
Bujar Leskaj/
Si sot 51 vjet më parë, më 21 Maj 1973, në burgun e Spaçit, disa shqiptarë trima antikomunistë nuk pyetën se çfarë çmimi ka liria, dhe kur nuk e patën atë i lanë jetën peng dëshirës për liri e demokraci.
21 maji i vitit 1973 i parapriu revoltës së Qafë Barit në 22 maj 1984, kur përsëri disidentët, antikomunistët e vërtetë sfiduan dhëmb për dhëmb regjimin komunist, pavarësisht pasojave; të cilën do ta kujtojmë ditën e nesërme, në 40-vjetorin e saj, përgjatë ceremonisé përkujtimore në Qafë Bari.
21 Maji 1973 është shenjuar në kujtesën shqiptare si dita e heronjve, dita e qëndresës antikomuniste, këtë ditë mund ta quajmë pa frikë edhe ditë e krenarisë kombëtare, ditë e lirisë…!
Pas rezistencës së viteve 1944-1946, protesta e Spaçit e 21 Majit 1973 është momenti dhe monumenti më sublim i qëndresës dhe i vetëflijimit në emër të një besimi, tê një besimi antikomunist.
Përgjigjja e regjimit ishte shume e egër, menjëherë u arrestuan 12 anëtarët e grupit të parë nga të cilët heronjtë:
Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Hajri Pashaj u dënuan me vdekje, ndërsa Dashnor Kazazi, Syrja Lame, Paulin Vata, Jorgo Papa, Luan Burimi, Sami Dangëlliu, Luan Koka dhe Hodo Sokoli u ridënuan me nga 25 vjet burgim.
Me nga 25 vjet u ridënuan edhe anëtarët e grupit të dytë Bedri Çoku, Mersin Vlashi, Murat Marta, Neim Pashaj, Feti Kumanaku, Ndrec Çoku, Hasan Ibro, Elez Hoxha, Neim Uka, Zef Ashta, Jonuz Norja, Tomorr Allajbej, Pal Marku, Haxhi Bena, Qemal Demiraj, Shuaip Ibrahimi, Muho Curri, Mërkur Babameto, Gramos Spahiu dhe Dervish Sulo.
Ridënimet të rënda nga 11 vjet deri në 20 vjet morën edhe:
Fadil Dushku, Demir Pojani, Gëzim Medolli, Çaush Çoku, Lenin Prifti, Muharrem Dyli, Petro Popaj, Sulo Veshi, Muharrem Isufi, Stefan Kola Spiro Nasho, etj.
66 heronjtë që u riburgosën dhe qindra të dënuar të tjerë që mbështetën revoltën ngritën për 3 ditë flamurin pa yllin komunist të dizenjuar nga i burgosuri Mersin Vlashi.
Ditët e Kryengritjes së Spaçit përshkruhen në detaje në librin e heroit të burgjeve antikomuniste Bedri Blloshmi (Revolta e Spaçit, 21-23 Maj 1973).
11 vjet më vonë më 22 Maj 1984 kjo kryengritje u përsërit në Qafë Bari.
Kryengritja e Qafë Barit me 22.05.1984 u drejtua nga :
Sokol Sokoli, Tom Ndoja, Sokol Progri, Haxhi Baxhinovski, Lush Bushgjoka,Vllasi Koci, Kosta Gjordeni, Bajram Vuthi, Martin Leka, Lazer Shkembi,Hysen Tabaku, Ndue Pisha.
U sugjeroj veçanërisht të rinjve të lexojnë librat e Bedri Blloshmit “Revolta e Spaçit”dhe “Revolta e Qafë Barit – Terrori Komunist 1943 – 1990”.
Historia duhet të kujtohet që të mos përsëritet.
Të paharruar heronjtë antikomunistë!
Të shkojmë nesër në Qafë Bari për të
kujtuar 40-vjet nga revolta antikomuniste e Qafë Barit !