• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Flet poetja Liljana Dhimo (Ruço)

October 2, 2015 by dgreca

Intervistë me zonjën Liljana Dhimo (Ruço), autore e tre vëllimeve me poezi dhe mësuese fizike, në një prej gjimnazeve të Tiranës/

-Të jesh mësues në Shqipëri është shumë e vështirë, por është profesioni për të cilin ka nevojë më shumë/

– Mësuesi i vërtetë nuk bën pjesë në këtë bashkësinë e mitmarrjes/

-Vallë çfarë bëhet, të nderuar politikanë dhe ligjvënës, kur një i dënuar me burgim të përjetshëm, lirohet dhe nuk gjendet më?/

Nga Albert Z. ZHOLI/

Grimcat e para poetike i kanë lindur që në fillore, në ato poezitë me dy strofa, të cilat e kanë shoqëruar për një kohë të gjatë, veçanërisht në periudhën e gjimnazit, atëherë kur të gjithë të rinjtë e provojnë penën, sepse është ajo, që ua kërkon atyre. Ndonjëherë këto lloje poezish zënë një vend dominant në “krijimtarinë tënde”. Për herë të parë poezitë e saj e kanë parë dritën e tyre të botimit në gazetën “Studenti”, në vitet ’73-’74-’75. Mbase ndonjë poezi tjetër tek-tuk mund të ketë ngritur kokë edhe në ndonjë organ tjetër, si gazeta “Drita”, “ZP” apo revista “Ylli”, por që të botohej në këto organe, duhej të kalojë në një pafundësi filtrash të kohës.

– Sot, krijueset femra në Shqipëri, a kanë gjetur terren dhe mbështetje për vlerësim dhe propagandim?

 Në këndvështrimin tim, mund të them pa frikë një “JO”. Kjo e thënë në mënyrë të përgjithshme, ndërkohë që të jesh në një tavolinë, të themi mes miqsh apo kolegë, mund të marrësh superlativa vlerësimesh, për arsye nga më të ndryshmet. Nëse i jep dikujt dorëshkrimin, entuziazmohet sikur ka zbuluar “çudinë e tetë të botës”, mund të të thotë, që filan autor, apo fistek poeti i është dashur një jetë, që të përdorë një figurë kaq të goditur si kjo e jotja e aksh poezie, apo të takon në rrugë pasi ka lexuar poezitë e tua dhe thotë, nuk më vjen keq që ti nuk je e afirmuar, por më vjen keq, që sa e sa te tjerë, kanë mundësinë të botojnë aq shumë gjëra pa vlerë, sa të vjen neveri nga pseudot që servirin. Megjithatë më shumë të dhemb indiferenca e grave krijuese, në “xhelozinë” e të cilave: është e mira të mos të bjerë kurrë fati që të trokasësh. Nga ato librat e mi të thjeshtë, unë jam e lumtur, që më kanë lexuar plot miq e shokë, njerëz që më njohin por që edhe nuk më njohin si fytyrë, por që kanë dërguar një feedback të tipit: “Më pëlqyen shumë poezitë e tua, por filan poezi, mu duk sikur ishte shkruar për mua”.

– A është e vlerësuar sot femra shqiptare dhe me raporte të drejta në politikë?

“Diçka duket se po “fryn për mirë”. Sa janë zhvilluar zgjedhjet vendore dhe ishte kënaqësi e veçantë, që për herë të parë kishte një numër të dukshëm zonjash, të cilat do të udhëheqin jetën dhe punën e vërtetë në mjaft qarqe të vendit. Kënaqësi dhe një urim të veçantë për këto zonja, të cilitdo krah që janë, ato kanë luftuar dhe janë privuar nga shumë kënaqësi që mund të kenë pasur pranë rehatisë familjare, por me dinjitet kanë arritur të jenë në krye, një BRAVO të madhe për ato, mbi të gjitha kur ato kanë fituar edhe ndaj burrave kandidatë. Por burrave me ADN-në e tyre u përshtatet një shprehje të cilën kurrë nuk duhet ta harrojnë: “Një dorë që tund djepin, tund sistemin!”

Në kohën e lirë jeni afër krijimtarisë apo keni ndonjë hobi tjetër?

Kohë të lirë kam, por edhe nuk kam. Megjithatë gjej kohën që gjen çdo grua për t’u marrë së pari me familjen, sepse familja ime përbëhet nga bashkëshorti im dhe dy djemtë, kështu që punët e nënës, nuk mund të anashkalohen për asnjë arsye. Gatimi, është një nga punët, për të cilën nuk përtoj asnjëherë, përkundrazi edhe aty e kap shpesh herë veten duke bërë receta të reja gatimi, ndërkohë më mbetet kohë të lexoj, të shkruaj sa herë që më bëhet domosdoshmëri, kur vërtet vjen momenti i bukur emocionues për të hedhur diçka në letër. Po kështu me pëlqen shumë të qëndis, por të qëndis panorama, apo portrete por te vështira, me numërim dhe jo të stampuara. Është një punë vërtet e vështirë, por tejet e bukur dhe më së shumti antistres, sepse provon një kënaqësi të veçantë.  Nuk mund te rri pa dëgjuar muzikë, por muzikë të bukur, veçanërisht muzikë klasike, si Kamil Saint Sans, List, Vivald, Beethoven, Mozart, Shopen e plot emra të tjerë, një muzikë e mrekullueshme që nuk vdes kurrë.

…Kjo është një lloj agjende në vija të përgjithshme.

Mësuese fizike dhe poete, nuk është paksa paradoks?

Por ama një paradoks shumë i bukur. E vërteta është që unë lëndën e letërsisë në gjimnaz e kam zhvilluar me profesorin e letërsisë, një ndër poetët lirikë më të mëdhenj në kohën e tij, Dhori Qiriazi. Ishte një fat i madh të kishe një mësues të jashtëzakonshëm dhe një figurë poliedrike si ai, jo vetëm për mua, por për të gjithë nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” të Ersekës, respekti ndaj të cilit rritet dita-ditës, ndërkohë që profesorin nuk e kemi më mes nesh. Ora e mësimit të letërsisë për ne, ishte sikur ne dërrasën e zezë të shfaqej një ekran, ku çdo fjale e tij, ekranizohej dhe na fuste në një botë plot ngjyra dhe jetë, plot ëndrra dhe muzikalitet, ku ne ndryshonim këndvështrimin ndaj jetës dhe fenomeneve të saj. Ndaj te gjithëve na mbushej mendja, se edhe ne do bëheshim poetë, sepse ne na ishte transmetuar në çdo orë, shpirti poetik ndër vena…falë tij. Fizika ka qenë lënda që unë padyshim kam dhënë nëpër gjimnaze, në shumë të tillë, një shkencë bazë, ndër më të bukurat, e cila “të mpreh” gjykimin.

A është e vështirë sot të jesh mësuese në Shqipëri?

Do të them diçka dhe do të këmbëngul që: të jesh mësues në Shqipëri është shumë e vështirë, por është profesioni për të cilin Shqipëria ka nevojë më shumë, se për cilindo profesion tjetër. Para disa ditësh, një mike kish bërë një status në facebook: “Një grup inxhinieresh, ekonomistësh, mjekësh, etj i kishin kërkuar zonjës Merkel, t’iu ngrinte rrogat dhe t’ua barazonte me rrogat e mësuesve(!) -Jo, ishte përgjigjur ajo, janë ata që ju kane mësuar juve, mos pretendoni një gjë të tillë”!

Si do ta komentonit mitmarrjen në radhët e mësuesve?

Problem i thellë ky e dashur, por rrënjët i duken gjithsesi, bile i duken mirë fare, nëse do t’i shohësh. Kam bindjen e padiskutuar që, mësuesi i vërtetë nuk bën pjesë në këtë bashkësi. Por, figura e mësuesit për vite me radhë mbeti figura më e poshtëruar e shoqërisë, ju shpëla dinjiteti në mënyrën më të turpshme me ujin e turbullt që nxjerrin kanalet buzë Lanës. Mësuesi nuk u vlerësua si pjesa më dinjitoze e shoqërisë. Mësuesit nuk ju dha vendi që i takon. Ai u la që të vishej me çfarë t’i ofronte firma “Gabi”. Ndërkohë që nxënësi e kishte celularin 600 euro, mësuesi rrogën e kishte 30 000 lek. Vallë çfarë bëhet, të nderuar politikanë dhe ligjvënës, kur një i dënuar me burgim të përjetshëm, lirohet dhe nuk gjendet më? Çfarë bëhet kur një kriminel i larguar në drejtim të paditur, i dënuar katër herë nga drejtësia… ikën? Këta juridiksa që i lirojnë dhe i çlirojnë, nuk bën vaki ndonjëherë që të dalin nëpër ekrane të mediave dhe të telendisen, nga ajo pjesë e respektuar e njerëzve, bashkëqytetarëve e bashkë nënshtetasve të mi. Çfarë do bëjë një familje e re, qeliza e jetës sonë kur lidhen dy të rinj, të cilët kanë mbaruar për mësuesi dhe punojnë si mësues, të cilët jetojnë në një apartament me qira 20 000 lek. Dy rroga mësuesish, ku 10 000 lek do jetë pagesa e energjisë, ujit e taksave, po nëse janë duke pritur edhe frytin e dashurisë së tyre, si do t’i përballojnë dhe a mund t’i përballojnë dot shpenzimet e përditshme, sepse nëse për t’u veshur e mbathur, firma “G” është gati, por për të ngrënë tri here në dite, kjo firme për fat të keq… nuk funksionon. Megjithatë mësuesit përsëri mbeten të ndershëm, pavarësisht se shpesh herë “ndershmëria” në një gjuhë (që të paktën nuk është shqip), përkthehet “budalla”. E lëmë me kaq këtë përgjigje, sepse “dhemb, por dhemb shumë!”

Kush e shpiku këngën?!
Nga Liljana Dhimo (Ruço)
Cila ish shtysë e arsyeja që filloi,
Njeriu i parë këngën për të kënduar?
Kur atij i lindi fëmija këndoi ninullën,
Apo kur ai këndoi si i dashuruar?

Kur shkuma e dallgëve lante bregun,
A kur luleçeljet s’ngopnin dot mëngjeset?
Kur dielli gjithësinë mbështillte në krahët e tij,
Kur gjelbërimi dehës brerohej nga pika vesë?

Se mbetet i famshëm,
paçka se emri gjithnjë s’dihet,
Se kush shpiku rrotën, relativitetin, A.D.N-në,
Por kurrë nuk u emërua se kush ish,
Ai i famshëm që shpiku KËNGËN!

Se nëse rrota shtyu përpara shkencën,
E relativiteti përshkon gjithësinë,
Kënga në jetë të jetëve do mbetet:
Rezonanca me shpirtin, që përsos njerinë!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Flet poetja, Liljana Dhimo (Ruço)

FLET PER DIELLI-N ISMAIL KETA, 3 HERE KAMPION BOTE

October 2, 2015 by dgreca

Bisedë me shqiptarin me origjinë nga Bulqiza z.Ismail Keta tri herë kampion bote në Taj e Kik Boks/

Të ndihmosh dhe bësh mirë është detyrë njerëzore. Duhet ta bëj çdo njeri, mbi të gjitha ne shqiptarët që njihemi për bujari dhe fisnikëri. – Ismail Keta/

Biesedoi Keze Kozeta Zylo/

Ismail Keta ka lindur në Bulqizë, më 1 dhjetor 1976 dhe ka fituar tri herë radhazi titullin kampion bote. Është një rast unik jo vetëm për një sportist shqiptar, por dhe për një sportist në gjithë botën. Ismail Keta jo vetëm që është një sportist i jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha ai është NJERI! A nuk ishte Ismail Jonny Keta që doli në ring në Gjermani dhe të gjitha fitimet ja dhuroi vajzës 16 vjeçare me origjinë nga Peshkopia Ambra Medës për ta shëruar nga një sëmundje e rëndë? Kurimi i saj jashtë shtetit kërkonte shuma të mëdha eurosh, por të dy ja dolën mbanë: ISMAILI NË RING ME RIVALIN E TIJ DHE AMBRA NË RING ME SËMUNDJEN!

Ismail Keta ka qenë krah i fuqishëm dhe për vëllain e tij të famshëm Gjetan Keta, kampion i Euroazisë i cili do të përballet në ring, më 21 Nëntor të këtij viti në Madiosn Square Garden për kampion bote.

Le ta lexojmë historinë e jashtëzakonshme të shqiptarit Keta nëpëmrjet intervistës që realizuam në New York.

Pyetje- Të marrësh titullin tri herë kampion bote është një punë kolosale, kërkon vullnet titanik, mundime, talent, a mund te na flisni ju lutem si arritët deri këtu?

Pergjigje:- Gjithmonë ndihem mirë të flas, të tregoj për njerëzit e mi dhe shqiptarët, pasi historia e jetës dhe karrierës time sportive është shumë e dhimbshme, e egër, por dhe inkurajuese për të rinjtë, fëmijët, prindërit shqiptarë që dinë të kuptojnë vuajtjet dhe rezultatet e mia.Nga që nuk mundem t’ju shkruaj gjithë historinë time për arsye kohe, dua ti përgjigjem pyetjes tuaj me pak fjalë. Me punë dhe sakrificë, arrihet lumturi dhe çdo gjë në jetë.

Pyetje- Ju jetoni në Gjermani, kur keni ikur nga Shqipëria dhe si u integruat kaq shpejt në Gjermani?

Pergjigje- Une kam ikur nga Shqipëria në vitin 1996. Une jam i njejti Ismail, ashtu si në vitet 1996 me të njejtin karakter, vetëm më i kalitur me dashurinë për punën dhe atdheun nga që kam qenë larg tij dhe kështu jam edukuar nga Gjyshi dhe familja ime.

Pyetje- Në ndeshjen e parë në Munih krahas sportdashësve të huaj keni pasur mbeshtetes dhe shqiptarë si jeni ndjerë për këtë?

Pergjigje- Po e vërtetë. Kam pasur shumë shqiptarë. Me njeriun tënd ndihesh gjithmonë mirë, më i fortë dhe krenar, këto janë, tri gjëra që mua më kanë sjellë suksesin në ringun e Boksit. Për këto arsye gjithë shqiptarëve dhe Atdheut u jam gjithë jetën mirënjohës.

Pyetje- Ju keni rifituar titullin kampion Bote në Kik dhe Taj Boks duke mundur hollandezin Remo Arnst më 2012. Ju keni përshëndetur në shqip, na flisni ju lutem për emocionet tuaja dhe luftën tuaj për ta mundur rivalin tuaj?

Pergjigje- Në këtë luftë sportive kundra Hollandezit më 1 dhjetor 2012 (ditën që unë kisha ditëlindjen), fitorja e asaj dite ishte shumë më e rëndësishme se jeta ime! Ai më kishte marrë titullin në maj të po atij viti dhe kishte deklaruar që unë nuk mund tja arrij për t’i marrë titullin atij.Përveç kësaj ishte 100 Vjetori i Shpalljes së Pavarësisë dhe unë doja t’i bëja gjithe shqiptarët krenarë. Krenaria është çelësi i suksesit.

Pyetje- Aktualisht me çfarë merresh në Gjermani dhe për sa kohë do e vazhdoni ta ushtroni sportin?

Pergjigje- Unë pata fatin falë Zotit dhe përpjekjes sime prej 25 vitesh, të bëhem 3 herë kampion Bote. Hera e tretë ishte në dhjetor 2013 ku kjo ndeshje ishte për bamirësi për jetën e një vajze shqiptare 16 vjeçare. Falë Zotit ajo jeton dhe ështe mirë, unë vendosa ta lë ringun e boksit si sportist profesionist, me obligimin për të punuar shumë, dhe nxjerrë kampionë të tjerë shqiptarë me përvojen time 25 vjeçare në sport. Për momentin po merrem më shumë me vëllain (Gjetanin) i cili është kampion Europe dhe Azie në Federatën WBC për ndeshjen e tij në New York në prag të festave të Nëntorit në Madison Square Garden.Pra nuk jam larguar nga ëndrra ime (Ringu/Sporti i boksit.)

Pyetje- Ju keni ndihmuar mjaft shqiptarë, por ajo më e bujshmja ka qenë me vajzën dibrane Ambrën për të sensibilizuar bashkatdhetarët kudo për ta ndihmuar këtë vajzë që vuante gati nga një sëmundje shumë e rëndë? Dy vëllezërit, Ismail dhe Gjetan Keta u ngjitën në ring për Ambrën! Na flisni ju lutem për këtë histori?

Pergjigje- E preka dhe më lart. Historia e titullit tim të tretë botëror ka si arsye shpëtimin e jetës së Ambrës. Per mua, Gjetanin si dhe familjen time, Ambra është bërë mbesë, ajo dhe gjithë motrat, si dhe vëllai i vogël 3 vjeçar, na thërrasin Daja. Nuk kam dëshirë të flas për bamirësitë e mia, sepse unë jam vetë prind (kam 2 djem, një 5 vjeç dhe një 9 muajsh). Të ndihmosh dhe bësh mirë është detyrë njerëzore. Duhet ta bëj çdo njeri, mbi të gjitha ne shqiptarët që njihemi për bujari dhe fisnikëri.

Pyetje- Si ndihej Ismail Keta në ring përballë me kundërshtarët e tij?

Pergjigje- I pamposhtur dhe shpeshherë më obligues seç duhej nga respekti për shqiptarët si detyrë për të fituar. Gjë e cila ka sjellë dhe humbje në karrierën time sportive.

Pyetje- Ju jeni dy vëllezër që e ushtroni këtë sport sa me fat ndiheni për këtë?

Une që luaj dhe rolin e trainerit për Gjetanin si vëlla, nuk mund të them që ndihem me fat! Çdo goditje që ai merr është goditje në zemër, dhe njokohësisht ngarkesë e pa imagjinueshme, për të ruajtur qetësinë si vëlla dhe ruajtur rolin e trainerit, për të qenë strateg që ai të fitojë, të nderojë veten, mua, prindërit tanë dhe Flamurin.

Pyetje- Cila është familja juaj dhe lidhjet tuaja me Atdheun, Bulqizën?

Pergjigje- Kur më pyet dikush për familjen, nuk mund të rri pa kujtuar ata që ndiej me zemër që janë fëmijet e mi, prindërit, vëllezër e motra, bashkëshortja, kushërinjtë dhe kurshërirat pasi i dua shumë dhe jemi shumë të lidhur. Por nënkuptimi i pyetjes veçon dy djemtë e mi, Gjergjin 5 vjeç, Arianitin 9 muajsh dhe bashkëshorten time Bruna. Nuk mund të rri pa përmendur dy prindërit e mi që i dua shumë dhe ndihem obligues pasi më kanë rritur dhe mbajtur merakun gjithmonë sado i fortë dhe i vjetër unë bëhem në jete, ata vazhdojne te kene merakun e prindit.

-Faleminderit i nderuar Ismail për bashkëbisedimin tonë.

-Faleminderit juve znj.Kozeta, gazetave, medieve dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë.Pa respektin e tyre dhe emrin “Shqiptar” nuk isha sot ky që jam. Shfrytëzoj rastin t’ju uroj e kujtoj bashkatdhetarëve të mi se: “Sporti është jetë, shëndet, vlerë, bashkim dhe mirësi për njeriun!

1 tetor, 2015

Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: dielli, Flet Ismail Keta, Interviste, Keze Zylo

Histori Suksesi: Arlinda Çausholli

September 29, 2015 by dgreca

Arlinda: Motoja ime është e thjeshtë: Këmbët në tokë dhe sytë nga yjet/

Nga Liliana Pere/

Profil:

Arlinda Çausholli është gazetare, publiciste dhe eksperte komunikimi me influencë me një përvojë 20-vjeçare. Që nga viti 2006, është Drejtoreshë Komunikimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës „Nënë Tereza“.  Karrierën e saj e filloi në gazetari në vitin 1993 me Gazetën Shqiptare dhe më pas me agjensinë amerikane të lajmeve, Associated Press, në 1997-2002 duke mbuluar konfliktet që u shënuan asokohe me përmbysjen e skemave piramidale dhe më pas me luftën në Kosovë. Ka punuar për gazetën e njohur Corriere della Sera, duke mbuluar zhvillimet më të rëndësishme në Shqipëri në periudhën e tranzicionit të këtyre viteve. Në vitet 2003-2006 ka qenë Drejtuese Komunikimi në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Projektet e Shërbimeve (UNOPS). Eshtë diplomuar për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin“Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe mban Gradën Master për Shkenca Komunikimi në Universitetin Europian të Tiranës (UET) në vitin 2011, duke u nderuar me “Çmimin e Ekselencës”. Njihet si pedagoge dhe anëtare e Bordit Drejtues të UET Alumni dhe mban titullin e Koordinatores Rajonale të Shoqatës Europiane të Drejtorëve të Komunikimit EACD (European Association Communication Directors) për Shqipërinë. Eshtë autore e blogut “Ndër mejtime” që publikohet periodikisht tek e përditshmja Shqiptarja.com, një blog mbi jetën, njerëzit dhe fenomenet sociale që synojnë përparimin e vlerave humane dhe vëmendjen publike ndaj tyre.

Arlinda Çausholli është nderuar me “Çmimin e Mirënjohjes“për kontributin që ka dhënë në jetën shoqërore dhe artistike në qytetin e Shkodrës.

Eshtë themeluese, ideatore dhe drejtuese e Programit të Komunikimit „Fit For Future“ (FFF), një Program që ka për qëllim të promovojë cilësinë e komunikimit profesional dhe njerëzor, të japë nota të mendimit pozitiv dhe të krijojë një frymë bashkëpunimi qytetar.

Çfarë kujton nga fëmijëria?

-Kam patur fëmijëri me ngjyra, ndonëse ne jemi brezi që jetuam disi dy regjimet dhe kalimin nga njëri tek tjetri nuk e kishim fort të lehtë. U linda në Tiranë, por jam rritur në Shkodër. Shkodra është dhe qyteti i origjinës së familjes sime dhe mbase origjina e të gjithë dashurisë me të cilën u rrita. Ky qytet ka një mënyrë të vetën të të ushqejë jetën, e jep me pikatore….por është koncentrat vlerash që të hyn ndër deje dhe nuk ikën mëqë aty. Dhe ti gjendesh ndërgjegjshëm përpara elegancës shpirtërore, të komunikimit, të estetikës, të artit, të veshjes dhe të njerëzve që mendojnë e  veprojnë njësoj si ty.

Ndiqeni bisedën e plotë:

Cilat janë fillesat e Arlindës, shpirti krijues, fantazues dhe mediatik në fushën e komunikimit?

-Kam krijuar. Krijoja vazhdimisht. Kam qenë shumë e vogël dhe mbaj mend që një pasdite shkrova një skenar për festën që do kishim në klasë. Kujtoj të kem punuar gjithë natën për të shpërndarë të nesërmen pjesët që do të recitonim dhe realizonim gjithësecili. Duhet të kem qenë 12 vjeç. Krijimi formoi kolonën vertebrore të qënies dhe ekzistencës sime dhe mbetet thelbi i jetës në fakt, në çdo gjë që bëjmë dhe në çdo hap që hedhim.Më tej kam qenë shumë e përfshirë në drejtime spektaklesh dhe koncertesh. Punova dy vjet në Radio Shkodra krahas gjimnazit që frekuentoja. Ishin emisionet e para radiofonike të drejtpërdrejta dhe pata fatin të bashkëpunoja me profesionistë në atë kohë. Di që nuk jam ndalur asnjëherë…

Ju keni mbaruar Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”,  në qytetin e kulturës dhe artit. E keni patur pasion të ëndërruar?

-Kam pasion gjuhën e pasur, të shkruarin mirë dhe librat, por fakulteti nuk më jepte ngazëllimin që doja. Ishtë një zgjedhje e diktuar nga një kohë jo fort e qëndrueshme që po kalonte Shqipëria – flasim pas viteve 1990 – dhe prindërit e mi e kishin shqetësim të më largonin nga vetja. Por nuk zgjati shumë. Në vitin 1993, kur po themelohej Gazeta Shqiptare, Carlo Bollino, gazetar dhe profesionist shumë i njohur, rastisi të lexonte një reportazh timin mbi kopshtet e fëmijëve të zëna nga të pastrehët. E pëlqeu, dhe më ftoi t’i bashkohesha ekipit të Gazetës Shqiptare të asaj kohe, që realisht ishte i paktë në numër, por me etje të madhe për të mësuar. Gazeta Shqiptare krijoi një etikë të jashtëzakonshme profesionalizimi në ato vite dhe ka qenë shkollë e mrekullueshme e terrenit. I jam shumë mirënjohëse për këtë. Gazeta shtypej në Bari dhe ne punonim për të pasnesërmen e lajmit. Sfidë e madhe, por kënaqësia ishte edhe më e madhe. Kështu erdha në Tiranë, ndërkohë që vazhdoja universitetin.

Ju kujtohet dhe nëse po, mund të na e sillni në kujtesën e lexuesve, cili ka qenë artikulli i parë që u publikua nga ju?

-Sigurisht që më kujtohet. Gazeta doli më 25 Prill 1993 dhe numri i parë u hap me vizitën e Papës në Shkodër, Papa Gjon Pali II dhe kryeartikulli mbante emrin tim. Pra zanafilla, siç duket ka qenë e mbarë dhe besoj vazhdoi e tillë.  Rasti e solli që unë të takoja Papa Françeskun më 21 Shtator të 2014-ës dhe më duhet të shtoj se butësinë e asaj dite shqiptare e kam ndërmend akoma.

Kam lexuar shumë artikuj, ju kam ndjekur edhe në intervista dhe më kanë kanë lënë një ndjesi pozitive shkrimet e tua. Jam një lexuese e rregullt e tyre, sidomos një shkrim për nënën më ka lënë mbresë. Ku e gjen frymëzimin Arlinda?

-Frymëzohem nga e mira dhe nga kërkimi i vazhdueshëm i saj. Frymëzohem nga çdo gjë që më rrethon. Frymëzohem nga njerëzit. Më frymëzojnë gjërat e vogla të ditës që në realitet kanë rëndësi të madhe, por që ne i harrojmë duke u endur në rutinë dhe pa impuls. Frymëzohem nga ngjarje të ndryshme të miat e tonat bashkë, dhe shkruaj me qëllimin që të sjell në vëmendje– me sa mundem – disa ndjesi dhe përgjegjësi njerëzore që na duhet t’i ushtrojmë çdo ditë, që të jetojmë mirë. Uroj t’ja arrij sadopak.

E dashur Arlinda;

Karriera juaj ka qenë e larmishme, me disa  eksperienca dhe te gjitha cilësore e të suksesshme. Si ka qenë rruga e  karrierës, ka patur vështirësi?

-Sigurisht që kam patur, por tani që i kujtoj, vështirësitë nuk kanë lënë aspak gjurmë të errëta. Pengesat i kam parë si sfida dhe mundësi për t’i zgjidhur dhe unë për t’u pasuruar. Mbase kjo është forca e njeriut dhe kjo është forcë e trashëgueshme, sepse i përcillet me vlerë të paçmuar fëmijëve tanë. Në fund të fundit, ky është dhe qëndrimi ndaj jetës. Figurativisht të duket sikur përgatitesh me dy armë, me njërën mbron atë çka ke arritur dhe me tjetrën ec përpara duke çarë ajrin….. Të paktën kështu e imagjinoj veten.

Pyetje-Motoja juaj mësova nga biseda është e thjeshtë: Këmbët në tokë dhe sytë nga yjet. Është nje thënie shume e bukur frymëzuese, këtë veti ta trashëguan edhe ty Arlinda?

-Unë kam patur prindër të mrekullueshëm të cilët na edukuan me ndjenjën e respektit ndaj vetes dhe thjeshtësisë ndaj të tjerëve, na dhanë entuziazmin që është thelbësor për të jetuar shëndetshëm, optimizmin dhe sensin e realitetit në të njëjtën kohë. Është edukimi më i vështirë sepse kërkon energji të pashtershme, ekuilibër akrobati dhe mendje shumë të hapur, por kur bëhet pjesë e jotja vjen natyrshëm dhe mundohesh ta përcjellësh tek ata që nuk e kanë. E konsideroj fat të jashtëzakonshëm që im bir e ka në inde, këtë ndjesi të mrekullueshme.

Sa e ndjen dhe konsideron veten të suksesshme Arlinda, që natyra i ka falur bukurinë dhe pozitivitet me shumicë në personalitetin e saj ?

-E dashur Liliana, suksesi është gjithmonë relativ dhe në varësi të diçkaje.  Mundohem të kem qëllime dhe t’i realizoj në mënyrën më të mirë të mundshme me dinjitetin që të falin vlerat me të cilat realizohesh. Ky fakt më jep një qetësi të papërshkruar. Ndjehem mirë kur marr komente pozitive nga lexuesit për shkrimet e mia dhe i falenderoj pa fund ata. Ndjehem mirë kur përmbush me profesionalizëm pozicionin që kam në aeroport dhe mendoj se jam në realizim të përditshëm si njeri, si grua, si nënë dhe si mike.Ndjehem mirë kur njerëzit më dëgjojnë teksa rrëfej këndvështrimin tim në përpjekjet për një komunikimi të mirë. Në garë me veten… Gjithmonë. Gara më e vështirë, por më e bukura.

Pyetje- Thelbi I Programit të Komunikimit Fit For Future më është dukur mjaft interesant dhe i dobishëm per kohën që jetojmë që është e domosdoshme të rrënjosim rregulla të qëndrueshme në komunikim, mund të na flisni pak?

-Idenë e këtij programi dhe realizimin e tij, e nisa në vitin 2013 në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe më pas arritja ta zgjeroj muaj pas muaji.  Më se 350 persona janë bërë pjesë e Fit For Future në dy vjet. Programin e kam zhvilluar disa herë dhe vullnetarisht, me dëshirën për të kontribuar në mënyrë modeste për një cilësi komunikimi të mirë dhe qasje pozitive ndaj jetës. U përqafua së fundmi edhe nga Banka Raiffeisen, punonjësit e së cilës e përcollën suksesshëm dhe jam shumë e lumtur për këtë. Ndërkohë FFF vazhdon…. Na duhet të përparojmë. Përparimi nuk vjen nga paraja. Përparimi vjen vetëm nga puna. Çdo gjë fillon nga vetja jonë dhe zhvillimi shoqëror merr hov po aty. Ky është mendimi im të paktën.

Sa lë për të dëshiruar sot me mangësitë dhe dobësitë e veta komunikimi dhe shoqëria jonë?

-Shoqëria jonë dhe komunikimi ynë janë ende në kahe të kundërta. Megjithë përpjekjet e kolegëve të mi apo njerëzve si ty Liliana, mënyra se si komunikojmë me njëri-tjetrin është akoma e mangët. Komunikimi është cilësi jete. Mjafton shumë pak kujdes të ndjehemi afër me njerëzit që takojmë çdo ditë, të njohur dhe të panjohur. Kjo ishte arsyeja që ndërmora edhe nismën e Programit të Komunikimit Fit For Future. Thellë brenda nesh, e dimë te gjithë që kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë, por format me të cilat i kërkojmë dhe i komunikojmë, ndoshta nuk janë më të të duhurat. Programi FFF në harkun e një ditë jep këndvështrim tjetër për qasjen ndaj jetës dhe ndaj njëri-tjetrit, në mënyrën si komunikojmë. Unë nuk pretendoj të rregulloj botën, por rezultatet janë mahnitëse, më duhet ta lë mënjanë modestinë e të kërkoj ndjesë për këtë. Por nuk është merita ime. Eshtë merita e atyre që marrin pjesë dhe thjesht një dëshirë e imja që mbase është shumë energjike dhe sjell frymëzim në FFF.

Prej sa kohësh punoni në Departamentin e Komunikimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe çfarë ka të veçantë ky pozicion?

-I jam bashkuar kompanisë së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në vitin 2006. Mbuloj çdo gjë që ka lidhje me fushën e komunikimit, përgjigjem për imazhin e kompanisë në publik, marrëdhëniet me median, këshillimet strategjike për reputacionin e kompanisë, publikimet, ngjarjet që shënojnë zhvillimet e aeroportit, komunikimin në raste krizash, përgjegjshmërinë sociale dhe gjëra të tjera që nuk po i radhis më tutje. Me bashkëpunëtorët e mi, kam pasur fatin ta ndërtoj këtë departament që në fillimet e aeroportit, bashkë me imazhin e tij. Ka qenë dhe një sfidë e bukur, me rezultate konkrete, besoj. Vazhdon e tillë.

Si ta përfytyrojmë Arlindën në kohën e lirë, sportive, enegjike, apo gjithmonë në meditim dhe aktivitet?

-Udhëtimet janë pasuri më vete. Mendoj se udhëtimet janë dritare zhvillimi dhe ridimensionim i gjithçkaje qëështë pjesë e jona. Eshtë rigjetje me njerëzit, me miqtë, me idetë, me progresin personal dhe këndvështrimet. Hulumtoj pa fund kur udhëtoj dhe jepem në detaje të pafundme  qëmë rrethojnë.  

Arlinda e dashur; Di që jeni pjesëmarrëse në maratona noti. Kjo gjë e bën personin tuaj akoma më interesant, më fol pak të lutem?

-Nuk besoj të ketë gjë më të dobishme dhe më të rëndësishme se të jetuarit shëndetshëm. Sporti duhet të promovohet në mënyrë sistematike dhe të krijohen kushte për informim publik masiv, sepse të mirat vetjake që sjell ai, janë dhe të mira shoqërore. Unë ushtrohem si çdo dashamirës sporti, kam marrë pjesë në dy maratona noti 1500 metra stil i lirë, të dyja të suksesshme.  Njëra maratonë u zhvillua në Liqenin e Shkodrës, në të cilin u krodha pas 25 vitesh për herë të parë. Uji i liqenit është pak i rëndë dhe jo fort i rehatshëm për notime të gjata, por jo i pamundur. Noti është sport karakteri dhe çdo herë që hedh krahët në ujë, aq herë forcohet kjo ide. E këshilloj shumë tek njerëzit që kam afër.

Cili do të ishte mesazhi juaj për gruan?

-Zemra është krijuar për t’u hapur. Mendja po ashtu. Janë dy thesare të pamatshme që krijojnë respektin për veten dhe të qënit unike përballë të tjerëve. Dhe buzëqesh pa fund. Ndodhin të papritura të këndshme. Në fakt, kjo vlen për të dyja gjinitë.

Çfarë mund të thoni për Organizatën e Gruas Shqiptare nëpër botë?

-E dashur Liliana, unë dua të të falenderoj thellësisht për bashkëbisedimin tonë të ngrohtë, për punën dhe pasionin që transmeton. Eshtë e pashembullt, përpjekja që bën për t’i dhënë zë dhe mbështetje grave kudo ku ndodhen dhe unë të vlerësoj shumë për këtë. Nga ana tjetër urime Organizatës dhe çdo gruaje që bën pjesë në të dhe jo vetëm. Përzemërsisht suksese.

Ju faleminderit e dashur Arlinda, gruaja e suksesshme në karrierë, e mbushur plot pozitivitet dhe inovacion në profesionalizmin e saj te shkëlqyer, e adhuruar per mirësjelljen tuaj. Suksese nga zemra.

Liliana Pere

Presidente Organizimit Internacional

Gruaja shqiptare në Botë

 

Filed Under: Interviste Tagged With: - Arlinda Causholli, Historia suksesi, Liliana Pere

Dosjet sekrete dhe tranzicioni i Shqipërisë

September 27, 2015 by dgreca

Intervistë me dr.Lori Amy mbi diktaturën, dosjet sekrete dhe tranzicionin e Shqipërisë/

Dr.Lori Amy, pedagoge në Universitetin e Georgias, është duke shkruar një libër të ri mbi Shqipërinë, kujtimet traumatike dhe identitetin nën regjimin komunist dhe gjatë tranzicionit.Për librin e saj ajo po mbledh gjithë historitë që i treguar shqiptarët mbi komunizmin dhe tranzicionin, në mënyrë, që sic thotë, bota ta kuptojë se sa shumë kanë vuajtur ata.“Për 50 vjet në regjimin komunist, afro gjysëm shekulli izolim, dhe e shtypur brutalisht, Shqipëria pësoi vuajtje të mëdha. Shqiptarët po vuajnë ende nga pasojat e komunizmit, por gjysma e popullatës nën 30 vjeç po vuajnë përsëri gjatë tranzicionit” – thotë ajo.

Kjo është, sipas saj, një tjetër përvojë traumatike, ndonëse varfëria e thellë tani ndryshon shumë nga varfëria e regjimit komunist.“Në atë kohë ishin të gjithë të varfër. Ndërsa tani pak njerëz kanë pasuri të përqëndruar fort në duart e tyre, ndërsa pjesa tjetër e popullit po varfërohet vazhdimisht. Diktatura shkatërroi besimin dhe çdo mundësi për besim” – thotë zonja Amy.

Një tjetër pasojë traumatike që regjimi ia përcolli tranzicionit është se tani njerëzit nuk kanë më besim që mund të arrijnë diçka me përpjekje, sepse besimi i tyre u tradhtua dhe u shkatërrua, por në 25 vjetët e fundit pak njerëz flasin për vlerat dhe shumica flasin vetëm mbi përfitimet, thotë dr. Lori Amy.

“Ekziston një boshllëk i madh midis përvojave dhe kujtimeve ndërmjet brezave të vjetër, të mesëm dhe të rinj. Kanë ndodhur shumë ngjarje të dhunshme, që nuk po përcillen si informacion nga një brez në tjetrin dhe zhvillimet e vërteta po harrohen pa u ndriçuar plotësisht”- shtoi ajo.

Sipas saj, është e kotë frik se gjoja hapja e dosjeve do të shkaktojë tension tek njerëzit që do të mësojnë kush i spiunoi, dhe ata mund të zemërohen dhe të kundërveprojnë.

Në vitin 2010 dr. Amy intervistoi shumë të burgosur politikë në Shqipëri dhe mblodhi shumë histori.

Prej tyre doli se këtu të gjithë viktimat i njohin gjyqtarët që i dënuan, prokurorët dhe dëshmitarët.

Ajo mendon se koha kur ata mund të sulmonin persekutorët e tyre ka kaluar, ndërsa nëpër dosjet e Sigurimit të Shtetit janë pa u zbuluar informatorët e niveleve të ulëta, në atë pjesë materialesh që kanë mbetur, sepse shumë prej tyre janë shkatërruar.

“Kur të nisë leximi i atyre të dhënave, unë pyes a kemi mundësi të ndalim një çast dhe të interesohemi jo se çfarë ka ndodhur, por pse dhe si ndodhi që pati aq shumë informatorë. Nëse ne do të studiojmë si ndodhi, atëherë ne do të zbulojmë strukturën e terrorit” – thotë dr. Ami.

Ajo mendon se çdokush në atë sistem ishte, në një mënyrë a në një tjetër, viktimë e dhunës së asaj strukture. Njerëz të ndryshëm e pësuan atë dhunë në mënyra të ndryshme.

Sipas saj, nëse njerëzit merren me pjesët e vogla të secilës ngjarjeje, atëherë do të humbin pamjen e plotë që duan të zbulojnë. Pastaj edhe lustrimi është çështje me rëndësi.

“Publiku e di mirë se kush ishte në zyrat e larta të regjimit komunist dhe më vonë gjatë 25 vjetëve tranzicion. Ata kishin në dorë gjithë dokumentat sekrete për veten e tyre dhe i shkatërruan ato. Ata nuk mund të linin pas dokumenta që njollosnin figurën e tyre. Kjo nuk është një çështje që zbulohet nga dosjet” – thotë ajo, duke shtuar se njerëz të regjimit komunist nuk duhet të mbajnë poste shtetërore në sistemin e ri, por kjo është një detyrë e vështirë.

Dr. Amy është gjithnjë pro që dosjet të hapen për arsye studimore, për të parë historinë e vendit, sepse qytetarët nën 30 vjeç nuk e dinë as nga vijnë. Hapja e dosjeve duhet të jetë një proces analizash kritike pse ndodhi ajo dukuri.

“Nëse mendojmë se hapja e dosjeve do të sjellë drejtësinë, – thotë studiuesja – ne mund të tradhtohemi përsëri, ne mund të zhgënjehemi përsëri. Drejtësia nuk do të vijë për shkak të hapjes së dosjeve. Drejtësia do të vijë kur secili prej nesh të përballet me të vërtetën për çfarë ka ndodhur në të kaluarën”.

Sipas saj, hapja e dosjeve është vetëm një përmasë e përballjes me të vërtetën, por hapja e dosjeve ka rrezik të keqpërdoret për konsum dhe për pushtet, si ka ndodhur për 25 vjet.

“Pyetja nuk është a duhen hapur dosjet, por si duhen hapur ato. Nuk është aq e thjeshtë; hyn aty, marr dosjen, e hap dhe e lexon çfarë ka brenda. Dokumentat duhen sistemuar, skeduar, arkivuar, dixhituar dhe ndarë në mënyra shkencore; këto procese nuk janë aspak të lehta” – tha dr. Amy.

Ajo mendon që hapja e dosjeve do të thotë analizë e tyre, çfarë, si dhe pse ndodhi. Sipas saj, kjo analizë është themelore, sepse shumë nga funksionet e atij regjimi vazhdojnë të zbatohen edhe tani.

“Kur të kuptojmë se çfarë ndodhi nën atë regjim, ne mund të përdorim analizën për të parë se si dhe pse strukturat e totalitarizmit vazhdojnë edhe sot. Përfitimi i vërtetë është se si të përfshihemi në mënyrë të frytshme në procesin e hapjeve e dosjeve” – thotë ajo.

Dr. Amy thotë se kur vizitoi për herë të parë Shqipërinë gjeti një vend kaq të pasur me histori, arkeologji dhe minerale, por që kishte një popull aq të varfër.

Libri i saj shpjegon se si kaloi Shqipëria nga Lufta e Ftohtë, nga e cila Shqipëria ende ka pasoja, në kohën e re.

Studimi përpiqet të shpjegojë se si mbërritën shqiptarët deri këtu, a munden ta ndryshojmë këtë trajektore dhe si mund të jetojnë më mirë në këto rrethana.

Dr. Amy thotë se ky libër u drejtohet brezave të rinj në Shqipëri, që ata të mësojnë dhe të kuptojnë çfarë ka ndodhur në vendin e tyre, sepse vetëm kështu ata mund të përfytyrojnë të ardhmen e tyre.(Intervistoi:Ilirian Agolli- VOA)

Filed Under: Interviste Tagged With: dosjet sekrete dhe tranzicionin e Shqipërisë, Dr. Lori Amy, Ilirian Agolli, Interviste

“Not a passive, but an organized Resistance”

September 26, 2015 by dgreca

President Rugova says in interview with ATA./
DEMOCRATIC LEAGUE OF KOSOVA/
Kosova Information Center – Kosova Daily Report n. 451/
Prishtina, 26 September 1994/

In an interview with the Albanian Telegraphic Agency (ATA), President of the Republic of Kosova Dr. Ibrahim Rugova assessed achievements of the Albanian democratic movement in former Yugoslavia, namely in Kosova, Macedonia (FYROM), Montenegro and southern Serbia (Albanian-inhabited municipalities of Presheva, Medvegja and Bujanovc) and the prospects for promotion of democracy, freedom and independence within the framework of integration processes in the Balkans and wider in Europe.

Dr. Rugova called the situation in Kosova “a massive-scale repression which has risen tensions in Kosova and in the region” pointing out that Serbian repression has stopped up following the expulsion by Serbia of the CSCE mission to Kosova. President Rugova of Kosova praised the close observation and recording of human rights abuses in Kosova by Amnesty International, Vienna-based Helsinki Federation and the US-based Helsinki Watch.

Asked to comment about the nonviolent resistance of the people of Kosova and the dangers of a conflict break-out, Dr. Ibrahim Rugova said: “a possible conflict has been possible to avert owing to the policy we have been pursuing, a peaceful and political resistance, thanks to the people of Kosova which has not restored to provocations”, Rugova, however,declined to call it a “passive resistance”, as it is usually labelled, preferring to call it an “organized resistance” which has made it possible for the people to survive on its own by organizing and sustaining its [public] life. “Kosova has contributed to preserving a kind of stability [in the region] and the Albanian human substance in Kosova”, said Kosova President.

Commenting on his call for an international protectorate over Kosova, President Rugova said the demand for an international civil protectorate, and civil administration, has been put forward a year and a half ago with a view to normalizing the life and facilitating talks with Serbs towards an eventual solution to the future of Kosova. “A protectorate or civil administration would not be the ultimate goal, but only a legal means within the framework of international law, pursuant to the UN Charter, so as to calm down a region and a territory, as is the case with Kosova, so as to ensure a settlement without war and conflicts”, Dr. Rugova told ATA.

President Rugova reiterated his position on a possible confederation between Kosova and Albania, “if confederal links between Bosnian Serbs and Serbia are legalized”, adding that this would be in complete harmony with option three of the Political Declaration of the Albanian Political Parties in the former Yugoslavia, adopted in October 1991, immediately after the September 1991 referendum of the people of Kosova for an indipendent Kosova, which was an act of declaration of the will of the people further affirming the independence drive in the short and the long terms. Such confederal ties would facilitate Albanian integrations within Balkan and European integrations, Dr. Rugova said.

Speaking to the ATA correspondent in Prishtina, Mr. Behlul Jashari, President Rugova spoke about what he called a “global Albanian policy” whose aspiration is, as he put it, “to tear down the wall between Albanians”.

“We have been committed to pursuing the solution of the Kosova problem through talks and dialogue with Serbia” said President Rugova of Kosova, adding that Serbia has not responded positively. Dr. Rugova recalled that Kosova has tried to use international fora and institutions, such as the London Conference and Geneva Conference on former Yugoslavia, which has a special group on Kosova, to solve some urgent problems but the attempts have failed. “Two years ago, we had talks on concrete problems, such as education, mass media, health-care, but no results yielded”, said Dr. Rugova, blaming the intransigence of the Serbian side.

Expanding on the prospects for a Kosova-Serbia dialogue, President Rugova told ATA: “The possibility of a dialogue has been talked about and with regard to this, I am grateful to the international community, the EU members, and other countries, such as Scandinavian countries, Austria, etc. In addition, the United States of America are interested to see talks, a dialogue, getting started. We have so far not had any indication from the Serbian side, but I hope that it will be one day be convinced and that we will have talks and find a solution, either within the framework of an international institution, such as the Geneva Conference, or some other forum. But we demand a third authorized party for the dialogue. When I say “authorized” I mean that this group or axis of states comprising currently the Contact Group of former Yugoslavia, for the time being concentrated on Bosnia, the USA, UN, EU, authorize a party which would guarantee both the dialogue and the results of the talks, and which, naturally enough, would conduct the talks. This is not a condition by the Albanian side, as Serbia interprets it in a bid to eliminate a third party, but it is rather a technique of dialogue, of talks, and nothing else. And we insist on this”.

Referring to the recent developments within the Democratic Legue of Kosova (LDK), the main political force in Kosova, led by Ibrahim Rugova himself, Kosova President said the rounding off of the election campaign which culminated with the LDK Second Election Convention [July 1994] and the election of the LDK presidency was successful. “LDK has the burden of a power in Kosova”, said Rugova, alluding to the fact that LDK is the most organized party not only in the Kosova but in the Albanian world in general, and that it has won most of the seats in the 1992 Kosova parliamentary elections. “The Political Declaration adopted by the Second LDK Convention outlines and further affirms the mode of the future organization of the state of Kosova – laid down in our [the Republic of Kosova] Constitution- a state of equal peoples and citizens, with a free market economy, and open to outside world” said Dr. Rugova, adding that none of the communities in Kosova would be treated a minority, and revenge would not be allowed.

Commenting on the recent developments in the Balkans, and the tensions between Greece and Albania, President Rugova of Kosova said he continuosly called on Greece to contribute to calming down the tensions in the region and better relations with Albania and the Albanian people in general. “Regrettably, Greece, besides Serbia, has for some time been a destabilizing factor in the Balkans”, said Rugova, adding that, if the Greek behaviour is to be seen in direct or indirect relation with Serbia, the goal is to “minimize the issue of Kosova on the international level”. Kosova has been recognized as a question which should find a solution based on the will of the people of Kosova, said Rugova, underscoring that by raising rows with Albania, “Greece is intent on minimizing the Kosova issue, thus playing in the hands of Serbia”, said President Rugova in his interview with the Albanian Telegraphic Agency, the official news agency of the Republic of Albania, carried today also by the Bujku newspaper.

Filed Under: Interviste Tagged With: "Not a passive, Behlul Jashari, but an organized Resistance", Ibrahim Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • …
  • 217
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT