• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një rrugë e vogël me një emër të madh në Nju Jork -mban emrin e Nënë Terezës

September 5, 2014 by dgreca

Shqiptarët janë krenarë që jetojnë në rrugën që mban emrin e Nëna Terezës. Ata i ofruan mikpritje të ngrohtë zonjëns Liri Berisha, kur vizitoi rrugën që mban emrin e Nënë Terezës/
Nga BEQIR SINA, New York/
BRONX – NEW YORK : Sot, shënohet 17-vjetori i vdekjes së humanistes shqiptare, nobelistes dhe të bekuarës së Vatikanit, Nënë Terezës. Për këtë qëllim njofton shtypi nga Kosova në Prishtinë do të mbahet mesha solemne të cilën e udhëheq Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në katedralen ‘Nënë Tereza’.
“Nënë Tereza asnjë vepër të saj nuk e ka nisur pa adhuruar Zotin në Eukaristi. T’i përngjajmë edhe ne asaj me lutje e adhurim. E Lumja Nënë Tereza – Lutu për ne! Ejani ta nderojmë bijën tonë të shenjtë, Nënën e Njerëzimit, Ambasadoren e popullit tonë të lashtë!”, është thirrja për të marrë pjesë në meshën e të premtes në Katedrale.
Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup.
Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqen, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm gjuhën shqipe pas një largimi prej 70 vitesh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj.
Në çastin e marrjes së çmimit Nobel në vitin 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Ajo ishte nënë kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 mijë viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.
Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin 3: të bëhej mësuese, të shkruante dhe të recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u bë murgeshë. Ajo ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë, dhe janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të.
Shqiptaret jane krenare qe jetojne ne rrugen qe mban emrin e Nena Terezes: Mikpritje ngrohte ne Nju Jork per zonjen Liri Berisha, kur mbrriti në rrugën që mban emrin e Nëna Tereses
Kurse – një rrugë e vogël është me një emër të madh në Nju Jork – Ajo mban emrin e Nena Tereses dhe është rruga më e populluar në një lagje ku jetojnë një komunitet i madh shqiptarësh. Megjithse, ajo është segment rruge dhe është riemëruar – por ajo ka tabelën “Mother Teresa Way” dhe komuniteti shqiptar në Nju Jork, ka një rrugë me simbolin të vendit të tyre, në njërën nga rrugët më të “shkelura” të qytetit të Bronksit, Nju Jork.
Kjo është arritur pesë vjetë më parë – pasi në lagjen e mbipopulluar me shqiptarë, një rrugë ka marrë emrin “Rruga – Nënë Terezës”. Dhe kjo është arritur me një kërkesë që ishte bërë atë kohë nga Anëtari i Këshillit Bashkiak, James Vacca (D-Bronx), me iniciativën e Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro – Amerikane, e drejtuar nga presidenti i saj Esad A. Rizai dhe profesor Haxhi Berisha.
Aprovimi përfundimtar i kësaj kërkese u arritë më 2 prill 2009, kur Këshilli i kësaj bashkie votojë në unanimitet për t’a aprovuar këtë kërkesë.
Në të cilën Bashkia e qytetit të Nju Jorkut, me anë të një rezolute të sponsorizuar nga Anëtari i Këshillit Bashkiak, James Vacca (D-Bronx), kishte vendosur, ri-emërtimin e një segmenti rruge në qytetin e Bronksit, me emrin e nobilistes shqiptare, bamirëses së njohur Nëna Tereza. Duke vendosur kështu që rruga Lydig Avenue – të ketë tabelën Mother Tereza Way.
Me këtë rast, aty u zhvillua edhe një ceremoni dedikimi kushtuar emërimit të kësaj rruge me emrin e Nënë Terezës. Ceremoni, e cila fillimisht u mbajt në Këshillin Bashkiak të qytetit të Nju Jorkut, dhe në fillim të verës së atij viti u mbajt në qoshen mes rrugëve Lydig Avenue dhe Hollanda Avenue. Aty ku do të vendosej edhe një tabelë në shenjë nderi, e cila do të shënojë këtë rrugë me emrin “Mother Teresa Way”.
“Si udhëheqëse shpirtëror, si një njeri që ka mishëruar vetëm bamirëse, Nënë Tereza ka qenë një figurë e frymëzues për shumë njerëz anembanë botës, për dekada, tha sponorizuesi zyrtarë i rezolutës për vendosjen e emrit të Nënë Terezës , një rruge në këtë lagje të Nju Jorkut,”, tha James Vacca. “Kur në këtë rrugë, e cila do të quhet rruga Nënë Tereza, burrat, gratë dhe fëmijët që do të ecin lart e poshtë dhe do të jenë në gjendje të kërkojnë, e të këshillohen me shembullin e mrekullueshme të bamirëses shqiptare, për atë çka ajo ka bërë, për të gjithë ne”, tha Vaca.
Dhe natyrisht, që Shqiptaro-amerikanët, duke përfshirë dhjetëra mijëra që banojnë në Bronks, e kryesisht në lagjen Pelham Parkway, janë krenarë që kjo rruge në lagjen e tyre, ka tanimë emrin e Nënë Terezës.
Këtë rrrugë e ka vizituar edhe Dr.Liri Berisha, siç shkruante për këtë viztë konservativja njujorkeze New York Post, për gruan e ish- kryeministrit të Shqipërisë, presidente e Fondacionit Nënë Tereza. Ajo gjatë vizitës së saj në Nju Jork, takoi shumë shqiptarë që kish bizneset e tyre në rrugën Lydig Avenue, e cila tashmë mban edhe emrin Mother Teresa Way -. Zonja Berisha shkruante NYP ishte duke bërë homazhe ndaj bamirëses së madhe me origjinë shqiptare.
Sipas konservatores njujorkase, New York Post, vizita e Dr Liri Berisha, gruaja e Kryeministri shqiptar Sali Berisha, ishte një moment veçantë, dhe një çast vendimtar për bashkësinë e madhe shqiptare që banon në këtë lagje në Pelham Parkway – Bronks . Mbasi ajo erdhi në këtë rrugë një vit më pasë – në ditëlindjen e Nëna Tereses me ftesën e Këshilli i Bashkësisë së qytetit të Nju Jorkut, e anëtarit të saj James Vacca, i cili ka prerë edhe shiritin e inagurimit, që një bllok i rrugës Lydig Avenue të merrte emrin Nënë Tereza , shkruante ndër të tjera, kjo e përditëshme konservative njujorkese.
Mandej edhe Dom Pjeter Popaj, famullitari i Kishes Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, duke folur për këtë gazetë , mburrrej me Nëna Teresen dhe fliste me krenari . Ai ka treguar për këtë gazetë se :” Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Jonë! që e gjithë bota e thirri Nëna Terese, po në këtë lagje të mbipopulluar nga emigrantë shqiptarë, në bashkëpunim me Qendren Kulturore “Nëna Terese”, pranë kësaj kishe, ka organizuar aktivitete të mëdha për të kujtuar e nderuar figurën më madhore të gruas shqiptare Nëna Tereze”.
Me këtë rast ai ka permendur edhe darkën 4 vjetë më parë, ku mori pjesë si mysafire nderi edhe Dr Liri Berisha në kuadrin e akitiviteteve për të shënuar 100 vjetorin e lindjes së Nëna Tereses, në SHBA-së.
“Unë mendoj se zonja e parë e Shqipërisë, e cila erdhi në lagjen Pelham Parkway, dhe sidomos duke vizituar bllokun e rrugës “Mother Tereza Way”, paraqet një vizitë historike,” citohet të ketë thënë për vizitën që i bëri rrugës Nëna Terese në Nju Jork, zonja Berisha, anëtari i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, James Vacca. Duke shtuar se në këtë lagje e sidomos në këtë rrrugë shihen se një numër i madh i shqiptarëve janë bërë tregtarë të suksesshëm, në ndërtimin e pronarëve dhe menaxhimin e bizneseve, në Bronx., çka e bëri vizitën e zonjës Berisha në këtë bllok rrugën Mother Teresa Way.
” Një ditë jetike dhe krenarie të mëdhe për këtë komunitet, në Pelham Parkway” ka thënë asamblesiti i parë shqiptarë në Asamblenë e Nju Jorkut, zoti Mar Gjonaj, duke shtuar se “Ne ishim të nderuar dhe të nderuar nga prania e zonjaës Berisha për të vizituar edhe lagjen tonë në Bronx, segmentin e rrugës që mban emrin Rruga Nëna Terese, rruga ku kalojn kohën me familjet dhe udhëheqësit e biznesit, dhjetëra qindra shqiptare, në këtë qytet” citohet të jetë shprehur Mark Gjonaj, asambleisiti i distriktiti 80-të në Bronx NY.
Por, Nnjë ngjarje tjetër historike, e cila lidhet me këtë rrugë në Bronks, Nju Jork, është edhe ajo kur 30 vjet më parë Nënë Tereza, u takua në shtëpinë e motrave të bamirësisë me mbretëreshën shqiptare, Gerarldinën.
Është ky një nga episodet e rralla që mbërritur në publik pas 30 vjetësh, kohë kur Nënë Tereza, do të takohej me familjen mbretërore, kur ata ishin të vendosur në Nju Jork. Kjo dëshmi është zbuluar më parë nga një veteran i Mbretërisë Shqiptare në mërgim, Musli Mulosmani, i cili i pati dorëzuar gazetës “Bota sot”, një artikull të shkruar tri dekada më parë nga znj. Lume Musa Juka, në gazetën “Atdheu”, e cila ka qenë dëshmitare e vizitës së Nënë Terezës, dhe bisedës në Mbretëreshën Geraldinë. Znj. Juka do të sillte shkurtimisht në atë përshkrim se çfarë biseduan dy gratë e “mbretërive” të ndryshme, njëra e tokës dhe tjetra e qiellit. Nënë Tereza i shpreh Mbretëreshës Geraldinë dëshirën për t’u kthyer në atdhe, në Shqipëri, se si ajo lutej te Zoti për familjen mbretërore, për gjendjen e familjes së saj lënë në Shqipëri dhe ndjeshmërinë për botën moderne të Amerikës në atë kohë.
Ndërsa, sot shumë banorë në Bronx (Bronks) janë mblodhur për të festuar ditëlindjen e 104-të të Nënë Terezës, duke dhënë ushqime për të vobektit në komunitetin e tyre, njoftoi televizioni lokal Bronx News 12, Udhëheqësit lokal , James Vacca, senatori Jeff Klein dhe asambleisti Mark Gjonaj për çdo vjet në këtë ditë organizojnë një fushat bamirësie ku qytëtarët mbledhin ndihma, duke sjellur me karrocat e pazarit, çantat plastike dhe kuti kartoni të mbushura plot me ushqime, të konservuara ose gjysmë të gatëshme, dhe veshmbathje, duke i dorëzuar në Qendrën e Këshillit të Komunitetit Hebre në Pelham Parkway, në Bronx.
Ata kan zgjedhur këtë qendër e cila shërben për më shumë se 2,500 njerëzve në muaj, sipas të dhënave nga David Edelstein , drejtor ekzekutiv i saj dhe ka 27 vite që ndihmon njerëzit në neojë ekonomike.
Ky është viti i pestë radhazi që ditëlindja e nobelistes së famshme shqiptare festohet duke dhuruar ushqime. Të pranishëm në këtë aksion kanë qenë edhe dy përfaqësuesit lokalë anëtari i Këshillit të Bashkisë Jimmy Vacca dhe anëtari i Asamblesë së New York-ut, Mark Gjonaj.
“Nënë Tereza u bë e famshme nga puna e saj për të varfrit, ndaj edhe qytetarët e Bronx-it mund ta kujtojnë vetëm duke ndihmuar ata që kanë nevojë”, tha këshilltari i qytetit James Vacca, për kanalin televiziv lokal.
Këshilltari Vacca ka qneë i pari që e nisi këtë traditë të suksesshme.
Një falenderim të veçantë u bëri të gjithë atyre që dhuruan me bujari ushqime, asambleisti i parë shqiptaro-amerikan në New York, Mark Gjonaj.“Është kënaqësi të marrësh pjesë në akte bamirësie dhe mirësie – punë të mira të nxitura dhe frymëzuara nga e madhja Nënë Terezë”, tha ai për kanalin televiziv Bronx News 12.
Ndërsa, për herë të parë më 10 shtator 2000, shtatorja e Nënë Terezes do të bëhej pjesë e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jork(ut) për t’u kujtuar besimtarëve shqiptarë në Amerikë, se ajo ishte përjetësisht, së bashku me ta në vendin simbol të lirisë e paqes në Botë. Kjo ka qënë dhuratë e vëllezërve Lekë e Pashko Gojçaj me banim ne New York, shqiptaro – amerikanë që punojnë me devotëshmeri për ngritjen e figurës së Nënë Terezes kudo në botë.
Thuhet se edhe skulptura e vendosur në Presidencën në Tiranë, është e para për Nënë Terezën në atdheun e saj, dhuratë kjo e dy vëllezërve patriot e atdhetar, fetar e bujar shqiptarë në Amerikë, Lekë e Pashkë Gojcaj, nga Trieshi(Malësi) që jetojnë në Nju Jork, prej vitesh dhe kanë sponsorizuar për tre statuja të figurës së Nënë Terezës, në Amerikë dhe Shqipëri e Kosovë. E para skulpturë mbas vdekjes së saj është vendosur në kishën “Zoja e Shkodrës” në Tuz, një tjetër në kishën shqiptare të Nju Jorkut dhe së fundi në Prishtinë, vepër e skulptorëve të rinj V. Nini, S. Spahiu, V. Rakaj edhe këto dhurata më e bukur e dy vëllezërve patriot e atdhetar, fetar e bujar shqiptarë në Amerikë, Lekë e Pashkë Gojcaj, që jetojnë në Nju Jork.

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, Bronx, NY, rruga Nene Tereza

MESAZHET E SESIONIT SHKENCOR PER RIPUSHTIMIN JUGOSLLAV TE TROJEVE SHQIPTARE

September 5, 2014 by dgreca

Përfundoi me sukses punimet Sesioni i XII “Trojet e Arbërit” dhe homazh respekti për mjedologun e shquar Prof. Dr. Mentor Quku/
Nga Tomë Mrijaj/
Është kënaqsi për mua të bëj përmbylljen e Sesionit XII Shkencorë me teme: “Ripushtimi jugosllav i Kosovës e i viseve të tjera (1944) dhe qëndresa shqiptare”, i cili, përfundoi me sukses punimet këtu në Gjakovën heroike ndër shekuj, të trimave të lirisë, si: Bajram Curri, Sulejman Vokshi, prifti antiosman Pader Gjon Nikoll Kazazi, Haki Taha, Zef Gjidoda, Mehmet Agë Berisha, Mehmet Agë Rashkoci etj.
Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës, për vetëvendosje, në Konferencën e Bujanit në janar 1944 nuk u morën parasysh nga lojërat politike të komunistëve jugosllavo-shqiptarë te shtetit amë.
Më 1945, forcat komuniste shqiptare hynë në Dardani, duke ndjekur trupat gjermane në tërheqje, por nuk i kushtuan vëmendje çështjes shqiptare dhe lejuan rianeksimin e saj nga Serbia, asokohe e cila e shpalli Kosovën si provincë autonome brenda Federatës Jugosllave.
Qëndresa e armatosur shqiptare e tradhtuar në të dy anët, nuk arriti t’i bëjë ballë forcave pushtuese serbe; 44 fshatra u shkatërruan dhe 20.000 civilë u vranë. Ndërkaq, politika e re komuniste e Jugosllavisë, ndonëse në retorikë dhe në propagandë u tregua e butë ndaj popullsisë shqiptare, në praktikë lejoi vazhdimin e po të njëjtës politikë fashiste, që zbatohej para luftës…
Sikurse në takimet e tjera të organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”, edhe kësaj radhë sot (më 9 gusht 2014), në Hotel “Europa” në Gjakovë, i përfundoi me sukses punimet Sesioni XII Shkencor, kushtuar ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe të trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe përmes ligjeratave, me fakte dhe argumente historike, ku, doli në pah qëndresa heroike e popullit shqiptar.
Në këtë sesion shkencor, 85 ligjëruesit nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora, përmes fakteve dhe argumentimit të mirëfillta shkencore, kanë hedhur dritë mbi zhvillimet e rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe pasojat, që solli ripushtimi sllav.
Ne, përmes Sesionit në fjalë, rikujtuam me pak fjalë kontributin e madh të dhënë nga veprimtarët e ndjerë të Shoqatës, që sot nuk gjinden në mesin tonë, përmes kujtesës së mbajtur nga studiuesi Nue Oroshi (nënkryetar i shoqatës “Trojet e Arbërit”), për katër veprimtarët e ndjerë: Mark Avdyli, Hajriz Demaku, Dr. Pjetër Pepa dhe mjedologun e shquar Prof. Dr. Mentor Quku, të cilët u ndanë nga jeta, pak kohë më parë.
* * *
Shkencëtari i shquar i mjedologjisë Prof. Dr. Mentor Quku, bën pjesë në plejadën e albanologëve cilësore, të studiuesve më të mëdhenj të kohës sonë në Trojet e Arbërit, emërin e të cilit e gëzon edhe Shoqata e jonë. Kjo është humbja më e madhe si për kombin tonë, dhe Shoqatën, mbasi ai ishte edhe sekretari më aktiv i Shoqatës për shumë vite.
Gjatë kohës që trupi i të ndjerit Prof. Dr. Mentor Qukut, po përcillej, me nderimet më të mëdha nga Prefektura e qytetit të Shkodrës, i rrethuar nga qindra miq dhe bashkëpunëtorë të artit dhe kulturës, e veçanta e kësaj përcjellje (për në banesën e fundit), do të mbahet mend, për faktin se meshtari, bashkëpunëtori dhe miku i tij i ngushtë studiuesi Dr. Don Nikë Ukgjini, kishte dhënë urdhër, që gjatë ceremonisë së varritmit, të bien kumbonët e Kishës, në shenjë respekti dhe mirënjohje, për punën e madhe për albanologjinë dhe në veçanti për zbardhjen e figurës shumë dimensionale të poetit të ëmbëlsisë Dom Ndre Mjedës.
Mjeda-Quku, janë dy nyje lidhëse të atdhetarizmit të djeshëm dhe sotshëm. Edhe pse Prof. Quku, nuk pati fatin dhe nderin e ëndërruar të ishte nxënës i shkollës së Mjedës, përmes shpalosjes dhe dhurimit të sotshëm të jetës e veprës së klerikut-shkrimtar, mund të them me bindje të plotë, se studiuesi i shkencës së letrave historike dhe albanologjike, mjedologu Prof. Dr. Mentor Quku, është një nxënës dhe deshmues i shpirtit të poetit Dom Ndre Mjeda.
Nëse Mjeda, ishte edukuar në dashurinë për Atdheun nga vatrat e shqiparizmës së kulluar Kuvendi Françeskan dhe Jezuit në qytetin e Shkodrës, Quku bashkëkohor, është i mëkuar nga prindërit dhe të afërmit e tij, që ishin pinjoll të denjë të rrymës së pastër të nacionalzimit brez mbas brezi.
Ky argument bindës, buron nga leximi i serisë së ciklit 14 vëllimësh të monografisë shumëplanëshe: “MJEDA”, hartuar me kujdes dhe pasion, kushtuar njërës ndër figurat madhore dhe personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe lëmive të tjera të klerikut katolik, patriotit të zjarrtë amtar Dom Ndre Mjeda, është një arritje e denjë respekti dhe nderimi, në të gjithë historinë e veprave shqipe të shkruar deri me sot, me karakter thellësisht analitik e cilësisht hulumtues, bashkëkohor, studimor, që ka mundur të na japë studiuesi shkodran, eurditi Prof. Dr. Mentor Quku.

Libri i parë i serialit Mjeda-1 Rinia (1866-1888), i kushtohet rinisë së Ndre Mjedës dhe aktivitetit të hershëm letrar e gjuhësor të tij. Në tre kapitujt e parë, të këtij libri autori skrupuloz Prof. Quku, me një përkujdesje profesionisti, i jep rëndësi të dorës së parë gjenezës dhe botës së brendshme të Ndre Mjedës, fëmijërisë, familjes, mjedisit dhe shkollës. Një kapitull qëndror është poezia Vaji i bylbylit, si dhe problemeve shumë të diskutueshme: frymëzimit e mënyrës së të shprehurit poetik të Mjedës.
Mjeda-2 Albanologu (1888-1899) Pjesa e parë e librit, nga jetëshkruesi Prof. Dr. Quku, është konceptuar si prolog, që i kushtohet albanologut zëmadh Ndre Mjedës, sot i lënë në harresë. Me interes janë kërkimet që bën Quku, për të gjetur Fjalorin Etimologjik të gjuhës shqipe.
Mjeda-3 libri i parë Alfabeti (1899-1912). Ky vëllim ka si objekt periudhën e kthimit të Mjedës në atdhe deri në Shpalljen e Pavarësisë dhe i kushtohet ndihmesës së Mjedës për alfabetin e gjuhës shqipe. Kongresin e Manastirit, autori e quan prelud i Shpalljes së Pavarësisë, kuvendin më të rëndësishëm të kohëve moderne, ku u realizua ëndrra e shumë brezave të shqiptarëve, pajtimi dhe bashkimi politik i tyre.
Mjeda-3 libri i dytë Liria (1899-1912). Prof. Mentor Quku hedh dritë mbi veprën e poetit gjatë jetës së tij në vende të ndryshme, ku e solli puna të shërbente si famullitar, administrator, sekretar, mësues. Tek kundron me andje këtë vepër, sheh se albanologu Prof. Quku, jep të dhëna interesante për projektet e Mjedës për të bërë kërkime në arkivat, muzeumet dhe bibliotekat e Romës, Vjenës për dokumente me rëndësi për historinë e Shqipërisë.
Mjeda-4 Identitet. Vepra e re ndriçon me dokumenta e analiza të hollësishme jetën e Dom Ndre Mjedës, në mes të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit shqiptar dhe Shpalljes së Republikës së Parë shqiptare. Libri tenton të theksojë përpjekjet e shqiptarëve, për të formatuar identitetin kombëtar dhe të personazhit kryesor të librit, Dom Ndre Mjedës, për të ruajtur identitetin personal. Pikërisht për këtë Mjeda u përqëndrua në studimin e gjuhës shqipe, historisë, etnologjisë, folklorit, mitologjisë. Autori, preferon të sqarojë disa nga dilemat, të krijojë dilema, t’i hapë dhe t’i nxisë ato, duke i ftuar studiuesit, që të përfshihen në diskutime, të ndërmarrin gjurmime në arkiva, biblioteka e muzeume.
Mjeda-5 Gjuhëtari. Kjo fazë do të karakterizohet nga një intensitet i lartë i angazhimeve të tij të shumta. Një ndër projektet e tij të vjetra, ishte ngritja e një akademie letrare shqiptare. Mbas përfundimit të ciklit të akademive të kohëve të kaluara, që ai krijoi ose punoi, (Shoqëria Agimi) ai i rizgjoi planet e tij, duke themeluar në Shkodër Shoqërinë Letrare Shën Jeronimi. Ardhja e Mjedës si profesor i gjuhës shqipe, në Seminarin e Jezuitëve, korrespondon me fillimet e revistës “Leka”, si edhe me afrimin e Mjedës pranë saj.
Mjeda-7 Bashkëkohësit. Tek ky vëllim, autori Prof. Quku, përmes gojës së bashkëkohësve të Mjedës, hyn thellë në zemrën e ngjarjeve dhe të jetës së poetit, për të ia paraqitur publikut lexues në mënyrë që gjithçka të shfaqej në vërtetësinë, e me dritë-hijet e veta. E gjithë seria e botuar, dallohet për risi, në metodën krijuese të punës, si dhe për dritën e re, në të cilën paraqitet autori i shquar i traditës sonë, Ndre Mjeda.
Së fundi, theksoj, se seria ose kolana “Mjeda”, u drejtohet studiuesve, studentëve, intelektualëve, por edhe lexuesve të thjeshtë të pasionuar mbas Ndre Mjedës, i cili, mbetet më klasiku, njëherësh, edhe më moderni i autorëve tanë të traditës.
Me Mjedën Prof. Dr. Quku, hyri me dinjitet në elitën e studiuesve më të mirë, duke zënë një vend nderi në krye të kësaj elite dhe sëbashkë me Rilindasin e Madh-Mjeda, pavdeksoi edhe vetën e tij.
* * * * *
Larmia tematike, qasja origjinale dhe shtrirja problemore në tërë hapësirën etnike shqiptare, kanë qenë tiparet dalluesve të kumtesave të sesionit historik.
Një vend të dalluar në punimet e këtij sesioni, ishte portretizimi i figurave të rezistencës sonë antikomuniste mbarëkombëtare, por edhe i familjeve të tyre, kontribut ky që për një gjysmë shekulli nuk u vlerësua drejt nga historiografia shqiptare.
Sikurse u përmend gjatë ligjeratave, u vu theksi në shumë drejtime, mbi kontributin e gruas shqiptare, në lëvizjet antikomunsite, por edhe burgosjet e tortuarat, që u bënë vijueshmërisht nga qeveritë komuniste asokohe.
Me shumë ineteres u ndoqën nga të gjithë ju të pranishëm, përshkrimi i figurave të lënë në harrese, nën dritën e fakteve dhe analizave historike, si për martirët e Atdheut: Marie Shllaku, Kartarina Josipi etj. Nuk u la anash as kontributi i klerit dhe përjekjet, që ai bëri për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, përballë së keqes që po i kanosej vendit, si edhe puna e madhe, që është bërë në mërgim nga shoqatat dhe organizatat e emigracionit të të gjitha periudhave për çështjen shqiptare.
Vetë titulli i Shoqatës “Trojet e Arbërit”, nuk e la anash edhe përfshirjen e çështjes çame, që në ligjeratën historike, u trajtua nga studiuesi i Institutit të Studimeve Çame zoti Ahmet Mehmeti.
Gjatë punimeve të sesionit pati referate, që u vlerësuan edhe për kontributin në qartësimin e nocioneve shkencore, kur flitet për këtë periudhë, si dhe për informacionet e panjohura më parë, që për publikun e gjerë do të jenë me interes.
Sot, sikurse patë edhe ju, ishin të pranishëm përfaqësues të më se 10 subjekteve politike, shoqatave dhe organizatave të ndryshme, si dhe të ftuar të shumtë, në mesin e tyre anëtarë të familjeve atdhetare, që kanë kontribuar për çështjen kombëtare.
Na nderoi me pjesëmarrjen e tij ish Kryeministri i Kosovës zoti Ramush Haradinaj, i cili, përshëndeti punën e madhe gjithkombëtare, që ka bërë për këto 12 vite Shoqata e “Trojet e Arbërit”.
Tashmë edhe ju jeni njohur me disa propozime konkrete, që Prof. dr. Muhamet Shatri, Kryetar i Shoqatës “Trojet e Arbrit”, paraqiti si propozime, drejtuar institucioneve shtetërore në vend. Shoqata jonë ka kërkuar:
1. Instituti Albanologjik i Prishtinës, të marrë emërin në nderim të figurën së shquar të albanologut Prof. Anton Çetta.
2. Instituti i Gjeografisë të marrë emërin e gjeografit të parë shqiptar Profesor Ahmet Gashi.
Ne, duke parë rrethanat kohore dhe gjendjen e sotme të popullit shqiptar, në të gjthë trojet etnike, si Shoqatë përmes n/Kryetarit Mr.sc. Nue Oroshi, kemi hartuar një Memorandum, drejtuar shteteve mike perëndimore, ku, kërkojmë bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të përbashkët, sikurse njihet sot si Shqipëria natyrale…
Në mbyllje, më lejoni të falënderoj nga zemra dy bashkëpunëtorët dhe miqtë e mi, themeluesit e Shoqatës “Trojet e Arbërit” Prof. Dr. Muhamet Shatri dhe historianin dhe politikanin bashkëkohorë, studiuesin Nue Oroshi, i cili, me sukseset e tij po na nderon në politikën gjermane, ku shpesh bën të pranishme çeshtjen e mbarëshqiptare…
Kam nderin, kënaqsinë dhe privilegjin e veçantë, që sot këtu para jush, të falëderoj nga thellësia e zemrës time të gjithë studiuesit seriozë të 12 simpoziumeve shkencore historike, që me punën e palodhur, keni zbardhur dhe ofruar për herë të parë ngjarje, data dhe figura të shquara të çështjes mbarëshqiptare dje dhe sot, të lënë padrejtësissht nën pluhurin e harresës…
Përfitoj nga rasti, që në emër të Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, të falënderoj, atdhetarin e flaktë, njeriun e sakrificave të mëdha, burrin e pamposhtur të burgjeve dhe torturave çnjerëzore të ish Jugosllavisë, zotëri Sabri Novosellën, të cilit Zoti i dha jetë dhe mundësira, që të ndihmoj vijueshmërisht me frymë atdhedashurie aktivitetet patriotike, kudo dhe kurëdo, që e paraqet nevoja.
Sot para jush, po japim lajmin e gëzuar, se radhët e Shoqatës tonë, çdo ditë po shtohen me elementë të rinj, intelektualë dhe studiues të talentuar, që do taçojnë edhe më përpara punën e nisur nga ne të gjithë këtu në këtë sallë.
Të tillë vajza të talentuara plot energji, në fushën e historisë janë studiueset e reja: Mire Prenaj dhe historiania më e re zonjusha Leonora Laçi, njëherazi edhe Sekretare e Shoqatës.
Sikurse tashmë e dini, se Shoqata “Trojet e Arbërit”, sot në dekadën e dytë me 11 libra voluminoze të botuara, s’do të ketë të ndalur deri në realizmin e qëllimit final, që është ëndrra shekullore e çdo shqiptari, Bashkimin e Trojeve Tona në një Shtet të Vetëm…
Mirë u takofshim në Simpozimin e ardhshëm!
Zoti i bekoftë popullin dhe trojet shqiptare!

Filed Under: Histori Tagged With: JUGOSLLAV TE TROJEVE SHQIPTARE, MESAZHET E SESIONIT, SHKENCOR PER RIPUSHTIMIN, Tom mrijaj

AHMET NIJAZI RESNJA KOMANDANT I LEGJIONIT SHQIPTAR

September 4, 2014 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU,
Resnja ! Sjell ndërmend ata vende të bukura,ato male me erë lirie e natyrisht do të ndjehesh krenar. Por krenarinë më të madhe ta falin njerëzit e atyre anëve,ata që u falën atyre viseve,jo vetëm punën,rininë,përpjekjet,por edhe vetë jetën e shtrenjtë,ate që Zoti ta fal veç një herë.Padyshim ndër këta burra të rrallë e fisnikë,Ahmet Nijazi Beu,ka vendin e vet të veçantë.
U lind në Resnjën e bukur,në vitin e largët 1865.Ish djali i parë i Nijazi Beut dhe do të trashëgonte kurdohere emrin e të jatit.Por me një ndryshim.Ate emër të të jatit nuk do ta mbante si relikë por si dëshmi e një trimërie që përcillte nga viti në vit,nga brezi në brez.Brenda atij vizioni përcjellës,janë me dhjetra e qindra ngjarje që ndonëse personale,fitojnë vlera të mëdha ngase pushka ka shkrepur kurdoherë në të mirë të fatit të popullit.
Si të gjithë banorët e atyre trevave,në fillim shkon të studjojë në një shkollë fetare në Resnjë.Gjuha turke i pëlqen,por i jati Nijaziut me mësues privat nis t’i mësojë edhe shqipen.Beu i Resnjës,kërkon kurdoherë që i biri të mësojë në shkollë por të ndjejë edhe përgjegjsinë e të qenurit shqiptar.Kjo frymë do ta shoqëronte Ahmedin e vogël deri në fund,ai do të përshkruante kilometra të tërë udhe,do të vraponte ashtu si ai zogu,vetëm e vetëm për të qenë sa ma pranë Resnjës së tij.Ngase familja është në gjendje shumë të mirë ekonomike,ngase Nijazi beu zotërronte toka të mëdha deri në Strugë,Ahmedi niset për studime në Stamboll.Fytyrëqeshur,me vështrim të thellë si deti,ndërsa vazhdonte shkollën në Stamboll,ai kurdoherë do të jetonte me kujtimet e bukura të vendlindjes. Në Stamboll, shumë miq të Nijaziut donin ta merrnin në shtëpitë e tyre për dreka e darka por djali i Resnjës kishte dëshirë librat,më shumë se sa pushimet e salltanatet.
Në vitet 1886-1889,ndjek akademinë e lartë ushtarake në Stamboll.Tashmë,në vend të atij djalit të vogël që e merrte malli për Resnjën,shohim të rritet një burrë i hijshëm,tepër serioz e korrekt në studime.Ka qejf ti thërrasin Ahmed Nijaziu,duke kuptuar kështu babanë dhe fjalët e tij sa herë ai e përcillte nga Resnja,për në Shkup e Selanik ; „Oficer mundet met ba shkolla.Por shqiptar nana mund veç me t’lind e mandej burri e ka vetë në dorë,mbetet shqiptar apo ka frigë me qenë i tillë“.
E vërtetë është se djemtë e bejlerëve të asaj kohe dikur,i kryenin pushimet e shkollës në vendet më të bukura të Evropës.Edhe Ahmed Nijaziu nuk mund të përjashtohej nga kjo modë.Por nëse të tjerët miq të tij, e kalojnë kohën në dëfrime,trimi i Resnjës,kudo ku shkonte në Evropë,ai hulumton mbi artin Ushtarak të kohës.Njohës i disa gjuhëve të huaja,Ahmedi ka nisur shoqëri me oficerë të tjerë madhorë dhe kurdoherë,në qendër të vëmendjes,në biseda me ta,është organizimi i betejave luftarake të mëparshme,pavarsisht nëse këto i pat kryer Porta e Lartë,apo jo.Me mbarimin e shkollës së lartë ushtarake të Stambollit,për Ahmed Nijaziun,hapen kanat dyert e karierës së luftës.Intuitiv,vizionar dhe me një vullnet të hekurt,trimi i Resnjës komandon për pak vite,disa reparte të ushtrisë osmane në Turqinë aziatike.Emri i mirë si edhe përkrahja që gëzonte, e ndihmojnë mjaftë,por në mënyrë tepër të beftë,një ditë,në fillim të shekullit që lamë pas,ai kërkoi të shërbente në çfardo detyre,me kusht që të ishte në Vilajetin e Manastirit.Pati shqiptarë (në radhët e miqve të vet) që e quajtën të nxituar këtë veprim.Pati që e „këshilluan“ se nuk mund të bëhesh i madh në karierë,kur shërben në atdheun tënd.Por Ahmed Nijaziu,serioz,i prerë,ushtarak gati i lindur sigurisht edhe u largua prej tyre.Kësisoj në fillim të viteve 1900,Ahmedi vjen pranë vendlindjes,me detyrën e rreshterit në korpusin e dytë të Manastirit.Duke qenë pranë familjes,ai jo vetëm është në gjendje t’i ndihmoje asaj,por sigurisht ka nisur të ndjekë edhe fatin e turbullt të Shqipërisë.Nuk është e tepërt ta quajmë të turbullt këtë fat,ngase shpërbërja e Perandorisë Osmane,me ato zhvillime tronditëse pat përshtjelluar fatin e krejt popujve të ballkanit,historia e të cilit ishte e ngjizur përmes tragjedive.Tashmë kann dalë në dritë mjaft dokumenta që provojnë lakminë e fqinjëve ndaj trojeve tona autoktone.Në shkurt të vitit 1903 ishte arritur një marrëveshje austro-ruse për reformat në të ashtuquajturit Vilajete të Maqedonisë.Mënyra se si marrëveshja ish arritur,të jepte të kuptoje se pas rënies së Perandorisë Osmane,do të ishin të tjera perandori që kërkonin të ngriheshin,duke rindarë zonat e gjahut që do gëlltisnin. Po me 1903,në Romë u zhvilluan bisedime kokë më kokë,midis mbretit të Italisë dhe atij të Greqisë ku tema kryesore ishte coptimi i trojeve shqiptare sipas orekseve helene dhe romane.Ajo çka e bënte butaforike këtë marëveshje,ishte pikërisht ideja e shpalosur se donin t’i binin Shqipërisë në emër të luftës kundër turqve …! Sipas kësaj marrëveshjeje grekët vendosnin të shkonin deri në Tepelenë e Pogradec dhe aty kufiri do të vendosej midis grekëve dhe malazezëve që pasi të pushtonin Shkodrën,të merrnin edhe Dibrën.Ndërsa mbreti Italian „ më modest“ pat kërkuar qytetin e Durrësit dhe të Vlorës.
Ahmed Nijaziu,ka nisur tashmë të ndjeje se diçka po lëviz në kahjen e kërkimit të të drejtave për autonomi të bashkëkombasve të vet.Idetë e komitetit,për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të cilën e udhëhiqte në Stamboll Sami Frashëri,radhë pas radhe po hynin edhe në vilajetin e Manastirit.Kishte patur disa konflikte të vogla ( sidoqoftë të armatosura) midis kaçakëve të Ohrit,Dibrës e Prizërenit me disa reparte turke të cilat shërbyen më pas si prelud i krejt ngjarjeve. Ndërsa krejt hapur në kërkesat e tyre,atdhetarët shqiptarë në Sofje e Bukurresht u kërkuan Fuqive të Mëdha : Të lejohen shkollat shqipe dhe kisha shqiptare.Të falen të gjithë shqiptarët e internuar e të burgosur për çështje politike,ose pse kanë kërkuar ushtrimin e lirë të gjuhës së tyre.Të emërohej një shqiptar në komisionin e Reformave në Manastir“.(Arkivi Qendror i shtetit,fond.19,dos.79,fl 3).
Ahmed Nijaziu,tashmë,anipse është në radhët e ushtrisë osmane, e kupton se atdheu i tij do të mund të dalë prej natës së gjatë osmane,vetëm nëpërmjet një lufte të pakompromis me absolutizmin e Sulltan Hamidit.Duke paraparë rënien e shpejtë të Perandorisë dhe orekset sllavo-helene,intuitivisht ai ndjen së afërmi shpërthimin e skajshëm të mërive ballkanike.Tashmë,sarajet e larta e të bukura të tij (janë cilësuar si vepër e rrallë arti në krejt Maqedoninë) mbushen plot njerëz.Në biseda me ta,Ahmed Nijaziu rreket të spjegoje fjalëpakë,situatat dhe sigurisht kërkon besën e parisë së Resnjës,Strugës, Ohrit dhe Manastirit,për të ndërmarrë aksione të përbashkëta nëse lyp nevoja e Shqipërisë.Jo rrallë,në sarajet e tij bujtën edhe trima nga Prespa,Kërçova,Gostivari e Tetova,duke dashur të dëgjojnë tek Ahmed Nijaziu fjalën e atdhetarit e të ushtarakut së bashku..Mendoj se është me vlerë të rikujtosh,se në vitet 1904-1907,Ahmed Nijaziu është bërë i njohur jo vetëm në radhët e burrave të këtyre trevave por edhe në radhët e çetave të komitëve bullgare.Ky bir i Resnjës,natyrisht e kish të qartë se këto çeta kaçakësh mbronin idealet e tyre,por ai parashihte një bashkëpunim të ditës,për të flakur tutje sundimin osman e më tutje rrjedhat historike natyrisht do të shiheshin përmes vizioneve e qëndrimeve të reja në interes të kombit dhe atdheut të shqiptarëvet. Në emër gjoja të Reformës Maqedone,Fuqitë e Mëdha,po gatuanin në vitin 1904 një coptim të Shqipërisë me çrast do të përfitonte sidomos ortodoksizmi i përfaqsuar prej Serbisë,Malit të Zi,Bullgarisë dhe Greqisë.Planet po drejtoheshin me hollësi të tilla,me ç’rast nuk mund të kalonin pa u vënë re prej atdhetarëve shqiptarë.Krahas protestave të shqiptarëve në Stamboll u shtua ndjeshëm edhe fryma nacionale e cila lidhej sidomos me kërkesat për gjuhën shqipe e krijimin e komiteteve të fshehta.Ahmed Nijazi Resnjën, do ta shohim në këtë periudhë,të bëjë propagandë sidomos në radhët e ushtrisë osmane.E vërteta është se asaj kohe,në Vilajetin e Manastirit kish ushtarë me kombësi gjithfarëllojish.Por biri i Resnjës,me ate respekt të jashtëzakonshëm deri për ushtarin më të fundit,pat fituar admirim e krejt efektivave të Garnizonit osman të Manastirit.Jo rrallë,në këtë propagandë për autonominë e Shqipërisë,Ahmed Nijaziu ka pranë Tajar Tetovën,ushtarak,edhe ky me shpirt të vendosur atdhetari për të çuar deri në fund amanetin e madh të Atdheut.Ndërkaq,një komitet i disa burrave shqiptarë,me në krye Ibrahim Temon i dërgojnë Sulltan Hamidit një promemorje duke i paraqitur si në dritë të diellit rreziqet që i kanosen Shqipërisë prej fqinjëve.Në mënyrë shumë të hollësishme,në këtë promemorje,shtjellohen ngjarjet në Vilajetin e Manastirit dhe kërkohen masa konkrete për të shmangur dramën shqiptare. Pos të tjerave,në këtë promemorje kërkohet :
1- „Meqë krahina e imagjinuar sot si „Maqedoni“ (vilajeti i Selanikut,i Manastirit dhe i Kosovës) nuk përbëhet vetëm nga popullsia sllave-maqedone,por nga popuj të ndryshëm,të mos pranohet projekti bullgar i formimit të një province të veçantë maqedonase,në të cilën do të përfshiheshin edhe territoret shqiptare të vilajeteve të Manastirit dhe të Kosovës.Të zbatohen reforma të përgjithshme për të gjitha vilajetet e Turqisë evropiane.
2- Çdo komb të ketë në territoret e banuara prej tij nëpunësit e vet,të vegjël e të mëdhenj, të cilët duhet të njohin edhe gjuhën zyrtare turke.Valiu mysliman ose i krishterë qoftë do të caktohet apo dhe emërohet nga sulltani.
3- Çdo nënpunës do të përgjigjet për detyrën që ka marrë përsipër.Të thjeshtësohet aparati i nëpunësve duke larguar ata që janë të tepërt dhe të mos lejohet shtimi i vendeve të reja.
Xhandarmëria,që është brumi i arbritariteteve të vihet nënkontrollin e prefektëve,ndërsa gjatë fushtave ajo të shoqërohet nga oficerët rezervistë dhe nga nënprefekti.Kjo masë do të forconte mbikqyrjen mbi veprimet e xhandarmërisë dhe do të shmangte shpërdorimet e dhunimet.Po këtu,përfshihej edhe pagesa e rregullt e rrogave mujore të nëpunësve.
4- Të hiqen nga duart e klerit shkollat e huaja,që janë burim i përçarjes midis popujve dhe vihen nën kontrollin e shtetit.Këto do të kthehen në shkolla të përziera,ndërsa mësimi në to do të jetë i detyruar.Kjo masë do të jetë e pranueshme edhe për grekët e bullgarët që i kontrollojnë këto shkolla“.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi 19, dosja 18, fletët 92-93 ).
Në janarin e vitit 1908,u duk se fitorja e Turqve të Rinj,do të ishte mjaft e shpejtë.Kudo nëpër vendet ballkanike,po përgaditeshin kryengritje kundër absolutizmit të sulltan Hamidit dhe njerëzit besonin se me rrëzimin e tij,për ta do të niste një jetë tjetër.Ishte kjo arsyeja që në përkrahje të politikës së turqve të rinj,ishin tashmë shqiptarët që luanin një rol të rëndësishëm.
Ahmed Nijazi Resnja,tashmë ka dalë hapur në krye të trimave shqiptarë të Strugës,Ohrit,Manastirit,Resnjës e Prespës.Mandej burra të armatosur prej Këçove,Tetove e Shkupi ishin futur nën urdhërat e tij duke paraparë ushtarakun e talentuar e prijësin trim të popullit.Ai ka bashkëpunuar ilegalisht në komitetet e Fshehtë të Shpëtimit kombëtar duke ndihmuar jo vetëm me eksperiencën,por sidomos me reputacionin e madh që gëzonte në krejt trevat e Maqedonisë Shqiptare.Fehmi bej Zavallani,Shahin Kolonja dhe Tajar Tetova,do të ishin ndër bashkëpuntorët e ngushtë të birit të Resnjës,në pranverën e vitit 1908.Vlen të përmendet fakti që në mjaft tubime,Ahmed Nijazi Resnja u shpreh haptas se ishte kundër taksave të rënda që popullsia e këtyre trevave ( ashtu sikundër e gjithë Shqipëria) duhej t’i paguanin Portës së Lartë.Edhe pse ai kish ardhur nga një familje e pasur,edhe pse zotëronte toka të mëdha,e vërteta është se Ahmed Nijaziu,jetoi kurdoherë me shqetsimet dhe varfërinë e kombit të vet.Ngase ishte kundër politikës turke të taksave,natyrisht,në krah të tij u radhitën qindra fshatarë të atyre trevave,të gatshëm për të luftuar nën urdhërat e birit të tyre.Ndërkaq,në viset e Maqedonisë Shqiptare,kanë filluar të ngrihen me shpejtësi të madhe komitetet „Bashkim e Përparim“.Në to u rreshtuan jo vetëm fshatarët por sidomos punonjësit e administratës e sidomos ushtarakët e garnizoneve osmane.Ahmed Nijaziu,duke ndjekur me vëmendje situatën,përkrah fuqimisht komitetin „Bashkim e Përparim“(Xhemijetin-e.sh.) të Manastirit dhe rreket të propagnadojë se vetëm në radhët e këtyre organizatave,të bashkuar e të udhëhequr prej nacionalizmit të ndershëm,shqiptarët do të mund t’u bëjnë ballë lakmive të monarkive ballkanike. Rrjedha e vrullshme e ngjarjeve në Vilajetin e Manastirit,natyrisht do të ndikohej së tepërmi edhe prej kuvendit të Ferizajit.I përgaditur prej atdhetarëve e burrave të Kosovës,ky kuvend,do të shënonte të parën besëlidhje shumëdimensionale të shqiptarëve si ai i Dibrës.
Në këto momente të mbarsura me ngjarje kaq të mëdha,shkëlqen edhe një herë mendimi vizionar i Ahmed Nijazi Resnjës.Ani pse,ai mban gradën e majorit në ushtrinë osmane,anipse e dinte se pat filluar të ndiqej prej hafijeve të Portës së Lartë,ky komandant i sprovuar e atdhetar i vendosur,do të çonte peshë zemrat e bashkëkombasve të vet,me jetën,veprën dhe fjalën e tij.Ndofta është me vend këtu të përmendim midis fjalëve të shumta,të atyre tubimeve luftarake,ate të mbajtur në Llabunishte të Strugës,në pranin të mijëra shqiptarëve.
Duke folur mbi ato tmerre që Shqipëria kish hequr në pesë shekuj sundimi,biri i Resnjës,pa asnjë dyshim,pohonte se vetëm kryengritja e armatosur,do të ishte ajo që do të mund të flakte tutje rrobërinë.Pos të tjerave,në këtë fjalë Ahmed Nijazi Resnja,do të kumtonte ; „bullgarët kërkojnë Ohrin,Dibrën,Shkupin,Selanikun.Grekët duan Manastirin, Prilepin dhe Stambollin gjer në Ankara.Ne duhet të zgjohemi patjetër sepse përndryshe,Atdheun tonë do ta coptojnë armiqtë dhe do të hakmerren keq me ne.Do të zhdukin çdo gjë që është e shëndoshë.Do të na vënë në kokë kësula serbe… do të na i dhunojnë gratë dhe motart tona.Neve do të fitojmë nëse i japim besën se do të luftojmë gjer në pikën e fundit të gjakut… Më mirë të vdekur me nder,se sa të gjallë e me turp“.(Dr.Reshat Nexhipi,“Shtypja e Rezistencës shqiptare në Maqedoni“ faqe 177).
Ndikimi i fjalës së Ahmed Nijazi Resnjës,ishte tepër i madh në krejt banorët e Vilajetit të Manastirit.Për më tej,ky ndikim u shtri edhe në repartet e ushtrisë turke të këtij vilajeti,të cilët kryesisht përbëheshin prej shqiptarëve.Aq i madh ishte ky ndikim,aq e madhe ishte simpatia e ushtarëve për majorin e Resnjës,saqë,në fillim të muajit qershor 1908,me qindra ushtarë të reparteve turke në Tetovë,Gostivar dhe Veles nuk pranuan t’u binden urdhërave të eprorëve të tyre osman.Pas kësaj,edhe në garnizonin e madh të Shkupit,ushtarët me kombësi shqiptare,hodhën armët dhe kërkuan të kthehen një orë e më parë në shtëpitë e tyre.Ngjarjet në repartet e ushtrisë,të cilat deri në ate kohë mbaheshin si të vetmet shtylla të Perandorisë,rezonuan edhe në shpërthimin e revoltave të tjera të banorëve të këtyre trevave,sidomos në pikëpamje të arësimimit në gjuhën shqipe. Kësisoj për të ardhur deri në datën e 3 korrikut 1908. Pikërisht në këtë datë,në krye të batalionit që komandonte,Ahmed Nijazi Resnja le garnizonin duke dalur hapur,si kundërshtar absolutizmi gjkatar të Sulltan Hamidit.E vërteta është se u desh vetëm një fjalë e tij,nga ato fjalë që ngrenë peshë zemrat,dhe krejt batalioni me brohoritje gjemoi njëzëri. „NA PRIJ NIJAZI BEJ !”.
Ushtaraku i sprovuar e kuptoi se pas këtij rebelimi,do të merreshin masa të rrepta e shtërnuese të Portës së Lartë,ngase këtu kish ngjarje me rebelime të tjera,në të tjera vende.Për këtë,ai që në fillim e trajtoi efektivin e batalionit ushtarak,jo si mjet mbrajtëse për sarajet e veta,por së pari për të mbrojtur popullin e atyre visive ndaj dhunës së pushtetit vendor turk.Kjo i frymëzonte ushtarët e tij, të vraponin në çdo vis të Vilajetit të Manastirit për të pëmbushur detyrat e për të ngritur në këmbë popullin që goditej për fortunat që e prisnin.Ngase veprimet e batalionit të Ahmed Nijaziut,ishin në sinkron të plotë me idealet e popullit tonë të shtypur,brenda pak ditëve ishin rreth 3000 vetë të armatosur që prisnin veç një fjalë të birit të Resnjës,për t’u hedhur në luftë. Kështu,në ditët e para të korrikut, në Vilajetin e Manastirit,garnizoni osman thuajse u shpërbë.Armët kaluan të gjitha në duart e kryengritësve dhe pushteti vendas po ashtu.Orë pas ore,me qindra kryengritës,regjistroheshin në çetat vullnetare duke dashur të jepnin edhe jetën për pavarsinë e trojeve amtare.Por jo vetëm në Vilajetin e Manastirit.Edhe në Kolonjë,Korçë e Starovë,çetat kryengritëse,të udhëhqura prej Shahin Kolonjës,Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos,patën shkaktuar rebelime të mëdha madje ishin në pozita lufte me forcat e garnizonit osmane.Ndërsa në malësitë e Dibrës,çeta e trimave të Elez Isufit përgaditej të sulmonte ushtrinë e Portës së Lartë.Ngase armata e III e Manastirit pothuajse e humbi misionin e saj,ngase granizoni i Shkupit kish rënë pothuaj në dorë të klryengritësve shqiptarë,ngase Tetova,Kumanova,Struga,Gostivari e Kërçova po mbushnin radhët e çetave të vetëmbrojtjes popullore nën komandën e Nijazi Resnjës,Ministri i luftës i Stambollit,nisi urgjentisht për aty,gjeneralin Shemsi Pasha.Pa dashur të mohojmë të vërtetën,Shemsi Pasha ishte në fakt një gjeneral kariere dhe pat fituar shumë luftëra,në disa vende ku pat sunduar perandoria Osmane.Por lavdia e tij,humbi aq papritur në tokën arbërore.Me të mbëritur në Manastir ai u vra nga Atif Beu,miku i ngushtë i Ahmed Resnjës,me ç’rast kur e goditi i tha se ishte vendimi i shtabit të kryengritjes.Atentati shërbeu si një pregaditje dhe drejt vilajetit të Manastirit tashmë u nisën forca të mëdha osmane.Sidoqoftë,ende pa mbëritur aty makina luftarake osmane,për të marrë sadopak në duar situatën,ministri turk i luftës dërgon në Manastir marrëshallin Osman Pasha.Ky njihej si “dorë e hekurt” e ushtrisë ngase kudo ku pat sunduar,pat bërë krime të panumërta.Por edhe shkëlqimi e lavdia e këtij marëshalli,u tretën e venitën përpara zemërimit të kryengritësve.Me vendim të komitetit të fshehtë të Manastirit,Osman Pasha u kap në befasi dhe duarlidhur u mbajt peng për disa ditë.”Këtë atentat e kreu çeta e Ahmet Nijazi Beut,që e çoi ate në pyje”.Arkivi Qendror i Shtetit,fondi 19,dosja 21 , fleta 7 ).
Lëvizja e madhe e korrikut 1908, e cila përfshiu në vetvehte dhjetra mijëra shqiptarë,çoi tek e mbramja në dorëzimin e Portës së Lartë.Sultani u detyrua që në ag të datës 24 korrik të shpallte kushtetutën reth së cilës maernin udhe shpresat e mijëra shqiptarëve.Në këtë akt madhor të popullit tonë,i cili u ngrit për të luftuar absolutizmin e kalbur e për të fituar pavarsinë e tij,roli i Ahmed Nijazi Beut,është padyshim i madh.Në këto ngjarje epokale,sigurisht,biri i Resnjës,mbetet protagonist i shpirtit të revoltës,mbetet klithma e parë e lirisë, e dalë prej gjoksit të tokës arbërore,pas pesë shekujsh sundimi.Kur disa mijëra shqiptarë shkuan në Shkup,kur rrugët e këtij qyteti i mbushën prej thirrjeve të gëzuara,natyrisht edhe fortesat e fundme të garnizonit osman ranë.Nijazi Resnja,së bashku me çetën e tij,iu drejtuan burgut të Shkupit ku ndodheshin të burgosur qindra shqiptarë,për bindjet e tyre politike.Të burgosurit dilnin në liri ndërsa turmat entuziasiste thërrisnin për birin e Resnjës.Jehona e ngjarjeve të korrikut,përshkroi tej e më tej viset shqiptare.Ajo ishte jo vetëm jehonë por edhe shpresë që kërkonte ringjalljen.Shtypi shqiptar i kohës,lidhur me ngjarjet e korrikut, e veçmas me rolin e ushtarakëve shqiptarë shkruante :
“Taboret që u ngritën,ishin tabore prej shqiptarësh,krerët kryengritjes,Enver beu dhe Nijazi beu,ishin shqiptarë dhe telegramin që e dërguan prej shkupit dhe e bindi Sulltanin ta apë konstitucien,u dërgua prej shqiptarësh”.(Gazeta “Dielli” Boston , gusht 1908 ).
Menjëherë pas kthimit nga Shkupi,Ahmed Nijazi Resnja,organizon formacionet vullnetare shqiptare me ç’rast vetëm në Manastir arrin 7 mijë burra.Më tej,këto formacione vullnetare u organizuan edhe në Dibër,Gostivar,Tetovë e Kaçanik duke marrë emrin “Legioni Kombëtar”. Në krye të këtij legjioni,shkëlqeu guximi,trimëria dhe besnikëria e birit të Resnjës.Në krye të këtij legioni,Ahmed Nijazi Resnja,do të vihej disa javë më pas,në mbarëvajtjen e Kongresit të Manastirit. Pa hyrë në detaje të këtij Kongresi,duhet thënë se ai shënoi startin e parë prej nga muarrën fluturimin e tyre dallëndyshet,shkollat e para shqipe.Duke e vënë armën e tij,në shërbim të diturisë së kombit,tek e mbramja,biri i Resnjës,tregonte tejpamësinë e idealeve të veta.
Ndërsa një vit më pas,në kongresin e Dibrës,më 24 korrik të vitit 1909,ai burrë që pat shkrehur pushkën e parë kundër sulltanit (1 vit më parë) tashmë ulej në karrigen e delegatit të këtij kongresi. Biri i Resnjës,në këtë kuvend të gjuhës dhe ardhmërisë sonë kombëtare,përfaqsonte komitetin “Bashkim e Përparim” të vilajetit të Manastirit.Fjala e tij në këtë kuvend,peshonte mjaft ngase brenda saj,ishin ende të gjalla emocionet e kryengritjes madhore shqiptare.Ç’prej kësaj ngjarjeje, e derisa mbylli sytë Ahmed Nijazi Resnja,mbeti komandant i parë i Legjionit Kombëtar.
Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: AHMET NIJAZI RESNJA, Eugjen Shehu, I LEGJIONIT SHQIPTAR, komandant

Arkitekti qe projektoi Tiranen moderne

September 2, 2014 by dgreca

Ne Foto: Gherardio Bosio*/
Korpusi qendror i Universitetit të Tiranës, që shënon fundin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Akademia e Arteve, Kolonada me Institutin Arkeologjik, Stadiumi (sot Qemal Stafa), Kryeministria, Hotel “Dajti”, Pallati i Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, si dhe trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj., janë vepër krijuese, monumente kulture dhe realizime të arkitetit të shquar italian, Gherardo Bosio, në fundin e periudhës zogiste dhe sidomos në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë.
Në planet për Shqipërinë, iu ngarkua Bosios të strukturonte në letër dhe më pas konkretisht në terren, planimetrinë e një kryeqyteti, nga më të rinjtë e Evropës, Tiranës. Dhe ai e kreu këtë punë për një periudhë prej mëse dy vjetësh.
Bosio la pas vepra të dukshme, të prekshme me vlera unikale urbanistike dhe artistike, që ia vlen, në mos më shumë, të paktën një përmendore ose një emër në një nga punët e tij në qendër të Tiranës.
Kush ishte Gherardio Bosio
GherardioBosio rridhte gjenitikisht nga një familje e pasur bankierësh dhe ushtarakësh fiorentinë. Që në hapat e parë të jetës, me simptoma të theksuara artisti në shpirt, ai pa me vëmendje dhe studioi në thellësi kryeveprat e rilindësve të medhenj italianë, duke menduar për t’i risjellë në një mënyrë të re të përshtatur me kohët moderne. Që në vitet ’20 të shekullit të kaluar, ai deklaroi se “nuk mundemi të jemi kaq miopë, sa të mos vëmë re shpërthimin e fuqishëm tani të një pranvere arti, të çliruara prej konopëve mbytës të imitimit e të formulave boshe”.
I ndërgjegjshëm për tërmetin që arti dhe arkitektura moderne po shkaktonin në “botën e vjetër” dhe militant i estetikës së re, sipas së cilës çka nuk është funksionale nuk mund të jetë e bukur, Bosio i ri shkruante se “po shpërthen një arkitekturë që dashunon ajrin dhe dritën, që beson në luksin dhe thjeshtësinë…e që beson më tepër në fuqinë shprehëse të një dige racionale, se sa në atë të një harku triumfi”.
Duke iu drejtuar botës, Bosio deklaronte për ndërhyrjet në zemër të Firencës historike, se këto vepra do të shërbenin “si furnizuese të fuqishme oksigjeni, të afta për të ringjallur frymëmarrjen astmatike të arkitekturës fiorentine”.
Bosio, themelues i grupit të kryesuar nga Micchelucci, punoi me vepra të mëdha urbanistikie në Adis-Abeba, Gondar, Dessié, Gimma, Rieti, në Amerikën Latine e Tiranë. Në këtë mënyrë ai i përket kryekëput brezit të arkitektëve që mbaruan universitetet në vitet ‘26-‘27 të shek XX dhe që kërkonin jo vetëm një “rregull të ri”, por, në emër të një “international style”, edhe “heqje dore nga individualiteti krijues” në emër të një homogjeniteti kulturor të ri që ende nuk e kish fituar betejën ndaj klasicizmit.
Vështirë se mund të gjendet në krejt historinë e arkitekturës botërore një aktivitet më intensiv dhe realizime më të mëdha se ato që Gherardo Bosio zhvilloi në Shqipëri. Nuk do harruar se e gjithë puna e tij në Tiranë u bë vetëm për një vit e gjysmë: Gusht 1939 – Mars 1941. Nuk do shpërnjohur edhe se viti i fundit i jetës së tij ishte një vit i ndarë mes punës, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe dhimbjeve të sëmundjes së pashërueshme që i kish zënë pritë.
Bosio vdiq nga kanceri në moshën 38-vjeçare, më 16 prill 1941, në vilën e tij të Montefontit në Firence. Vdiq si hero duke punuar mbi projektet e Shqipërisë deri në orën e mbrame. Ai e kish kuptuar fatin e tij dhe se nuk kishte rrugë tjetër për të përfunduar atë sasi të tmerrshme projektesh, përveçse duke e mbajtur të fshehte nga familja dhe kolegët sëmundjen grykëse që po e vinte poshtë. Familjarët morën vesh se kish thuajse një vit që kurohej, vetëm kur ai u kthye në shtëpi për të mbyllur sytë.
Ai la pas atë që kritiku Cresti e përmbledh me fjalët: “Gherardo Bosio i jetoi me hov krijues të padiskutueshëm eksperiencat e tija projektuese e realizuese, krejtësisht i vendosur, ndonëse në pak kohë, për të lënë pas shenja konkrete dhe të çmuara të një profesionalizmi shembullor plot etikë dhe kulturë”; por, për ne shqiptarët, ai la pas një Kryeqytet.
Bosio në Tiranë
Idetë e Bosios mbi konceptimin dhe ndërtimin e qyteteve të parandorisë, nuk kishin kaluar pa rënë në sy të Mussolinit. Për këtë, në prill të 1938-ës ai i dha një audiencë të veçantë arkitektit, ku dëgjoi prej tij eksperiencën e ngritjes së qyteteve të reja në Afrikën Lindore. Bosio e kish marrë miratimin zyrtar. Tashmë ai kishte një status të rëndësishëm si urbanist dhe një mbështetje (jo vetëm potenciale) për të vijuar punën e vet në shkallë të gjërë.
Kur vuri këmbë në Tiranë në korrik të 1939-ës, ai ishte sakaq këshilltar i parë dhe drejtor i Zyrës Qendrore të Edilicjes dhe Urbanistikës. Pikërisht themelimin e një strukture të tillë i pat kërkuar Beninit në takimin e prillit në Romë. Zyra në fjalë, e krijuar nga Bosio, kishte një funksion tejet të centralizuar; ajo ishte një organizëm qendror që administronte, nën direktivat unitare të një arkitekti, të gjitha planet rregulluese të qyteteve të Shqipërisë, por në funksion të saj ishte dhe “kontrolli i aktivitetit ndërtimor e privat në lokalitete të ndryshme të vendit në mënyrë që të mund të mundësohej zhvillimi racional, homogjen dhe i rregulluar me ligj”.
Respekt për traditën
Ky është motivi që Bosio në projektimin e Planit Rregullues të Tiranës propozonte që të ruhej krejtësisht bërthama e vjetër e qytetit “për të mos humbur gjurmët e qytetit të vjetër mysliman”, dhe Tirana e Re, ndonëse projektohej me kritere perëndimore, duhej të ruante në tërësi dhe të fuqizonte me impaktin e saj karakterin e brishtë të “qytetit kopësht”, të cilin për arsye social-historike Tirana për fat e kishte. Ky respekt i Bosios për traditën vendase edhe në urbanistikë, nuk ishte dhe aq karakteristik për të. Respekti ndaj traditës, pa tradhtuar idealet e racionalizmit dhe të funksionalizmit në urbanistikë, iu forcua në Shqipëri.
Këtu ai, ndonëse kishte një pushtet shumë të madh në funksionin e tij (si kryearkitekt i vendit), nuk veproi si në planet rregulluese që i kishin dhënë famë në Afrikën Lindore Italiane, popullatat e së cilës i konsideronte të paqytetëruara dhe primitive. Veç Tiranës, pa humbur kohë Bosio filloi drejtimin e punës për planet rregulluese të Shkodrës, Milotit, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës e Sarandës, duke u përqendruar më së tepërmi në ato të Vlorës dhe Elbasanit.
Për fat të keq këto plane, shpesh tepër të detajuara, jo vetëm nuk u zbatuan, por u harruan qëllimisht.
“Arkitektura fashiste”, etiketë absurde
Gerardio Bosio nuk njihet nga shqiptarët. Emri i tij gjendet vetëm nëpër arkiva, ndërsa i publikuar njihet si “arkitekti fashist Gherardio Bosio”, vetëm e vetëm pse ai punoi në periudhën fatkeqe të gabuar. Ai nuk njihet nga arkitektët tanë, pasi nuk bëhej në shkollë, se ishte “fashist”, një mendësi shqiptare që vazhdon edhe sot në politikën dhe shtetin shqiptar. Etiketa absurde “arkitekturë fashiste” penalizoi jo vetëm ndërtesat e realizuara, por edhe idetë revolucionare të Bosios në urbanistikë dhe u censurua pa kuptim studimi i tyre në Universitet.
Përsa jetoi regjimi komunist, qe e ndaluar që brezat e arkitektëve të rinj të dinin përsenë e kapërcimit kulturor që Bosio i bëri Brasinit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kapërcim që la pas citimet dhe stilet manieriste apo të rilindjes europiane për tek linjat e pastra të një racionalizmi reduktivist. Për dhjetëvjeçarë të tërë vepra e arkitektëve italianë në Shqipëri, por veçanërisht ajo e Bosios, u la në harrim, duke mbërritur në një degradim të skajshëm deri ditën kur projekti “kthim në identitet” do t’i vinte ato nën vëmendjen e opinionit, siç fjala vjen, tashmë me sheshin “Nënë Tereza”.
Vepra të arkitektit Bosio në Itali
Restaurimi dhe zgjerimi i Villa La Pietra (Acton Villa), Firence; projekti memorial i Kristofor Kolombit në Santo Domingo; Arredim mobilim në Dhomën e Mikpritjes të Federatës për Lëvizjen e të Huajve Toscana, Firence; restaurim Casa Uzielli, Firence; restaurim i Kishës së Motrave Blue, Firence; projekti i shtëpisë së pleqve në Firence; House Traballesi, Firence; villa Ginori Conti; Cerreto Pomarance; Institutit Italian i Kulturës, Budapest; Casa Della Gherardesca, Firence; Master Plani Dessie AOI në 1936, produksion në Ekspozitën Kombëtare të Shtatë Mjeshtërive, Firence.
Vepra të arkitektit Bosio në Tiranë
Puna e Bosios në Tiranë është një akt heroik i paprecedent; përveç planeve urbanistike, vetëm në Tiranë ai realizoi Universitetin, Akademinë e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, Stadiumin (sot Qemal Stafa), Kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, Casa del Fascio, Tiranë, si dhe skicoi trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar, etj.
Bosio dhe “kulla shqiptare”
Që në Firence, si pedagog i vizatimit dhe i restaurimit në universitetin e këtij qyteti, kishte njohuri bazë për atë pjesë të trashëgimisë arkitekturore shqiptare që paraqiste më tepër elemente racionale në vetvete. Duke lënë mënjanë skemat orientalizuese të trashëgimisë osmane në vend, Bosio u përqendrua në impaktin dhe figuracionin që “kulla” malësore kish paraqitur për shekuj dhe në ligjërimin e tij të ardhshëm arkitekturor do ta përdorë me sukses një element të tillë kaq përfaqësues për Shqipërinë.
Në këtë frymë ai, në bashkëpunim me P. N. Berardin, ndërton Pavionin e Shqipërisë në Fiera del Levante të Barit duke konceptuar një volum arkitekturor në trajtë të një paralelopipedi kompakt dhe ku nëpërmjet përdorimit të gurit shfaq në këtë pavijon një cilësi fortifikuese duke rivendikuar “kullën shqiptare”, por të trajtuar me çelës modern. Të njëjtën gjuhë arkitekturore, por të emfatizuar sipas një monumentaliteti të shkëlqyer, Bosio fillon të projektojë që në 39-ën edhe Pallatin e Fashos (sot korpusi i Universitetit të Tiranës). Ky objekt, ndryshon rrënjësisht jo vetëm nga Pallati i Kolonadës dhe i Akademisë së Arteve (siç i quajmë sot), por edhe nga Kryeministria dhe akoma më tepër nga Pallati i Brigadave.
Pavarësisht nga kritika ndërkombëtare, jemi të mendimit se kemi të bëjmë jo dhe aq me një kompromis të Bosios drejt formave tradicionale – që në fund të fundit sot kjo nuk konsiderohet më një gabim – por me një qëndrim ndaj regjimit. Në këtë periudhë në Itali, racionalizmi filloi të revizionohej dhe grupimet e arkitektëve në trysninë ideologjike po flisnin gjithnjë e më tepër për një racionalizëm me individualitet dhe jo internacional. Kjo, e thënë me fjalë të tjera, ishte t’i hiqje bazën filozofike krejt lëvizjes moderne e cila kish lindur bash si një international style. Kështu Bosio, që në veprat e tij të fundit në Shqipëri, po prirej gjithnjë e më tepër drejt një skematizimi dhe një purizmi abstrakt, fort i rrallë edhe në arkitekturën italiane të kohës, bën një përjashtim me projektin e Pallatit të Fashios që i shërbente për të marrë licencën e një lirie të skajshme në projektimin e objekteve të tjera të sipërcituara (të gjitha vepra të tij – me ose pa bashkëpunim – përfshirë këtu edhe Stadiumin dhe hotel “Dajti”). Por edhe ky “lëshim” ndaj një monumentalizmi neoimperial dhe figuracioni tradicional që luhatet mes renesansës italiane dhe mesjetës shqiptare, nuk bëhet pa një kriter vetjak.
Që në të ritë e tij Bosio kur fliste mbi raportin mes modernes dhe traditës theksonte se ai ishte për “një arkitekturë të gjallë, që pulson, që paraqet bukurinë e harmonive rioshe larg atyre që quhen proporcione tradicionale…por që identifikohen me bukurinë që mund të krijohet nëpërmjet teknikave të reja, që nuk ecën me kokën mbrapsht dhe sytë e fiksuara në të kaluarën, por sheh përpara dhe vetëm ndonjëherë ndalon për t’u përkulur me respekt mbi veprën e paraardhësve tanë”.
Të veçantat e punës së Bosios
Me një punë intensive në veprimtarinë e Bosios ndihet fryma artistike e fillimit të shekullit të 20-të. Ai projektoi dhe solli në një formë të re dhe moderne vepra në stil të renesansës (1927), neoklasikes (1928), manierizmit (1929), artit nouveau (1930), Bauhausit (1931), ekspresionizmit (1932), racionalizmit (1933), futurizmit (1935). Pas këtyre kalesave kaq të shpejta e mahnitëse, ai ndaloi, në vitet 29-30, tek “stili ndërkombëtar”, të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, udhëhequr prej bindjes së Sant’Elias se “në jetën moderne procesi i zhvillimeve stilistike në arkitekturë ndalon. Arkitektura shkëputet nga tradita dhe rifillohet doemos nga e para”.
Ndryshe nga në Gjermani, në Itali fashizmi toleroi dhe la “dorë të lirë” në art. Në këtë klimë i ra të punonte edhe Bosios si artist, si arkitekt dhe si urbanist. Ai do të shfaqej me talentin e tij sidomos në punimet e Tiranës, të cilat shënojnë dhe pjesën e fundit të aktivitetit të tij në atë jetë të shkurtër që pati.
Rikthimi i bulevardit në identitet, Bosio, një “lexim mes rreshtash”
Sheshi “Nënë Tereza” para godinës qëndrore të Universitetit të Tiranës këto ditë po kthehet në identitet, njëlloj siç është projektuar dhe ndërtuar nga arkitekti italian Gerardio Bosio. Rikonstruktimi i këtij sheshi dhe ruajtja e vlerave të dikurshme të tij janë në një farë mënyre edhe një homazh nderimi për atë që e projektoi dhe e ideoi, Bosion e famshëm. Dhe si për ta përligjur vjen edhe një ogur i mirë, në këtë shesh që mban edhe emrin e Nënë Terezës, do të mbahet mesha e Shenjtë në Ditën Botërore të Paqes nga Papa Françesku, në vizitën që ai do të organizojë në Tiranë gjatë këtij muaji.
Nuk e dimë a do të nderohet dhe përmendet edhe Bosio në këtë rast, sidoqoftë do të qe gjëja më e mirë që do të bëhej. Por edhe po nuk u bë, emri i tij “lexohet midis rreshtave”, në fasadat e godinave dhe shkallareve për rreth.
Me eliminimin e “kolonave”, lokaleve për rreth, shatërvanit, ky shesh do të ketë konfiguracionin e dikurshëm.Ndërhyrjet rehabilituese parashikojnë nivelimin e sheshit qendror koherent me kontekstin arkitektoniko-urbanistik të projektit fillestar. Shkallaret që rrethojnë sheshin do të restaurohen tërësisht, pjesët e munguara të travertinave do të zëvendësohen me të njëjtin material dhe trotuaret do të plotësohen me mozaikun e veshjes sipërfaqësore. Fasadat e objekteve që ballafaqohen me sheshin do të pastrohen plotësisht. Objekteve të Universitetit Politeknik të Tiranës, Akademisë së Arteve, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Rektoratit do t’u kthehet hijeshia e pamjes së tyre fillestare.
Janë duke u mbjellë pemë dekorative të larta, ndërsa ndryshime pritet të pësojë edhe ndriçimi në këtë shesh. Në këtë punë madhore është përfshirë edhe Pallati i Kongreseve, i cili do t’i nënshtrohet restaurimit gjithashtu .
PS:E dergoi per DIELLIN: Bardhyl SELIMI/

Filed Under: Histori Tagged With: Arkitekti qe projektoi, Bardhyl Selimi, Gherardio Bosio, Tiranen moderne

Sanxhak: 70 vjetori i krimeve komuniste

September 1, 2014 by dgreca

Më 4 shtator 2014 shënohet 70 vjetori i krimeve të tmerrshme të kryera nga autoritetet komuniste ndaj popullatës myslimane të Pazarit të Ri. Edhe pse në mesin e viktimave ka pasur shumë shqiptarë, ky përvjetor po mbahet pa pjesëmarrjen e tyre./
Shkruan: Ismet Azizi/
Përgatitjet për shënimin e përvjetorit të këtij gjenocidi filluan me pastrimin e Vakëfit “MEARIF “ në Haxhet, lagje e Pazarit të Ri, ku do të mbahet manifestimi. Përndryshe, Bashkësia Islame e Sanxhakut, në bashkëpunim me Lëvizjen e Bashkësisë Kulturore Boshnjake të Sanxhakut, të enjten (4 shtator) do të organizoj Marshimin në Haxhet. Qytetarë nga viset e ndryshme të Sanxhakut, për fat të keq jo edhe nga Kosova, do të mblidhen në sheshin e Gazi Isa Beut në orën 13:30, nga do të nisen në Marshimin drejt Vakufit “Mearif” në Haxhet, ku do të këndohet Jasin dhe lutje për të gjithë dëshmorët (shehitët), transmetojnë mediat e shkruara dhe ato elektronike në Sanxhak.
Nga Lëvizja e Bashkësisë Kulturore Boshnjake e Sanxhakut me këtë rast foli Presidenti i BKB Admir Muratoviq. Ai ndër të tjera tha: “Ky vend në të cilin gjendemi ka qenë skena e ekzekutimeve masive, për fat të keq në këtë vend është varreza masive e boshnjakëve të vrarë. Opinionit të gjerë ia përkujtojmë se nga nëntori i vitit 1944, deri në fillim të vitit 1946, me veprim të shpejtë, pa të drejtë mbrojtjeje juridike, u ekzekutuan mbi 2000 boshnjakë, kryesisht elita boshnjake e kësaj periudhe”.
Muratoviq gjithashtu vuri në dukje se: “Ai i cili nuk ka ndërgjegje, nuk ka të drejtë për një të ardhme të ndritur. Në këtë kontekst ne sot, falë aktivistëve të BKB, kemi dalë këtu për ta pastruar këtë hapësirë dhe ta përgatisim për shënimin e 4 Shtatorit- Ditën e Dëshmorëve, kur do të mbahet Marshimi tradicional në Haxhet.
Profesori Muratoviq falënderoi të rinjtë të cilët kanë kontribuar në fillimin e kremtimit të kësaj ngjarje historike, shumë të veçantë, siç tha ai për Boshnjakët, duke mos përmendur se shumica e të ekzekutuarve në këtë vend ishin shqiptarë në krye me Aqif Blytën.
Në hapësirën e Vakufit “ Mearif” ishte edhe Asmir efendi Crnovrshanin i cili ndihmoi që aksioni për pastrimin e kësaj hapësire të zhvillohet në mënyrë sa më të mirë. Me këtë rast ai bëri thirrje dhe tha: “Jemi këtu që ti përkujtojmë qytetarët tanë më të respektuar të Novi Pazarit”. Vlen të përmendet se Crnovrshanin nuk bëri ndonjë dallim sa i përket përkatësisë nacionale të viktimave.
Edhe aktivistët e rinj, të cilët morën pjesë në këtë aksion, thanë se me dëshirën më të madhe iu përgjigjen thirrjeve të tilla, dhe në këtë mënyrë, të jemi shembull për bashkëmoshatarët tanë.
Në mesin e aksionistëve kishte edhe nga radhët e profesorëve të Universitetit Ndërkombëtar, siç ishte profesori Mustafa Fetiq.
“Do të doja që në të ardhmen vetëdija e qytetarëve, boshnjakëve dhe e myslimanëve të jetë në at nivel që mos të presin që të ftohen, por kur do që të dëgjojnë apo vërejnë se ka një aksion i tillë, si rregullimi i hapësirës së Vakufit, apo xhamive, objekteve të tjera që iu shërbejnë popullit, të marrin pjesë pa pritur thirrje nga askush.”
Bashkësia Kulturore Boshnjake dhe Bashkësia Islame e Sanxhakut fton qytetarët që me 4 shtator 2014 të vijnë në Vakufin “Mearif ” në Haxhet që së bashku të këndohen lutje për viktimat e komunizmit.
Dita e Marshimit në Haxhet është përcaktuar para katër viteve. Popullata e Sanxhakut, nën udhëheqjen e prijësve fetar, më 4 shtator të viti 2010 u përplasen me forcat special policore serbe, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së Vakufit nga grabitja dhe në mbrojtje të hapësirës ku të parët e tyre janë ekzekutuar dhe varrosur në një varr masiv.
Të përkujtojmë se pas depërtimit të forcave partizane-jugosllave në këto treva, prijësi kryesor i kësaj treve, Aqif Efendi Blyta, me prejardhje nga Gjakova, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri dhe pas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Dacën, dhe tre djemtë e tij dhe shumë përkrahës dhe të afërm të tij, u ekzekutuan në Haxhet (pra në lagjen e sotme të Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Të shpresojmë se në të ardhmen, në shënimin e kësaj date shumë të rëndësishme për të kaluarën tonë historike, të marrin pjesë, nëse jo nga strukturat qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës, të paktën pasardhësit, gjegjësisht, familjarët e këtyre viktimave.

Filed Under: Histori Tagged With: 70 vjetori i, Ismet Azizi, krimeve komuniste, Sanxhak:

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 577
  • 578
  • 579
  • 580
  • 581
  • …
  • 697
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT