• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shtyrja e statusit kandidat lidhet dhe me faktorë jashtë Shqipërisë

December 18, 2013 by dgreca

Analistë dhe ekspertë të pavarur komentojnë vendimin e këshillit të ministrave të BE-së për shtyrjen me 6 muaj të statusit kandidat për Shqipërinë./

Vendimi nuk është një lajm i mirë për një shoqëri që manifeston një mbështetje të gjerë proeuropiane, thotë për DW Albert Rakipi, drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë. Ky është një tregues që njihet nga Brukseli në rastin e Shqipërisë, sipas tij, dhe po të gjykohet në planin rajonal, Shqipëria është në kuotat e Bosnjës, një shtet që ka probleme specifike, apo me Kosovën, që është një shtet i ri me një fazë fillestare në marrëdhëniet me BE-në. Nuk është një lajm i mirë, por mua më duket dhe një lajm jo i drejtë, sepse Këshilli i Ministrave nuk paraqiti kushte konkrete, si bëri një vit më parë, vëren Albert Rakipi.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE hyjnë në një stad delikat

“Nuk është se ka pasur zhvillime negative në gjashtë muajt e fundit. Mendoj se nuk duhet lexuar vendimi si refuzim, por thjesht një shtyrje për gjashtë muajt e ardhshëm. Me këtë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE hyjnë në një stad delikat. Administrata e re e paszgjedhjeve ka rreth 3 muaj në detyrë, një kohë që më duket jo e mjaftë për të parë rezultate konkrete, apo si thuhet, për të parë vepra konkrete. Mbase kjo ka ndikuar, por duhet thënë se tre kushtet e vendosura një vit më parë u përmbushën. Aq më tepër që Shqipëria pati një transferim paqësor të pushtetit së fundmi. Pritmëritë e larta në Shqipëri dhe jashtë saj, nuk morën rezultatin e dëshiruar dhe kjo lidhet me faktorë jashtë vendit. Lidhet me krizën globale, si dhe me tendencat e shfaqjes së lëvizjeve populiste në disa vende europiane që bëhen frymëzuese për skepticizëm ndaj procesit të zgjerimit të BE-së”.

Pas këtij vendimi Albert Rakipi nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare nuk parashikon ndonjë zbehje të frymës proeuropiane në shoqërinë shqiptare. “Më duket një trend i qëndrueshëm i opinionit publik në favor të procesit të anëtarësimit në BE. Me vendimin e fundit në fakt nuk humbën thjesht marrjen e statusit, por humbën dhe mundësinë e akordimit të fondeve mbështetëse nga BE-ja, për të cilat vendi ka shumë nevoja.

Nuk kanë rëndësi vitet e pritjes sa çka rëndësi çfarë bëjmë

Alfred Lela analist në gazetën “MAPO” shtyrjen e statusit të vendit kandidat nuk e mendon siç thotë ai, “fund të botës”. Për Lelën kemi të bëjmë me refuzim, që është mbështjellë me termin ‘shtyrje’. Shqipëria duhet të bëhet e vetëmjaftueshme pastaj të marrë statustin dhe jo të marrë statusin për t’u bërë e vetëmjaftueshme, thotë për DW ai. “Me ‘vetëmjaftueshmëri’ kuptoj përmbushje të standardeve jo si detyra shtëpie, por si detyrim i brendshëm kulturor, institucional, shpirtëror apo edhe moral në daç. Kjo përcakton, ose më saktë duhet të përcaktojë, edhe ecurinë e procesit të anëtarësimit në vazhdim. Nuk ka rëndësi qershori apo dhjetori, ka rëndësi një vetëdijësim e një vetëndijim për standardet tona në raport me Europën. Mendoj se ka një plogështi europiane në raport me ‘të huaj’ të tjerë, dhe kjo duket te skepticizmi i pesëshes për statusin e Shqipërisë, ndër të cilët katër ishin anëtarë të 12-es së parë të BE. Nuk kanë rëndësi vitet e pritjes sa çka rëndësi se çfarë bëjmë gjatë kësaj kohe: nëse bëjmë hapa mbrapa me idenë ‘këta nuk do na e japin gjithsesi’ ky do të ishte një alarm i kuq për ne më shumë se për Europën. Por edhe shenjë se vetëmjaftueshmëria nuk ka ndodhur.”

Shqipëria duhet të punojë fort që të bëhet më e mirë për shqiptarët

Mimoza Koçiu, opinioniste në të përditshmen “Gazeta Shqiptare” thotë se është ndjerë e zhgënjyer nga vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, të cilin e përshkruan si “ngrirje” të Shqipërisë edhe për gjashtë muaj në sallën e pritjes së Unionit. Ajo e arsyeton zhgënjimin me faktin se performanca pozitive e Shqipërisë, edhe me mbajtjen sipas standardeve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, bëri që ofiqarë të lartë të BE si znj. Ashton apo komisioneri Fyle të angazhoheshin si kurrë më parë në një lobim institucional për Shqipërinë. Por “të dy personalitetet në fjalë janë pjesa teknike, e jo politike e Unionit dhe kjo do thotë që në terma kërkesash, Shqipëria i kishte bërë detyrat e saj të shtëpisë. Ngelej për t’u marrë vendimi politik, dhe në këtë nivel, Shqipëria ngeli sërish edhe pse për të nuk pati detyra të reja. Nisur nga qasja e ngjashme edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mendoj se BE – sidomos shtetet themeluese të tij- nuk është politikisht gati që të mirëpresë shtete të reja dhe Ballkani po e vuan këtë. Përkundër kësaj, mendoj se Shqipëria duhet të punojë fort që të bëhet më e mirë për shqiptarët e jo për BE”.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Shtyrja e statusit

Subjekt i nji ngjarje tragjiko-komike: Vatikani është një “njeri” shumë i poshtër

December 18, 2013 by dgreca

Kjo ngjarje mund të tingllojë si barcoletë, Por asht krejtësisht e vërtetë dhe ka ndodhë në kampin “Ormann Pojan” të Korcës, në vitin 1950/

Shkruan: Bep Kuqani/

Jemi në kampin “Ormann Pojan” të Korcës, në vitin 1950, ku punohej në kanalin e madh per thamjen e “kënetës së Maliqit”. Komandant kampi ishte Tasi Marko (vëllai i Rita Markos, ish antar i Byrosë Politike të K.Q. të P.P.Sh.) me grade kapiten i dytë me sa më kujtohet dhe komandant i rojeve ishte nji aspirant apo n/toger (nuk e di mirë) Haxhi Pela, personazhi kryesor i kësaj ngjarje; nji egersinë, kriminel dhe sadist i pa shpirt që kënaqej kur shihte të rriheshin, të torturoheshin dhe të vdisnin para syve të tij të burgosunit politikë.

Por perpara se të tregoj ngjarjen dishroj të njoftoj lexuesin me regjimin e këtij kampi që per mue ishte i pari dhe më dukej shumë i egër edhe pse disa shokë më thojshin se ky kamp asht si “nji fushë me lule” në krahasim me kampet e vitit 1948 e 49.

Kampi perbahej prej rreth 900 të burgosunish politikë dhe ordinerë. Ishte i ndamë në disa brigada pune dhe cdo brigadë kishte 60-70 forca pune. Komandantë brigade pervec dy-tre xhahilëve politikë, të gjithë të tjerët ishin të burgosun ordinerë. Brigadat shoqnoheshin gjithashtu edhe me nga nji polic pa armë, por mbanin në dorë nji bisht kazme apo lopate që e perdornin si shkop per të goditur cilindo që i mbushej mendja. Këtë të “drejtë” e gëzonin edhe brigadierët që e shfrytëzonin shumë ma shpesh dhe ma egersisht se edhe vetë policët.
Rojet e armatosura me mitraloza dhe me automatikë rrinin 60-70 metra larg nesh.vetë
Nga kampi niseshim per në punë porsa fillonte me zbardhë drita dhe ktheheshim në Perëndim të diellit, sepse nuk duhej në asnji mënyrë të na zinte terri jashtë.
Norma ishte e detyrueshme tri meter kub per person, gërmim dhe transport 30 metra larg kanalit. Mjerë ai që nuk e realizonte se rrahej pa mëshirë. Jo rrallë pleqët e shkretë mbetshin në kanal dhe  nganji herë edhe vdisnin nga lodhja e madhe dhe të rrahunit. Zakonisht njerëzit ndaheshin në grupe të vogla, nga dy, nga tre e deri në nga 6 vetë. Këto grupe duhej të realizonin aq norma sa persona kishte grupi dhe shpesh, per të ndihmue pleqët, këto grupe merrshin edhe ndonji plak që ti realizonin normen.
Qoftë kur delnim në mëngjez nga kampi, qoftë kur ktheheshim në darkë nga puna, oficeri dhe n/oficeri i rojes na numronin porsi delet nga të dy anët e daljes. Ky numrim bahej shumë i lodhëshem sidomos kur ktheheshim në darkë nga puna të lodhun e të këputun, sepse zgjaste rreth nji orë dhe nuk mund të shperndaheshim pa mbarue i gjithë numrimi dhe kur ndodhte që nuk i delte numri sa duhej -gja që ndodhte jo fort rrallë- atëherë duhej të fillonte përsëri numrimi nga fillimi. Kjo na e plaste shpirtin sepse na ikte nji orë nga pushimi dhe kryemja e nevojave të ndryshme personale.
E bukura ishte se pa u mbushë mirë nji orë mbas shperndamjes, binte canga dhe duhej te delnim të gjithë në oborr per të ba “gjimnastiken e mbramjes” që zgjaste nji gjysëm ore. Kështu mbas gjithë asaj lodhje të stermundimëshme duhej të banim edhe gjimnastikë dhe të nganim vrap rrotull kampit për të mbajtë trupin në formë sic shprehej me knaqësi Haxhi Pela. Kush mbetej mbrapa hante shkopi e shtjelma dhe perseri pleqët dhe të dënuemit politikë ishin gjithmonë në shenjester të goditjeve, sepse ordinerët ndëshkoheshin shumë ma rrallë.
Mbas gjimnastikës fillonte leximi i gazetës “Zëri i Popullit” që zgjaste edhe kjo nji orë sepse mbas leximit kishte pyetje e diskutime. kur ndodhte që nuk cohej kush per pyetje ose diskutim, atëherë Haxhi Pela i thërriste me emen (kryesisht të burgosunit politikë) dhe u bante ai pyetje provokuese ose i detyronte të diskutonin.
Leximin e bante vetë Haxhi Pela që drejtonte edhe gjimnastiken.
Këtu fillonte edhe ana komike : Duhet dijtë se Haxhi Pela ishte prototipi i injorantit. Shkrim e këndim kishte mësue në nji kurs analfabetizmi dhe tue mos dijtë me lexue mirë, shpesh ia fuste edhe “roma per toma”, tue i tranasformue fjalët e tue i ndryshye edhe kuptimin. Kur ndeshte në ndonji fjalë që s’e kishte ndigjue ma parë vononte ta lexonte,belbëzonte e nervozohej se instinktivisht e ndjente se të burgosunit ulnin kokën e qeshnin tinës per të mos u diktue. Atëherë e nderpriste leximin dhe u kthehej të burgosunve :
“Unë e di se këtu ka armiq të betuar të pushtetit, te lidhur këmbë e kokë me Vatikanin e poshtër sic janë ata priftent katolikë dhe intelektualët borgjezë që s’u pëlqen leximi im. Por unë e lexoj për fshatarët e varfër, për punëtorët që janë të penduar dhe që partia me zemrën e saj të madhe i don dhe i mëshiron etj. etj. kësi pallavrash, me të cilat e harronte leximin dhe fillonte pyetjet.
Në nji rastë, në radhen e pyetjeve, u cue i pari Mark Prela (vëllai i deputetit Kolë Prela i pushkatuem me grupin e deputetëve).
Me leje Z komandant, unë kam nji pyetje : Kam ndigjue shpesh të flitet per këte Vatikanin e poshtër por unë nuk e di se kush asht dhe cka asht ky Vatikan dhe jam i sigurtë se edhe shumë të tjerë këtu nuk e dijnë; prandaj ju lutem a mund të më sqaroni?
Haxhi Pela : Pyetje shumë e drejtë e me vend! Dijeni pra se Vatikani është një “njeri” shumë i poshtër, i lidhur këmbë e kokë me imperializmin amerikan, që e ka halë në sy partinë dhe pushtetin tonë popullor dhe që lufton cdo ditë për rrëzimin e pushtetit tonë për të sjellë në pushtet ballistët e zogistët bashkë me bejlerët dhe agallarët që i kanë pirë gjakun ketij populli…etj. Kësi pallavrash që i kishte mësue përmendësh si papagali.
Nji herë tjeter, në radhen e diskutimeve, cohet Shyqyri Xhaferri, ish pronar i nji librarie në Shkoder para ardhjes së komunistave në pushtet :
Me leje Z komandant (Haxhi Pela ndjente nji knaqësi dhe krenari kur coheshin të pyesnin dhë te diskutonin të burgosunit politikë sepse mendonte se ishte ma i dijshem se ata dhe se konferencat e tij e kishin ba efektin e tyne).
Unë sot more shokë -filloi ai tue iu drejtue të burgosunve- jam cue në mëngjez me nji dhimbje të tmershme koke dhe të pa durueshme. Shkova te Elezi me marrë nji aspirinë (Elez Troshani prej Shkodret kryente detyren e infermierit); por mandej tue mendue se “kjo kokë ma ka fajin që më ka prue këtu”, HIC NUK E PIVA; Aty le të pëlcasin i thashë kokës me vehte dhe “braf”menjiherë u ul ndejun.
Haxhi Pela fill ia priti “BRAVO” -i tha- Ky tregon se ashtë i penduar!
Ne, që e njhnim humori e Shyqëriut kishim ulë kryet dhe me zori mbanim të qeshurit se po të diktonte ndonji tue qeshë, Haxhi Pela do ta nxirte para të gjithëve dhe do ta zhdepte së rrahunit bashkë me tre-katër policë deri sa ta linin shakull per tokë pa ndjenja.
Vec kësaj duhej edhe nji guxim i madh nga ana e Shyqëri Xhaferrit me ba nji humor të tillë që mund të rrezikonte edhe koken. Por per fat të mirë dhe falë injorancës së Haxhi Pelës nuk u kuptue fare prej tij.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Bep Kuqani, subjekt i nje ngjarje, tragjiko-komike

“LETRA ANONIME” NGA POPULLI

December 18, 2013 by dgreca

Shkruan: Gëzim Llojdia */

1.

Shkruesit e dikurshëm të “letrave anonime”, sot janë krenar për punën plot pasion e sakrificë që bëjnë pasardhësit e tyre, tashmë jo duke dërguar letra nëpër komitete partie , por letrat anonime prej disa kohe kanë gjetur një terren më të thjeshtë për tu përhapur pa blerë zarf, e dërguar një fije letër, por me metodën on-line .

Kjo u mundësohet shkrueseve anonimë  nga Web e disa gazetave të cilat kanë hapur dyert dhe dritaret  me qëllim për të thithur lexues duke hapur kornizën “:komente”.

Ja sa e thjeshtë është të shkruash letra anonime në këtë korniza, që kanë hapur gazetat. Aty shkruhet komenti juaj ose : Lini një përgjigje. Dhe çfarë të dhëna kërkohet për të dërguar letrën anonime?

Së pari :emri(e domosdoshme).Pra kërkohet tw shkruhet emri.Mirwpo njihet faktiqw:shqiptarët kanë aq shumë emra sa mund të çuditet një botë e twrw. Nëse do të hulumtosh nëpër regjistrat  e gjendjeve civile të këtij vendi do ti shikosh  se çfarë emrash kanë shqiptarët dhe me çfarë emri në realitet thirren aq sa shumë prej emrave të dytë, këta i përdorin pa droje edhe nëpër dokumente zyrtare.

Lind pyetja kush është filani   i emrit të parë apo të dytë?Për të kuptuar se deri ku shkojnë marrëzitë e emrave  do ti gjeni tek regjistrimi i  popullsisë kur regjistruesit hasnin në mijëra peripeci  kur personi kërkohej me tjetër emër dhe në realitet kishte një emër tjetër.

Mirëpo tek komentet e gazetave  puna qëndron disi më ndryshe.

Kuptohet që askush nuk shkruan emrin e ti,j por më e çuditshmja është se përdor emrin e dikujt tjetër kur ky i fundit as është në dijeni dhe as ka dëgjuar gjë, madje as e ka lexuar fare komentin. Dhe ku ta lexojë, në punën  e tij s’ka as kompjuter dhe as android apo iphone. Duke shpërdoruar emrin e dikujt tjetër, shkruesit anonim nxjerrin dufin duke sharrë aq thellw deri në shtat breza duke përdorur një fjalor, që as fëmijët vagabond të rrugëve do tua kishin zili,madje duke u fshehur pas këtyre emrave ata bëjnë lloj-akuzash dhe në vend, që kjo formë të vijë duke u ngushtuar çuditërisht hapësira është e pamat.

Ngre dy pyetje:

A ka ligj që dënon shpifësit?

A kanë gazetat fond të mjaftueshëm për tu përballur me ndëshkimet në miliona lek  që shumë qytetarë janë gati të bëjnë denoncimet e tyre sepse u janë prekur padrejtësisht  jo vetëm emri por edhe imazhi i punës,familjes,rrjetit shoqëror?

Dihet se të dhënat që kërkohen krahas emrave janë një E-mail

Mirëpo njihet fakti se çdo shqiptarë ka jo më pak  5-6 të tillë E-mail të hapur në yahoo,gmail,hotmail etj,njeri real dhe të tjerët fallco dhe nëpërmjet këtyre adresave ata shpifin ditën me diell duke sharë vendçe çdo njeri që del përpara ,që ka shkruar diçka për mirë apo për keq.

Dhe më e çuditshmja që mbetet është se të gjithë bëjnë sehirxhiun duke lejuar që letërshkruesit anonimë të derdhin vrer e helm për këdo duke cenuar të drejtat elementare të çdo autori që publikon në këto ëebe. Loja që hapi një gazetë opozitare e pavarur  u pasua nga të tjerat ,ndërsa një numër gazetash kanë administrator, që bënë përzgjedhjen e komenteve . Kjo në një farë mënyre është e pranueshme se pse ke të bësh me tillë shkruesish anonimë dhe kur ligjin askush nuk  e përfill.

2.

Në fakt komenti, që është vendosur si kornizë tek Ëebe e gazetave dhe më tej nëpër të gjitha faqet on-line, ka pasur një arsyetim të thjeshtë.

Për shkrimin:” shkruaj komentin tuaj”. Po tu hedhësh një sy gazetave të huaja do të shikosh se kjo praktikë është e pranishme tek ato,ku çdo lexues bënë vërejtje apo shënime për shkrimin në përgjithësi,pa e zënë në gojë fare autorin apo jetëshkrimin e tij dhe bëmat e tij.

Mirëpo kjo nuk mund të ndodhi në Shqipëri në këtë vend e ardhur nga një traditë  gjysmë feudal  ku në një hapësirë kaq të ngushtë gjeje një larmi tipash,flitet për vitet ‘30, , mirëpo sot a nuk ngjanë kështu ?

Shkrues të thjeshtë dhe të ndërlikuar anonimë  të mësuar ngase kanë veshur me kohë  formatin e anonimatit  kanë gjetur  ngrehin e tyre të dashur që mund të jetë ,gjysmë kështjellë,gjysmë kullë kanë përveshur mëngët dhe për çdo shkrim tek gazetat që kanë kornizën e komenteve  sjellin dosier herë të vërteta e herë gënjeshtra ,herë llafe kafenesh e herë hapje dosjesh institucionale. Më e keqja është se rrallë e tek madje si gjilpëra në kashtë do të gjesh ndonjë fjalë për shkrimin.

Jo aty gjendet vetëm biografitë personale të autorëve të shkrimit ,bëmat të ndodhurat dhe të pa ndodhura. Këta autorë anonimë, që askush nuk i njeh nga portretet e tyre

:” shiko komentin  vëri vlerën,” janë të lexueshëm me fate të çuditshme për vete, por që kanë marrë përsipër hetojnë deri në imtësi për të tjerët,kur askush këtë nuk ua ka kërkuar madje nuk është e lejueshme. Dhe krejt këtë punë ata e bëjnë në mënyrë vullnetare.

A është e lejueshme kjo për moralin e këtyre gazetave (sepse një pjesë e gazetave të tjera kanë vendosur administratorë) për të lejuar ose jo gomarllëqet e këtyre tipave delirantë që për një arsye ose tjetër shkruajnë gjëra që as mëndja njerëzore dot nuk i percepton se kanë ngjarë.

Përhapësit e mjegullnajave të mëdha në këtë vend nuk janë të pakët duke njohur ushtrinë e tyre që paguhej 20 vite më parë për të bërë pikërisht këtë punë ndërsa “artileria” e tyre 24 karatëshe punon natë e ditë duke denigruar çdo gjë,çdo njeri dhe duke haruar se misioni i kornizës poshtë çdo shkrimi është lënë për çka shkruhet më sipër. Shpifësit dihet që kanë si detyrë shpifjen, por këta të këtij soji janë më fanatikë se shpifësi. Por për një ushtri të tërë  ateiste që bënë këtë punë,njerëzit që besojnë në Zot e Perëndi nuk ua lejon morali dhe feja që të shpifin është puna e djallit. Djalli, puna e tij është djallëzia, e keqja, që është vendi i djallëzive. -Ushtria e tij janë: madhështia,

xhelozia në të keqe, lakmia, marrja nëpër gojë .Dihet që edhe në librat e shenjtë shpifja është një keqe që e pjell dhe e sjell djalli. Portreti i tyre mbetet djalli. Ngjyra është katran, kurse grykësia, që e identifikon,s’ngopet kurrë me helmin. A duhet lënë terren për djallin?Nëse ikën shkruesit e letrave sepse iku regjimi i mëparshëm, pse duhet lejuar terren  për pasardhësit e tyre, ndërkaq që ligjet janë shkruar mirë e bukur e bardha në të zezë.

Po e ilustroj me një fabul:Shiteshin në Stamboll 2 buste, njëri ishte djalli, tjetri i biri. E pyet njëri sa kushton busti i djallit – 500 lira, tha tregtari. Po i të birit?1000 lira.

Pse kaq shumë i biri sesa babai? pyeti prapë blerësi .

Epo – ia ktheu tregtari, ai është “shejtan e bir shejtani”.

Shqip,shqip kësaj i thonë “qen bir qeni”.

A duhet lejuar së pari ky zanat i shkruesve anonimë të vijojë marrëzisht duke denigruar padrejtësisht figurat dhe personalitetet e njerëzve që shkruajnë ? Sigurisht që kjo praktikë duhet  marrë fund nga vetë gazetat, që kanë hapur dyert dhe dritaret.

Një mënyrë është që korniza e komentit të formulohet kështu:

Emri……….

Mbiemri…..

karta ID …..

që vërteton  identitetin e personit, vendi,profesioni. Duke përmbushur këtë formalitete të domosdoshëm shkruesit e komenteve ballafaqohen më autorin  dhe në fund paguajnë kur shpifin padrejtësisht. Me këtë format le të shkruaj çdo gjë që mendon dhe dëshiron brenda sjelljes që ligji lejon dhe sigurisht brenda temës që është shkrimi sipër,madje syresh  korniza është hapur bash për këtë punë.

Kjo është mëse e realizueshme .Kur hapa para një viti gazetën Vlora-on-line formatin e ndërtoje vetë për të bërë komente të cilën në të vërtetë e mbylla për arsye të degradimit të komenteve nga smirëzinjtë të cilat nga xhelozia shkruanin  gjithfarë marrëzish për autorët. Kjo nuk tregon frikë por një të vërtetë sepse nesër do ti duhen shumë gazetave të ballafaqohen në gjykatë,dhe autorët të kërkojnë miliona për denigrimin që u bëjnë padrejtësisht persona anonimë të cilët fshihen pas anonimatit që lejon formatimi. Gazeta s’ka përse të mbajë përgjegjësi kur anonimat do të duhen të japin të gjitha të dhënat e sakta që i vërteton vetëm  karta ID ose pasaporta  dhe ndërkaq këta autorë do të ndëshkon ligjërisht .Anomnimet le ti bëjmë persona real që janë gati të ballafaqohen me të vërtetën. Nga kullat e tyre gjysmë të errtë e gjysmë labirinte errësire  ata kanë vite që hedhin gjyle,ku shajnë,shpifin,denigrojnë pa u ndëshkuar aspak sipas ligjit.

Të kërkosh identitetin sot nga anonimatet me E-mail të rremë do të jetë një punë e madhe ,kur ligji është ndërtuar posaçërisht edhe për këtë pjesë on-line.

Nëse do të vazhdojë kjo praktikë e deritashme atëherë llumi që gëlon labirinteve do të dalë në sipërfaqe dhe ka për të qelbur edhe vetë mediumin,pa folur për gjyqet dhe milionat që do ti kushtojë mediumit

 

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Llojdia, letra anonime, nga populli

EDI RAMA MOS LUAJ ME ZJARRIN – PENSIONISTËT PRESIN T’UA PAGUASH GJELIN E VITIT TË RI!

December 17, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

„Harram vota jonë nëse nuk na paguan gjelin“. Kështu mallkoi sot një pensioniste nga Gjirokastra përmes emisionit shumë popullor të Bashkim Hoxhës „Ora për t’u zgjuar“ – tek News24.
Ka 23 vjet që të gjitha qeveritë e Shqipërisë tallen me popullin shqiptar, sidomos me shtresën më vulnerabile që janë pensionistët. Popullsia e moshës së tretë që përbën rreth gjysmë milioni votues mbijeton me 100 Euro në muaj. Me 100 Euro mund të mbash vetëm frymën gjallë, si skllav por jo si qytetar. 
Të jetosh me 100 Euro do të thotë të jetosh nën diktaturën e varfërisë.
Ka dy lloj diktaturash. Diktatura e frikës nga regjimet totalitariste dhe diktatura e varfërisë nga regjimet e korruptuara, të vendeve në tranzicion, si Shqipëria, ku klasa politike pasurohet ndërsa populli shkon në zgrip të varfërisë.
Ka 23 vjet që klasa politike e ka shpërdorur votën e popullit shqiptar, e sidomos të pensionistëve të Shqipërisë, duke u pasuruar në kurriz të shtresës më të përvuajtur të shoqërisë.
Pensionistët e Shqipërisë, ose një e gjashta e popullsisë së mbetur në Shqipëri, pasi 3 milionë të tjerë jetojnë në emigracion, janë prindërit tanë të cilët mbijetuan kalvarin e diktaturës dhe tani në vend që të gëzojnë qetësinë e merituar në kapitullin e fundit të jetës, kur i kanë kryer të gjitha detyrimet si prindër e shtetas, u duhet të luftojnë për bukën e gojës.
100 Euro sa paguhen në muaj pensionistët, për deputetët, ministrat dhe klasën politike të Shqipërisë është një fjalë goje, një kapriçio e vogël nga jeta e tyre e mbuluar nga lluksi dhe kamja përmes taksapaguesve, abuzimi me pushtetin dhe korrupsioni.
100 Euro për klasën politike të Shqipërisë kushton një kollare, një palë të brendshme Victoria Secret, apo një mani-pedicure, manikyri për duart e këmbët në një sallon bukurie, ndërsa për pensionistët e Shqipërisë 100 Euro do të thotë torturë, sepse duhet të ndahen në 30 ditë të muajit, me të cilat duhet të paguajnë ushqimin,energjinë elektrike, telefonat, veshjet dhe gjithçka.
100 Euro për klasën politike kushton qeni apo macja nëpër vilat dhe apartamentet e tyre, ndërsa për pensionistët janë ankthi i çdo muaji, në epilogun e jetës së tyre.
100 Euro për klasën politike janë lojë fjalësh, ndërsa për gjysmë milioni shqiptarë, të shtresës vulnerabile janë luftë për ekzistencë!
Qeveria e mëparëshme i mëshironte pensionistët e Shqipërisë dhe u paguante nga 50 $ me rastin e festave të fundvitit, për të blerë gjelin dhe për të festuar! Vitin e fundit gjelin e bëri gjysmagjel. Dhe kryeministri i atëhershëm krenohej me këtë gjest të tij bamirësie!
Çfarë ironie! Pushtetarët e Shqipërisë të mbuluar në lluks prej taksave dhe shpërdorimit të pushtetit, u hedhin pensionistëve si lëmoshë gjelin e Vitit të Ri! Dhe pastaj krenohen sikur t’ua kenë falur nga xhepat e tyre të fryrë si derrat e dhjamosur.
Por klasa politike e Shqipërisë harron kryesoren se pushteti i tyre do t’i ketë gjithnjë orët e numëruara kur populli vuan dhe ata pasurohen!
Klasa politike e Shqipërisë ta vari vath në vesh se pensionistët e Shqipërisë nuk lypin mëshirë! Pensionistët e Shqipërisë lypin të drejtat e tyre. Pensionistët e Shqipërisë kanë të drejtë të jetojnë një jetë me dinjitet.
Sepse rroga mujore e një deputeti, ministri apo kryeministri, përveç përfitimeve dhe privilgjeve, është mesatarisht të paktën sa pensioni mujor i 20 pensionistëve të Shqipërisë. Po ashtu, vendet e punës, privilegjet i përfitojnë familjarët e pushtetarëve, rrethi i ngushtë klientelist e kështu hendeku midis pakicës profitere prej votës të popullit edhe vetë popullit bëhet i tillë ku populli kthehet në skllav dhe pushtetari në skllavopronar.
Tani Edi Rama ka vendosur që t’ua heqi edhe gjelin e Saliut pensionistëve, e t’i lejë pa festë e festime, ndërsa vetë të zdërhallet, i përkëdhelur nga shpura e servilëve të rinj të pushtetit!
Si ai do të zdërhallen edhe klasa politike e Shqipërisë, pas së cilës vjen mallkimi i asaj zonjës pensioniste nga Gjirokastra, që i tha Edi Ramës, „harram votën që të dhamë më 23 qershor“. 
Edi Rama të mos e harrojë se ai fitoi më 23 qershor 2013, jo se populli votoi për të, por sepse populli votoi kundër regjimit të korruptuar të Sali Berishës. Nëse Edi Rama do të jetë kopje e atij regjimi, aq më keq, do të jetë kopje e keqe, sepse mesa duket po kërkon që të mbushë gropat e krizës, duke u prerë paret e gjelit pensionistëve, është e sigurt se kësisoj do të presë ditët e tij si kryeministër i Shqipërisë!
Shqiptarët kanë 23 vjet që rrëzuan diktaturën totalitariste, tani do t’u duhet të rrëzojnë diktaturën e varfërisë, shkaktuar nga shpërdorimi i votës, shpërdorimi i besimit, shpërdorimi i pushtetit! 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, gjelin e vitit te ri, mos luaj me zjarrin, pensionistet presin

TRENI PER NË EUROPE-CILI BINARE NA ESHTE CAKTUAR?

December 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Gëzim Llojdia*

1.

Treni ynë ka ngecur në stacion. Udhëtarët me bagazhe kanë vite që presin. Pyetja  e tyre mundonjëse  ka qenë prej vitesh: kur niset treni tjetër  për në Evropë, aty s’gjen  as faturino me fener në dorë,as përgjegjës stacioni që të të japi një shpjegim.

Të gjithë ngrenë supet,rrudhin buzët,psherëtijnë:ishallëh,e lënë punën në duart e Perëndisë:

-Do Zoti, mërmërijnë.

Tani, që të merrni vesh shkoqur:Duam të niset treni për në Evropë dhe pyesim:çfarë orari ka,ku ndalon në ç’stacion,kur mërin në Evropë etj, etj,mirëpo përpara të gjithë këtyre pyetjeve e gjej një gjysmë përgjigje,te  njw sentencë e folklorit:Në të vërtetë :A ka tren, që niset apo jo?

Në fakt, binari që në është caktuar për të qëndruar treni ynë ka vite, që e kanw mbuluar shkurret. Të gjithë  sytë i hedhin veç nga treni,po binari ynë që rri e pret dhe ne kaq vite  në pritje,për të shkuar në Evropë.

2.

Meqë përmendën trenat ,këto mjete të lëvizshme me shina, vendi ynë ka një përvojë të hidhur. Trenat në këtë vend filluan të lëvizin vetëm atëherë në keto vite‘:7nëntor 1947 : Durrës – Peqin23 shkurt 1949 : Shkozet – Tirana22 dhjetor 1950 : Peqin – Elbasan – Krasta / – Cërrik7 maj 1963 : Vora – Laç13 tetor 1968 : Rrogozhina – Fier20 mars 1972 : Krasta – Librazhd10 mars 1974 : Librazhd – Prenjas9 mars 1975 : Fier – BallshJuli 1979 : Prenjas – Pogradecprill 1981 : Laç – Lezha25 janar 1982 : Lezha – Shkodra (Trafiku i mallrave që me 11 nëntor 1981)11 janar 1985 : Shkodra – Han i Hotit.14 tetor 1985 : Fier – Vlora (Trafiku i mallrave deri Narta që me janar 1985)Fundi i viteve 1980 : Milot – Rrëshen,

pasi,rinia e këtij vendi ndërtoi  më parë udhët e këtyre trenave .Evropa plakë kishte vite, që mbante të instaluar jo vetëm trenat, por edhe tramvajet,vetëm këtu për çudi në këtë truall të lashtë ,trenat erdhën vonë dhe punuan vetëm për një sistem ekonomik të caktuar.

Sapo hyri “krimbi” dhe shfryu llafi  se udhët e Evropës plakë u hapën edhe për banorët e këtij trualli, trenat patën punë ,mirëpo më pas udhët e tyre dhe punesat  e tyre mbetën  aq larg botës dhe zhvillimit sa mund të thuhen se gjithë ky investim i rinisë shqiptare shkoi dëm. Trenat shqiptarë janë trenat më të lodhur të botës. Binarët ku nisen  dhe stacionet  ku ata qëndrojnë janë kandisur në ca sheshe plotë ferra. Trenat nuk janë më në modë, në këtë vend. Në Perëndim trenat, janë  një alternativë e mirë transporti,veç në këtë vend jo. Shpejtësia e tyre është lemeritëse dhe mundonjëse. Dikur trenat fundit  qëndronin edhe nëpër ca  fshatra të vegjël ku  kishte stacione të vegjël,  që sot nuk ekzistojnë më.

Ka edhe një shkak tjetër. Përse trenat nuk nisen nga  Tirana, për në Evropë? Mirë  do të qe,por kë një pengesë të vogël :në Tiranë nuk kë më as tren dhe as stacion treni. Në qytetin tonë sikurse nëpër disa qytete të tjerë treni niset e soset i trembur, se mos i thyejnë xhamet,se mos këputet ndonjë binarë, se mos i pret udhën ndonjë maqinë, se mos i zënë udhën me ndonjë ndërtim.

 

3.

Si punë e këtij treni,është udhë jonë ,rrugëtimi shqiptar drejt Evropës. Të gjithë fajësojnë dhe harrojnë se këtë vend e pllakosën ca regjime që i bënë këtij vendi për të zezën e tij largimin  nga Evropa ku ne gjeografikisht jemi pjesë e saj prej formimit të tokës dhe popullimit me njerëz. Nëse holandezët sot bëjnë be dhe këmbëngulin, që ky vend evropianë të mos futet në Evropë, duam ti kujtojmë këtij se kur ambasadori i tij në vitin 2010 erdhi në Orikum aty holandezët kanë një financim, ai vizitoi edhe qytetin e lashtë qe patë vizituar Cezari me ushtarët e tij   në dimrin  e vitit ‘48, përpara Krishtit. Ambasadori ishte historian dhe e njihte mirë këtë fakt, por ai pa ndërtesat  në shkëmb,puset e ujit,murrin rrethues të qytetit dhe i shpjeguam se ky qytetërim u ndërtua këtu në një tokë pellazge ,po holandezët ku gjendeshin atëherë kur ne ishim pjesë e qytetërimeve botërore?

Ne kemi qenë këtu dhe këtë vend na e zgjodhi Zoti vet.Asdreni ka shkruar:

Se Zoti vetë e tha me gojë/Që kombe shuhen përmbi dhé,/Po Shqipëria do të rrojë;/Për të, për të luftojmë ne!

4.

Ka dy mënyra për të kapur trenin e Europës.Ta zëm s’duam të presim  trenin tjetër ngase pritja e gjatë na ka lodhur shumë  ,athëre duhet të nxitojmë dhe ti presim udhën trenit,  që është nisur.Nëse ne jemi në stacionin e Fierit nxitojmë dhe diku aty nga Gradishta i avitemi trenit përpara:mbaje o shofer?

Po cfarë i   themi ne:Trenist mbaje trenin!

Po  nëse treni  s’ka ndalesë aty, ne si shqiptarë i dalim përpara me prita e barrikada e ndalim me hairë e pahir.E pyesim faturinon  në gjuhën e shqipove:

-A bënë me hyp në këtë tren?

Me mirësjellej ai na përgjigjet në gjuhën tonë:

-Si jo o burrë i dheut!

E kuptojë mir,po më habit si ka mësuar kaq mirë shqip?

Po mirë, a nuk më thua ku ke  mësuar kaq mirë shqip?

-Akoma vëlla se ke kuptuar se këtu gjëndemi në Gradishtë dhe në këtë territor flitet vec shqip.

-Po treni për në Europë kur niset?

-Ende s’është afishuar orari i trenave, që nisen nga lindja drejt perëndimit.Një ditë të jeni të sigurt ai orar do të gjëndet në cdo stacion treni të Europës plakë dhe uturima e tij do na zgjojë cdo mëngjes.

Ka një këngë Ilir Shaqiri në tekstin e të cilës thuhet:

Moj Evropë, Evropë e vjetër, /Si s’më gjete një rrugë tjetër,/ Një rrugë tjetër me pak besë, 100 vjet m’qite n’harresë./ Moj Evropë perdja e kallkanit, /Ta vunë zjarrin n’mes t’Ballkanit, /Ta vunë zjarrin që m’përvlon,/ E nuk pres ma nuk pres si kujton. /Nuk ja pres hilet si t’thash /Se m’ka ra ma thika n’asht, /E dredhitë po dalin n’fushë, /Arat vorre mi kanë mbushë. /100 vjet po i pres ngushllim, /Po i laj duartë me gjakun tim./
Kthema mua krenarinë dhe dorën se… /Mos të ndajmë kufi, mos të ndajmë kufi. /Kthehma tokën,/kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. /Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë. /Deshtën Lindje e Azi, herë me fe, herë me dredhi. /Trup e kokë t’mi bënin copë, /Që t’mos isha më Evropë. /Moj Evropë perdja e kallkanit, /Ta vunë zjarrin n’mes t’Ballkanit, /Ta vunë zjarrin që m’përvlon, /E nuk pres ma nuk pres si kujton. /Nuk ja pres hilet si t’thash /Se m’ka ra ma thika n’asht, /E dredhitë po dalin n’fushë, /Arat vorre mi kanë mbushë. /100 vjet po i pres ngushllim, /Po i laj duartë me gjakun tim. /Kthema mua krenarinë dhe dorën se… /Mos të ndajmë kufi, mos të ndajmë kufi. /Kthehma tokën, kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. /Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! /N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë. /Kthehma tokën, kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! /N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë.

 

*Msc. Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Komente Tagged With: cili tren, Gezim Llojdia, na eshte caktuar, per ne Europe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 427
  • 428
  • 429
  • 430
  • 431
  • …
  • 484
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT