• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjurmët e historisë: Pellazgët dhe misteret e tyre në një botim të rrallë të Vitit 1825

July 6, 2026 by s p

Prof. Dr. Pal Nikolli/

​Imazhi bashkëngjitur dokumenton faqen e titullit të një libri me rëndësi të veçantë për historiografinë antike të Ballkanit. Vepra mban titullin origjinal në gjuhën gjermane “Die alten Pelasger und ihre Mysterien” (Pellasgët e vjetër dhe misteret e tyre), e shkruar me shkrimin tradicional të kohës (Fraktur/Gotik). Ky studim voluminoz prej 472 faqesh është botuar në Lajpcig (Leipzig) në vitin 1825, nga shtëpia botuese e njohur C. H. F. Hartmann.

​Autor i këtij punimi është Christian Gottlob Eißner (Eissner), i cili në kopertinë identifikohet si famullitar (pift) në lokalitetin Groß-Naundorf. Ky detaj dëshmon për një prirje të përhapur në Gjermaninë e shekullit të XIX, ku klerikët dhe intelektualët lokalë i kushtoheshin studimeve të thella filologjike dhe historike. Vula e rrumbullakët në qendër të faqes dëshmon se ky ekzemplar specifik i digjitalizuar ka qenë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare të Napolit (Biblioteca Nazionale di Napoli) përpara se të bëhej pjesë e arkivave globale.

​Për shkak të vjetërsisë së saj, kjo vepër ka kaluar prej kohësh në domenin publik dhe gëzon statusin e të drejtës së hapur të autorit. Libri ekziston plotësisht falas (free) online në versionin e tij të plotë të skanuar. Ndërfaqja që shihet në imazh i përket platformës prestigjoze Internet Archive, ku çdokush mund ta shfletojë ose ta shkarkojë atë në format PDF. Po ashtu, i njëjti skanim gjendet lehtësisht edhe në platformën Google Books, duke u ofruar studiuesve dhe të apasionuarve pas historisë një qasje të menjëhershme pa asnjë sforcim financiar.

​Trajtimi i pellazgëve, ilirëve dhe shqiptarëve.

​Ky libër është produkt i rrymës së Romanticizmit Evropian, një epokë e karakterizuar nga kërkimi i ethshëm i rrënjëve të qytetërimit dhe gjuhëve indoevropiane. Tezat e Eißner-it mbi këtë subjekt mund të përmblidhen në pikat kryesore të mëposhtme:

– ​Pellazgët si popull zanafillor (Urvolk): Autori mbron idenë se pellazgët nuk ishin thjesht një mit, por populli zanafillor më i rëndësishëm i hapësirës ballkanike dhe mesdhetare. Sipas tij, përpara se Greqia Antike të arrinte shkëlqimin e saj, ishte kultura, teologjia dhe sistemi shpirtëror pellazg ai që hodhi themelet e qytetërimit. “Misteret” e famshme fetare të antikitetit (si ato të Elevzinës apo Samothrakës) i atribuuohen pikërisht urtësisë së lashtë pellazge.

– ​Lidhja me ilirët: Edhe pse libri përqendrohet kryesisht në anën mistike dhe gjuhësore, ai ndjek vijën akademike gjermane e cila e shihte rajonin e Ilirisë si urën kryesore të shtrirjes pellazge. Ilirët vlerësoheshin si pasardhësit e drejtpërdrejtë gjeografikë dhe biologjikë të këtij trungu të stërlashtë.

– Rëndësia për shqiptarët: Gjatë shekullit të XIX, studime të kësaj natyre shërbyen si lëndë e parë për albanologët e hershëm (si Johann Georg von Hahn). Teza e mbrojtur në këtë periudhë argumentonte se shqiptarët, përmes gjuhës së tyre unike dhe të izoluar nga familjet e tjera gjuhësore, përfaqësonin mbetjen e gjallë dhe të vetme të këtij qytetërimi pellazgo-ilir. Libri i Eißner-it ndihmon për të kuptuar sesi lindi dhe u zhvillua kjo teori në qarqet intelektuale evropiane përpara se të përqafohej nga Rilindja Kombëtare Shqiptare.

​Si konkluzion, dokumenti në fjalë përbën një dëshmi të çmuar të mendimit akademik të shekullit të XIX. Ai tregon vlerësimin që studiuesit gjermanë kishin për rrënjët prehistorike të Ballkanit, duke ndriçuar lidhjet e lashta që më vonë do të formësonin teoritë mbi origjinën autoktone të popullit shqiptar.

Filed Under: Histori

Duke kujtuar një kolos të Rilindjes Kombëtare Shqiptare

July 3, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Hasan Tahsini (7 prill 1811 – 3 KORRIK 1881)

«”O ti mbret, o shumë i lartë Kryetar,

Nga e dlirta fryma jote unë marr

Të Edenit erën, hirin parajsor,

O Hasan Tahsini, o trëndafil qiellor.”

— Naim Frashëri»

Më 3 korrik 1881, plot 145 vjet më parë, në Stamboll u nda nga jeta një nga mendjet më të ndritura që ka nxjerrë kombi shqiptar: Hasan Tahsini. Ai nuk ishte vetëm një rilindës, por një dijetar me përmasa evropiane, një personalitet që bashkoi shkencën, filozofinë, arsimin dhe idealin kombëtar në një jetë të vetme.

I lindur më 7 prill 1811 në Ninat të Çamërisë, Hasan Tahsini u formua në një kohë kur shqiptarët ende nuk kishin shtetin e tyre, por kishin filluar të ndërtonin vetëdijen kombëtare. Ai do të bëhej një nga shtyllat intelektuale të kësaj lëvizjeje.

Nëse Jeronim de Rada ishte poeti që zgjoi ndërgjegjen kombëtare, Pashko Vasa zëri politik i shqiptarëve, Abdyl Frashëri arkitekti i organizimit politik dhe Sami Frashëri ideologu i kombit modern, atëherë Hasan Tahsini ishte mendja shkencore e Rilindjes Shqiptare. Ai përfaqësonte atë tip intelektuali që besonte se një komb nuk mund të bëhej i lirë pa dije dhe pa shkencë.

Poliedrik në formimin e tij, Tahsini ishte astronom, matematikan, fizikan, filozof, psikolog, gjuhëtar dhe pedagog. Për bashkëkohësit ai konsiderohej shqiptari më i ditur i Perandorisë Osmane.

Kur Perandoria Osmane vendosi të modernizonte arsimin e lartë sipas modeleve evropiane, Hasan Tahsini ishte një nga dy intelektualët e përzgjedhur për t’u dërguar në Paris, që të përvetësonin arritjet më të fundit të shkencës. Ai jetoi në kryeqytetin francez për rreth dymbëdhjetë vjet (1856–1868). Paradoksi i bukur i jetës së tij ishte se, ndërsa shërbente si imam i Ambasadës Osmane në Paris, studionte matematikë, astronomi, fizikë dhe shkencat natyrore në universitetet franceze, duke dëshmuar se për të feja dhe shkenca nuk ishin kundërshtare, por dy rrugë drejt njohjes.

Kur u kthye në Stamboll, iu besua një nga detyrat më të rëndësishme akademike të kohës. Në vitin 1870 u emërua rektori i parë i Universitetit të Stambollit (Darülfünun), duke hyrë në histori si drejtuesi i parë i universitetit modern osman. Ai ligjëroi fizikë, astronomi, matematikë, filozofi dhe psikologji, duke qenë ndër profesorët që hodhën themelet e arsimit të lartë modern në Perandorinë Osmane.

Sami Frashëri e quante Hasan Tahsinin “më i larti ndër të lartët”, një vlerësim që tregon respektin e jashtëzakonshëm që gëzonte në botën intelektuale të kohës.

Por Hasan Tahsini nuk ishte vetëm një shkencëtar. Ai ishte edhe një patriot i përkushtuar. Ishte ndër themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, një nga organizatat më të rëndësishme politike të Rilindjes Kombëtare. Punoi për hartimin e një alfabeti shqip, duke besuar se gjuha dhe shkrimi ishin themelet mbi të cilat do të ndërtohej identiteti kombëtar. Ai dëshironte që shqipja të kishte një alfabet të veçantë, si shprehje e personalitetit historik e kulturor të shqiptarëve.

Kontributi i tij si mësues ishte po aq i madh sa ai si studiues. Në auditorët dhe rrethin e tij intelektual u formuan figura që më vonë do të shkruanin historinë e Shqipërisë: Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto dhe Ismail Qemali, njeriu që do të shpallte Pavarësinë më 1912. Pak intelektualë shqiptarë mund të krenohen se kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin e kaq shumë personaliteteve të mëdha.

Ndryshe nga shumë rilindës të tjerë, të cilët u shquan në letërsi ose në politikë, Hasan Tahsini solli në botën shqiptare frymën e iluminizmit evropian. Ai ishte ndër të parët që kërkoi që shqiptarët të përqafonin metodën shkencore, arsimin modern dhe mendimin racional si rrugë për zhvillimin e kombit.

Sot, kur përmendim figurat më të mëdha të shekullit XIX shqiptar, emri i Hasan Tahsinit qëndron natyrshëm përkrah atyre të De Radës, Pashko Vasës, Abdylit, Naimit dhe Sami Frashërit. Por ai mbetet i veçantë për një arsye: ishte njeriu që i dha Rilindjes sonë dimensionin shkencor.

Në një epokë kur kombet ndërtoheshin me armë dhe diplomaci, Hasan Tahsini besonte se arma më e fuqishme ishte dija.

Dhe pikërisht për këtë arsye, ai mbetet një nga figurat më të mëdha të historisë shqiptare: jo vetëm si rilindës, por si dijetar universal, pedagog, filozof dhe një nga mendjet më të ndritura që ka nxjerrë ndonjëherë kombi ynë.

Filed Under: Histori

DEKLARATA KUSHTETUESE – GURËTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

July 2, 2026 by s p

Jusuf Buxhovi/

Deklarata e kushtetues e 2 korrikut 1990 paraqet ngjarjen më të rënëdsishme në historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Delegatët e Kuvendit të Kosovës, me shpalljen e kësaj Deklarate, Kosovën e shkëputën nga pushtimi serb. Kjo legjitimoi Kosovën njësi të barabartë të federatës jugosllave me të drejtën e shkëputjes. Deklerata e kushtetuese si e tillë, i hapi rrugën Republikës së Kosovës, e cila u shpall në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator të atij viti.

Këto dy vendime madhore të përcjella nga Referendumi për Pavarësi i 26 shtatorit 1991, zgjedhjet Presidenciale dhe Parlamentare të 24 maj 1992 si dhe krijimim e qeverisë së Kosovës në fund të atij viti, që mori përsipër rezistencën institucionale, Kosovën e vunë në binarët e pandalshëm historik të shtetndërtimit, që do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008.

TEKSTI I PLOTË I DEKLARATËS KUSHTETUESE, I BOTUAR NË “FLETORËN ZYRTARE” TË KSAK, nr 21, MË 3 KORRIK 1990

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990.

Delegatët nënshkrues të Deklaratës:

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).

Filed Under: Histori

Analizë hartografike e veprës “Tavole della Geografia“ (Romë, 1690)

July 1, 2026 by s p

Prof. Dr. Pal Nikolli/

​Ky shkrim ofron një analizë të zgjeruar dhe të detajuar të një prej botimeve më ambicioze enciklopedike dhe hartografike të fundit të shekullit XVII, që shërben si një urë lidhëse kulturore dhe shkencore ndërmjet shkollës rigoroze të gjeografisë franceze dhe mjedisit akademik e tipografik të Romës baroke.

​1. Identifikimi bibliografik dhe konteksti i botimit.

​Teksti i faqes së titullit, i transkriptuar nga gjuha italiane e vjetër, zbulon të gjitha të dhënat e domosdoshme bibliografike për klasifikimin e saktë të kësaj vepre:

Titulli i plotë: Tavole della Geografia Antica, Moderna, Ecclesiastica, e Civile, overo Divisione del Globo Terrestre nelle sue principali Parti, Regioni, Regni, Stati, Provincie, Città, & altri luoghi riguandevoli.

​Viti i botimit: 1690 (shënuar me numra romakë si M.DC.XC.).

​Vendi i botimit dhe tipografi: Vepra u shtyp në Romë nga Nicolò Angelo Tinaffi, i cili mbante titullin zyrtar “Stampator Camerale” (Printer i Dhomës Apostolike / Tipograf Zyrtar Papal). Ky status dëshmon për një botim me mbështetje të lartë institucionale në Shtetin e Kishës.

Censura dhe ekskluziviteti: Shënimi përmbyllës “Con licenza de’ Superiori, e Privilegio” konfirmon se libri kishte kaluar kontrollin e autoriteteve klerikale dhe gëzonte të drejtën ekskluzive të botimit (privilegjin), çka ndalonte riprodhimin apo piratimin e tij.

​2. Autorësia: Gjeografët Sanson dhe Francesco Deseine.

​Vepra shquhet për ndërthurjen e kontributeve të figurave të rëndësishme të gjeografisë europiane:

​Zotërinjtë Sanson (I Signori Samson): Teksti saktëson se kjo vepër u nis prej tyre (“Opera cominciata da’ Signori Samson”), të cilët mbanin titullin prestigjioz “Geografi del Rè Christianissimo” (Gjeografët e Mbretit më të Krishterë, Luigjit XIV të Francës). Familja Sanson, me në krye Nicolas Sanson (1600–1667) dhe djemtë e tij Guillaume dhe Adrien, konsiderohet themeluesja e shkollës kartografike franceze. Ata udhëhoqën kalimin kritik nga kartografia holandeze e mbingarkuar me dekorime drejt një kartografie më racionale, gjeometrike dhe të bazuar në burime tekstuale solide.

Francesco Deseine: Ai është autori që e ka sjellë këtë vepër në gjuhën italiane (“Trasportata in Italiano”). Deseine, një erudit dhe librar francez i vendosur në Romë, nuk u mjaftua me përkthimin, por e zgjeroi atë ndjeshëm (“accresciuta d’un gran numero di Tavole”), duke e pasuruar me të dhëna të reja tabelare dhe gjeografike të përshtatshme për publikun italian dhe mjedisin shkencor romak.

​3. Struktura dhe përmbajtja e veprës.

​Libri është konceptuar si një udhëzues enciklopedik e taksonomik që organizon njohuritë mbi rruzullin tokësor sipas katër sferave apo dimensioneve kryesore:

​Gjeografia Antike: Trajton gjeografinë historike të botës klasike (greko-romake) dhe asaj biblike.

Gjeografia Moderne: Pasqyron realitetin gjeopolitik të fundit të shekullit XVII.

Gjeografia Klerikale (Ecclesiastica): Paraqet ndarjen e botës sipas strukturave të kishës (dioqezat, peshkopatat dhe provincat fetare).

Gjeografia Civile: Fokusohet në organizimin administrativ e politik të mbretërive, shteteve dhe principatave.

​Përveç këtij kategorizimi, faqja e titullit specifikon se libri përmban një aparat të pasur ndihmës: koordinatat e qyteteve kryesore, listat e elementeve kryesore fizike (lumenj, liqene, male), si dhe katalogë mbi monedhat, gjuhët dhe religjionet e ndryshme të botës.

​4. Problemet dhe sfidat hartografike që adresohen.

​Në kontekstin e zhvillimit shkencor të vitit 1690, kjo vepër përballet dhe tenton t’u japë zgjidhje disa prej problemeve më të mprehta kartografike të kohës:

Sinkronizimi diakronik dhe standardizimi toponimik: Një nga sfidat më të mëdha të hartografëve të asaj epoke ishte përputhja e gjeografisë klasike me atë moderne (p.sh. identifikimi në terren i vendeve të përmendura nga Ptolemeu apo Straboni). Libri e zgjidh këtë përmes tabelave krahasuese, duke ofruar shpjegimin dhe përkthimin e toponimeve të vjetra latine në gjuhën vulgare (italisht).

Përcaktimi i koordinatave gjeografike: Në një kohë kur llogaritja e gjatësisë gjeografike (longitudine) mbetej një problem teknik ende i pazgjidhur plotësisht në detari (përpara shpikjes së kronometrit detar në shekullin XVIII), libri kontribuon duke ofruar një aparat tabelar të gradëve të gjerësisë (latitudine) dhe gjatësisë bazuar në vëzhgimet më të rregullta astronomike të kohës, duke synuar drejt unifikimit të meridianit fillestar.

​Hierarkia hapësinore dhe kufijtë e ndërthurur: Në epokën e Barokut, kufijtë politikë dhe ata kishtarë shpesh mbivendoseshin duke krijuar konfuzion. Përmes ndarjes së rreptë të tabelave në Ecclesiastica dhe Civile, vepra krijon një sistem të pastër të “shtresave tematike”, duke vendosur një taksonomi të qartë hapësinore (Pjesë \rightarrow Rajon \rightarrow Mbretëri \rightarrow Provincë \rightarrow Qytet).

Kalimi drejt Gjeografisë Matematike: Libri shërben si një dokument rregullator që frenon prirjen e vjetër për të mbushur hapësirat e panjohura të hartave me elemente dekorative ose imagjinare (fenomeni horror vacui). Ai i detyronte hartografët të bazoheshin mbi të dhëna sasiore, statistikore dhe matje të sakta përpara se të hidhnin në matricat e bakrit format gjeometrike të territoreve.

​5. Elementet grafike dhe aksesi online.

​Në aspektin vizual, faqja e titullit dominohet në qendër nga një stemë e pasur heraldike, e rrethuar nga degë lari dhe e kurorëzuar, që tregon përkatësinë familjare ose dedikimin e veprës ndaj një patroni apo mecéni të rëndësishëm romak (faktor kyç për financimin e botimeve të tilla luksoze në atë kohë).

​Sot, kjo vepër e vitit 1690 ndodhet plotësisht në Domenin Publik dhe është e aksesueshme online falas në version të digjitalizuar (PDF) me rezolucion të lartë në platforma të mëdha të memories botërore si Internet Archive (nga fondi antik i Universitetit të Seviljes), Google Books (nga Biblioteka Kombëtare Qendrore e Romës) dhe HathiTrust Digital Library (nga kopshti dixhital i Universitetit të Kolumbias). Për ta gjetur, mjafton kërkimi i titullit të saktë të shoqëruar me vitin e botimit.

===========================

Shënim:

Roma baroke është emri që i jepet periudhës në të cilën Rome u shndërrua në qendrën më të rëndësishme të artit, arkitekturës dhe urbanistikës baroke, kryesisht gjatë shekujve XVII dhe fillimit të shekullit XVIII.

Karakteristikat kryesore të Romës baroke janë:

– Ndërtesa monumentale me forma të lakuara dhe dekorime të pasura.

– Sheshe madhështore me burime dhe skulptura.

– Kisha me kupola imponuese dhe interierë të zbukuruar.

– Përdorimi i dritës, hijes dhe perspektivës për të krijuar efekt dramatik.

– Planifikim urban që synonte të impresiononte vizitorët dhe të shprehte fuqinë e Holy See dhe të Kishës Katolike.

Figura më të njohura të kësaj periudhe janë:

Gian Lorenzo Bernini, autor i St. Peter’s Square dhe shumë shatërvanëve të famshëm.

Francesco Borromini, i njohur për kishat me forma novatore.

Pietro da Cortona, një nga piktorët dhe arkitektët më të rëndësishëm të stilit barok.

Disa nga monumentet më përfaqësuese të Romës baroke janë Trevi Fountain, Piazza Navona, Sant’Agnese in Agone dhe kolonadat e St. Peter’s Square.

Roma baroke nuk është vetëm një stil arkitekturor, por një koncept kulturor dhe urban që e shndërroi qytetin në një “teatër të hapur”, ku arti, feja dhe pushteti ndërthureshin për të krijuar një ndikim të fortë estetik dhe simbolik. Kjo periudhë pati ndikim të madh në zhvillimin e arkitekturës dhe artit në të gjithë Evropën.

Ja edhe foto ilustruese bashkengjitur. Ju falenderoj dhe ju uroj gjithe te mirat!

Filed Under: Histori

Dëshmia e një fotoje, 29 qershor 1920, kur studentët shqiptarë në Vjenë i rezervonin një pritje solemne Aleksandër Moisiut

June 30, 2026 by s p

Albert Vataj/

Kjo fotografi e 106 viteve më parë nuk ruan vetëm dritën e një çasti, por edhe frymën e një epoke. Ka imazhe që nuk dëshmojnë thjesht praninë e disa njerëzve në të njëjtën tavolinë, por bëhen kronikë e një ideali. Një fotografi e realizuar më 29 qershor 1920 përjetëson darkën solemne të organizuar nga studentët shqiptarë në Vjenë për nder të artistit të madh Aleksandër Moisiu, emri që në atë kohë kishte pushtuar skenat më prestigjioze të Evropës.

Jemi në qershor të vitit 1920. Shqipëria sapo kishte dalë nga një periudhë e turbullt pas Kongresit të Lushnjës. Në Vjenë, kjo gjeneratë studentësh nuk ndodhej atje thjesht për të marrë diploma, ata ishin “ambasadorët” e parë të një shteti që po përpiqej të merrte frymë. Në një kohë kur diplomacia zyrtare ishte ende e brishtë, diplomacia kulturore, e personifikuar nga Moisiu, ishte e vetmja që dëgjohej pa u ndërprerë.

Ishte një mbrëmje ku nuk u ngritën vetëm gotat për një artist të madh. U ngritën zemrat e një brezi që besonte se kultura ishte mënyra më fisnike për t’i dhënë zë një kombi ende të ri, ende të plagosur nga historia, por të etur për të dëshmuar se ishte pjesë e qytetërimit evropian.

Nën dritën e qirinjve, mes pasqyrave të kristalta dhe elegancës së salloneve vjeneze, rinia shqiptare i bëri homazh njeriut që kishte arritur të pushtonte skenën evropiane pa mohuar kurrë origjinën e tij. Në atë sallë nuk ishte vetëm Aleksandër Moisiu, ishte vetë Shqipëria që kishte ardhur për një mbrëmje në zemër të Vjenës. Aleksandër Moisiu ishte prova e gjallë se një bir i këtij kombi mund të ngjitej në majat e artit botëror. Për studentët, ai përfaqësonte, modelin dhe frymëzimin. Po, provën se madhështia nuk matet me përmasat e vendit nga vjen, por me lartësinë e shpirtit dhe të talentit. Bindjen se identiteti i tyre nuk ishte pengesë për suksesin botëror, por një pasuri që mund ta zbukuronin me talent.. Patjetër dhe dëshminë se dinjiteti kombëtar fitohet edhe përmes kulturës, dijes dhe krijimtarisë, dhe jo vetëm në fusha betejash.

Në skenën gjermane, austriake, italiane e më gjerë, ai nuk interpretonte vetëm Hamletin, Faustin apo Edipin, në mënyrë të plotë, ai mbante me vete edhe një pjesë të historisë së një populli të vogël që kërkonte vendin e vet në hartën shpirtërore të Evropës.

Kjo mbrëmje merr një peshë edhe më të madhe po të kemi parasysh se Vjena ishte një nga qendrat më të rëndësishme intelektuale të kohës. Universitetet e saj ishin laboratorë idesh, ndërsa komuniteti shqiptar përfaqësonte një elitë të re që po formohej me kulturën politike dhe akademike të Evropës Qendrore.

Prandaj, kjo fotografi nuk është thjesht një kujtim. Ajo është një dokument historik që bashkon dy shtylla mbi të cilat ndërtohet një komb, elitën intelektuale dhe elitën artistike.

Shumë prej atyre studentëve, të cilët e organizuan këtë akt me kursimet e tyre modeste, do të bëheshin më vonë profesorë, juristë, diplomatë dhe administratorë të jetës publike shqiptare. Në fytyrat e tyre lexohet besimi i qartë se Shqipëria do të përfaqësohej denjësisht në botë. Historia shpesh kujton luftërat, traktatet dhe konfliktet. Më rrallë ndalet te mbrëmje si kjo, ku arma e vetme ishte fjala, arti dhe mirënjohja. Por janë pikërisht këto çaste që ndërtojnë themelet e padukshme të identitetit kombëtar.

Një shekull më vonë, kjo fotografi vazhdon të na flasë me të njëjtën qartësi. Ajo na kujton se kombet bëhen të mëdha nga aftësia për të nderuar ata që i lartësojnë me mendje dhe shpirt. Për disa orë, më 29 qershor 1920, Vjena u bë kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve. Dhe duartrokitjet që jehuan në atë sallë ishin duartrokitjet e një kombi që po msonte të besonte te vetvetja.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 728
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA PARALAJMËRIMI: “DEMOKRACIA NUK PRET” TE ZGJIMI QYTETAR DHE ALARMI: DEMOKRACIA NË RREZIK!
  • BIJTË E BESËS SHKODRANE
  • Reagimi i munguar i elitave akademike
  • “Një koncept-ide mbi një statujë monumentale të Mbretit ilir, Genti, në Lezhë”
  • Demokracia nuk mund të qeveriset nga zhurma
  • Sensi dhe nonsensi i parrullave: nga revolta te alternativa
  • Regjisori Jani Tane – Nga TVSh-ja në Zemër të Italisë
  • “Kryetari i kelmendasve” Uc Turku, në 100-vjetorin e përcaktimit përfundimtar të kufirit në Vermosh
  • ARTI QË BËHET DASHURI DHE NDIHMË
  • ÇFARË KA MBETUR SOT NGA MENDIMI POLITIK I ARBËN XHAFERIT?
  • Nga emigrimi masiv te humbja e kontrollit mbi pasuritë kombëtare
  • LEKSIKU I POEZISË SATIRIKE TË ALI ASLLANIT
  • Çmësimi i shqiptarëve me shtetin
  • Forca e protestës…
  • Frymëzim, energji pozitive e dashuri për jetën…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT