• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një akademik Fan Nolist, kandidat për Rektor në Universitëtin publik “Fan S. Noli”

April 14, 2016 by dgreca

*Universiteti “Fan S.Noli”,  qendër e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në Shqipërinë juglindore/

 *Intervistë me kandidatin për Rektor të Universitetit Publik “Fan S.Noli”, Korcë Prof. Dr. ALI  JASHARI/

Pyetje: Zoti Profesor, ju tashmë jeni një akademik i afirmuar jo vetëm në universitetin “Fan Noli”, por dhe më gjerë. Cila ishte arësyeja që ju po kandidoni si drejtues i këtij Universiteti të rëndësishëm për zonën Juglindore të vendit?

Përgjigje: Së pari përshëndes të gjithë kolegët dhe studentët e Universitetit “Fan Noli”, të cilët me përkushtim e profesionalizëm kanë mbajtur gjallë edukimin dhe arësimimin e qindra studentëve në fusha të ndryshme, me të cilët kam ndarë punën dhe angazhimin tim si mësimdhënës, koleg, vendimarrës, në ditë të mira e të vështira në Universitetin “Fan S.Noli”. Më vjen mirë që këtë moment ta ndaj me gazetën tuaj, të cilën për hir të së vërtetës e ndjek herë pas herë, sidomos të shtunave dhe të djelave. Arësyeja kryesore që më shtyu drejt këtij vendimi lidhet në radhë të parë, me arritjet e shënuara nga Universiteti ynë, falë punës dhe përkushtimit të stafit akademik, të organeve dhe autoriteteve drejtuese, që nga rektori deri te përgjegjësit e departamenteve, ku dhe unë kam dhënë ndihmesën time modeste, në detyrën e Zëvendësrektorit të universitetit dhe të Dekanit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, si anëtar i senatit akademik dhe kryetar i këshillit të profesorëve apo në detyra të tjera. Tashmë Universiteti “Fan S.Noli” i Korçës, ka krijuar profilin e tij të plotë si një institucion me emër dhe me integritet të plotë, me një infrastrukturë bashkëkohore, me një staf të dyfishuar në numër dhe me kualifikimet e duhura e gjithnjë në rritje, me programe studimi të konsoliduara me synimin drejt programeve të reja për t’u paraprirë kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit të rajonit të Korçës, me veprimtari shkencore mbarë dhe ndërkombëtare, që e kanë hapur dhe e kanë lidhur institucionin tonë me shumë universitete të tjera, me projekte të frytshme në dobi të përngritjes shkencore të shumë prej pedagogëve dhe studentëve, me një numër të mjaftueshëm studentësh, që po shkon drejt prurjeve cilësore, me mjedise mësimore e çlodhëse, që do të shtohen edhe më shumë, me investime të nevojshme, që do të rriten në të ardhmen etj. Në vijim të intervistës po e zgjeroj pak pyetjen tuaj: pse vendosa që të kandidoj për detyrën e rektorit të universitetit dhe nuk bëra zgjidhje të tjera të mundshme?  Kjo është pyetja më e natyrshme që duhet t’ia bëjë vetes secili që kandidon për këtë detyrë, apo edhe për detyra të tjera të rëndësishme, në të cilat individi ka rolin e vet të pamohueshëm dhe mund të bëjë që institucioni që do të drejtojë ose të ecë përpara, ose të krijojë një status quo, ose të marrë teposhtën, duke sjellë  edhe dëme shumë të mëdha që mund të mos ndreqen për vite të tëra. Me fjalë të tjera, drejtuesi që kërkon të jetë i tillë, duhet të dalë mbi veten për të realizuar një mision të lartë, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në të mirë të të gjithë njerëzve që i kanë besuar, për komunitetin përreth universitetit, për prindërit, studentët, për Korçën dhe rajonin e saj, por edhe më gjerë. Unë kam besim se mund ta marr përsipër këtë detyrë, duke besuar që, së bashku, si një familje e madhe, pedagogë, studentë e punonjës ndihmësmësimorë, do të krijojmë një mjedis pune të ngrohtë dhe frymëzues, ku secili ka rolin e vet të çmuar, duke punuar së bashku dhe me përkushtim për të përballuar sfidat aktuale që kemi për zbatimin e reformës së arsimit të lartë dhe akreditimin institucional, në mënyrë që Universiteti i Korçës të radhitet me dinjitet e besueshmëri përkrah dhe në ballë të institucioneve më të mira të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit. Theksoj se të gjitha këto dhe arsye të tjera, unë i kam paraqitur para stafit akademik dhe studentëve në Projektprogramin e Zhvillimit të Universitetit të Korçës për katër vitet e ardhshëm, duke i kërkuar atyre dhe mbështetjen tuaj të hapur dhe të sinqertë.

Pyetje:-Ju folët për përmirësim të programeve të deritanishme, cfarë propozoni konkretisht?

Përgjigje: -Aktualisht Universiteti “FAN S.Noli”, {UK. FS.N.}, ka 6500 studentë, nga 3200 që kishte në vitin 2008, një rritje e pazakontë kjo referuar kushteve dhe mundësive, ndërkohë që është rritur dhe numuri i pedagogëve të cilët duhen kualifikuar me programe të studimit “Bahcelor”, “Master profesional”, “Master Shkencor” dhe “Doktoraturë”. Referuar misionit që ka universiteti, si institucion i arsimit të lartë dhe sipas ligjit të ri të arsimit të lartë ne, në përgjithësi, i plotësojmë të gjitha kriteret për të ruajtur një status të tillë. Por, ndërkaq duhen realizuar disa përbërës të tjerë: së pari, cikli i tretë i studimeve. Ne kemi vetëm një program të tillë në Fakultetin e Bujqësisë për “Hortikulturë të qëndrueshme”, i cili duhet vënë në baza më të shëndosha organizative për të rritur cilësinë, së dyti, brenda dy vjetëve ne duhet të plotësojmë kushtet për të ngritur këshillin e profesorëve të universitetit, së paku me 18 profesorë. Aktualisht ne kemi 5 profesorë dhe 34 profesorë të asociuar, shumica e të cilëve mund të aspirojnë për marrjen e titullit “profesor”, sipas përcaktimeve të ligjit të ri të arsimit të lartë, ndaj dhe objektivi ynë është që brenda 2 vjetëve ne të arrijmë ngritjen e këshillit të profesorëve të universitetit, së treti, ne duhet të hapim të paktën dhe tre programe të reja të ciklit të tretë, studime të doktoraturës (Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë dhe Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane). Pra, konsolidimi dhe rritja cilësore e programeve ekzistuese të studimit, ristrukturimi i tyre sipas ligjit të arsimit të lartë dhe lehtësimi i transferimit të studimeve për studentët do të jetë një objektiv i rëndësishëm për vitin e ardhshëm akademik. Gjithashtu hapja e programeve të reja në bazë të kërkesave të tregut të punës, sidomos programe studimi 2-vjeçare me karakter profesional, mbi bazën e arsimit të mesëm që përgatitin specialistë për drejtime të caktuara, si specialistë veterinarie, specialistë të pyjeve, edukatore për foshnjërinë dhe fëmijërinë e hershme, specialistë për hoteleri-turizëm, specialistë për marketing-tregti etj. (sipas propozimeve që do të bëhen nga departamentet e fakulteteve). Këto programe studimi janë përparësi e strategjisë kombëtare për arsimin e lartë.

Pyetje: Sot, jo vetëm në Universitetet Botërore por dhe në vendin tonë shtrohet domosdoshmëria e punës kërkimore-shkencore, inovacionit dhe botimeve cilësore për këto veprimtari, cfarë mendoni ju se mund të realizohet në UK.FS.N.

Përgjigje: Mendoj se në të ardhmen organet dhe autoritetet drejtuese të Universitetit tonë  do të përkrahin përgatitjen dhe botimin e teksteve universitarë nga pedagogët tanë, përkthime tekstesh bashkëkohorë etj. Për të realizuar këtë proces do të ngremë Entin Botues të Universitetit, si një institucion me statusin e një shtëpie botuese, ku tekstet universitarë do të subvensionohen nga të ardhurat sipas fakulteteve, në mënyrë që ato t’u jepen studentëve me çmime të reduktuara.

Gjithashtu universiteti do të marrë përsipër botimin e monografive të pedagogëve (sikurse është bërë në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë ku janë në proces botimi 24 monografi) dhe libra të tjerë të tyre me karakter shkencor. Ndërkohë do të bëhet ristrukturimi i Buletinit Shkencor të Universitetit, duke nxjerrë 4 seri sipas fakulteteve (një herë në vit, sikurse dhe ka ndodhur nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Edukimit) dhe do të përmirësohet cilësia e botimeve. Mirë do jetë që cdo fakultet të organizojë të paktën një herë në vit, një konferencë me prurjet më të fundit të pedagogëve të çdo fakulteti (të cilat mund të jenë lënda për botimin e revistës së fakultetit). Për këtë do përkrahet dhe mbështetet financiarisht pjesëmarrja e pedagogëve në veprimtari shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, aplikimi për projekte në shkallë fakulteti dhe universiteti, si dhe në projekte ndërkombëtare, ristrukturimi i njësisë që merret me projektet duke përfshirë edhe pedagogë të tjerë në çdo fakultet. Theksoj se, të gjithë pedagogët që do të marrin pjesë në projekte, veprimtari shkencore, kualifikuese, botuese etj. për shërbime me palë të tjera, do të motivohen financiarisht në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe akteve të tjera nënligjore. Krahas këtyre do të rinovojmë laboratorët shkencorë, sallat e informatikës dhe gjuhës angleze, për të cilat do afrojmë donatorë. Për ta zgjeruar këtë veprimtari ne do bashkëpunojmë dhe me universitete evropiane dhe në SHBA.

Pyetje:-kuptohet që bazë për realizimin e synimeve tuaja është niveli i akreditimit të stafit pedagogjik dhe zbatimi i kërkesave të procesit të Bolonjës, cfarë mendoni për këtë?

Përgjigje:-Aktualisht në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë, Fakultetin Ekonomik, të shkencave të Natyrës dhe Humane dhe Fakultetin e Bujqësisë ka respektivisht  153 pedagogë efektivë dhe me kontratë me kohë të plotë, nga të cilët 5 profesorë, 34 profesorë të asociuar; 45 doktorë shkencash, 6 docentë dhe 69 “Master i shkencave”, pa përmendur numrin e pedagogëve të ftuar. Por, përballimi i detyrave dhe i sfidave që përmendëm më sipër kërkon që të rritet ndjeshëm numri i pedagogëve të kualifikuar. Ne do krijojmë lehtësira për stafin mësimdhënës dhe kualifikimin e tyre, konkretisht, brenda dy vjetëve do të synohet që të plotësohet objektivi për të ngritur këshillin e profesorëve, sipas Ligjit të ri të arsimit të lartë, të gjithë pedagogëve me kualifikimin “master i shkencave”, të paregjistruar në doktoraturë, do t’u krijohen mundësitë për t’u regjistruar dhe për ta mbrojtur në kohën e duhur, pedagogët do të kenë mjedise më të mira për punë dhe kërkim shkencor, ndërkohë, të gjitha shpenzimet për mbrojtjen e doktoraturave (printime, lidhje etj.) do të përballohen nga buxheti i Universitetit.

Pyetje: Me sa shohim, programi juaj është tepër ambicioz dhe nqs realizohet Universiteti “Fan S. Noli” do jetë ndër më të kërkuarit, po për cilësinë e mësimdhënies cfarë mendoni?

Përgjigje:-Kjo është një pikë ku duhet të përqendrojmë më shumë vëmendjen në të ardhmen. Ne vërtet kemi përmirësuar infrastrukturën e mësimdhënies, diçka ka ndryshuar dhe për metodat e mësimdhënies, por mbetet shumë për të bërë. Cilat janë problemet dhe zgjidhjet? Sot, në rend të ditës është mësimdhënia mbi bazën e kompetencave dhe rezultateve të të nxënit. Në arsimin parauniversitar tashmë janë përcaktuar kompetencat kyçe dhe specifike për çdo fushë lëndore dhe lëndë që zhvillohet me nxënësit, ndërsa në institucionet e arsimit të lartë janë ende larg  konceptit për të mësuarit mbi bazën e kompetencave që sot është kryefjala e dokumenteve të Procesit të Bolonjës për arsimin e lartë. Në literaturën për arsimin, lidhur me termin “kompetencë” ka patur dhe ka pështjellime. Shpeshherë, termat “shkathtësi”, “aftësi”, “dije”, “kapacitet” etj. jepen si sinonime të termit “kompetencë”. Kompetencat janë shtyllë e mësimdhënies moderne në institucionet e arsimit të lartë, si bazë për zhvillimin e kurrikulave dhe plan-programeve mësimore, që përdoren për të përcaktuar  veprimtaritë mësimore dhe që duhet të vlerësohen përkatësisht. Në shumë shtojca të diplomës jepen të dhëna për të diplomuarit në formën e vlerësimit të kompetencave. Në një kurrikul të bazuar në kompetenca, të gjithë përbërësit e mësimdhënies: rezultatet e synuara të mësimit, metodat e mësimdhënies të përdorura, burimet për të mbështetur të mësuarit,  detyrat  vlerësuese dhe kriteret për vlerësimin e mësimit,  janë të lidhura dhe lehtësojnë arritjen e rezultateve të synuara të të nxënit. Për të diplomuarit e rinj nuk mjafton vetëm baza e dijes teorike që ata e marrin, por kanë nevojë edhe të përvetësojnë një sërë kompetencash që u mundësojnë atyre për të qenë më të shkathët për t’u ballafaquar me sfida të reja dhe të panjohura. Sot, me ndryshimet që ka pësuar shoqëria në të gjitha fushat kërkohet  që mësimi në auditorë  dhe laboratorë  të bëhet më tërheqës, më miqësor dhe përfshirja e studentëve brenda orës duhet të jetë e tillë që të ndikojë në rritjen dhe përmirësimin e të menduarit, të përvetësimit dhe zbatimit të njohurive. Ristrukturimi i kurrikulave universitare me bazë kompetencat është një detyrë urgjente, ndaj dhe ne po punojmë në këtë drejtim që brenda vitit të ardhshëm akademik  të zbatojmë një projekt konkret për mësimdhënien me bazë kompetencat. Nëpërmjet këtij projekti do të shihet  mundësia e riorganizimit të kurrikulës universitare,  me qëllim që të zhvillohen procedurat dhe instrumentet  për hartimin,  zbatimin  dhe vlerësimin e kompetencave që  duhet  ofrojë kurrikula në  në çdo program studimi, me ato që kërkohen nga tregu i punës. Konkretisht: Do të bëhet një përqasje dhe përshtatje e njohurive dhe praktikave të  Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë, sipas nevojave dhe realitetit shqiptar të  tregut të punës, sidomos për rajonin e Korçës, Hartimi i kornizës së kompetencave, duke bërë një ndarje në kompetenca të përgjithshme dhe kompetenca të veçanta për çdo kurs studimi, publikimi i katalogut të kompetencave sipas programeve  përkatëse të studimit (do të  hartohet katalogu i kompetencave që fakulteti beson se duhet t’i ketë secili student në përfundim  të studimeve; çdo  program  studimi të ketë listën e vet të kompetencave, që përmban një sërë kompetencash të përgjithshme dhe një tjetër të kompetencave të veçanta; kompetencat e përgjithshme janë të njëjta për kurse të ndryshme studimi në fakultet; kompetencat e veçanta janë më të shumta në numër se të përgjithshmet dhe  përcaktojnë përmbajtjen aktuale dhe specifikat e dijeve për çdo të diplomuar të një program të caktuar studimi). Gjithashtu lidhur me këtë cështje e do hartohet dhe botohet manuali “Udhërrëfyes për mësimdhënien me kompetenca” që do të jetë ndihmesë shtesë praktike për grupet e interesit në nivel universitar dhe parauniversitar.

Pyetje:-si e shikoni në të ardhmen rolin e Universitetit të Korcës në rajonin e Korcës e më gjerë?

Përgjigje:-e shoh si qendër të madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në Shqipërinë juglindore. Jam i sigurt se, në katër vitet e ardhshëm Universiteti “Fan S. Noli” do të rritë edhe më tej rolin e tij si qendra më e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në rajonin e Korçës dhe më gjerë, nëpërmjet këtyre rrugëve: duke forcuar lidhjet e organeve drejtuese të Universitetit dhe fakulteteve me drejtuesit e bashkive, të qarkut, të prefekturës, të drejtorive rajonale apo me organizata dhe fondacione që veprojnë në rajonin e Korçës; duke sjellë në universitet mendimin e specialistëve të fushave të ndryshme, si dhe të drejtuesve të organeve vendore për zgjidhjen e problemeve që ka universiteti; që edhe ata ta ndiejnë se janë pjesë e Universitetit të Korçës.UK.FS.N. do të bëhet nismëtar për të organizuar në mënyrë periodike konferenca shkencore popullarizuese për probleme të fushave të ndryshme, duke u mbështetur dhe në potencialet intelektuale që ka rajoni i Korçës. Një objektiv i rëndësishëm për katër vitet e ardhshme është që Universiteti ynë të ofrojë shërbime për probleme të rëndësishme të rajonit dhe më gjerë në përputhje me misionin e tij, duke bashkëpunuar me bashkitë e rajonit. Së pari, Fakulteti i Bujqësisë do të marrë përsipër të përpunojë politikat për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral të rajonit të Korçës, si dhe për prodhimin e teknologjive të reja. Për këtë: 1.EDE do të ngrihet në statusin e një qendre kërkimore-shkencore, që do të marrë përsipër trajnimin e fermerëve për gjithë rajonin, si dhe specializime afatshkurtra për probleme shqetësuese të bujqësisë dhe blegtorisë. Kjo qendër me 22 hektarë tokë do të pajiset me mjetet më moderne në fushën e kërkimit bujqësor e me gjerë, duke bërë investimet e nevojshme. 2. Pjesë e Fakultetit të Bujqësisë do të jetë dhe Qendra e Transferimit të Teknologjive bujqësore, si bazë për zhvillimin e praktikave të studentëve të programit profesional për specialistë veterinarie. 3. Fakulteti i Bujqësisë do të bëjë certifikimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale të rajonit.

Së dyti, në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Humane:

1.Qendra e Ekselencës, mbi bazën e përvojës së fituar, do të ofrojë trajnimin e mësuesve në shërbim edhe me më shumë module në përputhje me përparësitë që do të japë Instituti i Zhvillimit të Arsimit, duke dhënë shërbimin e saj edhe jashtë rajonit të Korçës. 2.Departamenti i shkencave sociale dhe studentët e kësaj fushe do të angazhohen në projekte të përbashkëta me bashkitë e rajonit të Korçës për kryerjen e studimeve të karakterit social në interes të komunitetit.3.Departamenti i Infermierisë do të ofrojë shërbime me ekipe pedagogësh dhe studentësh në fshatra të largët të qarkut të Korçës, aty ku mungon ky shërbim, si dhe për të ndërmarrë studime për probleme të rëndësishme shëndetësore në shkallë rajoni. Së treti, Fakulteti Ekonomik do të ofrojë shërbime për probleme të mprehta dhe aktuale të ndërmarrjeve ekonomike, të cilat do të realizohen nëpërmjet: 1.Qendrës së studimeve për tregun, sidomos për tregun e punës në të gjitha profilet e ofruara nga Universiteti i Korçës. Studimet e kësaj qendre do t’u paraprijnë aplikimeve për programe të reja studimi. 2.Duke marrë përsipër kualifikimet afatshkurtra të specialistëve të ekonomisë për të rejat bashkëkohore të fushës, për trajnimin dhe praktikën në hoteleri-turizëm etj. 3.Duke u nisur dhe nga përvoja e deritanishme, pedagogët dhe studentët e këtij fakulteti do të marrin pjesë në projekte të përbashkëta me bashkitë e rajonit të Korçës për zhvillimin e turizmit, si dhe për zhvillimin e praktikës së studentëve duke i angazhuar në projekte konkrete, panaire, anketime etj.

4.Fakulteti Ekonomik do të ofrojë shërbime për shkrimin e projekteve dhe për drejtime të tjera.Së katërti, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë:1. Do të forcojë edhe më shumë në shkallë rajonale dhe kombëtare  rolin e Qendrës së Ekselencës për trajnimin e mësuesve në shërbim dhe do të hapë programe studimi të formimit të vazhduar për specializime afatshkrutra. Këto programe do të ofrohen edhe në forma të tjera, si shkolla verore etj.2.Departamenti i gjuhës shqipe do të ngrerë në nivel institucional Qendrën e gjuhës shqipe për të huajt dhe shqiptarët emigrantë në bashkëpunim me Universitetin “Aristoteli” të Selanikut dhe Universitetin e Follorinës, duke mbështetur me tekste dhe literaturë tjetër për mësimin e shqipes nga fëmijët emigrantë. 3.Në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë do të funksionojë Qendra e provimit për gjuhën greke, si një shërbim në dobi të Universitetit. Mendojmë se një objektiv i rëndësishëm do të jetë bashkëpunimi i rektoratit dhe i organeve të tjera me grupet e biznesit dhe me organizma të tjerë për të siguruar tregun e punës për studentët diplomantë, duke e bërë reale  këtë çështje jetike për ardhmërinë e tyre. Këto masa do i shërbejnë përmirësimit të imazhit të UK.FS.N.

Pyetje: po përmirësimin e infrastrukturës cfarë keni menduar?

Përgjigje: Kam ndjekur me kujdes cdo investim që është kryer në UK.FS.N, di dhe shifrat e cdo investimi. Gjykoj se përmirësimi i infrastrukturës mësimore në këto tetë vite që kaluan ka qenë i dukshëm dhe nuk dua të ndalem më gjatë këtu, po në atë se çfarë do të bëhet katër vitet e ardhshëm. Objektivi kryesor do të jetë zgjerimi i mjediseve për mësim dhe për pedagogët. Për këtë: brenda dy vjetëve do të ndërtohet një godinë moderne universitare me sipërfaqe 3000 m2 në vazhdim të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, në harmonizim me gjithë kampusin universitar,  me vlerë 98 milionë lekë (që do të financohet nga Universiteti dhe Fondi i Zhvillimit të Rajonit), çka do ndikojë ndjeshëm në arritjen e standardit  do të ketë: auditorë me infrastrukturë bashkëkohore; një bibliotekë universitare dixhitale dhe shërbime online; një amfiteatër për veprimtari shkencore, kulturore, artistike; një palestër për veprimtaritë sportive të studentëve etj.mjedise për administratën e rektoratit dhe pedagogëve etj. Kjo godinë do të shërbejë për veprimtaritë mësimore dhe shkencore për programet e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve të të gjitha fakulteteve të Universitetit. Po ashtu godina e re do të ndikojë dhe në zgjerimin e mjediseve në Fakultetin Ekonomik (me zhvendosjen e administratës së universitetit). Po kështu, në Fakultetin e Shkencave do të ndërtohen 6 salla të reja leksionesh dhe mjedise të tjera për pedagogët. Do të bëhen investime në Qendrën kërkimore shkencore të fakultetit të Bujqësisë, me të ardhurat e Universitetit dhe në bashkëpunim me institucione e fondacione shqiptare dhe të huaja për modernizimin e qendrës, për ta bërë atë një pasqyrë të zhvillimit bashkëkohor të bujqësisë. Për këtë:-Në të gjitha mjediset e pedagogëve do të Universitetit do të bëhet rinovimi i bazës kompjuterike dhe i kushteve të tjera. Brenda vitit akademik 2016-2017 do të ngrihet Qendra e Provimeve Dixhitale për zhvillimin e provimeve të formimit me 30-40 poste.                                Pyetje: Me sa kemi pare, ju këto ditë po zhvilloni një bashkëbisedim të hapur me studentët nën moton “Me sytë e zemrës tek studentët tanë”, cfarë nënkupton tematika e këtyre bisedave? Përgjigje: Nëpërmjet këtyre takimeve unë i vë në dijeni pedagogët dhe studentët për kandidimin tim në detyrën e rektorit të Universitetit. I kam shprehur atyre besimin se mund ta marr përsipër këtë detyrë, dhe së bashku, si një familje e madhe, pedagogë, studentë e punonjës ndihmësmësimorë, do të krijojmë një mjedis pune të ngrohtë dhe frymëzues, ku secili ka rolin e vet të çmuar. Ne do punojmë me përkushtim për të përballuar sfidat aktuale që kemi për zbatimin e reformës së arsimit të lartë dhe akreditimin institucional, në mënyrë që Universiteti i Korçës të radhitet me dinjitet e besueshmëri përkrah dhe në ballë të institucioneve më të mira të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu kam diskutuar probleme e cështje të tilla si, studentët dhe vendimmarrja, pasi, studentët, si pjesë e vendimmarrjes, përmenden në gjitha dokumentet politikë të Procesit të Bolonjës dhe është detyrë e autoriteteve dhe organeve drejtuese të Universitetit që ta jetësojnë plotësisht këtë parim, si a-ja e demokracisë së universitetit, kemi trajtuar organizimin e këshillave studentorë, kartën e studentëve dhe mbështetja finaciare,  përmirësimi i infrastrukturës së Universitetit në mbështetje të studentëve, gjallërimi i jetës studentore brenda dhe jashtë universitetit, procesi i mësimdhënies, etj. Sigurisht që për të gjitha këto, i kam kërkuar mbështetjen studentëve në zgjedhjet e 20 prillit, kur unë do të votohem në detyrën e Rektorit të Universitetit të Korçës, për një mandat katërvjeçar. Mbështetja e tyre do të më japë edhe më shumë kurajë për të realizuar planin strategjik të zhvillimit të Universitetit për periudhën 2016-2020. Kjo mbështetje është shprehje e vendimarrjes së studentëve për ardhmërinë e Universitetit të Korçës, si qendra më e madhe mësimore, shkencore, kulturore etj. në rajonin e Korçës dhe më gjerë. Ndaj i falënderoj të gjithë, dhe i ftoj të marrin pjesë në zgjedhjet e 20 prillit, duke i kujtuar se votimi bëhet vetëm me kartën e identitetit ose pasaportën personale.

Zoti Profesor, faleminderit dhe urime më 20 prill.

Faleminderit ju!

Intervistoi gazeta “Dielli”.

***

Po kush është profili pedagogjik dhe shkencor i PROF. DR. ALI JASHARIT?

Ali Jashari, gjuhëtar e profesor, u lind në fshatin Çipan të Devollit më 20 qershor 1953, në një familje arësimdashëse. Pas shkollës së mesme në Bilisht, kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua në degën Gjuhë shqipe-letërsi në vitin 1977.

Në vitin 1991 mbron gradën “Kandidat i shkencave filologjike” me tezën “Rreth përdorimit të frazeologjisë në ligjërim” (me ekuivalentimin e gradave shkencore, në vitin 1994, merr gradën “Doktor i shkencave”); në vitin 1999 fiton titullin “Profesor i asociuar”, ndërsa më 2004 titullin “Profesor”.

Fusha kryesore e studimeve të prof. Ali Jasharit është leksikologjia, semantika dhe më ngushtë frazeologjia. Ai ka bërë disa kualifikime jashtë vendit, si: në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut (gjuhësi ballkanike); në “North London” të Londrës, për metodologjinë e mësimdhënies; në Universitetin e Oxfordit për kërkime në fushën e idiomatikës angleze e gjuhësinë moderne; në Arhus, Danimarkë, për gjuhësinë kompjuterike e didaktikë mësimore; në Universitetin e Bolonjës për arsimin gjithëpërfshirës etj.

Prof. Ali Jashari ka dhënë leksione për gjuhën shqipe në Fakultetin e Edukimit në Prizren (2000-2002), në Universitetin “Neofit Rilski”, Bllagojegrad, Bullgari (2004, 2008) dhe në Universitetin “St. Klement Ohridski”, Sofje, dega e ballkanistikës (2010). Në vitin 2003 merr titullin “Trajnues ndërkombëtar për të menduarit kritik gjatë të lexuarit dhe të shkruarit”.

Ai ka punuar mësues në shkollën e mesme, Miras (Devoll), specialist i gjuhës shqipe në Kabinetin Pedagogjik (Korçë) dhe mësues në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Korçë. Nga viti 1996 e vazhdim është pedagog i gjuhësisë në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, ka hartuar programe mësimore dhe është lektor e titullar i lëndëve: Formim gjuhësor, Analizë semantike, Leksikologji, Gjuhësi e përgjithshme, Morfologji e gjuhës shqipe, Filozofi e gjuhës etj.

Prof. Jashari është pedagog i ftuar për leksione në disa universitete të Shqipërisë dhe udhëheqës shkencor i mbi 10 doktoraturave.

Prof. Ali Jashari ka tregues të lartë në fushë të botimeve të teksteve shkollore, si dhe librave universitarë, si: 1. Libri i gjuhës shqipe, 3 (për shkollat e mesme), ShBLSh, Tiranë, 1979 (bashkautor); 2. Libri i gjuhës shqipe 1, 2, 3, 4 (për shkollat pedagogjike dhe të gjuhëve të huaja), SHBLSH, Tiranë, 1984-1995 (bashkautor); 3. Ushtrime për leksikologjinë e gjuhës shqipe, ShBLU, Tiranë, 1991; 4. Gjuha shqipe 5 (për shkollat e minoritetit), ShBLSh, Tiranë, 1995; 5. Gjuha shqipe për studentë, Kotti, Korçë, 1998; 6. Një libër dore për gjuhën shqipe, AEDP, Tiranë, 1999; 7. Praktikum për drejtshkrimin e shqipes, Kotti, Korçë, 2000; 8. Analiza semantike, Kotti, Korçë, 2001; 9. Gjuhësi e zbatuar 1, 2, Kotti, Korçë, 2003; 10. Doracak për gjuhën shqipe, Korçë, 2006 (bashkautor); 11. Formim gjuhësor 1, 2, Silver, Elbasan, 2007(bashkautor); 12.Krestomaci për gjuhësinë e përgjithshme, Kotti, Korçë, 2007; 13. Gramatikë e gjuhës shqipe (për studentët e gjuhëve të huaja), Prishtinë, 2009; 14. Gjuha shqipe dhe letërsia 10, Tiranë, 2010 (bashkautor); 15. Gjuhë amtare, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2010, 2011 (bashkautor);16. Gjuha shqipe për klasat 6, 8, 9, Uegen, Tiranë, 2012 (bashkautor); 17. Morfologji e zbatuar, Prishtinë, 2013 etj.

Libra të tjerë:

  1. Filli i Arianës (fjalorth me shprehje latine etj.), Kotti, Korçë, 1995; 2. Për gjuhën shqipe dhe mendimin kritik, Tiranë, 1999; 3. Rreth përdorimit të frazeologjisë në ligjërim (monografi), Kotti, Korçë, 2000; 4. Gjedhe mësimdhënieje përmes teksteve për shqipen, Kotti, Korçë 2000; 5. Përsiatje për gjuhën shqipe, Kotti, Korçë, 2003; 6. Anketimi dhe ekspeditat gjuhësore, Kotti, Korçë, 2007 (bashkautor); 7. Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe, Dudaj, Tiranë, 2007; 8. Fjalor i homonimeve të gjuhës shqipe, Shkëndija, Prishtinë, 2008 (bashkautor); 9. Scripta manent, Promo Print Publishing House, Korçë, 2013; 10. Fjalor leksiko-frazeologjik i krahinës së Devollit, Promo Print Publishing House, Korçë, 2016. Ai është duke përfunduar Fjalorin e plotë të homonimeve të gjuhës shqipe dhe një monografi në gjuhën angleze për kalket dhe huazime frazeologjike.

Prof. dr. Ali Jashari ka botuar mbi 90 artikuj shkencorë dhe popullarizues në revistat “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Nëntori”, “Kultura popullore”, “Mprehtësi”, “Malësia”, “Scupi”, Buletini Shkencor i Universitetit “Fan Noli”, “Tempulli”, si dhe në organe të tjera jashtë vendit (anglisht, bullgarisht etj.) dhe ka marrë pjesë me kumtesa për gjuhësinë dhe mësimdhënien në disa konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prof. dr. Ali Jashari është organizator dhe bashkorganizator i disa veprimtarive shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare që janë organizuar në Universitetin e Korçës dhe kryeredaktor i botimeve përkatëse, si: “Nga ëvetarët e Naum Veqilharxhit te Kongresi i Manastirit”, 14 nëntor 2008 (me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit); “Profesor Selman Riza dhe albanologjia”, 4 dhjetor 2009 (me rastin e 100-vjetorit të lindjes), “Akademiku Jani Thomai në 75-vjetorin e lindjes”, Korçë, 20-21 maj 2010; Konferencë kushtuar shkrimtarit dhe akademikut Dritëro Agolli me rastin e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa”, Korçë, tetor 2011; “Hafiz Ali Korça-55 vjet pas (1873-1956)”, Korçë, 21-22 dhjetor 2012; “Fan S. Noli në 130-vjetorin e lindjes”, Korçë, 2012; “Akademia jubilare me rastin e 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit”, Korçë, 16-17 nëntor 2012; “Lidhjet kulturore dhe historike shqiptaro-rumune”, Korçë, 26-27 mars 2013; Konferencë shkencore kushtuar gjuhëtarit dhe profesorit Dhimitër Samara”, Korçë, 23 maj 2014; 2nd International Conference (Education Across Borders) “Critical Thinking in Education”, 31 October-1 November 2014, Korçë;  “Konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar jetës dhe veprës së Thimi Mitkos në 195-vjetorin e lindjes”, Korçë, 25-26 mars 2015;  “Konferencë shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Athanas Tashkos”, Korçë 13 nëntor 2015, disa prej të cilave janë organizuar në bashkëpunim me institucione të tjera brenda dhe jashtë vendit, si Bashkia e qytetit të Korçës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës, Fakulteti i Edukimit në Follorinë, Greqi, Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Bitolas, Maqedoni etj., ku kanë marrë pjesë personalitete të shquara të shkencës, si: akad. Dritëro Agolli, akad. Teki Biçoku, akad. Jani Thomai, akad. Jorgo Bulo, akad. Kolec Topalli, akad. Gjovalin Shkurtaj, akad. Floresha Dado, akad. Françesko Altimari, prof. dr. Matteo Mandala, prof. Giovanni Belluscio, prof. Victor Fridman, akad. Grigore Brankush, akad. Nikolae Saramandu, prof. dr. Andreë Goodspeed, prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Shezai Rrokaj, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Nasho Jorgaqi, prof. dr. Rami Memushaj, prof. dr. Dhimitri Bello, imzot Johan Pelushi, Prof. dr. Bardhyl Musai, prof. dr. Valter Memishaj, prof. dr. Dhurata Shehri, prof. dr. Ymer Çiraku, prof. dr. Abdulla Ballhysa, prof. dr. Shefkije Islamaj,  prof. dr. Qemal Murati, prof. dr. Hamit Xhaferi, prof. dr. Begzad Baliu e shumë  të tjerë.

Prof. dr. Ali Jashari përgjatë tetë viteve të fundit ka organizuar disa veprimtari për përurimin e librave të personaliteteve të ndryshme, lektoriume, biseda etj., si Amik Kasoruho, Adem Demaçi, Teodor Laço, Ben Blushi,  Skënder Rusi, Hysen Koçillari, Andon Andoni, prof. Roberto Dainese, prof. Federica Zanetti etj. Gjithashtu, prof. Jashari ka ndihmuar në gjallërimin e jetës studentore duke mbështetur të gjitha veprimtaritë e organizuara nga Këshilli i Studentëve.

Prof. dr. Ali Jashari është drejtues i revistës “Vjetari shkencor-FEF”, botim i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.

Në vitet 2000-2008 ka qenë sekretar shkencor i Buletinit Shkencor të Universitetit “Fan Noli” dhe në vijim anëtar i Këshillit Botues, për disa vjet përgjegjës i departamentit të edukimit të përgjithshëm dhe më pas përgjegjës i departamentit të gjuhës dhe të letërsisë; në vitet 2008-2011 zëvendësrektor i Universitetit “Fan S.Noli”, anëtar i Senatit Akademik të Universitetit, anëtar dhe kryetar i Këshillit të Profesorëve, ekspert i jashtëm i Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe që nga viti 2012 e në vazhdim është dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.

Prof. Ali Jashari në nëntor-dhjetor të vitit 1991, ka qenë drejtues i grupit të punës së Komitetit Ekzekutiv të Stabilitetit të asaj kohe për hartimin e platformës dhe propozimit për hapjen e Universitetit të Korçës (janar 1992).

Filed Under: Interviste Tagged With: Fan S Noli, kandidat për Rektor, në Universitëtin publik, Një akademik Fan Nolist

NEWSWEEK: Senatori Bob Dole do të votojë Hillary Clinton

April 11, 2016 by dgreca

 Bob Dole :Trump nuk flet si President…Sanders flet me mendjen e tij dhe thotë të vërtetën…por une mendoj se Demokratët nuk do të emërojnë një socialist/

Bob Dole, senator 92 vjeç, ish-kandidat për president ka dhënë intervistë për revistën amerikane Newsweek.

A jeni në gjendje për të parë ende televizor apo për të dëgjuar radio?

Unë pa problem jam në gjendje të mirë për të dëgjuar Donald Trump. Mendoj se të gjithë mund të dëgjojnë Trumpin.

Cili është mendimi juaj për të?

Unë mendoj se ai duhet të ndryshojë tonin e fjalive apo debatet e tij publike dhe të veprojë më shumë si një kandidat për president në SHBA.

A mendoni se ai do të jetë kandidati republikan?

Unë jam për Rubio. Më parë unë kam qenë për Jeb Bush, por ai nuk është ende në garë.

Por a mendoni që Trump do të jetë kandidati presidencial?

-Unë mendoj se kjo varet nga super e marta. Ai ndoshta nuk do të fitojë në Teksas. Por nëse ai shtrihet në çdo shtet, ai do të jetë në një shumë të fortë.

-A do të votojnë për të në zgjedhjet e përgjithshme, nëse ai siguron nominimin?

-Po

-Ju do e votoni?

-Unë do shkoj të votoj për Hillary Clinton.

-Por nëse në garë do ishte Trump kundër Bernie Sanders?

-Kjo do ishte më e lehtë. Demokratët nuk do të emërojnë një socialist.

-Pas ndalesës më 14 tetor të 1996 gjatë fushatës së tij presidenciale Bob Dole përshëndet mbështetësit në Kansasdhe dhe Missouri.

-Cili është mendimi juaj për Sanders?

-Më pëlqen të dëgjoj për atë. Unë mendoj se ai është një person i ndershëm. Ai flet me mendjen e tij dhe thotë të vërtetën.

-Por ju nuk do të votoni për të.

-Jo unë jam një republikan. Unë nuk jam një tifoz i madh i Cruz. Mendoj se ai është shumë ekstremist. Është e vështirë të jetë konservator, sepse ai është një ekstremist dhe nuk ka një të vetëm në Senatin republikan që mbështet këto ide. Asnjë prej tyre deri më tani nuk ka mbështetur Cruz. Ai vazhdimisht sulmon republikanët ashtu siç bën me demokratët. Ai e quajti liderin tonë Mitch McConnell një gënjeshtar, një fjalë që nuk e kam dëgjuar gjatë 28 viteve që kam qenë në Senat. Kjo shkel rregullat e Senatit. Nëse ju doni të përballeni me dikë, ju shkoni në zyrën e tyre. Ju nuk mund ta bëni këtë në katin e Senatit.

Filed Under: Interviste Tagged With: Hillary Clinton, NEWSWEEK: Senatori Bob Dole do, të votojë

PENGU I NJE GRUAJE

April 11, 2016 by dgreca

LIBRAT E ISMETE SELMANAJ LEBA, LITERATURE NE UNIVERSITETET E PALERMOS/

NGA DR. LILIANA  PERE/

Ismete Selmanaj Leba – n e njoha rreth një vit më parë, në prill 2015,  kur sapo kishte dalë  në treg në Itali romani i saj “Verginità Rapite”. Një grua sa e thjeshtë po aq edhe  madhështore me punën e saj në artin e të shkruarit. Nje vlere per letërsinë dhe historinë shqiptare. Në atë kohë kishte publikuar në shqip dy romane të suksesshëm.

Në vitin 2013 boton në shqip nga shtëpia botuese Dudaj librin “Gjembi dhe trëndafilat” që mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2013”. Një vit më vonë, në nëntor 2014, publikon me të njëjtën shtëpi botuese romanin “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, që rezultoi si libri i tretë më i shitur në Panairin e Librit në nëntor 2014 në Tiranë.

U takuam më pas me Ismeten në Tiranë, tashmë edhe si një anëtare e Organizatës që unë drejtoj: “Gruaja Shqiptare në Botë – GSHB – Albania Woman in the World”. Më tregoi për jetën e saj folem gjatë, dhe për librat që kishte publikuar.

Libri “Verginità Rapite” (Virgjëri të vjedhura) flet për periudhën gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri dhe atë të tranzicionit. Historia e romanit i ka fillimet e saj në fundin e vitit 1979. Një vajzë 15 vjeçare, Mira, nxënëse e shkëlqyer që ëndërron të bëhet pediatre, pëson një përdhunim barbar nga sekretari i Partisë së shkollës. Përveç tmerrit të përdhunimit, Mirës i duhet të përballet  edhe me “opinionin” që e quan atë fajtore për çfarë ka ndodhur. Me dhembje të paimagjinueshme  ndahet me forcë nga e vetmja krijesë që solli në jetë. Jeta e saj do të jetë vazhdimisht në shënjestër të ish-sekretarit të Partisë, i cili edhe pas rrëzimit të diktaturës, është sërish në majat e politikës shqiptare. Ishte i pacenueshëm më parë dhe vazhdon të jetë ende më i fuqishëm dhe hakmarrës se kurrë.

Por Mira nuk dorëzohet…. Arrin me një forcë të jashtëzakonshme të ngrihet nga balta ku e hodhi dhuna e pamëshirshme dhe bëhet si një nënë e dhembshur për gratë e vajzat e dhunuara, hap dyert e shtëpisë së saj duke mbjellur vetëm dashuri e mirësi.

Shkon deri në Kosovë dhe sheh me sytë e saj tmerret që ka kaluar populli martir i Kosovës.

  Ka një peng të madh në zemër që e mundon por edhe i jep forcë se s’duhet të ndalet. Sheh me trishtim Shqipërinë dhe i duket si një grua me dhembje lindjeje qe po zgjasin pothuajse 20 vjet, pa mundur të sjellë në jetë demokracinë.   

Këto ditë ka  dalë në qarkullim në Itali një libër i ri i saj me titull  “I bambini non hanno mai colpe” (Fëmijët asnjëherë nuk kanë faj), nga shëpia botuese Bonfirraro që shpërndan librat e saj në të gjitha libraritë Mondadori në Itali.

Një arritje e jashtëzakonshme për këtë autore shqiptare durrsake që banon në Sicili prej gati 24 vitesh.

Në qendër të trilerit është pedofilia, një nga plagët më të shëmtuara të njerëzimit rreth së cilës rrotullohet jeta e katër personave, tanimë burra, të lidhur nga një fat i hidhur në të kaluarën që ka kushtëzuar  totalisht jetët e tyre.

Historia romanit nis në një fshat të vogël në veri të Shqipërisë. Gjergji dhe vëllai i tij Sokoli, janë dëshmitarët e vetëm të vdekjes së babait të tyre kur ishin vetëm 12 dhe 11 vjeç. Sikur të mos mjaftonte kjo, do ta gjejnë veten në kurthin e Kanunit dhe të gjakmarrjes sepse gjyshi akuzon nusen dhe nipërit për vdekjen e djalit të tij.

Në emër të Kanunit kërkon gjakun e të birit. Rrugëzgjidhja e vetme që kanë dy vëllezërit dhe mamaja e tyre që mos të vriten, është që të ngujohen. Vendosin atëherë me ndihmën e një vëllai të nënës së tyre të largohen nga fshati dhe vendosen në një qytezë të vogël. Si vazhdon jeta e tyre duke jetuar gjithmonë me frikën se mos i vrasin? Shumë e vështirë…ishte gjithçka shumë e vështirë në Shqipërinë pas komuniste që po kërkonte të ngrihej në këmbë pas errësirës së diktaturës.  Jeta e tyre pëson një kthesë të papritur kur në parkun e qytetit ku banojnë gjendet trupi i pajetë i një personi me një të kaluar të dyshimtë. Në fakt, personi në fjalë, disa vite më parë, ishte denoncuar nga prindërit e një fëmije për abuzim seksual kundrejt fëmijës së tyre. Denoncim i tërhequr më pas  në mënyrë jo të qartë. Në të njëjtën kohë, shfaqet papritur në qytet një burrë misterioz që ndjek dy vëllezërit si hije. Kush është ky person dhe çfarë kërkon prej tyre?

E shkuara dhe e tashmja e dy vëllezërve gërshetohen në një triler shumë të vështirë per t’u zgjidhur edhe për shefin e policisë, Andi, një investigator shumë i zoti.

Libri është një vepër letrare e plotë që i ka rrënjët shoqërore në Shqipërinë pas komuniste së cilës i duhej të përballej me shumë probleme.

Pas një gjumi letargjik të gjatë pothuajse gjysmë shekulli u zgjua nga gjumi Kanuni i Lek Dukagjinit, më konfuz e më i pamëshirshëm se më parë.

Vrasjet në emër të Kanunit janë në rend të ditës. Mëritë e vjetra filluan saktësisht aty ku i pati shtypur regjimi i Hoxhës me grusht të hekurt…por tanimë pa rregulla.

Gjaksit nuk ndalen më as para fëmijëve e grave. Sot, njerëzit vriten edhe për një fjalë të tepërt, për një metër tokë, për një vështrim të vëngër.

Por tragjedia më e madhe që prek Ismete Selmanaj në këtë triler spektakolar që të lë në ankth deri në faqen e fundit, është ajo e fëmijëve të ngujuar dhe pedofilisë.

Një temë që autoren e  ka prekur si grua e si nënë e tre fëmijëve.

‘’Ajo që  shkruhet në  këtë roman është një denoncim i fortë kundrejt këtyre fenomeneve, një thirrje e fortë për shoqërisë shqiptare  për t’i dhënë fund këtyre turpeve shoqërore’’.

Ismete Selmanaj ka lindur në Durrës dhe që e vogël ka pasur pasion letërsinë duke shkruar vazhdimisht dhe ka fituar disa çmime në konkurset letrare të kohës.

Në vitin 1991 diplomohet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.Por pasioni për letërsinë nuk e lënë kurrë mënjanë.

Në vitin 1992 është transferuar me familjen në Itali në provincën e Messina –s ku dhe banon aktualisht.

Pas vështirësive të viteve të para të emigrimit, e gjeti veten pikërisht tek pasioni i hershëm; letësia. Dhe ishte një sukses i menjëhershëm  dhe i plotë.

Për plagën e pedofilisë dhe të ngujimit, ka shkruar edhe vetë Ismetja  një artikull për një gazetën investigative Internacionale Flip News – Free Lance International Press.

Një artikull i pritur mjaft mirë nga lexuesit si i guximshëm dhe si një denoncim i pamëshirshëm i këtyre fenomeneve të urryera.

Pas publikimit të librave të saj në Itali  kanë shkruar shumë gazeta lokale dhe një nga gazetat më të rëndësishme në Itali, “Corriere della sera” e quan një shkrimtare brilante.

 Blogu  mbi publikimin e librit të saj të ri, u radhit në vendin e parë  në Siçili.

 Parathënien e të dy librave e ka përgatitur profesor Matteo Mandalà, pedagog në Universitetin e Palermos.

‘’ Si libri “Verginità Rapite”  edhe  “I bambini non hanno mai colpe”, janë futur si libër studimi në Universitetin e Palermos, ‘’

Ismete selmanaj ,autorja ka qenë e ftuar në disa seminare me studentët. Gjithashtu e ftuar për të komentuar historinë e librit “Verginità Rapite” autorja ka qenë në disa takime në dhjetëra shkolla të mesme të Siçilisë.

Në 13 maj të 2016, autorja do të marrë pjesë në Salone Internazionale del Libro në Torino, një nder e krenari për këtë autore shqiptare dhe për Shqipërinë.

Duke i uruar suksese në këtë rrugëtim gjithmonë në ngjitje, presim ende vepra të tilla të vlerësuara në në nivel akademik dhe mund të themi me plot gojën që Ismete Selmanaj Leba është krenaria e letërsisë shqiptare përtej kufijve.

Është për t’u admiruar impenjimi i saj për të sjellë një copë të historisë së Shqipërisë në Itali duke theksuar vlerat më të larta të popullit tonë; besën, mikpritjen, faljen.

Virtyte që heronjtë dhe herionat e librave të saj i kanë të mishëruara duke u bërë burim frymëzimi për të rinjtë e sotshëm dhe pse jo…duke u  treguar  edhe rrugën  që duhet të ndërmarrin.

Dr. Liliana Pere

President: International Organization.

Albanian Woman in the World

Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

 

Filed Under: Interviste Tagged With: DR. LILIANA PERE, E ISMETE SELMANAJ LEBA, LIBRAT, LITERATURE NE UNIVERSITETET E PALERMOS

Rrëfehet Obama: Libia, dështimi më i madh i presidencës time

April 11, 2016 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama ka pranuar se Libia është një nga gabimet e mëdha të presidencës së tij.

Në një intervistë për Fox News, Obama shprehu keqardhjen për dështimin në parashikimin e asaj që do të vinte pas rënies së diktatorit Muhamar Gadafi. Megjithatë, Obama mbrojti ndërhyrjen si veprim të drejtë për popullin libian.

Libia është gabimi më i madh i presidencës time. Kështu ka deklaruar kreu i Shtëpisë së Bardhë Barack Obama, referuar situatës në Libi dhe dështimit të Shteteve të Bashkuara për tu përgatitur mbi pasojat që do të sillte rënia e diktatorit Muammar Gaddafi.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: dështimi më i madh, i presidencës time, Rrëfehet Obama: Libia

Bisedë me topmodelen shqiptare në New York Lola Luma

April 6, 2016 by dgreca

Gratë nëse e duan diçka me gjithë shpirt e zemër nuk ka asnjë forcë që mund t’i ndalojë ta realizojnë atë”, thote Lola Luma/

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/*

Lola Luma lindi në Shkodër.  Prinderit e saj janë Mimoza Hakcanin nga Tirana dhe Kolec Luma nga Shkodra. Ajo ka një vëlla, Anton Luma. Lola ka treguar pasionin e saj për aktrim që në moshë të vogël në grupet teatrale dhe koncertet e ndryshme shkollore, të motrave Saleziane dhe të Dom Boskos.  Në moshën 10 vjeç vihet re talenti i saj krijues duke organizuar talent show “Miss Rrugica.”

Emigron me familjen e saj në Nju Jork (2001).

Mbaron studimet në Instititutin e Filmit dhe Teatrit “Lee Strasberg” në degën e Aktrim ku kishte si mësuese aktoren e madhe të Hollivudit Jennifer Esposito.

Dipllomohet në kolegjin “La Guardia Community College” për Teatër dhe Komunikim ku merr pjesë  në grupet teatrale të shkollës duke luajtur në dramat “Trapped Abstract” dhe “The Vortican.  Ndërsa është house model për Jovanin, Lola  merr pjesë në reality show të MTV-së  The Real World: Brooklyn (2009).

Gjatë Fashion Week, Lola hap runaway show for Thuy (2010).

Prezanton edicionin e parë të Javës së Filmit Shqipëtar në Nju Jork “100 për 100” (2012). Merr pjesë në Paradën Shqiptare në Nju York organizuar nga rrënjët Albanian Roots, ku merr dhe çertifikatën e lartë të mirënjohjes për kontributin e madh të dhënë ndaj komunitetit Shqipëtar (2012-2013).

Interpreton poemën e Migjenit “Kënga e Rinisë” ku merr dhe vlerësim nga kritikët e letërsise (2013).  Lola bëhet imazhi i kompanisë së modës Italiane në New York Les Copains (2013).

Në Shqipëri merr pjesë në panelin e jurisë për emisionin “Albanian Top Model” të Joni Peçit (2013).

Prezanton përkrah Bujar Alimanit dhe është pjesë e jurisë së ” Young Albanian Filmakers Festival” (2013).

Gëzon statusin e një topmodeleje 

duke u shpallur në vitin 2013 nga revista Maxim një ndër femrat më “hot” të Nju Jorkut për Vitin 2014. Ka modeluar për disa nga kompanitë më prestigjioze në Nju Jork si L’OREAL, JOVANI, TERANI COUTURE, Les Copains, Demetrios Bride.

Merr çmimin Femra e Vitit 2013 nga Gazeta Shekulli (2013).

Le ta fillojmë me fëmijerinë tuaj, mbresa dhe kujtime të fëmijërisë ku e keni kaluar atë?

Fëmijërinë e kam kaluar në Shkodër, aty ku shkodranët marrin frymë Shkodre. Imagjino filmin “Cifti i Lumtur”, shtëpinë e Luigj Gurakuqit, rrugën që ai ka përshkuar, pra kjo është rruga që linda dhe kam kaluar një ndër fëmijëritë më të bukura që një fëmijë mundet.

Zgjimi në mëngjes në lagjen “Nikaj” (kështu e quanin prindërit tanë) fillonte herët me praktikën e violinës së Denis Cungelit, që kthehej më vonë në një orkester instrumentesh që bënin rikoshe ndërmjet profesor Aleksandër Janës në fizarmonikë, profesor Rafael Shabanit në çelo, Julian Janës në piano, profesoreshë Dori Jakut, Eli Jakut e Gjon Shkrrelit në violinë. Muzika zgjonte tenorin e lagjes Pashko Kallmeti që me një “O Sole Mio” jepte sinjalin për fillimin e një dite të mbarë, ku të cilit diktatura komuniste ja kishte mohuar shkollimin, por kurrë mposhtur talentin. Më vonë pasonte Antonela Kiri, shoqja ime komshi që ishte super e talentuar në kërcimin rrep. Sa doja të isha si ajo atëeherë, por dhe ajo nuk ma prishte qejfin dhe më merrtë sa herë në konkurimet e saj me shkollat. Arti dhe muzika ishte djepi që na tundte çdo ditë ëmbël, në gjeneratën e shkodranëve të rinj.

Ditët që ishim në shkollë rrugica bënte pak pushim. Pas shkollë kthehesha gjithmonë në shtëpi me dy shokët e mi të ngushtë Klaudion dhe Jozin ku diskutonim zakonisht për planin sesi do ta kalonim ditën. Shumica e shokëve dhe shoqeve të mia rrinin me orë duke mësuar, kurse unë e kuptoja mësimin në klasë dhe kisha gjithmonë nevojë për vetëm një rifreskim.

Kisha krijuar një grup me fëmijët e lagjes dhe i jepja mësim ato që mësoja vetë në shkollë. Maja e ditës ishte organizimi i eventit të lagjes “Miss Rrugica”, gjë që unë e bëja me shumë pasion. Falë përkrahjes së babit dhe bujarisë së arkitektit te lagjes Pjerin Jana dhe bashkëshortes së tij Loreta në sponsorizim arrinim gjithmonë të krijonim evente të arrira. Qendra e muzikës mikrofoni dhe organoja ishin pjesë e pandarë e eventeve tona falë profesor Lekë Janës. Kameramen kishim Gac Janën që nuk linte asnjëherë pa xhiruar dhe prapaskenat.

Prindërit e mi kanë investuar që unë të ndiqja kurset private për Anglisht dhe Italisht, ku të dyja i kam  folur rrjedhshëm dhe shkruar që në moshën nëntë vjeç. Një pasion tjetër të trashëguar nga mami kam leximin.

Mami kur u martua dhe erdhi në Shkodër nuse, një pjesë e mirë e pajës së saj përbëhej nga librat . Biblioteka e saj ishte e larmishme me libra jo vetëm për të rritur, por dhe për fëmijë që ajo i kishte ruajtur që kur kishte qenë e vogël. Kur dilnim bashkë shpesh herë ndaloheshim në Piacë ku blinim dy libra dhe ja dedikonim njëra tjetrës. Kjo traditë vazhdon që sot e kësaj dite. Gjatë pushimeve verore kam ndjekur kurset e Motrave Saleziane dhe të Dom Boskos në Shkodër. Dy kurset e mia të preferuara kanë qenë ato të muzikës dhe të kërcimit me të cilët shpesh herë jepnim spektakle nëpër rrethinat e Shkodrës. Sa shumë aventura kemi kaluar me shoqet e shokët e lagjes.  Mbase kjo intervistë nuk mund ti përmbledh të gjitha, por një ditë një libër për fëmijë do jetë vëndi ideal për tu rrëfyer.

Në Shkodër njerëzit mblidheshin nëpër oborre e veranda, biles dhe pjesa më e madhe e dasmave atje bëhej. Në familje kishim shpesh herë vizitorë e ndër ta ishte dhe miku i ngushtë i babit Sali Shijaku e Tonin Tërshana. Buçiste arti dhe muzika në atë kohe dhe dehte shpirtrat e etur romantik. Piktorët ndjenin në atë kohë jo me zemër e shpirt, por me penë. Stërgjyshen time e njoha për herë të parë nga portreti i mikut të familjes Simon Rrota. Vetëm në lagjen tonë kishim të paktën tre piktorë me emër si Georges Kalmetti, Rrik Ndoja e Tomozin Vlashi.

Çfarë do të kujtoni nga shkollat në Shqipëri dhe cili është dallimi midis shkollave këtu dhe në Shqipëri?

Ështe interesant fakti që formimi akademik në Shqipëri eshtë i ngurtë dhe nuk të jep hapësirë që të dëgjohet opinioni yt. Kjo bën që të ndjehesh jo i lirë të shprehësh një mendim . Nuk mendoj që në Shqipëri  ka demokraci në sistemin shkollor. Shkarkimi dhe vënia në punë e personave të pakualifikuar ka sjellë si rrjedhim degjenerimin e vetë sistemit, ku studenti shkon ne shkollë vetëm per një dipllomë dhe jo për formimin e tij akademik dhe profesori vetëm për rrogë e jo për pasion.  Çdo gjë mësohet përmendësh dhe nuk analizohet.  Dhe kush humb në fund? Humb e gjithë shoqëria!

Descartes thotë,” Ka tani disa vite qëkur e kam kuptuar sesa opinione të rreme kam pasur nga fëmijëria ime duke menduar se ato ishin të drejtat, e sa e dyshimtë ishte çdo gjë që unë si pasojë i kisha bazuar mbi to!”

Me këtë parim mundohem dhe unë ta shikoj botën dhe te krijoj opinionet e mia ndaj saj.

Kur erdhët në Amerikë dhe si arritët të keni këto rezultate të shkëlqyera në modelim, aktrim?

 Jemi shpërngulur familjarisht në Amerikë në vitin 2001. Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë duke lënë çdo gjë mbrapa për të ndërtuar një jetë më të mirë për mua dhe vëllain tim. Fillimet nuk janë asnjëherë të lehta. Të vish nga një kulturë e izoluar pas shumë vitesh komunizëm është një “shok” kulture. Prindërit e mi e kanë pasur më të vështirë, por më kanë dhënë mua dhe vëllait tim një mësim të mirë. Të dy kanë ndjekur Global Institute of Technology ne Mahatan duke u diplomuar për Associate in Aplied science-Management.

Unë dhe vëllai kemi ndjekur hapat e tyre duke ndjekur respektivisht pasionet tona. Vëllai ka përfunduar shkollën për kolorist dhe stilist flokësh kurse unë kam mbaruar shkollën në Institutin e Filmit dhe Teatrit “Lee Strasberg”per aktrim dhe “La Guardia Community College” për teatër dhe komunikim. Që herët jam angazhuar me trupën teatrale të shkollës. Pas një seance fotografike me Fadil Berishën më ka kërkuar që të bëhem modelja oficiale e shtëpisë së modës Jovani, pastaj çdo gjë tjetër është histori.

Ju jeni integruar në botën e artit amerikan cilat janë disa nga vështiresitë tuaja dhe rrugët që ju arritët deri në këtë stad?

Balanca midis familjes dhe karrierës është më e vështira. Kujtoj njeherë kur një pjestar i familjes gjendej në spital dhe unë që kaloja netët në një karrige. Bëja dush në spital, ndërroja rrobat dhe shkoja të punoja modele në mëngjes. Një tragji-komedi sepse isha hirushja në darkë dhe në mëngjes bëhesha princeshë. Profesioni im do sakrifica, por familja për mua vjen gjithmonë në plan të parë.

Ju keni fituar disa çmime a mund të na thoni disa prej tyre?

Femra e Vitit në Nju Jork nga Gazeta Shekulli (2013) dhe një ndër femrat më hot të vitit 2014 nga Revista Maxim.

Në rezumenë tuaj lexova që po modeloni në disa kompani cilat janë ato konkretisht dhe cfarë rruge ndoqët për të arritur deri aty?

Të jesh i suksesshëm në çdo fushë duhet medomosdo të kesh, përkushtim, kohë, dëshirë dhe të mos kesh frikë të sakrifikosh. Disa nga kompanitë e modës që po punoj tani janë Demitrios Bride, Venus Bridal, Sivalia Couture, Cividini etj.

Cilat janë projektet tuaja dhe ëndrrat e parealizuara? 

Nuk kam ëndrra por synime që i vendos vetes çdo ditë.  Janë të shumta dhe pres ti realizoj së shpejti.

Ne se do t’ju afroheje një shumë e majme dollarësh nga kompani të ndryshme për të pozuar nudo në llogari të tyre, do ta pranonit?

 Modelimi është art dhe duhet trajtuar si i tillë. Pranimi do të vinte nga rëndësia e projektit dhe jo nga shuma në para.

Sot çfarë është për ju Amerika?

Amerika është një shtet demokratik, me sistemin më kapitalist në botë, ku peshku i madh e ha të voglin nëse i vogli nuk mëson triqet e lojës shpejt. Amerika është e madhe po ashtu dhe mundesitë janë të mëdha. Shpesh herë mendoj për të rinjtë në Shqipëri dhe vendos veten time në pozicionin e tyre dhe më vjen me të vërtetë shumë keq për ta dhe mundësitë e vogla që ata kanë. Atëherë e kuptoj me të vërtetë sesa me fat jam tani që jam amerikane.

Ju keni vite në Amerikë keni menduar se një ditë mund të ktheheni në Shqipëri dhe të sillni gjithë përvojën tuaj maksimale që morët në shtetin më demokratik të botës?

Asnjërë si dihet! Shqipëria ka nevojë për një frymë e ide të reja inovative. Sa herë shkoj në Shqipëri më duket se njerëzit jetojnë akoma në një realitet  paralel virtual, ku hiqen për atë që s’janë. Shqipëria tani është bërë si ajo shtëpia që mban dritaret mbyllur dhe ka nevojë për një shkundje pluhri dhe ajrosje mushkërish

Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shiptare të Nju Jorkut” ideuar nga “Albanian Excellence”, libër qe do të botohet për herëtë parë për gratë e suksesshme përtej oqeanit, si ndiheni për këtë?

Ju falënderoj për nominimin tim përkrah shumë femrave te tjera që kane berë histori nepër botë me zërin e punën e tyre. Ndjehem e privilegjuar që më është dhënë e drejta për të qenë ambasadore e femrave shqipëtare jashtë kufijve të Shqipërisë dhe përfitoj nga rasti që ti përcjell një mesazh të gjitha atyre femrave që besojnë në mua se:

“Nëse e duan diçka me gjithë shpirt e zemër nuk ka asnjë forcë që mund tia ndalojë ta realizojnë atë”.

Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?

Një femër që mendon, po dhe reagon si një mashkull.Ku dy gjinitë bëjnë dallimin vetëm nga seksi.

Nju Jork, 2016

*Personazh në librin “Zonjat Shqiptare në New York”

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisede, Keze Zylo, Lola Luma, Topmodele

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • …
  • 212
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT