• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MILAN SUFFLAY, VRASJA E ALBANOLOGUT KROAT NË ZAGREB – MENJËHERË PAS VIZITËS NË TIRANË

February 18, 2026 by s p

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest/

Pjesa 1

Me rastin e 95 vjetorit të vrasjes së albaologut kroat me origjine gjermane. 

Pas shumë peripecish rreth marrjes së pasaportës, ai arriti në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. – Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20.00, në rrugën “Dalmatinska” nr. 6 (në Zagreb), Milan von Sufflay goditet për vdekje nga pusia. – Plagët ishin të rënda dhe ai vdiq të nesërmen, më 19 shkurt. Kishte vetëm një ditë që ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë për vizitë disaditore. Vrasësit ishin Branko Zwerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina. – Gjatë qëndrimit në Shqipëri, dr. Shuflaj më 16 janar 1931 mban një fjalim në Parlamentin shqiptar, ku në mënyrë të hollësishme elaboron punën rreth botimit të 6vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”, si dhe të “Historisë së Shqipërisë”. – Për këtë gjë, Parlamenti Shqiptar nga buxheti i shtetit, e urdhëron ministrin e arsimit që në emër të shpenzimeve të paguaj në “Banque Commerciale de Bâle á Zurich”, në llogari të dr. Millan Shuflajt, shumën prej 75.000, frangash ari, që sot është e barabartë me rreth 4 milionë dollarë.

Është interesant fakti, që në përmbajtjen e vëllimit të tretë, M. Sufflay nuk kishte futur dokumentet nga arkivat e Barcelonës dhe të Milanos, të cilat i kishin përshkruar për të disa scribes spanjollë (Barcelonë) dhe italianë (Milano), por ia kishte huazuar ato akademikut serb në Beograd, Jovan Radoniqit, për konsultim, e për një studim. Ky i fundit i botoi ato në vitin 1942, (Jovan Radonić. Ðurađ Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku. /Istorijska građa/. “Spomenik,” Srpske Kralevske Akademije, drugi razred. knj. 74. Beograd, 1942. Duke shfletuar me kujdes vëllimin e botuar nga Jovan Radoniq, vërejmë se aty janë 48 dokumenta nga Arkivi i Barcelonës që Milan von Sufflay ia kishte huazuar atij) pas vdekjes së M. Sufflay, pa pasur kurrë lejen e tij për botim. Përkundrazi, M. Sufflay kishte kërkuar me këmbëngulje që Radoniqi t’ia kthente dokumentet nga arkivi i Barcelonës, (Shih letrën e Sufflay-t që ne po botojmë me faksimile dhe të përkthyer shqip.Arkivi Shtetëror Korat /HDA/ Zagreb, R. O. M. Sufflay, kut. 9, IV/1,  nr. 264, /Zagreb, 18. I. 1926/ dhe kut. 9, IV/1, nr. 267, /Zagreb, 14. X. 1930/) e megjithatë ai i kishte mbajtur ato, edhe pse i kishte premtuar Sufflay-t se do t’ia kthente. (Në letrën e tij origjinale që ne po botojmë me faksimile dhe të përkthyer në shqip, dërguar M. Sufflay-t, Jovan Radoniq, i shkruan se ato dokumente do t’ia kthente menjëherë. HDA-Zagreb, R. O. M. Šufflay, kut. 9; IV/1, nr. 218, /Beograd, 28. X. 1930/).

Millan von Sufflaj ishte kroat me origjinë gjermane,Ai nuk ishte hebre apo i nonjë ndionlitei tjetër, pra ishte gjerman që jeonte në Kroaci.

Ndër njësitë e para onomastike që lidheshin me Arbanonin përkatësisht me dëshminë më të lashtë të shkruar; dr. Millan Shuflaj trajton emrin popullor të shqiptarve, përkatësisht prejardhjen e trajtës greke Albanoi, Arvanitai, Albanitai si dhe të asaj sllave Raban e Rabanija. Pa u lëshuar në detaje, Shuflaj pohon se emri popullor i shqiptarve Alban do të ketë për rrënjë një fjalë të ngjashme të ligurishtes, përkatësisht se rrënjën e këtij emri duhet kërkuar tek: alb, “kodër, mal, lartësirë” të gurrave paraindoevropiane. Kështu Shuflaj në mënyrë përmbajtësore ka analizuar dhe shqyrtuar trajtat e emrit Arbër, Arbëresh, Arbëror, Arbëri, Arbëni dhe ato Shqiptar e Shqipni (Shqipëri), të cilat janë sinonim për emrin kombëtar shqiptar. Shuflaj është i pari shkencëtar që në mënyrë të argumentuar dhe shkencore nxori rrënjën e emrit shqiptar nga mesjeta. Duke shfrytëzuar arkivin e Dubrovnikut, ai hasi në disa dokumente të shekullit XIV, në një emër të familjes mesjetare shqiptare nga Drishti (Drivatsi) në formën Schipuder, Schepuder, Schibudar, etj., nga e cila sipas tij rrjedh emri i sotëm Shqiptar dhe Shqipëri, duke hedhur poshtë teoritë e ndryshme të cilat ekzistonin por që nuk kishin bazë të fortë shkencore rreth këtij problemi tejet të ndieshëm në shkencën historiografike shqiptare

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Milan von Sufflay lindi më 8 nëntor 1879 në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku u diplomua si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studioi shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit dhe doktoroi në vitin 1901.

Menjëherë pas doktoratës, Sufflay iu vu punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus,” (Diplomatičkom zborniku Kraljevine Hrvatske, Dalmacije i Slavonije 1101-1399). Këtu lindën kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe fare të pahulumtuar që i takonte Shqipërisë.

Në vitin 1902, Sufflay mbrojti me sukses titullin “profesor” në shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit me temën: “Hrvatska i zadnja pregnuča istoćne imperije pod žezlom triju Komnena (1075-1180).” Në vitet 1902/3, u specializua në Vjenë në Österreichisches Institut für Geschichtsforschung për paleografi latine, diplomatikë, kronologji dhe notariat, tek profesorët e mirënjohur O. Redlicha dhe A. Dopscha. Në këtë vit, ai u regjistrua tek prof. K. Jireček për “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, studime këto që nuk arriti t`i përfundonte. Në vitin 1904, botoi studimin e habilitacionit me titull: “Die Dalmatinische Privaturkunde. Dr. Milan v. Sufflay. In Kommission bei Carl Gerold’s sohn/ Buchhändler der Kaiserlichen Akademie der Ëissenschaften. Sitzungsberichte der Kaiserlichen Akademie der Ëissenschaften in Ëien. Philosophisch – Historische Klasse. Band CXLVII. (Vorgelegt am 20. Mai 1903), Ëien, 1904.”

Në vitet 1904-1908, dr. Sufflay punoi si asistent në bibliotekën kombëtare Szeczeny të Budapestit. Këtu thelloi njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos të albanologjisë. Ai arriti të vendosë kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzonte më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore. Në Budapest, Sufflay arriti që në revista dhe gazeta të ndryshme të botonte një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën Szazdok, botoi dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregoi se dokumentet e Rabit të shek. XI dhe XII për mbretin kroat Zvonimir ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtonte shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’i bojkotonin leksionet e tijja nč universitetin e Zagrebit!

Në vitin 1908, ai u emërua profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Thallóczy-in dhe Jireček-un ai botoi në vitin 1913 dhe 1918 kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vol. I-II. Në vitin 1918, doli me kërkesën e tij në pension, e pastaj botoi “Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die Orthodoxe Durchbruchszone im Katholischen Damme” në: Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojnièiæ pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 1-70, që do të ishte pjesa e tretë e Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar që ta shkruante së bashku me Thallóczy-in dhe Jireèek-un në pesë vëllime.

Po këtë vit, botoi edhe studimin tjetër: “Politische Schicksale des Themas Dyrrhachion, në Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojnièiæ pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 273-300.” Në vitin 1920 vazhdoi botimet e tijme romanin, “Konstantin Balšiæ”, me temë nga mesjeta shqiptare. E firmosi me pseudonimin Alba Limi.

Në dhjetor të vitit 1920, Sufflay u burgos. U dënua me tre vjet e gjysmë burg të cilat i kaloi në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1924 botoi në të përditshmen zagrebase “Obzor” romanin fantastiko-shkencor “Na Pacifiku 2255 – metagenetièki roman u èetri knjige”. Po në këtë vit botoi edhe “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich ëährend des Mittelalters, vorgelegt in der Sitzung am 24. April 1918. Akademische der Ëisenschaften in Ëien. Philosophischen-historische Klasse. Denkschriften, 63. Band, 1. Abhandlung. Wien – Leipzig: Hölder-Pichler-Tempsky A.-G. Kommisions-Verleger der Akademie der Wissenschaften in Ëien, 1924,” dhe “Nacionalne maglice. Sredovjeèna plemena Albanije i Crne Gore, në Obzor. Zagreb, 20, 24-25 shkurt dhe 4 prill 1924, viti LXV, nr. 49, f. 4; nr. 53, f. 3; nr. 54, f. 3; nr. 62, f. 2,” si dhe “Sredovjeèni dinaste Albanije i Crne Gore. Državne jezgrice, në Obzor, Zagreb, 16-19 prill 1924, viti. LXV, nr. 105, f. 4; nr. 106, f. 1; nr. 107, f. 4; nr. 108, f. 11.” 

Veprimtarinë botuese në fushën e albanologjisë e vazhdoi me botimet: “Povijest sjevernih Arbanasa (Sociološka Studija) në “Arhiv za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju” /Urednik H. Bariæ/ [Seminar de Philologie Albanaise-Seminar za Arbanasku filologiju], Beograd, 1925, libri II (1924), f. 193-242″ dhe “Srbi i Arbanasi (Njihova simbizoa u srednjem vijeku), Sa predgovorom prof. Univ. u Beogradu, Beograd, 1925, f. III-IV 1-142,” kurse më 1926 botoi: “Vjerske prilike u Albaniji kroz vjekove, Katolički Sjever i pravoslavni Jugu u muslimanskoj državi në Obzor, Zagreb, 11 qershor 1926, viti. LXVII, nr. 154, f. 2-3.” Në vitin 1928, botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”. Po këtë vit, u emërua profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit, por për shkak se nuk i dhanë pasaportë, u detyrua ta refuzojë këtë emërim. Problemet me policinë ishin pjesë përbërëse e jetës së Sufflay-t.

Sipas disa të dhënave më të reja të zbuluara në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, Milan von Sufflay ishte njëri ndër shkencëtarët e rrallë në botë që u përcoll hap pas hapi nga policia, e madje jo vetëm ai, por edhe personat me të cilët kontaktonte, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë. Një mbikqyrje e tillë kishte filluar në fund të vitit 1922, gjë që mund të dëshmohet nga dokumentet arkivore. Fillimisht vëzhgohej vetëm ditën, ndërsa më vonë 24 orë pa ndërprerje. Për çdo të re nga mbikëqyrja i raportohej drejtpërdrejt kryeministrit, Petar Zhivkovič, e më vonë pasardhësit të tij, Milorad Srshkiči në Beograd dhe vetë mbretit, në mënyrë që të kishin parasysh veprimtarinë dhe lëvizjet e shkencëtarit të madh.

Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozoi dr. Sufflay-t që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia,” vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj për të hequr shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Milan von Sufflay, u ftua të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth marrjes së pasaportës, ai arriti në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. 

Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20.00, në rrugën “Dalmatinska” nr. 6 (në Zagreb), Milan von Sufflay goditet për vdekje nga pusia. Plagët ishin të rënda dhe ai vdiq të nesërmen, më 19 shkurt. Kishte vetëm një ditë që ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë për vizitë disaditore. Vrasësit ishin Branko Zwerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina.

Ata deklaruan që kishin marrë urdhër nga Beogradi për të likuiduar Sufflay-n.
Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët, si dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare, ishin shkaqe që e shtynë Beogradin drejt një veprimi të tillë.

Menjëherë pas atentatit, policia konfiskoi të gjitha dorëshkrimet që ndodheshin në apartamentin e tij. Një pjesë e mirë e këtyre dorëshkrime, mesa duket janë humbur përgjithmonë, sepse edhe sot e kësaj dite nuk u është gjetur ndonjë gjurmë. Megjithatë, pavarësisht nga ky fakt, M. Sufflay na ka lënë shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb.

Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” Romë, “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia” Tiranë, “Vullneti i Popullit” Tiranë, etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica, si dhe “Ligue Internationale des Droits des L’Homme,” “Federation Universitaire Internationale.” Kështu, me vdekjen e Sufflay-t, albanologjia humbi njërin nga mbështetësit kryesorë që kishte në atë kohë, studimet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë me vlera të larta dhe pothuajse të pazëvendësueshme.

*****

Në fushën e studimeve albanologjike dhe balkanologjike kontributi i dr. Millan Shuflajt është i jashtëzakonshëm, dhe ka një rëndësi të veçantë. Është ndër studiuesit e rrallë, që në mënyrë shkencore, të paanshme dhe pa paragjykime, duke u mbështetur në metoda shkencore, studioi mesjetën shqiptare, duke nxierrë në dritë dokumenta dhe të dhëna shumë të çmuara, për këtë periudhë pothuajse të pahulumtuar fare të historisë sonë kombëtare. Në këtë mënyrë ai, tejkalon studimet e vjetruara, të njëanshme dhe tendencioze të studiuesve: italianë, austriak, sllavë, grekë, bullgarë, etj. 

Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumenta nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus”, të Tadija Smiçiklasit, gjen materiale burimore, shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë, ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllim kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga pena e dr. Millan Shuflajt dolën studime të jashtëzakonshme me vlera të larta shkencore në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton së bashku me L. Thallocin dhe K. Jireçekun. Materialin e mbledhur, dr. Shuflaj e sistemonte dhe e përcillte me komente të ndryshme, kështuqë të shumtën këto komente, paraqesin diskutime me vlerë të lartë shkencore dhe mund të shfrytëzohen si studime të veçanta. Punën për përgatitjen e botimit të kësaj kryevepre e ka vazhduar edhe më tutje. Janë përshkruar një pjesë e dokumentave nga arkiva të ndryshme, është konsultuar literatura përkatëse si dhe është bërë plani konkret për botimin e vëllimit të tretë. Kohëve të fundit në shtypin periodik si dhe në studime të veçanta, në Kroaci, Shqipëri, por edhe gjetiu, është shkruar se është gjetur vëllimi i tretë i cili ishte i gatshëm për botim. Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Dr. Millan Shuflaj, nuk kishte arritur ta përgatiste për botim vëllimin e tretë, ashtu siç është shkruar e pohuar deri tash, dhe këtë vëllim e kishte konfiskuar policia me rastin e bastisjes së apartamentit të tij. Në dorëshkrimet e tij, të cilat ndodhen ne Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, një pjesë e këtyre dokumenteve, që përbëjnë dy të tretat e vëllimit të tretë, janë të shpërndara nëpër kuti të ndryshme. Kjo është e tëra që është zbuluar, pas hulumtimeve të bëra, e jo dorëshkrimi komplet i vëllimit të tretë, sikur pohohet tash. Pra dr. Millan Shuflaj nuk e kishte shkruar e as që e kishte përgatitur për botim voëllimin e tretë.

Pas studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Shuflaj, paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë, ishte më e afërt me Bizantin dhe Dalmatët, se sa me Sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore.

Kontributi i dr. Shuflajt në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, e zbërthen në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazias, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo sllavë, vëren ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe institucionet tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva. Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, të cilin e analizon që nga zanafilla e tij nëpër qytet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtij institucioni në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare. në anën tjetër, studim, që deri tashi ka mbetur i vetmi në këtë lëmi.

Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, dr. Shuflaj e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimorë dhe lindorë në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eskluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundim të ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapsirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo tjetrit ndikim. 

Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, Shuflaj e dëshmon me argumente shkencore ndër të tjera edhe me praninë e emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i trajton për emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumin gjuhësor të shqipes. Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve. 

Ndër njësitë e para onomastike që lidheshin me Arbanonin përkatësisht me dëshminë më të lashtë të shkruar; dr. Millan Shuflaj trajton emrin popullor të shqiptarve, përkatësisht prejardhjen e trajtës greke Albanoi, Arvanitai, Albanitai si dhe të asaj sllave Raban e Rabanija. Pa u lëshuar në detaje, Shuflaj pohon se emri popullor i shqiptarve Alban do të ketë për rrënjë një fjalë të ngjashme të ligurishtes, përkatësisht se rrënjën e këtij emri duhet kërkuar tek: alb, “kodër, mal, lartësirë” të gurrave paraindoevropiane. Kështu Shuflaj në mënyrë përmbajtësore ka analizuar dhe shqyrtuar trajtat e emrit Arbër, Arbëresh, Arbëror, Arbëri, Arbëni dhe ato Shqiptar e Shqipni (Shqipëri), të cilat janë sinonim për emrin kombëtar shqiptar. Shuflaj është i pari shkencëtar që në mënyrë të argumentuar dhe shkencore nxori rrënjën e emrit shqiptar nga mesjeta. Duke shfrytëzuar arkivin e Dubrovnikut, ai hasi në disa dokumente të shekullit XIV, në një emër të familjes mesjetare shqiptare nga Drishti (Drivatsi) në formën Schipuder, Schepuder, Schibudar, etj., nga e cila sipas tij rrjedh emri i sotëm Shqiptar dhe Shqipëri, duke hedhur poshtë teoritë e ndryshme të cilat ekzistonin por që nuk kishin bazë të fortë shkencore rreth këtij problemi tejet të ndieshëm në shkencën historiografike shqiptare.

Filed Under: Histori

THE AUSTRALIAN JEWISH NEWS (1973) / EDWARD MANTUS NË KËRKIM TË HEBRENJVE SEFARDË NË SHQIPËRINË MAOISTE

February 15, 2026 by s p


Burimi : The Australian Jewish News, e premte, 26 tetor 1973, faqe n°17
Burimi : The Australian Jewish News, e premte, 26 tetor 1973, faqe n°17

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 shkurt 2026

“The Australian Jewish News” ka botuar, të premten e 26 tetorit 1973, në faqen n°17, rrëfimin e Edward Mantus asokohe në kërkim të hebrenjve sefardë në Shqipërinë Maoiste, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Hebrenjtë Sefardë në Shqipërinë Maoiste

Burimi : The Australian Jewish News, e premte, 26 tetor 1973, faqe n°17
Burimi : The Australian Jewish News, e premte, 26 tetor 1973, faqe n°17

Pas dëbimit nga Spanja dhe Italia e Jugut në shekujt XV dhe XVI, hebrenjtë sefardë u vendosën në Shqipëri me ftesë të turqve osmanë.

Sot, Shqipëria është aleatja e izoluar e Kinës në Ballkan. Edward Mantus raporton mbi jetën e disa qindra hebrenjve që ende jetojnë nën këtë regjim maoist.

Në pikën kufitare të Hanit të Hotit, të gjitha librat dhe revistat që kisha me vete u konfiskuan, përfshirë “The Jewish Chronicle”. Kjo ishte pritja ime në Republikën Popullore të Shqipërisë, bastion i regjimit maoist të Enver Hoxhës që nga viti 1946 dhe aleate e vendosur e Kinës komuniste.

Edhe pse posterat shpallin “Rroftë marksizëm-leninizmi”, as rusët nuk janë të mirëpritur këtu — as amerikanët, as jugosllavët dhe as izraelitët. Propaganda anti-izraelite është pjesë e përditshme e transmetimeve shqiptare. Marrëdhëniet me botën arabe janë të mira dhe kohët e fundit kishte vizituar vendin një grup folklorik egjiptian.

S’ka “çifutë”

Në Shqipëri jetojnë rreth 300 hebrenj, megjithëse zyrtarët qeveritarë pranonin me hezitim se pakicat përbëheshin vetëm nga “disa ciganë dhe disa grekë”.

Ata shfaqnin bezdi kur pyeteshin për çifutët dhe fillimisht pretendonin se nuk kishte fare hebrenj.

Gjatë udhëtimeve të mia të gjera në vend për kërkime mbi muzikën popullore, arrita të kontaktoj disa hebrenj — pasardhës të një komuniteti të përmendur për herë të parë në shekullin XII nga udhëtari i guximshëm hebre Benjamin i Tudelës.

Historia më e fundit e hebrenjve në Shqipëri fillon në shekullin XVI, kur shumë hebrenj nga Spanja u vendosën në vend me ftesë të osmanëve, të cilët sunduan Ballkanin për afro 450 vjet, deri në vitin 1913.

Në disa qendra kishte komunitete të mëdha hebraike, kryesisht tregtarë, me sinagoga të ndërtuara sipas stileve kastiliane, katalanase, portugeze dhe apuliane.

Të paktën gjysma e popullsisë së sotme hebraike jeton në Tiranë, kryeqytetin me rreth 200.000 banorë. Grupi i dytë më i madh, rreth 60 vetë, jeton në Vlorë (ish-Valona), një port detar që ishte qendër e rëndësishme e vendosjes hebraike në shekujt XVI dhe XVII.

Në vitin 1685, gjatë luftës turko-veneciane, shumë hebrenj të Vlorës u larguan drejt Beratit, ku Shabatai Zvi, mesia i rremë, ishte internuar nga turqit.

Ndalimi

Nuk munda ta vizitoja personalisht Vlorën, pasi ishte zonë e ndaluar, por takova një familje nga qyteti që kishte një vetëdije të fortë hebraike.

Durrësi (ish-Durazzo) kishte mbi 1.000 hebrenj në fillim të shekullit XIX, por rënia e portit bëri që shumë të shpërnguleshin drejt Selanikut. Sot kanë mbetur vetëm pak familje. Hebrenj të paktë jetojnë edhe në Shkodër, Berat, Elbasan dhe vende të tjera.

Komuniteti hebraik mori njohje zyrtare vetëm në vitin 1937. Pak para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Mbreti Zog u dha azil politik 150 hebrenjve që iknin nga Austria dhe Gjermania, përpara se edhe vetë të largohej në mërgim.

Kunata e tij, rastësisht, ishte një hebreje e konvertuar, gruaja e Dr. Michael Deutsch, nga Senta e Jugosllavisë.

Hebrenjtë shqiptarë nuk u dëmtuan gjatë pushtimit gjerman të vitit 1943, i cili zgjati një vit. Marrëveshja gjermano-italiane vendosi pjesë të Jugosllavisë nën kontrollin e shqiptarëve dhe shumë hebrenj nga Serbia dhe Kroacia ikën në këtë territor të aneksuar ku u trajtuan mirë nga popullsia vendase dhe, me një përjashtim të madh, nga forcat pushtuese italiane.

Ky përjashtim ndodhi kur hebrenjtë e burgosur në Prishtinë iu dorëzuan gjermanëve dhe u dërguan në Beograd, ku u vranë.

Vrasjet

Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, gjermanët morën kontrollin e territorit jugosllav të aneksuar ndaj Shqipërisë. Në prill të vitit 1944, 300 hebrenj u burgosën në Prishtinë, ku të tjerë u dërguan për t’u bashkuar me ta. 400 u deportuan në Bergen-Belsen dhe vetëm 100 mbijetuan.

Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës në vitin 1946, Shqipëria u shndërrua në një shtet pothuajse hermetikisht të mbyllur dhe hebrenjtë u zhdukën nga vëmendja publike.

Në vitin 1952, Izraeli ofroi viza për çdo hebre që dëshironte të largohej. Mbi 50 familje u përfshinë, por askush nuk u lejua të largohej. Në vitin 1953, u raportua se hebrenj që përpiqeshin të arratiseshin drejt Italisë ose Greqisë u qëlluan dhe pronat e tyre u konfiskuan.

Deri në fund të viteve 1950, shërbesat fetare hebraike mbaheshin fshehurazi në Tiranë dhe Vlorë. Por regjimi maoist u bë gjithnjë e më armiqësor ndaj çdo shprehjeje fetare. Në vitin 1965, çdo praktikë fetare, publike apo private, u ndalua dhe u shpall vepër penale, madje edhe zotërimi i librave fetarë.

Që prej asaj kohe nuk ka shkolla hebraike, organizata komunitare apo rabinë. Është e dyshimtë nëse edhe sot disa hebrenj guxojnë të luten në fshehtësi në shtëpitë e tyre.

Hebrenjtë ende gjenden mes profesionistëve shqiptarë, përfshirë një mjek të njohur në Tiranë dhe disa pedagogë universitarë, kryesisht në fakultetin e gjuhëve.

Bllokimi

Takova disa hebrenj, të gjithë sefardë. Ata ishin shumë të kujdesshëm në biseda dhe ngurronin të flisnin hapur. Megjithë propagandën e vazhdueshme anti-izraelite, ata shprehën dëshirën për të “vizituar” Izraelin — një dëshirë që nënkuptonte shumë më tepër.

Mundësia që Shqipëria të lejojë vullnetarisht emigrimin e tyre është minimale. Zyrtarët sulmojnë shpesh Bashkimin Sovjetik për lejimin e emigrimit hebraik, duke e quajtur atë “lejueshmëri” të Kremlinit.

Kur u përmenda se Kina kishte lejuar të gjithë hebrenjtë e saj të largoheshin, duke mos lënë asnjë pas, bashkëbiseduesi im mbeti për një çast pa fjalë.

Një ndërhyrje përmes Kinës mund të jetë e vetmja rrugë për të lejuar emigrimin e komunitetit hebraik shqiptar.

Edhe pse asnjë hebre nuk mban poste të rëndësishme politike dhe pak janë anëtarë të Partisë Komuniste, nuk ka persekutim aktiv përveç ndalimit të përgjithshëm të fesë. Megjithatë, asimilimi është i shpejtë dhe, nëse nuk ndërmerret asgjë së shpejti, ky komunitet rrezikon të zhduket plotësisht.

© Jewish Chronicle News Feature Service

Filed Under: Histori

Lef Nosi (9 prill 1877 – 13 shkurt 1946), Monument i vlerave kombëtare

February 13, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Delegat i Elbasanit ( bashke me Dervish bej Biçakçiu, Shefqet Daiu, Mithat Frashëri), nënshkrues i Aktit të Pavarësisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit.

Lef Nosi është krijuesi i filatelisë shqiptare.

Familjarët e të afërmit e Lef Nosit, saktësojnë se nën drejtimin e Nosit, qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku më interesanti ishte ai i pullave të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”.

Nga kujtimet e të afërmve dhe miqve mësohet se Lef Nosi i ka dhuruar “British Muzeumit” 65 ekzemplarë të pullave postare, me qëllim për ta ruajtur si etalon në këtë institucion prestigjioz dhe për të shmangur falsifikimin e tyre.

Po kështu, pulla dhe reperte arkeologjike shqiptare Lef Nosi i ka dhuruar nëpërmjet mikes së tij, Margaret Hazllëk, universitetit të Aberdinit në Skoci për t’i ekspozuar në muzeun e tij prestigjioz .

Lef Nosi ka qenë njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht.

Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit (1880-1949), një figurë tjetër e qëndresës anti-komuniste.

Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli”, në Elbasan, mban vulën personale të Lef Nosit, madje që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe.

Ai blinte rregullisht libra të shkruara për Shqipërinë dhe ia dhuronte bibliotekës, ndër të cilën mbajnë vulën e tij: “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”; “Banka Kombëtare e Shqipnis”; “Albania the master Key to the Near East” i botuar më 1919; “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915.

Aq i madh ishte personaliteti i Lef Nosit sa qe pranohej edhe nga vete komunistet…

Ja cfare shkruan Qemal Stafa ne nje leter drejtuar Nosit:

“I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” dhe në përfundim: “Përherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”.

Por clirimi i vendit e gjeti Lef Nosin ne nje pozicion shume te veshtire… Pjesemarrja e tij ne Keshillin e Regjences gjate pushtimit gjerman solli jo vetem fundin e tij fizik, por edhe denigrimin e gjithe vepres se tij patriotike dhe filologjike.

Patriotizmi i tij ishte ne drejtimin e duhur, por ndoshta zgjodhi apo rrethanat e kohes i afruan anijen e gabuar…por absolutisht nuk i leu duart me gjak shqiptaresh.

Me 1 shkurt 1946 ne Tirane u hap gjyqi kundër regjentëve Patër Anton Harapi, Lef Nosin dhe Maliq Bushati.

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarak. Të tre të akuzuarit u thirren “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues qe kryesohej nga major Irakli Bozo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova dhe prokuror major Misto Treska.

Të nesërmen gazeta “Bashkimi” vijoi me njoftime propagandistike: “Krerët e Tradhtisë japin llogari”, “Lef Nosi në bankën e të akuzuarve”.

Sipas reporterit të kronikës së gjyqit, Lef Nosi u paraqit në gjyq i drobitur, i lodhur dhe me zor nxirrte fjalët nga goja. Referuar dosjes hetimore-gjyqësore dhe procesit të gjykimit, zhvilluar më 1 shkurt 1946, Lef Nosi akuzohej se: gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj.

Pjesa me e madhe e akuzave ishte e pabesueshme edhe per vete trupin gjykues, por vendimi ishte marre prej kohesh…

Nuk u pushkatuan thjeshte tre kuislinge nga regjimi komunist, por tre figura nga me te rendesishmet e historise dhe kultures shqiptare…

Keshtu perfundoi jeta e Lef Nosit, i kryqëzuar nga tri regjime.Fillimisht është arrestuar nga turqit, është internuar nga italianët dhe më në fund u pushkatua nga komunistët.

Pas vitit 1990 Lef Nosi eshte nderuar si patriot i shquar dhe dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Eshte shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit dhe ne bulevardin kryesor te Elbasanit eshte ngritur statuja e tij.

Filed Under: Histori

Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim

February 11, 2026 by s p

NGA ROLAND QAFOKU/

Nuk ka asnjë vendim të Kongresit të Lushnjes atë shkurt të vitit 1920 që Tirana shpallej kryeqytet. Po si u bë qendra e shtetit shqiptar qyteti që as mendohej të ishte i tillë? Si u bë kryeqytet ky qytet që ishte nënprefekturë dhe varej nga prefektura e Durrësit? Ndërsa karvani me kuaj dhe karroca shkonin nga Lushnja drejt Durrësit kryeqytet, te Ura e Dajlanit italianët kishin zënë pritë me një arsenal armësh. Ushtria italiane ndodhej ende në Durrës dhe ata nuk e njihnin Kongresin e Lushnjes. Kështu, kishin organizuar të bënin luftë me qeverinë e sapoformuar në Lushnje.

Në krye të karvanit ishte Ahmet Zogu vetëm 24 vjeç e 3 muaj që sapo ishte zgjedhur ministër i Brendshëm. Për të mos bërë luftë sepse viktimat do ishin të mëdha nga të dy palët, ai mori një vendim që hyri në histori. “Do shkojmë në Tiranë dhe qeverinë do ta vendosim në banesat e mamasë time” tha djaloshi me baba nga Mati dhe nënë nga Tirana. Kaq mjaftoi, karvani u drejtua drejt Tiranës atë 11 shkurt 1920 dhe po atë ditë ministrat u sistemuan ku të mundnin në “banesat e mamasë së Zogut”. Dy ditë më pas Zogu nxori dhe firmosi shkresën e parë nga “banesa e mamasë” si ministër i Brendshëm drejtuar të gjitha prefekturave teksa shkroi: “Tirana u shënue për kryeqytet” (Shkresa e datës 13 shkurt që po e publikoj).

Pra, Tirana as ishte zgjedhur, as ishte caktuar, as ishte votuar dhe për këtë nuk ishte marrë ndonjë vendim, por thjesht ishte shënuar. Ky është një rast unikal në botë që një qytet të bëhej kryeqytet pa asnjë vendim. Po ku kishte më mirë se Tirana të bëhej kryeqyet? Dukej sikur vetë Zoti e kishte zgjedhur që qyteti i themeluar në vitin 1614 të bëhej kryeqendra e Shqipërisë dhe kjo u sanksionua në kushtetutë të ishte i përhershëm në vitin 1925. Megjitahtë, kjo u arrit dhe me lëhtësi. E vërteta është se pati shumë kundërshti dhe historianët pak shkruajnë për këtë. Kandidatë potencialë ishin Durrësi, Elbasani, Belshi, Korça dhe veçanërisht Shkodra për të cilin kishte propozime serioze deri nga personalitete të larta si Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe të tjerë. Por, për fat kryeqytet mbeti Tirana.

E para ambasadë që u vendos në Tiranën kryeqtet ishte ajo amerikane në korrik të vitit 1922. Të gjitha të tjerat ishin në Durrës. Diplomati Maxëell Blake që ishte edhe shefi i parë i ambasadës amerikane në Shqipëri me statusin komisioner mori me qira godinën “Sarajet e Toptanëve” që për fat ndodhet akoma dhe ato ditë i shkruante Departamentit të Shtetit: Unë mendoj që të instalohemi në Tiranë, ndryshe nga legatat e tjera sepse parashikoj që ky do jetë edhe kryeqytet i përhershëm”. Gjithçka më pas është histori. Sapo në Kushtetutën e vitit 1925 Tirana u shpall kryeqytet i përhershëm Kongresi Amerikan mori një vendim për të ndërtuar të parën godinë jashtë kufijve të SHBA dhe kjo ishte ambasada amerikane në Tiranë, pikërisht godina që ndodhet edhe sot.

Sot pas 106 vjetësh na mbetet të themi vetëm që jemi me fat që Tirana “u shënue” kryqytet. Asnjë qytet tjetër nuk do kishte marrë rëndësinë që mori Tirana por dhe asnjë qytete tjetër nuk do kishte dashamirësinë dhe tolerancën që jo vetëm të bëhej kryeqytet por edhe të pranonte çdo shqiptar të ardhur nga çdo cep I vendit. Këtë e perifrazoi aq bukur burri më i mençur dhe personaliteti i profilit më të lartë që ka nxjerra Tirana, Hafiz Ibrahim Dalliu kur mësoi që Tirana ishte “shënue kryeqytet” i cili lëshoi nga goja një thënie lapidare: Lum Tirana kryeqtet, mjer tironsit çër i gjet. Rroftë Tirana kryeqytet dhe tiransit që na pranuan në këtë qytet!

Filed Under: Histori

NJË STUDIM INTERESANT I JOSIF RISTOS PËR VENDNDODHJEN E TEMPULLIT TË DODONËS

February 7, 2026 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

Historia njerëzore, shpesh herë është ndriçuar dhe ka arritur në zbulime të mëdha, edhe falë largpamësisë, guximit dhe këmbënguljes të disa personaliteteve të shquara. Mjafton të sjellim shembullin e arkeologut gjerman Henrih Shliman (Heinrich Schliemann 1822 – 1890), i cili pas një pune disa vjeçare, duke u mbështetur te vepra e Homerit, zbuloi muret e Trojës. Natyrisht, që popujt e ndryshëm, me fantazinë e tyre na kanë dhënë perla mitologjike apo letrare, ku shquhen sidomos, autorët e vjetër grekë. Ne jemi të ndërgjegjshëm, se shumica e personazheve, por edhe ngjarjeve të përshkruara prej tyre, janë pjellë e imagjinatës, por kurrsesi vendet ku ata personazhe kanë vepruar dhe ato ngjarje janë zhvilluar. Janë lehtësisht të përcaktuara trevat e vendndodhjet për të cilat kanë dëshmuar historianët me emër në punimet e tyre serioze. Kështu që askush nuk mund të verë në dyshim, faktin se tempulli i Delfit, ndodhej në Fokidë, rrëzë malit Parnas, ku poetët frymëzoheshin, pasi mendohej se ishte vendi ku qëndronin muzat, Apoloni e Dionizi. Po kështu, dihet se Termopilet ku u zhvillua beteja heroike e Leonidës me njëmijë ushtarët e tij, kundër persëve, ndodhet në një Grykë në Thesali. Mirëpo, ka disa gjëra që ende ngjallin dyshime dhe nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare. Kjo mund të thuhet edhe për përcaktimin e vendit ku gjendej Tempulli i Dodonës, që po t`i referohesh enciklopedive, rezulton se ai ndodhej njëzetedy kilometra në jugperëndim të Janinës, në qytetin me të njëjtin emër, që u përkishte fiseve ilire të Thesprotëve apo Molosëve dhe konsiderohej si qendra e Pellazgëve. Por në vazhdim, ndesh përcaktimin se Dodona ishte një orakull i lashtë, kushtuar Perëndive Zeus dhe Nënës së Perëndive. Herodoti thotë se ai qe krijuar qysh nga mijëvjeçari i dytë para e. r. Për rëndësinë e tij, pasi aty merreshin përgjigjet e Zeusit nga priftërinjtë, ka folur Euripidi te “Melanippe”, dhe dihet se tempulli gëzonte reputacion përtej Epirit dhe Greqisë, dhe në shek. III – të para. e. r. Pirro i Epirit ngriti tempullin madhështor të Zeusit, kur kishte shekuj që ai quhej “Zeusi i Molosëve”. Madje edhe teatri që Pirro ndërtoi, ekziston edhe sot e kësaj dite. Në pamje të parë, duket se këtu nuk ka vend për diskutime. Por ja që profesor Josif J. Risto nuk është i këtij mendimi dhe për këtë, ai jep faktet, argumentet, referencat dhe deduksionet e veta të mbështetura në studimet e tij dhe ato çka dalin nga Homeri në letërsi, Herodoti në histori, Straboni, dhe Ptolemeu në gjeografi etj. të cilat të çojnë te mbrojtja e tezës se “Tempulli i Dodonës, mund të ketë qenë më në veri, ndoshta në territore që sot ndodhen në Jugun e Shqipërisë (në Thesproti, Molosi ose afër Kolonjës)”. Për këto mendime, ose sikurse i quan ai vetë, hipoteza, prof. Josifi gjen rastin të bisedojë me një shkencëtar francez, zotin Lemer, njohës i thellë i historisë tonë dhe dashamirës i madh i shqiptarëve. Bisedën që bëri me të, ai të riprodhuar e boton te libri i tij “Identifikimi i faltoreve të lashta në Shqipërinë Juglindore”. Libri nuk ka shumë faqe, por me ato që autori parashtron, të fut në mendime. Kuptohet që ai e njeh shumë mirë mitologjinë dhe di ta zbërthejë dhe interpretojë atë në funksion të ideve që ka. Dhe është interesante, se edhe zoti Lemer, në dialogun pyetje – përgjigje, ia miraton të gjitha ato çka Josifi kumton, e për më tepër e nxit që ta thellojë studimin e tij, qoftë edhe në konsultim me specialistë të fushës, apo qarqet akademike. Dhe të mos thyhet nga një farë indiferentizmi që rëndom bije në sy në raste të tilla, jo nga keqdashja, sesa nga ajo që nuk kemi pse i futemi këtyre historive, se pak a shumë e kemi thënë fjalën tonë. Por në shkencë, debati duhet mbajtur gjithmonë i ndezur dhe nuk ka asgjë të keqe kur shkëmbehen mendimet, pasi vetëm kështu shkohet tek e vërteta. Vetë Josifi shprehet se i jam futur kësaj pune kërkimore për zbardhjen e të vërtetave historike edhe nga dashuria për vendlindjen time. Po ku mbështetet bindja e Josifit? Ato janë plot njëmbëdhjetë pika të cilat i gjen të arsyetuara edhe profesori Lemer. Ai i rreshton kështu ato: E para: Gjeografi, Straboni dhe Pindari citojnë se Dodona, ndodhet larg, në kufijtë e fundit të Epirit (Toskërisë). Aty ndodhen malësitë e Kolonjës (Gramozi, Radomi, Malet e Barmashit), me pamje të mrekullueshme (tërheqëse në pamje) dhe për të ftohtin e dimrit (dimërashpër). E dyta: Dodona ndodhet afër qytetit Ella ose Sella. Në malësitë e Barmashit ndodhet një vendbanim i vjetër: Maja e Sellarëve ose Sellarë. E treta: Dodona ndodhet pranë një lumi në një faqe mali. Në vendin e quajtur Shkëmbi i Manit ka burime të shumta dhe moçale, ku kalon dhe një lumë, që buron nga malet e Barmashit, degë e Vjosës, që përligj ngricat (Langricat). E katërta: Mali i Gradishtës dominohet nga Lisi e dushku (kujtoni Lisin e shenjtë të Dodonës, dhe fëshfëritjen e gjetheve, ku udhëtari Pausania në shek, II – të të e.s.  pa se kishte mbetur vetëm njëri Lis, të cilin e prenë të krishterët aty nga viti 391). Pastaj, emri i malit afër Dodonës, ishte Tomaros, por ja që dushqet kanë mbetur vetëm në Gradishtë. Së pesti: ka shumë domethënie ajo që Varri i Lames (i lartë, sikurse është vërtetë) është në formë tume dhe po të vërtetohej kjo nga specialistët, do të ishte diçka me shumë vlerë. E gjashta: Përfund malit të Gradishtës, deri në Grykën e Lumit te Shkëmbi i Manit, shtrihet në njëqind hektare fusha e Barmashit (aty ku u goditën gjermanët më 6 korrik 1943) që sipas Eustathit sigurohej edhe mbijetesa. E shtata: Nga të vjetrit ka dëshmi se ajo fushë ishte shumë pjellore dhe plot livadhe të mira për kullotë. E tillë është kjo trevë me livadhet e Radomit, Shelegurit dhe Gramozit. Dodona nga ana e saj kishte tufa të mëdha dhensh, dhe sellarët janë të njohur si popull blegtor. E teta: Pindari flet për pamjen e mrekullueshme që përftohej nga larg Pindit, afër Peoneve, ku ndodhen malet Dodonianë. Kjo askund tjetër më mirë se në malet e Kolonjës, Barmashit nuk gjendet. Pra, të gjitha gjasat janë që aty të jenë këta male. E nënta: Sipas gjeografit Klaudi Ptolemeu (Claudius Ptolemaeus) i Aleksandrisë, që kishte folut para Kopernikut për lëvizjen e planeteve, mali Tomar i bije të jetë në kufirin verior të Epirit, në territorin e Molosisë Pelazgjike, ku ndodhet lugina e Osumit (Apsus) dhe ajo e Vjosës (Aos) dhe pikërisht Tomari duhet të jetë Gradishta ose Radomi. E dhjeta: Ajo për çka flet Homeri se pas Enianëve vijnë Perrebetë që banojnë rreth Dodonës dimërkeqe, kuptohet se ata ishin banorë rreth malësisë së Barmashit, pra Dodonës dimërkeqe. E njëmbëdhjeta: Ne e kemi mësuar fatin tragjik të Orestit nga krijimtaria e Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Rasinit e Gëtes. Por Josif Risto në interes të librit të tij studimor, na tregon se kur ai vrau nënën e tij Klitemnestrën për t`u hakmarrë ndaj asaj që bashkë me të dashurin e saj Egjistin i vranë të atin, Agamemnonin që ishte kthyer nga Troja, ngaqë nuk gjeti qetësi në Delf, shkoi në Dodonë për t`u çliruar nga mëkati, pra në vendin e të parëve të tij. Prof. Josifi me gjithë parashtresat e tij është i vetëdijshëm se puna studimore duhet thelluar e shpënë më tej, gjë që kërkon shpenzime jo të vogla. Se nuk është e kollajtë të kryesh gërmime arkeologjike për të gjetur gjurmë të hershme qytetërimi apo qoftë edhe artefakte. Kuptohet që kjo i takon të adhmes, por duhet përshëndetur puna e bërë nga zoti Josif J. Risto i cili duke qënë edhe kryetar i shoqatës atdhetare – kulturore “Kolonja”, nuk ngurron ta thotë fjalën e tij si intelektual erudit dhe adhetar, pasi historia jonë ka ende shumë momente që duhen ndriçuar me guxim.  

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 708
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT