• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lajçak: Avancimi i Kosovës në rrugën evropiane, vetëm përmes BE-së

June 16, 2020 by dgreca

– Thaçi: Besojmë në angazhimet e administratës amerikane/

– Osmani: S’ka negociata për territorin e Kosovës/

– Lajçak : “Roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm dhe u pajtuam me Osmanin që ky proces të jetë transparent”…

– Hoti: Të gatshëm për dialog

Nga Bekim BISLIMI*

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, deklaroi në Prishtinë se nuk e di nëse do të jetë i pranishëm në takimin e 27 qershorit në Uashington, ku do të takohen delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë. Ai po ashtu tha se përparimi i Kosovës në rrugën evropian bëhet vetëm përmes BE-së.

Takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është paralajmëruar nga i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Lajçak tha se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ka qenë i vazhdueshëm, por ka vënë pikëpyetje nëse do të jetë i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Deri sot, nuk e di. Por ajo që di është se Bashkimi Evropian ka punuar shumë afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që është arritur në dialog, është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të dëshiroja që të vazhdonim dhe shpresoj që do të kemi komunikim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në”, tha Lajçak.

Ai shtoi se do të shkojë edhe në Beograd, për të biseduar me autoritetet e atjeshme, në mënyrë që të fillojnë përgatitjet për procesin e dialogut dhe të organizohet së shpejt një takim në Bruksel.

Thaçi: Besojmë në angazhimet e administratës amerikane

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se gjatë takimit me Lajçakun, ia ka bërë të qartë pozicionin zyrtar të Kosovës, sa i përket dialogut.

“I konfirmova pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës në këtë proces edhe zotit Lajçak, është se ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave, ndërsa duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. E ardhmja e Kosovës është e sigurt vetëm duke qenë pjesë e perspektivës evropiane, konkrete. Natyrisht që në këtë drejtim ne do të punojmë ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara që të lëvizim më shpejt, më mirë drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, të gjitha përpjekjet që çojnë drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, janë të mirëseardhura, duke shtuar se koordinimi mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së mund të sjellë të mira për Kosovën e Serbinë si dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne besojmë në angazhimet e sinqerta të administratës amerikane. Në fund të fundit, për ne është me rëndësi jetike – besoj që edhe do të ndodhë – që edhe SHBA-ja dhe BE-ja do të kenë një koordinim të suksesshëm si partnerë strategjikë, për Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Thaçi.

Osmani: S’ka negociata për territorin e Kosovës

Përfaqësuesi i BE-së, Lajçak u takua edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani tha se kishte një takim konstruktiv me të dërguarin e BE-së dhe potencoi që vetëm Qeveria e Kosovës duhet ta përfaqësojë Kosovën në procesin e dialogut.

“Natyrisht që në emër të Kuvendit të Kosovës, shpreha gatishmërinë tonë që si kuvend të luajmë një rol sa më të fuqishëm mbikëqyrës mbi qeverinë e cila është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Potencova sërish që presim që ky dialog të jetë mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim në qoftë se përfundon me njohje të ndërsjellë”, tha Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të diskutohet për territorin e Kosovës. Ajo theksoi se kuvendi tashmë ka miratuar legjislacione që kërkojnë që Kosova në bisedime të mos flasë për territorin dhe sovranitetin.

“Ato përcaktojnë qartë se nuk ka negocim për territorin e Kosovës, nuk ka negocim për sovranitetin e vendit dhe nuk ka negocim të rendit tonë të brendshëm kushtetues. Këto duhet të jenë tri parimet mbi të cilat ndërtohet procesi negociues, përndryshe do të prodhonte një rezultat që do të ishte i paimplementueshëm në terren”, tha Osmani.

Ndërkaq, Lajçak tha se ka njoftuar Osmanin për planet që ka BE-ja për dialogun.

“Roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm dhe u pajtuam që ky proces të jetë transparent”, u shpreh Lajçak.

Hoti: Të gatshëm për dialog

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, tha se e ka informuar atë për qasjen e qeverisë ndaj dialogut, i cili duhet përfundimisht të përmbyllë një marrëveshje dhe çështjet e hapura që Kosova ka me Serbinë.

Ai tha që dialogu duhet të çojë te njohja reciproke dhe t’i hapë Kosovës perspektivën e integrimeve evropiane.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe për Serbinë, për qytetarët e të dy vendeve, por është e rëndësishme edhe për gjithë rajonin dhe për stabilitetin e tërësishëm të Bashkimit Evropian. Vendi ynë është brenda BE-së dhe unë jam shumë i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i tregoi dhe i shfaqi para nesh, për përkushtimin e tij për këtë proces, n emër të 27 vendeve të BE-së”, tha Hoti.

Ai shtoi se pret që së bashku me gjithë qeverinë sa më parë të angazhohet në këtë proces, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqeje me Serbinë dhe të mbyllet një kapitull i rëndësishëm ndërmjet dy vendeve dhe të sigurohet perspektiva euro-integruese.

“Unë i tregova dhe shfaqa gjithë interesimin dhe gatishmërinë tonë për të hyrë në këtë proces. Jemi përgatitur, e kemi qartësuar platformën tonë, jemi duke zhvilluar konsultime për të përfshirë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet, në përputhje me kompetencat që ka secili prej institucioneve të vendit karshi këtij procesi”, theksoi Hoti.

Rruga e Kosovës drejt BE-së, “përmes normalizimit të raporteve me Serbinë”

Pas takimit me kryeministrin Hoti, Lajçak tha se rruga evropiane nuk mund të trasohet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evropian.

Në këtë drejtim, ai tha se edhe në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë eksplicite thuhet se përparimi i Kosovës drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Dua po ashtu të theksoj se rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo gjë është thënë edhe në mënyrë eksplicite në rezolutën e vitit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që është bazë e këtij dialogut. Unë dua që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evropian. Prandaj, BE-ja është e gatshme për të ndihmuar, për të hapur të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Lajçak, duke shtuar se e ka ftuar Hotin për bisedime në Bruksel

Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Kosovë, që prej se në prill u emërua i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Kjo masë u zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Në tetor të vitit 2019, SHBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.(*Kortezi Evropa e Lire)

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove Serbi, Lajcak

Trenat jo më simbole dhimbjeje…

June 12, 2020 by dgreca

Trenat jo më simbole dhimbjeje, por të lidhjes ndërmjet popujve/

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani vizituan Trenin e Eksodit në Bllacë/

Osmani: Trenat jo më simbole dhimbjeje, por të lidhjes ndërmjet popujve/

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Paqes, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, e shoqëruar nga zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, kanë vizituar Trenin e Eksodit në Bllacë.

Kryeparlamentarja Osmani, në një ekspoze të shkurtër ka rikujtuar sakrificën e luftën e brezave të tërë për lirinë e Kosovës dhe ka falenderuar shtetet mike që e ndihmuan Kosovën në ditët e vështira. Nga Bllaca, kryetarja Osmani përqoi mesazhin e paqes.

 “Mesazhi që duam ta përçojmë sot nga këtu, në radhë të parë është mesazh i paqes, për ta kuptuar se sa e rëndësishme është për secilin qytetar të Kosovës që sot 21 vjet pas ndihmës që na dhanë aleatët tanë, ne jetojmë në paqe dhe jetojmë të lirë”, ka thënë zonja Osmani. Ajo tha se nevojitet bashkëpunimi rajonal ndërmjet të të dy shteteve.

 “Mesazhi i dytë është i bashkëpunimit rajonal, sepse pikërisht në kohët më të rënda mbi 1 milion qytetarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan qoftë në Maqedoninë e Veriut, qoftë në Shqipëri, Mal të Zi, në vende të tjera të BE-së, në ShBA, e deri në Zelandë të Re”, ka theksuar Osmani.

Në këtë kontekst ka falenderuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të cilët hapën dyert për kosovarët e dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre nga forcat jugosllave e serbe më 1999.

 “Duam të falenderojmë secilën shtëpi që na hapi derën dhe nuk na lanë vetë në orët më të rënda. Dhe së fundi të bëjmë thirrje që trenat si ky prapa të mos jenë më simbole të dhimbjes siç ishin në vitin 1999, kur u dëbuan gati të gjithë qytetarët tanë, por të kthehen në simbole të lidhjes ndërmjet popujve”, është shprehur zonja Osmani.

Ndërkaq zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se 12 Qershori- Dita e Paqes është simbol i lirisë dhe drejtësisë.

 “Kjo ditë shënon përfundimin e gjenocidit në Kosovë por edhe na lidh dy vendeve, sepse forcat e para të NATO-s hynë nga territori i Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende pa asnjë çështje të hapur, me histori të përbashkët dhe me synim të përbashkët anëtarësimin në NATO dhe BE.

Ndërkaq kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, pasi që përmendi rëndësinë e 12 Qershorit dhe ndihmën e shteteve mike për lirinë e Kosovës, falënderoi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët strehuan mijëra familje kosovare gjatë luftës së fundit.​

Filed Under: Kronike Tagged With: simbole jo dhimbjeje, trenat

Veseli nga Prizreni: Nga sot nisim punën për largimin e qeverive të mashtrimit dhe kthimin e PDK-së në krye të shtetit

June 10, 2020 by dgreca

Prizren, 10 Qershor 2020-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë sot nga Prizreni se vetëm partia që ai drejton mund ta bëj rimëkëmbjen kombëtare për shqiptarët.


Në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lideri i PDK-së ka zhvendosur lidershipin e partisë në kryeqytetin historik nga ku ka shpalosur vizionin e ri të PDK-së.
“Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve”, tha Veseli.


“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë”, tha Veseli.
Ai tha se në takim me Kryesinë qendrore të PDK në Prizren, po e fillon ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës së rimëkëmbjes kombëtare.
“Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë”, deklaroi Veseli.
Ai tha se në qeverisjen e kaluar PDK ka lidhur Prizrenin me Tiranën përmes autostradës së Kombit, ndërsa u zotua se në mandatin e ardhshëm do ta lidhë Prizrenin me Tetovën.
Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:
Sot shënojmë me krenari 142-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizimit patriotik e politik mbarë-kombëtar, që sendërtoi kërkesat e shqiptarëve për një shtet të pavarur e bashkim të trojeve shqiptare kudo.
Nderojmë e kujtojmë me krenari këtë kryevepër historike shqiptare dhe udhëheqësit themelues të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin, që e nisën fushatën politike e ushtarake për një rimëkëmbje gjithëshqiptare.
Ndërtesa që vizituam më parë – është tempull i shqiptarizmit. Nga këtu, ne duhet ta gjejmë çdoherë frymëzimin për të ecur përpara të bashkuar.
Sot, po ashtu, me krenari shënojmë 21-vjetorin e fundit të sundimit serb, përkatësisht ditën e nënshkrimit të kapitullimit të Serbisë agresore, që pas gati një shekulli i hapi rrugë lirisë së merituar të shqiptarëve.
Falë sakrificës heroike të popullit të Kosovës, jetës së mijëra vajzave dhe djemve, grave dhe burrave, e në veçanti falë organizatës ushtarake-politike më të denjë pasardhëse të LSHP-së, e kalitur në sfidat e rënda të luftës për liri dhe triumfuese: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Falë edhe SHBA-ve dhe aleatëve tanë perëndimorë.
28 nëntor 1912 dhe 17 shkurti 2008, pas 10 qershorit 1878 dhe pas 10 qershorit 1999, janë dy momente historike unike për shqiptarët, që simbolizojnë dy histori të ndara padrejtësisht të shqiptareve, por dhe dy krenari të suksesit të tyre, që askush nuk ka të drejtë t’i paragjykojë, sulmojë dhe as cenojë për asnjë synim ose arsye.
Këto ngjarje historike dhe projekte politike as nuk përfaqësohen, e as nuk mbahen me simbolika, por jetësohen me veprime dhe vendime konkrete.
Bashkëpunimi dhe përafrimi i pandalshëm me Shqipërinë ka qenë dhe është busulla jonë kombëtare.
Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve.
Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare.
Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë.
Sot, nga Prizreni, ku kam mbledhur edhe Kryesinë e partisë për një takim të gjatë pune, si Kryetar i PDK-së po e filloj ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës sonë të rimëkëmbjes kombëtare.
Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë.
Angazhimi ynë është për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo, mos-cenimin e kufijve të Kosovës, ruajtjen e lirisë dhe mbrojtjen e vlerave çlirimtare të popullit tonë.
Do ta sanksionojmë me ligj çfarëdo cenimi të këtyre vlerave historike dhe luftën e drejtë të UÇK-së.
Do të dënohet mohimi i krimeve të kryera nga Serbia dhe do të punojmë për të kërkuar drejtësi për çdo të vrarë e të zhdukur në Kosovë.
Do ta shënojmë dhimbjen tonë historike me muze dhe përkujtimore, ndërkohë që kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës ligjin për vlerat e luftës.
Orientimi ynë është djathtist, që promovon të drejtat dhe liritë qytetare dhe lufton për to.
Ekonomia e konkurrencës është princip bazë i angazhimit tonë. Më pak fuqi Qeverisë dhe politikanëve, e më shumë fuqi ndërmarrëseve dhe të rinjve.
Më pak burokraci në vendimmarrje, më pak procedura dhe më pak tatime. Më shumë përkrahje prodhimit, eksportit dhe punësimit.
Ky do të jetë angazhimi im dhe i PDK-së.
Mposhtja e së keqes është domosdoshmëri.
Korrupsioni, abuzimi, mashtrimi duhet të ndalen dhe do t’i ndalim.
E kam filluar nga brenda dhe do ta çrrënjos deri në fund në tërë Kosovën.
Procesi i Vetingut për ndjekur e dënuar çdo të korruptuar dhe uzurpator të pronave publike, nuk është akt deklarativ, siç ka menduar qeverisja e mashtrimit.
Duhet dhe do të jetë platformë e përgjithshme që do ta luftojë krimin.
Siguria e sotme dhe e nesërme për Kosovën është jetike. Do të angazhohemi që Ushtria e Kosovës, si pasardhëse e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të rritet, profesionalizohet dhe bëhet pjesë e NATO-së. Krahas sigurisë, do të punojmë çdo ditë për barazi e drejtësi për secilin qytetar. Shanse të barabarta për të gjithë.
PDK është në opozitë.
Do t’i mbrojë qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi, ndërsa asnjëherë nuk do t’i ikë përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare.
Me qëndrimin në opozitë, ne duam të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve dhe votueseve tanë.
Qeveria Hoti e ka të trashëguar virusin e mashtrimit të Qeverisë Kurti.
Këtë pandemi politike do ta ndalë vetëm PDK.
Ne do të jemi opozitë për t’i hapur një derë të re një epoke të madhe të shqiptarëve.
Njerëz të rinj dhe ide të reja – do të jenë themel i projektit tim të ri me PDK-në për Kosovën!
PDK do të angazhohet për një Qeveri të vogël, por në funksion të rritjes së madhe te mirëqenies ekonomike, punësimit e cilësisë më të madh në arsim.
Së shpejti do të iniciojmë në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë.
Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk e kemi përmbyllur këtë proces.
E kemi obligim moral e shtetëror t’i njohim sakrificat e atyre që u ndoqën dhe u vranë nga regjimi komunist jugosllav.
PDK do të angazhohet për drejtësi për mijëra viktima të pafajshme.

Sot vizitova edhe ish ndërtesën e burgut në Prizren, të ngritur në vitin 1945, ku vuajtën e vdiqën qindra nacionalistë sikurse Halim Spahia, Marije Shllaku, At Bernard Llupi, e shumë shqiptarë të tjerë. Asnjëherë nuk guxojmë të harrojmë vuajtjet tona për liri, duhet shënuar e respektuar me dinjitet nga qytetarët dhe shteti.
Ky burg tani e tutje do të shndërrohet në muzeun e kujtesës të krimeve të komunizmit.
Unë do të angazhohem që procesi i memorizimit të së kaluarës tonë historike të rregullohet e mbrohet me ligj.
Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Prizreni e simbolizon më së miri këtë.
Me Shqipërinë kurrë nuk do të mbyllen më kufijtë.
Me shtetin që përfaqëson gjysmën e kombit tonë, ne do të lëvizim me një agjendë të përbashkët mbarë-shqiptare të heqjes së barrierave ekonomike, tregtare dhe do lëvizim me projekte të përbashkëta afrimi, e jo ndarje e bllokimi. Duhet unifikimi i taksave dhe politikave doganore, po ashtu qëndrime strategjike unike.
Na duhet bashkim forcash e idesh për ta çuar përpara agjendën integruese ndër-shqiptare dhe atë evropiane.
Të dashur qytetarë,
Sot jemi në kryeqytetin historik të shqiptarëve – i shpallur edhe në Kuvendin e Kosovës, në qytetin e bukur të lirisë dhe tolerancës, ku bashkëjetojnë pa dallim etnie dhe feje të gjithë.
Qytetin universitar të mendimtarit të madh Ukshin Hoti.
Edhe pak, nisin ditët e rëndësishme të çlirimit tonë. Nuk mund të vështrojmë prapa e të kënaqemi, por as nuk mund të pranojmë që mashtruesit të hedhin baltë mbi 21 vjet liri e krenari.
Nuk mund t’i pranojmë mashtrimet e atyre që premtojnë shumë dhe dështojnë gjithçka.
Shembulli tipik i kësaj është ky qytet i bukur, që duke u qeverisur me papërgjegjshmëri dhe korrupsion, ka ngufatur qytetarët dhe qytetin.
Ky qytet ka humbur 3 vjet nga keq-qeverisja e koalicionit të mashtrimit VV-LDK.
Fatkeqësisht, shumë korrupsion e hajni, dëmtim të zonës historike, e të potencialit të turizmit.
Ky koalicion mashtrimi, që braktisi qytetarët në Prizren këto ditë, e ndoqi shembullin e qeverisë 100-ditëshe të mashtrimit e status quos-së VV e LDK në qendër.
Këta nuk meritojnë më votë dhe duhet të ndëshkohen. Prizreni, si gjithë Kosova, meriton më shumë dhe më mirë. Vetëm PDK mund ta bëjë këtë.
Ne ishim partia që e themeluam Universitetin e Prizrenit, ku sot vijojnë studimet mbi 15 mijë të rinj e të reja nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.
E shndërruam në qytet të pastër, mbrojtëm me ligj zonën historike dhe e kthyem në atraksion turistik.
Ne arritëm ta përmbyllim gjatë qeverisjes sonë autostradën kombëtare, duke e shndërruar Prizrenin në qytetin më të rëndësishëm mes Prishtinës e Tiranës.
Tani është koha ta lidhim gjatë qeverisjes së ardhshme të PDK-së edhe me Tetovën.
Premtime për autostradë me Tetovën nga Prizreni keni dëgjuar gjatë fushatës nga një parti që thirret në ngjyrat kuq e zi, por kurrë nuk e përmendi kur erdhi në pushtet. Madje, as që planifikoi buxhet për të, siç kishte premtuar.
Vitin e ardhshëm do t’ia kthejmë Prizrenit qeverisjen e PDK-së, ashtu si dhe gjithë Kosovës, me përkrahjen e madhe qytetare dhe do të qeverisim me njerëzit më profesionistë dhe më të mirë.
Nuk ka kthim prapa. Ka vetëm fitore dhe ecje përpara.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kadri Veseli, Prizren

SHBA-ja pret rinisje të shpejtë të dialogut, qëllimi final njohja e plotë

June 8, 2020 by dgreca

Me reciprocitetin e larguar në fundjavë dhe me fushatën aktive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, synohet t’u jepet intensitet veprimeve në rinisjen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje finale. Por mbetet e paqartë se kush do ta ndërmjetësojë rikthimin e palëve në tryezë- Brukseli apo Washingtoni.

Pavarësisht veprimeve të Serbisë dhe deklaratave kundër Kosovës, për Shtetet e Bashkuara njohja e plotë është ajo që duhet synuar në fazën përfundimtare të dialogut, ka shkruar sot gazeta”Koha” ne Kosove.

Gazeta ka pyetur në zyrën e Richard Grenellit, që është emisar i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, nëse është duke u përgatitur mbajtja e ndonjë takimi dhe kohën kur mund të ndodhë kjo, por kanë sugjeruar që për këtë të pyetet Ambasada e këtij shteti në Prishtinë. Në përgjigjen e Ambasadës amerikane të dielën nuk kanë saktësuar ndonjë datë, vetëm kanë thënë se presin që dialogu të rinisë sa më shpejt. Po ashtu, kanë treguar se cili është interesi më i mirë për të dyja palët.

“Ne e mirëpresim vendimin e Qeverisë për heqjen e të gjitha masave të ndërmarra kundër Serbisë dhe tani presim që dialogu të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Njohja e plotë është në interesin më të mirë të Kosovës dhe të rajonit, për të siguruar kështu stabilitet dhe përparim ekonomik”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane dërguar gazetës.

Shtetet e Bashkuara, që janë përfshirë aktivisht në dialog, e kanë lënë në dorën e Kosovës dhe të Serbisë që të arrijnë zgjidhjen që duan. Me ndërmjetësimin e emisarit të presidentit Trump, ambasadorit Richard Grenell, deri tani janë nënshkruar edhe disa marrëveshje që prekin linja hekurudhore dhe ajrore.

Edhe njohësi i çështjes së Ballkanit, Daniel Serwer, ka parashikuar ndezje të motorëve në funksion të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Filed Under: Kronike Tagged With: rinisja e dialogut, Serbi

Kosova, falënderime për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

June 7, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës, sot mbajti mbledhjen katërt, shpreh falënderimet për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve të MCC-së, të Korporatave të Sfidave të Mijëvjeçarit/

PRISHTINË, 7 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh falënderimet për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve të MCC-së, të Korporatave të Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Një shumë e konsiderueshme e mjeteve që shkon nga 150 deri më 200 milionë euro tani vazhdojnë të shpenzohen nëpër projekte specifike në dy shtyllat e këtij programi. Besoj se është në interes edhe për kabinetin edhe për qytetarët që të informohen për këtë dhe të shpreh falënderimet tona për këtë mbështetje që vjen në ditët e para të qeverisë së re”, tha kryeministri Avdullah Hoti duke shprehur falënderimet në emër të Qeverisë së Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme, të katërt, të  rregullt.

Shtylla e parë e këtij programi, vijoi kryeministri Hoti, është marrëveshja që quhet e pragut, në vlerë prej 49 milionë dollarësh, të cilat mjete investohen nga korriku i këtij viti, pra brenda 2 muajve, ku përfshihen investime në 3000 shtëpi, kryesisht shtëpi të shtresave me të ardhura më të ulëta, për përmirësimin e kushteve të banimit sa i përket mbrojtjes së energjisë, pastaj renovimin e objekteve banesore të mëdha në gjashtë komuna, në Prishtinë, ku janë përfshirë “ndërtesat e soliterave” në Ulpianë, në Mitrovicë, Gjakovë, Lipjan, Graçanicë dhe Viti.

Janë gjithashtu stipendione të plota për 28 gra kosovare që studiojnë në Amerikë, janë paga të plota për 200 gra që punojnë në sektorin e energjisë, janë rreth 2 milionë dollarë që jepen për grante për biznese të grave dhe një pjesë e mjeteve shfrytëzohet për të promovuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit dhe të transparencës duke investuar në digjitalizimin e gjykatave.

Po ashtu, kryeministri Hoti njoftoi se pjesë e dytë e këtij programi është Marrëveshja Kompakt që quhet, që është duke u negociuar në këtë moment nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Amerikane, e që do të ketë vlerë disa fish më të madhe, sesa pjesa e parë.

“Besoj se shuma që do të ndahet për këtë pjesë do të përcaktohet në verën e këtij viti nga Bordi i MCC-së, i cili udhëhiqet nga Sekretari Pompeo. Projekti kryesor në këtë pjesë është gazpërçuesi që e lidh Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit që e diversifikon peizazhin energjetik të Kosovës dhe gjithë ekonominë e Kosovës në fakt, që është projekt i rëndësisë gjeostrategjike në mbështetje nga pala amerikane”, tha kryeministri Hoti, duke falënderuar Qeverinë Amerikane për këtë hap të shpejtë.      

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, falenderime SHBA, qeveria e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT