• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

New York : U mbajt manifistimi përkujtimor për Martirin e Demokracisë – Nikë Marnaçaj

April 29, 2013 by dgreca

Nikë Mernacaj, përcjellës i mesazhit të lirisë dhe demokracisë shqiptare…”Luftoi gjithë jetën në mërgim kundër ideologjise komuniste me flamurin e luftës për demokraci”. /

Nga BEQIR SINA/
NEW YORK: Në Valhalla – Westchester County, ditën e dielë, në prani të autoriteteve lokale, shtetërore dhe disa përfaqësueseve të komunitetit, liderve dhe klerikve, në përkujtim të Martirit të Demokracisë – Nick Marash Mernaçaj, i cili në moshën 31 vjeçare, humbi jetën tragjikisht gjatë përpjekjeve për liri e demokraci, në Atdhe, u mbajtë manifestimi tradicional vjetor.
Në 23 vjetorin e vdekjes së tij si çdo vjet në shtizën e lartë të parkut rekreativ “Kensico Dam Plaza”, u ngritë edhe Flamuri Shqipëtar, përkrah flamurit të SHBA, me rastin e asaj që Prefektuar e Westchester County-t, e ka shpallur me proklamat si “DITA E LIRISË SË SHQIPERISË”.
Prefektuar e Westchester County-t, ka treguar se cila ka qenë arsyeja që prefektuara në çdo fund prilli kujton me shënimin e kësaj dite Nik Mrnaçajn, në këtë vend – ku është ngritur vitete e fundit dhe memoriali i viktimave të 11 shtatorit 2001, e cila simbolizon të gjithë ata që luftuan për liri e demokraci ane mbanë botës.

Arsyeja e tyre lexohet në motivacionin e Proklamatës, ku është e shkruar se : “Liria dhe drejtat e njeriut janë një drejt që duhet ta ketë çdo popull – pavarësishtë, kombësisë, racës dhe besimit të tij fetar, politik e tjerë.
Mbasi për këtë të drejt, me mijëra gra e burra, fëmijë e të moshuar u presekutuan dhe u shtypën vetëm sepse luftuan për liri dhe demokraci.
Prefektuar e Westchesterit – New York, është e bekuar që këtu jetojn edhe shqiptarët, të cilët njihen si njerëz të ndershëm, punëtor dhe të dedikuar. Njerëz që vazhdimisht dhe në mënyrë konstante kanë punuar e luftuar për vendin e tyre – edhe kundra regjimit diktatorial komunist në Shqipëri- për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Kane luftuar kundra shtypjes, për të fituar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe lirinë e shqiptarëve në Shqipëri dhe të gjitha trojet e tyre.”

Ndryshe, nga heret e tjera, kësaj rradhe pjesëmarrja ka qenë masisve e shqiptarëve. Në këtë manifestim morën pjesë dhjetëra vetë. Për të marrë pjesë kishin ardhur edhe disa përfaqësuesit e shoqatës Vatra, nga Detroiti, Florida, dhe zona e Tri – Shteteve, shumë të rinjë e të reja, familja Mrnaçaj – axhallarët e të afërmit e tjer, miq e shok si dhe media shqiptare në Amerikë.
Programi i këtij manifestimi është ngritur mbi një konceptim të ri, me qëllim që kjo veprimtari të bëhet edhe më e larmishme, dhe më tërheqëse për një pjesmarrje sa masive, dhe kjo nëprmjet të shoqërive kulturore artistike në komunitet, Shoqërisë Kulturore Artistike Kelmendi e cila është nga vendlindja e e familjes Mrnaçaj, Kelemndi, dhe SHKA Bashkimi Kombëtar( me drejtues Gjergj Dedvukaj).

Zoti Rob Astorino(Westchester County Executive)- Prefekti i Qarkut, mik i shqiptarëve, mori pjesë në këtë ceremoni përkujtimore, së bashku me lider fetar dhe të komunitetit, përfaqësues të disa shoqatave dhe organizatave, përfshirë, kryetarin e Vatrës, dr Gjon Buçaj, asamblesitin e parë shqiptarë në Amerikë, zotin Mark Gjonaj, sekretarin e shoatës Çamëria në SHBA, inxh. Sali Bollati, dhe anëtarin e Senatit të Partisë Lëvizja e Legalitetit Musli Mulosmani

Drejtuesi i aktivitetit zoti Sokol Smajlaj, u prezantoi pjesmarresve, autoritetet lokale dhe mysafiret e nderit, nderkohe qe i ftoi të pranishmit të percillnin dy hymnet kombetare, ate Amerikan dhe Shqiptar. Me pas ai i ftoi të pranishmit qe të mbanin një minute heshtje për perkujtimin e Nikes, dhe të te gjithë atyre deshmoreve të flijuar për liri e demokraci.
Në fillim të fjalës së hapjes së këtij kremtimi vjetor, udhëheqësi i kësaj veprimtarie zoti Sokol Smalaj, falemnderoi, të gjithë pjesmarrësit, bashkëvendasit e tij, përfaqësuesit e institucioneve shtetrore dhe fetare, liderve të komunitetit, mediaeve në komunitet, ish bashkëpuntorët e Nick Mrnaçajt, që në ato kohë përpjekjesh dhe skarificash të mëdha, bënë shumë për Shqipërinë dhe Kosovë, duke deklaruar me kete ras të hapur këtë veprimtari, në nderim të Ncik M. Mrnaçajt.

“Ndoshta, mund t’a presim me çudi të ligët, fjalën kremtim në këtë premeorie dedikuar këtij martiri, që vdiq tragjikisht në shërbim të Zotit dhe të Kombit, tha duke e bekuar këtë veprimtari, Diakon Marash Shkreli, i cili foli në emër të Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë – Zoja e Shkodrës, duke shtuar se ishte ai që sakrfikojë jetën e vetë për familjen e tij, kombin e tij dhe fenë e tij – për demokracinë, dhe, ashtu si ka thënë dhe poeti ynë i madh At Gjergjë Fishta, se : Martirët nuk vdesin kotë – Martirët e një Kombi jetojnë gjithmonë në zemart e mendjet tona, jetojnë gjithmonë në kujtimin e Kombit të tyre, për të cilin jetën e napin” u shpreh Shkreli .
Më pas ai tha se fati që Nicka, u rritë dhe u edukua rreth votrës familjare ku urata dhe shprehja e dashurisë për Zotin dhe Kombin ishnin të pandashëm, ashtu sikur se është dhe vetë “mishi dhe ashti”, dhe i frymëzuar nga kjo dashuri, Nicka, jo vetëm që nuk e kurseu veten , por si një liridashës i njohun, i dhuroi jetën e vetë vëllezërve dhe popullit të tij – u shpreh në fjalën e tij Diakon Marash Shkreli.
Zoti Rob Astorino(Westchester County Executive)- Prefekti i Qarkut, e përshëndeti me një fjalë rasti këtë veprimtari
Kurse, anëtari i Kuvendit të New Yorkut, zoti Mark Gjonaj duke përshëndetur këtë manifestim tha se “Jam i nderuar të marrë pjesë në këtë veprimtari, kushtuar këtij djali të kësaj familje, këtij vëllau, këtij shoku dhe shqiptari, i cili dha jetën e tij i motivuar për një çështje, Nick, “ishte nga ata “luftëtar” që atëher kur nuk kishte një zë – ai dontë të dëgjohej ai zë, kudo në mesin tonë “.
Kreu i vatranëve Kryetari i Shoqatës Vatra, Dr. Gjon Buçaj, tha se përulemi me nderim të madh përpara këtij njeriu, dhe të gjithë atyre që u flijuan duke luftuar kundër diktaturës komuniste, asaj diktature, e cila e presekutojë familjen Marnaçaj në atdhe. Andaj vetflijim i Nicks, këtij djali të Marrashit dhe Mrijes, është krenaria e juaj dhe e këtij komuniteti, ai na nderon përkarshi autoriteteve vendore të këtij qarku, dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptarë dhe të Kosovës, me shqiptarët, ashtu si zoti Mark Gjonaj, asambleisti i parë shqiptarë në SHBA, i dalë nga gjiri po i këtij komuniteti”
Dr. Gjon Buçaj, theksoi më pasë që të vazhdojë kjo traditë me përkujtimin e Nick Mrnaçajt, për të “Kujtuar dhe kurrë për të mos harruar, atë se fryma e demokracisë dhe e lirisë, është gjallë ashtu si dhe ishte në ato kohë më të vështira, për këtë mërgat, duke ua përcjellur gjeneratave të reja”
Përfaqësuesi i Kosovës, në Nju Jork, zoti Fatmir Zajmi – konsull i Kosovës, gjeti rastin të përshëndeti këtë veprimtari në emër të Ministrit të Diasporës zotit Ibrahim Makolli, i cili gjendet për koicidencë në SHBA, dhe të Konsullatës së Përgjithëshme të Kosovës, Ambasadorit Bekim Sejdiu, Konsull i Përgjithshëm, duke i përgëzuar familjarët dhe autoritet vendore të komunës së Westchesterit, për këtë aktivitet të bukur kushtuar Nick Mrnaçajt”

Në ndërkohë, zoti Sali Bollati, në fjalën e tij kujtoj At Gjergj Fishten kur thoshte nga Presheva në Log të Kuvendit , mbasi ne shqiptarët si çamët apo edhe ju malësorët, të gjithë shqiptarët ngado që janë, kemi të njëjtën gjuhë, të njëjtat zakone, dhe të njëjtën veshje popullore, tha veprimtari i dalluar i çështjes Çame në SHBA, inxhinier Sali Bollati, duke shtuar se të paktën ne në SHBA kemi arritur për t’u bashkuar me njeri tjetrin, si shqiptarë dhe duke përfituar nga ky rast urojë që një ditë edhe Çamëria të jetë pjesë e gjithë Shqipërisë të jetë e jona “.

Duke marrë fjalën në këtë kujtim, zoti Musli Mulosmani, theksojë se si një veprimtarë i vjetër i çështjes kombëtare, natyrisht qe eshte nder e pervilegje që ai merë pjesë në këtë përkujtimore, të kësaj familje të nderuar, e cila së bashku me familjen tij – Mulosmanët, miq dhe shokët, luftuan dhe sakrifikuan së bashku për lirinë dhe demokracinë”
Zoti Musli Mulosmani, një nga veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare në SHBA, veterani i Legalitetit, më tej tha se ishte fati i mirë, siç e quajti ai që na bashkojë në përpjekjet tona disa vjeçare në luftën e pa kompromisë që bëmë rrugëve dhe shesheve të kurbetit edhe këtu në Amerikë, kundra komunizmit, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, pa shkajun mbi krye –
“Jemi me të vërtet krenar, tha Mulosmani, për atë që kemi bërë dhe se çfarë u lëmë pas fëmijve tanë dhe brezave të rinjë, që edhe ata të ndjekin rrugën tonë, për bashkimin e të gjitha trojeve në Shqipërin Etnike” , mbasi ky është mesazhi im dhe i familjes time, për këtë ditë që ju kujtoni në nder dhe respekt të birit tuaj Nick Mrnaçaj, tha patrioti Musli Mulosmani, duke i bërë thirrje familjes që gjithmonë ta kujtojnë këtë ditë, kur 23 vjet më parë vdiq djali i tyre Nick Mrnaçaj.” Ai në fund kujtoj me nostalgji gjithashtu atë kalvarin e gjate të vujatjeve të familjes Marnaçaj, familjes së tij dhe bashkëshortes Servetes, nëpër kampet e ineternimit dhe burgjet e diktaturës komuniste, në Shqipëri.

Në emër të nanës së Nik Mrnaçajt, Mrisë, babait Marashit, vëllezërve të tij Paulinit dhe Aleksit, të vesë Maries, axhallarve foli dhe përshendeti duke ju faleminderuar të gjithëve i biri i i Nickës, avokat Maichel (Mikel) Marnacaj.
Ky program ishte i gërshetuar me këngë e valle të shoqërive kulturore artistike në komunitet, Shoqërisë Kulturore Artistike Kelmendi, e cila është nga vendlindja e familjes Mrnaçaj, Kelemndi Malësia e mbi Shkodrës, dhe SHKA Bashkimi Kombëtar( me drejtues Gjergj Dedvukaj). Ata kënduan këngë me motive krahinore të krahinës së Kelmendit, si dhe një këngë për Nick Mrnaçajn, shkruar nga poeti kelmendas Gjovalin Luma. Ndërsa, SHKA Bashkimi Kombëtar( me drejtues Gjergj Dedvukaj) interpetuan me Tom Gjegjin dhe aktorin Shaban Lajçi nën shoqërinë e instrumentistve dhe grupit të fëmijve të Shkollës Shqipe këngë popullore patriotike.

Kjo ceremoni, u mbyll me ngritjen e flamurit shqiptar në shtizën e lartë të parkut përkrah flamurit Amerikan.
Në fund duhet thënë se: Zyrtarët amerikanë Nik Mrnaçajn, e kanë quajtur” Heroi shqiptar, që vdiq për lirinë e vendit të tij të lindjes”. Bashkëkombasit e quajnë “Dëshmori i parë i Mergatës shqiptare, në luftë kundra komunizmit”. Dhe Shqipëria, më 1993, i akordoi me vendim të posaçëm nga ish-Presidenti demokrat Sali Berisha, medaljen “Martiri i Demokracisë” me motivacionin: “Luftoi gjithë jetën në mërgim kundër ideologjise komuniste me flamurin e luftës për demokraci”. Nje shkollë femijësh e ciklit të mesëm në Tamarë – Kelmed (Malësia e mbi Shkodrës) ka marrë emrin e tij dhe quhet sot, Shkolla e Mesme “Nik Mrnaçaj”.

Filed Under: Histori, Kronike Tagged With: Beqir Sina, manifestimi perkujtimor, Nick mernacaj, u mbajt

KUVENDI I VATRËS U DHA FUND SUKSESSHËM PUNIMEVE

April 28, 2013 by dgreca

Ishte nje Kuvend model, ku spikati kultura dhe normat demokratike. Per postin e kryetarit konkuruan dr. Gjon Bucaj dhe kryetari i deges Westchester(South), Nick Markola/

Në shtunën me 27 prill 2013 në mjediset e hotelit Royal Regency në Yonkers, New York  zhvilloi suksesshëm punumet Kuvendi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Përveç delegatëve të zgjedhur në mënyrë demokratike sipas Kanunores së Vatrës nga vetë degët, sipas raportit një delegate për dhjetë anëtarë: dega  e Washingtonit, Michiganit, Hudson Valley, South Florida, Jacksonville Florida, Westchester South-NY, Queens, Newburgh, NY, dhe përfaqësues nga Bronx e Brooklyn-NY. Këtij numri iu bashkëngjitën edhe 16 delegatë të zgjedhur nga Këshilli i Vatrës.

Në Kuvend kanë marrë pjesë edhe Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës z. Ibrahim Makolli i shoqëruar nga drejtori për investimet në Diasporë, Naim Dedushaj, Konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë z. Dritan Mishto, Konsulli i përgjithshëm i Kosovës z. Bekim Sejdiu, anëtari i Asamblesë të Shtetit të New Yorkut, z. Mark Gjonaj. Kuvendin e Vatrës e ka nderuar edhe miku i shqiptarëve Kongresisti Eliot Engel.

Kuvendin e ka hapur kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj. Ai u ka uruar mirëseardhjen delegatëve dhe të ftuarëve dhe ka propozuar si drejtues të Kuvendit z. Asllan Bushati, i cili u aprovua me votim të hapur nga salla. Pas atij momenti kryetari Buçaj, sipas Kanunores së Vatrës paraqiti dorëheqjen e tij si kryetar dhe dorëheqjen e Këshillit drejtues. Z. Bushati, kërkoi nga të pranishmit zgjdhjen e dy ndihmësve për drejtimin e kuvendit. Me propozim dhe miratim nga salla u zgjodhën juristja Nazo Veliu nga New Yorku dhe biznesmeni nga Detroiti, njëkohësisht sekretar i degës së Michiganit Mondi Rakaj.

Këngëtarja e njohur Merita Halili e shoqëruar nga Raif  Hyseni interpretuan Hymnin Kombëtar Amerikan dhe atë shqiptar. Pjesmarrësit nderuan me një minut heshtje dëshmorët e Kombit.

Kuvendin e kanë përshëndetur; Kongresisti Eliot Engell,ansambleisti i shtetit të New Yorkut Mark Gjonaj,  Ministri Ibrahim Makolli, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë Dritan Mishto, konsulli i përgjithshëm Bekim Sejdiu, përfaqësuesi i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane Hafiz Shala.

Chairmani i Kuvendit, z. Bushati ka paraqitur dhe u ka dhënë nga katër minuta kohë për të përshëndetur Kuvendin dhe për të prezantuar aktivitetin e degëve të Vatrës, kryetarëve ; Alfons Grishaj për Michigan,Kolec Ndoja për South Florida,  Edward Buçaj për Washington, Elmi Berisha për Hudson Valley, Adriatik Spahiu për Jacksonville, Nick Markola për Westchester South dhe degëve në Queens dhe Newburgh.

Studiuesi Idriz Lamaj ka percjelle nje pershendetje nje pershendetje nga ambasadori i Shqiperise ne Londer, anetar nderi i Federates Vatra, njekohesisht autor i librit “Charls Telford Erickson-Jeta dhe vepra per Shqiperine dhe ne Shqiperi”, qe do te promovohet nga VATRA me 4 maj 2013 ne Royal Regency Hotel.

Kuvendi i Vatrës ka vazhduar punimet me paraqitjen e raporteve nga kryetari i dorëhequr Gjon Buçaj, arkëtari Danny Blloshmi, kryetari i Fondit të Vatrës dr. Nexhat Kaliqi, presidenti i Fondit të Studentëve Mithat Gashi dhe editori i Diellit Dalip Greca.

Më pas u kalua në diskutime të lira rreth raporteve, ku paraqitën mendimet e tyre zotërinjët Lek Mirakaj, Zef Balaj, Chris Kirka, Naser Çobaj. Z. Bashkim Musabelliu paraqiti disa mendime e propozime per ndryshime ne Kanunore, gje qe u la per t’u diskutuar nga udheheqja e re.

Pas një pushimi dhe kokteilit në mjediset e hotelit, është kaluar në zgjedhje. Me votim të hapur  është zgjedhur sekretaria për verifikimin e mandateve e përbërë nga zotërinjët: Adriatik Spahiu, Danny Blloshmi dhe Marian Cubi. Nënëkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj paraqiti listën e delegatëve të zgjedhur.Sekretaria i propozoi Chairmanit, që delegatët e degëve të reja, të cilët nuk plotësonin kohëanëtarësimin në Vatër prej dy vitesh, sa ç’e kërkon Kanunorja, për t’u quajtur delegatë të ligjshëm duhej të votoheshin nga Kuvendi. Kryetari e hodhi propozimin në votim dhe u pranua.

Më pas Kryetari i kuvendit propozoi kalimin në zgjedhjen e kryetari. Nëse do të kishte dy a më shumë kandidatë, votimi do të bëhej i fshehtë, nëse vetëm një, votim i hapur. Kryetari i dorëhequr, z. Gjon Buçaj deklaroi rikandidimin e tij. Më pas ishtë kryetari i degës së South Westchestër, z. Nick Markolaj, që deklaroi kandidimin për postin e kryetarit.

Kandidati i ri, z. Markola, për 22 minuta ka paraqitur projektin e tij për Vatrën e nesërme, strukturën e re organizative dhe funksionimin e saj. Projekti i tij u duartrokit, ndërkohë që pati edhe oponencë e diskutime nga salla, përfshi edhe kandidatin Gjon Buçaj.

Para votimit, kandidati Markolaj, duke vlerësuar faktorin bashkues, si garanci për ecjen përpara të Vatrës, shtrirjen e saj mundësisht në të gjithë shtetet e Amerikës, duke vlerësuar edhe kontributin e dr. Buçajt për riorganizimin dhe ngritjen e  tetë degëve të reja, u dorëhoq. Salla e Kuvendit e shpërbelu zotin Markolaj me duartrokitje. Po ashtu edhe dr. Buçaj e falenderoi për aktin kandidatin. Gjithësesi kandidatura e z. Markolaj, si përfaqësues i brezit të ri, të lindur në Amerikë, tregoi vizionin e brezit të ri për Vatrën e nesërme.

Ktyetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra u rizgjodh dr. Gjon Buçaj, i cili do të zgjedhë bordin e ri drejtues; dy nënkryetarët, sekretarin, arkëtarin dhe bashkëpunëtorët e tjerë.

Në mbrëmjen e së shtunës të 27 prillit, në restorantin piktoresk Light House të bashkatdhetarit Mark Gjonaj, anës oqeanit, u shtrua darka për delegatët dhe mysafirët, ku mori pjesë edhe Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli me bashkëpunëtorë, konsulli i përgjithshëm i Kosovës Bekim Sejdiu, ndihmësi i tij Fatmir Zajmi e të tjerë.Po ashtu ishin ftuar edhe familje të vatranëve që nuk jetojnë më, por që kanë dhënë kontribut të shquar në të shkuarën për Vatrën.

Gjatë darkës, Vatra nderoi Post Mortum me “Award of Merit”; Nexhmije Zaimi, Dr.Hamdi Uruçi, Dr. Edward Licho, Xhevat Kallajxhiu, Ing. Mahmoud Tsungu, Ramiz Dani, Arif  Neza, Abdulla Kaloshi,Petraq Ktona, Ymer Doda  dhe Rexhep Kumbarçe.

Po ashtu u nderuan me “Award of Merit”,  Ish editori i Diellit, Anton Çefa vatranët: Mustafë Elezi, Musli Mulosmanaj, Jonuz Ndreu, Hajdar Tonuzi, Tonin Mirakaj dhe Vasel Ujkaj.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Kuvendi i Vatres, u dha fund punimeve

Disa refuzohen disa me rryshfet arrijnë tek nënshtetësia

April 28, 2013 by dgreca

” Në zyrën tonë vijnë çdo 2-3 njerëz që pyesin, marrin këshilla rreth problemeve me shtetësitë, për fat të keq janë njerëz që i përkasin kategorisë së thjeshtë, punëtorë të cilët s’kanë asnjë lidhje me politikën, numri i kësaj kategoria është shumë i madh”, thotë udhëheqësja e kësaj zyre Teuta Kamberi./

Janë me dhjetëra shtetas të Maqedonisë të cilët kanë lindur në këtë shtet por që nuk mund të marrin statusin e nënshtetësisë. Për arsye të shumta burokratike por edhe çështje të korupsionit ata nuk mund të arrijnë deri tek kjo e drejtë e tyre legjitime që u takon. Që ironia të jetë më e madhe, në shumë raste janë edhe vetë banorë rezidentë të cilët nuk mund marrin nënshtetësi edhe pse kanë lindur në këtë shtet, janë rritur dhe shkolluar por refuzohen nga organet e shtetit që të realizojnë këtë të drejtë të tyre të garantuar me ligjet aktuale në fuqi.Ata kanë lindur fëmijë, kanë krijuar familje por nuk kanë nënshtetësi. Linda është një nga ana ata që më shumë se 10 vite kishte pritur që të mer nënshtetësi dhe ishe refuzuar nga organet e shtetit. Ajo thotë se ishe refuzuar të mer nënshtetësi kurse pasi që kishte gjetur njeri të fuqishëm dhe kishe paguar 200 euro, ishte pajisur me nënshtetësi. Organet e rendit janë kategorik se rastet koruptive janë eliminuar për sa i takon nënshtetësive. Linda disa herë ishte refuzuar për nënshtetësi krahas insistimit të saj. “Më kanë refuzuar disa herë për nënshtetësi, kurse kjo më ka penguar në shumë gjëra tjera gjatë jetës normale. Pa nënshetës nuk mund të kryesh asnjë punë në asnjë institucion të shtetit. Kam gjetur një njeri, përmes shumë kontakteve të mëparshme, i cili me premtoi se për 200 euro do më kryente punë. Dhe ashtu ndodhi. Jemi takuar në një lokal në Tetovë ku i kam dhënë 200 ero, dhe më pas kam marrë nënshtetësinë”, pohon Linda. Por në Policinë e Tetovës janë kategorik se nuk ka raste të mashtrimeve me nënshtetësitë. Madje në Policinë e Tetovës theksojnë se nuk ka as raste të kallximeve penale për ndonjë qytetarë që ka bërë ndërmjetësim me para gjatë marrjes së nënshtetësisë. “Sektori për Punë të Brendëshme në Tetovë, nuk ka të rregjistruar deri më tash asnjë rast apo denoncim për keqpërdorim gjatë dhënies së nënshtetësisë. Poashtu nuk ka ndonjë denoncim ndaj ndonjë personi për ndërmjetësim gjatë marrjes së nënshtetësisë”, thotë Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendëshme në Tetovë. Ai sqaron se policia ndjek nga afër zhvillimet që kanë të bëjnë me nënshtetësitë dhe nëse shfaqen keqpërdorime apo mashtrime të kësaj natyre atëherë janë të gatshëm të veprojnë conform ligjeve aktuale në fuqi në vend.Megjithatë problemi i nënshtetësisë nuk përfundon me kaq. Ka edhe shumë qytetarë të tjerë të cilët nuk mund të arrijnë deri tek kjo e drejtë. Një qytetarë nga Kumanova, kishte udhëtuar më shumë se 100 kilometa për të ardhur në zyrat e PUSH-it në Tetovë (zyrë civile për rastet e nënshtetësisë) për të kërkuar ndihmë. Ai ka lindur dhe është ritur në Kumanovë por që nga viti 1992 nuk ka nënshtetësi të Maqedonisë. Kështu, Avdullah Ibrahimi banor i Kumanovës, ankohet se prej atëherë e këndej nuk mund të ketë nënshtetësi të Maqedonisë kurse arsyet pse e refuzojnë ai thotë se janë banale. Ai shprehet se gruaja e tij që është nga Presheva e ka fituar shtetësinë në bazë të martesës me të në vitin 2001, po ashtu edhe 3 fëmijët e tij e kanë nënshtetësinë ndërsa vetëm ai jo. Sipas Ibrahimit, në emër të tij ka shtëpinë , dyqanin, dhe të gjithë faturat vijnë në emrin e tij, por ai nuk ka asnjë dokument verifikimi, çertifikatë dhe leje qëndrimi. “Disa herë kam parashtruar kërkesë për nënshtetësi por më kanë refuzuar. Në vitin 1999 kam shkuar në Zvicër ku jam rregjistruar si refugjat dhe ku kam vazhduar të qëndroj. Unë nënshtetësi kam pasur deri në vitin 1992 kam pasur dokumente të gjitha por më pas me kanë fshi dhe sot e kësaj dite ende nuk më japin këtë. Është apsurd ngase shtëpia është në emrin tim, faturat vijnë në emrin tim, kam dyqnin poashtu të rregjistruar në emrin tim. Kam kryer shkollën e mesme bujqësore edhe atë në gjuhën maqedonase prej ku kam diplomë.Këtu kam lindur, këtu jam shkolluar dhe në fund më kanë fshi edhe pse kam pas nënshtetësi të këtij shteti”, pohon Avdulla Ibrahimi, banor i qytetit të Komunovës. Poashtu këtë poblem e ka edhe zonja Naxhie Osmani e cila ka lindur në vitin 1967 në Çair të Shkupit dhe jeton në fshatin Bukoviç që i përket Komunës së Shkupit. Edhe pse ka lindur në Shkup dhe është banore e kryeqytetit zonja Naxhie nuk ka shtetësi të Maqedonisë, ndërsa bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët janë shtetas të Maqedonisë. Ajo pasi ka parashtruar disa herë kërkesa për shtetësi që nga viti 1997 e këndej megjithatë çdo herë ka marrë përgjigje negative. Ndërkohë, në zyrat e një organizate civile në Tetovë çdo ditë njerëz që kanë probleme me nënshtetësinë vizitojnë këta zyra dhe marrin këshilla.” Në zyrën tonë vijnë çdo 2-3 njerëz që pyesin, marrin këshilla rreth problemeve me shtetësitë, për fat të keq janë njerëz që i përkasin kategorisë së thjeshtë, punëtorë të cilët s’kanë asnjë lidhje me politikën, numri i kësaj kategoria është shumë i madh”, thotë udhëheqësja e kësaj zyre Teuta Kamberi. Llogaritë e organizatave joqeveritare janë se në Maqedoni me qindra qytetarë që kanë lindur në këtë shtet nuk mund të marrin nënshtetësi. TV KOHA

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: nnenshtetesi, rrushfeti, Teuta Llalla

Z. AGIM KARAGJOZI, QYTETAR NDERI I GJIROKASTRËS

April 25, 2013 by dgreca

Qyteti i lindjes e ka shpallë z. Agim Karagjozi”Qytetar Nderi të Gjirokastrës”. Ky është një vlerësim i merituar për z. Agim Karagjozi, i cili e ka nderuar qytetin me përkushtimin e tij atdhetar. President Nderi i Vatrës, për dy dekada kryetar i Vatrës, dhe për 55 vjet vatran, ai të gjithë jetën ia ka kushtuar çështjes Kombëtare.

Z. Karagjozi i tha gazetës “Dielli” se ky është nderi më i madh që i është bërë në jetën e tij, është  një vlerësim që e ka gëzuar shumë. Ai ka marrë tituj e mirënjohje të shumta nga organizata dhe individë; nga shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, përfshirë dhe dekorimin me “Urdhërin e Artë të Shqiponjës” nga Presidenca e Shqipërisë apo nderimi nga Bashkia e New Yorkut, por ky nderim nga Gjirokastra e ka emocionuar shumë. I ndjehem mirënjohës Gjirokastrës, tha ai.

Gjirokastra ka nderuar me këtë titull personalitete të larta të kulturës  si: Shkrimtaren antikomuniste Musine Kokalari, Gjuhëtarin Eqrem Çabej, shkrimtarin Ismail Kadare,ish kryeministrin e Italisë Romano Prodi, presidentin grek Karolos Papulias, pedagogun Muzafer Xhaxhiu, gazetarin Agron Çobani, akademikun Rexhep Qosja, ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj e të tjerë

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: agim karagjozi, dalip greca, Qytetar Nderi i gjirokastres

XHORXH BUSH BASHKON PRESIDENTËT

April 25, 2013 by dgreca

Ne Foto: Presidenti Obama, ishpresidentët Xhorxh W Bush, Bill Klinton, Xhorxh H Bush dhe Xhimi Karter në inaugurimin e Bibliotekës në Dallas/

Nga Frank Shkreli/

“Ne besojmë në shoqëri të lira që vlerësojnë bindjet morale. Ne besojmë në tregje të lira private, të  njerizuara nga një qeveri e mëshirshme. Ne besojmë në një ekonomi që shpërblen punën e rëndë, në komunitete që mbrojnë të brishtët, si dhe në detyrën dhe përgjegjësinë e kombeve për të respektuar dinjitetin dhe të drejtat e të gjithëve.”

Thënie e skalitur në murin e Qendrës së Presidentit Xhorxh W. Bush në Universitetin Metodist të Jugut në qytetin Dallas të shtetit Teksas.

Të ënjtën më 25 Prill u inaugurua “Qendra e Presidentit Xhorxh W. Bush”, hapësirë e cila përfshinë Bibliotekën e Presidentit Bush si edhe Institutin Bush, themeluar nga Presidenti dhe Zonja Bush, sipas njoftimit të Qendrës me qëllim për të “vazhduar punën e tyre për përhapjen dhe forcimin e lirisë në këtë vend dhe anë e mbanë botës.”

Në inaugurimin e kësaj qendre — e cila është biblioteka e 14 presidenciale dhe e dyta më e madhja pas bibliotekës të Presidentit Reagan — morën pjesë Presidenti në detyrë Barak Obama dhe ish-presidentët Xhorxh Bush plaku, Bill Klinton, Xhimi Karter, si dhe një numër personalitetesh ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Rasmusen dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe 15.000 personalitete të ftuar.

Qëllimi i bibliotekave presidenciale është në përgjithësi që brezi i tanishëm dhe brezat e ardhëshëm të mësojnë mbi presidentët, historinë amerikane dhe botërore gjatë periudhës që ata kanë shërbyer si preisdentë të Amerikës.  Qëllimi i Qendrës dhe Bibliotekës së Presidentit Bush, sipas portalit të saj, është që të “shërbejë si burim për studimin e jetës dhe të karjerës së Xhorxh W. Bush, ndërkohë që promovon gjithashtu njohjen më të mirë të zyrës së presidentit, të historisë amerikane dhe të çështjeve të rëndësishme të politikave publike”, gjatë mandatit të tij si president.

Në këtë bibliotekë, sipas drejtorit të saj Mark Langdale, do të ruhen të gjitha arkivat e dy mandateve të administratës Xhorxh W. Bush, informacione digjitale dhe më shumë se 200-milion komunikime elektronike (emails), që përbën kolekcionin më të madh elektronik të bibliotekave presidenciale, ekspozita që pasqyrojnë vendimet kyçe të administratës Bush si dhe ekspozita digjitale dhe vizuale për t’ia bërë më të lehtë vizitorëve të ndjekin masat dhe vendimet e marra nga presidenti Bush si dhe arsyet dhe parimet që e drejtuan atë në marrjen e vendimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Natyrisht në këtë dokumentacion përfshihen edhe tekste të ndryshme historike, gjithsejt nja 70-milion faqe nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së bardhë gjatë presidencës Bush.  Si e tillë, këjo qendër u ofron materiale dhe dokumentacion historik të dorës së parë, historianëve, akademikëve, studentëve dhe publikut, të cilët do të përpiqen që vet të rivlersojnë politikën dhe vendimet, shpesh kontraversiale, që ka marrë presidenti Xhorxh Bush dhe të cilat mbeten objekt intrepretimesh të ndryshme.

Megjithëse shpenzimet për ndërtimin dhe inuagurimin e kësaj Qëndre janë mbledhur nga fonde private, gjithsejt 500-milionë dollarë, tani e tutje Biblioteka do të administrohet nga Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, që kujdesen edhe për bibliotekat e tjera presidenciale, me fjalë tjera nga taksapaguesit amerikanë.

Inaugurimi i kësaj Qendre dhe biblioteke është i rëndësishëm për historinë e Shtetev të Bashkuara  dhe për politikat kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë tetë vjetëve të administrates së Xhorxh W. Bush.  Njëkohsisht ishte në rast i rrallë që pesë presidentë të Amerikës, anëtarë të një klubi ekskuziv, ishin së bashku dhe të cilët gjatë 25 vjetëve të kaluara kanë përcaktuar politikën e mbrendshme dhe të jashtme të Amerikës.  Gjatë pothuaj tre dekadave të kaluara, ata kanë argumentuar dhe debatuar ashpër me njëri tjetrin.  Megjithë ndryshimet politike midis tyre, gjithmonë duke nënvijuar qendrimet dhe parimet qeverisëse për të  mirën e Amerikës dhe të botës –  gjithmonë duke venë dashurinë për Amerikën mbi të gjitha interesat, personale, politike ose partiake.  Takimi i pesë presidentëve amerikanë në Dallas në inaugurimin e Qendrës Xhorxh W Bush, ishte një pasqyrim i demokracisë së vërtetë se se megjith ndryshimet e mëdha në pikpamjet politike midis tyre, presidentët amerikanë,  mbi të gjitha, tregojnë admirimin dhe respektin për zyrën e presidentit dhe dashurinë për atdheun e tyre, Amerikën.  Ky takim, sipas Presidentit Obama – i cili shpeshë ka kritikuar politikat e parardhësit të tij — ishte gjithashtu një moment që ai e cilësoi si një “ditë e veçantë për demokracinë” dhe një rast që ishpresidenti Bill Klinton e  karakterizoi si një ditë, “celebrimi për atdheun tonë, të cilin të gjithë ne e duam”.  Në fjalimin e tij, Presidenti Obama lavdëroi, ish-presidentin  Xhorxh Bush për udhëheqjen e tij pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, për përpjekjet e tij për të luftuar sëmundjen e SIDës në Afrikë si edhe për politikat e tija të arsimit dhe të imigracionit.

Presidenti Xhorxh Bush,në fjalimin e tij përshëndetës, tha me sy të përlotur dhe plotë emocion se, “E  dedikoj këtë bibliotekë me një besim të palëkundshëm në të ardhmen e vendit tonë”, duke shtuar se “ishte një nder të udhëhiqja një vend aq trim dhe aq fisnik siç janë Shtetet e Bashkuara…dhe se pa marrë parasyshë sfidat me të cilat përballet vendi, Amerikën e pret  një e ardhme më e mirë”.  Duke nënvijuar sukseset e administratës së tij, Z. Bush tha se, “Ne kemi zgjëruar liritë mbrenda këtij vendi duke rritur standardet në shkolla dhe duke ulur taksat për të gjithë. Ne kemi çliruar kombe nga diktatura dhe kemi shëruar njerëz nga sëmundja e SID-së”.  Dhe duke folur për sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001, ai tha se, “kur atdheu ynë u sulmua  ne morën vendime të vështira për të mbrojtur popullin amerikan”, dhe shtoi se parimi kryesor i administratës së tij ishte zgjërimi i caqeve të lirisë”, përfundoi presidenti Xhorxh Bush.

Ndonëse ky inaugurim u cilësua nga një gazetë amerikane si “një darsëm pa alkool”, ceremonia kryesisht u përqendrua mbi aspektet pozitive të administrates së Xhorxh W Bush prej dy mandatesh dhe jo mbi çështjet kontraversiale siç ishte lufta në Irak.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: bashkon presidentet, Frank shkreli, Xhorxh Bush

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 536
  • 537
  • 538
  • 539
  • 540
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT