• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲

September 3, 2026 by s p

Bujar Leskaj/

Sot më 3 Shtator 2026 ne kremtojmë 106 vjetorin e Luftës së Vlorës, këtë betejë dhe datë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Kjo ditë dhe datë simbol i krenarisë kombëtare dhe gur themeli i ruajtjes së integritetit të shtetit shqiptar pas Shpalljes së Pavarësisë, krahas vlerësimit të organizatorëve, luftëtareve të saj dhe kontributit që ajo dha për shtetin e ri shqiptar, duhet të na shërbejë për të parë qartë në të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke rritur përgjegjshmërinë jo vetëm të forcave politike, por edhe të mbarë opinionit shoqëror të vendit. Që në fillimet e këtij shkrimi më duhet të theksoj se këtë shërbim Lufta e Vlorës mund të na kryejë më mirë, nëse 3 shtatori, dita e përfundimit triumfues të saj, shpallet Festë Kombëtare, kërkesë që prej disa viteshe shtrojnë përpara opinionit publik dhe Kuvendit intelektualët vlonjatë (megjithatë nuk është ky qëllimi kryesor i këtij shkrimi modest dhe nuk do trajtohen këtu argumentat e shumtë pro kësaj). Në këtë ditë studjuesit, historianët, intelektualët, veteranët dhe të rinjtë shqiptarë kujtojnë veçanërisht luftëtarët e 20-ës, dëshmorët e saj, drejtuesit politikë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare, me në krye patriotin Osman Haxhiun dhe kapedanët e kësaj lufte, komandantët e çetave, etapat e saj dhe vlerësimet që ndër vite u shkruan për këtë Luftë – Epope.

Beteja për Vlorën (29 maj-3 shtator 1920) ishte një përballje krejt e pabarabartë e 4 mijë luftëtarëve shqiptarë të keq-armatosur, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por shumica lebër, të vetëorganizuar, pa mbështetje financiare dhe logjistike, me përjashtim të dashurisë dhe sakrificave të popullit të Vlorës, dhe mbi 22 mijë ushtarëve të rregullt, të armatosur deri në dhëmbë, të inkuadruar në dy divizione të një ushtrie ndër më modernet dhe të pajisurat e kohës, ushtrisë italiane. Lufta e Vlorës ngërthen një ngjarje historike të rëndësisë madhore kombëtare, e cila u tregua vendimtare për ekzistencen e metejshme dhe pavarësinë e plotë të shtetit të ri shqiptar, të formuar tetë vite më parë, por të gjymtuar nga pasojat e Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe vënë në pikëpyetje nga ushtritë që përshkuan territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, një pjesë e të cilave vijuan të qëndronin edhe pas përfundimit të kësaj Lufte.Katër janë kulmet e historise së shtetit shqiptar, të cilat ngjyrosin krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar: Pavarësia (28 Nëntor 1912), shpallur nga Babai i Kombit Ismail Qemal Vlora, Epopeja e Skënderbeut (1443-1468), Lidhja e Prizrenit (1878) dhe Lufta e Vlorës (1920).

Kjo e fundit përbën vulën e përgatitur me pushkët me gjalmë të këtyre katër mijë luftëtarëve dhe me gjakun e qindra martirëve të rënë në fushën e betejës, në emër të vullnetit të pathyeshëm të popullit shqiptar për të qenë i pavarur në truallin e tij. Lufta e Vlorës po ashtu përbën kurorëzimin në terren të vendimeve të Kongresit të Lushnjës të 28-31 janarit 1920, për të unifikuar dhe qeverisur vendin. Ajo garantoi mëvetësine e shtetit me gjuhën më të kuptueshme për kohën, atë të rezistencës së armatosur. Së bashku me vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe qeverinë që doli nga aktet e tij, Lufta e Vlorës vlerësohet me të drejtë jo vetëm nga historianët shqiptarë, por edhe ata të huaj, si shpallja e dytë dhe përfundimtare e pavarësisë së Shqipërisë. Politikani, burri i shtetit, filozofi, shkrimtari dhe publicisti Mid’had Frasheri, në një krahasim mes dy “shpalljeve”te Pavaresise, e ka cilesuar si me poshte ne persiatjet e tij: “Një mijë e nëntëqind e dymbëdhjeta mund të bëhej edhe gjetkë, në vend që të bëhej në Vlorë, në çdo qytet tjetër, në të parin fshat, edhe në të fundit. Po një mijë e nëntëqind e njëzeta nuk mund të bëhej veçse në Vlorë, në këtë baltë, prej këtyre njerëzve. Dymbëdhjeta hodhi një flakë, se materializoi dëshirën dhe idealin e një kombi, mbaroi një ide, i dha formë mendjes. Njëzeta i dha gjallim lëndës, e bëri me shpirt formën, e mbërtheu në zemra dhe në mendje”.

Ago Agaj, historiani i parë dhe më i rëndësishëm i Luftës së Vlorës, prej veprës së të cilit janë bazuar dhe frymëzuar historianët e tjerë, e cilësonte si “Një vepër të pashoqe që pas vdekjes të Skënderbeut e tëhu, me atë akt heroizmi e vetmohimi në vitin 1920, që mori më vonë emrin: Lufta e Vlorës. Autorët dhe aktorët e kësaj vepre madhështore si dhe vepra vetë u harruan. Su zu në gojë sikur të mos kishin jetuar e vepruar kurrë, sikur të mos kishin derdhur aq mundim, gjak e lot, për të ngrehur themelet e pavarësisë dhe lirisë së dytë të atdheut tonë, se atë të parën e zuri nën vetë Lufta e Parë Botërore dhe lakmitë e fqinjëve tanë të mëdhenj e të vegjël… Tri herë në jetën time e kam ndier veten krenar që jam i vlonjat: Për shpalljen e pavarësisë, Për Luftën e Vlorës dhe më shumë për mirë pritjen e muhaxhirëve të cilën se kam parë më ngjetkë në të gjitha fatkeqësitë që i ranë më vonë kombit tonë përsipër”.

Prof. Dr. Muin Çami e përkufizon rëndësinë e kësaj lufte me këto fjalë: “Vendimet e Kongresit të Lushnjës për të mbrojtur me çdo kusht pavarësinë dhe tërësinë territoriale të vendit, i vuri në jetë Lufta e armatosur e Vlorës… Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar shpëtoi vëndin nga një fund tepër tragjik, nga coptimi i tretë i trojeve shqiptare… E drejta e kësaj krenarie i takon në radhë të parë popullit të Vlorës dhe të krahinës… Faktori i brëndshëm luajti rolin vendimtar në rifitimin e pavarësisë të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes të integritetit të tij territorial” . Prof. Dr. Bardhosh Gaçe ka cilësuar se : “Në atë luftë ishin dy ushtri, të vëna përballë njera tjetrës në vijën e frontit, ku njera sheh vendin e mbrojtjes sterenë, tjetra ikën për t`u fshehur nëpër det. Mbi të gjitha populli përballë ushtrisë së huaj vë epërsinë e moralit të tij të madh. Kështu, dalëngadalë “të zot e vatanit”, duan të vdesin “për dheun e shenjtë”.Lufta e Vlorës ose kjo shpallje e dytë e pavarësisë bëri të mundur që më 17 dhjetor 1920, Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë me kufijtë që ka sot.Shmangja e coptimit të tretë të Shqipërisë.

Konferenca e Paqes pas Luftës së Parë Botërore filloi në janar 1919 në Paris. Në vijim të punimeve të saj(zgjati një vit), Italia dhe Greqia, vende fituese të luftës, nënshkruan marrëveshjen Tittoni – Venizelos (sipas mbiemrave të ministrit të jashtëm italian Tommaso Tittoni dhe Kryeministrit grek Eleftherios Veniselos) më 29 korrik 1919. Në bazë të kësaj marrëveshje, Italia do të mbështeste në Konferencën e Paqes Greqinë, për të aneksuar Korçën e Gjirokastrën, ndërsa Greqia do të përkrahte aneksimin e Vlorës dhe mandatin mbi pjesën e mbetur të shtetit shqiptar.Nëse do të realizoheshin marrëveshja e fshehtë e Londrës e vitit 2015 dhe marrëveshja Tittoni-Venizelos katër vite më vonë, në fillim të vitit 1920 Shqipëria do të rezultonte praktikisht e coptuar ndërmjet fqinjëve. Kjo do të përbënte coptimin dhe asgjësimin e tretë historik të vendit, pas të parit ndodhur me vdekjen e Skënderbeut dhe të dytit gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore. Sipas fjalëve të imzot Fan Nolit, “Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjithë anët e vëndit tonë…

Projektet e coptimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Uillson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë…”.“Sparta”dhe “Termopilet” shqiptare.Sipas patriotit Halim Xhelo, ndër organizatorët e Luftës së Vlorës, drejtues i gazetave “Politika” dhe “Liria Kombëtare” në Paris,“Në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopilë, Shqipëria e re ka një Labëri e Qafat e Koçiut” . Politikani i shquar Hasan Dosti cilësonte se:”Ishte me të vërtetë fat i madh i Shqipërisë që politika e krahinës së Vlorës, e cila nga një rrjedhim ndërhyrje rrethanash të lumtura mori format e politikës të të gjithë kombit, në kohën më dramatike, ndodhi të drejtohej prej burrave të paisur me shumë zgjim, me virtytet civile më të mira, me shpirt therorie shembullore, e jo prej intelektualëve politikanë e diplomatë të profesionit të karierës.

Pra sjellja bujare dhe vullneti i zjarrtë që kanë treguar në ato rrethana të vështira, ata bij të popullit, më bënë të mbaj aq lartë respektin ndaj tyre, sa mbaj lartë adhurimin e therorisë së atyre që kanë rënë në fushën e nderit ” Ndërsa At Shtjefën Gjeçovi, i ngarkuar nga Këshilli Kombëtar për të shkruar historinë e luftës, do të shprehej: “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar”.Jehona e luftës heroike të shqiptarëve u ndje në Evropë dhe më tej. Studjuesi i njohur italian Rino di Stefano në broshurën e tij “Sa e hidhur është Shqipëria (Com’e amara l’Albania)-Fashikujt e Komisionit hetimor për ndërhyrjen në Shqipëri 1914-1921”, shkruan se “Qëndrime pro popullit shqiptar dhe Vlorës pati në Parlamentin italian. Fitoret e luftëtarëve të Vlorës e tronditën qeverinë italiane” .Sipas Mehdi Frashërit, kryeministër i Shqipërisë në vitet 1935-1936: “Lufta e Vlorës kundër italianëve u prit me entuziazëm në gjithë anët e Shqipërisë.

Lufta e Vlorës filloi me suksese të mëdha, sa bëri bujë në gjithë Europën… Italianët e kuptuan gabimin e madh që kishin bërë në çështjen shqiptare… Sipas shtypit të Europës mendimi i përgjithshëm i botës së qytetëruar ishte kthyer në favor të shqiptarëve… Nga errësira e zezë ku ndodhej çështja shqiptare, filloi të agonte një ditë e shkëlqyeshme. .. Shtypi i Europës unanimisht këtë e konsiderojë si një sukses të madh të shqiptarëve, që u treguan të denjë për një pavarësi të plotë”.Dhe vërtet, sipas dëshmive të shtypit italian të kohës , në jo pak raste gazetat përparimtare të Italisë hodhën thirrjet: “Nuk duam udhëtime ushtarake në Shqipëri!”, “Ne kërkojmë largimin e trupave italiane nga Shqipëria dhe njohjen e të drejtës së popullit shqiptar!”.Mbështetje të madhe lufta e Vlorës mori nga gazetat dhe opinioni publik në Belgjikë, Francë, Amerikë, Zvicër, Jugosllavi, Greqi, Rumani, Bullgari, Spanjë, Gjermani, Egjypt e deri në Japoni. Gazeta franceze “La Démocratie Nouvelle” në qershor 1920 e quante popullin shqiptar të panënshtruar, ndërsa gazeta tjetër franceze “La Tribune Républicaine” më 24 qershor 1920, shkruan se ngjarjet në Vlorë e kanë nxjerrë popullin shqiptarë në rendin e ditës për preokupimet evropiane.

Lufta e Vlorës në jo pak vende evropiane shkaktoi ballafaqime të forta mes qeverive, opozitave dhe sindikatave. Ajo fitoi një dimension dhe solidaritet ndërkombëtar, me mbështetje të gjerë evropiane. Dua ta mbyll këtë shkrim me poetin tonë të madh Ali Asllanin, i cili ngjarjet e epopesë së Luftës së Vlorës i përjetoi si kurrë ndonjë ngjarje tjetër. Ato do të qenë ditë e net plot emocione të papërsëritshme, të cilat poeti do t’i përndjente gati si në jerm. Ishte kjo atmosferë e ndezur, që e bëri të shkruante marshin “Vlora, Vlora, bjeri më t’u lumtë dora”, të cilin vërtet ia kërkoi shoqata patriotike “Përlindja e Shqipërisë” për himn të saj, por, në fakt, fjalët i zienin prej kohësh brenda gjoksit të poetit, me vargjet e paharruara:

“Vlora trime shqipëtare

si rob jetën se do fare,

a do mbetet Shqipëri,

a do bëhet tym e hi!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

rroki armët, bëja forra!

Jam vlonjat e jam burrë,

sduron burri zgjedhë kurrë,

jam vlonjat e si vlonjat

di bëj luftë me të shtat!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

Bjeri, moj, tu lumtë dora!

Jam vlonjat dhe trim me besë,

rreth flamurit di të vdesë,

a me hir a me pahirë

doemos do rroj i lirë!”

Ky marsh, me muzikë të kompozitorit Thoma Nashi u luajt në Mitingun e Fitores në Vlorë në 3 Shtator 1920 nga Banda e “Vatrës”, e ardhur nga SHBA-të dhe që shërbeu si banda e ushtrisë së Luftës së Vlorës.

Sot 106 vjet më mbas ne përulemi me nderimet më të thella përpara dëshmorëve të Luftës së Vlorës, çetave nga çdo fshat i Lumit të Vlorës, nga Labëria dhe të gjitha krahinat e Shaipërisë, 12 anëtarëve te Komitetit Mbrojtja Kombëtare, me në krye Osman Haxhiun ose Osman Nurin siç i thoshte populli dhe anëtarët e tij Myqerem Hamzaraj, Duro Shaska, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Qazim Kokoshi, Murat Tërbaci, Beqir Sulo, Hazbi Cano, Hysni Shehu, Hamit Selmani, Sali Bedini, komandantëve të përgjithshëm të Trupave Kombëtare, Major Ahmet Lepenica dhe Qazim Koculi, kapedanit Sali Vranishti, heronjve, Zigur Lelo, Selam Musa Salaria, Kanan Maze, Sado Koshena, Mehmet Mallkeqi dhe dhjetëra komandantëve te tjerë, që dhanë jetën për Shqipërinë!

Me rastim e 50 vjetorit të Luftës së Vlorës, luftëtarët e saj u vlerësuan nga regjimi i kohës, por me shumë kufizime e mënjanime për arsye politike. Do të ishte demokracia dhe veçanërisht presidentët e nderuar të Republikës Bamir Topi, Bujar Nishani dhe Ilir Meta në 100 vjetorin e saj, që do të vendosnin në piedestalin më të lartë të vlerësimeve kombëtare heronjtë, drejtuesit, komandantet, dëshmorët dhe figurat politike dhe shoqërore të kohës që mundësuan këte Luftë – Epope. Pavarësisht sa më sipër, vlerësimi duhet te vazhdoj! Gjithmone u jemi dhe i mbetemi borxh Luftës së Vlorës 1920 dhe heronjve të saj!

Filed Under: Histori

Kur diplomacia nuk mjaftoi – Lidhja e Prizrenit në luftë për trojet shqiptare

September 3, 2026 by s p

3 shtator 1878 – Gjakova si përgjigje ndaj një Evrope që vendoste mbi shqiptarët pa shqiptarët

Isuf B.Bajrami

Më 3 shtator 1878, Gjakova u bë skena e një prej përplasjeve më të njohura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Forcat shqiptare, me Sylejman Vokshin ndër drejtuesit kryesorë, rrethuan në sarajet e Abdullah Pashë Drenit Mehmet Ali Pashë Maxharrin, i cili kishte ardhur në Gjakovë në kuadër të misionit për zbatimin e vendimeve që lidhnin dorëzimin e Plavës dhe Gucisë Malit të Zi. Pas një rrethimi dhe përleshjesh disa ditore, më 6 shtator u vranë Mehmet Ali Pasha, Abdullah Pashë Dreni dhe një numër i madh i njerëzve që ndodheshin me ta.[1]

Për të kuptuar se çfarë përfaqësonte kjo përplasje, duhet të kthehemi disa muaj më herët, në Berlin, aty ku fuqitë e mëdha evropiane po përpiqeshin të ndërtonin një rend të ri politik për Ballkanin. Kongresi i Berlinit i vitit 1878 u mblodh pas luftës ruso-osmane dhe synonte të rishikonte rregullimet e mëparshme dhe të vendoste një ekuilibër të ri ndërmjet fuqive dhe shteteve të rajonit. Në gjuhën diplomatike të kohës flitej për paqe, stabilitet dhe rregullim të marrëdhënieve ndërkombëtare. Por për shqiptarët, ky “rregullim” do të nënkuptonte diçka shumë më konkrete: territoret ku ata jetonin do të bëheshin objekt i vendimeve të marra në një tryezë ku shqiptarët nuk kishin përfaqësim politik të drejtpërdrejtë.[2]

Këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të diplomacisë evropiane të asaj kohe. Fuqitë e Mëdha flisnin për rendin e ri të Evropës dhe për parimin e kombësisë, ndërsa në rastin shqiptar nuk krijuan një mekanizëm të barabartë për dëgjimin dhe përfaqësimin e kërkesave shqiptare. Në memorandumin drejtuar Lord Beaconsfield, përfaqësuesit shqiptarë e theksuan pikërisht këtë problem: popuj të tjerë të Perandorisë Osmane kishin qeveri ose diplomatë që mund të shprehnin aspiratat e tyre, ndërsa shqiptarët nuk kishin një shtet të tyre dhe, për këtë arsye, rrezikonin të mbeteshin pa zë në tryezën ku vendosej fati i tyre.[2]

Kjo nuk ishte një ankesë e zakonshme diplomatike. Ishte një paralajmërim. Shqiptarët po i thoshin Evropës se ekzistonin si popull dhe se nuk pranonin që territoret e tyre të trajtoheshin si hapësira të lira për t’u shkëmbyer ndërmjet interesave të fuqive dhe shteteve fqinje. Në dokumentet e Lidhjes shprehej qartë qëllimi për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe kundërshtimi ndaj vendosjes së një qeverisjeje tjetër mbi territoret që ajo i konsideronte pjesë të atdheut shqiptar.[3]

Megjithatë, diplomacia evropiane nuk e ndryshoi rrënjësisht kursin e saj. Traktati i Berlinit përcaktoi kufij të rinj dhe njohu zgjerime territoriale të Malit të Zi, ndërsa neni 28 përcaktoi kufijtë e rinj të tij.[4]

Për shqiptarët, problemi nuk ishte vetëm juridik apo administrativ. Në shumë prej këtyre viseve jetonin popullsi shqiptare, dhe ndryshimi i sovranitetit nuk ishte një vijë abstrakte mbi hartë: ai lidhej me sigurinë, pronën, administrimin, jetën shoqërore dhe të ardhmen politike të njerëzve.

Kjo është arsyeja pse kritika ndaj diplomacisë së Fuqive të Mëdha nuk duhet të kufizohet te fakti se shqiptarët nuk morën atë që kërkuan. Kritika më e thellë është se sistemi diplomatik i kohës i trajtoi popujt në mënyrë të pabarabartë. Fuqitë e Mëdha kishin kapacitetin për të vendosur mbi Ballkanin, ndërsa popujt e vegjël shpesh duhej të bindnin të tjerët se kishin të drejtë të dëgjoheshin. Në këtë sistem, parimet shpesh përfundonin pas interesave strategjike.

Dhe këtu duhet pranuar një e vërtetë historike që shpesh humbet në rrëfimet e thjeshtuara: shqiptarët nuk iu drejtuan menjëherë luftës. Ata filluan me politikë. Filluan me organizim, me kuvende, me memorandume dhe me përpjekje diplomatike. Më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja e Prizrenit, ndërsa më 13 qershor iu dërgua Lord Beaconsfield një memorandum ku kërkohej që çështja shqiptare të dëgjohej në Kongresin e Berlinit.[5]

Në këtë kuptim, Lidhja ishte edhe një përpjekje për të krijuar subjektivitet politik. Ajo nuk ishte vetëm një bashkim i përkohshëm për një betejë. Dokumentet e saj tregojnë një organizim politik dhe ushtarak, me struktura administrative, rregulla për organizimin e forcave dhe mekanizma për mbrojtjen e territoreve që konsideroheshin shqiptare.[3]

Sylejman Vokshi ishte ndër figurat e rëndësishme të këtij organizimi dhe emri i tij figuron edhe në dokumentet themeluese të Lidhjes.[3]

Por nëse diplomacia ishte rruga e parë, ajo nuk solli rezultatin që kërkonin shqiptarët. Në vitin 1879, Abdyl Frashëri dhe Mehmed Ali Vrioni vazhduan përpjekjet diplomatike në qendrat evropiane, duke kërkuar mbështetje për çështjen shqiptare.[5]

Përpjekja për të fituar mbështetje ndërkombëtare dëshmon se Lidhja nuk e shihte konfliktin si qëllim në vetvete. Ajo kërkonte një zgjidhje politike, por një zgjidhje që të merrte parasysh realitetin shqiptar.

Në këtë pikë, përgjegjësia e diplomacisë së Fuqive të Mëdha bëhet më e dukshme. Kur një popull kërkon të dëgjohet dhe përgjigjja është një vendim që prek drejtpërdrejt territoret e tij pa pjesëmarrjen e tij, atëherë diplomacia rrezikon të shndërrohet nga instrument i paqes në instrument të imponimit. Një traktat mund të jetë një akt ndërkombëtar, por asnjë traktat nuk mund ta fshijë realitetin politik të një popullsie vetëm me anë të një nënshkrimi.

Gjakova ishte momenti kur ky realitet u përplas me vendimin diplomatik. Në fund të gushtit 1878, Mehmet Ali Pasha Maxharri mbërriti në rajon me misionin për zbatimin e vendimeve që lidhnin Plavën dhe Gucinë me Malin e Zi. Krerët e Lidhjes kërkuan që ai të hiqte dorë nga misioni. Pas refuzimit, ai u rrethua në sarajet e Abdullah Pashë Drenit më 3 shtator. Luftimet, pas ndërprerjeve dhe përpjekjeve për bisedime, vazhduan deri më 6 shtator, kur Mehmet Ali Pasha dhe Abdullah Pashë Dreni mbetën të vrarë.[1]

Kështu, ajo që ishte vendosur në Berlin zbriti në Gjakovë. Një dispozitë diplomatike u shndërrua në një konflikt të drejtpërdrejtë mbi tokën dhe popullsinë. Në këtë kuptim, Gjakova nuk ishte një episod i shkëputur nga Kongresi i Berlinit. Ishte një nga pasojat e tij në terren.

Kjo nuk do të thotë se çdo veprim i armatosur bëhet automatikisht i drejtë vetëm sepse ndërmerret në emër të një populli. Historia dhe e drejta kërkojnë një analizë më të kujdesshme. Por është po aq e gabuar të trajtohet rezistenca shqiptare vetëm si një pengesë ndaj “zbatimit të traktatit”, pa pyetur se çfarë përfaqësonte ai zbatim për njerëzit që jetonin në territoret në fjalë.

Koncepti modern i vetëmbrojtjes në të drejtën ndërkombëtare nuk mund të projektohet mekanikisht në vitin 1878. Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara i përket rendit juridik të krijuar pas vitit 1945. Por kjo nuk e zhvesh Lidhjen e Prizrenit nga karakteri i saj mbrojtës në kuptimin politik dhe historik. Lidhja kishte ndërtuar struktura për mbrojtjen e territoreve dhe kishte shprehur në dokumentet e veta qëllimin për të mbrojtur tërësinë territoriale me mjetet që i konsideronte të nevojshme.[3]

Prandaj, më e saktë është të thuhet se Gjakova përfaqësonte një formë të vetëorganizimit dhe të rezistencës së një bashkësie politike që e perceptonte veten të kërcënuar nga ndryshimet territoriale të imponuara nga jashtë. Kjo është diçka tjetër nga pretendimi se Lidhja po zbatonte një normë të së drejtës ndërkombëtare që në atë kohë ende nuk ekzistonte në formën që e njohim sot.

Pikërisht këtu qëndron edhe tragjedia e diplomacisë së vitit 1878. Fuqitë e Mëdha kërkonin të krijonin stabilitet në Ballkan, por një stabilitet i ndërtuar pa pjesëmarrjen reale të popullsive që preken prej tij nuk mund të jetë lehtësisht i qëndrueshëm. Diplomacia mund të vizatojë kufij, por nuk mund të prodhojë automatikisht legjitimitet politik. Mund të nënshkruajë traktate, por nuk mund të urdhërojë një popull të harrojë se kush është dhe çfarë kërkon.

Në Berlin, shqiptarët u përballën me një diplomaci që ishte më e interesuar për ekuilibrin ndërmjet fuqive sesa për krijimin e një standardi të barabartë për të gjitha kombësitë e Ballkanit. Në Gjakovë, ky ekuilibër u përball me një realitet që nuk mund të fshihej më pas formulimeve diplomatike. Historia e asaj kohe tregon se sa e rrezikshme është kur “stabiliteti” përdoret për të justifikuar vendime që një pjesë e popullsisë i konsideron si kërcënim ndaj ekzistencës së saj politike.

Kjo është arsyeja pse Kongresi i Berlinit duhet parë edhe si një mësim mbi kufijtë e realpolitikës. Fuqitë e Mëdha mund të kishin interesa legjitime strategjike, por kjo nuk i bënte automatikisht legjitime të gjitha pasojat e vendimeve të tyre. Interesi i një fuqie nuk është i njëjtë me të drejtën e një populli. Stabiliteti i një kancelarie nuk është gjithmonë stabiliteti i një familjeje që jeton në territorin mbi të cilin është marrë vendimi.

Dhe këtu historia e Lidhjes së Prizrenit fiton një rëndësi që shkon përtej vitit 1878. Ajo tregon se një popull i cili nuk përfaqësohet në tavolinën diplomatike përpiqet të krijojë vetë mjetet politike për t’u përfaqësuar. Kur këto mjete nuk mjaftojnë, ai kërkon ta mbrojë atë që konsideron interes jetik. Ky është një proces që duhet kuptuar në kontekstin e kohës dhe jo të reduktohet në një narrativë të thjeshtë për “luftë” dhe “paqe”.

Sot rendi ndërkombëtar është shumë më i zhvilluar juridikisht. Karta e Kombeve të Bashkuara e vendos ndër qëllimet e organizatës zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve mbi bazën e respektimit të parimit të të drejtave të barabarta dhe vetëvendosjes së popujve.[7] Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike përcakton se të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes dhe, mbi bazën e saj, përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik.[8]

Këto norma nuk mund t’i kthejmë pas në kohë dhe t’ua atribuojmë drejtpërdrejt aktorëve të vitit 1878. Por mund t’i përdorim si një pikë reference për të gjykuar se sa shumë ka ndryshuar gjuha juridike e botës dhe sa përgjegjësi më të madhe kanë sot shtetet dhe organizatat ndërkombëtare kur flasin për demokracinë, të drejtat e njeriut, vetëvendosjen dhe bashkëjetesën.

Prandaj historia e Lidhjes së Prizrenit nuk duhet përdorur për të ushqyer armiqësi të reja. Ajo duhet përdorur për të kërkuar standarde të barabarta. Nëse Evropa moderne dëshiron të jetë ndryshe nga Evropa e vitit 1878, atëherë nuk mund të pranojë që një popull të trajtohet si problem diplomatik sa herë që kërkon të drejta politike, ndërsa një tjetër të trajtohet si subjekt i privilegjuar vetëm sepse interesat e tij përputhen më mirë me kalkulimet e fuqive të mëdha.

Bashkëjetesa nuk është mohimi i njërit në emër të qetësisë së tjetrit. Bashkëjetesa është barazi. Demokracia nuk është privilegj që një shumicë mund t’ia japë ose t’ia heqë një pakice sipas interesit të momentit. Demokracia është sistem në të cilin të drejtat politike dhe qytetare mbrohen përmes institucioneve dhe ligjit.

Dhe stabiliteti nuk mund të jetë sinonim i ngrirjes së një padrejtësie. Një stabilitet i tillë mund të zgjasë për një kohë, por historia e Ballkanit ka dëshmuar vazhdimisht se problemet e pazgjidhura nuk zhduken vetëm sepse diplomacia vendos të mos i përmendë.

Kjo është ajo që e bën 3 shtatorin e vitit 1878 më shumë se një datë përkujtimore. Është një moment ku mund të shihet qartë lidhja ndërmjet diplomacisë dhe rezistencës. Lidhja e Prizrenit kërkoi fillimisht të fliste. Kur fjala nuk mjaftoi, ajo organizoi mbrojtjen. Kur vendimet e marra larg shqiptarëve u përpoqën të zbatoheshin mbi territoret shqiptare, Gjakova u bë vendi ku ky konflikt politik u shndërrua në përplasje të armatosur.

Për këtë arsye, përgjegjësia historike e diplomacisë evropiane nuk qëndron vetëm te kufijtë që u vizatuan në hartë. Qëndron edhe te pyetja se pse një popull që kërkonte të dëgjohej nuk u trajtua si palë politike me të drejtën për të paraqitur dhe mbrojtur interesat e veta.

Evropa e vitit 1878 mund të thoshte se kishte vendosur një rend.

Por Gjakova tregoi se një rend pa pëlqimin dhe pjesëmarrjen e atyre që preken prej tij mund të prodhojë rezistencë në vend të paqes.

Ky është edhe mësimi që duhet të mbetet për të sotmen. Jo se lufta është rruga e parë dhe as se konflikti duhet romantizuar. Përkundrazi, mësimi është se diplomacia duhet të jetë aq serioze, aq e drejtë dhe aq e barabartë sa ta bëjë konfliktin të panevojshëm. Ajo duhet të dëgjojë përpara se të vendosë, të negociojë përpara se të imponojë dhe të kërkojë zgjidhje që mund të jetojnë jo vetëm në dokumente, por edhe në ndërgjegjen e njerëzve mbi të cilët zbatohen.

Më 3 shtator 1878, shqiptarët e Gjakovës nuk po përballeshin vetëm me një pashë osman apo me një detashment ushtarak. Në një kuptim më të gjerë, ata po përballeshin me pasojën konkrete të një sistemi diplomatik që kishte vendosur mbi ta pa i pasur ata në tryezë.

Prandaj, kujtimi i asaj dite nuk duhet të jetë vetëm kujtim i armëve. Duhet të jetë edhe kujtim i dështimit të diplomacisë për të gjetur një zgjidhje politike që do të merrte seriozisht zërin shqiptar.

Historia nuk na kërkon ta përsërisim atë konflikt.

Na kërkon të mos përsërisim atë gabim.

Nëse Evropa e sotme dëshiron të jetë vërtet Evropë e demokracisë, e të drejtave dhe e shtetit të së drejtës, atëherë nuk mund të ketë standarde të ndryshme për lirinë, vetëvendosjen, përfaqësimin dhe bashkëjetesën. Një e drejtë nuk bëhet më pak e drejtë vetëm sepse është kërkuar nga një popull i vogël. Një padrejtësi nuk bëhet më e pranueshme vetëm sepse është formuluar në gjuhën elegante të një traktati.

Kjo është arsyeja pse Gjakova mbetet një paralajmërim për çdo diplomaci që beson se mund të ndërtojë paqe duke anashkaluar vullnetin e popujve.

Në vitin 1878, Evropa zgjodhi të vendoste për shqiptarët.

Shqiptarët zgjodhën të mos heshtnin.

Sot bota ka institucione, norma dhe mjete politike që atëherë nuk ekzistonin. Pikërisht për këtë arsye, ajo ka edhe një përgjegjësi më të madhe: të mos e detyrojë një popull të zgjedhë mes nënshtrimit politik dhe konfliktit.

Diplomacia duhet ta ketë mësuar më në fund mësimin e Gjakovës.

Kur vendoset për fatin e një populli, ai popull duhet të jetë në tryezë.

Sepse kufijtë mund të vizatohen me laps në harta, por paqja mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, barazi dhe respekt për njerëzit që jetojnë mbi atë tokë.

Fusnota,

[1] Për ngjarjet e Gjakovës: rrethimi i Mehmet Ali Pashë Maxharrin në sarajet e Abdullah Pashë Drenit më 3 shtator 1878 dhe përfundimi i luftimeve më 6 shtator me vrasjen e Mehmet Ali Pashës dhe Abdullah Pashë Drenit. Shih edhe studimin e Jusuf Bajraktarit mbi Gjakovën në kohën e Lidhjes së Prizrenit.

[2] Robert Elsie, Memorandum to Lord Beaconsfield, 1878. Memorandumi theksonte se shqiptarët nuk kishin përfaqësim shtetëror në Kongresin e Berlinit dhe kërkonte që çështja shqiptare të dëgjohej në tryezën diplomatike.

[3] Robert Elsie, The Resolutions of the League of Prizren, 1878. Dokumentet e Lidhjes përfshijnë mbrojtjen e tërësisë territoriale, organizimin politik dhe ushtarak dhe masat për mbrojtjen e territoreve të konsideruara shqiptare.

[4] Treaty of Berlin, 13 korrik 1878, veçanërisht nenet 28–29, mbi kufijtë dhe zgjerimin territorial të Malit të Zi.

[5] Robert Elsie, The Resolutions of the League of Prizren. Burimi dokumenton themelimin e Lidhjes më 10 qershor 1878, memorandumin drejtuar Lord Beaconsfield më 13 qershor dhe vazhdimin e veprimtarisë diplomatike të Abdyl Frashërit në Evropë gjatë vitit 1879.

[6] Për organizimin e forcave dhe rolin e degës së Lidhjes në Gjakovë, shih Jusuf Bajraktari, Gjakova me rrethinë në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Studimi dokumenton mobilizimin e forcave të Lidhjes dhe përplasjen e shtatorit 1878.

[7] Karta e Kombeve të Bashkuara, neni 1(2), mbi zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve mbi bazën e respektimit të parimit të të drejtave të barabarta dhe vetëvendosjes së popujve.

[8] International Covenant on Civil and Political Rights, neni 1, mbi të drejtën e të gjithë popujve për vetëvendosje dhe përcaktimin e lirë të statusit të tyre politik.

Filed Under: Histori

JANINA KRYEQENDËR E SHQIPËRISË

September 2, 2026 by s p

Një analizë historiko-gjeopolitike e dokumentit të vitit 1841.

Prof.dr. Pal Nikolli

Burimi i materialit: Revista e periodikut italian “Poliorama Pittoresco” (21 Gusht 1841, Faqe 13, Tomo VI) Titulli Origjinal: GIANINA CAPITALE DELL’ ALBANIA Ilustrimi: Gravurë panoramike nga F. Sardi (litografi)

Dokumenti historik i vitit 1841 nga revista e njohur italiane Poliorama Pittoresco përbën një dëshmi tejet të rëndësishme mbi gjeografinë politike, organizimin ushtarak dhe dinamikat socio – kulturore të hapësirës shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të. Teksti shoqërues me titull të qartë e domethënës “Gianina Capitale dell’ Albania” (Janina Kryeqytet i Shqipërisë), i bashkëlidhur me një litografi mahnitëse të realizuar nga artisti F. Sardi, pasqyron rolin udhëheqës të qytetit të Janinës dhe kontributin e Ali Pashë Tepelenës në konsolidimin e një autonomie de-facto shqiptare.

1. Koncepti territorial dhe identiteti gjeografik i Shqipërisë.

Në hapje të artikullit, autori italian përcakton me saktësi rajonin gjeografik dhe shtrirjen e territorit shqiptar. Shqipëria përshkruhet si një rajon i gjerë dhe i famshëm prej kohësh, i cili përmbante disa qytete mjaft të rëndësishme. Midis tyre, Janina (e quajtur Janina nga shqiptarët dhe Yania nga osmanët) zinte vendin qendror si kryeqyteti i Shqipërisë së Poshtme (Bassa-Albania).

Vendosja e qytetit në bregun perëndimor të liqenit, e rrethuar nga një natyrë piktoreske dhe me një pazar (Bazar) mirë të ndërtuar, plotësonte strukturën strategjike të kësaj kryeqendre. Gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës, kontrolli administrativ u shtri në një territor mjaft të gjerë shqiptar që përfshinte sangjakët e Delvinës, Vlorës, Elbasanit dhe Ohrit, duke u zgjeruar deri në Trikala të Thesalisë.

2. Ali Pashë Tepelena: Udhëheqësi dhe shtetari ushtarak.

Analiza i kushton një fokus të veçantë figurës komplekse të Ali Pashës. I përshkruar si një “njeri i jashtëzakonshëm”, ai arriti të ngjitej nga një drejtues i thjeshtë kleftësh (capo de’ clefti) në zotëruesin absolut të Shqipërisë së Poshtme dhe rajoneve përreth.

“Ali-Bascià non riconosceva, se non di nome, la sovranità del Gran-signore… Egli si aveva raccolta una flottiglia di parecchie corvette, e un esercito di 20,000 uomini, meglio ordinato e governato che qualsiasi altra soldatesca ottomana.”

(Ali Pasha nuk e njihte sovranitetin e Sulltanit përveçse me emër… Ai kishte ngritur një flotë me disa korveta dhe një ushtri prej 20,000 vetash, më mirë të organizuar e të qeverisur se çdo forcë tjetër ushtarake osmane.)

Ali Pasha ruajti një pavarësi praktike administrative nga Porta e Lartë. Ai zhvillonte marrëdhënie të drejtpërdrejta diplomatike me fuqitë e mëdha detare europiane, të cilat akredituan përfaqësuesit e tyre pranë kortes së Janinës. Fuqia e tij bazohej mbi një ushtri të disiplinuar dhe një flotë detare me korveta, duke e kthyer Janinën në një pol të fuqishëm gjeopolitik në Ballkan deri në rrethimin e tij dhe fundin tragjik në vitin 1822.

3. Arkitektura, urbanistika dhe rilindja kulturore.

Dokumenti nxjerr në pah transformimin e madh urbanistik dhe kulturor të Janinës gjatë kësaj periudhe. Qyteti dominohej nga dy kështjella kryesore: ajo mbi gadinsulën e liqenit dhe citadela e Litharicës. Në Litharicë, Ali Pasha ndërtoi një pallat me magnificencë mbretërore, duke angazhuar mjeshtër dhe arkitekturë të nivelit europian.

Popullsia e Janinës arriti deri në 40,000 banorë, duke u krahasuar me qytetet më me prosperitet në Itali. Në qytet u ngritën shkolla fillore, një lice ku mësoheshin gjuhët e lashta, filozofia dhe matematika, si dhe një bibliotekë publike e pasur. Janina u kthye në një qendër të rëndësishme tregtare dhe intelektuale, ku zakonet dhe moda europiane po përqafoheshin me shpejtësi.

4. Pasojat e rënies dhe rëndësia historike.

Në përmbyllje, teksti trajton edhe pasojat e rënda që pasuan pas eliminimit të Ali Pashës më 1822. Shkatërrimi i mbretërisë së tij çoi në rrënimin e institucioneve arsimore, tregtisë dhe të vetë qytetit. Në kohën e botimit të artikullit (1841), Janina përshkruhet si një qytet i reduktuar ndjeshëm në popullsi e aktivitet.

Sidoqoftë, ky dokument mbetet një dëshmi e patjetërsueshme historike që provon se në fillim të shekullit të XIX-të, Janina njihej ndërkombëtarisht si kryeqendra politike, ushtarake dhe kulturore e Shqipërisë.

Filed Under: Histori

Tipologjia e episodeve dhe strukturave narrative në veprën e Stefan Zanoviq: nga modeli barletian te narrativi iluminist

September 1, 2026 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Analiza e episodeve në veprën Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia duhet të ndërtohet mbi një parim të dyfishtë metodologjik: nga njëra anë, një qasje strukturore që synon identifikimin e njësive narrative të përsëritshme dhe të funksioneve të tyre, dhe nga ana tjetër, një qasje intertekstuale që vendos në raport këtë tekst me matricën historiografike të Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis të Marin Barleti. Në këtë perspektivë, episodi nuk duhet kuptuar thjesht si një segment rrëfimi, por si një funksion narrativ në kuptimin proppian të termit, pra si një njësi që realizon një rol të caktuar në strukturën e përgjithshme të tekstit: funksion formimi, prove, konflikti, legjitimimi apo glorifikimi. Kjo qasje lejon të zbulohet jo vetëm organizimi i brendshëm i rrëfimit, por edhe mënyra se si këto funksione transformohen nga një paradigmë humaniste në një paradigmë iluministe.

Në tipologjinë e episodeve të origjinës dhe të legjitimimit, struktura themelore artikulohet sipas një skeme të qëndrueshme: prejardhja → fisnikëria → destinimi historik. Kjo bëhet e qartë në formulime të tilla si: “Gjergj Kastrioti ishte djali i Gjon Kastriotit dhe i Vojsavës… familje që sundonte prej 710 vjetësh…” , ku ndërtohet një legjitimitet i shumëfishtë: genealogjik, historik dhe simbolik. Ky episod përmban njëkohësisht afirmimin e vazhdimësisë dinastike dhe sublimimin e origjinës në një nivel mitizues. Në krahasim me modelin e Barletit, ku ky funksion mbetet kryesisht kronikal dhe legjitimues, te Zanoviq ai merr një dimension të shtuar retorik dhe simbolik, duke e ngritur origjinën në një element themelor të ndërtimit të identitetit heroik. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një tip të qartë të episodit të themelimit identitar, i cili vendos bazat semantike dhe ideologjike të gjithë narrativës.

Në vijim, episodet e formimit të heroit përfaqësojnë një tjetër tipologji themelore, e ndërtuar mbi strukturën iniciatike të shkëputjes, transformimit dhe përvetësimit të fuqisë. Kjo strukturë artikulohet në mënyrë të qartë në formulime si: “Ai u bë synet… u edukua… mësoi gjuhë të shumta… u dallua për guxim…” , ku shfaqen disa funksione të njëpasnjëshme: shkëputja nga origjina, formimi në një mjedis të huaj dhe përvetësimi i dijes dhe i aftësive që do ta bëjnë të mundur kthimin triumfal. Te Barleti, kjo fazë interpretohet shpesh si një paradoks providencial, ku armiku bëhet pa dashje instrument i formimit të heroit; ndërsa te Zanoviq ajo riformulohet si një proces pedagogjik dhe racional, ku heroi ndërton vetveten përmes përvojës dhe dijes. Kjo e vendos këtë tip episodi në kategorinë e episodeve iniciatike, që realizojnë funksionin e formimit të identitetit heroik në një kuptim më të gjerë antropologjik dhe kulturor.

Një tjetër tipologji e rëndësishme përfaqësohet nga episodet e rikthimit dhe të rimarrjes së pushtetit, ku struktura narrative ndërtohet mbi tri faza kryesore: strategjia, rikthimi dhe restaurimi i rendit.

Një shembull domethënës është episodi i marrjes së Krujës: “Ai detyroi kancelarin të shkruante urdhër… marshoi drejt Krujës… mbylli portat…” , ku veprimi i heroit zhvillohet përmes një kombinimi të inteligjencës strategjike dhe vendosmërisë politike. Në këtë episod, mashtrimi strategjik shërben si mjet për rikthimin në atdhe, ndërsa marrja e qytetit përfaqëson një rimarrje simbolike të qendrës së pushtetit dhe të rendit politik. Krahasuar me Barletin, ku ky akt mbetet një moment historik i rëndësishëm i rezistencës, te Zanoviq ai merr një dimension më të theksuar dramatik dhe teatror, duke e shndërruar rikthimin në një akt spektakolar të restaurimit të rendit. Kjo e klasifikon këtë tip si episod i rikthimit dhe i restaurimit, një funksion kyç në ekonominë narrative të veprës.

Në fund, episodet e betejës dhe të provës heroike përbëjnë një tipologji të veçantë, të karakterizuar nga struktura e përballjes, disproporcioni numerik dhe triumfi absolut. Kjo vihet re në formulime të tilla si: “20 000 të vrarë… 26 humbje…” , ku raporti i theksuar midis humbjeve të armikut dhe atyre të heroit krijon një efekt të fortë hiperbolik dhe mitizues. Në këtë rast, episodi nuk funksionon vetëm si përshkrim i një beteje, por si provë e supremacisë heroike, ku figura e Skënderbeut paraqitet si e pakrahasueshme në fushën e luftës. Ndërsa te Barleti kjo hiperbolë mbetet e integruar në një diskurs retorik glorifikues, te Zanoviq ajo shoqërohet me një vetëdije narrative mbi procesin e mitizimit, duke e vendosur këtë tip episodi në një nivel më kompleks refleksiv. Në këtë mënyrë, kemi të bëjmë me një tip të qartë të episodit të provës dhe të supremacisë heroike, i cili përmbyll ciklin e funksioneve narrative duke e ngritur figurën e heroit në një nivel të lartë simbolik dhe estetik.

Në vijim të tipologjisë së episodeve, një vend të veçantë zënë episodet morale dhe alegorike, të cilat përfaqësojnë një shtresë të re diskursive të shtuar nga Stefan Zanoviq mbi modelin e Marin Barleti. Episodi i prologut me Menandrin dhe CLEARC-un – “Ai ofronte vetëm fruta… jetonte sipas ligjeve të natyrës…” – përbën një strukturë të qartë alegorike, të ndërtuar mbi kundërvënien themelore midis pasurisë dhe virtytit. Në këtë episod artikulohet një model etik që afirmon thjeshtësinë, natyrshmërinë dhe vetëpërmbajtjen si vlera universale, duke e vendosur rrëfimin historik brenda një horizonti filozofik të tipit iluminist. Kjo strukturë mungon plotësisht te Barleti dhe përfaqëson një shtesë ideologjike të mirëfilltë, përmes së cilës teksti zhvendoset nga një historiografi humaniste drejt një diskursi moral universal. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një tip të mirëpërcaktuar të episodit alegorik moral, i cili funksionon si kornizë interpretative për gjithë figurën e Skënderbeut.

Një tjetër kategori e rëndësishme përfaqësohet nga episodet diplomatike dhe politike, ku struktura narrative ndërtohet mbi një sekuencë funksionale të tipit ofertë → refuzim → afirmim i sovranitetit. Një shembull domethënës është formulimi: “Ai nuk do t’i paguajë askujt taksa… shpata e tij nuk ka paguar tjetër…” , i cili artikulon një refuzim kategorik të nënshtrimit dhe një afirmim të autonomisë politike. Në krahasim me Barletin, ku ky motiv lidhet kryesisht me rezistencën fetare dhe mbrojtjen e krishterimit, te Zanoviq ai riformulohet si një parim politik modern, që shpreh konceptin e sovranitetit si vlerë universale. Kjo e vendos këtë tip episodi në kategorinë e episodeve të sovranitetit dhe autonomisë, ku figura e Skënderbeut shndërrohet në model të një pushteti të pavarur dhe të legjitimuar etikisht.

Në fushë të glorifikimit dhe universalizimit, episodet përkatëse ndërtohen mbi struktura që e nxjerrin figurën e heroit përtej kufijve të kontekstit lokal dhe e vendosin në një hapësirë simbolike ndërkombëtare. Formulimi: “Ai u urua si Aleksandri i Dytë…” përfaqëson një shembull tipik të kësaj strategjie, ku krahasimi me figura universale të historisë botërore shërben për të afirmuar statusin ndërkombëtar të Skënderbeut. Në këtë mënyrë, kemi një proces të tejkalimit të kontekstit etno-historik dhe të integrimit të figurës në një kanon më të gjerë evropian. Ky tip episodi mund të përkufizohet si episod i mitizimit universal, pasi realizon funksionin e ngritjes së heroit në nivelin e një simboli të përgjithshëm kulturor.

Paralelisht me këto zhvillime, episodet e jetës private dhe të estetizimit përbëjnë një tjetër risi të rëndësishme në strukturën narrative të veprës. Përshkrime të tilla si: “Martesa… festa… lojëra, valle…” shënojnë një ndërprerje të narrativës luftarake dhe futjen e elementeve estetike dhe sociale në rrëfim. Këto episode realizojnë një funksion të dyfishtë: nga njëra anë, humanizojnë figurën e heroit duke e paraqitur atë në dimensionin e jetës së përditshme, dhe nga ana tjetër, kontribuojnë në estetizimin e narrativës përmes përshkrimeve ceremoniale dhe emocionale. Në krahasim me Barletin, ku këto elemente janë minimale ose periferike, te Zanoviq ato marrin një zhvillim të zgjeruar, duke e afruar tekstin me format e romanit historik dhe të letërsisë së ndjeshmërisë së shekullit XVIII. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një tip episodi të humanizimit dhe të estetikës narrative.

Nga tërësia e këtyre tipologjive del një strukturë e përgjithshme narrative me karakter ciklik, e organizuar sipas një sekuence funksionale të qëndrueshme: origjina, formimi, rikthimi, prova (lufta), legjitimimi dhe universalizimi. Ky model ekziston në formë embrionale edhe te Barleti, ku shërben si bazë kronikale e rrëfimit historik, por te Zanoviq ai shndërrohet në një strukturë narrative të ndërgjegjshme dhe të estetizuar, e cila organizon në mënyrë sistematike zhvillimin e figurës së heroit. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një riorganizim të funksioneve narrative në një sistem më kompleks dhe më të vetëdijshëm estetikisht.

Në përfundim të këtij kapitulli, tipologjia e episodeve dëshmon se Zanoviq ruan funksionet bazë të narrativës barletiane, por i riorganizon ato në një sistem të ri diskursiv, ku historia shndërrohet në narrativë, narrativë në ideologji, dhe ideologjia në model kulturor. Në këtë mënyrë, teksti i tij përfaqëson një fazë të dytë të jetës së mitit të Skënderbeut: struktura mbetet ende e lidhur me modelin barletian, por funksioni i saj është tashmë i transformuar, duke marrë një dimension evropian, iluminist dhe estetik, që e vendos figurën e heroit në një horizont të ri interpretativ.

Filed Under: Histori

Dr. Riza Sadiku dhe kontributi në dokumentimin e historisë kombëtare

August 31, 2026 by s p

Dr. Kujtim Kasami/

– Historiani kërçovar me guxim të fortë intelektual

Riza Rrahim Sadiku (1949–2019) lindi në fshatin Tuhin të Kërçovës më 20 gusht 1949 dhe ndërroi jetë më 12 mars 2019.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Normalen në Shkup, ndërsa Fakultetin Filozofik, në grupin e Historisë, si dhe studimet pasuniversitare i kreu në Prishtinë. Në vitin 1985 mbrojti temën e magjistraturës me titull “Luftërat ballkanike dhe çështja shqiptare në shtypin serb”.

Kjo temë është shumë domethënëse për profilin e tij shkencor, sepse dëshmon interesimin e hershëm të tij për marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe për mënyrën se si çështja shqiptare paraqitej në burimet dhe shtypin serb.

Në korrik të vitit 2003, Dr. Riza Sadiku doktoroi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me temën “Kontributi i Lidhjes Kosovare në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare 1949–1999”.

Veprimtaria profesionale

Gjatë viteve 1975–1977, Riza Sadiku punoi si profesor i historisë në shkollat e mesme në Prishtinë. Nga viti 1977 deri më 1981 punoi në Muzeun e Kosovës si bashkëpunëtor profesional.

Nga viti 1981 punoi në Muzeun e Revolucionit të Kosovës si bashkëpunëtor i lartë profesional, deri më 7 mars 1995, kur ky institucion u shua nga regjimi serb, me ç’rast mbeti jashtë procesit të punës.

Pas çlirimit të Kosovës, më 6 shtator 1999, u rikthye në vendin e punës në Muzeun e Kosovës.

Si bashkëpunëtor profesional i Muzeut të Kosovës, mori pjesë në organizimin e më shumë se 20 ekspozitave tematike nga fusha e historisë, si pjesë e grupeve të autorëve dhe si autor.

Ndër punimet e tij më të rëndësishme shkencore dhe publicistike veçohen:

– “Gjurmëve të këngës të Selman Litës”, në bashkëpunim me I. Kadriun, Fjala, Prishtinë, 1977;

– “Biografia dhe bibliografia e Dr. Hasan Kaleshit”, Münchener Zeitschrift für Balkankunde, vëll. I, f. 1–15, München, 1978;

– “In memoriam, Dr. Hasan Kaleshi”, JIÇ, nr. 1–2, Beograd, 1979;

– “Kush ishte Emrush Miftari”, Jehona, nr. 22, Prishtinë, 1994;

– “Hasan Kaleshi – jeta dhe vepra”, monografi, Shkup, 1996; ribotuar në Prishtinë po atë vit;

– “Me rastin e 55-vjetorit të Masakrës te Gështenjat e Kërçovës”, fejton, gazeta Dita, prill 2000, Prishtinë; i botuar më pas edhe në gazetën Flaka, maj 2000, Shkup;

– “Qëndrimi i shtypit serb ndaj pavarësisë së Shqipërisë 1912–1913”, fejton, gazeta Dita, maj–qershor 2000, Prishtinë.

Interesimi për mërgatën shqiptare

Dr. Riza Sadiku ishte njohur që herët, qysh në kohën kur ishte student, me veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve në diasporë. Më vonë, edhe si profesor i diplomuar, gjatë punës së tij dhe qëndrimeve në vende të ndryshme të Evropës dhe në SHBA, ai pati mundësi të njihej nga afër me jetën dhe veprimtarinë e shumë shqiptarëve të mërgatës.

Ai njohu nga afër jetën dhe veprimtarinë e shumë shqiptarëve, të cilët, përveç punëve të ndryshme për sigurimin e jetesës, u përpoqën të kontribuonin në çështjen e pazgjidhur shqiptare, për sensibilizimin e saj dhe afirmimin e saj ndërkombëtar, shpeshherë duke bërë sakrifica të mëdha.

Kontaktet e tij me disa prej veprimtarëve më të dalluar vazhduan edhe më vonë në vendlindje. Ai u njoh më hollësisht me aktivitetin, sakrificat, vuajtjet dhe kontributin e tyre për afirmimin e çështjes kombëtare në vende të ndryshme të botës.

Ai takoi personalitete të ndryshme, të cilët një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre në diasporë ia kushtuan çështjes kombëtare.

Në një rast, ai thekson:

“Për këta veprimtarë të dalluar jo vetëm se nuk është shkruar, por shumica prej nesh, në kohën e monizmit, as që kanë pasur guxim të përshëndeten me ta. Në këtë segment dallohet sidomos komuna e Kërçovës, nga e cila ka shumë atdhetarë të kombit, të cilët kanë zhvilluar aktivitet të dendur në diasporë, sidomos në SHBA, për të cilën arsye kanë qenë të ndjekur nga regjimi i kohës. Për shkaqe të këtilla, shumica prej tyre nuk kanë pasur mundësi të vizitojnë as familjen e ngushtë për 10 deri në 30 vjet.”

Po ashtu, Dr. Riza Sadiku nënvizon:

“Diaspora shqiptare, me veprimtarinë për afirmimin dhe avancimin e çështjes kombëtare, ka luajtur dhe luan edhe sot rol të rëndësishëm në vende të ndryshme të botës, për të cilin aktivitet shumë pak është shkruar dhe shkruhet sot.”

Lufta e Kosovës dhe përvoja personale

Viti 1999 ishte një nga periudhat më të rënda për kombin shqiptar në Kosovë. Eskalimi i dhunës, krimeve dhe politikës së spastrimit etnik të regjimit serb arriti kulmin, duke detyruar faktorin ndërkombëtar, të udhëhequr nga NATO-ja, të ndërhynte më 24 mars 1999.

Pas fillimit të intervenimit të NATO-s në Kosovë, regjimi i Beogradit intensifikoi edhe më tej dhunën, krimet, masakrat, dëbimet dhe deportimet e shqiptarëve.

Valët e kësaj stuhie nuk lanë pothuajse asnjë familje shqiptare pa u prekur në mënyra të ndryshme.

Edhe profesor Riza Sadiku, së bashku me familjen, më 25 mars 1999 u dëbua nga shtëpia e tij në Fushë-Kosovë, ndërsa pas dhjetë ditësh u dëbua edhe nga Prishtina.

Pas përfundimit të luftës, ai u kthye më 20 qershor, por shtëpinë nuk e gjeti. Ajo ishte bërë shkrumb e hi nga kriminelët serbë, ashtu si shumë shtëpi shqiptare anembanë Kosovës.

Ajo që i dhembi më së shumti në shtëpinë e djegur ishte biblioteka e tij. Nga ajo arriti të shpëtonte vetëm një çantë me dokumente, fotografi dhe dorëshkrime të një libri.

Këto ngjarje lanë pasoja të mëdha në gjendjen psikologjike dhe ekonomike të Dr. Riza Sadikut.

Studiues i historisë shqiptare

Dr. Riza Sadiku ishte një ndër studiuesit e shquar të historisë shqiptare, veçanërisht të nacionalizmit shqiptar. Ai nuk u ndal asnjëherë së shkruari dhe së hulumtuari historinë shqiptare.

Zyra ku punonte, ashtu si edhe shtëpia ku banonte, ishte e mbushur me dokumente, libra dhe materiale shkencore.

Riza Sadiku ishte historian që e trajtoi historinë shqiptare pa dallime fetare, krahinore apo rajonale.

Me përkushtim të madh, si studiues i zellshëm dhe atdhetar, punoi vazhdimisht për ndriçimin e historisë shqiptare.

Për rreth pesëmbëdhjetë vjet me radhë, ai botoi më shumë se njëzet punime shkencore në enciklopeditë historike të botuara dhe të publikuara çdo vit nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”.

Në vitin 2018 mori pjesë në tri sesione shkencore të organizuara nga Shoqata “Trojet e Arbrit”, në Prizren, Lezhë dhe Gjakovë.

Ai ishte studiues që la gjurmë të rëndësishme në fondin e artë të historiografisë kombëtare shqiptare.

Formimi i tij akademik lidhej ngushtë me historinë, ndërsa interesimet e tij shkencore u përqendruan veçanërisht në historinë politike të shqiptarëve, Kosovën, mërgatën shqiptare dhe organizatat politike shqiptare në diasporë.

Veprimtaria në Muzeun e Kosovës

Dr. Riza Sadiku ishte i lidhur ngushtë me Muzeun e Kosovës dhe me projekte të rëndësishme dokumentuese e historike.

Një nga veprat e tij më të rëndësishme është “Lidhja Kosovare 1949–1999”, Prishtinë, 2006, një vepër voluminoze prej rreth 456 faqesh.

Vepra dokumenton historinë e Lidhjes Kosovare dhe veprimtarinë e saj në diasporë.

Një tezë doktorale e University College London e citon veprën si:

Riza Sadiku, Lidhja Kosovare 1949–1999, Prishtinë: Ministria e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente/Muzeu i Kosovës, 2006.

Kjo dëshmon rëndësinë e punës së tij në dokumentimin e historisë së Lidhjes Kosovare dhe të veprimtarisë së saj në diasporë.

“Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën”

Një tjetër projekt i rëndësishëm lidhet me katalogun “Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën” (Albanian-American Diaspora for Kosova – Catalogue).

Dr. Riza Sadiku ishte autor i katalogut të kësaj ekspozite të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Katalogu dokumenton veprimtarinë e diasporës shqiptaro-amerikane dhe kontributin e saj për Kosovën.

Në të trajtohen, ndër të tjera:

– Federata Panshqiptare “Vatra”;

– Lidhja Kosovare;

– Liga Shqiptaro-Amerikane;

– Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan;

– personalitete shqiptaro-amerikane;

– veprimtaria politike dhe kombëtare e diasporës;

– mbështetja amerikane për çështjen e Kosovës.

Kjo tregon se Sadiku nuk ishte vetëm historian dhe studiues i dokumenteve arkivore, por edhe mbledhës i dëshmive historike, veçanërisht nga diaspora shqiptaro-amerikane.

Gjatë udhëtimeve të tij në SHBA, ai mblodhi materiale historike dhe dokumente të dhuruara nga komuniteti shqiptaro-amerikan, duke kontribuar në pasurimin e fondit dokumentues të institucioneve muzeore.

Veprat kryesore

1. “Hasan Kaleshi – Jeta dhe vepra”

Prishtinë, “Rilindja”/Renesanca, 1996.

Kjo është një nga veprat më të rëndësishme të Riza Sadikut për historinë intelektuale shqiptare dhe për jetën e veprën e Akademik Hasan Kaleshit.

2. “Lidhja Kosovare 1949–1999”

Prishtinë, 2006.

Vepër voluminoze prej rreth 456 faqesh, kushtuar historisë së kësaj organizate dhe veprimtarisë së saj në diasporë.

3. “Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën”

Katalog dokumentues i ekspozitës së Muzeut Kombëtar të Kosovës, me autor Riza Rrahim Sadikun. Botimi është ribotuar edhe në vitin 2018.

4. “Hafëz Jusuf Azemi – Një jetë për kauzën shqiptare në mërgim (1944–2011)”

Prishtinë, Muzeu i Kosovës, 2012.

Kjo është një nga veprat më voluminoze të Riza Sadikut, me 784 faqe. Vepra trajton jetën e Hafëz Jusuf Azemit dhe veprimtarinë shqiptare në mërgim, përfshirë dimensionin politik dhe kombëtar të diasporës.

5. “Ajet Rushiti – aderues i ideve të Ballit Kombëtar dhe i Lidhjes Kosovare”

Botuar në vitin 2000.

Vepra sjell të dhëna për jetën, veprimtarinë atdhetare dhe angazhimin e Ajet Rushitit, personalitetit nga Kërçova, në kuadër të veprimtarive të Ballit Kombëtar dhe Lidhjes Kosovare.

Veprimtaria shkencore

Një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së Dr. Riza Sadikut është se ai nuk u kufizua vetëm në botimin e monografive.

Ai mori pjesë në konferenca dhe tubime të ndryshme shkencore. Në një konferencë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit paraqiti kumtesën:

“Shënimi i përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit në mërgatën shqiptare në SHBA”.

Kjo dëshmon se një nga drejtimet e veçanta të kërkimeve të tij ishte historia e mërgatës shqiptare dhe lidhja e saj me zhvillimet politike në Kosovë dhe në trojet shqiptare.

Vlerësimi i veprimtarisë së tij

Nga hulumtimet dhe veprat e tij mund të përfundojmë se Dr. Riza Rrahim Sadiku ishte historian, studiues, autor monografish dhe dokumentues i historisë politike e kombëtare shqiptare, me interes të veçantë për Kosovën, mërgatën shqiptare, Lidhjen Kosovare, diasporën shqiptaro-amerikane, organizatat politike shqiptare, personalitetet kombëtare dhe dokumentimin e kujtesës historike.

Një karakteristikë e veçantë e punës së tij ishte mbledhja e dokumenteve, dëshmive dhe materialeve nga diaspora, të cilat më pas i përdori në botimet dhe projektet e tij muzeore.

Një dëshmi e rëndësisë së veprës “Lidhja Kosovare 1949–1999” është edhe fakti se ajo u bë objekt i një recensioni nga historiani britanik James Pettifer, botuar në revistën akademike South Slav Journal, vëll. 28, nr. 3–4, në vitin 2007.

Kjo është një dëshmi domethënëse se puna e Riza Sadikut pati jehonë edhe përtej hapësirës shqiptare dhe se studimet e tij për Kosovën, mërgatën shqiptare dhe çështjen kombëtare shqiptare hynë edhe në vëmendjen e historiografisë akademike ndërkombëtare.

Dr. Riza Rrahim Sadiku mbetet një nga studiuesit kërçovarë që me punën, përkushtimin dhe guximin e tij intelektual kontribuoi në dokumentimin e historisë shqiptare dhe në ruajtjen e kujtesës kombëtare.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT