• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

2 PRILL 1991 – 2014…

April 1, 2014 by dgreca

Fotomontazh: Arben Broci 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç, Nazmi Kryeziu, 38 vjeç dhe Besnik Ceka, 21 vjeç/

KËSHTU  THA…  RAMIZ  ALIA: “VETËM N’ FUTA E DEGERMIA…   ZBUKUROHET SHQIPËRIA !”/

Nga  Fritz RADOVANI/Plot 23 vjet…Si sot kujtoj shkrehjet e armëve gjakatare të terroristëve komunistë, që para se me ngordhë, dita e ditës, po vajiseshin me gjak Rinije Shqiptare të pafajshme… Ishte një kujtesë për të gjithë “ata” që kishin “harrue” shprazjet e automatikëve në mëngjez heret në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit në Shkoder…Ai mëngjez i bukur prilli, me atë diell aq të kandshëm, që porsa kishte fillue me ndriçue godinat e vjetra të Shkodrës, për pak minuta u terratis tue mbulue kokat e pesë Nanave Shkodrane përjetsisht me shejin e zisë, “degermijat” e mnershme, që për mbi 47 vjet mbulonin edhe muret e Rozafës…Një turmë e madhe qytetarësh shkodranë piskatnin në Fushën e Çelës të zemruem  n’ atë mbasdreke të 1 Prillit 1991: “Komunistët hajdutë na kanë vjedhë votat!”… E pa u errë ende, u nisën nga qendra e gjaksorëve, ku kurdiseshin arrestimet, vrasjet, torturat, e ku nuk pushonin një minut thurjet e tragjedive, që kishin mbizotnue psikologjinë e çdo njeriu që mund të harronte për një çast fjalën  marksist – leniniste të diktatorëve tanë: “Frikë”, të shkrueme që nga data 29 nandor 1944 ndër majat e maleve, ndër fushat e kooperativat bujqësore, ndër fermat e t’ interrnuemëve, ndër hymjet e fabrikave e deri tek dyert e të gjitha maternitetëve tona, ku çdo fëmijë, edhe para se të lindte, duhej të dridhej në barkun e nanës kur të ndigjonte fjalën “komunist”! Komiteti i PPSh ishte çerdhja e tyne!…

Në orët e vona aty shkoi edhe Kryetari i BSPSh së Shkodres Ferdinand Temali, e mbas pak kohe demostruesit u shpërndanë tue i urue njenitjetrit “natën e mirë!”…

Kur kemi shkue bashkë me Arben Borshin nga ora 21.30 nuk kemi gjetë njeri. Aty dukej sikur ka ra “heshtje”…, po e nesërmja në mëngjes tregoi se aty ishin sajue edhe vrasje të shëmtueme, që do të brengosnin Nanat Shqiptare… Në mbramje kishte ardhë nga Tirana edhe zv. Ministri i punëve të mbrendshme…dhe, bashkë me kryetarin e degës së mbrendshme të Shkodres Çapajev Taçin, shefin e policisë Dilaver Paparen dhe policin vrasës Gjekë Celin, kishin projektue mënyren e “sigurimit të komitetit PPSh”, me vendosje të forcave të rendit, snajpërve ndër godinat përrreth, sambistëve të droguem në të gjitha ato godina ku mendohej me krijue trazime dhe ku punohej për me realizue vrasje dhe terror.

Pikërisht në apartamentin mbas poliklinikës ishte edhe gjuejtësi i djaloshit të zgjedhun për “kurban”, studenti Arben Broci, që vetë Presidenti gjakatarë Ramiz Alia në takimin e organizuem me studentë në Pallatin e Brigadave i kishte vue shenjën e vrasjes.

Kur studentët e shkollës së mesme “Jordan Misja” ishin të ulun karrshi komitetit, në barin e lulishtës, dhe posa Arbeni, ka arrijtë aty nga rruga e qendres së qytetit… pa u afrue mirë tek studentët, asht ndigjue krizma e snajperit që e ka goditë mu në krahun e majtë, mbi kerdhokël, tue i shkaktue vdekjen në çast… ramja e tij në asfalt ka dhanë sinjalin, mbas të cilit u vranë Nazmi Kryeziu, 38 vjeç, Besnik Ceka, 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç dhe u plagosen mbi 89 vetë, listen e të cilëve e kishte Ferdinand Temali. Dij se shpejtë ka vdekë edhe Artur Gila. Gjuejtja me snajper u ba nga godinat perreth sheshit…Dij se Arben Broci asht vra nga dritaria e apartamentit, pranë derës së Frano Preçit, që me ka tregue Ai vetë.

Frano, sa ka dëgjue të shtimet e para, ka dalë tek dera dhe ka gjetë 2 sampistë që gjuenin…

Kur urdhni i Presidentit ishte zbatue përpiknisht, dhe mbasi dhuna ishte prezent në çdo qoshe të qytetit, hipokriti i Shkodres, “bilbili i partisë”, kishte mendue me vue edhe maskën e tij si zakonisht veprojnë vrasësit, tue “nxi surratin në ikje mos me u njohë kush asht gjaksi” i dha flaken komitetit të partisë, tue u mundue me krijue idenë se “vrasjet erdhën pasojë e djegëjes së selisë së PPSh”…një trillim pa rezultat që u shue pa lindë… “tymi dhe bloza e arshivave të partisë komuniste nuk e mbuluen faqen e zezë të tij…derisa ngordhi!”.

Edhe pse u banë sa mbledhje në komitetin ekzekutiv të Shkodres, filluen greva, u ndalue puna e u mbyllen fabrika, erdhën nga Tirana hetuesë e prokurorë, jurist’ e spijunë, dhe u mendue me ua lanë “preshin” në dorë disa thasëve pa markë…Asnjëherë nuk asht arrijtë me u mendue “pafajsia” e organizatorëve të masakres së 2 Prillit 1991 në Shkodër!

Ajo ishte një veper tipike terroriste komuniste me të gjitha shfaqjet e mësheftësitë e veta që nga organizimi, realizimi dhe zvarrisja me zbulue të vërtetën, gja e cila nuk ka asnjë rasë që asht dënue në atë sistem përbindsh e tiran siç ishte komunizmi në Shqipni.

Të gjitha “misteret” janë vepra të diktaturës komuniste, të cilat mbulohen për aq kohë sa ai sistem barbar të sundojë mbi popullin e pambrojtun, ashtu si asht Populli Shqiptar, përderisa vrasësit, torturuesit, kriminelët dhe tiranët, jo vetem nuk dënohen për krimet që kanë krye dhe vazhdojnë me ba çdo ditë, por edhe qiten e priten ndër shtete që krenohen për “demokracinë dhe arritjet e saja” në vendet e tyne. Përderisa të mos vihen në bankën e të akuzuemve, por të lihen të lirë vrasësit e kriminelët e diktaturës komuniste shqiptare, që asht një nga ma tipiket e atij sistemi në botë, të gjitha idetë e lirisë dhe të demokracisë, nëse nuk janë përmbysë ende, s’ asht e largët koha e ringjalljes së diktaturës së pashpirtë! Koha po tregon se “ringjallja” po nxitet dhe po afrohet me “ringjalljen e diktatorëve” të pashpirtë.

2 Prilli 1991 në Shkoder asht vazhdë e krimeve që komunistët kanë krye ditën për diell e natën për hanë për 47 vjet pa ndërpremje. Që nga viti 1944 krimet e tyne janë legale, të njohuna dhe të jashtaligjëshme ashtu si ishte vetë organi i sigurimit të shtetit që zbatonte jashta të gjitha normave njerzore e juridike vendimet e partisë komuniste. Kriminelet e diktaturës 47 vjeçare vazhdojnë me kenë “heronjë”…Kuvendi Popullor asht dakord!

Shteti Shqiptar nëse vazhdon mos me dënue kriminelët apo “meritat” e njohuna zyrtarisht nga organet e paligjshme të diktaturës, tue fillue nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije k…siç asht thirrë nga turma në vorrimin e 17 vjeçarit Pllumb Pllumbaj, i vramë në kufi në korrikun e vitit 1990, domethanë se jo vetëm që Shteti sot pajtohet me ato krime të shëmtueme të komunizmit gjakatar, por edhe asht pasues i vepres së tyne.

Populli Shqiptar nuk duhet të heshtin dhe as të mendojnë se “armët e diktaturës” ndryshken vetvetiu, përderisa, ai të jenë pre e atyne armëve që për 70 vjet vazhdojnë me vra Bijtë e Atij Populli, që asnjëherë nuk ka pushue luftën e vet për Liri e Demokraci!

Demokracia asnjëherë nuk mund të ndërtohet mbi rrenojat e krimit e barbarizmit!

Melbourne, Prill 2014.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Masakra e 2 prillit

TRAGJEDIA E 2 PRILLIT

April 1, 2014 by dgreca

23 vjet nga vrasja e Arben Brocit dhe tre studentëve nga Sigurimi i Shtetit gjatë mitingut antikomunist/

Skenari i Gramoz Ruçit në masakrën e 2 prillit/

Nga Alfons GRISHAJ/

Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja. Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.
Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.
Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?
Në lagjen “Xhabije”, populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: “Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?”.
Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.
Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.
Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste ’45-’46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?
Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.
Për t’i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t’i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.
Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: “Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe”. “Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?”. Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.
Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.
Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.
Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: “Këta kriminelë kanë me u vra!”. Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.
Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: “Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!”.

Si nisi

2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Oso Kuka” dhe “29 Nëntori”. Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.
Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.
Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur… Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Thaçi dhe vartësit e tij…, shkodranët duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, “Helkath-Hazurim”, që do të thotë, “fushëbetejë”. U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë… Pse e gjithë kjo verbëri?!

Ballë për ballë me Çapajev Taçin

Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t’i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: “Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?”. Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: “Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!”. U larguam për të vazhduar detyrën tonë…

Martirët e 2 prillit

Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik

(Botoi Dielli-Arkiv, 2 prill 2013)

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: alfons Grishaj, Tragjedia e 2 prillit

“Si shpëtuan Hebrenjtë në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog”

April 1, 2014 by dgreca

Kumtesë e mbajtur në Tiranë më dt. 29 mars 2014 në konferencën “Shqiptarët dhe Hebrenjtë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore” dhe që organizoi Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në bashkëpunim me Fondacionin Mbretëresha Geraldine/

Nga Sulejman Gjana/Kryetar i PLL/

Trajtimi i pranisë dhe strehimit të hebrenjve në vendin tone gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare ka qenë një temë e panjohur për studiuesit shqiptar dhe sigurisht edhe për opinion e gjerë, në kohën e diktaturës komuniste.Kuptohet lehtësisht se diktatura komuniste përdori historinë në shërbim të ideologjisë dhe pushtetit absolut; nuk pati komplekse kur e shtrembëroi atë, madje shpesh herë injoroi, anashkaloi ose manipuloi faktet dhe realitetet historike.Gjatë asaj kohe, u errësua gjithçka ishte arritur në kohën e Mbretit Zog në hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar si dhe në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare.

Në fakt, gjithçka lidhej me Mbretërinë Shqiptare duhej konsideruar dhe interpretuar negativisht për t’i lënë hapësirën e duhur indoktrinimit dhe “edukimit” të popullit me mitet që kishte sajuar sistemi për periudhën e Mbretërisë dhe vetë Mbretin Zog.

Eksperienca na ka mësuar se gjithçka propagandonte regjimi komunist si e bardhë, ishte në realitet e zezë; dhe gjithçka që do të ishte e zezë për ata, në fakt ishte e bardhë.  Ndërkaq, gjithçka u la në heshtje gjatë diktaturës komuniste ishte ose e rrezikshme për pushtetarët dhe sistemin, ose e lavdishme për atë të cilit i mohohej e drejta e vet.

Kështu ka ndodhur edhe me aktin fisnik të Qeverisë Mbretërore Shqiptare dhe të Mbretit Zog në raport me trajtimin e hebrenjve që ishin të persekutuar gjatë viteve 30 në vende të ndryshme të Europës dhe që gjenin strehim dhe shpëtim në vendin tonë.

Për fat të mirë, pas viteve 90, shumë studiues dhe historian shqiptarë dhe të huaj kanë hedhur dritë mbi ngjarjet e asaj kohe duke publikuar informacione dhe materiale të bollshme në libra, artikuj, intervista dhe dokumentarë që shërbejnë sot si referenca për të gjithë ata që janë të interesuar për këtë çështjeje.

Duhet të përmendim këtu punimet e grupit të arkivit të shtetit drejtuar nga Prof. Nevila Nika, librat dhe punimet e Prof. Shaban Sinani, Prof. Saimir Lolja, Dr. Apostol Kotani, Prof. Beqir Meta, Prof. Monika Stafa, Prof. Pellumb Xhufi, Prof. Mentor Petrela, Dr. Bernd Fisher, Dr. Robert Elsie, Dr. Patrice Najbor dhe Z. Kastriot Dervishi ; dëshmitë e të mbijetuarve Dr. Scarlett Epstein dhe Irene Grunbaum ose dokumentarët dhe filmat e Norman Gershman dhe Johanna Neumann si dhe të Z. Astrit Hyka që do të prezantohet në vazhdim.

Edhe pse, disa prej tyre kanë analizuar ngjarjet vetëm pjesërisht ose nga një këndvështrim jo gjithnjë objektiv dhe neutral, të tjerët kanë dhënë një kontribut të paçmueshëm në zbardhjen e të vërtetës së mohuar për më shumë se gjysmë shekulli.

*****

Por çfarë ishte pikërisht e vërteta e trajtimit të hebrenjve gjatë viteve të Mbretërisë shqiptare?Regjistrimi i parë i hebrejve në Shqipëri është bërë në vitet 1923 – 1930. Sipas Dr. Jakov Milaj-t, antropolog, autor i librit “Raca shqitpare” (1944) nga të dhënat e këtij regjistrimi del se bashkësia e hebrejve me banim të përhershëm në Shqipëri arrinte deri në afro 200 veta. Që prej vitit 1929, gjenden në arkivat e Mbretërisë shqiptare, kërkesa për shtetësi shqiptare nga imigrantë hebrenj në vendin tonë.

Por vihet re një shtim i lëvizjes së hebrenjve drejt Shqipërisë pas shpalljes së doktrinës së “Shfarosjes Përfundimtare” nga Hitleri dhe hyrjes në fuqi të ligjeve anti-Semite në vitet 1932-1933 dhe ku kërkohej, ndër të tjera, që të vendosej raca në pasaportë.

Në fakt, diplomacia shqiptare e kundërshtoi doktrinën naziste duke u mobilizuar për të strehuar ata që u persekutoheshin në Gjermani, Austri por edhe në vende të tjera t’Europës.

Konkretisht, qeveria mbretërore shqiptare bëri gjithçka ishte e mundur për të shpëtuar hebrenjtë dhe qëndrimet e saja ishin mirëpritur nga diplomacia botërore.

Në vitin 1934, Komisioneri i Lartë për Refugjatët pranë Lidhjes së Kombeve, Z. James Mac Donald, i kërkoi Mbretërisë Shqiptare nëse ekzistonte mundësia për vendosjen në Shqipëri të një numri jahudijnshë nga Gjermania dhe menjëherë mori përgjigjen pozitive.  Sipas Dr. Patrice Najbor, 500 familje hebreje përfituan nga kjo ndihmë.

Po atë vit, Herman Bernstein, që ishte ambasador i SHBA në Tiranë gjatë asaj kohe, shkruante në gazetën New-York-eze Jewish Daily Bulletin se “nuk ekziston asnjë diskriminim kundër hebrenjve në Shqipëri sepse Shqipëria është një ndër vendet e rralla të Europës së sotme ku paragjykimet fetare nuk ekzistojnë”.

Po ashtu, Bernd Fischer ka relatuar bisedimet dhe projekt marrëveshjen e Ambasadorit Bernstein me Ambasadorin e shtetit shqiptar në SHBA, Faik Konica, pikërisht për vendosjen e 500 familjeve hebrenje në Shqipëri.

Gazetat e bashkësive hebraike të vendeve të ndryshme të Europës i kushtuan gjatë viteve 30 një rendësi të veçantë Shqipërisë dhe strehimit që vendi ynë u ofroi hebrenjve.

Kështu, më 10 qershor 1935, gazeta “Moment” në Poloni botoi artikullin me titull “Hebrenjtë ftohen të vendosen në Shqipëri” dhe citohet mes të tjerash, se “qeveria shqiptare ka marrë një vendim të posaçëm duke ftuar edhe hebrenjtë e Çekisë dhe Gjermanisë” dhe se “qeveria e Mbretërisë së Shqipërisë është e gatshme të pranojë vendosjen e hebrenjve në vend dhe t’u ofrojë atyre kushtet e mundshme”.

Të njëjtën gjë shkruanin edhe gazetat “Jewish Telegraphic Agency” dhe “Jewish Chronicle” në Angli ndërsa gazeta britanike “Jewish Daily Post” shkruante më dt. 14 korrik 1935 se “shërbimi diplomatik i Shqipërisë qysh prej një muaji ka njoftuar vendimin e Tiranës për pranimin e hebrenjve në vend”.

Gjatë asaj kohe por edhe në vitet në vazhdim në Mbretërinë Shqiptare, nuk gjendet në shtypin shqiptar asnjë qëndrim ose relatim i një ngjarjeje anti-Semite në vendin tonë.

Siç e pohon Prof. Monika Stafa që ka studiuar qëndrimin e hebrenjve në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog, “Tirana nuk miratoi asnjëherë ligje anti-Semite; madje as vendime, as rregullore dhe asnjë akt me karakter racor”.

Nga ana tjetër, edhe pse Tirana ishte nën presionin e Italisë për të miratuar akte ligjore me karakter antisemit, në Fletoren Zyrtare botoheshin vendimet dhe qëndrimet e shtetit shqiptar lidhur me strehimin e hebrenjve në Shqipëri, sa që, në vitin 1935, gazeta e famshme sovjetike “Pravda” njoftonte se “vullneti i qeverisë shqiptare për të pranuar hebrenjtë po kundërshtohet nga Italia”.

Numri i refugjatëve hebrenj të strehuar në Shqipëri ose që kaluan nga Shqipëria pa rrezik gjatë kohës së Mbretit Zog nuk është përcaktuar ende përfundimisht por dihet se deri në prag të pushtimit të vendit nga Italia fashiste më 7 prill 1939, qindra ose mijëra prej tyre hynë në vendin tonë.

Dr. Apostol Kotani, Bernd Fisher dhe Martin Gilbert, evidentojnë se edhe në janar 1939 kishin hyrë në Shqipëri 100 hebrenj bashkë me familjet e tyre, po ashtu në shkurt ndërsa në mars 1939, kishin hyrë 95 familje.

Edhe Robert Elsie pohon në librin e vet “A dictionary of Albanian religions, mythology and folk culture” se “deri në 1939, Ambasada e Shqipërisë në Berlin pajistë hebrenjtë me viza”.

Po ashtu, Jutta Gerechter në kujtimet e veta për Shqipërinë gjatë viteve 1939-1945 shkruan “Mbreti Zog pranoi t’u jepte të gjithë emigrantëve hebrenj nënshtetësinë shqiptare, por pushtimi fashist e pengoi të realizonte atë vendim”.

Madje, Sir Martin Gilbert shënon në librin e vet “Winston Churchill: profeti i të vërtetës” se një emisar i Mbretit Zog kishte takuar Churchill-in në fillim të vitit 1939 për t’i propozuar që Shqipëria të bëhej vend strehimi për hebrenjtë dhe se për të realizuar këtë qëllim, Churchill-i do të duhej të frenonte oreksin e Musolinit dhe të garantonte pavarësinë e Shqipërisë.

Dr. Patrice Najbor thot se +/- 2.000 hebrenj kanë hyrë në Shqipëri para LDB ndërsa Bernd Fischer e kufizon këtë numër në rreth 800 veta, pavarësisht se, po Fischer, flet për “vite të arta për hebrenjtë në Shqipëri gjatë periudhës mbretërore”.

Në fakt, që në vitin 1937, Mbreti Zog kishte njohur zyrtarisht praninë e bashkësisë hebraike në Shqipëri si dhe të drejtën për të ruajtur fenë dhe zakonet e veta dhe, marrëveshja dy palëshe e vitit 1938 midis Austrisë dhe Mbretërisë Shqiptare për heqjen e vizave ndërmjet dy vendeve, stimuloi ardhjen në Shqipëri të shumë familjeve hebrenjsh që rrezikoheshin tjetërkund në Europë.

Në një shkrim botuar në gazetën Shekulli më 22 gusht 2010, pas një muaj gjurmimesh në arkiva, Dr. Mentor Petrela shkruan për “5 doktorë hebrenj që u sollën nga Mbreti Zog në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes së Hitlerit” (Prof. Wilhem Schlessinger, Prof. Walter Lehman, Dr. Ludovik Kalmar, Dr. A.M. Schlessinger, Dr. Quasler) dhe publikon urdhrin e pagesës së shoferit të Doktorit Schlessinger në një kohë kur dy ministra përdornin një makinë dhe një shofer.

Përveç trajtimit institucional nga autoritetet e Mbretërisë Shqiptare të refugjatëve hebrenj, dihet se vetë Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë e kishin Dr. Ourinovski si mjek të familjes mbretërore dhe Wilhem Weitzmann si fotograf zyrtar të Oborrit Mbretnor, që të dy refugjatë hebrenj të strehuar në Shqipëri.  Madje, në fillim të vitit 1939,  Wilhem Weitzmann u pajis, me shtetësinë shqiptare bashkë me 15 pjesëtarët e familjes vet.

Në fakt, Mbreti Zog kishte marrë shumë kërkesa personale nëpërmjet letrave që hebrenjë e rrezikuar në vendet e tyre i kërkojshin strehim në Shqipëri, siç është rasti i Dr. Martin Gottlif nga Gjermania dhe Richard Atlas nga Austria.

Ndër personalitetet e shquara hebrenje që shpëtuan në Shqipëri gjatë kohës së Mbretërisë, mund të dallojmë Prof. Stanislav Zuper, një nga baballarët e gjeologjisë shqiptare dhe zbuluesi i pellgut naftëmbajtës të Bakusë.  Po ashtu, edhe shkrimtari gjerman Dr. Leo Mathia dhe artisti izraelit Joli Jakov gjetën strehim në Shqipëri.

Supozohet se edhe fizikani dhe shkencëtari Albert Einstein kaloi nëpërmjet Shqipërisë në vitin 1930 para se të largohej për në SHBA.  Pavarësisht se ende nuk është vërtetuar vizita e tij me prova të pakontestueshme, mjaft studiues besojnë se ai ka vizituar Shqipërinë dhe kërkimet dhe studimet rreth kësaj çështjeje vazhdojnë.  Sidoqoftë, është e çuditshme që në 1931, kur albanologu më i shquar me shtetësi kroate Milan Sufflay vdiq si rezultat i atentatit nga një serb, menjëherë Einstein e denoncon publikisht këtë akt të shëmtuar në të përditshmen New York Times.

Për fat të keq, Dr. Norbert Jokli, një profesor i shquar i Universitetit të Vjenës dhe i njohur si një nga baballarët e albanologjisë, nuk arriti të shpëtojë dhe u zhduk nga shfarosja naziste në vitin 1942 edhe pse ai ishte i dekoruar nga Mbreti Zog me Urdhrin Skënderbeu.

*****

Pavarësisht se shumica e studiuesve kanë interpretuar strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në vendin tonë si një pasojë e traditës mikpritëse të popullit shqiptar duke iu referuar edhe kodit të nderit dhe të besës, këndvështrimi im është pak ndryshe.U përpoqa të sjell gjatë fjalës sime disa argumente dhe fakte në mënyrë jo-shteruese dhe të raportuar nga studiues të horizonteve të ndryshme dhe që provojnë angazhimin e Shtetit Shqiptar, të Familjes Mbretërore dhe personalisht të Mbretit Zog në shpëtimin e hebrenjve, për të dëshmuar se autoritetet e vendit tonë para LDB ishin orientuar thellësisht drejt botës perëndimore, vlerave humaniste dhe parimeve fisnike.

Ka akoma zëra që pretendojnë se vendimet dhe qëndrimet e Mbretërisë Shqiptare kundrejt hebrenjve ishin të interesuara për arsye të nevojave të zhvillimit ekonomik të shtetit shqiptar.  Nuk vihet në dyshim pragmatizmi i Mbretit Zog në drejtimin e shtetit shqiptar por analiza objektive e fakteve tregon se ishte një pragmatizëm në interes të vendit dhe kombit shqiptar dhe bazuar në vlera universale, pasi mund të kishte rrezikuar më pak personalisht nga Italia Fashiste dhe Gjermania Naziste nëse do të ishte radhitur në kampin e kolaboracionistëve.  Aq më tepër, kur dihet se në prag të pushtimit fashist, Qeveria Shqiptare nuk ndryshoi qëndrimin e vet ndaj hebrenjëve edhepse në shkurt të vitit 1939 qeveria italiane i kishte bërë të ditur konsullatës shqiptare në Romë se nuk e shihte me sy të mirë vendosjen e hebrenjëve në Shqipëri.

Natyrisht, unë respektoj mendimin e atyre që thonë se Besa e Shqiptarit ndikoi në shpëtimin e hebrenjve në vendin tonë.  Ashtu siç respektoj mendimin e atyre që thonë se përkatësia myslimane e shumicës së popullit shqiptar ndikoi për të shpëtuar refugjatët hebrenj sikur kishte ndodhur ne epoka dhe territore të tjera, në situata të ngjashme.

Filed Under: Histori Tagged With: “Si shpëtuan Hebrenjtë në Shqipëri, e Mbretit Zog”, ne kohen, Sulejman Gjana

Kalendar- 69 vjet nga Masakra e Tivarit, shumë histori dhe enigma për ngjarjen e 30 Marsit

March 30, 2014 by dgreca

30 Mars- Sot bëhen 69 vjet nga masakra më e madhe që u bë ndaj shqiptarëve. Viti 1945, do të kujtohet edhe për shumë vite të tjera edhe pse institucionet e kanë harruar këtë ngjarje. Ajo është masakra që iu bë të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Tivar. Numri i të vrarëve në këtë masakër llogaritet nga 1700-4300.

Kur nazistët ishin në tërheqje nga territori i ish-Jugosllavisë, frontet u krijuan në Srem të Vojvodinës dhe në atë të Adriatikut në veriperëndim të Jugosllavisë. Shqiptarët u rekrutuan për tu dërguar në luftime në këto fronte ndërsa brigadat Serbe i forcuan pozitat e tyre në territorin e Kosovës. Gjithsej 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës.

Pikë mbledhja e këtyre ushtarëve u caktua Prizreni,ku të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosen me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe. Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë. Ata qe i mbijetuan masakres besojne se numri i të vdekurve apo të vrarëve gjatë rrugëtimit për në Frontin e Adriatikut është gjithsej 4300 veta.

Përveç partizanëve, në vrasjen e shqiptarëve kanë marrë pjesë edhe popullsia vendase malazeze por edhe popullsia civile serbo-malazeze të cilët kishin qenë të larguar nga Kosova pas luftës së prillit. Por kishte dhe vendas të cilët të rinjtë shqiptarë i fshihnin nëpër shtëpitë e tyre ose në stoqet e sanës. Jo me kot ende sot, pas 69 vitesh, Tivari konsiderohet varri më i madh masiv i shqiptarëve.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 69 vjet, Kalendar, nga Masakra e Tivarit

Kosta Çekrezi – Nga brezi i të zhgënjyerve

March 30, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Më 31 mars 1892 – Në Ziçisht, Korçë, lindi Kostandin Anastas “Kosta” Çekrezi, diplomat, historian, publicist, politikan, atdhetar. Dokumentet e shkollës tregojnë se ai ishte nxënës i shkëlqyer dhe për këtë arsye fitoi një bursë nga qeveria osmane për të studiuar në fakultetin juridik në Selanik. Pasi Shqipëria u shpall e pavarur, më 1912 deri në vitin 1914, Çekrezi punoi në Vlorë si sekretar Gjykate, pastaj si përkthyes i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit pranë qeverisë së Ismail Qemalit dhe në administratën e Princ Vidit.

Kur shpërtheu lufta e Parë Botërore, Çekrezi emigroi në SHBA. Vetëm 23 vjeç, Kosta u bë redaktor i gazetës Dielli në Boston dhe kryeredaktor i saj nga 1915 – 1919; gjatë kësaj kohe studioi për histori, ekonomi, administratës publike dhe gjuhën angleze në Universitetin e Harvardit, Boston; dha leksione për histori në Universitetin Kolumbia, Nju Jork, ku shkroi edhe monografinë Albania Past and Present, cilësuar si libri i parë për shqiptarët nga shqiptarët, në anglisht. Sipas Robert Elsie-t, Çekrezi u kthye për pak kohë në Shqipëri në vitin 1920 për të marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes. Në vitet 1920 – 1922, u caktua përfaqësues i Shqipërisë në Uashington.

Përsëri u kthye në Shqipëri, punoi si këshilltar në qeveri, morri pjesë aktive dhe organizator në kryengritjen anti-zogiste të Fierit, 1935, e cila u shtyp – dhe Kosta u dënua me vdekje në mungesë; Çekrezi ishte hedhur në Francë, “ku u mbajt për ca kohë në kampin e përqendrimit “Vernet de l’Aiege”. Këtu, u njoh me vullnetarët shqiptarë të Luftës së Spanjës, Skënder Luarasin, Mehmet Shehun, Hulusi Spahiun, me të cilët nuk pat marrëdhënie të mira, për shkak të ideologjizmit ekstrem marksist të tyre. Këta, sipas Çekrezit, “e shkonin kohën me studime të thella të filozofisë marksiste-englesiane, për të qenë gati t’i aplikonin në sovjetizimin e Shqipërisë” (Luan Malltezi, Balkanweb, 2013).

Më 27 tetor të vitit 1941, Çekrezi i nis për në Amerikë; dhe më 28 dhjetor 1941, së bashku me Tajar Zavalanin, formon në Boston organizatën Shqipëria e Lirë, dhe gazetën Liria si organ të saj. Çekrezi kishte një urrejtje të madhe për Zogun dhe qëllimi i krijimit të organizatës duket se ishte për t’iu kundërvënë njohjes së mundshme të qeverisë së Zogut në mergim, nga ana e vendeve aleate. Kjo kuptohet edhe nga një letër e Nolit dërguar Zavalanit në Londër më 1942, ku i kërkonte të mos pengonte përpjekjet e mbretit Zogut për njohjen e një qeverie në mërgim, sepse çështja lidhje me përcaktimin e fatit të Shqipërisë së pas-luftës dhe jo me formën qeverisëse. Në gjysmën e dytë të viteve 1940, Çekrezi u përpoq për afrimin e qeverisë së Tiranës me Uashingtonin dhe me vende të tjera perëndimore, por pa sukses.Ndërsa me gazetën e tij Liria në Boston, ai u ofronte shqiptarëve të Amerikës një pamje të çelët, optimiste rreth zhvillimeve në Shqipëri në vitet e para nën komunizëm: “Me fjalët e tua, ti më akuzon, se ato që shkruhen në gazetën LIRIA, nuk i përgjigjen realitetit të Shqipërisë. Mirpo, o Qaskë, realiteti ësht ashtu siç e shikon njeriu nga pikëpamje e tij”, i shkruante Çekrezi, më 1945, një miku të tij që e kritikonte rreth qëndrimit të gazetës.

Megjithatë, si shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë jashtë, të djathë a të majtë, dënuar me mërgim të përjetshëm, edhe Çekrezi u la në hije ose nuk u përfill nga qeveria e Shqipërisë së pas-luftës – Konstantin Anastas “Kosta” Çekrezi vdiq pranë Arlington më 10 janar 1959, në moshën 67-vjeçare. Gazeta Liria në Boston vazhdoi të botohej – deri në fund të viteve 1980 – nga Dhimitër Trebicka – në të njëjtën frymë.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kosta Çekrezi – Nga brezi i të zhgënjyerve. Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 591
  • 592
  • 593
  • 594
  • 595
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT