Nga Miranda Sadiku/– Nuri Emin Zane nga Filati i Çamërisë është një nga të vetmit dëshmitarë se si u ka shpëtuar tre gjenocideve në shekullin XX.
I lindur në Filat të Çamërisë më 20 nëntor 1913 në një familje qytetare me profesion këpucar, Nuri Zane është njëherazi edhe një nga pjesëtarët e familjes Zane që ka përjetuar fatkeqësitë e një shekulli të tërë. Që në lindje, vetëm pas 40 ditësh nëna e tij bashkë me dy djemtë, Nustretin dhe Nuriun, do të shkonin në Stamboll për shkak të pozitave që kishte daja i tyre, Abdurrahman efendiu si Yzbash i Janinës dhe rënia e Perandorisë turke do t’u krijonte atyre probleme fatale për jetën.
Lufta Ballkanike dhe më pas Lufta I Botërore u bënë shkas që fëmijëria e Nuriut të kalohej në Stamboll në një jetimore, ku edhe në përfundim të luftës së Qemal Ataturkut për krijimin e Republikës së Turqisdë, janë kthyer në Çamëri nga xhaxhai i tyre Hasan Zane, një njeri me arsim të lartë teologjik dhe i njohur për aftësitë e tij në fushën e fesë islame dhe i respektuar nga rrethet qytetare në Filat e më gjerë. Këtu ka pasur një periudhë kur në vitin 1935 një rrufe në shtëpinë e tyre që njihej si “shtëia e Zenelatëve”, bëri shkrumb e hi tërë shtëpinë dhe vrau njerkën dhe gruan e vëllai të Nuriut. Kjo ishte periudha kur në këtë shtëpi nuk kishte më asnjë femër dhe ndihma e farefisit dhe miqëve, ndihmoi që të përballohej fatkeqësia. Ishin edhe 5 fëmijë të tjerë veç Nustretit dhe Nuriut që ishin me një nënë dhe që për fatin e tyre të keq, mbeti në Stamboll për rrethanat që u krijuan në atë kohë.
Kështu në këtë gjendje i gjeti edhe Lufta II Botërore që u shoqërua edhe me problemet e mëdha të popullatës çame me bandat e andartëve që u krijonin probleme popullatës muslimane. Kjo i ka detyruar dy vëllezërit që bashkë me babain e tyre Eminin, të vinin e të transferonin pjesërisht kapitalet e tyre në Delvinë e Berat ku edhe punonin në zanatin e tyre të këpucëbërësit. Internimi i babait të tyre në Hio më 1941, ashtu si qindra çamër të tjerë, hapi një problem të madh për jetesën e kësaj familjeje që e shihte mbështetjen e luftës antifashiste si mbështetje për familjen. Por kjo ra në sy të korofillaqisë e cila kishte vënë në shënjestër Nuriun dhe në ditë e para të prillit 1944 e denoncojnë tek komanda gjermane e cila e kap në Janinë, natën në një hotel dhe e internojnë në Mat’hausen e më pas në Dakao e Munih të Gjermanisë.
Ishte kjo një humbje për familjen që detyronte babain e tij, Eminin dhe vëllanë e tij më të madh, Nustretin, të sakrifikonte shumë për mbajtjen e familjes. Por kjo nuk zgjati shumë se pas 27 qershorit 1944 familja do të merrte rrugën e refugjatllëkut për në Shqipëri si shumë çamë të tjrë që gjetën strehim në vatrat e vëllezërve të tyre në Shqipëri. 14 korriku 1944 ishte dita kur me plaçkat e mudnshme që morën, me një benzinatë udhëtuan me det dhe mbrritën në Sarandë dhe më pas u vendosën në Delvinë, vend të cilin e njihnin se kishin edhe pjesëtarët e tjerë të fisit, si Adil Xhibon (pushkatuar nga komunistët) që ishte një nacionalist dhe që i ndihmoi me çdo gjë babanë dhe vëllanë e Nuriut. Por për familjen Zane mungonte djali i tyre që ishte një shtyllë e fortë mbajtjes ekonomike të shtpisë. Fatet e luftës nuk diheshin dhe për familjen
Zane nisi një persekucion i madh se nga një anë mbanin në kurriz fatkeqësitë që kishin kaluar dhe nga ana tjetër internimi i Nuriut në kampet e shfarosjes në masë si një gjenocid tipik nazist shoqërohej edhe me privacionet e genocidit grek mbi populltën e pafajshme të Çamërisë.
Në një shtet tjetër, pa shtëpi e katandi, Nustretit, vëllait të madh të Nuriut tashmë në internim, fati i të cilit nuk dihej nëse ishte gjallë apo vdekur, binte barra e tërë familjes se edhe babai i tyre tashmë me depresionin e humbjes së gjithçkaje, aq më shumë të djalit. Ishin një mal hallesh mbi kurrizin e një familjeje.
Por, fati e desh që Nuriu të kthehej gjallë dhe të gëzonte babin, gruan e tij Nailen dhe 3 vëllezërit e 2 motrat e tij, të cilët iu gëzuan fatit që vëllai i tyre shpëtoi gjallë. Puna dhe mundimet bënë që familja të merrte pak veten dhe në një sistem dikatorial ku privohej jeta e kujtdo që fliste, për familjen Zane do të ishte një problem i madh. Personaliteti i tyre si njerëz me integritet dhe nga një familje me emër do të duhej të përballeshin edhe me problemet që krijonte jeta në një vend ku diktatura komuniste bënte të vetën.
Vetë xha Nuriu tregonte deri sa ishte gjallë se si kur erdhi nga Gjermania me 5 shqiptarë të tjerë përmes Greqisë, donte të shkonte në shtëpinë e tij në Filat ngaqë nuk dinte se çfarë kishte ndodhur. Por korofillakët grekë, edhe pse Nuriu ishte antifashist, nuk e lejuan të shkonte në Filat, me kërcënimin e jetës. Kjo e detyroi të vinte në Shqipëri me mendjen se një ditë do të shkonte në Stamboll tek nëna e tij. Por gjithçka u mbyll, me gjithë këshillën që i dha kushëriri i gjyshes së tij, Haki Rushiti që të mos shkelte në Shqipëri se do të kishte probleme të tjera. Vitet e mëpasme e bindën se një ditë Nuri Zane që kishte provuar dy gjenocidet, atë gjerman dhe atë grek, do të gjendej në birucat e hetuesisë së Elbasanit nën kërcënimin e jetës nga hetuesi Thanas Caku dhe shefi i degës së brendshme të asaj kohe Shim Kolla. Gjithë kjo vetëm e vetëm pse ai ishte nga Çamëria, vetëm e vetëm se ai ishte krenar për kontributet e tij në luftën antifashiste dhe vetëm e vetëm se ai ishte një njeri që e donte punën dhe një natë ia dogjën me qëllim lokalin e madh që ndodhej në qendër të Cerrikut, ku sot është ndërtuar restorant “Ylli”, siç njihej në Cërrik. Për Nuriun dhe familjen e tij, gruan dhe djalin e tij të vetëm, Hyqmetin, do të niste një kalvar tjetër vuajtjesh dhe persekucioni për një familje ku gruaja e tij, Naile, do të punonte gjithë jetën në ndërtim dhe djali i tij, një sportist i kategorisë së parë në ngritje peshash do të mundte të siguronte një të drejtë studimi për gjuhë-letërsi që e mbaroi diplomimin me notën 10.
I dënuar me 6 vjet burg që pjesën më të madhe e kreu në Talje të Leshës, pas 8 muajsh nën torturat e hetuesisë dhe një vit në fabrikën e çimentos në Fushë Krujë, Nuri Zane do të ishte njeriu që provoi mbi kurrizin e tij edhe genocidin komunist. Marazi i tij deri në vdekje ishte fati që ai nuk e pa më nënën e tij me sy, se nuk u quajt asnjherë veteran i luftës si shumë e shumë të tjerë që nuk kishin kontributet e tij, por edhe privacionet e shumta që do të kishte e tërë familja që sa merrnin vesh shefat e kuadrit se vëllai i vëllezërve dhe motrave kishte qenë në burg, i largonin nga puna pa marrë parasysh që po ky vëlla ishte edhe një nga ata burra që u internua si antifashist në kampet famëkeqë të Austrisë e Gjermanisë.
Një ditë duke folur me djalin e tij Hyqmet Zane, më thotë me krenari se kishte 100 vjetorin e ditëlindjes së babait të tij, për të cilin duhet thënë se u bë dëshmitari i tre genocideve. Nuri Zane pati të vetmin vlerësim nga Zoti që la një djalë si pasues në jetën e tij, por edhe që më 11 shkurt 2005 u dekorua me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” nga Presidenti Alfred Moisiu, si i pari pjesëtar i komunitetit çam në Shqipëri që dekorohet si antifashist, në një kohë kur nga qarqet zyrtare dhe rraciste greke çamët akuzohen padrejtësisht si bashkëpunëtorë me fashizmin, kur Nuri Zane është dëshmitar i gjallë që vuajti si nga gjenocidi nazist, ashtu edhe nga gjenocidi grek mbi Çamërinë, por edhe nga gjenocidi komunist në Shqipëri./
Ne Foto: Elbasan-1945-Nuri-Zane-dhe-Osman-Zeneli-Mynih-Gjermani-pas-internimit