• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës

February 27, 2026 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Në historinë dhe literaturën botërore Ali Pashë Tepelena vjen i dyti pas Skënderbeut për numrin e madh të librave që janë shkruar për këtë figurë. Ai është modeli sesi një individ i thjeshtë nëpërmjet metodave makiaveliste ngjitet në nivelet më të larta shtetërore.

Sipas të dhënave, ai la pas një thesar për të cilin edhe sot vijojnë kërkimet nga eksploatorë të ndryshëm në shpellat e Greqisë dhe Shqipërisë; një sasi prej 900 çifligjesh dhe 15 anije të madhësive të ndryshme. Me ardhjen në pushtet të sulltan Mahmutit II në Perandorinë Osmane filloi politika e centralizimit dhe eleminimi i feudalëve lokalë, të cilët ishin kthyer në pengesë për qeverinë osmane, duke flirtuar me Francën, Anglinë dhe Rusinë.

Kundër Ali Pashës u dërgua Ismail Pasha me një ushtri prej 20 mijë vetash. Njerëzve që ndodheshin pranë tij iu bë e ditur se, nëse kalonin në anën e shtetit, nuk do t’u ndodhte asgjë; madje do të shpërbleheshin me para dhe poste, përndryshe pasuritë e tyre do të konfiskoheshin. Si pasojë, shumë besnikë u larguan prej tij. Nga veprimet ushtarake, territoret nën sundimin e Ali Pashës ranë shpejt në duart e ushtrisë osmane.

Kur e pa se po humbiste dhe se njerëzit po e braktisnin, Ali Pasha u tërhoq në kalanë e Janinës me një numër të madh ushtarësh, municionesh, ushqimesh dhe topash. Ismail Pasha rrethoi kalanë, por nuk arriti ta pushtojë për një kohë të gjatë. Më pas i njoftoi djemtë e Ali Pashës se fermani nuk i përfshte ata dhe, nëse dorëzoheshin, duke hequr dorë nga mbështetja për të atin, nuk do të kishin pasoja.

Djemtë e Ali Pashës, Veli, Ahmet Muhtar dhe Salih Pasha, u dorëzuan.

Veli Pasha u dërgua në Kytahja, ndërsa Muhtar dhe Salih Pasha në Ankara me fëmijët e tyre.

Meqë Ismail Pasha nuk arriti sukses në rrethimin që iu bë kalasë, për këtë u ngarkua Hurshid Pasha. Ai u ofroi para bejlerëve pranë Ali Pashës dhe i tërhoqi në anën e vet. I dobësuar ndjeshëm, Ali Pashës i mbeti vetëm kalaja pranë liqenit. Atij iu kërkua të dorëzohet. Por, ai u përgjigj se do ta bënte këtë vetëm nëse i vinte një ferman që dekretonte faljen e tij. Hurshid Pasha i dha garanci duke premtuar se fermani po përgatitej. Kjo e shtyu Ali Pashën të tërhiqej në manastirin pranë liqenit për të pritur vendimin.

Meqë nuk pranoi ofertën, fshehurazi u përgatit një ferman për ekzekutimin e tij. Fermani i dërgohet Ali Pashës nga Mehmet Pasha me rreth tridhjetë ushtarë. Më 14 shkurt 1822 ata tentuan që të hynin në dhomën e tij për të zbatuar vendimin. Ali Pasha kundërshtoi me armë dhe u vra në përleshje e sipër. Koka e tij u dërgua në Stamboll më 24 shkurt.

Pas një jave ekspozimi publik, koka e Ali Pashës u ble nga miku i tij i fëmijërisë, Dervish Pasha. Ajo u varros pranë kokave të prera të djemve të tij Veli, Muhtar, Salih dhe nipit Mehmet Pasha, në varrezën jashtë Silivrikapë-së.

Ekzekutimi i Ali Pashës u prit me gëzim të madh. Fakti që rrethimi i Janinës zgjati një vit e gjysmë tregon sa i përgatitur dhe i fuqishëm ishte ai. Ushtarëve që morën pjesë në rrethim iu shpërndanë para nga pasuritë e Ali Pashës për të mbuluar shpenzimet. Pas kryengritjes, pasuritë e familjes së tij dhe të mbështetësve u konfiskuan; nga Stambolli u dërguan nëpunës për regjistrimin e tyre të menjëhershëm dhe u përgatitën defterë ku shënohen qindra çifligje dhe mijëra prona të paluajtshme.

Zhdukja e fuqisë dhe autoritetit të Ali Pashës hapi rrugën për kryengritjen e grekëve në More, për krijimin e shtetit grek dhe për ndryshime në zotërimet e Perandorisë Osmane.

***

Në epitafin e Ali Pashës, i cili ndodhet në lagjen Silivrikapë të Stambollit, shkruhet:

“Ai është Krijuesi i përjetshëm (Zoti i amshuar).

Prej më shumë se tridhjetë vjetësh u dallua në Arnavudllëk (Shqipëri).

Mytasarrifi i Sanxhakut të Janinës,

i njohuri Ali Pashë Tepelena. Këtu prehet koka e tij e prerë”.

Ndërsa trupi i Ali Pashës sot gjendet në kalanë e Janinës.

Filed Under: Histori

Athanas Gegaj, Biemmi dhe “Anonimi i Tivarit”: mes burimit dhe iluzionit

February 25, 2026 by s p

Debati mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun nuk është vetëm çështje faktesh historike, por edhe metodash. Ai pasqyron evolucionin e historiografisë shqiptare: nga rrëfimi humanist te kritika dokumentare moderne. Në qendër të këtij debati qëndron figura e Giammaria Biemmit dhe burimi i tij i pretenduar, i ashtuquajturi “Anonimi i Tivarit”.

Biemmi dhe misteri i “Antivarinos”

Giammaria Biemmi, historian italian i shekullit XVIII, botoi më 1742 në Brescia veprën Istoria di Giorgio Castrioto Scanderbeg-Begh. Ai pretendoi se ishte mbështetur në një dorëshkrim më të hershëm se Marin Barleti, të quajtur “Anonimo di Tivar”. Sipas tij, ky burim ishte më i afërt me kohën e Skënderbeut dhe për këtë arsye më i besueshëm.

Problemi qëndron te fakti se ky dorëshkrim nuk është gjetur kurrë. Prandaj lindi dyshimi: a ekzistoi realisht, apo ishte një konstruktion i Biemmit?

Noli: mes skepticizmit dhe hapjes metodologjike

Fan Noli nuk e pranoi lehtë tezën se Biemmi kishte falsifikuar burimin. Ai nuk ishte apologjet i tij, por as nuk e përjashtoi pa analizë. Për Nolin, pranimi i mundshëm i një burimi alternativ ishte një akt metodologjik: historia nuk mund të mbështetet vetëm mbi një autor, sado i rëndësishëm qoftë ai.

Kjo ishte një përpjekje për të thyer “monopolin barletian”, pasi për shekuj me radhë Marin Barleti kishte qenë burimi dominues mbi jetën e Skënderbeut. Një burim i dytë, edhe i diskutueshëm, e detyron historiografinë të hyjë në debat kritik.

Babinger: skepticizmi radikal

Historiani gjerman Franz Babinger e hodhi poshtë ekzistencën e “Anonimit të Tivarit”, duke dyshuar se ishte një trillim. Për të, mungesa e provës materiale barazohej me mungesë besueshmërie. Kjo përfaqësonte një qasje të rreptë kritike: historiografia duhet të mbrohet nga “iluzionet bibliografike”.

Athanas Gegaj: nga pranimi te filtrimi kritik

Athanas Gegaj përfaqëson një fazë kalimtare. Në studimin e tij të vitit 1937, ai e trajton “Antibarensis”-in si burim të rëndësishëm, duke theksuar se shumë pohime të tij përputhen me dokumentet arkivore. Ai argumenton se, edhe pse kronika është e humbur, përmbajtja e saj ruhet përmes Biemmit.

Megjithatë, Gegaj nuk mbetet në romantizëm. Ai përthith metodën arkivore evropiane dhe e zhvendos fokusin drejt dokumentit. Në këtë pikë ai afrohet me qasjen e Constantin Marinescu, i cili e vendosi Skënderbeun në kontekstin diplomatik mesdhetar dhe jo vetëm si figurë epike rezistence. Ky kalim shënon transformimin e historiografisë shqiptare: nga heroizmi narrativ në analizë shkencore.

Barleti: mes mitit dhe faktit

Marin Barleti mbetet burimi themelor. Ai është historian i Rilindjes, që e paraqet Skënderbeun si hero epik, duke përdorur fjalime të gjata dhe përshkrime dramatike. Ai shpesh ekzagjeron fitoret dhe minimizon dobësitë. Megjithatë, Barleti ka pasur në dispozicion dokumente reale. Problemi nuk është mungesa e informacionit, por mënyra jo kritike e përdorimit të tij. Prandaj ai duhet lexuar me kujdes dhe rezervë.

Frashëri dhe historiografia moderne

Kristo Frashëri përfaqëson një fazë të pjekur të historiografisë shqiptare. Ai vendos një hierarki metodologjike: dokumenti arkivor mbi kronikën, por kronika nuk përjashtohet – filtrohet. Kjo qasje shmang si romantizmin, ashtu edhe skepticizmin ekstrem.

Në këtë linjë qëndrojnë edhe studiues si Virgjil Kule dhe Aurel Plasari, ndërsa Oliver Jens Schmitt e rikthen debatin në kontekstin e ndërtimit të mitit skënderbegian.

Përfundim: funksioni i një burimi të humbur

Edhe nëse “Anonimi i Tivarit” nuk ka ekzistuar kurrë, roli i tij në historiografi ka qenë real. Ai e detyroi kritikën të rishqyrtojë burimet, të mos mbështetet në një traditë të vetme dhe të kalojë drejt metodës shkencore. Athanas Gegaj nuk i besoi Biemmit nga naiviteti, por nga bindja se historia e Skënderbeut nuk mund të ndërtohet mbi një zë të vetëm. Debati mes Biemmit, Babingerit, Marineskut dhe Frashërit pasqyron rrugën e gjatë të historiografisë shqiptare: nga miti drejt dokumentit, nga rrëfimi heroik drejt analizës kritike.

Rafael Floqi

Filed Under: Histori

“SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ

February 24, 2026 by s p

Hysen S. Dizdari

Studiues i historisë dhe filatelisë/

Në muaj shkurt të këtij viti u botua në italisht nga shtëpia botuese italiane “Edizione Pergamena” një vepër e re me rëndësi historike për kombin shqiptar me titull: “Skënderbeu , Shqipja që frenoi Perandorinë Otomane “. Kjo vepër është shkruar nga dy autorë të shquar italianë: Aldo Diomedes dhe Claudio Di Giá. Ajo që të bie në sy që në fillim të kësaj vepre është puna e madhe kërkimore e shkencore e dy autorëve nëpër arkivat e bibliotekat italiane dhe evropiane si në Romë, Napoli, Firence, Bari, Venecia, Vjenë , Berlin, Paris etj.

Kjo vepër e tyre është mbështetur në burime të rëndësishme arkivore, dokumentare e historike, por edhe në një bibliografi të pasur me veprat e autorëve shqiptarë dhe të huaj kushtuar Skënderbeut si: Marin Barleti, Dhimitër Frangu, Gjon Muzaka, Fan Noli, Kristo Frashëri, Giammaria Biemi, Franz Babinger etj.

Autorët e shquar, Aldo Diomedes dhe Claudio Di Giá, sjellin para publikut italian, shqiptar e evropian një vepër të re, të shkruar me dashuri dhe me dije, një histori të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, ndryshe nga autorët e tjerë italianë e të huaj, duke e parë Skënderbeun jo vetëm si hero i kombit shqiptar, por edhe si hero të kombit italian dhe si hero edhe të kombeve të Evropës. Pësmes luftës së tij 25 vjeçare, Skënderbeu e mbrojti jo vetën vendin e tij, Shqipërinë, nga pushtimi i ushtrisë otomane, por edhe vendet fqinje, midis tyre edhe Italinë, po dhe Evropën. Me të drejtë dy autorët theksojnë se Skënderbeu është hero i kombeve të Evropës.

Ja me sa përkushtim, dashamirësi e fisnikëri shkruhet në hyrjen e librit: “Skanderbeg shqipja që frenoi Perandorinë Ottomane” (faqe -3), në formë “dedikimi”:

“Juve o popull shqiptar që jeni mbartës të emrit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, jo vetëm në librat e historisë, por në gjak dhe në shpirt. Ju jeni mbrojtësit e flakës së tij. Nuk keni pasur nevojë as për këtë libër, as për ndonjë tjetër, për të njohur madhështinë e heroit tuaj. E keni mbajtur në jetë gjatë shumë shekujve heshtjeje, duke murmuritur gjestet e tij në këngët e baballarëve tuaj dhe të gjyshërve tuaj. E keni sjellë me vete nëpërmjet Adriatikut, duke e bërë zemrën dhe shpirtin e komunitetit tuaj në mërgim. E keni bërë tuajën kurajën e tij, Shqiponjën e tij e bëtë simbol të qëndrueshmërisë suaj të paepur. Juve, që jeni trashëgimtarët e gjallë të tij, jua dedikoj këtë vepër jo si një leksion, por si një homazh të përulur dhe të thellë të një miku italian, që duke parë përtej detit tonë të përbashkët, ka parë dritën e një gjiganti, dhe ka mbetur i mrekulluar.

Edhe gjithë atyre që, në Itali e në Shqipëri, e takojnë për herë të parë këtë emër nëpërmjet faqeve të këtij libri.

Ky libër nuk është vetëm një tregim i betejave të kohëve të vjetra. Është një ftesë për një udhëtim për zbulimin e një prej figurave më të jashtëzakonshme që Kontinenti ynë ka dhënë. Ju uroj që të zbuloni, ashtu siç kam zbuluar unë, që historia e Skënderbeut nuk është vetëm kronikë e një luftëtari, por mishërim i idealeve që nuk njohin kufij si lufta për liri, mbrojtja e shtëpisë së vet, dinjiteti i një populli që refuzoi të dorëzohet.

Shpresoj që në përfundim të këtij udhëtimi, do të keni mundësinë që ta dashuroni dhe respektoni atë, jo vetëm si hero i një kombi, por si një simbol universal i gjithë atyre gjërave që shpirti njerëzor mund të kryej përballë mundësive të pamundura. Si italian e shkrova këtë libër i shtyrë nga ndjenja e detyrës dhe admirimit. Detyrës që të kontribuoj në vendosjen e një heroi kaq madhështor në vendin që i takon në pantheonin evropian.

Admirimin për një njeri që nuk ishte vetëm Babai i Atdheut shqiptar, por edhe mbrojtës, që në një moment të errët të historisë, mbrojti pikërisht kufirin tonë bregdetar. Historia e tij i përket Shqipërisë, por trashëgimia e tij shpirtërore është pasuri e mbarë Evropës. Urojmë që Shqiponja e tij të fluturojë gjithmonë lart në kujtesën e përbashkët, duke bashkuar brigjet tona me një përqafim e respekt vëllazëror.”

Vepra e dy autorëve italianë, Aldo Diomedes dhe Claudio Di Giá, e ndriçon në rrafshe të ndryshme dhe në mënyrë mjaft të plotë historinë e Skënderbeut, që nga marrja peng në oborrin e sulltanit, çlirimi i Krujës më 28 nëntor 1443, luftën e betejat e tij fitimtare mbi ushtrinë otomane, marrëdhëniet e tij me Mbretërinë e Napolit, Venedikun dhe Papët e Romës. Në ketë vepër dy autorët kanë analizua mirëfilli dhe strategjinë që përdori Skënderbeu për t’i arritur fitoret në betejat kundër ushtrisë otomane shumëfish më të madhe, në forca dhe mjetet më moderne të shek. XV. Vepra “Skënderbeu Shqiponja që ndaloi Perandorinë Otomane” përmban 15 kapitujt të cilët e shpalosin historinë e Skënderbeut në një varg të dhënash e faktesh:

Kapitulli -1:Shqipëria e princave. Familja Kastrioti dhe sistemi osman i vasalitetit.

Kapitulli -2: Peng në Edirne. Jeta e Gjergjit të vogël në oborrin e sulltanit.

Kapitulli- 3: Shkëndija e kthimit. Lidhja e pa ndërprerë me atdheun e tij..

Kapitulli -4: Çlirimi i Krujës. Rrëfimi pothuajse mitik kthimi i tij.

Kapitulli -5: Përkrenarja e Dragoit. Heqja dorë nga islami dhe kthimi në krishterim dhe përkrenarja ikonike.

Kapitulli -6 : Lidhja e Lezhës kryevepra diplomatike.

Kapitulli -7: Lufta në male. Një analizë e detajuar e taktikave të tij.

Kapitulli -8: Rrethimi pa fund. Rrethimi epik tri herë i Krujës.

Kapitulli -9: Përplasje titanësh.

Dueli i tij personal me gjeneralët e ushtrisë osmane.

Kapitulli -10: Ndihma nga Roma. Marrëdhënia me Papët.

Kapitulli -11: Miqtë dhe armiqtë. Marrëdhënia me Venedikun dhe ndihma e mbretërisë Napolit.

Kapitulli -12: Një Mbret pa kurorë. Roli i tij si udhëheqës i pa diskutueshëm.

Kapitulli -13 :Beteja e fundit. Vdekja e tij nga sëmundja.

Kapitulli -14: Pas Skënderbeut. Rënia e qëndresës dhe shtegtimi në Itali.

Kapitulli -15: Përse u “harrua “ ai. Një analizë përse figura e tij ra në margjinat e historiografisë evropiane.

Përfundim: SHQIPONJA ENDE FLUTURON!

Populli shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Itali, e kudo në Evropë, në SHBA, në Kanada e në Australi u është shumë mirënjohës dy autorëve të shquar italianë të kësaj vepre: ALDO DIOMEDES dhe CLAUDIO DI GIÁ, për punën e tyre të çmueshme kërkimore dhe shkencore, për ta sjellë para publikut italian, shqiptar, evropian e botëror këtë vepër me vlerë, kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Më mban shpresa se brenda vitit 2026 kjo vepër do ta shohë dritën e botimit edhe në gjuhën e Atdheut të Skënderbeut, në gjuhën shqipe, dhe do studiohet e do të shfrytëzohet si burim i rëndësishëm për njohjen e mëtejshme të jetës dhe të veprimeve të Skënderbeut.

Filed Under: Histori

Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!

February 21, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Me qenë se i çmendur linda, jetova edhe vdiqa

Nuk desha ta provoj unë vetë Boshësinë time..

Buda më mësoi të lahem, të krihem,

Nga ferrat dhe drizat e udhëtimit.

Sokrati më mësoi të pi helmin,

Për të thënë të vërtetën.

Krishti më mësoi t’i ngjitem Kavarit.

Muhameti më mësoi Fatcaktimin

Ashtu bëra. U lehtësova saqë qëndroj pezull

Mbi çdo dhembje.

Këto vargje i përkasin poezisë “Pezull” të Isuf Luzajt, një zë drithërues që mbështjell të gjitha vuajtjet dhe trazimet. Si rrallëkush ndër poetë shqiptarë të mërgimit ai njohu kafshimin që i dha dhembja , dënimi me harresë dhe në mungesë, si “armik i vetëdijshëm i ideologjisë komuniste”, i mbërthyer në kryqin e kundërshtive të veta.

Të shenjta janë fjalët që ai ka shkruar:

“Dje qeshë dikushi që erdha nga boshësia,

nesër do të jem askushi në vendin tim”.

Isuf Luzaj dashuroi gjithcka dhe bëri gjëra të mrekullueshme në jetë, edhe pse mbeti një poet i “mallkuar”, i qarkuar me rrathë ferri në thellësitë e ndjenjës. Sa mjegullnajë në këtë botë mizore dhe sa dhembje në këtë mjegullnajë! Por dhimbja e poetit ka ndriçimin e shenjë të Prajsës, ndaj e sfidon vdekjen, armikun e përjetshëm. Përmes mureve të mugëta të ferrit, Isuf Luzaj “qëndroi pezull mbi çdo dhembje” dhe “asimetri cinike” dhe nxorri nga terri himnin e hareshëm:

“Ekzistencë dhe Qënie, asimetri cinike,

Ekzistoj kur veproj; lë gjurmë udhëtimi.

Qënia jam, Esencë që lëviz si një hije

Pa e ndjerë Kohën as mike as armike,

Pa njohur udhën as ku të shpije drejtimi.

Këto janë trajtat e shpirtit abstrakt

Ndonëse kujdesi përgjegjës është i imi.

Nuk ekzistoj kur jam, veçse ankthi shëtitës,

Marrë frymë ndaj provoj, besoj që jam i gjallë,

Ndjek kopenë pas çobanit për qullin e ditës,

Shtohem në breza pa njohur ç’është malli.

Kjo është piktura e shpirtit frikacak,

Ja robot angarie: ja dash sa për gjak.

Qënia s’është mjaft, kur ekzistoj, jam i lirë.

Ekzistenca dhe Esenca janë qënia më e mirë.

Kjo është simetria e nderit, virtyt flori.

***

Kur jam, e gjej unin në çdo orë e çdo stine,

Ai që qesh dje, të heq zvarrë pleqërinë

Pa ditur as unë, nga vete e pse vi?

Ky është dënimi i jetës, ky është kërkimi.

Kjo ethja c tyre, kjo angushi!

Kur ekzistoj ngjitem në shkallë

Çdo çast një unë tjetër, larg nga uni i djeshëm.

Ekzistenca dhe esenca një formulë e rrallë,

E shoh kohën që do vijë si një pasqyrë e qartë,

I shoh ndodhitë si do vinë varg e varg.

Uni fluturon në sferë të përjetshme.

Ekzistoj në këtë orë të ftohtë e të trembur.

Drita e shpirtit ngadalë si shenjtore

Vjen pa e thirrur dhe më merr për dore,

Shërojmë çdo plagë shoqërisë së dhembur,

Esenca ekzistencës i është diell diamanti,

E nxjerr nga tuneli ku e burgosi kërkesa.

Në unin tim rron besa dhe shpresa,

Sjellin me karvanë dituritë e vjetra,

Guximin e heroit, fuqinë e gjigandit.

Dhe kur i mbarohet vaji kandilit

Digjet misionari qe është fitili,

Po drita vazhdon ne shekuj ndriçimin.

Ndaj ekzistoj me Esencë te misterit.

Ati i dheut, i detit, i qiellit

Kur më nisi, më dorëzoi fenerin

Për të udhëtuar udhën e kryqit.

Për t’i mësuar Kohës mësimin”.

Shkenca e shpirtit dhe arti, në krijimtarinë e Isuf Luzajt kanë një unitet pambarim, një ansambël pambarim shtysash dhe shpërthimesh, duke nxjerrë gjithnjë në pah anën mbizotëruese, që rrok melodia antagoniste e qënies së tij. Luzaj është ndër të parët poetë shqiptarë që ka vënë këmbën në botën psikologjike moderne, duke frymëzuar njeriun e diferencuar të letërsisë. Në poezitë e tij Luzaj, poeti që jetoi në një kontradiktë të përjetshme, kontrastin e pasionit ndërmjet botës së tij shpirtërore dhe realitetit mazokist. Duke përshpejtuar me shqetësim shpërbërjen kimike të ndjenjave të grumbulluara, ai zbuloi kontinentin e ri të shpirtit dhe hapi rrugën për lundërtatrët e ardhshëm, duke kapur përpjekjen e çuditshme që ndriçon çdo vendim të zemrës së njeriut.

Ky poet, shkrimtar dhe filozof paradigmatik, i bën nder letërsisë shqipe dhe vjen ndoshta pas Nolit e Konicës në tashëgiminë tonë letrare. Ndaj studiuesit e letërsisë do bënin një gjest të dëlirë ta përfshinin krijimtarinë tij nëpër antologji, apo kurrikulat shkollore.

BIOGRAFIA

Isuf Luzaj lindi në Kaninë e Vlorës më 21 shkurt 1913 në një familje fetare. Ai ishte arsimtar, shkrimtar, dhe filozof shqiptar.

Pasi mbaroi gjimnazin në Shkodër, ndoqi studimet e larta në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ishte delegat i Ballit Kombëtar, në Konferencën e Mukjes më 1943. Më Nëntor të 1944 u detyrua të marrë udhën e mërgimit; në fillim në Itali, pastaj në Argjentinë dhe nga 1965 në SHBA. Është një nga figurat më të spikatura të kulturës sonë kombëtare, me një krijimtari të pasur në fushën e letërsisë, historisë dhe filozofisë. Veprat e tij, shumica të pabotuara, përbëhet nga 93 vëllime. Krijimtaria e tij letrare fillon që në vitet ’30 me përmbledhjen poetike “Rrëfimet”, botuar më 1938. Më 1954 botoi në spanjisht romanin “Lumenjtë derdhen të kuq”. Lexuesi shqiptar është takuar me të tepër vonë, në vitet ’90, kur në Tiranë filloi të botohej ndonjë vepër e shkëputur e tij. Më 1995 u botua “Gloria e çmendjes” (poema), më 1996 “Ekzistenca dhe boshësia” (libër filozofik) dhe më 1999, libri “Sëmundjet e shekullit” (Ese filozofike).

Prof. Dr. Isuf Luzaj ka punuar për një kohë të gjatë në disa universitete amerikane si titullar katedre, shef i departamentit dhe si profesor i filozofisë, i letërsisë frënge, i gjuhës dhe i letërsisë spanjolle. Ai ka patur miqësi dhe korrespondencë me disa presidentë të SHBA. Titullin e lartë “Profesor Emeritus” ia ka vendosur në gjoks vetë Presidenti Regan.

Profesor Isuf Luzaj vdiq në vitin 25 nëntor 2000 në Chicago dhe, sipas amanetit që la, u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri.

Filed Under: Histori

MILAN SUFFLAY, VRASJA E ALBANOLOGUT KROAT NË ZAGREB – MENJËHERË PAS VIZITËS NË TIRANË

February 19, 2026 by s p

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Pjesa 2/

Me rastin e 95 vjetorit të vrasjes së albaologut kroat me origjine gjermane. 

Sadoqë Shuflaj ishte një medievist i shkëlqyeshëm e jo gjuhëtar i sprovuar, propozimet dhe interpretimet e tij etimologjike i kanë bërë ballë kohës, duke u pranuar edhe sot si të qëndrueshme, sidomos përsa i përket elementeve onomastike shqiptare në Mal të Zi, ngase ai nuk i konsideronte ato elemente si ndikim të gjuhës apo korpusit onomastik shqiptar, por si substrat onomastik, përkatësisht si relikte gjuhësore e onomastike shqiptare në ato vise ku elementi shqiptar ishte i pranishëm edhe në mesjetën e hershme. 

Edhe në studimet tjera të dr. Millan Shuflajt bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por disi kanë mbetur anash pa u analizuar dhe shqyrtuar sa duhet, faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila për dr. Millan Shuflajn paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.

Qeveria shqiptare, duke treguar respekt dhe nderim të veçantë, për shkencëtarin dhe albanologun e njohur kroat me famë botërore, e fton në fund të vitit 1930, që të vizitojë Shqipërinë. Kjo ftesë bëhet menjëherë pasiqë “Kaiserliche Akademie der Wissenschaften in Wien” i kishte propozuar dr. Shuflajt të vazhdojë botimin e vëllimit të tretë, të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. I pritur me nderime më të larta shtetërore, që nga mbreti Zog, kryeministri, ministri i kulturës dhe më në fund nga anëtarët e Parlamentit shqiptar, dr. Millan Shuflajt i njihet, dhe në një farë mënyre, i shpërblehet gjithë mundi që kishte bërë në hulumtimet dhe kërkimet shkencore në fushën e albanologjisë dhe veçanërisht në studimin dhe botimin e dokumentave mesjetare të cilat deri në atë kohë pothuajse ishin të panjohura fare. I shoqëruar nga intelektualë dhe politikanë shqiptarë, studiuesi i madh kroat, viziton arkiva të ndryshme kishtare, biblioteka, pika arkeologjike dhe njihet për së afërmi me kulturën dhe traditën shqiptare, për të cilën kishte shkruar aq shumë. I impresionuar nga mbishkrimet dhe dokumentat e shumta mesjetare, ai kërkon që pjesa më e madhe e tyre të fotografohen ose të përshkruhen që më vonë, kur të kthehej në Zagreb, ti studionte me themel dhe të nxirrte konkludime të rëndësishme shkencore. Për fat të keq, një gjë të tillë nuk arriti ta bënte kurrë ngase u vra nga dora kriminale e policisë serbe.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, dr. Shuflaj më 16 janar 1931 mban një fjalim në Parlamentin shqiptar, ku në mënyrë të hollësishme elaboron punën rreth botimit të 6 (gjashtë)vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”, si dhe të “Historisë së Shqipërisë”. Për këtë gjë, Parlamenti shqiptar nga buxheti i shtetit, e urdhëron ministrin e arsimit që në emër të shpenzimeve të paguaj në “Banque Commerciale de Bâle á Zurich”, në llogari të dr. Millan Shuflajt, shumën prej 75.000, frangash ari, që sot është e barabartë me rreth 4 milionë dollarë. 

Metoda e shqyrtimit shkencor, paanshmëria, korrektësia, pedantëria, analizat dhe studimet e nduarduarshme, qofshin ato paleografike, diplomatike, onomastike, toponomastike apo të tjera, edhe sot e kësaj dite janë të patejkaluara. Një gjë të tillë, ia mundësonte kultura e gjerë, njohja e gjuhëve të shumta, vullneti dhe këmbëngultësia që e vërteta çdo herë të ngadhnjejë, edhe në ato raste kur dikujt nuk i pëlqente kjo gjë. Edhepse është shkruar se dr. Millan Shuflaj nuk ka shkruar shumë, e vërteta është krejt ndryshe. Punimet dhe studimet e tij janë të shpërndara nëpër gazeta dhe revista të kohës, por edhe ato të botuara si libra të veçantë, iu janë të njohur vetëm një numri të vogël specialistësh dhe studiuesish, ndërsa masa e gjerë e lexuesve nuk kanë njohuri se ato ekzistojnë fare.

Dorëshkrimet e Milan von Sufflay-t që ruhen në Arkivin Shtetëror Kroat, në Zagreb, ruajnë thesare të vërteta për historinë kombëtare shqiptare. Të renditura në dhjetëra kuti, të sistemuara dhe katalogizuara, këto dorëshkrime nuk paraqesin problem për studiuesin, historianin apo albanologun, i cili është i përgatitur mirë nga paleografia dhe ka njohjen të paktën të disa gjuhëve në të cilat ka punuar albanologu kroat.

Në mesin e shumë dorëshkrimeve, ndodhet edhe korrespodenca e Milan von Sufflay-t. Në kutinë nr. 9, e cila është e mbushur plot me fashikuj letërkëmbimi nga letra që ka pranuar Sufflay, por, njëkohësisht aty ruhen edhe kopjet e letrave që Sufflay (pedant, korrekt dhe shumë sistemues) ju dërgonte të tjerëve. 

Duke vazhduar botimin e albanologut kroat, Milan von Sufflay, kësaj radhe ne publikut të gjerë, albanologëve dhe historianëve, ju sjellim 2 letra njëra e shkruar nga vetë Milan von Sufflay (që është e daktiloshkruar) dhe tjetra është autograf e akademikut serb Jovan Radoniqit.

Rëndësia e këtyre letrave (edhepse janë të ruajtura edhe disa të tjera në mes të këtyre dy autorëve) është sepse përfundimisht sqarohet një lloj mjegulle apo hije dyshimi që me dhjetëra vite ekziston mbi faktin se: “me të vërtet akademiku serb Jovan Radoniq i kishte huazuar disa dokumente Milan Sufflay-t”? Sa ishte numri i dokumenteve të huazuara? Pse Sufflay i kishte huazuar ato Radoniqit? Cili është fati tyre? etj., etj.

Duke mos pasur mundësi udhëtimi jashtë Zagrebi, (gjë që policia jugosllave i kishte ndaluar lëvizjen, e ne në vijim të botimit të këtij letërkëmbimi do të sjellim mjaftë dëshmi për këtë gjë), Milan von Sufflay, kishte angazhuar disa scribes [kopjues, m.a.] spanjollë (Barcelonë) dhe italianë (Milano) të këtyre arkivave, por edhe të arkivave tjera, si psh. të Mantovës, Sienës, Vatikanit, Ankonës, etj., që të kopjonin për llogari të tij, dokumente, dorëshkrime dhe burime tjera arkivore, përkundër një pagese të caktuar, gjë që ishte krejt e zakonshme për kohën. 

Duke e njohur akademikun serb Jovan Radoniqin, për arsye pune, por edhe për vete faktin se të dy kanë qenë student të Konstandin Jireçekut, Sufflay, në vitin 1926 i kishte huazuar jo më pak se 200 dokumente (që janë më shumë se 390 faqe) të përshkruara nga arkivat e Barcelonës (Aragonës) dhe Milanos (Sforza, nga i cili, një historian u huaj, sot pretendon se ka zbuluar dokumente te reja për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, e në fakt ato që në vitin 1926, Sufflay i kishte në tavolinën e tij të punës, pra as që mund të bëhet fjalë për ndonjë zbulim, kur ato prej vitesh ishin të njohura) kolegut serb, për gjoja faktin se ky i fundit dëshironte për të “ndriçuar raportet [marrëdhëniet, m.a.] e Gjergj Kastriotit dhe të Mehmetit të II-të” gjë që në fakt një punim i tillë nuk u botua kurrë. Më vonë, 11 vite pas vdekjes (“tragjike” siç e thekson Raoniq, në hyrjen e botimit të dokumenteve për Skënderbeut, f. X, “Đurađ Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku. /Istoriska građa/. Spomenik. Srpska Kraljevsa Akademija. Drugi razred, knj. 74. Beograd, 1942), Radoniqi boton një pjesë të këtyre dokumenteve, pa theksuar në asnjë vend, se cilat dokumente ishin marrë nga i ndjeri Sufflay dhe cilat ishin fryt i punës së të tij. 

Në vijim një pjesë e letërkëmbimit Sufflay – J. Radoniq në fund të shikohen ehde riprohimet dixhitale ë roigjinalit të letërkëmbimit të cilat këtu në vijim i sjellim të përkthyera në gjuhën shqipe: 

Millan Sufflay i skruan dr. J. Radoniqit:

Akademik dhe profesor universiteti

Daniçiqeva 41 Beograd

Zagreb,

14 tetor 1930

I shumëndrituri zotëri!

Gjendem para redaktimit përfundimtar të vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia. Në këtë vëllim do të përfshij edhe marrëdhëniet e mbretit aragonas, Alfonsit, me Skënderbeun.

Që nga viti i largët 1926, unë ju kam huazuar, përshkrimet [kopjimet, m.a.] e dokumenteve nga arkivat e Barcelonës dhe Milanos, të cilat Ju, i kërkuat për të ndriçuar raportet [marrëdhëniet, m.a.] e Gjergj Kastriotit dhe të Mehmetit të II-të. Këto dokumente të përshkruara tani janë detyrimisht të domosdoshme për punën time.

Me këtë rast ju lutem, për herë të tretë, që këto dokumente të përshkruara [kopjuara, m.a.] të më ktheni sa më parë.

(Po ju shkruaj edhe adresën time: Dr. Milan Suffaly, Zagreb, rruga Gunduliqeva nr 25, kati I.). 

Në të kundërt, jam i detyruar që ato dokumente t’i porosis dhe t’i kopjoj përsëri nga arkivat e lartcekura [Barcelonës dhe Milanos] dhe për gjithë këtë që po ndodh, do të shkruaj në parathënien e vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia“.

Përzemërsisht ju përshëndet, 

admiruesi juaj i sinqertë

Dr. Milan Sufflay

Gunduliqeva 25

Zagreb

(Kur skanuam faksimilen e letrës, kemi vënë edhe dëshminë e dërgesës postare të Milan Sufflay-t. Ishte dërgesë speciale, dhe në të është shënuar se i adresuari e ka marrë letrën. Në anën e majtë të faksimiles mund të vërehet edhe vula e postës së Zagrebit dhe data 14. X. 1930, si dhe numri i postës 19. Natyrisht aty janë edhe shënimet e tjera të rutinës postare).

Dr. Milan Syfflay

Gunduliqrva 25

Zagreb

Beograd,

28 tetor 1930

I nderuari zotëri koleg!

Me t’u kthyer nga kongresi i bizantologëve [i mbajtur, m.a.] në Athinë, kam gjetur letrën tuaj të datës 14 tetor [1930, m.a.].

Ndihem fajtor i madh ndaj Jush, sepse është dashur që përshkrimet [kopjimet, m.a.] Tuaja, nga Barcelona dhe Milano t’ua ktheja para shumë kohësh.

Kam menduar që ato dokumente t’i shfrytëzoj plotësisht, por për shkak të obligimeve në punë, nuk kam pasur mundësi që ta bëj këtë gjë plotësisht deri tani. Me sigurinë më të madhe, i përfundoj ato për 4 ose 5 ditë, dhe do jua dërgoj me postë rekomande në adresën Tuaj.

Unë shpesh mendoj për Ju, dhe përgatitjen Tuaj shumë të lartë [profesionale dhe shkencore, m.a.] dhe më vjen shumë keq që nuk dëshirojnë  që Ju, të ju shfrytëzojnë [për punë shkencore, m.a.] dhe përgatitjen tuaj të dobishme.

Para pak kohësh, prapë kam pasur një bisedë për këtë çështje me një zotëri me ndikim, dhe kam shpresë në rezultate konkrete.

Ju respekton shumë, dhe përzemërsisht ju përshëndet,

I juaji Jovan Radoniqi.

Në fakt, Radoniqi, në botimin që cituam më lartë, (që për fat të keq ose të mirë !!!) është botimi më i mirë deri me sot me burime dhe dokumente (!!!) për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në hyrje e këtij libri, f. X, shkruan: “…kur me një rast i kam thënë Sufflay-t se po mbledh lëndën arkivore për historinë e Skënderbeut, ai pa hezitim më dha të gjitha dokumentet që kishte, veçanërisht ato nga arkivi i Barcelonës dhe ai i Milanos. Duke i shkruar këto radhë, e përkujtoj me mirënjohje zemërgjerësinë e prof. Sufflay-t, i cili vdiq në mënyrë tragjike në vitin 1931, në moshën 52 vjeçare”. 

Natyrisht, nuk mund të heshtim faktin, se botimi i dokumenteve të huazuara nga Sufflay, prej Radoniqit, nuk është korrekt, ka shkurtime, ndërhyrje në origjinal, por edhe duke lënë anash me dhjetëra dokumente tjera të cilat edhe sot e kësaj dite ruhen në origjinal në arkivin e Aragonës në Barcelonë, dhe nuk janë të botuara. Ne, në një rast tjetër, pohimin tonë mund ta dëshmojmë, duke botuar faksimilet e origjinaleve të dokumenteve që ruhen në Barcelonë, të cilat i disponojmë, duke ballafaquar me botimin e Radoniqit.

Është fakt i njohur tashmë se në mes të viteve ’90, një pjesë e mirë e lëndës arkivore, (dorëshkrimeve), të Milan von Sufflay-t është kthyer nga Beogradi në Zagreb. Për çudi, aty nuk gjejmë dokumentet e huazuara Radoniqit, e as një pjesë të letërkëmbimit në mes Radoniqit e Sufflay-t, Thalloczy-it e Sufflay-t, etj, të cilat për fat të mirë tonin, na janë ruajtur në një vend tjetër, në Budapest. Në Budapest, ruhet në tërësi letërkëmbimi Thalloczy – Sufflay, por edhe një pjesë e letërkëmbimit me Radoniqin. Ne nuk dimë rrugën me të cilin ka ardhur ky letërkëmbim në Budapest, pasiqë, logjikisht nuk kishte pse të ruhej në dosjen e Thallcozy-t i cili kishte vdekur që në vitin 1916! 

Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumenta nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus”, të Tadija Smiçiklasit, gjen materiale burimore, shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë, ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllim kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga pena e dr. Millan Shuflajt dolën studime të jashtëzakonshme me vlera të larta shkencore në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton së bashku me L. Thallocin dhe K. Jireçekun. Materialin e mbledhur, dr. Shuflaj e sistemonte dhe e përcillte me komente të ndryshme, kështuqë të shumtën këto komente, paraqesin diskutime me vlerë të lartë shkencore dhe mund të shfrytëzohen si studime të veçanta. Punën për përgatitjen e botimit të kësaj kryevepre e ka vazhduar edhe më tutje. Janë përshkruar një pjesë e dokumentave nga arkiva të ndryshme, është konsultuar literatura përkatëse si dhe është bërë plani konkret për botimin e vëllimit të tretë.

Pas studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Shuflaj, paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë, ishte më e afërt me Bizantin dhe Dalmatët, se sa me Sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore.

Kontributi i dr. Shuflajt në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, e zbërthen në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazias, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo sllavë, vëren ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe institucionet tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva. Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, të cilin e analizon që nga zanafilla e tij nëpër qytet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtij institucioni në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare. në anën tjetër, studim, që deri tashi ka mbetur i vetmi në këtë lëmi.

Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, dr. Shuflaj e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimorë dhe lindorë në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eskluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundim të ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapsirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo tjetrit ndikim. 

Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, Shuflaj e dëshmon me argumente shkencore ndër të tjera edhe me praninë e emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i trajton për emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumin gjuhësor të shqipes. Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve.

Edhe në studimet tjera të dr. Milan Shuflajt bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por disi kanë mbetur anash pa u analizuar dhe shqyrtuar sa duhet, faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.

Është interesant fakti, që në përmbajtjen e vëllimit të tretë, M. Sufflay nuk kishte futur dokumentet nga arkivat e Barcelonës dhe të Milanos, të cilat i kishin përshkruar për të disa scribes spanjollë (Barcelonë) dhe italianë (Milano), por ia kishte huazuar ato akademikut serb në Beograd, Jovan Radoniqit, për konsultim, e për një studim. Ky i fundit i botoi ato në vitin 1942, (Jovan Radonić. Ðurađ Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku. /Istorijska građa/. “Spomenik,” Srpske Kralevske Akademije, drugi razred. knj. 74. Beograd, 1942. Duke shfletuar me kujdes vëllimin e botuar nga Jovan Radoniq, vërejmë se aty janë 48 dokumenta nga Arkivi i Barcelonës që Milan von Sufflay ia kishte huazuar atij) pas vdekjes së M. Sufflay, pa pasur kurrë lejen e tij për botim. Përkundrazi, M. Sufflay kishte kërkuar me këmbëngulje që Radoniqi t’ia kthente dokumentet nga arkivi i Barcelonës, (Shih letrën e Sufflay-t që ne po botojmë me faksimile dhe të përkthyer shqip.Arkivi Shtetëror Korat /HDA/ Zagreb, R. O. M. Sufflay, kut. 9, IV/1,  nr. 264, /Zagreb, 18. I. 1926/ dhe kut. 9, IV/1, nr. 267, /Zagreb, 14. X. 1930/) e megjithatë ai i kishte mbajtur ato, edhe pse i kishte premtuar Sufflay-t se do t’ia kthente. (Në letrën e tij origjinale që ne po botojmë me faksimile dhe të përkthyer në shqip, dërguar M. Sufflay-t, Jovan Radoniq, i shkruan se ato dokumente do t’ia kthente menjëherë. HDA-Zagreb, R. O. M. Šufflay, kut. 9; IV/1, nr. 218, /Beograd, 28. X. 1930/).

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 708
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT