• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kisha e Zojës Nunciatë dhe Kuvendi Françeskan në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë”

January 7, 2025 by s p

Paulin Zefi/

* Ndërtimi i Kishës së Zojës Nunciatë dhe i Kuvendit Françeskan bashkangjitur thuhet se lidhen me kalimin në këto anë të Shën Françeskut të Asizit gjatë kthimit të tij nga Toka e Shenjtë (1) në vitet 1220- 1221 (2). Të gjitha rrëfimet e Urdhrit Françeskan ia dedikojnë themelimin e këtij Manastiri krijuesit të urdhrit, Shën Françekut të Asizit (3), dhe në fakt, dihet se françeskanët filluan të shfaqen në Arbëri që në vitet e para të krijimit të Urdhërit (4). Nga banorët e Lezhës ky objekt kulti njihet kryesisht si “Kisha e Dom Lleshit.” Thuhet se Dom Lleshi ishte një ndër meshtarët që, mbasi Shën Françesku shkeli tokën arbëre, veshi petkun françeskan dhe me të hollat që mblodhi nëpër besimtarë, bëri të mundur ndërtimin e Kishës dhe të Kuvendit Françeskan sipas planimetrisë që kishte shënuar vetë Shën Françesku me një shkop/bastun pishe, të cilin Shenjti e mori me vete në përkujtim të atij udhëtimi (5). Historia e bastunit prej pishe të Shën Françeskut nuk mbaron me kaq!..

Në Arkivin e Kuvendit Françeskan ruhet një gojëdhënë shumë interesante, ku thuhet se: “Shën Françesku, tue kthye prej Sirije, u përshkue nëpër Shqypni, ku nxjerrë nji shkop prej deget të nji pishës s’eger, e muer me vedi deri në Venedik, e aty e nguli në tokë afër nji kuvendit të ktij qytetit, ku edhe xû, e u rrít në nji mënyrë të bindëshme, tue u bâ landë e madhe fort. E, edhe tash, po deshtem me i ndejë gojdhanës së popullit, ruehet trupi i thám i ksajë lande, rrethue gjithkahë prej parmakësh, qi mos t’a presë kush e mos t’a marrë me vedi. Kjo landë njifet me emrin “Pisha e Sh’Françeskut”, e i dahen grimcat e saja popullit qi i lypë për divocjon. Sot, ky trup pishe mundet me u pa, rujtë me shum kujdes, në fund të Kishës së Kuvendit Françeskan ngrehë m’nji ishull, afer Venedikut, banue vetem prej françeskanve e qi njihet me emrin “Deserto (6).” Bëhet fjalë për “Convento di San Francesco del Deserto (Kuvendi i Shën Fraçeskut të Shkretëtirës)”, i themeluar nga vetë Shën Françesku i Asizit në vitin 1223, i cili ndodhet në një ishull të vogël, 6 km në verilindje të qytetit Venecia, në Lagunën homonime. Pra, nëse i besojmë traditës, kemi të bëjmë me një lidhje të fortë shpirtërore, historike dhe materiale midis të dy Kuvendeve Françeskane, këtij në Lezhë dhe atij në Venecia.

Ndërsa, përsa i përket kohës së ndërtimit të Kishës së Zojës Nunciatë dhe Kuvendit Françeskan në Lezhë, dëshmia më e hershme pasqyrohet në arkitraun prej shtufi të portës kryesore (perëndimore) të Kishës. Këtu lexohet një mbishkrim në gjuhën latine, të cilit i mungojnë disa fragmente: “HOC TE[MPL]VM [FRATR]VM MINO[RUM] ÆDIFI[CATUM] EST ANNO DOMINI MC[C 40] (Ky tempull i Fretërve Minorë u ndërtua në vitin e Zotit, 1240)”. Pra, kisha u ndërtua prej Françeskanëve 14 vite mbas vdekjes së themeluesit të saj, Shën Françeskut, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1226 (7). Kurse, burimi i parë dokumentar, që provon ekzistencën në Lezhë të një Manastiri të Urdhrit të Fretënve Minorë i përket vitit 1464 (😎. Mbi arkitraun e portës anësore (jugore) lexohet një mbishkrim i gdhendur me shkronja të bukura gotike, në gjuhën veneciane, të cilit fatkeqësisht i mungon fillimi: “[…] XXXXXVI • ADI • PRIMO • DI • SETENBRIO • SER • […] • LEGRO • PABON • DEL • NAVILIO.” Sipas Th.Ippen, shkronjat gotike të mbishtrimit ngjajnë plotësisht me ato të monedhave të Balshajve, pra të viteve 1380 – 1442, por gjithashtu ato ngjajnë edhe me shkronjat e monedhave veneciane të Shkodrës gjatë viteve 1436 – 1442 (9).

Mirëpo, ky mbishkrim, mjaft i vështirë për t’u deshifruar, datohet në vitin 1456 dhe mendohet se gjetja në fjalë është me prejardhje nga ndonjë ndërtesë e afërt e portit antik lumor të Lezhës. Sigurisht që fjalët, “Legro Pabon del Navilio” duhet të jenë emër personi (10) dhe duke qenë se “Navilio” nënkupton tërësinë e mjeteve të lundrimit, që karakterizohet nga një funksionalitet ose rëndësi specifike, është shumë i drejtë kosntatimi se arkitrau që mban këtë mbishkrim i përket një ndërtese të portit lumor të Lezhës. Sulmi që ushtria osmane e sulltan Mehmetit II Fatih kreu mbi qytetin e Lezhës më 5 shtator me 1478 e dëmtoi rëndë kishën dhe manastirin, duke qenë se këtu ishin mbledhur shumë të krishterë, të cilët gjatë luftimeve me osmanët iu shkaktuan atyre me qindra ushtarë të vrarë dhe arritën të çajnë rrethimin (11). Kur u siguruan se vendi ishte i zbrazur, ushtarët osmanë së bashku me komandantin e tyre, Selim Pashën, hynë brenda në Kishë dhe kur panë statujat e Shën Françeskut dhe Shën Ndout, besuan se kishin qenë ata të dy që ua kishin ndalur hovin dhe Selim Pasha i ftoi të larguarit për t’u kthyer në vend, duke siguruar edhe një ferman të sulltanit, sipas të cilit askush nuk do të guxonte t’i prekte me dorë (12).

Po ashtu, komandanti osman u angazhua menjëherë, me shpenzimet e veta, për të rindërtuar Kishën dhe Kuvendin Françeskan pas dëmeve që kishte pësuar gjatë luftimeve (13). Në vitin 1591 kisha është përsëri në përdorim, por fretërit ishin transferuar në qytet, në një bujtinë modeste me një kapelë (kishëz) bashkëngjitur (14). Në relacionin e tij të vitit 1610, arqipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, shkruan për Kishën e Zojës Nunciatë, se: “Në Kishën e sipërthanun thonë se ka qenë vorrosë i famshmi Aleksandër Kastrioti, i quejtun me emër tjetër Skanderbeg (il famoso Allessandro Castrioto, chiamato per altro nome Scanderbegh), i cili u da në shenj me shumë luftime të vlerta kundër turqve, të cilat, të qituna në vargje, këndohen n’atë gjuhë prej të gjithë shqiptarëve, edhe në praninë e turqve (15).” Ky njoftim i dhënë nga M.Bici, ka bërë që disa autorë t’i mëshojnë tezës, sipas së cilës “Varri fizik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ndodhet në Kishën e Zojës Nunciatë, në Lezhë.” Mirëpo, një variant të tillë nuk e ndeshim në asnjë burim tjetër dokumentar dhe e vetmja mënyrë për ta provuar me siguri të plotë ose për ta hedhur poshtë, është zhvillimi i një ekspedite arkeologjike, çka në fakt është e pamundur, sepse aq i madh ka qenë numri i njerëzve që janë varrosur në këtë kishë deri në shek. XVII, sa duhet gërmuar e gjithë hapësira e saj e brendshme! Kisha e Shën Marisë përtej Drinit (Santa Maria ultra Drinum) së bashku me Kuvendin Françeskan (Convento di frati di San Francesco) përmenden në mënyrë të dendur në relacionet kishtare dërguar Selisë së Shenjtë në Romë, nga ipeshkvijtë e Lezhës, për gjendjen në Dioqezën e tyre.

Benedikt Orsini e përmend në vitin 1629; Gjergj Vladanji më 1663, 1672, 1680 e 1685 dhe Nikollë Vladanji më 1694 (16). Më herët, më 1668, “Chiesa de fratti chiamata S.Maria” përmendet në njoftimin e Antonio di Spoleto mbi gjendjen e Dioqezave të Arbërisë dhe në vitet 1671-1672 nga vizitatori apostolik, Stefano Gaspari (17). Në skicën e hartës (dorëshkrim) së panjohur italiane të shek. XVII, e cila mban emërtesën “DI ALESSIO”, emri i Kuvendit Françeskan shënohet “Gia’ Monast:” dhe i kishës, “S. Maria.” Në hartën e punuar në vitin 1688 nga Vincenzo Maria Coronelli (1650-1718), Kisha e Zojës Nunciatë del e shënuar si “S.Maria Chiesa” dhe një vit më vonë, më 1689, Giacomo Cantelli da Vignola (1643-1695), e paraqet këtë kishë me emrin “S. Maria.” Në relacionet e tij të viteve 1702-1703, arqipeshkëvi i Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviç (1670-1745), shkruan se: “Kuvendi i Etërve Observantë i Shën Marisë, që thuhet e Lezhës (Conuento de PP. Osseruanti di S.ta Maria detta d’Alessio) është i rrënuar prej tërmetit për tri të katërtat dhe rrënojat tregojnë madhështinë dhe madhësinë e ndërtesës, siç i përshtatet dhembshurisë së të madhit Skënderbe, i cili e themeloi (alla Pietà del gran Scanderbego, che ne fù il fondatore).

Ka mbetur [në këmbë] pjesa e katërt, por as kjo e plotë, vetëm me gjashtë dhoma të ngushta dhe një dhomë më të gjerë për mysafirët. Kuvendit i përgjigjet ambienti i kishës, i gjatë 40 krahë dhe vetëm 12 i gjerë, i cili ka qenë restauruar me dhembshurinë e besimtarëve, por është në gjendje shumë të mirë materiale. Aty është altari i madh me titullin e Zojës Nunciatë (SS.ma Annunziata), që mbahet mirë dhe i stolisur me orendi të vjetra, por jo të leckosura. Ka dy altarë të tjerë në mes të kishës, njëri i kushtuar Shna Ndout (S. Antonio) dhe tjetri Shën Françeskut (S.Francesco), që të dy të mbajtur mirë. Është e furnizuar me orenditë e shugurueshme, madje të çmueshme, megjithëse të vjetra. Është pa kelshejt, që ja kanë vjedhur (18).” “Kisha e Shën Marisë matanë Drinit (la Chiesa di S.ta Maria di là del fiume Drino)” përmendet në vitin 1753 nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Anton Kryeziu (19). “Chiesa di S.Maria de’ PP. Osservanti” përmendet në vitin 1785 nga ipeshkvi i Lezhës, Giorgio Junchi dhe dy vite më vonë nga Mikel Kryeziu, i cili, në relacionin që mban datën 17 dhjetor 1787 përshkruan me detaje fushatën ushtarake osmane të udhëhequr nga Mehmet Pashë Çausholli, që i vuri zjarrin Kishës dhe Kuvendit Françeskan, ku mjerisht u dogjën edhe shumë objekte të Katedrales së Shën Nikollit (të kthyer nga xhami), që ruheshin në këtë vend (20).

Në vitin 1792, kisha rindërtohet edhe më madhështore se ç’kishte qenë më parë me kontributin e besimtarëve dhe ndihmën e Kongregacionit të Shenjtë (21). Mbi gjendjen e shkëlqyer të Kishës pas rindërtimit, e cila ishte djegur shpesh nga turqit (più volte abbruciata dai Turchi), flet në relacionin e tij të vitit 1795 arqipeshkvi i Durrësit, Tommaso Mariani; në vitet 1807, 1817 e 1821 e ndeshim në relacionet e ipeshkvit të Lezhës, Nikollë Malçi dhe më 1844 e 1846 te ipeshkvi Ivan Topich (22). Më 1 tetor 1848, Kisha e Zojës Nunciatë dhe Kuvendi Françeskan vizitohen nga piktori, poeti dhe shkrimtari i njohur anglez, Edward Lear, gjatë udhëtimit të tij në drejtim të Shkodrës dhe pasi ai kthehet nga Shkodra, vendos të qëndrojë një natë në këtë vend, më 7-8 tetor 1848, me ftesë të Fra Pietro (23). Kisha dhe Kuvendi Françeskan përmenden në vitet 1864-1865 nga ipeshkvi i Lezhës, Pal Dodmasej dhe më 1866 nga konsulli i Francës në Shkodër, M.Wiet (24). Viti 1892 shënon kompletimin me një kambanare hijerëndë, të ngritur pranë këndit veriperëndimor të kishës (25).

Në vitet 1896-1897, në këtë kishë famullitare, të dielave dhe në ditë festash, i kryente shërbesat At Gjergj Fishta, i cili, asokohe qëndronte kryesisht pranë Kuvendit dhe Kolegjit Françeskan të Troshanit. Në vitin 1907, Kisha e Zojës Nunciatë dhe Kuvendi Françeskan vizitohen nga konsulli i Austro-Hungarisë në Shkodër, Theodor Ippen, i cili evidenton dhe shpëton dy objekte të rrallë dhe shumë të rëndësishëm (26). Bëhet fjalë për arkitraun e gdhendur me shkronja gotike, në gjuhën veneciane, që sot ndodhet mbi portën jugore të kishës, të cilin e ka gjetur të zhytur pjesërisht në tokë, në anën e majtë të portës kryesore dhe një pllakë varri me mbishkrim dhe e stolisur me emblemë, të cilën e ka gjetur në kalldrëmin para kishës dhe me porosinë e tij ka qenë vendosur fillimisht në murin e kishës. Objekti i dytë është guri i varrit të fisnikut arbër, Anton Skura, i cili në shek. XIV ka qenë kreu i familjes Skura. Mbi këtë gur është e gdhendur një stemë heraldike, e cila paraqet një luan të ngritur në dy këmbët e pasme me një brazdë të tërthortë, që është e dekoruar në pjesët fundore me dy yje me tetë cepa. Në këndin e djathtë emblema është e dekoruar me një zambak. Nga emblema varen, gjithashtu dy litarë, të cilët përfundojnë me nga një zambak në fund. Mbi stemë ka një mbishkrim në latinisht, i cili për fat të keq, nuk është i plotë, ngaqë është dëmtuar. Në të shkruhet: “SEPULTURA … ANTONIO SC … CUM ERE[D]ES SUO.” Sot, ky artefakt i çmuar ruhet dhe është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë.

Përveç dy objekteve të lartpërmendur, Th.Ippen flet edhe për një fragment të vogël guri të një varri analog të murosur në altarin kryesor dhe po ashtu, rrëfen se në vetë Manastirin ruhet një fragment i vogël guri i një mbishkrimi nderi kushtuar perandorëve romakë, Septimus Severius dhe Karakalla, prejardhja e të cilit nuk dihet (27). Në fundin e Luftës së Parë Botërore, më 1918 (28), pasi e kishte përdorur si qendër shëndetësore, ushtria austro-hungareze në tërheqje e sipër, do ta digjte kompleksin dhe Manastiri do të rindërtohej vetëm në vitin 1930 (29). Mirëpo, gjasat janë që që zjarri duhet të jetë vendosur pas largimit të tyre, kur dihet shumë mirë roli vendimtar i Perandorisë Austro-Hungareze në krijimin e Shtetit Shqiptar, por në veçanti në shpëtimin e mbrojtjen e Komunitetit Katolik Shqiptarë dhe të Kishave tona gjatë periudhës së pushtimit osman. Kuvendi Françeskan u rindërtua sipas një projekti të arkitektit italian U.Piazzo (30) dhe ndërsa muret e Kishës së Zojës Nunciatë u restauruan në vitin 1933 sipas një projekti të hartuar nga At Gjergj Fishta. Mirëpo, kisha do të mbetej pa çati edhe një dekadë më shumë (31). Mjerisht, punimet restauruese të realizuara pas vitit 1940, duket qartë se janë bërë me mundësi shumë të kufizuara ekonomike. Po ashtu, për fat të keq, kisha dhe manastiri nuk i shpëtuan dot histerisë së Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967, ku u shkatërruan shumë pjesë të tyre, në veçanti kambanorja hijerëndë e vitit 1892. Nga viti 1967 dhe deri më 1991, ky ansambël ndërtimor madhështor u përshtat në funksionin e vendqëndrimit të kamionëve, si ofiçinë mekanike dhe si magazinë. Një krim monstruoz! Kisha ka një planimetri katërkëndëshe, të orientuar, pa absidë dhe përmasat e saj janë mjaft të mëdha: 27.8 m gjatësi dhe 9.5 m gjerësi, 8.5 m në pjesën e altarit (32). Muret e kishës kanë një trashësi rreth 1 m dhe teknika me të cilën janë ndërtuar është ajo e murit me një faqe të jashtme me gurë të latuar katërkëndorë dhe një veshje e brendshme me gurë pak të punuar, që suvatoheshin (33). Navata e vetme e kishës është e ndarë në dy zona, njëra e rezervuar për klerikët (kori dhe presbiteri) dhe tjetra për laikët. Kisha është e pajisur me tri hyrje, porta kryesore (ajo perëndimore), porta jugore dhe porta verilindore, që lidh Kishën me Kuvendin, e cila përdoret vetëm nga klerikët. Hapësira e brendshme ndriçohet prej 6 dritareve, të cilat kanë forma të ndryshme. Dritarja mbi fronton në anën perëndimore ka formë rrethore, dritarja në faqen lindore është trungkonike dhe 4 dritaret në anën jugore, janë të larta, të gjera dhe të mbuluara me qemer guri. Manastiri i Shën Françeskut dhe Kisha e Zojës Nunciatë janë restauruar tërësisht në vitet 1993-1997, duke ruajtur në arkitekturën e tyre krahas veprave të reja edhe të mureve të vjetra, që dëshmojnë historinë e saj të lavdishme gati 800 vjeçare.

BIBLIOGRAFIA:

1) A.Degrand, Souvenirs de la Haute-Albanie, f. 178; E.Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f. 184.

2) T.Çobani, Paralele kulturore të një qyteti: Studime dhe artikuj, f. 123.

3) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 256-257.

4) G.Valentini, Passeggiate storiche nell’Alta Albania, në: “Drini – Bollettino mensile del Turismo albanese”, Nr. 1, Anno … II, Tirana: giugno 1941, f. 128.

5) M.Sirdani, Skanderbegu mbas gojëdhanâsh, Botimi II, f. 96, Shënimi nr. 2.

6) V.Prendushi, Sh’Françesku i Asizit, Botimi i dytë, f. 64.

7) Ibidem, f. 64.

😎 G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 41.

9) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 258.

10) Ibidem, f. 258.

11) M.Sirdani, Skanderbegu mbas gojëdhanâsh, Botimi II, f. 96.

12) M.Sirdani, Skanderbegu mbas gojëdhanâsh, Botimi II, f. 96-97.

13) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 41.

14) Ibidem, f. 42.

15) I.Zamputi, Relacione dhe dokumente për historinë e Shqipërisë (1610-1650) / Relazioni e documenti per la storia dell’Albania (1610-1650), (Transkriptuar e perkthyer nga – Trascritti e tradotti da Injac Zamputti), (Ribotim i perpunuar nga – riedizione elaborata da Jozef Zamputti), St. Gallen: Alarische Institut; Prishtinë: Faik Konica, 2018, f. 102-103, Dok. Nr. 2.

16) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 86, 93, 125, 130, 137, 146-147.

17) Ibidem, f. 105, 116.

18) V.Zmajevich: P.Bartl / I.Zamputi, Relacion i gjendjes së Shqipërisë e Serbisë / Relazione dello stato d’Albania e Serbia (1702-1703), (Përgjegjës të këtij botimi: Albert Ramaj, Zef (Ahmeti) Noka), Prishtinë: Faik Konica, 2022, f. 116, 269-270.

19) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 209.

20) Ibidem, f. 234, 245.

21) Ibidem, f. 262.

22) Ibidem, f. 275, 301, 312, 321, 332-333, 354.

23) E.Lear, Journals of a Landscape Painter in Albania, Illyria & c., Second Edition, London: Richard Bentley, M.D.CCC.LII (1852), f. 121-126, 149-153.

24) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 375, 387-388, 393.

25) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 42.

26) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 155, 257-259.

27) Ibidem, f. 155.

28) E.Armao, Località, chiese, fiumi, monti, e toponimivarii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l’Europa Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f. 132.

29) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 42.

30) E.Armao, Località, chiese, fiumi, monti, e toponimivarii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l’Europa Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f. 132.

31) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 42.

32) Ibidem, f. 42.

33) Ibidem, f. 42-44.

Filed Under: Histori

EKSKLUZIVE/  HISTORIA E HARRUAR E VRASJES SË PABESË TË ISMAIL BEJ VLORËS

January 6, 2025 by s p

NGA EVARIST BEQIRI*

Këtë shkrim ia kam kushtuar një personazhi dhe një ngjarjeje shumë të rëndësishme kombëtare, por të lënë krejtësisht në harresë nga historiografia dhe institucionet shqiptare. Po sjellim sot vetëm dy, nga një sërë artikujsh të shtypit evropian lidhur me ngjarjen që i dha goditjen e parë dhe vendimtare, përpjekjes  së parë për pavarësimin e Shqipërisë. Gazeta e Milanos (Mars, 1829) dhe Gazeta e Firences (nr. 29, 7 mars 1829), në shkrimet e tyre që po i publikojmë për herë të parë, pasqyruan vrasjen e pabesë të Ismail Bej Vlorës, në Janinë, më 5 janar 1829. Po në të njëjtën periudhë, po të njëjtin lajm e pasqyruan edhe disa gazeta të tjera europiane, si Gazeta Piemontese, Gazeta e Provincës Breshiane, Courrier D’Orient etj.

Ali Pasha Tepelena u ekzekutua më 24 janar 1822. Pas rënies së tij, në shumicën e trojeve të Toskërisë, pushteti i vërtetë mbeti në duar të asaj që William Meyer, konsulli britanik në Prevezë, e quajti “Liga e Toskërisë”, një oligarki ushtarake e përbërë nga udhëheqës të pakënaqur, që dikur kishin qenë pjesë e oborrit të Ali Pashës. Siç ishin mbajtësi i shpatës së Ali Pashës, Zylyftar Iljaz Poda, mbajtësi i vulës, Muhurdar Ago Vasjari, thesarmbajtësi Omer Vrioni, kreu i rojeve, Tahir Abazi, komandanti i rendit publik, Elmaz Meçe, si dhe disa krerë ushtarakë si Dervish Hasani dhe Sulço Gorça. Duke qenë fqinjët më të afërt të grekëve të rebeluar, si edhe duke mbajtur ende shumicën e forcave ushtarake operacionale në rajon pas shpërbërjes së qeverisë së Ali Pashës, qëndrimi i tyre kundër Revolucionit Grek ishte i një rëndësie kyçe.

Ismail Bej Vlora (1778-1829), shfaqet në këtë periudhë si udhëheqësi kryesor shqiptarë në Toskëri. Nga ana tjetër, osmanët forcuan aleancën me Omer Pasha Vrionin, si kundërpeshë. Ismail Bej Vlora ishte ngarkuar nga qeveria osmane për të luftuar Revolucionin Grek (1821–1829). Ai nuk pranoi që t’i kundërvihej kryengritjes greke dhe të vendoste në luftë shqiptarët kundër shqiptarëve. Ai u largua nga fronti osmano-grek, bashkë me afro 4 mijë trupat e tij. Për shkak të rebelimit të tij, që në vitin 1822, Sulltani firmosi dy fermanë të ndryshme që duhet të zbatoheshin sipas situatës, njëri parashikonte internimin, ndërsa tjetri vrasjen e Ismail Bej Vlorës dhe të vëllait Beqir Bej Vlorës. 

Udhëheqësit shqiptarë pasi u tërhoqën nga fronti i luftës greko-osmane, ishin të interesuar për faktin se deri ku do të shtrihej revolucioni grek dhe deri sa mund ti kërcënonte tokat shqiptare. Nga burime greke mësojmë se në vitin 1827, vëllai i kryetarit të parë të shtetit grek, Kapodistrias, kishte hyrë në bisedime me Ismail bej Vlorën, për të negociuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj kryengritjes greke. Po këto burime bëjnë me dije se në bisedimet e zhvilluara ishte arritur marrëveshje mes palëve për paprekshmërinë territoriale të njëri-tjetrit. 

Në vjeshtën e vitit 1828, kur u bë e qartë se çështja greke po shkonte drejt zgjidhjes përfundimtare, udhëheqësit shqiptarë të Toskërisë, nën kryesimin e Ismail Bej Vlorës, Zylyftar (Iljaz) Podës dhe Shahin Bej Delvinës, mblodhën një kuvend në Berat. Ata diskutuan për kthimin e të drejtave që paria shqiptare kishte gëzuar tradicionalisht nën sundimin osman. Ismail Bej Vlora ishte kryetar i Kuvendit të Madh Ndërkrahinor të Beratit (6–8 nëntor 1828). Ky kuvend krijoi organizatën politike me emrin “Lidhja Shqiptare”, e kryesuar po nga Ismail Bej Vlora. Ajo kundërshtonte pushtetin e centralizuar të sulltanit, si edhe punoi për shtrirjen e rrënjëve të saj në krahinat e tjera të Shqipërisë. Fatkeqësisht, kjo ngjarje vendimtare, për fatet e kombit tonë është anashkaluar gjithmonë. Ajo mbetet edhe sot e gjithë ditën e pavlerësuar nga historiografia dhe autoritetet zyrtare…

Në nëntor 1828, 84 vite para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, nga qyteti i Beratit, shqiptarët kërkuan pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ata kërkuan krijimin e një shteti shqiptar, që si bërthamë territoriale do të kishte territoret shqiptare ku kishte sunduar Ali Pasha Tepelena. Në një letër të vitit 1828, Ismail Bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemal Bej Vlorës) i ftoi krerët shqiptarë të mos silleshin si nëpunës të shtetit osman, por si pjesë e udhëheqësisë së Shqipërisë, e cila kishte fuqinë dhe detyrimin të merrte vendime për të ardhmen e saj: “Mos u nxitoni për t’i shkatërruar dhe asgjësuar komitët [grekë], pasi sikurse e dimë të gjithë, ajo që po ndodh me punët e grekëve do të na ndodhë edhe neve. Që punët e popullit shqiptar të rregullohen ashtu siç duhet dhe të merren nën kontroll të plotë, jam marrë vesh me [Iljaz] Podën,… Ngaqë edhe ju jeni pjesë e parisë së Shqipërisë, hapini mirë sytë për të mbrojtur atdheun tonë.”

Ismail Bej Vlora filloi projektin për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Prandaj, Ismail Bej Vlora, u vra pabesisht në “Masakrën e Janinës” (5 janar 1829), së bashku me 18 njerëz të shpurës, në kështjellën e Janinës nga Reshit Mehmet Pasha (1780–1839). Menjëherë pas këtij akti, Reshit Mehmet Pasha (Kütahi), u emërua në postin e Vezirit të Madh nga Sulltani. 

Vrasja pabesisht e Ismail Bej Vlorës, u konsiderua si një fyerje kombëtare për shqiptarët. Ajo ngjalli zemërim të thellë në Jugun e Shqipërisë. Megjithatë, krahina e Vlorës do të mbetej një kala e pamposhtur për turqit edhe pas vrasjes së Ismail Bej Vlorës. Vëllai i tij, Beqir Bej Vlora e çliroi  krahinën e Labërisë nga turqit. Gjatë kësaj periudhe osmanët u shfaqën të pafuqishëm për ta nënshtruar Vlorën. Në një raport që veziri i madh i drejton Stambollit më 12 shtator 1830, dëshmohet se: “Beqir Vlora (vëllai i të vrarit Ismail Vlora)… nuk do të lëshojë nga dora anët e Vlorës, që i ka në pushtetin e tij…” 

Vrasja e Ismail Bej Vlorës (1829), “Masakra e Manastirit” (gusht 1830), ku u masakruan pabesisht mijëra krerë shqiptarë, dhe rënia e Pashallëkut të Shkodrës (1831), treguan qartazi se osmanët do ta shtypnin dhunshëm çdo tentativë për shkëputje të trojeve shqiptare nga perandoria. Gjithsesi, Ismail Bej Vlora ka meritën e madhe që i dha për herë të parë çështjes shqiptare ngjyresën kombëtariste.

Kuvendi i Mesaplikut (1847), i cili krijoi “Lidhjen Kombëtare Shqiptare”, shënon një tjetër ngjarje politike ku manifestohet publikisht nevoja e bashkimit politik të të gjithë shqiptarëve për të realizuar shkëputjen nga shteti osman. Në programin kombëtar u shpreh qartë domosdoshmëria e bashkimit të shqiptarëve të të gjitha besimeve. Në këtë kryengritje, për herë të parë u shfaq kërkesa për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Mahmud Bej Vlora, i ati i Ismail Qemal Bej Vlorës, ishte një nga krerët kryesor të kësaj lëvizje, prandaj, si pasojë e qëndresës së familjes Vlora ndaj reformave të Tanzimatit, Mahmud Bej Vlora, Muhamet (Mehmet) beu dhe kushërinjtë, Selim Pasha Vlora dhe Mustafa Pasha Vlora, u internuan në Konia. 

Kryengritja e vitit 1847, me qendër në Labëri, kundër masave që parashikonte Tanzimati dhe për vetëqeverisjen e Shqipërisë, është nga përpjekjet e fundit shqiptare për shkëputje nga Perandoria Osmane. Më pas, duke parë agresivitetin e fqinjëve që kërkonin të zgjeroheshin në toka të banuara historikisht nga shqiptarët, u frenuan përpjekjet për shkëputje nga Perandoria Osmane. Prandaj, Mahmud Bej Vlora, i biri i Ismail Bej Vlorës dhe i ati i Ismail Qemal Bej Vlorës, një nga organizatorët e kësaj kryengritjeje, në vitin 1853-1854, u rreshtua krah trupave osmane në Thesali, për të frenuar përparimin e ushtrisë greke, e cila kërkoi të përfitonte nga angazhimi i ushtrisë osmane në Luftën e Krimesë. 

Ndjenja e mirëfilltë e përkatësisë kombëtare nis të zhvillohet te shqiptarët përgjatë shekullit të XIX-të, ku ka fillesat edhe Rilindja Kombëtare. Shqiptarët zhvilluan luftëra të pandërprera lokale kundër autoriteteve turke, sidomos gjatë kohës së zbatimit të reformave të Tanzimatit. Karakteristikë për këtë armiqësim është një dokument, i cili gjendet në bibliotekën e parlamentit grek në Athinë. Ai është një vendim i Kuvendit të Labërisë (1847), nën kryesinë e Mahmud Bej Vlorës (i ati i Ismail Qemalit), të Abdyl Bej Delvinës dhe të Myslym Gjonlekës (i biri i Zejnel Gjonlekës), ku i bëhet thirrje mbretit grek të mbështesë kryengritjen shqiptare kundër Turqisë, në këmbim të krijimit të “Mbretërisë greko-shqiptare”, brenda së cilës secili komb do të qeverisej në mënyrë të pavarur dhe vetëm personi i sundimtarit, si edhe ushtria e marina do të ishin të përbashkëta. Kërkesën e kanë nënshkruar 44 figura të shquara shqiptare (ndër ta edhe pesë ortodoksë). Kryeministri i atëhershëm grek, gjenerali Koletis, e përkrahu këtë kërkesë. Por, kolegët e tij dhe parlamenti grek nuk e pranuan statusin e veçantë që kërkonin shqiptarët brenda kësaj mbretërie.

Vizioni është një element thelbësor i lidershipit. Shpesh, idetë që përbëjnë vizionin janë aq të fuqishme sa kapërcejnë shekujt dhe bashkojnë breza të tërë njerëzish drejt realizimit të tyre. Vizioni i lirisë kishte hedhur rrënjë të thella në familjen Vlora, duke përfshirë të paktën tre breza në këtë kauzë madhore. Ismail Bej Vlora u vra, por nuk u mposht. Ideali i tij për një Shqipëri të pavarur u bë realitet 84 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, nga nipi i tij, Ismail Qemal Vlora. 

Periudha para Pavarësisë së Shqipërisë është një kapitull kyç në historinë tonë, e mbushur me ngjarje të rëndësishme që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar. Duhet siguruar që të gjithë kontribuuesit në çështjen tonë kombëtare të marrin vlerësimin e merituar. Njohja e thellë e së shkuarës është çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të begatë. Një vend që nuk ka memorie, është një vend që nuk ka të ardhme.

Në një kohë kur kujtesa kolektive është më e rëndësishme se kurrë, ne shqiptarët kemi nevojë për një histori kombëtare më të plotë dhe më të drejtë. Periudha para Pavarësisë është një pasqyrë e aspiratave, sakrificave dhe dëshirës për liri të të parëve tanë. Me shpresën se viti 2025, do të shënojë një kthesë në këtë drejtim, duke përdorur tashmë si duhet edhe teknologjinë e avancuar, si Inteligjencën Artificiale, ne duhet që t’ju bëjmë drejtësi të gjithë atyre që kanë kontribuuar në formimin e kombit tonë. 

Kjo është një detyrë e rëndësishme për të gjithë ne, si individë dhe si shoqëri. Njohja e historisë është vendimtare në forcimin  identitetit tonë kombëtar. E vërteta historike dhe drejtësia historike janë të domosdoshme për të pasur një shoqëri të plotë dhe të drejtë…

*Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

Filed Under: Histori

470 VJET MESHAR DHE NJË LUTJE PRESIDENTIT…

January 5, 2025 by s p

Zdritje… Eh seh dasunit seh botesse saneh… –

Visar Zhiti

Të marrësh Mesharin tonë ndër duar:

Zdritje… Eh seh dasunit seh botesse saneh… Janë fjalë në gjuhën e vjetër shqipe, në atë që fliste dhe Skënderbeu dhe arbërit në trojet e tyre gjithandej. Siç e dimë. Është libri ynë i parë, u botua në vitin 1555, në 5 janar, si sot, pra 470 vjet më parë dhe e vetmja kopje që i ka shpëtuar rrebesheve të shekujve, nga errësira e gjatë e pushtimit dhe e zjarreve të tyre, për fat është dhe ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.

LIBËR NË ERRËSIRË

Autori Gjon Buzuku, prifti arbëror katolik nga Veriu i Shqipërisë, mbase nga fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, famullitar i një kishe jo larg vendit të botimit të librit, nëse u shtyp në trevat e Ulqinit a të Tivarit, mbase dhe gjetiu në Bregun Dalmat, por ka shumë mundësi dhe në Venedik, sipas një mendimi më të përgjithshëm, se nuk është përcaktuar se ku, se i mungojnë faqet e para, 16 bashkë me ballinën, që i shtojnë misterin dhe dhembshurinë. Libër i plagosur.

Vendi po bënte shekullin e pushtimit nga perandoria otomane dhe do të rrinte dhe shekuj të tjerë në robëri.

Buzuku ynë, është kështu dhe autori i parë i letërsisë shqipe, që dimë.

“Meshari” i tij nuk është thjeshtë një libër kishtar, që përmban lëndë të ndryshme biblike të përkthyer, liturgji, të shoqëruar me copëza proze tregimtare. Rëndësia e tij është e jashtëzakonshme, jo vetëm për historinë e gjuhës tonë, por për gjithë kulturën e kombit, identitetin e tij.

Vepra është parë dhe si sintezë e botës së një populli, gjuhë dhe shpirt dhe mendësi, kahu i ecjes së Arbërisë dhe çelësi i shumë enigmave. Aty është e foluar e shqiptarëve në Mesjetën e tyre, pa evoluimin e dukshëm të dy dialekteve tona dhe na bën të besohet se do të ketë patur dhe ka patur dhe vepra të tjera pararendëse.

Të zhdukura (!?!).

Buzuku duket se ndjek kështu një traditë të formësuar të shkrimit të shqipes, që do të vijojë dhe me autorë të tjerë. Gjuha shqipe aty është e kultivuar, kurse në pasthënie shprehet qartazi dashuria për arbërit dhe dheun e tyre, – Eh seh dasunit seh botesse saneh, – si frymëzuese e kësaj bëme për të ndritur mendjet e bashkatdhetarëve, zdritje – shkruan Buzuku, Më drithëron kjo fjalë, mos vjen nga “zë + dritë”

“Meshari” është shkruar me alfabetin latin me shkronja të tipit gjysmëgotike, i zakonshëm në atë kohë në Italinë e Veriut. Dhe për tingujt e shqipes që nuk i ka latinishtja, janë përdorur dhe pesë shkronja të posaçme, të ngjashme me ato të alfabetit cirilik. Gjithsesi libri ndihmon dhe linguistët indo-europianistë në rrafsh të gjerë. Mbi të gjitha është dëshmi dhe kurajo për ne, shqiptarët. Nxorëm libra në errësirë..

ZBULIMET E LIBRIT TONË TË PARË

Është mbuluar dhe zbuluar herë pas here…

Mesharin tonë së pari e gjeti në Vatikan gjakovari Gjon Nikolë Kazazi më 1740. Deri atëhere dihej i humbur. Pastaj sikur u harrua prapë dhe më 1909, një vit pas Kongresit të Manastirit, kur si alfabet i shqipes u konfirmuan sërish shkronjat latine, ato të Mesharit, e rigjeti Pal Skiroi nga Palermo dhe përsëri më 1930 At Justin Rrota nga Shkodra, që e fotografoi në tre kopje dhe i shpërndau.

Më 1968 “Mesharit” iu bë një (ri)botim shkencor në Tiranë me faksimile dhe trasnskribim, pajisur me një studim të gjerë nga profesor Çabej. Ndërsa origjinali dergjej atje, në Vatikanin e ndaluar. Duke u harruar. Studiuesit nuk kishin mundësi të dilnin nga Shqipëria diktatoriale sa herë t’u duhej, por kur nisnin ndonjë, misioni ishte ndryshe…Vendoseni në një shtrat topi si heronjtë Librin e Parë, mbështilleni me Flamurin Kombëtar dhe çojeni drejt qendrës së Kryeqytetit, aty ku pret në bronz Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Dhe të vihemi presin në radhë shqiptarët, me mijëra, të ardhur nga të gjitha trevat e të shohin Librin e tyre të Parë, ta prekin. Kemi udhëtuar me shekuj drejt tij… Në kërkim të mesharit:

RRËFIME DIPLOMATIKE ME MESHARIN:

1. Edhe unë e kam kërkuar Mesharin tonë, kam ëndërruar të jem përballë tij…Kisha hyrë në portat e shtetit të Vatikanit, të rrethuar me mure të larta dhe me roja zviceriane me shtiza të gjata ndër duar. Më ishte dukur sikur isha futur në një katedrale qiellore, jo në një tjetër kohë, por në vetë përjetësinë. U ktheva andej nga Biblioteka e famshme. Plotësova ç’duhej me rigorozitet dhe kërkova Librin e Parë Shqip. Doja ta shihja, ta merrja ndër duar, ta ledhatoja…

Vetë Prefekti i atëhershëm i Bibliotekës, një kanadez hollak, i veshur me te zeza, me koletën e bardhë të priftit katolik, se nga shkoi nëpër ca labirinthe, në Mesjetë me siguri dhe u kthye me një sasi fletash ndër duar, pergamena apo fotokopje të tyre?

– Ky është libri që kërkon? – më pyeti në italishten e tij të bukur, me akcent. – Shikoje…

E mora librin me duart që më dridheshin.

– Jo, jo! – thashë me pikëllim të thellë, – s’është ky, – megjithëse nuk e kisha parë kurrë “Mesharin”.

– Do ta gjejmë, – shtoi gjithë siguri. – Këtu asgjë nuk humbet. Do të jetë në rikonstruktim.

Ndjeva dhëmbje, dyshim dhe frikë. Të jetë zhdukur vërtet? I vetmi ble që kishte mbetur në të gjithë botën, që për çudi nuk ndodhej në atdheun e vet.

Rreziku i grabitjes, i zhdukjes së tij, me qëllim, pa qëllim, ishte, është… unë s’besoj se bleu tjetër i “Mesharit” tonë humbi rastësisht në Raguzë, para do kohe. Ç’duhet bërë?…

Dhe kundërlajmi mbërriti. Gjithë ngazëllim u ula mbi makinën e shkrimit, poshtë në zyrën time të nëndheshme, kantinë a bodrum, ç’kishte qenë dikur, në vilën e Ambasadën dhe shkruajta fjalinë e parë, rraha tastat me po ato shkronja si të “Mesharit”.

U gjet… – dhe thashë me vete: Shekulli nuk mund të mbyllej pa ‘Mesharin’ tonë… të rikonstruktuar. Po çoja informacionin në Tiranë, ku qe përhapur lajmi në media se në Vatikan nuk gjendej më Meshari ynë. Po mua më lajmëroi vetë Prefekti i Bibliotekës, se “atje asgjë nuk humbiste”, kush i përhapte këto lajme të pavërteta? Libri është gati për përdorim, – përfundoi ai me një zë paksa solemn.

Po gati për në atdhe kur do të jetë?

2. Dhe në një ditë romane plot me diell, në fundin e dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI, u nisëm nga ngrehina apokaliptike e ambasadës tonë.

Megjithatë më dukej si ditë shelbuese.

Takim drithërues, i ëndërruar gjithë jetën. Vetura e sorrtë e ambasadorit na futi në shtetin e vogël, por të madh në atë shpirtëror, të Vatikanit.

Ja portat e Bibliotekës. Kolegu ynë, Zef Bushati, kishte folur me miqtë e tij për një takim me… Mesharin. Po dridhesha. Sikur ndizeshin vetvetiu qirinj. Mezi po prisja në sallë.S’po kuptoja ç’po flisnim. Dhe ja, një nga punonjësit e Bibliotekës së famshme erdhi, e solli. I ngazëllyer dhe ai prej ngazëllimit të syve tanë. M.E.SH.A.R.I. Ja, i vërteti, i gjallë.

E prekëm me radhë. Sipas hierarkisë. Me kujdes, jo ashtu, gati thirri punonjësi i Bibliotekës. E kishte me ambasadorin.

Unë i fundit. Doja të qaja. Kur m’u duke se nuk po më shikonte kush, e putha. Fletët ishin të mbrojtura.

Duhet ta sjellim në Shqipëri, gjëmoi një zë brenda meje. Patjetër, patjetër. Unë kam parë “Mesharin”, doja t’i tregoja kujtdo që takoja, kam prekur Librin tonë të Parë dhe ditët e mia sikur u ndanë para dhe pas Mesharit.

Sa i madh do të ishte gëzimi i përbashkët, kur shqiptarët të gjitha ta shihnin librin e tyre të parë në vendin e tyre!

Natyrisht që duhet festuar…

3. Dhe sërish shkova në Bibliotekën Apostolike si drejtues i Ambasadës së vendit tim në Selinë e Shenjtë. Doja librin tim, “Mesharin”, më kishte marrë malli… ai Libër-At’, të përulesha para Tij dhe të lutesha në heshtje. Rivjen ai emocion, kur më priti Prefekti i Bibliotekës, Mons. Cesare Pasini, dhe së bashku mbajtëm “Mesharin” tonë të shenjtë. Duart e mia u mbushën me mornica si me shkronjat tona. Se me këtë libër kishim zbuluar një fillim…

REALIZIMI I ENDRRËS

Por dhe mund të kërkohej të vinte këtu për pak kohë ky libër i mërguar, të ekspozohej, të vizitohej nga të gjithë, të prekej me sy, me duar, të shikonte ai libër shqiptarët e vet. Po, na thoshin, mund të bëni një kërkesë zyrtare. Por… ngrinin supet. S’ka ndodhur ndonjëherë. Si me Mona-Lizën, edhe ajo ka dalë nga Luvri. Buzëqeshnin.

Shteti mund të bëjë, ja, ne jemi shteti, ka ambasadorë, avionë, reciprocitet, agjentë, të ketë dhe pakëz fantazi dhe dashuri më shumë… për të kaluarën. Ne i dhamë kohë më parë Vatikanit Kodikët tanë për një ekspozitë atje, u befasua Roma e madhe, çuam dhe të famshmin, të Purpurtin, që me të drejtë u vu mbi një shtrat topi, kur e nisëm. Dhe Vatikani mund të na i kthejë nderin duke na dërguar “Mesharin” mysafir në dheun amë, kështu bisedonim me njëri-tjetrin në tryeza diplomatike. Dhe harrohej “Meshari”… duart e diplomacisë tonë merreshin më shumë me librin e trashë të menysë së restoranteve.

Ndërroheshin ambasadorët, ministrat e Kulturës, por jo dëshira e thukët për të pasur Mesharin mes nesh.

Dhe një ditë, kur isha kthyer në atdhe, ia thashë ministrit të kulturës, z. Aldo Bumçi, e dëgjoi, heshti, u entuziazmua kujdesshëm, u prek… Po, po, u përgjigj, do ta sjellë Qeveria jonë në këtë 100 vjetor të themelimit të shtetit modern shqiptar.

Dhe nisi çështja “Meshari”. U hartuan shkresa, marrëveshje, me po ato shkronja me të cilat është shkruar dhe “Meshari”, i firmosi Ministri, pastaj Biblioteka jonë Kombëtare me Biblioteka e Vatikanit… erdhën përgjigjet nga jashtë me po ato shkronja me të cilat është shkruar dhe “Meshari”. U bënë verifikimet e sigurisë, u kontrolluan kushtet. Meshari do të vijë do të ekspozohet në Tiranë. Mbas 457 vjetësh. 5 shekuj…

Nderimet më të mëdha meriton dhe Meshari ynë, – rindiznim bisedën. Një tempull, një piedestal. Pranë armëve të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dhe ato do të vinin…

Të derdhim në bronz fjalët e shqipes së vjetër, me shkronjat latine, ato zgjodhëm, edhe pse ishim të rrethuar nga alfabete cirilikë. Ishte prirja jonë natyrale me Perëndimin Evropian, ën së dashunit së botës s’anë.

…U Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjã të ëndigluom ën së shkruomit shenjtë… desha me u…për sã mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e…

Të ndriçojmë mendjet e njerëzve, ja si thotë, përsëritnim fjali të shenjta të Mesharit, pra ky ka qenë edhe njëri nga qëllimet për të cilin e bë Meshari ynë. Dhe është dhe një lutje që nuk e ka asnjë meshar në botës, e shtoi Buzuku ynë: Gjithë popullsinë… ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut.

RADHA SHEKULLORE

PËR TË PARË LIBRIN

Dhe do të shkruaja: Pritje e grumbulluar në breza, ëndërr e përbashkët dhe e atyre që s’janë! Përzierë me ca mister dhe me gëzim! Një libër!… i pari fare. Aty nisi… Do t’i afrohemi më shumë se kurrë, do të mund ta shohim si dorën tonë, që shkruan… Meshari i shqiptarëve, i gati 5 shekujve më parë, që ka mbetur i vetmuar në një Bibliotekë të huaj, ndër më të mëdhatë në botë e më të rëndësishmet, vjen në tokën e gjuhës së vet për herë të parë. Sikur kthehet nga një mërgim i gjatë si harrimet. Dhe shpërthejnë emocioni dhe malli, përsiatjet dhe kujtimet. Rimëkëmbja e një kombi vjen nga e kaluara, nëse e dashuron atë, thotë një i mençur i madh. Do të vijë nga qielli Meshari, se libër qiellor është.

Me avion nga Roma do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe mes pritësve, sigurisht do të dalin dhe hijet e Budit, Bardhit e Bogdanit, e poetëve themeltarë, Naimi e Fishta, do të dalë hija e romancierit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, e atyre që nisën prozën moderne shqipe, Koliqi e Kuteli, gruaja e parë shkrimtare, Musine Kokalari, do të vijnë nga Kosova Mekuli, Shkreli, Podrimja, do të dalin fëmijët me tufa me lule.

Meshari mbi një shtrat topi, Libri i Parë i Shqiptarëve, i një nga gjuhët më lashta të botës, asaj që shpjegon emrat e perëndive, siç thoshin rilindasit tanë. Tallazitet Flamuri Kombëtar që e mbështjell Veprën. Nga të dy anët e bulevardit njerëzit duartrokasin. Makina që tërheq topin me Librin përsipër, sipas protokollit, i afrohet qendrës së kryeqytetit. Ndal aty tek shtatorja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, Heroit Kombëtar, po aq dhe europian. Libri gati është moshatar me armët e Skënderbeut, po është më i ri Libri se armët në përgjithësi dhe bota duhet të kthehet tek arma e librit për t’u harruar gjithë armët e tjera, përsërisja me vete.

Dhe njerëzit në rradhë për të parë Librin e tyre të Parë. Qëndrojnë para tij, përkulen me nderim.

Nga fletët e tij gumëzhijnë zëra, pyje, lumenj, vringëllima shpatash, orteqe eposesh, digjen qirinj, dridhen gishtrinj, mijëra – të një populli, shkëlqejnë sy, si yjet, që edhe kur shuhen, drita e tyre vjen e pavdekur, diellore, gjithë dashuri e amëshueme, del frymë nga ato fletë, por edhe gjak, del vetë ëndrra, fjalë, fjalë, fjalë të librave pafund të një populli, shkresa, memorandume, ultimatume, përgjigje, kujtesa kolektive, e folura jonë që përmbledh jetë, atë që shkoi e atë që do të vijë, vetë përjetësinë.

U kthye Meshari, Mesh- ari, meshë e artë është kjo ditë. Dhe më shumë…

DHURATA E PAPA FRNÇESKUT DHE LUTJA PRESIDENTIT

Papa Françesko zgjodhi Shqipërinë për të bërë vizitën e parë apostolike në Europë, sepse, siç e tha dhe vetë, është një vend emblematik përsa i përket harmonisë ndërfetare, që ka vuajtur në shekuj dhe ka një kishë të hershme, qëndrestare dhe martire, e cila është persekutuar, është vrarë dhe ringjallur përsëri.

Dhe në një ditë shtatori të 2014 Papa Françesku zbriti në aeroportin e vetëm të Tiranës që mban emrin “Nënë Tereza”. Dukej sikur vetë Nënë Terezës, si bijë e këtij vendi, sipas zakoneve shqiptare e ballkanike kishte dalë, ashtu shpirt prej ere, në pragun e shtëpisë për të pritur atin, Atin e Shenjtë Papa Françeskun siç kishe bërë e gjallë për të pritur në prill të vitit 1993 Papa Gjon Palin II.

Ati i Shenjtë në takimet e mëdha theksoi, se kishte dëgjuar që emri i vendit tonë rridhte nga emri “shqiponjë”, prandaj, na porositi, që të fluturonim lart si shqiponjat, por të mos harronin folenë dhe plagët.

. Dhe Presidentit të atëhershëm të Republikës i dhuroi librin e parë të gjuhës shqipe, “Mesharin” të dixhitalizuar… por presidenti nuk e kuptoi dhuratën, e ka vendin në Bibliotekën Kombëtare, tha, dhe e çoi atje, ku dhe e kishin.

Kumti i asaj dhurate, sipas meje, ishte që edhe Presidenti duhet të dijë, ja, libri i parë, lexojeni, që Presidenca të ketë bibliotekën e vet patjetër, jo vetëm garden…Do t’i lutesha sinqerisht Presidentit të tanishëm që ta rikthente dhuratën e shenjtë “Mesharin” në vend, në Presidencë, ta vinte në një vend të lartësuar si monument në një nga sallonet para derës së bibliotekës. Nëse s’ka, ta krijojë.

“Mesharin” e ka, të parin…

Filed Under: Histori

Hapja e parlamentit të parë shqiptar pasqyruar në “Chicago Daily News”

January 3, 2025 by s p

Ilir Ikonomi/

Hapja e parlamentit të parë shqiptar në Tiranë më 21 prill 1921, tërhoqi vemendjen e korrespondentit të gazetës Chicago Daily News, i cili na jep një përshkrim të rrallë në numrin e datës 26 prill, si dëshmitar i ngjarjes. Kuvendi u mblodh në shtëpinë e Zija Toptanit, ku sot ndodhet Akademia e Shkencave. Dritaret e sipërme të ndërtesës në foto, që shohin nga Rruga e Elbasanit, janë të sallës ku u mblodhën deputetët, e cila sipas korrespondentit i ngjante një klase shkolle.

Ja përkthimi i plotë:

SHQIPËRIA E RE PO LIND THUAJSE SI AMERIKA

“Asnjanësia e rreptë dhe e sinqertë me fqinjët”, shpallet si synim i vendit.

Nga EDGAR ANSELM MOWRER

Tiranë, Shqipëri, 22 prill – Për herë të parë në jetën time jam i pranishëm në lindjen e një shteti. Në prani të përfaqësuesve të Italisë dhe Britanisë së Madhe dhe anëtarëve të Kryqit të Kuq Amerikan u zhvillua sot seanca e dytë e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa shikoja punimet, mu kujtuan rrëfimet historike për seancat e gjata që mbaheshin dikur në Filadelfia, nga të cilat dalëngadalë lindi kushtetuta amerikane. Të huajt që janë të prirur të qeshin me shqiptarët – me varfërinë e tyre, mungesën e përvojës, mentalitetin turk dhe grindjet personale apo fetare, duhet të kujtojnë se si u formuan Shtetet e Bashkuara.

Organet qeverisëse, të dala prej kuvendit të patriotëve, përbëhen nga një lloj regjence prej katër anëtarësh, me një kabinet dhe një dhomë deputetësh, por vetëm tani përfaqësuesit e parlamentit, i pari i zgjedhur ligjërisht dhe me votën e popullit, mblidhen si individë të lirë. Duke përshëndetur anëtarët e organit ligjvënës, Dr. (Mihal) Turtulli i regjencës tha se politika shqiptare bazohet në “asnjanësinë e rreptë dhe të sinqertë me fqinjët” dhe se shpresonte që negociatat e pritshme për zbrazjen e trojeve shqiptare të mbajtura në mënyrë të paligjshme nga vendet e tjera do të përfundonin me sukses.

“Që Shqipëria është në gjendje të shkëlqyer, – tha ai, – këtë e tregon legjitimiteti i zgjedhjeve dhe qetësia që mbretëron në të gjithë vendin”.

VENDI NDESHET ME VËSHTIRËSI.

Megjithatë, Shqipëria po përjeton disa vështirësi. Rivaliteti fetar ka penguar zgjedhjet në Shkodër; zgjedhjet e Dibrës po kontestohen, ndërsa qarku i Himarës, ku grekët janë të fortë, ndodhet në një lloj revolte. Në Gjirokastër dhe Korçë elementi shqiptar ka mbizotëruar plotësisht.

Anëtarët e parlamentit të ri janë jashtëzakonisht demokratikë. Sot në mëngjes, me miratim të njëzëshëm, u hoqën titujt “bej” dhe “pasha” me origjinë turke dhe një nga aktet e para të asamblesë së re do të jetë miratimi i ligjit për heqjen e të gjithë titujve. Tani e tutje të gjithë njerëzit do të quhen “zoti” ose “z.”. Parlamenti i ri ndoshta do të jetë republikan edhe në frymë dhe, ndonëse mendohet se një formë monarkike e qeverisjes ka disa avantazhe, vendi mund të shpallet Republika e Shqipërisë.

Disa nga dallimet fetare u zgjidhën pjesërisht sot në mëngjes, kur Imzot Fan Noli dhe kleriku mysliman Hoxha Kadri, bashkëpunuan si pjesë e një komisioni. Asambleja e re është shumë nacionaliste. Procedurat janë solemne dhe seancat po zhvillohen në një sallë që duket si klasë shkolle në shtëpinë e dikurshme të familjes së Esat Pashës. Gjithçka është tepër e thjeshtë. Anëtarët e asamblesë janë të tipeve nga më të ndryshmit, nga evropiani kozmopolit e deri te kryeplaku i fshatit. Anëtari më i vjetër, që është kryetari i përkohshëm, ka moshën nën 60 vjeç dhe Asambleja është ndoshta më e reja në botë si moshë. Shumë prej deputetëve mbajnë feste shqiptare të zeza ose të bardha, ndërsa të tjerë nuk kanë asgjë në kokë. Hoxha Kadri mban një çallmë të bardhë mbi fesin e kuq.

NJË KUVEND PIKTORESK DHE SOLEMN.

Asambleja është sa piktoreske aq edhe solemne. Përbërja e saj duhet t’i bindë pesimistët se e kanë gabim kur deklarojnë se luftërat fetare do ta përçajnë Shqipërinë dhe kur flasin me përbuzje, duke e quajtur këtë vend një “Turqi të vogël”. Sigurisht që vështirësitë janë të mëdha, por vullneti për t’i tejkaluar ato dhe patriotizmi i madh i anëtarëve, për mendimin tim, janë në nivelin e vështirësive.

Vendi ka nevojë për ndihmën e huaj. Dështimi i fuqive për ta njohur Shqipërinë mund ta vonojë, por nuk mund të pengojë përgjithmonë formimin e këtij shteti të ri, ideali i të cilit janë Shtetet e Bashkuara. Sot shqiptarët po kryejnë me vetëbesim punën për shndërrimin e fshatit të Tiranës në kryeqytetin e një shteti të vogël, por aktiv dhe modern.

Filed Under: Histori

SHPELLA E FRASHNIT – BAJZË , SIMBOLI I “HARRUAR”  I CIVILIZIMIT  EUROPERENDIMOR TË MALESISË SË MADHE  E MË GJËRË

December 31, 2024 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

PHPY

Në Bajzë të Kastratit gjindet toponimi (apo më sakt hidronimi) “SHPELLA   E  FRASHNIT “. Sot  me ketë toponim identifikohet  një “pus” i  zakonshem në të cilin ende mbushet ujë”.  Nëse historia do të mbyllej me kaq  nuk do të kishte ndonjë gjë të vaçantë , por historia e këtij “pusi” me emrin “Shpella e Frashnit”  është  jo vetem rreth  DY shekullore , por mbi të gjitha  ky toponim  mban mbi vehte një histori civilizimi dhe zhvillimi jo vetem shqiptare,  por  edhe Europerendimore. Por ne në fillim  të një historie të shkurter të ketij toponimi apo hidronimi e njohur si Shpella Frashnit, po kujtoj se  trojet ku është e shtrirë Bajza  e sotme kanë qënë  per shumë shekuj me perpara  toka të mbuluara me pyje të dendura të cilat shfrytëzoheshin zakonisht per   dimrimin e blegtorisë të banorve të Kastratit të Moçem që shtrihej në lartësitë e Katundit të Kastratit. Bajza si vendbanim  në dekumentet zyrtare  të kohëve  është relativisht i vonë. Një gjë të tillë e  “thonë” edhe shumë studiues dhe Albanolog të shquar ,si dhe vet gojdhenat e trashiguara të banoreve Bajzjanë e Kastratas .  Albanologu dhe studiuesi Giuseppe Valentini, perveçse tregon disa hollsi të ketij vendbanimi, tregon se Bajza konsiderohet si fshat në vehte, vetem në vitin 1881…(Giuseppe Valentini Il Diritto delle Comunita nella tradizione giuridica Albanese, fq.236-237, Universita di Palermo, Facolta di Lettere, printed in Italy, Firence 1956). Gjithsesi unë mendova që në ketë histori të shkurter  ti referohem  studiuesit e famulltarit  At Lovro  Mihaçeviq, i cili ndër të tjera për Bajzen shkruan : “ BAJZA , është famulli që nga viti 1825, prej të cilit vit datojnë  edhe librat e amzës se famullisë. Kisha është e bukur, e ndertuar në vitin 1808 me ndihmen e  manorkisë sonë…”.  (NËPËR SHQIPËRI, 1883-1907, mbresa , udhëtime & etnografi,fq.78  Enti botues “Gjergj Fishta, 2006). (Duke ditur se Perandoria Aostrohungareze ka qenë mbrojtesja më e mirë e trevave katolike të veriut  ,nga raprezaljet Otomane , mendoj se monarkia që  permend ky studiues është pikrisht ajo Austrohungareze…shenim i imi N.Bacaj). Famullia e tëra shtrihet në rrafshinen krejt  pranë  liqenit të Shkodres dhe numron 10 fshatra me 1240 banore “. Gjithsesi “Shpella e Frashnit” si toponim ka një histori të trashiguar nga njeri brez në tjetrin, ku mendova të  shkruaj atë më të besueshmen.:  Shpella e cila per-rreth kishte si dru pyjore mjaft Frashna (pasi ishte pylle edhe vete Bajza)  . Gjatë dimrave nga banoret e Kastratit që  dimronin në ketë zonë fushore (Shekulli XVII)) , nuk kishte problem ujit , as per blegtorin apo per njerzit ,pasi e merrnin ketë në breg të liqenit , si dhe në hurdhanat që krijoheshin nga rreshjet . Mirpo dalngadal  freskia që sillnin pyjet, si dhe mbarësia e disa tokave që filluan të kultivohen bënë që disa familje të ardhura , apo autoktone  nga Kastrati të qendrojnë per të banuar më gjatë se në dimer në  trojet e Bajzes. Verërat e thata krijuan probleme me ujin e veçanarisht me atë të pishem per njerzit . Filloi kerkimi i ndonjë burimi uji nëpër pyje, por kërkimet ishin të vështira dhe pa rezultat, derisa një ditë u mendua të ndiqej një kalë (kali është edhe simbol i dashamirsisë me njerzit ..), i cili largohej largë në pyll dhe vinte i fryrë në bark , ndoshta nga uji që pinte. Rezultati i ndjekjes së kalit  kishte qënë  i shkelqyer, pasi kali shkonte pikrisht aty ku është pusi sot, dhe ateherë ishte një shpellë e cila në një thellsi të vogel pakë metërshe nxirrtë uje. Duke qënë se shpella kishte një farë hapsire dhe me “ shkallë “ natyrale kali ulej ngadal dhe pinte ujë…  Kastatasit që e zbuluan ketë vendosen të  bejnë një farë konstruksioni  në ketë shpellë , si dhe e emertuan  “Shpella e Frashnit” pasi   kjo Shpelle ishte pikrisht pranë një frashnit të madhe që dallohej nga zhvillimi dhe ngjyra jeshile me të tjeret per-rreth, ku me sa duket kjo vinte pasi rrënjët e këtij Frashni  ushqeheshin me ujë pikrisht në burimin  e ujit të kesaj shpelle.   Vitet e shekujt kaluan dhe  Shpella  i shfaqte burimet e ujit gjithnjë e më thellë, gjë që beri që të thahej edhe vetë Frashri simbol, deri sa  banoret per-rreth u detyruan të mbushnin uje më mjete ( Qypa, Vlak  apo Kova )  që lëshoheshin me litar apo diçka tjeter.  Mbasi Bajza u bë famulli ne vitin 1825, Shpella e Frashnit  filloi te njihej në mbarë Malesinë e Madhe si burim i një uji të mrekullueshem per të pirë, aq sa shpesh thuhej  se je bërë i hijeshëm si me pa pi ujë te Shpella e Frashnit… Ndertimet dhe meremetimet e Shpelles së Frashnit nuk kanë rreshtur asnjeherë derisa Vojvoda i Aliajve, i njohura Zenel Shabani në vitin 1905 i punoi me mjeshtri dhe me shpenzimet e veta  Gryken e mrekullueshme  Shpellës së Frashnit në të cilen mbushnin ujë banorët e Bajzes e më gjërë… Edhe sot kjo grykë me vijat e shumta të skalitura prej vitit 1905 nga konopët apo lagjet e enëve që merrnin ujë në shpellë, na bëjnë të imagjinojnë ato kohë kur këtu vinin gra e vajza me buliera për t’i mbushur me ujë , e nga kjo “histori” uji shpesh janë krijua edhe histori  shikimi, pelqimi, lakmimi e deri dashurie në djemëve e vajza…pikrisht “kësaj i këndon” edhe i madhi i letrave shqipe Martin Camaj me vargjet: 

“Zade moj Zade, si nuk pëlcas, 

Sa uji bjen në bulier, 

Çoje ruben e nepëm ujë me tas, 

Zade moj vashë 

Buza mua shqim ma terë…”. 

Por kjo është njera anë, pasi Shpella e Frashnit  për rreth DY shekuj u bë edhe  vendi ku mblidheshin Malsoret dhe Malsoret e Bajzes , Kastratit  Malesisë  së Madhe e më gjërë.  Shpella e Frashnit me vendin per-rreth u bë simboli  i kuvendeve  ku mblidheshin burrat e  urtë e trima , per të marrë vendime të rëndësishme për të mbrojtur trojet e Kastratit, Malesisë e Shqiptarisë nga pushtues e sundues të ndryshem… Tek kjo Shpellë u muaren vendime edhe per të lehtesuar e ndihmuar  jeten e Kastratasve e Malsoreve , duke sfiduar shpesh nyje (nene) të  Kanunit, dhe duke lehtesuar plagen e Gjakmarrjes apo hakmarrjes …  Shpellën e Frashnit  si vend  kuvendesh  e  cilëson  edhe studiuesi dhe ish konsulli  i Austro-Hungarisë , ndonse e “ndryshon”  emrin e vendit kur shkruan : “Kastrati  mblidhet te “Burimi  i  Frashnit  të Keq”  në mes të Bajzës”. (Franc  Nopça, Fiset e Malësisë  së Shqiperisë dhe e drejta zakonore e tyre , fq.263 , Tiranë 2013). Por SHPELLA E FRASHNIT në histori njihet mbi të gjitha si Vendi apo Logu  ku në dite festash e gezimesh mblidheshin  banorë e banore të Kastratit , Malesisë  Madhe  e shpesh edhe më gjërë per të festuar dhe zgjedhur  FEMREN APO MASHKULLIN MË TË BUKUR  e të hijeshëm të këtij Logu , që  thirrej “LOGU TE SHPELLA E FRASHNIT “, Bajzë.  Bukuria e cilësuar  nga një “juri” malësorësh “çertifikohej’  me fjalet  KA DA APO DALLUA  MBI TË GJITHË TE  SHPELLA E FRASHNIT .  Femrat  apo edhe mashkujt që dalloheshin këtu për bukurinë e hijeshinë atëherë nuk quheshin si sot , Miss  Bukuria , por vlersimi ishte i “njejtë” me Mis  Bukurin e sotme , por me një dallim tjetër të madh , sepse në ato kohë  Femrat dhe Mashkujt visheshin me  kostumet kombetare , që iu a shtonin hijeshinë e jo si sot “alla franga” , njellojë si në Malesi , Shqiperi apo diku nepër Botë. Te Shpella e Frashnit  në ditë Logjesh edhe Këndohej e kërcehej , si dhe zhvilloheshin gara të ndryshme , deri edhe gjuajtje shenji me armë e tjere, por të gjitha nën një rregull e disiplinë të admirueshme … Të gjitha çfarë thamë  erdhen vrullshem deri në fundin e nendorit të vitit 1944 , kur në pushtet erdhen komunistet, të cilët me metoda të reduktuara e rafinuara  lejuan  ndonjë  “log”  deri në vitin 1967… Shpella e Frashnit tashma i ngjan një pusi te rregulluar disi në menyrë më moderne së bashku me qëndren e Bajzës , por pa humbur emrin dhe historinë e mrekullushme edhe sot në shekullin e  XXI . Ky Log (vend)  nuk duhet të harrohet , pasi keshtu harrojmë atë pjesë të historisë , të Civilizimit e zhvillimit , që  na ka mbajtur të “lidhur” e do të na mbajnë  pazgjedhesisht të “lidhur” me Europen perendimore , të ciles  i perkasim me rrenjë , trung e degë , që kanë “pirë“ ujë ndër mote në Shpellen e Frashnit … Ndërsa  SHPELLA E FRASHNIT  prej kohës e meriton të shpallet MONUMENT  KULTURE… 

V00: Foto 1, gryka e shpellës së Frashnit Bajzë me vizimet orgjinale të konopëve (litarëve) me të cilët leshoheshin enët që mbushej uje.

Foto 2, gryka e shpellës së Frashnit mbas rikonstruksionit të para pak viteve.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT