatë hetimit të vitit 1918 autoritetet amerikane vendosën aparate dëgjimi:

në zyrat e “Vatrës”;

në dyqanin e Kristo Kirkës;

pranë mjediseve të Fan Nolit.

Meqë agjentët amerikanë nuk kuptonin shqip, ata kërkuan përkthyes. Giorgio La Piana ndihmoi në dëgjimin dhe përkthimin e bisedave të regjistruara në shqip. Krahas tij u përdorën edhe aktivisti greko-shqiptar Liolion dhe motrat Qiriazi.

Pra, La Piana nuk ishte agjent zyrtar i shërbimit sekret italian. Më saktë, ai ishte arbëreshi që bashkëpunoi me autoritetet amerikane në mbikëqyrjen e “Vatrës” dhe Fan Nolit. Hetimi ishte nxitur nga akuzat e qarqeve greke dhe italiane se “Vatra” financohej nga Austro-Hungaria—akuzë që synonte ta paraqiste organizatën si të lidhur me një shtet armik të SHBA-së.

Ai dinte madje çfarë dokumentesh ishin diskutuar me dyer të mbyllura. Një prej tyre ishte memorandumi kundër Italisë, i përgatitur me nismën e Fan Nolit dhe me bashkëpunimin e sekretarit Loni Kristo.

Dokumenti italian shkruante: “Ndër letrat dhe komunikimet e diskutuara ishte një memorandum i paraqitur Wilsonit kundër Italisë, me nismën e Nolit.”

Burimi ndiqte edhe polemikat rreth mënyrës se si ishte miratuar memorandumi, numrin e nënshkrimeve dhe votat kundër. Sipas tij, dokumenti mori më pak se dyzet nënshkrime dhe dymbëdhjetë vota kundër nga gjashtëdhjetë votues.

Informacionet italiane shkonin edhe më tej. Autori pohonte se Noli, i kritikuar për veprimin e tij, kishte thënë se ishte këshilluar nga: “Njerëz më të mëdhenj se ai.”

Pastaj paraqiten hamendësime për rolin e George Fred Williamsit, profesorit Monroe, George Herronit dhe kolonelit Edward House. Autori pretendonte se Williamsi mund të kishte qenë këshilltari ose hartuesi i memorandumit, ndërsa profesor Monroe mund ta kishte kërkuar dokumentin për t’ia paraqitur kolonelit House.

Edhe kur këto pohime nuk shoqërohen me prova përfundimtare, ato tregojnë se qarqet italiane kërkonin të zbulonin rrugën që ndiqnin memorandumet shqiptare deri në Shtëpinë e Bardhë.

Noli, Vatra dhe Charles R. Crane

Vatra ishte njohur ligjërisht në Shtetet e Bashkuara si Federata Panshqiptare. Megjithëse kishte rreth pesëqind anëtarë formalë, dokumenti italian pranonte se ajo ishte: “Shumë më e fuqishme nga sa mund të mendohej duke parë numrin e vogël të anëtarëve.”

President nderi i saj ishte Charles R. Crane nga Chicago, një personalitet amerikan me lidhje të gjera politike, diplomatike dhe arsimore. Crane kishte shërbyer në Kinë, ishte dërguar në Rusi në emër të presidentit Wilson më 1917 dhe ishte prej kohësh anëtar i bordit të Robert College në Kostandinopojë.

Për diplomacinë italiane, lidhja e Vatrës me Crane ishte alarmuese. Ajo tregonte se çështja shqiptare mund të arrinte në nivelet e larta të politikës amerikane. I biri i tij Charles Crane punonte ne administratën e Presidentit Wilson.

Një figurë tjetër e rëndësishme ishte George Fred Williams, ish-ministër amerikan në Greqi, i njohur për mbrojtjen e shqiptarëve. Dokumenti italian e quante atë: “Këshilltarin dhe frymëzuesin e fshehtë të veprimeve më të guximshme të Nolit.”

Ky cilësim mund të jetë pjesë e interpretimit polemik të autorit, por dëshmon frikën se Vatra nuk vepronte e izoluar. Ajo kishte krijuar një rrjet amerikan mbështetjeje që përfshinte diplomatë, profesorë, senatorë dhe aktivistë të çështjes shqiptare.

Noli në jahtin presidencial

Një nga episodet më domethënëse të raportuara nga burimi italian lidhet me praninë e Nolit në një udhëtim presidencial në lumin Potomac.

Sipas dokumentit, George Herron kishte shërbyer për një kohë të gjatë si ndërmjetës i Nolit. Më pas thuhet: “Një ditë Noli u shfaq në jahtin presidencial gjatë një udhëtimi në Potomac.”

Prania e tij, sipas autorit, shkaktoi habinë e ambasadorëve të Italisë dhe Britanisë së Madhe, të cilët ndodheshin aty dhe e raportuan menjëherë ngjarjen. Ky episod, pavarësisht mënyrës polemike se si paraqitet, tregon se qarqet diplomatike italiane vrojtonin deri edhe kontaktet shoqërore të Nolit me njerëzit pranë administratës Wilson.

Shqetësimi nuk lidhej vetëm me faktin se Noli mund të takohej me zyrtarë amerikanë. Problemi ishte se ai mund t’u paraqiste drejtpërdrejt çështjen shqiptare njerëzve që ndikonin mbi politikën e presidentit.

Dokumenti pohonte gjithashtu: “Memorandumi iu paraqit Wilsonit nga disa senatorë demokratë.”

Pra, Vatra nuk kufizohej në protesta brenda komunitetit shqiptar. Ajo po përdorte institucionet e demokracisë amerikane për të çuar kërkesat e Shqipërisë deri te presidenti.

Italia lexonte “Diellin” çdo ditë

Gazeta “Dielli” ishte një nga mjetet kryesore të betejës politike të Vatrës. Ajo denonconte Traktatin e Londrës, pretendimet italiane mbi Vlorën dhe çdo projekt për vendosjen e Shqipërisë nën protektoratin e Romës.

Dokumenti italian dëshmon se shkrimet e “Diellit” ndiqeshin rregullisht. Autori ankohej se Italia vazhdonte t’i besonte Vatrës, ndërkohë që: “Çdo ditë në ‘Dielli’, organi i përditshëm i Vatrës, lexoheshin sulmet më të rënda kundër Italisë dhe italianëve.”

Ky pohim tregon se shtypi shqiptar në Amerikë kontrollohej dhe analizohej nga përfaqësuesit italianë. Artikujt nuk konsideroheshin thjesht shprehje të një komuniteti emigrantësh. Ata shiheshin si pjesë e një fushate që mund të ndikonte opinionin publik amerikan.

Italia përpiqej ta paraqiste “Diellin” si një organ të verbër antiitalian. Në thelb, megjithatë, gazeta kundërshtonte politikën territoriale të qeverisë italiane dhe jo popullin italian.

Për Romën, rreziku ishte i qartë: argumentet e “Diellit” mund të bindnin amerikanët se Italia, ndonëse aleate në luftë, po përpiqej të realizonte një projekt kolonial në Shqipëri.

Kol.Castoldi dhe përpjekja për ta kontrolluar Vatrën

Qarqet italiane nuk u mjaftuan vetëm me vëzhgimin. Ato u përpoqën të ndikonin në drejtimin politik të Vatrës.

Koloneli Castoldi, i cili në Ministrinë e Jashtme italiane merrej me çështjet shqiptare, i dërgoi urime Kostë Tromarës pas zgjedhjes së tij si president i Vatrës.

Ky veprim shkaktoi habi te gazeta “Albania”, (2) organ i kombëtarëve që botohej në Zvicër. Ata e interpretuan si provë se Italia po përpiqej të siguronte ndikim mbi drejtimin e Federatës. Ambasadori italian zhvilloi më pas një bisedë me Tromarën. Sipas dokumentit, Tromara u shpreh i gatshëm të shqyrtonte një mirëkuptim italo-shqiptar. Por ambasadori kërkoi që ai të paraqiste me shkrim: “Qëndrimin aktual të Vatrës, kërkesat për përfaqësuesin në Itali dhe vijën që ‘Dielli’ do të ndiqte ndaj Italisë.”

Kjo kërkesë ishte, në thelb, një përpjekje për të zbuluar dhe ndikuar politikën e ardhshme të Federatës dhe të organit të saj.

Përgjigjja e Tromarës nuk ishte ajo që Roma priste. Vatra pranonte se një mirëkuptim italo-shqiptar mund të ishte i dëshirueshëm, por vendoste kushte të rënda:

largimin e Esad Pashës nga kombinimet politike;

hedhjen poshtë të Traktatit të Londrës;

bashkimin e Kosovës dhe Çamërisë me Shqipërinë;

mosprekjen e Vlorës.

Ambasadori italian raportoi në Romë më 8 nëntor 1918: “Ai dikton kushte dhe nuk merr përsipër asnjë angazhim.”

Ky raport tregon se Italia nuk arriti ta shkëpuste Vatrën nga programi i saj kombëtar.

Telegrami drejtuar Wilsonit

Më 29 dhjetor 1918, Vatra organizoi një miting ku folën George Fred Williams dhe Fan Noli. Në këtë mbledhje u vendos të kërkohej mbështetja amerikane kundër politikës italiane.

Më 5 janar 1919 u njoftua se Mehmet Konica, Mid’hat Frashëri, Mihal Turtulli, Fan Noli dhe figura të tjera do të niseshin drejt Konferencës së Paqes në Paris.

Edhe kundërshtarët e Vatrës nuk qëndruan pasivë. Më 11 janar 1919, Kristo Dako, Mihal Grameno dhe Parashqevi Qiriazi i dërguan presidentit Wilson një telegram në emër të 80 mijë shqiptarëve të Amerikës:

“I drejtohemi Njeriut të Madh universal që të ndërhyjë pranë Qeverisë italiane.”

Në telegram kërkohej që Shqipëria të gëzonte: “Pavarësi të plotë, pa asnjë protektorat, brenda kufijve të saj etnografikë dhe natyrorë.”

Dokumenti italian e lidhte këtë telegram me frikën se Wilsoni mund të përpiqej t’i pajtonte Italinë dhe Jugosllavinë në kurriz të Shqipërisë.

Kështu, edhe përçarja e diasporës shqiptare kishte një kufi të pakalueshëm: as Vatra dhe as Partia Kombëtare Shqiptare nuk pranonin dorëzimin e Vlorës.

Apeli në Senatin amerikan

Në qershor 1919, shqiptarët e Amerikës e çuan çështjen përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Një komunikatë e datës 13 qershor 1919 deklaronte: “Shqiptarët nga të gjitha pjesët e botës po bëjnë një përpjekje të fundit dhe të dëshpëruar për ta shpëtuar vendin e tyre.”

Sipas komunikatës, Shqipëria rrezikonte: “Ndarjen ndërmjet Italisë, Greqisë dhe Serbisë.”

Apeli iu paraqit senatorit Henry Cabot Lodge, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, nga George A. Plimpton, S. Arthur Baldwin dhe Kristo Dako. Teksti iu dërgua me kabllogram edhe presidentit Wilson në Paris.

Ky veprim shpjegon përse Italia e ndiqte kaq nga afër diasporën. Çështja shqiptare kishte kaluar nga mbledhjet e emigrantëve në një komision të fuqishëm të Senatit amerikan.

Italia e kishte kuptuar fuqinë e diasporës shqiptare

Dokumenti italian përpiqet vazhdimisht ta zhvlerësojë veprimtarinë shqiptare duke folur për “utopizëm”, “shovinizëm” dhe ndikime të huaja. Megjithatë, në një çast sinqeriteti, autori pranon:

“Është e vështirë të mbivlerësohet pesha e njëqind mijë shqiptarëve amerikanë.”

Kjo fjali shpjegon pothuajse gjithçka.

Diaspora kishte peshë jo vetëm për shkak të numrit, por për shkak të organizimit, financimit dhe vendndodhjes së saj. Shqiptarët jetonin në një vend që po hynte si faktor vendimtar në politikën botërore.

Ata kishin mundësi t’u shkruanin senatorëve, të botonin në shtypin amerikan, të organizonin peticione, të financonin delegatë dhe t’i drejtoheshin presidentit. Shqipëria mund të ishte e pushtuar, por çështja shqiptare nuk mund të izolohej.

Nga mbikëqyrja te dështimi italian

Italia e vëzhgoi Vatrën, analizoi “Diellin”, ndoqi memorandumet, raportoi takimet e Nolit dhe kërkoi të shfrytëzonte përçarjet brenda diasporës. Ajo u përpoq të siguronte bashkëpunimin e drejtuesve shqiptarë, por pa hequr dorë nga Vlora dhe përfitimet e Traktatit të Londrës.

Këtu qëndronte kontradikta themelore e politikës italiane: Roma kërkonte mirëkuptimin e shqiptarëve, ndërsa njëkohësisht këmbëngulte të mbante qytetin që simbolizonte pavarësinë e tyre.

Vatra nuk e rrëzoi e vetme projektin italian. Vendimtare ishin edhe kundërshtimi i Wilsonit ndaj marrëveshjeve të fshehta, Kongresi i Lushnjës, mobilizimi kombëtar dhe Lufta e Vlorës.

Por Vatra luajti një rol të pazëvendësueshëm: ajo e mbajti çështjen shqiptare të hapur në Shtetet e Bashkuara dhe e shndërroi Vlorën nga një pretendim territorial italian në një provë të parimeve të shpallura nga Wilsoni.

Përfundim

Italia e luftonte Vatrën sepse Vatra godiste në zemër të strategjisë italiane për Adriatikun. Federata kundërshtonte pushtimin e Vlorës, protektoratin italian dhe Traktatin e Fshehtë të Londrës. Ajo kishte gjithashtu atë që Shqipërisë së pushtuar i mungonte: lirinë për të folur, mjete financiare, shtypin, organizimin dhe lidhjet me politikën amerikane.

Italianët numëronin anëtarët e Vatrës, ndiqnin zgjedhjet e saj, lexonin “Diellin”, regjistronin votat për memorandumet, raportonin takimet e Nolit, analizonin lidhjet me Crane, Williams, House dhe senatorët amerikanë. Ky nuk ishte interes i zakonshëm diplomatik. Ishte mbikëqyrja e një kundërshtari politik.

Italia kishte ushtrinë, flotën dhe bazat në Adriatik. Vatra kishte fjalën, diasporën dhe hyrjen në Washington. Në fund, Vlora mbeti shqiptare dhe projekti i copëtimit dështoi.

Për Italinë, Vlora ishte porta e Adriatikut. Për Vatrën, ajo ishte porta e pavarësisë.

Në thelb, Italia nuk e ndiqte “Vatrën” nga kureshtja. Ajo mbronte një projekt gjeopolitik. Sipas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, Roma pretendonte Vlorën, ishullin e Sazanit dhe një pozitë kontrolluese mbi Shqipërinë.

“Vatra” i prishte këtë skemë në tri drejtime: e demaskonte në shtypin amerikan, mobilizonte diasporën dhe përpiqej ta kthente çështjen shqiptare në problem moral për presidentin Wilson.

Prandaj emrat e vatranëve regjistroheshin, e kaluara e tyre politike analizohej dhe delegatët e tyre përpiqeshin të zëvendësoheshin. Italia kishte anije përballë Vlorës; “Vatra” kishte gazetën, memorandumin dhe derën e Uashingtonit.

Dhe, në fund, Roma kuptoi se një shoqatë emigrantësh në Boston mund të ishte po aq e rrezikshme për planet e saj sa edhe një ushtri në brigjet e Vlorës.

Filed Under: Histori

Kujtojmë në përvjetorin e lindjes gjuhëtarin austriak dhe albanologun Maximilian Lambertz

July 27, 2026 by s p

Më 27 korrik 1882 lindi Maximilian Lambertz, një gjuhëtar dhe folklorist austriak, një nga personalitetet më të shquara të albanologjisë, i cili ia kushtoi jetën studimeve të gjuhës, folklorit dhe kulturës shqiptare. Lambertz shfaqi interes për shqipen që në fillim të shekullit XX. Pas kontaktit të parë me këtë gjuhë në vitin 1906 në Atikë të Greqisë, ai e ktheu studimin e shqipes në mision jetësor. Puna e tij kërkimore nisi konkretisht më 1913–1914, gjatë një udhëtimi në fshatrat arbëreshe të Italisë, ku mblodhi një fond të pasur të dhënash dialektore dhe folklorike.

Studimi i tij i parë “Albanische Mundarten in Italien” ofroi një hartë të detajuar të ngulimeve arbëreshe dhe hapi një kapitull të ri në dialektologjinë shqiptare. Ai theksoi rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve si dëshmi e shqipes mesjetare. Ky pasion për dialektet shqiptare u shtri në një mori punimesh shkencore, përfshirë edhe një monografi të gjerë mbi dialektet arbëreshe të Molizes.

Lambertz ishte pjesëmarrës aktiv në Komisinë Letrare Shqipe, ku dha kontribut të vyer në formësimin e gjuhës së përbashkët dhe drejtshkrimit të shqipes. Veprat e tij përfshijnë edhe studime të rëndësishme në fushën e sintaksës, si dhe një sërë botimesh për mësimin e gjuhës shqipe, përfshirë një kurs të plotë në tre vëllime dhe një antologji të letërsisë shqiptare me përkthim në gjermanisht.

Në veprën e tij “Studime Arbëreshe”, Lambertz shprehet se ndarja e shqipes në gegërishte dhe toskërishte është më shumë sipërfaqësore sesa thelbësore, duke theksuar: “Vetëm suvaja e dy pjesëve të kësaj ndërtese është e ndryshme.”

Në fushën e folklorit shqiptar, ai la vepra monumentale si “Die Volkspoesie der Albaner” (1917), “Albanien erzählt” (1956) dhe “Die Volksepik der Albaner” (1958), duke përfshirë ciklin epik të kreshnikëve dhe mitologjinë shqiptare.

Për përkthimin e veprave madhore si “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës dhe drama “Toka jonë” e Kolë Jakovës, ai fitoi respekt të gjerë. Pas vdekjes së tij më 26 gusht 1963 në Leipzig, u botua edhe punimi “Mitologjia shqiptare” në veprën kolektive “Wörterbuch der Mythologie”.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimet albanologjike, Maximilian Lambertz u dekorua me “Urdhrin e Flamurit” nga shteti shqiptar.

Dorëshkrimet e tij përbëjnë një burim me vlerë për studiuesit e shqipes. Trashëgimia e Lambertzit është jo vetëm shkencore, por edhe kulturore dhe kombëtare një homazh i përjetshëm për pasurinë gjuhësore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

www.akad.gov.al

Filed Under: Histori

Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut

July 25, 2026 by s p

Në gamën e gjerë të studimeve dhe botimeve të veçanta që kanë të bëjnë me personalitetin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i shtohet edhe një libër interesant shkruar nga Virgjil Kule, me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i Fundit”, Fast Track Albania, Tiranë, 2018. Kemi të bëjmë me botimin e dytë sepse botimi i parë nga OMBRA-GVG, është botuar në vitin 2011. Kemi të bëjmë me një libër të veçantë si për nga konceptimi, përmbajtja dhe rrefimi kushtuar veprimtarisë politike e diplomatike të Heroit Kombëtar si askush deri më sot nga një autor shqiptar.

Nail Draga

Në këtë botim autori trajton çështje të jetës dhe veprimtarisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke u përqendruar në aspektet më të rëndësishme të karrierës së tij: nga dalja e tij në skenën politike, deri tek organizimi i qëndresës shqiptare kundër osmaneve, si dhe lidhjet me fuqitë evropiane të kohës. Nuk ka dilemë se ky studim përpiqet të ofrojë një pasqyrë të Skënderbeut për krijimin e një shteti shqiptar të pavarur, ku në sajë të literaturës së konsultuar por edhe të dokumenteve të prezantuara del qartë roli i Skënderbeut në koalicionin e madh ushtarak (kryqëzatë) të Europës Perëndimore kundër dyndjes osmane në shekullin e XV. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse Skënderbeu për një çerek shekulli ishte mburojë e Europës nga invazioni i Perandorisë Osmane. Me angazhimin politik, diplomatik e ushtarak Skënderbeu e dëshmoj në praktikë mbrojtjën e civilizimit shqiptar, që ishte identik me ate europian.

Kur analizohet roli dhe kontributi i Skënderbeut në shek.XV, duhet cekur se në këtë periudhë kohore ishin arbërit përkatësisht Arbëria e cila ka sakrifikuar shumë në mbrojtje të identitetit për të mbijetuar të lirë në trojet autoktone. Por, një sfidë e tillë nuk ka qenë e lehtë, ku Skënderbeu me mjeshtri politike e diplomatike sfidoi rrethanat e kohës.

Ditari diplomatik

Nga momenti i kthimit të Skënderbeut dhe vendosja e pushtetit në Krujë me 28 nëntor 1943 e deri sa vdiq me 17 janar 1468, autori na ofron të dhëna me interes, jo vetëm vit pas viti, por muaji duke na ofruar një ditar diplomatik si askush deri me tash. Pikërisht një qasje e tillë i mundëson lexuesit për të ndjekur evoluimin e ngjarjeve dhe për të kuptuar më mirë portretin e Skënderbeut në shumë aspekte, ku në rastin konkret parësore janë veprimtaria politike e diplomatike, duke mos anashkaluar as ate ushtarake. Sepse sipas autorit, Skënderbeu nuk ishte thjesht një luftëtar i zakonshëm, por një mendimtar dhe kryqtari i fundit që përfaqësonte Evropën në luftën kundër Perandorisë Osmane.

Aleancat për mbijetesë

Në rrethana të tilla shoqërore e në veçanti ushtarake Skënderbeu krahas Frontit Verior të Danubit, ai krojoi Frontin e Dytë në Ballkanin Perëndimor, duke i bërë pengesë depertimit të turqëve në këtë pjesë të Europës Juglindore. Ndonëse shqiptarët për nga numri ishin të pakët, por në sajë të Skënderbeut kanë luajtur një rol të rëndësishëm, në mbrojtje të vlerave evropiane. Një veprim i tillë ka kushtëzuar fillimisht arritjen e bashkimit të principatare të shqiptarëve, që është realizuar me 2 mars 1444 , që njihet me emrin Besëlidhja e Lezhës, ndërsa me pas ka pasur edhe aleancë me të tjerët ku kanë dominuar ata nga vendet italike, si Venediku, Mbretëria e Napolit, Papa i Romës, Hungaria etj.

Mjeshtër i diplomacisë

Në sajë të moshës dhe të përvojës në rrethana të reja shoqërore është për t´u vlerësuar mjeshtria e Skënderbeut i cili është veçuar me diplomaci duke shfrytëzuar situatat konfliktuale sidomos ato ndëritalike, për të siguruar paqë dhe stabilitet politik jo vetëm në Arbëri por edhe me gjerë në regjion.

Duke lexuar këtë studim del qartë se Skënderbeu nuk ishte faktor periferik në luftën kundër Perandorisë Osmane, por e kundërta, me peshë të madhe, sepse duke mbrojtur Arbërinë, ai mbronte edhe të tjerët, që është dëshmuar në praktikë me aleancat e ndryshme si dhe ndihmat jo vetëm ushtarake.

Nuk ka dilemë se një veprim i tillë mund të realizohej në praktikë nga një burrë shteti i cili me mjeshtri ka shfrytëzuar potencialin politik dhe ushtarak të kryqëzatës, për të krijuar shtetin shqiptar në trajtë mbretërie, nën dinastinë e Kastriotëve. Ky mision, krahas gjenialitetit ushtarak, lypte edhe një talent të jashtëzakonshëm për jurisprudencë dhe diplomaci, të cilat lexuesve iu ofrohen nga autori i këtij botimi, i cili me të drejtë quhet ditar diplomatik.

Kontribut studimeve historike

Nga ajo që u tha më lartë libri „Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i Fundit“ nga Virgjl Kule, paraqet kontribut me vlerë në studimet historike kushtuar Heroit tonë Kombëtar. Autori me kompetencë profesionale ka trajtuar çështjet historike të mesjetës shqiptare duke ofruar të dhëna me interes për opinionin e gjerë shkencorë e kulturor. Kryesisht kemi të bëjmë me aspektet politike e diplomatike të Skënderbeut, që deri më tash nuk janë trajtuar në këtë formë, nga asnjë autor shqiptar. Për përgatitjen e këtij botimi autori krahas literaturës historike ka shfrytëzuar edhe dokumente arkivore, duke i komentuar varësisht prej ngjarjeve të kohës, ndërsa gjuha e stili i shkrimit dëshmojnë qasjen intelektuale të autorit.

Libri me të drejtë quhet ditar diplomatik, sepse lënda trajtohet në diakroni e sinkroni sipas vitëve përkatëse(1443-1467), madje edhe sipas muajve e javëve duke ofruar të dhëna me interes me përmasa shoqërore e historike për Arbërinë si asnjë botim deri më tash. Në këtë botim prezantohen fakte dhe analiza historike që hedhin dritë mbi shumë aspekte të jetës së Skënderbeut që më së shumti nuk kanë qenë të njohura për opinionin e gjerë.

Sfidanti i kohës

Vetëm pas leximit të këtij libri çdo kush do ta ketë të qartë se në çfarë rrethanash është përballuar Skënderbeu i cili me mjeshtri ia arriti të përballojë sfidat, për një çerek shekulli, ndaj perandorisë më të madhe të kohës. Autori e përshkruan Skënderbeun si një individ të zgjuar, të aftë dhe me një vizion të qartë për të ardhmen e vendit të tij dhe Evropës. Autori e prezanton atë jo vetëm si një hero kombëtar, por edhe si një figurë komplekse dhe ndërkombëtare me ndikim të madh në fatin e kontinentit.

Duke lexuar këtë libër, lexuesi ka mundësi të kuptoj rrethanat gjeopolitike në regjion, ku Skënderbeu ndonëse i vetëm dhe pa përvojë shtetërore me mjeshtri diplomatike arriti të bashkëpunojë me aleatët duke e bërë Arbërinë të pamposhtur për një çerek shekulli kundër Perandorisë Osmane.

Një përmasë e veçantë e diplomacisë së Skënderbeut është çështja e krushqisë me personalitete të njohura familjare, dukuri që ishte njohur jo vetëm në mesjetë. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se e kishte të imponuar për të stabilizuar pushtetin dhe forcuar raportet me principatat e kohës. Iu mbetet studiuesve që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitt sepse deri me tash vetëm sa janë cekur si raste e jo ndonjë hulumtim i veçantë sociologjik.

Ndërsa titulli “Kryqtari i fundit” nuk është i rastësishëm sepse Gjergj Kastrioti Skënderbeu luajti rol të rëndësishëm në luftën kundër osmanëve, duke e shndërruar atë në një simbol të rezistencës evropiane ndaj Perandorisë Osmane. Skënderbeu është parë shpesh si një kryqtar i fundit, duke qenë një nga të fundit prijës të krishterë që ndërmori luftëra të hapura kundër pushtimeve osmane në Ballkan. Kjo e ka ngritur atë në një figurë epike të historisë shqiptare dhe evropiane.

Përfundim

Dhe në fund cekim se libri nga gazetari, publicisti dhe studiuesi Virgjil Kule është si rezultat i një pune serioze disavjeçare plot pasion e profesionalizëm është i mirëseardhur për të gjithë lexuesit e pasionuar ndaj botimeve historike e në veçanti për personalitetin e Heroit Kombëtar, sepse plotëson njohurit në aspektin politik e diplomatik. Nga të dhënat e ofruara në këtë studim del qartë se politika dhe diplomacia e Skënderbeut ka qenë dhunti e veçantë duke qenë model për kohën e më pas, por fatkeqësisht e panjohur sa duhet deri në ditët tona.

Ndërsa në sajë të çështjeve të trajtuara ky botim duhet të jetë i obligueshëm jo vetëm për studentët e historisë, e sidomos për ata që sociologjinë politike e kanë si përcaktim profesional, sepse kemi të bëjmë me studimin me te veçantë në botimet e deritashme albanologjike.

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Shkodër, me 13 qershor 2026).

Filed Under: Histori

Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

July 24, 2026 by s p

Prof.dr. Pal NIKOLLI/

Dy hartat e paraqitura janë rindërtime historiko – hartografike të koncepteve gjeografike të antikitetit grek, të botuara nga shtëpia e njohur hartografike John Bartholomew & Son (Edinburg) në fund të shekullit XIX ose në fillim të shekullit XX. Ato nuk paraqesin gjendjen reale të njohurive gjeografike të kohës sonë, por përpiqen të rindërtojnë mënyrën se si autorët e lashtë e konceptonin botën nëpërmjet miteve, epikës dhe traditës letrare. Në këtë kuptim, hartat kanë vlerë historiografike dhe historiko – hartografike, pasi dëshmojnë evolucionin e mendimit gjeografik dhe të përfytyrimeve hapësinore në antikitet.

I. Udhëtimi i Argonautëve dhe prania e Ilirisë.

Harta e parë, “Voyage of the Argonauts”, paraqet itinerarin mitik të Jasonit dhe Argonautëve në kërkim të Leshit të Artë në Kolkidë (Colchis), duke u mbështetur në traditat e autorëve antikë, si Orfeu, Pindari dhe Apoloni i Rodit.

Në këtë rindërtim, Gadishulli Ballkanik zë një pozicion qendror dhe emri “Illyrii” (Ilirët) shënohet qartë përgjatë bregdetit lindor të Adriatikut. Ky emërtim i referohet hapësirës historike të banuar nga fiset ilire, e cila shtrihej në pjesë të territorit të Kroacisë së sotme, Malit të Zi, Shqipërisë dhe deri në zonat veriperëndimore të Greqisë. Në lindje paraqiten “Thraces” (Trakët), ndërsa lumi Ister (Danubi) përbën kufirin kryesor verior të botës së njohur sipas autorëve antikë.

Një element me interes të veçantë është rruga e kthimit të anijes Argo, e paraqitur me vijë të pikëzuar. Sipas disa traditave mitologjike, besohej se Danubi ose degë të tij kishin lidhje me Detin Adriatik, çka krijoi përfytyrimin e një itinerari lundrimi që kalonte nëpër ose pranë territoreve ilire. Kjo nuk përfaqëson një realitet gjeografik, por një konceptim mitologjik të botës, karakteristik për periudhën arkaike.

II. Bota sipas Homerit dhe popujt e epokës epike.

Harta e dytë, “The World according to Homer”, rindërton botëkuptimin gjeografik që pasqyrohet në epikat homerike, duke iu referuar një periudhe rreth fundit të mijëvjeçarit të dytë dhe fillimit të mijëvjeçarit të parë p.K. Në këtë konceptim, bota paraqitet si një disk i rrethuar nga Oceanus Fluvius, lumi kozmik që, sipas besimit të kohës, rrethonte gjithë tokën e banuar.

Në poemat homerike nuk përdoret ende emërtimi i përgjithshëm Iliri, pasi popullsitë identifikoheshin kryesisht sipas fiseve ose rajoneve të veçanta. Megjithatë, harta paraqet disa nga popujt e përmendur në burimet homerike, ndër të cilët Paeonia (Paionia), e vendosur në veri të Maqedonisë historike dhe në lindje të hapësirës ilire. Për shkak të njohurive të kufizuara gjeografike të kohës, paraqitja e Ballkanit është skematike, por rajoni i brigjeve të Jonit, ishulli Corcyra (Korfuzi) dhe afërsia me Epirin dëshmojnë se kjo hapësirë ishte pjesë e horizontit gjeografik të autorëve të lashtë.

III. Vlera historiko – hartografike.

Këto harta kanë një rëndësi të veçantë për historinë e hartografisë dhe të mendimit gjeografik. Ato nuk mund të përdoren si dëshmi të drejtpërdrejta për kufijtë politikë ose për realitetin etnik të antikitetit, por përbëjnë burime të rëndësishme për të kuptuar mënyrën se si autorët grekë e përfytyronin hapësirën ballkanike.

Fakti që emri Illyrii shfaqet në rindërtimin e traditës së Argonautëve dhe se rajoni përkatës zë një vend të dallueshëm në këto paraqitje dëshmon se hapësira ilire ishte tashmë pjesë e imagjinatës dhe e dijes gjeografike të botës antike. Në këtë këndvështrim, Iliria nuk paraqitet si një hapësirë periferike, por si një rajon i njohur, i lidhur me rrugët mitologjike, me brigjet e Adriatikut e të Jonit dhe me zhvillimet kryesore të qytetërimit mesdhetar.

Prandaj, këto harta përfaqësojnë dëshmi të rëndësishme të historisë së hartografisë, sepse ilustrojnë evolucionin e njohurive gjeografike dhe vendin që zinte hapësira ilire në botëkuptimin e autorëve të antikitetit. Vlera e tyre qëndron jo në saktësinë gjeografike sipas standardeve moderne, por në pasqyrimin e mënyrës se si bota e lashtë e konceptonte dhe e përshkruante hapësirën e njohur.

Filed Under: Histori

“Shqipëria në’ Luftën e Madhe’, 1914-1918”

July 22, 2026 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

botim i Akademia e Shkencave e Shqipërisë, dorëzuar për shtyp me 1 dhjetor 2024.

“Shqipëria në “Luftën e Madhe” 1914-1918” është më së pari një studim i përqëndruar në Historinë e Rrëzimit të Shtetit të Parë të Shqipërisë, (3 shtator 1914-28 shkurt 1916), ose në atë njihet ndryshe si Koha e Mbrapshtë e Shqipërisë. Së dyti, është një histori e marrëdhënieve ndërkombëtare mbi Shqipërinë për të gjithë përiudhën e Luftës së Parë Botërore, raporteve të veçanta në mes Italisë dhe Austro-Hungarisë, e qëllimeve të tyre pozitive dhe negative në fushën e politikës së jashtme, me fokus Shqipërinë. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar analizës së pushtimeve të hapura të Greqisë, Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe tërheqjeve rrënimtare të Serbisë dhe Malit të Zi përmes Shqipërisë, në fund të vitit 1915 dhe fillim të vitit 1916. Në dy kapitujt e fundit, në mënyrë trajtohet administrimi austro-hungarez i dy të tretave të Shqipërisë dhe i një pjese të Kosovës, Malësisë, etj., dhe administrimi italian dhe francez në zonat respektive të pushtimeve të tyre në Jug të kufirit zyrtar, 1916-1918

Eshtë një studim i bazuar mbi kërkimin arkivor të pabotuar më parë, mbi dokumentacion arkivor të botuar dhe mbi arritjet e historiografisë mbi temën tonë dhe të ndërlidhurat me ate.

Studimi është i kornizuar teorikisht përmes dy lenteve vlerësuese: analizës së dështimit të shtetit dhe studimit të nacionalizmit, ndërkohë që e vendos rastin shqiptar brenda korpusit më të gjerë të literaturës mbi formimin e shteteve post-imperiale në Ballkan dhe mbi rivalitetet imperialiste në prag të Luftës së Parë Botërore, veçanërisht marrëdhënien e tensionuar midis Austro-Hungarisë dhe Italisë mbi Shqipërinë dhe kontrollin e Adriatikut, në rrethanat e 10 muajve të parë të luftës

Kështu, në pikëpamje të historisë diplomatike, një vëmëndje të posaçme i kemi kushtuar zbulimit të qëndrimeve të dy fuqive adriatikase, Italisë, nga vera e vitit 1914 deri në hyrjen e saj në luftë në maj 1915, të Austro-Hungarisë, nga fillimi i Luftës së Madhe deri në ditët e “hallit të madh” të saj me aleatin e pasigurtë, Italinë, në pranverën 1915. E gjitha kjo e lidhur me tratativat mes tyre, mes Italisë dhe vendeve të Antantës, për të pranuar copëtimin e Shqipërisë në funksion të mbajtjes së fuqisë apeninase të lidhur pas njerës ose tjetrës aleancë. Ky mision rezultoi i pamundur për Vjenën dhe relativisht fatlum për Antantën. Në Vjenë mbeti e ruajtur dhe e dokumentuar vetëm kjo “njollë” e kohës së lëkundjes së diplomacisë austro-hungareze në raport me traditën e përkrahjes së interesave kombëtare shqiptare. Përndryshe në Romë, nuk kishte vend për moral të lartë ndaj Shqipërisë. Cënimi i interesave kombëtare shqiptare kishte qenë frekuent, konstant, i alternuar me pozivitet të paqendrueshëm, bamirësi, mikpritje. Kështu, në qoftë se për klasën politike italiane, korigjimi ka ardhur me vonesë, ose ka qenë i pasigurtë, i paqendrueshëm në çdo kohë, për Vjenën zyrtare korigjimi ndodhi pak muaj me vonë, në të mirë të ribërjes administrative dhe kulturore të Shqipërisë mike.

Periudha e marrë në studim përfaqëson, para së gjithash, historinë e një vendi që nuk arriti të krijonte kohezion të qëndrueshëm shtetëror dhe kombëtar, si pasojë e trashëgimisë osmane, ndërhyrjeve të vazhdueshme të fuqive shoviniste ballkanike dhe divergjencës së interesave të Fuqive të Mëdha, të cilat fillimisht kishin qenë garantet e shtetformimit dhe të asnjanësisë së Shqipërisë, por që tashmë ishin përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin botëror. Këtij konteksti iu shtua hyrja e Italisë në luftë kundër ish-aleatëve të saj strategjikë dhe politika e saj ndaj Shqipërisë, të cilën e trajtoi si një plaçkë të mirëfilltë, duke cenuar rëndë shtetin dhe popullin shqiptar pikërisht në momentin më delikat të ekzistencës së tyre politike, kur nga ana tjetër e Adriatikut pritej mbështetje e sinqertë dhe reale.

Periudha nga 3 shtatori 1914 deri në pranverën e vitit 1916 është e ndarë në disa faza që lidhen me kontrollin e pushtetit qendror në Durrës dhe pushtimin e territorit të Shqipërisë nga fuqitë e huaja. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi kontrollin vorio-epirotist dhe më pas, të drejtëpërdrejtë grek të Shqipërisë së Jugut, që kapërcen herë mbas herë kufirin minimal të synimeve të qarqeve shoviniste në Greqi; kemi ndërhyrjen italiane në Sazan dhe Vlorë; nga 3 shtatori 1914 deri në qershor 1915 kemi një kontroll gjithnjë në rritje dhe raprezalje në të gjithë Shqipërinë qendrore rurale dhe qytetare, shpesh herë deri në Vlorë, Berat, Elbasan, deri në Milot dhe Adriatik, nga kryengritësit otomanistë-ehlikjamistët, të kontrolluar nga agjentët xhonturqë; nga fundi i muajit qershor 1915 deri në janar 1916 ndodh pushtimi i dytë të Shkodrës nga Mali i Zi, rihyrja e Serbisë në Shqipëri, fillimisht si pushtues, me pas, në mënyrë të pandërprerë, si një hordhi e shpartalluar në të ashtuquajturën Tërheqjen e Madhe Serbe dhe Malazeze, përmes Shqipërisë, për shkak të shkatërrimeve respektive të shteteve dhe ushtrive të vendeve të lartëpërmendura; ndodh më pas pritja e madhe rraskapitëse dhe transportimi i mbetjeve të ushtrive, qeverive dhe mbretërve pa mbretëri të Serbisë dhe Malit të Zi, nga portet e Shëngjinit, Durrësit dhe Vlorës prej flotave të Italisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, për në Korfuz dhe Itali; Së bashku me ikjen e tyre, kemi fundin e sundimit 17 mujor të Essad Pashë Toptanit në Durrës, rënien e tij, fundin e një qeverie qëndrore nominalisht shqiptare, përmbajtësisht otomaniste, praktikisht pro serbe, pro greke dhe pro italiane, mbi të gjitha, aspak nacionale, nga pikëpamja e interesave të Shqipërisë së Rilindur. Fundi i kësaj periudhe, rënia dhe largimi i faktorëve që rrënuan Principatën e Shqipërisë, është paradoksalisht, një kohë fatlume për Shqipërinë me invadimin dhe pushtimin miqësor të pjesës më të madhe të vendit prej Ushtrisë Austro-Hungareze, për shkak se, duke filluar nga marsi i vitit 1916, rifillon për këtë vend rivendosja nën fuqinë e veprimit administrativ, për pjesën më të madhe të territorit, të një linje autonome shqiptare të bazuar mbi elitën më te emancipuar dhe më të shkolluar të vendit, me frymëzim europianist, me sistematizim gjermanik, me bazament rilindas. Si kundërpeshë ndaj rolit nxitës të Austro-Hungarisë, edhe Italia dhe Franca, brenda zonave të tyre përkatëse të ndikimit, u detyruan të respektonin aspiratën e elitës shqiptare për një rindërtim shtetëror të europianizuar, të mbështetur mbi konturet e vendimmarrjes ndërkombëtare të periudhës pararendëse të luftës.

Pra, menjëherë pas këtyre dy vjetëve të kaosit, pikërisht në gjendjen e luftës, nën okupimin/administrimin austro-hungarez, do të fillonte për Shqipërinë nga Shkodra tanimë si kryeqendër, rizgjimi administrativ, arsimor, kulturor, do të rifillonte procesi i përforcimit të kohezionit kombëtar ndër shqiptarë, tashmë në një hapësirë më të gjerë të banuar prej tyre, që përfshinte edhe pjesë nga shqiptarët e Kosovës dhe ata të Malit të Zi, nën dominimin nominal të perandorisë dualiste.

Pjesa e fundit e punimit analizon periudhën e të ashtuquajturit Pushtim Miqësor Austro-Hungarez, pushtimin italian të Shqipërisë jugperëndimore, pushtimin francez të Korçës, si edhe mbylljen përfundimtare të Luftës së Madhe në kontekstin shqiptar

Ngjarjet e trajtuara në libër janë rindërtuar në rend kronologjik nga këndvështrimi faktik, mbi bazën e një korpusi të gjerë burimesh: arkivave shqiptare, austro-hungareze, britanike, italiane dhe amerikane; shtypit të kohës; kujtimeve dhe dëshmive të disa prej aktorëve dhe dëshmitarëve të atyre ditëve vendimtare; si dhe botimeve dokumentare dhe literaturës historiografike, të shfrytëzuar ose të neglizhuar nga studiuesit pararendës.

Në përmbyllje të punimit, monografia mbyllet me një kapitull përfundimtar konkluzionesh, i konceptuar si një studim i zgjeruar më vete, i cili trajton procesin e shpërbërjes së shtetit, evolucionin e nacionalizmit shqiptar në të gjithë epokën e Rilindjes dhe të Pavarësisë, si edhe konfigurimin e marrëdhënieve ndërkombëtare lidhur me Shqipërinë gjatë viteve 1914–1918.

Ky studim avancon tezën se kolapsi i Principatës së Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore nuk mund të shpjegohet vetëm nga dobësitë e brendshme ose agresioni i jashtëm, por nga ndërthurja e tre faktorëve vendimtarë: trashëgimitë strukturore të sundimit osman, “agjencisë” centrifugale të forcave kundërrevolucionare të brendshme dhe strategjive konkurruese të fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha. Rënia e Shqipërisë në anarki më 1914–15 dhe fragmentimi i saj nën pushtime të shumëfishta mishërojnë njëkohësisht brishtësinë e një shteti të sapokrijuar dhe dilemat më të gjera të ndërtimit të shteteve post-imperiale në Ballkan. Megjithatë, Shqipëria përfaqëson një rast sui generis: pavarësisht shpërbërjes së parakohshme të pavarësisë së parë, elitat nacionaliste, diaspora patriotike dhe qendrat e modernizimit kulturor arritën të riaktivizojnë programin kombëtar në kushte nga më të pafavorshmet, por duke siguruar që ideja e shtetësisë shqiptare të mbijetonte luftën dhe të vendoste themelet për rikonstituimin e saj pas vitit 1918.

Në dy vitet që pasuan pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare shtetërore Shqipëria nuk njohu paqe. Eksperimenti i formësimit të shtetit u udhëhoq nën disa cikle vështirësish shumë të mëdha. Vendi nuk kishte një traditë politike, as edhe një entuziazëm nacional të shtrirë në të gjithë shoqërinë, as edhe qëllime të përbashkëta mes degëve të ndryshme të nacionit, as edhe ideale të tilla të ngulitura dhe të përhapura në çdo pore të shoqërisë. Faktorët shumëvjeçarë që e penguan për një zhvillim të rregulluar dhe progresiv të nacionit dhe vonuan lindjen e shtetit, sërish u ringjallën duke e dobësuar Shqipërinë në Kohën e Lindjes së Parë. Shqiptarët, me përjashtim të një pakice të ndërgjegjshme, nukleve të “Kulturës së Lartë” të përhapur si ishuj ndriçues në të gjithë vendin, si një minorancë progresiste në “detin” e pafundëm të prapambetjes, nuk sakrifikuan për mirëqënien e përgjithshme shtetërore, dinjitetin identitar personal dhe bashkësinë shtetërore të endërruar aq shumë nga rilindasit.

Rilindasve, Shtetformuesve shqiptarë, për t’i vendosur të gjithë segmentet në përputhje me imperativin nacionalist, iu deshën më shumë se disa beteja. Synimi i tyre ishte kornizimi i segmenteve në një bosht identitar dhe mjaft diplomaci me fuqitë e huaja, për ta bërë të njohur përmasën territoriale të popullit shqiptar, të drejtën e tij për shtetësi. Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përfaqësuesve të shtetit të porsaformuar, iu desht edhe të përballoheshin me mbrojtjen e popullsisë shqiptarë të dëbuar nga trojet etnike, me shmangien e asimilimeve dhe politikat ndërhyrëse të fuqive ballkanike, posaçërisht të Perandorisë Osmane. Por mbi të gjitha, Rilindasve dhe Shtetformuesve, iu desht të përballeshin më kundërshtinë e dhunshme ndaj shtetit dhe nacionit, kuptuar si Rizgjim Identitar në një kontinent të përfshirë në modernitet dhe industrializim, të segmenteve pro-otomane të shoqërisë dhe klasës së bejlerëve vendas. Ata segmente, në këtë agim ndryshimesh në Europë dhe në Shqipëri, këmbëngulën të ndiqnin modelin oriental të sundimit dhe të mbartnin një identitet të ndryshëm në raport me popullsinë tjetër të Shqipërisë, që përkrahu indipendencën, europianizimin dhe shekullarizimin e shtetit në kufijtë nacionalë.

Fundi i Luftës së Parë Botërore ka qenë një kohë dramatike për Shqipërinë, për shkak të largimit nga skena gjeopolitike europiane të Perandorisë Austro-Hungareze. Për Shqipërinë u krijuan dy vakume të menjëhershme: së pari, ai i brendëshmi, institucional, për pjesën më të madhe të territorit, që për gati tre vite u administrua nga austriakët; së dyti, në bisedimet e paqes, Shqipëria nuk do të kishte më një zë të kualifikuar dhe besnik, pro saj, brenda fuqive të mëdha vendimarrëse. Italia, e rreshtuar përkrah vendeve fituese të Antantës, për një numër arsyesh, nuk mundej dhe nuk do ta luante dot në mënyrë të qëndrueshme, serioze dhe të vërtetë, një rol të tillë pro Shqipërisë, çështjes së saj kombëtare.

Mirëpo, edhe pse vitet pas Luftës së Parë Botërore do të jenë një sfidë e vërtetë në aspektin shtetformues për elitën nacionaliste, në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, bashkësia nacionale që do të duhej të drejtohej nga kjo udhëheqësi, pati një ftillim të ndryshëm në aspektin e vetëdijës mbi përkatësinë dhe në pranimin më të madh të parimeve mbi të cilat do të duhej të rithemelohej marrëdhënia ndërshqiptare. Nacionalizmi tanimë, në mënyrë të qartë, po mbështetej gjithnjë e më shumë, mbi parimet e elitës së Kulturës së Lartë: Europianizimi Institucional i Shtetit Indipendent, Rindertimi Identitar Albanianist, Shekullarizimi i Jetës Publike, nje drejtim i balancuar kulturalisht dhe krahinarisht i shtetit dhe mbrojtja e pakompromis e Çështjes Nacionale.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 728
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA PARALAJMËRIMI: “DEMOKRACIA NUK PRET” TE ZGJIMI QYTETAR DHE ALARMI: DEMOKRACIA NË RREZIK!
  • BIJTË E BESËS SHKODRANE
  • Reagimi i munguar i elitave akademike
  • “Një koncept-ide mbi një statujë monumentale të Mbretit ilir, Genti, në Lezhë”
  • Demokracia nuk mund të qeveriset nga zhurma
  • Sensi dhe nonsensi i parrullave: nga revolta te alternativa
  • Regjisori Jani Tane – Nga TVSh-ja në Zemër të Italisë
  • “Kryetari i kelmendasve” Uc Turku, në 100-vjetorin e përcaktimit përfundimtar të kufirit në Vermosh
  • ARTI QË BËHET DASHURI DHE NDIHMË
  • ÇFARË KA MBETUR SOT NGA MENDIMI POLITIK I ARBËN XHAFERIT?
  • Nga emigrimi masiv te humbja e kontrollit mbi pasuritë kombëtare
  • LEKSIKU I POEZISË SATIRIKE TË ALI ASLLANIT
  • Çmësimi i shqiptarëve me shtetin
  • Forca e protestës…
  • Frymëzim, energji pozitive e dashuri për jetën…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT