Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie: Mendoj që populli i Kosovës meriton më mirë/
-Dëshiroj ta shoh Kuvendin të vijë plotësisht në rend, dëshiroj ta shoh Kuvendin të ketë arritur kuorumin çdo herë, dhe patjetër, dëshiroj të shoh proceset qeverisëse të Kosovës të vazhdojnë të zhvillohen më së miri për ti shërbyer popullit të Kosovës i cili i ka zgjedhur ata/
-Ka rreth 10 muaj që jam në Kosovë dhe personalisht e shoh thellësinë e pro-amerikanizmit, pro-perëndimit, pro-evropianizmit të qytetarëve të Kosovës/
-Intervistë ekskluzive e Ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, me TV21
TV21: Duhet të flasim në fillim lidhur me situatën aktuale politike, dhe duke pasur parasysh çdo gjë që është duke ndodhur. A do të thoshit se jemi duke hyrë në një fazë më të qetë, apo është kjo “qetësia para stuhisë” duke pasur parasyh atë që opozita e ka paralajmëruar, sidomos Vetëvendosja?
Ambasadori Delawie: Topi im i kristaltë është thyer sot disi por më lejoni të ju them që sigurisht jam i lumtur që nuk ka pasur dhunë në Kuvend apo rrugëve të Prishtinës në muajt e fundit. Kurrë nuk mendoj se dhuna politike është përgjigja. Nuk mendoj se ajo ishte përgjigje vjeshtën e kaluar, nuk mendoj që është përgjigje tani, dhe pa dyshim se nuk mendoj që ajo është përgjigje për të ardhmen. Sigurisht që shpresoj se situata do të bëhet më normale. Shpresoj që deputetët e opozitës në Kuvend do të kthehen aty për ta kryer punën për të cilën qytetarët i kanë votuar. Gjithashtu, dëshiroj ti shoh edhe deputetët që vijnë nga radhët e partive qeverisëse që të paraqiten në Kuvend dhe në takimet e komisioneve më shpesh. Për mua është zhgënjyese kur shoh që Kuvendi apo komisioni nuk mund të arrijnë kuorumin për arsye se deputetët nuk janë paraqitur për ti përfaqësuar votuesit e tyre. Gjithashtu, unë zhgënjehem kur zyrtarët qeveritarë nuk paraqiten për ti bërë prezantimet e tyre para deputetëve për ligjet dhe gjëra të ngjashme. Pra, të gjithë këta zyrtarë, deputetët, qeveritarët, dhe të tillët – punojnë për qytetarët e Kosovës. Mendoj që populli i Kosovës meriton më mirë. Dëshiroj ta shoh Kuvendin tërësisht në gjendje të rregullt. Dëshiroj ta shoh Kuvendin të vijë plotësisht në rend, dëshiroj ta shoh Kuvendin të ketë arritur kuorumin çdo herë, dhe patjetër, dëshiroj të shoh proceset qeverisëse të Kosovës të vazhdojnë të zhvillohen më së miri për ti shërbyer popullit të Kosovës i cili i ka zgjedhur ata.
TV21: Sidoqoftë, a mund të presim përshakallëzim të mëtutjeshëm të gjendjes të nxitur qoftë nga opozita apo nga hartimiu i Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, apo nga ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi? Apo mendoni se këto procese do të shkojnë më mirë, pa probleme?
Ambasadori Delawie: Edhe një herë: Nuk do të tentoj ta parashoh të ardhmen – ju dhe shumë kolegë tuaj këtu në Kosovë keni shumë më tepër përvojë dhe mund të provoni ta bëni këtë. Megjithatë, sigurisht se është një punë me rëndësi që Kuvendi duhet ta kryejë dhe shpresoj që gjërat të zhvillohen normalisht. Mendoj që mënyra për t’i zgjidhur problemet politike është duke debatuar për ato apo duke votuar për ato në Kuvend. Nuk mendoj se mënyra për t’i zgjidhur problemet politike është duke dalur nëpër rrugë apo duke provokuar dhunë.
TV21: Edhe një çështje tjetër që mund të ngritet – dhe shumë njerëz e ndjejnë se kjo mund të ketë potencial për ta përshkallëzuar gjendjen – është kur të bëhen publike aktakuzat e para nga Gjykata Speciale (SITF). Brenda qarqeve politike kjo është cilësuar madje edhe si bombë e kurdisur…
Ambasadori Delawie: Do të shohim se çfarë do të ndodhë kur të krijohet ajo (Gjykata). Për momentin, Parlamenti i Holandës duhet ti miratojë marrëveshjet me Kosovën. Nuk e di se sa do të zgjatë e tërë kjo dhe njëherësh nuk do të kisha dashur të parashoh se çfarë pikërisht do të ndodhë në të ardhmen.
TV21: Ajo që dijmë në bazë të asaj që ka ndodhur në të kaluarën është se shumë kohë është humbur me këtë krizë olitike dhe proceset kanë stagnuar. A mendoni se dikush në veçanti duhet të japë llogari apo edhe të mbahet përgjegjës për gjithë këtë situatë dhe për problemet e mundshme në të ardhmen?
Ambasadori Delawie: Si i huaj që jam nuk më takon të vlerësoj udhëheqësit e Kosovës apo partitë politike të saja. Konsideroj që kjo është punë për votuesit e Kosovës kurdo që të mbahen zgjedhjet – të vendosin nëse janë të kënaqur me shërbimet e kryera nga njerëzit të cilët i kanë zgjedhur apo jo. Apo mos dëshirojnë të bëjnë një përzgjedhje tjetër – dhe së fundi, nuk është një gjë me të cilën kisha dashur të merrem.
TV21: Jemi në një situatë kritike ku çështja e sigurisë është diskutuar shumë së fundi. A mund të themi se situata e tanishme politike aktualisht paraqet kërcënim të sigurisë dhe si korrespondon kjo situatë me rreziqet e tjera të sigurisë në Kosovë, duke përfshirë terrorizmin dhe islamin radikal?
Ambasadori Delawie: OK. Ndoshta mund ta ndani atë në disa pjesë dhe të merremi me atë se “a paraqet dhuna në Kuvend kërcënim për sigurinë e Kosovës?”, dhe ta lëmë pjesën lidhur me islamin radikal për pak më vonë. Ndoshta do të duhesh të më përkujtosh për këtë.
TV21: Sigurisht se do t’ju përkujtoj.
Ambasadori Delawie: Faleminderit. Po, mendoj që dhuna në Kuvend është kërcënim për sigurinë në Kosovë. Problemi është nëse dhuna politike fillon të funksionojë vetëm për një grup njerëzish dhe ata fillojnë të besojnë se janë duke arritur ndonjë lloj qëllimesh nga e tërë kjo. Në anën tjetër, një grup tjetër do të mësojë nga të parët dhe pastaj edhe këta ndoshta do të fillojnë ta përdorin dhunën politike. Dhe pas një kohe jo fort të gjatë do të jeni në këtë fazë të veprimit dhe kundërveprimit nga ana e grupeve të shumta, dhe do të jeni në një teposhtëze të rrëshqitshme drejtë kaosit dhe anarkisë. Por, edhe përtej kësaj unë mendoj se dhuna në Kuvend ndikon negativisht në Kosovë për shkak të efektit që shkakton jashtë kufinjve të saj. Siç e dini, ne e pamë këtë gjatë votimit në UNESCO vjeshtën e kaluar ku, ta them të drejtën, Qeveria ime përkrahi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe ambasadat tona në mbarë botën bënin thirrje tek qeveritë e huaja për ta përkrahur anëtarësimin e Kosovës gjatë votimit në Paris. Sigurisht që 90 apo më shume shtete e bënë këtë e që është mirë, por, fatkeqësisht, në fund na munguan tri vota. Fatkeqësisht, shumë, tepër shumë nga kolegët e mi nga mbarë bota dëgjuan nga homologët e tyre nëpër vendet ku ata shërbejnë diçka të këtillë: “Për çfarë arsye të votojmë për një vend për të ju bashkëngjitur një organizate e cila ka për qëllim të mbrojë trashëgiminë kulturore kur ai vend nuk është në gjendje ta mbrojë as Kuvendin e vet?” Prandaj, mendoj se është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që veprimet që ndërmarrin në Kosovë për arsye të ndryshme të brendshme shumë lehtë mund të qarkullojnë në tërë botën dhe të kenë pasoja negative për vendin e tyre. Mund ta them të njëjtën gjë edhe për investimet e huaja. Kam shpenzuar shumë kohë duke biseduar me kompanitë amerikane nëpërmjet telefonit duke tentuar t’ua spjegoj që Kosova me të vërtetë është një vend i sigurt ku ata mund të vijnë dhe të investojnë paratë e tyre këtu. Fatkeqësisht, problemi është – ta dini – se ajo çfarë ata shohin në televizion dhe përshtypjet që ata krijojnë për Kosovën është gazi lotsjellës në Kuvend dhe koktejet e Molotovit nëpër rrugë. Këto, pra, janë gjërat që janë parë anekënd botës dhe secili di për ato. Dhe, do të na duhet kohë për t’i tejkaluar këto gjëra dhe që njerëzit ta shohin Kosovën ashtu sikurse në të vërtetë është. Pra, është një vend i sigurt ku njerëzit mund të vijnë, vend i sigurt për të investuar dhe një shtet i cili është i gatshëm ta marrë hisen e vet në skenën botërore.
TV21: A keni vërejtur, të themi, ndonjë përpjekje veçanërisht të fuqishme të institucioneve qeveritare që të shkojnë përtej….
Ambasadori Delawie: Ju jeni njeriu i lajmeve. Ju e dini këtë më mirë se unë. A është lajmi i mirë lajm? Nuk doni të përgjigjeni në këtë apo jo. Fatkeqësisht, pamjet dramatike janë lajme dhe është shumë e vështirë ti kundërpërgjigjesh gjërave të tilla. I kujtoj momentet kur kam shërbyer në Kroaci para 10 vitesh, isha zëvendësshef i misionit në ambasadën tonë atje. E kemi ditur rreth një vit më parë se po shkojmë në Kroaci dhe i themi miqve tonë dhe kolegëve çfarë do të bëjmë atje dhe ata thoshin: “O zot, po çfarë do bëni me fëmijët tuaj?” Unë u thosha se fëmijët do të vijnë me ne. Atje është një shkollë, ata do vijojnë mësimin dhe do të jetë në rregull për ta. Dhe njerëzit më thonin, përfshirë njerëzit nga Departamenti i Shtetit – po çfarë lidhur me luftën? Mirë, lufta kishte mbaruar para 10 viteve. Por, lufta ishte gjëja e fundit për çfarë Kroacia ishte në lajme në Shtetet e Bashkuara. Dhe kjo është ajo që njerëzit kishin mbajtur në mend. Njerëzit kujtojnë gjërat që ju i transmetoni në TV e që janë dramatike, kjo pra është interesante për ata. Fatkeqësisht, nga këndvështrimi i Kosovës gazi lotsjellës ishte dramatik dhe interesant dhe druaj se do të mbetet në kujtesën e njerëzve. Dhe unë nuk dorëzohem – ne do të vazhdojmë të punojmë lidhur me këtë çështje dhe e di se shumë njerëz këtu do ta bëjnë të njëjtën gjë.
TV21: OK, të kthehemi te islami radikal si njëri nga rreziqet për sigurinë. Së fundi patëm një artIkull në “New York Times” që në të vërtetë e quajti Kosovën tokë të plleshme për rekrutuesit e terroristëve. A mendoni se Qeveria e Kosoës është aktualisht duke bërë mjaft për ta luftuar terrorizmin dhe islamin radikal?
Ambasadori Delawie: E kam lexuar atë artikull. Në fakt, të gjithë miqtë e mi dhe familjarët e lexuan atë artikull, gjithashtu. Dhe tani “email inbox-i” im është i stërmbushur me kopjet e artikullit të “New York Times”. Më duhet të them se atij artikulli i mungon një pjesë shumë e rëndësishme e stories për veprimet shumë të rëndësishme dhe shumë të suksesshme të ndërmarra nga dy qeveritë e fundit të Kosovës, e sidomos që nga gushti i vitit 2014. E dini, kemi patur pjesëmarrjen e Kosovës në samitin për luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm të mbajtur në SHBA, u mbajt edhe një samit rajonal në Shqipëri. Është ligji për luftëtarët e huaj terroristë i cili është miratuar në vitin 2015. Mendoj se më shumë se 50 njerëz janë arrestuar për pjesëmarrje në luftërat e popujve tjerë – njerëz që janë kthyer në Kosovë nga Siria apo Iraku. Disa njerëz janë dënuar të premten e kaluar, përfshirë edhe dikë që është dënuar për radikalizimin e qytetarëve të rinj të Kosovës dhe inkurajimin e tyre për t’iu bashkangjitur luftës. Ky person u dënua me 10 vite burgim e që është, për aq sa ne dijmë, ndëshkimi më i gjatë për krimin e llojit të tillë në tërë rajonin. Pra, mendoj që është e qartë që Kosova është duke bërë shumë dhe ne jemi duke punuar me Kosovën, dhe kemi punuar me Kosovën lidhur me këtë çështje gjatë gjithë kohës. A do të them se ne të gjithë e dijmë saktësisht se çfarë duhet bërë lidhur më këtë problem? – Jo, natyrisht se jo. Nuk e dijmë saktësisht por jemi duke luftuar kundër kësaj dukurie në Kosovë. Vendet tjera evropiane janë duke luftuar gjithashtu. Kemi problemin e ekstremizmit të dhunshëm edhe në Shtetet e Bashkuara me të cilin po mundohemi të ballafaqohemi. Të gjithë jemi duke provuar qasje të ndryshme. Disa do të funksionojnë më mirë se të tjerat dhe kjo është thjeshtë ajo mënyra se si merreni me një problem të ri. Provoni vazhdimisht metoda të ndryshme – disa nga ato do të funksionojnë më mirë dhe disa më pak se mirë. Por, besoj se kemi një partner të mrekullueshëm në Kosovën dhe mendoj se Kosova është duke bërë shumë në këtë drejtim.
TV21: Thatë “kemi një partner të mrekullueshëm në Kosovën”. Artikulli duket se pandeh se Kosova nuk është më aq pro-amerikane. A e keni edhe ju këtë mendim apo mos e keni fituar një përshtypje të tillë duke e lexuar artikullin? A mendoni se kjo është e vërtetë?
Ambasadori Delawie: Druaj se artikulli e lë atë përshtypje. Më duhet ta them se fare nuk pajtohem me atë. Ka rreth 10 muaj që jam në Kosovë dhe personalisht e shoh thellësinë e pro-amerikanizmit, pro-perëndimit, pro-evropianizmit të qytetarëve të Kosovës. Ka vende në Kosovë, në qendër të Prishtinës, ku shoh më shumë flamuj amerikanë se sa në disa vende në SHBA. Njerëz të panjohur më ndalojnë në rrugë dhe më falënderojnë apo dëshirojnë të fotografohem me fëmijët e tyre. Vërtetë mendoj se është e padrejtë të njolloset një shtet i tërë, 2 milion njerëz, për shkak të pikëpamjeve të një përqindjeje shumë, shumë të vogël të njerëzve. Pandeh se kjo është një përgjigje e gjatë në pyetjen tuaj të shkurtër. Jo, nuk shoh ndonjë rritje të anti-amerikanizmit këtu. Ky është një vend i lirë – njerëz të ndryshëm kanë pikëpamje të ndryshme, dhe kjo është në rregull. Por, më duhet të them se më ka lënë shumë përshtypje që shumica dërrmuese e njerëzve duket se ende me të vërtetë e respektojnë shtetin që unë përfaqësoj, dhe kjo më bën shumë të lumtur.
TV21: Aktualisht ky artikull disi ktheu vëmendjen e opinionit publik të Kosovës kah islami radikal dhe terrorizmi, dhe disi e zhvendosi atë nga kriza politike. Por, duke pasur parasysh gjendjen e tanishme politike, korrupsionin, gjendjen në veri – a do të thoshit se ky [terrorizmi] është rreziku numër një opër sigurinë apo ka çështje tjera me të cilat Kosova duhet të merret?
Ambasadori Delawie: Brenda kornizave të sigurisë do të thoja se luftimi i ekstremizmit të dhunshëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën sikurse që është edhe për vendin tim. Kemi parë sulme shumë serioze kundër vendeve tjera evropiane. Nuk e di nëse diçka e tillë është planifikuar për këtu, shpresoj se asnjëherë nuk do të vijë këtu, por, është një gjë të cilës duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje të gjithë ne. Duhet të punojmë shumë afër me policinë, institucionet e sigurisë, institucionet gjyqësore, dhe nuk mund vetëm ta injorojmë dhe të shpresojmë se do të largohet. Dhe tash nuk shoh asnjë njeri, asnjë zyrtar qeveritar këtu, qoftë policët në detyrë apo ndonjë ministër, që ka për qëllim ta fshehë këtë problem duke shpresuar se problemi do të largohet vetvetiu.
TV21: Poashtu, siç e thashë: Një nga kërcënimet më të mëdha për shoqërinë dhe njëri nga problemet që është identifikuar si njëri nga prioritetet e mandatit tuaj është korrupsioni. Aktualisht çfarë është duke u bërë për të luftuar korrupsionin? Përveç asaj që të gjithë e dijnë ju thuani se SHBA është aktualisht duke investuar miliona për këtë por cilat janë rezultatet?Ambasadori Delawie: Siç e thatë edhe ju, luftimi i korrupsionit është një ndër prioritetet e mia më të larta. Pra, sundimi i ligjit është teknikisht prioriteti im kryesor dhe luftimi i korrupsionit është pjesë e rëndësishme e kësaj. Ky është një problem i madh këtu dhe ju të gjithë e dini sigurisht më mirë se unë – mendoj se kjo paraqet një barrë të madhe për Kosovës dhe është e rëndësishme që në vitet në vijim Kosova të merret me këtë problem suksesshëm, nëse pretendon t’i arrijë ambiciet e saja për tu integruar plotësisht në Evropë dhe të anëtarësohet në të gjitha klubet e rëndësishme evropiane. Dhe, çfarë është bërë? Po, ne jemi duke investuar afro 12 milion dollarë gjatë këtij viti në diçka që quhet “Projekti i Forcimit të Sektorit të Drejtësisë” i cili punon me degën e gjyqësorit për të përmirësuar efikasitetin, logjistikën, transparencën – transparenca është çështja kyçe e cila e vështirëson korrupsionin. Pra, jemi duke punuar me sektorin e gjyqësorit, me prokurorët, me policinë, në identifikimin korrupsionit, në ndjekjen e korrupsionit dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit. Po të kisha një shkop magjik për ta eliminuar korrupsionin – më besoni, do ta kisha bërë këtë. Është një problem të cilin shumë shtete anekënd botës po mundohen ta luftojnë. Edhe shteti im, natyrisht, ka korrupsion, dhe kjo nuk më pëlqen. Është problem shoqëror, problem edukimi, problem shëndetësor, problem i zbatimit të ligjit, dhe natyrisht, është problem politik. Por, është diçka me të cilën po merremi dhe ne vazhdojmë ta kemi si prioritet të lartë për arsye se është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, për ekonominë e Kosovës dhe për t’i ndihmuar qytetarëve të Kosovës të ndihen më rehat – se Qeveria e tyre po punon për ta.
TV21: Qeveria ka pranuar ndihma nga USAID-i dhe programe të ndryshme për shumë vite për t’u marrë me këtë çështje. A mund të thuhet se institucionet e Kosovës janë partnerë të besueshëm për ju në luftimin e korrupsionit, apo mendoni se ka nevojë për një ndryshim të tërësishëm të qasjes?
Ambasadori Delawie: Kkemi një numër të madh të partnerëve të besueshëm në sektorët e ndryshëm të sundimit të ligjit këtu. Ne punojmë me ata që t’jua përmirësojmë aftësitë dhe shkathtësitë. Ky programi i USAID-it që përmenda më herët është një element i rëndësishëm. Unë mendoj se shumica dërrmuese e njerëzve brenda sistemit të sundimit të ligjit – policia, prokuroria, gjykatësit – janë duke bërë çmos për ta zbatuar ligjin dhe Kushtetutën. Fatkeqësisht, ka të tillë që nuk janë duke vepruar ashtu apo edhe janë duke e shkelur ligjin. Raste të tilla bëhen famëkëqija dhe ulin besimin e qytetarit të Kosovës në tërë sistemin. Jemi duke punuar me partnerët tonë të cilët besojmë se janë të besueshëm, jemi duke bërë çmos, po trajnojmë njerëz, po ofrojmë mjete dhe do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Mendoj se edhe një partner shumë i rëndësishëm këtu është EULEX-i i cili para disa javësh ka arrestuar 50 apo më shumë njerëz për të cilët supozohet se kanë vjedhur nga qytetarët e Kosovës. Ne e mbështesim EULEX-in fuqishëm – kemi 16 amerikanë të cilët punojnë në EULEX. Është pra mision evropian për sundimin e ligjit por ne kontribuojmë në te sepse mendojmë se detyra e tij është vërtetë shumë e rëndësishme, dhe mendojmë se është shumë e rëndësishme që EULEX-i të mbetet, t’i shqyrtojë rastet deri në përfundimin e tyre, dhe të dënojë fajtorët dhe të vazhdojë punën në këtë projekt i cili është shumë i vështirë.
TV21: Me shënimin e trevjetorit të Marrëveshjes së Brukselit para disa ditëve dhe momenteve të tjera të rëndësishme në procesin e gjatë të dialogut a kemi ardhur në pikën ku mund të analizojmë suksesin e përgjithshëm të procesit?
Ambasadori Delawie: Ne mendojmë – unë mendoj se është shumë e rëndësishme për Kosovën të gjejë vendin e vet brenda Evropës. Të bëhet anëtare e të gjitha klubeve kyçe evropiane ku ajo dëshiron të anëtarësohet. Nuk shoh ndonjë rrugë tjetër për të arritur aty përveç se me marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj, përfshirë këtu edhe Serbinë. Mendoj se dialogu gjatë viteve që lamë pas ka shënuar progres. Kam folur në të kaluarën lidhur me gjërat sikurse zgjedhjet lokale në tërë territorin e Kosovës, zgjedhjet e përgjithshme në tërë territorin e Kosovës, mbledhjen e taksës doganore në kufijtë veriorë të Kosovës tash, gjë që nuk do të ndodhte në të kaluarën. Marrëveshja e vitit të kaluar mbi policat e sigurimit të automjeteve ishte dashur të hyjë në fuqi këtë verë dhe ka për qëllim ta lehtësojë lëvizjen për qytetarët në të dyja anët. Pra, e refuzoj idenë që dialogu me Serbinë nuk ka sjellë të mira — mendoj se përkundër historisë së vështirë, përkundër këndvështrimeve dalluese të Kosovës dhe Serbisë lidhur me shumë gjëra të rëndësishme, ka fakte të qarta se shtetet mund të punojnë së bashku për të sjellë ndryshime praktike në jetyët e njerëzve të zakonshëm. Pra, kjo është e mira. Tani, e pranoj se dialogu nuk është duke lëvizur aq shpejtë sa do të kisha pasur dëshirë. Ka një dozë të caktuar lodhjeje nga dialogu por ne fuqishëm do të inkurajojmë të dyja shtetet të gjejnë mënyrën të vazhdojnë to arrijnë progres Të vazhdojnë të punojnë drejt marrëdhënieve më normale dhe të tentojnë të bëjnë gjëra të cilat në fakt sjellin ndryshime praktike në jetët e njerëzve në mënyrë që ata të shohin pse po ndodhë dialogu. E pranoj se disa nga gjërat sikurse inkasimi i taksave doganore në veri është paksa abstrakte, ajo nuk ndikon tek unë apo tek ju por ajo ndikon në mbarë ekonominë e Kosovës por jo në mua dhe në ju personalisht. Por gjërat tjera sikurse është sigurimi i veturave, ato ndikojnë drejtpërdrejtë në jetët e njerëzve dhe i përmirësojnë ato.
TV21: Kjo është marrëveshja të cilën të dyja palët me të vërtetë e kanë pasur të vështirë ta zbatojnë, ka probleme në atë drejtim dhe në zbatimin e shumë marrëveshjeve tjera, të cilat ose janë ndërprerë ose kanë stagnuar. Thatë se ju inkurajoni të dyja palët që të vazhdijnë dialogun, a do të thotë kjo se do t’i inkurajoni ata që të vazhdjnë dialogun në këtë mënyrë, në formatin e tanishëm, apo keni arritur në pikën ku mendoni se duhet riformatizuar apo ndryshuar, apo reviduar i tërë procesi?
Ambasadori Delawie: Dialogu i përket Kosovës dhe Serbisë. BE-ja e lehtëson dhe ne ofrojmë mbështetje të fuqishme morale dhe nganjëherë edhe ca ide. Pra, dialogu nuk më takon mua, apo SHBA-ve – nuk mund ta ndryshoj përnjëherë – i takon Kosovës dhe Serbisë, dhe ne e mbështesim fuqishëm dhe mundohemi të ndihmojmë – i ndihmojmë BE-së, i ndihmojmë dy shteteve – çfarëdo që ndodhë në të ardhmen do të jetë për shkak se dy shtetet janë dakorduar. Dhe kjo të shpije drejt projektimit të së ardhmes, gjë të cilën unë nuk do ta bëj.
TV21: Mendoj se kjo është e tërë koha që kemi për sot. Ju faleminderit.
Ambasadori Delawie: OK, faleminderit. Nëse më lejoni, do të kisha pasur dëshirë të theksoj edhe diçka.. Mu kujtua për shkak të dialogut edhe pse lidhja është e hollë – nuk e di nëse mund ti ndërlidhi. Por, me Kosovën më të integruar me pjesën tjetër të Ballaknit, e dini se gjërat pozitive po ndodhin sikurse vendimi i UEFA-s para dy jave, patëm vendimin e FIFA-s një javë pas – ju them se mirëpres ta shoh skuadrën e futbollit të Kosovës të luaj kundër skuadrave tjera evropiane dhe botërore në fushë ndërkombëtare. Kjo do të jetë shumë ngazëllyese për mua dhe jam i bindur se ashtu do të ndjehen edhe qytetarët e Kosovës. Lidhur me këtë, kemi edhe lojërat olimpike që do të mbahen në Rio de Janeiro ku për herë të parë Kosova do të përfaqësohet nga atletët e vet dhe mendoj se kjo gjithashtu është gjë shumë e mirë. Vazhdoj ta përsëris, e thashë tri herë më parë – kërkoj ndjesë dhe mund ta fshini këtë pjesë por dëshirojmë ta shohim Kosovën të jetë njëjtë sikurse shtetet tjera dhe të jetë në zemër të Evropës – nuk ndodh gjithmonë aq shpejt sa dëshirojnë njerëzit e sidomos jo aq shpejtë sa ka dëshirë rinia e Kosovës dhe kjo nuk më shqetëson fare, ata duhet të jenë të padurueshëm. Kur të rinjtë janë të padurueshëm të vjetrit sikurse unë janë më të inkurajuar për të bërë gjëra të rëndësishme. Por, ka progres: sukses në futboll, progres në olimpiadë, dhe jam i bindur se do të vazhdohet me progres për Kosovën në marrjen e vendit të vet që i takon në skenën evropiane.
TV21: Në të vërtetë, më befasuat me këtë të fundit sepse nuk e dija se dinit për futbollin.
Ambasadori Delawie: Kam kaluar një të tretën e jetës sime në Evropë dhe kam mësuar ca gjëra lidhur me futbollin.
TV21: Kjo pra e spjegon këtë.
Ambasadori Delawie: Po. Më pëlqen basketbolli gjithashtu.
TV21: Mendova herën e ardhshme ndoshta playoffi i NBA-së do të ishte tema. Ishte kënaqësi të bisedoja me ju, zotëri ambasador. Faleminderit.
Ambasadori Delawie: Faleminderit shumë. Ishte kënaqësi.