• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MASAKRA E TIVARIT…

April 2, 2024 by s p

NDUE BACAJ/

Për njerëzit normalë nuk asnjë pikë dyshimi se historia e komunizmit në Shqipëri është më e zeza e të gjitha historive që njohin regjimet e këtij lloji që i përkisnin shekullit 20-të, Në kujtesën e njerzëve rreth gjysëm shekulli komunizëm njihet jo vetëm si regjimi diktatorial i Partisë (Komuniste) të Punës, por edhe e udhëheqësit absolut Enver Hoxhes, krimet e të cilit edhe sot ku kujtohen nga shumica e shqiptarëve, bëjnë të dridhen siç thuhet edhe fëmijën në bark të nënës. Një ndër krimet më monstruoze, ose supermedalja e medaljeve të zeza antishqiptare që ende valëvitet si krim pa ndëshkim në “gjoksin” e ligështuar, por jo shkatërruar të komunizmit shqiptar është pa asnjë mëdyshje, ajo që në kujtesën e njerëzve njihet si Masakra e Tivarit. Kjo masakër mbi popullsinë autoktonte shqiptare të Kosovës e ekzekutuar në vitin 1945 (31mars-02 prill) nga ushtria Serbo-Malazeze, është bekuar dhe ndihmuar nga komunistët shqiptarë, të cilët bënë si kurban të parë për dashninë që i kishte marruar e qorruar për Jugosllavinë e Titon, vëllezërit e tyre kosovarë, shpirti i të cilëve ende edhe sot nuk gjenë prehje as në botën qiellore, madje oshtimat e këtyre rreth 4-5 mijë shpirtrave edhe sot kërkojnë “Shpagim”, si ndaj kriminelëve sllavë dhe atyre që mjerisht njihen si shqiptarë. Kriminelët Serbo-Malazezë duhej të denoheshin edhe nga gjykata ndërkombëtare (edhe pse tashma pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më), ashtu si dhe kriminelët nazi-fashist që ende ndiqen e denohen për krimet e tyre, shpesh herë shumë më të vogla e pa përgjegjësi direkte, sesa autorët e masakrës të Tivarit, që janë konkret e të pa fshehur….

M A S A K R A !

Partia Komuniste Shqiptare nuk ishte asgjë tjetër përveçse produkt serbo-sllav, ajo programin e saj “nacional” e shoqëror e kishte thjesht një derivat të partisë mëmë Komuniste të Titos, madje në hapat e saj të parë pas vitit 1944, komunistët shqiptarë ende nuk kishin “mësuar” të ecnin vetë, ata vazhdonin të ecateshin nga Partia Komuniste Jugosllave, si fëmija që ecatej nga nëna e vet. E pikërisht në këto momente “dhelpra” e kuqe Serbo-Malazeze filloi të realizojë doktrinën famëkeqe të akademikut serb Vasa Çubrilloviçit (të 07 marsit1937 dhe të plotësuar në atë të 03 nentorit 1944), në të cilën në pikën e III-të shkruhet: “Për këtë spastrim të shqiptarëve (krysisht të Kosoves) duhet organizuar ushtria nacional-çlirimtare e Jugosllavisë, e cila pa mëshirë duhet ta pastrojë territorin, sidomos duke shfrytëzuar tezat se shqiptarët janë kundër luftës Nac-Çl. në Jugosllavi dhe kanë bashkëpunuar me okupatorët fashistë” (Vasa Çubrilloviç – Manjinski problem u novoj Jugoslaviji, më 03. II. 1944, fq.. 1-21). Në frymën e kësaj “filozofie”, më 21 nëntor 1944 kryesia e AVNOJ-it amnistoi thuajse të gjithë kundërshtarët e saj Çetnik, ku përnjëherë ata u shndërruan në Partizanë. Në zbatim të platformës pushtuese e kriminale të Jugosllavisë (më saktë Serbisë) ndaj Kosovës, Shtabi suprem i Jugosllavisë me datën 8 shkurt 1945 me firmën e vetë Titos (sipas kerkeses se Miladin Popoviçit që ishte sekretari krahinor i PKJ per Kosoven..) shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe administrimin Ushtarak të Kosovës. Në fakt njëkohësisht edhe në Shqipërinë Veriore (Janar 1945) me urdhër të Enver Hoxhës, korporata dhe divizione të ushtrisë Nac-Çl. kishin bërë shtetrrethimin, gjithashtu sipas dokumentave që gjenden edhe sot në arkivin e shtetit shqiptar, me urdhër të Titos, E. Hoxha dërgoi për të luftuar përtej kufijve të Shqipërisë (londineze) Divizionet e V dhe VI, ku bënin pjesë Brigada e III, V dhe XXV Sulmuese të cilat kaluan në drejtim të Mitrovicës e të Sanxhakut, si dhe Brigadat e VI, VII, VIII dhe XXII Sulmuese në drejtim të Podgoricës e të Danilovgradit, duke bërë kështu edhe kapërcimin e kufijve Etnik të Shqipërisë. Në krye të këtyre forcave “shkëlqenin” dje dhe sot shumë komunistë shqiptarë protagonistë të mëvonshëm, por dy e kanë ruajtur plotësisht “shkëlqimin” (edhe pse sot kanë vdekur) e ata janë Ramiz Alia dhe Shefqet Peçi. Ky eksponent i lart i komunizmit shqiptar në tubimin e fushes Tuzit (7 shkurtit 1945), perveç të tjerave do të deklaronte:” Vëllezer malazez u mblodhem ketu per tu thenë…shqiptareve që banojnë në Mal të Zi,se ata janë bërë çerdhe reaksionaresh të ikur nga Shqiperia..” (Gazeta “Pobjeda “ mars 1945 dhe gazeta e shkodres “Koha e Re”, mars 1945). (Siç shihet me keto që u ka thënë Sh. Peçi,shqiptarëve në trojet e veta të mbetura nën Malin e Zi kerkon tu “mohoi” edhe autoktoninë)… Për të vërtetuar më mirë misionin kriminal të këtyre forcave me emrin paradoksal (me veprimet që kryenin në fakt) “ushtria nacional-çlirimtare” po citoj një urdhër të E. Hoxhës që jua dërgonte komandave të Ushtrisë nacional-çlirimtare i cili gjëndet në Arkivin Qendror të Ushtrisë; dosja 45 e vitit 1944, ku ndër të tjera shkruhet: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë (ku me këtë nënkuptohej Kosova dhe vise të tjera të mbetura jasht kufirit politik të 1913-së N.B.), pa treguar as më të voglën tolerancë…”. Nga ky dokument e të tjera del e qartë qëllimi i Ushtrisë që Enver Hoxha dërgoi në viset Jugosllave në ndihmë të “vëllezërve” sllavë, pra për të vrarë, prerë e shkatërruar gjithë nacionalizmin shqiptar që mbante gjallë shqiptarët e trevave Etnike, që ishin gllabëruar padrejtësishtë nga Sllavët e jugut… Por gjithsesi edhe pas këtyre vendimeve e kordinimeve në mes Titos e Hoxhës ishte e vështirë që të kolonizonin përsëri këto treva safi shqiptare, e veçanërisht Kosovës martire, ku padyshim ishte djepi i rezistencës antisllave ndër dekada. Për të arritur qëllimin ogurzi të pushtimit serb të Kosovës në planet sekrete të Jugosllavisë së Titos u përpunua në janar të vitit 1945, programi i zbrazjes së Kosovës nga pjesa më aktive e popullsisë, të cilët gjoja nën një program për nevojat e Ushtrisë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë nga Kosova do të rekrutoheshin 50 mijë burra me moshë kryesisht të re e aktive gjoja për të luftuar, ku ky veprim do të kryhej me shpejtësi, pasi sipas tyre e kërkonte koha, dhe për këtë kishte dijeni udhëheqja komuniste Kosovare dhe e Shqipërisë. Por “aresyen” e ketij mobilizimi të dhunshem e kriminal e tregon Bllagoje Neshkoviç (Sekretar krahinor serb) në një analizë që i bënë gjendjes në Kosovë duke theksuar: “…Në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerzë në çdo rast mund të çohen në kryengritje. Populli nuk është me ne. Po e shohim se shqiptaret në numrin më të madh janë kunder levizjes Nacionalçlirimtare.” (D. Erakoviç, Kosova tokë e premtuar, gaz. Rilindja dt.26 korrik 1989). Në vijim të këtij “programi” në mars të vitit 1945 pushteti i dhunshëm Serb-komunist pasi grumbulloi mijëra të rinj kosovarë si rekrutë (ushtarë) bëri një organizim gjoja ushtarak për t’i dërguar në frontin luftarak të Triestes (kunder fashizmit), por për të arritur atje do të ndiqej itinerari i lëvizjes Prizren-Kukës-Pukë-Vau i Dejës-Shkodër- Ulqin-Tivar… Kjo armatë në fakt nuk i përngjante një ushtrie të vërtetë, pasi në mesin e saj ishin grumbulluar edhe fëmijë 14 e 15 vjeçarë, që ishin thuajse zhveshur e zbathur. Për lëvizjen e këtyre trupave u ngarkua të kujdesej OZNA (UDB-ja e mëvonshme) si dhe Ministria e Brendshme Shqiptare që në atë kohë ministër kishte Haxhi Lleshin. Por në këtë kohë forcat ushtarake nacionaliste të Kosovës që komandoheshin nga Shaban Polluzha e tjer nacionalist u urdhëruan nga shtabi i Titos të largohen nga Kosova në drejtim të Sremit, ku padyshim ishte përgatitur një Tivar i dytë. Por komandanti legjendar nacionalist Shaban Polluzha nuk pranoi duke u shprehur: “Ne nuk nisemi andej nga na thotë dikushi”.. E kështu u detyrua të luftojë bashkë me shokët e tij kundër forcave pushtuese Serbe e të E. Hoxhës, derisa u vra më 21 shkurt 1945 në betejën masakër të Drenicës. Për megjithë ketë plani serbo-jugosllav per rekrutimin e shqiptareve të Kosoves nuk u ndal, ndaj u mobilizuan me dhunë një numër i madh shqiptarësh që sipas disa dokumenteve shkonte rreth 17 mijë vetë, të cilët u ndanë në dy grupime, njëri nga rrafshi i Dukagjinit, i përqëndruar në Prizren dhe tjetri nga rrafshi i Kosovës i përqëndruar në Suharekë. Kontrollin e marshimit të këtyre forcave shqiptare do ta bënin forcat ushtarake Serbo-Malazeze, ku spikaste armatimi modern i Jugosllavëve, dhe mos armatosja e shqiptarëve që gjoja do të bëhej në Tivar. Organizimi i marshimit u nda në tri kolona dhe filluan nga Prizreni; Kolona e parë do të nisej me 24 mars 1945, kolona e dytë me 25 mars (1945) dhe kolona e tretë me 26 mars (1945). Pra siç shihet këta shqiptar të Kosoves të rekrutuar me mashtrime e me dhunë i kishin ndarë në tre pjesë dhe do të leviznin në tre data të ndryshme me qellim asgjesimin më të lehtë të tyre.. Asgjësimi i “ushtarëve” shqiptarë vazhdoi gjatë tërë rrugës, ku pas çdo kthese, lugine të thellë, ngjitje malore, kroni uji apo të ndonjë skute u muar jeta e këtyre vëllezërve kosovarë nga dora kriminale Serbo-Malazeze-komuniste. Vlenë të theksohet se pritja më kriminele u është berë rekruteve shqiptar të Kosoves në Shkodër ku u gjendën para befasive kriminale që kishte organizuar shteti komunist, duke mbledhur grupe proletarësh (nënkupto horrash), që duke kaluar kosovarët u thirrnin ballist, tradhtarë e deri i gjuanin me sende që shteti ju a kishte rekomanduar, duke dëshmuar kështu se në Shqipërinë “mëmë” që e quanin kosovarët tashmë sundonin po dreqnit sllav, ndonëse vetëm emrat i dëshmonin për shqiptarë. Por pikërisht kriminelët shqiptarë e shkodranë që ndihmuan forcat Serbe në këtë marshim tragjik, me anë të komandës tyre të përgjithshme ushtarake në Shkodër do të njoftonin komandën e përgjithshme në Tiranë “… se grupimi i dytë me rreth 3000 vetë sapo arriti në breg të detit pranë Tivarit u rrethuan nga Forcat Jugosllave. Prej këtij grupi u larguan elementët sllavë, ndërsa mbi shqiptarët u hap zjarr”. E kështu në fakt është vepruar me shqiptarët e tri kolonave të cilët pasi kishin arritur nga data 31 mars deri me dt.02 prill (1945). Duke bërë që vetëm në Tivar të humbin jetën mbi 3000 shqiptarë të pafajshëm, të cilët ishin detyruar ti “përgjigjën” thirrjes së ushtrisë Jugosllave për t’u mobilizuar, për të luftuar gjoja kundër bishës fashiste që ende ishte gjallë, madje përgjigja e shqiptarëve për t’u mobilizuar ishte diçka më e lehtë pasi në këtë mobilizim kishin dorë vëllezërit e Shqipërisë “Londineze”, që komunizmi i kishte vëllazëruar me armiqt e hershëm sllavë. Por përpara se të mberrihej në Tivar kishin humbur jetën gjatë rruges të pakten 1500 shqiptar të Kosoves. Vetë shteti komunist shqiptar e pranon se në teritorin shqiptar janë vrarë të pakten njemijë Kosovar. Bedri Spahiu si prokuror i pergjithshem ushtarak në gjyqin kundër Koçi Xoxes (që donin tja faturonin këtë krim) deklaronte:” Xhelatet e Rankoviçit që janë shquar për krimet alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosoves, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpermjet rrugës prej kufirit tonë në Kukes e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e pergjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin..”. (Pretenca e Bedri Spahiut në gjyqin e lartë kunder grupit trockist. Tiranë 1949). Deshmi rrenqethse të kesaj masakre janë transmetuar deri sot nga dëshmitarë të pakët që kishin mbijetuar, ku një ndër keta ka qënë Azem Hajdini –Xani, i cili veç të tjerave këto deshmi i ka hellur në librin e tij,MASAKLRA E TIVARIT, botuar në vitin 1998 në Prishtinë. Nga këto dëshmi edhe sot “mesojmë” për këtë masakër që ende të duket se degjon të freskëta ushtimat e tmerrshme të të gjitha llojeve të armëve që godisnin nga të katër anët vëllezërit tanë shqiptarë të Kosovës, (në Tivarin e vjeter), por njëkohësisht edhe ushtimin e shpirtrave të pafajshëm që nuk gjendin vend më në trupat e bërë shoshë e të coptuar nga kriminelët e Titos që Enveri tashmë i kishte bërë xhan e shpirt. Ja disa nga keto “dëshmi”: Në qendër të Tivarit oficerët serb vranë për terror Syl Gllobarin vetëm se u përpoq që të bisedonte me ta për të pirë ujë. 80 shqiptarë pasi njëherë i lidhin e pastaj i zgjidhin i pushkatojnë përnjëherësh, në sy të tjerëve, të cilët i urdhëruan për t’i futur në një shesh të rrethuar me tela me gjemba për ti asgjësuar të gjithë si më sipër. Në hyrje të këtij “kampi” me tela me gjemba i prisnin ushtarët kriminelë serb që kënaqeshin me sadizmin e tyre duke i goditur shqiptarët me shufra hekuri në kokë, duke shkaktuar kështu pellgje gjaku. Milazim Haxhiu nga Ternavci u vra kur tentoi ti merret pistoletën një ushtari Malazez, ndërsa të riun shqiptar Ibrahim Koca i cili u bëri thirrje shokëve për qëndresë, e shpuan me bajonet dhe i prenë hundën, veshët dhe e bënë copa-copa. Ndërsa i shpëtuari nga kjo masakër (Azem Hajdini) do të dëshmonte: “Se gjatë daljes nga ngrehina pas pushimit të zjarrit munda të njoh të vrarë, Asllan Mustafën nga Ternavci, Bislim Pajazitin nga Krasmirovci, Bejt Bislimin nga Kryshevci, Sinan Avdiun e Hysen Zeqon nga Kopiliqi, si dhe dy të tjerë nga Prekazi. Me këtë rast po cilesojmë edhe një mënyrë tjeter kriminale të ekzekutimit kolektiv të shqiptareve të Kosoves në Tivar.. Një natë prilli, erdhi urdhri per të vijuar rrugen gjoja per të shkuar në front, për këtë duhej të kalonin kanalin e Çioves…rreth 100 metra të gjërë. Ura ishte bombarduar dhe për këtë futen me dhunë në një target rreth 150-180 kosovarë, të ngarkuar në shpinë me armë e paisje ushtarake. U pa qartë se u kalua pesha e lejuar dy-tre fish më shumë. Pasi trageti kaloi 20-30 metra nga bregu i kanalit u degjua një krisem e fuqishme, me ç’rast trageti u nda në dysh dhe u shkatërrua plotësisht, duke lëshuar në ujë të gjithë të ngarkuarit shqiptar…U mbush kanali me plisa të bardhë që notonin mbi ujë…Humben jeten menjeherë rreth 65 shqiptar, ndër të cilet u nxorren dhe identifikuan 29 veta që u varrosen në Trogir: Ajet M.Murseli (1917, Doganaj), Arif Sh. Provoliu (1918,Soponicë), Riza I. Kasa (1913, Rekë),Azem H. Berisha 1920,Runjevë), Kadri L. Lulolli (1922, Biçec), Ukshin H. Palloshi (1923, Biçec), Xhavit Sh. Korraqi (1920 Kovaçec), Hamit L. Bela (1925, Xhurxhedell), Xhavit I. Reka (1926 Kerbliq), Qamil I. Sopa (1923,Nikoc), Habib Xh. Bruti (1917 Drenogllavë), Hasip M. Luma (1918, Glloboshicë), Avdi I. Buqi (Drenogllavë), Sabri A. Bushi (1929, Pustenik), Bajram Sh. Bushi (1930, Pustenik), Feti S. Berisha (1924, Goranzë), Hazir B. Berisha (1919, Gornazë), Kasem H. Berisha (1920, Goranzë), Xhemal V. Kaloshi (1924, Goranzë),Hamit Xh. Topojani (1924, Neçec), Nazmi A. Huneli (1928, Neshancë). Ipë A. Qajani (1927,Krivenik), Jashar H. Dernjani (1919, Plodonicë), Ahmet A. Dernjani (1919,Plodonicë), Haziz V. Çupi (1921, Plodonicë), Beqir I. Çupi (1921, Plodonicë) dhe Nuredin M. Derguti (1923, Varosh, Ferizaj)..(Azem Hajdini-Xani,Masakra e Tivarit, Prishtinë 1998, Uran Butka,“Masakra e Tivarit dhe pergjegjësia e shtetit shqiptar”, fq.134-135, Tiranë 2011). (VOO: në mes kllapave është e shënuar vitlindja dhe vendlindja, N.B.). Masakren me ekzekutim me armë të shqiptareve në Tivar jugosllavet ja kishin ngarkuar Brigades X që udhehiqej nga ekzekutoret kriminel Gosha Markoviç dhe Vladimir Roloviç. Në një raport të shtabit të kesaj ushtrie kriminale shkruhet se: “..U hap zjarr nga pushkët dhe armët automatike. U hollën bomba nga të gjitha anët, dhe në ato të shtëna u perfshinë edhe keshilltaret, infermieret, me një fjalë shtiu (mbi shqiptarët) çdokush që pati armë. Të shtënat pushuan atëherë kur nga grumbulli nuk u ngrit më asnjë njeri dhe kur nuk levizi njeri…” (Pjesë nga raporti i shtabit të kolones IV të AJ, dt.8.4.1945). Nga kjo masaker që u mori jetën mijëra shqiptarëve të pafajshëm nuk po mundem pa cilësuar edhe rrefimin e të mbijetuarit Sadri Bytyçi, që në ketë masaker nga familja e tij mbeten të vdekur katër burra; Avdi Bytyçi, Abdulla Bytyçi, Nuhi Bytyçi dhe Syl Bytyçi. (Azem Hajdini-Xani,Masakra e Tivarit, Prishtinë 1998). Ndërsa në librin “Genocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare” në faqen 456 gjenden edhe emrat e këtyre viktimave të fundmarsit 1945: Xhemal Shaqir Hoxha, Xheladin Limon Shala, Xheladin Nuredin Morina, Zeqir Zenel Thaçi, Ramadan Thaçi, Murat Mazreku e tjerë. Në librin; Në flakën e revolucionit” Prishtinë 1981, shenohen emrat e të masakruarve e pushkatuarve, Hajdin Shukolli nga Suhareka, Ibrahim Baku nga Bllaca, Isuf Kryezive nga Gjakova, Jahir Sula, Jahja Mamusha, Met Pirkunga nga Bllaca e tjer e tjer.. Dëshmitë e emrat janë të pambarimtë pasi masakrat serbe nuk rreshtën thuajse kurrë… Ku të gjithë këta djem nënash shqiptare që ishin rekrutuar ishin nga viset me shqiptarë të Kosovës e Shqiptarisë, ata ishin nga Mitrovica e Podujeva, Vuçiterna, Prishtina, Kaçaniku, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Suhareka, Istogu, Peja, Rugova, Gjakova, Rahoveci, Bragashi, Prizreni, Tetova e tjerë… Në Beograd edhe sot gjindet (i pacensuruar) dokumenti i koduar (K.D.SH., krimet-93/19-64, k-25), ku ndër të tjera thuhet se gjatë “Çlirimit” të Kosovës nga fashistet, nacionalistet, tradhtaret e bashkepuntoret e fashizmit u likuiduan: në Gjilan 7854 veta, në Drenicë 4820 vetë, në Tetovë 4100 vetë, në Bihor 3820 vetë, në Prishtinë 3675 vetë, në Pejë 3540 vetë, në Mitrovicë e rrethina 1970 vetë, në Podujevë 1670 vetë, në Pazar 1410 vetë, në Shkup e rrethina 1450 vetë, në Ferizaj rreth 1260 vetë, në Prizren 1250 vetë, në Tetovë 900 vetë, në Gjakovë 730 vetë, në Gostivar 600 vetë, në Plavë-Guci 710 vetë, në Rahovec 750 vetë, në Roxhaje 715 vetë, në Kumanovë 780 vetë, në Preshevë 690 vetë, në Dragash 500 vetë, në Kërçovë 490 vetë, në Ulqin 515 vetë, në Suharekë 420 vetë, në Dubrovnik 120 vetë, në rrugën Kukës-Shkodër 110 vetë, në Togir 80 vetë, në Vershac 30 vetë në Deçan 30 vetë, në Tivar 2629 vetë (pra me gojën e tyre kriminelët komunistë sllavë e pranojnë që u kanë marrë jetën 2629 shqiptarëve të pafajshëm vetem në Tivar, kur shifra mund të jetë vetëm e zvogëluar, (N.B), e tjerë… Pra po të mbledhësh këtë shifër krimesh del se vetë pushteti jugosllav ka vrarë mbi 47 mijë shqiptarë të cilët kishin të vetmin “faj” se kishin lindur e banuar në trojet e tyre etnike gjysh pas gjyshi dhe mijëra vjet përpara se të zbrisnin si turmë arinjësh serbo-sllavët nga Uralet e akullta, dhe se nuk deshironin të jetonin të pushtuar nga Serbët. Një ndër projektuesit e zbatuesit kryesor të masakrave antishqiptare Aleksander Rankoviç (pasi bie prej fikut) pohon një pjesë të vogël të këtij krimi, kur thotë: “Gjatë rrugës Prizren-Ulqin janë vrarë pa faj 400 vetë, si rast i gabimeve të organeve më të Ulta”. Natyrisht ky nuk ishte një rast që gabohej nga mvarës të Rankoviçit, por ishte vetë strategjia e shtetit komunist jugosllav. E pas masakrës së Tivarit, që është edhe ajsbergu i krimeve të shtetit të ish-komunistëve të sllavëve të jugut, qëndronte “Bekimi” kriminal i klikës komuniste shqiptare, e cila pas kësaj në vend që të ngrinte zërin në të gjitha institucionet europiane e botërore, ajo jo vetëm heshti, por fill pas kësaj dekoron shumë nga këta kriminelë. Dekorimi i kriminelëve Serbo-Malazez është bërë me Vendimin nr. 17 të datës 5. 9. 1945 dhe është një listë prej 55 personash, ku përveç dekorimit të Dushan Mugoshës që mban nr. 9 në listë, është edhe Miladin Popoviçi me nr. 8 (pas vdekjes), pasi ja kishte kthyer patkonjtë prej diellit patrioti trim nga Gjakova Haki Tafa, që me 13 mars 1945) e vazhdon deri tek krimineli, organizatori e zbatuesi i vrasjes të rreth 50 mijë shqiptarëve, Ministri fa)mëkeq i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Aleksandër Rankoviç. Në listen që dekorohet antishqiptari i tërbuar Rankoviç e ka numrin rendor 11 dhe thuhet se dekorohet me urdhrin “Ylli Partizan” i Klasit Parë. Ky vendim kriminal i komunistëve shqiptar në fund mbyllet me “siglën” “Për Kryesinë e Këshillit Antifashist Nac-Çl. Sekretari Koço Tashko, d.v. dhe Kryetari Dr. Omer Nishani d.v.. Ku dekorimi është berë me propozimin e Enver Hoxhes.. Ky dekorim i kriminelëve serbo-malazez në fakt vinte pas dekorimeve që u kishte bërë vetë Titoja udhëheqësve komunist shqiptarë fillë pas Masakrës së Tivarit në fund-marsin dhe fillim- prillin e vitit 1945. Natyrisht këtë Titoja e kishte bërë për kontributin që kishin dhënë në shfarosjen e nacionalizmës shqiptare kudo në trojet etnike shqiptare të mbetura nën Jugosllavi. E motivacioni ishte “Për kontribut të shquar në Luftën Antifashiste dhe në luftën kundër tradhëtarëve e bashkëpunëtorëve me pushtuesin fashist”. Nga vlersimet e Jugosllavisë të Titos u dekoruan Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Sejfulla Melishova, Baba Faja Martaneshi, Ymer Dishnica, Nako Spiro, Tuk Jakova, e tjerë. Kur litarin që e kishte lidhur bandën e kuqe të E. Hoxhës pas qerres së Titos e Jugosllavisë e këputi “baba” Stalini, së bashku me këtë lak u këputën shumë nga emrat që shënuam më sipër ish miq e bashkëpunëtorë të Enver Hoxhës, i cili si maja lakut i mbeti në dorë Stalinit të cilit i shërbeu edhe pas vdekjes… Gjithsesi kur Titon e Jugosllavinë i bëri lanet Stalini, në Shqipëri Enveri këtij “shenjtori” që i falej i bëri shumë kurbane, ku për të justifikuar jo vetëm kurbanet por edhe tradhëtinë e krimin ndaj bashkëkombasve të vet, masakrën e Tivarit e tjera u mundua t’ja faturojë ish bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë Koçi Xoxes. Ja se çfarë thuhet në një dokument të Arkivit Qendror të Shtetit… “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar ilegalisht nga organet e UDB-së si gjatë luftës ashtu edhe pas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë edhe agjenti i qeverisë jugosllave në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhëtari Koçi Xoxe, i cili në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë në fillim të vitit 1945 autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatojnë ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Këtu vlenë të sqarohet se po t’u referohemi fakteve e dokumentave të fundit të vitit 1944, vitit 1945 e deri në muajin maj 1946 Ministër i Punve të Brendshme ka qenë Haxhi Lleshi, i cili njëkohësisht ka dhënë edhe autorizimin përkatës, e cilesuam këtë për hirë të vërtetës, por Koçi Xoxe nuk ka qënë aspak më pak kriminel se Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi apo vetë shefi i tyre Enver Hoxha e tjerë nga ky “vathë”. Ndërsa komunisti kosovar Fadil Hoxha që ishte N/Komandanti i shtabit të Kosmetit akuzohet se ishte njëri nga aprovuesit e masakres së Tivarit, ku Fadili e shtoj zollumin duke kërkuar që të vriten përseri kosovarë të tjerë jashtë “planifikimit” për ti marrur hakun Miladin Popoviçt të vrarë… (Proklamata e Shtabit të LLTSH, tetor 1945, Uran Butka,“Masakra e Tivarit dhe pergjegjësia e shtetit shqiptar”, fq.188-189, Tiranë 2011). Cilsuam Fadil Hoxhen, por një rol të till Kriminal kanë edhe komunistë e ushtarakë të tjerë Kosovar të njohur që militonin në vathen serbo- jugosllave.. Të duket disi e çuditshme se pas disa viteve edhe “revizionisto”-komunisti Tito dënon me të njëjtën procedurë ish-Minstrin e tij të Brendshëm Rankoviç duke i ngarkuar faje të paqëna, e deri duke ja faturuar atij edhe krimin e pashembullt të Masakrës së Tivarit, por edhe vrasjen e zhdukjen e rreth 50 mijë shqiptarëve per rikolonizimin serb të Kosoves. Per hirë vertetes duhet thënë se në vitin 2010 (në mos gabofsha), qeveria shqiptare e asaj kohe ngriti një komision per të hetuar per Masakren e Tivarit. U grumbulluan shume dokumente e matriale shkresore nga arkivat e shtetit shqiptar, nga arkivat e ish Jugosllavisë etjerë. Por keto dokumente e matriale shkresore mbeten të tilla, përveçse historiani Uran Butka (ish antar i këtij komisioni) i përmblodhi në një libër të veçantë me titullin: “Masakra e Tivarit dhe pergjegjësia e shtetit shqiptar”, botuar me ndihmesen e Ministrisë së Turizmit, Kultures, Rinisë dhe Sportit në vitin 2011…

Ah sikur të kishte përfunduar me kaq “dashnia” sllavo-komuniste !!!. Por fatkeqësisht kjo “dashni” edhe sot trashigohet në mënyra të ndryshme nga trashigimtarët e komunizmit shqiptar me emër të ndryshuar, por në sherbim të sllavo-serbisë dhe në dëm të shqiptarisë…

Filed Under: Histori

KUR FAIK KONICA VIZITONTE GJEÇOVIN NË GOMSIQE

April 1, 2024 by s p

Frano Kulli/

“A i vemi mysafirë At Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave?”- më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër.

Faik Konica, për së pari gjëndet në Shkodër në vitin 1883. Ka qenë 8 vjeç atëhere, kur prindërit e kishin shoqëruar te e motra Xheva, e cila, asokohe, banonte me familjen e vet në Shkodër. Mbasi kishte marrë mësimet e para në Konicë, hyn në Seminarin Papnuer, shkolla e Jezuitëve dhe bën aty dy klasë (1883-1885). Përjetimet e qëndrimit në Shkodër, lanë gjurmë të shënuara në formimin e adoleshentit Konica: “Më 1883 më rastisi që vajta në Shkodër me prindërit, të cilët më çuan në shkollën e Jezuitëve. Mjegulla e kohës s’ma ka hequr ende larg kujtesës atë rrugë të ngushtë e të shtremtë që, duke filluar tek ajo udhë e gjerë që shkon te Kopështi i Kombit (Milet Bahçe), mbaron në shkollë të Jezuitëve. Shkollë e gjerë dhe e ajrosur tej e tej, me oborre të mëdha e me lodra, ku rinia shqiptare mëson të jetojë një jetë më të butë, më të urtë e më vëllazërore. Mësimet, italisht, latinisht, frëngjisht e gjermanisht, jipen prej Etërve Jezuitë, me atë dije, që as armiqve të tyre s’ua mohojnë.

Artet e bukura, si muzika e piktura, si dhe fesat e shpeshta, e lehtësojnë trishtimin e mësimeve të rënda. Javë për javë, djemtë dalin e shëtisin në fusha, e janë jashtë mbi blerime: zakoni i mirë që ua bën mendjen të gëzuar e të shëndoshë për të filluar mësimet e javës. Me këto dhe me të tjera, kjo shkollë mbahet në një shkallë të lartë, e gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Europës, munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë të barazohet me to”.

Këto shënime janë shkruar mjaft më vonë, mbas ardhjes së herës tjetër në Shkodër, në vitin 1913, në kohën e luftës ballkanike tashmë si njeri i kompletuar me dije e njohje të mëdha e i thirrur nga vetëdija e tij për të shërbyer kauzën e kombit. Kurse me mendjet e ndritura të shqiptarisë aty në Shkodër , me “françeskanët e mëdhaj”ai krijoi miqësinë e fortë intelektuale e të pandame asnjëherë. Në “Albania” e tij në Bruksel , Fishta boton poezinë e tij të parë me 1899, dom Ndoc Nikaj , me ndërmjetësinë e tij shtyp “Histori e Shqypnis’ ”…

“CA KUJTIME MBI AT GJEÇOVIN”, Faik Konica e botoi për herë të parë në gazetën “Dielli” të Bostonit, më 1930. Kurse , në “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që botohet më 1933, botuesi-provinca françeskane i riboton me shënimin: E perdorem ket artikull me të cillin Ekselenca e Tij Ministri Shqypnis në Washington Z. Faik Konitza na e paraqet aq gjall Françeskanin Shqyptar A. Shtjefnin Gjeçov e me nji stil aq të rrjedhshëm, sa, tuj na u dukë ky artikull si nji kunorë e çmueshme letratyre, qi z. Konitza desht të véte mbi buca të njoma të vorrit të të përvajtueshmit A. Shtjefen, na u duk si detyrë t’a biejshim edhe në ket kryevepren e tij.

At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash dissa vjet përpara Luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvent të Franciskanëve, nji ditë u njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi, që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u shtuan ca më tepër që kur u poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë, me një palë sy të zez ku çkëlqente mendja dhe zemërmirësia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vend. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej ndonjë pikë mbi të cilën kish dituri të veçantë , si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane , At Gjeçovi çelej ca më gjatë dhe atëhere ish gëzim ta dëgjonte njeriu.

Aso kohe, At Gjeçovi ish “famulltar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katunt i Mirditës në udhë nga Shkodra në Orosh. “A i vemi mysafirë At Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave?”- më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtu, pa humbur kohë, u nismë. Një gjë për të vënë re dhe që mbushte me habi dhe trishtim, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtat’ a tet’ orësh me kalë, nuk gjetmë as katunt, as shtëpi, veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shënjë gjallësie: një vend i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u çpërblye përtej shpresës, posa arritëm në Gomsiqe, ose, që të flasim më drejt, në famulli të Gomsiqes, – katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhu, një shtëpi këtu, një shtëpi nj’a dy milje më tej, as që dukej.

Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të shtëpisë – qëndronte, mirë-pritëse dhe e qetë, anës një lumi. Këtu rronte At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësi e përulur, në mund t’ afroj e të lidh dy fjalë aqë të përkundërta; një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Varfërit të Assisit, në pastëri e në vobësi të zemrës së tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vend këshillash të mira, u jipte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njerëzve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi ia kushtonte studimit.

Merrej ahere me institutat e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët tona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturin e këtij Kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nj’a dymijë faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej Kohës së Mesme.

Në kat të sipërm të famullisë, përmbi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërirash greko-romane, të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mend, veçan, një enë të vogël, të qojtur “lacrumatorium” lotore, asosh që të vjetërit, në besim se të vdekurit qajnë të shkuarit e jetës së tyre, i mbulojnë në varr bashkë me të vdekurin, që ky të kish se ku t’i mblidhte lotët. Nuk më shkonte ahere kurrë ndër mend se pas ca vjet secilit prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësi për nga një lotore, ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin…

Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një dituri pa tingëllim, po dhe shqipëtar i kthiellët, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësi, nuk i mungoi asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çuditshmia e të cilave ndoshta është të mohuarit se ai ish shqipëtar. Sepse ish lindur në një kufi gjuhërash, në një kufi ku sot mbaron shqipia dhe nis një gjuhë tjatër. Ca mendje të klasës së katërt, të pazonjat të kupëtojnë se folësit e shqipes në vijën më të përparuar janë stërnipërit e atyre, që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mprapsurit e vijës më tëhu, ca mendje të klasës së katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdi.

Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtij njeriu të rrallë do të vejë duke u rritur dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.

Filed Under: Histori

NJË LETËR E PA NJOHUR E ISUF LUZAJT NGA VENTOTENE

March 28, 2024 by s p

Nga Enver MEMISHAJ/

Isuf Luzaj ka lindur në vitin1913 në Kaninë, Vlorë, vdiq në vitin 2000 në Amerikë dhe u varros në vendlindje. Gjatë Luftës Antifashiste ishte profesor në Shkollën Tregëtare të Vlorës. Më 28 nëntor 1939, në qytetet kryesore të vendit në Tirane, Korçe, Shkodër, Vlorë, etj., profesorët dhe studentët e shkollave të mesme me rastin e përvjetorit të Shpalljes se Pavaresise protestuan me flamurin shqiptar pa shenjat e Liktorit, për një Shqiperi të lirë dhe të pavarur. Në Vlorë, prof. Luzaj kujton se ishin rreth “njëmijë studentë dhe njëmijë qytetarë, brodhëm rrugëve të Vlorës, duke kënduar himnin e flamurit”. Reagimi i pushtuesve fashistë ishte i ashpër. Luzajn e arrestuan dhe e internuan në ishullin Ventotene të Italisë. Ne tetor 1941, me ndërhyrjen e Ali Kelcyres Isuf Luzaj lirohet nga internimi, kthehet në Shqipëri dhe vihët në udhëheqje të luftës kundër pushtuesit fashist të vendit. Kuestura e Vlorës me shkresën nr. 088 Div. I datë 16 prill 1940 njofton Këshilltarin e Përhershëm të Policisë Tiranë si më poshtë:

“Lënda: Isuf Luzaj i Muhametit, i internuar politik.

Për informim të detyrueshëm, kam nderin të përciell një kopjo të letrës të gjetur gjatë kontrollit postar të të burgosurit në lëndë, shkruar për të vëllanë e tij Ifrahim Luzaj.

Letra u trajtua sipas kursit të dhënë. Organizatori Policisë Jacono”.

Më poshtë po japim pwrkthimin nw shqip tw letrws qw Isuf Luzaj i drejton familjes:

“Ventotene, 4.4.1940.

E dashur nënë, vëlla i dashur, motër e dashur, më e dashura e familjes, përshëndetje të gjithëve.

1. Gjëja e parë për të cilën dua t’u shkruaj, është t’ju bëj të ditur se është në interesin tonë të shkruajmë gjithmonë në italisht, jo vetëm unë por edhe ti (përgjigja italisht). Korespodenca bëhet më e përshtatëshme dhe më e shpejtë.

2. Më dërgoni sa më shpejtë 500 lireta italiane, me çek banke, në këtë adresë: Jusuf Luzaj, i internuar politik në ishullin Ventotene, Littorio.

3. Më dërgoni të paktën një këmishë, një këmishë të re dhe gjëra të tjera që ju mendoni se janë të rëndësishme për mua këtu.

4. Më dërgoni fotografi të sejcilit, të vjetërve dhe të rinjëve, të familjes sonë, në mënyrë që t’i kem ato për t’ju kujtuar. Të gjitha me pako postale.

5. Tani më kujtohet që Rahileja dhe Drita nuk shkruajnë dot italisht, ja çfarë duhet të bësh: Ifrahimi e shkruan letrën çfarë kanë dëshirë të shkruajnë Rahileja dhe Drita, dhe duhet ta përkthesh në italisht fjalë për fjalë, sipas dëshirës së tyre, kështu unë do të kem korespodencë të plotë prej tyre, mirë?, Po!…

6. Ti Skënder me Ifrahimin rri i qetë, mos fol me njeri, mos shko në qytet, përveçse të blesh ushqime, se nëse të folurit është argjend, heshtja është flori, tha moralisti romak Seneka.

7. Tanimë dëgjo me vëmëndje, këtë që do të them dhe dua që të të bëjë shumë përshtypje. Sa bukur qeshje dikur, gëzohu dhe merre çështjen me optimizëm, se herët a vonë e vërteta do të dalë në shesh dhe eprorët do ta shohin se ne nuk jemi fajtor.

Një dorë nga qielli duhet të rregullojë të vëretën dhe drejtësinë, duke i vendosur në vendin e tyre. Atëhere eprorët do të na japin lirinë, dhe ne do të shohim njeri tjetrin më të lumtur se përpara largimit tim. Dante thotë: “Kulmi i stuhisë, shumë herë, është më i lumtur se një ditë pranvere”.

8. Pas 5 ditë burgimi në burgjet gjyqësore të Barit na sollën këtu në ishulin Ventotene, 6 orë me anije me avull nga Napoli, drejt detit Mesdhe në një ishull të bukur Arjan Sana Marittima. Tokë e bukur romake, e mrekullueshme, pranë detit ku dallga e fryrë shkëlqen, shkëlqen dhe bën zhurmën e bukur të harmonisë hyjnore.

Eprorët tanë janë të gjithë siç e kam kuptuar deri tani shumë të sjellshëmnë, në një mënyrë që nuk mund të imagjinohet. Njerëzit e këtij ishulli (besoj rreth 1500 banorë pa qenë i sigurt për numurin sepse nuk kam pyetur askënd) janë shumë të sjellshëm…”

Shënim:

Nuk ka qenë e mundur të gjendet vazhdimi i letrës. Rahileja ishte motra e Isuf Luzajt që vuajti 10 vjet në burgjet e Enver Hoxhës, ndërsa Drita ishte bashkëshortja e tij e cila e mbylli jetën e saj në internim, së bashku me 5 fëmijët.

Filed Under: Histori

Mikel Maruli – poeti madh arbëror i rilindjes europiane (1458 – 10 Prill 1500)

March 26, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Në hapësirën shqiptare, ky poet është krejtësisht i panjohur, madje po kaq i panjohur është edhe libri i posaçëm studimor që i kushtoi atij njëri nga estetët më të mëdhenj Italianë, Benedeto Kroçe me titull “Mikel Maruli Tarkaniota: elegjitë e atdheut të humbur dhe disa këngë të tjera” (1938). Në këtë studim, përtej trajtimit të figurës në dimensionin e tij etik dhe civil, Kroçe përpiqet të na ilustrojë vlerësimin e madh që ka për autorin, duke e shpallur atë si njërin nga poetët më të mëdhenj të viteve 400’, nëpërmjet citimit proverbial “ndoshta më shumë nga të gjithë fluturoi Maruli”. Në këtë rrjedhë vlerësimesh kanë kaluar edhe mjaft studiues të tjerë, duke theksuar mbi të gjitha disa cilësi të tij thelbësore. Ajo që e dallon nga dy prej bashkëkombasve të tij më të shquar, nga një Pontano apo një Poliziano, është kapaciteti i trajtimit të latinishtes si një gjuhë e gjallë, si një mjet shprehës jo i rezervuar për abstraksione të rafinuara të stilit humanist, por të përshtatshëm për të komunikuar përvojat më “përzhitëse” të jetës. Në këtë kuptim poezia e tij shërben si një qendër unifikuese e një tensioni të brendshëm religjioz, naturalistik dhe panteistik. Edhe vetë biografia apo prodhimi i tij letrar e provon një pohim të tillë. Nga njëra anë ushtar aventurash nën udhër të shumë të pushtetshmëve, nga ana tjetër një letrar latin i shquar si poet filozof, si një ekspert i filologjisë, sidomos asaj greke, dhe i dalluar në gjithë panoramën e studiuesve të kohës, jo vetëm për korrigjimin e tekstit të famshëm të Lukrecit, por edhe si kritik i aftë e plot argument i tij. Autor i elegjive të mrekullueshme për atdheun e humbur, Konstandinopojën ku kish lindur, i epigrameve brilante të dashurisë në frymën e rilindjes europiane, por mbi të gjitha i himneve të tij mbi natyrën. Pietro Rapezzi, përkthyesi i famshëm i autorëve latinë, por edhe i autorit, shprehet se “në tërësinë e produktit të tij letrar shprehet qartësisht se vargjet e Marulit e tejkalojnë jetën prej së cilës ato lindën për t’u shndërruar në një mendim poetizues”. Në poezitë e tij, në të vërtetë, është shtegtare dhe gjurma e përvojës së tij ftilluese, që në mënyrë misterioze shpërndahet në bukurinë meditative të fjalëve magji-ndjellëse, po njëlloj si jeta e autorit që u përmbyll parakohe në ujrat e rrëmbyeshme dhe të parezistueshme të Çeçinas, lumit ku ai u mbyt fizikisht në atë të djelë prilli të vitit 1500”. Maruli lindi në Konstandinopojë, atëherë kur Turqit sapo e kishin pushtuar këtë vend, por tërë jetën u deklarua, greko-romak ose bizantin dhe “kostantinopolitanus”. Familja e të atit, bazuar në të dhënat e Paolo Cortesit, rridhte nga mbretërit e Dimes. Si paraardhës të lashtë ajo krenohej me perandorin Gordiani, të cilët nga ana e tyre ishin të prejardhur nga republikanët romakë të familjes Gracchi dhe perandorit Trajan. Prejardhja greke ose më saktë arvanitase, i vinte nga nëna, e lidhur me brezninë e Paleologëve, pasi në epigramën I, 52, vëllimi 3, ai e përmend vetë begatinë e familjes mëmësore. Pas rënies së Konstandinopojës, familja mërgoi për Raguzë, një Republikë asokohe e pavarur. Lirinë e qytetit, së bashku me bujarinë, bukurinë, mirëqënien dhe besnikërinë ndaj ligjeve dhe traditave, ai e këndon dhe e lëvdon si një privilegj në Epigramën IV, 17. Po megjithatë Maruli nuk e thekson si të bukur fëmijërinë e vet: përkundrazi nëpër vargje të shumtë ai përmend vajtime, kujtime padrejtësish, sëmbimesh e dhimbjesh mërgimi për një atdhe që nuk iu zhduk kurrë nga mendja në çcdo ditë të jetës së vet. Edhe në ditën e fundit të jetës, si një mërgimtar emblematik, ai nxitoi të kalojë ujrat e një lumi të tërbuar, vetëm për të shpejtuar nisjen kah vendlindjes, njësoj si lejlekët shtegimtarë që edhe në moshën më të thyer kanë për zakon të kthehen drejt folesë së tyre. Është ky njëri nga zakonet më emblematikë të personalitetit të individit shqiptar të të gjitha kohrave, zakoni i kthimit në vendlindje, ndaj dhe poetika maruliane në vetvete arrin të kthehet në një simbolikë poetike të kodit burimor shqiptar, që në këtë rast shpëtheu në degën arvanitase të rrjedhës së tij, ose më mirë në rrjedhën e mërgimtarëve të epokës skënderbegiane ose më saktësisht në rrjedhën tjetër të madhe që shoqëroi elitat e principatave të Moresë së asaj kohe, të përfqësuar në degën e mërgimtarëve-stradiotë.

Filed Under: Histori

KUJTOJMË PREKË CALIN E MALËSISË SË MADHE

March 25, 2024 by s p

Pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, 25 Mars, 1945

Nga Frank Shkreli

Prekë Pjetër Cali – Piramida e kufirit shqiptar

“O ti kangtari i kangve kreshnike,

Merre lahuten tashti njiherë

Na i thuej trimnitë e doket fisnike

Na i kujto të parët se e kishin për nder:

Deken m’e ba sikurë me le

Të huajve nën thunder mos me iu nënshtrue” –

(Ndoc Vulaj, Lufta e Kelmendit, botuar në 1999 nga Shtëpia Botuese, “Gjergj Fishta”)

Në këtë ditë të 25 marsit kujtohet Kreshniku trim i Malësisë së Madhe, nderohet dhe përkujtohet Heroi trupmadh, me një forcë të jashtzakonshme atdhetare dhe morale, kreshniku i maleve tona, burrin e shquar për trimëri, për vepra heroike dhe fisnikëri – Prekë Calin – ‘Nderi i Kombit’. Prekë Calin, të parin e Kelmendit, i cili bashkë me malsorët gjatë gjithë jetës së vet luftoi në mbrojtje të Atdheut. Fillimisht, kundër perandorisë osmane, pastaj kundërshtoi zgjerimin djallëzor territorial të Malit të Zi, në kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa ka mbrojtur në përgjithësi integritetin territorial të Shqipërisë në takimet me komisione evropiane. Dhe, në fund të jetës së tij, ka kundërshtuar me vendosmëri instalimin e komunizmit sllavo-aziatik të Enver Hoxhës në Shqipëri – përpjekjet për të cilën edhe është pushkatuar në këtë ditë, 79-vite më parë.

Kujtojmë Prekë Calin, bashkëpunëtor i qeverisë së Fan Nolit, Prekë Calin e internuar në Gjirokastër nga Ahmet Zogu si kundërshtar i tij dhe Prekë Calin e pushkatuar nga regjimi barbar komunist Hoxha-Shehu.

Përkujtojmë Prekë Calin, të cilit as varri nuk i dihet. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë, pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje.

Ky është Prekë Cali “Prijsi i Popullit”, “Piramida e kufirit shqiptar”, “Kreshniku i Vermoshit” dhe i krejt Malcisë së Madhe dhe mbarë Shqipërisë. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë, pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje. Dom Ndre Zadeja, meshtar, poet e atdhetar i flakët, martir i parë i Kishës Katolike shqiptare gjatë persekutimeve barbare të periudhës komuniste.

Sot, përkujtojmë Prekë Calin, Malësorin dhe Shqiptarin e madh, i cili për vite me rradhë luftoi dhe kundërshtoi synimet e armiqve të Kombit shqiptar si edhe vendimet e padrejta të kancelarive të Evropës, në dëm të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.

Përkujtojmë Prekë Calin, mbrojtësin e kufijve të vendit dhe të tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare nga kthetrat e synimeve grabitqare të shovinistëve sllavë.

Përkujtojmë Prekë Calin e Selcës së Kelmendit, bartësin e traditave dhe virtyteve më të shenjta të malësorit e të shqiptarit: të atdhedashurisë, nderit e burrënisë, të mik-pritjes e bujarisë, gjithmonë sy-patrembur ndaj armikut.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili gjithë jetën ia kushtoi, jo vetëm, mbrojtjes së integritetit tokësor të Shqipërisë, por edhe lirisë e demokracisë, dhe i cili sakrifikoi edhe jetën duke kundërshtuar vendosjen e komunizmit ndërkombëtar në Shqipëri.

Harresa e vrasjeve të patriotëve shqiptarë si Prekë Cali nga regjimi komunist enverist dhe anashkalimi i tyre zyrtar nga historiografia shqiptare duhet të shqetësojë ndërgjegjen e çdo shqiptari.

Në vend të harresës do duhej të përkujtojmë Prekë Calin, atdhetarin dhe anti-komunistin, i cili para se të pushkatohej nga regjimi i Enver Hoxhës, pyetjes së Mehmet Shehut se pse nuk bëhej me komunistët shqiptarë, se ashtu do ta mbyllte historinë e tij me shkronja ari — Prekë Cali është përgjigjur: “Zotëni, faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleatë me anmikun tonë shekullor, Serbinë”.

Prandaj, sot le të përkujtojmë Prekë Calin e Malësisë së madhe, për bindjen e tij se komunizmi ishte gjëja më e keqe që po i kërcënohej Shqipërisë dhe i cili me burrat me të njohur të Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe i bëri një qëndresë të fortë këtij sistemi sllavo-aziatik – i huaj për shqiptarët për nga historia dhe identiteti — sllavo-aziatik me prejardhje, kriminal në shpirt për nga natyra e morali, një regjim që iu imponua shqiptarëve nga armiqtë më të përbetuar të Kombit.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili para se t’i rrëxohej trupi i tij vigan nga plumbat e mitralozit të komunistëve të Enver Hoxhës, bërtiti me zërin e fuqishëm të malësorit: “Rrnoft Shqipënia, Rrnoft populli shqiptar. Herët ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.

Përkujtojmë pra, Prekë Calin – edhe si simbol i gjakut të derdhur në shenjë nderimi e respekti edhe për bashkëluftëtarët e tij, disa prej të cilëve u pushkatuan gjithashtu në të njëjtën ditë me të, si edhe për mijëra martirë të tjerë nacionalistë anti-komunistë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, të burgosur e të internuar për pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.

Prandaj edhe njëherë le të shënojmë kujtimin e këtij burri të madh duke shpresuar që, më në fund, të peshohet mirë dhe me të drejtë e Vërteta Historike e cila është aty për t’u zbuluar dhe, vetëm asaj t’i jepet arsyeja. Ashtuqë, heronjve si Prekë Cali, përfundimisht, t’u kthehet lavdia, nderi dhe vendi që u takon në historinë e Kombit shqiptar të gjithë patriotëve të vërtetë si Prek Cali.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Prekë Calit. Nder e lavdi, veprës dhe qëndresës së tij anti-sllave dhe anti-komuniste, në shekuj!

Frank Shkreli

Vasel Shkreli, shqiptaro-amerikani me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe me këngën kushtuar Trimit të Kelmendit, Prekë Cali.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT