• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ferit Vokopola, mistiku i pavarësisë, i fjalës dhe i besimit, zëri dhe përkushtimi i zellshëm i shpirtit kombëtar

August 18, 2025 by s p

Albert Vataj/

Në horizontin e historisë sonë kombëtare, asaj shtjelle të rrapëllimshme që udhëpriu ekzistencën tonë nga një luftë në tjetrën, nga një trazim në një tjetër mosdakordësi, nga poterisjes së disa zërave dhe kushtrimit të rrënjëve dhe gurëve të kësaj topke të vaditur me gjak e me lot , disa figura nuk shfaqen me zhurmë e ambicie, por me një dritë të brendshme që i bën të qëndrojnë të patrazuara, përtej stuhive politike dhe shurdhësisë së kohës. Një prej tyre është Ferit Vokopola, i lindur më 18 gusht 1887 në Vokopolë të Beratit, firmëtar i Pavarësisë, poet dhe mendimtar mistik, që jetën e tij e bëri udhëtim midis dy dimensioneve të atdheut dhe besimit, rrugët prejnga ne do të gjenim përmbushjen e amanetit të të parëve dhe të hidhnim themelet e premtimit për gjeneratat.

Të quhesh “shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur” nuk ka qenë kurrë një etiketë e lehtë, por një provë e vështirë që shpesh të vinte në kalvar. Ferit Vokopola e dëshmoi këtë jo me retorikë, por me vepërm me sprovën e dëshmimit personal, përballë rrëmeteve, çarjeve dhe lëkundjeve sizmike të kohës. Ai ishte një shembull i rrallë i asaj bashkësie të heshtur njerëzish që e mbanin peshën e kombit mbi shpatulla, pa kërkuar shpërblim dhe pa bërë kompromis me lirinë e vet morale.

Dy burime fryme ushqenin qenien e tij, ishte mistika e atdheut dhe mistika e besimit, një rrugë e misticizmit të shpirtit që fton në zgjim çdo forcë dhe energji, çdo parim dhe ambicie, për t’i shndërruar në gurë të themeleve të asaj lartësie ku përkushtimi kërkojnë të ngrenë përjetësinë. Nga njëra anë, si pasardhës i shehlerëve rufai, ai e shijonte thellësinë e sufizmit, duke i dhënë shqipes një përkthim të pastër dhe poetik të Kuranit, por edhe duke i dhënë mendimit islam shqiptar një dimension akademik e kritik. Nga ana tjetër, si bir i Rilindjes, ai mori prej brezit të burrështetasve shqiptarë një vokacion të pashuar për shërbimin ndaj kombit dhe shtetit, një përkushtim që kufizohej me sakralitetin.

Në këtë sintezë të rrallë, Vokopola kuptoi se feja dhe shteti duhej të qëndronin të dallueshëm, por gjithsesi të ndërvarur në shërbim të së mirës së përbashkët. Ishte besimtar i devotshëm, por mbi të gjitha ishte i ndërgjegjshëm se qytetari i lirë dhe kombi i fortë janë po aq amanet sa besimi vetë. Kur i dhanë poste ministrore, nuk i shndërroi në stolí karriere, por i mbajti dhe i la pas pa dramë e pazare, duke dëshmuar se politika është vetëm një mjet shërbimi dhe jo një altar ku shiten ndërgjegje. Kështu fitoi respektin e atyre që e njihnin, edhe pse nuk i përkiste asnjë kaste pushteti. Ishte i urtë, rigoroz, i sjellshëm deri në finesë, dhe kultura e tij rrezatonte si një fisnikëri natyrore që nuk kishte nevojë për tituj apo privilegje.

Si poet dhe publicist, ai mbeti i përkorë. Shkroi pak, por thellë. Përktheu shumë, por me kujdes që fjala e huaj të shndërrohej në gjuhë të pastër shqipe. Në vargjet e tij gërshetohej një frymë filozofike e mistike, që e nxirrte lexuesin nga kufijtë e një poezie kombëtare klasike dhe e ngjiste drejt një përjetimi shpirtëror universal. Ferit Vokopola nuk është vetëm një firmëtar i aktit të Pavarësisë, por edhe një firmëtar i heshtur i shpirtit shqiptar. Në një kohë kur historia shpesh e shurdhonte virtytin, ai u bë zë i maturisë dhe i thellësisë, duke dëshmuar se të jesh shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur është një akt jo vetëm i rrallë, por edhe i përjetshëm.

Nga rilindësit mori vokacionin e shërbimit ndaj kombit dhe shtetit, një vokacion që e ktheu në përkushtim pothuaj fetar. Në këtë sintezë, ai i kuptoi feja dhe shteti si dy fusha të dallueshme, por me një mision të përbashkët: njeriun dhe të mirën e tij. Në poezinë e tij ai u bë zë i një mistike të re shqipe, ku fjalët nuk ishin vetëm vargje, por dritare që hapeshin mbi amshimin.

Në një nga vargjet e tij më të njohura ai shkruan: “Në zemrën time ka vend vetëm për dashuri,/ dhe dashuria është dritë që nuk shuhet kurrë.”

Ky varg, i thjeshtë në dukje, bart esencën e mendimit të tij mistik: dashuria si qendër e qenies dhe si urë mes njeriut dhe Hyjnores, mes individit dhe Atdheut.

Në një tjetër shkrim poetik ai pohonte: “Njeriu është një udhëtar i përkohshëm,/ por shpirti është një dritë që kërkon përjetësinë.” Një varg që tingëllon si amanet filozofik dhe si bekim shpirtëror për një komb që në ato vite kërkonte vetë përjetësinë e tij nëpërmjet shtetit të pavarur.

Si publicist, Vokopola mbeti gjithnjë i matur, por mendimet e tij përkthejnë një mendje të thellë. Ai nuk bëri karrierë mbi politikën, edhe pse mbajti poste ministrore; për të politika ishte detyrë, jo stoli. I mbajti ato, i dorëzoi pa dramë e pazare, duke dhënë një shembull të rrallë të integritetit. Në fund, Vokopola mbetet një poet i mistikës shqiptare dhe një firmëtar i shpirtit kombëtar.

Filed Under: Kronike

Kryengritja e Fierit e 14 gushtit 1935

August 14, 2025 by s p

Ilirjan Gjika/

Në periudhën midis dy luftërave botërore të gjitha vendet e Ballkanit u karakterizuan nga paqëndrueshmëria politike dhe lufta për pushtet midis grupeve të ndryshme. Kështu në Greqi, ndodhi konflikti i ashpër midis republikanëve dhe monarkistëve që vazhdoi për më shumë se një dekadë. Nga ana tjetër Jugosllavia, njohu përplasjet ndëretnike midis grupit serb dhe atij kroato-slloven. Bullgaria dhe Rumania patën përballje midis të majtës dhe të djathtës. Ndërsa në Shqipëri situata paraqitej paksa ndryshe. Pas paqëndrueshmërisë politike të viteve 1920-1924 gjatë së cilës u ndërruan 12 qeveri, si dhe kryengritjes së qershorit 1924, u vendos së fundmi stabiliteti politik. Ai vijoi përgjatë viteve 1925-1939, kohë që njihet nga historia jonë si, periudha e drejtimit politik të Ahmet Zogut. Në këtë etapë për herë të parë në jetën e tij u bë edhe konsolidimi i shtetit shqiptar. Duke u bazuar te këto zhvillime, historianët theksojnë se, fillimisht si president dhe më pas si mbret, Zogu, u përpoq t’i jepte vendit rend, qetësi dhe stabilitet. Arritje të rëndësishme u bënë në shumë fusha, ku shteti shqiptar kishte: monedhën e tij, pushtet gjyqësor, legjislacion bashkëkohor, administratë efektive, arsim fillor falas, lëvizje të lirë brenda dhe jashtë vendit, etj. Gjithashtu Shqipëria e asaj kohe kishte një orientim perëndimor ku garantohej e drejta e jetës, pronës, barazia përpara ligjit, e drejta e besimit fetar, etj. Ndërkohë ekzistonin edhe probleme të tilla si: mungesa e pluralizmit politik, demokracisë, censura mbi shtypin apo përndjekja e kundërshtarëve të regjimit. Por në aspektin ekonomik mungonin strategjitë e qeverive për zhvillimin e mirëfilltë të ekonomisë, ku disa probleme kryesore ishin ai i tokës, i prodhimit të drithërave, përhapja e fajdesë dhe një prapambetje e përgjithshme. Këtyre problemeve i shtohej edhe ekzistenca e një opozite politike jashtë dhe brenda vendit. Ajo zhvillonte jo vetëm një propagandë ta fuqishme kundër regjimit në emigracion, por ndërmerrte herë pas here dhe veprime të armatosura. Të tilla ishin atentati ndaj Zogut në Vjenë (1931), komploti i organizatës së fshehtë të Vlorës (1931-32), kryengritja e Fierit (1935), si dhe lëvizja e Delvinës e vitit 1937. Gjithsesi të gjitha këto veprime nuk e kërcënuan seriozisht stabilitetin politik, megjithëse e rrezikuan ndjeshëm regjimin e kohës. E tillë ishte edhe Kryengritja e Fierit e 14 gushtit të vitit 1935 e cila ishte përpjekja më serioze për rrëzimin e regjimit politik.

2
Në pranverën e vitit 1934, në Tiranë, u formua “Organizata e Fshehtë” e cila ngriti degët e saj në disa qytete të vendit. Ajo përfaqësonte njerëz me formim të ndryshëm politik të cilët vinin nga shtresa të ndryshme shoqërore si: ushtarakë, ish ushtarakë, nëpunës, tregtarë, pronarë të mëdhenj tokash, intelektualë, mësues, të rinj me prirje revolucionare, etj. Të gjithë këta persona kishin bindje të ndryshme politike, të tilla si republikane, nacionaliste apo komuniste. Një pjesë e madhe e tyre ishin njerëz që ishin prekur nga reformat shtetërore të ndërmarra nga regjimi i Zogut dhe kërkonin përmbysje të tij dhe shpalljen e republikës. ‘’Si president i republikës së re (monarkinë pjesëtarët e komplotit përgatiteshin për ta eleminuar), ishte vendosur të vihej Nuredim Vlora, përfaqësues i një prej familjeve të parisë shqiptare…’’, thekson për qëllimet e Organizatës së Fshehtë, historiania ruse Nina Smirnova (Smirnova N, 2004: 185-186).
Ndërsa, pjesa tjetër e organizatës kërkonte që pasi të merrte pushtetin t’i imponohej mbretit, që të shpallte pluralizmin politik dhe të largonte ndikimin italian nga Shqipëria. Organizata e Fshehtë drejtohej nga Ali Shefqet Shkupi, ish oficer i lartë i nxjerrë në lirim dhe kishte vendosur të realizonte një kryengritje, duke u bazuar te një grusht shteti që do të ndërmerrej nga segmente të ushtrisë, i cili do të kombinohej edhe me veprime kryengritëse të forcave civile. Për këtë qëllim, organizata, ngriti degët e saj në disa qytete dhe krahina të vendit si: Tiranë, Durrës, Shijak, Elbasan, Peqin, Berat, Lushnje, Fier, Mallakastër dhe Skrapar. E ndërsa ajo bënte përgatitjet, strukturat e specializuara të shtetit, ranë në gjurmët e saj, gjë që e nguti organizatën ta niste kryengritjen përpara kohe (Belegu M, 1987: 82-85). Në këtë mënyrë ajo nuk e organizoi si duhet kryengritjen duke e shpërthyer atë vetëm në Fier dhe Skrapar. Por le të kthehemi tek Fieri, në të cilin funksiononte dega lokale e Organizatës së Fshehtë. Autori Mentar Belegu, te libri i tij ‘’Kryengritja Antizogiste e Fierit’’, pavarësisht trajtimit të kësaj ngjarjeje sipas një këndvështrimi të njëanshëm, karakteristikë e botimeve të periudhës së komunizmit na jep këto të dhëna. Sipas tij, grupi i Fierit, përbëhej nga Hekuran Maneku, Mustafa Kaçaçi, Zenel Hekali, Musa Kranja, Dervish Hekali, Jashar e Namik Cakrani, Abdurrahman Zelka dhe Xhevahir Abazi (Belegu M, 1987: 72, 75). Por ndryshe nga degët e tjera të Organizatës së Fshehtë, ky grup ju vu punës, duke ngritur strukturat përkatëse dhe rekrutuar njerëzit për kryengritjen e armatosur (Emiri H, 2001: 165: 168-169). Në bazë të punës së zhvilluar dhe organizimit të mire, ai ishte i pari që nisi revoltën, duke dhënë sinjalin e kryengritjes. Për këtë qëllim e mërkura e 14 gushtit ishtë një ditë optimale, pasi në Fier zhvillohej pazari lokal dhe grumbullimi i njerëzve nuk do të binte në sy. Nga dëshmitë që kanë lënë disa nga protagonistët pjesmarrës në këtë ngjarje, kryengritja, u drejtua nga nëntoger Musa Kranja, zëvendëskomandant i xhandarmërisë së Fierit. Ato së bashku me të dhëna të tjera të hollësishme rreth kësaj ngjarjeje të pjesmarrësve Jakov Milaj, Ramiz Omari apo Xhevahir Abazi (Arapi), i gjejmë në librin e autorit Hysen Emiri: ‘’Historia e Fierit’’, botuar në vitin 2001. Sipas tyre, në orën 14: 30, Kranja, mblodhi njerëzit e grumbulluar së bashku me 11 xhandarët e postës së Fierit dhe hapi depon ushtarake të garnizonit duke shpërndarë armët që ndodheshin aty. Sipas kujtimeve të, Ramiz Omarit, me to u armatosën civilët e ardhur nga fshatrat e Fierit dhe Mallakastrës (Emiri H, 2001: 185-186). Më pas veprimet vijuan me arrestimin e nënprefektit Hasan Lame, i cili sapo ishte informuar dhe po përgatitej për tu nisur që të informonte Tiranën. Arrestimi i tij u bë nga Musa Kranja, në ambientet e godinës së nenprefektures (Emiri H, 2001: 168). Duke cituar Dr. Jakov Milajn, Emiri, shkruan se kryengritësit morën masat e para duke shpallur shtetrrethimin. U ndalua dalja e makinave jashtë qytetit, u ndërprenë lidhjet telefonike dhe telegrafike me qytetet e tjera. Veprime të mëtejshme për të marrë autoritetin ishin edhe mbledhja në nënprefekturë ku u krijua Komisionit Administrativ i drejtuar nga Spiro Papa. Për të drejtuar bashkine u zgjodh drejtues Ramiz Omari, kurse komandat i vendit u caktua, Hekuran Maneku, i cili krijoi patrullat që do të ruanin qetësinë dhe rendin. Pas këtyre veprimeve filloi në sheshin përpara bashkisë mitingu. 

‘’Në ballkon të bashkisë doli komisioni administrativ, Musa Kranja dhe pas tij folën Kost Çekrezi (i ardhur para dy ditësh me Musain nga Tirana), Zenel Hekali dhe të tjerë’’, thekson Jakov Milaj rreth këtij zhvillimi (Emiri H, 2001: 153-190). Kost Çekrezi njoftoi pjesmarrësit se në Tiranë pushteti i Zogut kishte rënë dhe se qeveria e re e kishte dërguar atë në Fier si përfaqësues të saj. Ndërkohë në këtë momemt mbërriti me makinën e tij gjenerali Leon De Gilardi, figura e tretë e hierarkisë ushtarake shqiptare. Gjenerali u ndodh rastësisht dhe ndaloi automobilin të shihte se ç’po ndodhte (Fischer. J. B, :255). Ai po udhëtonte nga Berati për në Fier me destinacion Apoloninë, ku ishte ftuar nga arkeologu Leon Rei, drejtues i misionit arkeologjik francez. ‘’Gjenerali ishte rrugës për në Apoloni, ku e prisja për drekë dhe unë u habita kur mora vesh lajmin e vrasjes të nesërmen në mëngjes’’. Kështu shkruan Leon Rei në ditarin e tij për vrasjen e gjeneral Gilardit atë ditë të 14 gushtit 1935 (Rei L, 2012: 98). I shoqëruar nga shoferi, gjenerali, ndaloi përpara turmës, e cila e ekzaltuar ishte mbledhur në manifestimin ku po shpallej kryengritja dhe rrëzimi i monarkisë. Në momentin kur makina ndaloi përpara saj u shfaqën dy xhandarë: Xhevair Abazi dhe Myrteza Dajlani. Gilardi i cili ishte Inspektor i Përgjithshëm i ushtrisë replikoi shpejt me ta dhe në momentin kur nisi të dilte nga makina u vra nga Xhevahir Abazi. Këtë fakt e ka pohuar edhe vetë autori, Xhevahir Abazi, si dhe disa nga pjesëmarrësit në kujtimet e tyre. ‘’I bëra thirrje që të dorëzohej por ai nuk ju bind fjalës dhe më në fund më tha: ‘’Jam gjeneral Gjilardi’’. Në kohën, kur ai donte të dilte nga e majta e veturës, u godit për vdekje’’. Kështu i ka dëshmuar në gusht të vitit 1975, Xhevahir Abazi (Spathara), shkrimtarit dhe studiuesit Hysen Emiri rreth kësaj ngjarje (Emiri H, 2001: 189). Ndërkohë që në mbrëmjen e asaj dite, kryengritësit rreth 200-250 veta, pasi pritën pa rezultat kryengritësit e Vlorës që duhet të vinin sipas planit të organizatës, marshuan drejt Lushnjes. Sipas konspiracionit ata do të takoheshin në hyrje të saj me kryengritësit e tjerë që do të vinin prej Beratit dhe Skraparit. Pasi mbërritën aty në orën 22: 00, ata u takuan vetëm me kryengritësit e Karbunarës të drejtuar nga Taullah Sinani. Së bashku, pas një ore tentuan të futeshin në Lushnje, për ndeshën në qendresën e xhandarmarisë lokale, e cila menjëherë i goditi me armë (Belegu M, 1987: 101). Të dy palët patën një shkëmbim zjarri që nuk shkaktoi të vrarë. Të dëshpëruar nga qëndresa e forcave qeveritare kryengritësit u tërhoqën me panik duke u shpërndarë në drejtim te Fierit. Tërheqja u bë me pështjellim të plotë dhe pa qëllim rigrupimi. Sipas kujtimeve të Xhevahir Abazit (Spathara), krerët e kryengritjes u kthyen në Fier. Këtu pasi u veshën civilë u nisën drejt Karavastasë, ku gjetën një benzinatë italiane. Duke mashtruar pronarin se do të shkonin në Durrës, dolën në det të hapur dhe pas disa miljesh morën drejtimin për në Itali (Emiri H, 2001:190). Ndërsa Tafil Boletini i cili të nesërmen e kryengritjes në datën 15 gusht 1935 nisi detyrën e nënprefektit në Lushnje, në librin e tij ‘’Kujtime’’, tregon për Musa Kranjën dhe Kostë Çekrezin se: ‘’Pasi hypin, me kobure në dorë, dashtë e pa dashtë, e detyrojnë kapitenin me u nisë për Itali’’ (Boletini T, 2003: 412). Grupi që u arratis përbëhej nga Musa Kranja, Kost Çekrezi dhe Zenel Hekali, të shoqëruar edhe nga Arshi Shehu, dhe Xhevahir Arapi. Në Karavasta ata hipën në motobarkën italiane ‘’Due Fratelli’’, të drejtuar nga kapiteni Ranjo Nikolo dhe nëpërmjet saj mbërritën në Bari (Belegu:118). Këtu ata pasi qëndruan për tre muaj u liruan duke marrë statusin e emigrantit politik.

Ndërkohë lajmi kishte mbërritur në kryeqytet dhe qeveria mori masa të shpejta ushtarake. Menjëherë u nisën kundër kryengritësve dy batalione nga Tirana dhe Elbasani. Me të mbërritur në Lushnje, trupat ushtarake, panë se gjendja ishte e qetë ndaj morën drejtimin duke marshuar drejt Fierit, ku ishte qendra e rrebelimit. Aty, këto forca mbërritën në mëngjesin e datës 15 gusht pa hasur asnjë lloj rezistence (Fischer J. Bernd, 2004: 255). Ndërsa qëndra tjetër e kryengritjes do të ishte Skrapari, protagonisti kryesor i drejtimit të së cilës u bë Riza Cerova. Pas 11 vjetësh emigracioni politik (1924-1935) ai do të kthehej në Shqipëri në 6 prill 1935 (Nishova M, 1971: 90-91). Autoritetet e Ministrisë së Brendëshme e lejuan Riza Cerovën të vendosej fillimisht në Elbasan dhe më pas në Tiranë, ku shumë shpejt do të binte në kontakt me krerët e Organizatës së Fshehtë. Fillimisht u planifikua që ai do të kryente disa funksione drejtuese por i përgjuar nga autoritetet, Cerova, do të largohej për të drejtuar këtë lëvizje në Skrapar. Këtu, grupi i ‘’Organizatë së Fshehtë’’ përbëhej nga Riza Vala, Pasho Hysi, Tahir Grepcka, Ramiz Spathara, etj. Përveç agjitacionit dhe propogandës ai u mor edhe me anën organizative të kryengritjes së ardhshme. Për të qënë sa më pranë njerëzve dhe terrenit, në javën e fundit të muajit korrik, Riza Cerova, u zhvendos nga Tirana për në Skrapar i shoqëruar nga bashkëluftëtari i tij Myrto Cerova (Belegu M, 1982: 107). Ndërsa autori Mane Nishova na jep një tjetër datë tjetër të lëvizjes së tij. ‘’Pas 41 ditëve që ishte kthyer nga emigracioni, duke u mbajtur gjithmonë nën survejim, më datën 22 maj, Riza Cerova, u nis për në familjen e tij në Skrapar’’, shkruan ai në monografinë ‘’Riza Cerova’’ (Nishova M, 1971: 92). Në bazë të planit të grupit të Skraparit dhe të miratuar edhe nga qëndra e organizatës në Tiranë, kryengritësit nën drejtimin e Riza Cerovës do të sulmonin Beratin, të cilin do ta merrnin nën kontroll. Një gjë e tillë do të bëhej e mundur në bashkëpunim me grupin që vepronte në këtë qytet dhe që drejtohej nga Seid Vrioni. Pas marrjes së Beratit, këto forca do të avanconin drejt Lushnjes, për të vijuar më pas marrshimin drejt Tiranës (Belegu M, 1982: 108-109). Një hap tjetër i këtij plani ishte që, forcat kryengritëse, të mos sulmonin fillimisht qëndrën e nënprefekturës, Çorovodën. Fillimisht ato do ti afroheshin në fshehtësi Beratit për të mos ngjalluar dyshime të cilat do të sillnin reagimin e forcave qeveritare. Pas marrjes së Beratit, që ishte dhe qëndra e prefekturës, do të niste sulmi në Çorovodë, nga forcat nën drejtimin e Pasho Hysit (Belegu M, 1982: 108). Në bazë të kësaj skeme nisën veprimet kryengritëse, ku Riza Cerova, mblodhi një grup të armatosur prej 70 personash, ku bënin pjesë edhe Myrto Cerova, Ramiz Spathara, Riza Vala, Hudai Cerova, Tahir Hasani, Ali Cerova, etj. Në mbrëmjen e 13 gushtit 1935, kryengritësit, u nisën në drejtim të Beratit duke përshkuar itinerarin Spatharë-Vëndreshë-Therepel-Ustinjë-Valë-Plirëz. Ndërkohë që autoritetet në Çorovodë ndryshe planifikimit të Riza Cerovës nisën të vepronin duke njoftuar Ministrinë e Brendëshme (Belegu M: 109-110). Nënprefekti I. Dibra njoftonte Zyrën Sekrete për atentatet që do të zhvilloheshin në Tiranë nga grupi i grupi i skraparlinjve që shërbenin në xhandarmëri dhe lëvizjet e Riza Cerovës, shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, në librin e tij ‘’Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005’’. Biles në çetën e Riza Cerovës, Zyra Sekrete, kishte infiltruar informatorin E. Mollasi, i cili raportonte në lidhje me të. Ndërsa më pas, Prefekti Beratit Qazim Bodinaku, do të kërkonte anulimin e thirrjes në gjyq të këtij personi, i cili duke rrezikuar jetën kishte dhënë informacione të sakta (Dervishi K, 2006: 350, 355). Në zbatim të planin të saj, çeta e Skraparit, në mbrëmjen e 14 gushtit 1935 u vendos në fshehtësi në periferi të Beratit. Këtu, Riza Cerova, do të mësonte se grupi Organizatës së Fshehtë ishte tërhequr nga kryengritja dhe se grupi i Fierit ishte thyer në Lushnje. Në këto kushte, ai, vendosi të tërhiqej dhe e shpërndau grupin kryengritës. Së bashku me shtatë bashkëluftëtarët më të besuar vendosën të arratiseshin në Jugosllavi nëpërmjet Malit të Thatë. Duke u tërhequr në brendësi të vendit, grupi i tij u ndoq nga tre detashmente të forcave të xhandarmërisë të nisura nga Berati dhe Skrapari, që drejtoheshin nga Veiz Xhindi, Jako Kumani dhe Kamber Prishta (Nishova M, 1971: 100). Ndërsa një grup tjetër i nisur nga Pogradeci dhe që drejtohej nga Gjon Destanishta u përpoq t’i priste rrugën (Belegu M, 1982: 110-111). Për ti shpëtuar ndjekjes grupi i Riza Cerovës ndoqi itinerarin: mali i Tomorrit-Kulmak-Zaloshnjë-Mazrekë (Opar)-Krosnishtë (Gorë)-Marjan (Gorë). Pavarësisht kësaj përpjekjet me armë e shoqëruan kudo. Në përballjen e fundit, Riza Cerova do të vdiste nga plagët e marra në orët e para të mëngjesit të 25 gushtit, në pyllin e Marianit në Pogradec. Këtu ai do të shkruante edhe një letër të fundit dërguar familjes (Belegu M, 1982: 110-111). Të njëjtin fat patën edhe shokët e tij Myrto Cerova dhe Ramiz Spathara që do të vriteshin disa muaj më vonë, pikërisht në 10 tetor 1935. Ndërsa bashkëluftëtarët e tjerë si Riza Vala, Shuaip Hyseni dhe Tahir Hasani do të kapeshin nga forcat qeveritare menjëherë pas vrasjes së tij (Belegu M, 1982: 112-113). Vdekja e tij u pasqyrua në dy qëndrime të ndryshme nga shtypi proqeveritar në Shqipëri dhe nga ai që botonte emigracionit politik jashtë. Edhe media europiane shkroi për këtë ngjarje ku së bashku me përshkrimin e saj qarkulloi edhe fotografia e Riza Cerovës së vrarë.

3

Sapo batalionet e ushtrisë u futën në qytetin e Fierit, komanda e tyre shpalli gjendjen e shtetrrethimit, duke marre nën kontroll të gjitha pikat e rëndësishme. U shpërnda komisioni i përkohshëm adminisrativ dhe filluan arrestimet. Gjithashtu nisi veprimtarinë e saj gjykata e posaçme politike e krijuar enkas për këtë rast me dekret mbretëror. Kryetari i trupit gjykues ishte Ali Rizai, komandant i operacionit. Anëtarë të tjerë tëtij ishin: major Hamza Kuçi, kapiten Zef Prenushi dhe gjyqtarët Petro Martini dhe Sadri Faslliu. Prokuror ishte Kiço Bisha, prokuror i pëhershëm i Gjykates së Posaçme (Gazeta Besa: 18 gusht 1935). Gjykimi u bë nën një regjim terrrori dhe mbi të burgosurit u ushtruan edhe torturat të ndryshme. ‘’Bashkia, shtëpitë e Qemal Vrionit ato ditë ishin salla gjyqi dhe natën salla torturash, zyra e post telegrafit, dyqanet e Idris Bulos, zyra e gjindarmërisë e rrethit dhe ajo e postkomandës, shkolla “Plotore” e Fierit në Bishanak, hoteli i Ramis Omarit e të tjerë lokale, ishin burgje dhe salla torturash’’, shkruan në kujtimet e tij vite më vonë Xhelal Staravecka, ish pjesmarrës në këtë kryengritje (Staravecka Xh, 2012). Seanca e parë gjyqësore u zhvillua në ambientet e nënprefekrurës dhe dënoi grupin e parë që përbëhej nga 21 xhandarë, pjesmarrës në këtë kryengritje. Nga këta, 11 prej tyre u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan ndërsa të tjerët e pësuan me afate të ndryshme burgimi. Më pas gjyqi i zhvendosi gjykimet në shtëpinë e Qemal Bej Vrionit, i cili ishte një nga të arestuarit. Gjykimet e tjera kishin të bënin me civilët që kishin marrë pjesë në kryengritje (Emiri H, 2001: 178-179). Në gjyqin e Fierit dolën 539 vetë, nga të cilët 17 ishin të arratisur politikë të cilët u gjykuan në mungesë. Përveç ekzekutimit të njëmbëdhjetë xhandarëve, me vdekje u dënuan edhe 41 të tjerë, të cilët në prag të ekzekutimit si rezultat i presionit ndërkombëtar, ju ndërrua dënimi në burgim të përjetshëm. Prej këtyre vetëm Hekuran Maneku ekzekutua në Fier me varje në 23 shtator 1935 (Belegu M, 1987: 136). Midis personave të dënuar figuronin edhe anëtarët e disa familjeve të dëgjuara dhe me influencës siç ishin familjet: Vrioni, Dibra dhe Vlora. Ndaj këtyre personave gjykata nxori prova të dorës se dytë. Këto prova dëshmonin për një pakënaqësi të përgjithshme ndaj mbretit, qeverisë dhe disa personave të veshur me pushtet si, ministrit të brendshëm Musa Juka, ministrit të luftës Xhemal Aranitasit dhe adjutantit të Zogut, Abdurrahman Krosit (Fischer, J. Bernd, 2004: 256). Gjyqit Politik të Fierit ju nënshtura në gjykim përveç grupeve të tjera edhe ai i Skraparit. Gjykimi për pjesëmarrësit në çetën e Riza Cerovës nisi në 9 gusht 1935 (Dervishi K, 2006: 357, 359). Për ta u dhanë masa të ndryshme dënimesh.
Gjyqi përfundoi në 17 shtator pasi punoi me intensitet për një muaj rresht, duke lënë në Fier një klimë terrrori, e cila arriti kulmin në datën 23 shtator me ekzekutimin e Hekuran Manekut. Ai ishte një nga pjesëmarrësit aktiv në kryengritje dhe u akuzua për vrasjen e Gilardit. Për arësye të torturave të tmerrshme dhe qëndrimit burrëror që mbajti, Maneku, tentoi të vetvrasjen duke shpuar barkun me një gozhdë që gjeti në murin e birucës. Duke qenë se nuk ju dha kujdesi shëndëtësor plaga ju infektua. Mjeku e vizitoi vetëm në momentet e fundit dhe deklaroi se gjendja e tij ishte e pashpresë. Për ti shpëtuar diskreditimin në shtypin e huaj për torturat e përdoruara, regjimi, vendosi ekzekutimin e tij (Emiri H. 2001: 178-180). Por dënimet e ashpra të gjyqit politik të Fierit goditën imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Do të ishin edhe torturat e përdorura mbi pjesëmarrësit që sollën një reagim të madh, duke nisur nga shtypi i huaj, organizatat ndërkombëtare e deri te Lidhja e Kombeve. Kështu, një ditë përpara mbylljes së gjyqit në 16 shtator 1935, Shoqëria Juridike Internacionale, dërgoi në Tiranë avokaten francize, Stodel. Ndërsa pothuajse të gjitha gazetat më të njohura të shtypit të huaj si, Times, Daily Telegraph, Le Petit Parisien, Le Figaro, Journal de Geneve, Pravda, Kathimerini, Vreme, etj, shkruan artikuj reth kësaj ngjarjeje (Belegu M, 1987: 144, 147, 149). Autorë të ndryshëm theksojnë se problemit të keqtrajtimeve me të burgosurit e Gjyqit të Fierit i kushtoi një seancë të posaçme edhe Lidhja e Kombeve. Biles rreth kësaj çështjeje, gazetari dhe publicisti Tajar Zavalani, në librin ‘’Histori e Shqipnis’’, midis të tjerave shkruante se: ‘’Drama juridike e Fierit pat një jehonë të papritur në Europë. Lidhja për të Drejtat e Njeriut në Paris dhe organizata të tjera liberale protestuan pranë qeveris së Tiranës. Këshilli i Lidhjes së Kombeve, qi ishte mbledhë në atë kohë në Gjenevë, bani presion mbi delegacionin shqiptar qi të mos ekzekutohej ky masakrim i legalizum’’ (Zavalani T, 1998: 290). Gjithsesi presioni ndëkombëtar e detyroi mbretin Zog, që vetëm dy muaj më pas pikërisht për përvjetorin e pavarësisë, në 28 Nëntor 1935, të shpallte një amnisti e cila i falte një pjesë të të dënuarve. Më pas ajo do të pasohej në 30 dhjetor nga një amnisti e dytë, ku një pjesë tjetër e të dënuarve u liruan. Ndërsa me dy amnistitë e tjera të viteve 1936 dhe 1937 u falën edhe të dënuari e fundit (Dervishi K, 2006: 359-360).

Kryengritja e Fierit, ishte shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend kundër mbretit Zog. Kjo lëvizje e tronditi seriozisht regjimin, gjë, që u pa në zhvillimet e seancave të gjyqit politik të Fierit apo në shkrimet e gazetës proqeveritare ‘’Besa’’. Ajo u shoqërua me rrëzimin e qeverisë konservatore të kryeministrit Pandeli Evangjeli dhe zëvendësimin e saj, me qeverine e re liberale e të moderuar të Mehdi Frashërit. Ndërkohë që rreth kryengritjes, aludohej se në të kishte ‘’dorë’’ edhe shërbimi i inteligjencës italiane. Natyrisht që italianët kishin dijeni për Organizatën e Fshehtë dhe kryengritjen, por ata nuk ndërhynë fillimisht në zhvillimet e saj.
Në këtë kohë atyre nuk u interesonte zëvendësimi i regjimit të Zogut por vënia e tij në një situatë të vështirë, pikërisht në momentin e krizës së marrëdhënieve dypalëshe. Por në verën e vitit 1935, Italia, ishte e zënë me përgatitjet ushtarake të fushatës për pushtimin e Abisinisë në Afrikë. Kështu, Italia, agjentura e të cilës ushtronte një aktivitet të gjerë në Shqipëri, konstatoi faktin se në Organizatën e Fshehtë, nisi të dominonte fryma nacionaliste dhe antitaliane. Kështu ajo i këshilloi njerëzit e saj që ta braktisnin kryengritjen, biles edhe ta sabotonin atë në pikënisjen e saj. Kjo ishte një nga arsyet e dështimit të Kryengritjes së Fierit. Në këtë drejtim një shkak tjetër ishte se, Organizata e Fshehtë, gaboi në vlerësimin e situatës politike në vend, duke krijuar idenë se me fillimin e revoltës, regjimi, do të rrëzohej artificialisht. Interesant është edhe fati i mëtejshëm i pjesëmarrësve dhe protagonistëve të kësaj lëvizjeje. Do të ishin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore ato që do të përcaktonin të ardhmen e tyre. Kështu, një pjesë ju bashkua rezistencës antifashiste, disa prej të cilëve ranë dëshmorë në luftë. Të tjerë, bashkëpunuan me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Ndërkohë një pjesë tjetër u detyruan që pas lufte të emigronin, të zhvisheshin nga pasuria apo të burgoseshin. Ndërsa, të rrallë ishin ata që u bënë pjesë e elitës së periudhës së komunizmit.

Filed Under: Kronike

“SA KAM SHPIRT, KAM SHPRESË”

August 9, 2025 by s p

Screenshot

Fuat Memelli/

Mbresa nga dokumentari me të njëjtin titull, me skenar, regji dhe folës, Esat Telitin.

Kushtuar jetës dhe veprës së doktorit të shquar, Jani Bashos.

Është e dyta herë që shoh këtë dokumentar, një nga më të bukurit e Televizionit Shqiptar, krahas dokumentarëve të tjerë të bukur të realizuar nga Mevlan Shanaj, Ylli Pepo, Petro Lati, Ilir Buçpapaj, Pluton Vasi, etj. Që rradhën e parë më kishte lënë mbresa të paharruara dokumentari kushtuar Jani Bashos, pasi art ii bukur ngjit nw shpirtine njerwzve. Mbresa të bukura përjetova edhe edhe këto ditë që e pashë për herën e dytë. Dy janë faktorët që më lanë këto mbresa. Së pari, kontributi i shquar në mjekësinë shqiptare e këtij mjeku me emër i diplomuar në Austri . “Magneti” tjetër i fuqishëm që më tërhoqi ishte realizimi i bukur nga Esat Telitit, së bashku me grupin realizues: operatorin Erin Teliti, operatorin e zërit Elton Verzivolli, montazhin e miksazhin nga Alda Sula, formuluesen e muzikës Majlinda Bërxolli, si dhe persona të tjerë që kanë kontribuar në realizimin e dokumentarit. Duke patur një përvojë të gjatë në televizion si regjisor, disa herë edhe si aktor e herë të tjera skenarist për filma dokumentarë, ai ka hyrë në shpirtin e personazhit, ka gjurmuar deri në detaje jetën dhe punën e Jani Beshos, i ka “situr”gjithë materialet duke na dhënë “ajkën” e tyre. Jani Bashua studjoi për mjekësi në  Universitetin e Vjenës ku kishte shkëlqyer  në mësime. I gatuar me shpirtin patriotik, së bashku me studentë të tjerë shqiptarë kishin ngritur Shoqërinë Studentore Shqiptare “Albania” ku ai ishte zgjedhur kryetar i saj. Njëkohësisht ishte edhe kryeredaktor i revistës  “Djalëria” një shoqëri patriotike për çështjen shqiptare. Në takimin e anëtarëve të shoqatës me aktorin e shquar Aleksandër Mojsou, Jani kishte bërë një përshëndetje të bukur që e kishte prekur aktorin me famë botërore. Me që kishte shkëlqyer si student, deshën ta mbanin në universitet, por nuk pranoi dhe u kthye në Shqipëri. U caktua në detyra të rëndësishme si drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë, është themelues i Spitalit Ushtarak numër 2 dhe drejtor i parë i këtij spitali, themelues i Spitalit Civil numër 1, inicues i shërbimit shkencor të obsetrikës dhe gjinekologjisë, ka ontribuar në ngritjen e Institutit të Lartë Mjekësor dhe të Shkollës së Mamive në Tiranë në vitin 1952. Ndërtoi shtëpinë e tij në Tiranë që u ashtuquajt “ shtëpia me gjethe” dhe e ktheu atë në spital ku kryente edhe operacione. Ai u bë misionar i shëndetësisë shqiptare. Sipas nipit të tij, Jani Bashua ka ndërhyrë pranë Ahmet Zogut për t’i siguruar pashaportë shqiptare fizikantit të shquar, Albert Ajshtajnit, me të cilën ai ka shkuar në Amerikë. 

Shqetësimet e tij filluan në vitin 1945 kur regjimi komunist që erdhi në fuqi, me që kishte shërbyer në regjimin e Zogut dhe kishte qënë mjek personal i tij, i shtetëzoi shtëpinë dhe i dogji gjithë librat dhe dokumentacionin. ( Shtëpia e tij u kthye në një qendër të sigurimsave.] Ky akt ishte një goditje e rëndë për njeriun që kishte punuar me aq përkushtim, i cili la Vjenën dhe erdhi për t’i shërbyer popullit të vet. Megjithatë ai nuk u dorëzua. Ka mbetur në kujtesë shprehja e tij proverbiale “Sa kam shpirt, kam shpresë.” 

I mbetur në varfëri dhe i rënduar nga shëndeti vdes në Tiranë në vitin 1957 dhe sipas amanetit varroset në Pogradec. U përcoll nga të afërm dhe shumë pogracarë, midis tyre edhe poeti i shquar, Lasgush Poradeci, i cili i kushtoi edhe një poezi, ku ndër të tjera e quante “Lundërtar që s’u pat  prekur/ Prej tallazeve të jetës.” Jani Bashua ze një vend nderi në rradhën e intelektualëve të shquar shqiptarë. Në Pogradec një rrugë mban emrin e tij, por mendoj se aty  meriton të ngrihet një bust për birin e vet që nderoi jo vetëm këtë qytet, por gjithë Shqipërinë. 

Filed Under: Kronike

REVISTA AMERIKANE (1920) / ARMËPUSHIMI FALË “BESËS” SHQIPTARE — NJË TREGIM NGA ANNA MILO UPJOHN

August 6, 2025 by s p


Dy djemtë shqiptarë, Rustemi dhe Marko — Vizatim nga Anna Milo Upjohn
Dy djemtë shqiptarë, Rustemi dhe Marko — Vizatim nga Anna Milo Upjohn

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Gusht 2025

“American Junior Red Cross News” ka botuar, në tetor të 1920, në faqet n°18 – 20, tregimin asokohe të Anna Milo Upjohn (artiste, ilustruese dhe autore amerikane) rreth armëpushimit të një gjakmarrjeje në Shqipëri falë “Besës”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Armëpushimi

Një histori e tokës së Skënderbeut

Nga Anna Milo Upjohn

Vizatimet nga autorja

Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqet n°18 – 19 // Vizatime nga Anna Milo Upjohn
Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqet n°18 – 19 // Vizatime nga Anna Milo Upjohn

Rustemi jetonte në tokën e Shqiponjës së Malit – në Shqipëri. Shtëpia e tij ndodhej në një qytet të vjetër të çuditshëm, të vendosur aq lart në majë të një mali, sa retë vareshin mbi të si një çati e errët e sheshtë dhe gjelat këndonin gjithë ditën, duke i paralajmëruar pulat të kërkonin strehë. Në pikën më të lartë të shkëmbit, një kështjellë e vjetër e rrënuar me një kullë katrore spikaste me guxim. Kishte tregime të çuditshme për kështjellën, të cilat Rustemi i mësoi kur filloi të rritej dhe të cilat përziheshin me të gjitha lojërat dhe ëndrrat e tij djaloshare.

Kur lindi Rustemi, i ati i vari një pushkë dhe një rrip fishekësh në mur për të. Ato do të qëndronin atje deri në moshën katërmbëdhjetë vjeç, kur Rustemi do t’i merrte vetë dhe do t’i vishte për herë të parë. Ndërkohë, Rustemi filloi jetën e tij në një djep të vogël të pikturuar, në të cilin nëna e tij e lidhi aq fort sa nuk mund të lëvizte as këmbët, as krahët, as kokën, dhe ku ai shtrihej si një mumje e vogël e mbuluar plotësisht me një batanije prej leshi të punuar në shtëpi. Babai i Rustemit ishte një burrë i pasur dhe familja jetonte në një shtëpi të këndshme, muret e suvatuara të së cilës ishin pikturuar me zogj dhe arabeska. Kishte shumë dritare me dërrasa dhe një çati me tjegulla me strehë të gjerë.

Ngjitur me Rustemin jetonte Marko, një djalë afërsisht në moshën e tij. Edhe pse familjet e tyre nuk takoheshin kurrë së bashku dhe megjithëse midis dy oborreve kishte një portë që mbahej e kyçur, dy djemtë e vegjël e kishin zbuluar njëri-tjetrin sapo kishin filluar të ecnin dhe, duke shikuar përmes hapjeve në gardhin me degë të endura që i ndanin, kishin arritur shpejt kuptoheshin. Më vonë, ata gjetën një shteg nën gardh, nëpër të cilin zvarriteshin lirisht, në kurriz të rrobave të tyre, për të kaluar orë të gjata duke luajtur së bashku. Ata nuk e kuptonin pse, në fillim, Markon e shikonin me përbuzje kur shkonte në shtëpinë e Rustemit dhe Rustemin me përbuzje kur shkonte në shtëpinë e Markos. Por, meqenëse asnjëri prej tyre nuk ishte i kënaqur të qëndronte gjatë pa tjetrin, familjarët e tyre shpejt nuk u kushtuan më vëmendje dhe ata vinin e iknin si të donin. Ndërsa u rritën dhe u përzien me fëmijë të tjerë, ata shpejt zbuluan burimin e problemit. Midis dy familjeve, në Shqipëri kishte pasur atë që quhet hakmarrje. Një anëtar i familjes së Markos kishte qëlluar dhe vrarë një anëtar të familjes së Rustemit, të cilin ai e donte, gjatë një grindjeje. Kjo kishte ndodhur shumë kohë më parë. Burri që kishte qëlluar kishte ikur në një vend tjetër dhe fëmijët e tij ishin rritur atje. Por derisa një anëtar i familjes së Rustemit nuk ka qëlluar një anëtar të familjes së Markos, armiqësia nuk mund të marrë fund dhe nderi i familjes së Rustemit nuk ishte i siguruar. Kjo armiqësi e vjetër e të rriturve u dukej djemve të vegjël një gjë e largët dhe absurde, e cila nuk kishte të bënte fare me ta. Ata shikuan njëri-tjetrin në sy dhe buzëqeshën, me një shoqëri të përsosur, kur djemtë më të mëdhenj i inkurajuan të luftonin së bashku.

Jeta kishte shumë argëtim për t’u shijuar sa për të humbur kohë duke u grindur, dhe Kruja, ai qytet i vjetër i çuditshëm, nuk ishte një vend i keq për t’u rritur. Rruga e saj e vetme e gjatë dhe e lakuar që i afrohej shpatit të malit si një bisht, ishte e mbushur me kasolle të hapura dhe aq e ngushtë sa çatitë takoheshin sipër kokës. Këtu, në ditët e tregut, dëgjohej vazhdimisht kërcitja dhe trokitja e takave të vogla, ndërsa gomerët kalonin me ngarkesa të gjera lëkurësh dhe druri ose me çanta shalësh të mbushura me qengja të vegjël ose një ose dy të vegjël. Dhe këtu bakërpunuesit rrihnin tabaket dhe enë uji para syve të dikujt. Këpucarët prenë pantoflat e lakuara me delikatesë nga lëkura e kuqe e ndezur, portokalli ose e zezë, kapelëbërësit formonin një plis të bardhë ose të kuq mbi një bllok druri, dhe artizanët me argjend lëmonin doreza pistolete të zbukuruara me gurë të shndritshëm aq të trashë sa një puding kumbulle me rrush të thatë.

Ishte edhe berberi, një turk me mjekër të bardhë, i veshur me një çallmë të rëndë dhe një mantel mëndafshi të artë, i ulur mbi jastëkë të gjelbër mes legenëve dhe kavanozëve prej bakri të lëmuar. Myslimani që thërriste për namaz nga minarja e bardhë ishte gjithashtu shumë zbavitës. Në momente të caktuara, ai hynte në ballkonin e vogël që hapej nën çatinë e mprehtë të minares, i mbante veshët në mënyrë qesharake dhe lëshonte një britmë të ngjirur e të vajtueshme që jehonte në murin prej guri pas tij. Rustemi dhe Marko nuk lodheshin kurrë së imituari atë. Por më zbavitësi nga të gjithë gjendej në rrënojat e kështjellës së vjetër.

Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqe n°20 // Vizatim nga Anna Milo Upjohn
Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqe n°20 // Vizatim nga Anna Milo Upjohn

Këtu djemtë luanin lojën e mbrojtjes kundër turqve, duke hedhur gurë në thellësitë e greminës poshtë.

Ata e dinin historinë e të riut Gjergj, i cili kishte jetuar këtu pesëqind vjet më parë, kur kështjella ishte një fortesë krenare e populluar nga burra të armatosur, mobilje të gdhendura, qilima dhe perde luksoze. Këtu, çdo burrë që kalonte varte një shtizë dhe një mburojë në vend të një pushke, një rrip fishekësh dhe një princ të fuqishëm. Në oborrin ku mbinte bari dhe kullosnin delet në paqe, Gjergji duhej të luante çdo ditë me dy vëllezërit dhe pesë motrat e tij. Një ditë, kur ai ishte nëntë vjeç, turqit pushtuan vendin me një ushtri të madhe, pushtuan kështjellën, vranë princin (e ka fjalën për Gjon Kastriotin dhe kjo nuk ka ndodhur në fakt) dhe morën fëmijët si pengje. Kjo do të thoshte se për sa kohë që populli shqiptar u paguante haraç turqve dhe ndalonte së luftuari kundër tyre, fëmijët ishin të sigurt ; por nëse do të lindnin probleme në Shqipëri, ata do të vriteshin menjëherë.

Sulltani i mori fëmijët në shtëpinë e tij dhe i trajtoi me mirësi. Gjergji ishte djali i tij i preferuar. Ai u rrit si një djalë i pashëm, trim, i sjellshëm dhe që mësonte shpejt, të cilit i pëlqente të kalëronte.

Sulltani vendosi ta bënte ushtar. Ai e ndryshoi emrin e tij në Skënder dhe shtoi titullin “bej” ose “beg”, që do të thotë “zot”, kështu që Gjergji u njoh më vonë si Skënderbeu. Kur u rrit, ai iku në vendin e tij, mblodhi njerëzit e tij rreth vetes dhe pas shumë luftimesh të ashpra çliroi Shqipërinë nga turqit. Ata u kthyen vazhdimisht, por Kruja, qyteti mbi shkëmbin e egër dhe të vetmuar, rezistoi për shumë vite dhe ishte fortesa e fundit e krishterë që ra. Kur ra, turqit kishin të gjithë vendin nën kontrollin e tyre. Por tani në Luftën e Madhe të kohëve të fundit, Shqipëria e kishte çliruar veten përsëri, këtë herë përfundimisht. Djemtë e kuptuan vetëm paksa se diçka e lavdishme kishte ndodhur.

Jeta nuk kishte ndryshuar shumë që nga lufta, përveçse ishte bërë më e vështirë. Të gjithë ishin të varfër. Rrugët ishin më të këqija se kurrë dhe shumica e urave ishin shembur, kështu që pak njerëz vinin e iknin nga Kruja.

Disa ditë para ditëlindjes së katërmbëdhjetë të Rustemit, i ati e gjeti duke parë me mall armën në mur. “Më vjen keq, Rustem”, tha ai seriozisht, “që ti dhe Marko jeni kaq miq. Kjo nuk mund të të sjellë gjë tjetër veçse hidhërim”. “Pse hidhërim ?” pyeti Rustemi i trembur.

“Pse, për shkak të armiqësisë mes nesh”, tha i ati. “Ti mbetesh ta pastrosh nderin e familjes. Nuk e merr seriozisht tani, por kur të bëhesh burrë, ose do ta qëllosh Markon, ose Marko do të të qëllojë ty”. “Të qëlloj Markon ! Kurrë !”, pretendoi Rustemi me zjarr. “Është ligji i vendit dhe i fisit tënd. Nuk mund ta ndryshosh”, tha i ati ; “është shkruar në Kanunin e Lekës”. Dhe doli nga dhoma. Rustemi ishte i zemëruar dhe i emocionuar. I gjithë kënaqësia me armën e tij ishte zhdukur.

Rustemi ishte shumë i pakënaqur. Atij i kishin mësuar të bënte shumë gjëra që neve na dukeshin të çuditshme, por atij i dukeshin të drejta, si heqja e këpucëve kur hynte, mbajtja e kapelës në tavolinë dhe ngrënia e mishit të deles dhe orizit me gishta. Aq shumë saqë kur i ati e urdhëroi të vriste shokun e tij më të mirë, ai u tmerrua se mos detyrohej ta bënte nëse nuk gjente një rrugëdalje. “Skënderbeu e mbante shpatën për armiqtë e tij”, i tha vetes, “jo për miqtë e tij”. Tani që Shqipëria u çlirua përfundimisht nga turqit, do të ishte mirë që shqiptarët të vrisnin njëri-tjetrin ! Ishte e paimagjinueshme që ai të qëllonte Markon. Ai duhej të gjente një rrugëdalje !

Ishin dy burrat nga Tirana dhe Kruja, mendoi Rustemi. Ata ishin grindur, por ishin betuar për një besë gjashtëjavore, ose armëpushim, për të bërë një marrëveshje për bagëtinë. Dhe më vonë, ata kishin qeshur së bashku dhe kishin vizituar njëri-tjetrin si miq të mirë. Vërtet, pas gjashtë javësh, ata kishin qëlluar njëri-tjetrin, dhe njëri prej tyre kishte humbur dy gishta. Pse nuk kishin bërë një marrëveshje dhe nuk kishin gëzuar një besë më të gjatë ? Dhe pastaj u lindi ideja ! Ai duartrokiti dhe doli me nxitim nga shtëpia. “Marko,” thirri ai, duke shembur portën. Dhe Marko e takoi deri në gjysmë të rrugës nën pemën e madhe të ullirit. “Dëgjo, Marko,” tha Rustemi, “duhet ta japim fund kësaj grindjeje, jo duke qëlluar njëri-tjetrin, por duke u betuar për një besë për pjesën tjetër të jetës sonë. Kjo grindje e vjetër nuk na shqetëson, por besa po, dhe ne duhet ta mbajmë atë. Për sa kohë që e mbajmë, askush nuk mund të na dëmtojë.” “Le ta bëjmë të zgjasë përgjithmonë,” tha Marko me entuziazëm.

Kështu që nën pemën e ullirit, dy djemtë shtrënguan duart dhe u betuan për miqësi të përjetshme, ndërsa shumë lart sipër tyre dy shqiponja mali fluturonin ngadalë me krahë të sheshtë rreth kullës së errët të Skënderbeut, dhe përmes reve që thyheshin, Adriatiku shkëlqente si një vijë argjendi në horizont.

Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqe n°18 // Vizatim nga Anna Milo Upjohn
Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqe n°18 // Vizatim nga Anna Milo Upjohn

Filed Under: Kronike

Burimi i lashtë i Kaninës dhe tradita e punëve publike në Shqipërinë e shek. XIX

August 6, 2025 by s p

Një vështrim nisur nga ilustrimi i Thomas Smart Hughes në librin e vet “Travels in Sicily, Greece and Albania 1820.

Në udhëtimin e tij nëpër Shqipëri, Greqi dhe Siçili, botuar në vitin 1820, udhëtari dhe studiuesi britanik Thomas Smart Hughes na ofron një vështrim të rrallë dhe të çmuar mbi jetën, zakonet dhe infrastrukturën e Shqipërisë së jugut gjatë fillimit të shekullit XIX. Në vëllimin e dytë të veprës së tij “Travels in Sicily, Greece and Albania… Illustrated with engravings of maps, scenery, plans &c.”, Hughes pasqyron si ilustrim burimin antik të Kaninës, një monument natyror e kulturor që në kohën e tij ruante ende vlera të jashtëzakonshme për jetën shoqërore dhe ekonomike të zonës.

Sipas përshkrimit dhe ilustrimit të Hughes, burimi në fjalë nuk përfaqësonte thjesht një strukturë hidrike, por një hapësirë me funksione të shumëfishta: një pikë takimi për komunitetin, një vend grumbullimi për banorët e fshatit, një orientim për udhëtarët dhe, mbi të gjitha, një simbol i kujdesit kolektiv për të mirën e përbashkët. Në ilustrim, burimi shfaqet i sistemuar dhe i mbrojtur, dëshmi e një mirëmbajtjeje të ndërgjegjshme nga ana e komunitetit lokal, ndoshta edhe me ndihmën apo bamirësinë e fisnikërisë vendase. Kjo traditë përkujdesjeje për burimet ujore duket se është një reminishencë e drejtpërdrejtë e praktikave të lashta ilire, greke dhe romake në fushën e punëve publike, të cilat vijuan edhe në periudhën osmane, ku burime të tilla shërbenin njëherazi si vende pushimi dhe hapësira për kryerjen e riteve fetare, si abdesi dhe namazi.

Në kujtesën kolektive të shqiptarëve, veçanërisht në zonat e jugut ku janë ruajtur më mirë format e organizimit tradicional, puna për mirëmbajtjen e ujësjellësve, burimeve dhe infrastrukturës ujore kishte një rëndësi jetike. Një element i rëndësishëm në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e burimeve të tilla ishin mjeshtrit popullorë të zonave me traditë ndërtimore, ndër të cilët spikatnin mjeshtrit e Lunxhërisë, veçanërisht ata nga fshati Hoshtevë. Të njohur për mjeshtërinë e tyre në gur dhe teknikën e përpunimit të ujit, këta mjeshtër u bënë të kërkuar në të gjithë territorin e Perandorisë Osmane për ndërtimin e çezmave, krojeve publike, si dhe sistemeve të ujësjellësve që shërbenin komuniteteve urbane dhe rurale. Aftësia e tyre për të kombinuar funksionalitetin hidrik me estetikën arkitektonike e bëri mjeshtërinë e tyre të çmuar jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe në qytete si Janina, Manastiri, Selaniku e deri në Stamboll. Ndërtime të tyre shpesh mbartin mbishkrime, stuko dekorative dhe elemente simetrike që dëshmojnë një ndërthurje të traditave ndërtimore lokale me ndikime osmane dhe ballkanike. Përmes tyre, vazhdoi një traditë e hershme e përkujdesjes ndaj ujit si burim jete dhe kulture, duke e kthyer çdo kroi apo burim në një vepër arti dhe qytetërimi.

Në një vend ku klima e nxehtë mesdhetare e bën ujin burim të çmuar, ndërtimi dhe ruajtja e burimeve dhe krojeve përbënte një akt të thellë civilizimi. Ilustrimi i Hughes përshkruan se në Kaninë, burimi ishte i rrethuar nga gurë të mëdhenj, me një strukturë që kujtonte arkitekturën klasike, ndoshta një relike e periudhës antike apo bizantine, që më pas ishte restauruar me kujdes nga banorët dhe udhëheqësit vendas.

Kjo traditë e përkujdesjes për të mirën publike u konkretizua në mënyrë të veçantë gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Si pjesë e vizionit të tij për ndërtimin e një administrate funksionale dhe për përforcimin e autoritetit të vet në Pashallëkun e Janinës, Ali Pasha Tepelena ndërmori një seri projektesh të rëndësishme në fushën e infrastrukturës hidrike. Ndër veprat më të njohura janë ndërtimi i ujësjellësit të Gjirokastrës, ai i Bençës, ndërtimi i dhjetëra çezmave publike në qendrat urbane dhe rurale të pashallëkut, si dhe riparimi i shumë krojeve të vjetra. Këto vepra nuk ishin vetëm investime funksionale, por edhe shenja të fuqisë, kujdesit dhe autoritetit të tij si sundimtar. Gjurmët e këtyre ndërtimeve qenë të dukshme për dekada pas vdekjes së tij, duke dëshmuar qëndrueshmërinë dhe përmasat e vizionit të tij për një rend të bazuar mbi punët publike dhe shërbimin ndaj komunitetit. Në këtë mënyrë, tradita vendase e fisnikërisë shqiptare në shërbim të publikes gjeti një shprehje të përkryer dhe të institucionalizuar përmes veprimtarisë ndërtuese të Ali Pashës.

Në traditën shqiptare, uji nuk është vetëm një element fizik, por një simbol i ndërlikuar kulturor që lidhet me pastërtinë, mikpritjen dhe shenjtërinë. Të ndërtosh ose të mirëmbash një burim do të thoshte të kontribuoje në jetën e përditshme të komunitetit dhe të siguroje një lloj pavdekësie morale. Për këtë arsye, shumë burime ruajnë ende emrat e ndërtuesve apo donatorëve të tyre, të gdhendur në gur ose të trashëguar gojë më gojë. Nëse ndalemi te burimi i Kaninës, i përshkruar nga Hughes si një strukturë me arkitekturë të rafinuar dhe ujë të bollshëm, kuptojmë se ky nuk ishte vetëm një vend për të mbushur ujë, por një hapësirë socializimi, një shesh takimi i vogël fshatar, ku ndërveprimi njerëzor ndërtohej mbi bazën e nevojës së përbashkët.

Sot, në një kohë kur urbanizimi dhe shpërbërja e lidhjeve tradicionale kanë zbehur ndjeshmërinë ndaj pasurisë kolektive, përshkrime si ato të Hughesit kanë një vlerë të veçantë. Ato na rikujtojnë se kujdesi për ujin dhe infrastrukturën është më shumë se një çështje teknike – është një çështje kulture dhe ndërgjegjeje qytetare. Ringjallja e traditës së punëve publike kërkon jo vetëm financim dhe projektim modern, por mbi të gjitha rivendosjen e një ndjenje përkatësie dhe përgjegjësie ndaj hapësirës së përbashkët. Restaurimi i burimeve të vjetra si ai i Kaninës duhet të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë të rivlerësimit të trashëgimisë së ujit në Shqipëri. Kjo nënkupton: Dokumentimin dhe ruajtjen e strukturave të vjetra ujore me ndihmën e arkivave historike dhe dëshmive të hershme, si përshkrimi i Hughes.Përfshirjen e komuniteteve lokale në procesin e restaurimit, duke ruajtur formën dhe funksionin tradicional të këtyre objekteve, si dhe integrimin e këtyre monumenteve në turizmin kulturor dhe edukimin publik, si mënyrë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e trashëgimisë hidrike.

Ilustrimi i Thomas Smart Hughes mbi burimin e lashtë të Kaninës nuk është vetëm një vëzhgim i bukur panoramik – është një dëshmi për mënyrën se si komunitetet tradicionale shqiptare organizonin jetën publike dhe respektonin mjedisin natyror. Në këtë kuptim, burimi bëhet simbol i një qytetërimi të heshtur, por të mençur, që ndërtoi institucione të qëndrueshme nëpërmjet bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjelltë në komunitet.

Sot, në një epokë ku sfidat e ndryshimeve klimatike dhe menaxhimit të burimeve natyrore janë më të mëdha se kurrë, kujtimi i këtyre veprave të lashta dhe e logjikës që qëndronte pas tyre na ofron mësime të vlefshme. Ringjallja e këtyre traditave – jo vetëm në formë materiale por edhe si filozofi jetese – mund të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe më të rrënjosur në vlerat e bashkëjetesës dhe përgjegjësisë kolektive.

® Dorian Koçi

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT