• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nekrologjia” e një legjende shqiptare në Amerikë

April 13, 2016 by dgreca

Beqir SINA – New York/

Boston, nga “ëndrra Amerikane” fama e madhe, tek mbyllja e restorantit, dhe shembja e restorantit të famshëm të Bostonit Anthony’s Pier Four/

BOSTON MA : Mediat e Bostonit në Shtetet e Bashkuara, njoftuan lajmin e kobshëm dhe dhanë kumtin 3 vjet më parë se restoranti i famshëm i Bostonit dhe për një kohë të gjatë, dhe ikona e restoranteve në Amerikë, Anthony’s Pier 4, do të mbyllej përgjithmonë. Kjo, mbasi fëmijët e “hajrit” e shitën restorantin e famshëm të babait, të tyre, pronën e tij, që me sa mund e djersë, ai arrti t’a vëjë, këtë , pronë, si një kurbetçi i ardhur nga Korça, në Amerikë, në moshën katër vjeçare me prindërit e tij.Restoranti  Anthony’s Pier 4 Pier 4, ishte hapur  në vitin 1963 nga vet Anthony Athanas, afaristi dhe patrioti i dalluar i komunitetit shiptaro-amerikan, i cili ndërroi jetë në vitin 2005, në moshën 93 vjeçare.

Historia e tij me këtë biznes ishte e një jetë, që është quajtur ndryshe edhe ”ëndërra amerikane”, e realizuar me punë të rëndë dhe dedikim ndaj familjes, pronës dhe vendit të tij.Ai vdiq në Boston, dhe është konsideruar si një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës. Anthony Athanas, ishte një nga bisnemenët më të famshëm të Bostonit, por në komunitetin shqiptar të Amerikës, ai do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar, që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij në Shqipëri edhe në Kosovë.Ndërsa gruaja e tij Ester Athanas, një grua e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan, vdiq më 1 nëntor 2004 në moshën 91-vjeçare në shtëpinë e saj, mbas një jete martesore prej 64 vjetësh bashkëjetese me zotin Anton. Në vitin 1940, Esteri, 28 vjeç, u martua me Anton Athanasin. Anthony Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare Vatra dhe bashkëthemelues i organizatave të tjera shqiptaro-amerikane.Ai vdiq në shtëpinë e tij në Swampscott pas një beteje tre-vjeçare me sëmundjen e alcajmerit. Antoni Athanas, ishte themeluesi i një prej restoranteve që u bë më pas më me emër në rangun e restoranteve të Amerikës –  dhe ishte pagëzuar me emrin Anthony’s Pier Four.Kryetari i Bashkisë së Bostonit e quajti Athoni Athanasin, një traditë në vetvete, pasi ky restorant, tha ai u kthye në një mikpritës të mijra takimeve politike dhe ishte shumë bujar në mbështetjen për komunitetin.

Sekretari i Shtetit – ish Senatori i Maseçustiti, miku i Athanasit, John Kerry u shpreh kur vdiq legjenda shqiptare në Amerikë, se :”Anthony Athanas jetoi ëndrrën amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo imigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar,” tha senatori Kerry.

I lindur në Shqipëri më 28 korrik 1911, Athanasi imigroi me familjen e tij në New Bedford në vitin 1915. Në fillim ai shiste fruta dhe zarzavate, shiste gazeta dhe ndizte zjarrin e furrave në kuzhinat e restoranteve. Në vitin 1937 hapi restorantin e tij të parë dhe vazhdoi pastaj me restorante të tjerë, më i famshmi i të cilëve u bë Anthony’s Pier Four.

Anthony Athanas do të mbahet mend sidomos për ndihmën bujare që i dha komunitetit shqiptar të Amerikës dhe kontributin për bashkatdhetarët e tij në Shqipëri dhe në Kosovë.

Nuk ka shqiptar në Boston, por edhe përtej tij që të mos ketë një kujtim nga ky restorant apo nga vetë Anthony Athanas, bashkëpunëtori i ngushtë i Fan Nolit, udhëheqësi dhe sponsorizuesi i dikurshëm i ‘Vatrës’ dhe një nga figurat historike të diasporës sonë në SHBA.

Ndonëse jo rrallë i injoruar dhe përbuzur nga njerëzit që u kishte shërbyer më shumë, (figurat si Athanasi janë vështirë të palosen e të mbyllen brenda një komuniteti), ai do të mbetet përgjithnjë në kujtesën dhe historinë e Shqiptarëve të Amerikës.

Restoranti “Anthony’s Pier 4”, i njohur si vendi ku darkuan presidentë amerikanë e shumë njerëz të shquar të artit e kulturës, ku u mbajtën shumë takime të komunitetit e ngjarje personale të shqiptaro-amerikanëve, pati shënuar rënie që kur Anthony Athanas ishte gjallë, ndërsa pas vdekjes së tij duket se shpresat për ringritje qenë shuar njëherë e mirë.

Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” me kryeredaktorin e saj Ruben Avxhiu, i kushtojë një shkrim historikut të këtij restoranti, që ka qenë ndër të preferuarit e elitës së Bostonit për dekada me radhë.

Ajo shkruante se “Gjysëm shekulli më parë, kur Anthony Athanas vendosi të hapte restorantin e tij të radhës, “Pier 4”, ai zgjodhi një zonë të pabanuar e të shkretuar. Me mole e skela të vjetra, ku asnjë mjet lundrues nuk ndalej më.

Një nga anektodat më interesante të kohës, tregon për Fan Nolin, mikun e ngushtë të Athanasit, që ishte tmerruar nga ideja dhe u lutej miqve që ta shpëtonin Athanasin nga ky gabim i madh. Kush do të shkonte të hante në atë vend? Po i hidhte Anthony të gjitha paratë e fituara në një pellg që sillte veç dështim.Po çfarë nuk shihte dot gjeniu i kulturës shqiptare, e dallonte syri i gjeniut të biznesit dhe guximtarit nismëmarrës.Ky vend gati “ekzotik” në krahasim me pjesët e qytetëruara të Bostonit shumë shpejt u kthye në një sekret të vogël, të cilin që të gjithë e dinin”, shkruan gazeta.Familja Kennedy, duke përfshirë edhe Presidentin John Kennedy, apo presidentë e politikanë të tjerë, artistë si Liz Taylor e Lisa Minelli, regjizori Hitchock janë vetëm një ilustrim i vogël i dhjetra njerëzve nga më të shquarit e botës amerikane që kanë darkuar në këtë lokal, për gjysëm shekulli.

Në vitet e fundit, me ripërtëritjen e komunitetit shqiptar në Boston e rrethina, “Anthony’s Pier 4” ishte bërë përsëri një nga vendet e preferuara për dreka e darka solemne, festa gëzimi e përkujtimore të dhimbshme.

Gazeta The Boston Globe njoftonte se restoranti i famshëm i Bostonit Anthony’s Pier Four, do të mbyllej përgjithmonë në muajin gusht- 2013. Restoranti i njohur, pronë e familjes Athanas, u hap në vitet 60 nga shqiptari i mirënjohur Antoni Athanas, i cili vdiq në vitin 2005 në moshën 93 vjeçare.

Zoti Athanas erdhi nga Shqipëria në Amerikë në moshë fare të vogël dhe pasi hapi disa restorante në periferitë e Bostonit, bleu një truall buzë detit të cilin më vonë do ta shndërronte në atë që ai e quajti Anthony’s Pier Four.

Restoranti u bë mjaft i njohur për menunë e pasur dhe verërat e zgjedhura dhe në vitin 1981, ai ishte njëri ndër 5 më të suksesshmit e Amerikës.

Xha Antoni, siç u bë më vonë i njohur pronari i tij, krijoi miqësi me disa ndër njerëzit më të shquar të Amerikës, të cilët vinin shpesh këtu për mjedisin që zoti Athanas u krijonte dhe natyrisht për ushqimin e mirë. Mes tyre kishte presidentë, aktorë dhe artistë me emër.

Komuniteti shqiptar do ta mbajë mend restorantin për takimet e rëndësishme që ka mbajtur këtu ndër vite, në sajë të bujarisë së pronarit Antoni Athanas.

Djemtë, e zotit Athanas, që trashëguan pronën e babait të tyre që u bë i famshëm me këtë restorant, i thanë gazetës The Boston Globe, atëhere se ata mund të hapinin një restorant tjetër, një variant më të vogël të Pier Four-it, në njërën prej ndërtesave të reja që do të ngrihen në atë vend ku ishte dikur një restorant i famshëm që tani nuk do të jetë më.

Mirëpo vetëm 8 vjetë nga vdekja e pronarit të Restorantit të famshëm në Boston, i themeluar nga shqiptari i famshëm Anthonu Athanas në vitin 1963, njoftuan lajmin  e “trishtueshem”, se dje se restoranti me emrin Pier Four Restorant Anthony – është shembur.

Dhe tani do të na mbeten vetëm kujtimet “ se na ishte një herë një Restorant i famshëm në Boston, i kurbetqarit shqiptar nga Korça, që u bë i famshëm, Anthony Athanas, quhej lindi më 1911 dhe vdiq më 1985 në Amerikë”.

Njoftimin për shembjen e tij e njoftoi zyrtarisht Bashkia e Bostonit këtë të martë, e cila tha se mjetet e rënda e kan shembur plotësisht restorantin e njohur  “Athony’s Pier 4”.

E cila ka qenë pronë e Shqiptarit Anthony Athanas, i cili e ngriti restorantin e tij në vitin 1963, ku me pjatat e shijshme të përgatitura tërhoqi mjaft klientë të njohur, si Riçard Nikson dhe familjen Kenedi.

Por edhe gangsteri i famshëm i Bostonit, Xhejms Bolxher ishte një klient i rregullt i restorantit të shqiptarit, i veçantë jo vetëm në ushqime, por edhe në mikpritje, tradita që mesa duket shqiptari nuk e ka lënë pas.

Me ndarjen nga jeta të Anthony, restorantin e trashëgoi djali i tij, i cili vendosi ta shiste truallin tek një sipërmarrës. Restoranti i “Athony’s Pier 4” nga fillimi i viteve 1980 arriti në një fitim rreth 12 milionë dollar në vit dhe ishte restoranti më fitimprurës në Shtetet e Bashkuara, por i mbyllur në gusht 2013.

Anthony Athanas, ishte një shqiptar i lindur në Korçë, në vitin 1911 dhe emigroi bashkë me familjen. Në vitin 1938, ai bleu restorantin e parë në Massachusetts, i cili në vitet ’50 u bë një nga restorantet me fitimprurëse në SHBA, me 1 milion dollarë në vit. Ai vdiq në vitin 2005 në moshën 93-vjeçare.

Antoni Athanas – shqiptari dhe amerikani i famshëm/

Më 21.05.2005 Ilir Ikonomi i Zëri i Amerikës, dha kumtin se vdiq në Boston një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës, Anthony Athanas. “Ai ishte një nga bisnemenët më të famshëm të Bostonit por në komunitetin shqiptar të Amerikës do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij si në Shqipëri edhe në Kosovë” tha Ikonomi, i cili e vizitoi disa herë këtë restorant dhe na solli kronika të bukura nga Bostoni .

Anthony Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare Vatra, tha ai andaj Zëri i Amerikës intervistoi kryetarin e athereshem të Vatrës, Agim Karagjozi, sot Presidenti i përjetshëm Nderi i Vatrës.

Zëri i Amerikës: Zoti Karagjozi, ju si kryetar i Vatrës, si e keni njohur zotin Athanas, ç’mund të na tregoni për njohjet tuaja të hershme me të?

Agim Karagjozi: Antoni Athanasin e kam njohur shumë herët, qysh në vitet e para që kam ardhur në Amerikë, në fillimin e viteve 60. Antoni Athanasi në atë kohë ishte “the rising star” – ylli që po shkëlqente në Vatër. Ai ishte shumë i afërt me Kristo Athanasin, i cili në atë kohë konsiderohej si “Babai i Vatrës”. Por në skenë doli Antoni Athanasi, njeriu i ri, njeriu i dinamizmit, që solli një gjallëri të re në Vatër, shumë i përkushtuar, me mbështetje të jashtëzakonshme financiare dhe me veprimtari dhe me punë. Ishte ai që ngjalli shpresa të reja për Vatrën dhe sigurisht ishte puna që bëri në ato vite Antoni që Vatra është e gjallë sot.

Zëri i Amerikës: Antoni Athanasi ishte njeri shumë i zënë me biznesin e tij. Si arrinte ai të kontribuonte edhe me veprimtaritë për Vatrën?

Agim Karagjozi: Antoni Athanasi kishte ndjenja shumë të thella shqiptare. Ai i kishte marrë ndjenjat në radhë të parë nga familja e tij. Ai ka ardhur në Amerikë në moshën tre-vjeçare. Kishte një familje shumë atdhetare – i ati i tij ishte atdhetar. Pastaj, pasi u rrit, u njoh me Nolin dhe me Konicën dhe i admironte të dy ata, por sidomos Nolin.

Antoni Athanasi ishte një dishepull i Nolit dhe u frymëzua shumë thellë nga veprimtaria, puna, kultura dhe idealizmi i Nolit. Athanasi i përkiste një familjeje që u përzu nga grekët në vitin 1913 kur u bënë masakrat, pra ishte një familje e vuajtur dhe kjo e shtynte të përpiqej për t’i shpëtuar shqiptarët nga rreziqet e fqinjëve.

Ai kishte një krenari dhe ndjenja të thella shqiptare prandaj e gjente kohën, sado i zënë që ishte. Kishte edhe kapacitetin financiar dhe moral që t’i kushtohej Vatrës, e ndjente këtë si detyrë. Antoni Athanasi ishte trashëgimtari i Nolit në Vatër, ishte ai që i siguroi jetën Vatrës për shumë dekada.

Ai ishte edhe një amerikan i shquar, gëzonte një reputacion shumë të madh në Amerikë, ishte ndoshta njeriu më i suksesshëm në biznesin e restoranteve. Ishte një filantropist i pakursyer që ndihmonte në shumë anë. Kështu, ai në Boston është një nga figurat më të nderuara dhe njihet në të gjithë Amerikën si një figurë e shquar.

Restoranti i tij Pier 4 është një nga restorantet më të mirë ku vijnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës. Antoni Athanasi është bërë një legjendë në Amerikë. Ka qenë shumë i aftë dhe shumë dinamik, njeri që nuk harxhonte kohën kot me fjalime të gjata. Edhe në mbledhjet që bënim ne kur bisedoheshin çështjet e ndryshme – ju e dini si e kanë zakon shqiptarët që i zgjasin bisedat – ai i binte shkurt dhe hynte drejt në temë. Ishte tamam njeriu me vetitë e individit të suksesshëm, kishte veti natyrore dhe ishte njeri i rrallë.

Zëri i Amerikës: Sot në Shtetet e Bashkuara vijnë shumë emigrantë të cilët ëndërrojnë të bëhen të njohur, të krijojnë bizneset e tyre dhe të pasurohen. Çfarë mund të mësojnë ata nga Antoni Athanasi?

Agim Karagjozi: Ata mund të mësojnë këtë gjë, që me talent dhe me përkushtim dhe me punë të pakursyer mund të arrihet çdo gjë. Antoni ishte për t’u habitur. Ja se ç’tregonte ai në një rast: kur arriti të ketë restorantin e tij të parë, një restorant fare i vogël, ai punonte aty fare i vetëm. Rrinte te banaku dhe thërriste me zë të lartë, gjoja sikur po i jepte porosinë gjellbërësit.

Në fakt, ai nuk kishte gjellbërës, por pasi thërriste porosinë, vraponte vetë në kuzhinë që të përgatiste gjellën për t’ua sjellë mushterinjve. Ishte njeri me kapacitet, me talent, punëtor, i zgjuar, i gjallë, i zoti dhe nuk e harxhonte kohën kot. Si rrjedhojë e kësaj, erdhi koha kur ai arriti të ketë në Boston katër restorante. Ai ndërtoi restorantin Pier-4 në Boston, i cili është gati si një monument në Amerikë, një vend pelegrinazhi ku shkojnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës për të ngrënë një drekë a një darkë.

Njerëzit shkonin atje edhe thjesht për dëshirën që kishin për të takuar Antoni Athanasin, sepse ai rrinte në restorant ditë e natë, nga ora 6 e mëngjesit e deri në mbrëmje kur mbyllej. Ai rrinte atje për të pritur e përcjellë vetë mysafirët. Njerëzit kishin një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie që të takonin Antoni Athanasin. Nuk ka personalitet amerikan që të mos ketë qenë në restorantin e tij, qoftë personalitete politike apo të artit, njerëz të Hollivudit e të tjerë. Në restorant do të gjesh të gjitha fotografitë e këtyre njerëzve të shquar.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, ne Amerike, Nekrologjia” e një legjende shqiptare

DOSJA NR. 1333…PSE I VRANË DY PROFESORËT NË SHKODËR ?!

April 12, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e VIII/

■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.

■Kush ishte Prof. Avokat Paulin Pali?

Me datën 18 tetor 1946 major Zoji Themeli, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës (në shtëpinë e Çiurçisë), fillon me dokumentacionin që për fat ruhet edhe sot.

“Avokat Paulin Mark PALI është i datlindjës 1914. Prindët e tij ishin Mark e Shaqë Pali. Ka një vëlla Gaspër Palin, ishoficer i naltë. Paulini është beqar, i pa dënuar, i varfër, me universitet të kryer për drejtësi, profesor avokat, nga Shkodra, i arrestuar më 14 gusht 1946…” Paulini deklaron: “Kam krye fakultetin Juridik në Firencë në vitin 1942. Kam ardhë në Tiranë, prej ku kam shkue në Prizren. Për Kosovën mendojshe se do të fitojnë lirinë dhe, nuk do të rrinte nën sundimin e Krajl Pjetrit… Jam arrestue nga forcat partizane tue u arratisë në Itali, me datën 15 shtator 1946…”

■Në vitin 1992, më tregonte zonja Terezina Pali (Zorba), ish bashkvuejtëse e Avokatit në kohen e hetimeve: “Kur po më dërgonin në dhomën e pyetjeve polici shoqnues më la pak minuta në koridor, mbasi ai hyni tek oficeri pyetës ku dukej se kishte njerëz. Aty afër derës ishte një baul e vjetër e mbyllun me dry. Ndigjova një za të lehtë e të mekun: “Terezinë…Terezinë! Jam Paulin Pali!”, unë e tronditun ju përgjegja: “Kush?”…Ai u përgjegj prap: “Paulini moj, Paulin Pali!”.”Isha aq e tronditun sa edhe sot më tmeron ai kujtim i mnershëm i asaj dite, kur mendoi atë djalë aq të pashëm e të gjatë si bajrak dy metër, të palosun dyfish në atë arkë aq të vogël sa mezi mund të futej një fëmijë.

Aty i shkreti Paulin ka qëndrue me ditë e javë të tana… derisa njëditë nuk u ndigjue ma zani i tij që ndigjohej çdo natë në tortura.”

■Do të ishte me interes me u studjue dosja e plotë e këtij grupi martirësh që, nuk m’u dha mundësia me e pa këtë material të plotë, po mërrijta me kuptue nëpërmjet atyne pak rreshtave të ballafaqimeve, qëndrimin heroik dhe të palëkundun të Burrave që s’ njohën frikën: Prof. Kol Prelës, Av. Paulin Palit, Kel Çobës, Abdyl Rusit dhe Kol Kurtit.

■Për martirin Simon Darragjati fatkeqësisht nuk kam muejtë me gjetë material. E vetmja dishmi per Te, asht ajo e Loro Vatës, që ishte prezent kur u holl nga dritaria… E kjo ngjante si pasojë e torturave e presioneve per dishmi fallso nga krimineli Fadil Kapisyzi.

■Edhe pse të ndodhun para gjakajtorëve kriminel’ e vrasës: Zoji Themeli, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vehbi Fishta, Xhemal Selimaj, Lilo Zeneli, Vaskë Koleci, Ali Xhunga, Fadil Kapisyzi, Xheudet Miloti, etj., asht e pakuptueshme për né, forca e qëndresës së Tyne dhe këtë e tregon ma mirë se çdo gja, fundi i jetës së Tyne nga torturat.

■Kush ishte Prof. Kol Prel Gjoka, deputeti i Dukagjinit në zgjedhjet e vitit 1945?

Me datën 7 shkurt (fruer) 1947, oficeri pyetës Zoji Themeli shënon:“Kol Prela ka lé në Shkodër në 1918. Banues në rruga Kokaj Nr. 4, Rus Katolik. Në 1928 ka krye shkollën e ultë ndër Jezuit, ndërsa të mesmën në Gjimnazin e Shtetit, në Shkodër, në 1935.

Fakultetin e Letërsisë e ka përfundue në Torino, në 1940. Në 1944 ishte në Shkodër,  përgjegjës i Seksionit Ekonomik. Drejtor i Normalës së Elbasanit, deri në nandor 1945. ■Më 2 dhetor 1945, Deputet i nën/prefekturës së Dukagjinit, deri më 14 shtator 1946, që u arrestue në Tiranë. Mbas dy javësh asht sjellur në Seksionin e Mbrendshëm  Shkodër.

■Prof. Kol Prela deklaron: “Me Padër Gjon Shllakun kam bisedue kundër Italisë, kemi kenë dakord të dy që né duhet të çlirohemi. Që në 1940 e njifshe P. Gjonin dhe kemi bisedue çështje politike, letërsi, histori dhe filozofi. Ai njifte të gjitha shkencat. Pjetër Prendush Palaj, me ka ardhë dy herë në shtëpi që të ndërmjetsoja për transferim…Loro Vatën e njof për ftyrë por nuk kam pasë lidhje. Me Gjelosh Lulashin kam pasë lidhje, ai më ka thanë me ikë por unë i kam  kundërshtue. I kam tregue për Konferencën e Paqës që ose do të bahët paqë, ose bota do të ndahët në dy bloqe. Më pëlqente demokracia me shumë parti si në Angli e Francë.

■Procesi vazhdon: Zoji Themeli arrinë që Kola të ballafaqohët me vëllain Markun, për Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, dhe se Kola i ka dhanë udhzime asaj Organizatë, por Kola thotë se nuk asht e vërtetë. Madje, Kola nuk ka pasë fare dijeni se asht formue një organizatë e këtillë. Kola mohon edhe ekzistencën e ndonjë oganizate ose partie demokristjane, mbasi P. Gjoni thotë Kola, do të më kishte tregue… Zoji Themeli d.v.”

  • KEL ÇOBA: Mohon thanjet e Xhevat Metës, Karlo Sumës dhe Syrri Anamalit…
  • ABDYL RUSI nuk pranon asnjë nga thanjet e dëshmitarëve…
  • KOL KURTI thotë: Takimet me shokë nuk kanë pasë karakter politik. Tjerat çka thohën këtu, nuk janë të vërteta.(Dosja 1333).

■ Mbas 18 muejsh hetuesi, Prokurori Ushtarak i Zonës Ushtarake Shkodër, kap. Namik Qemali d.v. përpilon akt-akuzën për të pandehurit: “1. Paulin Mark Pali, 2. Kol Prel Gjoka, 3. Kel Gjon Çoba,  4. Dhionis Kristo Miçaço, 5. Shyqyri Bajram Shpuza, 6. Abdyl Riza Rusi  dhe 7. Mehmet Mahmut Daiu…

Kanë punuar për formimin e organizatës terroriste në Shkodër.

Nga të pandehurit, Kol Prela, ka qenë efektiv i Komitetit Qendror Demokristjan, dhe bashkpuntor i Organizatës terroriste. Kanë mbajtë lidhje me armiqtë mbrenda e jashta shtetit. Kanë qenë për ndërhyrjen nga jashtë nga të huajtë imperialistë…

***

■“Trupi Gjykues i përbërë nga: Kryetari, kap I Misto Bllaci, antarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger A. Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali, sekretar Shaban Q. Dautaj, me datën 14 janar 1948, ditën e mërkurrë, hapi seancën me pyetjen e të pandehurit:

■Prof. Kol Prel GJOKA: “…vjeç 30, i pamartuar, i padënuar, i varfër, ka mbaruar fakultetin e letërsisë, Profesor, ka vëllain në burg (Markun), i arrestuar më 19 shtator 1946, deklaroi: Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund ta quej trathti.”

■Prof. Av. Paulin PALI deklaron: “Akuza pjesërisht asht e vërtetë, sidoemos se kam dashtë me ikë. Lëvizjën N.Çl. e kam njoftë, …në fund e kam simpatizue dhe kam kontribue për shlirimin e Shqipnisë. Për kundra sajë, përsa i përket diktaturës nuk e kam dashtë, sidoemos kufizimin e partive të tjera  dhe shkrimjen e fuqive të tjera ekonomike.

Në 1942-43 ishe në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për shlirimin e Shqipnisë pa Kosovën e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë nga shovenistët serb padrejtësisht. Me forcë nuk mund t’a marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Blokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku. ..Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia.

■Unë nuk dij në se populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetët në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Ëndrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por, në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj., kam folë. Kur filluen Gjyqet e Popullit nuk më pëlqenin, se nuk garantohej si duhej drejtësia. Trupi Gjykues nuk ishte i aftë. Gjykatësi duhej të ishte i paanëshëm. Po citoj nji shembull qysh në fillim e deri në mbarim, këtë ide e kam pasë formue, Riza Alinë, as e kam njoftë, as e dij se ka kenë element i keq. Ekzekutimi i tij më ka ba të vuej shpirtnisht, gjithashtu edhe Ymer Lutfija që nuk e ka meritue me u dënue me vdekje. Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër Gjykatave Ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Blokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta. Për demokristjanen nuk kam bisedue, as nuk kam dijtë, as nuk kam dijeni, as nuk kam dijtë se ka kanë Padër Gjoni, por si nji parti e krijueme jashta shtetit, e dij se asht ndër shtete tjera por, as që kam bisedue për té me njeri.

Në kjoftë se jam i tepërm për shoqninë njerzore, mund të më zhdukni!..

Unë dal si Paulin Pali para arrestimit, por ma pas (mbrapa), nuk dij gja dhe mos më pyetni! Jam marrë në proçes dhe nuk jam dakord në përgjithësi me té.

Unë dua të tham këtë: “Ma mirë të hesht!”

Moralisht nuk jam i pastër, karakteri i fortë burrnor më mungon. Kerkoj mëshirë!”

■Kryetari i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me datën 16 janar 1948, dha vendimin:

PAULIN  MARK PALI dhe KOL PREL GJOKA, me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.

Të dënuarit kanë të drejtën e apelit në Gjykatën e Naltë.”

■“Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e sajë me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108, E përbërë nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap. II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K. Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi: Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës

  1. PAULIN PALI 2. KOL  PRELA. Mbetët në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë.”

■Cili ishte vullneti i tyne i fundit? Kur u ekzekutuan? Kush i ra mbas kokës…

Dihët vetëm se njëditë kur shkoi në qelinë e tij Adem Bazhdari, gjeti të shtrimë përdhe një njeri, pothuej i vdekun, ishte i lamë me gjak, përmbys, ia solli fëtyrën nga drita e shikoi, por nuk e njohti….E pau se merr frymë dhe, e pyeti: “Kush jé ti?”

Ai u përgjegj: – “Jam Paulin Pali”…

***

HAPNI DOSJEN 1333  e shikoni, sa intelektualë u zhduken nder ata dy vjetë…

■Të gjithë të pafajshem, të varfen, pa shtëpija, pa familje, po edhe… PA VARRE!

■Vetem kështu, rrenohej përgjithmonë thëmeli kulturor në Shkoder!

Vazhdon Pjesa IX…

Melbourne, Prill 2016

Filed Under: Histori Tagged With: DOSJA NR. 1333...PSE I VRANË, DY PROFESORËT, Fritz radovani, ne shkoder

FAKT-Diktatori Enver Hoxha, hero kombëtar i Serbisë

April 11, 2016 by dgreca

Edhe nëse ndodh që Shqipëria t’i heqë dekoratat e titujt, diktatori e ka të sigurt lavdinë që ia njeh Serbia.
Sot mbushen 31 vjet nga dita, kur vdiq diktatori Enver Hoxha. Edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, ka njerëz, madje edhe media që e kthejnë në kujtesë dhe jo për veprat kriminale që kreu për 50 vjet. Ka nostalgjikë që i shkojnë ende tek varri e përkujtojnë, ka media që e sjellin vazhdimisht në vëmendje pa prekur thelbin e krimeve të tij. Ka politikanë që e vlerësojnë ende. Por një e vërtetë rreth gjithë krimeve të tij ende nuk ka dalë në dritën e botimeve. Herë pas here dalin detaje, por që nuk e përmbledhin të plotë veprën e tij kriminale.
Një iniciativë e deputetëve të PDIU-së, Mesila Doda e Shpëtim Idrizi, tenton të heqë dekoratat atyre që kanë kryer krime në komunizëm. Diktatori Enver Hoxha është i pari që do të duhet të humbasë titujt, të cilët me sa duket ende i ka nëpër dokumentacionet e shtetit shqiptar.
Por edhe nëse ndodh që në Shqipëri t’ia heqin dekoratat e titujt, diktatori Enver Hoxha e ka të sigurtë që në Serbi do të vazhdojë të jetë hero kombëtar. Fotografia e botuar nga 27.al, konfirmon këtë trofe të diktatorit, marrë nga Serbia në vitin 1946.
Në fakt, e meriton këtë titull se është udhëheqësi që vrau pa mëshirë popullin e tij, jo vetëm ata që i eliminoi fizikisht, por vrau lirinë e një populli të tërë për gjysëm shekulli. Pasojat e atij sistemi Shqipëria po vazhdon t’i vuajë edhe sot.

Filed Under: Histori Tagged With: Diktatori Enver Hoxha, hero Kombetar, i Serbise

Spaç 11 prill 1985, kur diktatori nuk merrte më frymë

April 11, 2016 by dgreca

Nga Bedri Blloshmi/

Kjo humnerë është rrethuar nga të gjitha anët me kodra të larta e të rrjepura. Kjo gropë me reliev të thyer në fund të dy maleve, që qëndrojnë ballë për ballë, kanë të përbashkët dheun e djegur në ngjyrë të kuqerremtë. Shkuret e mbira luftojnë më natyrën për të mbijetuar në këto pllaja të djegura. Përpiqen të ngulin rrenjët e tyre të dobta në tokën e zhuritur. Në të dyja anët e përroit, i cili zhurmon nga uji i përzier me acidin e ngjyrat e kripura që dalin nga barku i nëntokës. Me siguri udhtari kur kalon këtyre anëve thot me vete: “Ky vend qenka i mallkuar! As zogjtë e malit nuk mund të jetojnë në të mendo pastaj për njeriun!”

Kjo sipërfaqe, që për asgjë s’vlen, kjo pamje e një krateri vullkani, kjo gropë gjigande, vetëm një mëndje djallëzore mund ta fut në punë. Kur bie biseda se si është gjetur kjo shkretëtirë, tregojnë se Sigurimi famëkeq i Shtetit e ka zbuluar me anë të fluturimeve me avion dhe e konsideroi të përkryer për të sjellë sklevërit e komunizmit barbar. Kjo gropë e egër dhe e djegur qëndronte e fshehur nga çdo sy. Ditën e 1 prillit kampi u gdhi me polici të përforcuar.

Shëtisnim me kokë ulur si mizat. Altoporlanti rënkonte nga zhurma e muzikës funebër. Punoja në zonën të këtoj ferri, në galerinë 20. Ishim turni i parë dhe e gjithë kodra e djegur u mbush me policë dhe shumë fytyra të panjohura të cilët na thërrisnin të dilnim nga galeria dhe të rreshtoheshim përpara kohe për t’u futur në kamp.

Te pikat ushtarake, jashtë rrethimit, dukej flamuri në gjysmë shtizë. Diçka kishte ndodhur. Kur na futën në vendbanim, në barakat buzë përroit, policëve të regjimit të brendshëm u dukeshin sytë të skuqur nga të qarat. Përpiqeshin të fshinin sytë me kurrizin e dorës.

U kuptua qartë se gjithë ky shqetësim dhe përforcim i oficerëve ia kishte frikën të burgosurve politikë të cilët mund ta shfrytëzonim këtë rast humbjeje për ata dhe rast gëzimi për ne. Ditën e 12 prillit u ngritëm shumë të gëzuar se morëm vesh që diktatori nuk merrte me frymë.

Atë natë e gdhiva i shtrirë në shtrat me kokën të mbuluar me batanije. Nuk vura gjumë në sy nga gëzimi. Gjatë gjithë natës, si brenda në kapanonin e fjetjes ashtu dhe jashtë tij, policia nuk ndali asnjë sekondë varavingot dhe ecejaket.

Në orën 5 shkuam në mensë, mora gotën e qumështit, e piva në këmbë me fjalët: “Gëzuar o shokë!” Dola nga mensa dhe i lashë porosi një shoku të na bënte një tenxhere me hallvë. Ishim tek kafazi në pritje të policëve për t’u nisur te galerit vdekje-prurëse.

Më kujtohet si tani: qëndronim mbi urë me dy miqtë e mi, Agim Hamiti nga Dukati i Vlorës dhe Et’hem Ibrahimi po nga Vlora. Po bisedonim dhe po llogaritnim kohën se kur do liroheshim. Shefi i policisë, Josif Sadiku erdhi dhe më pyeti se kush ishte Et’hem Ibrahimi. E mori atë më vete dhe kaloi nga pjesa tjetër e kampit, ku rrinin ordinerët dhe u duk përsëri. Thirri emrin tim: Bedri Blloshmi?

  • Këtu jam, i thashë.
  • Hajde pas meje! – bërtiti.

U afrova.

  • Të shoh shumë të gëzuar. Pse je kaq i qeshur? Ke ndonjë martesë apo fejesë nga shtëpia? Sot, kur e gjithë bota qan e mban zi për vdekjen e shokut Enver mban zi, ti qesh? Hajde shkojmë matanë të sqarohemi.

Na rrahën për vdekje. Na futën në birucë ku gjatë një muaji policët na rrihnin pa pushim. Për këtë ditë po botoj proces-verbalin se kush më raportoi dhe vendimet që u morën ndaj meje për këtë rast.

Më arrestuan dhe më dërguan në degën e Rrëshenit, ku më mbajtën për një kohë të gjatë. Më kthyen përsëri në Spaç dhe më thanë se nuk do dënohesh përsëri, sepse ishin të sigurt që unë do të flisja përsëri dhe kështu do ruanin rastin për të m’i dhënë të dyja dënimet bashkë. Aty më nxorën përpara kolektivit të të dënuarve dhe disa të dënuar kërkuan dënimin tim me pushkatim ose me varje në mes të kampit.

Dhe e gjitha kjo vetëm se u gëzova për vdekjen e diktatorit.

Filed Under: Histori Tagged With: Bedri Blloshmi, kur diktatori, nuk merrte më frymë, Spaç 11 prill 1985

Shënohet 105 Vjetori i Kryengritjes së Malësisë në Nju Jork

April 11, 2016 by dgreca

Komuniteti Shqiptar në New York, shënoi 105 Vjetorin e Kryengritjes së Malësisë (Foto)

Nga Beqir SINA/

Ngritjes së Flamurit të Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, i parapriu dhe ngritja e Flamurit në Deçiç nga patrioti Dede Gjon Luli, së bashku me prijësit e tjerë të Malësisë, në pranverën e vitit 1911, më 6 prill të atij vitit. Kjo ditë e shënuar nuk erdhi rastësisht, por nga përpjekjet e pafund të luftëtarëve për Pavarësi dhe Liri, nga gjaku i derdhur brez pa brezi të, të gjitha kohërave, se në zemër të tyre jetonte Heroi i Kombit Shqiptar, Gjergj Kastrioti.

BRONX NY : Si çdo ngjarje tjetër e rëndësishme e shqiptarëve, që ka trashëgiminë e saj historike dhe kulturore, edhe Kryengritja e Malësisë së Madhe, e vitit 1911, të udhëhequr nga prisi i pavdekshëm i maleve tona Ded Gjon Luli, kremtohet, edhe tek shqiptarët e Amerikës, si një ndër datat më të rëndësishme të historisë shqiptare, e cila ka simbolikat dhe dëshmitë e saj, që gjenden mes nesh edhe në ditët e sotme.

Më 9 prill 2016, ditën e shtunë, Shoqata “Malësia e Madhe” në vazhdën e aktiviteteve të veta, në përkujtimin e datave të shënuara me rastin e 105 Vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, organizojë në nder të 6 Prillit, një mbrëmje festive, në Bronx- New York.

Është, pikërishtë ky aktivitet, i cili për dekada, është festuar nga shqiptarët e Amerikës, dhe na kujton një nga ngjarjet me rëndësi të veçantë për historinë e gjatë e të mundimshme, por edhe krenari e lavdishme e popullit shqiptar. Shënimin e këtij jubileu – 105 Vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, nën organizimin e Shoqatës Malësia u mbajtë, në restorantin e njohur Maestro’s, dhe morën pjesë qindra vetë.

Në këtë mbrëmje festive, morën pjesë edhe mysafirë nga vendlindja dhe komuniteti shqipatrë, përfaqësues të shtetit të Kosovës, klerikët dhe personalitete të njohura të komunitetit tonë : Famullitari i Kishës Katolike Shqiptare në New York, Dom Pjetrit Popaj, mysafiri nga Shqipria professor doktor Gjok Uldedaj, ish deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshilltar i Presidentit të Shqipërisë, z. Bujar Nishani. Ai që dha kontribut të madh në realizimin vendosjes së shtatores së Ded Gjon Lulit në Tiranë.

Kryetari i Fondacionit Plave Guci Alex Selimaj ,kryetari i organizatës Rrënjët Shqiptare zotëri Marko Kepi , anëtarët e kryesisë së Shoqatës “Malësia e Madhe” nga Nju Jorku, e cila ishte dhe organizatore e këtij manifestimi me aktivist të dalluar të komunitetit. Përfaqsuesi diplomatik i Konsullatës së Kosoves zotni Fatmir Zajmi, asamblisti i parë shqiptarë në Asamblen e New Yorkut, zotni Mark Gjonaj, activisti e intelektuali i dalluar nga Malësia, Kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi professor Nikolle Camaj, Profesori dhe shkrimtari Fran Camaj, e të tjerë.

Veprimtaria, u hap me egzekutimin e dy hymneve kombëtare, SHBA dhe Shqipërisë, kënduar nga nxënësit e Shkollës Shqipe në Bronx, Angjel e Suzana Juncaj.

Poashtu, me një minutë heshtje, të pranishmit kanë kujtuar dhe nderuar me këtë rast të gjithë ata të rënë në Kryengritjen e vitit 1911 dhe të të gjitha luftërave tona për liri e pavarësi kombëtare.

Mbrëmjen e drejtoi, z. Age Ivezaj – duke iu kujtuar të pranishmeve se tashmë organizatori i kësaj ngjarjeje, Shoqata Malësia e Madhe,e cila vjen nga bashkimi i dy fondacioneve, po debuton me një tjetër emër dhe me një mesazh të qartë atë të bashkimit, për të cilin kemi shumë nevojë ne si doasporë, por edhe si malësorë.

Ivezaj, duke folur për rëndësinë e kësaj ngjarje, tha se : “Sot jemi duke përkujtuar njërën prej ngjarejeve më të lavdishëme të historisë sonë, 105 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, atë të vitit 1911, të udhëhequr nga prisi i pavdekshëm i maleve tona Ded Gjon Luli, i cili bashkë burra e burrnesha, në log të malësisë, me gjakun e tyre, u bënë gur themeli i shtetit shqiptarë. Kryengritja e Malësisë së Madhe, është pjesë e lëvizjes gjithë shqiptare, për liri pavarësi dhe bashkimin e plotë të Shqiprisë” tha ajo.

Më tej Ivezaj, tha se ngritja e flamurit tonë kombëtar më 6 Prill të vitit 1911 në majë të Bratilës, në malin e Deçiq, ishte kulmi i përpjekjeve të deri athershe, për të dalë nga robnia shekullore, dhe, për të penguar coptimin e trojeve shqiptare nga pazarllaqet e diplomacisë europjane, qysh ne kongresin e Shën Stefanit e të Berlinit.

“Prania e flamurit, simbolit të gjithë shqiptarëve, tha drejtuesja në duart e trimave malësor, është beteja e të gjitha forcave liridashëse shqiptare. Pa marr para sysh se luftimet në Deçiq Qaf të Ugles, Shipshanik e Dinosh, i paguan me gjakun e tyre djelmnia e Hotit e Grudës, të Trieshit e Kojës, Kelmendit e Kastratit. Duhet të theksohet fakti se Kryengritja e Malësis nuk ishte thjesht kryengritje locale e 5 ose 7 maleve të Malësis , por ishte levizje mbarë kombëtare për ti dhënë fund zgjedhës së robëris dhe për t’a bërë Shqiprinë “ Zojë në vete”, siç thoshte Vaso Pasha,” tha udhëheqsja e këtij manifestimi Age Ivezaj.

Famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “ Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj, kreu ritualin fetar të bekimit të kësaj date, si dhe përshëndeti 105 – Vjetorin e Kryengritjes se Malësisë së Madhe.

Në rradhë të parë duhet të faleminderojmë Zotin, nisi fjalën e tij Dom Pjetri, që na ka ruajtur, na ka udhëzuar dhe na ka mbajtur të bashkuar. Kemi vuajtur nën shtypjen e të hujave por kemi pasur dorën e Zotit dhe përkrahjen e njëri tjetrit, dhe, ky bashkim na ka forcuar aq shumë sa që ( megjithëse numër i vogël por i fort) për të luftuar një perandori . Këtë e kemi trashëgim prej të parëve tanë, duke filluar prej Kastriotve.

Ndërsa, duke folur për këtë tubim përkujtimor, Dom Pjetri tha se “Ky tubim të na vlejë neve që të frymëzuar prej etërve tanë, të veprojmë gjithëherë për të mirën e popullit tonë. Të ndihmojmë njeri tjetrin, pa dallime, largime dëbime e përçarje pro, të jetojmë si vëllezër e motra të një familje, të nji populli e të një Atdheu”.

Më pas e mori fjalën kryetari i shoqatës Malesia e Madhe zotni Ejllo Berishaj

Duke përshëndetur “Lavdi jetës dhe veprës se heroit Dedë Gjon Luli!!! kryetari i shqoatës, z.Berishaj, tha se njerëzit e mëdhenj si Dedë Gjon Luli, me rastin e vdekjes pushojnë dhe nuk flasin ma, por vazhdojnë të jetojnë sepse pasardhësit dhe atdhetarët nuk harrojnë kurrë veprat e heronjve.”

Në fjalën e tij kryetari i shoqatës, Malësia nga New Yorku, nuk la pa permendur edhe faktin e bashkimit të dyjave fondacioneve nga Malësia, e cila simbas tij, ka qenë e frymëzuar, edhe erdhi si rezultat i asaj – që ka qenë edhe forca kryesore e kryengritësve dhe Dedë GjoLulit.

“105 vjet më parë, tha ai ishin uniteti i Hotit, Grudës, Trijepshit dhe Kojës, Kastratit dhe Kelmendit. Kurse, sot forca jonë këtu në diasporë, është përkrahja dhe anëtarësimi Juaj sa më i madh në Shoqatën Tuaj dhe tonën Shoqatën Malësia e Madhe, sepse, vetëm kështu mund të ndikojmë dhe ndihmojmë proceset e demokra-tizimit dhe integrimit të trojeve shqiptare në Bashkësinë evropiane e pastaj duke hecur drejt bashkimit kombëtar.” tha Berishaj.

Më pas ai theksojë se :”Sot shqiptarët janë më të fortë se kurrë, Shqipëria në NATO, Kosova shtet i pavarur, diaspora shqiptare e fortë dhe organizuar, të gjitha këto më japin të drejtën të them se nuk mund të tolerohet edhe më tutje situata dhe pozita e mjeruar politiko ekonomike në trojet etnike shqiptare në Mal të Zi. Këtu, më duhet të konstatoj edhe numrin tepër të madh të subjekteve politike shqiptare, pa platformë të përbashkët politike të veprimit dhe të kërkesave politike, duke mos rrespektuar as marrëveshjet politike të arritura dhe të nënshkruara në mes veti. Kështu të përçarë dhe të dezorien-tuar, vështirë se mund të sjellin një të nesërme më të mirë, edhe pse ka plotë njerëz të mirë atje, të sinqertë dhe dashamirës të çështjeskombëtare, me shpirt dhe zemër” ( fjalën e plotë e gjeni më poshtë).

Fjalën e rastit e mbajti publicisti, ish gazetari i Zërit të Amerikës, humanisti, personi që u vu në shërbim të çështjes shqiptare Gjek Gjonlekaj. Ai, që dha kontribut të madh në avancimin e çështjes së Kosovës, gjithmonë i gatshëm për të dhanë donacione për të ndërtuar objekte fetare e kombëtare, tha drejtuesja e kësaj veprimtarie, Age Ivezaj duke prezantuar Gjonlekajn.

Gjek Gjonlekaj, e quajti – Kryengritjen e Malësisë së Madhe me kryetrimin dhe heroin tonë Dedë Gjon Luli, një jubile të shenjtë – i cili, përkon edhe me vitin e Nëna Terezes – “Pra, është, tha Gjonlekaj, ky viti më i nderuar për kombin shqiptarë, për të kujtuar prijsin tonë Ded GjonLulin, dhe për të shjetëruar nobelisten shqiptare Nëna Terezen”.

Kurse, duke ia atribuar meritat e organizimit të disa aktiviteve, dhe permendur ato, të cilat ai veçojë në kujtimin e ngjarjeve histrorike të Malësisë, përfshirë Kyengritjen e Malësisë së Madhe me Ded GjoLulin, të dy ish fondeve, atij Humanitar Malësia e Madhe – dhe ish – Fondacionit Ded GjoLuli – sot, pas bashkimit Shoqatës Malësia e Madhe.

Gjonlekaj, tha se “ata kan bërë aktivitete, të cilat kan të bëjnë me humanizëm, përkujtimin dhe krenarinë tonë, duke bërë edhe vepra të mëdha për më shumë se çerek shekulli në komunitetin tonë – këtu në diasporë – saqë nuk ka bërë tjetër kush – vepra kaq të mëdha “ tha ai.

Dhe, me të drejtë kjo shoqatë, është Nderi i Kombit, është Nderi i Malësisë! po të kujtojmë se çfarë kanë bërë këta, me fondacionin e tyre, për bursat, për të ndihmuar vendlindjen, për ndihmuar luftën e UÇK-së, nga 88’’ – 99’’ u shpreh Gjonlekaj.

Më pas ai duke folur për Kryengritjen e Malësisë së Madhe, mbas lartësimit dhe vlerësimit që i është bërë figurës legjendare të Dedë Gjo Lulit, kujtojë shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare, i cila ka thënë se “Periudha e Skëndërbeut ishte prologu i Shqipërisë – ndërsa, lufta e Ded Gjolulit dhe Kryengritja e Malësisë së Madhe, monologu i Shqipërisë”, çka do të thotë se Skëndërbeu, ishte fillimi, ndërkohë, që Dedë Gjoluli, ishte mbyllja” tha Gjonlekaj..

Kruja, Malësia e Madhe dhe Drenica, janë tre vende historike”! janë legjenda të cilat na kan dhënë ngjarje të mëdha,”u shpreh Gjonlekaj, gjatë fjalës së tij, cili i quajti historian të “mbrapësht” disa historian dhe stutdiues shqiptarë, në mënyrë se si e kan trajtur Kyengritjen e Malësisë, me prisin legjendra Ded GjoLuli..

“Të cilët , u shpreh Gjonlekaj, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, e trajtuan pushtimin otoman të Shqipërisë, si një administrim të asaj kohe, “duke, anashkaluar atë se qindra malësorë u vranë, sa e sa gra mbeten të veja, dhe sa fëmijë u rritën pa prindër”, tha ai.

Është e pafalshme që të mos njihet kontributi i tyre, ashtu si duhet ,! tha në fund Gjonlekaj, duke ju kujtuar atyre, se si nderohen ngjarje të tilla edhe në SHBA, sidomos me shtypin që u jep një vend të madhë .

“Sepse, ata gjakun e tyre e derdhen për Flamurin e Gjergj Kastriotit, por me keqardhje them, se për luftëtarët, për gjakun dhe jetën që dhanë jo vetëm që nuk janë vlerësuar, ashtu si e meritojnë, si duhet, dhe si vepronë e gjithë bota e qyteruar, por me e keqja është se ata kanë qenë të harruar nga historianët, studiuesit shqiptarë, dhe nga qeveria shqiptare, gjithmonë, në përkujtim të 6 prillit 1911”.

Me një përshëndetje në këtë kujtimin e 105 vjetorit të Kyengritjes së Malësisë, foli edhe mysafiri nga Shqipëria professor doktor Gjok Uldedaj, i ftuar nderi në këto përkujtime në Detroit – Michigan dhe New York.

“Të nderosh e të përkujtosh Kryengritjen e Malësisë së Madhë të vitit 1911 si dhe udhëheqësin e saj legjendar Dedë Gjo Luli, tha mysafiri nga Shqipëria, është një detyrë dhe obligim i yni në nderim të paraardhësve tanë që vunë jetën e tyne në themel të “ngrehinës” Shqipëri, të asaj ngrehine ku të gjithë ne kemi futur kokën,por duhet ta lexojmë e kuptojmë mirë moralin dhe mesazhin e veprave të tyre atdhetare.

“Ata, luftuan për bashkimin e shqiptarëve, po sa jemi ne të bashkuar sot? pyeti Uldedaj, dhe shtojë :” Ata luftuan për të mbrojtur e ruajtur gjuhën, po sa e shkruajmë, e flasim dhe e përçojmë gjuhën tonë të bukur tek brezat tanë? Këto pyetje shtrohen për të gjithë ne shqiptarët në të gjitha trojet ku jetojmë, por para së gjithash për shqiptarët në trojet e tyre, nën Malin e Zi” tha profesor Gjok Uldedaj.

Më pas darkën në kujtim të 105 Vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhë të vitit 1911, me në krye Ded GjoLulin, në fjalën e tyre, e përshëndetën edhe përfaqsuesi diplomatic i Konsullatës së Kosoves zotni Fatmir Zajmi, edhe Asamblisti i parë shqiptarë në Asamblen e New Yorkut zotni Mark Gjonaj, i cili gjithmonë merr pjesë në festat tona kombëtare, dhe aktivitet e tjera të komunitetit.

Gjithashtu, tubimin e malësoreve në New York, e përshëndeti edhe nji aktivist e intelektual i dalluar nga Malësia, Kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, professor Nikolle Camaj i cili tha se “Malësorin mundet t’a gjuash (hedhësh) jashtë trojeve të tij, por kurr nuk ja mund t’ja gjuash Shqiptarinë dhe kurr nuk ja gjunë Malësinë, atë e gjenë gjithnjë në mesin tuaj malësorë”.

Më tej ai tha :”Si çdo ngjarje tjetër e rëndësishme kombëtare, që ka trashëgiminë e saj historike dhe kulturore, edhe ngritja e Flamurit në Deçiç nga patrioti Dede Gjon Luli, së bashku me prijësit e tjerë të Malësisë, në pranverën e vitit 1911, më 6 prill të atij vitit, është një ngjarje kulmore, e cila i parapriu edhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si një ndër datat më të rëndësishme të historisë shqiptare, ka simbolikat dhe dëshmitë e saj, që gjenden mes nesh edhe në ditët e sotme,” tha profesor Camaj.

Në fund të kësaj darke përkujtimore kushtuar 105 Vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhë të vitit 1911, me në krye Ded GjoLulin, organizuar nga Shoqata Malësia e Madhe në New York, u kujdesën këngëtaret Blerta Demiri, Kreshnik Ahmetaj dhe Liridon Ulaj.

Filed Under: Histori Tagged With: 105 vjetori, Decic 1911, i Kryengritjes se Flamurit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 434
  • 435
  • 436
  • 437
  • 438
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT