Shkruan: Fahri XHARRA/
Ne Foto: Familje shqipatresh ortodoks te Prizrenit/
“Mos i rrëmoni varret tona,na leni të qetë,mos i tundoni reliktet tona, o ju të padenjë,që mohoni vetën dhe prejardhjen prej nesh,për t’u shporrë sa më parë nga kombësia që e keni për krenari trashëgim nga të parët…” po të dëgjohej me kujdes,mbase dikujt do t’i bëhej, se dikush,nga andej,jeta në amshim,përmjet varrit, vijë një porosi,një dëshpërim,po pse jo me “meritë” edhe një mallkim,që u bëhet pasardhësve ilirë,që vendet e tyre/shtete/ po lënë “pus e dri” dhe shkojnë për të mos u rikthyer, ,po ç’është kjo? Këtë pyetje zhurmuese,për shurdhmemecët dhe të çoroditurit,do të kumtonte çdo varr,çdo sarkofag,çdo tempull,çdo shenjë,çdo asht,çdo rrashtë…( nga Dedë Mirdita) “
”Shkiejtë quheshin të gjithë ata të krishterë shqiptarë që ngelën nën ndikimin e Patriarkanës së Lindjes Kostandinopojes kur u be skizma ndarja e kishes Prendimore (Romake katolike) me Kishen Lindore(Ortodokse) ne vitin 1054. Nga fjala skizma ka dal fjala shkij shkja pra është emërtim shqiptar që emërtuan të gjithë ata që u shkeputen nga kisha katolike Perëndimore. Edhe pse ishin shqiptar, deri tash iu është “holluar” aq shume gjaku i pasardhesve, sa nuk do te diskutojme mbi cfaredo gjeje të rilidhjes me ta ,dhe se këtu askush nuk po kërkon vëllazerim apo bashkim me shkije por po bisedojmë me te dhëna dhe burime historike si u formuan serbët si komb , andaj është mirë ti dimë proceset e asimilimit te popullatës shqiptare qe per fat te keq ka qenë plagë e rëndë të cilin ende nuk kemi arritur ta zbërthejmë.
Pra ka te bëjë edhe me atë, aresyeja e ndarjës se kishes,.sepse ne nje moment historik, gjatë kohes se ‘çlirimtarëve’ otoman, popullata jonë ortodokse , i ka pasur vetem dy mundesi: te mbetet ortodoks, dhe te sllavizohet, ose te islamizohet, ‘turqizohet’ , qe kinse te shpetoj nga sllavizimi..Pra ,shkak i ndarjës edhe më të madhe të shqiptarëve otodoks- shkijeve të tokave tona në Mal të Zi, Maqedoni ,Sërbi dhe Kosovë nga trungu shqiptarë ka qenë edhe politika favorizuese e Turkut që i ka bër sllavëve nën presionin Rus ,për zhdukjen e elementit katolik shqiptar” .( F.Xh. Kush janë shkijet?)
Meqë po dua ta shtjelloj temën e ortodoksëve shqipëtar të Prizrenit , e që egzistimi i tyre
është i pa mohueshëm; e që humbjen e tyre e favorizuan rrethanat historike; e që humbëm shqipëtar të rrënjës , e që u zvogluam , e që sa humbëm shqipëtar ortodoks dhe tani janë të humbur nëpër serbistane, e që po aq apo 10 fishin e tyre pra të shqiptarëve musliman që iken shkuan apo u dëbuan në turkistane , po thirrëm në shkrime të freskëta
(Mitrush Kuteli Maj 1943, Prizren) të cilat e dëshmojnë këte që dua ta shkruaj.
Në Prizren, midis të vdekurve dhe të gjallëve e gjenë laramaninë historike të shqiptarëve , të cilët i ngjajnë shtresimeve shkëmbore nga e cila lëxohet evolucioni dhe historia e planetit ashtu mund të lexohet e kaluara e jonë.
”Ah, është fort e rëndë të vizitosh gjithë varret e një qyteti kaq të madh e kaq të vjetër, se janë të shumtë e të përhapur. Dhe shumë gjurma janë zhdukur. Po ne bëjmë sa mundim.- shkruan Mitrush Kuteli , dhe vazhdon : Përpara kësaj Xhamie ( Bajrakli Xhamia fxh)me minare çuditërisht të hollë, si fije kallmër, është një oborr dhe në oborr disa varre të vjetra zonjash e zotërinjsh, nga të fuqishmit e një kohe. Tani, kur asnjë dorë nuk zgjatet t’i përkujdesë, as varret as qoshkun aty pranë, pllakat e mermerta kanë rënë poshtë, ku i shkel këmba dhe i bluan koha. Megjithëkëtë më pëlqen t’i vështroj e t’i prek me gishtrinj. Sepse më duket se kur i prek me gishtrinj këto veprat e artit skulptural, i afrohesh shpirtit të artistit që i punoi.
Ja, të gjithë të vdekurit të këtushëm që flenë nën shenjën e komplikuar të svastikes ariane në trajtë dielli, që i patën sjellë dikur të gjallët, me bujë e me lot. Pastaj u ardhi radha edhe atyre të ikin nga kjo botë – si na ka për të ardhur edhe neve, nesër – dhe mbetën të shkretë.” Që aty te lumi duket, mbi një kodër, Kisha e Shën Spasit…. Kjo e ka historinë e saj. Sërbët e kanë djegur disa herë në kohën e Turkut .
”Varret e ortodoksëve, nënë sallkëmet e lulëzuar. Janë varre te kujdesur mirë këta të borgjezisë sërbe, zotëronjëse në vitet e fundit. Gurë me shkronja të arta, lule, fotografi.
Reshpërojnë gra shumë, veshur nër të zeza. Pata besuar, në fillim, se do ish ndonjë varrim, po jo. Sot qënka e Shtuna e të vdekurve, 22 maj 1943. Vaje e lotë shumë. …Aty, pranë njëj varri të freskët është shembur një grua e re dhe qan e lodhur, e dërmuar. Përtej, disa të tjera, me zhurmë. Disa gra rrahin të ngrehin që poshtë, me këshillime, një plakë që vajton edhe përsërit litaninë “dushe moje, dushe, dushe, dushe”, “shpirti im, shpirt, shpirt, shpirt”. Një tjetër i drejtohet të birit, që tretet brenda, me një fjalë sërbisht – një shqip: “sine – bir-o! sine – bir-o!” E qan e dëshpëruar. Është pa fjalë, ndonjë shqiptare tani e “sërbizuar”, po e cila birit të vdekur i thotë në gjuhën e vjetër gjith’ “bir-o”.
Edhe në kohën e vizitës së Mitrush Kutelit në qytetin e Prizrenit ishin edhe të gjallë e edhe të vdekur shqiptarët ortodoks të kësaj ane.“dushe moje, dushe, dushe, dushe”, sa do që mundohej të fliste serbisht e ngrata, nga dhëmbja e madhe e vdekjës i lëshontë thirrjet e saj melankolike , rrënqethëse dhe në gjuhën e të parëve ““shpirti im, shpirt, shpirt, shpirt”.
Pra në varrezet ortodokse të Prizrenit ndiheshin ofshamat ,klithmat vajtuese dhe dënesjet edhe shqip : “sine – bir-o! sine – bir-o!” E qan e dëshpëruar..
Me që nuk kemi shënime shqiptare për Dhimitër Çemeri-in , atëherë po thirrem në shënime serbe për Dimitrije Çemeri -kiçin (Dимитрије Чемерикић) , i cili e paska “mbledhur “ pasurinë e gjuhës serbe të “serbëve “ të Prizrenit.
Serbët e thërrasin Prizrenin Sërbski Carigrad ( Stambolli serb). Të vazhdojmë me Çemeri-n , një shqiptar ortodoks i cili e fliste shqipen dhe turqishten.
”Sipa serbëve ” e folmëja serbo-prizrenase i takon pjesës së dialektit serb të Prizrenit-Timokut. Karakteristiket e kesaj të folmeje janë ndikimet turke dhe shqiptare dhe gjuhëve tjera jo sllave, dhe nganjëherë fitohet përshtyepja që kjo është një gjuhë e huaj e folur serbisht. Gjuhën që e ka shkruar Çemeri-kiqi , gati që më nuk egziston.Fjalët e shënuara të Çemeri-t janë një enciklopedi në vete e Prizrenit (Б. Лијескић
објављено: 28.10.2013.)
” Po ne do vijmë tjetër herë t’i shkelim. Arrijmë në ura e fundit – urë e drunjtë. Duhet ta kalojmë. Ja aty, më të djathtë, një fushë e madhe me varre: Varret e musulmanëve. Rrasa të rrepta prej guri të hirtë. Shumica pa kryeshkrime. Disa që kanë, janë arabisht. Bari është i gjelbër, i freskët, po ne mundim të kalojmë përmes se dielli e piu vesën e mëngjesit. Aty nën një hije fle një njeri: i qetë, me duar nën kryë, pranë një guri. Si nesër do flerë gjith’ aty, po nën dhe, përgjithmonë.
Ah, këtu në varret e katolikëve të Prizrenit ka mbishkrime shqipe! Shqipe – në kohën e Turqisë dhe të Sërbisë! Është ky një afirmacion shqiptar i shkruar vendimtarisht dhe guximtarisht mbi gur, të cilin duhet ta nënvizojmë, me ngjyra të dukëshme, si një nga shprehjet e ndërgjegjes kombëtare. Emra të njohur: Shirokanj, Mjedanj e të tjerë.
Ja një varr mjaft i moçëm, me një kryq të rëndë. Dhe mbi kryq një mbishkrim: “Këtu pushojnë Balta e Mana Tarabolluzi të mbytun prej Lumjanve më 2 Tetuer 1880″. Kanë aty edhe fotografitë e tyre. Balta me kostumin si gjiritli, me pantallona të zeza të gjera; Mana në dimit e vendit. ( e përfundon shkrimin e tij )”
Fahri Xharra , 19.09.14 Gjakovë
Katolicizmi dhe ndarjet fetare të shqiptarëve
Nga Rafael Floqi/
Në fillim të shekullit të 19-të me rritjen e levizjes sonë kombëtare dhe me nxitjen edhe të arbëreshëve të Italisë, por dhe të tendencave të Italisë për t’u interesuar për Shqipërinë pati një varg botimesh ne italisht për Shqipërinë, shumica e tyre nga arbëreshë si Zef Skiroi, Krispi por dhe shumë studiues italiane, ndër të tjera bie në sy edhe historiani, italian Arturo Galanti, autor i dy librave për Shqipërinë, njeri prej tyre “L’Albania;notizie geografiche, ethnografiche e storiche”, (Shqipëria,njoftime gjeografike etnografike dhe gjeografike) botuar më 1901. Autori ka një vlerësim të madh për kombin shqiptar dhe për të citon fjalët e historianit romak “Cornelio Tacito, kur thotë për fisin gjermanik Longobardeve, se si ata për shqiptarët ia vlen thënia “se është një shenjë lavdie numri i tyre i pakët”. Nga ky libër historik, mjaft interesant i botuar më 1901 shkëputa kapitullin mbi besimet fetare, në kuadër të vizitës të Papës, ku tregohet në gjerësi përhapja e fesë katolike gjatë Perandorisë Osmane në Shqipëri.
Fetë në Shqipëri.
– Popullsia e Shqipërisë u përket tri besimeve të ndryshme fetare: Myslimane, të krishterë katolikë dhe të krishterë ortodokse. Në Shqipëri, feja katolike është më e vjetra ndër të tria. Ortodoksia do të përhapej në kohën e sundimit bizantin e ndjekur nga skizma e Lindjes (e shek. XI) dhe të infiltrimeve serbe, bullgare, greke dhe vllahe në kombin shqiptar. Myslimanizmi filloi të përhapet në veçanti në mesin e zotëve shqiptarë të tokave(të bejlerëve) dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre nga koha e pushtimit turk me (shek. XV), si mjeti i vetëm për t’i shpëtuar arrogancës dhe grabitjes të pushtuesit. Kontribuoi për përhapjen e islamizmit në Shqipëri, midis fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, sundimi i Ali Pashë Tepelenës. Në Shqipërinë e sipërme, në mes të fiseve gege në malet në të majtë të Drinit dhe në disa pjesë të bregdetit nga Ulqini deri në Vlorë feja katolike është një tërësi, e ndjekur nga muhamedane, dhe e fundit në një distancë më të madhe ajo ortodokse; midis fiseve të fushës dhe në mesin e atyre që jetojnë përgjatë Drinit të Bardhë dhe të Zi dhe në të djathtë të Drinit, mbizotëron besimi muhamedan, është i dukshëm dhe ai katolik, por gjithashtu ka edhe disa mijëra ortodoksë.
Në Shqipërinë e Jugut mbizotëron në mënyrë absolute besimi mysliman i ndjekur nga ai ortodoks në raport 3-2. Katolikët vendas nuk ka në Shqipërinë e poshtme. Katolicizmi aty përfaqësohen nga të huajt, kështu në vilajetit të Janinës nuk ka më shumë se 400 katolikë.
Shifrat e më poshtme janë sipas disa statistikave, po në të vërtetë ndonjë gjë, e sigurt dhe të saktë për numrat e tyre nuk dihet. Në Shqipëri numri katolikëve është i vogël dhe nuk i kalon më shumë se 110.000 vetë, ndërsa ka 1,100,000 myslimanë; dhe në këtë drejtim duhet theksuar, se Mirditorët janë krejtësisht katolikë; po ashtu katolikë janë shumicë e fiseve të Hotit, Kelmendit, Shkrelit, Kastratit, Pultit, Shalës, Shoshit dhe e disa qendrave të tjera të vogla; numri i katolikëve dhe myslimanëve në Dukagjin dhe Postribë është disi më i balancuar ( megjithatë ka një përparësi të vogël të katolikëve) në fiset e Grudës, Rjollit, Koplikut dhe Bregu të Matit (ka një mbizotërim të lehtë të myslimanëve); dhe në të fundit ka më shumë katolikë në krahinën e Zadrimës dhe në qytetin e vogël të Lezhës dhe territorin përreth. Në të gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë numri i katolikëve në Shqipëri dhe shumë më i vogël.
Pothuajse të gjitha Toskët që nuk janë ortodoksë janë myslimanë dhe popullojnë sidomos Karaburun, (Akeraunet) dhe në kazatë e Beratit, Tepelenës, Gjirokastrës e të Delvinës. Toskët ortodoksë janë rreth 150.000 vetë.
Muhamedanët e qyteteve të Shqipërisë janë përgjithësisht më besimtarë fanatikë. Por megjithatë, shqiptarët muslimanë dhe të krishterë jetojnë së bashku në harmoni, madje edhe në të njëjtën shtëpi dhe kanë miqësi dhe martesa mes tyre, e njëjta gjë në mes të katolikëve dhe myslimanëve të fiseve malësore. Besimtarët muhamedanë të Shqipërinë poshtme nuk janë fanatikë dhe ndodh të dëgjojmë që betohen si për (Shën Marinë) dhe për Profetin. Ndërsa hebrenj ka një pakicë në Shqipërinë e poshtme të vendosur qysh nga koha kur Filipi II i ndoqi izraelitët nga Spanja. Jashtë Shqipërisë gjeografike shqiptarët janë më shumë myslimanë, si: në Bosnje, Serbi, dhe në Serbinë e Vjetër, në Prishtinë, në Shkup, Manastir dhe pjesë të tjera të Turqisë. Për katolikët shqiptarë të Italisë dhe Greqisë aplikohen shifrat e përmendura tashmë për popullsinë shqiptare në këto dy shtete. Shqiptarët e Italisë i përkasin një tjetër forme besimi në pjesën më të madhe ata janë të ritit grek-unit.
Por cila ishte ndarja e hierarkia fetare katolike në Shqipërinë e fundit të shek të XVIII-të? Arqipeshkëvitë, ipeshkvitë dhe dioqezat?
– Shqipëria tri dioqeza arqipeshkvore dhe tri ipeshkvi katolike. Arqipeshkvi janë: Shkupi me 8 famulli, me qendër në Prizren,Shkodra me 20 famulli, Durrësi me qendër në Blinisht me 78 famulli, ndërsa ipeshkvi janë: Zadrima ose Sapa me 20 famulli me qendër në Nënshat, Lezha me qendër në Kallmet me 10 famulli, dhe Pulti me 9 famulli, ka dhe një Abaci në Orosh, me një abat të mitruar të cilin Mirditorët e njohin edhe si udhëheqësin e tyre shpirtëror. Abacia e Oroshit ka 10 famulli. Po ashtu ka një arkipeshkvi me 10 famulli, edhe në Tivar që sot ndodhet në Malin e Zi.
Peshkopët ortodoksë/
– Peshkopët ortodoksë e kanë qendrën në Ohër, Durrës, Gjirokastër, Berat, Janinë, Paramithi, Konicë dhe Prevezë.
Xhamitë. – Çdo qendër me popullate myslimane ka edhe xhamitë e veta, dhe në xhami u transformuan nga turqit shumë kisha të krishtera. Në Prizren ka rreth njëzet e katër të tilla. E shumë kishave të tjera të krishtera që sot nuk ekzistojnë janë rrënoja në Shqipërinë e veriut dhe të Jugut.
Manastiret. – Disa manastire pak a shumë të vjetra ka pasur edhe në disa qytete shqiptare, ndër të tjera, manastiri i famshëm i Shën Françeskut në Lezhë, e cili sipas traditës thuhet se u themelua personalisht nga Shën Francesku i Asizit. Qyteti i Manastirit nga na tjetër ia detyron emrin e tij Manastirit të Bukovës, i cili ndodhet një orë larg qytetit. Ka rrënoja të një Abacie të famshme benedektine, të Shën Gjonit, e cila qëndronte në Shkodër, në dioqezën e Drishtit, në mes të lumit Kiri dhe liqenit, siç del nga regjistrat papnore dhe dokumentet e Venedikut të shekujve të katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë.
Shkollat e besimit – Aty ku ka popullata të krishtera, ka shkollat misionare të drejtuara nga shoqata fetare katolike dhe greke. Priftërinjtë katolikë, priftërinjtë grekë dhe myftinjtë myslimanë janë shumë shpesh mësues të fëmijëve shqiptarë kleri është kryesisht vendas. Mësimet e myezinit janë të kufizuar në Kuran. Për më tepër, prindërit thjesht nuk kujdesen për të shkolluar fëmijët e tyre dhe përqindja e shqiptarëve që mund të lexojnë dhe shkruajnë mbetet shumë e ulët, veçanërisht në mesin e gegëve.
Shkodra ka pasur shkolla që janë favorizuar në mesin e popullsisë katolike vetëm nga françeskanët. Sot shtohet se krahas françeskanëve ka dhe jezuitë dhe murgesha stigmatine të ardhura nga Zagrebi (Kroaci). Austria ka marrë përsipër mbrojtjen e fesë katolike në Shqipëri dhe ofron në një masë të madhe dhe me lehtësi për nevojat e veta. Gjithashtu ajo subvencionon tri shkolla, dy për djem të administruar nga jezuitët dhe françeskanët dhe një për femra të drejtuar nga murgeshat, si dhe si një kopsht. Ajo mbron dhe subvencionon edhe seminarin e Shkodrës, të drejtuar nga Jezuitët. Ata kanë themeluar dy shkolla, një për djem dhe një femërore në Durrës,si dhe një shkollë djemsh në Tiranë, një për femra në Pejë dhe një për meshkuj në Gjakovë. Shkolla të tjera austriake ekzistojnë në Shirokë në liqenin Shkodrës, një Troshan (Zadrimë) dhe një në Hot. Një shkollë vajzash që do t’u besohet Motrave të Bamirësisë të Zagrebit, është duke u ndërtuar në Kallmet, qendra e banimit e Ipeshkvit të Lezhës. Austriakët kanë themeluar dhe mbajnë një spital në Shkodër ku shërbejë Motrat e Bamirësisë të Zagrebit dhe një mjek-kirurg me pagesë të ulët që shërben për katolikët e varfër. Nuk ka mungesa bursash të dhëna nga Qeveria Austriake për të rinjtë shqiptarë, të cilët mund të shkojnë në shkollat e mesme dhe universitetet. Austria nga ana tjetër mbron misionin francez të Vincentians në Manastir.
Grekët nga ana e tyre, kanë hapur shkolla në Elbasan, në Artë, por më veçanërisht në Epir, dhe këto varen nga shkollat e tyre dhe nga ana e kleri dhe peshkopët ortodoksë, dhe subvencionohen nga Silogu i Athinës (Shoqërisë për përhapjen e gjuhës greke) . Ajo çka një rëndësi të posaçme është Gjimnazi grek i Janinës(Zosimea). Ka edhe shkolla turke, por Turqia shpenzon për ato disa mijë lira turke.
Parhapja e shkollave italiane. – Italia, e cila ka tradita të vjetra të kulturës dhe përhapjes së gjuhës së saj në Shqipëri dhe për të ruajtur marrëdhëniet e vjetra të tregtisë dhe afërsisë të mirë në mes të dy brigjet e kundërta të Adriatikut, ka vetëm një shkollë teknike dhe një tregtare, dy shkolla fillore (një mashkullore dhe një femërore dhe një kopsht më fëmijë në Shkodër. Gjuha italiane është e mirënjohur, sidomos në Shqipëri e Epërme,ku italishtja flitet më shumë. Fjalët italiane kane depërtuar dialektin e Shkodrës gjatë kohës së sundimit të Venedikut: nga ana tjetër shumë banorë të maleve shqiptare injorojnë emrin dhe madje edhe ekzistencën e vetë Italisë.
Shkolla kombëtare/
– Me zgjimin e ndjenjës kombëtare pak nga pak shqiptarët po binden për nevojën e shkollave kombëtare. Tani për tani, kanë një shkollë kombëtare në Korçë dhe një në Prizren. Ata vetëm dëshirojnë të hapen më shumë shkolla të tjera të ngjashme shpejt në të gjithë Shqipërinë. Por është e vërtetë, për më tepër, se qeveria osmane kurrë nuk kishte dhënë leje deri tani që mësimi në shkolla të jepej në gjuhën shqipe.
Mishërim historik i tolerancës fetare
Dijetari, Hoxhë Daut Boriçi kryesoi fjalimet në ceremoninë e hedhjes së themeleve të Kishës së Madhe 1858 në Shkodër. Inxhinier Bujar Golemi e shpëtoi Katedralen nga rrënimi komunist 1967/
Nga Nga Pertefe Leka/
Fjala “e madhe” në Shkodër është mjaft e përdorur jo vetëm për kuptimin e parë të saj por edhe për disa emërtime, si objekte, rrugë,lagje.. (Arra Madhe, lagje ku ishte Selia e Atë Fishtës,Rusi Madh,lagje tregtare,Kafja Madhe në qender te qytetit,Malesia e Madhe etj.)për të evidentuar dicka jo vetëm me përmasa fizike por edhe shpirtërore .
Si duket cilësori “e Madhe” është një reflektim i përmasave të shpirtit, zemërgjerësisë, tolerancës së vetë shkodranit, në vazhdimësi të një trashëgimie te vyer, në kryeqëndrën e kulturës shqiptare..Këte mirëkuptim të ngjizur tek fjala e” Madhe “e kanë treguar shkodranët edhe në ndërtimin e Kishës së Madhe apo të kulteve të tjera duke qenë në krah të njeri tjetrit . Po cila është ecuria e këtij ndërtimi solid,150 vjeçar..
Ishte 7 prilli i vitit 1858,dita e ceremonisë zyrtare për ngulitjen e piketave të një konstruksioni me përmasa(75.5m gjatësi,40m gjerësi,23.3m lartësi) ku zbatohej projekti i një inxhinieri austriak.
Në këte ceremoni morën pjesë shumë personalitete të klerit katolik,shumë nga populli i thjeshtë ,ku në mes tyre kishte edhe myslimanë.
Vlen për t’u permendur se Ai që mbajti fjalën e rastit në këte eveniment ishte një mysliman,Daut Borici.Një intelektual i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare ,me një kontribut të lartë në zhvillimin e arsimit kombëtar ,në fushën e gjuhësisë dhe në jetën politike(Kryetar i Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën,i internuar nga qeveria turke për këte aktivitet).Në atë kohë, Daut Borici, ishte Drejtor i Arsimit dhe fjalën e mbajti në emër të parisë së qytetit..
Ky ishte modeli më i bukur për Shkodrën ,ku një mysliman ,bile edhe Hoxhë ,kryeson fjalimet e rastit,në hedhjen e themeleve te kishës katolike.
Tani për nga madhësia ,kjo nuk ishte thjeshtë një Kishë ,por një Katedrale,e cila bëri jehonë që në themelimin e saj.
Vetë Sulltani dërgoi 700 lira turke, Papa Piu IX dërgoi 1000 skuda , Franc Jozefi( që atë ditë martohej) dhuroi 150 Nap .flori. Përveç parave që u mblodhën nga populli bujar i qytetit dhe i rretheve,deri në Malësinë e Madhe Eshtë e veçantë, që ambasadori rus hodhi në themele xhamadanin e stolisur me ar në shenj bujarie.
Në të vërtetë ndërtimi zgjati shumë vite, por kush nuk ndihmonte atje me të gjitha mjetet që dispononin.Dashuria për të pasur shtëpinë e zotit i bashkoi shkodranët, qytet-fshat-malësi me një vullnetarizëm të paparë.Në fund, ky konstruksion u bë i dallueshëm edhe në Ballkan.
Në këte katedrale , punoi pa u lodhur nga viti1909,skulptori,piktori,fotografi,arkitekti,inxhinieri Shkodranë me origjinë Came, Kolë Idromeno(1860-1939) Ai ishte nxënës i devotshëm i Pjeter Marubit i cili e këshilloi të edukohej në shkollën më të mirë të Venecias, prej së cilës erdhi në Shkodër si dhuratë për kulturën tonë.
Pikturat e Kolë Idromenos ia shtuan vlerat këtij ndërtimi madhështor.
Në sfond gjëndej piktura murale “Qyteti i Shkodrës me Rozafen në krye, si mbrojtëse e qytetërimit shekullor.”
Po ashtu piktura Zoja e Shkodrës e ndjekur me dy engjëj të cilët, artisti i madh, i kishte paraqitur me kostume kombëtare qytetare shkodrane.
Për fat të keq kjo godine madhështore, goditjen e pare të qëllimuar, e mori në kohën e rrethimit të Shkodrës me 1913.Në atë ndërtesë ishin strehuar më shumë se një mijë vetë. Gjatë kohës së bombardimit, zjarri arriti deri te kumbonarja dhe u dëmtua më shumë se gjysma e ndërtimit.
E gjithë kjo luftë e ashpër vinte nga një armik i jashtëm që kishte qellim, pushtimin e qytetit të lakmuar prej tyre.
Pas riabilitimit te Kishës,asgjë nuk e cënoi mirëkuptimin fetar në Shkodër, përkundrazi u bë edhe më i forte. Një gjest bujar dhe fisnik vjen nga i Madhi Atë Fishta i cili fill pas daljes nga rrethimi i Shkodrës, kur u kremtua Festa Kombëtare,me 28 Nëntor 1913, lidhi përjetësisht kandilat e dritave nga Kisha Franceskane me Xhaminë e Fushës Celë,në shenjë solidariteti ndërfetar dhe kombëtar..
Pas shume vitesh, një goditje tjetër, po i ofrohej.Viti famëkeq i 1967, erdhi si një termet rrafshues.
Idetë e komunistëve duheshin zbatuar. Përbindëshi i diktaturës, pasi zhduku njerëzit e dijes e të kulturës duhet të mos linte as gjurmën më të vogël edhe në arkitekturë,edhe kur ajo kishte vlera historike,morale e shpirtërore.
Shteti monist kishte aktivizuar inxhinierët e qytetit për të tjetërsuar godinat e kulteve.
Per Kishën e Madhe ishte caktuar inxh.Bujar Golemi (i emëruar në atë kohë si inxh. Ndërtimi dhe jo Inxh shkatërrimi)
Inxhinieri, në atë kohë ishte në moshë të re, me një reputacion të mirë në shoqëri dhe në rrethet intelektuale. Ishte djali i mësuesit të nderuar shkodranë, Qamil Golemi.
Krahas punës si inxhinier, Bujari, merresh me basketboll dhe ishte një ndër trajnerët e dalluar të ekipit “Vllaznia”.
Njihej si djalë punëtor, organizator i ekuilibruar, por si natyrë siç e thoshin shoqëria e tij ishte fjalë pak e punë shumë. Ishte martuar me Lili Zajmin,mësuese matematike, motra e një të arratisuri politik në Amerikë. Kjo e bënte që të ishte i tërhequr nga tavolinat e kafeneve,paçka se Ai vetë e kishte rikonstruktuar dhe modernizuar “ Kafen e Madhe” në qendër të qytetit sipas investimit të kohës.
Aktiviteti i tij shtrihej punë- sport- familje,vlen per t’u theksuar se edhe në familje luante një rol kryesor në harmonizimin e marrëdhënieve vëllazërore.
Ngarkesa që mori përsipër nga urdhëri qeveritar duhej plotësuar .Përpara inxhinierit .dilnin dilema të mëdha:Të shkatërronte vlerat e konstruksionit në formë e në përmbajtje e të flinte rehat, sic bëri inxhinieri .tjeter që e prishi deri në themel Xhaminë e Parrucës, ndërtim i vitit 1939 ,apo të mendonte ta tjetërsonte në një objekt tjetër shumë të përdorur.
Të realizonte këte të dytën,duhet ta justifikonte deri në detaje çdo modifikim që do të bënte, sepse ndryshe, asaj politike, nuk i gjëndej karari,,ishte politikë”hyp se të vrava, zbrit se të vrava” Pra duhej bërë një plan dhe duhej gjetur një gjuhë që të mos vriste keq në qeveri, po edhe në popull,duke ditur se çfarë lidhje kishin njerëzit me këte tempull.
Inxh.Bujari,pas shumë projekteve dhe netëve pa gjumë , e bëri vetë punën e Orakullit.Nuk donte që të përsëritej syndromi i Kalasë së Shkodrës”Puno ditën dhe rrëno natën”por ta zëvendësonte me “Mendo natën dhe puno ditën”, pra vendosi ta ruante ndërtesen pa e prekur fare dhe ta tjetërsonte në një qendër sportive.
Mendonte se do te bëhej i besuar, pasi vetë ishte sportist(sa për dijeni, ai ishte sportisti dhe trajneri i Vllaznisë që i solli Shqipërise fitoren e pare, jashtë shtetit,në edicionin e Kupës së Europës në basketboll për meshkuj ,kur luajti me skuadren Turke “Gallata Saraj”, në Stamboll.)
E dyta ,ai nuk i përkiste fesë katolike, që qeveritarët antife, të mendonin të kundërten.
E treta,qyteti i Shkodrës nuk kishte një qendër sportive të lojrave me dorë të mbuluar,kështu kjo përshtatje do të plotësonte një boshllëk për të cilën ,kishin nevojë
qytetarët.
Në fillim u ndesh me kundërshtime,por ishte i gatshëm për cdo përgjigje sepse e kishte mirëmenduar planin që do të zbatonte.
Tavanin me dërrasa e ruajti ,ate e kishte punuar me aqë mjeshtëri inxhinieri Kolë Idromeno.Gjithashtu ruajti Altarin dhe Kupolen së bashku me dy kollonat dhe kornizat duke i justifikuar se i duheshin për të vendosur ndriçimin e sallës ku nuk do të dukeshin instalimet, ndërsa kollonat me gurë të latuar i veshi me dërrasa për t’i maskuar.
Po kështu veproi edhe me pikturat murale,ato me motive fetare i leu me gëlqere , që një ditë me një gërvishtje të lehtë mund të dalloheshin si me parë.Pikturat e kalasë e të qytetite , nuk i preku fare, ato e ruajtën deri tani dorën e ndritur të piktorit K.Idromeno.
Qelen ,vendin ,ku rrinin priftërinjtë e la të paprekur duke e justifikuar se nevojitej si hotel për sportistet .
Deri në 80-85% të punimeve kishte ruajtur edhe kompanjelin ,duke e justifikuar te zyrtarët që të përdorej si Belvedere nga ku mund të shijoheshin nga lartësia, pamjet e qytetit.
Këte nuk mundi ta realizonte sepse kur erdhi një ekip nga Tirana për të parë punimet, i thanë se nga jashte Kisha nuk ka ndryshuar fare, ,prandaj kompanjeli duhet të hiqej.
E pati te vështirë ta bënte këte sepse edhe për kompanjelin kishte punuar 5 vjet arkitekti Kolë Idromeno,për ta ngritur në lartësi me shkallë spirale të menduara mjeshtërisht prej tij.
Si përfundim përshtatja e Kishës në Pallat Sporti u prit mirë si nga paria e qytetit ashtu edhe nga Tirana.Pallati filloi të funksionojë duke e rritur më shumë popullaritetin në frekuentim .Edhe pse ajo u transformua në një objekt tjetër, emrin “ Kisha e Madhe” nuk e humbi kurrë.
Gratë katolike, të cilat kishin mundur të merrnin e të ruanin pjesë të hedhura gjatë punimeve, nuk mungonin t’i bënin ritet fetare, duke pasë përballë faltoren e tyre dhe e uronin inxh.Golemin “Uratën tonë more djalë që na e le në këmbë derën e zotit .
Viti 1990 erdhi si ogur i mirë për të gjithë shqiptarët ,lajmëroi lirinë shpirtërore.
Të gjithë besimtarët pa dallim feje ,me një solidaritet vëllazëror u nisën drejtë rindertimit të kishave dhe xhamijave ,fillimisht ato që ishin në këmbë.
Myslimanë dhe katolikë e patën më të lehtë të sillnin në gjendjen e mëparshme Kishën e Madhe dhe Xhaminë e Plumbit.Kështu Kisha e Madhe u riabilitua shumë shpejt, sepse inxh.Golemi ua kishte lënë gati cdo gjë.
Mendimi i inxhinierit mori vlera reale sa edhe vlerat e Katedrales.Po të kishin punuar edhe të tjerët si punoi dhe mendoi inxhinieri .ne fjalë, shumë konstruksione do të ishin ruajtur.
Kisha e Madhe u bë shpejt simbol i paqës i solidaritetit, i dashurisë njerëzore .
Ishte 7 Marsi i viit 1991, kur u hap Katedralja nga Father Aleks Baliqi, dhe Mesha e parë u celebrue nga Don Zef Simoni në prezencë të Nënë Terezës dhe të mijëra besimtarëve.
Por nuk vonoi 25 Prilli i vitit 1993 kur Xhon Pali I Dytë vizitoi Shqipërinë ,vizita e parë e një Pape në vendin tonë.Hirësia e tij e bekoi tokën shqiptare të nëpërkëmbur prej rregjimit komunist.Ishte një pritje e rrallë me një solemnitet hyjnor.
Eshtë po kjo Kishë që priti të mbijetuarin e terrorit komunist, Kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqi, i cili u varros po aty me 28 Janar 1997 per t’u perjetësuar në kohëra,vepra e tij.
Katedralja priti edhe shumë personalitete nga Vatikani,të cilët nuk kaluan pa e përshëndetur Inxhinier Bujarin,Inxhinieri u gjend i befasuar përballë tyre, ai nuk e kishte menduar se dikush,ndonëse nga larg, kishte akumuluar aqë shumë respekt për te, për t’ia shprehur një ditë,konsideraten e tyre të lartë për inxhinierin. Ata u shprehen me admirim :” ju e ruajtet autenticitetin e Kishës që ne nuk mund ta ribënim kurrë në formën e parë,atë konstruksion 150 vjeçar, sado që të mundoheshim.
Takimi me përfaqësuesit e Vatikanit i ngjalli shumë emocione inxhinierit.por falenderimet dhe mirënjohja që ata i shprehen Atij për veprën e mirëmenduar, i ofroi miqësi.
Mos të harrojmë se kemi të bëjmë me një personalitet që në zjarrin e luftës së klasave tregoi maturi dhe kurajo për të qenë më afër popullit të tij ,duke u bërë simbol i shpirtit të gjërë e tolerant të shqiptarit.
Qytetarët e Shkodrës e vlerësuan dhe e respektuan në tërësi kontributin e Inxh Bujar Golemit, duke e zgjedhur Deputet të Partisë Demokratike, në legjislaturen e parë të Parlamentit të Ri Shqiptar.Sa per dijeni,ata që e votuan me shumë,ishin te zonës elektorale ku predominonte elementi katolik,duke mënjanuar rivalin e tij socialist që i përkiste fesë katolike.
Edhe pse kanë kaluar vite ,dikush duhet të kujtohet për ta paraqitur këte vlerë njerëzore sepse është shembull i mirë për brezat,sidomos sot që krijohen konflikte që nuk janë të pranueshme për Shkodrën, si model i tolerancës, e as për mbarë Shqipërinë.Sot me shumë se kurrë duhet të ushqehemi me dashuri , respekt dhe mirënjohje për njeri tjetrin, pa dallime në diferencat politike,fetare e njerëzore për ta konsoliduar me zotësinë tonë të ardhmen.
Mirënjohje dhe admirim për të gjithë ata që kontribojnë me vlera positive për vëllazërimin dhe progresin e shoqërisë shqiptare.
Fotografitë e 40 martirëve të kishës katolike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Flamuj të Shqipërisë dhe Vatikanit, si dhe 40 fotografi të cilat paraqesin historinë e trishtë të klerikëvë që u dënuan dhe u persekutuan padrejtësisht nga sistemi dikatorial, për shkak të besimit të tyre fetar, janë vendosur sot përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.
Fotografitë e klerikëve të kohës, një numër i madh priftërinjsh apo edhe besimtarësh të thjeshtë, shoqëruar edhe nga citatet apo fjalët e tyre të fundit përpara se ata të ndërshkoheshin padrejtësisht nga regjimi komunist, dëshmojnë qartë lidhjen e tyre me besimin e kishën, për të cilën ata dhanë jetën.
“Dom Anton Muzaj”, “Dom Jak Bushati, “Mark Çuni”, “At Luigj Paliq(Palaj), Imzot Frano Gjini, janë disa prej emrave të martirëve të Kishës, që u vendosën në Bulevard nga Ministria e Kulturës.
Meshtarët katolikë, edhe pse të torturuar në format më ç’njerzore , si të varrosur për së gjalli, të zhytur në fuçi me ujë duke ju ngulur thonjtë në fyt, duke ju shqyer gurmazin, apo mjaft formash të tjera makabre, japin qartë mesazhin e qëndresës se si ata nuk u përkulën e as nuk u thyen në asnjë moment nga besimi i tyre në Zot.(Sipas ATSH)
Shqiptarët, 39 kryeministra në Stamboll dhe shtatë Papë në Vatikan
DOSIER/ Kryeministrat shqiptarë të Perandorisë Osmane kurrë nuk i shërbyen atdheut të vet/
* Asnjë Kryeministër shqiptar i Perandorisë Osmane, nuk u kujtua dhe një ditë të vetme për atdheun e tij/
-Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ali Pashë Tepelena dy figurat historike që punuan për Shqipërinë/
-Huniadi i kërkon Skënderbeut, që shqiptarët të mos luftojnë me hungarezët./- Gjergj Kastrioti Skënderbe, la privilegjet që i ofronte oborri sulltanor dhe Krijoi Shtetin e Arbërit/
-39 fermane dolën nga kancelaritë sulltanore, për ti dhënë pushtetin kryeministror 39 shqiptarëve/
-Më 1515, Sulltan Selimi i preu kokën Ahmet Pashë Dukagjinit, pasi ai synoi pavarësinë e Egjiptit/
– Një fund tragjik pësoi Kara Ahmet Pasha më 1555, Sulltani i kishte dhënë motrën për grua/
– Në vitin 1822 sulltan Mahmuti II, ekzekutoi Ali Pashë Tepelenën duke i prerë kokën, sepse: “Pashai Shqiptar” ndiqte politikën e një tolerance të gjerë fetare/
– 7 papët që drejtuan Vatikanin, i patën kushtuar vëmendje të madhe popullit të vuajtur shqiptar/
Nga Harallamb Kota – studiues/
Historia tregon…/
Në 31 gusht të vitit 2014, në shtypin shqiptar u botuan dy artikuj tepër interesant, për 39 kryeministra shqiptarë që administruan perandorinë otomane të sunduar nga Porta e Lartë në vitet 1475-1920 dhe 7 Papë që drejtuan Selinë e Shejtë në Vatikan nga viti 174 deri në vitin 1721. Për çudinë e të gjithëve, vjeshta e vitit 2014 hyri me shira të rrëmbyer, duke ndërprerë si me thikë ditët verore të plazhistëve. Një lajm makabër për vjedhjen e “Bankës Shqiptare” kishte pushtuar të gjithë vendin. Ndërsa përgatitjet për vizitën e papës në Shqipëri, po bëheshin në heshtje të plotë dhe sipas programit qeveritar. Pas këtyre ngjarjeve, kërkesat për ndryshime rrënjësore e “Ribërjen e Shqipërisë”, vinin nga kancelaritë perëndimore, duke na kujtuar vjeshtën e Stambollit më 1830, kur në lagjen Perra, në klubin e Mirban Arnautit u paraqitën “Pendat e Arta”: Hasan Tahsini, Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi,Vaso Pasha, Ismail Qemali, vellezërit Frashëri-Abdyli, Samiu e Naimi dhe më pas shumë të tjerë, që kërkonin të ngjallnin Arbërinë, të krijonin shkrimin shqip dhe të bënin Shqipërinë shtet, sipas modeleve të shteteve perëndimore. Pas viteve 1990, klubi i “Mirban Arnautit” në qytetin e madh të Stambollit, gjallonte përsëri nga emigrantët e shumtë shqiptar të ardhur në Turqi, pas përmbysjes së madhe politike në Shqipëri.
Në 8 shtator 2014, në klubin e “Mirban Arnautit” në Stamboll, në ambientin e tij të shërbimit, të pajisur me komoditetet e kohës, hynë tre “Burra Historik”, të cilët zunë vend në një tavolinë dhe i bën shenjë kamerierit për të marrë porosinë. Kamerieri qëndroi i palëvizur. Në krye të banakut u duk një burrë i hollë dhe i gjatë, që mbante një palë mustak si flatra shqiponje. Ai u afrua, i përshëndeti dhe u tha: -Unë jam Mirban Arnauti. Të gjithë shqiptarët që vijnë në Stamboll, fillimisht ndalojnë në klubin tim. Pa u ndalur në ligjërimin e tij, Mirbani ju drejtua të porsaardhurve: –Ti duhet të jesh Pellazgu, ju drejtua të moshuarit me leshra të gjatë, të cilat ja mbulonin kryet’ e bashkoheshin me mustakët si kreshpa, duke lënë jashtë vetëm hundën e hollë, që nuhaste vazhdimisht ambientin, ku ishte futur.-Ndërsa ti tjetri je Iliri. Edhe ty të njoha nga xhoka që ke veshur. Më i riu midis udhëtarëve, nxitoi e u prezantua: –Unë jam Arbëri. Të gjithë qeshën me shkathtësinë e tij djaloshare dhe u shtruan në një bisedë tepër të këndshme.
Shqiptarët që vinë në Stamboll, -tha Mirban Arnauti, fillimisht ndalojnë në klubin tim. Kjo histori ka filluar mijëra vite përpara, në kohën kur këto vise quheshin Ilion. I pari udhëtar i largët që shkeli këtu ishte një lajmës, i cili me të mbërritur, u takua kokë më kokë me “Mirban Pellazgjikun” e i tha: -Mirmidonët nuk duan të luftojnë me Dardanët. Kjo është dëshira e Akilit, biri i Zeus pellazgut, për Hektorin, birin e Priam dardanit. Por zotat nuk e pranuan marrëveshjen. Ato dëshironin luftën dhe heronjtë pellazgjik u vranë në sheshin e betejës, në Trojë. Më pas, klubi ndryshoi emër. U quajt “Mirban Iliriku” nga Aleksandri i Madh e “Mirban Epiroti”nga Qezari i Romës,emër që e mbajti deri më 1415, kur sulltan Mehmeti I, mori peng djemtë e Gjon Kastriotit dhe i pruri në oborrin e tij në Stamboll.
Skënderbeu dhe hungarezët
Në fillim të nëntorit të motit 1443, në klubin tonë, i cili siç thashë më parë quhej ende “Mirban Epiroti”, erdhi një “Lajmëtar” dhe tha: -Huniadi i kërkon Skënderbeut, që shqiptarët të mos luftojnë me hungarezët. Perënditë që morën jetën e Akilit dhe Hektorit nuk ekzistojnë më. Tashmë ka vetëm një zot, që është i prirur për paqe dhe jo për luftë. Marëveshja e lidhur midis dy gjeneralëve më të mëdhenj te kohës, u zbatua menjëherë. Në betejën e Nishit, sipas një plani të përgatitur mirë, Skënderbeu braktisi ushtrinë gjaksore të osmanëve, që kërkonte shkatërrimin e civilizimit perëndimor.
Skënderbeu në Krujë
Në 28 nëndor 1443, çliroi Krujën dhe ngriti përsëri flamurin e Kastriotëve në bedenat e kalasë. Në 2 mars 1444, thirri Kuvendin e Lezhës dhe në krye të ushtrive të bashkuara të principatave çliroi trojet arbënore’ dhe për 25 vjet rresht, theu të gjitha ushtritë e sulltanëve. Mirbani heshti për një çast dhe pasi mori një copë herë frymë vazhdoi: -Gjergj Kastrioti Skënderbe, është heroi ynë kombëtar, me të cilin duhet të krenohemi dhe të mburremi, sepse la privilegjet që i ofronte oborri sulltanor dhe Krijoi Shtetin e Arbërit. Ndërsa për 39 kryeministrat që i shërbyen Portës së Lartë, duhet të ulim kryet, pasi zgjeruan kufijtë e perandorisë osmane dhe zhdukën shtetin e Arbërit.
Pas vdekjes së Skënderbeut, Porta e Lartë hartoi një strategji të rafinuar me shqiptarët, dhe vuri në zbatim sistemin e dervishermesë, që ishte marrja e fëmijëve të krishterë në moshë të vogël dhe edukimi për shërbimin në ushtri, ku më të mirët mbaheshin për shërbimin në pallatin e sulltanit. Kushti i parë që të bëje karrierë në perandorinë osmane, ishte që të bëheshe mysliman, gjë e cila nuk sillte probleme për shqiptarët, të cilët nuk ishin fanatik e fetarë, por përkundrazi tepër tolerantë për fenë e tjetrit dhe nuk përbënte asnjë pengesë për ndërrimin e fesë. Sistemi funksionoi. Me qindra fëmijë shqiptar u rrëmbyen nga vatrat atërore, që ushtria osmane i dogji e i shkrumboi. Fëmijët u sollën në Stamboll, ku shërbyen në radhët e jeniçerëve dhe u përdorën si mish për top. Disa prej tyre mbetën gjallë, u dalluan dhe ngjitën shkallët e karrierës për pushtet, duke u graduar me ofiqe të shumta në ushtri. Më i devotshmi,më i egri dhe më gjakatari, zgjidhej dhe emërohej në detyrën e kryeministrit.
Fermanët e Stambollit
Dhjetëra fermane sollën në pushtet shumë shqiptarë, të cilët më pas poshtëroheshin, burgoseshin dhe vriteshin. 39 fermane dolën nga kancelaritë sulltanore, për t’i dhënë pushtetin kryeministror 39 shqiptarëve dhe po aq dolën me nxitim për largimin e tyre. Për disa kryeministra shqiptar u zbatuan skemat e fshehta të eliminimit fizik’ e për disa të tjerë urdhri për ekzekutim me prerjen e kokës. Për ti patur në vëzhgim dhe nën kontroll, sulltani u jepte për grua motrën, vajzën ose princeshat e oborrit. Më 1475, i pari kryeministër shqiptar i caktuar nga sulltani, ishte Gjedik Ahmet Pasha dhe më 1920 i fundit ishte Demat Ferit Pasha.
Mirban Arnauti tregonte me shumë dëshirë dhe tepër hijerëndë, i rrethuar nga një numër i madh arnautësh, siç i thonë turqit shqiptarëve. Mes tyre dëgjonin të heshtur tre të ardhurit’ Pellazgu, Iliri dhe Arbëri. Atë mbrëmje, ambienti i klubit ishte mbushur plot me shqiptar, të cilët vinin çdo mbrëmje, takoheshin dhe bisedonin me njeri tjetrin. Mirbani në bisedë e sipër me tre“Burrat Historik”, ndaloi një çast e plot pasion vazhdoi:-I lexova me një frymë të dy artikujt, mbeta i shokuar e thashë: -Si mund të ngazëllehen shqiptarët për 39 kryeministra të sulltanëve,të cilët i shërbyen vetëm Padishahut dhe asnjëherë Shqipërisë? Mirban Arnauti, ndali pak çaste, mori frymë thellë, piu një gotë ujë të mbushur plot dhe vazhdoi: -Historia e 39 kryeministrave shqiptarë, është lufta e përgjakshme e tyre, në krye të pushtetit perandorak dhe ushtrisë osmane, për pushtimin e plaçkitjen e vendeve Arabike dhe shkatërrimin e civilizimit Europian. Kryeministri perandorak, për nga rëndësia e pushtetit vinte pas Padishahut, i cili i mbulonte me lavdi, kur në krye të ushtrive osmane arrinin fitore dhe zgjeronin territorin e perandorisë dhe u priste kokën kur forconin pushtetin duke rrezikuar fronin sulltanor dhe kur pësonin humbjen e luftërave.
Haim Ahmet Pasha dhe Hercegovina
Kur Haim Ahmet Pasha më 1514, nënshtroi Hercegovinën e ndërmori disa ekspedita plaçkitëse në Hungari, Austri e Poloni,duke u ndeshur me flotën e Venedikut, me të cilën ishte bashkuar Hungaria, Franca e Spanja’ të bekuara nga Papati, u mbulua me lavdi nga Sulltan Bajaziti. Ndërsa më 1515, Sulltan Selimi i preu kokën Ahmet Pashë Dukagjinit, pasi ai synoi pavarësinë e Egjiptit nga pushteti Sulltanor. Një fund tragjik pati dhe Ibrahim Pasha me origjinë nga Parga e Çamërisë. Ibrahimi komandoi ushtritë osmane të sulltan Sulejmanit të “ndritur”. Ai shtypi me armë të gjitha kryengritjet brenda vendit’ e në vitin 1526, në krye të ushtrisë osmane, ku merrte pjesë vetë sulltani, sulmoi Hungarinë,pushtoi Budën e rrethoi Vjenën,të cilën nuk e shtiu në dorë. Edhe pse i shërbeu Portës së Lartë në vitin 1536, u vra nga njerëz të vënë nga sulltani. Pas tij,u caktua Ajaz Mehmet Pasha, i cili ne vitet 1536 – 1539, shtypi kryengritjen e shqiptarit Ahmet Pasha, një funksionar i lartë i rebeluar ndaj qeverisë qendrore, si dhe kryengritjen që shpërtheu në vendlindja e tij Himarë.
Kara Ahmet Pasha
Një fund tragjik pësoi Kara Ahmet Pasha më 1555. Sulltani i kishte dhënë motrën për grua, por dyshoi dhe i preu kokën. Me vrasje përfundoi karriera e Ferad Pashës, që drejtoi luftën kundër Vllahisë, duke vrarë shumë shqiptarë kryengritës, të cilët drejtoheshin nga Naum Veqilharxhi. Po me vrasje përfundoi edhe karriera e Taban Mehmet Pashës, i cili u ekzekutua në vitin 1637 nga sulltani. Interesante është vrasja më 1644 e Mustafa Pashë Kamekazi, nga sulltan Murati IV, pasi ai, nuk i dëshironte reformat administrative të propozuara prej tij. Edhe Matjani Tarhanxhu Mustafa Pasha,u ekzekutua nga sulltani më 1653, pasi ishte i pakorruptueshëm dhe bënte detyrën si duhej. Mbas vitit 1656, në krye të qeverisë osmane erdhën Qypyrlitë, të cilët ishin me origjinë nga Berati dhe në të gjithë karrierën e tyre, i shërbyen me devotshmëri Portës së Lartë. Qypyrlitë nuk i shërbyen asnjëherë Shqipërisë dhe vendlindjes. Pinjolli i tyre, Mehmet Pasha, u dallua për pushtime të shumta, zgjeroi territorin e perandorisë dhe vuri qetësinë duke vrarë me mijëra vetë që nuk i bindeshin. Pas tij, deri më 1676 qeverisi i biri, Fazlli Ahmet Pasha, që me zell të madh pushtoi kështjellat rreth Vjenës dhe synoi të pushtonte kryeqytetin Austriak. Deri më 1690 qeverisi Fazlli Mustafa Pasha, që rinisi fushatën kundër Austrisë e rimori territoret në Danub. Në bashkëpunim me Patrikanën e Stambollit, Mustafa Pasha trajtoi shumë mirë të krishterët e popullsinë jomuslimane të perandorisë, me përjashtim të shqiptarëve dhe popullsisë së krishterë shqiptare. Në vitin 1692, sulltani ekzekutoi Ali Pashë Arabxhiun nga Ohri, për kryerje pa dëshirën e tij të veprimtarive politike në drejtimin e shtetit. Në vitin 1822 sulltan Mahmuti II, ekzekutoi Ali Pashë Tepelenën duke i prerë kokën, sepse: “Pashai Shqiptar” ndiqte politikën e një tolerance të gjerë fetare, e ktheu Janinën në vatër të rëndësishme arsimore e kulturore, lejoi të përdorej gjuha e shkruar shqipe dhe po orvatej të shkëputej nga “Porta e Lartë” .
Ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë…
Mirbani ndaloi përsëri një çast dhe më tej vazhdoi: -Këtu në këtë klub, në vitet kur qeveriste kryeministri shqiptar Gjirtili Mustafa Nail Pasha nga Kosturi, Pendat e Arta shqiptare punonin në fshehtësi për alfabetin shqip dhe bërjen e Shqipërisë. Pushteti perandorak, i goditi, i burgosi dhe i internoi. Edhe në vitin 1908, ku Pendat e tjera të Arta u mblodhën për njësimin e shkronjave shqip, në Kongresin e Manastirit, kryeministër ishte shqiptari Mehmet Ferit Pashë Vlora, i cili jo vetëm nuk e përkrahu njësimin e shkronjave shqip, por dërgoi ushtri për ta penguar dhe burgosur veprimtarët shqiptar. Ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë dhe shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, nga burrat e kombit të mbledhur rreth plakut të urtë, Ismail Qemal Vlora, në krye të qeverisë osmane qëndronte Mirsili Said Halim Pasha,i cili përkrahte fshehtas shtetet ballkanike për copëtimin e Shqipërisë. Edhe dy kryeministrat e fundit të perandorisë osmane, Ahmet Izet Pasha më 1918 dhe Demat Ferit Pasha më 1919-1920, nuk e përkrahën shtetin kombëtar shqiptar, por lejuan copëtimin e territorit të tij, në favor të fqinjëve ballkanik.
Kishte kaluar mesnata dhe të gjithë bujtësit u shpërndanë. Atë natë tre udhëtarët pushuan në shtëpinë e Mirbanit e të nesërmen i zoti i shtëpisë,i përcolli në aeroportin “Ataturk” të Stambollit. Unë, tha “gjysh pellazgu”, do të qëndroj këtu, pasi Stambolli është Troja, është mesi i Pellazgjisë, ndërsa në Shqipëri do të shkoj Iliri dhe djali i tij Arbëri. U ndanë dhe avioni u ngjit lart. Duke fluturuar mbi Stamboll, atë e bir vështronin dy objektet ogurzeza të shqiptarëve, Fanarin dhe Portën e Lartë. Lot të hidhur u rrodhën nga sytë.
Qielli ishte zymtësuar përsëri me re të dendura dhe të zeza. Shiu filloi më me furi. Të dy pasagjerët kishin marrë linjën Stamboll-Romë-Tiranë. Avioni bëri një rrethrrotullim mbi qytetin e Romës dhe nën qiellin pa re të saj, dalluan dy objektet mitike, Koloseun dhe Vatikanin.
Në Vatikan kanë drejtuar 7 Papë shqiptar
Në pushimin e uljes në aeroport, Arbëri pyeti plot kërshëri Ilirin. Baba, më trego lidhur me Papët Shqiptarë, që kanë drejtuar Vatikanin. Iliri kishte lexuar, shtypin dhe i tha: -Sipas gazetës, në Vatikan kanë drejtuar 7 Papë shqiptar. I pari Shën Eleuteri, është zgjedhur Papë më 174. Duhet të dish, që në ato vite, Iliria ishte nën perandorinë Romake. Sipas historisë, krishtërimin në Iliri e solli Shën Pali në vitin 40 pas krishtit. Thonë, që Krishti fliste edhe shqip. Fjala Jezu Krisht, shpjegohet në gjuhën shqipe dhe do të thotë: “Je Zeusi Krijes” ose “Zoti Njeri”. Jezus e thërriti “mësuesin” një shqiptar, kur ai po predikonte. Iliri u kollit dhe vazhdoi : -Vetëm një popull i krishterë, mund të nxirrte një Papë dhe ta vendoste në krye të Vatikanit. Papa “Shën Eleuteri”, punoi shumë për kishën dhe njëkohësisht i kushtoi vëmendje trojeve dhe popullit Ilir. Në periudhën që ai drejtoi Vatikanin nga viti 174 deri më 189, në Iliri mori zhvillim të madh arti i të shkruarit shqip me germa latine. U krijuan shumë skulptura, mozaikë dhe dëshmi kushtuar perëndive dhe njerëzve të shquar, midis të cilave edhe ajo e mjeshtrit ilir me banim në qytetin mitik Partha, e gjetur në qytetin antik të Bylisit, kushtuar Asklepit, perëndisë së mjekësisë, të cilën mjeshtri e ka nënshkruar me emrin lycotas ( gurskalitësi). Pas tij, në vitet 283-296, është “Shën Kaji”, e në vitet 640-642 “Shën Gjoni”. Papa që la gjurmë në historinë shekullore të Selisë së Shenjtë dhe në historinë e kombit shqiptar, është Klementi XI, Gjon Francesk Albani-Laci, me origjinë nga familja Albani. Djemtë e kësaj familje kanë qenë luftëtarë nën urdhrat e Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe emigruan në Itali, pas vdekjes së kryezotit tonë.
Giovani Francesko Albani
Giovani Francesko Albani, më 1699 kishte inkurajuar dy mësues arbëreshë të çelnin në Himarë një shkollë shqipe, ku mësohej me gërma latine. Ai u zgjodh papë në 8 dhjetor të vitit 1700’ dhe u quajt papa Klementi XI, i cili e drejtoi vatikanin për 21 vite me radhë.
Qysh në vitin 1701, themeloi për shqiptarët e Italisë një kolegj në San Dimitria Korone dhe më 1708 siguroi një vënd të përhershëm për një student shqiptar. Më pas dërgoi në Shqipëri, në të gjitha diogjezat priftërinj shqiptar, hapi një shkollë shqip në Kurbin në prill 1711, me përgatitje mjeshtrash që të mësojnë letrat, shkrim e lexim shqip. Deri në fund të shekullit XIX, Papa Klementi XI, pasi u njoh me gjendjen e mjeruar të shqiptarëve nën sundimin perandorak turk,influencoi për frenimin e kovertimit me dhunë të shqiptarëve nga të krishterë në mysliman. Megjithatë për ruajtjen e unitetit të popullit shqiptar është kuptimplote thënia e tij : “ …Mos braktisni vëllezërit tuaj, që u kthyen në myslimanë. Zoti është një….” Gjatë gjithë periudhës kur sundoi në Selinë e Shenjtë, u interesua për zhvillimin e kulturës shqiptare, për gjuhën shqip duke mbështetur botimin e veprës së albanologut Luibnici, ku shfaqeshin pikëpamje mbi origjinën ilire të shqiptarëve.
7 papët që drejtuan Vatikanin, i patën kushtuar vëmendje të madhe popullit të vuajtur shqiptar
Është e rëndësishme të dimë,- i tha Iliri Arbërit, të vërtetat dhe rëndësinë e tyre për çështjen shqiptare. Nga shtypi mësuam që: 39 kryeministrat shqiptarë të perandorisë osmane, kishin drejtuar luftëra gjakatare dhe nuk kishin bërë asgjë për Shqipërinë. Ndërsa 7 papët që drejtuan Vatikanin, i patën kushtuar vëmendje të madhe popullit të vuajtur shqiptar. Është me interes të përmendim edhe papët jo shqiptar, që ndihmuan Skënderbeun në luftën e tij kundër ushtrive osmane, të cilët ishin në krye të Selisë së Shenjtë. Ato janë: papa Eugjen IV (1431-1447), papa Nikolla V (1447-1455), papa Kalisti III (1455-1458 ) dhe së fundmi papa Piu II ( 1458-1464 ), që e konsideronte Gjergj Kastriotin –Skenderbe si komandant të ushtrisë së krishterë Europiane, kundër pushtuesve turq. Në bashkëpunim me selinë e shenjtë, Skënderbeu po tregonte qysh në fillim të fushatës së tij antiosmane, një orientim perëndimor. Disa historianë, me dëshirën keqinformuese nuk thonë që shqiptarët në kohën Skenderbejane ishin të krishterë dhe u konvertuan në myslimanë shumë shekuj pas vdekjes së tij. Duke patur qëllime të mbrapshta, ata abuzojnë duke thënë që: “Skënderbeu ishte kryqtar”. Kjo nuk është e vërtetë ka thënë Fan.S.Noli. Sipas Nolit “….Papët e ndihmuan Skënderbenë me të holla tingëlluese, që arrinin në mijëra dukate ari të thesarit papal…” , si duket për luftën që po bënte kundër pushtuesit osman, duke u bërë mburojë ndaj depërtimit të osmanëve në brendësi të Europës. Iliri nuk foli më, ndërsa i biri Arbëri tha: -Kuptohet baba, çfarë kontributi dhanë për Shqipërinë 39 kryeministrat shqiptarë që i shërbyen sulltanëve dhe orientit dhe çfarë kontributi dhanë për Shqipërinë, për kulturën dhe gjuhën shqipe, 7 papët shqiptar, që i shërbyen oksidentit.
Avioni i linjës Stamboll – Romë- Tiranë, u ngrit në fluturim. Në bordin e tij ishin edhe dy shqiptarët e kthyer nga “Historia”, Iliri me të birin Arbërin. Me të mbërritur në aeroportin e Rinasit në Tiranë, at e bir, u nisën për në vendlindje. Kishin vendosur të punonin për dheun e tyre.(Ne Foto:Papa Klementi XI (Gjon Françesk Albani l. 23 korrik 1649, Urbino – v. 19 mars 1721, Roma)
- « Previous Page
- 1
- …
- 583
- 584
- 585
- 586
- 587
- …
- 706
- Next Page »