• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

118 vjet nga hapja e shkollës së parë shqipe në Mallakastër, nga Dëshmori i Pavarësisë, Hajredin Fratari! 

April 24, 2024 by s p

Pajtim Sejdinaj/

“Shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, zemrën e babës për të qëndruar si burrat dhe gjakun e tyre, atë që i duhet për atdheun’! Hajredin Fratari

Lajmi për ardhjen e bustit të Korifeut u përhap me shpejtësi në Fratar. Ishte gëzimi i parë pas gati 100-vjetësh për të gjithë Fratarakët dhe Mallakastriotët. Pas shumë vitesh “Dëshmori i Kombit” Korifeu, Hajredin Rakip Fratari do të takohej me bashkëfshatarët e tij.

Atë mëngjes nxënësit e shkollës dukeshin që ishin përgatitur seriozisht për eventin. Besjana (njëra nga nxënëset e grupit) nxorri nga çanta një beze të kuqe ku kishte qëndisur me penjë ari shkronjat kapitale me mbishkrimin:

“MIRËSEARDHE MIDIS NESH I DASHURI KORIFE”!

Grupi tjetër i nxënësve kishte marrë një kurorë të bukur shumë ngjyrëshe si dhe disa tufa lulesh. 

Drejtoresha dha njoftimin: 

“Sot në orën dy, në mjediset e shkollës do te mbërrijë busti i Dëshmorit të Kombit “Hajredin Fratari” emërin e të cilit e mban shkolla jonë! Kthehet kështu në shtëpinë e tij Korifeu i hapjes së shkollës së parë shqipe në Mallakastër. Nxënësve u ndriu fytyra dhe buzëqeshja e tyre tregonte shpirtin që gëzonte!

Ajo ditë më ka mbetur në mëndje si një nga më të paharrueshmet e jetës. Lajmi për ardhjen e bustit të Korifeut ishte kthyer si lajmi më i bukur në komunën e Fratarit. Rreth orës dy të pasdites  sheshi para shkollës ishte mbushur plot me njerëz. Veç nxënësve të shkollës dhe mësuesve kishin ardhur dhe banor nga fshatrat e ndryshëm të Mallakastrës së sipërme. Kishte ardhur edhe ai: “Lisi i Moçëm”(plaku 110 -vjeçar që kishte qënë nxënës i shkollës së parë shqipe të hapur nga Korifeu, pikërisht në fshatin Bejar në pranverën e viit 1906-të). Mbëriti edhe mësuesi veteran,  Malua, i cili sapo kishte dëgjuar lajmin kishte bërë gati një referat mbi jetën e Korifeut. Mbëritën edhe përfaqësuesit e pushtetit vendor. Makinën që solli bustin e shoqëronin një grup njerzish të ardhur nga Tirana midis tyre dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit,  Baba Reshat Bardhi si dhe pasardhës të familjes së Korifeut, i nipi i Korifeut, që mban edhe emrirn e tij Ing. Hajredin Fratari  me bashkëshorten dhe dy fëmijët, mbesa që mban emrin e gjyshes, bashkëshortes së Korifeut , Sabire Fratari me bashkëshortin dhe dy vajzat, si dhe skulptori i bustit. 

Para fillimit të aktivitetit u këndua nga kori i shkollës  “Himni i Flamurit” dhe nga senati i shkollës u këndua kënga “Për Mëmëdheun”. Nxënësit mbanin një pllakat me portretin e Korifeut.Busti ishte menduar të vendosej në katin e dytë të shkollës në një pozicion ku çdo vizitor sapo të hynte në shkollë të përshëndetej  më të.

Teksa po çonim bustin në katin e dytë unë po thurrja spontanisht disa vargje për Korifeun:

“Kam kohë që kërkoj emrin tënd.

 T’humbur në humtirë të historisë

Por ja që sot e gjeta Atë 

Pikërisht n’ Altar të Diturisë”.

Tek ngjitesha në katin e dytë të shkollës, atje ku ishte vendosur busti i Korifeut, lexova fjalët e arta të tij  :”Çdo mallakastriot të bëhet një mësues dhe çdo shtëpi mallakastriote të bëhet një shkollë” ! 

Ndërkohë “Lisi i Moçëm” po qëndronte gatitu përpara bustit të Korifeut dhe tha me zë të lartë : “MIRËSEARDHE O TRIM! U bë realitet ëndrra e shumëpritur e Martirve, e Fratarakve dhe e gjithë Mallakastriotve! U desh një shekull të realizohej kjo ëndërr”! 

Më pas ai nxorri nga xhepi një Flamur Kombëtar dhe ja hodhi mbi supe Korifeut duke ju drejtuar të pranishmëve: “Ky është Flamuri që kemi patur në klasë kur u hap shkolla e parë shqipe nga ky burrë, ky gjigand i kombit tonë, HAJREDIN FRATARI! Këtë flamur e kam amanet nga e ëma, Havakua e cila ma dhuroj kur të paudhët mbyllën shkollën e parë shqipe të Mallakastrës. Ky flamur prej sotit do të qëndrojë përherë mbi supe të Korifeut”! 

Më pas u dhanë fjalime, u kënduan këngët e recituan vjershat që populli i Mallakastrës i kishte thurrur ndër vite birit, Hajredin Fratari.  

Në Fratar një derë e mirë 

Lindi djalë Hajredinë!

Havako nënë me derte

C’djalë përkunde në djepe

Hajredinë,  trimin e rrallë

Që çeli shkollën e parë

Kur lindi u tund konaku 

Krisi pushka tek oxhaku! 

Të nesërmen të gjithë flisnin për ceremonië e organizuar një ditë më parë dhe kushdo përpiqej të rikujtonte momente prej saj. Orën e parë kisha mësim me një klasë të vitit të dytë dhe do të trajtonim temën “Jeta dhe vepra letrare e Naim Frashërit”. 

“A ka mundësi t’a zhvillojmë këtë orë mësimi në korridor para bustit të Korifeut”? –  ishte zëri i Besianës. “Po” – ju thashë.

Nxënësit dolën pa zhurmë dhe rrethuan bustin e Korifeut. U bëra një panoramë përmbledhëse për jetën dhe veprën e poetit tonë të madh Naim Frashëri, dhe u tregova atyre edhe për jetën e Korifeut si dhe lidhjet e tij me derën e madhe të Frashëllinjve. U tregova që bashkëshortja e Korifeut, Sabrete Vila, ishte mbesa e Frashëllinjve, ajo i kishte dajo Frashëllinjtë dhe ishin  pikërisht këta të fundit që kishin bluar krushqinë. Të dy të rinjtë si Hajredini edhe Sabretja kishin kaluar shumë vite në Stamboll, atje kishin kryer edhe studimet e mesme edhe ato të larta. Bile ata kishin kryer  të njëjtën shkollë të mesme, shkollën private amerikane në Stamboll “Robert College”. Kjo shkollë datonte hapjen e saj në vitin 1863-të dhe funksiononte me dy kampe të veçanta për djemtë dhe vajzat. Edhe sot ai mbetet institucioni arsimor amerikan më i vjetër në botë. 

Ra zilja për mbarimin e orës së mësimit. Hedh sytë nga porta e shkollës. Vura re atë, “Lisin e Moçëm” që zbriti nga një makinë. Dërgova dy nxënës për t’a shoqëruar. “Lisi i Moçëm” mbërriti në katin e dytë të shkollës i mbajtur në shkopin ku qe gdhendur Flamuri Kombëtar dhe Përkrenarja  e Skënderbeut.

“Mirëmëngjes o Legjendë” , tha duke u drejtuar nga busti i Korifeut. I afruam një karrige, dhe ai pasi bëri një rrotullim  u ul e qëndroi tamam përballë bustit të  Korifeut  dhe ashtu shtruar  vazhdoi:

“Këto kohë do ju bezdisë pak ju si staf të mësuesve dhe të nxënësve se do të vijë të bisedoj dhe të çmallem me “Dëshmorin e Kombit”, Hajredin Fratari. Do të flas me patriotin, me atë që ndezi shkëndijën e parë të dijes dhe kulturës në Mallakastër! Jam i lumtur që pluhri i harresës hedhur mbi të u zhduk tani njëherë e përgjithëmonë dhe kjo shkollë ka fatin e madh që mban emrin e këtij njeriu të madh”!

“Ne të falenderojmë ty nga zëmra” i tha Drejtoresha e shkollës, pasi je nxenësi i të parës shkollë shqipe në Mallakastër dhe bashkë me ty vjen tek ne krenaria dhe madhështia e asaj dite të madhe kur në Mallakaster filloi drita e diturisë falë visionit të Korifeut tonë Hajredin Fratari, Dëshmor i Pavarësisë ! 

“Lisi i Moçëm” vazhdoi të përlotej dhe me zë të mekur ca nga mosha e  ca nga emocionet filloi të fliste ngadalë: “Dje duke parë të ngjitej busti i Korifeut për në katin e dytë të shkollës se si m ‘u kujtua filmi “I Teti në Bronx”, ai kushtuar “Komisarit Memo”,  e ja ashtu po thoja me vete: “Një komisari i bënë një filëm të tërë, por pse nuk ja bënë dhe një fisniku si Hajredin Fratari që dha jetën për pavarësinë e Atdheut dhe që shkriu  të gjithë pasurinë për atdhe, patriotin që në lule të moshës, vetëm 26 -vjeç mendoi dhe hapi të parën shkollë shqipe ne Mallakastër?  Dëshmorin e Kombit e lanë në harresë për 50-vjet! Por burrat e mëdhenj i mban në gjoks populli dhe po ke vend tek zemra e popullit nuk vdes kurrë. 

Më pas “Lisi i Moçëm” nxori  nga gjoksi dy libra : “Bagëti e Bujqësi” dhe “Lulet e Verës” të Naim Frashërit dhe ja dha Drejtoreshës së shkollës duke i thënë: “Janë dy kopjet origjinale që i kam ruajtur me fanatizëm. Ato m’i ka dhuruar mësuesi i parë i shkollës shqipe, zoti Ibrahim Frashëri!E parandjeja që do të vinte kjo ditë. Ndaj po ja fal biblotekës së shkollës që ju dhe brezat qe vijnë të mos e harrojnë kurrë  Korifeun, si dhe të mos harroni të parin mësues në këtë shkollë, Ibrahim Frashërin i cili më ka mbetur në mendje edhe sot mbas 100-vitesh. Portreti i këij mësuesi për mua mbetet shumë i dashur. Mbante në kokë një kapele që i shkonte shumë kostumit të zi me vija të bardha që e vishte me një jelek që ndrite si ari, me një këmishë të bardhë si kartë cingari dhe me një palë këpucë që shkëlqenin nga llustra. Fjala e tij e ëmbël dhe buzqeshja me çdo nxënës dhe çdo njeri ishin tiparet më të dukshme. Kishte një biblotekë të pasur me vepra të autorëve shqiptar dhe të huaj.Vanë 5 burra me kuaj në Gjirokastër për t’i marr librat e tij dhe Hajredini bëri një sënduqë të madh për t’i stivuar ato”. 

Mbas këtij takimi emocionues e ftova “Lisin e Moçëm” për një kafe. Duke zbritur shkallët e katit të dytë e zura për krahu, por më tha:”Lëshomë se zbres vet”. Dhe i zbriti shkallët  me ndihmën e shkopit legjendar që se hiqte kurrë nga dora.

Rrudhat e ballit kishin në dukje një brengë të madhe. Shkopi magjik që mbante në dorë kërkonte të fliste !Ky shkop kishte ardhur nga Turqia dhe e pati sjellë vetë Hajredini. Më  pas kishte kaluar dorë më dorë tek pleqtë e fshatit nga brezi në brez. Adeti ishte, shkopin duhet ta mbante më i moçmi i fshatit. Mbas vdekjes, djali i të moshuarit ja dhuronte plakut më të moshuar të fshatit.  Ky shkop kishte mëse një shekull që ishte pagëzuar si “Shkopi Magjik”.  Me këto mendime në kokë hymë në lokal. U ulëm në tavolinën e fundit. Erdhi kamarjeri dhe mori porosinë. Unë desha t’a pyesë për “Pengun e jetës”, por ai ma lexoi mëndjen dhe e nisi i pari bisedën:  “Kam kaluar shtatë qeveri more bir”, më tha, dhe nisi t’i numëroj:”Qëverinë Turke! Qeverinë e Ismail Qemalit! Princ Vidin! Qeverinë e Mbretit Zog! Qeverinë e Fan.S.Nolit!  Qeverinë e Enver Hoxhës!Qeverinë e Demokracisë!”

Ndërkohë na erdhi porosia me të dy gotat e rakisë. Ai e mori i pari gotën dhe nisi urimin: “Gëzuar!Mbretëroftë në jetë të jetëve vepra dhe kontributi i Korifeut për çështjen Kombëtare!Mos u shoft kurrë shkëndia që ndezi Korifeu për arsim, dituri dhe kulturë në Mallakastër!I pa harruar emri i Hajredin Rakip Fratarit! Në ato çaste m’u duk sikur u çlirua nga një barrë e rëndë që mbante mbi supe.

“Amin!Të lumtë goja” –  ja kthej me dolli. 

 “Na është vjedhur historia mor bir! S’ka poshtrim më të madh për një njeri, për një fshat, për një krahinë apo për një komb sesa t’i vjedhësh historinë! Dhe kjo ka ndodhur me Korifeun, me fisin, fshatin dhe krahinën tonë! Ai burrë nuk i ka borxh kujt! Atij, djalit të tij Rauf Fratarit,  familjes së tij, si dhe fisit dhe fshatit të tij i ka borxh rregjimi i Enver Hoxhës! Historia nuk është mall, plaçkë a send që ti t’a vjedhësh dhe ti të bësh tregëti me to! Jo, dhe e ngriti akoma më shumë zërin. Ajo është Fisnikëri!Personalitet!Dashuri! Dinjitet!Diamanti më i shtrenjtë për një njeri, fshat, krahinë apo Komb”! Se sikur e di edhe ti, Hajredin Fratari u kthye në fillimet e shekullit 20-të nga Turqia në Shqipëri me një mision të madh në mëndje: Të hapte shkollën shqipe dhe të organizonte “Lëvizjen për çështjen Kombëtare” duke dhënë kushtrimin: “Burrat në luftë!Fëmijtë të nisin shkollën”!Dhe kjo nuk ishte rastësi. Shokët e tij Rilindas në Shqipëri kishin ndezur me dhjetra “Shkëndi” të arsimit shqiptar. Një “Shkëndi” e tillë i duhej dhe vendlindjes së Hajredinit.Ai kishte ardhur me një plan të qartë në kokë ndaj menjëherë nisi të përgatisë klasën për hapjen e shkollës së parë shqipe në shtëpinë e tij. Kështu në pranverën e vitit 1906-të, së bashku me Veiz.S.Zeqaj(Hoxha i zonës) organizoi takime me burrat e fshatit dhe të fshatrave të tjerë të Mallakastrës së Sipërme për të dërguar fëmijtë në shkollë. Ai nuk bëri dallime në shtresat e ndryshme shoqërore. Nuk kërkoi taksa (pagesë)për shkollën, nuk kërkoi pagesë strehimi për mësuesit, nuk kërkoj pagesë për ndërtesën, dhe as nuk kërkoj shërbëtor për të shërbyer në shkollë.

Hapja e shkollave shqipe në Shqipëri dhe shpallja e Pavarsisë ishin çeshtje të Platformës të Rilindjes Kombëtare dhe ai ishte dhe mbetet një Rilindas i madh!  Ai shumë mirë mund të kishte zgjedhur rrugën tjetër, atë të interesit personal sepse ndërkohë ishte emëruar nënprefekt në  Prefekturën e Janinës. Por ai ishte fisnik dhe në zemër i vlonte ndërgjegja kombëtare!”

 “Të mërzita”!-më tha, 

-Jo!Është kënaqësi!-i thashë. Dhe “Lisi i Moçëm” vazhdoi:

“Klasat i përgatiti në katin e dytë të shtëpisë së vet shtruar ne parmak dhe qilimn të bër në tezgjah. Tavani ishte i gjithi i punuar me dhogë pishe.  Vuri në dispozicion të shkollës të emën Havakon dhe të kunatën Xhidan të cilat përgatisnin klasat për mësim si dhe çdo ditë bënin petulla për fëmijët që vinin në shkollë apo u jepnin sheqerka që i merrnin nga Turqia. Oborrin para shtëpisë dhe sheshin e lagjes i shtroi me kalldrëmë guri (gjurmët e të cilave janë dhe sot). Në klasa u vendos Flamuri Kombëtar (i qendisur me dorë nga nënë Xhidaja) si dhe portreti i Skënderbeut. U vendosën gjithashtu tavolina të rrumbullakta dhe stola të vegjël për t’u ulur nxënësit. Solli dy mësues, Ibrahim Frashërin dhe Qazim Rustemin, të cilët deri sa u mbyll shkolla qëndruan te shtëpia e Korifeut. Nxënësit vinin jo vetëm nga Bejari, por dhe nga fshatrat përreth: Ninsh, Damës,Kutë Çorrush etj. Në shkollë vinim edhe 8 vajza dhe më vonë numri i tyre u shtua. Vajzave u jepte mësim e shoqja e Korifeut, Sabretja.  

Mjetet didaktike i pruri Korifeu po vetë nga Turqia. Një ndihmese për to dha dhe mësuesi i turqishtes Adem Efendiu,  i ndikuar nga Veiz.S. Zeqaj (cili kishte mbaruar bashkë me të shkollën në Turqi). Por fatkeqësisht pas 9-muajsh shkolla u mbyll nga trysnia turke dhe dinakëria e autoriteve turke të cilat e detyruan Hajredin Fratarin të shërbente si nëprefekt në Izmiri, se gjoja padishau ka shumë besim tek aftësitë e tij të larta. Hajredini e kuptoi fort mirë se kjo ishte një manovër për ta larguar nga vatra e tij, atje ku ai ndezi dritën e diturisë.  Kur u mbyll shkolla shkuan për të sekuestruar bazën didaktike në klasa dhe te dhoma ku flinte mësuesi gjetën disa libra të cilat i dogjën tek sheshi me kalldrëm. Ata muarën shumë pak lodra, të tjerat i mori nënë Havakua me nënë Xhidaja dhe i mbyllën në sepete të cilat i kishin mbyllur në qilarn në një vend të sigurt. Ato  më pas u përdorën mbas vitit 1909 kur rifilloi shkolla.

Por asgjë se ndali birin fisnik të Mallakastrës të vazhdonte luftën dhe përpjekjet e tij për lirinë e mëmëdheut. Ai do të jetë shumë shpejt përkrah Ismail Qemalit dhe së bashku me grupet çlirimtare të jugut do të printe betejat që liruan jugun e Shqipërisë dhe që i hapën rrugën Ismailit  për te ngrituar flamurin tamam e në Vlorë”

Më pas “Lisi i Moçëm” morri gotën dhe e ngriti lart : 

“Gëzuar! Për të gjithë mësuesit e ardhëshëm që janë pasqyra e Kombit” ! më tha duke çokur gotat.

“Po pengu që mban cili është”? e pyeta me kujdes pa i lënduar shpirtin. Mori frymë thellë m’u drejtua duke më parë në sy.

“Ah! More bir”! “E shikon këtë kraharor? Dhe duke më treguar me dorë gjoksin vazhdoi: “Ky ka mbajtur brënda për 50- vjet dhimbjen e madhe”.  Nxorri shaminë e rrudhosur dhe fshiu lotët, ndërkohë e ndjeva që edhe unë isha përlotur. Dhe vazhdoi rrëfimin: “Në vitin1946-të kur rifilloi shkolla të gjithë shpresonim se “xhonguli” do të vinte në vend. Shkolla e Bejarit do të merrte emrin e Korifeut Hajredin Fratarit pra do të sosej një amanet i trevës së Mallakastrës! Por jo! Jezitët! Jezitët more i vraftë Zoti nuk e pranuan! Me gjithë këmbënguljen tonë si fshat dhe kërkesat e vazhdushme në instucionet e shtetit, ata nuk e pranuan. Mbretëria e Zgërbenjve të Enver Hoxhës nxuarën si pretendim se ai, Hajredin Fratari ishte babai i Nacionalistit Rauf Fratarit që ishte shpallur Armik në “Emër të Popullit” dhe që e kishin dënuar me vdekje në mungesë, se Raufi qe arratisur pasi kishte qënë që ditën e parë kundër komunistave dhe kishte luftuar në krah të Mit’hat Frashërit e Abaz Kupit! Ata bile e fshin Korifeun Hajredin Fratari edhe nga harta e Dëshmorve të Mallakastrës! Turp e për faqe të zezë!E poshtëruan Bejarin duke i vjedhur historinë dhe për gjysmë shekulli nuk e zunë në gojë Yllin (Korifeun)! Po s’mund të mbulohet Ylli me jorganin me pleshta, o bir?! Ky ishte pengu im more bir, ky!” dhe sikur u mbush me frymë e nga sytë vazhdonit t’i binin lotët. Me vendosjen e emrit Hajredin Fratari shkollës së mesme  të përgjithshme në Fratar dhe me ardhjen e bustit të tij jam çliruar i tëri jo vetëm unë por gjithë Mallakastra dhe Shqipëria. Eh mor bir: lum ai që mbjell dritë e hedh gjurmë të  mira. Ta dish ti si e gjithë Mallakastra, Berati, Skrapari Tepelena e qau birin e saj kur morri vesh se forcat e Haxhi Qamilit kishin pushkatuar në të ardhur të 27 Prillit djalin e tyre që ishte i parë në dije, në gojë e në pushkë. Dëshmitarët e asaj kohe rrefenin sesi Musa Qazimi kishte dashur vetë të përballej me Hajredinë në burgun e Beratit. Musa Qazimi që thua ti, në atë kohë ishte kryemyftiu i Tiranës, por meqë mbahej si më i paudhi dhe i tmershmi i haxhiqamilisve e kishin dërguar të shtypte revoltën e jugut dhe të nginte prap në jug flamurin e gjysmëhënës. Thonë se Musa Qazimi  përpara pushkatimit i bën thirrje Korifeut  të kthehej në rrugën e padishaut. Hajredini i lidhur me zinxhirrë të ndryshkur ja kthen me fjalët që të rrëqethin mishtë kur i dëgjon edhe sot: ‘Shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, zemrën e babës për të qëndruar si burrat dhe gjakun e tyre, atë që i duhet për atdheun’! 

‘Atëhere të qoftë rruga e mbarë’ , i kthehet Musa Qazimi dhe jep urdhër të ekzekutohet. 

Përpara se ta qëllonin Korifeu u drejtohet të 12 mercenarëve haxhiqamilsa : ‘Ju nuk shikoni dot në këtë errësirë, por do të gdhijë dita dhe gjaku im, së bashku me diellin , do t’ju çelë sytë dhe do t’ju japë dritë fëmijve tuaj të pafajshëm’ ! Ai ishte vëtëm 35 -vjeç dhe la pas gruan e re me dy djem te veçkël, Skënderin dhe Raufin. Por ai la edhe një emër të madh, i qoftë shpirti falë ,se kush vdes për Atdhe është gjithmonë gjallë ”. 

Kështu përfundoi rrëfimin e tij “Lisi i Moçëm”. Falë kujtimeve të tij dhe ish – bashkëkohësve të tij, edhe sot na vijnë të gjalla shumë ngjarje të atyre kohëve të lavdishme që lindi heronj.  

Kur Shekulli i XXI

Nisi udhën si fëmijë

Derdhur në bronz

I gjallë , Hajredin

Tek ne erdhe Ti

Pajtim Sejdinaj 

Ish mësues i letërsisë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme të Mallakastrës “Hajredin Fratari”. 

Prill 2024 

Filed Under: Histori

JUNIOR RED CROSS NEWS (1921) / AUTORJA DHE UDHËTARJA AMERIKANE ROSE WILDER LANE : “DJALOSHI KËPUCAR I SHQIPËRISË QË DËSHIRONTE TË SHKOLLOHEJ…”

April 22, 2024 by s p


Djemtë shqiptarë po korrin një shpërblim në dije përmes një investimi relativisht të vogël të bërë nga amerikanët e rinj — Burimi : Junior Red Cross News, nëntor 1921, faqe n°39
Djemtë shqiptarë po korrin një shpërblim në dije përmes një investimi relativisht të vogël të bërë nga amerikanët e rinj — Burimi : Junior Red Cross News, nëntor 1921, faqe n°39

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Prill 2024

“Junior Red Cross News” ka botuar, në nëntor të 1921, në faqen n°39, rrëfimin e autores dhe udhëtares amerikane Rose Wilder Lane asokohe për një djalosh shqiptar nga Durrësi që dëshironte të shkollohej, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Djaloshi këpucar i Shqipërisë

Nga Rose Wilder Lane

Burimi : Junior Red Cross News, nëntor 1921, faqe n°38-39
Burimi : Junior Red Cross News, nëntor 1921, faqe n°38-39

Disa ditë më parë, kur fëmijët amerikanë po mbaronin pushimet dhe po planifikonin vitin e ri shkollor, një djalë në Durrësi i Shqipërisë, dëgjoi se një shkollë amerikane sapo po hapej në Tiranë. Paraardhësit e tij ishin vëllezërit e gruas, djali i së cilës ishte Aleksandri i Madh, por ai vetë ishte vetëm ndihmës i një këpucari. Ai u ul gjatë gjithë ditës këmbëkryq në një dyqan të vogël të hapur në rrugë dhe fabrikonte këpucë. Pranë tij kishte pirgje lëkure dhie të nxira; ai preu tabanin e këpucëve nga këto lëkura, i zhyti butësisht në ujë, ktheu skajet e tyre dhe thuri një dantellë të fortë dhe të bukur me rripa lëkure të papërpunuar mbi gishtat e këmbëve, në shpinë dhe rreth kyçeve të këmbës. Kjo ishte mënyra se si ai i bënte këpucët. Ndërsa punonte, pa njerëzit që po kalonin në rrugën e ngushtë e me baltë; malësorë dhe xhandarë, gra fshatare që mbanin foshnja në djepa në shpinë, gomerë të ngarkuar, gra myslimane të mbuluara dhe burra të mrekullueshëm në të kuqe, blu dhe ar, me thika argjendi dhe pistoleta në brezat e tyre. Ndonjëherë në turmë kishte amerikanë, të veshur çuditërisht me pantallona dhe pallto të drejta dhe me jaka të bardha, të veshur pa ngjyra dhe që nuk flisnin asnjë gjuhë që mund ta kuptonte.

Gjeloshi e dinte që ata vinin nga vendi më i pasur në botë dhe duke punuar dëgjonte thashetheme. Ai dëgjoi gjëra të pabesueshme për makinat. Një ditë me sytë e tij ai pa një makinë që kaloi pranë dyqanit të tij; ishte një karrocë e madhe, e ulët me katër rrota, e cila nuk tërhiqej apo shtyhej nga asgjë, por që shkonte sikur të ishte e gjallë dhe në të hipnin amerikanët. Pas kësaj, ai mësoi se në Tiranë amerikanët po krijonin një shkollë për të mësuar shqiptarët se si të fabrikonin makineri.

Ai nuk kishte para. Çdo ditë darka e tij kushtonte gjithçka që kishte fituar gjatë ditës, kështu që ai nuk mund të kursente asgjë. Të afërmit e tij ishin vrarë ose varfëruar të gjithë si ai në luftërat e shumta që nga viti 1908, kështu që nuk kishte njeri që ta ndihmonte. Por ai donte të shkonte në atë shkollë.

Nuk mendoj se djemtë dhe vajzat amerikane, paratë e të cilëve e ndërtuan atë shkollë, mund ta kenë idenë se sa shumë ai donte të shkonte në të. Ai e donte aq shumë sa Aleksandri donte të pushtonte botën. Ai tha me vete: “Unë jam një krijesë shumë e vogël në një botë të madhe. Unë nuk kam kthetra, as krahë, si kafshët; Unë jam një burrë dhe kam një mendje me të cilën të bëj rrugën time. Unë duhet të pushtoj botën duke ditur për të. Unë duhet të mësoj.”

Kështu një ditë ai i tha këpucarit se po largohej dhe duke marrë një copë bukë misri në çallmën e tij dhe duke mbajtur këpucët në brez që të mos konsumoheshin, ai shkoi në Tiranë, e cila ishte vetëm dyzet milje larg. Ai takoi z. Crawley, drejtorin, në ndërtesën e Kryqit të Kuq për të Rinj (Junior Red Cross), dhe i tha atij, nëpërmjet përkthyesit : “Unë jam trembëdhjetë vjeç. Unë nuk kam para dhe mjete, por mendja ime dëshiron dijen si shkretëtira dëshiron shiun. Nëse do të më blesh një komplet mjetesh këpucari, që do të kushtojnë 100 lira, unë do të punoj çdo orë që nuk jam duke studiuar e as duke fjetur. Unë do të bëj dhe do t’i rregulloj të gjitha këpucët për shkollën. Kur të jem burrë do të kthej 100 lirat.”

Sot, njëqind lira janë rreth katër dollarë dhe drejtori mendoi se amerikanët e rinj do të ishin të gatshëm të jepnin hua atë shumë. Por ai tha : “Djemtë e tjerë tashmë kanë studiuar anglisht. Ju duhet të jeni në gjendje të lexoni, shkruani dhe flisni anglisht brenda gjashtë javësh, sepse nuk ka tekste në gjuhën shqipe dhe kur të fillojë viti shkollor, të gjitha punët duhet të bëhen në anglisht.”

“Shumë mirë, do të mësoj anglisht për gjashtë javë”, tha Gjeloshi.

Drejtori e çoi nëpër oborr në dhomën ku pesë djemtë më të zgjuar po bënin punën e javës së dytë në anglisht.

Gjeloshi dëgjoi me gjithë zemër, mendje e shpirt.

Në fund të asaj ore të parë, ai dinte dhjetë emra, tre kohë me gjashtë folje dhe dinte të shqiptonte çdo fjali në anglisht që do të bënin. Kur drejtori u largua nga ai në fund të asaj ore, ai tha në anglisht — dhe deri në atë orë nuk dinte asgjë më shumë nga sa dimë ne për shqipen — “Faleminderit, zotëri. Unë do të mësoj.”

Unë them, i heq kapelen djemve të tillë në shkollën e Tiranës ! Në Amerikë duart e tua janë plot mundësi, saqë, pa humbur atë që ke dhënë, i ke pasuruar këta djem. Por është vetëm një prej nesh që mund të ndihet superior ndaj tyre: ai që mund të mësojë më shumë se Gjeloshi në gjashtëdhjetë minuta!

Filed Under: Histori

SHKOLLA E XHANDARMËRISË NË GJIROKASTËR, E PARA NË SHQIPËRI

April 20, 2024 by s p

(Në 105-vjetorin e themelimit të shkollës së parë të xhandarmëri/policisë së Gjirokastrës 1919-2024, me programe e instruktorë të Karabinerisë, me përvojë në fushën e policimit në Italinë fqinje)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Gjirokastra e arsimimit, kulturës dhe shkollës së parë të Xhandarmërisë në Shqipëri.

Një poet gjirokastrit e përcakton qytetin e gurtë në limitet e dashurisë njerëzore: “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”. Duke hulumtuar në dokumentat e fillimshekullit të kaluar, rezulton se Gjirokastra, qyteti i aristorkrat ka pasur etjen për dituri, arsim e kulturë, por edhe për rend, qetësi e siguri publike. Kështu rezulton se e para shkollë e Xhandarmërisë, me funksione policore në Shqipëri është hapur në fillim të vitit 1919 në Gjirokastër. Kjo dokumentohet edhe përmes fotove të gjetura në Gjirokastër nga koleksionisti i njohur gjirokastrit Girando Koti dhe Konsulli i nderit të Italisë në Gjirokastër Teodor Bilushi.

Në “Ballafaqime politike” të Sejfi Vllamasit, është viti 1916 kur autoritetet italianë krijuan Milicinë e Gjirokastrës me dy rregjimente me nga tre batalionenjë forcë prej 2800 vetësh nën komandën e gjeneral Ferreros, Çdo njësi milicie drejtohej nga një major italian dhe një nënkomandat shqiptar, ku nga shqiptarët ishinKasëm Radovicka, Riza Cerova, kapiten Zef Pali, kapiten Halo Kuci. Në gati dy vite oficerët e nënoficerët shqiptarë ishin trajnuar në Itali dhe ishin inkuadruar në milicinë shqiptare në Gjirokastër dhe zonën e vet të pushtimit, ku nga 45 oficerë nëntë prej tyre ishin oficerë akademikë. Gjithë organizimet e Xhandarmërisë dhe milicisë shqiptare në këtë periudhë lidheshin me Urdhërin e Komandës së Lartë të Forcave italiane në Ballkan që mban datën 19.1.1919, që hyri në fuqi si dekreturdhër më datën 15.2.1919. Këtu përfshihej edhe spektri i kurseve e trajnimeve të përbashkëta italo-shqiptare. Prurjet dokumentare dhe fotografike nga Gjirokastra, Shkodra, Vlora, Korça, Burreli, AQSH, AQSHF, etj., janë vlerë për themelet e arsimit të xhandarmërisë dhe policisë në fillim të shekullit të kaluar. Të dhënat për Shkollën e parë të Xhandarmërisë dokumentohen dhe përmes fotos së parë në kalanë e Gjirokastrës, për 120 kursantët e parë të drejtuar nga instruktorë italianë të Karabinerisë, por dhe shqiptarë, një përvojë e shkollave më të përparuara të perëndimit. Kursantët e parë të shkollës së Xhandarmërisë ishin gjirokastritë kryesisht nga fshatrat përreth, por edhe nga Delvina, Tepelena e Përmeti.

Në Gjirokastër dokumentohet gjithashtu aktiviteti i shkollës së Xhandarmërisë që në pranverën e vitit 1919, shkollë e hapur përpara shkollave të tjera në Shqipëri. Nga ana tjetër është edhe një fakt interesat, se edhe sheshi “Çerçiz Topulli”, rrëzë kalasë përpara se të merrte këtë emër të madh të historisë shqiptare quhej: “Sheshi i Xhandarmërisë”. Ky ishte sheshi historik dhe më kryesor i qytetit të Gjirokastrës, që pas përgatitjes nga Odhise Paskali (ishin kontaktuar edhe skulptori italian Givera dhe skulptori vjenez Bildshauer Perseshuer) dhe vendosjes së monumentit të Çerçiz Topullit më 1934, ndërkohë që emërtimi i sheshit “Çerçiz Topulli” ishte bërë pas Luftës së Vlorës, më qershor 1922. (Monumenti që kushtoi 3600 franga ari u ngrit me kontributin e gjirokastritëve nën drejtimin e kryetarit të bashkisë Sami Kokalari, si dhe u përurua më 18.3.1934). Sheshi i “Xhandarmërisë” (Policisë) u emërtua sheshi “Çerçiz Topulli” në qershor 1922 me nismën e Veli Hashorvës dhe Javer Hurshitit. Ideja e bustit ishte hedhur nga gazetari shqiptaro-amerikan Xhevat Kallajxhi, kur kishte vizituar statujat e mahnitshme italiane më 1927.(Revista “Minerva” e Nebil Çikës 15.5.1934). Rol luajtën edhe gazeta Demokratia si dhe Beso Gega, Galip Çano, Xhevat Kallajxhi, Vasil Lito, Aleks Çeçi, Xhevdet Xheneti, Sami Kokalari, Foto Tola, Elmaz Hajdëri dhe Bame Mezini. Shatorja është qëlluar nga një ushtar italian gjatë pushtimit italian gjatë LIIB. Pranë bashkisë, shtatores 2.6 m e lartë prej bronxi të Çerçizit, në ish-sheshin e Xhandarmërisë funksiononte lokali i njohur “Shqipja”, që më vonë do emërtohej edhe “Bela Venecia”. Por përtej etiketimeve të xhandarmërisë emri i dëshmorit dhe heroit të kombit Çerçiz Topulli do të bëhej nderi, krenaria dhe pjesa më e njohur e qytetit të Gjirokastrës bashkë me kalanë, kalldrëmete shtëpitë e njohura të qytetit të gurtë. “Qyteti dhe kalaja e ergjëntë duket se kanë dalë nga mali.. dhe një zgjatim labirintik i malit”, ose sikurse e quante Dervish Mehmet Zilli (Evlia Çelebi 25.3.1611-1682) më 1672: “Kalaja e Gjirokastrës është një kështjellë e pashembëllt”. Objekti i këtij shkrimi është pikërisht fillesat e arsimimit të Xhandarmërisë dhe të trajnimit të trupave xhandare si dhe atyre të xhandarmërisë me funksione policore. Megjithëse gjatë pushtimit osman kanë ekzistuar në Shqipëri si policia dhe xhandarmëria me detyra të ndara dhe me pika takimi midis tyre.Me vendim të QPVmë mbledhjen e 13.1.1913 e shkruar në osmanllisht në pikën I. Është shkruar “ësëhtë e nevojshme të bëhet një reformim në çështjet e financave dhe në ato të qetësisë publike” dhe në pikën II “Organika e xhandarmërisë dhe pagat”… “..ky organizëm do të vihet në zbatim më 1.2.1328/14.2.1913”.(AQSH, Fondi 254/II, 1912, Dosja 69/1 origjinali në osmanllisht dhe përkthim në shqip).

Pas Shkollës së Xhandarmërisë së Gjirokastrës edhe si nevojë e domosdoshmëri e kohës, vëmendja e elitës intelektuale shqiptare, dhe veçanërisht pas Kongresit të Lushnjës e Luftës së Vlorës, rithemeluan institucionet shqiptare, që në këndvështrimin historik mund ta quajmë dhe pavarësia e dytë e Shqipërisë. Edhe pse ka pak të dhëna dokumentare e fotografike përsëri është e njohur se në truallin gjirokastrit, vendit që është i etur për arsim, kulturë e dituri u themelua Shkolla e Xhandarmërisë që përgatiti, trajnoi dhe formoi plotësisht një trupë xhandarmërie të njohur, megjithë kufizimet e kohës nën pushtim. Kursantët kishin një trupë instruktorësh të Karabinerisë italiane si dhe oficerë shqiptarë që kishin mbaruar studimet në Turqi ose në shkollat e Perëndimit. Kursantët ishin prurje rajonale nga Gjirokastra, Libohova, Delvina, Tepelena e Përmeti. Përzgjedhja ishte veçanarisht për parametrat truporë. Pavarësisht se kohëzgjatja e shkollës së parë të Xhandarmërisë me funksione policore nuk ishte shumë jetëgjatë, ajo është një ndër gurëthemelet e arsimimit të Xhandarmërisë dhe policisë në Shqipëri. Shkolla e Xhandarmërisë së Gjirokastrës u pasua me hapjen e shkollës së xhandarmërisë në Vlorë dhe më tej me Shkollën e xhandarmërisë së Tiranës të hapur më 5.6.1919. Shkolla e Tiranës drejtohej nga major Ali Shefqeti dhe më pas nga major Ismail Haki Kuçi.

*

Përpjekjet e para të arsimimit policor. Qetësia dhe rendi publik parësore

Në luftrat ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore, Shqipëria ishte bërë shesh lufte ku shkeli këmba e mbi 250 mijë ushtarëve të shtatë ushtrive: italianë, austro-hungarezë, francezë, bullgarë, grekë, malazezë e serbë. Struktura e parë që në qeverisjen e Ismail Qemalit kreu funksione të rojes, xhandarmërisë e policisë por dhe të gardës ishin 400 luftëtarët shqiptarë të ardhur nga Kosova. Nuk është e rastit që Ismail Qemali i kërkonte Isa Boletinit dy djem besnikë nga shqiptarët e Kosovës që e kishin shoqëruar atë për në Vlorë, për t`i bërë roje tek dera e zyrës së qeverisë të porsaformuar. Fakt është se ai nuk e kishte menduar kurrë se me atë veprim, pa dashur po sanksiononte themelet e armës së Xhandarmërisë së ardhshme të shtetit shqiptar, fuksionet policore por dhe të Gardës shqiptare të ruajtjes e mbrojtjes së personaliteteve të shtetit. Kështu Isa Boletini, teksa urdhëronte ata dy djem të rij nga Kosova, që quheshin Ahmet Llapi (nga zona e Llapit) dhe Halim Bajgora (nga Podujevë), për të ruajtur kryeministrin e parë të qeverisë së porsakrijuar, po ashtu nuk e kishte menduar kurrë, se i kishte dhënë vetes atributet e Komandantit të Gardës, në qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Fakt është se gjashtë javë pasi ishte shpallur pavarësia e 28 Nëntorit 1912, nga Kuvendi i Vlorës, më 13.1.1913, qeveria e Ismail Qemal bej Vlorës vendosi krijimin e forcave të rendit. Porosia e babait të Pavarësisë, për shtetin që po ngrinte për herë të parë për shqiptarët ishte pikërisht për ruajtjen e rendit, qetësisë: “Përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”. (AQSH, Fonde dokumentare, Viti 1912, Dosja 1, Dokumenti nr. 723/19 datë 28.11.1912). Qeveria e Përkohshme e Vlorës, nxorri Vendimin për Krijimin e Forcave të Rendit, që përbëheshin nga forca Policore dhe forca xhandare (AQSH. Fondi dokumentar nr. 245/II, dosja 69, faqe 1). Për herë të parë në një qeveri shqiptare nisi të funksiononte Zyra e Sigurimit Publik, që po të shqipërohet ishte “Drejtoria e Policisë shqiptare”. Të dhënat arkivore flasin se, Qeveria ngarkoi me detyra për organizmin e xhandarmërisë Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin, ndërkohë funksionet administrative i kryente policía. Drejtor i parë i plocisë ishte caktuar Halim bej Gostivarin. Në muajin qershor 1913, Xhandarmëria mori formë funksionale pasi u formuan tre batalione të drejtuara nga major Hysen Prishtina në Vlorë, kapiten Ali Tetova në Berat dhe major Ismail Haki Tatzati në Elbasan. Më 3.6.1913 u vu në zbatim rregullorja e Qeverisë së Vlorës “mbi formimin e Milicisë shqiptare” e shkruar në gjuhën osmane dhe e përkthyer në gjuhën shqipe. Qeveria e Vlorës më 20.12.1913, nxori dekretin e përkohshëm “mbi krijimin e xhandarmërisë së jugut”, ku misioni hollandez i Kolonel William I. H. De Weer-it, i ardhur në nëntor 1913 kontribuoi në formimin e katër reparteve xhandare me treqind vetë secili. Në muajin mars 1914 erdhën disa oficerë të tjerë holandezë, të cilët shpërndanë 4 detashmente të krijuara më parë. Oficerët hollandezë ishin të ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha për organizimin e forcave të armatosura shqiptare. Me zhvendosjen e kryeqytetit nga Vlora në qytetin e Durrësit, në krye të policisë erdhi Veli Vasjari. Bazuar në statutin organik të 10 prillit 1914, ose kushtetutës së parë të vendit, kapitullit IX të Statusit Organik të Shqipërisë, në Forcat e Armatosura bënin pjesë Xhandarmëria e Milicia. Milicia ishte një “forcë ushtarake vendëse territoriale dhe sedentare” dhe në kohë paqeje mbështeste veprimet e xhandarmërisë.

Zanafilla e krijimit të arsimit të Xhandarmërisë, që nisi në kalanë e Gjirokastrës daton menjëherë pas përfundimit të LIB, rreth mesit të shkurtit të vitit 1919. Ishte koha kur Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë dhe organizator i saj ishte kolonel Ridolfi dhe ndihmës i tij major Banush Hamiti.

Por tendencat e para të shkollimit i gjejmë në Shkodër më 1916, me mbështetjen e komandësë austro-hungareze në Shqipëri përzgjodhi afro 40 djem, të cilët u dërguan në shkollat ushtarake të Austrisë. (“Shqipënija më 1937”, Veprimi shtetnor gjat njëzet e pesë vjetëve të parë të vetqeverrimit Vëllimi I (1912-1937), Tiranë, 1938, faqe 89). Më 10.12.1916, u krijua Republika “franceze” e Korçës, e drejtuar nga Themistokli Gërmenji dhe kapiteni francez Henri Descoins, u krijua prefektura e policisë dhe zyrat e policisë.

Pas përfundimit të LIB më 25.12.1918, qeveria e ngritur në Durrës, nën komandën e Major Ismail Haki Tatzati, organizatorit italian Ridolfo, e major Banush Hamdiu, formuan një forcë xhandarmërie dhe një vit më vonë u hap një shkollë për aspirantë dhe xhandarë në Tiranë, më 5.6.1919 me komandant Ali Shefqeti dhe më vonë Haki Kuçi. Në gusht 1919, u formuan batalione xhandarmërie në qendrat e prefekturave. Pas Kongresit të Lushnjës dhe formimit të qeverisë së Tiranës të Sulejman Delvinës u bë riorganizimi i forcave të rendit. Varësia e xhandarmërisë sipas rregulloreve ishte tërthorazi nga Ministria e Punëve të Brendshme për qetësinë dhe nga Ministria e Drejtësisë për zbatimin e vendimeve të gjykatave. Ndarja administrative teritoriale organikisht ishte bërë në qark (në çdo prefekturë), rreth (në çdo nënprefekturë), postkomanda (në çdo krahinë ose fshat). Xhandarmëria ndahej në 9 qarkkomanda, 40 rrethkomanda si dhe shumë post-komanda.

Aparati shtetëror, pas vitit 1925 u riorganizua dhe Xhandarmëria u nda në 4 zonëkomanda me qendër në Tiranë, Shkodër, Peshkopi, Sarandë që komandoheshin nga kapitenët Preng Previzi, Fiqri Dine, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema. Por krahas xhandarmërisë, me 22.12.1925, u krijua si strukturë e posaçme edhe policia, e cila kishte zyrat e saj në Tiranë, Berat, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Durrës. Policia kishte funksione gjurmuese dhe administrative dhe ishte në varësi të prefektit. Kjo vijoi përgjatë gjithë periudhës së Republikës së parë shqiptare, pra në vitet 1925-1928.

Në vitet e mbretërisë Xhandarmëria dhe Policia kishte specifikat e veta, pasi bazuar në ligjin e 18.5.1933, Arma e Gjandarmërisë Mbretnore ndahej në Komandën e Përgjithshme, Komandën e Shkollës së Gjindarmërisë, 10 komanda qarqesh, 31 komanda rrethesh, 253 komanda postash. Në pikëpamja ushtarake vartësinë e kishte nga Komanda e Përgjithshme. Rendi dhe qetësia publike varej nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa shërbimi i policisë gjyqësore nga Ministria e Drejtësisë. Policia, që u krijua më 22.12.1925 me tetë zyra në qytetet kryesore funksionuan deri më 1935, kur qeveria “Pandeli Evangjeli” me dekretligjin e 25 qershorit 1935, policia u shkri dhe në vend të saj u vendos xhandarmëria qytetëse, nën urdhrat e prefektëve, nënprefektëve e kryetarëve të komunave. Fakt është se bazuar në dokumentet zyrtare Komanda e Xhandarmërisë në dhjetor të vitit 1927 në Shqipëri kishte: 112 oficerë të xhandarmërisë, 562 nënoficerë xhandarmërie, 2441 xhandarë, 39 rrethkomandantë, 3000 armë austriake. Po në vitin 1927 emërohet atashe ushtarak në Tiranë koloneli Alberto Pariani, në krye të një misioni të madh ushtarakësh me rreth 200 ushtarakë italianë, që u mor me riorganizimin e ushtrisë shqiptare, duke marrë padyshim si model ushtrinë mbretërore italiane me një sistem pjesërisht i fortifikuar me 60 km vijë kufitare, për të qenë në gjëndje që ta vononte armikun, për t’u dhënë kohë trupave italiane të zbarkonin në Shqipëri. Më 1933, në krye të Xhandarmërisë ishte nënkolonel Shefki Shatku, i cili ishte një nga oficerët më të përgatitur të asaj arme. Në ndihmë të Xhandarëmrisë, gjeneralin anglez Jocelyn Percy, (që zvëndësoi kolonelin Frank W. Stering, që kishte ardhur në Durrës në Maj 1923) i cili dha një kontribut në forcimin e konsolidimin e asaj arme.

Në verën e 1937-ës nisi projekti për formimin e Policisë së Sigurimit Botnor dhe në provën e parë hynë 275 policë, të gjithë të moshës 23 – 33 vjeç me shkollë të posaçme policie. Ajo do të zëvendësonte xhandarmëritë e qyteteve në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Sarandë. Varësia e kësaj strukture ishte nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe në 1938-ën, Xhandarmëria Shqiptare kishte 3643 efektivë. Ndërsa ligji i miratuar më 19.1.1938 nuk mundi të provohej për shkak të 7 prillit 1939, të pushtimit fashist të Shqipërisë. Kursi i parë i policimit i ngritur i 21 Majit 1938 me komandant major Viktor Shantoja, nuk e pati mundësinë që të vihej në provë pasi pas një viti gjithë kursantët e këtij kursi i vijuan studimet në Itali. Në dekadat që pasuan dhe veçanërisht pas LIIB, përmasat e sistemit arsimor policor kishin një rrugëtim të diktuar, ku rutina e përditshmëria e problematikës së rendit, qetësisë e sigurisë nuk lejonin që të shikohej më tej, më shumë dhe më qartë mbi problematikat e sigurisë, ndërkohë që një maksima popullore për këto raste na kujton se, “nuk më lë pema që të shikoj pyllin e prerë”. Stacione të tjera të rëndësishme të arsimimit janë në vitin 1945, në 20 janar 1954 si dhe veçanërisht më 20 dhjetor 1971, kur u formua Shkolla e Lartë e MPB-së. Në 53 vite shkolla ka pasar një transformim të plotë dhe vjen më e plotë dhe më e kompletuar në akreditim, në konsolidim, dhe e gatshme për t’u përballur më sfida të reja. Edhe në tre dekadat e fundit po vërtetohet thënia proverbiale e Tomas Fuller se, “e sotmja është nxënëse e së djeshmes”. Misionarët e shkollimit të xhandarmërisë me funksionme policore, të edukimit policor vijon me mision e përgjegjësi të reja me trajnime e kualifikime bashkëkohore. Pritshmëria e publikut për ofrimin e sigurisë së brendshme, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, garantimit të zbatimit të ligjit, vijon të jetë e madhe, prandaj sfida e edukimit policor si profesion i fushës së sigurisë ngelet në vëmëndje të qeverisë, por mbi të gjitha në gjykimin dhe vlerësimin e publikut. Shkolla e xhandarmërisë së Gjirokastrës si dhe shkollat e tjera që u hapën në shumë qytete shqiptare shtruan “pathet” e së ardhmes së shkollimit policor, që po konsolidohet sot në Akademinë e Sigurisë, tashmë të akredituar institucionalisht në bazë të vendimit nr. 7, datë 27.1.2023, “Për akreditimin për herë të parë të institucionit të arsimit të lartë Akademia e Sigurisë, me kohëzgjatjen prej pesë vjeçar.

Burime studimi: Fonde dokumentare të AQSH, AQFA, AQMPB; AQSH, Fondi 254/II, 1912, Dosja 69/1 origjinali në osmanllisht dhe përkthim në shqip; Teki Selenica, Shqipnia më 1927, “Shqipënija më 1937”, Veprimi shtetnor gjat njëzet e pesë vjetëve të parë të vetqeverrimit me parathënie të Dhimitër Berati, Vëllimi I (1912-1937), shtypsh“Kristo Luarasi” Tiranë, 1938; H. Shkëmbi, Zhvillimi i legjislacionit të PSH, Tiranë, 2004; Fletore Zyrtare mr.110, 5.8.1927, Fonde dokumentare të Komandës së Xhandarmërisë; Fletore Zyrtare nr.4 1938, Rregullore e organizimit të kursit policor, 21.5.1938, Piero Crociani, Shqiptarët në Forcat e Armatosura Italiane (1939-1943), Tiranë, 2005; Revista “Minerva” e Nebil Çikës 15.5.1934, Gazeta “Demokratia”; Historia e Shqipërisë, Vëll.III, 1984; VKM nr.545 datë 29.12.1992, “Mbi caktimin e datës së krijimit të Forcave të Rendit”.

Filed Under: Histori

THE CARMEL PINE CONE (1939) / RRËFIMI MBI SHQIPËRINË I DR. WALTER LEHMAN, MJEKUT PERSONAL TË MBRETIT ZOG, I STREHUAR AKTUALISHT NË CARMEL (SHBA)

April 18, 2024 by s p


Burimi : https://journals.lww.com/neurosurgpraconline/fulltext/2023/06000/the_history_and_current_state_of_neurosurgery_in.4.aspx
Burimi : https://journals.lww.com/neurosurgpraconline/fulltext/2023/06000/the_history_and_current_state_of_neurosurgery_in.4.aspx

Stafi i spitalit Mbreti Zog I në 1935; ulur : Prof. Wilhelm Schlesinger (majtas), Dr. Sabri Tefiku (në mes) dhe Prof. Walter Lehmann (djathtas); në këmbë : Stafi i spitalit duke përfshirë 2 gra — Dr. Quastler, pediatre (djathtas) dhe Dr. Schlesinger, biologe (majtas).


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Prill 2024

“The Carmel Pine Cone” ka botuar, të premten e 10 nëntorit 1939, në faqen n°5, rrëfimin mbi Shqipërinë të Dr. Walter Lehman, mjekut personal të mbretit Zog, i strehuar asokohe me familjen e tij në Carmel (SHBA), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Dr. Walter Lehman gjen një strehë të lumtur në Carmel; Në Shqipëri, ai ishte mjek personal i Mbretit Zog

Burimi : The Carmel Pine Cone, e premte, 10 nëntor 1939, faqe n°5
Burimi : The Carmel Pine Cone, e premte, 10 nëntor 1939, faqe n°5

Nga Francis L. Lloyd

Të jesh mjek personal i Mbretit Zog të Shqipërisë gjatë një pjese të dekadës së harlisur të Zogut si sundimtar i vendit të vogël të tharë pranë Adriatikut mund të tingëllojë si një punë e lehtë, por për Dr. Walter Lehman, i cili që atëherë ka ardhur në Carmel për të pushuar, ishte një nga periudhat më plot ngjarje të karrierës së ngjeshur të një kirurgu aktiv.

Sot Dr. Lehman, me origjinë nga Gjermania, ka sjellë gruan e tij simpatike, e cila vetë është trajnuar në mjekësi, dhe dy djemtë, Klaus, 9 vjeç dhe Hans, 7 vjeç, për të gjetur një shtëpi dhe strehë në Carmel. Ai kujton përvojat e tij shqiptare me një psherëtimë lehtësimi, tani që ato kanë mbaruar.

Fillimisht ishte puna e cila fillonte në orën 7 të mëngjesit dhe zgjaste deri në operacionet e mëdha që Dr. Lehman drejtonte personalisht, si dhe merrej me detajet e spitaleve civile dhe ushtarake në përfundim të ditës. Më pas pati edhe ekspedita me aeroplan për të operuar shqiptarë të sëmurë të cilët ndodheshin larg brenda vendit. Dhe, përveç këtyre detyrave të rregullta dhe të rrepta, kishte edhe festat shoqërore. Shqipëria, e cila ka dy të tretat e popullsisë myslimane, me balancat e ndara në mënyrë të barabartë midis katolikëve romakë dhe katolikëve ortodoksë grekë, feston festat që i përkasin siç duhet secilës prej këtyre feve. Pastaj ishin festat e mëdha qytetare.

“Ndonjëherë”, deklaron Dr. Lehman, “kishte deri në pesë apo gjashtë festa radhazi. Gjatë vitit tim të fundit në Shqipëri, ne festuam dhjetëvjetorin e mbretërimit të Mbretit Zog, 25 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe martesën e Mbretit dhe Mbretëreshës. Thjesht ishim të rraskapitur!”

Ky celebrim festash dhe argëtimesh, i cili zakonisht fillonte vonë në mbrëmje derisa mbreti të kthehej – rreth orës 4 të mëngjesit – ishte në kontrast me varfërinë e miliona shqiptarëve që jetojnë në atë që tani është një provincë italiane, midis Greqisë në jug dhe Jugosllavisë në veri, drejtpërdrejt përtej Adriatikut të ngushtë nga “thembra” italiane.

Dr. Lehman i përshkruan shqiptarët si një popull me të ardhura (mjete) modeste, që nuk duan të punojnë më gjatë ose më shumë se ç’duhet, pak progresistë, megjithëse ata nga njerëzit e tyre që ishin shkolluar jashtë vendit në Vjenë, Francë ose Itali, ishin shoqëruesit më të këndshëm dhe poliglotë.

“Asistentët e mi flisnin disa gjuhë, zakonisht turqisht dhe italisht, përveç shqipes së tyre amtare, dhe shpesh flisnin greqisht, jugosllavisht, frëngjisht, anglisht ose gjermanisht. Nuk ishte asgjë për ta të flisnin pesë ose gjashtë gjuhë. Mund të flisja shumë rrjedhshëm frëngjisht dhe italisht, por vetëm disa fjalë shqip të cilat ndonjëherë i përdorja për të pyetur pacientët.”

Dr. Lehman flet anglisht saktë dhe me pak theks, dhe gruaja e tij flet mirë anglisht. Dr. Lehman erdhi për herë të parë në këtë vend disa vite më parë për të punuar me Dr. Harvey Cushing, kirurgun e madh amerikan, vdekja e të cilit ndodhi së fundmi. Dr. Lehman e pa atë në New Haven vetëm pak kohë përpara se Dr. Cushing të vdiste. Ai punoi gjithashtu në klinikën Mayo në Rochester, Minnesota, kur ishte në këtë vend me leje nga Goettingen.

Studimet e tij për mjekësi i filloi në Gjermani, ku ndoqi universitetet në Bonn, Freiburg dhe Berlin, si dhe në Gjenevë. Kjo ndodhi para shpërthimit të Luftës Botërore. Më vonë ai ishte në stafet mjekësore në Frankfort dhe Goettingen përpara se të shkonte në Shqipëri.

Posti i tij i parë në Shqipëri ishte në Vlorë, një qytet i vogël në jug ku malaria ishte aq e rëndë (përhapur) sa ishte e pamundur të merrte fëmijët me vete. Këtu, trajnimi mjekësor i zonjës Lehman u shfrytëzua mirë, pasi ajo ndihmoi Dr. Lehman në organizimin e spitalit, madje edhe përgatitjen e fashave dhe mjeteve kirurgjikale. Megjithatë, ishte e vështirë t’i bëje vendasit të vinin në spital për trajtim, sepse në një regjim të mëparshëm një “kockë sharre” kishte krijuar një bestytni që të shkoje në spital do të thoshte vdekje pothuajse e sigurt. Sidoqoftë, kjo u tejkalua me kohën dhe Dr. Lehman u largua nga spitali në lulëzim kur ai u transferua në kryeqytetin verior të brendshëm, Tiranën.

Mbreti Zog e vendosi Dr. Lehmanin në krye të spitaleve ushtarake dhe civile dhe e solli në oborr si mjekun e tij.

Edhe pse jeta ishte e këndshme dhe operacionet e shumta – 1500 operacione në vit nën mbikëqyrjen e Dr. Lehmanit – Lehman-ët e konsideronin Tiranën më shumë si një jetë në fshat sesa një qytet modern. Nuk kishte rrugë, përveç një “autostrade” prej 20 miljesh për në Durrës, portin detar, nuk kishte lidhje telefonike me pikat përtej qytetit; dhe asnjë hekurudhë.

Komunikimi me botën e jashtme bëhej me aeroplan nga Roma, e cila ndodhej tre orë larg, ose me avullore të vogël përtej Adriatikut. Në kohë stuhie, avulloret e vogla nuk guxonin të dilnin përtej këtij deti të trazuar në brendësi, dhe, natyrisht, asnjë avion nuk fluturonte, dhe Shqipëria do të izolohej për ditë të tëra. Kohët e fundit u ndërtua një stacion radiofonik.

Shumica e përmirësimeve moderne u financuan nga italianët, të cilët kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e vendit. Që nga koha kur anglezët hoqën dorë nga përpjekjet për të nxjerrë naftën nga Shqipëria, italianët përparuan. Infermieret në spitalet e Dr. Lehman ishin murgesha italiane dhe kishte një koloni të konsiderueshme italiane. Xhandarmëria, e rëndësishme në shuarjen e banditizmit gjatë regjimit të Zogut, u rekrutua nga anglezët nën drejtimin e gjeneralit Percy.

“Kur gjenerali Percy u largua nga Shqipëria, e dija se kishte ardhur koha që edhe unë të largohesha”, tha Dr. Lehman. “Kam këmbyer paratë e mia në dollarë vetëm një herë. Megjithatë, tetorin e kaluar i kisha shitur mobiliet e mia dhe po planifikoja të largohesha gjithsesi në prill. Kështu që saktësisht nuk u largova fshehurazi nga vendi.”

Dr. Lehman ka sjellë me vete shumë fotografi dhe të shikosh “albumin familjar” tradicional nuk është aq e mërzitshme siç është zakonisht. Fotot e tyre interesante të bëra nga zonja Lehman tregojnë rrugët shqiptare, me mallra të varura jashtë dhe me ushqime të papërpunuara të ekspozuara në rrugë në thasë. Ka fotografi të vendasve me veshje të thjeshta ose me plisa të bardhë elegantë dhe me “kilte – fustanella”, njësoj si kostumet kombëtare greke, të veshura nga malësorët shqiptarë (Zogu ka qenë udhëheqës i një fisi malor përpara se të vinte në fron).

Shumica e fotografive të zonjës Lehman përfshijnë ura romake, rrugë me gropa dhe shpesh gomarin e kudondodhur, duke mbajtur ngarkesa me dru. “Në Shqipëri blinim dru mbi gomarë – rreth 30 cent për atë që mund të mbante një gomar. Ishte shumë shtrenjtë, sepse druri është i rrallë në një vend kaq të thatë,” shpjegoi Dr. Lehman.

Disa imazhe tregojnë lumenj, kodra të mbuluara me shkurre dhe disa pemë përgjatë shtretërve të lumenjve dhe ngjajnë shumë me skena të tilla në Kaliforni, Nevada ose Arizona. Dr. Lehman e krahason peizazhin më tepër me zonat malore në perëndim të Omahas.

Këtu janë disa gjëra të tjera për Shqipërinë që ky shkrimtar nuk i dinte më pare : Ford-at kushtojnë 2000 dollarë në Shqipëri, për shkak të taksave që arrijnë në gati 100 për qind mbi importet; Mbreti Zog ndërtoi shkolla dhe vendosi arsimin e detyrueshëm; Energjia elektrike shtëpiake është rreth dhjetë herë më e shtrenjtë në Shqipëri sesa në Carmel; Shqiptarët jetojnë kryesisht me djathë, bukë dhe qumësht, dhe eksportojnë pak përveç leshit; gjuha shqipe është jashtëzakonisht e vështirë për t’u mësuar; Shtëpitë shqiptare kanë çati me tjegulla dhe mure balte, njësoj si qerpiçët e vjetër të Kalifornisë, por nuk janë shumëngjyrëshe.

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/the-carmel-pine-cone-1939-rrefimi-mbi-shqiperine-i-dr-walter-lehman-mjekut-personal-te-mbretit-zog-i-strehuar-aktualisht-ne-carmel-shba/. Në rast të kundërt mos e publiko.

Filed Under: Histori

“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Lezha dhe Raguza (Dubrovniku), në rrugëtimin e hershëm të Gjuhës së shkruar Arbëre/Shqipe.”

April 17, 2024 by s p

Paulin Zefi/

* Lidhjet e forta që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vendosi me shtete të ndryshme europiane, prodhuan jo vetëm një shkëmbim intensiv dërgatash, por edhe korrespondencash diplomatike. Nga zyra e tij dolën shumë letra të nënshkruara nga vetë Kryeheroi, por mjerisht pas pushtimit osman të vendit tonë shumica prej tyre janë asgjësuar ose kanë humbur. Mirëpo, për fatin tonë të madh, gjurmët e tyre i ndeshim në përgjigjet, që ai ka marrë nga destinatorët e këtyre letrave. Në shumë akte dokumentare rezulton se kancelaria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut drejtohej nga pronoteri arbër, Petrus Smachi (Pjetër Smaçi), por në një letër që i ka dërguar Gjergj Pelinit më 1457, vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e quan atë “pronotar”. Letrat e nisura nga kjo kancelari, na ndihmojnë të krijojmë një ide të qartë mbi realitetin historik të kohës dhe dëshmojnë aftësitë e jashtëzakonshme diplomatike të Heroit tonë Kombëtar, por edhe zotësinë e klerikëve që shërbenin si sekretarët e tij. Letërkëmbimet në gjuhë greke u hartuan padyshim nga klerikët ortodoksë, kurse e gjithë pjesa tjetër, në latinisht, italisht etj., u hartuan nga klerikët katolikë. Krahas klerikëve katolikë që ishin të angazhuar në kancelarinë e tij, përpunimin e dokumenteve latine Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ua besonte edhe noterëve venecianë kryesisht në Lezhë te kancelari i këtij qyteti, Giovanni de Parenzo nga Istria, por edhe në Durrës siç kemi rastin e vitit 1463, me Gjon Borik de Grillis, i cili ishte noter publik dhe meshtar i Dioqezës së Durrësit. Kurse dokumentet në gjuhë sllave për korrespondencën me Republikën e Raguzës, u hartuan nga kleriku katolik, Ninac Vukosaliç, i cili në disa burime dokumentare përmendet edhe si “nuncius” i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Po ashtu, si noter i tij, në vitin 1461 (26 prill 1461) përmendet edhe Radiç Hilihis (Radicii Hilihis). Duhet theksuar se marrëdhëniet politiko-ushtarake midis shtetit arbër të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe shteteve të tjera u zhvillua mbi bazën e formave dhe të praktikave të njohura të asaj kohe në fushën e diplomacisë, të cilat, siç konstaton me shumë të drejtë historiani J.Drançolli, kishin arritur një zhvillim mjaft të dukshëm në pragun e Humanizmit dhe të Rilindjes Europiane.

👉 Njëra nga letrat më interesante të dërguara prej tij, e cila është edhe objekti i këtij studimi, është hartuar e vulosur pikërisht në zyrën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në qytetin e Lezhës dhe drejtuar Republikës së Raguzës. Ajo është një prokurë ose diplomë e karakterit financiar, më saktësisht një shkresë atorizuese e lëshuar prej tij në vitin 1450 për kancelarin e vet, Ninac Vukosaliç. Letra është e shkruar në gjuhën sllave dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, e rradhitur në Fondin “Lj.Stojanović” me Nr. 794 dhe po ashtu, në Arkivin Shtetëror Austriak të Vienës me Nr. 149 (i cituar nga F.Miklošić – P.Z.). Në këtë letër të pajisur me vulën e madhe, atë shtetërore të Kryeheroit, të cilësuar nga T.Geci, si “Sigillum maius solemne”, shkruhet:

“Plem(e)nitim i mudrim i u svem(e) mnogopočtenim(e) gspodam(e) gonu knezu i vlastel(e) samovladuštago grad Dubrovnika mnogo zorav(e)nje i hertisaninje de ma gosctvo vi kazaše mi njer(e) gred car(e) na nas(e) toga radi poslah(e) kan(e)žilera moga Nin(e)ca što ke govorit(e) s naše strane vašemu gsposctvom o v(e)svem da ga verujete i da mu daste i Bog umnoži gospc(e)tvo vi mesca čerešinar 1450 u Leš [Zotërinj të ndershëm, bujarë dhe të ditur në të gjitha pikëpamjet, Zotit Knjaz (Dukë-P.Z.) dhe Vlastelës, sundimtarë të qytetit të Dubrovnikut, shumë shëndet… Zotërinj, më treguat… (?) për të cilën arsye e dërgova kancelarin tim, Ninacin, i cili do t’u flasë në emrin tonë, zotërinjve tuaj, dhe në tërësi duhet t’i besoni dhe t’ia jepni… (?). Zoti ua shtoftë (tokat/pasurinë – P.Z)!

Skënderbeu (Nënshkrimi).

Muaji Çereshinar, dita 7, 1450, në Lezhë].”

* Elementi më i veçantë i kësaj letre gjendet në fundin e tekstit të saj, ku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e shkruan muajin në të cilin e ka dërguar letrën, në gjuhën arbëre (shqipe): “čerešinar”=qershor.” Duke qenë se as në sllavishten e vjetër dhe as në atë të re (serbo-kroatisht) nuk ekziston ndonjë muaj me këtë emër, sepse në sllavishten mesjetare, fjala “черешьнара (čerešinar/a – Çereshinar/a)” lidhet pikërisht me “Pemën e Qershisë (sot: дрво трешње/Drvo trešnje – P.Z)”, kjo do të thotë se Kryeheroi, pavarësisht se letrat i shkruante në gjuhë të huaj, gjuha e tij amtare ishte gjuha arbëre. Duhet të saktësoj se në gjuhën latine, qershia emërtohet “Cerasus” dhe lidhet me vendin e origjinës së kësaj peme frutore, e cila ka nisur të kultivohet fillimisht në qytetin e lashtë, “Cerasus”, në brigjet e Detit të Zi. Duke qenë se dokumenti në fjalë daton në vitin 1450, do të thotë se ky emër muaji u shënua në gjuhën arbëre 12 vjet më herët se “Formula e Pagëzimit (1462)” ose 12 vjet para se Pal Engjëlli të organizonte Koncilin Kishtar pranë Kishës së Trinisë së Shenjtë në Mat (Ecclesia santae Trinitatis de Emathia), ku ai paraqiti: “Constitutiones, ordinationes et statuta de Paulus Angelus, miseratione divina Archiepiscopus Durachiensis et Illiricae Regionis….In Ecclesia santae Trinitatis de Emathia. Anno Dei 1462, Indictione decima die vero lunae octava mensis Novembris.” Prandaj, për këtë arsye, prokura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e lëshuar për kancelarin e tij të financës, në Lezhë, më 7 qershor 1450, kërkon një analizë të posaçme shkencore në kuadrin e historisë së gjuhës shqipe.

* Ky dokument, të cilit ende nuk i është kushtuar vëmendja e duhur, është botuar i plotë nga historianë si: P.Karanotvrtković në vitin 1840, F.Miklošić më 1858, Lj.Stojanović më 1934 dhe J.Radonić më 1942. Dy të parët, duke mos mundur të dallojnë muajin “čereš(e)iar”=qershor”, për të cilin bëhet fjalë, e kanë datuar këtë dokument në muajin korrik 1450 dhe ndërsa J.Radonić, në përmbledhjen e dokumenteve të botuar në veprën e tij monunentale, “Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку”, e ka listuar gabimisht në muajin qershor 1459 [Льеш, 7 зуни (1459) ]. Dokumenti në fjalë është botuar i plotë edhe nga historianë shqiptarë si: At Gjon Shllaku OFM, T.Geci dhe K.Frashëri, ku i pari e ka marrë nga Arkivi Shtetëtor i Dubrovnikut (në: Nr. C.C. 140; MS. CCCLVI.), i dyti nga Fondi “Lj.Stojanović” dhe i treti nga veprat e F.Miklošić dhe J.Radonić.

👉 Me pak fjalë, ky dokument kaq i rëndësishëm, që lidhet me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe me Lezhën e tij, duhet listuar nga historiografia jonë zyrtare si një ndër dëshmitë më të hershme të shqipes së shkruar.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT