• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KANË THËNË PËR THEOFAN S. NOLI

March 26, 2014 by dgreca

Me rastin e përvjetorit të 49 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Stilian Noli/

 Konica për Nolin/

   Me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit, u poqa me shokun e vjetër, peshkop Fan Nolin, të cilin nuk e kisha parë disa vjet. Fan Noli, (një njeriu që ka lojtur një rol aq të madh në lëvizjen tonë dhe është aq i njohur mund t’i përmnedet emri pa ndonjë titull si një fytyre historike, pa hyrë në ndonjë pakësim nderimi në këtë mungesë titulli), Fan Noli, thom, s’ka ndërruar shumë.

Heronjtë e Homerit shkëmbejin fjalë të ashpra, pastaj bashkoheshin si më parë. Sado që s’jemi si ata heronj, m’u kujtuan kur u poqa me një fytyrë me të cilën kam luftuar aq shumë kohë si shok, edhe pak kohë si kundërshtar. Me Fan Nolin merrem kurdoherë vesh më lehtë, se flasim një gjuhë: kuptohemi se njeriu që shkruajti muzikën e Don Giovanit bëri një punë më të madhe se njeriu që shpiku telefonin, ose kur themi se Partheoni edhe Tarxh Mahali janë monumente më të larta se Kulla e Eifelit, e cila është një mijë këmbë e lartë. Fan Noli është edhe i ri, prova më e mirë është se është i zoti të qeshë. Në bëfshi mundimin e këndoni një letër time të botuar në numër të Janarit të së përkohshmës “Judge” në Nju Jork, do të shihni se ç’kuptim të thellë i jep zotërisë për qeshje.

Fan Noli jo vetëm është i ditur në muzikë, po ka zotësinë e rrallë të stërvitë të tjerë në atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë që një njeriu të atillë nukë i jepet rasti të organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit! Ç’humbje që nukë i jepet rast të organizojë një universitet popullor në Shqipëri, ku njerëz të pjekur të venë një a dy orë ditën të stërviten!

Fan Noli është hequr nga politika edhe më shumë se sa jam hequr unë. Kuptohet se një njeri i mendjes ka nevojë për siguri dhe për dinjitet; po t’i jepeshin këto, do të ish një fitim për Shqipërinë.

…Atë Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që harriu i pari, me hir të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të këllasi zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë është një ogur i bardhë në udhë të përparimit tonë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët ta harrojnë.

Leshzi, me sy të mprehtë, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë me uzurë, mendjehapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, Atë Noli nga kultura dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane. 

Hasan Dosti për Nolin

           …Fan Noli ka qenë një fytyrë qendrore në historinë e vendit t’onë. Ky burrë simbolizon sinthezin e virtuteve të racës arbënore. Të shumta e të paçmuarshme janë veprat që ai i ka kushtuar Atdheut, në fushën e kulturës e të edukimit të popullit.

Po, përmbi të gjitha, qëndron ndërmarrja e themelimit të Kishës Autoqedale të Shqipërisë, e çkëputur nga Patriarkati i Fanarit, që ka qenë qendra arkane e mohimit të të drejtave të kombësisë s’onë.

Fan Noli i madh i ynë ka qenë patrioti që ka menduar, gjykuar e vendosur se autoqefalia e kishës kombëtare është akti plotësues i pamvarësisë dhe sovranitetit të Shtetit. Dhe kështu burri i madh kauzës së autoqefalisë i ka kushtuar nxehtësinë e patriotizmit, energjitë shpirtërore, inteligjencën e mrekullueshme dhe kulturën e gjerë theologjike e filosofike.

Me rastin e përkujtimit të këtij prelati të lartë, mendimi dhe emocioni ynë drejtohen edhe nga martirëzimi i tre prelatëve të tjerë të Kishës orthodokse shqiptare: e kam fjalën te Pappa Kristo Negovani, Papa Stathi Melani – poet, dhe Papa Llambri Ballamaçi. Megjithëse të edukuar në shkollën greke dhe të dorëzuar priftër prej peshkopësh grekë, këta u rrëmbyen nga mistika e racës dhe e gjakut shqiptar. Si bij të popullit ata i janë vënë me mish e shpirt çështjes së edukimit politik kombëtar. Kështu ata janë bërë objekt i mallkimeve dhe ndjekjeve të Fanarit dhe më së fundi u martirizuan prej andartëve grekë…

 Ernest Koliqi për Nolin

 …Stefan Stiljan Noli, nji ndër personalitetet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet posi nji fytyrë poliedrike, d. m. th. e shumanëshme, e cila gja lodhë menden e kujdo kur vjen momenti me dhanë nji gjykim synthetik mbi rrolin qi ai luejti në botën shqiptare. Kush jeton si i ndodhi atij ma se tetëdhdhetë vjet dhe në nji periudhë historike ndër ma të stuhishmet qi njofti njerzimi, lehtazi bahet objekt kritikash sepse nji jetë kaq e gjatë rrethohet, në fazat e ndryshme të saj, me drita e me hije të cilat ndoshta shkaktohen nga rrethanat, nëpër të cilat u përshkue, ma tepër se nga nji vullnet i prem e i paravendosun m’u sjellë si u suell.

Si të gjithë njerzit me nji vlerë të veçantë, edhe Fan Noli nderohet e përçmohet me ngulmim qi shpesh herë arrin në parosizëm ndër lëvduesa e prozhmuesa të tij. E verteta asht se veprimtarija e nji njeriu, qi gjatë tetëdhetë vjetve rresht gjallese në ket shekull u dha me mish e me shpirt mbas sendërtimit të nji ideali, i cili synthetizonte në vete qellime fetare e kombtare, shoqnore e kulturore, duhet vu në nji kandar të drejtë. Gabimet ase në datsh të thuesh fajet qi Fan Nioli ka mujtë me ba, nuk ia zbresin vlerën tri veprave të pashoqe qi ai kreu, pasojat e mira të të cilave edhe sot ndiehen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi me 1909 i fletores “Dielli”, preludium i themelimit të Shoqatës Panshqiptare Vatra në Boston, me 1912, në bashkëpunim me Faik Konicën, – pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, me 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe po të pranojmë për hypothezë se Fan Noli pat njolla, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë…

 Mitrush Kuteli për Nolin

 Kompleks dhe gjenial është personaliteti i Fan S. Nolit. I pajisur me një kulturë të gjerë, të mbledhur si për çudi, në rrethana kaqe kundërshtare, e në një jetë kaqe të turbulltë, njohës i kaqe gjuhrave, i kaqe dishiplinave të ndryshme, i kaqe klimateve shpirtërore. Me një sensibilitet artistik kaqe të zhvilluar, ay mban brenda tij edhe njatë dhuratë të madhe që u jep Filla – fjala është e tija – njerzve: dhuratën e krijesës. Gazetar, theollog, orator, dramaturg, historian, kritik, letrar, kompozitor e gjithmonë poet. Fan S. Noli ka sjellë në gjithë degat ku ka punuar një sulm të tijnë, një verb të panjojtur, madhor.

Edhe të gjitha këto dhurata, gjithë ky veprim i tija, prej dyzet e ca vjet, vetëm në shërbim të një ideali: ideali shqiptar. Një ideal, si t’i thuash, shoqëror – kombëtar; gjithëmonë shoqëror, gjithëmonë kombëtar.

Fragment nga letra e George Bernard Show drejtuar Nolit

    U gabuat në zanatin kur u dorëzuat klerik. Libri juaj “Bethoven and   the French Revolution” nuk është predikimi a hagjiografia e një kallogjeri, po është vepra e një kritiku e biografi të dorës së parë. E lexova që në krye gjer në fund me kënaqësinë më të madhe, duke qenë vetë mjeshtër si muzikant, kritik dhe artist-filozof professional. E dini ndoshta se njeiu kurrë nuk lexon librat, që i dhurohen me thasë, ashti siç m’i dërgojnë mua.

…Ju jam thellësisht mirënjohës

G. Bernard Show, më 11 nëntor 1947

Qerim Panariti për Nolin

   “…Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.

Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë. Noli kujtoj se profesoriit iu bë një padrejtësi dhe një-me-një organizoj një demonstratë të studentëve në favor të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qërshor, sipas zakonit.

Më duket se nuk gabohem shumë po t’a karakterizonj Nolin si Prometheun e Rilindjes Shqiptare. Prometheu, pas mithollogjisë kllasike, pruri zjarrin në botë dhe munt të karakterizohet si shkencëtari i parë i botës kllasike. Për çpikjen e zjarrit, domethënë për sjelljen e dritës në botë, perënditë ziliqare dhe reaksionare, dërguan një kovaç i cili e mbërtheu Prometheun pas një shkëmbi të zi  dhe e la atje të torturohet gjer të vdesë.

Noli si mithollogu kllasik, i pruri dritë popullit Shqiptar që t’i stërvitë mëndjen, se me shkrimet eë tij mësuam se vijmë nga një racë e moçime, që i dha Evropës përdorimin e hekurit, një kontributë tepër importante për botën para-historike. Që t’a kuptojmë më mirë këtë çështje vlen të theksohet se Ilirianët, stërgjyshët tonë, filluan të përdorin hekurin në një kohë kur Athina dhe Roma s’ishin dëgjuar fare në historin’ e njerëzimit.

Peter R. Prifti për Nolin

   “… Më kujtohet Kuvendi i “Vatrës” më 1958. Siç dihet, Noli ish “Kryetar Nderi” i “Vatrës”, dhe si i tillë nuk merrte pjesë në punët e përditshme të organizatës. Megjithatë, vinte në kuvendet e “Vatrës”. E kish zakon të bënte një vizitë ceremoniale gjatë punimeve të kuvendit, për t’u përshëndetur me delegatët. Për 10 a 15 minuta punët e kuvendit ndaleshin. Rifillonin pasi shkonte Noli.

Kristo Thanasi ish atë vit kryetar i “Vatrës”. Unë rrija pranë tij. Sapo hyri Noli në sallën e kuvendit, Kristua mu afrua e më tha më zë të ulët, “Ai është fuqia prapa ‘Vatrës!”. Kristua deshi të më jepte të kuptoja se, ndonëse ai vetë ishte kryetar i “Vatrës”, baza e organizatës dhe burimi i vërtetë i fuqisë së saj ishte Fan Stilian Noli. Atë çast unë kuptova më mirë influencën e madhe të Nolit brenda “Vatrës”, si edhe midis Shqiptarëve kudo në Amerikë.(Dielli-Arkiv)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kane thene per Nolin, Konica, Mitrush Kuteli, Peter Prifti

Rexhep Goçi- Çfarë ndodhi më 16 nëntor 1982 në Spaç

March 26, 2014 by dgreca

– Pushofsh në paqe, o miku im i halleve e vuajtjeve!

Nga Bedri BLLOSHMI/Rexhep Uk Goçi ka lindur në vitin 1937 në fshatin Ҫerem të rrethit Tropojë. Rexhepi ka qenë i martuar me Bora Goçaj dhe kanë lindur 7 fëmijë: Perlatin (më i madhi), Esatin, Luanin dhe motrat Sadete, Valdete, Valbona dhe Servete. Rexhepi kishte arsim fillor dhe ka punuar në ndërmarrjen e gjeologjisë në Tropojë. Më 14.2.1975 arrestohet nga Sigurimi për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, parashikuar nga Neni 73/1 KP. Më 30.5.1975 Gjykata e Tropojës e dënon me 10 vjet heqje lirie. Më pas e dërgojnë për të vuajtur dënimin në kampin e Spaçit të Mirditës. Në vitin 1982 në muajin nëntor qeveria komuniste bën një amnisti për të burgosurit politikë. Në burgun e Spaçit përfitonin 373 apo 375 të dënuar, të cilët u liruan më 15 nëntor 1982. Të nesërmen, më 16 nëntor Rexhep Goçi do të jepte shpirt tek galeria 15/1 nga breshëritë e kallashnikovit. Ishte “rregull” i komandës që mbasi të vrisnin dhe të groposnin për rastin në fjalë, vendgroposja ishte në Shpal të Mirditës. Pas vitit 1990 familjarët e Rexhepit interesohen dhe e zbulojnë vendgroposjen, e marrin dhe e varrosin në vendin e lindjes ku pushon përjetësisht pranë të parëve të tij.

Kujtesë- Çfarë ndodhi më 16 nëntor 1982 në Spaç

 

Rreth viteve 70-të, në kupolën e krimit në Tiranë, diktatori po vazhdonte krimet e radhës. Në burgun e Spaçit vinin lloj-lloj informacionesh, ndoshta për t’i pasur ne si ushqim të shpresës. Në vitin 1982, natën e shtatëmbëdhjetë duke u gdhirë 18 dhjetori, në televizion u dha një lajm i gëzueshëm për ne: “Nga një krizë nervore, kryeministri i Shqipërisë, shoku Mehmet Shehu, vrau veten”. Të gjithë të burgosurit përfshi dhe unë, u gëzuam shumë. Bisedonim nga dy e nga tre të gjithë të dënuarit, se komunizmi po e çonte drejt fundit ngrënien e pjellës së vet. Qeveria komuniste shpalli një amnisti për të burgosurit politikë dhe më 15 dhjetor 1982, në burgun e Spaçit, u liruan mbi treqindeshtatëdhjetë të dënuar. Në bazë të përllogaritjeve një i dënuar nga rrethi i Tropojës, Rexhep Uk Goçi, nuk përfitonte nga kjo amnisti, sepse kishte njëmbëdhjetë ditë më shumë sipas përllogaritjes së kartelistit të komandës.

Këta që u liruan ishin në brigada të ndryshme nga të pesë zonat e minierës, ku nën peshën e kamzhikut dhe torturave të tjera, si lidhje me hekura pranë shtyllës së betonit dhe shumë herë me duart e lidhura mbrapa, të lidhnin dhe një rrotë vagoni që peshonte vetëm në duart e lidhura. Kjo rrotë vagoni nuk takonte në tokë. Problem i padiskutueshëm ishte zona e dytë, ku nxirrej minerali i piritit nën temperaturën 40° – 45° nxehtësi. E plotësuan brigadën aq sa duheshin për vagonat e piritit.

Unë në atë kohë punoja në zonën e pestë dhe më kaluan në zonën e dytë bashkë me disa armatorë (punëtorët e mirëmbajtjes së galerisë quheshin armatorë). Kështu që midis disa të tjerëve ishte dhe Rexhep Goçi. Në kohën që do futeshim brenda në galeri dhe saktësisht në galerinë 15/1, e vjetër thërriteshe. Rexhepi do të punonte në këtë galeri siç thashë më sipër, armator dhe merr një mjet që quhej “karrotrupe” për të marrë disa trupa betoni jo shumë larg grykës së galerisë 15/1. Në të djathtë të kësaj galerie, gati 200-300 metra larg, ishte rrethimi dhe një karakoll nga jashtë tre rrethimeve me tela me gjëmba, që vigjëlonte natë-ditë ushtari me automatik në dorë. Duhet të sqaroj një gjë për lexuesin që nuk ka dëgjuar për këto që po rrëfej. Në qoftë se ushtari vriste një “armik” (të burgosur politik), shpërblimi i parë ishte pesëmbëdhjetë ditë leje dhe patjetër dhe një dekoratë dhe kur do mbaronte ushtrinë, komanda i vishte policë po në kamp. Në brendësi të hapësirës nga rrethimet e 20-25 metra larg galerisë, ishin vendosur disa tabela në formë trekëndëshash (prej hekuri), që i dënuari nuk duhet të kalonte dhe as të afroheshe. Rexhepi, disa metra larg këtyre tabelave, po ngarkonte trupat e betonit për t’u futur në galeri. Në këtë kohë u dëgjua ulërima e automatikut, ne shtangëm të gjithë sa ishim nga frika. Sapo u dëgjua zhurma vdekjeprurëse, polici doli e i thërret ushtarit: “Ç’bëre more, ndaloje zjarrin”. Ndërkohë Rexhepi ra në një brinjë me trupin e betonit në prehër dhe me një zë gati në fikje foli: “Ç’më bëre more ushtar, më vrave, m’i le fëmijët rrugëve, kam një qerre me fëmijë. Oh Zot, pse, pse kështu me mua, mirë që s’më liruat, po pse më vratë? Ah, fëmijët mbetën jetimë”. Gjaku dalngadalë po skuqte rrobat e pista nga piriti, vari kokën mënjanë dhe nuk u ndje më. Polici qëndronte në këmbë, pranë kufomës duke na ulëritur neve: “Futuni brenda, futuni brenda”. Për tetë orë rresht, ulur në cepin e galerisë e pa folur asnjë fjalë me njëri – tjetrin, të ndriçuar nga llamba karbitit e cila lëshonte një flakë të verdhë, duke lëvizur sa majtas djathtas. Mbas disa orësh mbërriti prokuroria e Rrëshenit për të bërë formalitetet e për ta lejuar komandën të bënte groposjen e radhës në një buzë përroi që thërriteshe Shpal… .

Aty ku e prisnin shokët, të vrarë e groposur më parë. Ndërsa fëmijët u rritën jetimë nën praninë e dhimbjes e urisë. U rritën e u martuan e mbas vitit 1990, Perlati dhe gjashtë fëmijët e tjerë bashkë me fëmijët e tyre (nipërit e mbesat e të ndjerit Rexhep), nisën ashtu me kokë mënjanë, të heshtur drejt luginës së shkretë e majave të rrjepura nga erozioni, të Spaçit. Drejt kësaj skëterre që mbante të fshehur në barkun e tokës së djegur babanë e tyre. Gjithsesi ata e prisnin të kthehej i gjallë, më i plakur e i thinjur, i dërmuarr nga jeta dhe fati që e ndëshkoi aq rëndë. Megjithatë dhe ato pak eshtra që kanë mbetur pa u tretur po udhëtojnë të pushojnë në vendlindje. Edhe pse po të shohësh mbrapa sheh vetëm trishtim, jeta vazhdon… .

  Pushofsh në paqe, o miku im i halleve e vuajtjeve!E megjithatë unë u ktheva i gjallë. Qetësi, qetësi e mjerim.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Bedri Blloshme, Rexhep Goci, Rexhep Goçi- Çfarë ndodhi më 16 nëntor 1982 në Spaç

Viti 1848 : EDUART LIR NE LUSHNJE

March 25, 2014 by dgreca

  -Ç’thotë  për  Lushnjën  e  atëhershme,  udhëtari  i  njohur  anglez –Praninë  dhe  qendrimin  e  tij  në  Lushnjë,  gazetat  angleze  të  kohës  e  japin  që  në  titull.  Natyrisht  që  kjo  nuk  mund  te  jetë  rastësi.  Eduart  Lir  ishte  dikushi,  me  siguri  diçka  më  shumë  se  një  piktor  i  pejzazhit.  I  gjithë  shkrimi  tërheq  vëmendjen,  shton  imagjinatën.  Jemi  tamam  në  një  fshat  si  Lushnja  e  atëhershme.  Atëherë,  çfarë ka në thelb ky udhëtim në kohë ?

Nga Niko Ferro& Andrea Liko/

Eduart Lir u lind më 12 maj 1812 në periferi të Londrës, në një familje të thjesht angleze. Duket  disi  e  çuditshme,  por  ai ishte fëmija i njëzet  i  familjes. Thuhet që pati një adoleshencë të vështirë. Babi i Eduartit humbi të gjithë pasurinë e familjes në disa investime të dyshimta dhe përfundoi në burg. Vetë Eduarti u rrit nga motra e tij e madhe. Mësojmë gjithashtu se ai vuante nga sëmundja epileptike dhe nga azma. Sidoqoftë,  që i vogël ra në sy për vizatimet e tij të cilat përpos se ishin mjaft precize, ishin dhe mjaft të bukura. Pasioni i tij i madh ishte vizatimi me karakter zoologjik, me pak fjalë pikturimi i zogjve. Falë kësaj aftësie, ai arriti të gjeje punë si piktor natyralist. Midis vitit 1830 dhe 1832 Eduart  Lir publikoi një nga veprat më të bukura dhe të mirë ilustruara, dedikuar papagallëve, me titull “Illustrations of the family of Psittacidae or Parrots”.[1]

Çuditërisht, në vitin 1837 ai hoqi dorë papritur nga ilustrimi zoologjik dhe u dedikua tërësisht në pikturimin e  peizazheve. Këtu talenti  i  ri  ra në sy të dy politikanëve at e bir, Edward Smith Stanley XIII, konti i Derby, dhe djalit të tij Edwart Smith Stanley XIV. Per  hir te  se  vertetes, kane  qene dy politikanë me influencë të gjerë në parlamentin britanik. (Ky u fundit u zgjodh për tri herë resht Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, gjithashtu drejtoi edhe Ministrinë e Jashtme Britanike).

Eduartin fillimisht ata  e  ftuan si mysafir në shtëpinë e tyre, pastaj edhe e  punësuan. Mësojmë gjithashtu se ishin pikërisht dy politikanët në fjalë ata që i mundësuan  Eduartit  fondet për udhëtimet e tij ne  Lindje, sic parapëlqehej të thuhej në atë kohë për Ballkanin.[2]

Për të qenë të sinqertë, mendojmë se  Liri  nuk  eshte  nisur  prej  mecenateve  te  tij  bosa  thjesht  per  te  pikturuar  pejzazhe  te  Ballkanit.  Sidomos  kur  ata  jane  anglez  dhe  vendimmarres  ne  politiken  shteterore  te  mbreterise. Logjika  e  do  te mendosh  se  këto udhëtime dhe informacioni i nxjerr prej tyre mund ti kenë shërbyer jo  pak administrates angleze, e cila në atë kohë ishte mjaft e interesuar për të testuar gjendjen dhe atmosferën politike që po kalonte kjo pjesë e perandorisë osmane. Mjafton  te  kujtojme  se  vetëm një vit më parë (1847), në Shqipërinë e Jugut shpërtheu një kryengritje e fuqishme. Por duam të sqarojme se ky nuk është objekt i bisedimit tonë, pasi jemi të interesuar për vendet që ai eksploroi. Për t’u rikthyer tek Eduart Lear, mund të themi vetem se ai e kaloi pjesën më të madhe duke udhëtuar në vende të ndryshme. Ne  maj  1848,  udhetari  i  rralle  nga  Ingliterra  e  larget  mbërriti edhe në Lushnjë. Pikërisht këtu nis edhe hulumtimi ynë.

Në vitin 1848 Lear udhetoi ne  token  shqiptare pothuajse dy herë,  në maj dhe  në nëntor  te po  atij viti. Nga  keto udhëtime, ai la jo vetëm mbresat e shkruara, por edhe një shumëllojshmëri skicash mjaft interesante.  Madje, edhe vizatime me bojëra uji të cilat e bëjnë më të bukur vëllimin kushtuar vendit të Shqiponjave. Disa prej atyre  vizatimeve janë ruajtur tashmë në koleksione publike apo private, sidomos ato britanike dhe amerikane. Kjo është e gjitha e ruajtur në rreth njëqind vepra, të cilat kanë kontribuar në pjesën më të madhe për të rritur ndërgjegjësimin në Evropë për aspekteve të ndryshme të një vendi që deri më atëherë ishte injoruar pothuajse krejtësisht. Në veçanti, Revista “Journals of a Landscape Painter in Albania & C botuar në Londër në vitin 1851 shtëpia botuese Richard Bentley , përmban njëzet litografi me tre ngjyra që artisti i vizatoi sapo u kthye në Angli. Në këtë vepër, Liri përshkruan skena të ndryshme të peizazhit dhe pjesë nga jetesa e shqiptarëve. Por edhe përmes shkrimit në anglisht, autori nuk nguron të nxjerrë në pah vlerësimin dhe entuziazmin e tij për natyrën shqiptare, e përshkruar në të gjithë shumëllojshmërinë e saj, për malet, lumenjtë, liqenet , por edhe për dëshmitë arkeologjike dhe artistike. Ai përshkruan zakonet e popullit shqiptar, traditat dhe veshjet e ndryshme.

Në ekskursionet e tij, Edward Lear ndihmohet nga një udhëzues shqiptar, Gjergi Kokalli, i cili e shoqëroi pothuajse në të gjithë  Shqipërinë.

Ne po ndalemi tek qendrimi i tij në Lushnjë, të tregojmë se çfarë pa ai ketu dhe si e përshkruan atë. Në faqe 175 ai shkruante [3] :

“U nisëm në mesditë. Beratin nuk shpresoj se do e arrij sonte, por Leustrin,i cili është vetëm gjashtë orë prej këtu, duhet të synojmë pasi edhe moti duket se favorizon këtë gjë”., por  vete  Eduart  Lir jep shpjegimin e tij në fund të faqes se  ditarit  me  shënim.  Leustri është Lusna, fshati në të cilin ai ishte drejtuar për të vajtur në Berat. Dhe  bëhet fjalë pikerisht  për Lushnjën, padyshim. Përcaktimi i vendbanimit si “Lusna” për këdo që studion gjuhësi nuk është i rastësishëm; shkurt  mund  te  themi  se kjo është forma fillestare e evolucionit të emërtimit Lusna- Lusnia më pas në Lushnjë. Në faqen 180  te  shenimeve  te  veta, ai vazhdon përsëri me përshkrimin e  mjedisit  dhe  nderkohe  jep  disa të dhëna mjaft interesante

“[Pas shumë] përpjekjesh midis baltës dhe ujit, mbërritëm në Leustri, në orën 10:30. Por duke shpresuar se do arrinim në Berat, unë nuk [doja] të ndaloja, me përjashtim të pushimit të kuajve, në një han buzë rrugës, kati i së cilës ishte okupuar nga një tregtar nga Shkodra, i cili ishte rehatuar aq sa rrethanat ja lejonin-duke pasur parasysh se as bukë as ujë nuk mund të merrej, për shkak të shiut të fuqishëm”.[4]

Ndonëse janë vetëm pak  rreshta  te  kursyer, ato janë të rëndësishme për kumtin  qe  na  dergojne. Mund të themi se Eduart Lear ishte  ndofta i pari evropian që qendron në Lushnjen e  pushtuar  prej shumë shekujsh nga  turqit osman. Liri përmend një han në anë të rrugës. Ai ka  qene duke ardhur nga Tjermi (Çerma). Në krah të majtë,  tamam   në hyrje të qytetit ndodhej “Hani i Salushes”; pavarësisht se  nuk e përmend, ai e përshkruan atë me vetëm një kat. Majfton ti hedhim një sy fotos për të kuptuar se bëhet fjalë për këtë hanë (fig 2). Ai tregon edhe për tregtar nga Shkodra i cili qëndronte aty. Arsyeja mund të lidhet edhe për faktin se Lushnja ishte një qendër midis jugut dhe veriut dhe këtu ndalonin kalimtarë dhe tregtarë të shumtë.

Bibliografia

Rivista “La Sicilia”. Lear il pittore dei paesaggi conosciuto per i suei limericks. 30 Dicembre 2012 f,16 (Articolo di Salvatore di Fazio)

Edward Lear. Poetry for young people. Edited by Edward Mendelson. New York 2001, f.4

Edwart Lear . Journals of a Landscape Painter in Albania & C. Editor Richard Bentley. London 1851 f, 175


[1] Rivista “La Sicilia”. Lear il pittore dei paesaggi conosciuto per i suei limericks. 30 Dicembre 2012 f,16 (Articolo di Salvatore di Fazio)

[2] Edward Lear. Poetry for young people. Edited by Edward Mendelson. New York 2001, f.4

[3] Edwart Lear . Journals of a Landscape Painter in Albania & C. Editor Richard Bentley. London 1851 f, 175

[4] Edwart Lear po aty f 180

Filed Under: Histori Tagged With: Edward Lear, lushnja, Viti 1848

Isa Boletinit dhe një dokument i panjohur për kryengritjen e vitit 1911

March 25, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*/

    1. Nj dokumen i panjohur i Isa Boletinit për kryengritjen e vitit  1911./

Gazeta e shqiptarëve të Amerikës” Dielli” sjell një lajm rreth përpjekjeve të  Isa Boletinit  për të takuar  refugjatët në Mal të Zi.Lajmi i periodikes shqiptare është marrë nga (Levavt Herald, 25 Shkurt).

Gazeta turke  Silah e Selenikut  shkruan pikërishtë kjo gazetë,botoi në  numrin e saj të  funtme fjalimin  që pati nga redaktorët e saj në Mal  të Zi më të zgjuarin Isa Boletini , provokatorin e lëvizjes kryengritse se funtme ne Shqipëri të Veriut. Kapidani i shkelqyer i shqiptarëv patë deklaruar që priten ngjarje me rëndësi   pranverën që vjen. Një luftëdo të  ndodh doemos në  mes të  Turqise nga njëra anë , Bulgarisë dhe të Greqisë nga tjatra. Shqipëria  dhe Mali’ i Zi do të marrin piesë.Gjithë ai redaktor pasi pyeti mirë mi numrin  e refugatave ottoman në Mal të Zi, lajmëron, që  ka sot  në Mal të  Zire fugiateë  Ottomanë nga këta 2562 shqiptarë,1024 serbë, dhe 215  kacakë urie.

Guverna e Malit të Zi me gjithë varfërinë e saj,do ti përmbajë të gjithë harxhet e saj. Krereve u ep 5 franga  në ditë dhe të tjerëve  2 frënga.

S.DNëqoftëse korrispodenca e  Silah është e vërtetë  dhe jo e fabrikuar në favorë të saj, gjë që ngjan shumë herë me të metat e vogla, ahere s’eshte cudi që korispondenti i Times-H të jetë  lajthitur për lajmin që epte se Isa Boletini u fal dhe u  kthye ne Shqiperi. Lajma e Silah u  botua me 24 te Shkurtit dhe dy dië më vonë u botua ajo e Times-H. Po të ish që  të ato ditë Isa Bolotini që  të kthehej në Shqipëri si i falur, do t’i kish thënë gjë koris pondentit të  Silah-iH.

Pastaj vumë re se Vant herald-in e Stambollit gjer Shkurt dhe s’ bën asfare fjalë për kthimin  e Isa Boletinit. Emëri i generalit kryengritës Shqiptar është  aqë  i degjuar sa këtij s ‘’munt të  shkonte i  pavënë re, ose Isa Boletini ndodhet në  Mal të Zi  dhe mediton mi politikën e Ballkanit, ose  kthehet fshehurazi në  Shqipëri që të lozë dhe qëllimin e tij në trubullimet të  cilat janë paralajmëruar.

2.

Kontributi i Isa Boletinit në Kryengritjen e Përgjithshme shqiptare te vitit 1912 ,Rreth këtij fakti citojmë Gani D. Ratkoceri:botimi:” 100 vjet pavarësi”:Udhëheqësi kryesor i kryengritjes ne fjale, atdhetari i madh Hasan Prishtina, ne radhe te pare u takua me heroin Isa Boletini. Ai u konsultua me të, se a do mund te organizonin një kryengritje të përgjithshme në vilajetin e Kosovës ? Isai, jo vetëm iu përgjigj pozitivisht se do të merrte pjesë në kryengritje, por do te kontribuonte për organizimin e saj dhe ashtu veproi. Brenda një kohe të shkurtër Isa Boletini e përgatiti organizimin e kryengritjes në  Kosovën veriore dhe në rrethin e Pejës që ka qenë baza e tij. Në krye të  një delegacioni të madh ai mori pjesë në Kuvendin e Junikut në maj të atij viti, ku përfaqësoheshin 250 delegate nga Kosova dhe një pjesë e vilajetit te Shkodres të udhëhequr nga Hasan Prishtina.
Unanimisht u vendos t’i shpallej lufte perandorisë osmane për të fituar të drejtat kombëtare. Aty u hartuan edhe kërkesat qe do t’i paraqiteshin qeverise osmane:
1.   Të përcaktohen kufijtë e Shqipërisë

2.   Në  Shqipëri te ngrihet flamuri shqiptar

3.Të emërohet një guvernator i përgjithshëm por që të jetë shqiptar
4.Nënpunësit e huaj te hiqen e të zëvendësohen me shqiptare.
5.Gjuha shqipe të  jetë gjuhe zyrtare.

Këto kërkesa menjëherë u botuan ne shtypin shqiptar dhe të huaj.
Heroi Isa Boletini, sa mbaroi Kuvendi u nis menjëherë për Mitrovice dhe lëshoi kushtrimin e kryengritjes. Me mijëra luftëtare rrëmbyen armët. Ai si rrufe e çliroi Novi Pazarin ( Tregun e Ri ), e çarmatosi garnizonin osman, i armatosi kryengritësit dhe menjëherë u nis për Mitrovice të cilën e rrethoi. Komandanti i garnizonit osman, ndonëse ishte forcuar shume, sa mori vesh se garnizoni i Tregut te” Ri ishte dorëzuar dhe vete ai ishte i rrethuar, ngriti flamurin e bardhe.
Isa Boletini, pasi çliroi Llapin e Gollakun, ne krye te 15 mije kryengritësve iu afrua Prishtinës. Ajo u rrethua nga te gjitha anet prej forcave te Rrafshit te Dukagjinit qe kryesoheshin nga Hasan Prishtina e Bajram Curri, dhe nga juglindja nga forcat e Idriz Seferit.Në këto kushte, komandanti i përgjithshëm Fadil Pasha u detyrua pa lufte ta shpalli kapitullimin. Kështu me 12 korrik u çlirua Prishtina. Populli i priti me një gëzim të papershkruar kryengritësit. Qeveria e Turqve te rinj ra dhe qeveria e re telegrafoi se ishte gati te hynte ne bisedime me shqiptaret lidhur me kërkesat e tyre. Patrioti Hasan Prishtina dërgoi telegram menjëherë në Shqipërinë e veriut, te Mesmen e te jugut qe te nisnin delegatet e tyre ne « Kosove » për te biseduar me delegacionin qeveritar osman qe te ishin te pranishme te gjitha krahinat me kërkesa të  përbashkëta. Delegacioni osman nuk i mori parasysh kërkesat e shqiptareve. Kryengritësit marshuan drejt Shkupit dhe e çliruan atë me 14 gusht. Çlirimi i Shkupit bëri që Evropës se shurdhët t’i hapen veshët. Ajo dërgoi urgjent gazetare dhe konsuj t’i aktivizonte ne lidhje me kërkesat e shqiptareve. Shtetet ballkanike, Serbia, Bullgaria, Greqia e Mali i Zi u tronditen ne themel se mos Turqia do te ua njihte shqiptareve autonominë. Ata shpejtuan përgatitjet për të  filluar luftën gjoja kundër Turqisë së sfilitur nga kryengritja e shqiptareve e që kishte mbetur vetme si hije ne Rumeli. Qëllimi ishte siç pohon kryeministri i Serbise, Nikolla Pashiq ishte:« Kërkesa e shqiptareve për autonomi e bënte të  pashmangshëm luftën me Turqinë », pra copëtimin e Shqipnise. Këtë na e dokumenton me se miri Miss Durham : « Shqiptaret e Kosovës ngritën përsëri krye. Këtë here hynë ne Shkup dhe sipas dëshmitarëve te konsujve te huaj u sollën ne mënyrë shembullore. Kur panë turqit se shqiptaret do të marshonin drejt Manastirit, kërkuan armëpushim dhe pranuan t’i njohin si province autonome vilajetet e Janinës, Kosovës, Shkodres dhe një pjese te vilajetit te Manastirit “Nga triumfi i shqiptareve, shtetet e tjera ballkanike e ndiejnë veten të elektrizuar, sepse secili prej tyre ne mendjen e tije kishte prerë me thike vete një ngastër te Shqipërisë. Të gjitha këto shtete qene bashkuar në një pikë. Shqipëria duhet të copëtohet”.

Pra ai ishte synimi i shteteve ballkanike fqinje. Këtë synim kanë edhe sot. Ata përfituan atëherë se ishim të  përçare ne mes veti. Po kështu me sa duket jemi edhe sot. Njeri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Qeveria osmane u detyrua të njohe kërkesat e udhëheqjes se kryengritjes te cilat e çonin Shqipërinë drejt autonomisë politike në katër vilajetet shqiptare. Këta udhëheqës, para se të largoheshin nga Shkupi i bënë një ultimatum qeverise osmane: « Neve do te ikim nga Shkupi, duke i zënë bese fjalës se qeverise. Do te presim deri më 5 shtator. Po të mos mbani premtimet atëherë neve, sado që nuk lamë as ndonjë të besuar nga ana jone do te urdhërojmë përsëri. Nuk do te kërkojmë autonomi por do te ndahemi nga sundimi i perandorisë osmane”.Këtë ultimatum e nënshkruan: Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Islam Spahia, Musa e Jahja Prizreni. Kërkesat e miratuara filluan menjëherë të zbatohen në të katër vilajetet. U organizuan mitingje ku flisnin patriotet për rendësin e kërkesave që do të çonin vendin drejt pavarësisë.”Oratoret – shkruante ne kujtimet e tij”- K. Grameno, -mbajtën fjalime, me anën e te cilëve shpjegonin përmbajtjen e 14 pikave dhe thonin, se këto të drejta do t’i japin popullit shqiptar te gjitha mundësitë për të shkuar drejt progresit dhe ne ngritjen e një shteti shqiptar”.Veprimtaria atdhetare e “Heroit te Popullit” Isa Boletini dhe luftërat e tij te pandërprera gjate 35-vjetëve për liri e pavarësi te kombit tone kundër pushtueseve osmane, sidomos roli i tij si udhëheqës dhe organizator ne dy kryengritjet e mëdha 1910-1912, taktikat dhe strategjitë e jashtëzakonshme që diti t’i zbatojë e që do t’ia kishin zili edhe gjeneralët me akademi ushtarake më të zot të Evropës, bënë që shtypi evropian dhe amerikan ta krahasojnë me figurat me të shquara të popujve, të tyre. Një gazetar i kohës shkruante për heroin: “Titan do ta quaja, gjeneralin e madh te Kosovës”. Gazetat angleze e krahasojnë “Isa Boletinin me Robin Hudin, ato gjermane me Geo Berlingenin, zviceranet me Vilhelm Telin, ato italiane e quajtën Garibaldi i Ballkanit, Fan Noli e krahason me Xhorxh Ëashingtonin etj .Pikërisht në  atë kohë shqiptaret kishin filluar kudo t’i zbatonin kërkesat ne fjale dhe te organizoheshin me mirë për një kryengritje të përgjithshme në  të katër vilajetet për të fituar pavarësinë. Shtetet shoviniste ballkanike sulmuan në të gjitha anët si bisha te plagosura të katër vilajetet shqiptare për t’i copëtuar ne mes tyre. Heroi Isa Boletini se bashku me forcat e tij ishte nga te paret qe zuri gryken e Mitrovicës për të mbrojtur atdheun nga armatat serbe të cilat e sulmuan Kosovën në të gjitha drejtimet, te armatosura me armët me moderne të kohës. Pas një qëndrese heroike u detyrua te  tërhiqet dhe të nisej në krye të 300 kalorësve drejt Durrësit. Atdhetari i shquar Ismail Qemali kishte dërguar telegrame ne Kosove që të niseshin delegate për të  marrur pjesë në  një kuvend qe do të mbahej në Durrës ose në Vlorë e do të vendoste për fatin e kombit.”Heroi i Popullit” Isa Boletini arriti në Vlorën heroike në çastin më kritik, për të mbrojtur shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit kombëtar. Shkuarja e tij në Vlore u prit jashtëzakonisht mirë nga populli dhe delegate që kishin nënshkruar aktin e shpalljes se pavarësisë. Ajo duhej të mbrohej me çdo kusht nga ushtria osmane e cila ndodhej ne rrethin e Beratit. Tridhjete mije ushtare, në krye me Xhavit Pashën do ta kalonte ushtrinë në Skele të  Vlorës për ta ngarkuar ne vapore. Ushtria pushtuese serbe ndodhej në Lushnjë dhe po e ndiqte ushtrinë osmane këmba- këmbës. Nëse do të kalonte ushtria osmane neper Vlore dhe prapa saj ushtria pushtuese serbe, do ta ulte flamurin kombëtar ashtu siç beri ne Tirane. Patriotet e ngritën flamurin ne 26 nëntor, kurse ushtria serbe e uli Heroi Isa Boletini, në këto rrethana tepër të vështira për kombin lëshoi kushtrimin ne Vlore e në  Labëri. Iu përgjigjen me qindra vullnetare të armatosur dhe vetë neë krye të kosovareve zunë bregun e Vjosës. I dërguan fjale Xhavit Pashës për se gjalli, se ai nuk mund te kalonte neper Vlore. Xhavit Pasha u detyrua ta ndërrojë drejtimin për në  Seman ku e prisnin anijet. Ushtria serbe nuk kishte aq forca sa ta sulmonte ushtrinë osmane. Po priste te largohej ajo nga Shqipëria e pastaj te marshonte drejt Vlorës. Qeveria e perandorisë austro-hungareze i kishte dhënë fjalën atdhetarit te madh e politikanit të  mirënjohur ne gjithë  Evropën, Ismail Qemalit se do ta njihte shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë. Ajo i dërgoi telegram urimi Kuvendit te Vlorës dhe qeverise se sapo formuar se e njohu Pavarësinë. Ne anën tjetër qeverise serbe iu dha ultimatum të ndalte menjëherë pushtimin e armatës serbe ma tej. Kosovaret e armatosur, ne krye me heroin Isa Boletini u bënë garda e parë kombëtare për të mbrojtur qeverinë shqiptare të  Vlorës. Pasi u qetësua gjendja ne Vlore, Ismail Qemali, në krye të një delegacioni ku bënte pjese edhe Isa Boletini si përfaqësues i vilajetit te Kosovës u nisen ne kryeqytetet e Evropës që të kërkonin njohjen e shtetit me te katër vilajetet shqiptare. Ndalesën e fundit do ta bënin ne Londër. Aty do te behej Konferenca e Ambasadoreve Evropiane me kryetar ministrin e Jashtëm anglez, Eduard Grejn qe do t’i caktonin kufijtë e shtetit shqiptar. Delegacionin e priti vete ministri anglez i cili me humor tha: “Isa beg, ty nuk te mundi me te çarmatose një perandori osmane, ndërsa këtu tek ne te çarmatosi një portier”?Heroi iu përgjigj me krenari: “Jo besa, mua s’ka mund me më  çarmatos as Turkia, as Anglia”, dhe e nxori revolen tjetër nga xhamadani i tij i famshëm qe ruhet edhe sot ne Muzeun Kombetar. Në Londër kishin filluar pazarllëqet për caktimin e kufijve tanë. Ambasadoret e Antantes qe ishin pothuaj, të’ Rusisë, Francës e Anglisë kërkonin një shtet te vogël shqiptar e ne anën tjetër austro-Hungaria dhe Gjermania kërkonin një shtet me një territor me te madh shqiptar. Kryetari i Konferencës Grej, hapi hartën e Ballkanit dhe e pa se ku binte Mitrovica: “Isa beg, – i tha! Po te ishte ma afër Mitrovica, për nderin tuaj, unë do ta bashkoja me shtetin shqiptar, veçse qenka larg”. Heroi iu përgjigj: “Unë s’kam ardhur këtu për Mitrovicën time, por kam ardhur për te gjitha tokat shqiptare që të jenë në një shtet”.Delegacioni shqiptar u kthye nga Londra shume i dëshpëruar. E kishte kuptuar se konferenca e Ambasadoreve do te linte shume toka shqiptare jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Prandaj Isa Boletini, si Anteu edhe njëherë përpiqet te organizoje një kryengritje ne Kosove se bashku me Bajram Currin ne fillim te vitit 1913, pothuaj ne një kohe me kryengritjen e Dibraneve. Kjo u be vetme për t’i dhënë të kuptoje Evropës, se shqiptaret nuk do te pranonin kurrë’ copëtimin e tokave të tyre. Kryengritja përfshiu rrethin e Gjakovës, Rahovecit dhe iu afrua Prizrenit. Në atë kohë Serbia kishte grumbulluar forca të mëdha ushtarake. Shumica e kryengritësve shqiptare ishin te paarmatosur. Megjithë  qëndresën e tyre heroike, ne krye me Isa Boletinin, ata u detyruan të tërhiqen. Siç dihet Konferenca e Ambasadoreve në Londër 1912-1913 la jashtë shtetit shqiptar dy të tretat e popullsisë shqiptare dhe te territorit duke i shpërblyer pushtuesit tanë grabitqare, Serbinë, Greqinë e Malin e Zi. Nga kjo padrejtësi qe nuk ka ndodhur me asnjë popull në  botë, vuajnë edhe sot shqiptaret te ndare në pesë shtete megjithë luftërat e pandërprera që ata bene për t’u bashkuar. Atdhetari i madh Isa Boletini ndonëse shume i dëshpëruar qe Kosova me vise te tjera mbeten jashtë kufirit të shtetit të vogël shqiptar, përsëri gjen force për te kontribuar për konsolidimin e tij. Isa Boletinin si shqiponje e gjen kudo për te vendosur rregull e qetësi, me shprese se duke e forcuar atë, do te jete një baze e mire ne te ardhmen për te ndihmuar Kosovën e Camerine për t’u bashkuar me Shqipërinë. E gjejmë në Tropojë e Lume kundër hordhive serbe. E gjejmë ne Vlore e në Durrës kundra esatisteve. E gjejmë në Shkodër për ta mbrojtur nga pushtuesit malazez. Megjithëse ishte sëmurë nga ethet e malaria, ai mbeti i papërkulur, gjithmonë një vigan e kurrë nuk mundi askush ta çarmatose. Isa Boletini nuk luftoi për interesa vetjake ndonëse iu premtuan cifliqe e grada gjenerali nga sulltan e xhonturqit nga Serbia e Mali i Zi. Ai i përbuzi ato me neveri. Boletini luftoi 35 vjet për liri e pavarësi kombëtare me arme ne dore, duke zgjuar Evropën e përgjumur e te shurdhet lidhur me ceshtjen shqiptare, duke e detyruar atë ta pranoje se në Ballkan paska një popull shqiptar qe luftoka për te drejta kombëtare e nuk qenka një shtojce e perandorisë Osmane. Ajo qe disa here i ka mposhtur heronjtë tanë, ka qene tradhtia. Kështu ndodhi edhe me heroin Isa Boletini. Me 23-janar 1916, ai u sulmua pabesisht ne mes te Podgoricës nga një grup i madh malazezesh te armatosur. Edhe pse i plagosur rende,« luani» shqiptar nuk ndërroi jete pa e marre hakun e vet duke lënë të vdekur disa prej armiqve shekullore. Ai ra heroikisht për te mos vdekur kurrë duke u kujtuar brez pas brezi. Heroi Isa Boletini ishte shëmbëlltyre e virtyteve me te mira te kombit tone. Veprimtaria e tij mbetet gjithmonë aktuale për brezat dhe shprehja e tij e arte :« Unë jam mire kur është mire Shqipëria »…

*Msc.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve.

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, Isa Boletini, nje dokument i panjohur, per Kryengritjen e vitit 1911

Vlorë: “Shtëpia e kosovarëve”, lidhja e vlonjatëve me Isa Boletinin

March 24, 2014 by dgreca

Nga Harilla Koçi/Diku në pjesën veriore të sarajeve të familjes së njohur të Vlorajve, vetëm pak metra larg saj, aty ku sot ndodhet Hotel “Sazani”, ka qenë një godinë dykatëshe, e cila nga vlonjatët e vjetër njihej me emrin “Shtëpia e kosovarëve”.

Godina, dëshmi e kontributit të Isa Boletinit për Qeverinë e Vlorës/

Godina që ka ekzistuar në Vlorë deri në vitin 1925, ka qenë dëshmi e ngjarjes më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, asaj të  Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Godina dykatëshe lidhet me emrin e personazhit të njohur të lëvizjes patriotike shqiptare nga Kosova, Isa Boletinit.Sipas historianëve, Isa Boletini mbërriti në Vlorë një ditë pas aktit të shpalljes së pavarësisë, në krye të disa dhjetra luftëtarëve, të gatshëm të mbronin me jetën e tyre qeverinë dhe tërësinë territoriale të shtetit të parë shqiptar. Ai u vendos në këtë godinë. Ndërkohë, në ato ditë të vështira, trupat e komanduara nga Isa Boletini u vendosën në dy pozicione, në krye të lagjeve “Muradie” e “Topana”, të cilat vlerësoheshin nga strategët ushtarakë të kohës mjaft të favorshme për realizimin e detyrës së mbrojtjes së aktivitetit të qeverisë së Pavarësisë.

Kufijtë e këtyre dy lagjeve, ndër më të vjetrat në qytetin e Vlorës, u bënë edhe barriera e pakapërcyeshme për çdo tentativë të mundshme të kundërshtarëve të aktit më të madh të historisë së Shqipërisë, pavarësisë së saj. Për ditë dhe javë të tëra, trupat e komanduara nga Isa Boletini qëndruan në rojë të aktivitetit të Qeverisë së drejtuar nga Ismail Qemali. Por, historia e patriotit të njohur nga Kosova nuk mbaron këtu. Ajo do të vazhdojë edhe në vitet pasardhëse. Pas largimit të tij nga Vlora, Isa Boletini la në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit 25 burra nga Kosova.

-Kosovarët, në Vlorë deri në vitin 1925-

Luftëtarët nga Kosova qëndruan në Vlorë deri në vitin 1925. Ata cilësoheshin si një trupë e zgjedhur dhe mjaft besnike ndaj Ismail Qemalit, duke zbatuar detyrat e lëna nga komandanti i tyre. 25 kosovarët i shërbyen qeverisë së përkoshme edhe pas vendosjes së rendit në Vlorë, për vite me rradhë. Shtëpia e tye ishte godina 2- katëshe, në afërsi të sarajeve të familjes Vlora, e cila u ishte dhënë në shenjë mirënjohjeje. 25 kosovarët qëndruan këtu deri në vitin 1925. Ishte pikërisht ky momenti, kur nis të marrë jetë një projekt i bashkisë së atëhershme të qytetit për të ndërtuar një lulishte të madhe në zemër të Vlorës, atje ku ajo është edhe sot, në Sheshin e Flamurit.

Bashkë me sarajet e Vlorajve u rrafshua edhe godina dykatëshe. Të dy këto objekte, dëshmitare të periudhës së Pavarësisë, u prishën për t’ja lënë vendin një mjedisi të gjelbëruar që edhe sot përbën një nga krenaritë e Vlorës. Godina dykatëshe ka mbetur edhe sot në kujtesën e të moshuarve, me emrin “Shtëpia e kosovarëve”. Disa prej tyre u larguan drejt vendlindjes në vitin 1925. Por, disa syresh qëndruan këtu në Vlorë, duke u bërë pjesë e komunitetit vlonjat. Ata ndërtuan këtu jetën, krijuan familje, lanë pas trashëgimtarë.

-Një rrugë me emrin e Isa Boletinit-

Në këtë sfond të ngarkuar me ngjarje, godina dykatëshe e emërtuar “Shtëpia e kosovarëve”, që qëndronte aty ku sot është Lulishtja e Sheshit të Flamurit, është simbolika e një ideali të përbashkët të të gjithë shqiptarëve, nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Prej saj nuk ka mbetur asnjë foto, por kujtimi i saj është i gjallë. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje dhe si mirënjohje ndaj kontributit të shqiptarëve të Kosovës në çështjen e pavarësisë, bashkia i ka vendosur emrin e Boletinit një rruge të qytetit.

 

Filed Under: Histori Tagged With: lidhja e vlonjatëve, me Isa Boletinin, Vlorë: “Shtëpia e kosovarëve”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 597
  • 598
  • 599
  • 600
  • 601
  • …
  • 697
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT