PDIU kujton me nderim rilindasin arvanitas Aristidh Kola, në 15-vjetorin e vdekjes/
Shqipëtarët kujtojnë me nderim 15 vjetorin e ndarjes nga jeta të një prej rilindasve të fundit të kombit tonë, Aristidh Kolës. Ai i përkiste një brezi që u orvat të ringjallte shqiptarësinë e arvanitasve në Greqi, në mburrje të prejardhjes së tyre shqiptare, në mbrojtje të gjuhës sonë dhe të identitetit të veçantë kulturor të arbërorëve të Greqisë.
Kola drejtoi për më shumë se një dekadë Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë, shoqatën e parë dhe të vetme, që tentonte të promovonte të drejtat e kësaj pjese të kombit shqiptar. Ai shkroi dhjetra libra dhe botoi të përmuajshmen “Besa”, median e vetme shqiptaro-greke, që u dedikohej arvanitasve.
Ai ishte kampioni i të drejtave të mohuara me dhunë ndaj një popullsie, që ende e ruan fshehtazi gjuhën e të parëve dhe e mbrujt, edhe pse jo në publik, identifikimin me kombin shqiptar. Për këto përpjekje, Aristidh Kola u syrgjynos nga nacionalizmi grek, u kërcënua dhe u shantazhua, por nuk ndaloi deri në vdekje të ringrinte frymën kombëtare brenda komunitetit të vetë.
Puna e tij nuk pati mbështetjen e nevojshme të udhëheqjes politike shqiptare, fakt të cilën do ta vendoste disa herë në pah. Ai u gjend i vetëm përballë një shteti dhe një elite nacionaliste, që kishte mjetet dhe mundësitë për të pushuar kauzën e tij.
Kola vdiq, nga një sëmundje që u agravua më shpejtë se normalja.
Mirëpo, la pas një punë të vyer, që vërtetoi se shqiptarësia e arvanitasve nuk mund të humbasi kurrë, por rri e fshehur nga frika e sulmeve dhe dhunës.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përkujton me respekt këtë figurë të madhe të kombit tonë, një ndër rilindasit e fundit, që dha gjithçka për Atdheun. Shpresojmë që shteti shqiptar të çojë përpara punën e Kolës, duke mbështetur dhjetra të rinj arvanitas që punojnë për këtë kauzë të drejtë, me frymëzimin e tij. (PDIU)
100 TIRANËT PA ENVER HOXHEN, A QUHEN TIRANË ?!
Foto:”TIRANET- Autor: NIGEL CAWTHORNE/
Në librin “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, me titull: “TYRANTS”, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë të vërtetën historike t’ pashkrueme deri tashti për né Shqiptarët:
BOTA MODERNE
ENVER HOXHA-1908 – 1985- Udhëheqës i Shqipnisë- Jeta dhe Krimet/
1908 – Lindi me 16 Tetor 1908 në Gjinokastër, nga një familje me fé myslimane në jug të
Shqipnisë…
1930 – Shkoi në Francë për studime.
1934 – Ka shërbye si sekretar i konsullatës shqiptare në Bruksel.
1936 – Ktheu në Shqipni, ku u ba mësues.
1939 – U largue nga arësimi për refuzimin e bamë për pjesmarrje në Partinë Fashiste
Shqiptare; hapi dyqan cigareshitës.
1941 – U formue Partia Komuniste Shqiptare; U zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.
1944 – U formue Qeveria Provizore; Filluan gjyqet e ekzekutimet.
1948 – Zhduku grupin pro-Tito; mbylli Kishat dhe konfiskoi pronat private.
1961 – Ndërpreu marrëdhanjet me Bashkimin Sovjetik.
1978 – Ndërpreu marrëdhanjet me Kinën.
1981 – Seleksionoi partinë dhe drejtuesit e shtetit.
1985 – Vdiq me 11 prill 1985 në Tiranë.
Shenimi F.R.: Libri fillon nga viti 1353 para Krishtit, e vazhdon deri në vitin 2004.
■Nder 100 DIKTATORËT ma të njohun në histori Botnore, asht edhe Enver Hoxha…
***
■Enver Hoxha vazhdon me kenë udhërrëfyesi i Partive fantazma, që polli Partia e Punës!
Ai asht mendja, mishi dhe zemra e kalbun e Presidentëve tanë, që nga viti 1944…
Ai asht edhe sot udhëheqës i PPSh, Kuvendit Popullor, Qeverrisë dhe Gjykatave…po dhe të gjitha Bankave mbrenda e jashta “Shqipërisë”, sepse, “ay e bëri Shqipërinë…”, dyke mbajtur të varura në portofolet e tij “tituj dhe dekorata” per 70 vjetë robëri e terror:
■Urdhri “Hero Kombëtar”, Titulli “Hero i Popullit”, Titulli “Hero i Punës Socialiste”, Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë, Urdhri i Flamurit, Medalja e kujtimit, Urdhri “Ylli Partizan” i klasit të parë, Urdhri i “Skënderbeut” i Klasit të Parë, Urdhri i Trimërisë, Urdhri “Ylli i kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Dekoratë nga Partia Komuniste Italiane me Urdhrin “Ylli Garibaldit”, Dekoratë me Urdhrin “Suvorov” të Klasit të I nga Presidiumi i Sovjetit Suprem të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike… HAPNI VARRIN E SHIKONI … Aty do ta gjeni dyke shkruar:
■“APROVOHET NDESHKIMI ME VDEKJE…
NA LAJMËRONI DATËN E EKZEKUTIMIT TË TYRE DHE VULLNETIN E FUNDIT. Komandanti i Përgjithshëm Xheneral Kolonel Enver Hoxha d.v.”
■I mbytun në mendime me krye në grushta, me t’u dukë sikur po fliste me vete, ishte një oficer i ministrisë së mbrendshme që kishte punue në arkiv para se të arrestohej… vazhdonte të fliste…: “Jo, asnjëri, nuk dinte se çka kisha të dyllosur tek kasaforta ime…! Kurrë, asnjëri, nuk e ka çelur ate përveç atij që ka punuar para meje në atë zyrë…Edhe ay është zhdukur…e, ndoshta, fatin e tij do kem dhe unë…ti, je i rinj dhe, një ditë do dalësh…si shkodranë, do të besoj…deri ditën që jam arrestuar, në shkurt të këtij viti (1974, shenimi FR}, numuri i të pushkatuarve, të vramve me gjyq e pa gjyq, të mbeturve në hetuesi në tortura, të vdekurve në kampe pune dhe çfarosje, të vdekur në kampe internimi dhe ferma pune, në spitale psiqiatrike dhe çmendira, të vrarë në kufinj dhe reparte pune e ushtarake ose, gjoja të “vetvrarë”…pa shifrën e atyre që Sigurimi ka zhdukur në botën e jashtme, mbasi ata nuk ishin në kasafortën time, shifra ka arritur:
■ 45.000 Shqiptarë pa varr…në tokën e tyre Shqiptare..!
■Dhe, mbi 450.000 Shqiptarë të tjerë, të burgosur, (të riburgosur dy ose tre herë), të internuar, të dëbuar, të zhdukur…që të gjithë vazhdojnë të vuajnë “luftën e kllasave” të diktaturës së Enver Hoxhës, dhe partisë së tij të punës, po kurrë, të Shqipërisë dhe Popullit Shqiptarë..! Mallkuar qoftë ay që i shërben këtij shteti terrorist..!”
■Dijetari i Madh të shkencës së matematikës, i ndjeri Profesor Petro Fundo ka thanë:
“Diktatorë si Enver Hoxha, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjes së tyre!..”
Melbourne, Tetor 2015.
Paramithia dhe Janina në tablotë e një ushtari gjerman
Nga Arben LLALLA/
Bukuritë natyrore të Çamërisë-Epiri i Jugut, mënyra e jetesës dhe veshjet karakteristike të shqiptarëve të atjeshëm ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të ndryshëm që nga fund shek.18 e në vazhdim. Shumë piktorë të huaj të shekujve të kaluar të frymëzuar nga lloj i mënyrës së jetesës, veshjes dhe bukuritë e trojeve shqiptare kanë mbushur tablotë e tyre me pejsazhet nga Çamëria. (Një kostum popullor shqiptar e vishte me kënaqësi dhe poeti anglez Lordi Bajron, por që njihet si “veshja greke”. Kostumi me veshje shqiptare ku pasqyrohet Lordi Bajron i përket veshjes që e mbanin shqiptarët në Epirin e Jugut dhe kur themi Epiri i Jugut, duhet të kuptojmë Çamërinë.
Në Maj të 1849 piktori Edward Lear vizitoj Çamërinë dhe na solli me anë të pikturave të tij peizazhe nga Arta, Paramithi, etj. Kudo në penelin e tij dhe shënimet e tij ai na tregon për jetën e shqiptarëve në Epirin E jugut-Çamëri.
George de la Poer Beresford (1826-1865) ishte irlandez dhe në vitin 1855, na solli piktura me peizazhe nga Çamëria të cilin e quante Shqipëria e Jugut. Në këto piktura janë përfshirë pamje nga qytetet e Artës, Paramithisë, Janinës Pargës, etj.
Në Gusht-Nëntor të vitit 1943, në Divizionin gjerman që shërbente në Çamëri-Epiri i Jugut, erdhi një grup artistik për të dhënë shfaqe dëfrimi për ushtarët. Ky grup artistik i krijuar nga ushtarë dha shfaqe në disa vende ku ishte vendosur ushtria gjermane si: Janinë, Gumenicë, Korfuz, etj. Në këtë grup artistik ishte edhe ushtari Roland Schmidt (1917- ).
Pas shumë vitesh, më 1994, ish-ushtari gjerman Roland Schmidt, tashmë në moshë të thellë do ti botonte në një libër përshkrimet e jetës së tij, Gusht-Nëntor 1943, gjatë kohës që kishte dhënë shfaqe artistike për ushtarët gjerman në Çamëri. Në brendësi të librit përveç fotografive të shumta të asaj kohe bie në sy vizatimet e tij me pamje nga qyteti i Paramithisë, Janinës dhe Korfuzit. Roland Schmidt ka vizatuar lagjet ku kanë banuar shqiptarët, të cilat mund të shihen edhe xhamitë që kanë ekzistuar dikur.
Roland Schmidt në libër tregon për nisjen me anije nga Korfuzi për në Sarandë ku do të jepnin shfaqe për ushtarët gjerman që ishin atje. Por rrugës anija e tyre kishte pësuar një difekt të rëndë dhe ishin detyruar të riktheheshin në Korfuz duke mos e dhënë shfaqen artistike.
Pas shfaqeve artistike të dhënë për ushtarët gjermanë në Janinë, Gumenicë dhe Korfuz, grupi artistik ku bënte pjesë ushtari Roland Schmidt u nisë për të vazhduar aktivitetin e tyre në Kroaci dhe më tej në Hungari.
Përkujtohet 15-vjetori i vdekjes së Ali Spahisë
Arben Imami, Natasha Shehu, Rushen Golemi, Eduart Selami e ish-kryeministri Sali Berisha ishin të pranishëm në një ceremoni përkujtimore që Partia Demokratike i bëri të martën Ali Spahisë në 15 vjetorin e vdekjes së tij. Ali Spahia, një nga personalitetet e shquara të Partisë Demokratike, u vlerësua nga kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha. Ai u shpreh se kjo është partia e njerëzve si Ali Spahia, e doktorit, e profesorit, e intelektualëve, e studentëve kurajozë, e njerëzve që e duan Shqipërinë me shpirt. “Politikën e kanë parë që nga dita e parë e ekzistencës së kësaj force politike, si sakrificë e jo si biznes, as si mënyrë shpëlarje mëkatesh të të parëve apo të vetes së tyre. Kjo na diferencon dhe na ngarkon me përgjegjësi të madhe”, tha Basha. Në prag të garës për kryetarin e ri Forumit të Partisë Demokratike, zoti Basha ka theksuar se Ali Spahia dhe “bashkëluftëtarët” e tij do të jenë frymëzim për të rinjtë. “Të mbushur me frymëzimin që përcjell pa asnjë dyshim e kaluara jo e largët e Partisë Demokratike, të rinjtë do të dinë të bëhen pjesë e këtyre virtyteve, e këtij kohezioni, e kësaj Partie Demokratike, as të vjetër as të re; një parti demokratike përtërihet e ripërtërihet pa fund, besoj si pema e blertë e ullirit, e paqes dhe e demokracisë, për vlerat e të cilës kemi dhënë e do të vazhdojmë të japim gjithçka. Në 15 vjetorin e ndarjes nga jeta, Ali Spahisë iu akordua nga kryetari i Partisë Demokratike një certifikatë mirënjohje “Për kontributin e tij të çmuar në rrëzimin e regjimit komunist dhe vendosjen e vlerave demokratike në Shqipëri”. Ali Spahia ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1991-97. Ai ishte nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i grupit parlamentar të PD-së. Spahia ishte edhe anëtar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe ishte edhe kryetar i delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës në Strasburg. Pas vitit 1997, ai ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe kryetar i Departamentit të të Drejtave të Njeriut të PD-së. Ali Spahia vdiq në Pavia (Itali) më 13 tetor të vitit 2000. {Sh.K}
DR. IBRAHIM TEMO, FIGURE HISTORIKE KOMBETARE
*DR. IBRAHIM TEMO, NJË NGA FIGURAT HISTORIKE KRYESORE QË NGRITI NË KAMBË REVOLUCIONIN XHONTURK E ÇOI SHQIPËRINE DREJT SHPALLJES SË PAVARËSISË/
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Ndërvite, në ndejat tona për mirë, historiani Shpëtim Sala më ka fol shumë për patriotin panshqiptar Ibrahim Temo, rreth një bibliografie të tij, për hulumtime arkivore tek koleksionistë e miq për të sigurue dokumenta e foto rreth tij. Aq shpesh janë krye biseda të tilla mes nesh sa që mue më dukej se gjithçka ishte folur para disa ditësh e jo edhe para shumë vitesh. Kur hapa “Wikipedia”, tek zëri “Shpëtim Sala”, rigjeta faktin: “Në mars 2010 pritet të dalë libri “Ibrahim Temo në fondet e AQSH””. U krye në këtë kohë. Saktësisht. Doli në dritë, me një tirazh të pakët. Autori Sala eci dhe më tej: e përuroi dhe në qytetin e Strugës, në vendin e lindjes së Ibrahim Temos. I kanë pasë stërthanë dy kryetarët e komunës së Strugës, i maparshmi dymandator Ramiz Merko dhe i tashmi njëmandator Ziadin Sela –se kena me kontribue në botimin plotor e me tirazh të mjaftueshëm për trevën e tyre e botën akademike, etj. Kjo çështje është në udhën e vet, në mos i pari i dyti kryebashkiak ka me ba diçka. E, n’u kreftë, meritojnë mirënjohje.
Pesë vjet ka punue ky historian për me mbrri tek botimi i dytë i kësaj vepre të veçantë, me mjaft interes. Vërtet një punë mirëfilli shkencore e don patjetër kohën e vet. E ridoli prapë në dritë vepra e historianit Shpëtim Sala “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.SH. (1797-1944). Botim i Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Tiranë, 2015. ISBN: 978-9928-4088-4-6. 398 faqe, me format klasik.
Në trungun e kësaj vepre bibliografia për Ibrahim Temon është shtati i këtij patrioti të madh, ku i ka përmbledh në një libër të vetëm të gjitha dokumentat arkivore: memorandume, fjalime, dorëshkrime, proklamata, letra, telegrame, kartëpostale, kanonizma, litografi, kartëvizita, etj. Gjithçka gjendet në dosjen e tij, Fondi nr. 19 në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Janë 1.073 zëra. Jo pak – 278 faqe bibliografi.
Studjuesi Shpëtim Sala, pas kësaj bibliografie, ka dhe një emër tjetër: bibliograf. Pra, ka hyrë në historinë e bibliografisë shqiptare. Ky është fryt i tij, në nderin e tij.
2.Shpëtim Sala, si kryefjalë të veprës së vet, e ka vnue një studim të tij: “Materialet mbi dr. Ibrahim Temon në AQSH, ndriçime mbi jetën dhe veprimtarinë e tij”. Ky studim kap 51 faqe, po mund të ishte/jetë dhe libër me vete, me një format të zakonshëm, tradicional, 14 cm x 21 cm, tue pasë dhe element të tjerë, veçmas fotografitë. E do të ishte një botim me interes. Po autori Sala e ka ba zgjidhjen e vet: ia ka bashkalidhë veprës tanësore për dr. Ibrahim Temon. E i qëndron mirë asaj. Solide. Një parathanie e plotë që flet për një jetë të Ibrahim Temos plot me veprimtari kombëtare. Kush don me ditë në maje të gishtave për jetën e veprën e Ibrahim Temos le të kapin në duar këtë vepër të Shpëtim Salës.
Dr. Ibrahim Temo (Ibrahim Et’hem Mustafa) është nga një familje e madhe për nga vlerat intelektuale e patriotike, kulla e të cilit mbante mbiemnat: Et’hemi, Sojliu, Bakalli, Murati. Vllai i tij, Nuri Efëndi Sojlliu ishte një nga firmëtarët në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Të parët e tij u shpërngulën nga Gurabardhi i Matit më 1780.
Vet, dr. Temo ka lindur në Strugë, më 21 mars 1865. Sot emnin e këtij rilindasi shqiptar të madh, që Konica e quan “ardhetar i vërtetë” e mban gjimnazi i Strugës, shkolla fillore në Strimnicë të Zhelinës, etj. Dr. Ibrahim Temo, për nga profesioni ishte mjek ushtarak i njohur, mori titullin “Doktor i Medicinës” (Bukuresht, 1896), por dhe publicist me emër, pasi drejtoi gazetën “Hareket” (Bruksel, 1896), gazetën “Sada-i Millet”(Konstancë të Rumanisë, 1898).
Dr. Ibrahim Temo është krijuesi i Shoqërisë së fshehtë “Bashkim dhe Përparim” (1889) programi i së cilës bazohej në parimet e Kushtetutës Osmane (1876), kishte për qëllim emancipimin e shoqërisë osmane, ishin kundër absolutizmit të Sulltanit.Në shoqatat e Turqve të Rinj bënin pjesë mjaft shqiptarë që kishin bashkërenduar veprimtarinë e tyre me atë të Turqve të Rinj me qëllim që të realizonin Autonominë e Shqipërisë. Ndër veprimtarët më të shquar shqiptarë kanë qenë dr. Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri, Jashar Erebara e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe.
Dr. Ibrahim Temo botoi dy libra, atë me kujtime për jetën e Ataturkut dhe, tjetrin – për krijimin e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Librin me titull “Atatürkü niçin severim” (Pse e dua Ataturkun) më 1937 në Konstancë librin “Itihad ve Teraki Cemiyetinim te sekkübü” (Formimi i shoqërisë “Bashkim Përparim”) më 1939 si dhe disa libra në fushën e mjekësisë.
3.Aparati shkencor i veprës i ka marrë kohë historianit Shpëtim Sala, sepse ka krye një punë të plotë, të saktë. Gjithanshmërit. Na flet për “kriteret e hartimit të treguesve” (fq. 339). Paraqet “Treguesi Tematik” (fq. 341-354), “Treguesi i Emrave të Njerëzve” (fq. 355-368), “Treguesi i Emërtimeve Gjeografike” (fq. 369-380). Krejtësisht 41 faqe. Nuk janë pak. Sigurisht këto japin dhe peshën e veprës të Shpëtim Salës dhe flasin për përgjegjshmëri shkencore në punën e tij studimore.
Në përmbyllje të veprës, Shpëtim Sala e kryen adetin e vet ma së mirit tue na dhanë dhe “Literaturë e shfrytëzuar” në përgaditjen e hartimin e kësaj vepre të tij shkencore, ku spikasin emra të njohur të historiografisë shqiptare e të atyne që janë marrë me jetën e veprën e dr. Ibrahim Temos, si: Zija Shkodra (shkrim studimor, Tiranë, 1962), Kristaq Prifti (monografi – Tiranë, 1987 e 1993 dhe Prishtinë, 1996), Hasan Kaleshi (Sarajevë, 1976 dhe Neë York, 1982), Bujduveanu Tanase (monografi – Konstancë, 2012); Petrit Pernaska (shkrim studimor, Tiranë, 1980), Lumturi Risvani – Përnaska (shkrime, Tiranë, 2009, 2012), etj.
Vepra “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.Sh.” (Tiranë, tetor 2015) ka një fond të pasur me fotografi të siguruara nga studjuesi Shpëtim Sala, të cilat i ka përndarë me kriter në faqe të caktuara të librit, prej tek ma e para faqe (portreti i Temos) e dekteri tek ma të fundit faqe, ku libralidhen 15 foto me ngjyra (fq.383-396) me faksimile dokumentash dorëshkrimore të I. Temos, etj. I numërova ato. Janë 58 gjithsej. Disa prej tyre botohen për herë të parë. Të tjerat janë foto të rralla. Aty gjenden dhe faksimile. Fotot i japin një bukuri të veçantë librit, veçanarisht këtij libri që është i bukur vet, i shtypur në standarte të larta bashkëkohore.
4.E, nuk duhet me iu vnue pikën këtyne shenimeve për veprën “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.SH.” për pa e cek dhe një emër tjetër, tashma pjesë e veprës, intelektualen në pension aktiv, Lumturi Risvani, e cila i ka shkrue dy fjalë në krye librit, në hapje të tij, që duken, sit ë thuash, “qershi mbi tortë”.
Ish punonjësja e AQSH në Tiranë. Lumturi Risvani, flet “Mbi krijimin e Fondit “Ibrahim Temo” pranë A.Q.Sh. në Tiranë” (fq. 1-5), ku tregon historikun e “Fondit 19”, që zanafillon nga viti 1962 e ka pasë për kontributor studjues e arkistë të njohur si Haki Sharofi, Osman Myderizi, Jonuz Tafili, Andrea Sahatçi, Eleni Duka, Kristaq Prifti, Ferit Duka, Kujtim Nuro, Nezir Bata, Entela Muço, Krisavgji Zeqo, Arta Nika, Dodona Qyteza, Gelsu Maksutoviç.
Duhet thanë dhe kjo tjetra: Lumturi Risvani ka një punë të pandalur për të nxjerrë përditë e ma shumë e mirë në dritë e vëmendje të kohës figurën e dr. Ibrahim Temos, të cilin e ka dhe të afërt të saj në brezni genetike.
5.Historian Shpëtim Sala është një emër që i ban nder kohës shqiptare me veprat e tij si “Fjalor Shqip-Greqisht-Italisht i Thimi Mitkos” – në dy volume me 626 faqe (Tiranë, 2013) dhe “Letra të panjohura të Nolit (2008), “Një perandor në Prizren” (studim monografik, 2008), “Këngë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme” (2009), “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916” i shkenctarit austriak Maximilian Lambertz (përkthim);“Pogradeci në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi” (Sprovë) (2011); “Akti i Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare” (2006, 2011); “Shkollat Shqipe në vitet 1887-1944” (2014); etj.
Kjo vepra e tij e fundit për dr. Ibrahim Temon, një nga figurat kryesore që ngriti në kambë Revolucionin Xhonturk e çoi Shqipërinë drejt Shpalljes së Pavarësisë, është një vepër si i nderon dhe autorin, dhe kohën.
- « Previous Page
- 1
- …
- 476
- 477
- 478
- 479
- 480
- …
- 693
- Next Page »