• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lavdi Komandantit të Përgjithshëm, Heroit Kombëtar Adem Jashari !

March 6, 2026 by s p

Bujar Leskaj/

Natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Ishte hera e tretë që rrethohej kulla e familjes Jashari! Betimi i Adem Jasharit: “Nëse duhet të vdesë dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime! Do të ishte betimi i LIRISË!

Flijimi i Adem Jasharit, Komandantit Legjendar dhe 54 pjesëtarëve të familjes së tij, do të ishte simfonia e qëndresës së pamposhtur të Kosovës, rrënjët dhe maja e historisë së luftës për liri dhe bëri që Kosova të mundë frikën dhe të hapë shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.

Çdo 5, 6, 7 mars, për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që i dha Kosovës aq shumë. Madje dëshmoi se çmimi i lirisë është shumë i shtrenjtë, por më i çmuari.

Ademi Jashari lindi në Prekaz, më 28 nëntor të vitit 1955, një datë simbolike kjo, sepse përkon me 28 nëntorin e viti 1443, kur Gjergj Kastrioti ngriti Flamurin në Krujë dhe me datën tjetër të historisë, 28 nëntorin 1912, kur Ismail Qemali shpalosi në Vlorë flamurin e Pavarësisë të Shqipërisë. Me qëndresën, përkushtimin, luftën e tij, Adem Jashari i tejkalon përmasat e heroit kombëtar, sepse vepra dhe akti vetëflijues me gjithë familjen, janë ngjarje unikale në Histori.

Epopeja e familjes Jashari është shkruar me gërma të arta në Histori, ashtu siç është shkruar në Histori me gërma të arta edhe sakrifica e Fehmi Lladrovcit, i cili përpara se të vritej iu drejtua bashkëluftëtarëve të tij me fjalët: “Ku ka ditë më të mirë se sot për të vdekur për atdhe. Mos u frikësoni, kush e ka dekën ka për të rënë në altarin e Lirisë. Kemi për të bërë luftë, që do të futet në analet e historisë.” Lavdi familjes Jashari, UÇK-së dhe gjithë dëshmorëve të kombit, të rënë për Liri dhe Pavarësi!

Filed Under: Histori

Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës

March 3, 2026 by s p

Paralele të thella mbi barazinë, lidershipin dhe unitetin historik

Nga Rafael Floqi 

Në historinë e popujve ekzistojnë momente kur bashkimi merr formë simbolike dhe shndërrohet në mit, dhe momente të tjera kur ai mishërohet në akt konkret politik e ushtarak. Në Britaninë mesjetare, figura e King Arthur dhe Tryeza e tij e Rrumbullakët në Camelot u bënë simbol i barazisë kalorësiake dhe rendit moral. Në Shqipërinë e shekullit XV, Gjergj Kastrioti Skënderbeu mblodhi princërit në Lezhë dhe krijoi Besëlidhjen e Lezhës, një aleancë reale për mbijetesë kombëtare. Njëra është mit, tjetra histori. 

Por të dyja janë narrativa të unitetit përballë rrezikut ekzistencial. Ka vende që janë thjesht qytete. Dhe ka vende që janë histori e gjallë. Lezha është një nga ato hapësira ku guri, gjaku dhe fjala u bashkuan për të krijuar një akt që ndryshoi rrjedhën e historisë shqiptare.  Më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës, princërit shqiptarë u mblodhën për të bërë diçka që dukej pothuajse e pamundur për kohën: të bashkoheshin. Kjo ngjarje u njoh si Besëlidhja e Lezhës – ose Lidhja Shqiptare e Lezhës – dhe përbën kulmin e traditës shtetformuese shqiptare në Mesjetë.

Por Lezha nuk është vetëm një kujtim i largët. Ajo është një mesazh. Dhe ky mesazh sot duhet të dëgjohet sërish

Rrethi dhe Besa – Forma dhe Thelbi

Tryeza e Rrumbullakët nuk ka krye. Në një botë feudale ku rendi përcaktohej nga hierarkia, rrethi ishte revolucion simbolik. Mbreti Arthur, ndonëse sovran, ulet si pjesë e rrethit  primus inter pares, i pari ndër të barabartët.

Besëlidhja e Lezhës nuk kishte një tavolinë rrethore fizike, por kishte një koncept po aq të fortë: besën. Besa krijoi një rreth moral të padukshëm midis princërve shqiptarë. Secili ruante autonominë e vet feudale, por në momentin e betimit, ata hynë në një bashkim që i vendoste në të njëjtin nivel përballë armikut. Në Camelot barazia simbolizohet nga forma; në Lezhë barazia afirmohet nga fjala e dhënë.

Kështu më 2 Mars 1444 – Kur Shqiptarët Vendosën të Bëhen Një

Në këtë kuvend morën pjesë princërit më të rëndësishëm të kohës: Gjergj Arianiti  Andrea Topia, Teodor Korona Muzaka ,Gjergj Stres Balsha, Pal dhe Nikollë Dukagjini, Lek Zaharia ,Pjetër Spani, Lek Dushmani, Stefan Çernoviçi Madje edhe përfaqësues të Republikës së Venedikut ishin të pranishëm si vëzhgues 

Vendimet e marra ishin historike: Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore. Formimi i një ushtrie të përbashkët. Krijimi i një arke të përbashkët për financimin e luftës. Vendosja e Gjergj Kastrioti Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm. Kjo nuk ishte vetëm një marrëveshje ushtarake. Ishte një kontratë politike dhe morale. Ishte një akt i vetëdijes kombëtare. Një Model i Hershëm i Demokracisë Shqiptare

Lidhja e Lezhës funksiononte mbi parimin e vendimit të shumicës dhe respektimit të sovranitetit të princërve në tokat e tyre . Forcat ushtarake të secilit u vunë nën komandën e përbashkët, por vetëm për mbrojtjen kolektive. Pas kuvendit, Skënderbeu organizoi: 8000 kalorës, 7000 këmbësorë ,3000 trupa kufitare nën Moisi Golemin 

U krijua rrjeti i informacionit për lëvizjet e armikut. Në thelb, Lidhja ishte një shtet në embrion.

Udhëheqësi si “Primus inter Pares”

Arthuri nuk sundon përmes frikës, por përmes nderit dhe legjitimitetit moral. Ai është figura që mban bashkë rrethin, jo që e shtyp atë. Skënderbeu, ndonëse komandant suprem, nuk e shfuqizon sovranitetin e princërve shqiptarë. Ai vepron si koordinator i një federate ushtarake. Në thelb, edhe ai është primus inter pares – i pari ndër princër, jo shkatërrues i tyre. 

Paralelja është e qartë: uniteti nuk buron nga tirania, por nga pranimi i autoritetit moral të një figure qendrore. Camelot përballet me kërcënime të jashtme – pushtime, tradhti, kaos. Tryeza e Rrumbullakët lind si përgjigje ndaj nevojës për stabilitet. Shqipëria e shekullit XV përballet me një rrezik shumë konkret: Perandorinë Osmane. Besëlidhja e Lezhës është përgjigje ndaj këtij kërcënimi. 

Në të dy rastet, frika e shkatërrimit krijon energjinë e bashkimit. Kalorësit e Tryezës ndjekin kodin kalorësiak: mbrojtje të të dobëtit, nder, besnikëri. Shkelja e këtij kodi çon në rrënimin e Camelot-it.

Në Lezhë, kodi moral është besa. Shkelja e besës në traditën shqiptare konsiderohej turpi më i madh. Pra, në të dyja rastet, struktura politike mbështetet mbi një themel etik.

Përçarja dhe Rreziku i Brendshëm

Camelot bie për shkak të përçarjes së brendshme – tradhtia e Lancelotit dhe konfliktet e oborrit. Edhe Besëlidhja e Lezhës përballet me tensione mes familjeve princërore. Historia shqiptare tregon se uniteti ishte i brishtë dhe kërkonte përpjekje të vazhdueshme. Arianitët, Dukagjinët, Muzakajt, Topiajt etj. Secila familje kishte: territore të veta,  ushtri të veta, interesa dinastike, marrëdhënie të ndryshme me Venedikun, Napolin apo Osmanët

Këto interesa shpesh përplaseshin. Një nga figurat më të përmendura në tensionet e brendshme është Lekë Dukagjini.

Fillimisht pjesë e Besëlidhjes, Në periudha të caktuara pati mosmarrëveshje me Skënderbeun, Madje në momente të veçanta u përfol për afrime taktike me osmanët. Rivaliteti midis familjeve Dukagjini dhe Kastrioti nuk ishte thjesht personal; ishte çështje prestigji dhe ndikimi territorial. Megjithatë, përballë kërcënimit osman, pajtimi rikthehej. Edhe pse Skënderbeu u zgjodh komandant suprem, ai nuk ishte “mbret” i princërve të tjerë. Autoriteti i tij varej nga: sukseset ushtarake, karizma personale, mbështetja financiare  (sidomos nga Napoli)

Disa princër e shihnin rritjen e ndikimit të tij me dyshim. Frika se mos ai do të dominonte politikisht ishte reale. Pra, grindjet nuk ishin vetëm emocionale – ato ishin strukturore. Një burim tjetër tensioni ishte raporti me Republikën e Venedikut. Disa princër kishin interesa tregtare me Venedikun. Konfliktet midis Skënderbeut dhe Venedikut (sidomos në vitet 1447–1448) krijuan ndarje të brendshme.

Pyetja ishte: A duhej luftuar vetëm osmani, apo duhej ruajtur balanca diplomatike me fuqitë perëndimore? Kjo nuk do të thotë se Besëlidhja ishte e dështuar, por se uniteti ishte i brishtë.

Dhe ndoshta mësimi më i madh është ky: Uniteti i vërtetë nuk është mungesë konfliktesh, por aftësi për t’i tejkaluar ato për një qëllim më të madh.

Miti dhe Historia si Forcë Identitare

Tryeza e Rrumbullakët u bë mit themelues për identitetin britanik – simbol i drejtësisë dhe fisnikërisë. Besëlidhja e Lezhës u bë mit historik për shqiptarët – simbol i bashkimit kombëtar dhe rezistencës. Njëra frymëzon përmes legjendës, tjetra përmes faktit historik. Por të dyja funksionojnë si modele referimi në diskursin kombëtar. Të dyja strukturat mund të interpretohen si modele proto-federale. Tryeza: një bashkësi kalorësish me autonomi individuale. Besëlidhja: një aleancë princash që ruajnë territoret e tyre por veprojnë së bashku.

Ky është modeli i bashkëqeverisjes përmes konsensusit.

Dimensioni Tragjik

Camelot përfundon në rrëzim. Ëndrra e barazisë thyhet nga dobësia njerëzore.

Pas vdekjes së Skënderbeut, edhe Besëlidhja humbet kohezionin dhe pushtimi osman thellohet. Janari 1468 – Kuvendi i Fundit Në janar 1468, Skënderbeu thirri një tjetër kuvend në Lezhë  Ai ishte i sëmurë. Dhe vdiq po aty. Me vdekjen e tij, Lidhja humbi figurën unifikuese. Por fryma e Besëlidhjes nuk u shua. Qëndresa vazhdoi në Shkodër, Himarë dhe në kryengritjet e mëvonshme 

Të dyja tregojnë se uniteti është i varur nga forca morale e brezave.

Përfundim: Dy Rrathë, Një Ide

Sot, termi “tryezë e rrumbullakët” përdoret për dialog të barabartë politik. Në Shqipëri, thirrja për “një Besëlidhje të re” shfaqet sa herë kombi përballet me krizë. Të dyja figurat – Arthur dhe Skënderbeu – rikthehen si simbole të lidershipit etik.

Tryeza e Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës janë dy forma të ndryshme të së njëjtës aspiratë: bashkimi i elitave për të mbrojtur rendin dhe identitetin.

Arthur përfaqëson mitin e barazisë morale. Skënderbeu përfaqëson realizimin historik të bashkimit ushtarak.

Njëra është rreth prej druri në legjendë. Tjetra është rreth prej fjale – besë.

Por të dyja na mësojnë se lidershipi i vërtetë është primus inter pares – i pari ndër të barabartët – dhe se uniteti nuk është dhuratë, por zgjedhje e përditshme morale.

Në fund, qoftë në Camelot apo në Lezhë, historia dhe miti bashkohen në një mësim të përhershëm: kombet mbijetojnë kur elitat zgjedhin rrethin, jo fronin.

Mesazhi i Lidhjes për sot

Sot, kur e shohim Lezhën, kur shohim kalanë, kur kujtojmë 2 marsin 1444, duhet t’i bëjmë vetes një pyetje: A jemi ne sot më të bashkuar se princërit e Mesjetës? Apo djegim kalatë e njeri tjetrit?  Ata kishin rivalitete, konflikte, ambicie personale. Por përballë rrezikut ekzistencial, vendosën të bashkoheshin. Sot rreziqet janë të tjera: Emigracioni masiv  Përçarja politike, Korrupsioni ,Humbja e besimit tek shteti

Por thelbi është i njëjtë: Pa bashkim nuk ka forcë.

Lezha na mëson se shteti nuk ndërtohet me ego. Ndërtohet me përgjegjësi kolektive. Me kompromis.  Me sakrificë.

Besëlidhja e Lezhës shënoi hapin më të rëndësishëm drejt një shteti të përqendruar shqiptar  Ishte një model i hershëm i vendimmarrjes me shumicë. Ishte një model i komandës së unifikuar. Ishte një model i financimit të përbashkët për një kauzë kombëtare. Sot kemi institucione moderne, por a kemi frymën e Besëlidhjes?

Lezha nuk duhet të mbetet vetëm ceremoni përvjetore. Duhet të jetë standard moral. Besëlidhja nuk ishte thjesht luftë kundër osmanëve. Ishte luftë kundër përçarjes.

Sot Shqipëria dhe shqiptarët kudo që janë – në Tiranë, Prishtinë, Shkup, diasporë – kanë nevojë për një Besëlidhje të re: Besëlidhje për zhvillim. Besëlidhje për drejtësi. Besëlidhje për arsim dhe kulturë. Besëlidhje për shtet funksional.

Nëse princërit e vitit 1444 arritën të uleshin në një tryezë përballë një perandorie ne sot nuk kemi asnjë justifikim për të mos u ulur përballë njëri-tjetrit.

Si Përfundim , Lezha është më shumë se histori, është ndërgjegje. Më 2 mars 1444 shqiptarët provuan se mund të bëhen një. Besëlidhja e Lezhës mbetet akti më i lartë i vetëdijes politike shqiptare në Mesjetë 

Dhe sot, nga Lezha, historia na flet qartë:

Bashkimi nuk është luks.

Është mbijetesë.

Filed Under: Histori

80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

March 3, 2026 by s p

Prof. Dr. Nertila Haxhia Ljarja/

Tetëdhjetë vjet më parë, në shkurt të vitit 1946, Atë Anton Harapi u dënua me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Tiranës dhe u pushkatua pak ditë më pas. Sot, pas tetë dekadash, figura e tij rikthehet jo vetëm si pjesë e historisë së klerit katolik shqiptar, por edhe si simbol i një prej proceseve më domethënëse të drejtësisë së pasluftës në Shqipëri. Gjyqi ndaj tij nuk ishte thjesht një çështje individuale penale. por ai u kthye në një moment kyç të konsolidimit të regjimit të ri komunist dhe në një akt me peshë të fortë politike e simbolike.

Atë Anton Harapiu lind në Shkodër më 5 janar 1888 dhe u formua në Austri për teologji e filozofi. Pas kthimit në atdhe, ai u bë një nga figurat më të njohura të françeskanëve shqiptarë, duke shërbyer si meshtar, mësues, drejtues shkolle dhe publicist. Për vite me radhë dha mësim në Kolegjin Françeskan dhe në gjimnazin “Illyricum”, ndërsa në vitet 1930 drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një nga tribunat më të rëndësishme të mendimit kulturor e fetar në Shqipëri. Ai ishte pjesë e atij brezi klerikësh që e lidhën misionin fetar me angazhimin kulturor dhe kombëtar.

Por zhvillimet dramatike të Luftës së Dytë Botërore e vendosën përballë një zgjedhjeje të vështirë. Në vitin 1943, në kushtet e okupacionit gjerman, ai pranoi të ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, organi që zëvendësonte formalisht kreun e shtetit. Për pushtetin komunist që mori kontrollin e vendit në fund të vitit 1944, pjesëmarrja në këtë strukturë u konsiderua bashkëpunim me pushtuesin dhe, si e tillë, provë e mjaftueshme për ta shpallur fajtor politikisht.

Pas çlirimit, Harapi nuk u largua nga Shqipëria, ndonëse kishte mundësi ta bënte një gjë të tillë. Ai u arrestua në qershor 1945 dhe u përfshi në procesin gjyqësor të zhvilluar në janar–shkurt 1946, së bashku me LefNosin dhe Maliq Bushatin, po ashtu ish-anëtarë të strukturave drejtuese gjatë okupacionit. Gjyqi u zhvillua në sallën e Kino-Teatrit “Kosova” në Tiranë, në një atmosferë të ngarkuar politikisht dhe në prani të një publiku të organizuar.

Akuza e ngritur ndaj tij ishte e rëndë: “kriminel lufte”, “armik i popullit” dhe “sabotator i pushtetit”. Procesi u mbështet në ligjet e miratuara menjëherë pas çlirimit, të cilat i jepnin gjykatave ushtarake kompetenca të gjera për të ndëshkuar bashkëpunëtorët e pushtuesit. Në seanca u paraqitën dokumente, dëshmi dhe argumente që synonin të provonin se, përmes rolit të tij në Regjencë, Harapi kishte legjitimuar strukturat e ngritura gjatë okupacionit dhe, rrjedhimisht, mbante përgjegjësi për pasojat e asaj periudhe.

Megjithatë, përtej sallës së gjyqit, procesi zhvillohej paralelisht edhe në faqet e shtypit zyrtar. Gazeta “Bashkimi” dhe organe të tjera të kohës përdorën një gjuhë të ashpër, duke e portretizuar Harapin si simbol të “reaksionit” dhe si përfaqësues të një pjese të klerit të lidhur me fashizmin. Që në artikujt paralajmërues, opinioni publik orientohej drejt një përfundimi të paracaktuar. Gjyqi nuk paraqitej si debat juridik mbi përgjegjësinë individuale, por si akt i domosdoshëm ndëshkimi ndaj “tradhtarëve”. Në këtë mënyrë, procesi merrte një dimension të dyfishtë: juridik në formë, politik në përmbajtje.

Në fjalën e tij të fundit, Atë Anton Harapi mbajti një qëndrim që shumëkush e ka cilësuar si testament moral. Ai deklaroi se Shqipëria nuk rrënohej as nga dënimi i tij, as nga falja e tij, duke sugjeruar se forca e një shteti qëndron edhe te maturia dhe drejtësia. Ai e paraqiti hyrjen në Regjencë si përpjekje për të zbutur dhunën dhe për të shpëtuar jetë në një kohë të egër, jo si akt tradhtie ndaj atdheut. Fjalimi i tij u mbyll me thirrjen “RrnoftëShqipnija”, një shprehje që përforconte identifikimin e tij me fatin e vendit, pavarësisht vendimit që do të jepej.

Më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake shpalli vendimin: dënim me vdekje, humbje të të drejtave qytetare dhe politike, si dhe konfiskim të pasurisë. Vendimi u konfirmua dhe u ekzekutua. Me këtë akt, regjimi i ri jo vetëm dënoi tre figura të larta të periudhës së okupacionit, por dha edhe një mesazh të qartë për mënyrën se si do të trajtoheshin elitat e vjetra dhe institucionet që konsideroheshin pengesë për rendin e ri.

Sot, në 80-vjetorin e vdekjes së tij, rasti i Atë Anton Harapit shihet nga studiuesit si shembull i ndërthurjes së drejtësisë me propagandën në vitet e para të pushtetit komunist. Gjyqi ndaj tij shërbeu për të ndërtuar një narrativë zyrtare mbi të kaluarën, për të përcaktuar figurën e “armikut” dhe për të legjitimuar politikisht sistemin e ri. Ai ishte një proces që shënoi jo vetëm fundin tragjik të një kleriku dhe intelektuali, por edhe fillimin e një periudhe të gjatë përplasjesh mes shtetit komunist dhe institucioneve fetare.

Tetë dekada më pas, figura e Atë Anton Harapit mbetet pjesë e debatit historik shqiptar. Për disa ai është bashkëpunëtor i një regjimi okupator; për të tjerë, një klerik që veproi në rrethana të jashtëzakonshme dhe u përball me një drejtësi të politizuar. Por përtej këtyre interpretimeve, mbetet e padiskutueshme se gjyqi dhe dënimi i tij janë pjesë e historisë sonë kolektive dhe një moment që kërkon reflektim të qetë, të dokumentuar dhe të ndershëm mbi raportin mes drejtësisë, politikës dhe kujtesës.

Shkodër, më 28 shkurt 2026

Filed Under: Histori

KUVENDI I LEZHËS, MODEL I RACIONALITETIT POLITIK PËRBALLË RREZIKUT EKZISTENCIAL 

March 2, 2026 by s p

Prof. Dr. Skënder Asani/

Lezha mbetet standardi. Jo si mit i ngrirë në kohë, por si paradigmë e gjallë e unitetit funksional. Ajo i fton elitat e sotme të dëshmojnë jo përmes retorikës, por përmes kapacitetit për të ndërtuar konsensus strategjik në kohë sfidash. Në këtë kuptim, uniteti nuk është luks politik, ai është imperativ historik dhe domosdoshmëri strategjike.

Përvjetori i 2 marsit 1444 nuk përfaqëson thjesht një datë në kalendarin e memories kombëtare, por një pikë referimi strategjike për mënyrën se si elitat shqiptare kanë ditur dhe duhet të dinë të reagojnë në momente rreziku ekzistencial. Mbajtja e Kuvendi i Lezhës nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeu përfaqëson një akt të ndërgjegjshëm të transformimit të fragmentimit politik në unitet funksional. Ai ishte një moment kur memoria historike dhe racionaliteti shtetformues u ndërthurën në një projekt të përbashkët, duke tejkaluar rivalitetet krahinore dhe duke artikuluar një vizion të ri për mbijetesën dhe dinjitetin politik të arbërorëve.

Në thelb, Lezha nuk ishte vetëm një aleancë ushtarake përballë Perandorisë Osmane; ajo ishte një konceptim i ri i sovranitetit kolektiv. Për herë të parë, princërit arbërorë pranuan të kufizonin autonominë e tyre krahinore në funksion të një interesi më të lartë të përbashkët. Ky ishte një akt i rrallë i maturisë politike në një epokë të karakterizuar nga partikularizmi feudal. Liria nuk u konceptua si akt spontan rezistence, por si projekt i institucionalizuar në një rend politik të qëndrueshëm. Kjo është arsyeja pse Lezha mbetet një precedent historik i rëndësishëm: ajo dëshmon se uniteti nuk është produkt i retorikës, por rezultat i një kontrate politike të vetëdijshme.

Zgjedhja e qytetit të Lezhës nën administrimin e Republika e Venedikut nuk ishte e rastësishme. Ajo sinjalizonte një sens të hollë diplomatik dhe një kuptim të qartë të ekuilibrave gjeopolitikë të shekullit XV. Skënderbeu projektoi çështjen arbërore në një dimension evropian, duke e lidhur atë me interesat e fuqive të kohës dhe duke krijuar një hapësirë manovrimi ndërmjet Perandorisë Osmane dhe botës perëndimore. Ky dimension i diplomacisë së balancuar mbetet thelbësor edhe sot, kur shqiptarët veprojnë në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga rikonfigurime të reja strategjike.

Rendi bashkëkohor është i shënuar nga divergjenca të dukshme ndërmjet Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në fusha të ndryshme të politikës globale. Për shtete të vogla dhe për kombe me hapësirë të fragmentuar politike, si shqiptarët, ky realitet kërkon një diplomaci të koordinuar, të matur dhe të parashikueshme. Mbështetja amerikane ka qenë vendimtare në momente kyçe të historisë moderne shqiptare, përfshirë ndërhyrjen e NATO në vitin 1999 dhe procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosova. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian mbetet boshti kryesor i integrimit institucional, ekonomik dhe juridik për Shqipëria, Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Ruajtja e aleancës transatlantike si një bosht i pandashëm strategjik është kusht i stabilitetit afatgjatë.

Në Kosovë, sfida e momentit ka kaluar nga legjitimiteti moral i pavarësisë në përmbylljen e plotë të shtetndërtimit. Pavarësia ka prodhuar subjektivitet juridik ndërkombëtar; megjithatë, funksionaliteti institucional, konsensusi i brendshëm politik dhe koherenca strategjike mbeten elemente të domosdoshme për konsolidimin e saj. Çdo fragmentim i brendshëm e dobëson kapacitetin negociues dhe rrezikon të relativizojë arritjet historike të një procesi të ndërtuar mbi sakrifica të mëdha. Lezha na kujton se uniteti i brendshëm është parakusht i çdo suksesi të jashtëm; pa të, energjia kolektive shpërndahet dhe momentet historike humbasin.

Në Maqedonia e Veriut, dinamika politike e viteve të fundit ka prodhuar një fragmentim të theksuar të spektrit politik shqiptar. Qeverisja aktuale e udhëhequr nga Hristijan Mickoski ka ndjekur një strategji që, përmes menaxhimit të rivaliteteve të brendshme dhe koncesioneve selektive, ka arritur të zhvendosë çështjen shqiptare nga një projekt i avancimit kushtetues në një seri negocimesh parciale. Kjo ka rezultuar në zbehjen e peshës sistemike të shqiptarëve dhe në relativizimin e orientimit të qartë drejt integrimit evropian. Nëse subjektet politike shqiptare nuk arrijnë të ndërtojnë një platformë të përbashkët strategjike, rreziku i devalvimit të pozitës kushtetuese bëhet një perspektivë reale.

Në konfiguracionin kompleks gjeopolitik të Ballkani Perëndimor, Shqipëria, si anëtare e NATO’s dhe si subjekt me legjitimitet historik në artikulimin e çështjes shqiptare, nuk mund të mbetet thjesht garantuese e sigurisë formale, por duhet të shfaqet si qendër graviteti politike dhe morale e unifikimit strategjik shqiptar. Roli i saj nuk konsiston në imponim apo ndërhyrje, por në paraprirje vizionare; jo në retorikë emocionale, por në strukturim racional të interesit kombëtar në përputhje me rendin euro-atlantik. Në frymën e Kuvendi të Lezhës, ku uniteti u konceptua si kusht ekzistencial dhe si akt përgjegjësie përballë rreziqeve të kohës, Shqipëria duhet të jetë sot promotore e një platforme të përbashkët që e tejkalon fragmentarizimin institucional dhe dallimet partiake, duke i orientuar energjitë kombëtare drejt një strategjie koherente dhe afatgjatë. Përkujdesi ndaj çështjes shqiptare nuk nënkupton retorikë mbrojtëse, por veprim të institucionalizuar: diplomaci të koordinuar, aktivizim të potencialit akademik, ndërtim narrativesh të bazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe në standardet demokratike, si dhe mbështetje të vazhdueshme për të drejtat, dinjitetin dhe integrimin euro-atlantik të shqiptarëve kudo që jetojnë. Duke paraprirë unitetin, Shqipëria duhet të krijojë hapësira të strukturuara dialogu ndërshqiptar, të harmonizojë qëndrimet strategjike dhe të shndërrojë memorien historike në instrument orientimi për të ardhmen. Vetëm kështu, roli i saj bëhet funksional në unifikim: si bosht koordinimi, si zë i artikuluar në arenën ndërkombëtare dhe si garanci që interesi kombëtar të mos mbetet koncept abstrakt, por të materializohet në politika konkrete, të qëndrueshme dhe integruese.

Një komponent i pazëvendësueshëm i kësaj arkitekture është diaspora shqiptare në hapësirën euro-atlantike. Ajo përfaqëson kapital njerëzor, intelektual dhe ekonomik me potencial të konsiderueshëm ndikimi. Pa një platformë të harmonizuar lobimi dhe koordinimi institucional, ky potencial mbetet i fragmentuar. Në epokën e diplomacisë publike dhe të rrjeteve profesionale globale, organizimi i diasporës duhet të konsiderohet pjesë integrale e strategjisë kombëtare.

Në përfundim, Kuvendi i Lezhës nuk është vetëm simbol i rezistencës, por model i racionalitetit politik përballë rrezikut ekzistencial. Sot, rreziku nuk paraqitet në formën e pushtimit klasik, por në formën e fragmentimit institucional, relativizimit strategjik dhe erozionit të kohezionit politik. Nëse elitat politike, shtetërore dhe akademike shqiptare nuk arrijnë të ngrihen mbi interesat afatshkurtra dhe të ndërtojnë një vizion të koordinuar afatgjatë, atëherë momenti historik mund të humbasë me pasoja serioze për pozitën kushtetuese dhe ndërkombëtare të shqiptarëve.

Lezha mbetet standardi. Jo si mit i ngrirë në kohë, por si paradigmë e gjallë e unitetit funksional. Ajo i fton elitat e sotme të dëshmojnë jo përmes retorikës, por përmes kapacitetit për të ndërtuar konsensus strategjik në kohë sfidash. Në këtë kuptim, uniteti nuk është luks politik, ai është imperativ historik dhe domosdoshmëri strategjike.

Filed Under: Histori

Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan

February 28, 2026 by s p

Halil RAMA

Sakip CAMI

  • Përmes narrativave të tyre përkatëse, Ludlow dhe Crabb zbulojnë se si heroi shqiptar i shekullit të pesëmbëdhjetë u rikthye dhe u riimagjinua në forma që gëzuan rezonancë përtej kufijve kombëtarë dhe kohorë….
  • Reverend James M. Ludlow, dhe John H. Crabb, me penat e tyre të fuqishme e shpallën, e përhapën dhe e ruajtën në prozë legjendën e Skënderbeut në Amerikë…

Studiuesi Halit Daci, ish Nënkolonel i ushtrisë shqiptare, tani me banim në Nju Jork të ShBA, pas disa kërkimeve e studimeve për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, botime në gjuhën angleze dhe amerikane, sjell për lexuesit librin voluminoz me mbi 600 faqe me titull: “Skënderbeu në Prozën dhe Shtypin Amerikan”.

Ndërsa libri i N/Kol. Dacit është shkruar për një audience) anglishtfolëse, në vijim po japim për lexuesin shqiptar poi u referohemi parathënies, shënimeve editoriale, hyrjes dhe permbledhjes në faqen e pasme të librit. 

Libri përmbledh dy romane të panjohura, si për lexuesit e apasionuar pas shkrimeve për Skënderbeun, ashtu edhe për kritikët letrar, të shkruara nga autorët James M. Ludlow dhe John H. Crabb. 

Romani i auorit Ludlow është aq i njohur për lexuesit e huaj dhe ato shqiptar, saqë një botim tjetër, në dukje, është pothuasje i panevojshem. Ai eshtë botuar si serial i përditshëm në vitin 1905 në 15 shtete Amerikane dhe 26 gazeta Amerikane. 

Botimi i N/Kol Dacit është krejt i ndryshëm nga botimet e mëparshme dhe ato aktuale që gjenden në shitje në formë libri dhe digjitale. Ai bën të ditur se romani i njohur i autorit Ludlow u përgatit për botim në forme seriali të përditshëm nga Shoqata e Shtypit Amerikan në vitin 1903. 

Ndryshe nga botimet në formë libri, që përmban 56 kaptuj, seriali gazetaresk përmban 38 kapituj dhe është i pasuruar me ilsutrime të piktururara nga piktorë të panjohur më parë nga lexuesit aktual për më shumë se një shekull.

Romani tjetër i botuar nga Dorrance Publishing në vitin 1952, është i plotesisht i panjohur dhe nuk gjendet lehtë ne shitje.

Studiuesi Halit Daci na i jep të plotë këto dy romane të hershme për Skënderbeun nga autorët amerikanë. 

Libri i tij i sapobotuar, që gjendet në Amazon) ndjek rregullat standarte të industrisë amerikane te botimeve, atë të Chicago Muanual of Style. 

Botimi sjell për here të parë, pas më se një shekulli, më shumë se 150 ilustrime, piktura, imazhe të marra nga arkivat, gazetat e kohës dhe koleksionet private, duke filluar nga viti 1885 deri në vitin 1970, deri tani të panjohura për publikun. 

Përmbajtja është ndarë në tre pjesë kryesore dhe ndjek strikt e stilikisht formën e pasqyrës, paralelizmit, për pjesët dhe autorët. 

Pjesa e parë jep detaje mjaft të çmuara dhe deri tani të panjohura në lidhje me angazhimin e James M. Ludlow me figurën e Skënderbeut, duke filluar nga viti 1885. Më tej në pjesën e parë jepet një pasqyrë e burimeve arkivore të botimit në formë seriali, kryesisht në vitin 1905, formë e cila e rriti ndjeshëm numrin e lexueseve të përditshëm amerikan dhe ju dha mundësi të njohin me hollësi figurën legjendare të Skënderbut.

Në pjesën e dytë jepet transkriptimi i plotë i serialit të nxjerrë nga gazeta të ndryshme amerikane nga shkurti i vitit 1905 deri në tetor 1911. 

Në pjesën e tretë N/Kol Daci prezanton burimet hulumtuese arkivore në lidhje me romanin e panjohur In the Crescent’s Dark Shadow (Nën Hijen e errët te Gjysëm Hënës). Në këtë pjesë, autori gjithashtu sjell të dhëna deri tani të panjohuara me anë të të cilave rindërton biografinë John H. Crabb. Ai paraqet për lexuesin një analizë kritike të romanit të Crabb-it, dhe e sjell atë më të plotë (nga ai i skaduar copyright ose i parinovuar).

Libri gjendet në Amazon ose mund të porositet direkt nga autori, duke paguar vetem koston e shtypshkrimit, pa fitim. 

PREZANTIMI I LEGJENDËS SË SKËNDERBEUT 

NË NJË PUBLIK TË GJERË AMERIKAN

“Skanderbeg në Prozën dhe Shtypin Amerikan” riprezanton dy tregime fantastike për heroin legjendar shqiptar, Gjergj Kastriotin — i njohur gjithashtu si Skanderbeg ose Iskender Beu. Autori Halit Daci ka meritën se i sjell ato për lexuesin pas një distance kohore prej rreth gjysmë shekulli. Rëndësia e këtij botimi konsiston në faktin se, këto tregime kapin momente të ndryshme në transmetimin transatlantik të legjendës së Skanderbeut. 

“Ndërsa njëri prej këtyre novelave, ai i James M. Ludlow, ka pasur një prani të qëndrueshme, edhe pse në evolim, për lexuesin nëpërmjet botimeve të ndryshme që nga viti 1886 deri në ditët e sotme nëpërmjet pranisë digjitale, tjetri, ai i John H. Crabb është pothuasje i panjohur për lexuesin dhe kritikët letrar. Megjithatë, këto tekste të rikthyer mbeten thuajse të panjohura për lexuesit dhe studiuesit bashkëkohor”, shkruan autori në parathënie të librit. Sipas tij, romani i njohur i James M. Ludlow, The Captain of the Janizaries, ka qenë mjaft i sukseshëm si në format librash ashtu edhe dixhital, duke e bërë një botim të ri të vetë tekstit në dukje të panevojshme. Ky volum, megjithatë, rikthen një manifestim të shquar të punës së Ludlow: serializimin e ilustruar të saj në gazetë. Përgatitur për botim serial në gazetat e përditshme amerikane në 1903 dhe botuar në 1905, ky version — i dallueshëm nga botimet e librit të lidhur — ishte i pari që e prezantoi legjendën e Skanderbeut në një publik të gjerë amerikan.

Në kontrast, vepra e dytë, In the Crescent’s Dark Shadoë e John H. Crabb, botuar në 1952, është zhdukur pothuajse nga kujtesa letrare amerikane. Vetëm një numër i vogël kopjesh mbijetojnë në koleksionet e bibliotekave dhe koleksione private, dhe romani nuk ka prani të njohur dixhitale. Mungesa e tij në diskursin akademik është e dukshme, veçanërisht duke pasur parasysh angazhimin e vazhdueshëm me narrativën legjendare të Iskender Beut. 

“Pavarësisht nëse romani ishte një ushtrim i hershëm në ardor scribendi-në e një autori (historiani) të ri ose thjesht i mungonte mbështetja promovuese e një botuesi të vendosur, ai rrëshqiti në heshtje nga qarkullimi publik”, shprehet autori H. Daci.

Së bashku, këto dy romane gjurmojnë lëvizjen e legjendës së Skanderbeut përmes prozës amerikane dhe shtypit periodik. Ato tregojnë se kjo trashëgimi u formua jo vetëm nga imagjinata autoriale, por edhe nga mekanizmat specifikë të kulturës së shtypit — përkatësisht, serializimi, ilustrimi dhe praktikat e leximit të një audiene në zgjerim. 

Përmes narrativave të tyre përkatëse, Ludlow dhe Crabb zbulojnë se si heroi shqiptar i shekullit të pesëmbëdhjetë u rikte dhe u riimagjinua në forma që gëzuan rezonancë përtej kufijve kombëtarë dhe kohorë.

Rikthimi i këtyre teksteve për këtë botim nga Halit Daci u bë i mundur falë arkivave rajonale, shoqatave historike, bazave të gjera të të dhënave të gazetave dixhitale dhe koleksioneve private të librave. Prandaj, sipas autorit Daci, ky volum ofron një mundësi të re për të shqyrtuar se si historia e Skanderbeut u ndërtua, u përhap dhe u riimagjinua në kulturën e shtypit amerikan. 

“Ky botim shërben si një rivendosje e veprave letrare të harruara prej kohësh dhe si një ftesë për rishqyrtimin e përfaqësimit të Skanderbeut brenda kornizës më të gjerë të historisë letrare amerikane”,-pohon autori Halit Daci.

ORIGJINALITETI I TEKSTEVE

Skanderbeg në Prozën dhe Shtypin Amerikan riprezinton dy tregime të rralla: historinë e ilustruar të serializuar të James M. Ludlow, The Captain of the Janizaries, dhe tekstin e plotë të romanit të vështirë për t’u gjetur të John H. Crabb, In the Crescent’s Dark Shadoë. Autori Halit Daci, ka meritën e padiskutueshme se pas një punë studimore skurpuloze disavjeçare ka rritur ka arritur t’i paraqesë këto tekste në formën e tyre origjinale, me ndërhyrje redaktuese të kufizuar në korrigjimin e gabimeve të dukshme tipografike dhe të pikësimit për qartësi. 

Karakteristikat periodike tipike — duke përfshirë dikcionin karakteristik, praktikat e ndarjes me vizë, mospërputhjet e brendshme dhe strukturat episodike — janë ruajtur gjatë gjithë tekstit.

Për të ruajtur integritetin historik të veprave, gjuha që mund të duket tashmë arkaike është lënë e pandryshuar — duke përfshirë ruajtjen e përdorimit të ndryshueshëm të Crabb-it të drejtshkrimit britanik dhe amerikan.

Tekstet pasqyrojnë gjuhën, qëndrimet dhe supozimet e periudhës dhe preferencat e të dy shkrimtarëve, dhe ato mund të përmbajnë terma ose përfaqësime që disa lexues bashkëkohorë mund t’i gjejnë ofenduese.

Autori Daci bën të ditur se të gjitha materialet e përfshira në këtë volum janë verifikuar se janë në pronësi publike (public domain) ose janë përdorur nën licenca të përshtatshme në kohën e botimit. Shënime të hollësishme të burimit shoqërojnë tekstet.

RIFORMATIMI I HISTORISË SË ISKENDER BEUT

BRENDA KONVENTAVE TË ROMANIT HISTORIK

Në këtë botim të një rëndësie tejet të veçantë, Heroi ynë ombëtar Gjergj Kastrioti (rreth 1405–1468), i njohur gjithashtu si Skanderbeg ose Iskender Beu, qëndron ndër kundërshtarët më të fortë të Perandorisë Osmane në histori. Në hyrje të librit, autori Halit Daci, qëllimisht jep një historik të shkurtër të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

“Një fisnik shqiptar i marrë në oborr osman përmes sistemit devşirme në rini, ai u rrit dhe edukua ushtarkisht në shkollat ushtarake osmane, duke u ngritur më në fund në gradën e sanxhakbeut. Në 1443, ai hoqi dorë nga besnikëria osmane dhe e kërkoi përsëri tokën e tyre të paraardhësve.

Nga ajo kohë deri në vdekjen e tij në 1468, Skanderbeg zhvilloi një rezistencë të vazhdueshme dhe shumë efektive kundër forcave osmane shumë superiore. Fitoret e tij i siguruan titullin “Mbrojtës i Kryqit”, dhe emri dhe reputacioni i tij kanë zgjatur për shekuj, duke e siguruar vendin e tij në histori dke duke frymëzuar një traditë të pasur dhe të vazhdueshme letrare”,-shkruan autori i këtij libri. Ndërkohë ai argumenton se megjithëse sulmet ushtarake të Skanderbeut u zhvilluan në të gjithë Shqipërinë dhe Perandorinë Osmane, ruajtja dhe transmetimi i trashëgimisë së tij letrare u formuan kryesisht nga shkrimtarë evropianë — dhe më vonë amerikanë. Kjo për faktin se nga Rilindja e tutje, sulmet e tij frymëzuan historianë, poetë, dramaturgë, novelistë dhe artistë të tjerë. 

“Teksti themelor në këtë traditë ishte Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis e Marin Barleti, e botuar për herë të parë në Romë në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. E përkthyer gjerësisht, kjo biografi tipike siguroi vendin e Skanderbeut në kujtesën kulturore evropiane dhe vendosi kornizën narrative mbi të cilën janë bazuar shumica e autorëve historik dhe letrar”, pohon autori H. Daci. Ai argumenton se tradita evropiane gjeti shprehje të rinovuar në Amerikë, ku legjenda e Skanderbeut hyri në kulturën letrare amerikane përmes qarkullimit transatlantik të librave, periodikëve dhe arsimit klasik. Ndërsa studiuesit dhe krtikët letrar, sipas tij, kanë vënë në dukje prezantimin e figurës së Skënderbeut në vepra të tilla si— si George Castriot, Surnamed Scanderbeg, King of Albania (1850) e Clement C. Moore, poema “Scanderbeg” (1873) e Henry W. Longfellow, dhe The Captain of the Janizaries (1886) e James M. Ludlow — nuk ekziston aktualisht asnjë studim gjithëpërfshirës në lidhje me prezantimin e Skënderbeut në letërsinë amerikane, për ta veçuar atë nga letersia dhe botimet specifike angleze.

Në të vërtetë, kërkime të mëtejshme zbulojnë se Skanderbeg u shfaq në një gamë të gjerë të produkteve letrare dhe artistike amerikane, duke përfshirë drama, prozë, poezi, ese dhe artet vizuale. Shumë prej këtyre materialeve jane dokumentuar ne librin e botuar privatisht nga autori ne Amazon, Skanderbeg (2022) — botimi me i plote per veprat anglo-amerikane deri më tani — i cili bashkoi si vepra të njohura më parë ashtu edhe vepra të risjella angleze dhe amerikane, së bashku me evidenca të adaptimeve të tjera dramatike të skenizuara në kolegjet katolike në fillim të shekullit të njëzetë.

“Një arritje mjaft e rëndësishme e atij projekti ishte rindërtimi i historise se dramës më të spikatur të periudhës për këtë temë, Iskander, Soldier of the Cross (2022) — performanca dhe pritja kritike e së cilës u dokumentuan dhe ruajtur gjerësisht në shtypin periodik të kohës — duke kulmuar në një studim të rrallë arkivor, gjithashtu të panjohura për lexuesit. Me këtë bazë të vendosur, ky volumen i kthehet dy tregimeve të harruara fantastike amerikane që dikur hynë — dhe më vonë u zbehën nga — vetëdija letrare amerikane, duke gjurmuar se si legjenda dhe trashëgimia e Skanderbeut u përfaqësuan në prozë dhe u përhapën përmes shtypit periodik në Shtetet e Bashkuara”,-shkruan autori i këtij libri. Ai bën të ditur për lexuesin se e para, The Captain of the Janizaries e Ludlow, transkriptohet nga serializimi i saj i gazetave të 1905-ës, një adaptim i mëvonshëm dhe i dallueshëm i botimit të njohur të librit të 1886-ës. 

I përmirësuar nga ilustrime të rralla, ky version i lejoi lexuesve të përballeshin me narrativën vizualisht dhe në mënyrë episodike. Rikthimi i tij nxjerr në pah rolin qendror të shtypit periodik në formimin e angazhimit letrar amerikan me Skanderbeun.

Vepra e dytë, In the Crescent’s Dark Shadow e John H. Crabb, e riformaton historinë e Iskender Beut brenda konventave të romanit historik. Ajo thekson çështjet e formimit të identitetit dhe zgjimit kombëtar në Shqipërinë e shekullit të pesëmbëdhjetë, ndërsa detajon me kujdes pozicionin gjeopolitik të Shqipërisë midis Perandorisë Veneciane dhe Osmane. 

Pavarësisht meritave mjaft të çmuara për prezantimin e figurës së Skënderbeut, romani është harruar plotësisht, është i panjohur dhe mbijeton sot vetëm në kopje të rralla, vetëm në tre biblioteka, dhe është e vështirë për t’u gjetur në shitje. Si pasojë, si Crabb ashtu edhe vepra e tij kanë mbetur margjinale në studimet për Skanderbeun dhe kryesisht të panjohura për lexuesit bashkëkohor.

Së bashku, këto romane tregojnë përshtatshmërinë e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të legjendës së Skanderbeut në letërsinë amerikane. Ato ilustrojnë se si pena autoriale nga periudha dhe profesione të ndryshme e përshtatën legjendën e Skënderbeut në periudha të ndryshme. Duke i vendosur këto vepra brenda konteksteve të tyre specifike historike dhe studimeve më të gjera mbi Skanderbeun në Amerikë, kjo botim kritik ofron një kuptim të ri se si një figurë e vetme legjendare bëri të mundur të lidh shekuj, kontinente, dhe median. 

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 708
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT