• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Figura e Avni Rustemit mes deformimit historiografik, kujtesës popullore dhe narrativave politike të rishikimit të historisë pas viteve 90’

April 25, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Mos pandeh se u harrove, lule o Avni Rustemi! – Populli

Hyrje

—————-

Shkrimtari francez Anatole France, në veprën Krimi i Sylvestre Bonnard, vëren me ironi se “historia, dikur një art që lejonte të gjitha fantazitë e imagjinatës, sot është bërë shkencë, në të cilën duhet të ecet me një metodë të përpiktë.” Kjo reflektim, ndonëse letrar dhe jo metodologjik, shpreh një ndjeshmëri të përbashkët në mendimin evropian të kohës mbi nevojën për ta trajtuar historinë si një disiplinë më të rreptë dhe objektive. Këto prirje do të artikuloheshin më vonë në mënyrë të strukturuar nga Shkolla Franceze e Annales, themeluar nga Marc Bloch dhe Lucien Febvre, e cila vuri theksin mbi analizën sociale, strukturat afatgjata dhe ndërlidhjen ndërdisiplinore në historigrafi. Në Shqipëri, ndikimi i këtyre qasjeve filloi të ndjehet vetëm pas viteve 1990, kur historiografia shqiptare u shkëput nga modelet dogmatike marksiste-leniniste dhe nisi të hapet ndaj metodologjive bashkëkohore perëndimore.

Historia si instrument ideologjik: rasti i Avni Rustemit

————————————————————–

Para viteve 1990, historia shqiptare shpeshherë shërbente si një instrument ideologjik, ku kufiri mes faktit dhe mitit ishte i paqartë. Koncepti i Anatole France për “fantazitë e imagjinatës” reflektonte realitetin historik të periudhës, ku historitë e ndërtuara shpesh mund të ishin të mbushura me mitizime dhe romantizime të periudhave të caktuara. Historia e përshkruar nga regjimi komunist, në veçanti, ishte e ngarkuar me vlera marksiste-leniniste dhe e shfrytëzonte për të konsoliduar legjitimitetin e pushtetit. Kjo historiografi kishte tendencën të krijonte heroizmin e atyre që kishin bashkëpunuar me regjimin dhe të demonizonte kundërshtarët, një praktikë që shpesh binte ndesh me pasqyrën e vërtetë të ngjarjeve dhe figurave historike.

Pas viteve 1990, ky proces rishkrimi u shoqërua me një përpjekje për të rivlerësuar dhe rishkruar figurat historike, por jo gjithmonë në mënyrë objektive. Shpesh, rishkrimi i historisë pas komunizmit ka qenë një përpjekje për të krijuar një narrativë të re, por shpesh me përmbajtje të kundërt ideologjike. Ky proces, megjithatë, nuk ka arritur gjithmonë të arrijë një qasje të thelluar dhe të saktë. Në këtë kontekst, figura e Avni Rustemit është një shembull tipik i trajtimit historiografik të deformuar në këtë periudhë.

Figura e Avni Rustemit dhe kujtimet e Eqerem Bej Vlorës

—————————————————————–

Një nga aspektet më të kontestuara të vlerësimit të figurës së Avni Rustemit ka qenë përfaqësimi i tij në kujtimet e Eqerem Bej Vlorës. Këto kujtime, të botuara pas vitit 1990, e portretizojnë Rustemin si një “kriminel dhe karagjoz”, duke e shndërruar vrasjen e tij në një akt hakmarrjeje të lavdërueshme. Ky gjykim është një shembull tipik i rishkrimit të historisë në mënyrë të njëanshme dhe të pasaktë, që e zbeh imazhin e një figure të rëndësishme si Avni Rustemi, i cili ishte një aktivist demokratik dhe një nismëtar i përpjekjeve për reforma sociale.

Kujtimet e Vlorës, megjithëse ofrojnë një pamje të ndodhiave të periudhës dhe janë një burim dytësor i vlefshëm, janë të mbushura me paragjykime dhe qëndrime politike të thella. Ato tentojnë të ndajnë shqiptarët në dy grupe të kundërta, “Esatistët” dhe “Zogistët”, duke e injoruar bashkëpunimin pragmatik mes këtyre dy fraksioneve në momentin e likuidimit të Rustemit. Ky trajtim historiografik është një shembull i shpërfilljes së një qasjeje të thelluar dhe objektive, për t’i dhënë hapësirë narrativave politike të njëanshme.

Ndjeshmëria popullore ndaj Avni Rustemit dhe kthimi në atdhe

———————————————————————

Pas lirimit nga gjykata franceze në dhjetor 1920, kthimi i Avni Rustemit në Shqipëri u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga populli. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës e përshkruan këtë ngjarje me një ngarkesë emocionale dhe me një theks të qartë në përkrahjen popullore të tij. Populli shqiptar nuk e pa vetëm si një figurë të luftrave ideologjike, por si një protagonist të shpresës për një Shqipëri të modernizuar dhe të demokratizuar. Ky moment i kthimit nuk mund të kuptohet plotësisht pa pasur parasysh kontekstin e periudhës dhe lidhjet e ngushta që ai krijoi me grupet progresiste të kohës. Avni Rustemi ishte një përfaqësues i një lëvizjeje demokratike që kërkonte të krijonte një shtet shqiptar më të drejtpërdrejtë dhe më të drejtë për qytetarët e tij. Aktivitetet e tij për organizimin e arsimtarëve, themelimin e shoqërisë “Bashkimi”, dhe përpjekjet për reforma në arsim dhe bujqësi, gjithashtu dëshmojnë për një angazhim të sinqertë për modernizimin e shoqërisë shqiptare. Ky dimension i figurës së tij duhet të merret parasysh për të kuptuar kontributin e tij në formimin e një Shqipërie të re.

Avni Rustemi dhe modernizimi shqiptar

———————————————–

Në periudhën 1921–1924, Rustemi ishte një nga figurat kryesore të një grupi të njohur si grupi i reformistëve, që përfshinte personalitete si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, dhe Ali Këlcyra. Ky grup u angazhua për një platformë reformiste që synonte të shkëputej nga strukturat feudale dhe të avanconte reforma ekonomike, agrare, juridike dhe arsimore. Përpjekjet e tij për një sistem të drejtë agrare, përmes miratimit të “kontratës tip”, dhe për ndarjen e tokave për kolonët shqiptarë të shpërngulur nga Kosova dhe Çamëria, ishin hapa konkretë drejt realizimit të reformave që do të ishin të rëndësishme për zhvillimin e shtetit shqiptar.Në fushën kulturore dhe arsimore, aktiviteti i Avni Rustemit kontribuoi në themelimin e arsimit kombëtar dhe në krijimin e një shkëputjeje të dukshme nga ndikimi osman, një element kyç për emancipimin e shoqërisë shqiptare.

Vrasja e Avni Rustemit dhe pasojat politike

————————————————-

Vrasja e Avni Rustemit më 22 prill 1924 nuk shënoi vetëm një humbje për lëvizjen demokratike, por gjithashtu përshpejtoi ndryshimet politike në Shqipëri. Ajo çoi në një valë protestash masive në qytetet si Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë dhe shërbeu si një katalizator për Lëvizjen e Qershorit 1924, e cila synonte të rrëzonte strukturat e pushtetit të vjetër dhe të ndihmonte krijimin e një qeverie më demokratike në Shqipëri.

Përfundime

——————————-

Figura e Avni Rustemit është shumë më shumë se një simbol i dhunës apo një protagonist në një histori të rreptë ideologjike. Ai përfaqëson një periudhë tranzicioni dhe një brez që e shihte Shqipërinë të emancipuar përmes reformave politike dhe sociale. Rishikimi i historisë nuk duhet të bëhet përmes prizmave të urrejtjes klasore apo nostalgjisë për regjimet e vjetra, por me një qasje të drejtë, kritike dhe mbi të gjitha, me qëllim të zbardhjes së së vërtetës.

Filed Under: Komente

“Përemrat e pacaktuar në gjuhën shqipe”

April 24, 2025 by s p

Akad. Gjovalin Shkurtaj/

Punimi që po i paraqitet lexuesit përbën një korpus të plotë të studimeve në lidhje me një kategori leksikore të larmishme, siç është përemri, përkatësisht përemri i pacaktuar. Në të koncepti i përemrit të pacaktuar diskutohet si në rrafsh diakronik ashtu edhe sinkronik. Një gjë ë tillë bëhet e mundur qoftë edhe duke dhënë karakterizimet këtij koncepti në një numër të madhe gramatikash që i para prijnë Gramatikës I të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2002), e cila vazhdon akoma të mbetet e fundit në këtë fushë studimesh.

Kështu autorja fillimisht jep një pasqyrë të përgjithshme në lidhje me vendin e përemrit të pacaktuar në studimet tona, duke vënë në dukje se për larmishmërinë dhe problematikat që ai shfaq, duke vënë në dukje edhe faktin se ai duhet studiuar nga ana “morfologjike, nga fjalëformimi, nga sintaksa e përdorimit të tyre dhe nga semantika”(Hasani, 2024:2).

Në këtë mënyrë, ajo mëton hulumtimin e kësaj njësie në të gjitha rrafshet kryesore të studimit gjuhësor në lidhje me të.

Duke pasur parasysh numrin e madhe të gramatikave pararendëse, duhet thënë se korpusi për t’u hulumtuar është relativisht i konsiderueshëm dhe në përgjithësi pa të dhëna të shumta teorike. Në këto kushte, puna vështirësohet dhe indukton edhe metodën e studimit. Kështu mund të themi se në shumicën e punimit kemi gërshetim të metodës përshkruese me atë kontrastive.

Në këtë kontekst në kreun I identifikohen përdorimet e përemrave të pacaktuar që nga tekstet e para të shqipes e deri te ato më bashkëkohoret, duke përfshirë edhe rrafshin diakronik , edhe atë sinkronik. Duhet thënë se korpusi referues që lidhet më ato që mund të quhen sinkroni janë pjesë tekstesh artistike, të cilat në fakt në studimet gjuhësore duhen marrë me rezervë, pasi shihen si pjesë e korpusit personal të autorit specifik, po në mungesë të korpuseve ligjërimore për shqipen, një gjë e tillë është e pashmangshme.

Në kapitullin II bëhet diskutimi në lidhje me emërtimet në lidhje me këtë kategori , duke specifikuar si më të zakonshmet “përemër i pacaktuar” dhe “përemër i pakufishëm”. Pasi jep referencat të shumta , duke filluar që nga gramatika e Paninit , Trakasit, Varronit e mjaft gramatika tona, ajo përkrah emërtimin përemër i pacaktuar. Një gjë të tillë e argumenton duke hyrë vetë në analizë fjalëformuese të dy temave jo të parme të mbiemrave përkatës (i pacaktuar dhe i pakufishëm ), duke argumentuar se “Në të gjitha gramatikat që kemi marrë në shqyrtim, përkufizimi i kësaj klase përemrash nuk lidhet me semantikën e mbiemrit i pakufishëm, por me paraqitjen e sendeve a të frymorëve në mënyrë të pacaktuar apo të papërcaktuar.”(Hasani, 2024: 7). Natyrisht nuk mungojnë referencave nga trajtimet pararendëse.

Kreu III përbën identifikimin e trajtimit të përemrit të pacaktuar në shumicën e gramatikave të vjetra . Ky identifikim jepet në mënyrë përshkruese, po pa lënë pas dore dhënien e ndikimeve të një autori te një tjetër (Për përemrin e pacaktuar shohim të përdorur një nga termat e krijuar nga Jani Vreto njëzet vjet më parë. Hasani, 2024: 12). Një gjë e tillë dëshmon thellimin e autores në këto trajtime dhe një formim të plotë në lidhje me këtë koncept.

Në kreun IV hulumtohen kategoritë leksiko-gramatikore dhe funksionet sintaksore të përemrit të pacaktuar. Në jo pak raste ajo del nga trajtimit i përemrit të pacaktuar thjesht në korpusin e standardit. Këndvështrimi zgjerohet me shembujt të dialekteve të marra edhe nga autorë të tjerë. Në këtë kontekst ajo nuk ngurron të japë sugjerimin e saj (Përemri tjetër shfaqet me disa veçori. Ai ka kategorinë gramatikore të numrit dhe të gjinisë. Në numrin shumës ky përemër del me nyjën të (të tjerë, të tjera) dhe lakohet sikurse mbiemrat e nyjshëm. Të tjerët heshtën pa fjalë. Por në traditën letrare të gegërishtes është përdorur si i panyjshëm: tjerë, tjera. Mendojmë se kjo formë, për shkak të mbështetjes së gjerë në gjuhën e folur dhe të traditës, mund të pranohet si dysor normativ. Hasani:2024, 25.).

Në kreun V autorja parashtron pasqyrimin e përemrit të pacaktuar në fjalorë të ndryshëm. E quajmë një punë mjaft të vlefshme këtë kapitull, duke pasur parasysh se në jo pak raste ndryshon trajtimit i mjaft koncepteve nga gramatikat në fjalorë. Këtu ajo fillon hulumtimin që nga fjalorët më të hershëm si ai i Kristoforidhit e deri te ato më të fundit, botime të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kapitulli shoqërohet me tabela klasifikuese sipas fjalorëve të ndryshëm, duke na dhënë edhe prirjet drejt diakronisë së një pjese prej tyre.

Kreu VI merret me çështje që kanë të bëjnë me probleme preskriptive, pra që kanë të bëjnë me normën. Nga korpusi i konsiderueshëm i mbledhur në kapitujt paraprirës merren në shqyrtim përemrat pjesë të standardit dhe ato përdorime që ngelen jashtë tij.

Kreu VII merret me anën semantike, përkatësisht me teorinë e fushave semantike, të përemrave të pacaktuar, që përbën edhe kriterin kryesor të klasifikimit në Gramatikën e Akademisë (2002). Ai nis me një pohim i cili ngelet aktual akoma edhe sot “Studimet gjuhësore bashkëkohore në rrugën e çelur nga gjuhësia strukturaliste nuk mund të çojnë në përfundime plotësisht të sakta, apo në ato të dëshiruarat nëse njësitë apo dukuritë që trajtohen nuk vështrohen në sistem, në lidhje e në marrëdhënie të ndërsjella, por edhe brenda sistemit. ” (Hasani, 2023:39).

Pas dhënies së referencave të studiuesve ne lidhje me konceptin e fushës semantike, në punim gjenden edhe skema klasifikuese në lidhje me të. Përveç kësaj autorja dallon edhe grupime në varësi të marrëdhënie sinonimike dhe antonimie të përemrave të pacaktuar.

Gjatë kësaj pune në jo pak raste bëhet edhe krahasimi i trajtimeve, duke vënë në dukje edhe prirjet tipologjike të ndryshme të tyre (Te FGjSSh (1980) jo vetëm është zgjeruar ndjeshëm i gjithë korpusi leksikor e frazeologjik e brenda këtij procesi edhe ai i përemrave të pacaktuar, jo vetëm zgjerimi i makrosistemeve dhe mikrosistemeve kuptimore, është rritur në mënyrë të ndjeshme edhe cilësia e shpjegimeve të kuptimeve. Krahasuar me FGjSh (1954), këtu bie në sy prirja për shpjegime tipologjike. Dallojmë dy lloje kryesore shpjegimesh: me perifrazim dhe me sinonimi. Hasani, 2023: 46).

Kreu VIII i sheh përemrat e pacaktuar në rrafsh fjalëformues dhe jep edhe modelet fjalëformuese të përemrit të pacaktuar në formimin e fjalëve të tjera. Ai përbën një ndihmesë veçanërisht në hulumtimin specifik të përngjitjes.

Në kreun X jepen përemrat e pacaktuar siç gjenden në tekstet e para të shqipes, pra të autorët e vjetër. Mbase ky kre mund të ishte përfshirë në kreun e parë ku jepen raste ilustruese në lidhje me këta autorë. Gjithsesi duhet të shtojmë se në këtë kre hulumtimi është i detajuar dhe shterues dhe nuk përsërit atë që është dhënë në kreun I.

Në përfundim mendojmë se ky punim jep një pasqyrë të plotë të një koncepti mjaft të larmishëm, siç është ai i përemrit të pacaktuar. Ai dëshmon një njohje të plotë e të thelluar të autores në lidhje më diskutimet në shumicën e rrafsheve gjuhësore që lidhen me të.

Duhet shtuar se problematikat e trajtuara në këtë punim në përgjithësi diskutohen në kuadrin e gramatikës tradicionale, po ka raste (teoria e fushave semantike) ku ajo e vë re se kjo teori nuk i jep dot kriteret dhe argumentet e nevojshme për deduktime specifike.

Nga ky parashtrim, mendojmë se punimi i prof.asc. Monika Hasanit përbën një trajtim referues dhe një ndihmesë për studiuesit e fushës që identifikon, po edhe sugjeron trajtime të mëtejshme në kuadrin e teorive bashkëkohore.

Filed Under: Komente

BOTA HUMBI BEKUESIN E PAQES PAPA FRANCESKUN!  

April 21, 2025 by s p

Besim NDREGJONI/

Lajmi i ndarjes nga jeta i shenjtërisë së tij Papa Françeskut ne të mbijetuarit e diktaturës komuniste ishte një lajm i kombëshëm dhe shum tronditës, se humbi Papa që deshi paqen dhe vlazërimin në mes popujve dhe Avokatin e padiskutushëm të mbrotjes së lirisë dhe dashurisë njerëzor.

C:\Users\Besim Ndregjoni\Desktop\ME PAPA FRANÇESKUN NË VATIKAN.jpeg

Patëm fatin dhe privilegjin, që të ftoheshim në Vatikan direkt nga shenjtëria e tije Papa Francesku me rastin e 50 vjetorit të revoltës antikomuniste të Spaçit një përfaqësi e Unionit Mbarkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë të kryesuar nga pnjoll i një familje që kishte përballuar tre diktatura fashiste, naziste dhe diktaturën komuniste.

Kjo vizitë historike e përfaqësisë tonë konsakron rëndësinë e të kaluemes tonë tragjike, dhe synojn njëkohësisht , përkrahjen e Selisë së Shenjtë ndaj shqiptarve antikomunistë, që përballuan terrorin psikologjik, fizik të diktaturës enveriste e cila gjatë gjithë sundimit të saj përdori në mënyrë ekstreme ideologjinë staliniste me reprezalje në shkatrimin e jetëve njerzore. të shoqërisë shqiptare me ringjall një Shqipëri me Zotin e për njeriun! Përfaqësia në Vatikan ishin dëshmitarët okular të epokës komuniste që jetuan, ata ishin shqiponjat e lirisë që në mes plumbave, torturave dhe terrorizmit sadist enverist, ngritën flamurin pa yll  në revoltën 

C:\Users\Besim Ndregjoni\Desktop\DUKE I DORZUAR LETRËN E AT PATËR MËSHKALLËS.jpeg

antikomuniste të Spaçit duke mbrojtur itenditentin kombëtar. Këta ishin dëshmitar okular të epokës komuniste në takimin historik me Papa Franceskun. Ne i treguam shenjtërisë së tij  vuajtjen e pamerituar dhe forcën e karakterit  me i qëndrue besnik vetes, tu përfshi edhe atë të jetës. Ne i përsëritëm Papa Franceskut , se në katastrofën komuniste, ka pasë një element që ka mbajtur  nji qëndrim frymëzues  për ne  e për breznitë e ardhshme. Ky element ka qënë popullsia me besimin katolik dhe udhëheqësit e saj shpirtnor kleri katolik. Dhe emocionet e veçanta ishte kur i dorzova letrën e At Patër Mëshkallës këtij gjikandi fetar e atdhetar, në kohën që diktatura po shembte  kisha e xhamia, ai kishte guximin me i shkruar  Kryeministrit sadist kriminelit  Mehmet Shehu sepse ju po e ktheni Shqipërinë, me tre besime fetare shekullore, në një vend atesit në rang botëror. Binomi “Fe e Atdhe”gjatë viteve të diktaturës së kuqe , u tregua  fortesë e pathyeshme , dhe e papërkulshme! Kjo ishte e vërteta që ja përsëritëm shenjtërisë së tij që Shqipëria ishte një shtet burg ku akuzoheshin pa faj, arrestoheshin pa faj,  torturoheshin pa faj, por ata i qëndruan besnik fesë që besonin dhe nuk e harruan asnjëherë  Nanën Shqipëri. Para skuadrave të pushkatimit  thirrshin Rroftë Shqipnia, Rroftë Krishti Mbret. Rroftë Papa

Vizita historike, bekimi dhe mbështetja e Shenjtërisë së juaj Papa Francesku për ne të mbijetuarit e diktaturës është këmbanë alearmi  për ju politikan shqiptar që kërkoni  përjetsimin e figurës së diktatorit.

C:\Users\Besim Ndregjoni\Desktop\FALENDERIMET PËR DOKUMENTIN QË I DORZUAM PAPA FRANCESKUT.jpeg

Bekimi i Papa Franceskut  me 25 tetor 2023 për kombin shqiptar është lumturia shpirtnore për  demokracinë dhe paqen. Nuk ka paqe pa drejtsi, nuk mund të ketë drejtsi pa kërkuar t”falun, nuk mund të ketë falje  pa të vërtetën.U PREHSHË NË PAQE O ATI I SHEJTË !

Filed Under: Komente

“Reçak: The Story of a War Crime”

April 20, 2025 by s p

By Frank Shkreli/

Ambassador Walker, greetings to you sir – it’s nice to see you, as always. Being in the presence of Ambassador Walker makes me feel that for as long as there are people like him — in this troubled world of ours — there is hope for humankind. Being in his presence restores my faith in humanity! We are honored and privileged to have you with us today, Mr. Ambassador.

Ladies and gentlemen. We are here, to promote a book authored by the great friend of Kosova and the Albanian people, Ambassador William Walker. A firsthand testimony from an American diplomat — about a Serbian massacre of civilians in the village of Reçak in Kosovë.

We are here also to express our gratitude to Ambassador Walker. To thank him for deciding that cold January day to go to Reçak where he uncovered the massacre on January 15, 1999 — the site where Serbian government terrorist forces massacred 45 Albanian civilians in cold blood.

And then in a press conference for the world media, gathered in Prishtinë, he denounced, before the whole world what he had seen in Reçak: as a “massacre” and a “crime against humanity”. Ambassador Walker will tell us — that it was a day that changed his life, for sure, but more importantly, it marked a day that changed the future of Kosova and the history of the Balkans.

Ladies and gentlemen – Ambassador Walker did not have to go to Reçak that day. Instead he could have chosen to stay in a warm hotel room in Prishtinë, but he decided to go and, subsequently, to report to the world what he witnessed there. For those who believe in a higher power, him going to Reçak and holding a news conference afterwards, may seem like a divine intervention to save a people.

Just think for a second, if it had been someone else instead of Mr. Walker as Head of the Kosovo Veri fication Mission at that time in Prishtinë. Someone who for whatever reason, would not have gone to Reçak that day.

Just imagine! The world would have never learned about the massacre in Reçak and as a result, God knows what the future of Kosova would be today. So many what ifs?!

But it was Ambassador Walker who decided to go to Reçak! As a result, I remember the reaction was very quick in Washington to what Mr. Walker was reporting about atrocities of Serb forces against Albanians in Kosova.

I remember how the whole US government reacted by mobilizing to deal with the situation after the massacre in Reçak.

Let me tell you! Mr Walker’s press conference denouncing the Reçak massacre as a crime against humanity, shook-up the official Washington and the world. I remember that as Director of European Division of the Voice of America at the time, I attended almost daily inter-agency meetings dealing with Kosova situation.

The purpose was to coordinate activities among US government agencies as well as with US allies in Europe and throughout the world, to stop dhe bloodshed in Kosovë. At that point, there was no doubt in anybody’s mind that the mass murder at Reçak would become a turning point in the Kosova crisis.

But here we are today, 26 years later…tragic events indeed that led to the liberation and independence of the Republic of Kosova – In a permanent friendship and alliance – and in a shared commitment to truth and justice — with the United States.

So, my friends, Ambassador Walker’s book, “Reçak: The Story of a War Crime” is a huge document and a monument to the truth about the Serbian crimes against Albanian civilians in Kosova. Every Albanian American family should have this book in their library.

That’s the least we can do today: to express our gratitude, our thanks and admiration for all that Ambassador William Walker has done and continues to do for our people! Mr. Ambassador, we wish you good health and a long life, so that you can continue to tell the truth about the Reçak massacre. Thank you, my friend!

“REÇAK – HISTORIA E NJË KRIMI LUFTE”

Nga Frank Shkreli

(Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra organizoi promovimin e librit të Ambasador William G. Walker — “Reçak – Historia e një krimi lufte”, ditën e Shtunë më 19 Prill 2025 ora 11 Am në Selinë Qëndrore në Bronx, Nju Jork)

Ambasador Walker, ju përshëndes zotëri – është vërtetë kënaqësi, ashtu si gjithmonë, që shihemi sot këtu në Vatër. Mua, duke qenë në praninë e Ambasadorit Walker, më bën të ndihem se për sa ka njerëz si z. Walker — në këtë botë të trazuar tonën — ka shpresë për njerëzimin. Të qenit në praninë e tij më rikthen besimin tek njerëzimi! Jemi të nderuar dhe të privilegjuar që ju kemi sot këtu me ne, ambasador Walker.

Zonja dhe zotërinj! Jemi këtu sot, për të promovuar një libër të mikut të madh të Kosovës dhe të kombit shqiptar, ambasadorit William Walker. Një libër që duhet lexuar nga çdo shqiptar, kudo. Një dëshmi e dorës së parë nga një diplomat amerikan — i cili i tregoi botës për krimet serbe kundër njerëzimit në një fshat të vogël të quajtur Reçak të Kosovës. Por, ne jemi këtu edhe për të shprehur mirënjohjen tonë për ambasadorin Walker.

Për ta falënderuar atë për vendimin e guximshëm që të shkonte në Reçak atë ditë të ftohtë janari, ku zbuloi masakrën e 15 janarit 1999, e ku forcat terroriste serbe kishin masakruar 45 civilë shqiptarë dhe më pas, përmes një konference për shtyp për shtypin vendas dhe botëror, Z. Walker denoncoi para botës atë që kishte parë me sytë e tij në Reçak, një “masakër” dhe “krim kundër njerëzimit”. Ambasadori Walker do të na thotë se vajtja e tij në Reçak atë ditë, ishte një ditë që jo vetëm ndryshoi jetën e tij, por ndryshoi përgjithmonë edhe të ardhmen e Kosovës dhe të Ballkanit.

Tani, për ata që dinë diçka se si vepron burokracia qeveritare, dijmë se William Walker, i cili udhëhoqi Misionin Verifikues të OSBE-së në Kosovë në atë kohë, pritej që të kishte kërkuar leje nga lart për të mbajtur konferencën për shtyp në Prishtinë, me qëllim për t’i treguar botës se çfarë pa në Reçak. Falënderës Zotit, ambasadori Walker nuk i kërkoi askujt leje për të mbajtur konferencën për shtyp pas kthimit të tij në Prishtinë nga Reçaku, ndërsa kishte vendosur t’i tregonte botës për masakrën e Reçakut — masakrën më të rëndë që kur forcat serbe kishin nisur goditjet e tyre masive terroriste kundër civilëve shqiptarë. Për besimtarët, shkuarja e Ambasadorit Walker në Reçak mund të duket si një ndërhyrje hyjnore për të shpëtuar një popull nga zhdukja.

Merrni me mend për një sekondë, nëse do të kishte qenë dikush tjetër në vend të Z. Walker si Shef i Misionit Verifikues në Kosovë, në atë kohë. Dikush, i cili për çfarëdo arsye, nuk do të kishte shkuar në Reçak. Vetëm imagjinoni! Bota nuk do të kishte mësuar kurrë për masakrën në Reçak dhe si rrjedhojë, Zoti e di se cila do të ishte e ardhmja e Kosovës sot.

Por, fatbardhësisht, ishte ambasadori Walker ai që vendosi të shkonte në Reçak dhe personi që i tregoi botës të vërtetën e madhe për çfarë kishte ndodhur në atë vend dhe për atë që po ndodhte anë e mbanë Kosovës: Ndaj deklaratave të Ambasadorit Walker, reagimi ishte shumë i shpejtë në Uashington. Ndaj asaj që z. Walker po raportonte për mizoritë e forcave serbe në mbarë Kosovën kundër shqiptarëve civilë e të pa armatosur. Si rrjedhim, e gjithë qeveria e SHBA-së po mobilizohej për t’u marrë me situatën — në përpjekje për të ndalur masakrat e mëtejshme në Kosovë.

Mbaj mend se si konferenca për shtyp e Zotit Walker — kur ai ka denoncuar masakrën e Reçakut — pat tronditur Uashingtonin zyrtar por dhe botën.

Si Drejtor i Divizionit Evropian të Zërit të Amerikës në atë kohë, kam marrë pjesë pothuajse çdo ditë në takime ndër-institucionale të qeverisë federale amerikane mbi gjëndjen e krijuar në Kosovë, në përpjekje për të bashkrenduar aktivitetet midis agjencive qeveritare të SHBA-së si dhe me aleatët e SHBA-së në Evropë dhe në mbarë botën, me qëllim për të ndalur gjakderdhjen e mëtejshme në Kosovë. Në atë kohë nuk kishte dyshim se vrasja masive në Reçak do të bëhej një pikë kthesë në krizën e Kosovës.

Por, ja ku jemi sot 26 vite më vonë… Në janar të vitit 1999, ambasadori Walker njoftoi botën për krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë. Masakra e Reçakut – një pikë kthese tragjike për njerëzimin që e nxiti botën të vepronte për të ndaluar krime të mëtejshme kundër njerëzimit nga forcat terroriste serbe në Kosovë. Po, masakra në Reçak ishte një ngjarje tragjike, por edhe një pikëkthesë që çoi në çlirimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe në një miqësi dhe aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara – në një përkushtim të përbashkët të dy vendeve aleate, për të vërtetën dhe drejtësinë.

Nëse më lejoni të bëj një sugjerim ose më mirë një thirrje… Libri i ambasadorit Walker, “Reçak: Historia e një krimi lufte” është një dokument për zbulimin dhe denoncimin e krimeve kundër njerëzimit në Kosovë. Çdo familje shqiptaro-amerikane dhe në mbarë trojet shqiptare në Ballkan dhe më gjerë duhet ta ketë këtë libër në bibliotekën private. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë sot: të shprehim mirënjohjen, falënderimet dhe admirimin tonë për gjithçka që miku ynë i madh Ambasadori William Walker ka bërë dhe vazhdon të bëjë për popullin tonë! Duke të uruar shëndet dhe jetë të gjatë të falënderojmë përgjithmonë, përzemërsisht!

Filed Under: Komente

“Përgjakja e Ukrainës, damka e legjitimimit të pushtuesit” !

April 17, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Në kapacitetin e Senior Expertit të Sigurisë Kombëtare, Ballkanit dhe USA/NATO-s, si dhe për shkak të angazhimeve me Institutin e Luftës, McCain, AC, CSCE, etj., në Washington, Bruksel, etj, e kam ndjekur me vëmendje strategjike 1150 ditë luftime të përgjakshme në fushëbetejën me/për Ukrainën. Në vijim, gjeni një përmbledhje të dinamikës deri në gjendjen aktuale, si dhe 3 opsioneve për ndalimin e gjakderdhjes në Ukrainë, por edhe të përfundimit të aventurës neo-naziste në Europë.

Më 24 shkurt 2022, Rusia putiniste ndërmori një sulm ushtarak të papreçedentë që nga përfundimi i Luftës së II-të Botërore (duke përdorur njëherësh kapacitete tokësore, ajrore dhe detare) ndaj tërësisë territoriale të një shteti sovran. Qëllimi i Putinit ishte jo vetëm të mposhte “shpejt e shpejt” ushtrinë e Ukrainës (maksimumi deri më 9 maj 2022), por edhe të poshtëronte rendin global, kufijtë e demokracisë, kohezionin, vlerat perëndimore, si dhe fuqinë ushtarake të Aleancës Euroatlantike. Falë qëndresës martire të ukrainasve, si dhe mbështetjes kritike të SHBA/NATO pas 3 vjetësh e 2 muaj luftime të përgjakshme, asnjë nga këto objektiva strategjike nuk është arritur arritur Rusia neo-Staliniste.

I. Gjendja e palëve ndërluftuese mbas 38 muaj luftimesh të përgjakshme:

Territore të pushtuara nga Rusia: Megjithë rezistencën stoike dhe disa kundërsulme të suksesshme nga Ukraina (përfshi çlirimin e territoreve të pushtuara, si Kherson, etj), krahina të rëndësishm janë pushtuar nga Rusia, si Donbasi, Luhansk, Donetsk, Krimea, Mariupol dhe Zaporizhzhia. Në total, Rusia kontrollon 15%-20% të Ukrainës. Për ta bërë më të thjeshtë për opinionin publik, ndërsa Ukraina është mbi 600 mijë km2 (3 herë më shumë se gjithë Ballkani Perëndimor), Rusia sot zotëron rreth 3 herë sa territori i RSh!

Humbjet njerëzore. rreth 1.5 million ushtarë dhe civilë janë vrarë ose plagosur nga të 2 palët. Humbjet e trupave ruse janë më të shumta (mbi 1 milion) dhe Ukraina më pak se ½ e Rusisë.

Kostoja ekonomike. Lufta ka kosto të jashtëzakonshme. Sipas disa llogaritjeve, Rusia ka shpenzuar deri në 35 miliardë € në muaj, që në total shkojnë mbi 10 trilionë €, ose 5 fish i GDP-së së Rusisë për 2024. Si rezultat i sanksioneve Rusia ka pësuar humbje të mëdha edhe në burime natyrore (gaz & naftë) si dhe armatime ushtarake (avionëve, dronëve, tankeve, raketave). Sigurisht, edhe ekonomia e Ukrainës ka pësuar dëme te medha në infrastrukturë, dhe vështirë për t’u rimëkëmbur në planin afatshkurtër.

Gjendja e trupave Ruse në fushëbetejë. Pavarësisht mbi 1 milion të vrarë dhe moralit të rrënuar, Rusia mban ende në frontin e luftës rreth 350,000 ushtarë aktivë, shumica nga mobilizimi i detyruar ose mercenarë nga Koreja e Veriut, Mali dhe Kina; ka shumë tanke T-80 & T-90; një flotë të madhe avionësh Su-30, Su-35 dhe Su-25; raketa balistike dhe taktike S-400 & Iskander; sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore S-400 & Pantsir, por ka probleme serioze furnizimin e trupave me municion, karburant, etj për shkak të mbrojtjes ajrore të Ukrainës si dhe pasigurisë në linjat e furnizimit.

Gjendja e ushtrisë ukrainase. Aktualisht, ka rreth 300,000 ushtarë aktivë; tanke Leopard 2 dhe Challenger 2, si edhe T-64/T-72 nga inventari saj; avionët Su-27 dhe MiG-29; mbrojtje ajrore të fuqishme, përfshirë S-300, Patriot dhe NASAMS; sisteme të artilerisë së lëvizshme, si HIMARS, që godasin me precizion të lartë Rusët në territoret e pushtuara. Ukraina ka patur dhe vijon të ketë mbështetje konstante nga SHBA/Perëndimit (+ ½ trilion €), armatime, teknologji moderne dhe sisteme të inteligjencës, për të parandaluar sulmet ruse dhe për të optimizuar operacionet ushtarake.

II. Plani i Paqes i Presidentit të SHBA, Donald Trump: “ndalimi i menjëhershëm i luftimeve (gjakderdhjes), si dhe vendosja e një forme autonomie të përkohshme për disa nga rajonet e Ukrainës që janë nën kontrollin Rus”! Presidenti Trump kurrësesi nuk e ka definuar statusin dhe marrëdhëniet mes humbësit dhe fitimtarit të luftës, ndërkohë që në terren Rusia ende vazhdon bombardimet e përgjakshme duke mos kursyer as popullsinë civile, spitalet dhe shkollat në Kiev (!?). Ky plan ka kundërshtime të forta nga BE, pasi e gjejnë si një plan që legjitimon pushtimin e territorit të Ukrainës.

Por çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan palët? Ajo që i bashkon është ndalimi i gjakderdhjes njerëzore. Por ndërsa Ukraina këmbëngul të rikthejë çdo pëllëmbë të pushtuar të territorit të saj (përfshirë Krimenë), Rusia kërkon të mbajë/legjitimojë territoret e pushtuara. Por kush mund të jenë tre opsionet që mund të çojnë në një zgjidhje të qëndrueshme konfliktit:

Opsioni Nr 1: Marrëveshje paqeje rreth statusquosë së territorit (Pajtimi në tavolinë): Rusia dhe Ukraina do duhet të dakordohen për të ndaluar luftimet si dhe do të vijonin për t’i dhënë zgjidhje diplomatike territoreve të pushtuara. Në këtë opsion, pjesa më e madhe e teritoreve të pushtuara mbetet me një autonomi+ ose një formë që mund të mos shkelë sovranitetin territorial të Ukrainës. Ky opsion do të shmangte vazhdimin e luftës, por mund të shkaktojë tensione të brendshme në Ukrainë, pasi ukrainasit do ta merrnin si një dorëzim në tavolinë të sovranitetit të vendit. Po ashtu, në rrafshin global, ky opsion e konsideron Rusinë si “palë fituese”, duke krijuar një “kuti pandore” të rrezikshëme për pushtimet e tjera.

Opsioni Nr.2: një marrëveshje të garantuar nga OKB dhe USA/NATO. Ky opsion mund të përfshijë një ndalim të luftimeve dhe krijimin e një zone të sigurt për një periudhë kalimtare, gjatë së cilës do të vijonin negociatat për të arritur një marrëveshje afatgjatë. Forcat paqeruajtëse ndërkombëtare mund të vendosen në territoret e pushtuara për të garantuar paqen. Ky opsion respekton disi integritetin territorial të Ukrainës. Por do duhej angazhimi fuqishëm i BE dhe ShBA/NATO-s, që mbështetur edhe nga dështimi në Afganistan mund të mos e pranojnë kurrësesi një rol kaq të drejtpërdrejtë.

Opsioni Nr.3: Fitore e plotë ushtarake e Ukrainës ose e Rusisë, pra “kapitullim” i njërës palë. Nëse Ukraina me ndihmën e Perëndimit arrin të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara, konfirmohet një kapitullim i Rusisë dhe një tërheqje e plotë e ushtrisë nga Ukraina.

Nëse Rusia arrin të mposhtë Ukrainën dhe të marrë legjitimitet të plotë mbi territoret e pushtuara, pra edhe njohjen e tyre si pjesë e hartës sëMëmës-Rusi. Kjo edhe mund të çojë në një paqe të shkurtër, por në planin afatgjatë do të shkaktojë më shumë pasiguri dhe tensione globale. Ky opsion është më i rrezikshëm, pasi mund të sjellë një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës që mund të çojë në shkatërrimin fatal të Ukrainës si dhe një izolim të mëtejshëm të Rusisë nga komuniteti ndërkombëtar.

Gjithësesi, çdo opsion mbart mundësi për paqe por edhe rreziqe potenciale. Marrëveshja diplomatike sigurisht ka qenë dhe mbetet më e dëshirueshme për të shmangur humbjen e jetëve njerëzore si dhe shkatërrimin e vendeve ndêrluftuese. Prandaj, e ardhmja do të varet shumë nga vendosmëria për të arritur një zgjidhje të pranueshme dhe afatgjatë për të dyja palët si dhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Në shtesë, për të vërtetë me opinionin publik, historia botërore e luftërave nuk e njeh këtë model paqe (të gjithë fitues, ose Win-Win), pasi gjithmonë, ka pasur një palë humbëse dhe një palë fituese. Marrëveshjet e përkohshme mes palëve ndërluftuese (si pushtimi dhe autonomia+ e Krimesë në 2014) mund t’i kenë kënaqur liderët e kohës, por koha na tregoi se nuk u prodhua paqe afatgjatë, përkundrazi. Prandaj, do të lutesha të isha shumë gabim, por një Rusi, qoftë edhe pjesërisht e fituar, që do t’i zgjaste jetën sundimit stalinist të Putinit, nuk do të prodhojë paqe afatgjatë as për Ukrainën dhe Rusinë e gjakosur por as stabilitet për vendet e gjunjëzuara nga demokracia fasadë, shtetet e dështuara dhe pushtetarët e korruptuar.

Ndërsa për oshilacionet staliniste të Putinit, Lavrovit, Vuçiçit, Dodikëve, etj e përsëris edhe më fortë se nuk ka asnjë referencë krahasuese pasi: “Kosova ishte e pushtuar dhe përgjakur në shekuj nga Serbia. Lufta përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës, ndërsa në 9 Qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja ushtarake ndërmjet “palës humbëse” Ushtria e Millosheviçit si dhe një “palës fitimtare” USA/NATO” !

Nga: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për SK, Rajonin & NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PDSh,

Këshilltar i Presidentit; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 478
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT