• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Komshinjtë…

October 14, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

Aty në bregun e detit, në një “Bar” të zakonshëm lagjeje, ku një kafe dhe një raki kushtojnë 100 lekë, dy klientë zhvillojnë një dialog me zë të lart. Tonet vazhdojnë e ngrihen deri në qiell me fjalë të rënda e të pakontrolluara, gjë e pazakontë kjo për banorët. Njëri prej tyre, Sazani, vjen i pakët nga trupi dhe i dobët. Gjithë jetën pantallonat i ka mbajtur me oshkur ose rrip meshini sepse beli i hollë, nuk përshtatet me standardin e prodhimit në seri. Flokët ende nuk i kanë rënë, energjik, hazërxhevap, e mbajnë për njeri të mirë, jo ngatërrestar, megjithëse është tip nervoz e merr flakë si shkrepse, nëse njerëzit nuk i shkojnë pas muhabetit. Qaniu vjen i ngadaltë, fjalëpakë, i shëndoshë, mik i vjetër i rakisë por jo sherrxhi. Kur e shikon, që muhabeti nuk shkon, ngrihet e ikën pa nisur zënkat. Po këtë rradhë sherri, dukej serioz dhe Qaniu nuk u ngrit të ikte si herët e tjera.

-Ha e pi se e ke zënë veten, e mbahesh me të madh,- bërtiste Sazani.

-Me të madh nuk jam mbajtur ndonjëherë, po jam i gjallë unë, nuk jam i ngordhur si ty. Le të marrin detin dhe djemtë e tu apo nuk ua mban!?

-E dimë të gjithë punën tënde, që bën me tët bir. Edhe sesi i nxjerr paratë me djersë. Nuk i ngatërroj djemtë e mi me ato punë,-  shfryu gjithë mllef Sazani.

-Ç’do të thuash me këto ti, more ngordhësirë? Mua do të më zesh në gojë punën dhe djersën ti? Mua dhe tim bir, që rrezikon jetën e tij në mes të detit, për të    siguruar bukën e gojës?  Qaniu i twrbuar nga fjalwt  u ngrit nw kwmbw. 

Flitej dhe kjo ishte e sigurt, se djali i Qaniut me gomonen, që përdorte në verë për turizëm hera-herës, kur ngrohej koha, kalonte klandestinë në brigjet italiane, zakonisht hallexhinjë, që punonin stinën e verës e vjeshtës, në të zezë, në bujqësi, në zonën e Puglies deri në fund të dhjetorit, kur mbaronte dhe vjelja e ullinjve. Strehimin, kur deti ishte i trazuar, ua siguronte, Qaniu, në ca shtëpi të vjetra një katëshe, për të mos rënë në sy të policisë. Kohët e fundit puna ishte shtuar se kalonin matanë edhe emigrantë nga Siria e Afganistani. Nuk mburrej kurrë Qaniu, që kishte para e bënte jetë të thjeshtë. I biri kishte ndërtuar veçmas një vilë dykatëshe pranë shtëpisë së vjetër, ku banonte i ati.  Kjo e tërbonte Sazanin sa herë kalonte andej. Bluante me vete: 

-Ja zorrëtharë si unë ishin dhe ata, po shiko se ç’vilë ka bërë ai langua i Qanos?  Kurrë nuk kishte dalë nga goja e Qaniut një fjalë e vetme për punën e të birit dhe i shmangej ngaherë debatit me moshatarët për këtë temë.

-Yt bir ka hedhur klandestinët nga Siria në det, një herë kur e ndoqi policia,- shpërtheu Sazani. Fytyra e thatë dhe gjatoshe iu skuq nga zilia dhe marazi. Qaniu sikur ta kishte pickuar një nga ato nepërkat laramane me kokë trekëndëshe u hodh përpjetë.

-Do të vras mu këtu, more qen e bir qeni. Të ka mbirë maçoku në bark nga zilia. Mbylle atë hale, mos më shty në gjynah! 

Gjithë ai burrë i shëndetshëm e i fortë, dukej se do ta hante të gjallë. Banorë të lagjes, i larguan, përndryshe një grusht i Qaniut do ta dërgonte në botën e përtejme Sazanin. Gjindja u qetësua. Qaniu me këmishën e zbërthyer e dalë jashtë mbi pantallona, që i mbulonte barkun e madh deri poshtë si fustan, foli me zë të lartë;

-Dëgjo këtu ti burrë llafazan dhe kot. Dëgjoni dhe ju të tjerët miq dhe jo miq të mi! Kurrë im bir nuk ka hedhur njerëz në det. Ndryshe e mbyt me duart e mia! Ata që ai çon matanë, shqiptarët, sirianët e afganët, ju i keni parë. Të huajtë çoku kanë ndonjë lekë, po këta tanët dihet, s’ka ku i kap as qeni, e shumë prej tyre i japin lekët kur kthehen. Të gjithë janë të vdekur, e pa shpresë. Im bir i çon matanë dhe nga të vdekur që janë, i bënë të gjallë, i kthen në njerëz, u jep shpresë duke i hedhur në Itali. Ndaj në vend ta shani, duhet ta falënderoni! As vjedh, as mashtron njeri. Lek me djersë e me rrezik koke është. Çfarë të bënte im bir me tre kalamaj e gruan në ngarkim? Punë s’ka, miq në qeveri nuk kam… Futi këmishën nën pantallona, kaloi dorën mbi flokët ende të dëndura e të trasha si qime furçe dhe u largua ngadalë. Gjindja që kishte ndjekur gjithë skenën nuk pipëtiu për disa çaste. Disa ishin me Qaniun, të tjerët me Sazanin. Po kjo nuk prishte punë. Rëndësi kishte që sherri këtë rradhë u shmang dhe me sa dukej nuk do të vazhdonte më. E shumta të dy komshinjtë do t’ mbanin mëri njëri-tjetrit për një farë kohe. Do t’i kërkonin falje pronarit të kafenesë dhe jeta do të rridhte si më parë. Me policinë njerëzit nuk kishin punë, as Sazani. 

Filed Under: Komente

Një komedi për… të qarë

October 10, 2022 by s p

Agim Baçi/

Në një nga komeditë italiane, “L’Ora Legale”, gjithçka ndodh rreth zgjedhjes së një njeriu të ndershëm në krye të bashkisë në Pietramare, një Siçili. Ajo që vjen si ndryshim i dëshiruar gjatë fushatës, duke votuar një njeri të ndershëm, nis e kthehet shpejt në problem për të gjithë ata që thjesht janë ankuar për të keqen, që janë ankuar për kryebashkiakun e korruptuar Patane, që janë ankuar për shkeljen e ligjit, por, që në të vërtetë, nuk janë gati të bëjnë asnjë hap për të jetuar në mënyrë të ndershme dhe për të respektuar ligjin dhe meritën.

Dhe këtu nis paradoski i reagimeve të banorëve, gjersa ngrihen në protestën më kontraverse, por edhe më cinike për shoqëritë e sotme, duke na sjellë te një pyetje thelbësore- a jemi ne gati të ndryshojmë edhe vetë për të qenë njerëz që zbatojmë ligjin, që denoncojmë të keqen, apo e presim ndryshimin vetëm nga të tjerët, apo thjesht nga një njeri?

Madje, mes shume momenteve fantastike të ironisë me pafuqinë shoqërore për të pranuar ndryshimin, është edhe një çast kur qytetarët debatojnë brenda në kishë, për të ndaluar kryebashkiakun e ndershëm që krejt papritur po mban premtimet që ka bërë në fushatë dhe që i konsideron qytetarët si të barabartë përpara ligjit. Dhe një i deleguar i politikës nga Roma u kërkon llogari banorëve të Pietramares: “Çfarë ndodhi me ju jugorët? Ju keni ditur të zgjidhni gjithnjë të korruptuarit. Çfarë ju shkrepi në kokë të zgjidhnit këtë herë një të ndershëm? A e kemi luksin ne sot, me këtë krizë, ta kemi të përhapur njerëzit një fenomen me njerëz të ndershëm në të gjithë Italinë?”….

Madje, edhe vetë prifti që dëgjon “protesën” e të dërguarit të politikës nga Roma për “gabimin” në zgjedhjen e një të ndershmi si kryebashkiak, e ngre shkallën e sarkazmës edhe më lart, teksa kujton zgjedhjen në Izrael mes Jezu Krishtit dhe Barabas, kur banorët të pyetur nga Ponc Pilati se kë do donin të shpëtonin ata zgjodhën të shpëtojnë Barabën, dhe prifti pyet: “Po a gabuan vërtet me atë zgjedhje?!!!”

Filmi mbyllet me kthimin si kryebashkiak të personit të korruptuar e mafioz, që u rrëzua në zgjedhje plot entuziazëm nga ata që flisnin për ndryshim.

Kjo mbyllje është domethënia e fortë për pafuqinë tonë si shoqëri për të përqafuar të ligjshmen, të ndershmen, të vërtetën. Rikthimi i kryebashkiakut mafioz Patane, që ishte i akuzuar, është domethënia për shoqëritë tona që nuk po gjejmë dot më rrugët për të mbështetur të ndershmin, se nuk jemi gati të bëhemi pjesë e një shoqërie që do zbatimin e ligjit, që do që ata që meritojnë të marrin në dorë fatet tona.

Kushdo që sheh komedinë “L’Ora Legale”, do mendojë se skenaristët e regjisorët kanë folur shumë për shoqërinë tonë shqiptare, që fatkeqësisht e duartroket të fortin, që e sheh me zili atë që shpërfill ligjin, që bërtet në rrjete sociale kundër së keqes por nuk i bashkohet denoncimit kur ajo ndodh para syve të tyre, në lagjet e tyre, në shkollat e fëmijëve, në institucionet dhe ndërmarrjet ku janë në punë.

Dhe kjo është ironia me jetën tonë, pasi të fortët, të korruptuarit, shkelësit e ligjit, vjedhësit, kanë pikërisht si garanci heshtjen tonë, mosrefuzimin e së keqes nga ne. Asnjë realitet politik, asnjë shoqëri, nuk ka ndryshuar pa kurajon qytetare për të refuzuar ata që i tallin, që i poshtërojnë e që krenohen se kanë vjedhur apo që kanë shkelur ligjin. Ky ndryshim nuk është zgjidhur as duke ndërruar disa të fortë me disa të fortë të rinj e as duke u kthyer te e vjetra nga frika se nuk di se çfarë do vijë në të ardhmen. Kjo zgjidhet vetëm nëse shoqëria vendos të mos krenohet me atë që ka vjedhur, që ka shpërfillur ligjin, që ka graduar injorantin duke e vendosur në vend të diturit. Ashtu siç thuhet edhe në librat e shenjtë se “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, për aq kohë sa ai nuk ndryshon vetveten!”.

Filed Under: Komente

PËR NJË QASJE MODERNE MBI SHKENCAT E ALBANOLOGJISË

October 4, 2022 by s p

Prof.dr. Skender ASANI/

Më vjen mirë që edhe këto aktivitete që po mbahen në kuadër të JAVËS SË ALBANOLIGJISË, këtu në Prishtinë, mbajnë vulën e një bashkëpunimi të frytshëm institucional, që filloi vitin e kaluar dhe që po vazhdon edhe sivjet, me çka Tirana, Prishtina dhe Shkupi po e formojnë një hark të rëndësishëm të fushëveprimit shkencor e kulturor përmes ideve e projketeve të përbashkëta.

Me këtë po dëshmojmë se kufinjtë e bashkëpunimit shkencor shkojnë përtej kornizave që i dikton politika e ditës dhe mund të them me gojën plot se edhe ITSHKSH po e dëshmon veten, me veprime konkrete, se është një institucion që hapjen ndaj vlerave dhe hapësirave të tjera kulturore e ka kuptuar si një mision që për çdo ditë po integrohet në strategjinë tonë.

Pjesë e kësaj strategjie është edhe ideja që shkencat e albanologjisë t’i kuptojmë si fusha në të cilat piktakohen edhe disiplinat tjera dhe në këtë mënyrë qasja jonë mbi albanologjinë nga një kuptim i ngusht klasik, po kalon në një kuptim modern.

Ashtu si historiografia e cila duhet të lirohet nga hijet e mitomanisë së shekullit 19 që nxjerrin krye aty këtu nëpër tekstet e autorëve të ndryshëm, edhe shkencat e albanologjisë, sipas pikëpmajes sime, duhet të ndjekin ritmin e zhvillimeve globale,të cilat reflektohen edhe në “habitatin” tonë etno-psikologjik. Pra, me fjalë të tjera dua të paralajmëroj se ne nuk guxojmë të mbyllemi, por të hapemi, duke i ofruar botës akademike vlerat që i posedojmë, por edhe duke absorbuar prurjet e të huajve mbi shkencat albanologjike. Në këtë mënyrë, mendoj unë, kufinjtë e botës shqiptare mund të shkojnë përtej hartave adiminstrative, dhe mund të prekin hapësira të paanshme të dimensionimit global të mendimit shkencor.

Jemi me fat që shkencat tona albanologjike kanë kaluar nëpër faza të shumta përtërirje brezash, dhe tani jemi në momentin kur kjo përtërirje duhet të ndodhë në një rrafsh më të gjerë, si në aspektin e prurjeve të reja nga hapësirat tjera kulturore-gjuhësore, dhe anasjelltas, ashtu edhe në aspektin e përforcimit të komponentës së multidisplinaritetit në shkencat e albanologjisë. Vetëm në këtë mënyrë, mendoj unë, do të arrijmë të sigurojmë një bazë të shëndoshë të kërkimit shkencor, ku nuk jemi të detyruar të mbyllemi në korniza të ngushta etno-gjuhësore. Zatën kjo ka qenë edhe rruga të cilën e kanë ndjekur shkencat gjuhësore të popujve të mëdhenjë, prandaj jo rastësisht ata sot janë zotërues të hapësirave më të mëdha kulturore ku ndikimet gjuhësore luajnë një rol të qensishëm.

Ne si qendra albanologjike, bashkë me universitetet dhe me formacionet e ndryshme akademike, mund të ngrejmë nivelin e studimeve albanologjike në përmasat e një disipline moderne ku falë komunkimeve digjitale, do ta gjenin veten studiues të ndryshëm në rrafsh global. Prandaj, kjo duhet të jetë edhe sfida jonë e radhës që lidhet me sfidat e shumta të këtij mileniumi ku shkencat albanologjike duhet të kalojnë nga një kasollë e vogël e qasjeve të ngushta në një pallat gjikant me përmasa globale dhe me qasje të hapura dhe krejt të reja.

Filed Under: Komente

QEVERIA MELONI: ATO PIKA THEMELORE

October 3, 2022 by s p

Nga ANTONIO POLITO/

Italianët kanë vendosur t’i japin besim Xhorxha Melonit, apo janë zbuluar papritmas të së djathtës skajore (“far right”, siç shkruan Washington Post)? A na presin kohë me uniforma shajaku, apo në rastin më të mirë ala Orbán? Apo demokracia e jonë është mjaft e qëndrueshme sa t’i lejojë votuesve të zgjedhin qeverinë që duan pa rrezikuar hapa në tym apo mbrapa në histori? 

Për t’i u përgjigjur këtyre pyetjeve, që shqetësojnë shumë italianë dhe ndezin shtypin e huaj, duhet para së gjithash të pyesim kush janë zgjedhësit që kanë votuar për herë të parë Xhorxha Melonin (shumë, po të mbajmë parasysh se tetë vite më parë mori vetëm 4,3 %). Bëhet fjalë në pjesën më të madhe të valëve simbas përimtimeve të rrjedhjeve, për vota t’ardhura nga Lega apo Pesë Yjet. Nuk mund të përjashtohet që shumë prej tyre të kenë votuar Rencin në Evropianet e vitit 2014. Secili nga sukseset zgjedhore që tashmë përsëriten në seri, për t’u shfryrë më pas me po të njëjtën shpejtësi, shënon një zhvendosje të një mase votash që prej kohësh është duke dihatur në kërkim të një shpëtimtari t’atdheut, të një krijuesi që mund të na bëjë të dalim nga shtjella e rënies nga e cila jemi mbështjellur. Bëhet fjalë për italianë tashmë të shkëputur nga çdo kushtëzim ideologjik, të zhgënjyer e të zvjerdhur, politikisht të shpenguar, jo saktësisht të djathtë as përkatësisht të majtë. Shpesh i kemi përcaktuar “populistë”.

Deri tani këto pështjellime kanë prodhuar, më shumë se sa rreziqe për demokracinë apo tundime autoritare, kaos dhe paqëndrueshmëri politike. Në dy votime rradhas, më 2013 e më 2018, kutitë e votimit nuk i kanë dhënë shumicën asnjë lidhjeje zgjedhore; për pasojë, në dhjetë vitet e fundit, janë shfaqur qeveri frute të marrëveshjeve parlamentare, shpesh të drejtuar nga personalitete të cilët as që kishin marrë pjesë në votimet. 

Edhe se bëhet fjalë për një flegër të dobishme sigurie në regjimin tonë parlamentar, sepse e aftë të shmangë zbrazëti pushteti kur sistemi bllokohet, është e qartë se një demokraci është më e fuqishme nëse qarku zgjedhës-Parlament funksionon, e i jep jetë shumicave të puthura nga miratimi i kutive të votimit. Pra, nga kjo pikpamje, nuk mund të thuhet se përfundimi i zgjedhjeve të së dielës përbën një mbrapakthim. Përkundrazi. Udhëheqësja e opozitës ka fituar e do të shkojë në qeveri. Dikush ka shkruar se kësaj i shërben demokracia: shkëmbimit të klasëve drejtuese pa derdhje gjaku.

Një rend i dytë i problemeve dhe shqetësimeve  rrjedhin nga personaliteti dhe historia politike e fitueses. Qartësisht e së djathtës; madje të një të djathte me prejardhje nga Lëvizja shoqërore italiane, kombëtariste e nativiste. Simbas një studimi të Luiss, duke mbledhur votat e Melonit me ato të Salvinit arrihet rezultati më i mirë zgjedhor i së djathtës në historinë e Evropës perëndimore. Pra është i kuptueshëm shqetësimi i Vëndeve tona partnere, të cilat luftojnë për ditë në shtëpinë e tyre për të shmangur një përfundim të këtillë. Gjithashtu sigurisht kryeministreja e mundëshme e ardhëshme ka për detyrë për të shkrirë një droçkë armiqësish që përndryshe do të dëmtonte Italinë, përveç asaj vetë.

A mund të thuhet se Xhorxha Meloni është e vetëdijshme? Disa tregues na thonë se po. Nuk bëhet fjalë vetëm për premtimin e “qeverisjes për të gjithë”, për “të bashkuar Italinë”, të deklaruara mbas suksesit. Që në fushatën zgjedhore fjala e saj kyçe ka qënë “përgjegjshmëria”. Ka dhënë këshilla mbi tri pikat themelore për qeverinë e ardhëshme: lufta n’Ukrainë, kriza energjitike, disiplina e bilancit. Mbi të gjitha këto mund të thuhet se ka përqafuar rendin e ditës Dragi, duke mbështetur edhe nga opozita qeverinë, si mbi sanksionet e armët për Ukrainën, si mbi betejën n’Evropë për çatinë e çmimit të gazit, si për kundërshtinë ndaj borxhmarrjes së nxituar të Vëndit. Tani ka një mandat të qartë për t’u mbajtur në këto tre pika. Për të vërtetuar maturinë me të cilën deri tani ka kufizuar propozimet zgjedhore më shpërthyese të aleatëve për bilancin publik, mjaft të mendohet për flat tax.

Natyrisht prova e kremës është në të ngrënit e saj. E vështira për Xhorxha Melonin fillon tani. Nuk ka pothuaj asnjë përvojë qeverie, dhe nuk e ka as klasa drejtuese e një partie të mësuar (apo të shtrënguar) prej kohësh në opozitë. Duhet t’a kuptojë shpejt se Brukseli është më pranë nesh se sa Washingtoni, e që Berlini e Parisi janë aleatë të çmuar, sigurisht më shumë se sa Varshava dhe Budapesti.

Por suksesi  relativ zgjedhor i Berluskonit, që do të mundet kështu t’i veshë vetes përfaqësinë e të moderuarve në shumicën e ardhëshme, dhe humbja e padiskutueshme e Salvinit, që pakëson vendosmërisht për të  ose për pasardhësin e tij hapësirat e manevrës, do të duhej t’i siguronin një dritare mundësish për një apo dy vjet, në të cilët do të tregonte se din të marrë në dorë frenat e qeverisë e të shquajë interesat reale kombëtare të Italisë.

Mbetet së fundi çështja e brishtë e të drejtave e të lirive që është mirë të mos nënvlerësohet. Në të gjithë botën, edhe n’Evropë, jemi të pranishëm në orvajtje për t’i kufizuar të dyja. E djathta italiane është sigurisht tradicionaliste dhe konservatore në lëndët si familja, aborti, mëmësia , gjinia. Por ndërsa këtu jemi në fushën e zgjedhjeve të ligjëshme politike, çdo shpresë për t’u kthyer mbrapa në fitoret qytetare të një Vëndi bashkëkohor e të lirë siç është i yni, do t’ishte aq e papërshtatëshme sa që të bëjë të besohet që një drejtues i zgjuar as që do t’i a hynte t’a provonte. Tjetër çështje është zgjerimi i mundshëm i sferës së të ashtuquajturave të drejta: mbi të cilat shprehet sovranisht Parlamenti, simbas lojës klasike të dialektikës e të ballafaqimit.

Me gjithë respektin për kryeministren franceze, Elisabeth Borne, që don të “vigjëlojë” mbi këto tema, besojmë se mund t’i themi se Italia është në gjëndje të vigjëlojë vetë. Demokracia e jonë është herë herë rrëmujëmadhe por e qëndrueshme, dhe zotërojmë të gjitha siguritë e një shteti të së drejtës. Një Parlament të lirë, në të cilin veprojnë tre grupe të ndryshme e luftarakë të opozitës, një president i Republikës që siguron respektin e Traktateve e konventave ndërkombëtare, një gjykatës ligjesh që vërteton kushtetueshmërinë, një rrahje e gjallë mendimesh publike e një sistem mediatik veprues e demokratik.

Megjithatë tashmë jetojmë, ashtu sikurse të gjithë Vëndet e tjera, në një arenë publike gjithevropiane. Të tjerët na gjykojnë ashtu sikurse dhe ne gjykojmë të tjerët. I leverdis të gjithëve që ai gjykim të jetë apo të bëhet pozitiv.

“Corriere della Sera”, 26 shtator 2022       Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

KAFE “ADULTER”

September 30, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango/

Moderatori i njohur Mjalti, ay i TV te Madh Kombetar, rrasi më thellë kasketën për të mos u njohur nga fansat e panumert. Eshte bezdi tek ecen me te shpejte, jogging rrotull e rrotull liqenit, te rrish e te pershendetesh tufat e admiruesve, tu kthesh buzeqeshjet, ndonjë batute pak më të njohurve…”Ohuuu”

E rrasi kasketën vërtet, por jo aq shpejt sa për të mos e kapur në atë moment flututurak, syri vigjilent i spiunit të lashtë Prasi…Kryente edhe ai në sens të kundërt xhiron e freskët të mengjesit krah për krah gruas Grenxa….

…Por ja tek vinte kundruall nja 100 m më pas, edhe moderatorja aq e dashur për publikun e ngeshëm, Bleta e Televizionit Gjigand Kombëtar…Kish vënë syze të mëdha, kasketë lepurushi rrasur thellë dhe xhogonte edhe ajo me shpresën se nuk do njihej nga fanset pa numër. Duhet thënë se nuk pati aq “fat”. E njohën nja dy goca,( e kujt do ja hidhte ajo. Ato mbanin vetë nga ato syzet e mëdha e kasketë të butë lepurushi). E ndaluan, i kërkuan selfie së bashku, u a plotësoi dëshirën, rrasi më thellë kasketën e rendi të kapte kohën e humbur…

Por nuk mendoi kështu për kohën e saj “të humbur” spiuni i hershëm Prasi, tashmë analist e kritik i njohur në disa media online…” Pa shih, pa shih” mendoi,” mos ka lënë takim me moderatorin Mjalti që xhogonte pak para saj…kjo Bleta punëtore e Televizionit Gjigand Kombëtar?”

Edhe titulli i asaj çka do shkruante ju shkrua vetëtimthi në krye:” Kasketat e buta të moderatorëve”…Ecën edhe ca me gruan dhe pastaj Prasi nuk mundi të përmbahej më…

“Vazhdo ti” i tha Grenxës, ik e më prit te kafja…ose pije vetë se më doli diçka…” dhe u kthye e ja mbathi në krah të kundërt duke e lënë Grenxën pilaf..

“ Ku shkon idiot…” u xhindos e i ulëriti nga pas Grenxa…”si do e pi kafen vetëm…pastaj e kemi lënë me orar të shkojmë edhe te ai mjeku, të më vizitojë pak thumbin, …”

Ai fluturoi. Në vrap e sipër tek i frushullnin gjethet e vjeshtës ndër këmbē e në veshë…sikur iu rikthye tërë jeta e shkuar, e bukur para syve…kujtoi vitet e vegjëlisë kur vinte e përgjonte çiftet që bënin dashni nga liqeni, rininë kur mori pagesën e parë për një spiunllik të vogël…Pastaj atë burrin që e kish ndjekur nga liqeni me të dashurën e që edhe tek rënkonin e bënin dashuri, lëshonin parulla kundër partisë. I spiunoi dyfish: agjitacion e propagandë dhe adulter, e e kallën në burg atë burrin pa e marrë vesh nga i erdhi…

…Spiuni i regjur Prasi ngadalësoi hapat dhe mbeti në vend me sy të çakarritur: Ç’po shihte…!!

…Mu tek ajo kafja platformë që sheh mbi liqen e ka poshtë një fushë tenisi ende të pa inaguruar,ja mu tek ajo kafene verore, quajtur ndryshe edhe Kafe Adulteri, na ishin ulur e po pinin kafe, moderatori Mjalti, moderatorja Bleta dhe…kjo ishte e pabesueshme…edhe Matka, vetë Matka, gruaja e moderatorit Mjalti….

Ja dhe Monologu i Prasit:

“Të kishin lënë takim që më parë, të tre për kafe? Jo ore…po pse nuk ishte që në fillim me gruan Mjalti? Pastaj ato kasketat e rrasura, vërtet për fansat ishin? Pastaj ca si shumë seriozë duken…të tre…as gaz e as gallatë si mes moderatorësh…duhet t’i ketë kapur në flagrancë gruaja e Mjaltit..sapo janë ulur…dhe tani po flasin qetë gjoja…për të mos bërë ndonjë skandal…të tërë i njohin…he he…po mua nuk ma hedhin dot…

..gjithsesi nuk e botoj dot pa ndonjë foto Bleta-Mjalti, në flagrancë…U pa puna…rikthim në fëmini…ndofta do më duhet të dal ca herë andej nga Gjiri i Kurvave…andej nga strehoeshin dashnorët dikur…sot e mot”

…I telefonoi gruas:” Hej Grenxe, te Kafe Llumi je? Prit se erdha”

“Ik more qelbësirë” zukati egër nga ana tjetër e liqenit Grenxa. “Pije me atë kurvën…e helm tu bëhet…Me kë u takove plehrë…Mua do ma hedhësh ti?“

Filed Under: Komente Tagged With: Ylli Pango

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • …
  • 479
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT