• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Termi cinik NORMALIZIMI si propagandë Sovjetike

December 21, 2022 by s p

Shqiprim Pula/

Rrjedha e një lumi të vërshuar bart me vehte edhe mbeturina përgjatë shtratit nga i cili del jashtë tij, specifikisht në segmentin e ekonomisë, mbrojtjes dhe diplomacisë, e kjo përshkruan një nuancë të tranzicionit politik në Kosovë. Kjo rrjedhë, tranzicioni, ka prodhuar një rezultat, atë të demoralizimit të shoqërisë dhe asaj pjese të politikës patriotike.

Që nga paslufta deri më tani në relacionin Kosovë-Serbi, specifikisht me dialogun, kishte përpjekje politike për narrativa, por, kërkesë konsistente për Traktat Paqe nuk kishte!, siç, rëndom ndodh ndërmjet vendeve ndërluftuese pas përfundimit të luftës në mënyrë që të normalizohen raportet e tyre. Pas mbi dy dekada të prezencës së faktorit ndërkombëtar, me motive shumëpalëshe e të shumëanëshme, është rivënë në rrezik paqja rajonale, nga një rrjedhje e heshtur e disbalancave të mëdha në rajon, të (pa) qëllimshme, dhe apetiteve territoriale historike ndaj një vendi të caktuar, të motivuara edhe nga ide marksist-leniniste, që krijon në sipërfaqe krizën. Tani, Unioni Europian, përmes emisarit të saj me origjinë Sllovake, pas viteve tensioni e krize politike ndërmjet dy vendeve Kosovë-Serbi, nga mësimet prej mbi dy dekadash, ofron “normalizimin” si zgjidhje, ashtu sikur, hyrja e Sovjetikëve më 1968 në Çekosllovaki, veçse atëherë me tankse, e Brezhnjevi deklaronte se tani marrëdhëniet përmes nesh, do të normalizohen!.

Ditët e barikadimeve në histori njihen qysh më 1588 në Paris, atëherë, kur grupe qytetarësh Francezë e refuzonin bindjen ndaj Mbretit Henri III, duke mbyllur vendkalime të caktuara si mënyrë e ruajtjes së status-quos dhe presioni kundrejt autoritetit të tij. Poashtu, gjatë vitit 1991 kishte barrikadat në rrugët e Rigës, Letoni, që mbronin monumentet e tyre nga njësitë ushtarake Sovjetike që tentonin t’a parandalonin shpërbërjen e BRSS-së, mëpas, në vitin 2006, barrikadat në rrugët e Oaxaca, Meksikë, kur qytetarët mbronin anëtarët e asamblesë popullore të Oaxaca nga njësitet paraushtarake; e të tjera raste gjithandej. Por, secili rast në veçanti dhe të gjitha në tërrësinë e tyre, tregojnë se si barrikadat vazhdojnë të gjallërojnë grupe dhe imagjinatat shoqërore e politike, duke krijuar ndjesinë e solidaritetit të së kaluarës por edhe të mundësisë të së ardhmes politike.

Dështimi ndër vitesh në dialog për “normalizim”, pa Traktat Paqe, është një qëndrueshmëri fiktive, mbase duhet argumentuar se asnjë zgjidhje politike e besueshme nuk mund të arrihet ndërmjet palëve me interesa kontradiktore të cilët luftën nuk e mbyllën me Traktat. E faktori ndërkombëtar, i portretizoi dy figura, si Aleksandar Vučić e Ivica Dačić, si bashkëpunëtor të së ardhmes, e që në fakt dolën të jenë nxitës e minues të paqes!. Dialogu në Bruksel prodhoi disa marrëveshje, por jo, Traktat Paqeje. Që pas shpalljes së pavarësisë dhe konfirmimit të saj nga GjND-ja, betejat vazhduan në dy rrafshe, atë politik dhe atë psikologjik në mendjet e qytetarëve. Përkundër që, shteti i Kosovës, morri barrën për të dëshmuar dy narrativa; atë të aftësisë për shtetbërje, poashtu edhe aftësinë për kujdesin e të drejtave themelore për të gjitha pakicat vendase e veçanërisht pakicës serbe. Çuditërisht, pas krijimit të formacionit të quajtur ‘srpska lista’ ata përkufizuan ekzistencën e tyre institucionale në terma të konvergjencave për të minuar përpjekjet për një mirëqenie politike, po që rezultoi në marrjen e njëanshme të kontrollit të Veriut të vendit e edhe barikadimin e ripërsëritur.

Narrativat gjeopolitike të cilat nuk dolën në sipërfaqe asnjëherë për t’u përmendur publikisht, për shkak të mos nënshkrimit të një Traktat Paqeje, tani, n’a rezulton me kërkesën për “normalizim”. Sfidave të ndërmjetësve u ngarkohet edhe kaosi me strukturat paralele që ngadalëson hapat mbi procesin e paqes. Për palën serbe, strukturat paralele të koncentruara në Veriun e vendit, shiheshin si “çështje teknike” apo mjet strategjik për të ndikuar në procesin e dialogut. E për rrjedhoj, dialog mbi paqen nuk u zhvillua asnjëherë drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, si ndërveprim ballë-për-ballë.

Pa asnjë dyshim se roli i ShBA-ve është krucial në Kosovë, e në rajon, por, nuk do duhej lejuar të reduktohet paqja në elementin e një marrëveshje si normalizim. Andaj, Uashingtoni zyrtar do duhej t’a rishikoj procesin për një përmbyllje politike me një TRAKTAT PAQEJE KOSOVË-SERBI sepse Traktat Paqeje do nënkuptonte normalizim marrëdhëniesh; e normalizim marrëdhëniesh do nënkuptonte njohje e ndërsjelltë; e njohja e ndërsjelltë do nënkuptonte marrëdhënie bilaterale; e marrëdhënie bilaterale do nënkuptonte pajtim mes popujve; e pajtimi mes popujve do nënkuptonte ardhmëri rajonale e Europiane. Ky duhej të ishte apo të jetë rrugëtimi politik, siç e bërë në shumë raste, shtetet (sipas të drejtës ndërkombëtare) pas përfundimit të luftës në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet, nënshkruajnë një Traktat, dhe jo të kufizohet në normalizim si një komponentë Traktati.

Filed Under: Komente

PREKË CALI NDERI I KOMBIT: KRESHNIKU I KËLMENDIT TË MALËSISË SË MADHE DHE HEROI I KOMBIT SHQIPTAR*  

December 19, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli  

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Me rastin e Sofrës së Madhe të Kelmendit – Sofër që u shtrua të shtunën më 17 Dhjetor, 2022 në lagjën Bronks të Nju Jorkut – përkujtoj Kreshnikun trim të Malësisë së Madhe dhe Heroin trupmadh, me një forcë të jashtzakonshme atdhetare dhe morale, kreshnikun e maleve, burrin e shquar për trimëri, për vepra heroike dhe fisnikëri – Prekë Calin — Nderi i Kombit.  Prekë Calin, të parin e Kelmendit, i cili bashkë me malsorët gjatë gjithë jetës së vet luftoi në mbrojtje të Atdheut. Fillimisht, kundër perandorisë osmane, pastaj kundërshtoi zgjerimin djallëzor territorial të Malit të Zi, në kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa ka mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë në takimet me komisione evropiane. Dhe, në fund të jetës së tij, ka kundërshtuar me vendosmëri instalimin e komunizmit sllavo-aziatik të Enver Hoxhës në Shqipëri. Kujtojmë Prekë Calin, bashkpuntor i qeverisë së Fan Nolit, Prekë Calin e internuar nga Ahmet Zogu dhe Prekë Calin e  pushkatuar nga regjimi barbar komunist Hoxha-Shehu –Prekë Calin, të cilit as varri nuk i dihet. 

Një përshëndetje për Sofrën e Madhe vjetore të Kelmendit, kësaj kalaje të vjetër. Por kur përmendet Kelmendi, qoftë në gëzime e festa qoftë në vuajtje, nuk mund të anashkalohet emri i Prekë Calit. Nuk mund të ndodh që të mos përmendet veprimtaria patriotike dhe sakrificat personale të tija, të këtij burri të madh, me cilësi të larta e të rralla prej malësori.

Me të drejtë, Prekë Cali është quajtur nga vendasit, “Prijsi i Popullit”, “Piramida e kufirit shqiptar”, “Kreshniku i Vermoshit” dhe i krejt Malcisë së Madhe dhe mbarë Shqipërisë.

Në këtë sofër të madhe gëzimi kelmendase këtu në Nju Jork, me këngë e valle, përkujtojmë edhe Prekë Calin, ky burrë malësor, megjithëse pa asnjë ditë shkollë, emri i tij u bë i njohur në kryeqendrat e politikës evropiane të kohës. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 Mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë – pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje.

Përkujtojmë Prekë Calin, Malësorin dhe Shqiptarin e madh, i cili luftoi dhe kundërshtoi synimet e armiqëve të Kombit shqiptar si edhe vendimet e padrejta të kancelarive të Evropës, në dëm të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.

Përkujtojmë Prekë Calin, mbrojtësin e kufijve të vendit dhe të terësisë tokësore të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare nga këthetrat e synimeve grabitqare të shovinistëve sllavë.

Përkujtojmë Prekë Calin e Kelmendit, bartësin e traditave dhe virtyteve më të shenjta të malësorit e të shqiptarit: të atdhedashurisë, nderit e burrënisë, të mik-pritjes e bujarisë, gjithmonë sy-patrembur ndaj armikut.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili gjithë jetën ia kushtoi, jo vetëm, mbrojtjes së integritetit tokësor të Shqiperise, por edhe lirisë e demokracisë, dhe i cili dha edhe jetën duke kundërshtuar vendosjen e komunizmit ndërkombëtar në Shqiperi. Vrasja nga komunizmi i patriotëve shqiptarë si Prekë Cali – harresa dhe anashkalimi i tyre zyrtar nga historiografia shqiptare duhet të shqetesojë ndërgjegjen e çdo shqiptari, edhe sot 30 e sa vjetë pas shembjes së komunizmit. 

Prandaj, të pakën kelmendasit dhe shqiptarët e diasporës në përgjithësi, sidomos këtu në Amerikë, nuk duhet të harrojmë, por të –

Përkujtojmë Prekë Calin, atdhetarin dhe anti-komunistin i cili para se të pushkatohej nga regjimi i Enver Hoxhës, pyetjes së Mehmet Shehut se pse nuk bëhej me komunistët shqiptarë, se ashtu do ta mbyllte historinë e tij me shkronja ari, Prekë Cali i është përgjigjur: “Zotëni, faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleatë me anmikun tonë shekullor, Serbinë”.

Përkujtojmë Prekë Calin, për bindjen e tij se komunizmi ishte gjeja më e keqe që po i kërcënohej Shqipërisë dhe i cili me burrat me të njohur të Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe i bëri një qendresë të fortë këtij sistemi sllavo-aziatik – i huaj për shqiptarët — sllavo-aziatik, kriminal për nga natyra e morali, që iu imponua shqiptarëve.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili para se t’i rrëxohej trupi i tij vigan nga plumbat e mitralozit të komunistëve të Enver Hoxhës, bërtiti me zërin e fuqishëm të malësorit: “Rrnoft Shqipënia, Rrnoft populli shqiptar. Heret ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.

Përkujtojmë pra, Prekë Calin – edhe si simbol i gjakut të derdhur — në shenjë nderimi e respekti edhe për bashkluftëtarët e tij, shumë prej të cilëve u pushkatuan gjithashtu, si edhe për mijëra martirë nacionalistë anti-komunistë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, të burgosur e të internuar për pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.

Prandaj, le të bashkohemi sonte në përkujtimin e këtij burri të madh — tri dekada pas shembjes së komunizmit enverist dhe atij ndërkombëtar — e të shpresojmë që më në fund — të peshohet mirë dhe me të drejtë e Vërteta Historike, e cila është aty për t’u zbuluar — dhe vetëm asaj t’i jepet arsyeja.  Ashtuqë, heronjëve si Prekë Cali, më në fund, t’u këthehet lavdia, nderi dhe vendi që u takon patriotëve të vërtetë si ai, në historinë e Kombit. 

Sepse duke kujtuar burrat si Prekë Cali, në përsërisim premtimin e vazhdimit të atdhedashurisë së vërtetë dhe punës në favor të cështjes kombëtare — dhe në të njëjtën kohë, mundësisht, të përshpejtohet distancimi nga trashëgimia e regjimit diktatorial komunist, që pushkatoi patriotë – mbrojtës të kufijve të Shqipërisë — si Prekë Calin. 

I përjetëshëm qoftë kujtimi i Prekë Calit.  Nder e lavdi, veprës dhe qëndresës se tij  anti-sllave dhe anti-komuniste, në shekuj!

Frank Shkreli

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli

Jetohet në dritë, ëndërrohet në errësirë…

December 17, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Sa e bukur është jeta jo vetëm si jetueshmëri, por më së shumti si realitet i menduar, i projektuar, i fantazuar, i prekur dhe i imagjinuar!

Jeta është e bukur, po aq, kur është e vuajtur. Unë e kam ndier dhimbshëm, e kam vuajtur dramatikisht dhe e kam përjetuar bukurisht, jetën me varfëri, atë të vuajtjes dhe atë të gëzimit dhe haresë.

Shkrimtarët e mëdhenj e kanë pohuar gati njëjtë bashkërisht dhe, ndryshe veç e veç, se jeta me vuajtje është prova më autentike e shpirtit dhe dimensionit njerëzor.

Nuk e dëshmon dot gëzimi, në këtë madhështi, bukurinë, sikundër vuajtja. Letërsi e madhe vjen përherë prej vuajtjeve vetiake të autorëve…

Kombet e vuajtura kanë përherë art të madh.

Popujt e varfër prodhojnë përherë letërsi dhe kulturë të madhe.

Kombi dhe populli im shqiptar i kanë të dyja edhe kulturën edhe letërsinë. Edhe gëzimi, edhe vuajtja, nuk janë një e dhënë e përhershme që mbartet prej së shkuarës në të sotmen dhe të nesërmen.

Ato krijohen, shtohen dhe plotësohen me kah udhëtues nga e ardhmja.

Në brendinë e njeriut, meditimi dhe sidomos proçesi i të menduarit dhe të përjetuarit të kulturës dhe letërsisë në marrëdhënien me jetën, është i pamatshëm, i pallogaritshëm dhe çuditërisht i papeshueshëm.

Nuk ekziston prej motesh mijëra vjeçare, njësia matëse, në të gjitha kombet e kulturat dhe po kaq pamundësisht edhe brenda jetës mijëra vjeçare të kombit tim.

Si një dilemë jo penguese, kjo bashkëshoqëron në udhëtimin moshues, historinë tonë njerëzore dhe veçanërisht atë të kombit tim shqiptar.

Në këtë fat natyral janë bashkëudhëtues gjithë shoqëritë njerëzore.Në një pllakë të vjetër varri në Bregdet, dikur kam lexuar: ” Jeta jetohet në dritë dhe përfundon si ëndërr në natë”.

Në këtë jetë edhe gëzimi edhe vuajtja, shkojnë si ëndërr të cilën, bukur është ta shkruash. Mirë është ta shkruash edhe për kohën e ardhme, kur duke mos qenë, nuk ke mundësi ta rrëfesh.

Filed Under: Komente Tagged With: aleksander Cipa

Qeveria greke e shpall Skënderbeun “hero kombëtar grek”

December 15, 2022 by s p

Shaban Murati/

Lavdinë dhe emrin e Skenderbeut janë përpjekur gjatë shekujve e deri në ditët tona ta përvehtësojnë shumë vende ballkanike, duke pretenduar se i përket këtij apo atij populli tjetër ballkanik. Por nuk ka ndodhur kurrë që një qeveri e një shteti tjetër ballkanik ta shpallë zyrtarisht Skënderbeun hero kombëtar të shtetit të vet. Për herë të parë ndodh kjo nga qeveria greke, e cila e shpalli tani Skënderbeun “hero kombëtar grek”.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtëme të Greqisë në datën 30 nëntor 2022 është botuar mesazhi i urimit që ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, i çon ambasadores së Shqipërisë në Athinë me rastin e Festës Kombëtare të Shqipërisë. Në mesazh thuhet tekstualisht: “Skënderbeu është hero kombëtar i dy vendeve tona”.

Është hera e parë që Athina zyrtare, qeveria greke, shpall se Skënderbeu është hero kombëtar grek. Dendias ia transmeton qeverisë së Shqipërisë në rrugë diplomatike verdiktin e ri historik grek për Skënderbeun si qendrim zyrtar grek dhe si fakt të kryer. Diabolizmi diplomatik grek jo rastësisht ka zgjedhur Festën Kombëtare të Shqipërisë për ta njoftuar vendimin grek.

Ajo, që duhet të tërheqë vëmendjen, është fakti që pretendimin zyrtar e shpall shefi i diplomacisë greke, i cili në këtë rast nuk bën histori, por bën diplomaci. Qëllimisht është zgjedhur ministri i jashtëm të zyrtarizojë publikisht pretendimin se Skënderbeu është hero kombëtar grek. Nuk ka shpallur deri tani Greqia dhe qeveria greke se heroi kombëtar i Rusisë, heroi kombëtar i Serbisë apo heroi kombëtar i Bullgarisë është edhe hero kombëtar grek. Duke e thënë vetëm për Skënderbeun e Shqipërisë, ministri i jashtëm grek bën diplomaci me qitje të largët ndaj Shqipërisë. Diplomacia greke synon që t’i japë historisë së Shqipërisë, kombit shqiptar dhe heroit tonë kombëtar, statusin e pronësisë së përbashkët të të dy shteteve.

Diplomacia greke punon me strategji afatgjata në drejtim të Shqipërisë. Në sirtarin e saj ndodhet projekti i vjetër dhe i ri i aneksimit gradual të Shqipërisë, i formësuar qysh para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me marrëveshjen e krijimit të federatës Greqi-Shqipëri të nënshkruar nga përfaqësues të të dy palëve në vitin 1907.

Greqia detin na e mori. Mori edhe Himarën. Tani na mori edhe Skënderbeun. Alarmi në Shqipëri duhet të jetë i madh. Nuk jemi para një lajthitje të një historiani apo të një rapsodi popullor grek. Është ministri i jashtëm grek, që e shpall qendrimin zyrtar se Skënderbeu është hero kombëtar grek. Ndërkaq hesht diplomacia shqiptare, hesht qeveria shqiptare, hesht Akademia e Shkencave dhe historiografia e realizmit socialist.

Qeveria dhe institucionet zyrtare shqiptare janë të lumtura që “marrëdhëniet me Greqinë janë të shkëlqyera”, pavarësisht nga çmimi i humbjes së integritetit territorial tokësor dhe detar dhe i humbjes së historisë kombëtare. Fundja le të sakrifikohet edhe Skënderbeu për hir të integrimit me Greqinë.

Filed Under: Komente Tagged With: Shaban Murati

Gjeopolitika e konfliktit në Kosovë dhe standardet e dyfishta diplomatike

December 14, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Duke qenë një çështje më vete, që ka pësuar evoluim historik, deri në pavarësimin e saj, Kosova paradoksalisht po rëshqet në çështje të brendshme të Serbisë. Sepse thelbi i dialogut Kosovë-Serbi, sipas politikës së Beogradit, nuk përbën rregullimin e gjendjes së serbëve në Kosovë, por falimentimin e Kosovës si shtet.

Rezoluta 1244, në të cilën thirret shpesh Vuçiqi, nuk e përmendet aksund Serbinë. Kjo rezolutë nuk ka fare të bëjë me Serbinë, sepse ajo i dedikohej një shteti tjetër – RFJ-së, i cili pushoi së ekzistuari në vitin 2006, kur Serbia u njoh ndërkombëtarisht si shtet i ri.

Mirëpo kjo nuk po e pengon Vuçiqin që të paralajmërojë një dislokim të forcave ushtarake serbe ne veri të Kosovës, duke u thirrur gjithmonë në rezolutën e sipërpërmendur.

Kjo retorikë luftënxitëse e Vuçiqit ka detyruar shumë kancelari të botës të reagojnë duke kërkuar nga ai që as të mos e mendoj një aventurë të tillë të rrezikshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka kërkuar nga Serbia që të ndalojë provokimet ndaj Kosovës. Në një intervistë për televizionin “France 24”, Stoltenberg ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas vendosjes së barrikadave në Veri nga serbët atje.

Sipas tij , NATO përmes trupave të saj në Kosovë në kuadër të KFOR-it është e gatshme, e aftë dhe vigjilente dhe po monitoron nga afër situatën në terren me shumë kujdes.

Stoltenberg, gjatë deklarimit ka kërkuar edhe që Kosova e Serbia të përmbahen nga retorika që rrjedhimisht mund të ushqejë përshkallëzimin e situatës në terren.

“Deutsche Welle”, ka raportuar pas një takimi të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-të në Bruksel, të cilët shqyrtuan tensionet në veri të Kosovës, me ç’rast Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas mbledhjes me ministrat ka thënë se “kjo situatë duhet të marrë fund”. Ai është shprehur se BE-ja është e gatshme të dërgojë më shumë personel për misionin e EULEX-it.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Ndërkaq, shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, duke iu referuar tensioneve në veri, ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë.

“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm“, ka shkruar Baerbock në llogarinë e saj në Twitter. “E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga BE“, shtoi ministrja e Jashtme gjermane.

Situata e tensionuar në veri të Kosovës ka nxitur retorikat politike. Pas deklartës së Presidentit Vuçiq se do të kërkonte nga KFOR dislolim të forcave ushtarake serbe ne veri, vjen reagimi i Kurtit. Ai thotë se Serbia po kërkon kthimin në kohën e Millosheviqit dhe kthim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës). “Agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi… Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi. Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”, shprehet Kurti ndër të tjera.

Në mbledhjen e sotme (e martë) të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti gjithashtu ka folur për vendimin e Kosovës që këtë javë të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian.

“Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë në status kandidat duke kaluar në një fazë të re të raporteve me BE-në. Kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve që besojnë se e ardhmja jonë është BE-ja”, ka thënë Kurti.

Situata në Kosovë i ka dy dimensione: në njërën anë kemi dimensionin e brendshëm, të cilin e përbëjnë institucionet ligjzbatuese dhe dimensioni i jashtëm është Serbia me shantazhet e aj, e cila synon të faktorizohet aq shumë në Kosovë, sa që çdo vendim legjitim kosovar duhet paraprakisht ta merr aprovimin e Beogradit.

Duke qenë një çështje më vete, që ka pësuar evoluim historik, deri në pavarësimin e saj, Kosova paradoksalisht po rëshqet në çështje të brendshme të Serbisë. Sepse thelbi i dialogut Kosovë-Serbi, sipas politikës së Beogradit, nuk përbën rregullimin e gjendjes së serbëve në Kosovë, por falimentimin e Kosovës si shtet. Serbia po i përdor serbët lokal si vegëza për të lidhur sa më shumë nyje mbi qafen e Kosovës, sepe vetëm në këtë mënyrë realizohet plani për ta parandaluar bërjen e Kosovës shtet me të gjitha parametrat ligjorë e kushtetues.

Megjithatë, situata nuk do të dukej aq kaotike, sikur të mos ndikonin edhe deklaratat kontradiktore të diplomatëve të huaj, të cilët jo gjithmonë kanë qëndrime parimore mbi atë çka po ndodhë në Kosovë. Në retorikën e diplomatëve të huaj ekziton një prirje për të vendosur njëfarë simetrie të fajit dhe përgjegjësisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, qasje kjo që i ka trimëruar bukur shumë bandat serbë në veri që të ndërmarrin veprime destruktive kundër shtetit të Kosovës.

Shpesh na ka rënë të dëgjojmë kritika, bie fjala, të ambasadorit amerikan në Beograd, Kristofer Hill, mbi politikat qeveritare të Kosovës kundrejt Serbisë, të cilat ai i shikon me një sy kritik, ndërkohë që nuk na ka rënë të dëgjojmë kritika të tilla në adresë të Serbisë nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier.

Kosova dhe populli i saj besojnë fuqishëm në politikën e drejt amerikane, por kjo nuk do të ishte pengesë që të bëhet publikisht pyetja se si është e mundur që dy ambasadorë amerikanë kanë qasje pak a shumë të ndryshme mbi situatën në Kosovë dhe mbi faktorët destabilizues që vijnë nga Serbia.

Gjeopolitika e konfliktit në Kosovë nuk do të ishte dramatike sikur të mos ekzitonte një tendencë e hapur ruse që përmes Serbisë të destabilizojë gjithë Ballkanin. Por, këtij destabilizimi mund t’i kontribuojë edhe aplikimi i standardeve të dyfishta që po përdorin diplomatët e huaj, duke i vendosur padrejtësisht në një peshore të njejtë fajësie dhe përgjegjësie Kosovën (viktimë) dhe Serbinë (agresore).

Prishtinë, 13 dhjetor 2022

Filed Under: Komente Tagged With: Mehmet Prishtina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • …
  • 479
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT