• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDHE NEW YORK TIMES SI ALBRIGHT-E QUAN HASHIM THAÇIN GERRY ADAMS

July 13, 2013 by dgreca

Nga Beqir SINA/

NEW YORK CITY : Në një moment të veçantë gjatë bisedimeve ne Rambouillet (19 deri 25 – 1999), ish SekretariaAmerikane e Shtetit, Madeleine Albright, shfaqi atë mjeshtërinë e saj nëpërmjet diplomacisë amerikane e konsideruar si më të suksesshmet në botë.

Udhëheqësja e bisedimeve nga delegacioni i SHBA në ne Rambouillet – Francë, duke folur për komandatët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish udhëheqësin e saj Hashim Thaqi, në njërën nga seancat e bisedimeve, Albright pyeti udhëheqësit e bisedimeve, se : “Pse nuk ju jepni dorë njerëzve që kan dalë nga lufta e armatosur, diçka që Ju mundet ta bëni? tha ajo duke e quajtur Thaqin si një Gerry Adams të Kosovës! “Why don’t you give up the armed struggle? You could be the Gerry Adams of Kosovo!”

Shtypi i asaj kohe tha se Albright :”Gjithmonë, ishte duke menduar se zoti Thaqi do të jetë i zoti si Garry Adams”. (sqarim i im : Gerry Adams, ishte njëri nga themeluesit„ Provisional IRA“ dhe themelues i partisë „Sinn i cili një vit më vonë, ishte ishte emëru-ar edhe komandant i krahut ushtarak, i cili kishte rreth vetës mijëra iralndez)

Siç dihet në bisedimet e bisedimet në Rambouillet (19 deri 25 – 1999), u firmos se shqiptarët e Kosovës do të mbanin njëReferendumi për të ardhmen e tyre, si njerëzit e Irlandën e Veriut? Çka në asnjë mënyrë nuk u pranua nga delegacioni i Serbisë.

Ky nënshkrim i delegacionit të udhëheqësve shqiptarë të Kosovës dhe largimi nga Konferenca e delegacionit të Serbisë, do të çonte në mënyrë të pashmangshme, mbas disa muajve në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, me në krye SHBA, dhe luftën për liri të UÇK-së, në çlirimin e Kosovës, largimin njëherë e përgjithmon të Serbisë nga Kosova dhe mbas katër viteve të çlirimit, në Pavarësinë e Kosovës.

Deri tani 102 shtete sovrane,  nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës. Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian gjithashtu e kanë njohur Kosovën (23 nga 28); Anëtarët e BE-së vendosin individualisht se a do ta njohin Kosovën, ndërsa BEja ka dërguar misionin EULEX për të siguruar paqe, mbikqyrje të jashtme. Njëzetekatër (24) anëtarë të NATOs nga njëzetetetë (28) gjithsej e kanë njohur Kosovën.Shetet më të mëdha dhe më të fuqishme e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfshirë SHBA, Anglia, Gjermania, Franca, Japonia, Italia dhe të tjera.

Kurse, sot, edhe e përditshmja amerikane “The New York Times” kryegazeta e botës, në botimin e sotëm i bën një portret kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si një ish luftëtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që aspiron trashëgiminë e burrshtetasit.“Kam luftuar në anën e drejtë të historisë për çlirimin e popullit tim nga tirania kundër një armiku të pamëshirshëm që bënte përpjekje për kryerjen e një gjenocidi masiv,” citohet të ketë thënë Thaçi për të përditshmen njujorkeze.

Gazeta më tej shkruan se “kur Thaçi drejtoi luftën e përgjakshme guerile nga malet e vendit të tij të varfër ai ishte aq i aftë t’i shmangej kapjes nga armiku sa bashkëluftëtarët filluan ta thërrisnin Gjarpër”.Gazeta më tej thotë se nga Brukseli dhe Washingtoni sot ai konsiderohet një Gerry Adams i Ballkanit që po e çon vendin drejt Evropës dhe emri i tij po përmendet madje, megjithese e pamundur,  edhe si një kandidat për Çmimin Nobel për Paqe.

Në profilin e saj, gazeta sjell deklarata te njerëzve nga Serbia ku thuhet se shumica e shfaqin urrejtjen ndaj tij duke e konsideruar si një kriminel të paakuzar lufte.

Shkrimi nuk e kursen Thaçin edhe nga përmendja e raportit të Këshillit të Evropës ku ai akuzohet për udhëheqje të grupit që tregtonte armë, heorinë dhe organe të njerëzve gjatë kohës së luftës (pra raporti famkeq i Dick Marty-të) akuza të cilat ai dhe qeveria e tij i kanë quajtur ‘të neveritshme,’ shkruan gazeta.

”Diçka e tillë kurrë nuk ka ndodhur dhe nuk kemi asgjë për të fshehur,” deklaron Thaçi, i cili nënvizon se i beson ‘të vërtetës dhe drejtësisë.’ Gazeta në këtë portret të gjatë shkruan edhe për prejardhjen e tij nga Drenica dhe familjen shumanëtarëshe me traditë luftarake kundër regjimeve shtypëse në Kosovë.

Filed Under: Komente Tagged With: e quan Thacin, Gerry Adams, New York Times, si Albright

“MA MIRË VONË SE KURRË !”, THOTË POPULLI !

July 13, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Shumë herë kam pyetë veten se: “Kur do të vijë kjo ditë per Ju, Sali Berisha!” ? Shumë vonë! E nga e keqja, duhet kënaqemi me thanjen e Popullit: “Ma mirë vonë se kurrë!” Një thanje, aspak e pershtatëshme per kohen, rrethanat historike dhe pasojat që i keni sjellë Ju një Populli, që aq shumë të brohoriti (bashkë me mue), me 3 Janar 1991, tek Sheshi Avni Rrustemi, në Shkoder… kur, “Ora” e Shqipnisë, ndrroi “zemrekun e ndryshkun” të saj… Kështu, kujtueme dhe u besueme thanjeve tua prej “Malësori” të Veriut, pa u “kujtue” se kishe pi ujë në Bllokun e Tiranës!

Edhe até, nuk deshëm me e besue! Kujtuem se ishte ujë Selite, po ishte kenë “ujë” Lane!

Me datën 25 Maji 1991, ora 11.00 u organizue nga BSPSH Mitingu i Madh në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodres, ku morën pjesë mbi 30.000 vetë. Kur dola në tribunë me hapë mitingun, një përson që gjironte me kamera më tha: “Fritz, në apartamente përballë kanë vue snajpër…kujdes kur të flasësh!”…Unë në ecje drejtë mikrofonit iu përgjegja: “Çka kam shkrue do ti lexoj, por nuk besoj se komunistët mendojnë sot me më ba edhe mue Hero!” dhe, vazhdova fjalën historike të timen përballë “Rozafës”, që ishte e veshun me të zeza për  ma shumë se 48 vjet…

Foli aty Muhamet Gradeci, Tanush Mulleti, Vinçenc Çefa…etj. dhe arriti nga Tirana edhe Kryetari i Nderuem i yni Ferdinand Temali, i cili, si gjithmonë me za si pushka, ushtoi me sa forcë kishte me pushtue zemrat e qytetarëve të Shkodres së thame e të zharituna për Liri dhe Demokraci, e cila nuk vonoi me ardhë mbas Asaj dite të bukur të BSPSH së Ré!..

Me 1 Qershor, në Tiranë, ora 11.00 në stadiumin “Dinamo”, ku kam përfaqsue BSPSH e Shkodres me zonjën Adlije Broci, Nana Arbenit, në prani të mija vetëve kryeqytetas, fjala mbyllej:

“Kur një Populli i ikën frika, Atij shpejtë i vjen Liria! Rrnoftë Shqipnia!”…

Qeveria ra…Me 10 Qershor 1992, ora 11.00, në intervistën e dhanun “Zërit Amerikës” nga anëtarët e kryesisë BSPSH së Shkodres, kam theksue: “Qeveria e ardhëshme kurrë nuk do të realizojë aspiratat tona dhe të mbarë Popullit Shqiptar, nëse në përbamjen e saj do të ketë kjoftë edhe vetëm një komunist…!”. Atëherë shumë vetë më quejtën “ekstremist”…por, sot, besoj janë me mendimin tim edhe ata, që atëherë, menduen me bashkpunue në qeveri edhe me ju “komunistët e konvertuem”! Prania e juej në çdo zyrë të mardhanjeve me Popullin sjelli vetem korrupsion!

Ju ishi sabotuesit e të gjitha premtimeve të bame ndaj Popullit e punëtorëve liridashës!

Dita e pergjakshme e 2 Prillit, kishte hapë plagë të reja. Kerkohej dënimi i kriminelëve…

Me të gjitha mjetët u punue për mos me zhvillue gjyqin e viktimave të 2 Prillit. Ishte PD që jo vetem, nuk donte zhvillimin e gjyqit, por edhe bahej pengesë. Fakti asht sot i pranishem që asnjë nga terroristët organizatorë e vrasës në këta 22 vjet qeverisje, nuk bani “asnjë ditë” burg…

Partia Demokratike Shqiptare ishte e para që ndërhyni, me “mbyllë” Grevën tonë pak ditë para kongresit PPSH, që me datën 8 Qershor, kur Ramiz Alia, po bahej gati me u veshë me petkun e “socialistave”, edhe pse terroristi i provuem kishte deklarue: “…Parimet nuk i shkelim!” ndonse, për hirë të kolltukut i shkeli të gjitha, madje, edhe flamurin e marksizmit e deri tek premtimet tek vorri i Enver Hoxhes me vejushen…e tij. E vetmja fjalë që ka mbajtë deri në fund me pasuesit e tij, që po vazhdojnë edhe sot, asht: “Edhe gjak do bëjmë!”…dhe pushtetin nuk ua japim kurrë atyne që janë vertetë demokrat, të cilët, me datën 13 dhetor 1990 pëmbysen përtokë njëherë e përgjithmonë bustin e kriminelit Enver Hoxha, para Prefekturës së Shkodres! Ai ishte akti ma Heroik i Rinisë kur në Tiranë, Stalini dhe Lenini i banin shoqni diktatorit tonë në sheshet qendrore! E, mos harroni, se endè ka nga Ata Djelmë që vazhdojnë me kenë të gjymtuem nga torturat e bame prej sigurimit nga zv. ministri i mbrendshëm terroristi Zylyftar Ramizi, që nga data 14 Janar 1990…per Stalinin.

Kur u zhvillue Greva e Pergjithëshme e BSPSH në Shkoder, tri ditë para hapjes së kongresit PPSh, erdhi nga Tirana antari i Kryesisë së BSPSH së Shkodres Mark Bardeli, dhe tek shkallat e Institutit të Naltë Pedagogjik na njoftoi se “Kryesia e Tiranës, kishte vendosë me mbyllë greven dhe se edhe Partia Demokratike ishte e atij mendimi!”… Unë i pergjegja: “Kjo nuk do të ndodhin kurrë në Shkoder, na nuk zbatojmë urdhnat e Ramiz Alisë dhe as të “atyne” që janë servilat e tij, apo që kerkojnë me i krijue kushte qetsije PPSh para hapjes së këtij kongresi turpi në këto ditë!” …

Turma kje me mue! U nisem të shoqnuem nga Rinia që thërriste për vazhdimin e Grevës deri në fitoren e plotë të kerkesave tona. Besoj iu kujtohet kur u vendos vazhdimi i Grevës edhe dy ditë të tjera “mbas hapjes së kongresit të PPSh”, si edhe brohoritjet e turmes jashtë selisë sonë.

Kujtoj që me datën 12 qershor kanë ardhë në seli dy antarë të Kryesisë PD, z. Menduh Derguti dhe A.Luli, të cilët kerkonin që të jepej urdhën nga ne, “me u nisë vagonat e ngarkuem me sheqer për Tiranë, mbasi Greva kishte krijue mungesë sheqeri në dyqanet e Tiranës…” Unë i shikova …dhe u thashë: “Jo, këte herë komunistët e Tiranës, të festojnë fillimin e kongresit tyne me bakllavë të paperlueme me sherbet, se kështu kanë urdhnue punëtorët e Shkodres!” dhe, kujtoj si tashti të qeshunin me zemer të të Ndjerit Qazim Lika, që u ndodh aty dhe u knaq nga përgjegja ime…

Mbas dy ditësh takova Pjeter Arbnorin tek SMT e vjeter, dhe më tha: “Doktori më ka thanë se asht e paknaqun partia nga qendrimi i fundit i sindikatës së Shkodres!” Unë, e pyeta: “Po për cilën parti e ka fjalën doktori, per atë që ka kenë apo për këte që asht tashti?”. Pjetri më tha: “Për partinë tonë…ç’ punë kemi ne me komunista?”…”Nuk po kuptoj se pse asht i paknaqun ai, mos ndoshta keni dashtë sheqerin ju me ua perlue bakllavat  e kongresit të tyne?” Më shikoi i zemruem dhe gati harroi me më dhanë edhe doren, e pra, ky ishte Pjetri (miku yt) që drejtonte PD e Shkodres!..

Në muejn Korrik 1991 BSPSh e Shkodres kishte lidhje me Kryesinë e Tiranës, Kavajës, Durrësit, Korçës dhe me Kryesinë e BSPSh kombinatit tekstilit të Beratit. Lidhje të ngushta janë mbajtë gjithnjë me Kryetarin Gëzim Kalaja, i cili i ka vazhdue ato lidhje edhe mbas 1997.

Shkodranët e masakruem në rregjimin komunist nuk mbaheshin ma! Rinia e Kështjellës “Rozafat” errej e zgjohej pranë dy godinave, asaj të BSPSh dhe asaj të Muzeut Ateist, ku kishte zanë vend Kryesia e Partisë Demokratike të Shkodrës…Distanca e shkurtë mes këtyne godinave tashma lidhej me vargun e të përsekutuemve politik dhe rinisë heroike shkodrane, ku ndigjoheshin thirrjet e tyne: “Poshtë komunizmi” dhe “Duem Shqipninë si gjithë Europa!”…që nuk pushonin një minut!

Partia Demokratike premtoi, dhe mori drejtimin e Shtetit Shqiptar! Çka realizoi nga të gjitha premtimet e veta? – Po, PD realizoi një anderr të viteve ’70 të Enver Hoxhës, kur pat dishrue me u lidhë me Iranin “Islamik” të Komeinit, po që nuk e pranoi ai… Dishmitari asht gjallë! Libri i tij “Shenime per Lindjen e Mesme” si duket, kje frymzim per ju, dhe pa marrë mirë frenat e Shtetit Shqiptar, arritët paturpësinë ma të madhe antieuropjane, me 2 Dhjetor 1992 me shpallë Shtetin “Islamik” Shqiptar, “anatar” të “Konferences Islamike”… Bahen plot 21 vjet që keni rikthye shumë nga fletët e harrueme të historisë, po bashkë me ta edhe miqësinë “fetare” të Erdoganit, i cili tek ju Sali Berisha lexonte shumë tipare të pashallarëve të vjeter “eshtnat e rrashtat” e të cilëve ruhen atje!

Të mbeti pa rikthye Esad Pashë Toptani, po qeveria e re mund ta sjellin me miqtë e saj.

 

 

Sali Ram Berisha, Antar i PPSh: 8 nandor 1968…

 

Plot 24 vjet që Muri i Berlinit ra! Ndersa, ju Sali Berisha, sivjet festoni 45 vjet në sherbim të PPSh, dhe mbrenda kësaj kohë keni edhe 23 vjet me masken “demokratike”…

Porosia e terroristit Ramiz Alia, në vitin 1989 ishte: “Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjislaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona…

Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët; kemi njerëzit e vendosur dhe guximtarë, të cilët i kemi përgatitur me sakrifica e mund për vite me radhë, por kemi edhe organet tona të dhunës. Ndaj, mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen. Ju a them këtë, që të mbani lart moralin dhe asnjëri prej jush të mos ketë frikë.”

Ju Sali Berisha, me PD tuej, keni realizue të gjitha udhzimet e Ramiz Efendi Alisë, dhe kur komunistët e pamaskuem “socialistë” në Vlonë, kerkuen qeverisjen me armë, ju presidenti Berisha, ua keni dhanë tue nxjerrë edhe kriminelët nga burgu… Një antar i Shtabit të Pergjithshem që kerkoi me shtypë revolten antidemokratike…Besoj e kujtoni mirë edhe kerkesen e Tij, perfundoi hamball shkarkimi…Drejtësinë dhe Ministrinë e Mbrendshme ti nuk ua preke fare, po edhe ua paise me “diploma” Perëndimore… Prap Shqiptarët të besuen Sali Berisha, edhe pse u tregove ma shumë komunist se “demokrat”, mbasi Demokracia nuk pranon “zhdukjen” e kundershtarëve të mendimit, një tipar i theksuem i komunistit pagdhenun… Edhe pse PD prap mori pushtetin me ndihmen e votimeve të Popullit t’ etun antikomunist per Liri, PD me ty në krye, e mbajti 8 vjet qeverisjen deri në 2013, dhe asnjë kriminel nuk u dënue. Nuk ua preku askush “tituj e dekorata” asnjenit prej tyne që per 47 vjet vetem kanë vra, pre, varë  e terrorizue…Shqiptarët Atdhetarë. Kriminelët e Popullit Shqiptar edhe i vorroset me ceremoni ushtarake, se edhe ata ishin deklarue si ti  “vëllezërit e gjakut me turq” … Ti ma shumë u tregove mjek i Bllokut Enver Hoxhës, që me veprat tua punove me ua forcue zemren tradhëtarëve, sesa mjek “demokrat” i Popullit Shqiptar që votoi gati 20 vjet per ty! Dhe me të vertetë “në mënyrë dinjitoze”, me 23 Qershor 2013 riktheve komunistët në pushtet!Ma teper nuk ke pasë se çka me i ba as Partisë, as Shqipnisë!

“Ma mire vonë se kurrë!”…thotë Populli.

Melbourne, 2013.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, Ma mire vone, se kurre

DEMOKRACI…!

July 13, 2013 by dgreca

… E dija që nuk do të vije aq shpejt, por është fatkeqësi po nuk erdhe tani…/

Shkruan: Zyba Hysen Hysa/

Çdo gjë lind kur vjen çasti, po kështu dhe demokracia, nëse do përpiqemi ta sjellim para kohe janë dy rreziqe; ose do të jetë shumë e brishtë dhe nuk do të rezistojë e është e destinuar të vdesë, ose me përkushtim të jashtëzakonshmen, do të mbijetojë, por nuk do të ketë fuqinë e duhur për të ecur e sigurt drejt konsolidimit të saj. Këtu e kam fjalën për ardhjen e demokracisë në një shoqëri që ecën normalisht në rrugën e zhvillimit ta saj, ndërsa për kushtet e zhvillimit të popullit tonë, të kombit tonë, ka një specifikë teje të veçantë, sepse si në asnjë vend tjetër të botës, nën vellon e saj janë future diktatura të egra si pjellë e rrezikshme e politikave antikombëtare të armiqve tanë shekullorë.

Historia jonë e këtyre 100 viteve shtet tregon se ka nxjerrë burra të mençur dhe patriot me vizione të qarta dhe strategji vizionare demokratike. Nuk do të thotë që të vije shekulli 21 dhe të vijë demokracia se duhet të vijë, por pikëpamjet demokratike kanë ekzistuar historikisht, se po të mos kenë ekzistuar, ato nuk do ishin bërë realitet në botë, kushtet në të cilën ndodhet një komb, apo një tjetër janë aq të ndryshme, saqë nganjëherë mendon se kurrë nuk do të arrihet demokracia, në një kohë që shtete tjera kanë me vite e vite që e gëzojnë, por kjo përplasje e vazhdueshme midis demokracisë dhe diktaturës vetvetiu ka sjellë kalbëzimin e njërës (diktaturës) dhe latimin e shkëlqimin e tjetrës (demokracisë). Shqipëria është shteti mëmë i kombit tonë dhe si i tillë, duhet të jetë shembull i një demokracie të vërtetë që edhe shqiptarët e jashtë kufirit të krenohen me të dhe të përpiqen që në sjelljet e tyre dhe në përpjekjet e tyre të ecin sipas këtij modeli për të bashkuar shpirtin tonë liridashës dhe kaq demokratik që e kemi dhuratë nga natyra, por që fatkeqësisht është keqpërdorur nga politika jonë e vjetër dhe “e re” shqiptare, që në vend të kryejë misionin e saj historik për t’u bërë shembull dhe dritë për gjithë shqiptarët, u kthye në një qendër internimi qarkuar me klon gjatë monizmit dhe në një vend pa vend për shqiptarët, të cilët ndjeheshin si qiraxhinj në shtëpinë e tyre, gjë që i bëri shumë dëm ëndrrës shekullore për bashkim, se shqiptari nga fati I një qeni të lidhur me zinxhirë në kohën e diktaturës, ku ushqehej me thërrmijat e të zot, pas viteve ’90 u kthye si një qen rrugaç, ku kushdo e qëllonte me shqelm, ku dhe vetë shteti e përndiqte dhe duke u endur nëpër botë po qen pa zot u shqelmua nga kushdo dhe u përbuz nga të gjithë e u frytëzua nga të gjithë pa fije mëshire, duke u detyruar të humbasë atë krenarinë e tij të ligjshme që na kishin dhuruar shekujt. Shkurt: Shtet që nuk di sa shtetas ka, shtet që nuk siguroj jetën e shtetasve të tij, shtet që nuk di sa shtetas ka, shtet që vjel taksa dhe këto i përdor për forcimin e pozitave të tij, jo për popullin, shtet që nuk mbështet intelektualët, krijuesit, shkencëtarët, patriotët… shtet që nuk të ngjall krenari kombëtare, ku nuk është shtet, por një grup banditësh që zoti e di se si do të përfundojë odiseja e këtij populli.

Të bësh të paditurin për të udhëhequr në mënyrë demokratike, është krim, se ne kemi demokratët tanë, Ismail Qemalin, ku dhe kundërshtarët politikë i përfshiu në qeveri për të mirën e kombit duke dhënë secili kontributin e tij, më pas kemi Fan Nolin e më pas kemi ata që vranë demokracinë përmes dhunës dhe mbollën dhunë, një dhunë që e pse vishet me vel demokracie, ajo vetëm çel filiza të rinj, që po nuk u pre vaditja me diktaturë do të krijojnë një pyll xhungle që nuk do mundemi të dalim më prej saj.

Kushtet historike në të cilën po kalon vendi ynë jemi në prag të krijimit të këtij pylli me filiza diktatorialë dhe mos o zot të vazhdojë kjo lloj politike, vendi ynë do të kthehet në një xhungël që zor se do jetë e zonja demokracia ta kapërcejë atë. Unë i besoj fatit dhe faktit, se kur humbasim shpresat, na realizohen dëshirat si me magji, kjo vërtet nuk është magji, por është rritja e forcave demokratike përballë forcave diktatoriale dhe është shansi që lehtësisht t’i vadisim filizat e diktaturës së re me mjaltin e demokracisë dhe të rriten lastarë të shëndetshëm për të përhapur sa më shumë oksigjen për vendin, për popullin, për kombin…

Duhet bërë çdo gjë me dashuri dhe me durim për të kaluar në këtë shndërrim paqësor derisa vetë diktatorët të shndërrohen pak nga pak në demokratë, jo duke i sharë e fyer, por duke udhëhequr me shembull demokratik, se edhe më i pabesi, kur e sheh që je besnik, fiton fisnikëri, se fajtorë nuk janë ata, por koha, koha e diktaturës nuk shkon pa i ngulur thonjtë mbi trupin tonë edhe pasi është rrëzuar. Rënia e diktaturës në vitin 1990 i ngjan një peme të rrëzuar nga stuhia, por që rrënjët i ka akoma në tokë, ajo frymoi gjatë tek ne edhe pas rrëzimit, se jetoi gjatë në pushtet. Ka ardhur koha e koha nuk pret… unë e ndjej se diçka e re, diçka që ka lindur nga toka e jo nga trungu i asaj peme po mbin, na mbetet ne të kujdesemi për të, se përplasja e vazhdueshme me diktaturën e ka forcuar si filiz, pak punë do, por do punë të vazhdueshme, ajo nuk kërkon më vetëmohim, nuk kërkon gjak, por vetëpohim, kërkon paqe. Mallkuar qoftë ai bir shqiptari që bëhet shkak edhe për një pikë gjak të derdhur, se gjaku i shqiptarëve del e tepron për të vaditur lirinë dhe demokracinë, sot duhet mendje dhe djersë, duhet dritë dhe paqe… ndaj dua ta mbyll me thënien e Adem Demacit “Libri për Vet Mohimin”, të cilin e përfundon me fjalët e tij himn për lirinë dhe demokracinë e vërtetë, të cilës i drejtohet “e dashur” : “Mirë bëre që s’erdhe, e dashur, se, po të vije, ka mundësi që ende do të mbeteshim , që ende do të ishim, së bashku, nën barrën e gabimeve të mia. Mirë bëre, e dashur, që nuk erdhe, se kështu, i vetmuar dhe pa lehtësime, m’u desh t’i mblidhja të gjitha forcat e mia;; kështu i vetmuar dhe pa përkrahje, m’u desh ta mblidhja tërë vendosmërinë time; kështu i vetmuar dhe pa ngushëllime m’u desh ta mblidhja krejt vullnetin tim dhe ta bëja mohimin e vetëmohimit tim. Prandaj e dashur, me mosardhjen tënde më ndihmove më shumë, se sa po të vije. Po të vije, ka rrezik që do të gjeje si Vet Mohim dhe kjo do të ishte një humbje kohe për të dy. Tani e dashur, të pres në kohën time – në kohën tonë…”

 

Filed Under: Komente Tagged With: Demokraci, koment, Zyba Hysa

E MAJTA DHE 300 DITET E PARA TE QEVERISJES

July 12, 2013 by dgreca

Nga Menada Zaimi/

Në krye të pak ditëve Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të kenë gati programin e masave për 300 ditët e para të qeverisjes, përfshirë brenda mandatit 4 vjeçar qeverisës.
Siç thotë Ilir Beqja i ngarkuar nga Partia Socialiste për të punuar mbi të çështje do të synohet rikthimi i normalitetit në disa sektorë.
“Ne kemi nevojë të domosdoshme për një normalitet demokratike kemi nevojë për një normalitet të rendit publik, në administrimin e financave publike dhe padyshim paralelisht vendi është gjithmonë nën kërcënimin e situatës jo të mirë energjetike dhe natyrisht kjo është një gjë që duhet përballuar me shpejtësi dhe efektivitet. Rreth datës 20 korrik do të kemi një produkt që do t’ia vëmë në dispozicion drejtuesve të dy partive“, thotë Beqja.
LSI ka ngarkuar me këtë detyrë Edmond Haxhinaston që thotë krahas ekonomisë si shtyllë kryesore, vëmendje do të kenë dhe sektorë të tjerë me ndikim në jetën e përditshme.
“Përveç ekonomisë programi do të përfshijë dhe reforma të tjera institucionale kryesisht ato që kanë impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët, që i garantojnë atyre shërbime më të mira apo shërbime të munguara. E kam fjalën këtu për sigurinë e jetës së qytetarëve, e kam fjalën këtu për disa ndërhyrje të shpejta në shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve“, thotë Haxhinasto.
Programi i ri qeverisës, një harmonizim i programeve mes dy forcave fituese të zgjedhjeve, do të trajtojë me prioritet dhe investimet e mëdha, thotë Haxhinasto.
“Po kështu një rrugë tjetër e rëndësishme që kemi identifikuar është ajo e realizmit të investimeve të mëdha, qoftë e investimeve të huaja direkte qoftë e investimeve vendase dhe për këtë sigurisht rruga e duhur është përmirësimi i klimës së biznesit, që ka shumë vend për t’u përmirësuar”, shprehet ai.
Investimet shihen, si burim potencial për punësim. Beqja thotë se në këtë aspekt objektivat e dy partive janë të përputhshëm.
“Të dy partitë që në platformën e tyre elektorale, edhe sektorët e zhvillimit të ekonomisë që do të të ofrojnë këtë mundësi për punësim i kanë praktikisht të përputhura, manifakturë, fshat dhe shërbime. Ndërkohë jemi të vetëdijshëm që kemi një potencial të fjetur në bregdetin shqiptar dhe që duhet të kemi një qasje krejt të re në shfrytëzimin e burimeve natyrore të Shqipërisë”, theksoi Beqja.
Pjesë e një vendimmarrje të menjëhershme të qeverisë që nis punë në shtator do të jenë vendimet e marra nga qeveria në ikje pas datës 23 qershor thotë Beqja.
“Midis veprimeve më të para do të jetë dhe anulimi i disa vendimeve të marra në këto ditë të qeverisë në ikje. Vendime që bien ndesh në radhë të parë me miradministrimin e financave dhe të pasurisë publike, veprime që janë marrë në fakt duke mos zbatuar të gjitha standardet dhe rregullat ligjore në Shqipëri, vendime që lidhen me kontrata, koncesione prokurime”, shprehet Beqja.
Në sitë edhe pse jo menjëherë do të kalojnë të gjitha koncesionet e lëshuara në katër vite qeverisje pa dallim, edhe nëse ato janë marrë nga ministri të administruara nga LSI kur kjo e fundit bashkëqeverisje me të djathtët shton më tej Beqja.
“Nuk ka selektivitet se në cilën ministri janë lëshuar koncesione të caktuara apo në cilët sektorë janë dhënë këto koncesisone. Ne jemi të angazhuar që të bëjmë një analizë të detajuar të të gjithë koncesioneve të dhëna, sigurisht ka koncesione për të cilat jemi deklaruar që do t’i shërbejmë siç është ai lotarisë kombëtare, ai i markimit të naftës edhe pse dimë që këto ditë vetë Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë atë koncesion“.
LSI nuk duket e shqetësuar me këtë proces mjaft që siç thotë Haxhinasto të jetë i orientuar drejt atyre vendimmarrjeve ku ka dyshime për shkelje të procedurave ligjore.
“Unë nuk besoj se Partia Socialiste është duke folur për ndonjë fushatë kundër koncesionarëve apo investitorëve të huaj por ndoshta ata kanë parasysh ose janë në dijeni të ndonjë rasti specifik ku mund të ketë pasur devijim nga ligjshmëria e dhënies së koncesionit. Mendoj se është interesi i koalicionit për Shqipërinë evropiane që Shqipëria të garantojë një klimë sa më të të qëndrueshme, me një besueshmëri shumë të lartë ndaj investitorëve të huaj, me qëllim që të investojnë dhe të krijojnë vende të reja pune“, thekson ai.
Të majtët në pushtet do të trajtojnë dhe çështjen e pronës. Më shumë se afati për zgjidhje thotë Beqja rëndësi ka zgjidhja.
“Nuk ka shumë rëndësi koha në këtë moment që po flasim. Rëndësi ka një strategji e qartë dhe progres i vazhdueshëm dhe i matshëm. Çështja e pronës në gjykimin tonë është edhe juridike dhe social ekonomike. Pa zgjidhur atë çështje s’mund të ecim përpara as në rrugën e integrimit evropian dhe as të zhvillimin ekonomik të të qëndrueshëm që ë shpërndan rritjen në sa më shumë njerëzve”, thotë Beqja.
Zgjidhjen e çështjes së pronës, Haxhinasto e sheh me një ndikim të fuqishëm në ekonomi.
“Kthimi i pronës tek i zoti është dhe një veprim i duhur racional, pasi çliron miliona e miliona euro në qarkullim. Mendoj se do të jetë një çështje e rëndësishme e programit tonë që të jepen titujt e pronësisë dhe të merren masat për sqarimin e asaj xhungle juridike që ekziston për sa i takon çështjes së pronave“, thekson Haxhinasto.
Në procesin për harmonizim të programit, të ngarkuarit me punë të dy partive që do të bashkëqeverisin, u konsultuan dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE të akredituar në Tiranë.
Interesi i ndërkombëtarëve është i fokusuar tek zgjidhja që do t’i japë mazhoranca e re, problematikave që lidhen me korrupsionin përmirësimin e klimës së biznesit, apo garantimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Filed Under: Komente Tagged With: 300 ditet, e para e qeverisjes, se majte

Do te kthehen nga Hungaria 4000 azilkërkues kosovarë

July 12, 2013 by dgreca

BUM AZILKERLUESISH KOSOVARE NE LUKSENBURG/

Azilkërkuesve u tërhiqet vërejtja se vetëm shpenzojnë mjete të mëdha pasi që në një afat shumë të shpejtë do të riatdhesohen në Kosovë dhe do t’ju ndalohet hyrja në zonën Shengen për 3-5 vitet e ardhshme.

Vlerësohet se rreth 4 mijë shtetas kosovarë prej 6 muajsh janë të vendosur në kampet e Hungarisë. Në pritje për të kaluar në shtetet perëndimore, shumë prej tyre po bien pre e rrjeteve kriminale të trafikantëve. Sipas ministres së integrimeve, Vlora Çitaku, janë duke u hetuar grupet e përmendura kriminale.

Me iniciativën e ministres Vlora Çitaku, sot u mbajt takimi bashkërendues me institucionet përgjegjëse për luftimin e kontrabandimit me qenie njerëzore. Në takim morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe udhëheqësi i Divizionit Ekzekutiv i EULRX-it.

Në takim u diskutua shqetësimi i përbashkët rreth rritjes së numrit të azilkërkuesve nga Kosova të cilët janë duke e shfrytëzuar territorin e Serbisë për të kaluar në mënyrë të parregullt kufirin hungarez. Ministrja e integrimit Vlora Çitaku i ka shuar të gjitha shpresat e atyre të cilët i kanë mësyrë rrugët e Evropës apo që ende po bëjnë plane të ikin nga vendi, shkruan koha.net.

Ajo tha se azili nuk është më opsion dhe se qytetarëve të Kosovës nuk u jepet më azil në vendet e BE-së, ndërsa tha se azili është armiku numër një i liberalizimit të vizave për Kosovën. Ajo u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos bien pre e grupeve kriminale duke rrezikuar jetën e tyre.

Kurse sipas ministrit të brendshëm, Bajram Rexhepi ajo që po u lehtëson punën migrantëve kosovarë është se tash mund të lëvizin vetëm me letërnjoftime nëpër Serbi, dhe kostoja e këtij udhëtimi dhe shkuarja deri në Hungari është shumë e lirë.

Ndërkohë qysh të enjten nga Austria pritet të vijë autobusi i parë me të kthyer nga ky shtet. Për t’i pritur ata do të dalë ministrja Çitaku bashkë më ambasadorin austriak.

Në takim, sipas komunikatës, u konstatua se personat që bien pre e mashtrimeve, rrezikojnë sigurinë e tyre personale, shpenzojnë mjete materiale ndërsa në një afat shumë të shpejtë do të riatdhesohen në Kosovë dhe do t’ju ndalohet hyrja në zonën Shengen për 3-5 vitet e ardhshme.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni njoftoi të pranishmit që tashmë kanë nisur disa hetime të cilat do të rezultojnë të suksesshme, të cilat kanë për qëllim hetimin dhe arrestimin e atyre që ofrojnë shërbime të kontrabandimit por edhe të atyre që e nxisin këtë proces.

Në fund të takimit u organizua një konferencë për shtyp me ç’rast ministrat Çitaku dhe Rexhepi i informuan gazetarët dhe e potencuan edhe njëherë që e ardhmja e kosovarëve është në Kosovë. U tha se ata në Kosovë duhet ta gjejnë dhe ta krijojnë të ardhmen e tyre, përderisa azil kërkimi apo migrimi ilegal është një e kaluar e hidhur e cila nuk do të duhej të përsëritët në të ardhmen.(AlbInfo.ch)

BUM AZILKERLUESISH KOSOVARE NE LUKSENBURG/

Numri i azilkërkuesve në Luksemburg , krahasuar me atë të vendeve tjera të Evropës perëndimore është i vogël. Por marrë parasysh numrin e banorëve, ky vend i vogël i Beneluksit ka proporcionalisht shumë refugjatë. Dhe, gjatë muajit qershor ky numër ka shënuar rritje.

89 të huaj kanë kërkuar azil gjatë qershorit në Luksemburg, që, në krahasim me majin, kur ishin 78, përbën një rritje më të madhe se 10 për qind. Megjithatë, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin bërë 181kërkesa azili, këtë qershor kemi një përgjysmim, njofton Tageblatt.lu.

Ndërsa gjatë gjithë periudhës janar-qershor në këtë vend kane kërkuar azil 483 veta, shumica e të cilëve janë nga Ballkani.

Sikur për muajin qershor ashtu edhe për gjithë gjashtëmujorin është karakteristike se më së shumti azilkërkues kanë ardhur nga Kosova. Nga 89 sish, 23 janë kosovarë, ndërsa nga 483 personat azilkërkues të regjistruar gjatë gjashtë muajve, kosovarë kanë qenë 63. Pas Kosovës vjen në radhë Bosnja me 56 veta gjithsej, gjegjësisht 13 veta gjatë qershorit dhe Shqipëria me 43, gjegjësisht 11 e kështu me radhë.

Gjatë muajit qershor 18 personave u është njohur statusi i refugjatit ndërsa 50 të tjerëve u është hedhur poshtë kërkesa për këtë status.(AlbInfo.ch)

Filed Under: Komente Tagged With: Do te kthehen 4 mije. azilkerkues kosovare, nga Hungaria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 445
  • 446
  • 447
  • 448
  • 449
  • …
  • 478
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT