• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zv/Ndihmës Sekretari Palmer: Rregulla të paanshme e transparente për zgjedhjet e 25 Prillit

April 6, 2021 by dgreca

Zgjedhjet e 25 Prillit por dhe ecuria e Reformës në Drejtësi dhe mbështetja ndaj saj kanë qenë në qendër të bisedimeve që , Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Matthew Palmer, zhvilloi sot online me përfaqësuesë të lartë politikë të Shqipërisë, Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e PD-së Lulzim Basha si dhe me drejtuesë të institucioneve të Drejtësisë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile.

Sipas një njoftimi të ambasadës amerikane “me secilin prej udhëheqësve, Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë e roleve të tyre përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë ashtu siç përcaktohen në Kushtetutë. Institucionet dhe udhëheqësit politikë mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë”.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, zoti Palmer “gjithashtu përforcoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e saj, duke vërejtur përparimin domethënës që është bërë gjatë vitit të fundit”. Sipas njoftimit të ambasadës amerikane “gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, shoqëria civile dhe media, ai i nxiti këta “Kampionë të Reformës në Drejtësi” në përpjekjet e tyre, në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë”.

Bisedimet e sotme me drejtuesit politikë të vendit, kishin si synim që të konfirmonin “rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri ndërsa festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ata rikonfirmuan përkushtimin tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit’, bën të ditur njoftimi i ambasadës, sipas të cilit “në fund, Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë strategjike të stërvitjes ushtarake Defender 21, e cila do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake shumëpalëshe që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor”.(Sipas Zerit te Amerikes)

Filed Under: Kronike Tagged With: Palmer, Zgjedhjet e 25 Prillit

Vjosa Osmani Presidente e gjashtë e Kosovës

April 4, 2021 by dgreca

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit me të vetmen pikë në axhendë – Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës e nisur mbrëmë vijoi e përfundoi sot/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 4 Prill 2021/ Presidente e re e Kosovës e sapozgjedhur sot në mbrëmje nga Kuvendi i  Kosovës me 71 vota në raundin e tretë është Vjosa Osmani deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300 756 vota në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021. Ajo pak para orës 19:40 dha Betimin si Presidente e  Kosovës që u pasua me Himnin Shtetëror dhe me fjalën e parë të Presidentes.

Për zgjedhjen në votimin e fshehtë duheshin së paku 80 vota pro në raundin e parë a të dytë e së paku 61 vota në raundin e tretë nga së paku 80 vota në kutinë e votimit.

Pas dy votimeve pa kuorum mbrëmjen e djeshme, sot në përsëritjen e votimit të raundit të parë  në kuti ishin 81 vota – prej tyre pro Vjosa Osmanit ishin 69 e 12të pavlefshme, 0 vota për kundërkandidatin Nasuf Bejta.

Në raundin e dytë  të votimit në kuti ishin 82 vota – prej tyre pro Vjosa Osmanit ishin 67 e 11 të pavlefshme, 4 vota për kundërkandidatin Nasuf Bejta.

Në raundin e tretë  të votimit në kuti ishin 82 vota – prej tyre pro Vjosa Osmanit ishin 71 e 11 të pavlefshme, 0 vota për kundërkandidatin Nasuf Bejta.

Vjosa Osmani është Presidentja e gjashtë e Kosovës. I pari ishte  Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, me kërkesë të 41 deputetëve, ka nisur të shtunën e djeshme në mbrëmje seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhendë – Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Punimet e seancës së jashtëzakonshme u hapën me konstatimin e kourumit, përkatëzisht prezencën e 84 deputetëve të pranishëm në sallë, të mjaftueshëm për të vijuar seancën për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

Në garën për president janë prezantuar dy kandidatë: Vjosa Osmani-Sadriu dhe Nasuf Bejta.

Prezantimin e kandidates për president, Vjosa Osmani-Sadriu, e ka bërë deputetja e Lëvizjes Vetëvendose, Mimoza Kusari-Lila, ndërsa të kandidatit Nasuf Bejta, deputeti i VV-së Haxhi Avdyli.

Këto dy propozime janë hedhur në votim ku për propozimet kanë votuar 66 deputetë, ndërsa sipas procedurës më pas është mbledhur Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për të  verifikuar nëse kandidatët i plotësojnë kushtet për president të vendit.

Në Komision është vlerësuar se të dy kandidatët i plotësojnë dispozitat kushtetuese për kandidat për president. Raportin para deputetëve e ka prezantuar kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi.

Pas kësaj procedure, kryetari Konjufca kërkoi nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare që të japin mendimet e tyre në seancë. Kryetarja e GP të VV-së Mimoza Kusari-Lila propozoi që të fillojnë me votimin për kandidatët për president. Ndërsa në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Enver Hoxhaj, dha mendimin e tij në lidhje me zgjedhjen e presidentit.

Ai tha se për këtë proces të rëndësishëm për vendin parashihet të ketë një proces të dialogut dhe të arrihet një kompromis i gjerë me qëllim që presidenti që zgjidhet të jetë sa më konsesual dhe sa më përfaqësues. Hoxhaj tha se PDK nuk e voton kandidaten Vjosa Osmani për presidente të vendit e as nuk rri në sallë.

Grupet e tjera parlamentare nuk janë deklaruar, përveç Grupit Multietnik. Nga ky grup deputeti Enis Kervan deklaroi se mbështesin procesin e zgjedhjes së presidentit.

Më pas ka filluar votimi i fshehtë, në të cilin, herën e parë në votim kanë marrë pjesë 78 deputetë, numër ky i pamjaftueshëm për të përfunduar raundi i parë për zgjedhjen e presidentit.

Në përsëritjen e raundit të parë të votimit kanë marrë pjesë vetëm 79 deputetë, numër ky serish i pamjaftueshëm për përmbylljen e këtij raundi të votimit.

Pas dy tentimeve, kryetari Konjufca ka propozuar një pauzë për t’u konsultuar lidhur me procesin e mëtejmë të votimit. Pas rifillimit të seancës, kryetari Konjufca konstatoi se nuk ka kourum të mjaftueshëm për të vazhduar seanca.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ndërpreu punimet të shtunën e djeshme para mesnate për të vazhduar, si u paralajmërua nga kryeparlamentari, sot në 4 prill në orën 17:00.

Vijimi i seancës sot nisi me pak më shumë se gjysëm ore vonesë me 83 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit 120 anëtarësh. Pak pas fillimit të vijimit të seancës u njoftua nga kryetari i Kuvendit se në sallë ishin 84 deputetë.

Filed Under: Kronike Tagged With: e gjashte, presidente, Vjosa Osmani

SEANCA E KUVENDIT PËR PRESIDENTIN E KOSOVËS VAZHDON NESËR

April 3, 2021 by dgreca

Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme, dy kandidatë për President – pritet zgjedhja e Vjosa Osmanit

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 3 Prill 2021/ Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës, është pika e vetme e axhendës së një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh, ku në votimin e fshehtë duhen së paku 80 vota pro në raundin e parë a të dytë e së paku 61 vota në raundin e tretë nga së paku 80 vota në kutinë e votimit. Seanca e ftuar sot për në orën 18:00 nisi në mbrëmje me afër dy orë vonesë me pjesëmarrjen fillimisht të 82 deputetëve – të  grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës e të komuniteteve pakicë, e ku në sallë në fillim të seancës nga Partia Demokratike e Kosovës  kanë hyrë vetëm dy deputetë Enver Hoxhaj dhe Bedri Hamza e nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vetëm një deputete – Albena Reshitaj. Ndërkohë nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca u njoftua se në sallën e seancës janë 84 deputetë.

Kandidatja e nominuar për Presidente të re të Kosovës Vjosa Osmani është deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300 756 vota në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021.

Gjatë historisë së zgjedhjeve në Kosovë më shumë vota ka marrë vetëm Presidenti historik i Kosovës Ibrahim  Rugova.

Për t’i ndihmuar procesit demokratik kandidat i dytë për president është Nasuf Bejta, i  cili në listën e Lëvizjes Vetëvendosje me 110 kandidatë  për deputetë ishte nën numrin 64 dhe mori 5 763  vota, të cilat ishin pak për ti siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar nga Kuvendi në 9 prill 2008, më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, e që ka hyrë në fuqi në 15 qershor të atij viti historik, rreth zgjedhjes së Presidentit përcakton:

“Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.

4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.”

Të gjithë, të pesë presidentët e Kosovës në 22 vitet e lirisë, duke nisur nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi janë zgjedhur me marrëveshje politike, koalicionesh, apo edhe me ndërhyrje ndërkombëtare.

Zgjedhje e para parlamentare në Kosovën e lirë që nga qershori 1999 u mbajtën në 17 nëntorit 2001, por kishte vonesë rreth 3 muaj e gjysmë për zgjedhjen e Presidentit e të qeverisë. Vonesa dhe humja e kohës kishte derisa  u arrit  marrëveshja dhe në 4 mars 2002, Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme, e bëri Kosovën me të gjitha institucionet e zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit 2001: President i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova (LDK), kryeministër i Kosovës – Dr. Bajram Rexhepi (PDK).

Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për Liri e Pavarësi dhe i Kosovës së pasluftës në liri, Rugova, deklaronte: “Çdo ditë ne duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”. Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha e për të cilën lideri  historik Rugova ka folur menjëherë pas zgjedhjes President, pasi fillimisht urova zgjedhjen…

KRYESIA E KUVENDIT MBAJTI MBLEDHJEN E RADHËS

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, u mblodh sot nën drejtimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, për të shqyrtuar kërkesën e 41 deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Pas diskutimeve, Kryesia konstatoi se kërkesa i plotëson kushtet formale-juridike, prandaj seanca e jashtëzakonshme, konform kërkesës, do të mbahet sot, më 3 prill 2021, në orën 18:00. 

SEANCA E KUVENDIT PËR PRESIDENTIN E KOSOVËS VAZHDON NESËR

PRISHTINË, 3 Prill 2021- Gazeta DIELLI/ Seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës u ndërpre për të vijuar nesër, pasi sonte në raundin e parë të votimit të përsëritur në kuti të votimit nuk kishte të paktën 80 vota (kishte 78 dhe 79) dhe nuk mund as të kalohej në raund të dytë…

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, presidenti i Kosoves, Seanca per Presidenten

Kosova me Kuvend e Qeveri të re, do ketë edhe Presidenten e re…

April 2, 2021 by dgreca

-Adresimi i Kryeministrit Albin Kurti sot në seancën e parë plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës: Ky është një vit kur e kemi edhe  qeverinë e re edhe presidenten e re. Andaj konsiderojmë që është e udhës që ta kemi zgjedhjen e Presidentes e më pastaj edhe programin qeverisës dhe planin e punës/

-Sot seanca plenare fillimisht vendosi që gjatë Legjislaturës VIII Kuvendi të ketë 14 komisione parlamentare, ndërsa më pas, me 104 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi edhe përbërjen e tyre/ PRISHTINË,  2 Prill 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ky është një vit kur e kemi edhe  Qeverinë e re edhe Presidenten e re, tha sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  në adresimin e parë, në seancën e parë plenare pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Fjalimi i plotë i Kryeministrit, Albin Kurti:  

Faleminderit kryetar Konjufca,

Të nderuar deputetë, 

Të dashur qytetarë të Republikës,

Të nderuar ministra të kabinetit qeverisës,

Zëvendëskryeministra,


Jemi në kontekstin politik dhe institucional kur sot kemi një vendim shumë të rëndësishëm bashkërisht e ky është konstituimi i Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e tetë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ne nëpër ministritë e linjave jemi duke e skanuar gjendjen që e kemi gjetur dhe në përputhje me këtë regjistrim, këtë evidentim të trashëgimisë që kemi hasur në kuptimin institucional politik dhe administrativ do ta përpilojmë edhe programin tonë qeverisës dhe planin e punës, natyrisht duke pasur për prioritet zotimet tona dhe vizionin e shpalosur gjatë fushatës elektorale dhe jo vetëm.

Pra rendi edhe logjik dhe kronologjik i gjërave e do që fillimisht ta bëjmë një skanim të tillë dhe gjithashtu edhe ta bëjmë zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, meqenëse e dimë se  ky është një vit kur e kemi edhe  qeverinë e re edhe presidenten e re. Andaj konsiderojmë që është e udhës që ta kemi zgjedhjen e Presidentes e më pastaj edhe programin qeverisës dhe planin e punës.

Po të ishte ndonjë vit tjetër, nuk do të kishte nevojë të ishte kësisoj, mirëpo tash jemi të bindur që kjo është rruga më e mirë dhe më e duhur përpara.

Në anën tjetër, në zgjedhjet e vitit 2019 certifikimi i rezultateve u pat vonuar 53 ditë. Kësaj radhe ka qenë përafërsisht gjysma e asaj periudhe, 27 ditë dhe përderisa ne herën e kaluar kemi pasur bisedime 4 mujore për koalicionin qeverisës, e nganjëherë në të kaluarën kanë shkuar edhe deri në 6 muaj, kësaj radhe 9 ditë pas certifikimit të rezultateve e kemi votuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, si hap i dytë pas hapit të parë që ishte zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit.

Pra jemi më shpejtë se çdo herë më herët.

Sa i përket vaksinës, po  të ishte vaksina Pfizer ose Moderna unë nuk do të shkoja ta marr. Vetëm për shkak se ka qenë AstraZeneca e cila ka një reputacion të lënduar sot në botë jo vetëm në rajonin tonë, kam konsideruar që është e udhës që ta marrë i pari vaksinën Astra Zeneca, dhe kurrfarë synimi tjetër për të privilegjuar veten, apo për të qenë thjeshtë i pari nuk ka pasur. Një brend tjetër i vaksinës kundër COVID 19, mua nuk do më bënte marrës të parë të vaksinës. 

Ndërkaq, sa u përket çështjeve që u ngritën edhe për menaxhimin e pandemisë në njërën anë, marrjes së vaksinave sidomos, edhe të çështjes së mundësisë së shtrenjtimit të energjisë elektrike ku kemi paradoksin që liberalizimi i tregut rrezikon të na e shtrenjtojë energjinë elektrike në vend se të na e lirojë atë, do të flasin ministrat përkatës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Unë, edhe njëherë ju dëshiroj punë të mbarë, sepse me konstituimin e Komisioneve Parlamentare fillon puna përmbajtjesore e Kuvendit të Republikës dhe ju falënderoj të gjithëve për vërejtjet, sugjerimet e kritikat.

KUVENDI I KOSOVËS 14 KOMISIONE PARLAMENTARE,  7 UDHËHEQEN NGA VETËVENDOSJA…

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, u mblodh sot në seancë plenare, për të shqyrtuar propozim-vendimin për formimin e komisioneve parlamentare. Para seancës plenare, Kryesia e Kuvendit në një mbledhje u dakordua t’i propozohet seancës që edhe në këtë legjislaturë Kuvendi të ketë 14 komisione e më pas u bë ndarja e tyre midis grupeve parlamentare, sipas formulës së përcaktuar dhe të praktikuar në legjislaturat e kaluara. 

Grupi më i madh parlamentar, ai i Lëvizjes Vetëvendosje, do të udhëheq shtatë komisione: Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërrmarrësi, Komisionin për Bujqësi, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Komisionin për Qeverisje Lokale Zhvillim Rajonal dhe Media, si dhe Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

 Dy  komisione do t’i drejtojë Grupi Parlamentar i PDK-së: Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheq Komisionin për Integrime Evropiane dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

GP i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheq Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, Grupi Parlamentar i Listës Serbe Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthim, ndërsa Grupi Parlamentar 6 Plus do të udhëheq Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.   

Konform propozimit, sot seanca plenare e Kuvendit fillimisht vendosi që gjatë Legjislaturës VIII Kuvendi të ketë 14 komisione parlamentare, ndërsa më pas, me 104 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi edhe përbërjen e tyre.

Fillimisht u bë betimi i deputetëve të rinj, atyre që nuk ishin betuar në seancën konstituive, si dhe deputetëve që kanë zëvendësuar ish-deputetët, tani të zgjedhur anëtarë të qeverisë.

 Seanca vijoi me deklarimet jashtë rendit të ditës, në të cilat sqarime dhanë kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.Në pyetjet parlamentare ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u përgjigj në pyetjen e adresuar nga deputeti Bekim Haxhiu.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Qeveri e re

Ministrja Donika Gërvalla takon Ambasadorin Amerikan Philip Kosnett

March 30, 2021 by dgreca

–Ministrja Gërvalla priti ambasadorin Amerikan Kosnett, Shtetet e Bashkuara janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme. Përkrahja Amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash../

PRISHTINË, 30 Mars 2021-Gazeta DIELLI/

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, tha të martën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës gjatë mandatit të saj, si drejtuese e politikës së jashtme, jo vetëm në bashkërendimin e politikave në raport me vendet e tjera, por edhe në mbrotjen e interesave të Republikës së Kosovës. 

Ministrja Gërvalla i bëri këto komente pas një takimi shumë të përzemërt që zhvilloi me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, z. Philip Kosnett, me të cilin diskutuan tema të ndryshme, në veçanti ato që kanë të bëjnë me zhvillimet në vend, raportet ndërfqinjësore, si dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy popujve miq.    

“Kontributi i Shteteve të Bashkuara në raport me Republikën e Kosovës është vështirë i përshkrueshëm me pak fjalë, ngase përkrahja amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash. Një Kosovë e fortë, demokratike, ku zbatohet ligji dhe respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar, një Kosovë me mirëqenie dhe e integruar në BE dhe NATO, është interes i yni i përbashkët”, tha znj.Gërvalla.

Në këtë takim është biseduar edhe për situatën aktuale me pandeminë, si dhe nevoja urgjente për rimëkëmbje ekonomike dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës.

Sa i përket normalizimit të marëdhënieve me Serbinë, drejtuesja e diplomacisë kosovare ka theksuar nevojën për të zhvilluar bisedime përmbajtesore, të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje që nuk cenon kushtetuetshmërinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, si zgjidhje e vetme për paqe të qendrueshme në rajon, fqinjësi të mirë dhe prosperitet për të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës.  

Filed Under: Kronike Tagged With: Donika Gervalla, Ministrja e Jashtme, Philip Kossnett, priti ambasadorin amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT