• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një dritare mbi Shqipërinë e trazuar: Kujtimet e Eqrem bej Vlorës (1885–1912)

August 17, 2026 by s p

​Prof.dr. Pal NIKOLLI/

Imazhi bashkëngjitur i përket faqes së titullit dhe skedës bibliografike të vëllimit të parë të veprës “Lebenserinnerungen” (Kujtime), me autor aristokratin, diplomatin dhe politikanin e njohur shqiptar Eqrem bej Vlora. Libri është redaktuar nga historiani Mathias Bernath në kuadër të botimeve akademike të Institutit të Evropës Juglindore në Mynih (Südost-Institut München) dhe është publikuar nga shtëpia botuese R. Oldenbourg Verlag në vitin 1968.

​I. Aksesueshmëria e librit.

​Aksesueshmëria e këtij libri varet nga mënyra e kërkimit dhe formati që përdoret:

– Në formë digjitale dhe akademike: Versioni origjinal në gjuhën gjermane mund të konsultohet ose shkarkohet falas nëpërmjet platformave digjitale të bibliotekave shtetërore gjermane (si Bayerische Staatsbibliothek ose Münchener Digitalisierungszentrum). Shumë nga këto botime historike janë pjesë e arkivave të hapura për studim dhe kërkim shkencor.

– ​Në versionin e shtypur (fizik): Nëse kërkoni një kopje fizike të botimit origjinal të vitit 1968 apo përkthimin e tij në gjuhën shqipe (Kujtime 1885–1925), ato nuk janë falas për zotërim privat; mund të blihen në librari ose tregun e librit antikuar. Megjithatë, leximi i tyre është plotësisht pa pagesë nëse i frekuentoni përmes rrjetit të bibliotekave publike dhe universitare në Shqipëri, Kosovë apo Gjermani.

​II. Çfarë shkruhet për Shqipërinë dhe shqiptarët?

​Ky vëllim i parë analizon një nga periudhat më përcaktuese të historisë moderne shqiptare, vitet mes 1885-ës dhe 1912-ës, duke përfunduar me pikën kulmore të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Eqrem bej Vlora nuk vjen thjesht si një vëzhgues i jashtëm, por si një dëshmitar okular dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarjet elite politike e shoqërore të kohës.

​Përmbajtja e librit e zbërthen Shqipërinë dhe shqiptarët në disa dimensione kryesore:

– Anatomia e aristokracisë dhe pushtetit: Autori ofron një pamje mikroskopike të klasës sunduese shqiptare (bejlerëve dhe pashallarëve), të cilës i përkiste edhe vetë familja e tij me ndikim të madh në Perandorinë Osmane. Ai përshkruan me detaje marrëdhëniet komplekse të kësaj elite me Stambollin, intrigate politike, mënyrën e administrimit të pronave dhe rivalitetet krahinore.

– Zhvillimi i ndërgjegjes kombëtare: Libri dokumenton kapërcimin e vështirë të shqiptarëve nga vetëdija lokale apo religjioze drejt asaj kombëtare. Eqrem bej Vlora përshkruan përpjekjet e para për arsimin në gjuhën shqipe, çështjen e alfabetit, përhapjen e librave shqip dhe rolin e klubeve patriotike brenda dhe jashtë vendit.​

– Prapaskenat e Pavarësisë së vitit 1912: Një nga pjesët më me vlerë mbetet rrëfimi i detajuar për ngjarjet e vitit 1912. Autori përshkruan takimet diplomatike, udhëtimet diplomatike të Ismail Qemalit (dajës së tij), ndikimin e Luftërave Ballkanike dhe situatën kaotike por historike që çoi në ngritjen e flamurit në Vlorë.

– Gjeopolitika dhe Fuqitë e Mëdha: Në libër pasqyrohet qartë loja diplomatike e diplomacisë evropiane në rajon. Vëmendje e veçantë i kushtohet ndikimit të Austro – Hungarisë dhe Italisë në çështjen shqiptare, si dhe mënyrës se si fuqitë e kohës e shihnin të ardhmen e Shqipërisë në prag të shpërbërjes osmane.

– Portreti etnografik e shoqëror i shqiptarëve: Përtej politikës, autobiografia përmban vëzhgime mjaft akute mbi psikologjinë, mentalitetin, zakonat, mikpritjen, Kanunin dhe jetën e përditshme të shqiptarëve të veriut e jugut. Autori shpesh mban një qëndrim kritik dhe realist ndaj mangësive shoqërore e politike të kohës, duke shmangur romanticizmin e tepruar.

​Në tërësi, ky botim përbën një nga burimet parësore më të pasura dhe më elegante të shkruara mbi Shqipërinë e fillimit të shekullit XX.

Filed Under: Histori

Heronj dhe mesazhe nga Muri i Berlinit!

August 15, 2026 by s p

Dr. Jorgji Kote

Mjeshtër i Madh në Diplomaci

Ish Zv.Ambasador në Berlin/

65 vite më parë, në orën 01:54 të datës 13 Gusht 1961 filloi ndërtimi i Murit famëkeq të Berlinit. Pavarësisht nga ngjarjet e shumta, tronditëse dhe zhgënjyese gjatë këtyre dekadave dhe pas shembjes së tij më 9 nëntor 1989, ajo ditë e ruan rëndësinë e saj epokale. Edhe pse po bëhet sërish ” modë” ngritja e mureve të shumtë me emra të frikshëm kudo; siç e përshkruan aq bukur edhe te poezia ”Muret ” poeti ynë i madh Xhevahir Spahiu, ato janë mure fizike, xhami, hekuri, ideologjike, racore, gjinorë, krahinorë, migratorë, etj.

Muri i Berlinit ishte shumë më tepër se sa e tregon emri. Në fakt, ai ishte impiant gjigand ndarës dhe vdekjeprurës 156 km; përbëhej nga katër breza; i parë 4 m i lartë ishte me beton dhe tela me gjemba; brezi i dytë që njihej dhe si « zona e vdekjes » shkonte 80 – 100 m thellësi dhe kushdo do të shkelte aty do të kapej gjallë ose do ta zinte korenti elektrik; brezi i tretë ishte plot transhe ndërsa brezi i katërt ishte një trase e pakalueshme. Muri vrojtohej në gjithë gjatësinë e tij nëpërmjet 302 kullave të vrojtimit, nga të cilat 32 ishin në qytetin e Berlinit.

Ai Mur vërtet që kufizoi ndjeshëm arratisjen e gjermanolindorëve drejt perëndimit, por ndërkohë ai mega absurd ishte katastrofë e vërtetë për imazhin e lindjes komuniste. Ai demaskoi në sytë e gjithë botës dështimin e ” vitrinës së socializmit lindor” përballë suksesit të RFGJ-së me mrekullinë ekonomike dhe shtetin social. Eshtë folur dhe shkruar shumë për këtë Mur famëkeq; autori i këtyre radhëve, krahas shkrimeve të tjera ka botuar edhe Librin ”Berlini pa Mure” ( 2009) Në këtë shkrim, po ndalemi në efektet e ngritjes së Murit, në reagimin dhe kundërshtimin e menjëhershëm të popullatës, nga brenda dhe nga jashtë, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet, rrugët dhe mënyrat për kapërcimin e tij.

Gjatë 28 viteve të tij, Murin e kapërcyen me mijra vetë, ndërsa 134 u vranë në përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë. Dëshmori i parë i Murit, Peter Fechter ra më 17 Gusht 1962 në rrugën “Bernauer Strasse”; pikëriësht aty ku ndodhet Memoriali i Murit, ku çdo vit zhvillohen homazhe në ditën e ngritjes dhe rënies së tij. Ndërsa dëshmori i fundit, 20 vjeçari Christian Gueffroy ra më 5 shkurt 1989. Ngritja e Murit u shoqërua me shumë incidente, aksidente por dhe momente emocionuese, për të cilat janë shkruar me qindra libra, këngë, poezi dhe filma. Këtu po ndalem në tri raste të njohura të cilat përmenden më shpesh në këtë 65 Vjetor.

Policioti Hans Conrad Schumann

Kapërcyesi i parë i bujshëm i Murit të Berlinit ishte roja kufitare në pjesën lindore të Berlinit, 19 vjeçari Hans Conrad Schumman. Më 15 Gusht 1961, vetëm dy ditë pas ngritjes së Murit midis rrugës « Ruppiner dhe Bernauer Strasse » diku në qendër të Berlinit, Schumman i kapërceu me guxim telat me gjëmba i inkurajuar nga thirjet e vazhdueshme që vinin nga pjesa perendimore e Berlinit « hajde këtu, hajde këtu! » i ndihmuar edhe nga një makinë policie patrullimi e RFGJ-së. Fotoja e fotografit të ri Peter Leibing e shkrepur me një aparat « Exact » u botua te ”BILD” dhe bëri « xhiron e botës» Si shkak i indinjatës së Schumman-it u bë kur një vajzë të vogël që kishte shkuar te gjyshërit e saj në pjesën lindore nuk e lejuan të të kthehej sërish te familja e saj. Më vonë ai u vendos në Bavari. Por jeta e tij u kthye në një kalvar vuajtjesh psikologjike, për shkak të presionit të vazhdueshëm nga pjestarët e familjes që e qortonin për veprimin e tij. Sepse dihen pasojat e hakmarrjes së rregjimit lindor ndaj tyre. Ra në depresion deri sa vdiq në vitin 1998 kur ishte vetëm 58 vjeç. Pavarësisht nga këto peripeci, ai i qëndroi deri në fund pohimit të tij se « vetëm kur kapërceva Murin jeta ime u bë plotësisht e lirë”.

Hapësi i tuneleve të nëndheshme

Gjatë gjithë asaj periudhe pati shumë qytetarë berlinoperendimorë, të cilët ndihmuan me të gjitha mjetet ata që donin të iknin në Perëndim.

Një ndër më të shquarit e tyre ishte Hasso Herschel, i cili u nda nga jeta këtë qershor në moshën 91 vjeçare. Bashkë me shokë të tjerë ai hapi tre tunele poshtë Murit të Berlinit. Kështu, vetëm përmes “Tuneli 29“ në vitin 1962 kaluan në perëndim 29 vetë, midis tyre edhe vetë motra e Herschel.

Ky tunel ishte vepër e vërtetë arti. Ai u bë edhe film me titullin “Tuneli“, ku dokumentohet ikja dramatike nëpërmjet tij Ai ishte nga Dresdeni dhe ishte dënuar me burgim disa vite, por kaloi me një pasaportë fallco në perëndim dhe prej andej ndihmoi edhe të tjerë për t’i shpëtuar tiranisë së kuqe. Herschel vlerësohet si njeriu që më shumë se kushdo tjetër mendohet se ka ndihmuar rreth 1000 vetë në kapërcimin e Murit.

Dy zonjushat e Murit

Rasti i tretë por me fund të lumtur ndodhi më 13 Gusht 1961; kur dy vajza 15 vjeçare gjermane, shoqe shkolle në gjimnaz u afruan te njera tjetra dhe shtrënguan duart në formën e një lamtumire mbi murin që po ngrihej dhe po i ndante si shumë e shumë të tjera. E para nga e djathta e fotos më poshtë është Kriemhild Meyer, kurse tjetra nga e majta, Rosemarie Badaczevski. Kjo e fundit e kishte apartamentin në një godinë shumëkatëshe me ballkon nga pjesa perendimore; sipas planit të babait të saj që ishte në perëndim, ajo rrëshqiti poshtë ballkonit me litar më 19 Gusht 1961. Kriemhild mbeti në lindje por u largua më vonë në perëndim. Ai takim ato ditë bëri bujë të madhe. Fotoja e tyre kishte dekada që qëndronte në Muzeun ‘Treptow‘ në pjesën lindore të Berlinit. Vitet e fundit, Muzeu kishte bërë shumë demarshe për t’i gjetur e bashkuar simbolikisht ato dy vajza. Më në fund, të dyja “ zonjushat e Murit” siç njihen në publik u gjetën një e nga një në distance kohore, sepse Kriemhild banonte prej vitesh në Zvicër ku kishte punuar si dekoratore. Ndërsa Rosemaria jetonte pranë Hamburgut, ku kishte punuar si sekretare në një universitet.

Më 15 Qershor 2019, këto dy shoqe u ritakuan pas 58 vitesh në katin e tretë të Muzeut në Treptoë, aty ku janë ekspozuar dhe fotot e tyre. E pamundur të përshkruhej gëzimi dhe emocioni i tyre, i stafit të Muzeut dhe publikut gjerman. Ai takim dhe fotoja pranë fragmentit të Murit në po atë vend ku u ndanë 58 vite më parë, në Harzer Strasse, në kufirin midis lagjes Treptower dhe Neukëln, “ pushtoi” faqet e para dhe kronikat televizive të atyre ditëve dhe në vazhdim.

Si shumë e shumë shembuj të tjerë të ngjashëm, edhe rasti i “ dy zonjushave të Murit” dëshmon qartë dhe bindshëm se megjithë suksesin fare të përkohshëm, nuk ka mur, gardh dhe pengesë, sado të gjatë e të sofistikuar qoftë që të ndajë njerëzit.

Këtë mesazh e dha Kancelarja Merkel në fjalimin e saj të zjarrtë më 19 Maj 2019 përpara 20.000 studentëve dhe profesorëve të Universitetit elitar të Harvardit. Ajo bëri thirje që “në vend të nacionalizmit të zgjedhim globalizmin, në vend të unilaterizmit multilaterizmin, në vend të mbylljes hapje, në vend të proteksionizmit tregtar, të hapim tregjet dhe në vend të mëndjengushtësisë mëndje të hapura.“

Presidenti që sfidoi Murin e Berlinit

Ngritja e Murit të Berlinit zhgënjeu dhe tronditi thellë jo vetëm berlinezët në të dy anët e tij por dhe gjithë Perëndimin; sepse u duk sikur ëndra e madhe e ribashkimit gjerman po shuhej. Por jo, se përtej Atlantikut ndriçonte një dritë e madhe shprese. Presidenti mitik Kenedi fluturoi drejt Berlinit më 26 Qershor 1963 me premtimin monumental për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, të solidaritetit dhe të ribashkimit. I shprehu këto mesazhe me shumë emocione por dhe bindshëm, me oratorinë e tij të pashoqe, pikërisht aty, pranë Murit. Berlini oshëtiu atë ditë nga brohoritjet entusiazte “ Kenedi” “Kenedi”!

Me fjalimin e tij historik, mes egzaltimit të gjysëm milionë berlinezë perendimorë të pranishëm, që nisi dhe u mbyll me deklarimin lapidar në gjermanisht “ Ich bin ein Berliner” – “Jam Berlinez” Kenedi dhe SHBA-të i thurën një himn madhështor Berlinit të ardhshëm të Europës së Ribashkuar, të etur për liri dhe paqe.

Vërtet që ky fjalim i konsideruar si më emblematiku i Luftës së Ftohtë kishte vetëm 685 fjalë; por me karizmën e tij të rrallë, Presidenti i 35 i SHBA-ve i dha zjarr aspiratës gjermane të ribashkimit; duke tronditur Berlinin dhe muret ndarës.

Atyre që kishin iluzione për komunizmin, ai iu drejtua ironikisht, qartë dhe thjeshtë: “ Le të vijnë ta shohin në Berlin!” Vërtet që disa muaj më vonë e vranë Kenedin, por jo vizionin, ëndrën dhe premtimin e atij “ Berlinezi” të madh. Atë e mbajtën dhe përcollën më tej pasardhësit e tij, sidomos Presidenti Reagan, kur më 12 Qershor 1987, nga Portat e mbyllura të Brandenburgut i lëshoi thirjen kushtrim Gorbaçovit për ta shembur atë Mur dhe për t’i hapur ato porta; në vijim, me hapat dhe vendimet e tyre epokale ishin “të mëdhenjtë” e botës – Bush, Thatcher, Kohl, Mitteran dhe Gorbaçhov që më 9 Nëntor 1989 udhëhoqën shembjen e Murit famëkeq me të gjitha rrjedhojat e tij të njohura historike.

Tani, vërtet që po ngrihen gjithandej mure ndarës dhe pengues. Madje, edhe ndonjë urë bashkuese po kthehet në mur pengues dhe ndarës, për fat të keq edhe në Ballkanin Perendimor. Kjo ka ndodhur në Mitrovicë me urën e famshme mbi Lumin Ibër, një vepër e vërtetë arti me financime edhe nga BE-ja. Mirëpo, për vite të tëra deri tani vonë ajo është kthyer në një mur të madh pengues vetëm e vetëm që të mos i prishet mideja dhe humori politik Beogradit.

Konventa e Alpeve ndërton ura bashkuese!

Duke ardhur në terrenin tonë, një ndihmesë të madhe në shembjen e mureve, gardheve dhe pengesave të tjera vazhdon të japë Konventa Ballkanike dhe Gazeta e Alpeve. Kjo falë një seri projektesh, prgramesh dhe nismash të tjera; me synim shembjen dhe shmangien e mureve dhe gardheve ndarës dhe pengues ekzistues në çdo aspekt; midis veriut dhe jugut, Shqipërisë dhe Kosovës, të moshuarve dhe rinisë, shtetit dhe shoqërisë, midis atyre që e duan dhe e mbrojnë si sytë e ballit mjedisin, gjelbërimin dhe shkatërruesve/betonuesve të tij. Në këtë betejë madhështore janë shquar mijra qytetarë të Alpeve, njerëz të thjeshtë patriotë. Kjo ndihmesë e çmuar është prezantuar dhe promovuar me cilësi elitare dhe në shumë veprimtari me jehonë të gjerë sociale, mjedisore, publike dhe mediatike. Në krye të këtyre proceseve kanë qenë me pasion dhe përkushtim pjestarë dhe drejtues të Konventës, me vlera, virtyte, pasione dhe profesione nga më të ndryshmet.

Në Alpet tona kreshnike kanë lindur, kanë zhvilluar veprimtarinë dhe rrezatojnë imazhin dhe veprën e tyre politikanë të shquar, shkrimtarë dhe poetë të talentuar të formatit ndërkombëtar, afaristë të zotë dhe bujarë, diplomatë dhe ambasadorë brilantë në metropolet dhe organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, mendimtarë, gjuhëtarë dhe filozofë të shquar, arkitektë, ndërtues dhe luftëtarë sypatrembur. Bashkë me këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë të famshëm që vazhdojnë të shkëlqejnë në skenat më të mëdha muzikore dhe operistike të vendit dhe të botës, sportistë me emër në të gjitha llojet, etj.

Lista e këtyre personaliteteve anti-mur është tejet e gjatë, por publiku ynë i njeh ata edhe falë promovimit në faqet dhe rubrikat cilësore të Gazetës së Alpeve, të cilën e drejton me pasion të pashuar publicisti, eseisti dhe veprimtari i palodhur patriot, zoti Ramiz Lushaj. Në vijim të eventeve të mëparshme, Takimi Ballkanik i kësaj Konvente i zhvilluar në muajin Maj në Valbonën e magjishme dhe evente të tjera gjatë vjeshtës, me praninë edhe të personaliteteve të spikatura nga Brukseli janë dëshmitë më të freskëta të angazhimit dhe rezultateve mbresëlënëse të Konventës Ballkanike të Alpeve në shembjen e mureve dhe gardheve; mbi të gjitha zëvendësimin e tyre me ura dhe nyje bashkuese, kudo, por mbi të gjitha në kokat dhe mendjet e njerëzve dhe shoqërive tona.

E pra, pikërisht për të tillë mure bashkues, lidhës dhe integrues e jo për blloqe ndarës dhe pengues njerëzit kanë sot nevojë më shumë se kurrë. Ky është mesazhi më i rëndësishëm që jep ky 65 Vjetor i ndërtimit të Murit famëkeq të Berlinit.

Filed Under: Histori

NJË JETË NË SHËRBIM TË REVISTËS JETA KATOLIKE SHQIPTARE

August 14, 2026 by s p

Mark K. Shkreli përmbyll një kapitull të gjatë në drejtimin e revistës.

Nga Frank Shkreli/

Mark K. Shkreli dorëhiqet nga drejtimi i revistës “Jeta Katolike Shqiptare” – 86 vjet jetë dhe një jetë e tërë në shërbim të fesë, Atdheut dhe fjalës së shkruar. albchurch.org/2025 — një prej botimeve me rëndësi në jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të komunitetit katolik shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Ky nuk është thjesht përfundimi i një detyre redaksionale. Është mbyllja e një kapitulli të rëndësishëm të një jete të lidhur ngushtë me kishën, komunitetin shqiptar, kulturën kombëtare dhe fjalën e lirë. “Jeta Katolike Shqiptare” (1966) ka qenë për dekada një zë i rëndësishëm i komunitetit katolik shqiptar në Amerikë, por jo vetëm.  Arkivi i botimit dëshmon një histori që shtrihet në shumë dekada, që nga vitet e para të komunitetit katolik shqiptar në Amerikë ( në fillim të1960-ave) e deri në ditët tona.  Për Mark K. Shkrelin, drejtimi i kësaj reviste nuk ka qenë thjesht një angazhim profesional. Ka qenë një mision. Një mision i lidhur me atë traditë të hershme të shqiptarëve të Amerikës, ku Feja dhe Atdheu nuk kanë qenë dy rrugë të ndara, por dy shtylla të së njëjtës vetëdije kombëtare.  Kjo traditë është veçanërisht e dukshme në historinë e Kishës dhe Qendrës Katolike Shqiptare në New York, të inauguruar në vitin 1970 nën udhëheqjen e Monsinjor Dr Zef Oroshit, njërit prej figurave themelore të organizimit të veprimtarive të komunitetit në Shtetet e Bashkuara, përfshir botimin e revistës Jeta Katolike Shqiptare. Frank Shkreli: 60-vjet nga themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork | Gazeta Telegraf — Ajo qendër u konceptua jo vetëm si një vatër e besimit katolik, por edhe si një vend ku do të ruheshin gjuha, kultura, traditat dhe identiteti shqiptar në dheun e huaj.

Në këtë vazhdë duhet parë edhe puna e gjatë e Mark K. Shkrelit në krye të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”.  Ai ka qenë ndër ata njerëz që kanë besuar se një revistë nuk është vetëm letër dhe bojë. Por ajo është, njëkohsisht, edhe kujtesë. Është dëshmi, gjithashtu. Është një urë midis brezave, patjetër.  Përmes faqeve të saj janë përcjellë ngjarje të komunitetit, kujtime, histori, figura të Kishës e të Atdheut, mendime dhe reflektime mbi jetën shqiptare në Amerikë e më gjerë. 

Në moshën 86-vjeçare, Mark K. Shkreli mund të tërhiqet nga përgjegjësia e përditshme e redaktimit të revistës, por trashëgimia e tij mbetet në faqet e revistës dhe në kujtesën e atyre që kanë punuar, shkruar dhe bashkëpunuar me të gjatë viteve dhe dekadave. Mark K. Shkreli i përket një brezi shqiptarësh të Amerikës për të cilët ruajtja e identitetit nuk ishte një slogan, por një përgjegjësi. Për ta, gjuha shqipe, kisha, kultura dhe kujtesa kombëtare ishin pjesë të pandashme e një porosie që duhej t’u dorëzohej brezave të ardhshëm.  Prandaj, sot, kur ai largohet nga detyra e kryeredaktorit, mirënjohja shkon përtej një titulli apo një pozicioni.  Shkon për vitet e punës, përkushtimit dhe shërbimit. Shkon për një njeri që i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij fjalës së shkruar dhe komunitetit shqiptaro-amerikan.

Dhe ndoshta ky është momenti më i përshtatshëm për t’i thënë:  Faleminderit, Mark Koliqi Shkreli!  Faleminderit për shërbimin ndaj revistës “Jeta Katolike Shqiptare”.  Faleminderit për përkushtimin ndaj Kishës. Faleminderit për dashurinë ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare.  Dhe mbi të gjitha, faleminderit për bindjen se Feja dhe Atdheu, kur shërbehen me sinqeritet, mund të jenë një forcë e madhe për të mirën e njeriut dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithsi. Është momenti kur një njeri mund të shikojë pas dhe të thotë: “Detyrën time e kreva.” Well done, Mark!  Por një jetë e tillë nuk mbyllet me një dorëheqje. Puna mbetet. Shkrimet mbeten. Faqet e revistës mbeten. Kujtimet mbeten. Dhe mbi të gjitha, mbetet shembulli.  Shembulli i një njeriu që i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij një kauze që nuk premtonte as pasuri, as famë, por vetëm kënaqësinë e shërbimit. Por duhet shtuar se Mark K. Shkreli nuk ishte vetëm në këtë mision. Burri i mirë me shokë shumë, thonë. Janë të shumtë ata që meritojnë të përmendën me këtë rast, por për mungesë hapësire duhet të kufizohem në mbështetjen kritike që kanë dhënë gjatë viteve dhe dekadave udhëheqsit e Qendrës Katolike Shqiptaro-aAmerikane në Nju Jork.

Në një realitet ku botimet në gjuhën shqipe, historikisht, janë përballur me sfida të vazhdueshme financiare, organizative dhe kulturore, mbështetja e një institucioni kishtar nuk është thjesht ndihmë simbolike. Ajo është garanci për mbijetesë dhe vazhdimësi. Në këtë kuptim, qëndrimi i Dom Pjetër Popajt udhëheqsi aktual i Kishës dhe i Qendrës Katolike shqiptare në Nju Jork, ka qenë i qartë dhe i palëkundur.  Ruajtja e shtypit katolik shqiptar është pjesë e vetë misionit baritor të Kishës.

Ai e ka kuptuar me qartësi se “Jeta Katolike Shqiptare” nuk është një botim i zakonshëm fetar. Ajo është një institucion i kujtesës kolektive, ku besimi nuk ndahet nga gjuha, ku kultura nuk shkëputet nga identiteti dhe ku historia e komunitetit shqiptar në Amerikë dokumentohet me përgjegjësi dhe dinjitet.  Në këtë mbështetje të vazhdueshme ndaj revistës dhe ndaj punës së Mark K. Shkrelit, ka dëshmuar një vizion të qartë institucional: se Kisha nuk është vetëm vend adhurimi, por edhe qendër e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor shqiptar në diasporë.  Ky vizion nuk është i shkëputur nga tradita që e paraprin. Përkundrazi, ai qëndron në vazhdën e një linje historike që nis me Mons. Zef Oroshin, themeluesin shpirtëror të organizimit modern të jetës katolike shqiptare në New York, i cili e konceptoi Kishën si një vatër të dyfishtë: të fesë dhe të kombit.  Në këtë vazhdimësi historike, një vend të veçantë zë edhe Dom Rrok Mirdita, paraardhësi i Dom Pjetër Popajt në shërbimin baritor të komunitetit katolik shqiptaro-amerikan në New York, i cili më vonë u thirr në një mision edhe më të lartë fetar e kombëtar, I emëruar nga Papa si Arkipeshkëv i Tiranë-Durrësit, pas shembjes sl komunizmit zyrtar. Dom Rrok Mirdita mbetet një figurë me peshë të veçantë në historinë e Kishës Katolike Shqiptare, por jo vetëm. Ai nuk ishte vetëm një udhëheqës shpirtëror, por edhe një zë i qartë – ashtu si para-ardhsit e tij, Dr Zef Oroshi dhe Prof. Dr At Andre Nargaj, një kontribues i fesë dhe kombit — për ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në diasporë. Angazhimi i tij në vitet e hershme të konsolidimit të jetës kishtare dhe komunitare në Amerikë ka lënë një trashëgimi të qëndrueshme, që vazhdon të ndihet edhe sot.  Në këtë kuadër të gjerë të trashëgimisë shpirtërore, kombëtare dhe institucionale, mbështetja e Dom Pjetër Popajt dhe kujtimi i Dom Rrok Mirditës nuk janë thjesht elemente biografike. Ato janë shtylla të një tradite që ka mbajtur gjallë një komunitet të tërë përmes besimit, gjuhës dhe kulturës.

  Prandaj, në momentin kur Mark K. Shkreli mbyll një kapitull të gjatë në drejtimin e “Jeta Katolike Shqiptare”, mirënjohja nuk mund të kufizohet vetëm tek individi që e udhëhoqi revistën. Ajo shtrihet natyrshëm edhe tek ata që e mbështetën, e mbrojtën dhe e kuptuan si pjesë të një misioni më të madh,  një traditë që nuk mbahet gjallë nga një njeri i vetëm.  Ajo mbahet nga një bashkësi njerëzish dhe institucionesh që besojnë në vlerën e saj. Një ndër ata të grupit fillestar është edhe Tonin Mirakaj, ndër njerëzit e parë të “Jeta Katolike Shqiptare”, që nga pikëpamja historike, së bashku me Mark. K. Shkrelin zë një vend të veçantë,  ndër bashkëpunëtorët e parë dhe themeluesit e kësaj reviste.  Edhe mri i Tonin Mirakajt lidhet me atë brez shqiptarësh të Amerikës që e kuptuan heret se një komunitet nuk mund të ruaj identitetin e vet vetëm përmes institucioneve fetare, por ka nevojë edhe për fjalën e shkruar, dokumentimin e historisë dhe komunikimin e vazhdueshëm me brezat.   Është e rëndësishme që, kur flasim sot për vazhdimësinë e “Jeta Katolike Shqiptare”, gjatë viteve e dekadave, të mos harrojmë njerëzit që vunë gurët e parë të kësaj vepre.

Edhe unë jam krenar që kam pasur nderin dhe privilegjin të kem qenë bashkëpunëtor dhe anëtar i grupit redaktues të revistës “Jeta Katolike Shqiptare” për peirudhën 1971-1974. Për mua, kjo nuk ishte thjesht një përvojë publicistike, por një pjesë e rëndësishme e jetës dhe e veprimtarisë sime në shërbim të komunitetit shqiptar në mërgim. Të kem qenë pjesë e atij grupi të hershëm redaktues është një kujtim për të cilin ndihem veçanërisht Krenar, sot e kësaj dite. Ishte një kohë kur çdo faqe e shkruar në shqip kishte një mision dhe çdo përpjekje për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare merrte një kuptim të veçantë.

Urimet e mia më të sinqerta Mark K. Koliqit për këtë rrugëtim të gjatë e të çmuar në shërbim të revistës “Jeta Katolike Shqiptare” dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithsi. Në moshën 86-vjeçare — pas kaq shumë vitesh përkushtimi – një shërbim që mbetet një trashëgimi e vyer që do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje.

Frank Shkreli

Filed Under: Histori

FRANCESCO CRISPI – KRYEMINISTRI ARBËRESH I ITALISË

August 14, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Duke kujtuar një nga arbëreshët më të famshëm të Italisë

Më 11 gusht 1901, në Napoli, mbylli sytë një prej figurave më të fuqishme, më të diskutueshme dhe më të rëndësishme të historisë politike të Italisë së shekullit XIX: Francesco Crispi.

Sot, 125 vjet pas vdekjes së tij, emri i Crispi-t vazhdon të mbetet i lidhur me historinë e bashkimit të Italisë, me Risorgimento-n, me Giuseppe Garibaldin dhe me ndërtimin e shtetit të ri italian. Por për ne shqiptarët ekziston edhe një arsye tjetër, shumë më e veçantë për ta kujtuar: Francesco Crispi ishte me origjinë arbëreshe.

Crispi lindi në Ribera të provincës së Agrigjentos më 4 tetor 1818. Babai i tij, Tommaso Crispi, ishte me prejardhje shqiptare dhe vinte nga Palazzo Adriano, një nga qendrat historike të arbëreshëve të Sicilisë. Pikërisht kjo lidhje familjare e vendos Francesco Crispi-n në historinë e diasporës shqiptare në Itali. Treccani e përshkruan familjen e tij si një familje arbëreshe, ndërsa thekson se i ati, Tommaso, ishte me origjinë shqiptare dhe nga Palazzo Adriano.

Pra, duhet bërë një dallim i rëndësishëm: Crispi nuk ishte i lindur në Palazzo Adriano, por rrënjët e linjës së tij atërore lidhen drejtpërdrejt me këtë vendbanim arbëresh.

Palazzo Adriano është një nga vendbanimet historike të arbëreshëve në Sicili. Qyteti u formua nga kolonë me origjinë shqiptare në shekullin XV dhe, për shekuj me radhë, komuniteti ruajti elemente të rëndësishme të identitetit të tij kulturor dhe fetar. Treccani e përshkruan Palazzo Adrianon si një qendër të themeluar në vitet e fundit të shekullit XV nga një koloni shqiptare.

Trashëgimia arbëreshe e këtij qyteti nuk është vetëm një kujtim historik. Palazzo Adriano është përfshirë në kuadrin e mbrojtjes së minoriteteve gjuhësore historike të Italisë, në bazë të Ligjit nr. 482 të vitit 1999, i cili mbron gjuhët dhe kulturat e minoriteteve historike.

Edhe pse gjuha arbëreshe në Palazzo Adriano është dobësuar ndjeshëm gjatë shekujve dhe nuk është më gjuha e përditshme e shumicës së banorëve, trashëgimia shqiptare vazhdon të jetë pjesë e identitetit historik, fetar dhe kulturor të vendit.

Dhe pikërisht nga kjo tokë dolën disa figura të rëndësishme të botës arbëreshe.

Një prej tyre ishte Gavril Dara i Riu, i lindur në Palazzo Adriano më 8 janar 1826, një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë arbëreshe dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai është autori i njohur i poemës epiko-lirike “Kënga e sprasme e Balës”.

Kështu, në historinë e Palazzo Adrianos takohen dy dimensione të jashtëzakonshme të kulturës arbëreshe: politika italiane përmes Francesco Crispi-t dhe letërsia shqiptare përmes Gavril Dara i Riut.

Francesco Crispi – nga revolucionari i Risorgimento-s te kryeministri i Italisë

Crispi ishte një nga protagonistët e mëdhenj të Risorgimento-s, procesit që çoi në bashkimin e Italisë.

Në rininë e tij u lidh me qarqet liberale dhe republikane dhe u bë një bashkëpunëtor i rëndësishëm i Giuseppe Mazzinit. Më vonë u afrua me Giuseppe Garibaldin dhe luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen politike të ekspeditës së të famshmëve “Një mijë” të Garibaldit në vitin 1860. Pas bashkimit të Italisë, Crispi kaloi nga pozicionet republikane drejt mbështetjes së monarkisë së re italiane.

Kjo është një nga paradokset më interesante të jetës së tij: një njeri që në rini ishte republikan dhe revolucionar, më vonë u bë një prej mbështetësve më të fortë të monarkisë italiane dhe i një shteti të centralizuar e të fuqishëm.

Në vitin 1887 ai u bë President i Këshillit të Ministrave, pra kryeministër i Italisë. Shërbeu në këtë detyrë nga viti 1887 deri në vitin 1891 dhe përsëri nga viti 1893 deri në vitin 1896 – gjithsej rreth gjashtë vjet. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme italiane japin mandatet 4 prill 1887–6 shkurt 1891 dhe 15 dhjetor 1893–9 mars 1896.

Ai ishte kryeministri i parë i Italisë që vinte nga Italia e Jugut, një fakt me rëndësi të veçantë në historinë e një shteti ku elitat politike të periudhës së parë të bashkimit ishin të dominuara në masë të madhe nga veriu dhe qendra e vendit.

Crispi nuk ishte një politikan i zakonshëm. Ai ishte një figurë e fortë, energjike dhe shpesh autoritare.

Në historinë politike evropiane të kohës ai është krahasuar me figura të mëdha si Otto von Bismarck, kancelari i Perandorisë Gjermane, ndërsa pesha e tij politike e vendos atë në të njëjtën epokë me kryeministra dhe shtetarë të mëdhenj si William Gladstone në Britani.

Por krahasimi me Bismarckun nuk ishte vetëm një krahasim i fuqisë politike. Crispi e admironte modelin e shtetit të fortë dhe ndoqi një politikë të jashtme që synonte ta shndërronte Italinë në një fuqi të madhe evropiane. Studiuesit e historisë së tij e kanë përshkruar pikërisht këtë kalim nga revolucionari demokratik i viteve të para drejt një politikani gjithnjë e më autoritar dhe nacionalist.

Kjo anë e karakterit të tij ka bërë që, dekada më vonë, regjimi fashist italian ta paraqiste Crispi-n si një lloj pararendësi të Benito Mussolinit. Megjithatë, ky është një interpretim historik që duhet trajtuar me kujdes: Crispi i përkiste botës politike liberale të Italisë së shekullit XIX dhe nuk mund të identifikohet thjesht me fashizmin e shekullit XX. Ajo që krijon lidhjen është sidomos koncepti i shtetit të fortë, nacionalizmi dhe prirjet autoritare.

Crispi dhe Shqipëria

Për shqiptarët, megjithatë, pjesa më interesante e trashëgimisë së tij është mënyra se si Crispi e perceptonte prejardhjen e vet.

Në traditën historike dhe publicistike shqiptare i atribuohet Crispi-t shprehja e famshme se ai ishte shqiptar “nga gjaku dhe nga zemra”. Kjo shprehje është bërë pjesë e kujtesës arbëreshe dhe shqiptare për figurën e tij.

Por këtu duhet bërë një dallim mes thelbit historik të prejardhjes së tij arbëreshe, që është i dokumentuar, dhe citimeve konkrete që qarkullojnë në literaturën popullore, të cilat duhen kontrolluar gjithmonë në burimin e tyre origjinal. Pra, nuk është e nevojshme të mbështetemi vetëm te një telegram apo një citat i përcjellë nga autorë të mëvonshëm për të vërtetuar prejardhjen shqiptare të Crispi-t: ajo është e dokumentuar nga burime biografike italiane.

Kjo e bën edhe më interesante pyetjen se çfarë do të thoshte për një arbëresh i shekullit XIX të bëhej një nga njerëzit më të fuqishëm të Italisë.

Crispi ishte një njeri që jetoi në dy botë: ishte italian në projektin e tij politik dhe shtetëror, por mbante një prejardhje arbëreshe që ishte pjesë e historisë familjare. Pikërisht kjo përzierje e identiteteve është një nga tiparet më interesante të historisë së arbëreshëve.

Pse emri i Crispi-t u la në heshtje në Shqipërinë komuniste?

Kjo është një tjetër çështje që meriton trajtim të kujdesshëm.

Për shumë dekada, në Shqipërinë komuniste, figura të caktuara të diasporës shqiptare nuk u trajtuan sipas rëndësisë së tyre të plotë historike, sidomos kur jeta dhe veprimtaria e tyre nuk përputheshin me narrativën ideologjike të regjimit.

Crispi ishte një figurë komplekse: nacionalist italian, monarkist, politikan konservator në fazën e fundit të jetës së tij dhe shtetar me politika të forta koloniale e represive ndaj kundërshtarëve të brendshëm. Prandaj, portretizimi i tij si “arbëresh i madh” nuk ishte i përshtatshëm për narrativën zyrtare komuniste shqiptare.

Kjo nuk do të thotë se historia e tij duhet idealizuar. Përkundrazi, rëndësia e Crispi-t qëndron pikërisht në kompleksitetin e tij: ai mund të jetë njëkohësisht figurë e rëndësishme e bashkimit italian, arbëresh nga prejardhja, politikan i fuqishëm dhe njëkohësisht personazh me vendime e politika që mbeten të debatueshme.

Nga Crispi te “Nuovo Cinema Paradiso”

Dhe këtu historia merr një kthesë jashtëzakonisht interesante.

Palazzo Adriano, vendi nga i cili vinte familja atërore e Crispi-t, u bë më shumë se një shekull më vonë një nga vendet më të njohura të kinemasë botërore.

Në vitin 1988, regjisori sicilian Giuseppe Tornatore xhiroi në Palazzo Adriano pjesë të filmit të tij të famshëm “Nuovo Cinema Paradiso”. Sheshi qendror i qytetit, Piazza Umberto I, u shndërrua në një nga hapësirat më të paharrueshme të filmit. Edhe sot aty ndodhet muzeu kushtuar filmit dhe kujtesës së xhirimeve.

Filmi u bë një nga sukseset më të mëdha të kinemasë italiane dhe fitoi Oscar-in për filmin më të mirë ndërkombëtar. Palazzo Adriano u bë kështu i njohur në mbarë botën, jo vetëm si një qendër historike e arbëreshëve, por edhe si një nga “qytetet e kinemasë”.

Në film dhe në kujtesën e tij kinematografike, Palazzo Adriano është i lidhur me një Sicili të humbur: sheshin, kinemanë, fëmijërinë, kujtesën, dashurinë dhe kalimin e kohës.

Dhe është pikërisht këtu që lind një lidhje simbolike shumë e bukur.

Në Palazzo Adriano u ruajt kujtesa e një komuniteti shqiptar të ardhur në Sicili pesë shekuj më parë; më vonë, i njëjti vend u bë simbol i kujtesës së një Sicilie të tërë përmes kinemasë së Giuseppe Tornatores.

Po Giuseppe Tornatore? A ka lidhje familjare me Palazzo Adrianon?

Kjo është ndoshta pyetja më intriguese.

Giuseppe Tornatore ka lindur në Bagheria më 27 maj 1956 dhe është rritur në këtë qytet. Babai i tij, Peppino Tornatore, ishte sindikalist dhe figurë e njohur në jetën shoqërore të Bagherias. Tornatore e ka kthyer Bagherian dhe kujtesën e fëmijërisë së tij në një element qendror të krijimtarisë së vet; filmi “Baarìa”, për shembull, është drejtpërdrejt i lidhur me qytetin e tij të lindjes dhe me historinë e familjes së tij.

Por nuk ka një burim të besueshëm historik ose biografik që të dokumentojë se familja Tornatore ka prejardhje nga Palazzo Adriano apo se Giuseppe Tornatore ka një lidhje gjenealogjike me komunitetin arbëresh të atjeshëm.

Lidhja midis Tornatores dhe Palazzo Adrianos është e padiskutueshme në planin artistik dhe kinematografik, por një lidhje gjaku apo prejardhjeje familjare nuk mund të pohohet pa dokumente gjenealogjike.

Madje, kjo e bën historinë edhe më interesante. Tornatore është bir i Bagherias, ndërsa Palazzo Adriano u bë një nga hapësirat më të rëndësishme të imagjinatës së tij kinematografike. Të dy qytetet janë pjesë e të njëjtës hapësirë siciliane dhe të dy lidhen me historinë e pasur kulturore të ishullit.

Ka edhe një lidhje tjetër të bukur: Palazzo Adriano dhe Bagheria të dyja u bënë pjesë e “Nuovo Cinema Paradiso”. Burimet e xhirimeve dokumentojnë Palazzo Adrianon për skenat e sheshit dhe kinemasë, ndërsa Bagheria për disa prej skenave të tjera të filmit.

Historia e Francesco Crispi-t është, në një farë mënyre, historia e vetë diasporës arbëreshe.

Shqiptarë që u larguan nga trojet e tyre pas pushtimeve osmane u vendosën në zona të ndryshme të Italisë së Jugut dhe të Sicilisë. Ata krijuan fshatra, familje, tradita, rite fetare dhe një kulturë që, edhe pas pesë shekujsh, vazhdon të jetë e pranishme.

Nga kjo botë dolën poetë, studiues, priftërinj, politikanë dhe intelektualë.

Një prej tyre ishte Francesco Crispi.

Ai u bë një nga arkitektët politikë të Italisë së bashkuar dhe një nga kryeministrat më të fuqishëm të saj. Por rrënjët e tij familjare të çojnë te një qytet i vogël arbëresh i Sicilisë: Palazzo Adriano.

Dhe më shumë se një shekull pas Crispi-t, pikërisht ky qytet i vogël do të shfaqej në ekranet e botës përmes filmit të Giuseppe Tornatores.

Në këtë mënyrë, Palazzo Adriano duket sikur ka luajtur dy herë një rol të veçantë në kujtesën historike të Sicilisë: një herë përmes njerëzve që dolën prej tij dhe ndryshuan historinë, dhe një herë përmes një regjisori që e shndërroi pamjen e tij në kujtesë universale.

Francesco Crispi dhe “Nuovo Cinema Paradiso” duken në pamje të parë si dy histori krejt të ndryshme. Njëri i përket politikës së shekullit XIX, tjetri kinemasë së shekullit XX. Por në sfond qëndron i njëjti vend: Palazzo Adriano – një copëz e vogël e Sicilisë, me një histori të madhe arbëreshe.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja më e bukur për ta kujtuar sot Francesco Crispi-n: jo për ta idealizuar dhe as për ta gjykuar vetëm nga një këndvështrim, por për të kuptuar se sa larg mund të shkojë gjurma e një komuniteti të vogël.

Nga një vendbanim arbëresh në zemër të Sicilisë, një familje shqiptare mundi të nxirrte një kryeministër të Italisë.

Dhe nga po ai qytet, shumë vite më vonë, një tjetër histori e Sicilisë do të udhëtonte nëpër botë përmes kinemasë.

Palazzo Adriano – vend i arbëreshëve, vend i Crispi-t, vend i Darës dhe vend i “Cinema Paradiso” – është një shembull i jashtëzakonshëm se si historia shqiptare, historia italiane dhe kultura siciliane mund të takohen në një pikë të vetme.

See less

No photo description available.

No photo description available.

Filed Under: Histori

ÇLIRIMI I SHKUPIT SHQIPTAR

August 13, 2026 by s p

Prof.dr. Lush Culaj/

PËRVJETORI I HYRJËS TË ÇETËS TË ZEFIT TË VOGËL NË SHKUP

Gjatë muajit qershor u zhvilluan ballafaqime të reja me ushtrinë osmane në Malësinë e Gjakovës, në rrethet e Pejës etj. Në anën tjetër, Austro-Hungaria e frikësuar e shikonte zhvillimin e kryengritjes. Aksionet e armatosura të çetave kryengritëse u fuqizuan në gjysmën e muajit korrik në Malësinë e Gjakovës dhe në Rrafshin e Dukagjinit ku prinin Zefi i Vogël, Bajram Daklani, Mahmut Zajmi dhe Mehmet Belegu, të cilat përbënin një forcë kryengritëse deri në 500 veta. Ndërkaq, në gjysmën e parë të muajit korrik, kryengritja po përhapej si në veri ashtu edhe në jug. Në korrik të vitit 1912 kemi riaktivizimin e kryengritjes së armatosur në Dibër. Me rënien e kabinetit të Sait Pashës, më 17 korrik 1912, ra edhe fuqia e turqve të rinj. Pushtetin e mori opozita ushtarake. Sukseset e kryengritësve shqiptarë kishin ndikuar në dobësimin e fuqisë ushtarake të Perandorisë.

Këto suksese i çuditën shtetet ballkanike dhe ato evropiane. Për Zefin e Vogël dhe aktivitetin e çetës së tij shkroi në këtë periudhë kohore edhe një gazetë ushtarake në Londrën e largët. Zëri dhe nami i tij si udhëheqës i shquar në dobi të çështjes kombëtare kishte arritur deri atje. Ja çka shkruante gazeta ushtarake londineze: “Dështimi i Qeverisë Turke për të siguruar shkollat shqipe të premtuara dhe mënyra e turpshme në të cilën u “bënë” (u mbajtën) zgjedhjet e fundit kanë qenë arsyet e kryengritjes së këtij viti. Këtë vit, në Vilajetin e Kosovës, katolikët dhe myslimanët janë bashkuar. Një prijës katolik, Zef i Vogël (Jozefi i Vogël) ka luajtur një rol të rëndësishëm, së bashku me udhëheqësit myslimanë, dhe thuhet se hoxhallarët myslimanë dhe priftërinjtë katolikë kanë formuar së bashku komitete revolucionare.”

Gazetë londineze që shkruan për Zefin

Po më 17 korrik 1912, kryengritësit u nisën nga Gjakova drejt Prishtinës të udhëhequr nga Hasan Prishtina dhe Bajram Curri me 12 mijë kryengritës. Tashmë kryengritja po merrte përpjesëtime gjithnjë e më të mëdha duke u shndërruar në kryengritje të përgjithshme. Pasi e çliruan Gjakovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, kryengritësit i përqendruan forcat e tyre në luftën për ta marrë Prishtinën, të cilën e çliruan më 21 korrik 1912. Garnizoni osman duke e parë forcën e tyre nuk bëri rezistencë. Sipas dëshmive, Zefi i Vogël, Shaban Binaku, Bajram Daklani etj., gjendeshin në Ferizaj që nga 14 korriku. Nga këto dëshmi shihet që Zefi i Vogël me bashkëluftëtarë kishte qenë ndër të parët që kishte arritur edhe në Ferizaj. Që t’i shmangeshin presionit turkoman kryengritësit shqiptarë u tërhoqën nga Prishtina në Ferizaj. Epilogu i Lëvizjes së armatosur për Shqipërinë autonome ndodhi në Ferizaj në gushtin e vitit 1912, kur Hasan Prishtina përpiloi kërkesat për Shqipëri autonome. Ai ia dorëzoi memorandumin shqiptar Ibrahim Pashës në Prishtinë më 9 gusht 1912. Stambolli e kishte emëruar atë komandant suprem dhe përfaqësues të Valiut të Kosovës në Shkup.

Në Ferizaj për aprovimin e kërkesave të hartuara nga Hasan Prishtina u angazhua Bajram Curri. Për këtë Prishtina shkroi: “Më të vertetë asht për t’u përmendë mundi e zelli i Bajram Beg Currit.” Kërkesat për qeverinë osmane ishin përmbledhur në programin prej 14 pikash. Meqë qeveria osmane e vonoi përgjigjen ndaj kërkesave, kryengritësit marshuan drejt Shkupit. Sipas raportit të konsullatës serbe në Shkup për ministrin e Jashtëm Jovanoviq, kur kryengritësit vendosën të niseshin nga Ferizaji për në Shkup, numri i tyre ishte rreth 4000 vetë. Shumica e tyre ishte nga rrethi i Gjakovës, Pejës, Lumës, Gjilanit dhe Mitrovicës. Raporti tregonte se në fshatin Smirë po po mbahëj një mbledhje, ku këta kryengritës do të ndaheshin në grupe të vogla dhe secilit grup do t’i caktohej udhëheqësi. Këto të dhëna dokumentare tërthorazi tregojnë se Zefi i Vogël me çetën e tij kishin grupin e tyre, të cilit i prinin Zefi i Vogël, Pjetër Qeli dhe Zef Gjidoda.

Marshimi i grupit të kryengritësve nga Ferizaji u bë përmes Grykës së Kaçanikut, si dhe me trenin që qarkullonte në relacionin Mitrovicë-Shkup. Sipas profesor Ramiz Avdylit, më 11 gusht 1912 hyri në Shkup grupi i kryengritësve prej qindra vetash, me Bajram Daklanin, Zefin e Vogël dhe Hasan Hysen Budakovën në krye. Edhe profesor Vehbi Xhemaili thekson se grupi i Zefit të Vogël dhe Bajram Daklanit hyri në Shkup më 11 gusht 1912. Gjithashtu, profesor Frashër Demaj thekson se më 11 gusht hyri atje grupi i parë i kryengritësve, i përbërë nga 200 veta me Zefin e Vogël dhe Bajram Daklanin në krye, ku sipas gazetës “Shkupi” u shpalos flamuri kombëtar. Kurse, gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante: “Pas trimave Malsorë sivjet e ngriti flamurin kombiar Kosova; Mahmut Zajmi me Zefin e Vogël e me tjerë fanës e filluan por edhe trimat tjerë u ranë pas në ndihmë.

Këta trima janë: Bajram Curri, Isa Boletini, Riza be Gjakova, Mark Gjoni, Hasan Prishtina, i cili njihet nga tërë kombi shqiptar, Idriz Seferi etj.” Kurse, sipas gazetës “Shkupi”, më 12 gusht në hyri në Shkup grupi i parë i kryengritësve i kryesuar nga Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani. Si duket këtij shkrimi i është referuar edhe profesor Ethem Çeku. Gazeta e Sofjes “Preporec” shkruante për pritjen që u ishte bërë kryengritësve nga qytetarët. Po ashtu, gazeta “Shkupi” shkruante se Bajram Daklani, bashkë me kryengritës e qytetarë, sapo hyri në qytet nisi luante valle në sheshin e qytetit. Këtë atmosferë të marshimit të tyre e ka dhënë edhe këngëtari popullor:

*Vjen pampori zingerli!

Gjysa n’ta gjysa përmi!

Dogri Shkupin e paskan msy.

U hap fjala n’shtatë krajli

Krejt Shqipnija n’Shkup ka hi!.*

Thuhej se kryengritësit u pritën si çlirues në stacionin e trenit nga mijëra qytetarë. Në popull flitej se Hasan Hyseni, së bashku me Bajram Daklanin, Mehmet Shpendin e Zefin e Vogël, e kishin ngritur të parët flamurin shqiptar në Shkup, më 12 gusht 1912. Për këtë akt dhe për veprimtarinë e Zefit të Vogël në çlirimin e Shkupit shkruan shumë gazeta vendëse dhe të huaja. Nami dhe reputacioni i tij u ngrit edhe më shumë. Pra, Zefi i Vogël së bashku me Bajram Daklanin dhe Hasan Hysen Budakovën drejtoi grupin e parë të kryengritësve që çliruan Shkupin.

Ndër shumë veprime luftarake që kishte kryer ai dhe çeta e tij do të veçonim ato të zhvilluara gjatë kryengritjes së madhe të vitit 1912. Pika kulmore do të ishte që në zbatim të vendimeve të Kuvendit të Junikut Zefi në krye të 200 kryengritësve shqiptarë hyri i pari në Shkup. Vënia në ballë të grupit të parë të kryengritësve për të sulmuar Shkupin, ku gjendej garnizoni i madh ushtarak osman, ishte një guxim i rrallë. Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani me grupet e tyre prisnin ballafaqim të ashpër ushtarak. Ata nuk po shkonin në dasmë, por në luftë. Fatbardhësisht ushtria osmane në qytet nuk bëri rezistencë, por Zefi i Vogël me bashkëluftëtarët e tij kishin shkuar të luftonin e po të ishte nevoja të vdisnin.

Çeta e Zefit të Vogël

Kryengritjet e vazhdueshme shqiptare arritën ta katandisin Perandorinë Osmane, por shqiptarët nuk arritën të realizonin aspiratat e tyre. Përfundimet e kësaj kryengritjeje nuk i kënaqën nacionalistët shqiptarë, sepse ajo nuk u siguroi shqiptarëve njohjen e nacionalitetit të tyre, por as krijimin e një vilajeti të bashkuar dhe autonom.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT